Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 29 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

SHBA – Trump: Duket se Hamasi do të çarmatoset

29 January 2026 at 22:56

UASHINGTON, 29 janar /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi sot se duket që lëvizja palestineze Hamas do të çarmatoset, një nga hapat kyç të parashikuar në planin e tij për zgjidhjen e konfliktit në Gaza.

”Shumë njerëz thonë se ata nuk do të çarmatosen kurrë. Duket se do të çarmatosen”, u shpreh Trump gjatë një mbledhjeje të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë.

Ai theksoi gjithashtu se Hamasi na ka ndihmuar me trupat, me riatdhesimin e tyre, dhe familja u është shumë mirënjohëse, duke iu referuar kthimit të eshtrave të pengut të fundit izraelit të 7 tetorit, Ran Gvili, për të cilin Izraeli zhvilloi  dje një ceremoni funerale shtetërore.

Nga ana e tij, i dërguari special amerikan Steve Witkoff u shpreh i kënaqur duke thënë se “ne i kemi dëbuar terroristët prej andej dhe ata do të çmilitarizohen”.

“Ata do ta bëjnë këtë sepse nuk kanë zgjidhje. Do të dorëzohen. Do të dorëzojnë armët AK-47”, shtoi ai.

Një ditë më parë, Hamasi ishte shprehur i gatshëm për një “transferim të plotë të qeverisjes” së Rripit të Gazës sa më shpejt që të ishte e mundur.

Sipas planit të presidentit amerikan për t’i dhënë fund luftës në Gaza, një Komitet Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG) do të administrojë përkohësisht territorin palestinez nën drejtimin e një Bordi Paqeje, i kryesuar nga vetë Trump./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post SHBA – Trump: Duket se Hamasi do të çarmatoset appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Merz: Mbrojtja bërthamore evropiane një shtesë e përbashkët nukleare me SHBA-në

29 January 2026 at 22:31

BERLIN, 29 janar /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz, deklaroi sot se përfshirja në një “ombrellë bërthamore evropiane” do të konsiderohej si një shtesë ndaj parandalimit të përbashkët bërthamor me SHBA-të, në një kohë kur po diskutohet për kapacitetet mbrojtëse të BE-së.

“E dimë që duhet të marrim disa vendime strategjike dhe ushtarake këtu”, tha lideri gjerman  gjatë një takimi me kryeministren lituaneze, Inga Ruginiene.

Megjithatë, sipas tij, “koha nuk ka ardhur ende” për një vendim përfundimtar.

“Po zhvillohen bisedime strategjike me vendet e përfshira, por ato janë ende në fillim”, shtoi Merz.

“Gjermania ka rënë dakord të mos ketë armë bërthamore sipas dy traktateve të detyrueshme, përfshirë Marrëveshjen ‘Dy plus katër’ që hapi rrugën për ribashkimin e Gjermanisë në vitin 1990 dhe Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore”, theksoi kancelari Merz.

“Në këtë kuptim, nuk është në diskrecionin tonë dhe nuk është brenda juridiksionit tonë të kemi armë bërthamore në Gjermani”, tha ai.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se “nuk flasim me shtetet e tjera evropiane për parandalimin e përbashkët bërthamor”, shtoi ai.

“Bisedimet nuk bien në kundërshtim me ndarjen bërthamore me SHBA-në”, tha Merz.

Gjermania nuk është fuqi bërthamore, ndryshe nga aleatët e NATO-s si Franca, BM dhe SHBA-ja, por kontribuon në parandalimin bërthamor të NATO-s duke ofruar avionë luftarakë që mund të pajisen me armë bërthamore amerikane të ruajtura në Gjermani në rast konflikti./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post BERLIN – Merz: Mbrojtja bërthamore evropiane një shtesë e përbashkët nukleare me SHBA-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KQZ diskutime për forcimin e mekanizmave të monitorimit të fushatave zgjedhore

29 January 2026 at 22:30

TIRANË, 29 janar/ATSh/ Kryekomisioneri i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, së bashku me organizatën “Qëndresa Qytetare” zhvilluan një seminar për përmirësimin e mekanizmave të monitorimit të fushatave zgjedhore dhe të hetimit administrativ.

Celibashi bën me dije se në këtë aktivitet morën pjesë anëtarë të organeve drejtuese të KQZ dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që veprojnë në fushën e zgjedhjeve.

