Normal view

Received — 3 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

GJERMANI – Mijëra punonjës të “Mercedes-Benz” protestojnë kundër shkurtimeve të planifikuara

SHTUTGART, 3 korrik /ATSH-DPA/ – Dhjetëra mijëra punonjës të “Mercedes-Benz” protestuan sot në disa qytete të Gjermanisë kundër planit të kompanisë për uljen e kostove dhe shkurtimin e vendeve të punës.

Sindikata “IG Metall” paralajmëroi se industria automobilistike gjermane do të përballet me një “verë të nxehtë” protestash dhe veprimesh sindikale.

Sipas “IG Metall”, rreth 20 mijë punonjës morën pjesë në protestën kryesore në Sindelfingen, pranë Shtutgartit, ku ndodhet një nga fabrikat më të rëndësishme të Mercedesit.

Ndërkohë, kompania deklaroi se numri i pjesëmarrësve ishte rreth 10 mijë vetë.

Kreu i këshillit të punëtorëve të “Mercedes” – it, Ergun Lümali, kritikoi drejtuesit e kompanisë, duke thënë se punonjësit nuk i pranojnë planet e bordit për shkurtimet dhe cënimin e të drejtave të fituara ndër vite.

Pakënaqësia lidhet me planet për reduktimin e vendeve të punës, ndërsa” Mercedes”, ashtu si prodhues të tjerë gjermanë të automjeteve, përpiqet të rikthejë konkurrueshmërinë përballë rënies së kërkesës, kostove të larta të energjisë dhe konkurrencës në rritje nga prodhuesit kinezë.

Presidentja e” IG Metall,” Christiane Benner, deklaroi se konkurrueshmëria nuk mund të arrihet duke përkeqësuar kushtet e punës, por përmes investimeve në produkte, fabrika dhe punonjës.

Ajo theksoi se punëtorët nuk janë përgjegjës për krizën që po kalon sektori.

Protesta u zhvilluan edhe në uzinat e “Mercedes” – it në Unterturkheim, Rastatt, Kuppenheim, Bremen, Berlin, Hamburg dhe Germersheim.

Sipas sindikatës, në të gjitha tubimet morën pjesë mbi 33 mijë persona, ndërsa kompania vlerësoi se numri ishte rreth 15 750 persona.

“IG Metall” njoftoi se këto protesta janë vetëm fillimi i një fushate më të gjerë kundër shkurtimeve të vendeve të punës dhe zhvendosjes së prodhimit. Sipas saj, industria automobilistike humbi rreth 50 mijë vende pune gjatë vitit të kaluar dhe ky trend rrezikon të vazhdojë. /Ad.Ab./ a.jor.

The post GJERMANI – Mijëra punonjës të “Mercedes-Benz” protestojnë kundër shkurtimeve të planifikuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Komiteti i Helsinkit: Të hetohen pretendimet për përdorim joproporcional të forcës në protestën para Kuvendit

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në vijim të monitorimit në terren, të protestës së zhvilluar më 2 korrik 2026 përpara Kuvendit të Shqipërisë, shpreh shqetësimin për përshkallëzimin e situatës, aktet e dhunës të kryera nga individë të veçantë, si dhe për përdorimin e forces joproporcionale nga punonjës të Policisë së Shtetit ndaj protestuesve.

Në një njoftim për mediet, KShH rithekson se e drejta për tubim dhe protestë paqësore është një e drejtë themelore e garantuar në nenin 47 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenin 11 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Detyrimi i institucioneve shtetërore nuk kufizohet vetëm në lejimin formal të protestës, por përfshin edhe krijimin e kushteve që qytetarët ta ushtrojnë këtë të drejtë në mënyrë të sigurt dhe pa u ekspozuar ndaj përdorimit të panevojshëm ose joproporcional të forcës.

Nga monitorimi i KShH rezulton se protesta kishte karakter kryesisht paqësor dhe situata ishte nën kontroll për një periudhë të gjatë kohe. Megjithatë, aktet e dhunshme të kryera nga individë të veçantë nuk mund t’i atribuohen automatikisht të gjithë protestuesve. Në raport me nenin 11 të Konventës Evropiane, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka nënvizuar se aktet e izoluara të dhunës (hedhja e vezëve, gurë nga individë të veçantë) nuk ia heqin tubimit karakterin paqësor në tërësi dhe as nuk i heqin mbrojtjen pjesëmarrësve paqësorë.

“KShH vëren me shqetësim se, pas incidentit me automjetet që tentuan të dilnin nga ambientet e Kuvendit, sjellja e forcave të policisë ndryshoi në mënyrë të menjëhershme. Sipas monitorimit në terren, brenda një kohe të shkurtër u kalua nga një situatë e qetë te rrethimi dhe shtyrja e protestuesve dhe më pas te përdorimi i gazit lotsjellës. Veçanërisht shqetësues është fakti se përdorimi i gazit lotsjellës, sipas vëzhgimit në terren, nuk u parapri nga një paralajmërim publik me një qendër zëri dhe rrjedhimisht as nga dhënia e një kohe të arsyeshme për shpërndarje vullnetare.

Përdorimi i mjeteve të tilla, të cilat prekin në mënyrë të padiferencuar edhe protestuesit paqësorë, gazetarët, vëzhguesit dhe persona të tjerë të pranishëm në protestën e djeshme, duhet të ishin masë e fundit, e domosdoshme dhe proporcionale. Referuara standarteve të Gjykatës së Strasburgut, lidhur me nenin 3 dhe 11 të KEDNJ, përdorimi i mjeteve kimike pa paralajmërim dhe pa lënë kohë për shpërndarje vullnetare mund të përbëjë keqtrajtim dhe ndërhyrje joproporcionale në tubim. “Për Policinë e Shtetit”, në nenin 12 dhe 32/3 parashikojn se paralajmërimi është parakusht i detyrueshëm para përdorimit të forces”.

Po ashtu, “KShH shpreh shqetësim të veçantë për rastet e vëzhguara të përdorimit të forcës ndaj personave që ishin neutralizuar dhe ndodheshin në tokë. Përdorimi i shkopinjve të gomës, goditjeve, grushteve apo formave të tjera të forcës ndaj personave të shtrirë në tokë dhe të rrethuar nga disa punonjës policie që nuk paraqesin më rrezik dhe nuk bëjnë rezistencë është i papranueshëm dhe kërkon hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe efektiv. Standartet e elaboruara të GJEDNJ-së lidhur me nenin 3 të KEDNJ nënvizojnë se përdorimi i forcës ndaj një personi tashmë të neutralizuar dhe pa rezistencë përbën trajtim çnjerëzor ose poshtërues; goditjet në fytyrë dhe poshtërimi e cenojnë rëndë dinjitetin”, vijon njoftimi

“Po aq shqetësuese janë pretendimet lidhur me mungesën e kujdesit të menjëhershëm ndaj personave që deklaronin se ishin të dëmtuar apo kishin probleme shëndetësore (sëmundje si epilepsia). Për personat me probleme serioze shëndetësore, GJEDNJ ka theksuar se shteti duhet të sigurojë kujdes mjekësor adekuat dhe se, në rrethana të caktuara, mbajtja në paraburgim e papajtueshme me gjendjen shëndetësore mund të ngrejë çështje sipas nenit 3 të KEDNJ. Ndërkohë, kur i ndaluari është kujdestari kryesor i një fëmije me aftësi të kufizuara, vlerësimi i masës duhet të marrë parasysh interesin më të lartë të fëmijës dhe mbrojtjen e jetës familjare”, thuhet në njoftim

“KShH thekson se policia ka detyrimin dhe të drejtën të mbrojë rendin publik, sigurinë e qytetarëve dhe të institucioneve, si dhe integritetin fizik të punonjësve të saj. Por pikërisht për shkak të autoritetit dhe mjeteve që ligji i ka dhënë, standardi i përgjegjshmërisë së policisë është më i lartë. Forca nuk duhet të përdoret si reagim ndëshkues, por vetëm kur është e domosdoshme, në masën më të kufizuar të mundshme dhe ndaj personave konkretë që paraqesin rrezik. As dhuna ndaj policisë nuk mund të relativizohet, ashtu sikurse as dhuna e policisë nuk mund të justifikohet me sjelljen e individëve të veçantë”, lexohet në njoftim.

Në këtë kuadër, KShH u bën thirrje Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Agjencisë së Mbikqyrjes Policore të hetojnë në mënyrë të shpejtë, të paanshme dhe efektive çdo pretendim për përdorim të paligjshëm ose joproporcional të forcës ndaj protestuesve.

