Normal view

Received — 11 November 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Caktohet gjyqtarja që do të shqyrtojë ankimimin e masës së sigurisë ndaj Metës e Kryemadhit

11 November 2024 at 18:38

TIRANË, 11 nëntor /ATSH/ Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar gjyqtaren e cila do të shqyrtojë ankimimin e masës së sigurisë ndaj presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta si dhe të deputetes Monika Kryemadhi.

Sipas shortit, trupi gjykues monokratik përbëhet nga gjyqtarja Igerta Hysi.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, regjistroi çështjen penale nr. 60 akti, datë 11.11.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim I.M. dhe M.K., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 125, datë 20.10.2024 dhe vendimit nr. 130, datë 23.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal. Sipas shortit, trupi gjykues monokratik përbëhet nga gjyqtare Igerta Hysi”- njofton Gjykata e Apelit të Posaçëm.

Ilir Meta, ish-president i vendit u arrestua me urdhër të SPAK më 21 tetor të këtij viti. Ndaj tij gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” dhe akuzohet për pastrim parash, korrupsion pasiv si dhe mosdeklarim pasurie.

Për Kryemadhin gjykata vendosi masën e sigurisë detyrim me paraqitje, ndërsa akuzohet për të njëjtat vepra penale si ish-bashkëshorti i saj.

Po ashtu e njëjta gjyqtare, Igerta Hysi, do të shqyrtojë edhe ankimimin ndaj masës së sigurisë për ish-deputetin socialist Jurgis Çyrbja si dhe kunatit të tij Ahmet Masha. /j.p/

The post Caktohet gjyqtarja që do të shqyrtojë ankimimin e masës së sigurisë ndaj Metës e Kryemadhit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Meta: Buxheti 2025 shton varfërinë dhe korrupsionin

11 November 2024 at 16:54

TIRANË, 11 nëntor /ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar në lidhje me projektbuxhetin e vitit 2025, për të cilin thotë se është më antisociali, që shton varfërinë dhe korrupsionin.

Në një postim në rrjetet sociale, nga burgu ku ndodhet i arrestuar me urdhër të SPAK, Meta shkruan se pensionistët do të diskriminohen më tej me këtë buxhet.

“Fondi për politika të reja pensionesh për vitin 2025 parashikohet vetëm 1.6 miliard lekë ose rritje me 0.9% të fondit total të sigurimeve shoqërore. Kjo do të thotë se pensionet nuk do të rriten as 1% kur vetëm niveli i inflacionit i parashikuar për vitin 2025 është 3%”- shkruan Meta.

Më tej kryetari i PL-së, shkruan se me këtë buxhet do të ketë edhe ulje të fondeve të kujdesit social përfshi dhe për familjet në ndihmë ekonomike që jetojnë në varfëri të tejskashme.

“Nga 26,1 miliard lekë në vitin 2024, në 23,7 miliard lekë në vitin 2025”- shkruan Meta.

Sipas Metës, e gjithë rritja ekonomike që është kontribut i të gjithë qytetarëve dhe taksapaguesve do të shkojë për investimet publike korruptive me kosto shumë herë mbi realen për të rritur korrupsionin.

“Rritja ekonomike do të shkojë për projektet PPP me mbështetje buxhetore për të vjedhur qytetarët, si dhe do shkojë për të rritur shpenzimet administrative të luksit”- shkruan Meta. /j.p/

The post Meta: Buxheti 2025 shton varfërinë dhe korrupsionin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 7 November 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Arrestimi i Metës, Blushi: Policia refuzoi të japë informacion, kallëzim penal për Prodën dhe Hoxhën

7 November 2024 at 16:05

TIRANË, 7 nëntor /ATSH/ Tedi Blushi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, deklaroi se do të bëjnë një kallëzim penal kundër drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dhe ministrit të Brendshëm, pasi sipas tij kanë refuzuar që të japin informacion mbi arrestimin e Ilir Metës, kreut të partisë, më 21 tetor.

Blushi akuzoi policinë se po mbron veprimet e paligjshme dhe se nuk po ofron asnjë provë ose informacion mbi ngjarjen.

Blushi e cilësoi përgjigjen e drejtorit të policisë si të pamjaftueshme, duke theksuar se kjo fshehtësi dëmton sundimin e ligjit dhe demokracinë në vend.

“Kjo përgjigje që nuk vlen të merret në konsideratë, në fakt nuk është gjë tjetër veçse mbrojtja që narkodrejtori i Policisë së Shtetit do të duhet të bëjë nga sot e në vijim në Prokurori dhe në Gjykatë”- tha Blushi.

