Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 January 2026Main stream

Nënstacioni i ri 110/20 kV në Kamzë siguron energji të qëndrueshme për gjashtë zona

13 January 2026 at 19:54

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Punimet për ndërtimin e nënstacionit të ri 110/20 kV në Kamzë po vijojnë me ritme të shpejta. Ky investim strategjik, synon të përmirësojë furnizimin me energji elektrike, të rrisë sigurinë e rrjetit dhe të garantojë shërbim më cilësor për qytetarët e zonës.

Kryetari i bashkisë së Kamzës, Rakip Suli ndau në rrjete sociale pamje nga ky investim, teksa u shpreh se, “projekti i ri do të sigurojë energji të qëndrueshme dhe do të rrisë cilësinë e shërbimit për qytetarët dhe bizneset”.

Investimi përfshin: 2 transformatorë, 41 kabina dhe 30 kilometra rrjet 20 kilovolt.

Ky projekt realizohet me mbështetjen e qeverisë dhe financimin e Qeverisë Gjermane përmes KfW, duke u konsideruar një investim strategjik për forcimin e rrjetit energjetik dhe rritjen e sigurisë së furnizimit.

Nënstacioni i ri do të shërbejë për zonat: Fushë-Kamzë; Valiasin e Ri; Valiasin e Vjetër; Laknasin; Lagjen Lura dhe Lagjen 6, Bathore.

“Ky investim është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të rrjetit energjetik dhe përmirësimit të shërbimit për qytetarët. Ai do të sigurojë furnizim të qëndrueshëm dhe do të minimizojë ndërprerjet e energjisë elektrike në zonë”, tha kryetari Suli.

Projekti pritet të përfundojë në periudhën e ardhshme dhe do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e komunitetit në bashkinë e Kamzës.

/e.xh/r.e/a.f/

The post Nënstacioni i ri 110/20 kV në Kamzë siguron energji të qëndrueshme për gjashtë zona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UBT prezanton 13 programe Bachelor të unifikuara me Universitetin BOKU

13 January 2026 at 18:57

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT) prezantoi sot 13 programe Bachelor të zhvilluara dhe të unifikuara në bashkëpunim me Universitetin BOKU të Vjenës, një nga institucionet më prestigjioze në Austri dhe Evropë.

Këto programe bazohen në standarde akademike të larta dhe synojnë të ofrojnë një arsim universitar konkurrues dhe modern në fushën e bujqësisë dhe shkencave të jetës.

Në pritje të misionit të Universitetit BOKU në fund të muajit janar, UBT organizoi sot në ambientet e universitetit, një takim informues me maturantët e Tiranës, ku nxënësit patën mundësinë të njihen nga afër me ofertën studimore, mundësitë akademike dhe perspektivat profesionale që ofrojnë këto programe.

Përfaqësuesit e UBT theksuan rëndësinë e zgjedhjes së një programi studimi që përputhet me zhvillimet bashkëkohore në sektorin e bujqësisë dhe kontribuon në formimin e specialistëve me kompetenca europiane.

/e.xh/r.e/a.f/

The post UBT prezanton 13 programe Bachelor të unifikuara me Universitetin BOKU appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balluku: Semani është kthyer në shtratin e tij, do të kryhet vlerësimi i plotë i dëmeve

13 January 2026 at 17:36

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku inspektoi sot situatën në zonat e përmbytura të qarkut të Fierit, ku deklaroi se gjendja po shkon drejt përmirësimit, pasi lumi Seman është kthyer në shtratin e tij dhe është kryer evakuimi i plotë i banorëve të prekur.

“Jemi në një stad përmirësimi të situatës, pasi lumi Seman është kthyer në shtratin e tij. Sigurisht, kjo zonë është shumë pranë hidrovorit dhe vijon të ketë prezencë uji, por e rëndësishme është që, ndonëse rreth 20 banesa janë prekur, asnjë nga qytetarët nuk është dëmtuar. Evakuimi i plotë i të gjithë banorëve është realizuar”, u shpreh Balluku.

Ajo informoi se më herët kishte pasur vështirësi në kontaktimin e dy barinjve në zonë, por situata është zgjidhur. “Kishim para pak orësh një situatë me dy barinj, të cilët nuk arrinim t’i kontaktonim, megjithatë ata janë gjetur dhe janë të sigurt. Gjithçka është zhvilluar nën mbikëqyrjen e forcave të Emergjencave Civile, por edhe të gjithë grupeve të tjera të angazhuara”, tha Balluku.

Zëvendëskryeministrja vlerësoi rolin e Forcave të Armatosura në përballimin e situatës emergjente. “Forcat e Armatosura kanë pasur një rol të jashtëzakonshëm në këto ditë të vështira dhe sfiduese, pothuajse në të gjithë vendin”, nënvizoi ajo.

