Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayAgjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: Infrastrukturë nëntokësore për shërbimet digjitale, në korrik programi “Rilindja Urbane 2.0”

TIRANË, 28 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama njoftoi se qeveria ka nisur një kapitull të ri për zhvillimin e infrastrukturës digjitale në qytetet e vendit, me synimin për sistemimin e rrjeteve të komunikimit elektronik dhe eliminimin gradual të kabllove ajrore.

Në episodin e radhës të podcast-it “Flasim”, Rama u shpreh se nisma synon kalimin drejt infrastrukturës nëntokësore për rrjetet e internetit dhe komunikimit elektronik, duke përmirësuar cilësinë e hapësirave publike në qytete.

“Këtë javë prezantuam një nismë të re për infrastrukturën digjitale në qytete, e cila synon t’i japë fund asaj që ka mbetur nga epoka e përhapjes së internetit në formën e kabllove dhe kavove që rrotullohen rrugë më rrugë e lagje më lagje, duke kaluar gradualisht në infrastrukturë nëntokësore”, u shpreh Rama.

Sipas tij, ndërhyrja synon jo vetëm modernizimin e rrjeteve të komunikimit, por edhe unifikimin e elementëve të hapësirës publike dhe eliminimin e problematikave të trashëguara ndër vite.

Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se gjatë muajit korrik do të prezantohet programi i ri kombëtar “Rilindja Urbane 2.0”, i hartuar në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe i fokusuar në fazën e re të zhvillimit të komuniteteve në të gjithë vendin.

Rama theksoi se programi do të përfshijë ndërhyrje në sistemin e ujësjellës-kanalizimeve, mbështetje për transportin publik të gjelbër, krijimin e kapaciteteve të reja të parkimit, rigjallërimin e zonave industriale, si dhe zhvillimin e muzeve të identiteteve lokale.

Ai shtoi se “Rilindja Urbane 2.0” do të zgjerojë gjithashtu programin për start-up-et dhe do të forcojë bashkëpunimin mes pushtetit vendor dhe sipërmarrjes në funksion të zhvillimit ekonomik.

Sipas Kryeministrit, programi nuk do të jetë vetëm një paketë investimesh, por një model i ri bashkëpunimi mes pushtetit vendor dhe komuniteteve, me më shumë transparencë, informim dhe përfshirje të qytetarëve në zbatimin e projekteve.

“Një ‘Rilindje Urbane 2.0’ do të jetë një hap tjetër i rëndësishëm drejt ‘Shqipërisë 2030’ në Bashkimin Europian”, shtoi Rama.

/gj.m/j.p/

The post Rama: Infrastrukturë nëntokësore për shërbimet digjitale, në korrik programi “Rilindja Urbane 2.0” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shërbimet digjitale po transformojnë eksperiencën e turistëve në Shqipëri

TIRANË, 24 qershor/ATSH/ Sektori i turizmit në Shqipëri po shënon një rritje të vazhdueshme, i mbështetur nga një numër gjithnjë e më i madh vizitorësh ndërkombëtarë dhe nga zhvillimi i ofertës turistike në të gjithë vendin.

Nga destinacionet bregdetare deri te qytetet historike dhe zonat malore, Shqipëria po konsolidohet si një destinacion gjithnjë e më i aksesueshëm dhe i kërkuar në rajon.

Paralelisht me këtë rritje, qeveria shqiptare po mbështet fuqishëm procesin e digjitalizimit përmes programeve të dedikuara për inovacion dhe grante për startup-et.

Institucione si Startup Albania po kontribuojnë në zhvillimin e zgjidhjeve teknologjike që përmirësojnë mënyrën se si turistët planifikojnë, rezervojnë dhe përjetojnë udhëtimet e tyre në Shqipëri.

Në këtë kontekst, po zhvillohen gjithnjë e më shumë platforma shqiptare që ofrojnë shërbime sipas standardeve ndërkombëtare në fushën e turizmit dhe lëvizshmërisë.

Përdorimi dhe promovimi i këtyre platformave vendase, si Book N’ Ride për rezervimin e makinave me qira në Shqipëri, forcon ekosistemin lokal dhe mbështet zhvillimin e qëndrueshëm të shërbimeve digjitale në vend.

/k.s/a.f/r.e/

The post Shërbimet digjitale po transformojnë eksperiencën e turistëve në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 379 mijë orë të kursyera në maj nga pesë shërbimet tatimore më të përdorura në e-Albania

TIRANË, 15 qershor/ATSH/ Digjitalizimi i shërbimeve tatimore po sjell përfitime të prekshme për qytetarët dhe bizneset, duke reduktuar kohën e nevojshme për marrjen e dokumenteve dhe shmangur procedurat fizike në sportele.

Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, vetëm gjatë muajit maj, pesë nga shërbimet tatimore më të përdorura në platformën e-Albania kanë kursyer gjithsej 379,139 orë për përdoruesit.

Shërbimi më i kërkuar ishte ai i vërtetimit të pagesës, i cili u përdor 178,554 herë. Ndërkohë, vërtetimi për pagesën e kontributeve nga subjekti ose për individin u gjenerua 146,455 herë.

Po ashtu, gjatë muajit maj u lëshuan 25,170 vërtetime për pagesën e detyrimeve, 22,251 vërtetime mbi xhiron për tre vitet e fundit dhe 6,709 vërtetime statusi (aktiv, pasiv, përfshirë datën).

Administrata tatimore vlerëson se përdorimi i këtyre shërbimeve online ka shmangur qindra mijëra vizita fizike në sportele, duke ulur kostot administrative dhe duke rritur efikasitetin e shërbimeve publike.

Digjitalizimi i proceseve tatimore mbetet një nga prioritetet kryesore të modernizimit të administratës publike, me synimin për të ofruar shërbime më të shpejta, transparente dhe të aksesueshme për qytetarët dhe bizneset. /j.p/

The post Mbi 379 mijë orë të kursyera në maj nga pesë shërbimet tatimore më të përdorura në e-Albania appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“YLLI”, asistenti i parë virtual i fermerit, Salla: Sektori bujqësor do të mbështetet gjithmonë e më shumë te teknologjia

TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Në Tiranë u zhvillua konferenca “Bujqësia Digjitale për Shqipërinë 2030”, ku u prezantua “YLLI”, asistenti i parë virtual i fermerit shqiptar.

