Normal view

Received — 22 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

“OpenAI” në alarm: Modeli i saj i IA-së del jashtë kontrollit dhe kryen sulm kibernetik

22 July 2026 at 17:05

LONDËR, 22 korrik /ATSH/- “OpenAI” ka bërë të ditur se disa nga modelet e saj më të avancuara të inteligjencës artificiale, dolën jashtë kontrollit dhe sulmuan sistemet e një kompanie gjatë një testi sigurie, sipas BBC.

Kompania, që ka krijuar “ChatGPT”, shpjegoi se po testonte një agjent të inteligjencës artificiale – një sistem që mund të kryejë detyra vetë, pasi merr udhëzime nga njeriu.

Testi zhvillohej në një mjedis të izoluar dhe të kontrolluar, i krijuar posaçërisht për të parë se çfarë është në gjendje të bëjë sistemi, pa rrezikuar rrjetet reale.

Megjithatë, inteligjenca artificiale zbuloi dobësi në atë mjedis testimi, arriti të dilte prej tij dhe më pas nisi një sulm ndaj “Hugging Face”, një prej platformave më të mëdha në botë, ku zhvilluesit ndajnë modele të inteligjencës artificiale.

Sistemi arriti të hynte në disa sisteme të brendshme të kompanisë.

“OpenAI” e cilësoi ngjarjen si “të paprecedentë”, ndërsa tha se po zhvillon një hetim së bashku me “Hugging Face”.

Drejtori i “Hugging Face”, Clement Delangue, shkroi në rrjetin X se, është e pabesueshme që e gjithë kjo kishte ndodhur në mënyrë autonome, pa u komanduar drejtpërdrejt nga njerëzit.

Ai shtoi se hetimi vazhdon dhe se mund të bëhet fjalë për rastin e parë të këtij lloji.

Një zëdhënës i qeverisë britanike tha se Instituti për Sigurinë e Inteligjencës Artificiale në Britaninë e Madhe, po analizon sjelljen e sistemit dhe po bashkëpunon me “OpenAI” dhe laboratorë të tjerë për të përmirësuar masat mbrojtëse.

Autoritetet u bënë thirrje organizatave të forcojnë mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike.

Si ndodhi?

Sipas ekspertes Gina Neff nga Universiteti i Kembrixhit, testi zhvillohej në një mjedis të izoluar, i cili duhet të jetë plotësisht i sigurt, për të parë aftësitë e inteligjencës artificiale pa rrezikuar sistemet reale.

Por, sipas saj, “OpenAI” nuk kishte krijuar një mjedis mjaftueshëm të sigurt.

Në vend që të qëndronte brenda kufijve të testit, inteligjenca artificiale gjeti një dobësi në sistem, doli jashtë tij dhe më pas identifikoi “Hugging Face” si një burim të mundshëm informacioni.

Më pas u përpoq të fitonte akses në sistemet e kompanisë.

Profesori i inteligjencës artificiale, Neil Lawrence e quajti këtë një arritje mbresëlënëse nga pikëpamja teknike, por theksoi se aftësi të tilla janë tashmë të njohura për modelet më të avancuara të inteligjencës artificiale.

Ai shtoi se “OpenAI” ndodhet nën presion të madh nga konkurrenti “Anthropic” dhe mund të jetë duke u përpjekur të tregojë se edhe sistemet e saj, kanë aftësi shumë të avancuara në fushën e sigurisë kibernetike.

Sipas tij, incidenti tregon gjithashtu se “OpenAI” ende nuk është në gjendje ta kontrollojë plotësisht teknologjinë që zhvillon.

Në njoftimin e parë, më 16 korrik, “Hugging Face” tha se po verifikonte nëse ishin prekur të dhënat e klientëve ose partnerëve të saj.

Kompania bëri të ditur se dobësitë që shfrytëzoi inteligjenca artificiale, tashmë janë mbyllur dhe sistemet e prekura janë rindërtuar.

Ajo paralajmëroi gjithashtu se sulmet kibernetike të kryera në mënyrë autonome nga inteligjenca artificiale, nuk janë më një skenar teorik, por një rrezik real.

Reagimet

Incidenti ka ngritur pikëpyetje të reja mbi fuqinë e sistemeve të avancuara të inteligjencës artificiale dhe nëse masat aktuale të sigurisë janë të mjaftueshme.

Ekspertët e sigurisë kibernetike thanë se kompanitë duhet të përforcojnë mbrojtjen e tyre, pasi sulmet me inteligjencë artificiale mund të zhvillohen shumë më shpejt sesa mund të reagojnë njerëzit.

Nga ana tjetër, disa analistë mendojnë se njoftimi i “OpenAI” mund të ketë edhe një aspekt marketingu, duke qenë se kompania po përballet me konkurrencë gjithnjë e më të fortë nga “Anthropic” dhe së fundmi edhe nga kompania kineze “Moonshot”, e cila prezantoi modelin e ri të inteligjencës artificiale “Kimi K3”, që pretendon se rivalizon sistemet më të mira amerikane. //a.i/

The post “OpenAI” në alarm: Modeli i saj i IA-së del jashtë kontrollit dhe kryen sulm kibernetik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 19 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: Shqipëria, rezultat historik në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës në Shangai

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Shqipëria ka shënuar rezultat historik në Olimpiadën e 67-të Ndërkombëtare të Matematikës (IMO 2026), e zhvilluar në Shangai, me ekipin kombëtar që u vlerësua me dy medalje bronzi dhe një medalje nderi.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku përgëzoi nxënësit shqiptarë për arritjen e tyre në këtë kompeticion ndërkombëtar.

Medaljet e bronzit u fituan nga nxënësit Marius Gjika dhe Jamarbër Rushitaj, ndërsa nxënësi Orest Sherko u vlerësua me Medalje Nderi.

Kryeministri Rama theksoi se ky është rezultati i dytë më i mirë i Shqipërisë në historinë e pjesëmarrjes në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës, që prej vitit 1993, për sa i përket pikëve të grumbulluara nga ekipi shqiptar.