Balluku bëri të ditur se në dy deri në tri ditët në vijim nuk parashikohen reshje, çka do të krijojë kushtet për ndërhyrje rikuperuese. “Kjo do të jetë koha për të rikuperuar dëmtimet që kanë ndodhur në argjinatura. Jemi duke diskutuar me inxhinierët e bordit të kullimit për hapat që do të ndërmerren. Gjithsecili është në krye të detyrës dhe po i përgjigjet kërkesave të qytetarëve”, deklaroi ajo.

Duke iu drejtuar banorëve të zonave të përmbytura, Balluku apeloi për bashkëpunim me pushtetin vendor. “Të gjithë banorët që kanë nevojë për mbështetje, veçanërisht për ushqimin e bagëtive, duhet të kontaktojnë menjëherë pushtetin vendor. Janë në dispozicion rezervat e shtetit, si për nevojat personale, ashtu edhe për ushqimin e bagëtive. Ne jemi në terren gjatë gjithë kohës dhe do të vazhdojmë deri në përmirësimin total të kushteve”, tha Balluku.

Sa i përket menaxhimit të prurjeve ujore, Balluku theksoi se shkarkimet nga kaskada e Devollit janë ulur në minimum.

“Duke qenë se ndikimi i kësaj kaskade vjen në lumin Seman, shkarkimet janë ulur në kuotën minimale dhe janë më të ulëta se prurjet aktuale. Kompania ‘Statkraft’ i është përgjigjur thirrjes sonë për të ulur sa më shumë shkarkimet, ashtu siç është bërë edhe me kaskadën e Drinit, e cila është menaxhuar në mënyrën më të mirë duke minimizuar përmbytjet në Fushën e Shkodrës”, u shpreh Balluku.

Në vijim, ajo bëri të ditur se do të kryhet vlerësimi i plotë i dëmeve.

“Do të na duhet të bëjmë të gjitha riparimet e nevojshme dhe vlerësimin e dëmeve. Më pas, në bashkëpunim me bashkitë dhe grupet e ngritura nga Emergjencat Civile, do të realizohet një shpërndarje e drejtë e kompensimit, sipas një skeme që po ndërtohet nga Ministria e Financave dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si për banesat e prekura, ashtu edhe për dëmet në serra dhe toka bujqësore”, deklaroi ajo.

E pyetur për dëmtimet në argjinaturën e lumit Seman, Balluku sqaroi se bëhet fjalë për dëmtime dhe jo çarje të plota.

“Kemi dëmtime të argjinaturës së Semanit. Do të ketë riparime të menjëhershme, sapo të bjerë niveli i ujit, dhe më pas ndërhyrje më të thella për të përforcuar të gjitha segmentet e prekura. Pikat problematike janë identifikuar dhe do të riparohen menjëherë”, përfundoi Balluku.

/e.xh/a.f/r.e/

The post Balluku: Semani është kthyer në shtratin e tij, do të kryhet vlerësimi i plotë i dëmeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Censi i shpendëve ujorë 2026, 102 specialistë të angazhuar në 34 vendnumërime

13 January 2026 at 17:10

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Në kuadër të Censit Ndërkombëtar të Shpendëve Ujorë Dimërorë 2026, në Shqipëri janë angazhuar 102 specialistë të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), si dhe 17 ekspertë të fushës, të cilët do të marrin pjesë në monitorimin e shpendëve ujorë në 34 vendnumërime në të gjithë territorin e vendit.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj theksoi se Censi Ndërkombëtar i Shpendëve të Ujit përbën një nga proceset më të rëndësishme shkencore për monitorimin dhe ruajtjen e biodiversitetit.

“Prej vitit 1967, ky census mbledh çdo vit të dhëna të çmuara për biodiversitetin, falë mijëra vëzhguesve në mbarë botën”, u shpreh ministri Jaupaj.

Ai nënvizoi se përmes Ministrisë së Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Shqipëria i bashkohet edhe këtë vit këtij monitorimi ndërkombëtar, i cili do të zhvillohet më 17-18 janar, me qëllim mbledhjen dhe raportimin e të dhënave të sakta mbi popullatat e shpendëve ujorë dhe gjendjen e ekosistemeve ujore.

Sipas Ministrisë së Mjedisit, të dhënat e mbledhura gjatë censusit shërbejnë si bazë shkencore për hartimin e politikave të mbrojtjes së natyrës dhe menaxhimin e qëndrueshëm të zonave ujore dhe ligatinore në vend.