“YLLI” është pjesë e Portalit të Fermerit, i cili, përmes Inteligjencës Artificiale dhe në gjuhën shqipe, do të ofrojë informacion, orientim dhe asistencë në kohë reale për fermerët, duke e bërë bujqësinë më moderne, më të aksesueshme dhe më pranë standardeve europiane.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla në fjalën e mbajtur me këtë rast tha se, “Shqipëria po hyn në një fazë të re zhvillimi, ku sektori bujqësor do të mbështetet gjithmonë e më shumë tek teknologjia dhe përdorimi në kohë reale i të dhënave nga fermerët në parcela”.

Ai theksoi se, teknologjitë digjitale tashmë janë një domosdoshmëri për sektorin bujqësor, përballë sfidave që lidhen me ndryshimet klimatike, rritjen e kostove të prodhimit, konkurrencën në treg dhe nevojën për përmbushjen e standardeve europiane.

“Bujqësia Digjitale për Shqipërinë 2030 nuk është thjesht një vizion strategjik, por një program konkret transformimi për mënyrën se si prodhojmë dhe zhvillojmë bujqësinë shqiptare në vitet që vijnë. Objektivi ynë është i qartë, të ndërtojmë një bujqësi më produktive, më konkurruese, më të formalizuar, më transparente dhe më të integruar me Bashkimin Europian, ku në qendër të këtij transformimi qëndron fermeri shqiptar”, u shpreh ministri.

Një nga risitë kryesore të portalit është “YLLI”, asistenti i parë virtual i fermerit shqiptar, i ndërtuar mbi inteligjencën artificiale dhe i aftë të komunikojë në gjuhën shqipe.

“Sot jemi duke prezantuar një nga elementët që do të jetë asistenti i çdo fermeri në çdo telefon. “YLLI” është asistenti i parë digjital i fermerit shqiptar, i bazuar në inteligjencën artificiale. Ai është gjithmonë gati për të ofruar asistencë të menjëhershme dhe praktike për fermerët, duke dëgjuar, komunikuar dhe kthyer përgjigje në kohë reale në gjuhën shqipe”, deklaroi Salla.

Ministri bëri të ditur se përmes portalit do të publikohen në kohë reale edhe çmimet e tregjeve dhe të pikave të grumbullimit, duke rritur transparencën dhe orientimin për fermerët.

“Përmes aplikacionit, fermerët do të mund të orientohen, të bashkëbisedojnë me njëri-tjetrin dhe të marrin çdo informacion të nevojshëm në nivel kombëtar. Duke pasur parasysh problematikat dhe ankesat e fermerëve në raport me pikat e grumbullimit, nga ky moment do të jenë online edhe çmimet e publikuara nga këto pika”, theksoi ai.

Salla nënvizoi se digjitalizimi do të shtrihet edhe në monitorimin e parcelave përmes sensorëve inteligjentë, të cilët do të ofrojnë informacion në kohë reale për vaditjen, plehërimin, kushtet atmosferike dhe ndërhyrjet e nevojshme në kulturat bujqësore.

“Po u japim mundësi fermerëve të kenë në kohë reale të gjithë informacionin e duhur nëpërmjet telefonit dhe aplikacionit që do të vëmë në dispozicion, por edhe nëpërmjet sensorëve që do të tregojnë kur duhet të vadisim, kur duhet të plehërojmë dhe kur duhet t’u shërbejmë mbjelljeve”, tha ministri.

Gjatë aktivitetit, ministri Salla vuri theksin edhe te roli i të rinjve dhe inovacionit në zhvillimin e bujqësisë moderne.

“Ne duam që të rinjtë shqiptarë ta shohin bujqësinë jo si një sektor pa perspektivë, por si një sektor ku inovacioni, teknologjia, start-up-et dhe mundësitë e reja ekonomike të jenë pjesë e përditshmërisë së saj”, u shpreh ai.

Në përfundim, ministri falënderoi partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet që kontribuojnë në këtë proces, duke theksuar se objektivi për vitin 2030 mbetet ndërtimi i një bujqësie shqiptare më moderne, më inteligjente, më konkurruese dhe plotësisht të orientuar drejt së ardhmes europiane.

Në përmbyllje të aktivitetit, u realizua një demonstrim live i funksionaliteteve të Portalit të Fermerit nga fermerja Manjola Hafizi, e cila merret me kultivimin e mjedrës që prej vitit 2015. Përmes platformës, ajo kërkoi në kohë reale informacion mbi Skemën Kombëtare të Mbështetjes 2026, aplikimet për të cilën janë hapur së fundmi, duke ilustruar në praktikë mënyrën e funksionimit të portalit dhe shërbimet që ai ofron për fermerët.

Demonstrimi solli konkretisht transformimin e vizionit të bujqësisë digjitale në një mjet të përdorshëm për fermerët, ku “YLLI”, asistenti i parë virtual i fermerit shqiptar, bashkëbisedoi në kohë reale me Manjolën, duke treguar se sa e thjeshtë është për një fermer të hyjë në platformë, të kërkojë informacion dhe të marrë përgjigje të menjëhershme në gjuhën shqipe për nevojat e aktivitetit të tij bujqësor.

Ndërkohë, duke folur në konferencë menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Massimiliano Paolucci, vlerësoi sot se implementimi i bujqësisë digjitale në vend përbën një hap strategjik drejt ndërtimit të një “shtylle digjitale kombëtare” për sektorin bujqësor.

Sipas tij, Shqipëria po zhvillon Platformën e Teknologjisë së Informacionit për Bujqësinë e Mençur ndaj Klimës në kuadër të projektit CRAD, me mbështetjen e BB, duke synuar krijimin e një sistemi të integruar të të dhënave bujqësore.

“Shqipëria nuk po ndërton një aplikacion. Po ndërton një shtyllë digjitale kombëtare,” tha ai, duke shtuar se sistemi do të ndihmojë fermerët me këshilla në kohë reale për ujitjen, sëmundjet e kulturave dhe vendimmarrjen në fermë.

Ai nënvizoi se projekti nis si pilotim, me rreth 2 mijë hektarë dhe 4 000–5 000 fermerë, por është projektuar që në fillim për t’u bërë pjesë e sistemeve të integruara me standardet e Bashkimit Europian.

/e.xh/j.p/r.e/

The post “YLLI”, asistenti i parë virtual i fermerit, Salla: Sektori bujqësor do të mbështetet gjithmonë e më shumë te teknologjia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Krasniqi, në Konferencën Globale mbi Qeverisjen e Platformave Digjitale 2026

14 February 2026 at 11:23

TIRANË, 14 shkurt /ATSh/ Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi dhe delegacioni shqiptar morën pjesë në Konferencën Globale mbi Qeverisjen e Platformave Digjitale 2026 të zhvilluar në Pretoria, Afrikë e Jugut.