Takimi u shfrytëzua si një platformë e strukturuar për diskutim dhe shkëmbim përvojash.

Sipas Celibashit, qëllimi kryesor i takimit ishte identifikimi i vështirësive të zbuluara në zgjedhjet e kaluara dhe prezantimi i propozimeve konkrete për forcimin e monitorimit të fushatave zgjedhore dhe të procesit të hetimit administrativ.

Gjatë punimeve u diskutuan tema të rëndësishme, si rekrutimi, trajnimi dhe certifikimi i monitoruesve të KQZ-së, metodologjia e monitorimit të fushatës zgjedhore, krijimi i një sistemi të aksesueshëm për gjurmueshmërinë e ankesave, rregullat e sjelljes gjatë periudhës zgjedhore dhe masat për parandalimin e keqpërdorimit të burimeve publike.

“Përmirësimi i këtyre mekanizmave synon ta bëjë monitorimin e procesit zgjedhor më efektiv, transparent dhe parandalues, duke kontribuar në rritjen e besueshmërisë dhe integritetit të zgjedhjeve. Të gjitha sugjerimet dhe rekomandimet e paraqitura nga “Qendresa Qytetare” dhe organizatat e tjera të shoqërisë civile do të merren parasysh nga KQZ gjatë rishikimeve të kuadrit ligjor për zgjedhjet e ardhshme”, tha Celibashi.


/e.i/r.e/a.f/

The post KQZ diskutime për forcimin e mekanizmave të monitorimit të fushatave zgjedhore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mazniku: Reforma territoriale duhet të bazohet te cilësia e shërbimeve për qytetarët

29 January 2026 at 22:14

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Bashkëkryetari i komisionit të posaçëm të Reformës Administrativo-Territoriale, Arbjan Manziku u shpreh sot se procesi i reformës territoriale duhet të bazohet te parimet dhe cilësia e shërbimeve ndaj qytetarëve, dhe jo te hartat apo numrat.

I ftuar në një studio televizive, Manziku theksoi se reforma nuk ka ende një plan konkret, por është në fazë procesi.

Sipas tij, është me rëndësi konsultimi me qytetarët, veçanërisht ata të Paskuqanit, për një bashkim të mundshëm me bashkinë e Tiranës.

Ai kujtoi se reforma e vitit 2014 ishte një ndryshim epokal, por ende ka nevojë për përmirësime të mëtejshme.

“Ka pasur një tjetër komisioni para 4-5 vjetësh. Unë jam një nga njerëzit që jam pyetur në komision dhe kam dhënë mendim, dhe unë thashë që Kamza, Paskuqani dhe Vora të jenë pjesë e bashkisë së Tiranës. Në këtë rast është e rëndësishme të krijojmë reforma të qenësishme. Nuk kemi një plan, ne kemi një proces. Nuk kam një projektide as për numrat dhe hartat, unë e kam për parimet dhe reformat”, shtoi ai.

Mazniku theksoi se “kjo është një çështje që duhen pyetur më mirë qytetarët e Paskuqanit, nëse duan të bashkohen me Tiranën apo jo”.

“Të mbështetemi te parimi se sa mundësi kemi që t’u ofrojmë shërbime qytetarëve, qoftë në Paskuqan e zona të tjera. Rëndësi ka shërbimi sa më afër qytetarit. Reforma e 2014-ës është një ndryshim epokal, por ka akoma nevojë për ndryshime”, tha Mazniku.

/a.f/r.e/

The post Mazniku: Reforma territoriale duhet të bazohet te cilësia e shërbimeve për qytetarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Substanca toksike tek qumështi për foshnja, AKU tërheq produktin nga tregu

29 January 2026 at 22:12

TIRANË, 29 janar/ATSh/ Qumështi për foshnja “APTAMIL 1 PRONUTRA” është duke u hequr nga tregu, pas vendimit të marrë nga Agjencia e Kontrollit të Ushqimit (AKU).

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit informon opinionin publik se gjatë kontrolleve zyrtare të kryera në Gjermani, është konstatuar prani e substancës cereulide, një toksinë e prodhuar nga bakteri Bacillus cereus në qumështin formulë për foshnjat. Të dhënat e produktit:

AKU njofton se emri i produktit është APTAMIL 1 PRONUTRA 800G ADVANCED dhe data e skadencës është 10/11/2026.

Sipas njoftimit të AKU-së, trupat inspektuese në terren janë angazhuar në verifikimin dhe tërheqjen e menjëhershme të produktit nga tregu.