“Policisë së Shtetit të garantojë se në protestat e ardhshme çdo përdorim force do të paraprihet nga komunikimi, paralajmërimi i qartë dhe koha e mjaftueshme për zbatim vullnetar, përveç rasteve të një rreziku real dhe të menjëhershëm; Organizatorëve dhe pjesëmarrësve në protesta të distancohen qartë nga çdo akt dhune dhe të kontribuojnë në izolimin e individëve që cenojnë karakterin paqësor të tubimit;

Deputetëve dhe përfaqësuesve të lartë të institucioneve publike të shmangin transemtimin e videove që nuk paraqesin një panoramë të plotë të mënyrës se si është arritur në përshkallëzimin e protestës, duke shmangur gjuhën e urrrejtjes që etiketon në mënyrë kolektive protestuesit ose që përdor incidente individuale për të delegjitimuar të drejtën e qytetarëve për të protestuar”, përfundon njoftimi.

The post Komiteti i Helsinkit: Të hetohen pretendimet për përdorim joproporcional të forcës në protestën para Kuvendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari: Policia ndërhyri vetëm pas dhunës, autorët do përballen me ligjin

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilluan një vizitë në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, ku inauguruan ambientet e rikonstruktuara të institucionit.

Investimi i ri u ofron kushte moderne pune 332 punonjësve të Policisë së Shtetit dhe përmirëson ndjeshëm shërbimin ndaj qytetarëve, duke shënuar përmbylljen e investimeve në të gjitha drejtoritë vendore të policisë në shkallë vendi.

Pas vizitës, ministri Lamallari iu përgjigj interesimit të mediave lidhur me ngjarjet e protestës së një dite më parë, duke theksuar se e drejta për të protestuar është një e drejtë kushtetuese, por se dhuna ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, gazetarëve dhe institucioneve publike është e papranueshme dhe do të trajtohet sipas ligjit.

Ai nënvizoi se faktet e dokumentuara tregojnë se efektivët e policisë u sulmuan me gurë dhe sende të forta, duke mbetur të plagosur disa prej tyre, ndërsa u regjistruan edhe akte dhune ndaj përfaqësuesve të medias dhe dëmtime të pronës publike. Sipas ministrit, Policia e Shtetit ka vepruar në përputhje me ligjin për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe për të garantuar rendin, sigurinë publike dhe ushtrimin e lirë të detyrës nga gazetarët.

“Unë i kam parë dhe video është e hedhur dhe në rrjetet e mia sociale, mund ta verifikoni këtë. E sigurisht duke i uruar shërim të shpejtë kolegëve, jo vetëm atyre që unë vizitova, por edhe kolegëve të tij, të cilët kanë dhe familjarë, të cilët ishin të shqetësuar. Nga ana tjetër një fakt tjetër, ishin dhe kolegët tuaj gazetarë, të cilët ndonëse u pretendua se ishin dhunuar nga Policia, faktet janë komplet ndryshe. Kishim më herët një thirrje të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, të cilët i bënin thirrje Policisë së Shtetit për të garantuar gazetarët, në kryerjen e detyrës së tyre dhe pamjet më vonë, që u administruan dhe nga ana jonë, ishin pamje ku gazetarë, kolegët tuaj në fakt u konfrontuan me protestues, të cilët donin të merrnin mikrofonat prej tyre dhe për më tepër kishte dhe shtyrje të tyre”, tha Lamallari.

Ministri Lamallari cilësoi se duhet të ketë dallim mes protestës dhe dhunës që ushtrohet nga një grup personash.

“Policia e Shtetit është një organ ligjzbatues dhe në neutralizimin e situatave dhe eskalimin e tyre, sigurisht duhet të ushtrojë atributet që jep ligji, për të mos lejuar përshkallëzim të tyre. Kështu që, pa dyshim kurdoherë që janë konstatuar dhe janë dokumentuar dhe me video, me pamje të hedhura tashmë dhe në rrjetet sociale dhe në mediat kombëtare, ku protestues të quajtur paqësorë, të pretenduar të tillë dhe nga deputetë të opozitës, në fakt, ishte shumë e qartë që ata po dhunonin punonjësit e Policisë, me gurë dhe sende të forta, po intimidonin deputetët e Parlamentit shqiptar për t’u futur në ambientet ku ato janë zgjedhur për të ushtruar detyrën e tyre, si dhe po dhunonin dhe gazetarë”, vijoi ai.

“Nuk po flas për mjetet e Policisë, të cilat u panë qartë që u shkatërruan nga protestues, të ashtuquajtur paqësorë, por që unë nuk mendoj se ata mund të quhen protestues. Ata nuk kanë të bëjnë fare me protestën. Një grup, një grusht personash, të cilët me gurë në duar dhunojnë punonjësit e zbatimit të ligjit, çdo punonjës tjetër që kalon aty pranë dhe dëmtojnë pasurinë publike, në fakt nuk janë protestues. Ata janë thjesht vandalë”, përfundoi Lamallari.

/e.i/a.f/

The post Lamallari: Policia ndërhyri vetëm pas dhunës, autorët do përballen me ligjin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 2 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Unioni i gazetarëve: Aktet e dhunës mbi gazetarët gjatë protestës të papranueshme, autoritetet të mbajnë përgjegjës autorët

TIRANË, 2 korrik /ATSH/ Unioni i Gazetarëve Shqiptarë në një deklaratë për mediet ka dënuar agresionin verbal dhe atë fizik ndaj reporterëve, operatorëve dhe punonjësve të mediave, madje dhe mbi automjetet e mediave në krye të detyrës.

Duke iu referuar protestës së ditës së sotme, përpara godinës së Parlamentit, UGSH thekson në deklaratë se akte të tilla banditeske janë krim.

“Ato në asnjë mënyrë nuk mund të tolerohen. Ndërhyrja e protestuesve mbi mikrofonat me logo të reporterëve, ndaj kamerave të operatorëve dhe pjesëtarëve te stafeve mediatike në krye të detyrës, janë veprime të dënueshme. Kushdo qofshin ata protestues, veprimet dhe aktet sulmuese të tyre ndaj reporterëve janë një arsye e plotë për të denoncuar dhe paditur ligjërisht”, thuhet në deklaratë.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë u kërkon gjithë kolegëve të publikojnë dhe afishojnë, me zë dhe figurë, çdo agresion dhe agresor të tyre.

UGSH kërkon nga Policia e Shtetit të ndalojë dhe vërë para përgjegjësisë ligjore çdo sulmues, agresor, shantazhues dhe intimidues të gazetarëve në detyrë.

“Kërkojmë nga autoritetet e Policisë së Shtetit të ushtrojnë autoritetin e tyre për garanci, siguri dhe të drejtë ushtrimi të profesionit për gazetarët dhe operatorët, pavarësisht për cilën medie raportojnë. Aktet e sotme janë veprime kriminale ndaj mediave dhe gazetarëve”, vijon deklarata.

UGSH vëren se gjatë të gjitha orëve dhe ditëve të protestave të realizuara në kryeqytet të gjithë reporterët, fotoreporterët dhe operatorët e mediave janë të identifikuar me dokumentet dhe simbolet profesionale.

UGSH u drejtohet posaçërisht të gjithë organizatorëve, të shpallur publikisht ose jo, se duhet të ushtrojnë dhe marrin përgjegjësinë e tyre për aktet rrugaçërore, veprimet dhe sulmet kriminale dhe sidomos pengimet dhe fyerjet, disa herë me grupe, që ka pasur ndaj reporterëve të mediave në detyrë, gjatë ditës së sotme.

“Në të njëjtën kohë i drejtohemi drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe ministrit të Brendshëm, të ushtrojnë autoritetin e tyre të plotë, pasi në disa raste punonjës policie i kanë akuzuar reporterët dhe fotoreporterët se po punojnë për të huajt, ndërkohë që ata janë të identifikuar. Ne kërkojmë prej jush që rastet e sotme të dhunimit të gazetarëve nga protestues dhe aq më tepër edhe nga punonjës policie, të vlerësohen me urgjencë dhe të bëhen objekt i gjykimit dhe vlerësimit ligjor”, theksohet në deklaratë.

UGSH vëren se dita e sotme me episodet e pazakonta agresive dhe dhunuese ndaj gazetarëve, ishte paralajmëruar prej organizatës me deklarata të njëpasnjëshme, ku theksohej agresioni verbal në shtim nëpër rrjetet online dhe disa mediume ndaj gazetareve dhe mediave te ndryshme.