Për 3 ditë me radhë, përfaqësues nga vende të ndryshme të botës, drejtues të lartë rregullatorësh, organizatash mediatike, akademikë, diskutuan mbi sfidat aktuale të rregullimit të platformave digjitale, garantimin e një mjedisi informativ të sigurt dhe gjithëpërfshirës si dhe forcimin e mekanizmave të qeverisjes së përgjegjshme dhe të bazuar në të drejtat e njeriut

Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi mori pjesë në sesionet me tematika të shumëllojshme që nxorën në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndarjes së përvojave ndërmjet rregullatorëve dhe aktorëve institucionalë nga rajone të ndryshme, përfshirë Europën, Afrikën, Azinë dhe Amerikën Latine. Këto diskutime konfirmuan rolin kyç të qasjeve shumëpalëshe në zhvillimin e politikave efektive për qeverisjen e platformave digjitale dhe për mbrojtjen e integritetit të informacionit.

Krasniqi informoi se në fund të ditës së tretë të konferencës u miratua “Deklarata e Pretorias”, e cila përmban angazhime konkrete për zbatimin e Udhëzimeve të UNESCO-s dhe forcimin e platformave digjitale në nivel global. Deklarata përfaqëson një kornizë strategjike shumëpalëshe për forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut në mjedisin digjital.

Sipas Krasniqit, dokumenti parashikon masa konkrete për rritjen e transparencës së platformave, përfshirë raportime periodike mbi moderimin e përmbajtjes, mekanizma efektivë ankimi për përdoruesit, si dhe zgjerimin e aksesit të studiuesve në të dhënat e platformave për qëllime kërkimi në interes publik.

Krasniqi nënvizoi se një vend të veçantë në Planin e Veprimit zë mbrojtja e përdoruesve, veçanërisht të fëmijëve dhe grupeve vulnerabël, promovimi i Edukimit Mediatik dhe informativ, si dhe zhvillimi i standardeve për vlerësimin e rreziqeve sistemike që lidhen me integritetin zgjedhor, lirinë e medias dhe integritetin e informacionit.

“Ky është një angazhim i përbashkët për një mjedis digjital të sigurt dhe të besueshëm, për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe për zhvillimin e politikave të koordinuara”, përfundoi Krasniqi.

Pak ditë më parë, Krasniqi zhvilloi një vizitë dyditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë kësaj vizite në Uashington DC, në të cilën shoqërohej nga Sekretarja e Përgjithshme e AMA-së, Romelda Rrapollari, Krasniqi u prit në Departamentin e Shtetit nga zyrtari për çështjet për Shqipërinë, John W Robbins, zyrtari për Diplomacinë Publike për Çështjet e Europës Qendrore, Michael Marble dhe zyrtari për Iniciativat e Politikave Ndërkombëtare, Evan Lord.

/e.i/j.p/

The post Krasniqi, në Konferencën Globale mbi Qeverisjen e Platformave Digjitale 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tabaku: Profesionet e lira nuk marrin dot shërbimet bazë nga tatimet

29 January 2026 at 11:38

TIRANË, 29 janar /ATSh/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, tha sot se i gjithë sistemi i teknologjisë së informacionit të qeverisë është i bllokuar, duke e bërë praktikisht të pamundur marrjen e shërbimeve bazë nga tatimet, institucionet publike dhe platforma e-Albania.

“Biznesi është në krizë. Profesionistët e lirë po vuajnë më shumë se kushdo tjetër,” thekson ajo.

Tabaku theksoi se profesionistët e lirë nuk arrijnë dot të kryejnë veprimet më elementare: të gjenerojnë fatura, të llogarisin kostot apo të bëjnë një analizë minimale të punës së tyre ditore përmes sistemit self-care.

“Imagjinoni një profesionist të lirë, një biznes i vogël që punon nga mëngjesi në darkë, dhe nuk arrin dot të nxjerrë as një faturë të vetme,” thekson ajo.

Sipas deputetes së PD-së, bëhet fjalë për tatimpagues të rregullt, njerëz korrektë me shtetin, të cilët paguajnë taksa të rritura dhe kosto të larta fiskalizimi, por nuk marrin as shërbimin minimal në këmbim.

“Kjo është ‘qeveria e shërbimeve’. Kjo është qeveria e medaljeve të kota,” deklaron Tabaku, duke ngritur pyetjen se kush do të mbajë përgjegjësi për këtë situatë.

Në përfundim, ajo e cilëson realitetin aktual si paradoksal: një Shqipëri e shpallur ‘digjitale’, që nuk ofron dot as certifikata për biznesin dhe që ndaj sipërmarrjes shqiptare përgjigjet vetëm me “ERROR 404”.

Sipas saj, ky kolaps digjital po e zhyt biznesin në krizë dhe po minon besimin e qytetarëve te shteti.

/m.q/j.p/

The post Tabaku: Profesionet e lira nuk marrin dot shërbimet bazë nga tatimet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dorëshkrimet e dijetarëve mesjetarë në Bibliotekën Digjitale

27 January 2026 at 11:32

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Në fondin e Bibliotekës Kombëtare gjenden dorëshkrime të rralla, që sjellin deri në ditët tona, dijen e përcjellë nga periudha e Mesjetës.

Një shembull i ekzemplarëve të rrallë, tashmë të digjituar, është një dorëshkrim i rrallë, “Elmülahhas fil heye” (Dije mbi yjet) i cili përmban të dhëna mbi astronominë, të shoqëruara me vizatime dhe skema shpjeguese, që tregojnë mënyrën se si konceptohej universi në traditën shkencore islame.

Vepra e Mahmûd b. Muhammed b. Ömer el-Çağmînî el-Hârizmî trajton strukturën e qiellit, lëvizjen e trupave qiellorë dhe parimet bazë të astronomisë klasike, duke shërbyer si tekst mësimor dhe referues për breza studiuesish.

Ekzemplari i dorëshkruar dallohet për kopertinën e gdhendur prej lëkure dhe për ruajtjen e elementeve autografe, të cilat ofrojnë informacion mbi përdorimin, transmetimin dhe qarkullimin e dijes shkencore në dorëshkrime.

