Karçanaj: Shqipëria, nënkampione bote në kategorinë e-Government
TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Në një nga ngjarjet më prestigjioze globale të teknologjisë dhe inovacionit, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “WSIS Prizes 2025” që u mbajt në Gjenevë të Zvicrës, drejtoresha e Përgjithshme e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, tërhoqi çmimin në emër të Shqipërisë.
Projekti fitues i mundësuar nga inteligjenca artificiale ishte ai me titull “Harmonizimi i Legjislacionit Shqiptar me Acquis të BE-së”.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit u shpreh se ajo që nisi nga vullneti i Kryeministrit për të përshpejtuar procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, sot është konkretizuar në këtë modul inovativ që bën të mundur: përkthimin me saktësi mbi 95% dhe përafrimin me AI të legjislacionit kombëtar me atë evropian, krahasimin me AI për mbivendosje apo kontradikta të akteve në proces përafrimi dhe krijimin automatik të tabelave të përputhshmërisë.
“Çka më parë kërkonte muaj të tërë pune manuale, sot realizohet për pak minuta”, thotë Karçanaj në një postim në rrjetet sociale.
Drejtuesja e AKSHI-t tha se si bashkënegociatore e Kapitullit 10 “Transformimi Digjital dhe Media”, ky çmim është një moment krenarie të dyfishtë për të.
“Modeli i inteligjencës artificiale që mori këtë vlerësim është ideuar që në krye të herës nga Kryeministri Edi Rama, me një qëllim të qartë: përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Përkthimi i legjislacionit që realizohet me saktësi mbi 95% dhe krijimi automatik i tabelave të përputhshmërisë kanë reduktuar ndjeshëm kohën dhe punën e strukturave tona të integrimit. Ajo që më parë kërkonte muaj pune, tani realizohet shumë shpejt, në vetëm pak minuta, me shumë saktësi, me shumë integritet. Ky është një shembull konkret se si inovacioni dhe vizioni na ndihmojnë të jemi më pranë Bashkimit Evropian”, u shpreh Karçanaj.
/e.i/j.p/
The post Karçanaj: Shqipëria, nënkampione bote në kategorinë e-Government appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.