“Dita e sotme shënon një rekord alarmant agresionesh fizike dhe kërcënimesh ndaj lirisë raportuese dhe integritetit fizik të gazetarëve. Ky realitet kritik meriton të vlerësohet nga të gjithë aktorët, institucionet dhe protestuesit si një ditë e keqe për lirinë e ushtrimit të profesionit dhe raportimin e lirë në hapësirën publike dhe në terrenin politik dhe të demonstrimeve qytetare”, përfundon deklarata.

/e.i/j.p/

The post Unioni i gazetarëve: Aktet e dhunës mbi gazetarët gjatë protestës të papranueshme, autoritetet të mbajnë përgjegjës autorët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MSHMS: 3 efektivë dhe 4 protestues po marrin mjekim në Spitalin e Traumës dhe QSUNT

TIRANË, 2 korrik /ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informon se në urgjencën e spitalit Universitar të Traumës, janë duke marrë shërbim mjekësor dy efektivë policie dhe dy protestues.

Sipas MSHMS, edhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” po trajtohen një efektiv policie dhe dy protestues.

MSHMS informon se “personat e paraqitur në të dyja strukturat spitalore ndodhen nën kujdes mjekësor dhe janë jashtë rrezikut për jetën”.

Pacientët do t’u nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme, sipas protokolleve mjekësore, dhe do të ndiqen në dinamikë nga ekipet shëndetësore.

Prej mëngjesit të ditës së sotme, përpara godinës së Kuvendit u mbajt protestë e cila është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes qytetarëve dhe Policisë.

Protestuesit janë mbledhur aty rreth orës 09:20, para se të niste seanca plenare, ndërsa kanë goditur me vezë dhe shishe uji deputetët dhe makinat e tyre.

/e.i/j.p/

The post MSHMS: 3 efektivë dhe 4 protestues po marrin mjekim në Spitalin e Traumës dhe QSUNT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 1 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Protesta e 32-të kundër investimit në Zvërnec

TIRANË, 1 korrik/ATSH/ Qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile vijuan edhe sot maratonën e protestave kundër investimit në Zvërnec.

Në orën 19:00 nisi në Tiranë protesta e 32-të radhazi, ku kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i klasës aktuale politike

Ashtu si edhe në protestat e tjera grumbullimi i pjesëmarrësve nisi në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas protestuesit marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku u zhvillua tubimi.

Me pankarta në duar dhe thirrje për plotësimin e kërkesave të tyre, protesuesit vijuan tubimin para Kryeministrisë.

“Dita e 32-të, qytetarët janë ende këtu”; “Kryeministri poston, populli proteston, përgjegjësia mungon”; “32 ditë, mesazhi i qartë. Vetëm Rama ‘po përpiqet’ ta kuptojë“; “Nuk e blen dot heshtjen tonë me 5 mijë lekë për pensionistët” ishin disa prej pankartave që mbanin në dorë protestuesit.

Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Mit’hat Havari e cilësoi si të pajustifikueshme dhunën e ushtruar nga policia gjatë protestës së djeshme para Kuvendit, ndërsa shtoi se vetë efektivët e Policisë janë ndër shtresat më të keqtrajtuara gjatë viteve të tranzicionit.

“Në 36 vite janë vrarë 300 policë, bij nënash, për këta bastardë. Studentët e Akademisë së Policisë janë helmuar dy herë nga tenderët e korrupsionit”, u shpreh ai.

Nga podiumi para Kryeministrisë, një biznesmen u shpreh se kjo protestë e shkundi qeverinë nga themelet dhe tashmë Rama po intimidon protestuesit.

“Armiku ynë i përbashkët quhet Edi Rama, në bashkëpunim me Parlamentin, të cilin do ta çojmë ne në nivelin e duhur. Kemi të rinj të arsimuar. Këta të PD-së janë ku thërret qameti. Largohuni të gjithë”, tha biznesmeni.

Një nga protestuesit siguroi se qytetarët mbeten të palëkundur në pesë kërkesat e tyre kryesore, ku më e rëndësishmja, sipas tij, është dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë së tij.

“Ne vijojmë të qëndrojmë të palëkundur në pesë kërkesat e artikuluara gjatë 32 ditëve të kësaj proteste. Kërkesa e parë, e panegociueshme, është dorëheqja e menjëhershme e Ramës dhe e qeverisë së tij. Ky është kryeministri më i korruptuar që kemi pasur deri më sot. Ka gjysmën e qeverisë në burg ose nën akuzë dhe po përpiqet t’i mbrojë përmes imunitetit të deputetit. Nuk duhet të harrojmë t’i kërkojmë SPAK-ut të përshpejtojë procedurat për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, gjë që do t’i hapte rrugë drejtësisë për të vepruar”, u shpreh protestuesi.

Organizatorët u kanë bërë në vijimësi thirrje qytetarëve nga i gjithë vendi, si edhe shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, t’i bashkohen protestës.

Sipas tyre, protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim deri në përmbushjen e kërkesave të paraqitura.

(vijon…)

/m.m/r.e/a.f/

The post Protesta e 32-të kundër investimit në Zvërnec appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Kuptoj shqetësimet dhe shpresat e qytetarëve, por protesta është përfshirë nga optimizimi algoritmik

TIRANË, 1 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se protestat mbeten një element thelbësor i demokracisë, por paralajmëroi se në epokën e rrjeteve sociale ato mund të shtrembërohen nga algoritmet dhe të krijojnë një realitet digjital që nuk pasqyron domosdoshmërisht atë që ndodh në terren.

Duke folur në forumin europian të inovacionit dhe sipërmarrjes “Ruhr Summit”, Rama iu referua protestës që po zhvillohet prej disa javëve në Shqipëri, e cila u bë e njohur ndërkombëtarisht si revolucioni i flamingove.

“Si Kryeministër e konsideroj këtë protestë si një mesazh të rëndësishëm për mua dhe për Qeverinë time. Po dëgjoj dhe po përpiqem ta kuptoj këtë mesazh me shumë kujdes, jo duke numëruar njerëzit në rrugë apo duke matur hashtagët, por duke u përpjekur të kuptoj shqetësimet, ankthet dhe shpresat që i sollën njerëzit aty”, u shpreh Rama.

Rama tha se një “Qeveri që ndalon së dëgjuari, ndalon edhe së qeverisuri”.

Sipas Ramës, protesta është pjesë e transformimit demokratik të Shqipërisë, pasi vendi ka kaluar nga një periudhë kur protestat nuk lejoheshin dhe dakordësia ishte e detyrueshme, në një realitet ku qytetarët mund të shprehin lirisht pakënaqësitë e tyre.

Rama kujtoi se në të njëjtin bulevard ku sot qytetarët protestojnë të lirë, vite më parë humbën jetën protestues gjatë demonstratave.

Kreu i Ekzekutivimit vuri në dukje se zhvillimet teknologjike kanë ndryshuar mënyrën se si perceptohen protestat.

Sipas Ramës, protesta është futur në mekanizmin e amplifikimit algoritmik, ku aktorë dashakeqë dhe platformat digjitale mund të deformojnë realitetin.

“Çdo zë u shndërrua në rekomandim, çdo ekzagjerim në angazhim dhe çdo reagim emocional në një sinjal që platformat të prodhonin edhe më shumë nga e njëjta gjë. Konteksti u zhduk, kompleksiteti u zhduk dhe protesta online nuk po përshkruante më protestën reale, por një demonstrim më të madh dhe më të zemëruar”, tha Rama, ndërsa shtoi se në këtë protestë morën pjesë individë që nuk kanë qenë kurrë më parë në Shqipëri dhe nuk përjetuan demonstratën reale, por versionin e krijuar nga algoritmet.

“Realiteti digjital u bë më ndikues se ai fizik”, u shpreh Rama, duke shtuar se problemi nuk është protesta në vetvete, por shtrembërimi dhe zëvendësimi i realitetit përmes optimizimit algoritmik.

Rama tha se ky nuk është një fenomen vetëm shqiptar, por një sfidë që po prek demokracitë në mbarë botën.

Në një koment në mbyllje të fjalës, Rama argumentoi se demokracitë janë duke dëmtuar veten.