Sipas tij, Partia e Lirisë do të ndjekë hapa të tjerë ligjorë për t’i depozituar kallëzimet në organet e drejtësisë për të kërkuar hetim të plotë të kësaj çështjeje.

“Hetimi i plotë i kësaj çështjeje dhe respektimi i të drejtave kushtetuese janë thelbësore për ruajtjen e sundimit të ligjit dhe demokracisë në Shqipëri. Ndaj në këto kushte, kur narkopolicia e Edi Ramës, refuzon të kthejë përgjigje për të gjitha kërkesat që ne i kemi parashtruar dhe i kemi bërë publike, kur refuzon te vendosë në dispozicion provat për gjoja faktet që ajo pretendon, jemi të detyruar që të vazhdojmë hapat e tjerë ligjorë, kallëzim penal”- tha Blushi. /j.p/

The post Arrestimi i Metës, Blushi: Policia refuzoi të japë informacion, kallëzim penal për Prodën dhe Hoxhën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 4 November 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Gjokutaj: Vendimi për arrestimin e Metës bazohet në hamendësime

4 November 2024 at 15:06

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Genc Gjokutaj, avokati i presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, e cilësoi sot arrestimin e këtij të fundit si të bazuar në hamendësime.

“Qëndrimi ynë është kundër SPAK-ut dhe Gjykatës ndaj kësaj mase, që nuk ka asnjë lloj kriteri, qoftë të përgjithshëm, qoftë të veçantë për t’u vendosur. Meta ka qenë gjithmonë në dispozicion të hetimit, edhe nga pikëpamja e dyshimit të arsyeshëm që duhet të bazohet në prova mund të them që është një vendim i tipit thashethem. Është kërkuar letërporosi, treçereku me përgjigje negative dhe bëjnë lidhje të tipit që blerja mendohet të jetë bërë në këtë orë dhe është marrë një e dhënë që brenda asaj ore është bërë një tjetër lëvizje. Pra, është një vendim që bazohet në hamendësime, të ndërthurura me rrethana të caktuara. Ajo që mbetet për t’u thënë, në tre procedimet që ata i kanë bashkuar, është fakti që kjo metodë u ka dhënë goxha dorë. Ju do të shihni në të ardhmen që situata është krejt tjetër”, tha Gjokutaj.

Avokati foli edhe për kallëzimin e Partisë së Lirisë dhe shkresën drejtuar kreut të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

“Deputetët e PL kanë depozituar një kërkesë ndaj Ilir Prodës, për dijeni ministrit të Brendshëm për këtë çështje. Të shohim çdo thotë Policia e Shtetit, ne kallëzimin e kemi gati për ta dorëzuar, por kërkojmë një qëndrim nga policia, që të bëjmë një kallëzim dinjitoz, për të parandaluar në të ardhmen precedent të llahtarshëm”, shtoi avokati.

/e.i/j.p/

The post Gjokutaj: Vendimi për arrestimin e Metës bazohet në hamendësime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 3 November 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

PL mbledh Komisionin e Diasporës, Meta mesazh nga qelia: Të shumëfishojmë aksionin

3 November 2024 at 17:42

TIRANË, 3 nëntor/ATSH/ Partia e Lirisë ka mbledhur sot online Komisionin e Diasporës, ndërsa mbledhja në selinë e PL-së është drejtuar nga sekretari i kësaj partie, Tedi Blushi.

Blushi, gjatë fjalës së tij përcolli edhe mesazhin e Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ndërsa bëhen dy javë nga arrestimi i tij.

“Ilir Meta si sot dy javë u rrëmbye në mënyrë terroriste nga narkoregjimi. Ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta dhe ju përcjell mesazhin për nevojën e shumëfishimit të aksionit në diasporë, jo vetëm për t’i njohur me situatën e vështirë ku ndodhet vendi, por edhe për të nxitur strukturat të jenë më aktive në këtë situatë të paprecedentë për partinë dhe vendin”, u shpreh Blushi.

/e.i/j.p/

 

The post PL mbledh Komisionin e Diasporës, Meta mesazh nga qelia: Të shumëfishojmë aksionin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 2 November 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Meta: Dyfishimi i pensioneve prioritet i programit tonë

2 November 2024 at 16:07

TIRANË, 2 nëntor /ATSH/  Ilir Meta, kryetari i Partisë së Lirisë, i cili ndodhet në “arrest me burg”, ka kritikuar qeverinë për trajtimin e pensionistëve, duke theksuar se gjatë tre mandateve, nuk ka bërë asnjë rritje reale e pensioneve.