Si dokument i trashëgimisë shkencore, ky dorëshkrim ndihmon të kuptojmë jo vetëm njohuritë astronomike të kohës, por edhe mënyrën se si dija vizualizohej dhe transmetohej përmes tekstit dhe ilustrimit.

Materiali është pjesë e fondit të dorëshkrimeve të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe është i digjituar në Bibliotekën Digjitale. /j.p/

1 nga 5

The post Dorëshkrimet e dijetarëve mesjetarë në Bibliotekën Digjitale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Banka e parë digjitale në Shqipëri, risi teknologjike dhe test për sigurinë kibernetike

24 January 2026 at 09:31

TIRANË, 24 janar /ATSh/ Hyrja e bankës së parë digjitale në tregun financiar shqiptar përbën një risi të rëndësishme për sistemin bankar, duke shënuar një hap drejt modernizimit të shërbimeve financiare dhe përafrimit me standardet evropiane.

Ky zhvillim pritet të sjellë një model të ri operimi, të bazuar tërësisht në teknologji digjitale, si dhe të rrisë konkurrencën në treg.

Ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, vlerësoi se Shqipëria ka treguar gatishmëri për të përqafuar risitë, edhe pse përballet ende me sfida infrastrukturore dhe informuese.

“Hyrja e bankës digjitale do të na afrojë më shumë me tregjet bankare evropiane dhe do të rrisë konkurrueshmërinë e sistemit financiar”, u shpreh Radonshiqi.

Sipas saj, përvoja pozitive e qytetarëve me shërbimet online ka treguar se digjitalizimi sjell përfitime konkrete, duke reduktuar kohën dhe kostot si për individët, ashtu edhe për bizneset, përfshirë zonat rurale. E njëjta prirje pritet të reflektohet edhe në sistemin bankar, përmes rritjes së efikasitetit dhe aksesit në shërbime financiare.

“Banka digjitale nënkupton kosto më të ulëta transaksionesh, kursim kohe dhe rritje të konkurrueshmërisë, si në aspektin e të bërit biznes, ashtu edhe në realizimin e operacioneve financiare”, tha ajo.

Radonshiqi theksoi se banka e re digjitale pritet të shërbejë si model për bankat e tjera tregtare, duke nxitur digjitalizimin e mëtejshëm të shërbimeve dhe orientimin e tregut bankar drejt inovacionit teknologjik.

Megjithatë, krahas risive që sjell, digjitalizimi i plotë i shërbimeve bankare shoqërohet edhe me sfida të rëndësishme, ku kryesorja mbetet siguria kibernetike. Sipas ekspertes, rritja e përdorimit të platformave digjitale ekspozon sistemin financiar ndaj rreziqeve të reja, përfshirë sulmet kibernetike, të cilat mbeten një shqetësim për qytetarët dhe bizneset.

“Pavarësisht lehtësive dhe efikasitetit që ofron banka digjitale, sfida kryesore lidhet me garantimin e sigurisë së të dhënave dhe transaksioneve financiare. Kjo kërkon masa të shtuara sigurie dhe bashkëpunim të ngushtë mes bankave dhe institucioneve rregullatore”, theksoi Radonshiqi.

Sipas saj, adresimi i sfidës së sigurisë kibernetike do të jetë vendimtar për ndërtimin e besimit të publikut dhe për suksesin afatgjatë të modelit të bankës digjitale në Shqipëri, duke e kthyer këtë risi në një faktor pozitiv për zhvillimin e gjithë sistemit bankar.

Banka e parë digjitale, e cila ka marrë miratimin nga Banka e Shqipërisë, do të operojë pa degë fizike, duke ofruar shërbime bankare përmes platformave digjitale. Modeli i saj synon të kombinojë teknologjinë e avancuar me procedura të thjeshtuara, kosto më të ulëta transaksionesh dhe një qasje të përqendruar te klienti, duke ndryshuar mënyrën tradicionale të ndërveprimit me bankën.

/e.xh/r.e/ /a.g/

The post Banka e parë digjitale në Shqipëri, risi teknologjike dhe test për sigurinë kibernetike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AZHBR përforcon digjitalizimin e bujqësisë me sistemin LPIS

15 January 2026 at 15:50

TIRANË, 15 janar /ATSh/ Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) po përshpejton digjitalizimin e sektorit bujqësor në Shqipëri, duke implementuar Sistemin e Identifikimit të Parcelave të Tokës (LPIS).

Ky sistem siguron administrim më të saktë dhe transparent të fondeve të Bashkimit Evropian, përmirëson mbështetjen për fermerët dhe lehtëson menaxhimin e skemave bujqësore në përputhje me standardet evropiane.

Drejtoresha e AZHBR-së, Ardita Kuçi tha se LPIS, bazohet në imazheri satelitore dhe standard të avancuara të BE-së.

E pranishme në takimin e organizuar sot në Tiranë, me ekspertë vendas dhe të huaj, ajo vuri theksin në përfshirjen më të gjerë të fermerëve për konfirmimin dhe pasurimin e të dhënave fillestare.

Gjatë takimit u prezantuan përvoja nga vendet e Bashkimit Evropian, ecuria e projektit pilot në Shqipëri dhe roli i LPIS në rritjen e efikasitetit të administrimit të skemave të mbështetjes bujqësore.

“Pas përfundimit të fazës së parë të projektit pilot LPIS në Qarkun e Beratit. AZHBR përgatitet për fazën e dytë të zbatimit, me fokus përfshirjen e fermerëve për konfirmimin dhe pasurimin e të dhënave fillestare, të përftuara nga interpretimi i imazherisë satelitore”, tha Kuçi.

Projekti EU4Property Rights financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNOPS, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe AZHBR, duke kontribuar në përmirësimin e menaxhimit të pronave dhe mbështetjen e fermerëve shqiptarë.

1 nga 4

e.xh/j.p/

The post AZHBR përforcon digjitalizimin e bujqësisë me sistemin LPIS appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: E vërteta për AKSHI-n duhet pritur me durim vetëm nga drejtësia

28 December 2025 at 09:47

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot raportin e Bankës Botërore për nivelin e transformimit digjital të sektorit publik, i cili e rendit Shqipërinë 54 vende më lart.

Në episodin e fundit për këtë sezon të podkastit “Flasim”, kryeministri Rama bëri një përmbledhje të çështjeve kryesore të javës, ku u ndal te ky zhvillim pozitiv.

“Banka Botërore ka publikuar GovTech Maturity Index 2025, ose e thënë shqip, raportin që njëherë në 2-3 vite vlerëson 197 vende të botës për nivelin e transformimit digjital të sektorit publik”, bëri të ditur Rama.