AKU i bën thirrje konsumatorëve nëse e kanë blerë këtë produkt dhe e kanë gjendje, ta kthejnë atë në pikat e shitjes.

/e.i/r.e/a.f/

The post Substanca toksike tek qumështi për foshnja, AKU tërheq produktin nga tregu appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS  – Kina: Hetimi ndaj gjeneralëve të lartë, sukses i rëndësishëm kundër korrupsionit

29 January 2026 at 22:10

PEKIN, 29 janar /ATSH-DPA/ –  Kina i ka përshkruar hetimet ndaj gjeneralëve të lartë Zhang Youxia dhe Liu Zhenli si një sukses të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit.

“Sa më vendosmërisht po vepron ushtria kundër korrupsionit, aq më e fortë dhe efektive do të bëhet lufta kundër korrupsionit”, shpjegoi sot në Pekin zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Jiang Bin.

Fundjavën e kaluar, ministria njoftoi hetime ndaj Zhang dhe Liu për “shkelje serioze të disiplinës dhe ligjit”.

Të dy janë anëtarë të fuqishëm të Komisionit Qendror Ushtarak, i cili udhëhiqet nga presidenti Xi Jinping.

Për shkak të hetimeve të mëparshme ndaj personelit tjetër ushtarak, komisioni, që komandon Ushtrinë Çlirimtare Popullore, mund të përbëhet së shpejti vetëm nga dy nga shtatë anëtarët e tij.

Hetimi ndaj Zhang, zëvendëskryetar i komisionit, erdhi si surprizë.

Zhang, 75-vjeç,  ishte një nga pak anëtarët e udhëheqjes së ushtrisë me përvojë luftarake, pasi kishte luftuar në konfliktin kufitar me Vietnamin që filloi në vitin 1979.

Zhang konsiderohej gjithashtu një besnik i presidenit Xi.

Ministria e Mbrojtjes refuzoi të komentonte një raport të “Wall Street Journal” që sugjeronte se Zhang mund të kishte zbuluar sekretet e programit bërthamor të Kinës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post FOKUS  – Kina: Hetimi ndaj gjeneralëve të lartë, sukses i rëndësishëm kundër korrupsionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Franca ndryshon Kodin Civil: miraton projektligjin që heq “detyrimin bashkëshortor”

29 January 2026 at 21:55

PARIS, 29 janar 2026 /ATSH/ – Asambleja Kombëtare e Francës ka miratuar me shumicë votash një projektligj që eliminon konceptin e njohur si “detyrim martesor”, pas kritikave se ai përdorej për të anashkaluar pëlqimin seksual brenda martesës, sipas Euronews.

Ky ligj ndërpartiak, i mbështetur nga mbi 120 deputetë, vendos parimin themelor që pëlqimi mbetet i domosdoshëm për çdo akt seksual, përfshirë edhe në martesë.

Nisma u drejtuar nga deputetja Marie-Charlotte Garin dhe presidenti i grupit ”Horizons”, Paul Christophe, synon të heqë përgjithmonë idenë se bashkëshortët janë të detyruar të kenë marrëdhënie seksuale të rregullta.

Ndërsa ky koncept nuk përmendet në Kodin Civil, ai ka mbetur në disa vendime gjyqësore dhe perceptime shoqërore.

Ligji i ri specifikon në nenin 215 të Kodit Civil që “bashkimi i jetës nuk krijon asnjë detyrim për bashkëshortët për të pasur marrëdhënie seksuale.”

Sipas deputetes Garin, qëllimi është të “vijohet me interpretime që e shohin bashkimin e jetës si ‘bashkim në shtrat’ dhe kështu të eliminohet koncepti i detyrës martesore që vazhdon të ekzistojë në ligj dhe shoqëri”.

Ekspertët dhe aktivistët për të drejtat e grave e kanë përshëndetur këtë hap, duke theksuar se është e rëndësishme që seksualiteti të mos shihet si detyrim.

Ligji vjen në një kohë kur dhuna seksuale brenda çiftit mbetet kryesisht e paraportuar.

Sipas një sondazhi IFOP nga 11 shtator 2025, 57% e grave thanë se kishin pasur marrëdhënie martesore pa dëshirë, krahasuar me 39% të burrave.

Projektligji tashmë kaloi në Asamblenë Kombëtare dhe tani do të shqyrtohet nga Senati përmes një procedure të përshpejtuar.