“Rezultat historik për Shqipërinë në Olimpiadën e 67-të Ndërkombëtare të Matematikës, falë mendjeve të bukura të nxënësve tanë në matematikë”, shkroi Rama në reagimin e tij.

Pjesëmarrja dhe arritjet e ekipit shqiptar në IMO 2026 përbëjnë një tjetër sukses për nxënësit e talentuar në fushën e shkencave ekzakte dhe përfaqësimin e vendit në arenën ndërkombëtare.

/gj.m/j.p/

The post Rama: Shqipëria, rezultat historik në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës në Shangai appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 1 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: “Gov AI” sistem nervor i transformimit digjital të shtetit

TIRANË, 1 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në forumin europian të inovacionit dhe sipërmarrjes “Ruhr Summit”, ku theksoi se demokracia nuk mund t’i delegohet një algoritmi.

Në fjalën e tij Rama nënvizoi se gjykimi, llogaridhënia dhe përgjegjësia mbeten ekskluzivisht njerëzore.

Sipas tij, inteligjenca artificiale ka ndikim të thellë, pasi rrit transparencën dhe e bën më të vështirë fshehjen e vendimeve të pandershme.

Ai u shpreh se përdorimi i inteligjencës artificiale në administratë u jep nëpunësve publikë më shumë informacion përpara marrjes së vendimeve.

“Algoritmi nuk është i mençur, nuk ka ndërgjegje dhe as instinkt moral. Ai nuk ka lidhje personale dhe nuk mund të ndikohet nga interesa të fshehta,” u shpreh Kryeministri Rama.

Sipas tij, qëllimi nuk është fuqizimi i teknologjisë në vetvete, por kufizimi i hapësirave të abuzimit me pushtetin njerëzor aty ku ai bëhet i padukshëm dhe i pakontrollueshëm.

Duke folur për transformimin digjital të shtetit, Rama u ndal edhe te sistemi “Diella”, duke theksuar se ai përfaqëson një hap të rëndësishëm në ndërveprimin e qytetarëve me shërbimet publike.

“Ne nuk e zgjodhëm emrin ‘Diella’ rastësisht. Dielli nuk negocion me hijet, thjesht i largon ato,” u shpreh ai.

Kryeministri shtoi se përtej “Diellës” po zhvillohet edhe sistemi “Gov AI”, i cili, sipas tij, përbën shtresën më të avancuar të inteligjencës institucionale në administratë.

““Gov AI” përfaqëson një sistem nervor të padukshëm të shtetit, që funksionon brenda institucioneve publike, jo për të zëvendësuar ministritë apo nëpunësit, por për t’i lidhur dhe fuqizuar ato”, tha Rama.

Rama theksoi se ky sistem do të mundësojë analizë më të shpejtë të të dhënave, krahasim më efikas të dokumenteve dhe integrim të informacionit ndërinstitucional.

Ai shtoi se inteligjenca artificiale shpesh përshkruhet si revolucion industrial i së ardhmes, por në fakt për qeveritë ajo përfaqëson një revolucion administrativ, që ndryshon mënyrën e funksionimit të shtetit.

Sipas Kryeministrit, shtetet historikisht janë zgjeruar duke shtuar struktura dhe personel, ndërsa me inteligjencën artificiale kapaciteti institucional rritet përmes inteligjencës dhe efikasitetit, jo vetëm përmes zgjerimit.

/gj.m/j.p/

The post Rama: “Gov AI” sistem nervor i transformimit digjital të shtetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 14 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Shpresë e re kundër rënies së kujtesës: Spraji nazal jep rezultate premtuese

14 June 2026 at 09:00

TIRANË, 14 qershor /ATSH/- Një ekip studiuesish nga Universiteti “A&M Teksas”, ka krijuar një spraj nazal eksperimental që, sipas rezultateve të para në modele shtazore, mund të rikthejë kujtesën, të ulë inflamacionin kronik në tru dhe të përmirësojë funksionimin e qelizave nervore, vetëm pas dy aplikimeve.

Studimi u drejtua nga Ashok Shetty dhe është publikuar në revistën shkencore “Journal of Extracellular Vesicles”.

Sipas autorëve, zbulimi mund të hapë rrugën, për zhvillimin e terapive të reja kundër sëmundjeve, që lidhen me rënien e funksioneve njohëse, si demenca dhe sëmundja e Alzheimerit.

Shkencëtarët shpjegojnë se me kalimin e moshës truri, shpesh zhvillon një inflamacion kronik të lehtë, i njohur si “neuroinflamacion”, i lidhur me plakjen, i cili mund të ndikojë negativisht në kujtesë, në të menduar dhe në aftësinë e trurit për t’u përshtatur me situata të reja.

“Plakja e trurit mund të jetë e kthyeshme, duke i ndihmuar njerëzit të ruajnë qartësinë mendore, të mbeten aktivë shoqërisht dhe të shmangin rënien e aftësive njohëse, të lidhur me moshën”, tha Ashok Shetty, autori kryesor i studimit.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme dhe testime te njerëzit, përpara se kjo terapi të mund të përdoret në praktikën mjekësore. //a.i/

 

The post Shpresë e re kundër rënies së kujtesës: Spraji nazal jep rezultate premtuese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 8 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

PACE: Kemi vërejtur ndërhyrje nga Serbia dhe dezinformim gjatë zgjedhjeve

PRISHTINË, 8 qershor /ATSH/ Kryesuesi i delegacionit vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), Iulian Bulai, ka prezantuar gjetjet paraprake pas vëzhgimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit në Kosovë, të mbajtura për herë të tretë brenda më pak se 16 muajve.

Delegacioni prej shtatë anëtarësh i PACE-s, i cili ishte i vetmi mision ndërkombëtar që vëzhgoi ditën e zgjedhjeve, vlerësoi se procesi zgjedhor u zhvillua në mënyrë të rregullt dhe pa incidente madhore, ndonëse u karakterizua nga lodhja dhe zhgënjimi i votuesve.