Duke u ndalur te hetimi i SPAK për AKSHI-n, Rama u shpreh se “duhet pritur me durim vetëm nga drejtësia që të dalë deri në fund e vërteta”.

“E di që sot AKSHI përballet me një hetim nga SPAK-u për përdorimin e fondeve dhe Linda Karçanaj, gruaja që ka udhëhequr jetësimin e vizionit tonë qeverisës, për transformimin historik digjital të qeverisjes së Shqipërisë, me dije, vullnet e përkushtim të përditshëm për 12 vjet me radhë, gjendet nën një masë sigurie me një akuzë të hatashme, për të cilën duhet pritur me durim vetëm nga drejtësia, e s’mund të pritet asgjë nga 700 tenxheret e çorbës politike mediatike, që të dalë deri në fund e vërteta e saj, ciladoqoftë ajo”, tha Rama.

Por, Rama vlerësoi se “falë saj dhe skuadrës së AKSHI-it, ku punojnë pa orar plot vajza e djem të talentuar të botës së re të teknologjisë, Shqipëria ka bërë një kapërcim të madh, krahasuar me vitin 2022 kur ka dalë raporti paraardhës i Bankës Botërore për qeverisjen digjitale”.

“Këtë herë, jo vetëm vijojmë të renditemi në Grupin A – i quajtur grupi me Maturitet të Lartë – ku kemi 0.939 pikë, nga 1 që është maksimumi – por falë një rritjeje të ndjeshme, krahasuar me raportin paraardhës, ku kishim 0.752, këtë vit kemi kaluar nga vendi i 68-të në vendin e 14-të, mes gjithë atyre vendeve, duke lënë pas pikërisht falë punës e vullnetit për ta vënë teknologjinë e re në shërbim të publikut dhe të zhvillimit të Shqipërisë, vende me emër të madh, si Danimarka, Singapori apo Mbretëria e Bashkuar, e me radhë”, shtoi Kryeministri.

Rama theksoi se ky është një raport objektiv dhe profesional, i cili vlerëson katër fusha kryesore, që mbulojnë sistemet bazë qeveritare, shërbimet publike online, angazhimin digjital të qytetarëve dhe faktorët mundësues institucionalë e ligjorë.

“Pa diskutim nuk justifikon absolutisht asnjë shkelje të ligjit që pretendohet se ka ndodhur në aktivitetin e AKSH-it, gjë që mund të na e thotë vetëm procesi gjyqësor, por nga ana tjetër e gjithë zhurma histerike e 700 tenxhereve të çorbës politike mediatike, nuk e zhbën dot rezultatin fantastik të Shqipërisë, në këtë fushë të veprimtarisë së AKSHI-t, që mund ta verifikoni lehtësisht përmes linkut të raportit”, tha Rama, ndërsa ndau linkun e raportit që gjendet në faqen e Bankës Botërore.

/m.m/r.e/

The post Rama: E vërteta për AKSHI-n duhet pritur me durim vetëm nga drejtësia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Platforma digjitale e taksimit të dyfishtë kursen kosto dhe kohë

12 December 2025 at 10:18

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka prezantuar sot Platformën e re Digjitale për Taksimin e Dyfishtë, një shërbim inovativ që synon të thjeshtojë dhe përshpejtojë procedurat për tatimpaguesit që përfshihen në marrëveshjet për shmangien e tatimit të dyfishtë.

Sipas njoftimit zyrtar, platforma e re përbën një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të administratës tatimore dhe harmonizimit të saj me praktikat dhe standardet e Bashkimit Europian. Nëpërmjet digjitalizimit të procesit, tatimpaguesit nuk do të kenë më nevojë të paraqesin dokumentacion të shumtë fizik apo të ndjekin procedura të zgjatura pranë sporteleve të administratës.

Përmes kësaj platforme, aplikimet për zbatimin e marrëveshjeve të taksimit të dyfishtë mund të kryhen online, duke mundësuar një komunikim më të shpejtë, transparencë më të madhe dhe monitorim të çdo hapi të procedurës në kohë reale. Tatimpaguesit do të kursejnë kohë, dokumente dhe kosto të panevojshme, ndërsa administrata pritet të përfitojë nga rritja e efikasitetit dhe ulja e gabimeve procedurale.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve theksoi se digjitalizimi i këtij shërbimi është pjesë e një strategjie më të gjerë për modernizimin e proceseve tatimore dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe bizneset. DPT do të vijojë të investojë në teknologji dhe mjete të reja që lehtësojnë bashkëpunimin me tatimpaguesit dhe përmirësojnë administrimin fiskal në vend.

Platforma e re është tashmë aktive dhe e aksesueshme për të gjithë përdoruesit e interesuar.

/e.xh/a.f/r.e/

The post Platforma digjitale e taksimit të dyfishtë kursen kosto dhe kohë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BSH i hap rrugë licencimit të bankës së parë digjitale në Shqipëri

3 December 2025 at 22:17

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë i ka hapur sot rrugën licencimit të JET Bank, institucionit financiar që synon të bëhet banka e parë plotësisht digjitale në vend.

Në bazë të këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të japë miratimin paraprak për licencimin e bankës JET Bank, për të ushtruar veprimtari bankare dhe financiare në Republikën e Shqipërisë.

JET Bank synon të jetë banka e parë në Shqipëri që operon në mënyrë tërësisht digjitale, duke kombinuar një teknologji të avancuar me një model të thjeshtë, të sigurt dhe të përqendruar te klienti. Misioni i saj është të prezantojë një model të ri shërbimi financiar, të ndryshëm nga modelet tradicionale bankare.

Gjatë mbledhjes, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera lidhur me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.

/m.q/a.f/r.e/

The post BSH i hap rrugë licencimit të bankës së parë digjitale në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tech4Edu, platformë digjitale mësimore për nxënësit dhe mësuesit

11 November 2025 at 13:49

TIRANË, 11 nëntor /ATSH/ Programi “Tech4Edu” u prezantua sot në Tiranë, në ambientet e Piramidës, në kuadër të Javës Kulturore Britanike.

Fokusi i programit “Tech4Edu” është prezantimi i arsimit digjital përmes fuqizimit të kapaciteteve dhe praktikave britanike më të avancuara në mësimdhënien digjitale.