“Në tre mandate askush nuk e pengoi Edi Ramën të rriste realisht pensionet. Në 11 vite në pushtet ai i varfëroi gjithmonë edhe më shumë pensionistët, që sot janë kategoria sociale më e diskriminuar, më e përjashtuar dhe më e varfër e shoqërisë”- shkruan Meta.

Meta thekson se rritja e pensioneve duhet të kishte qenë së paku në përputhje me inflacionin.

“Qeveria do të duhej të rriste nivelin e pensioneve të paktën 9.4% apo të barabartë me nivelin e inflacionit për artikujt ushqimorë për të mos lejuar përkeqësimin e kostos së jetesës”- shkruan Meta.

Ai shton se pensionistët janë më të varfër se para ardhjes së “Rilindjes” në pushtet.

“Pensionistët shqiptarë sot janë më të varfër se në vitin 2013 kur ‘Rilindja’ erdhi në pushtet”- shkruan Meta.

Meta nënvizon se dyfishimi i pensioneve është një prioritet i Partisë së Lirisë.

“Ne i jemi përulësisht mirënjohës brezit që ka bërë kaq shumë për Shqipërinë, ndaj dhe dyfishimi i pensioneve është jo vetëm një nga 5 Prioritetet tona madhore, por një domosdoshmëri. Partia e Lirisë në qeverisje do të bëjë të mundur dyfishimin e pensioneve dhe rritjen e tyre të barabartë me mesataren e rajonit, bazuar në nivelin e rritjes reale ekonomike. Indeksimin e plotë të masës së pensioneve duke e llogaritur indeksimin mbi bazën e inflacionit të artikujve ushqimorë.”- shkruan Meta.

/a.f/

The post Meta: Dyfishimi i pensioneve prioritet i programit tonë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 1 November 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Reagon Meta: Hapja e negociatave vetëm për arsye gjeopolitike

1 November 2024 at 19:19

TIRANË, 1 nëntor/ATSH/ Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta reagoi sot nga burgu ku qëndron i akuzuar nga SPAK për 3 vepra penale, në lidhje me integrimin evropian dhe progresraportin e këtij viti të Komisionit Evropian për Shqipërinë.

Sipas Metës, ekzaltimi fals i Kryeministrit Rama për grupkapitujt, pasi e bllokoi integrimin europian të vendit për një dekadë është tregues i hipokrizisë dhe papërgjegjshmërisë për një proces që duhej të ishte përmbyllur prej kohësh.

“Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit më 2006, para Malit të Zi, Serbisë dhe vendeve të tjera, që e nënshkruan atë vite më pas. Ndërkohë ato i çelën negociatat më 2012 dhe 2014 dhe janë në një stad shumë më të avancuar edhe pse kishin problem me Gjykatat Ndërkombëtare dhe konflikte ndëretnike”, u shpreh Meta në një postim në rrjetet sociale.

Sipas tij, Shqipëria ka pasur e ka vetëm një problem, kapjen e shtetit nga mafia dhe sidomos kapjen e drejtësisë, e cila nga një reformë me 140 vota, përfundoi me 69 vota dhe betime gjyqtarësh te noteri te Lana.

“Ky zhvillim edhe pse shumë i vonuar është vetëm për arsye gjeopolitike dhe se s’mund të vazhdojë më shumë”, u shpreh Meta.

“Ndërsa premtimi solemn se brenda tre vitesh do mbyllen negociatat është fiks si premtimi i mbajtur para ardhjes në pushtet të “Rilindjes” për “shëndetësinë falas” apo premtimi se brenda një mandati do zgjidhej problemi i ujit të pijshëm në të gjithë vendin”, vuri në dukje ai.

Sipas Metës, beteja e Partisë së Lirisë dhe opozitës të vërtetë kundër kapjes së shtetit dhe rikthimit të llogaridhënies do të zhbllokojë edhe procesin e integrimit europian.

 

The post Reagon Meta: Hapja e negociatave vetëm për arsye gjeopolitike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 31 October 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: Berisha e Meta, armiq të Reformës në Drejtësi për hallet e tyre personale

31 October 2024 at 22:50

TIRANË, 31 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama foli sot për proceset gjyqësore të nisura ndaj drejtuesve të opozitës, ndërsa u shpreh se ata nuk gjykohen për opinione por për fakte konkrete që janë hetuar nga organi i akuzës.