Censi Dimëror i Shpendëve Ujorë realizohet çdo vit në bashkëpunim me institucione shtetërore, ekspertë të biodiversitetit dhe vëzhgues të specializuar, duke kontribuar në ruajtjen afatgjatë të shpendëve të ujit dhe habitateve të tyre natyrore.

/r.e/a.f/

The post Censi i shpendëve ujorë 2026, 102 specialistë të angazhuar në 34 vendnumërime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vijon shpërndarja e ndihmave për familjet e prekura nga përmbytjet në Shkodër

12 January 2026 at 22:53

TIRANË, 12 janar /ATSh/ Të gjitha strukturat përkatëse qendrore dhe vendore janë angazhuar për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës, si pasojë e reshjeve intensive të shiut të ditëve të fundit.

Bashkia Shkodër, në bashkëpunim me institucionet qendrore, Forcat e Armatosura dhe strukturat e Emergjencave Civile, po vijon ndërhyrjet në terren për menaxhimin e situatës dhe mbështetjen e familjeve të prekura. Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci ndau pamje nga operacionet e ndihmës, ku shfaqen ndërhyrje të ndryshme në zonat e përmbytura.

Sipas Becit, strukturat bashkiake në bashkëpunim me Forcat e Armatosura janë të angazhuara në shpërndarjen e ndihmave ushqimore për familjet, banesat e të cilave janë përmbytur nga uji, si dhe në sigurimin e bazës ushqimore për bagëtinë, me qëllim lehtësimin e situatës për banorët dhe fermerët e zonave të prekura.

Ai bëri të ditur se edhe gjatë ditës së sotme ka vijuar shpërndarja e ndihmave nga Bashkia Shkodër, në bashkëpunim me Rezervat e Shtetit, konkretisht për zonën e Obotit, një nga zonat më të prekura nga përmbytjet.

Në kuadër të këtij operacioni janë shpërndarë koncentrat për bagëtitë dhe ujë i pijshëm, për të minimizuar vështirësitë e shkaktuara nga prania e ujit dhe për të garantuar furnizimin bazë për familjet e prekura.

Autoritetet vendore bëjnë me dije se ndihma po shpërndahet për çdo familje të prekur nga përmbytjet dhe se angazhimi do të vijojë deri në normalizimin e plotë të situatës, ndërkohë që strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri për të përballuar çdo zhvillim të mëtejshëm të situatës.

/e.xh/a.f/r.e/

The post Vijon shpërndarja e ndihmave për familjet e prekura nga përmbytjet në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 12 January 2026Main stream

KESH: Prodhimi ditor në tre HEC-et e Drinit arrin 26.000 MWh

12 January 2026 at 20:58

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESh) bëri të ditur sot se prodhimi ditor në tre HEC-et e kaskadës së lumit Drinit është 26.000 MWh, ndërkohë që vijojnë shkarkimet nga HEC-et e Komanit, Fierzës dhe Vaut të Dejës.

Sipas KESH, nivelet në liqenet e kaskadës së Drinit janë: HEC-i i Fierzës 292,6 mmnd; HEC-i i Komanit 171,6 mmnd; HEC i Vaut të Dejës 74,8 mmnd.

Prurjet natyrore në hidrocetralin e Fierzës janë 650 m3/s; në Koman 300 m3/s dhe në atë të Vaut të Dejës 120 m3/s.

Ndërsa shkarkimet nga HEC-i i Fierzës shënojnë 300 m3/s; nga HEC-i i Komanit 600 m3/s dhe nga HEC-i i Vaut të Dejës 700 m3/s.

/e.xh/r.e/a.f/

The post KESH: Prodhimi ditor në tre HEC-et e Drinit arrin 26.000 MWh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe për nxënësit e klasave të nënta

12 January 2026 at 18:42

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro mori pjesë sot në shkollën “Avni Rustemi” në nisjen e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe, i cili zhvillohet njëkohësisht në të gjithë Shqipërinë për nxënësit e klasave IX.

Gjatë takimit me konkurrentët e parë, ministrja Kumbaro u uroi suksese të gjithë nxënësve, duke e cilësuar këtë garë si një konkurs të veçantë që ushqehet nga dashuria për gjuhën shqipe dhe që po kthehet në një traditë të rëndësishme për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kombëtare.

“Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe është një nismë e përvitshme, e cila këtë vit ka nisur më 12 janar dhe do të përfshijë të gjitha klasat IX në shkallë vendi. Ky konkurs nuk ka vlerë vetëm për nxënësit, por edhe për mësuesit, pasi garanton që gjuha shqipe të jetë në “duar të sigurta” dhe të mësohet me cilësi ndër breza”, u shpreh Kumbaro.