“Kam frikë deri në një pikë moskthimi, sepse demokracitë, të mëdhatë, duke filluar që këtu e në vende të tjera të mëdha ku nuk ka dyshim që ka demokraci në veprim, ende nuk kanë gjetur kurajën për të bërë dallimin midis lirisë së shprehjes të fjalës dhe lirisë së shpërndarjes. Trajtimi i lirisë së shpërndarjes apo të shtrirjes si zgjatimi i lirisë së fjalës do të thotë të heqësh dorë nga e vërteta, të heqësh dorë nga nuanca, të heqësh dorë nga dyshimet dhe të bësh apo të lësh të ndodhë diçka që diktatura e ka bërë gjithmonë. Çdo diktaturë mbështetet te shpërndarja, te shtrirja në çdo mendje, te mbjellja në çdo tru të vërtetës së vetë zyrtare duke shtypur çdo alternativë tjetër dhe çdo mendim tjetër. Algoritmi nuk ka nevojë që të shtypë përmes një policie sekrete apo duke rrahur njerëz në rrugë apo edhe duke mbajtur të burgosur politikë”, theksoi ai.

“Algoritmi thjesht mbyt gjithçka tjetër përveç indinjatës dhe kjo është ajo pastaj që ju shihni në Gjermani e ajo që shohim kudo në Europë, shohim si politika bëhet gjithmonë e më shumë një fushë betejë midis ekstremeve e se si qendra bëhet gjithmonë e më shumë një hapësirë e zbrazët ku çdo ekstrem që merr votat për të drejtuar vendin e që reket të vijë më shumë në qendër prodhon një tjetër ekstrem që është edhe më keq se çka qenë ky ekstrem apo se ç’është konsideruar të ishte. Cili është fundi i kësaj? Nuk e di”, shtoi ai.

/e.i/j.p/

The post Rama: Kuptoj shqetësimet dhe shpresat e qytetarëve, por protesta është përfshirë nga optimizimi algoritmik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 30 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Gonxhja përgënjeshtron lajmet në disa portale: Montazh me automjetin e MTKS

30 June 2026 at 14:01

TIRANË, 30 qershor/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, përgënjeshtroi publikimet nëpër portale se një automjet i drejtuar prej tij kishte rrezikuar sot jetën e protestuesve përpara Kuvendit.

Ministri Gonxhja shkroi në rrjetet sociale: “Fake news”. Dhe shpjegoi se, mjeti i MTKS, Volvo, i pari që ecën në video, as rrezikon kurrkënd, as manovron me shpejtësi mes kordonit policor.

Kreu i MTKS-së tha se nëpër portale është bërë një montazh me një mjet të dytë (Audi).

“Çdo portal që e komenton sikur jam unë, keqinformon publikun”, shkroi ministri Gonxhja.

 

The post Gonxhja përgënjeshtron lajmet në disa portale: Montazh me automjetin e MTKS appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Protestuesit do të fitojnë bashkë me Shqipërinë, shembëlltyra e zezë që i keqpërdori do të dështojë

TIRANË, 30 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë pavarësisht se kush i drejton, manipulon, përdor dhe abuzon me hallet e tyre.

Në një reagim në rrjetet sociale, Rama shprehu bindjen se në fund nga e gjithë kjo vorbull shumica qeverisëse do të dalë me vullnetin e ripërtërirë për të qenë shumë më afër me popullin.

Por sipas tij, “korja e mbetjeve të rrezikshme socio-politike të bulevardit dhe uji i rrjedhshëm i protestës së qytetarëve që kërkojnë të dëgjohen, janë dy gjëra krejt të ndryshme”.

Kryeministri siguroi se “ai ujë që buron nga halle, shqetësime, probleme reale të jetës së çdo protestuesi apo simpatizanti të protestës, duhet kthyer dhe do ta kthejmë në energji për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian, duke ndarë me ta reflektimin tonë nga kjo protestë, sapo ta kemi lexuar me vëmendje e përulësi krejt mesazhin e zemërimit të tyre të sinqertë”..

“Ndërsa korja e shpifur që ka bërë bashkë plot dështakë të zemëruar të Shqipërisë, turlilloj personazhesh që japin mend që s’i kanë dhe shfryjnë dufe e mllefe për të cilat s’ua ka fajin askush veç vetes, duhet parë e treguar pa asnjë ngurrim mu siç është: shembëlltyra më e zezë e alternativave politike të këtyre 35 vjetëve”, shtoi Kryeministri.

Sipas Ramës, “e mira më e madhe e kësaj proteste, për të cilën do të bëhen pishman edhe armiqtë e dashakeqët e Shqipërisë që qëndrojnë pas cunamit të baltës digjitale, është se në fund nga e gjithë kjo vorbull shumica qeverisëse do të dalë me vullnetin e ripërtërirë për të qenë shumë më afër me popullin”.

Rama shprehu bindjen se protestuesit do të fitojnë bashkë me Shqipërinë, ndërsa shembëlltyra e zezë që i keqpërdori do të dështojë e do të thërmohet në çika…

/m.m/

The post Rama: Protestuesit do të fitojnë bashkë me Shqipërinë, shembëlltyra e zezë që i keqpërdori do të dështojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protestuesit përplasen me policinë para Kuvendit, gjashtë të shoqëruar, katër policë të lënduar

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Një grup protestuesish janë mbledhur ditën e sotme përpara godinës së Kuvendit, ndërsa po mbahet seanca plenare.

Me pankarta në duar dhe thirrjet “Opozitë e shitur”, “Ju erdhi fundi”, “Rama, jep dorëheqjen” protestuesit janë grumbulluar përpara Parlamentit.

Protesta e sotme u paralajmëruar ditën e djeshme, nga organizatorët që bënë thirrje për grumbullim të qytetarëve para Parlamentit dhe seancës plenare.

Deputetët e Partisë Socialiste kanë mbërritur në Kuvend rreth 30 minuta përpara nisjes së seancës, për shkak të protestës së njoftuar jashtë godinës.

Pasi kanë qëndruar aty për rreth një orë, protestuesit u zhvendosën nga pjesa anësore e godinës së Kuvendit drejt pjesës qendrore. Ata kanë zhvendosur aty edhe një kosh mbeturinash, ndërsa përsërisin thirrjet: “Rama në kosh, Berisha në kosh”.

Përpara ambienteve të Kuvendit, disa protestues kanë shkruar në trotuar në shenjë simbolizuese “Parlament i krimit”.

Po ashtu, protesta e qytetarëve është shoqëruar me tensione. Protestuesit kanë hedhur vezë në drejtim të automjeteve në perimetrin e brendshëm të Kuvendit. Ata janë ndaluar nga forcat e policisë, të cilat kanë vendosur kordon sigurie dhe nuk kanë lejuar hyrjen e tyre në ambientet e brendshme të Kuvendit.

Ndërkohë, studentët kanë zgjedhur një tjetër mënyrë për të protestuar. Ata kanë një thirrje edhe për policinë, për të cilën theksojnë se veprojnë me dy standarde.

“Jemi kundër dy standardeve. Nuk duhet të procedohen studentët, ndërsa makinat bllokojnë rrugët e Tiranës, bllokojnë trafikun. Jemi në protestë dhe i kemi të qarta kërkesat. Gjoba deputetëve dhe mos procedoni studentët”, ishin thirrjet e studentëve.

Policia ka kërkuar lirimin e rrugës, ndërkohë që protestuesit nuk kanë pranuar.

“Nuk ua lirojmë rrugën hajdutëve dhe analfabetëve. Kjo është tokë publike, e jona, nuk e lirojmë”, tha një prej tyre.

Për shkak të tensioneve të krijuara dhe përplasjeve me policinë, janë kërkuar përforcime, ku kanë mbërritur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë për të hapur rrugën.

Situata para Parlamentit është përshkallëzuar, pasi protestuesit kanë bllokuar të dyja hyrjet e Parlamentit. Gjatë tensioneve, policia ka shoqëruar Dritan Goxhajn, si edhe pesë persona të tjerë. Gjithashtu gjatë përplasjeve nga radhët e policisë janë lënduar katër punonjës policie të Forcës së Posaçme Shqiponjat dhe të Patrullës së Përgjithshme.

Pas këtij momenti protestuesit i janë drejtuar Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, nga ku kërkuan lirimin e të shoqëruarve. Në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës janë paraqitur dhe deputetët e Partisë Mundësia, Agron Shehaj dhe Erald Kapri. Shehaj pasi ka diskutuar me drejtues të Policisë së Tiranës, bëri të ditur se janë gjashtë të shoqëruar, të cilët janë të ndarë në tre komisariate.

Ndërkohë drejt komisariatit numër një është paraqitur edhe Avokati i Popullit, Endri Shabani.