I ftuar në një studio televizive, Rama e konsideroi historike faktin se kostumi dhe imuniteti politik nuk ka pikën e vlerës në momentin kur vjen dora e ligjit.

“Dora e ligjit nuk të vjen për opinionet e tua dhe qëllimet e tua politike por të vjen me disa fakte dhe këtu na dalin ca para e prona që nuk duhet të ishin në xhepin e tyre dhe duhet të japin shpjegime. Por këtu flitet sikur këto personazhe janë marrë peng kot dhe nuk ka asnjë bazë thjesht kot se flasin”, tha Rama.

Sipas tij, “ka një organ i cili mbi bazë faktesh të grumbulluara dhe një hetimi të thelluar ka ngritur një akuzë”.

“Ky është muhabet kafenesh sepse as njërin, as tjetrin nuk i kam marrë unë ti vë thesin në kokë e ti çoj në ndonjë bodrum. Ata janë në të drejtën e tyre të ngrenë prentedime se janë në hall shumë të madh me drejtësinë dhe këtë hall e kanë nuhatur që kur u bë Reforma në Drejtësi”, tha Rama.

Ndaj sipas tij, ata kanë qenë armiq të Reformës në Drejtësi, udhëheqës të fronit kundër Reformës në Drejtësi e sabotatorë në çdo hap kundër Reformës në Drejtësi. /j.p/

The post Rama: Berisha e Meta, armiq të Reformës në Drejtësi për hallet e tyre personale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arrestimi i Metës, Rama: Nuk bëj komente mbi subjekte të drejtësisë

31 October 2024 at 22:02

TIRANË, 31 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka refuzuar që të komentojë arrestimin e ish-presidentit të vendit Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë, duke nënvizuar se nuk bën komente mbi subjekte të drejtësisë.

Gjatë një interviste televizive, kreu i qeverisë u pyet në lidhje me mënyrën e arrestimit të Metës, ku tha se Policia e Shtetit vepron e pavarur dhe zbaton vendimin e gjykatës. Rama shtoi me tej se nuk ekzistojnë arrestime me paraqitjen e vet, duke shtuar se ia ka lënë medias të trajtojë Metën si viktimë.

“Policia e Shtetit nuk varet nga unë. Unë nuk drejtoj Policinë e Shtetit, por ka drejtues, protokolle, dhe më pas vepron. Nuk bëj komente mbi subjekte të drejtësisë, jua kam lënë ju ta trajtoni si viktimë”, tha Rama.

“Gjëja më e lehtë për ju është të krahasoni Shqipërinë më Kolumbinë, me narkoregjimet. Ne para pak ditësh hapëm negociatat. Hapja e negociatave nuk i bëhet një vendi që është si Kolumbia, që është narko, por një vendi që skanohet me fakte jo nga gazetarë brenda vorbullës, por ekspertë që merren me atë punë”, vijoi Rama.

“Nuk bëj asnjë koment sepse nuk kam asnjë lloj interesi. Unë po flas në parim, nuk po merrem me rastin konkret, policia nuk arreston por ekzekuton vendimin e  gjykatës. Policia nuk ka asnjë tagër as të njoftojë as të zgjedhë, si kur dhe qysh pasi quhet dekonspirim ka një operacion”, tha Rama.

“Nuk ekzistojnë arrestime me paraqitje vet, mund të ndodhin nëse SPAK apo prokuroria i thërret apo arreston”, vijoi Rama.

“Fakti që nuk e komentoj nuk do të thotë se kam qëndrim kundër asaj që ka bërë Policia e Shtetit”- u shpreh Rama. /j.p/

 

The post Arrestimi i Metës, Rama: Nuk bëj komente mbi subjekte të drejtësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 29 October 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Meta përshëndet protestën: Përballje pa kthim

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta reagoi sot për protestën e opozitës, ndërsa ndodhet në paraburgim pasi po hetohet nga SPAK për skandalin CEZ-DIA, si dhe lobimin në SHBA.
“Falënderim dhe mirënjohje të përzemërt për qindra mijëra shqiptarë patriotë në mbarë vendin që u ngritën në këmbë me guxim dhe me ndjenjë të fortë patriotike e kombëtare, në përballje pa kthim me narkoshtetin për të marrë në dorë fatet e Shqipërisë. Nuk ka forcë në botë të ndalë Uraganin e Lirisë”, shkruan Meta.
Opozita dhe mbështetësit e saj paralizuan mbrëmjen e sotme për rreth 3 orë qarkullimin e mjeteve në akset kryesore në vend.
1 nga 4
/k.s/

The post Meta përshëndet protestën: Përballje pa kthim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 28 October 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Meta nga burgu: U rrëmbeva në prag të zgjedhjeve, akuzat e SPAK fletërrufe

28 October 2024 at 18:01

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Kryetari i Partisë së Lirisë, ish-presidenti Ilir Meta dha sot një mesazh për mbështetësit e tij ndërsa ndodhet në paraburgim ndërsa po hetohet nga SPAK për skandalin CEZ-DIA, si dhe lobimin në SHBA.