Nëse miratohet, mund të hyjë në fuqi brenda disa muajsh./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Franca ndryshon Kodin Civil: miraton projektligjin që heq “detyrimin bashkëshortor” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kontingjenti i ri bullgar niset për në Kosovë në kuadër të KFOR-it

29 January 2026 at 21:06

PRISHTINË, 29 janar /ATSh/ Me një ceremoni solemne të enjten në Pleven, një kontingjent i ri bullgar u dërgua në Komandën Rajonale të KFOR-it-Perëndim (RC-Ë).

Në ceremoni morën pjesë zëvendësministri i Mbrojtjes Radoslav Iliev, zëvendësshefi i Mbrojtjes gjenerallejtënant Krasimir Kanev, komandanti i Forcave Tokësore gjeneralmajor Deyan Deshkov, zëvendëskomandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta, kundëradmirali Galin Manev dhe përfaqësues të autoriteteve lokale dhe shtetërore.

Në fillim të ceremonisë, Kanev shqyrtoi trupat. Një bekim për shëndet dhe sukses në mision u krye nga Ati Krasimir Krastev nga Kisha e Trinisë së Shenjtë në Pleven. “Shërbimi i paqes është shërbim i Zotit”, tha prifti. “Është një nder dhe privilegj i madh për mua të jem me ju në këtë moment solemn. Pjesëmarrja në operacionin e NATO-s në Kosovë është një detyrë shumë e përgjegjshme me rëndësi për sigurinë dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Misioni juaj është të siguroni, garantoni dhe demonstroni aftësitë e Aleancës për të ruajtur sigurinë dhe rendin në rajon. Ju do t’i kryeni detyrat tuaja në një format aleat. Rëndësia e misionit tuaj theksohet gjithashtu nga realitetet e reja, kompleksiteti, dinamika dhe mjedisi i vështirë i sigurisë në të cilin jetojmë sot”, tha Iliev në përshëndetjen e tij drejtuar personelit ushtarak.

“Në kontekstin e ndryshimeve gjithnjë e më dinamike në peizazhin politik dhe ekonomik global, me konfliktet ekzistuese që po dëshmohen të vështira për t’u zgjidhur dhe faktorin ushtarak që po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm në skenën ndërkombëtare, përvoja që fitoni në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit do të bëhet gjithnjë e më e vlefshme”, tha Kanev në përshëndetjen e tij drejtuar pjesëmarrësve në kontingjentin ushtarak. Ai shtoi se përvoja e fituar në misione të tilla është e rëndësishme jo vetëm për detyrat që personeli ushtarak do të ketë në Kosovë, por edhe për karrierën e tyre të ardhshme profesionale.

Ceremonia përfundoi me një marshim solemn të kontingjentit ushtarak përmes Sheshit Vazrazhdane, shkruan BTA.

Formacioni, me komandant Kapiten Georgi Valkanov, përbëhet nga 97 personel ushtarak. Ai do të vendoset në Kampin Villaggio Italia, i vendosur pranë Pejës në pjesën perëndimore të Kosovës.

Për gjashtë muaj, personeli ushtarak bullgar do të kryejë detyrat e tij në pozicione brenda elementit të mbështetjes kombëtare, si personel ushtarak në selinë e Komandës Rajonale të KFOR-it-Perëndim (RC-W) dhe si një kompani manovrimi me një seksion logjistik dhe një njësi mjekësore brenda batalionit shumëkombësh të RC-W të misionit ndërkombëtar paqeruajtës të udhëhequr nga NATO në Kosovë.

/KosovaPress/

The post Kontingjenti i ri bullgar niset për në Kosovë në kuadër të KFOR-it appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Spaces in Dialogue”, 22 vite projekte arkitekturore në një ekspozitë

29 January 2026 at 20:54

TIRANË, 29 janar /ATSh/ Në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) është çelur ekspozita “Spaces in Dialogue”, një ekspozitë që sjell në vëmendje hapësirat, arkitekturën, kujtesën dhe përjetimin njerëzor.

Në çeljen e ekspozitës, i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se “Spaces in Dialogue” është një udhëtim në 22 vite projekte (2003–2025), të sjella si një arkiv i përbashkët.

Rama tha se “projektet konkurruese dhe fituese janë të integruara në skulpturën e sallës, ndërsa botimet origjinale mund të shihen në hapësirën tjetër”.

