Berisha: Revolta qytetare, zgjidhja e vetme ligjore kundër kësaj qeverie
TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se revolta qytetare mbetet zgjidhja e vetme ligjore dhe kushtetuese kundër kësaj qeverie.
Në një komunikim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha u ndal te hetimi që po kryhet nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
“Rama rrugën ligjore e mbylli. E mbylli sepse në këtë vend, si fjalë e fundit është Gjykata Kushtetuese të cilën ai, po të përdor një term figurativ, e ekzekutoi të parën dhe e asgjësoi me korrupsion të paimagjinueshëm. Kështu që zgjidhja e vetme ligjore dhe kushtetuese është qytetari shqiptar me revoltën dhe zemërimin e tij”, tha Berisha.
Sipas tij, qytetarët kanë të drejtë në ligj, Kushtetutë e moral të ndërmarrin çdo hap dhe të përdorin çdo mjet për largimin e kësaj qeverie.
Duke folur mbi protestën e paralajmëruar nga opozita në 22 dhjetor, Berisha theksoi se të hënën qytetarët i japin ultimatum Edi Ramës.
“Nga protesta e të hënës, qytetarët shprehin revoltën e tyre dhe i japin ultimatum Edi Ramës. Dorëheqja e Edi Ramës është kushti i të gjitha kushteve që Shqipëria të rigjejë paqen që meriton”, shtoi ai.
Berisha theksoi se “këto abuzime të paimagjinueshme janë një thirrje për çdo shqiptar që të ngrihet kundër kësaj organizate kriminale”.
“Ky është një proces shumë i vështirë, proces në vazhdim, në të cilin Balluku po mbrohet nga Edi Rama në mënyrë që të prishë çdo lloj dokumentacioni, por nuk ka dyshim se ato do sekuestrohen dhe do t’u kthehen qytetarëve”, tha Berisha.
Berisha tha se protesta të hënën ndalet vetëm me largimin e Edi Ramës.
“Ne dalim në protestë të hënën për të shënuar fillimin e revoltës popullore për largimin e Edi Ramës”, u shpreh ish-kryeministri.
/m.m/a.f/r.e/
The post Berisha: Revolta qytetare, zgjidhja e vetme ligjore kundër kësaj qeverie appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.