Lamallari: Europa na konsideron pjesë të zgjidhjes për problemin e migracionit, jo të problemit
TIRANË, 4 qershor /ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi sot një interpelancë me deputetin e Partisë Demokratike, Klevis Balliu, në lidhje me menaxhimin e flukseve migratore në vend.
Në fjalën e tij ministri hodhi poshtë pretendimet se Shqipëria po bëhet “kamp tranziti” për emigracionin ilegal, duke theksuar se vendi ka plan kontingjence, kapacitete pritëse, procedura azili dhe bashkëpunim të ngushtë me agjencitë europiane.
“Shqipëria kamp tranziti për emigracionin ilegal? Përgjigjja për këtë pyetje që ju shtroni, është e qartë dhe e prerë. Jo! Shqipëria ka një plan kombëtar kontingjence të hartuar sipas metodologjisë së Bashkimit Europian, ka kapacitete pritëse të planifikuara, mekanizma identifikimi biometrik, procedura azili dhe struktura operacionale të gatshme për përballimin e flukseve të mundshme”, tha ai.
Sipas tij, vetë Bashkimi Europian ka vlerësuar pozitivisht Strategjinë Kombëtare për Migracionin 2024–2030, Planin e Kontingjencës dhe bashkëpunimin e Shqipërisë në fushën e kthimit dhe ripranimit.
“Prandaj, alarmet për humbje kontrolli apo për kthimin e Shqipërisë në një hapësirë të pakontrolluar migratore nuk mbështeten në fakte”, tha ai.
Ministri shtoi se ata që përpiqen të ndërtojnë narrativa frike apo të paraqesin vendin tonë si një hallkë të dobët të sigurisë europiane, injorojnë faktet me dashje dhe rezultatet konkrete të institucioneve shqiptare.
“Sot kufijtë e Shqipërisë monitorohen dhe mbrohen sipas standardeve më të avancuara europiane, në bashkëpunim të përditshëm me FRONTEX, Europol dhe partnerët tanë strategjikë. Migrantët e parregullt që evidentohen në territorin shqiptar identifikohen, regjistrohen, verifikohen dhe trajtohen sipas ligjit dhe standardeve ndërkombëtare”, tha ministri.
Lamallari shtoi se “Shqipëria nuk është një hapësirë ku krimi organizon korridore të lira kalimi; përkundrazi, është një shtet që po i mbyll këto korridore dita-ditës dhe po dëshmon se është një partner i besueshëm dhe serioz në mbrojtjen e kufijve të Europës. Evropa na konsideron pjesë të zgjidhjes, jo të problemit”.
Sipas tij, partnerët europianë e konsiderojnë Shqipërinë si një vend që po ecën me vendosmëri drejt Bashkimit Europian.
“Shqipëria mbron kufijtë e vet dhe kontribuon aktivisht për kufijtë e Evropës. Territori i Republikës së Shqipërisë nuk është dhe nuk do të lejohet të bëhet strehë për organizatat kriminale ndërkombëtare që merren me trafikimin e qenieve njerëzore.
“Ne do të vazhdojmë të investojmë në sigurinë kufitare, të forcojmë bashkëpunimin me partnerët tanë europianë dhe të godasim pa kompromis çdo rrjet kriminal që cenon sigurinë e qytetarëve dhe reputacionin e vendit. Shqipëria sot është më e përgatitur, më e pajisur dhe më e koordinuar se kurrë më parë për të përballuar sfidat e migracionit të parregullt dhe krimit ndërkufitar”, tha ai.
Ministri theksoi se sot Shqipëria nuk është më thjesht një vend që përfiton nga siguria kolektive e aleatëve të saj, por një vend që kontribuon realisht në sigurinë e Europës dhe të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
“Përmes angazhimit në NATO, bashkëpunimit të ngushtë me agjencitë europiane të sigurisë, pjesëmarrjes në operacione të përbashkëta kundër migracionit të paligjshëm, krimit të organizuar dhe trafikimit të qenieve njerëzore, vendi ynë po dëshmon se është një partner i besueshëm dhe një faktor stabiliteti në rajon. Kjo është Shqipëria që po ndërtojmë; një shtet që mbron kufijtë e vet, por që njëkohësisht kontribuon në mbrojtjen e kufijve të Europës; një vend që po afron standardet, institucionet dhe kapacitetet e tij me ato të Bashkimit Europian, me objektivin e qartë për t’u bërë anëtar me të drejta të plota brenda vitit 2030”, u shpreh Lamallari.
Ai e përmbylli interpelancën duke nënvizuar se siguria, sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit të organizuar nuk janë vetëm detyrime të procesit të integrimit, por prova konkrete se vendi ynë është gati të marrë përgjegjësi gjithnjë e më të mëdha në familjen euroatlantike.
/m.q/j.p/
The post Lamallari: Europa na konsideron pjesë të zgjidhjes për problemin e migracionit, jo të problemit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.