Një javë nga arrestimi, që sipas tij ishte rrëmbimi i paligjshëm dhe kriminal, Meta u shpreh se ky rrëmbim ishte i planifikuar prej kohësh dhe u realizua në prag të fushatës së zgjedhjeve të ardhshme.

“Jam shumë i qartë se ky rrëmbim është një konsensus i gjerë i përgatitur nga faktorët më malinj, të cilët i tmerron prania e Ilir Metës, në jetën publike, të vërtetat që ai thotë dhe që gjithmonë janë provuar, çmontimi i Ramaformës në Komisionin e Venecias, që ka asgjësuar shtetin e së drejtës dhe ka instaluar një juntë të rrezikshme policore, gjyqësore dhe bandash, aq sa edhe Vietnami i ka indekset e drejtësisë më të mira”, u shpreh Meta.

Sipas Metës, hetimet nisën që në dhjetor 2019 në bazë të kallëzimit, sipas tij, të një njeriu të dënuar nga Gjykata për dhunë në familje, si Romeo Karaj, i cili ishte edhe punonjës i regjimit, OSHE dhe dikur bashkëpunëtor i Kastriot Ismailit te CEZ-DIA.

Për vite të tëra, sipas Metës, Altin Dumani, në bashkëpunim me Edi Ramën dhe Damian Gjiknurin, jo vetëm joshën shumë persona për të bërë deklarime të rreme, por edhe intimiduan shumë të tjerë.

Meta në mesazh foli për detaje të hetimeve, duke theksuar se Kastriot Ismaili i kishte lidhjet me CEZ shumë përpara se ai të bëhej zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm.

Lidhur me pretendimet se pas kësaj vizite në Pragë u realizua ulja e çmimit nga ERE në favor të CEZ, Meta sqaroi se ERE ishte një institucion i pavarur nga Qeveria.

“Për 4 vite Dumani bëri çdo përpjekje për t’i marrë deklarime të rreme Kastriot Ismailit në burg kundër meje, por nuk ia arriti qëllimit”, tha Meta.

Përfundimisht, sipas Metës, në gjithë pretendimet që ngre SPAK-u për hetimet 20-vjeçare ndaj tij, ka vetëm dy raste që kërkojnë sqarime: mosdeklarimi sipas tyre i shpenzimeve shëndetësore në vitin 2013 në Vjenë prej 7341 euro dhe në nëntor 2014, shuma prej 7984 euro në klinikën, Austri.

“Më duhet të sqaroj se kjo ka ardhur për shkak të garancive (të pavërteta) nga ish-bashkëshortja ime se çdo gjë ishte paguar, e deklaruar sipas ligjit”, tha Meta.

Lidhur me lobingjet, sipas Metës, në dijeninë e tij çdo gjë është bërë sipas ligjeve shqiptare dhe amerikane dhe kurrë nuk ka autorizuar veprime të paligjshme.

“Më duhet të distancohem me neveri nga aludimet dhe insinuatat që bën SPAK-u nga tabulatet e telefonave të sekuestruara ish-bashkëshortes time se unë kam ndikuar në favor të biznesmenit shqiptaro-amerikan, Adrian Shatku dhe kam qenë në dijeni të përfitimeve nga ish-bashkëshortja ime”, tha Meta.

“Si përfundim për sot, e gjithë fletërrufeja e SPAK-ut kundër meje është një justifikim për të realizuar aktin e rrëmbimit dhe izolimit të thellë politik, me qëllim që në koordinim me Edi Ramën, Erion Velinë, SHISH dhe bashkëpunëtorët e tyre të infiltruar në Partinë e Lirisë të rrëmbejnë drejtimin e kësaj force politike, për ta kthyer në një freskore të regjimit”, përfundoi Meta. /j.p/

 

The post Meta nga burgu: U rrëmbeva në prag të zgjedhjeve, akuzat e SPAK fletërrufe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 23 October 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Blushi: Meta është sot i burgosur politik

23 October 2024 at 21:10

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi reagoi sot pasi vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të lënë në burg Ilir Metën, liderin e kësaj partie.