Ministrja e cilësoi konkursin si një proces njëkohësisht zbavitës dhe sfidues, që nxjerr në pah talentet e reja dhe që do të vijojë me fazat e kualifikimit në nivel shkolle, bashkie dhe qarku, për të përfunduar në finalen kombëtare, e cila do të transmetohet në Televizionin Publik Shqiptar.

“Kjo nuk është thjesht një garë shkollash, por një konkurs kombëtar i gjuhës shqipe, që synon të lartësojë përdorimin korrekt dhe të bukur të shqipes”, u shpreh ministrja.

Në përfundim, Kumbaro u bëri thirrje nxënësve të jenë kreativë dhe origjinalë edhe në botën digjitale, duke theksuar se të qenit inovativ do të thotë, mbi të gjitha, të flasësh bukur shqip.

/e.xh/a.f/r.e/

The post Nis Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe për nxënësit e klasave të nënta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rritje e transaksioneve bankare, 356 mijë pagesa me vlerë 5,6 miliardë euro në 11 muaj

12 January 2026 at 17:24

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Transaksionet përmes sistemit bankar shënuan rritje gjatë vitit 2025.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në 11 muajt e parë të vitit janë procesuar 356.609 pagesa në euro, me një vlerë totale prej 5,6 miliardë eurosh, duke shënuar një rritje prej 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas BSH-së, vetëm gjatë muajit nëntor janë realizuar 32.714 transaksione në euro, me një vlerë prej 513,8 milionë eurosh, duke reflektuar intensifikimin e përdorimit të kanaleve bankare për pagesat ndërkufitare dhe transaksionet tregtare.

Rritja e transaksioneve elektronike po nxitet nga digjitalizimi i shërbimeve, kostot më të ulëta dhe lehtësia në përdorim, faktorë që janë përmirësuar falë sistemeve të pagesave si AIPS dhe SEPA.

Banka e Shqipërisë parashikon që në periudhën në vijim ky trend të përforcohet edhe më tej me implementimin e sistemit Instant Payment, i cili do të mundësojë pagesa në kohë reale.

/e.xh/a.f/r.e/

The post Rritje e transaksioneve bankare, 356 mijë pagesa me vlerë 5,6 miliardë euro në 11 muaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Mot i paqëndrueshëm të dielën, reshje shiu dhe dëbore

11 January 2026 at 07:30

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se vendi ynë ditën e diel do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.

Sipas SHMU-së, moti parashikohet me kthjellime të herëpashershme dhe alternime vranësirash të cilat do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët në juglindje të vendit.

Në zonën e Alpeve, në verilindje në lartësinë mbi 100 metra dhe juglindje mbi 200-300 metra priten reshje dëbore me intensitet të ulët dhe lokalisht deri mesatar, në pjesën tjetër të vendit reshje lokale bore me intensitet të ulët. Pas orëve të pasdites reshjet e shiut dhe dëborës pritet të ndërpriten në të gjithë territorin.

Mjegull e dendur/mjegullinë dhe shikim i reduktuar për shkak të reshjeve të shiut dhe dëborës.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim–verilindje 10 m/s, ndërsa në lugina dhe bregdet deri 22 m/s, shoqëruar me dallgëzim 4-5 ballë.

/e.xh/r.e/

The post Mot i paqëndrueshëm të dielën, reshje shiu dhe dëbore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia bllokon segmentin Bogë-Qafë Thore-Theth gjatë natës, rrezik nga orteqet

10 January 2026 at 20:36

TIRANË, 10 janar /ATSH / Policia e Shtetit njofton se, për shkak të kushteve të përkeqësuara atmosferike dhe rrezikut nga orteqet e dëborës, segmenti rrugor Bogë–Qafë Thore–Theth do të mbetet i bllokuar gjatë natës.

“Sipas analizës së riskut dhe komunikimeve me inxhinierët e firmës kontraktore për mirëmbajtjen e rrugës, qarkullimi i automjeteve nuk do të lejohet gjatë orëve të natës, për shkak të rrezikshmërisë së lartë dhe kufizimit të fushëpamjes.

Kalimi i automjeteve do të lejohet vetëm në raste emergjence dhe vetëm në shoqërim të mjeteve borëpastruese dhe shërbimeve policore”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia e Shtetit apelon drejtuesit e mjeteve që të respektojnë vendimin dhe të tregojnë kujdes maksimal në zonat me rrezik nga orteqet.

/r.e/

The post Policia bllokon segmentin Bogë-Qafë Thore-Theth gjatë natës, rrezik nga orteqet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Protesta e 24 janarit synon bashkimin e frontit opozitar për largimin e qeverisë

10 January 2026 at 20:35

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, njoftoi sot se protesta e ardhshme e opozitës është caktuar në datën 24 janar. Ai theksoi se kjo protestë nuk ka për qëllim marrjen e pushtetit me dhunë, por është një shprehje e revoltës qytetare dhe një mesazh i qartë për largimin e qeverisë aktuale, të cilën e cilësoi si “narkoshtet”.