Ai tha se megjithëse procesi i votimit ishte i qetë dhe profesional, rënia e pjesëmarrjes së votuesve duhet të merret seriozisht.

PACE ngriti shqetësime edhe për votimin nga diaspora, përdorimin e burimeve shtetërore gjatë fushatës dhe dezinformimin në internet.

Ai foli edhe për ndërhyrje të jashtme dhe nevojën për dialog politik pas zgjedhjeve.

Në përmbyllje, Bulai përgëzoi qytetarët e Kosovës për përkushtimin ndaj demokracisë dhe u bëri thirrje liderëve politikë të ndërmarrin hapa konkretë për tejkalimin e bllokadave institucionale.

“Ne u bëjmë thirrje politikanëve tuaj që ta marrin seriozisht besimin që u është dhënë nga qytetarët e Kosovës dhe të fillojnë një dialog të vërtetë e të sinqertë, të orientuar drejt zgjidhjeve konkrete, me qëllim që të shmanget lodhja dhe zhgënjimi me të cilin qytetarët e Kosovës po përballen aktualisht”, përfundoi Bulai. /KosovaPress/

The post PACE: Kemi vërejtur ndërhyrje nga Serbia dhe dezinformim gjatë zgjedhjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 7 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – FAO: Furnizimi global me mish është katërfishuar gjatë gjashtë dekadave të fundit

ROMË, 7 qershor /ATSH-AA/ – Një studim i ri nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) zbuloi të premten se furnizimi global i mishit është katërfishuar gjatë gjashtë dekadave të fundi.

“Furnizimi global i ushqimit me burim kafshësh tokësore (TASF), i nxitur kryesisht nga vezët, shpendët dhe mishi i derrit, ka pësuar një rritje të konsiderueshme gjatë gjashtë dekadave të fundit”, tha FAO në raportin e saj.

Studimi zbuloi se zgjerimi i TASF e ka bërë blegtorinë “komponentin me rritjen më të shpejtë të sektorit bujqësor”.

FAO vuri në dukje se studimi ekzaminoi ofertën dhe kërkesën globale për TASF, e cila përfshin produkte që rrjedhin nga gjitarët, zogjtë dhe insektet.

“Ai zbulon se oferta globale e TASF është rritur me shpejtësi midis viteve 1961 dhe 2022. Mishi i shpendëve tregoi rritjen më të theksuar, afërsisht pesëfishuar, pasuar nga vezët dhe mishi i derrit, që të dyja gati u dyfishuan, ndërsa mishi i gjedhit mbeti i qëndrueshëm ose ra në shumë rajone,” tha raporti.

Raporti zbuloi se prodhimi global i TASF arriti në 361 milionë tonë mish në 2022, nga rreth 71 milion tonë në 1961.

Ndërkohë, prodhimi i qumështit u rrit në 930 milionë tonë nga rreth 342 milionë tonë, ndërsa prodhimi i vezëve u rrit në 94 milionë tonë nga rreth 15 milionë tonë.

“Azia është tani prodhuesi më i madh i ushqimeve me origjinë shtazore tokësore, e ndjekur nga Evropa. Megjithatë, tendencat e prodhimit nuk përkthehen gjithmonë në disponueshmëri,” tha FAO.

Sipas raportit, oferta për frymë është më e larta në Amerikën e Veriut, ndërsa Azia ka disponueshmëri relativisht të ulët për person.

“Humbja e ushqimit dhe mbetjet i përkeqësojnë më tej këto pabarazi dhe paraqesin një sfidë në rritje të qëndrueshmërisë. Vlerësohet se një e treta e të gjithë ushqimit të prodhuar globalisht humbet ose shpërdorohet, duke përfshirë afërsisht 14 për qind të TASF,” shtoi raporti.  /os/

The post FOKUS – FAO: Furnizimi global me mish është katërfishuar gjatë gjashtë dekadave të fundit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Flamingot duke “ikur”, Rama: Duhet t’i marrësh njerëzit për idiotë që të sajosh të tilla budallallëqe me IA

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama përcolli sot në rrjetet sociale pamje të krijuara nga Inteligjenca Artificiale, pjesë e satirës së rrjetit në lidhje me protestat kundër investimit të pritshëm në Zvërnec.

Në pamje duken turma flamingosh duke “ikur” drejt Maqedonisë së Veriut filmuar nga avioni, por që sqarohet se janë krijuar me IA për të treguar se sa lehtë mund të manipulohet opinioni publik.

“Tani o duhet të jesh i marrë o duhet t’i marrësh njerëzit për idiotë, që të sajosh të tilla budallallëqe me Inteligjencë Artificiale dhe t’ua tregosh njerëzve për të vërteta të kobshme, se jo për gjë, po me këto pamje i bie që flamingot po ikin nga sytë këmbët prej zhurmës suaj anti-ekologjike jo prej projektit, se projekt s’ka akoma dhe s’ka arritur akoma teknologjia t’i bëjë zogjtë të ndjeshëm deri edhe ndaj projekteve që s’kanë ndodhur”, shkruan Rama sipër pamjeve.

The post Flamingot duke “ikur”, Rama: Duhet t’i marrësh njerëzit për idiotë që të sajosh të tilla budallallëqe me IA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 5 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ekstradohen nga EBA gjashtë persona në kërkim ndërkombëtar, të akuzuar për narkotikë, pastrim parash dhe mashtrim kompjuterik

TIRANË, 5 qershor /ATSH/ Policia e Shtetit ka finalizuar sot ekstradimin nga Emiratet e Bashkuara Arabe të gjashtë shtetasve shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për përfshirje në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, krimeve kompjuterike dhe pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale.

Sipas njoftimit zyrtar, operacioni u realizua në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe autoriteteve ligjzbatuese të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Të ekstraduarit janë: K. Q., alias J. H., alias J. Q., 44 vjeç;  Sh. K., 44 vjeç; A. P., alias Sh. P., 38 vjeç; D. P., alias E. S., alias D. B., alias F. P., 39 vjeç.