Gjatë një konference për shtyp, Blushi tha se “ky vendim i turpshëm i GJKKO-së kundër opozitës, që konfirmon rrëshqitjen në diktaturë, është vijim i agresionit të pastër kundër presidentit Meta, opozitarizmit, pluralizmit dhe demokracisë që u konfirmua sot në sallën e gjyqit”.

Sipas tij, “Meta është sot i burgosur politik për shkak të vendimeve të drejta dhe parimore politike në mbrojtje të interesit kombëtar të sovranitetit, mbrojtjes pa kompromis të kufijve të Kosovës, kundër Ballkanit të Hapur dhe kundër korrupsionit”.

Blushi konfirmoi se Partia e Lirisë do të vijojë aksionin politik nën lidershipin e tij.

“Partia e Lirisë është sot më e vendosur se kurrë të intensifikojë aksionin politik në terren për një alternativë qeverisëse me 5 prioritete”, tha ai.

/m.m/r.e/a.f/

The post Blushi: Meta është sot i burgosur politik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kryemadhi: Do të shkoj deri në Gjykatën e Strasburgut; Meta në burg për akuzat ndaj meje

23 October 2024 at 19:49

TIRANË, 23 tetor /ATSH/ Pas seancës në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), që zgjati më shumë se 4 orë, deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, e cila u la në “detyrim paraqitje”, hodhi akuza në drejtim të drejtësisë.

Kryemadhi mori në mbrojtje ish-bashkëshortin e saj Ilir Metën, dhe tha se për të gjitha gjërat në dosje akuzohet ajo, por në burg mbajnë Metën, ndërsa i cilësoi akuzat si gënjeshtra.

“Qëndrimi im ishte që për çdo gjë që akuzohet Ilir Meta, nuk ka asnjë lloj lidhje. Për të gjitha gjërat akuzohet Monika, por marrin në burg Ilir Metën.

Deputetja paralajmëroi se do ta çojë çështjen në gjykatën e Strasburgut, kur t’i vijë koha.

“Karriera politike nuk është e domosdoshme, e kam parë si instrument për të ndihmuar njerëzit, është mjet i rëndë për t’u mbajtur. Metodologjia që është përdorur kundër familjes sime është e shëmtuar. Uroj që kjo gjë të mos jetë për të tjerët, sot në politikë ke kushërinj të bandave kriminale. Është shumë e thjeshtë, mund të mbyllësh karrierën politike, por mund të hapësh një tjetër që është shumë e mirë dhe që e transformon politikën. Nuk mund të lejoj një sistem drejtësie të më bëjë pis mua. Do shkoj edhe në Strasburg, kur t’i vijë koha, jo kur të vdes unë. I kam edhe tre trashëgimtarë”, tha Kryemadhi.

/r.e/a.f/

The post Kryemadhi: Do të shkoj deri në Gjykatën e Strasburgut; Meta në burg për akuzat ndaj meje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjokutaj: Arrestimi i Metës është izolim i opozitës

23 October 2024 at 19:05

TIRANË, 23 tetor/ATSH-Maela Marini/ Genc Gjokutaj, avokati i presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, e cilësoi sot arrestimin e këtij të fundit si izolim të opozitës.

Në një prononcim për mediet, Gjokutaj i cilësoi po ashtu mashtrime akuzat në lidhje me aferën CEZ-DIA, ndërsa u shpreh se “Meta ka njohje me biznesmenët e përfolur dhe njohja nuk është miqësi”.

I pyetur mbi lobimin e Metës në SHBA dhe pagesat e kryera në llogari të një kompanie amerikane, Gjokutaj u shpreh se “prokurorët e SPAK përfitojnë nga një korrespondencë”. “Nuk ka një dokument të tillë. Çështja e lobimit është nul, sepse nuk është ekzekutuar. Ka vajtur në SHBA në cilësinë e kryetarit të Kuvendit”, shtoi avokati Gjokutaj.

Ai pohoi se po përgatitet kallëzimi penal ndaj punonjësve të policisë që arrestuan Metën. “Ne jemi të detyruar të mbledhim provat dhe të bëjmë kallëzimin përkatës”, shtoi ai.

Sipas Gjokutaj, media nuk duhet ta folklorizojë çështjen e arrestimit të Metës.

“Është izolim i opozitës. Është vendim ndaj opozitës, nuk është vendim ndaj Metës, sikur është po ashtu edhe ndaj Berishës. Janë vendime kundër opozitës. Shqipëria po rrëshket në diktaturë”, tha ai.