Gjatë një konference për shtyp pas mbledhjes së kryesisë së PD-së, Berisha deklaroi se zemërimi popullor ndaj qeverisë është i jashtëzakonshëm dhe i pakufishëm, ndërsa opozita është e vendosur të vazhdojë deri në fund për largimin e qeverisë dhe denoncimin e korrupsionit dhe amnistimit të fondeve publike.

Ai garantoi gjithashtu se protesta e 24 janarit nuk do të ngjajë me ngjarjet e 21 Janarit dhe nuk do të përdoret dhuna.

“Opozita ka vetëm protesta të llojeve nga më të ndryshmet. Pra, mesazhi ynë për narkoshtetin është: ik një minutë e më parë! Zemërimi popullor është i jashtëzakonshëm, i papërmbajtur. 21 Janari është vepër e Edi Ramës, e burracakut dhe frikacakut Edi Rama. Sali Berisha nuk merr pushtet me dhunë. E ka deklaruar këtë më datën 12 dhjetor të vitit 1990”, tha Berisha.

Berisha theksoi se pjesëmarrja në protesta nuk lidhet me poste partiake dhe ftoi individët, organizatat dhe forcat politike që nuk ishin të pranishme në takimet e fundit të bashkohen me frontin opozitar, të cilin e përshkroi si një forum të përbashkët për largimin e qeverisë. Ai shtoi se përgjegjësinë për ndryshimin e situatës politike duhet ta marrin qytetarët shqiptarë dhe se zhvillimet e fundit në krahun e opozitës janë pozitive.

“Dje ishte një forum, të themi një takim i gjerë, shumë i gjerë, i të gjitha forcave politike, personaliteteve të botës akademike, shoqërisë civile dhe medieve, personalitete me reputacion, të cilët janë të gatshëm ose janë të vendosur në betejën kundër të keqes që quhet Rilindja apo Edi Rama. Pra, ajo që patë ju dje, aty u mblodhën të gjithë ata të cilët janë të vendosur të luftojnë të keqen që quhet Edi Rama”, u shpreh Berisha.

Kryedemokrati nënvizoi gjithashtu se protestat e vazhdueshme janë e vetmja rrugë për largimin e qeverisë, ndërsa variantet e tjera, sipas tij, janë iluzive. Fronti opozitar, shtoi ai, synon bashkimin e të gjitha forcave që kundërshtojnë qeverinë dhe promovimin e një përpjekjeje mbarëkombëtare për ndryshimin e situatës politike në vend.

/r.e/

The post Berisha: Protesta e 24 janarit synon bashkimin e frontit opozitar për largimin e qeverisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKT: Riparohet defekti në linjën 400 mm

10 January 2026 at 18:18

TIRANË, 10 janar /ATSH / Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT) njofton banorët e zonave të Institutit dhe Kodër Kamzës se defekti në linjën 400 mm pranë Praktiker – Ura e Institutit është riparuar dhe furnizimi me ujë të pijshëm është rikthyer në normalitet.

Defekti kishte shkaktuar ndërprerje të përkohshme në furnizimin me ujë, ndërsa ekipet teknike të UKT kishin ndërhyrë menjëherë në terren për riparimin e tij.

UKT falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin gjatë kohës së ndërprerjes dhe u siguron se po vijon monitorimi i vazhdueshëm i rrjetit të ujësjellësit për të garantuar furnizimin e qëndrueshëm me ujë të pijshëm.

/e.xh/r.e/

The post UKT: Riparohet defekti në linjën 400 mm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: 130 mjete borëpastruese dhe 800 punonjës të ARRSH në terren për të mbajtur hapur akset rrugore

10 January 2026 at 17:48

TIRANË, 10 janar /ATSH / Kryeministri Edi Rama bëri të ditur pasditen e të shtunës se, në kushtet e motit të keq me reshje intensive shiu dhe dëborë të denduar, ekipet e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) janë në terren pa ndërprerje, duke punuar ditë e natë për të mbajtur akset rrugore të hapura dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve në lëvizje.

Kryeministri Rama apeloi që drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, të ulin shpejtësinë dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, veçanërisht në zonat malore ku reshjet kanë krijuar vështirësi të lëvizshmërisë.

Sipas të dhënave nga ARRSH, Rama tha se, “aktualisht janë në terren: 130 mjete borëpastruese; 577 mjete të tjera për menaxhimin e rrugëve;  800 punonjës të angazhuar për sigurimin e qarkullimit; 5300 tonë kripë; 1800 tonë granil”.