Sipas Policisë, këta shtetas akuzohen për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe/ose pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Gjithashtu u ekstradua edhe shtetasi I. L., alias I. S., 30 vjeç, i akuzuar për pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Ndërkohë, u ekstradua edhe shtetasi M. C., 34 vjeç, i akuzuar për mashtrim kompjuterik, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Policia e Shtetit thekson se mbetet e angazhuar maksimalisht në bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e personave në kërkim ndërkombëtar, me qëllim përballjen e tyre me drejtësinë.

/gj.m/r.e/

The post Ekstradohen nga EBA gjashtë persona në kërkim ndërkombëtar, të akuzuar për narkotikë, pastrim parash dhe mashtrim kompjuterik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 4 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Lamallari: Europa na konsideron pjesë të zgjidhjes për problemin e migracionit, jo të problemit

TIRANË, 4 qershor /ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi sot një interpelancë me deputetin e Partisë Demokratike, Klevis Balliu, në lidhje me menaxhimin e flukseve migratore në vend.

Në fjalën e tij ministri hodhi poshtë pretendimet se Shqipëria po bëhet “kamp tranziti” për emigracionin ilegal, duke theksuar se vendi ka plan kontingjence, kapacitete pritëse, procedura azili dhe bashkëpunim të ngushtë me agjencitë europiane.

“Shqipëria kamp tranziti për emigracionin ilegal? Përgjigjja për këtë pyetje që ju shtroni, është e qartë dhe e prerë. Jo! Shqipëria ka një plan kombëtar kontingjence të hartuar sipas metodologjisë së Bashkimit Europian, ka kapacitete pritëse të planifikuara, mekanizma identifikimi biometrik, procedura azili dhe struktura operacionale të gatshme për përballimin e flukseve të mundshme”, tha ai.

Sipas tij, vetë Bashkimi Europian ka vlerësuar pozitivisht Strategjinë Kombëtare për Migracionin 2024–2030, Planin e Kontingjencës dhe bashkëpunimin e Shqipërisë në fushën e kthimit dhe ripranimit.

“Prandaj, alarmet për humbje kontrolli apo për kthimin e Shqipërisë në një hapësirë të pakontrolluar migratore nuk mbështeten në fakte”, tha ai.

Ministri shtoi se ata që përpiqen të ndërtojnë narrativa frike apo të paraqesin vendin tonë si një hallkë të dobët të sigurisë europiane, injorojnë faktet me dashje dhe rezultatet konkrete të institucioneve shqiptare.

“Sot kufijtë e Shqipërisë monitorohen dhe mbrohen sipas standardeve më të avancuara europiane, në bashkëpunim të përditshëm me FRONTEX, Europol dhe partnerët tanë strategjikë. Migrantët e parregullt që evidentohen në territorin shqiptar identifikohen, regjistrohen, verifikohen dhe trajtohen sipas ligjit dhe standardeve ndërkombëtare”, tha ministri.

Lamallari shtoi se “Shqipëria nuk është një hapësirë ku krimi organizon korridore të lira kalimi; përkundrazi, është një shtet që po i mbyll këto korridore dita-ditës dhe po dëshmon se është një partner i besueshëm dhe serioz në mbrojtjen e kufijve të Europës. Evropa na konsideron pjesë të zgjidhjes, jo të problemit”.

Sipas tij, partnerët europianë e konsiderojnë Shqipërinë si një vend që po ecën me vendosmëri drejt Bashkimit Europian.

“Shqipëria mbron kufijtë e vet dhe kontribuon aktivisht për kufijtë e Evropës. Territori i Republikës së Shqipërisë nuk është dhe nuk do të lejohet të bëhet strehë për organizatat kriminale ndërkombëtare që merren me trafikimin e qenieve njerëzore.

“Ne do të vazhdojmë të investojmë në sigurinë kufitare, të forcojmë bashkëpunimin me partnerët tanë europianë dhe të godasim pa kompromis çdo rrjet kriminal që cenon sigurinë e qytetarëve dhe reputacionin e vendit. Shqipëria sot është më e përgatitur, më e pajisur dhe më e koordinuar se kurrë më parë për të përballuar sfidat e migracionit të parregullt dhe krimit ndërkufitar”, tha ai.

Ministri theksoi se sot Shqipëria nuk është më thjesht një vend që përfiton nga siguria kolektive e aleatëve të saj, por një vend që kontribuon realisht në sigurinë e Europës dhe të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

“Përmes angazhimit në NATO, bashkëpunimit të ngushtë me agjencitë europiane të sigurisë, pjesëmarrjes në operacione të përbashkëta kundër migracionit të paligjshëm, krimit të organizuar dhe trafikimit të qenieve njerëzore, vendi ynë po dëshmon se është një partner i besueshëm dhe një faktor stabiliteti në rajon.  Kjo është Shqipëria që po ndërtojmë; një shtet që mbron kufijtë e vet, por që njëkohësisht kontribuon në mbrojtjen e kufijve të Europës; një vend që po afron standardet, institucionet dhe kapacitetet e tij me ato të Bashkimit Europian, me objektivin e qartë për t’u bërë anëtar me të drejta të plota brenda vitit 2030”, u shpreh Lamallari.

Ai e përmbylli interpelancën duke nënvizuar se siguria, sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit të organizuar nuk janë vetëm detyrime të procesit të integrimit, por prova konkrete se vendi ynë është gati të marrë përgjegjësi gjithnjë e më të mëdha në familjen euroatlantike.

/m.q/j.p/

The post Lamallari: Europa na konsideron pjesë të zgjidhjes për problemin e migracionit, jo të problemit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Amos Gitai, mbështetës e optimist për reformën e re të kinemasë shqiptare

TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Në Kinema Millennium u shfaq filmi “Free Zone”, në praninë e vetë autorit, regjisorit me famë botërore Amos Gitai.

Amos Gitai është një regjisor, skenarist dhe producent izraelit, i njohur ndërkombëtarisht për filmat e tij që trajtojnë tema si konflikti izraelito-palestinez, lufta, identiteti, emigracioni dhe kujtesa historike.