/a.f/r.e/

The post Gjokutaj: Arrestimi i Metës është izolim i opozitës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arrestimi i Metës, presidentja e KE-së: Nuk do të bëj komente për procedime gjyqësore

23 October 2024 at 17:20

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen deklaroi sot se KE bashkëpunon me qeverinë shqiptare për reformën në sistemin gjyqësor, por se ky bashkëpunim nuk kishte të bënte me çështje individuale, kur u pyet për arrestimin e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, mesditën e 21 tetorit.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, nga Tirana, Ursula von der Leyen u shpreh se nuk do të bënte komente për procedime gjyqësore.

“Unë nuk do të bëj komente për procedime gjyqësore. Ne bashkëpunojmë me Shqipërinë për reformën gjyqësore, por kjo nuk ka të bëjë me çështje individuale”, tha ajo.

E pyetur mbi një afat konkret për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, presidentja e KE-së, tha se gjërat kanë ecur shpejt dhe në rast se gjërat ecin siç duhet, ndoshta do të hapen të gjithë grup-kapitujt deri në fund të vitit të ardhshëm.

“Procesi varet nga meritat e çdo vendi. Është shumë e rëndësishme kjo edhe për shtetet anëtare. Këtu me Shqipërinë kemi një një shembull të shkëlqyer. Gjërat kanë ecur shpejt dhe në rast se gjërat ecin siç duhet, ne ndoshta do të hapim të gjithë grup-kapitujt deri në fund të vitit të ardhshëm. Pra është një plan ambicioz. Do të ketë nevojë për shumë punë. Ndaj është e arsyeshme të mos kemi një datë të saktë, por që duhet bërë e gjithë puna për tu bërë shtet anëtar dhe ky proces varet nga merita e çdo vendi”, deklaroi presidentja e KE-së Ursula von der Leyen.

/r.e/a.f/

The post Arrestimi i Metës, presidentja e KE-së: Nuk do të bëj komente për procedime gjyqësore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arrestimi i Metës, Rama: Çështje që i takon vetëm drejtësisë

23 October 2024 at 17:01

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama nuk pranoi të komentonte arrestimin e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta mesditën e 21 tetorit, teksa tha se çështja i takon drejtësisë.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Rama tha se do t’i qëndronte vendimit për të mos komentuar para miqve të huaj apo në gjuhë të huaj, zhvillimet në politikën e brendshme shqiptare.

“Ju e dini përgjigjen, jo thjeshtë për faktin që unë asnjëherë nuk bëj komente të politikës së brendshme në gjuhë të huaj, apo në prani të miqve të huaj, por edhe për faktin se qysh se ne e kemi nisur reformën në drejtësi dhe ajo ka filluar të zbatohet, as unë, as forca politike që unë udhëheq nuk bën komente për çështje që i takojnë drejtësisë”, u shpreh Rama.

Rama tha se mund të kishte një koment, vetëm kur çështja të përmbyllet, sidomos kur vihet në vend drejtësia lidhur me fenomenin e shpifjes, por se për rastin konkret është tipikisht një rast që i takon vetëm drejtësisë.

“Kur ndodh që çështjet të përmbyllen, mbase në ndonjë rast ia vlen të bëhet edhe ndonjë koment, sidomos kur vihet në vend drejtësia lidhur me fenomenin katastrofik për shoqërinë, siç është shpifja. Për rastin konkret është tipikisht një rast që i takon vetëm drejtësisë”, deklaroi kryeministri.

/r.e/a.f/

The post Arrestimi i Metës, Rama: Çështje që i takon vetëm drejtësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Meta në GJKKO, pritet të njihet me masën e sigurisë

23 October 2024 at 09:44

TIRANË, 23 tetor /ATSH/ Ilir Meta, Presidenti i Partisë së Lirisë ka dalë para pak minutash nga Blloku i Sigurisë në rrugën Mine Peza, për të mbërritur në GJKKO, aty ku pritet të njihet me masën e sigurisë ndaj tij.

Në Gjykatën e Posaçme, fillimisht mbahet seanca edhe në lidhje me rivlerësimin e masës së sigurisë ndaj deputetes së PL-së, Monika Kryemadhi, por edhe ndaj dy personave të tjerë nën akuzë, Emma Çoku dhe Pirro Xhixho.

Në dosjen hetimore të SPAK prej 176 faqesh që çoi në pranga ish-Presidentin Meta dhe vuri në akuzë 3 të tjerë, Prokuroria e Posaçme shprehet se janë vërtetuar veprat penale korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie në disa raste.

vijon….