Sipas Ramës, ekspozita frymëzohet nga vepra e artistit konceptual gjerman Thomas Demand, që eksploron kujtesën kolektive përmes hapësirave dhe momenteve të rikrijuara.

Ekspozita “Spaces in Dialogue”, përcjellë te vizitorët një arkiv që nuk qëndron i heshtur, por ndërtohet, diskutohet dhe riformësohet.

Nëpërmjet tullave, mermerëve dhe dokumenteve arkitekturore, COD sjell në këtë ekspozitë 22 vite konkurse arkitekturore që kanë lindur nga dialogu dhe përgjegjësia kolektive.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 11 shkurt.

/e.i/r.e/a.f/

The post “Spaces in Dialogue”, 22 vite projekte arkitekturore në një ekspozitë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reforma territoriale, Mazniku: Do ta mbyllim në korrik, opozitën e presim deri të hënën

29 January 2026 at 20:48

TIRANË, 29 janar/ATSH-Maela Marini/ Bashkëkryetari i komisionit të posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbian Mazniku deklaroi sot se muaji korrik është afati i fundit për miratimin e reformës territoriale, ndaj nëse opozita nuk do të vijë në komision deri në 2 shkurt, do të ndryshohet formula e komisionit.

Gjatë një interviste në për “Abcnews”, Mazniku u shpreh se mazhoranca ka qenë në mënyrë sistemike jo vetëm e gatshme, por edhe me një plan shumë të ngjeshur pune drejt krijimit të reformës.

Për shkak të mungesës së opozitës në komision, Mazniku u shpreh se janë humbur dy muaj shumë të rëndësishëm.

Sipas tij në vitin 2027 janë zgjedhjet e ardhshme vendore dhe reforma territoriale, sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias duhet të mbyllet një vit para zgjedhjeve.

Mazniku sqaroi se kjo bëhet për t’i lënë kohë forcave politike dhe publikut për t’u mësuar me ndarjen e re territoriale.

Manziku theksoi se korriku i këtij viti është afati i fundit për të mbyllur reformën territoriale, në mënyrë që t’i jepet kohë njerëzve dhe bashkive të bëhen gati për sistemin e ri.

“Aktualisht kemi dy muaj vonesë. Ndërkohë duhet kuptuar se reforma territoriale lidhet me bashkitë dhe është jetike për të përfituar fonde nga BE për t’u fuqizuar dhe arritur nivelet e BE-së”, u shpreh Mazniku.

Edhe pse PS ka numrin e nevojshëm të votave në Kuvend për ta miratuar reformën, Mazniku theksoi se do të ishte ideale që kjo të bëhej me konsensus tërësor politik, pra me dakordësi totale prej 40 votash.

“Duhet të kemi mekanizmin e mirë për t’i ofruar shërbime njerëzve. Ne ramë dakord për barazi në komision dhe për bashkëkryesim me opozitën. Por opozita nuk ka ardhur në mbledhje dhe ne kemi humbur 2 muaj shumë të rëndësishëm me agjendë të ngjeshur pune”, tha Mazniku.

Në rast se opozita nuk do të paraqitet në komision ditën e hënë (2 shkurt), Mazniku theksoi se PS ka firmosur kërkesën për Kuvendin që të bëhet ndryshimi i formulës së përfaqësimit (9 me 8).

“Njëlloj si në komisionet e tjera parlamentare bashkëkryesia do të kalojë në pozicionin e nënkryetarit dhe do të futemi në proces pune. Opozita do të ketë vendin e saj në komision. Numri i tyre nuk preket, vendet e tyre nuk preken. Janë të mirëpritur të jenë pjesë e dëgjesave që do të zhvillohen në terren por procesi nuk ndalet, sepse ne jemi bllokuar pa filluar akoma”, tha Mazniku.

/a.f/r.e/

The post Reforma territoriale, Mazniku: Do ta mbyllim në korrik, opozitën e presim deri të hënën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Pas vendimit të Komisionit Evropian, merr fund bllokada e transportit të mallrave në vendkalimet kufitare

29 January 2026 at 22:05

SHKUP, 29 janar /ATSH-MIA/ – Transportuesit nga Maqedonia e Veriut u tërhoqën sonte nga bllokadat në pjesën e transportit të mallrave nga vendkalimet kufitare, pasi Komisioni Evropian miratoi një vendim për një strategji të re për vizat, e cila do të zgjidhë problemin me të cilin u përballën shoferët për qëndrimin 90 ditor brenda një periudhe 180-ditore në zonën Schengen.

