Ekstradohen nga Dubai tre shtetas shqiptarë të kërkuar për ngjarje të rënda kriminale
TIRANË, 19 qershor /ATSH/ Vijon bashkëpunimi i ngushtë mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve ligjzbatuese të Emirateve të Bashkuara Arabe, në kuadër të operacioneve për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Tre shtetas shqiptarë, të cilët ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GjKKO), janë ekstraduar nga Dubai drejt Shqipërisë. Ata akuzohen për përfshirje në ngjarje të rënda kriminale kundër personit dhe përkrahje të një shtetasi të shumëkërkuar.
Ekstradimi u bë i mundur pas shkëmbimit të informacioneve mes strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe Policisë së Dubait, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, si dhe në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe Interpol Abu Dhabin.
Shtetasit e ekstraduar janë:
E. D., 38 vjeç, ndaj të cilit GjKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim” (mbetur në tentativë), “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje e armëve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal;
M. K., 39 vjeç, i akuzuar për “Vrasje me paramendim” për interes dhe hakmarrje, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje e armëve”, gjithashtu pjesë e një grupi të strukturuar kriminal;
A. Xh., 40 vjeç, i cili akuzohet për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, e kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Pas mbërritjes në Shqipëri, tre shtetasit iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për ekzekutimin e vendimeve përkatëse të GjKKO-së. /a.f/
The post Ekstradohen nga Dubai tre shtetas shqiptarë të kërkuar për ngjarje të rënda kriminale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.