Protesta në Kuvend, Foto: Florian Abazaj & Andrin Hoxha
1 nga 22

/e.i/a.f/

The post Protestuesit përplasen me policinë para Kuvendit, gjashtë të shoqëruar, katër policë të lënduar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 28 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: Halli i drejtë i qytetarëve nuk duhet të bëhet lëndë djegëse për ata që ushqejnë protestën

TIRANË, 28 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, në episodin më të fundit të podcast-it të tij “Flasim”, u ndal te problematikat e funksionimit të administratës publike dhe ndikimi i tyre në jetën e përditshme të qytetarëve.

Duke iu referuar një mesazhi të një qytetari, Rama tha se shqetësimet e ngritura janë legjitime dhe se askush nuk duhet të detyrohet t’i drejtohet kryeministrit për probleme që, sipas tij, duhet të zgjidhen nga institucionet përkatëse.

Ai theksoi se çdo mesazh i qytetarëve ndiqet dhe i përcillet autoriteteve kompetente, ndërsa nënvizoi se edhe në rastin konkret problemi ishte referuar më herët te Bashkia e Tiranës.

Kryeministri theksoi se në disa raste administrata nuk arrin të përmbushë detyrat e saj, duke krijuar vonesa dhe duke e zhvendosur barrën e zgjidhjes te qytetarët dhe më pas te niveli politik.

“Askush nuk duhet detyruar t’i shkruajë kryeministrit, sepse institucionet që paguhen për t’i adresuar këto probleme s’e kanë bërë punën e tyre. Por, nga ana tjetër, unë personalisht çdo mesazh që marr e ndjek; siç e thua edhe në mesazhin tënd, më keni shkruar një vit më parë dhe unë e kam çuar te autoriteti kompetent”, iu drejtua Rama – qytetarit.

“Tani, unë nuk dua fare të justifikohem. Këtë mesazh e nxora për të ndarë të vërtetën time, thjesht që unë kam të njëjtin shqetësim absolutisht dhe e kam çuar mesazhin para një viti te Bashkia e Tiranës”, tha Rama.

“Tani, ne nuk kemi kryetar bashkie. Ne kemi një bashki që “funksionon me defibrilator, me oksigjen”, me 700 shtytje dhe me 700 ngërçe. Por, përtej bashkisë, ne kemi probleme me administratën, patjetër, dhe kur administrata nuk e mban barrën që i takon, atëherë barra përfundon mbi shpirtin dhe mbi mendjen e qytetarit, e familjes, e njerëzve që duhet të marrin përgjigje”, u shpreh Rama.

Rama shtoi se një hall i drejtë nuk duhet të bëhet lëndë djegëse për ata që vazhdojnë e ushqejnë protestën.

“E kuptoj që kur gjëja vjen te vetja, ka arritur fundi i durimit, por, nga ana tjetër, nuk duhet lejuar që një hall i drejtë të bëhet lëndë djegëse për ata që vazhdojnë e ushqejnë këtë protestë, vazhdojnë e ushqejnë këtë rrëmujë, më shumë shpirtërore sesa fizike, duke bërë dëm pas dëmi, jo duke ndihmuar që gjërat të zgjidhen. Ata janë njerëz që ushqehen me problemet e të tjerëve dhe janë njerëz, janë subjekte, janë organizata, janë edhe aktorë të tjerë jashtë vendit që ushqehen me problemet e të tjerëve”, tha Rama.

“Problemi juaj dhe i gjithë atyre si ju që shkojnë atje ose që janë të lidhur me atë gjë, nuk është që “t’i jepni karburant” politikës apo qëllimeve të tyre, sepse ata nuk kërkojnë zgjidhje. Ata kanë nevojë që zgjidhja të mos vijë kurrë, sepse ata duan të mbajnë gjallë zemërimin, përçarjen dhe iluzionin që çdo plagë e një qytetari është prova se këtu duhet rrëzuar gjithçka dhe Shqipëria duhet të fillojë nga e para”, theksoi Rama.

“Unë kam detyrimin të dëgjoj njeriun, por të mos bëhem peng i atyre që flasin në emrin tënd. Unë e shoh protestën e njerëzve të ndershëm, e njerëzve që nuk janë “karburant” për industrinë e halleve, si një gjë shumë të respektueshme, shumë të mirëkuptueshme dhe revoltuese për mua; tek unë ajo funksionon”, shtoi Rama.

Rama iu drejtua qytetarëve duke thënë se nuk duhet ta falin hallin e tyre.

“Njëkohësisht, do t’ju kërkoja diçka të gjithëve ju që jeni në këtë situatë: mos e falni hallin tuaj askund. Mos ia falni administratës dhe, nëse keni nevojë për mua, unë jam këtu të luftoj bashkë me ju, por mos ia falni në asnjë mënyrë atyre që duan t’i çojnë gjërat mbrapsht duke përdorur hallin tuaj. Sepse zgjidhjet kurrë nuk vijnë nga njerëzit që ndezin zjarrin e zemërimit, por nga ata që, pavarësisht të gjitha mangësive dhe gabimeve, mbajnë detyrimin për të “fikur” çdo vatër halli, duke i qëndruar mbi kokë”, tha Rama.

“Unë bëj më të mirën time të mundshme. Unë jam shumë krenar për shumëçka që administrata jonë publike ka arritur dhe për mënyrën se si është transformuar në krahasim me të shkuarën, por jam jashtëzakonisht po kaq i hidhëruar dhe i neveritur me atë çka ndodh me administratën në vende dhe në raste të caktuara”, shtoi Rama.

“Por zgjidhja nuk është ta “hedhim në erë”. Zgjidhja është ta korrigjojmë bashkërisht. Operacionet e mëdha janë bërë. Këtu çështja është për të vazhduar trajtimin e plagëve dhe për të vazhduar trajtimin e atyre pikave që kanë infeksion”, shtoi Rama.

/gj.m/

The post Rama: Halli i drejtë i qytetarëve nuk duhet të bëhet lëndë djegëse për ata që ushqejnë protestën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama lexon mesazhin e qytetarit: Kjo është protesta që mua më intereson


TIRANË, 28 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, në episodin më të fundit të podcast-it të tij “Flasim”, iu referua një mesazhi të një qytetari, të cilin e lexoi publikisht si shembull të problemeve me të cilat përballen qytetarët në raport me institucionet.

Qytetari, Amos Mezuraj, në mesazhin e tij denonconte mungesën e zgjidhjes prej gjashtë vitesh për një çështje banimi të lidhur me dëmet e tërmetit të vitit 2019, duke akuzuar institucionet për mungesë përgjegjësie, delegim të vazhdueshëm të problemit dhe mungesë komunikimi.

Ai shprehej se familjet e prekura janë detyruar të enden nga një institucion te tjetri pa marrë zgjidhje konkrete, ndërsa ngrinte shqetësimin për kontrastin mes lejeve të ndërtimit për projekte të mëdha dhe vonesave në raste individuale.

Në mesazh qytetari shkruan se e ka shumë të qartë që një kryeministër vlerësohet dhe votohet për vizion, ide, ambicie, sfida që na bashkojnë si komb, të cilat në mënyrë direkte apo indirekte prekin jetët tona. “Problemi fillon kur institucionet e varësisë harrojnë që, ndërsa një kryeministër ka për detyrë ato më sipër, ato duhet të merren me problemet e përditshme që i prekin jetët tona dhe jo të përfitojnë nga ky vizion, por të punojnë që vizioni të jetë i prekshëm edhe për ne”, vijon ai.

“Jemi 12 familje që janë bashkuar në këtë protestë, jo të gjithë me prezencë në bulevard, sepse jemi të zhgënjyer që akoma edhe sot nuk kemi një zgjidhje për gjysmën e pallatit që na është shembur nga tërmeti i 2019-ës, pranë Ministrisë së Jashtme. Kemi ndjekur të gjitha rrugët e robit, të ligjit dhe të Zotit për të kërkuar ndihmë pranë çdo institucioni, minibashki, bashki, Avokat Populli, ministri dhe kryeministri, por akoma sot pa përgjigje”, shkruan qytetari duke shtuar se i kanë shkruar letër Kryeministrit dhe menjëherë janë kontaktuar nga Bashkia Tiranë, duke premtuar zgjidhje në prani edhe të deputetes.

“Por pas zgjedhjeve elektorale, përgjigjet në shkresa nuk kishin kurrfarë lidhjeje me premtimet në zyrë, nuk na prisnin më. E delegonin problemin në institucione të tjera për mungesë kompetencash ligjore; u rikthye në pikën zero. Asnjë që merr përsipër jo të na e zgjidhë, por të paktën të çojë zërin ku duhet, ta ndjekë problemin dhe të na mbajë në kontakt të vazhdueshëm”, vijon qytetari.