/e.i/j.p/

The post Meta në GJKKO, pritet të njihet me masën e sigurisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arrestimi i Metës, DASH: SHBA mbështet përpjekjet e SPAK-ut kundër korrupsionit të nivelit të lartë

23 October 2024 at 09:20

TIRANË, 23 tetor /ATSH/ SHBA thotë se mbështet përpjekjet e SPAK-ut kundër korrupsionit të nivelit të lartë.

Qëndrimi i Uashingtonit u shpreh në një përgjigje të Departamentit Amerikan Shtetit të martën në mbrëmje, ndaj një kërkese të Zërit të Amerikës për të komentuar pas arrestimit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

“Jemi në dijeni të arrestimit. Ju referojmë tek autoritetet shqiptare për detaje të mëtejshme në lidhje me rastin. Shtetet e Bashkuara mbështesin përparimin e Shqipërisë drejt sundimit të ligjit, përfshirë përpjekjet e SPAK-ut për të ndjekur penalisht korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar, në përputhje me ligjin”, shprehet një zëdhënës i Departamentit të Shtetit në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës.

Ish-Presidenti i Republikës dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u arrestua të hënën me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i akuzuar për 3 vepra penale. /j.p/

The post Arrestimi i Metës, DASH: SHBA mbështet përpjekjet e SPAK-ut kundër korrupsionit të nivelit të lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 22 October 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Arrestimi i Metës, Blushi: S’i komunikuan asnjë vendim gjyqësor, do bëjmë kallëzim penal

22 October 2024 at 15:49

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ Sekretari i Përgjitshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi analizoi sot para medieve momentin e arrestimit të ish-presidenti Ilir Meta Ilir Metës, duke deklaruar se se efektivët e policisë nuk kanë treguar asnjë mandat arresti apo vendim gjyqësor.

Blushi iu referua videos së momentit të arrestimit dhe deklaroi se dy nga efektivët që morën pjesë në arrestimin e kreut të PL-së janë me precedentë penale dhe pjesë e bandave në Durrës.

“SPAK dhe GJKKO dy struktura kamikaze në shërbim të regjimit të Edi Ramës. Nuk ka asnjë provë, asnjë dëshmi që e implikon Metën në një shkelje sado minimale të ligjit”, tha Blushi.

Sipas tij, pjesë e grupit terrorist të arrestimit nuk kanë qenë gjë tjetër veçse banditë me uniforma. “Po i verifikojmë emër për emër dhe fytyrën e tyre do ta bëjmë publike për ta mësuar shqiptarët se kush janë këtë gangasterë që trimërohen. Nuk u kanë treguar mandate arresti. Sa u përket horrave që u përpoqën të tërhiqnin forcërisht presidentin kemi evidentuar dy persona me precedentë penal, pjesë e bandave në zonën e Durrësit. Nuk ka asnjë vendim gjyqësor. Ndaj tij nuk është komunikuar asnjë vendim gjyqësor”- u shpreh Blushi.

Sipas Blushit, gjithçka ishte show gangsterësh.

Blushi paralajmëroi se do të bëjnë një kallëzim penal “për kryerjen e veprimeve arbitrare, që kurrë nuk do amnistohen dhe do marrin ndëshkimin e merituar”. /j.p/

The post Arrestimi i Metës, Blushi: S’i komunikuan asnjë vendim gjyqësor, do bëjmë kallëzim penal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Blushi: Arrestimi i Metës rrëmbim terrorist, askush nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit

22 October 2024 at 10:44

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ Sekretari i Përgjitshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, e cilëson si “rrëmbim nga skuadra terroriste” arrestimin e kryetarit të Partisë së Lirisë Ilir Meta, ish-president i vendit, i cili u prangos një ditë më parë në kryeqytet me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Blushi, thotë se Partia e Lirisë është duke mbledhur informacion për emrat e të gjithë terroristëve, siç i cilësoi ai, që nga dje e kanë personale me çdo shqiptar të ndershëm dhe patriot.

Duke iu referuar reagimit të ministrit të Brendshëm për arrestimin e Metës, Blushi shkruan se gjithçka është e qartë se ka qenë e urdhëruar nga lart.

“Askush nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit sipas përgjegjësive që ka pasur në këtë akt terrorist”- shkruan Blushi.

Ilir Meta akuzohet nga SPAK për tre vepra penale, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”. /j.p/

The post Blushi: Arrestimi i Metës rrëmbim terrorist, askush nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