Shoqata ”Makam-Trans” në një njoftim në Facebook theksoi se po tërhiqet nga bllokadat, sepse me vendimin e BE-së është marrë konfirmimi që ata prisnin për ndryshime, dhe falënderoi të gjithë ata që, siç thotë, ”pa lodhje gjatë ditëve të fundit dhanë mbështetjen dhe solidaritetin e tyre me bllokadën në vendkalimet kufitare”.

Sipas njoftimit zyrtar nga ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, Komisioni Evropian ka vendosur të miratojë një strategji të re për vizat, e cila do të zgjidhë problemin me të cilin u përballën shoferët profesionistë për qëndrimin 90 ditor brenda një periudhe 180-ditore.

”Pasi është marrë konfirmimi që prisnim për ndryshime, ju njoftojmë se protesta e organizuar nga ”Makam-Trans” në vendkalimet kufitare Deve Bair, Dellçevë, Novo Sellë, Dojran, Bogorodicë, Mexhitlia, Qafë Thanë, Bllacë, Blato dhe Stenjë do të NDËRPRITET sonte, më 29.01.2026, në orën 20:00 për hyrje dhe dalje nga vendi. Jemi veçanërisht mirënjohës ndaj të gjitha medieve dhe portaleve që e bënë të dukshme luftën tonë për gjithë Evropën. Së bashku jemi më të fortë!”, tha ”Makam-Trans”.

Transportuesit nga MV, Serbia, Mali i Zi dhe BH nisën bllokadën në fillim të javës duke kërkuar të përjashtohen nga sistemi i ri i kontrollit të hyrjes dhe daljes në BE, për shkak të cilit thonë se po përballen me dëme ekonomike dhe deportime.

Paraprakisht, zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikoloski njoftoi se Brukseli do të miratojë një Strategji të re për vizat e cila do të zgjidhë problemin e transportuesve të cilët për katër ditë kanë bllokuar vendkalimet kufitare drejt zonës SChengen.

“Sapo mora lajme të shkëlqyera nga Brukseli në lidhje me problemin e madh të transportuesve nga Maqedonia e Veriut! Qëndrimet tona janë pranuar. Shoferët janë pranuar si profesionistë. Kjo është ajo që kërkonim. Pas protestave dhe ofensivës së fortë në periudhën e kaluar, Brukseli do të miratojë një Strategji të re për vizat që do të thotë zgjidhje e problemit me të cilin përballen shoferët profesionistë”, shkruan Nikoloski në një postim në Facebook.

Zëvendëskryetarja ekzekutive e Komisionit Evropian për sovranitetin teknologjik, sigurinë dhe demokracinë, Hena Virkunen, gjatë prezantimit të Strategjisë së BE-së për vizat, strategji evropiane për azilin dhe menaxhimin e migracionit të miratuara në seancën e sotme, tha se me strategjinë propozojnë të shqyrtojnë fleksibilitet më të madh transportuesit, sigurisht pa rrezikuar sigurinë dhe në të njëjtën kohë pa ndryshuar rregullat, madje as kur bëhet fjalë për udhëtimin pa viza.

Ajo theksoi se me Sistemin e ri të hyrje/daljes (EES) nuk janë vendosur rregulla të reja kur bëhet fjalë për kohëzgjatjen e një qëndrimi të shkurtër në zonën Schengen pa viza dhe mbetet mundësia e një qëndrimi deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore./ a.jor.

The post FOKUS – Pas vendimit të Komisionit Evropian, merr fund bllokada e transportit të mallrave në vendkalimet kufitare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SERBI – Vuçiç: Së shpejti fillon shërbimi i detyruar ushtarak

29 January 2026 at 20:31

BEOGRAD, 29 janar /ATSH-TANJUG/ – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç njoftoi se brenda një ose dy muajsh, do të merret një vendim nëse shërbimi i detyrueshëm ushtarak do të fillojë zyrtarisht nga dhjetori apo nga marsi i vitit të ardhshëm dhe se regjistrimi i rekrutëve do të fillojë nga shtatori dhe tetori.

Vuçiç shtoi se vendimi do t’i çohet parlamentit serb.

“Do të marrim vendime së shpejti. Pyetja është nëse do të fillojmë me shërbimin ushtarak  nga dhjetori apo nga marsi, por patjetër që do ta marrim këtë vendim në një ose dy muajt e ardhshëm dhe do ta kalojmë para Asamblesë Kombëtare të Serbisë”, tha presidenti serb.