Gitai u prit nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja si dhe prej drejtorit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji.

Ministri Gonxhja e cilësoi regjisorin “si një ndër artistët më të rëndësishëm izraelitë, krijimtaria e Gitai-t i kalon kufijtë e ekranit, duke u kthyer në një urë frymëzimi për dialogun dhe humanizmin në Lindjen e Mesme”.

Kreu i MTKS-së tha se, gjatë këtij takimi u diskutua për të ardhmen dhe hapat e rëndësishëm që po ndërmerren.

“Eksploruam mundësi konkrete për projekte të përbashkëta që kanë potencialin ta vendosin Shqipërinë në qendër të hartës së kinemasë botërore”, tha Gonxhja.

Gjithashtu, biseda u fokusua te projektligji i ri i Kinemasë dhe Audiovizualit, një draft i cilësuar nga ministri si, jetik për ta kthyer filmin shqiptar në një zë të fortë e të pavarur ndërkombëtar, si dhe për të hapur dyert e bashkëprodhimeve të rëndësishme.

/j.p/

The post Amos Gitai, mbështetës e optimist për reformën e re të kinemasë shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 28 May 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

“Gold Award” për vajin e ullirit “Musai”, Rama: Vlerësim për cilësinë e jashtëzakonshme të prodhimit shqiptar

TIRANË, 28 maj/ATSH/ Produktet shqiptare vazhdojnë të kërkohen gjithnjë e më shumë në tregjet botërore, ku vlerësohen për cilësinë dhe vlerat organike.

Një tjetër vlerësim ka ardhur së fundi për vajin shqiptar të ullirit, “Musai” në Vlorë, i cili është vlerësuar nga revista “Olive Oil Times” në SHBA.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale këtë vlerësim prestigjioz, që nxjerr në pah potencialin e varieteteve tona autoktone.

Po ashtu, Rama theksoi se ky vlerësim dëshmon cilësinë e jashtëzakonshme të prodhimit shqiptar.

“Një tjetër Gold Award për vajin shqiptar të ullirit, “Musai” në Vlorë. Vlerësim prestigjioz nga ‘Olive Oil Times’ në SHBA, për një nga konkurset më të rëndësishme në botë për cilësinë e vajit të ullirit, që nxjerr në pah cilësinë e jashtëzakonshme të prodhimit shqiptar dhe potencialin e varieteteve tona autoktone”, u shpreh Rama.

1 nga 2
Screenshot

/m.m/a.f/

The post “Gold Award” për vajin e ullirit “Musai”, Rama: Vlerësim për cilësinë e jashtëzakonshme të prodhimit shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 18 May 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

SHBA – Elon Musk humbet padinë kundër OpenAI

KALIFORNI (SHBA), 18 maj /ATSH/ – Manjati i teknologjisë, Elon Musk humbi padinë e tij kundër lidershipit të OpenAI, me një juri që arriti në përfundimin se ”ajo ishte ngritur pasi kishte skaduar afati i parashkrimit”.

Elon Musk akuzoi kompaninë OpenAI për përvetësim të donacioneve të tij dhe mosrespektim të premtimeve të saj filantropike për të ndërtuar një gjigant komercial të inteligjencës artificiale.

Pas më pak se dy orësh diskutimi, një juri vendosi që krijuesit e ChatGPT dhe CEO i tyre i shquar, Sam Altman, kishin demonstruar se statuti i kufizimeve kishte skaduar për kërkesën e njeriut më të pasur në botë.

Gjyqtarja federale, Yvonne Gonzalez Rogers, e cila kishte rezervuar vendimin përfundimtar, pranoi menjëherë mendimin e jurisë dhe mbështeti vendimin e saj./ a.jor.

The post SHBA – Elon Musk humbet padinë kundër OpenAI appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 15 May 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

SHBA – Trump: Xi e cilësoi “të vështirë” lirimin e manjatit të medias, Jimmy Lai

UASHINGTON, 15 maj /ATSH-DPA/- Presidenti amerikan, Donald Trump diskutoi rastin e aktivistit të burgosur pro-demokracisë në Hong Kong, Jimmy Lai, gjatë bisedimeve me presidentin kinez Xi Jinping, në Pekin – por ka marrë përgjigjen se lirimi i tij është një çështje e vështirë.

Familja dhe mbështetësit e 78-vjeçarit, një shtetas britanik, kishin shpresuar se presidenti amerikan, Trump mund të ndihmonte në sigurimin e lirimit të tij.

Lai u dënua këtë vit me 20 vite burg, sipas një ligji të sigurisë, të vendosur nga Pekini.

Manjati i medias, një figurë me ndikim në lëvizjen pro-demokracisë në ish-territorin britanik, u arrestua në vitin 2020 pas protestave masive antiqeveritare.

Ekipi ligjor i Lai tha se ai ka probleme shëndetësore, duke shtuar frikën se mund të vdesë në burg.

Duke folur në bordin e avionit presidencial “Air Force One” ndërsa kthehej nga vizita dyditore në Kinë, Trump tha se Xi nuk ishte optimist për rastin e Lai.

“E ngrita si çështje, por është më e vështirë për të”, tha udhëheqësi amerikan.

“Xi tha se rasti i Jimmy Lai ishte i vështirë”, tha Trump.

Vajza e Lai, Claire, tha se ishte mirënjohëse ndaj Trump për angazhimin e tij për lirimin e të atit.

“Ai e ka fituar reputacionin e tij si dikush që çliron të burgosurit e padrejtë dhe jam e bindur se ai dhe administrata e tij do të jenë ata që do ta lirojnë babanë tim”, tha ajo më herët.

Ajo shtoi gjithashtu se kjo ishte një mundësi për Xi që të bënte gjënë e vetme të drejtë dhe të ndershme.

Rasti i Jimmy Lai ka shkaktuar shqetësim në shumë vende, sidomos në Britaninë e Madhe, pasi shumë njerëz mendojnë se ai po ndëshkohet për shkak se ka mbrojtur premtimet për demokraci që ishin dhënë kur Hong Kongu iu dorëzua Kinës në vitin 1997.