“Për këtë ju kemi zgjedhur, mendoj edhe ne si qytetarë, në mënyrë direkte apo indirekte; prej gjashtë vitesh në spirale, nga një derë te tjetra, i vendosim emrin tuaj këtij problemi. Ndoshta gabimisht”, e thotë vetë në kllapa, “nuk janë pak gjashtë vite pa përgjigje dhe, ndërkohë, shikojmë që jepen leje ndërtimi për resorte, komplekse, pallate. Mirë se të vijnë, çdo muaj pothuajse, por pyesim veten: po për një shkallë pallati kaq e vështirë është leja? Duhet të jemi ndërtues, biznesmenë që të gjejmë kanalin e komunikimit dhe pastaj aludojmë, duke ngarkuar veten dhe mendjen, që aty i është premtuar këtij, atij ndërtuesi; nuk dimë çfarë shpjegimi t’i japim kësaj përplasjeje realitetesh”, shkruan qytetari.

“Dhe kur mendja helmohet, këmbët të çojnë në bulevard. Pse ne duhet t’i shkruajmë letra dhe SMS një kryeministri, kur ka me dhjetëra drejtorë, ministri e bashki që në gjashtë vite duhet të na kishin zgjidhur problemin? Pse duhet të shkëputem unë nga puna për të çuar këtë SMS? Pse duhet të dal të protestoj pasdite, kur mund të kaloja kohë me fëmijët e mi? Pse duhet të pres? Nuk i mjaftuan gjashtë vite këtij shteti?”, lexohet më tej në mesazhin drejtuar Ramës.

“Këto probleme të përditshme, por jetësore, që ne ndeshemi prej vitesh, na detyrojnë të gjejmë fajtorin tek ju. Vetë administrata juaj ka tendencën t’ia delegojë paaftësinë e saj te ju, duke na vënë ne si qytetarë përballë jush si kryeministër. Përgjigje informale të tipit: ‘Pse s’e ke dërguar në gjykatë?’, ‘Meqenëse kryeministri ju ka premtuar zgjidhje, le t’ua japë ai’, ‘S’keni pse vini këtu, nuk është kompetenca ime, por e qeverisë’, ‘Nuk firmos unë të shkoj në burg se do kryeministri t’jua bëjë aty pallatin ku e keni pasur’, nuk bëjnë gjë tjetër veçse e mbushin gotën e ujit çdo ditë”, lexoi Rama mesazhin e plotë të qytetarit.

“Ndjesë për mënyrën e drejtpërdrejtë të komunikimit, por mendoj që është më e ndershme kështu. Shumë në rregull me planet dhe vizionet, por duam të jetojmë mirë çdo ditë dhe duam sot. Nuk kemi nevojë për lëmoshë, se ia dalim vetë në jetë, por duam që shteti të mos na vendoset si traversë. Kemi ndjesinë e keqe se na kanë hyrë në hak dhe nuk do të gjejmë më zgjidhje. Ndjesë për shqetësimin, por ndihem i pafuqishëm për të zgjidhur këto probleme dhe më besoni që kjo ndjesi më dhemb”, përfundon mesazhi i qytetarit.

Duke iu përgjigjur këtij mesazhi, Rama tha se kjo është “protesta që i intereson dhe e motivon”, duke theksuar se shqetësimet e qytetarëve që burojnë nga probleme reale të jetës së përditshme janë të ligjshme dhe duhet të dëgjohen.

“Tani, unë dua ta them shumë qartë dhe shumë drejtpërdrejt: kjo është protesta që mua më intereson, që mua më zemëron po ashtu, që mua më motivon të vazhdoj luftën time. Nuk më zemëron mua protesta e sikur-eve, as protesta e shtirjeve. Ajo më neverit; kjo më zemëron”, tha Rama.

Dhe, iu drejtua Rama- qytetarit, “nëse do të isha në vendin tënd, i dashur Amos, pas gjashtë vitesh pritje, dyersh që hapen e mbyllen, premtimesh që treten, përgjigjesh që delegojnë përgjegjësinë te dikush tjetër, me shumë gjasa unë do të ndihesha njësoj; me shumë gjasa edhe unë do të ndihesha pjesë e asaj proteste ose do të shkoja edhe vetë në protestë”.

“Kështu që nuk e vë në dyshim për asnjë moment. Përkundrazi, e ndjej, sado që mund të mos ta besosh. E ndjej zemërimin tënd si të ishte imi. Dhe mesazhi yt është këtu, i nxjerrë”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se, ka plot mesazhe të tilla.

“Kam plot të tilla, se është shembulli më i mirë i diçkaje që unë e kam thënë vazhdimisht këto ditë. Jo çdo njeri që bashkohet në protestë është aty për një arsye. Ka plot njerëz që nuk i çon në bulevard ndonjë ideologji, a ndonjë parti, a ndonjë inat abstrakt. Nuk i çojnë as like-et, as followers-at për të joshur sot protestues që nesër janë klientë dhe për t’u shitur pastaj produktet e influencerimit. Nuk i çojnë aty as bindjet ambientaliste, që janë fisnike patjetër, as impulset e verbra nacionaliste, as manipulimet apo, më keq akoma sesa manipulimet, misionet e ndryshme për të manipuluar të tjerët, por i çon një hall që, në fund të fundit, kthehet në një zemërim dhe një zemërim që kthehet në një shpërthim, një padrejtësi që e ndjen mbi shpinë”, tha Rama.

/gj.m/j.p/

The post Rama lexon mesazhin e qytetarit: Kjo është protesta që mua më intereson appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 27 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Berisha për protestën: Mos u impresiononi nga thirrjet e një grupi të vogël që paguhen nga Sorosi

TIRANË, 27 qershor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se protesta qytetare duhet të fitojë dhe çdo shqiptar duhet të kontribuojë për suksesin e saj historik.

Sipas Berishës, kryefjala e zhvillimeve në Shqipëri ka qenë dhe mbetet protesta madhështore e të rinjve dhe qytetarëve shqiptarë.

“Protestë e qendrestarëve të pamposhtur, e idealeve më të larta dhe fisnike të të rinjve shqiptare. Nga viti 1990 gjer sot, Shqipëria nuk ka njohur ndonjëherë një protestë rinore, një eksplozion të idealeve, emocioneve, civilitetit të të rinjve shqiptarë, të mbështetur dhe nga qytetarët shqiptarë, por edhe nga diaspora dhe qytetet e tjera shqiptare”, tha Berisha.

Në këtë kuadër, Berisha theksoi se vazhdimësia e protestës, masiviteti i saj i përnatshëm janë bërë burim shprese, kanë ngrohur zemrat e qytetarëve shqiptarë në Shqipëri dhe mbarë botën ku janë.

“Kjo protestë duhet të fitojë dhe ka vetëm një kusht: mbështetjen e fuqishme nga mbarë qytetarët shqiptarë. Thirrja ime është për çdo demokrate e demokrat, për çdo shqiptar kudo që ndodhen, në Shqipëri, jashtë saj, në diasporë, të mbështesë protestën e të rinjve shqiptarë si shpresa më e bukur për shqiptarët, Shqipërinë dhe të ardhmen e vendit.
Secili shqiptar duhet të mendojë për një moment se do të jetë historik kontributi i tij në suksesin e kësaj proteste”, shtoi ai.

Berisha komentoi edhe shpalljen nongrata të protestueses Ikballe Huduti pse kishte një foto me Ahmedinaxhadin.

“Kam qenë kryeministër në pushtet kur shërbimet e huaja më informojnë se Edi Rama ka shkuar në Teheran dhe është takuar me Ahmedinaxhadin. Dhe se Erion Veliaj e ka bërë atë rrugë disa herë. Dhe natyrisht nga hetimet e organeve kompetente doli se të paktën në një rast, Rama kishte shkuar në Internacionalen Socialiste të mbledhur në Iran nga Ahmedinaxhadi”, u shpreh Berisha.

Po ashtu, Berisha theksoi se  “në shkallë ekstreme u përbalt një nga heronjtë më të lavdishëm të luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar në fund të shekullit të 20, Tahir Sinani”.

“Nxorën, rrëmuan si hiena të policisë sekrete të dikurshme fatura, dokumente pa asnjë interpretim, për të përbaltur luftën, për të përbaltur UÇK-në, për fajin e vetëm se në këtë protestë midis flamujve del edhe flamuri i UÇK, etj.”, u shpreh Berisha.

Berisha po ashtu shtoi se “demokratët të gjithë janë në protestë. Dhe në këtë protestë marrin pjesë qindra dhe mijëra demokratë në mënyrë të vazhdueshme. Dhe unë mendoj se ka qenë vendimi më i drejtë që ata kanë marrë. Nuk kanë shkuar me simbole të partisë, kanë shkuar si qytetarë, si demokratë.