Kryeministri Rama theksoi se këto mjete dhe punonjës po veprojnë në zonat ku paraqitet nevoja për normalizimin e situatës, duke garantuar qarkullimin dhe sigurinë e qytetarëve në të gjithë vendin.

Rama bëri të ditur gjithashtu se punimet do të vijojnë pa ndërprerje deri në normalizimin e plotë të situatës.

/e.xh/r.e/

The post Rama: 130 mjete borëpastruese dhe 800 punonjës të ARRSH në terren për të mbajtur hapur akset rrugore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kozeli: Shkarje dherash në aksin Tepelenë-Gjirokastër, qarkullimi në një krah

10 January 2026 at 17:40

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Qarku i Gjirokastrës është ndër zonat më të goditura nga reshjet intensive të ditëve të fundit.

Në aksin rrugor Tepelenë–Gjirokastër, në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë”, tri ditë më parë ndodhi një shkarje masive e dherave që bllokoi qarkullimin e mjeteve.

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ami Kozeli inspektoi sot situatën në terren dhe bëri të ditur se, pas ndërhyrjes së menjëhershme së ARRSH dhe kompanisë kontraktore të mirëmbajtjes, qarkullimi i mjeteve është rikthyer me një kah, për shkak se rreshqitja vazhdon të jetë aktive dhe paraqet rrezik.

Shkaku i kësaj situate janë reshjet intensive dhe erozioni i tokës.

Kozeli bëri të ditur se, ARRSH dhe kontraktori do të mbajnë nën monitorim të plotë dhe janë në gadishmëri për të ndërhyrë në çdo kohë që paraqitet nevoja, deri në normalizimin e plotë të situatës, për të eliminuar çdo rrezik për qytetarët.

Kozeli bëri të ditur se, menjëherë pas përmirësimit të situatës ARRSH do të ndërhyjë në të gjithë aksin me një projekt të plotë, duke siguruar një zgjidhje të qëndrueshme dhe të sigurt për qarkullimin.

/e.xh/r.e/

The post Kozeli: Shkarje dherash në aksin Tepelenë-Gjirokastër, qarkullimi në një krah appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia e Shtetit apelon për kujdes në qarkullim

10 January 2026 at 17:24

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Policia e Shtetit u bën apel drejtuesve të automjeteve dhe motomjeteve që të tregojnë kujdes maksimal gjatë qarkullimit për shkak të motit të keq, me reshje shiu, breshëri dhe dëbore, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Sipas njoftimit të policisë, në zonat malore, drejtuesit e automjeteve këshillohen të përdorin goma dimërore dhe të kenë me vete mjetet antirrëshqitëse.

Shërbimet e Policisë po koordinojnë veprimet me firmat kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve në të gjitha zonat e prekura, për të siguruar pastrimin dhe lëvizshmërinë e rrugëve në kohë.

Policia apelon për respektimin e rregullave bazë të qarkullimit: Moderim të shpejtësisë; Mos kryeni parakalime të gabuara; Mos përdorni celularin gjatë drejtimit të mjetit; Mos drejtoni automjetin nën efektin e alkoolit.

Për çdo emergjencë, qytetarët mund të kontaktojnë në numrin 112, thuhet në njoftimin e policisë.

/e.xh/r.e/

The post Policia e Shtetit apelon për kujdes në qarkullim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 100 efektivë të Forcave të Armatosura në terren në ndihmë të qytetarëve

10 January 2026 at 17:16

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri të ditur se në kushtet e reshjeve intensive dhe dëborës, efektivët e Forcave të Armatosura po garantojnë sigurinë e banorëve nga veriu në jug.

Sipas ministrit, ekipet e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile po koordinojnë dhe menaxhojnë situatën, ndërsa skuadrat xheniere po riparojnë infrastrukturën dhe sigurojnë lëvizshmërinë në të gjitha zonat e prekura.

“I gjithë aparati i mbrojtjes është i angazhuar maksimalisht në mbështetje të strukturave lokale. Aktualisht, mbi 100 efektivë dhe dhjetëra mjete janë angazhuar në qarqet Vlorë, Durrës, Gjirokastër, Shkodër dhe Kurbin, si dhe në çdo zonë ku ka qenë e nevojshme ndërhyrja, me qëllim garantimin e sigurisë së banorëve dhe menaxhimin e situatave emergjente”, u shpreh Vengu.

Sipas tij, në Durrës janë angazhuar 62 efektivë, 18 mjete, 5 motogomone, 12 agregate, 7 motopompa, nga të cilat 4 janë me fuqi të lartë thithëse, 1 me fuqi të mesme dhe 2 me fuqi të vogël.

Në Gjirokastër janë angazhuar 34 efektivë, ndërsa një motopompë po ndihmon forcat për normalizimin e situatës në lagjen “Granicë”.