Polemikat u thelluan më tej pasi qeveria britanike dha miratimin për ambasadën e re gjigante të Kinës në Londër, pavarësisht shqetësimeve të vazhdueshme për sigurinë dhe paralajmërimeve nga shërbimi i inteligjencës së brendshme MI5 mbi kërcënimin që paraqet Pekini për sigurinë kombëtare të BM-së. //a.i/

The post SHBA – Trump: Xi e cilësoi “të vështirë” lirimin e manjatit të medias, Jimmy Lai appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 9 May 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Koçiu në hapjen e ekspozitës së ATSH-së: Informacioni i besueshëm, shtyllë e vlerave europiane dhe misioni i ATSH-së

TIRANË, 9 maj/ATSH/ Ekspozita e përbashkët fotografike dhe dokumentare “ATSH – Një rrugëtim në historinë e lajmit shqiptar”, e çelur në mjediset e Kalasë së Tiranës nga Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA), sjell një pasqyrë të plotë të historisë së informacionit në Shqipëri, duke dokumentuar transformimin e lajmit si mjet komunikimi publik, si instrument institucional dhe si pjesë e kujtesës kombëtare.

Ekspozita përshkon më shumë se një shekull zhvillimesh, nga sallat e para të transmetimit në vitet ’20, te radiostacionet dhe gazetaria tradicionale, deri te epoka digjitale dhe transformimi teknologjik i medias moderne.

Ajo vendos në qendër rolin e ATSH-së si institucioni bazë i prodhimit dhe shpërndarjes së lajmit, si dhe lidhjen e ngushtë të informacionit me zhvillimet politike, sociale dhe kulturore në vend.

Në ceremoninë e hapjes, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu vlerësoi ekspozitën si një nismë që ndërthur historinë me reflektimin mbi të ardhmen e informacionit, në një kohë kur dezinformimi dhe sfidat teknologjike po ndikojnë drejtpërdrejt hapësirën mediatike.

Koçiu u shpreh se ekspozita përkon simbolikisht me Ditën e Europës, duke theksuar se liria e medias, vërtetësia e informacionit dhe besueshmëria e burimeve zyrtare janë vlera themelore europiane.

“Liria e medias, vërtetësia e informacionit dhe komunikimi i saktë me qytetarët janë koncepte që na bashkëshoqërojnë dhe janë boshti i vlerave të shoqërisë që ne aspirojmë”, deklaroi ajo.

Ajo vlerësoi gjithashtu punën e ATSH-së dhe bashkëpunimin me DPA-në, duke theksuar se ekspozita krijon një hapësirë reflektimi mbi të shkuarën dhe zhvillimin e shoqërisë shqiptare.

Koçiu nënvizoi se Shqipëria përballet sot me sfida të mëdha të informacionit, ku sipas Eurobarometrit, 73% e qytetarëve e perceptojnë dezinformimin si rrezik të përditshëm, ndërsa 86% e konsiderojnë atë kërcënim për demokracinë.

“Në epokën e inteligjencës artificiale dhe teknologjisë së avancuar, verifikimi i informacionit bëhet gjithnjë e më i vështirë. Pikërisht për këtë arsye, institucionet zyrtare me kredibilitet janë thelbësore për të garantuar informacion të besueshëm dhe të saktë”, u shpreh zv.kryeministrja Koçiu.

Zëvendëskryeministrja theksoi gjithashtu se mbështetja e qeverisë për forcimin e ATSH-së nuk do të mungojë, me synim konsolidimin e saj si institucion referues i informacionit të vërtetë.

“Ekspozita të bën të ndihesh mirë dhe të mendosh që potenciali është aty, institucioni është aty, historiku është aty, sfidat janë gjithashtu prezente. Po ndërkohë nga ana tjetër, mbështetja nga ana e qeverisë nuk do të mungojë për t’a ngritur institucionin në një nivel më të lartë. Unë besoj që është nga institucionet bazë dhe më të forta për të konsoliduar vërtetësinë e informacionit”, u shpreh zv.kryeministrja Albana Koçiu.

/r.e/

The post Koçiu në hapjen e ekspozitës së ATSH-së: Informacioni i besueshëm, shtyllë e vlerave europiane dhe misioni i ATSH-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 29 April 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Peleshi: Shoqata Kulturore Shqiptare në Irlandë, urë lidhëse për komunitetin

TIRANË, 29 prill /ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi një takim në Shoqatën Kulturore Shqiptare në Irlandë (ACAI), të cilën e cilësoi si “një urë e fortë lidhëse për komunitetin shqiptar në Dublin dhe më gjerë”.

Peleshi theksoi se ACAI kontribuon në ruajtjen dhe promovimin e vlerave tona kombëtare, duke fuqizuar bashkëjetesën ndërkulturore, zhvillimin profesional dhe mbështetjen sociale për bashkatdhetarët tanë në Irlandë.

“Një takim i vlefshëm për të dëgjuar nga afër zërin e komunitetit, për të forcuar bashkëpunimin me Diasporën dhe për të përmirësuar komunikimin, shërbimet konsullore dhe mbështetjen ndaj shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Irlandë”, tha ai.

/m.q/j.p/

The post Peleshi: Shoqata Kulturore Shqiptare në Irlandë, urë lidhëse për komunitetin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 1 April 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Festivali i Shkencës, 25 grupe gjimnazistësh në finalen e madhe

TIRANË, 1 prill /ATSH/ Festivali Kombëtar i Shkencës që po zhvillohet në gjimnazet e vendit, është një nismë ku nxënësit prezantojnë projekte kërkimore, eksperimente, prototipe inxhinierike dhe zgjidhje digjitale.

Kryeministri Edi Rama, në një postim sot në rrjetet sociale, ndau momente nga atmosfera e përgatitjes së këtij festivali, ku pohoi se “faza gjysmëfinale në 5 rajone të Shqipërisë solli projekte mbresëlënëse nga nxënësit”.