“Për sa u përket sloganeve, ka disa momente, nuk kanë asnjë lidhje me idealet e vërteta rinore qytetare. Janë slogane klithma mjerane të opozitës së opozitës, me të cilat ajo duke krahasuar Edi Ramën me Sali Berishën, duke krahasuar dy të pakrahasueshme në mënyrë absolute në çdo aspekt, kërkon të zbusë pozicionin e Edi Ramës”, u shpreh Berisha.

“Nuk ka në historinë e botës kush të protestojë kundër opozitës dhe qeverisë njëkohësisht. Të barazojë qeverinë me opozitën. Këto janë të gjitha dufe dhe mllefe të atyre që hyjnë në politikë si shërbëtorë të qeverisë dhe mendojnë se mund të spostojnë opozitën vigane, e cila kaloi një kalvar të papërsëritshëm në Evropë dhe u provua para shqiptarëve si opozita e vërtetë dhe e fuqishme e këtij vendi. Ndaj dhe u ftoj ju, asnjë impresion nga ato klithma, mbështetje të plotë, pasi ato nuk janë britma që dalin nga idealet e të rinjve shqiptarë, qytetarëve shqiptarë, por dalin nga opozita e opozitës dhe grupe të vogla të armikut të egër të opozitës shqiptare, Xhorxh Soros, që paguan për to”, përfundoi Berisha.

/m.m/a.f/r.e/

The post Berisha për protestën: Mos u impresiononi nga thirrjet e një grupi të vogël që paguhen nga Sorosi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Grumbullime të paligjshme në protestë, procedohen penalisht 15 shtetas

TIRANË, 27 qershor /ATSH/ Policia e Tiranës njoftoi sot se pas veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në lidhje me tubimet e zhvilluara në Tiranë, janë identifikuar dhe proceduar penalisht 15 shtetas.

Sipas Policisë, këta 15 shtetas janë proceduar për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme, prishje të rendit dhe qetësisë publike, si dhe pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit.

Policia informoi se bëhet fjalë për shtetasit “A. G., G. P., A. T., D. G., L. K., E. S., A. K., E. L., V. D., G. K., A. P., Dh. C., A. B., L. G. dhe F. K., të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit””.

“Nga veprimet hetimore rezultoi se tubimi, i njoftuar për t’u zhvilluar në intervalin kohor nga ora 19:00 deri në orën 22:00, në Sheshin “Skënderbej” dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, vijoi në disa akse rrugore të kryeqytetit, konkretisht në Rrugën e Elbasanit, zonën e 9-Katësheve, ish-Bllok dhe segmente të Unazës, ku u bllokua qarkullimi i automjeteve, në tejkalim të orarit dhe perimetrit të lëvizjes të njoftuar zyrtarisht”, thuhet në njoftim.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet dhe 2 aparate celularë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

/e.i/a.f/

The post Grumbullime të paligjshme në protestë, procedohen penalisht 15 shtetas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 26 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ibrahimaj: Fokusi i qeverisë te zbatimi i reformave dhe procesi i integrimit në BE

TIRANË, 26 qershor /ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj u pyet nga gazetarët sot pas mbledhjes së Qeverisë, lidhur me zhvillimin e protestës në ditën e 26-të të saj.

“Përgjigjja ime lidhet me numrin e akteve që kemi prezantuar dhe miratuar sot në mbledhjen e qeverisë. Jemi në një proces që kërkon vëmendje maksimale. Jemi në një garë me veten për Shqipërinë, për ta integruar në Bashkimin Evropian. Është një kalendar me një numër shumë të madh aktesh që duhet t’i miratojmë deri në vitin 2027. Është një punë e jashtëzakonshme që Qeveria dhe administrata publike po bëjnë çdo ditë dhe çdo natë”, tha Ibrahimaj.

“Shoh që janë një numër qytetarësh që protestojnë me zë të lartë teksa unë jam duke folur, por janë 850 mijë qytetarë që kanë zgjedhur Partinë Socialiste dhe Edi Ramën për drejtimin e vendit”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.

Ndërsa, ministrja Ibrahimaj komunikoi me gazetarët vendimet e marra sot në mbledhjen e Qeverisë, para godinës së Kryeministrisë u zhvillua një protestë ku një grup qytetarësh bënë thirrje me vuvuzela për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama.

/e.i/j.p/

The post Ibrahimaj: Fokusi i qeverisë te zbatimi i reformave dhe procesi i integrimit në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 25 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Protesta e 26-të radhazi për Zvërnecin në Tiranë

TIRANË, 25 qershor/ATSH/

Edhe pasditen e sotme protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej” për të marshuar më pas drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” me pankarta ku kërkohet dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama, largimi i kastës së vjetër politike, ndryshimi i ligjit zgjedhor, shfuqizimi i ndryshimeve në ligjin e zonave të mbrojtura.

Në ditën e 26-të radhazi, protesta kundër investimit turistik të planifikuar në Zvërnec mblodhi qytetarët para Kryeministrisë prej nga u mbajtën dhe fjalime nga organizatorët dhe qytetarë të zakonshëm.

Protestuesit vijuan thirrjet për “Shqipëri të re”, ndërkohë që pas himnit kombëtar, u rilexuan kërkesat e protestës.

Aktivistja Sidorela Vatnikaj ka përsëritur kërkesat që, sipas saj, përfaqësojnë qëndrimin e qytetarëve të angazhuar në protestën masive kundër qeverisë dhe kryeministrit.

Protestuesit kanë paraqitur pesë kërkesa kryesore, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit, shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, shfuqizimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, si dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore.

Një nga protestuesit denoncoi atë që e quajti taktikë shpërqendrimi nga fokusi i protestës duke u marrë me njerëz të veçantë.

Një emigrante prej 30 vjetësh tha se ka ardhur nga Toronto vetëm për këtë protestë. “Na keni bërë krenare”, u tha ajo protestuesve.

Të rinj që morën fjalën në protestë thanë se nuk pranojnë një Shqipëri ku mundësitë ndahen mes të privilegjuarve ndërsa pjesa më e madhe luftojnë për mbijetesë.

Një prej protestuesve bëri thirrje për më shumë qytetarë të shtunën në datën 27 qershor, kur sipas tij, është thirrur sërish protestë kombëtare.

Pas fjalimeve, protestuesit marshuan në bulevard dhe rrugët kryesore të Tiranës.

Protesta e 26-të për Zvërnecin në Tiranë, foto: Andrin Hoxha
1 nga 25

 

The post Protesta e 26-të radhazi për Zvërnecin në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PD: Protesta, rruga e vetme për zgjidhjen e krizës së thellë politike

TIRANË, 25 qershor /ATSH/ Partia Demokratike në një deklaratë për mediet, bëri me dije se mbështet protestën rinore qytetare.

Në deklaratë thuhet, se “Partia Demokratike e Shqipërisë e cila ka mbështetur dhe mbështet plotësisht protestën rinore qytetare dhe kërkesat e saj, vlerëson lart dhe mbështet plotësisht letrën e 260 personaliteteve të shquara shqiptarë në botë shkencëtarëve, akademikëve, profesorëve ekspertëve të mirënjohur të fushave të ndryshme, mbështetjen e plotë që ata u japin kërkesave të lëvizjes më të fuqishme rinore qytetare në historinë e vendit”.

“Kjo letër, me të cilën elita e kombit jashtë Shqipërisë bashkon zërin e saj me zërin e të rinjve dhe qytetarëve shqiptarë, është njëkohësisht një thirrje për çdo shqiptar, kudo që jeton, të mbështesë pa rezerva kërkesat e lëvizjes rinore qytetare në Shqipëri”, vijon deklarata.

PD thekson se protesta mbetet “rruga e vetme për zgjidhjen e krizës së thellë politike, morale, institucionale që ka mbërthyer vendin, e shkaktuar nga diktatura autoritare e Edi Ramës e bazuar në përqendrimin e të gjitha pushteteve në një dorë, shtypjen e pluralizmit politik, farsën zgjedhore, krimin, drogën dhe plaçkitjen e shqiptarëve”.

/e.i/

The post PD: Protesta, rruga e vetme për zgjidhjen e krizës së thellë politike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mazniku: Protestat, shenjë e një demokracie të shëndetshme; Boçi: Qeveria shmang ballafaqimin me qytetarët

TIRANË, 25 qershor/ATSH/ Bashkëkryetari i komisionit të posaçëm të Reformës Administrativo-Territoriale, deputeti i Partisë Socialiste Arbjan Mazniku komentoi sot nga Korça protestat e zhvilluara kundër investimit në Zvërnec, ndërsa theksoi se protestat qytetare janë një formë demokracie.