Në këtë aktivitet, të pranishme ishin edhe dy zëvendësministret e Arsimit, Orjana Osmani dhe Herida Duro, si edhe përfaqësues nga Ambasada britanike në Tiranë, nga British Council Albania, fondacioni “Vodafone Albania”, mësues dhe nxënës të shkollave të ndryshme në Tiranë.

Në nisje të aktivitetit, CEO i Vodafone Albania, Balázs Révész, e vlerësoi këtë nismë që do të çojë në ndërtimin e një platforme digjitale ku të gjithë nxënësit do të kenë mundësi të mësojnë, por edhe mësuesit do të kenë akses në format e reja të mësimdhënies, përmes Inteligjencës Artificiale dhe jo vetëm.

Zëvendësambasadorja britanike në vendin tonë Julia Sutherland, e cilësoi këtë bashkëpunim si shumë të vlefshëm, për nxënësit, mësuesit, ndërsa epoka digjitale bëhet gjithnjë e më sfiduese.

“Kjo është Java e Kulturës Britanike në Tiranë dhe ne jemi shumë krenarë që jemi bashkudhëtarë në progresin që ka shënuar Tirana jo vetëm me këtë event, por në tërësi. Kemi projekte shumë të rëndësishme përpara, e nëse punojmë si ekip, ne do të ndërtojmë bashkë me të rinjtë aftësitë digjitale për të mbështetur progresin në çdo fushë”, tha Sutherland.

Edhe përfaqësuesja e British Council në vendin tonë, e cilësoi këtë memorandum mirëkuptimi si një shenjë arritje në drejtim të arsimit dhe mësimdhënies digjitale, në një kohë kur digjitalizimi dhe Inteligjenca Artificiale janë përfshirë në çdo sektor.

Zëvendësministrja e Arsimit, Orjana Osmani u shpreh se ky aktivitet bashkon inovacionin, kreativitetin dhe fuqinë e edukimit në epokën digjitale.

“Ky aktivitet konfirmon atë se çfarë ne mund të arrijmë kur bashkëpunojmë mes shkollave dhe mësuesve sa i takon mësimdhënies. Ne po e shohim se si teknologjia po transformon mënyrën e të mësuarit. Kemi përfshirë lëndën e kodimit në shkolla që ndihmon në zhvillimin e aftësive digjitale në klasa. Por, përtej këtij suksesi, ne jemi krenarë që në këtë rrugëtim prezantojmë teknologjinë si element përmes të cilit mund të ngjallet kurioziteti për dijen dhe mundësitë e reja për çdo fëmijë. Edukimi në kohën e sotme nuk është vetëm në ekrane, por në programet që theksojnë fuqinë e mendimit të thelluar”, tha Osmani.

Ndërsa, Dorina Rapti, drejtoreshë e Kurrikulës dhe Departamentit të Kualifikimit të Mësuesve në ASCAP, tha se të gjithë jemi bashkudhëtarë dhe bashkëkohës të një epoke që është shumë e bukur, me shumë gjëra të reja, por njëherësh edhe shumë sfiduese.

“Është sfiduese për ne, por edhe për nxënësit të cilët jetojnë jo vetëm kohën e tashme, por do të jetojnë edhe në të ardhmen përmes një epoke që nuk e dimë se çfarë na pret”, tha Rapti.

“Ne jemi këtu për të ndërtuar kurrikula dhe një sistem arsimor që ju mbështet juve dhe ndihmon për të zhvilluar aftësi digjitale të mendimit të thellë, me të cilat ju do të keni mundësi të bashkëjetoni në të gjithë vitet që do të pasojnë. Jemi të etur për të pasur platforma digjitale që mundësojnë të nxënit tuaj, por jo vetëm. Të nxënit tuaj në mënyrë inovatore që të mund të krijojmë sa më shumë mendime dhe gjëra të reja në funksion të të gjithë brezave që do të vijnë”, përfundoi Rapti.

Nga aktiviteti Tech4Edu i organizuar te Piramida, Tiranë
1 nga 14

/e.i/r.e/

The post Tech4Edu, platformë digjitale mësimore për nxënësit dhe mësuesit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kostani: Shqipëria avancon prokurimin publik me Inteligjencë Artificiale

10 November 2025 at 13:23

TIRANË, 10 nëntor /ATSH/ Ekspertë dhe përfaqësues ndërkombëtarë, si edhe nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), morën pjesën në Konferencën Ndërkombëtare për Prokurimin Publik të zhvilluar në Romë.

AKSHI bën me dije në një njoftim, se kjo konferencë, vjen në kuadrin e prezantimit të rrugëtimit të Shqipërisë nga digjitalizimi drejt një administrate publike të udhëhequr nga Inteligjenca Artificiale, deri te reforma aktuale në Prokurimin Publik, një nga proceset më strategjike të qeverisjes elektronike.

Romina Kostani, drejtuese e Koordinimit të Agjendës Digjitale dhe Projekteve e-Gov me Fonde të Huaja pranë AKSHI-t, theksoi se Shqipëria është sot një nga historitë më të suksesshme të digjitalizimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e kthyer teknologjinë në një mjet thelbësor për efikasitet, transparencë dhe shërbim më të afërt me qytetarin.

Në fokus të prezantimit ishin hapat që po ndërmerr vendi ynë për të ndërtuar një ekosistem tërësisht digjital të prokurimit publik, të mbështetur nga Inteligjenca Artificiale, ku çdo proces është i gjurmueshëm, i automatizuar dhe transparent.

Sipas AKSHI-t, ky model i ri do të garantojë transparencë të plotë dhe akses në kohë reale në të dhënat e prokurimit për qytetarët, bizneset dhe shoqërinë civile, efikasitet të lartë përmes automatizimit të proceseve dhe reduktimit të burokracisë dhe integrim të plotë me standardet evropiane, përmes platformave si, e-Certis dhe e-Forms.

Në njoftimin e AKSHI-t thuhet se me ndihmën e Inteligjencës Artificiale, Shqipëria po forcon gjithnjë e më tepër themelet e transparencës, efikasitetit dhe integritetit publik.

/e.i/a.f/r.e/

The post Kostani: Shqipëria avancon prokurimin publik me Inteligjencë Artificiale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Aeroporti i Rinasit, i pari në Europë me portë digjitale të hyrjes

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas do të jetë i pari në Europë me portën digjitale të hyrjes.

“Një tjetër inovacion i bukur që po përgatisim është hyrja në Shqipëri nga aeroporti “Nënë Tereza” pa asnjë ndalesë dhe pa kontroll pasaporte, por përmes një porte digjitale, të cilës i mjafton pamja jote për të verifikuar identitetin tënd, duke e lidhur atë elektronikisht me biletën dhe me të dhënat e tua”, theksoi Rama në sezonin e 5-të podkastit “Flasim’ në rubrikën “Shënimet e javës”.