Rama tha se projektet e gjimnazistëve vijnë nga fusha si inteligjenca artificiale, robotika dhe inxhinieria duke zbuluar një potencial të pashtershëm dhe një pasion të vërtetë për shkencën në këtë edicion të parë.

Kryeministri Rama nënvizoi se tashmë 25 grupe gjimnazistësh bëhen gati për finalen e madhe të 25 prillit në Tiranë.

Ky festival, i mbështetur nga Ministria e Arsimit, ka për qëllim që shkollat e mesme të shndërrohen në qendra të krijimtarisë dhe inovacionit, duke ofruar mundësi për nxënësit të demonstrojnë aftësitë e tyre përmes projekteve praktike dhe hulumtimeve të pavarura.

Festivali Kombëtar i Shkencës synon të rrisë interesin e të rinjve për shkencën dhe teknologjinë, si dhe të forcojë lidhjet ndërmjet arsimit parauniversitar, universiteteve dhe sektorit privat.

Pjesëmarrësit kanë mundësinë të ndajnë idetë dhe produktet shkencore, duke treguar aftësinë e tyre për të zbatuar njohuritë në mënyrë krijuese dhe bashkëpunuese.

/e.i/r.e/a.f/

The post Festivali i Shkencës, 25 grupe gjimnazistësh në finalen e madhe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 30 March 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama për RAI-n: Përshpejtim i fortë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE

30 March 2026 at 20:06

TIRANË, 30 mars /ATSH/ Rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian po hyn në një fazë të përshpejtuar.

Në një intervistë për RAI, kryeministri Edi Rama e konsideroi avancimin e procesit të integrimit si një rezultat të reformave të realizuara dhe përmbushjes së detyrimeve nga ana e Shqipërisë, por edhe i një momenti të ri politik në Europë për zgjerimin.

I pyetur lidhur me aspiratën e Shqipërisë për integrimin drejt BE, Rama u shpreh se “prej shumë kohësh ne kemi këtë ambicie që është një ëndërr e vjetër shqiptare, por duhet të them që në këtë periudhë ka pasur një përshpejtim të fortë, falë faktit që jo vetëm ne kemi bërë detyrat tona të shtëpisë, por edhe ata në Bruksel kanë qenë të bashkuar në synimin për të pranuar dhe për të shkuar përpara”.

Kryeministri Rama vlerësoi gjithashtu rolin e Italisë si mbështetësja kryesore e Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë strategjike të Korridorit VIII për lidhjen infrastrukturore dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.

“Italia nuk është një nga mbështetëset kryesore, por është mbështetësja kryesore e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së”, deklaroi ai.

Një nga projektet më të rëndësishme të përbashkëta siç theksohet në kronikën e Rai-t është Korridori VIII, një projekt strategjik që do të lidhë brigjet e Adriatikut me Detin e Zi, duke krijuar një aks të rëndësishëm transporti dhe sigurie për rajonin dhe më gjerë.

“Korridori VIII është një projekt strategjik shumë i rëndësishëm, që falë kësaj qeverie që është në Itali ka hyrë në një fazë të re”, tha Rama.

/gj.m/j.p/r.e/

The post Rama për RAI-n: Përshpejtim i fortë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 28 March 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

TEDA Tirana, memorandum për tërheqjen e investimeve nga Dubai

TIRANË, 28 mars/ATSH/ TEDA Tirana, pjesë e hapësirës “Digital Horizons”, ka firmosur një memorandum mirëkuptimi me Dhomën Europiane të Tregtisë në Dubai, duke hapur mundësi të reja për zhvillimin e sektorëve strategjikë dhe rritjen e investimeve të huaja direkte në Shqipëri.

Bashkëpunimi u konkretizua në kuadër të aktivitetit MatchMaker Albania, një platformë që nxit bashkëpunime ndërkombëtare dhe takime B2B mes bizneseve shqiptare dhe partnerëve globalë.

Ky proces ka nisur të japë rezultate konkrete, duke konkretizuar marrëveshje të rëndësishme për ekonominë e vendit.

Në këtë iniciativë rol kyç luan Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), e cila mbështet lidhjet ndërmjet bizneseve vendase dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke lehtësuar identifikimin e mundësive të reja dhe zhvillimin e ekosistemit të investimeve në TEDA Tirana.

Ky bashkëpunim synon të tërheqë biznese të huaja për t’u vendosur në TEDA Tirana, duke krijuar një mjedis të favorshëm për inovacion, teknologji dhe zhvillim ekonomik.

1 nga 4

/r.e/

The post TEDA Tirana, memorandum për tërheqjen e investimeve nga Dubai appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 15 March 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

KOMENT – Dubai përpiqet të përmirësojë imazhin si një qytet i sigurt, pavarësisht luftës

DUBAI (EBA), 15 mars /ATSH-AFP/ – Nga mobilizimi i ndikuesve për të mbështetur narrativën qeveritare deri te ndjekja penale e atyre që ndajnë imazhe të sulmeve ajrore, Dubai po punon për të ruajtur imazhin e tij si një strehë e sigurt në Lindjen e Mesme, pavarësisht sulmeve të përsëritura të Iranit gjatë dy javëve të fundit.

Për dekada të tëra, Gjiri është parë si një oaz sigurie mes trazirave të rajonit, me Emiratet e Bashkuara Arabe që mburren se janë ndër vendet më të sigurta.

Por, ky imazh u shkatërrua nga afërsisht 1 800 raketa dhe dronë, shumica e të cilëve u kapën, të lëshuara nga Irani në hakmarrje për ofensivën SHBA-Izrael të nisur më 28 shkurt.

Republika Islamike po synon aeroportet, bazat ushtarake, objektet energjetike dhe zonat e banimit në Gjirin, ku ndodhen bazat amerikane.

Në Dubai, tymi i zi u përzie me blunë e detit dhe kullat prej qelqi në horizont.

