Pasojat e përmbytjeve në Shqipëri/ Rama: Ekipet në terren për verifikimin e dëmeve. Gati plani i dëmshpërblimeve
Shqipëria po përballet me pasoja të rënda nga moti i keq dhe përmbytjet, ndërsa qeveria është duke ndërmarrë masa për të ndihmuar familjet e prekura. Kryeministri Edi Rama theksoi se mbështetja ndaj të dëmtuarve do të jetë e menjëhershme dhe gjithëpërfshirëse, duke përfshirë rikonstruksionin e banesave dhe riparimin e infrastrukturës së dëmtuar.
Raa siguroi se ekipet e verifikimeve janë në terren që nga dita e parë, ndërsa Ministria e Financave ka përgatitur planin e detajuar për kompensimet, të cilat do të ekzekutohen pas përfundimit të verifikimeve. Rama kujtoi gjithashtu përvojat e mëparshme me përmbytjet në Shkodër dhe nënvizoi se qeveria nuk do të lërë asnjë qytetar të pambrojtur.
“Kjo është motoja ime dhe e jona sa herë fatkeqësi të ndryshme godasin vendin e njerëzit, që nga tërmeti shkatërrues i mijëra e mijëra shtëpive e deri tek sikleti rrënues i një familjeje të goditur nga uji, zjarri apo nga ndonjë fatkeqësi tjetër.
Dhe dua t’u përcjell përsëri, të dëmtuarve nga kjo goditje e fatkeqësisë kësaj here, se ne do t’i qëndrojmë me të njëjtin dinjitet njerëzor, shtetëror dhe politik çdo detyrimi ndaj tyre, qoftë për banesat, qoftë për gjënë e gjallë.
Puna jonë intensive nuk mbyllet me përmirësimin e situatës së motit, por do të vazhdojë me riparimin e dëmeve në infrastrukturë dhe të çdo dëmi në familjet e prekura nga uji. Ekipet tona të verifikimeve janë në terren që nga dita e parë, ndërkohë që Ministria e Financave e ka të përgatitur tanimë të gjithë planin me skenarët e dëmshpërblimit. Presim rezultatin përfundimtar të verifikimeve për të kaluar në fazën e dëmshpërblimeve.
E mos harroni, kur ne erdhëm në qeveri, në malin e borxheve që na lanë trashëgim aleatët e sotëm të fatkeqësive, ishin edhe dy kodra të larta borxhesh nga përmbytjet e zonës së Shkodrës.
Ne i shlyem një më një ato borxhe për ata njerëz dhe nuk kemi hyrë më në asnjë borxh të kësaj natyre me njerëzit e këtij vendi, sepse erdhëm për të ndërtuar një Shqipëri tjetër dhe kjo është Shqipëria tjetër, që nuk i le vetëm njerëzit e saj. Kurrë më!”, tha Rama.