”Nga shtatori apo tetori do të fillojmë regjistrimin e rekrutëve ushtarakë”, tha Vuçiç.

Kur u pyet se nga çfarë varet kjo, Vuçiç tha se kjo varet nga përgatitjet.

”Jemi shumë të shqetësuar për formimin e aleancave ushtarake kundër Serbisë”, tha Vuçiç në Topcider, ku mori pjesë në konferencën informuese në lidhje me rezultatet e analizës së gjendjes, aftësive operative dhe funksionale të ushtrisë serbe për vitin 2025.

“Jemi shumë të shqetësuar për formimin e aleancave ushtarake kundër Serbisë dhe në përputhje me rrethanat po veprojmë me përgjegjësi dhe seriozisht duke mos provokuar askënd, por duke dashur të pengojmë këdo që do të kryente agresion kundër vendit tonë. Kapacitetet tona mbrojtëse të forcave ajrore dhe mbrojtjes kundërajrore janë rritur në mënyrë drastike dhe dramatike”, u tha Vuçiç gazetarëve pas takimit.

Ai theksoi se është shumë i kënaqur me rezultatet e arritura nga ushtria serbe./ a.jor.

The post SERBI – Vuçiç: Së shpejti fillon shërbimi i detyruar ushtarak appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protesta e shoferëve të kamionëve, zhbllokohet pika kufitare e Qafë Thanës

29 January 2026 at 20:24

TIRANË, 29 janar /ATSh/ Nga ora 20:00 e mbrëmjes së sotme nis zhbllokimi i pikës kufitare të Qafë Thanës dhe i të gjitha pikave të tjera kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë bën me dije se autoritetet e Maqedonisë së Veriut, kanë njoftuar nëpërmjet Qendrës së Shkëmbimit të Informacionit, se protesta e nisur që prej datës 26.01.2026, nga shoferët e kamionëve, do të pezullohet sot më datë 29.01.2026 dhe në orën 20:00, në të gjitha pikat kufitare që lidhen me Maqedoninë e Veriut do të fillojë qarkullimi normal i kamionëve.

Bllokada u organizua nga Shoqata e Transportuesve të Maqedonisë së Veriut, me pjesëmarrjen e rreth 370 kamionistëve në 10 pika kufitare, në kundërshtim të sistemit të ri elektronik të hyrje-daljeve në zonën Schengen.

Zgjidhja erdhi pas ndërhyrjes së Komisionit Evropian, i cili do të lëshojë viza për transportuesit.

/e.i/a.f/r.e/

The post Protesta e shoferëve të kamionëve, zhbllokohet pika kufitare e Qafë Thanës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA – Bashkëshortja e presidentit Trump shfaq premierën e dokumentarit ”Melania”

29 January 2026 at 20:00

UASHINGTON, 29 janar /ATSH-AFP/ – Melania Trump shfaqi sot dokumentarin e saj të ri, që premton një pamje nga pas skenave të rikthimit në pushtet të bashkëshortit të saj, një dokumentar i financuar nga një marrëveshje disa milionëshe me ”Amazon”.

I titulluar thjesht ”Melania”, dokumentari po shfaqet në një premierë me tapet të kuq në qendrën së fundmi të riemëruar ”Trump-Kennedy Center” në Uashington, me pjesëmarrjen e Zonjës së Parë dhe vetë presidentit Donald Trump.

Por, me raportime për shitje të dobëta të biletave për filmin e 55-vjeçares së lindur në Slloveni, shuma e madhe e paguar nga gjiganti amerikan i teknologjisë ka ngjallur pyetje nëse ”Amazon” po përpiqet thjesht të fitojë favor nga presidenti.

”Ky dokumentar ofron një dritare në një periudhë të rëndësishme për Amerikën”, tha Melania Trump ndërsa goditi dje kambanën e Bursës së Nju Jorkut.

”Për herë të parë në histori, njerëzit do të dëshmojnë 20 ditët që çuan deri te betimi përmes syve të një Zonje të Parë në ardhje”, shtoi ajo.

Melania Trump ka qenë një figurë shpesh misterioze që nga rikthimi i presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025, duke preferuar të kalojë kohën me djalin tyre, Barron, në Nju Jork dhe Florida.