Dhe ndërsa fasada e hotelit luksoz ”Burj Al Arab” u dogj dhe aeroporti – një nga më të ngarkuarit në botë – dhe porti i Jebel Alit u goditën, autoritetet po dyfishojnë përpjekjet e tyre për të përmbajtur çdo pasojë të mundshme negative në reputacionin e emiratit.

Së pari, përmes muzikës, me këngën “Dubai është i sigurt dhe gjithmonë do të jetë”, e publikuar për 5,8 milionë ndjekësit e llogarisë së Dubait në Instagram.

Ose në imazhe, si ato të presidentit të Emirateve, Mohammed bin Zayed Al Nahyan duke shëtitur me shoqëruesit e tij imponues nëpër qendrën tregtare ”Dubai”.

Influencuesit me bazë në Dubai po tregojnë gjithashtu mbështetjen e tyre, siç është Ebraheem Alsamadi.

Ky yll kuvajtiano-amerikan i reality show-t televiziv “Dubai Bling” deklaroi në një video se do të qëndronte në Emirate “vendi më i sigurt në botë”.

“Kam jetuar këtu për 16 vjet dhe nuk do të largohem brenda 16 sekondash (…) Do t’i mbetem besnik këtij vendi, ashtu siç ka qenë besnik ndaj meje”, pohoi ai.

– Shezlongë bosh –

Siguria ka qenë prej kohësh një pjesë integrale e identitetit të qytetit.

“Ata që janë përgjegjës për këtë strategji aktualisht po shqyrtojnë se si ta përshtatin atë në dritën e kësaj pasigurie të dukshme, por për momentin, ata po i përmbahen zakoneve të tyre të vjetra”, thotë Ryan Bohl, një analist gjeopolitik në ”Rane Network”.

”Emiratet gjithashtu shpresojnë që lufta të jetë aq e shkurtër sa njerëzit të mos e shoqërojnë konfliktin me vendin”, thotë ai, “dhe një nga mënyrat më të mira për ta arritur këtë është të minimizohet ndikimi i konfliktit në vetë Emiratet”.

Rreth 90% e popullsisë janë të huaj, një fuqi punëtore thelbësore për nxitjen dhe diversifikimin e një ekonomie që mbështetet më shumë në turizëm, qendrën e saj ajrore dhe shërbimet sesa vetëm në naftë.

Por, në Jumeirah Beach Residence të famshme, zakonisht të mbushura gjatë këtij sezoni të pikut, rreshtat e shezlongëve mbetën bosh të premten, ashtu si edhe tarracat e restoranteve.

Zhvilluesi i pasurive të paluajtshme ”Emaar”, i cili menaxhon qendrat tregtare ikonike, ka ndaluar dyqanet të mbyllin ose të reduktojnë orarin e tyre të hapjes, masa të cilat, sipas një deklarate, “minojnë rendin publik, shkaktojnë ankth të panevojshëm dhe dëmtojnë reputacionin” e Emirateve.

– “Jo i besueshëm” –

Të mërkurën, firmat ndërkombëtare u bënë thirrje punonjësve të tyre të evakuojnë zyrat e tyre në distriktin financiar ndërkombëtar.

Irani kërcënoi të godiste “qendrat ekonomike dhe bankat” e lidhura me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.

Banorëve iu dërguan gjithashtu mesazhe me tekst, duke i paralajmëruar ata për veprime të mundshme ligjore për ndarjen e imazheve të ndjeshme ose shpërndarjen e “informacionit jo të besueshëm”.

Policia e Dubait paralajmëroi kundër “përhapjes së thashethemeve” dhe fotografimit të vendeve të ndjeshme.

Në Katar, autoritetet kanë arrestuar më shumë se 300 persona për publikimin e imazheve dhe “informacionit mashtrues, si dhe thashethemeve”.

Megjithatë, sipas Bohl, kjo strategji “do të ketë efekte të kundërta për disa audienca, veçanërisht perëndimorët dhe qytetarët e tjerë të demokracive të mësuara me lirinë e shprehjes”.

“Nëse investitorët e mëdhenj, veçanërisht në infrastrukturë, teknologji, pasuri të paluajtshme e tjerë, nuk besojnë më se investimet e tyre janë të sigurta, kjo do të ketë një ndikim shumë më të rëndësishëm”, thotë ai, dhe “kjo do të rrezikonte planet e diversifikimit të Emirateve të Bashkuara Arabe”./  a.jor.

The post KOMENT – Dubai përpiqet të përmirësojë imazhin si një qytet i sigurt, pavarësisht luftës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 12 March 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Shqipëria prezanton potencialin për investime strategjike në platformën globale “MIPIM 2026”

TIRANË, 12 mars /ATSH/ Shqipëria prezantoi potencialin e saj për zhvillimin e projekteve transformuese dhe investimeve strategjike në një nga platformat më të rëndësishme globale për pasuritë e paluajtshme dhe zhvillimin urban, “MIPIM 2026”, që zhvillohet në Cannes.

Drejtoresha e Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC), Elira Kokona, u shpreh se, përmes kësaj platforme ndërkombëtare Shqipëria po promovon mundësitë që ofron për zhvillimin e projekteve moderne në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe turizmit.

Sipas saj, pjesëmarrja në këtë event shërben për të nxitur dialogun me investitorë, zhvillues dhe partnerë ndërkombëtarë, duke prezantuar projektet dhe potencialin që vendi ofron për investime të reja.

Kokona theksoi se Shqipëria po shënon një hap cilësor drejt zbatimit të modeleve më të mira ndërkombëtare për zhvillimin e projekteve, të cilat përbëjnë një komponent të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.

Ajo shtoi se këto projekte pritet të kontribuojnë në rritjen e investimeve, përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

MIPIM është një nga eventet më të rëndësishme globale për sektorin e pasurive të paluajtshme dhe zhvillimit urban, që mbledh çdo vit mijëra profesionistë të industrisë nga e gjithë bota, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për prezantimin e projekteve dhe ndërtimin e bashkëpunimeve të reja ndërkombëtare.

/e.xh/a.f/

The post Shqipëria prezanton potencialin për investime strategjike në platformën globale “MIPIM 2026” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