Në fshatin Obot, në Shkodër, po punojnë 9 efektivë me 2 mjete dhe një varkë, në ndihmë të komunitetit.

Ndërkohë, në Kurbin u zhvillua një operacion xhenier për pastrimin e rrugëve, me angazhimin e 3 efektivëve dhe 2 mjeteve.

Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, vijojnë punën në terren për garantimin e sigurisë së banorëve dhe mbajtjen e situatës nën kontroll.

Ministri Vengu theksoi se strukturat janë të bashkuara dhe gati për të reaguar në çdo situatë emergjente.

/e.xh/r.e/

The post Mbi 100 efektivë të Forcave të Armatosura në terren në ndihmë të qytetarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MIE: Probleme nga dëbora në disa akse rrugore, po punohet për hapjen e tyre

10 January 2026 at 17:12

TIRANË, 10 janar/ATSH/ Strukturat nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) kanë vijuar punën në terren për normalizimin e situatës të shkaktuar nga përkeqësimi i motit.

Pavarësisht kushteve të vështira me reshje shiu dhe dëbore, ekipet e strukturave përkatëse kanë ndërhyrë kudo ku janë raportuar problematika.

Sipas informacionit të MIE-s, reshje dëbore janë regjistruar në akset: Bogë–Theth, Hani i Hotit–Vermosh, Qafë Mali–Fierzë, Surel–Qafë Priskë–Qafë Mollë, Elbasan–Gjinar, Ibë–Krrabë–Elbasan, Dardhë dhe Korçë–Voskopojë.

Akset me probleme janë Maliq–Moglicë, hyrja e rrugës nacionale në Himarë, Elbasan–Gjinar (shkarje skarpatash), Ersekë–Leskovik km 6, Kalimash–Fushë Dukagjin, Librazhd–Elbasan dhe Subash, Tepelenë–Gjirokastër.

Sa i takon furnizimit me energji elektrike, në rang vendi janë 22 fidera jashtë pune. Rajonet më të prekura janë Tirana (rrethinat), Lushnja dhe Gjirokastra. Të gjitha linjat 35 kV dhe nënstacionet, si dhe rrjeti që furnizon hidrovoret, funksionojnë normalisht.

Linja 220 kV Burrel–Elbasan 1 vazhdon të jetë e stakuar. Brigadat e OST-së janë në terren për riparimin e defektit. Konsumatorët nuk preken.

Situata në kaskadën e Drinit është: HEC Fierzësasia e prurjeve është 1200 m³/s; në HEC Koman: 350 m³/s; në HEC Vau i Dejës: 100 m³/s.

Lidhur me furnizimin me ujë, MIE bën të ditur se në qarkun Vlorë: Në zonat Trevllazër dhe Karbunarë po kryhen verifikime teknike për vijueshmërinë e shërbimit. Në Himarë është dëmtuar një tub me diametër 40 mm dhe po punohet për zëvendësimin e tij. Në qarqet e tjera nuk raportohen problematika.

Në Portin e Durrësit përpunimi në Terminalin Perëndimor, atë të Kontejnerëve dhe atë Lindor është ndërprerë, por tragetet akostojnë sipas orareve. Në Portin e Vlorës trageti me Brindisin është ankoruar në orar, vazhdon bllokimi i mjeteve të vogla brenda Gjirit të Vlorës. Trageti me Korfuzin nuk u nis nga Porti i Sarandës.

Ndërsa në aeroportin “Nënë Tereza” operimet vijojnë normalisht.

/e.xh/r.e/

The post MIE: Probleme nga dëbora në disa akse rrugore, po punohet për hapjen e tyre appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MM: Situatë e rënduar nga reshjet në disa qarqe

10 January 2026 at 16:33

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se reshjet intensive të shiut gjatë orëve të fundit kanë krijuar problematika në disa qarqe të vendit, përfshirë rritje të prurjeve në lumenj, përmbytje të tokave bujqësore, rrëshqitje dherash dhe vështirësi në qarkullimin rrugor.

Situata paraqitet më e rënduar në Shkodër, Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Dibër dhe Berat, ndërsa në qarqet e tjera problemet janë të kufizuara ose situata është e qëndrueshme.

Në Qarkun Shkodër, rritja e niveleve të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka sjellë përmbytje në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç. Strukturat e bashkisë dhe të emergjencave civile ndodhen në terren dhe monitorojnë vazhdimisht situatën, ndërsa hidrovoret punojnë me kapacitet të plotë dhe nivelet e ujit mbeten nën kuotat kritike.