Kreu i qeverisë u shpreh se “aeroporti i Tiranës, tashmë i mirënjohur si një nga të parët aeroporte në Europë me kontroll digjital të pasaportave, do të jetë i pari aeroport në Europë me portën digjitale të hyrjes. Kjo falë bekimit të teknologjisë digjitale, e cila u jep mundësi vendeve në zhvillim të bëjnë kapërcime epokale që, përndryshe, do të ishin të pamundura”.

Aeroporti ndërkombëtar i Rinasit ka njohur viteve të fundit rrije të lartë të numrit të pasagjerëve ndërsa vendi ka përjetuar bum turistik.

/k.s/j.p/

The post Rama: Aeroporti i Rinasit, i pari në Europë me portë digjitale të hyrjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dy klasa digjitale në Pediatrinë e QSUNT-së që fëmijët të mos shkëputen nga shkolla

21 October 2025 at 09:20

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Në spitalin Pediatrik të Specialiteteve, pacientët e vegjël nuk shkëputen nga mësimet dhe shkolla falë dy klasave të posaçme të ngritura në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ndau sot në rrjetet sociale një orë mësimi në këto dy klasa digjitale të ndërtuara posaçërisht për nxënësit që marrin trajtim mjekësor në Shërbimin e Pediatrisë në QSUT, ndërsa puna me mësuesit e dedikuar po jep rezultate të prekshme.

“Fëmijët nuk shkëputen nga ritmi i shkollës, por vazhdojnë të mësojnë, të kryejnë detyrat dhe të ndjekin programin mësimor njësoj si bashkëmoshatarët e tyre në bankat e shkollës. Një nismë që sjell buzëqeshje, dije dhe shpresë për vogëlushët tanë”, thuhet në postimin e MSHMS.

Për herë të parë, pjesë e infrastrukturës spitalore janë edhe mjediset e dedikuara për shkollën e asistuar për ata fëmijë që kalojnë një kohë më të gjatë në spital.

Këto dy klasa mësimore janë të pajisura me teknologjinë më të fundit digjitale dhe mjete të nevojshme didaktike, falë modelit që ka sjellë Fondacioni izraelit SASA Setton.

Përmes një stafi të dedikuar mësuesish, në dy klasat, njëra multidisiplinare dhe tjetra një klasë-studio arti, do t’u ofrohet fëmijëve të shtruar në spital edukim mësimor si dhe kurrikula të tjera mbështetëse për mirëqenien e tyre emocionale sipas grupmoshës

Projekti është një shembull domethënës i bashkëpunimit ndërmjet sistemit shëndetësor dhe atij arsimor, në funksion të së drejtës themelore të çdo fëmije për arsim të barabartë, gjithëpërfshirës dhe të pandërprerë, pavarësisht rrethanave.

/e.i/j.p/

The post Dy klasa digjitale në Pediatrinë e QSUNT-së që fëmijët të mos shkëputen nga shkolla appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kostani: Inteligjenca Artificiale, integrim në çdo sektor shtetëror

1 October 2025 at 19:01

TIRANË, 1 tetor /ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ishte pjesë e diskutimeve gjatë forumit vjetor të SASPAC  “Platforma e dialogut me palët e interesuara për ndihmën e huaj në Shqipëri”.

Drejtoresha e Drejtorisë së Koordinimit të Agjendës Digjitale dhe Projekteve të e-Qeverisjes me Financim të Huaj, Romina Kostani u shpreh në forum se Inteligjenca Artificale po integrohet në çdo sektor shtetëror.

Ajo ishte e pranishme në panelin mbi koordinimin dhe sinergjitë për investimet strategjike ku foli për aspiratat digjitale të Shqipërisë.

Sipas Kostanit, disa nga iniciativat në punë e sipër janë ndërlidhje e sistemeve kombëtare me platformat e BE-së, për qasje të barabartë në shërbimet digjitale, sistemi i ri i prokurimit me AI, portofoli i Identitetit Digjital, ndërsa në fazën finale është strategjia kombëtare e AI 2030.

Kostani u shpreh se sakaq vijon puna për jetësimin e projekteve me mbështetjen e instrumentit WBIF të Bashkimit Evropian.

Përfaqësuesja e AKSHI-t u ndal edhe projektet e tjera, si zgjerimi kombëtar i rrjetit qeveritar GovNet, SmartLabs faza III, laboratorë digjitalë në 654 shkolla, studim fizibiliteti për ngritjen e Qendrës Kombëtare për Kompjuterikë të Avancuar, Smart Cities dhe studim fizibiliteti për projektin pilot në tre qytete, në Durrës, Korçë dhe Vlorë.

Gjatë fjalës së saj, Kostani theksoi se “koordinimi me AKSHI-n mbetet kyç për shmangien e mbivendosjeve dhe për të maksimizuar ndikimin e investimeve digjitale”.

“Nevojiten mekanizma bashkëpunimi të shpejtë dhe të adaptueshëm, që përputhen me ritmin që kërkon teknologjia”, tha Kostani.

Konferenca “Platforma e dialogut me palët e interesuara për ndihmën e huaj në Shqipëri” është një forum i rëndësishëm dedikuar diskutimit mbi sfidat dhe zgjidhjet efikase në drejtim të përdorimit të mbështetjes ndërkombëtare.

/e.i/j.p/

The post Kostani: Inteligjenca Artificiale, integrim në çdo sektor shtetëror appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Mbi 1,5 milionë nënshkrime për peticionin kundër kartave digjitale të identitetit

27 September 2025 at 13:33

LONDËR, 27 shtator /ATSH-DPA/ – Një peticion që i bën thirrje qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të mos prezantojë kartat digjitale të identitetit, ka marrë më shumë se 1,5 milionë nënshkrime.

Kryeministri Keir Starmer njoftoi të premten se qeveria do të prezantojë një sistem të ri identifikimi deri në vitin 2029 që do të jetë i detyrueshëm për njerëzit që punojnë në Mbretërinë e Bashkuar.

Peticioni i bëri thirrje qeverisë të angazhohet për të mos futur kartat digjitale të identitetit  duke thënë se “ne mendojmë se ky do të ishte një hap drejt mbikëqyrjes masive dhe kontrollit digjital dhe se askush nuk duhet të detyrohet të regjistrohet me një sistem identifikimi të kontrolluar nga shteti”.