Në një prononcim për mediet, Mazniku u shpreh se “Shqipëria është një vend i lirë dhe  njerëzit kanë mendime të ndryshme, debatojnë, diskutojnë dhe zhvillojnë”.

“Sot jemi për një dëgjesë për reformën territoriale që është pjesë e të njëjtit proces. Një procesi me mekanizmat që demokracia ka, të gjitha ato, nga dëgjesat te parlamenti, te zgjedhjet, te protestat, te peticionet, te diskutimet. Kjo në fakt është shenjë e një demokracie të shëndetshme, ku të gjitha këto gjëra funksionojnë. Kemi një diskutim mes të gjitha palëve dhe në fund fare, me mekanizmat që prapë demokracia ka, çështjet zgjidhen me zgjedhjet”, u shpreh ai.

Mazniku theksoi se detyra e mazhorancës është të jetë e qartë me vizionin që ka dhe të ecë përpara drejt forcimit të Shqipërisë.

“Ne kemi një mazhorancë e cila ka një mandat për të qeverisur Shqipërinë. Dhe pjesë e këtij mandati është të bëjë ato ndryshime që i duhen Shqipërisë për ta bërë më të mirë, më të fortë dhe për ta bërë më të përgatitur për faktin që në dy vjet ne mbyllim negociatat me Bashkimin Evropian dhe në tre-katër vjet Shqipëria do të jetë një vend anëtar i Bashkimit Evropian. Ndaj dhe besoj që brenda të gjithë elementeve normalë të demokracisë, detyra e mazhorancës është të jetë e qartë me vizionin që ka dhe të ecë përpara drejt forcimit të Shqipërisë, bashkive të Shqipërisë dhe bërjes gati të të gjithë elementeve, përfshirë shoqërisë sonë, për të qenë një vend anëtar i Bashkimit Evropian”, tha ai.

PS, sipas tij, “ka një marrëveshje me qytetarët të cilën po e ndjek me shumë vëmendje dhe me agjendë për përmirësimin e vendit”.

“Është shumë e rëndësishme që njerëzit në demokraci kanë të drejtën të thonë mendimin e tyre dhe është pjesë thelbësore e një demokracie. Dhe duhet gjithmonë të kujtojmë një gjë: që sot jemi në një situatë ku njerëzit kanë të drejtën e tyre të protestojnë, të thonë mendimin e tyre, të organizohen, të grupohen në mënyrën se si e thonë mendimin e tyre dhe kjo gjë është krejt normale. Duhet të kemi parasysh që jo shumë larg në kohë, në kohë ekzistuese, kur njerëzit ishin në shesh, vriteshin”, theksoi ai.

Ndërsa kujtoi 21 janarin, Mazniku theksoi se “sot jemi në një situatë ku demokracia shqiptare është në një nivel tjetër dhe njerëzit kanë të drejtën e vetë ta thonë mendimin e tyre”, përfundoi Mazniku.

Ndërsa bashkëkryetari demokrat i komisionit, Luçiano Boçi u shpreh se qeverisja e tanishme shmang ballafaqimin me qytetarët.

Boçia theksoi se “kjo dëgjesë dhe çdo fjalë e qytetarëve brenda në sallë është një formë e të protestuarit për gjithë ato probleme që ata gjenden sot në shesh”.

“E mirëpresim fjalën e qytetarëve, sepse kjo qeverisje ka një gjë, shmang ballafaqimin me qytetarët”, tha Boçi.

I pyetur lidhur me thirrjet e protestuesve për largimin e Sali Berishës, Boçi u shpreh se “lufta ndaj opozitës përgjatë shumë viteve ka qenë dhe në formën e bërjes së opozitës ndaj opozitës, ndaj PD-së”.

“PD-ja është sulmuar në forma juridike, politike, zgjedhore dhe këto forma janë kaq të lehta. Ka rryma aty brenda që duan të përfitojnë kapital politik, marrin autoritetin e opozitës dhe gjejnë këtë formë për të lëshuar ndonjë thirrje, ndonjë parrullë që nuk na afekton. E rëndësishme është që të gjithë qytetarët janë aty për një qëllim, për një emërues të përbashkët që është largimi i kësaj qeverie dhe largimi i Ramës”, shtoi Boçi.

The post Mazniku: Protestat, shenjë e një demokracie të shëndetshme; Boçi: Qeveria shmang ballafaqimin me qytetarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari: Vendimi për “non grata”-n ndaj Ikballe Huduti Berishës bazohet në informacione të inteligjencës

TIRANË, 25 qershor /ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, deklaroi se vendimi për shpalljen e Ikballe Huduti Berishës si “person i padëshiruar në Republikën e Shqipërisë” për një periudhë 15-vjeçare është marrë mbi bazën e informacioneve të siguruara nga shërbimet e inteligjencës.

Në një intervistë për ABC News, Lamallari theksoi se vlerësimet e institucioneve përgjegjëse kanë konkluduar se aktiviteti i saj përbën kërcënim për sigurinë kombëtare.

Sipas ministrit Lamallari, ndaj saj ekziston edhe një urdhër dëbimi, që parashikon largimin nga territori shqiptar në rast se konstatohet prania e saj në vend.

“Vendimmarrja është bazuar në informacionet e inteligjencës dhe është në interes të sigurisë së vendit. Kur informacionet e disponuara tregojnë se veprimtaria e një personi përbën kërcënim, institucionet marrin masat përkatëse”, u shpreh Lamallari.

“Nëse gjendet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, dëbohet nga vendi. Kam reaguar në momente të caktuara, nuk ndaj informacione që ligjërisht duhet t’i mbaj të kufizuara. Një protestë që nisi qytetare, u bë përshesh për agjenda të huaja. Ka agjenda të huaja që nuk e duan Shqipërinë në BE. Shqipëria nuk është vendi ku qytetarët nuk kishin frikë të protestonin. Policia e Shtetit, ka edhe detyrimin për të administruar çdo informacion për çdo person që përbën kërcënimin për sigurinë kombëtare. Sigurisht, kjo është detyra jonë. Garantojmë qytetarët, por nuk mund të lejojmë që kjo të abuzohet nga persona me aktivitet të dyshimtë. Kjo është puna e përditshme nga shërbimet informative dhe ato të zbatimit të ligjit, për të marrë masa parandaluese”, theksoi ai.

Lamallari deklaroi se autoritetet shqiptare mbeten të angazhuara për garantimin e të drejtave të qytetarëve, por nuk do të tolerojnë abuzimin e tyre nga individë me veprimtari të dyshimta apo që cenojnë interesat e vendit.

/e.i/j.p/

The post Lamallari: Vendimi për “non grata”-n ndaj Ikballe Huduti Berishës bazohet në informacione të inteligjencës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Devijimi i protestës në zona ku nuk kishte leje, Policia procedon penalisht 11 shtetas

TIRANË, 25 qershor/ATSH/ Policia e Tiranës njoftoi sot se pas veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në lidhje me tubimet e zhvilluara më datat 22 dhe 23 qershor në Tiranë, janë identifikuar dhe proceduar penalisht 11 shtetas, të dyshuar të përfshirë në veprime që cenojnë rendin dhe qetësinë publike.

Konkretisht, u proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, shtetasit: D. G., 50 vjeç, I. D., 55 vjeç, E. E., 32 vjeç, E. B., 29 vjeç, V. D., 30 vjeç, E. Z., 26 vjeç, Xh. P., 27 vjeç, B. K., 36 vjeç, D. B., 32 vjeç, Sh. B., 34 vjeç dhe I. M., 28 vjeç.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas kanë orientuar dhe zhvilluar tubimin në zona të ndryshme prej atyre të njoftuara zyrtarisht, konkretisht në: kryqëzimin e rrugës “Urani Pano” me bulevardin “Zogu I”; kryqëzimin e rrugës “Ibrahim Rugova” me Rrugën e Kavajës; si dhe në kryqëzimin e rrugës “Ibrahim Rugova” me bulevardin “Gjergj Fishta”.

Si pasojë, në këto akse me fluks të lartë lëvizjeje të automjeteve dhe qytetarëve, është penguar lëvizja e lirë e automjeteve dhe qytetarëve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

The post Devijimi i protestës në zona ku nuk kishte leje, Policia procedon penalisht 11 shtetas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