Në Qarkun Durrës janë verifikuar 5 477 banesa, nga të cilat 1 711 kanë pësuar dëme. Janë evakuuar 851 persona, kryesisht në zonat Sukth dhe Katund i Ri, ku rreth 2 000 hektarë tokë bujqësore janë nën prezencë uji. Në Lezhë, niveli i ujit në tokat bujqësore ka shënuar rënie, por disa banesa vijojnë të jenë të prekura. Lumi Drin është në ulje, ndërsa lumi Mat ka shënuar rritje për shkak të shkarkimeve nga HEC-et Shkopet dhe Qafë-Mollë.

Në qarqet Gjirokastër dhe Dibër po punohet për pastrimin e akseve rrugore dhe largimin e ujit nga disa objekte, ndërsa në qarqet Berat dhe Elbasan rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka sjellë përmbytje të tokave bujqësore.

Në terren janë angazhuar efektivë të Forcave të Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët asistojnë në transportimin e banorëve, shpërndarjen e ndihmave dhe mbështetjen e operacioneve emergjente sipas nevojave.

Ministria u bën thirrje banorëve të zonave të prekura të kontaktojnë autoritetet vendore për çdo nevojë dhe të bashkëpunojnë me strukturat në terren për menaxhimin sa më efektiv të situatës.

/e.xh/r.e/

The post MM: Situatë e rënduar nga reshjet në disa qarqe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata në bashkinë Shkodër e qëndrueshme, nivelet e ujit nën kuotat kritike

10 January 2026 at 15:30

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Situata në territorin e bashkisë Shkodër paraqitet e qëndrueshme, me nivele uji nën kuotat kritike dhe pa problematika të evidentuara, ndërsa strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e pandërprerë të situatës.

Kështu shkruan sot kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, duke shtuar se, “nivelet e ujit në lumenjtë Bunë dhe Drin mbeten të kontrolluara dhe brenda parametrave të sigurisë. Megjithatë, gjatë 24 orëve të fundit është regjistruar një rritje e niveleve me rreth 10–20 centimetra krahasuar me një ditë më parë, pa sjellë pasoja për zonat e banuara”.

Kryeministri theksoi se në të gjithë territorin e bashkisë Shkodër nuk raportohet asnjë banesë e përmbytur dhe nuk ka prezencë uji në banesa. Ai shtoi se situata po ndiqet nga afër nga strukturat vendore dhe qendrore, të cilat janë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast nevoje.

Rama informoi gjithashtu se bashkia Shkodër ndodhet në monitorim të vazhdueshëm dhe se po vërehet një tendencë e tërheqjes së ujit nga zonat ku ka pasur prani të tij në ditët e mëparshme.

Institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të informuar dhe të ndjekin udhëzimet e strukturave përgjegjëse, ndërsa monitorimi i situatës hidrike do të vijojë në mënyrë të pandërprerë.

/e.xh/r.e/

The post Situata në bashkinë Shkodër e qëndrueshme, nivelet e ujit nën kuotat kritike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zhvillohet faza e dytë e Olimpiadës Kombëtare të Biologjisë

10 January 2026 at 15:18

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Kjo e shtunë i gjen në banka nxënësit olimpiadistë të Olimpiadës Kombëtare të Biologjisë, të cilët po marrin pjesë në fazën e dytë të këtij konkurrimi kombëtar, që zhvillohet njëkohësisht në Tiranë, Vlorë, Berat, Shkodër dhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro e cilësoi këtë aktivitet si një moment të rëndësishëm për nxitjen e dijes dhe pasionit për shkencën, veçanërisht për Biologjinë.

Sipas saj, kjo fazë e olimpiadës përfaqëson një hap të rëndësishëm në evidentimin e talenteve të reja dhe potencialeve akademike të nxënësve shqiptarë.

“Është një ditë në të cilën investimi në dije dhe pasioni për shkencën e Biologjisë do të përkthehen në rezultate konkrete, që zbulojnë potencialet e nxënësve”, u shpreh Kumbaro.

Ajo theksoi se aktivitetet shkencore do të vijojnë edhe në javët në vijim, me Festivalin e Shkencës, ku idetë më të mira të nxënësve do të kenë mundësinë të transformohen në produkte dhe projekte frymëzuese.

Sipas ministres, këto iniciativa kontribuojnë në konsolidimin e një modeli suksesi në shkollat shqiptare, duke nxitur mendimin kritik, kërkimin shkencor dhe inovacionin që në moshë të hershme.

Olimpiada Kombëtare e Biologjisë synon të identifikojë dhe mbështesë nxënësit më të talentuar në këtë fushë, si dhe të promovojë interesin për shkencat natyrore në sistemin arsimor shqiptar.

/e.xh/r.e/

The post Zhvillohet faza e dytë e Olimpiadës Kombëtare të Biologjisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