Ai mori më shumë se 6 800 nënshkrime brenda një ore sot në mëngjes, ndërsa arriti më shumë se 1 564 000 firma.

Peticionet në faqen e internetit të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar që marrin më shumë se 100 000 nënshkrime do të merren në konsideratë për një debat.

Udhëheqësi i ”Reform UK”, Nigel Farage, e kritikoi skemën e planifikuar, duke e quajtur atë “një kartë antibritanike”.

Duke shkruar në ”Daily Express”, ai tha se “plani i qeverisë laburiste për të imponuar kartat digjitale të identitetit për të gjithë të rriturit nuk do të bëjë asgjë për të luftuar imigracionin e paligjshëm. Por, do t’i japë shtetit më shumë pushtet për të kontrolluar popullin britanik”.

Ministrat kishin thënë më parë se karta e identitetit do të nevojitej vetëm si provë se dikush ka të drejtë të punojë në Mbretërinë e Bashkuar, si pjesë e një përpjekjeje për të ulur imigracionin e paligjshëm.

Por Darren Jones, i cili po drejton politikën si sekretar kryesor i kryeministrit, sugjeroi që kartat digjitale të identitetit mund të ketë përdorime shumë më të gjera në të ardhmen.

Ai i tha samitit ”Global Progress Action” në Londër se “nëse e bëjmë këtë sistem të identifikimit digjital të funksionojë dhe publiku të jetë me ne, ky do të jetë themeli i shtetit modern dhe do të lejojë një reformë vërtet emocionuese të shërbimit publik në të ardhmen”.

Njerëzit nuk do të jenë të detyruar të mbajnë kartën e identitetit, e cila do të mbahet në telefonat inteligjentë ose t’u kërkohet ta paraqesin atë./  a.jor.

The post BM – Mbi 1,5 milionë nënshkrime për peticionin kundër kartave digjitale të identitetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR  – Starmer : ID digjitale e detyrueshme për punësim në BM

26 September 2025 at 13:59

LONDËR, 26 shtator /ATSH/ – Kryeministri britanik Keir Starmer njoftoi se qeveria do të fusë një skemë të re të ID-së (karta e identitetit) digjitale, e cila do të bëhet e detyrueshme për të gjithë ata që duan të punojnë ligjërisht në Britaninë e Madhe  sipas BBC.

Starmer deklaroi se skema e re do të bëjë më të vështirë punësimin e paligjshëm dhe do të sjellë “përfitime të panumërta” për qytetarët.

Qeveria tha se po shqyrton mënyra për të siguruar që shërbimi të jetë i aksesueshëm edhe për ata që nuk kanë mundësi të përdorin një smartphone dhe do të hapë një konsultim për mënyrën e implementimit më vonë gjatë vitit.

“Kjo do të përbëjë një mundësi të madhe për vendin dhe do të vështirësojë punësimin e paligjshëm”, tha Starmer.

ID-ja digjitale do të ruhet në telefonat e qytetarëve, në mënyrë të ngjashme me aplikacionin e NHS apo kartat e pagesave pa kontakt.

Ajo do të përfshijë emrin, datën e lindjes, një fotografi, kombësinë dhe statusin e banimit. Ata që nuk përdorin smartphone mund të marrin një kartë fizike.

Qytetarët nuk do të jenë të detyruar ta mbajnë me vete ose t’ua tregojnë të tjerëve, por do të duhet për të provuar të drejtën për të punuar.

Plani ka shkaktuar reagime të forta nga opozita dhe qeveritë rajonale.

“Reform UK” e quajti skemën një “lojë cinike” për të mashtruar votuesit, ndërsa liderja konservatore Kemi Badenoch tha se nuk do të ndalojë anijet që sjellin migrantë.

Liberaldemokratët kundërshtojnë detyrimin e qytetarëve për të dhënë të dhënat e tyre private. Qeveritë e Skocisë dhe Irlandës së Veriut e kanë quajtur planin të papranueshëm. /Ad.Ab./

 

The post LONDËR  – Starmer : ID digjitale e detyrueshme për punësim në BM appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BSH: Përfshirja financiare e popullsisë arrin në rreth 80 %

22 September 2025 at 15:11

TIRANË, 22 shtator /ATSH/ Përdorimi i instrumenteve elektronike të pagesave në Shqipëri ka njohur një rritje të ndjeshme me ritme dyshifrore, duke reflektuar qartë efektet pozitive të digjitalizimit të sektorit financiar dhe masave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë dhe aktorët e tregut bankar.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, numri i pagesave digjitale për frymë ka arritur në 23 në vitin 2024, nga vetëm 4 pagesa për frymë në vitin 2016 çka tregon për një rritje më shumë se pesëfish brenda tetë viteve.

Ky progres dëshmon ndryshimin e sjelljes së konsumatorëve shqiptarë, që po zgjedhin gjithnjë e më tepër zgjidhjet digjitale për kryerjen e pagesave të përditshme, duke reflektuar një rritje të besimit në sistemin bankar dhe në sigurinë e teknologjive financiare.

BSH-ja bën të ditur se përfshirja financiare e popullsisë arrin në gati 80%, një nga nivelet më të larta në rajon.

Një tjetër tregues pozitiv është rritja e përfshirjes financiare, e matur si përqindja e popullsisë që zotëron të paktën një llogari financiare. Kjo përqindje ka arritur në 78% në vitin 2024, nga vetëm rreth 40% në vitin 2017.

Kjo rritje tregon se një pjesë gjithnjë e më e madhe e qytetarëve janë duke u përfshirë në mënyrë aktive në sistemin financiar formal, duke pasur akses në produkte dhe shërbime bankare bazë.

Rritja e pagesave digjitale dhe përfshirjes financiare: Ndihmon formalizimin e ekonomisë dhe ul përdorimin e cash-it, përmirëson transparencën financiare dhe lufton evazionin fiskal, rrit efikasitetin në tregtinë e brendshme dhe ndërkombëtare dhe mbështet objektivat strategjikë të integrimit europian.

Banka e Shqipërisë dhe sektori bankar mbeten të angazhuar për vazhdimin e reformave në sistemin e pagesave, ndërtimin e infrastrukturave moderne financiare dhe rritjen e aksesit të qytetarëve në shërbime të sigurta, të shpejta dhe të përballueshme. e.xh/j.p/

The post BSH: Përfshirja financiare e popullsisë arrin në rreth 80 % appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