Por, ajo tha se ”dokumentari, që do të shpërndahet globalisht nesër dhe më pas do të shfaqet ekskluzivisht në ‘Amazon Prime’, do t’u japë njerëzve një vështrim pas enigmës sime”.

”Do të shohin se si punoj, kush jam, si komunikoj me njerëzit dhe do të më njohin pak më shumë”, i tha ajo ”Fox and Friends”.

Çifti Trump zhvilloi të shtunën një shfaqje private në Shtëpinë e Bardhë, disa orë pas ngjarjes ku agjentët e emigracionit qëlluan për vdekje protestuesin Alex Pretti në Minneapolis, incident që shkaktoi zemërim kombëtar.

Në një nga seritë e intervistave promovuese këtë javë për filmin, Melania Trump bëri thirrje për bashkim pas vrasjes në Minneapolis./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post KINEMA – Bashkëshortja e presidentit Trump shfaq premierën e dokumentarit ”Melania” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Putin ka rënë dakord për një pauzë njëjavore në sulmet ndaj Kievit

29 January 2026 at 19:17

UASHINGTON, 29 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti rus, Vladimir Putin ka rënë dakord për një pauzë njëjavore në sulmet ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera ukrainase, tha sot presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Trump përmendi të ftohtin ekstrem në Ukrainë si arsyen e iniciativës së tij me Putinin.

Ai tha se personalisht kërkoi pauzën e sulmeve.

Fillimisht nuk pati konfirmim nga Moska.

Nuk ishte e qartë se kur saktësisht mund të fillonte pauza e supozuar e sulmeve nga deklaratat e Trump gjatë një takimi të kabinetit në Uashington./ a.jor.

The post SHBA – Trump: Putin ka rënë dakord për një pauzë njëjavore në sulmet ndaj Kievit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manjani: Prodhuesit shqiptarë të rrisin përdorimin e inovacionit

29 January 2026 at 19:03

TIRANË, 29 janar /ATSh/ Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) organizoi ditën e sotme një aktivitet në kuadër të prezantimit të platformës ExportON 2026.

Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Olta Manjani, e pranishme në këtë tryezë, theksoi nevojën që prodhuesit shqiptarë të kalojnë në një nivel më të avancuar, përmes zinxhirëve të prodhimit me cikël të mbyllur, rritjes së përdorimit të inovacionit dhe forcimit të infrastrukturës së cilësisë sipas standardeve të BE-së.

Në aktivitetin e organizuar nga AIDA u mblodhën përfaqësues të institucioneve qendrore, autoriteteve rregullatore, sistemit financiar, organizatave të biznesit dhe sipërmarrjeve prodhuese e eksportuese, duke krijuar një platformë gjithëpërfshirëse dialogu mbi sfidat dhe perspektivat e sektorit.

Nga ana e qeverisë dhe institucioneve qendrore morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministrisë së Financave, Bankës së Shqipërisë, si dhe drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Doganave dhe Metrologjisë, të cilët adresuan çështje fiskale, doganore, monetare dhe të infrastrukturës së cilësisë, me ndikim të drejtpërdrejtë në prodhim dhe eksport.

Në tryezë kontribuuan gjithashtu Këshilli Ekonomik Kombëtar, Pro Export Albania, përfaqësues të industrisë së çimentos, industrisë së plastikës, si dhe shoqata të tjera të sektorëve të manifakturës, duke sjellë problematika konkrete dhe propozime për politika mbështetëse.

Gjatë diskutimeve u identifikuan sfida kryesore si mungesa e fuqisë punëtore, kostot e certifikimeve dhe teknologjisë, çmimet e energjisë dhe sfidat mjedisore.

/e.i/a.f/

The post Manjani: Prodhuesit shqiptarë të rrisin përdorimin e inovacionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE miraton 145 milionë euro ndihmë humanitare për Ukrainën

29 January 2026 at 19:01

BRUKSEL, 29 janar /ATSH-DPA/ – Bashkimi Evropian planifikon të vërë në dispozicion 145 milionë euro (173 milionë dollarë) për ndihmë humanitare në Ukrainë, njoftoi sot krahu ekzekutiv i aleancës me 27 vende anëtare.

”Fondet synojnë të ofrojnë mbrojtje, strehim, ushqim si dhe qasje në ujë dhe shërbime shëndetësore”, bëri të ditur Komisioni Evropian.

Sipas tij, edhe 8,0 milionë euro shtesë janë parashikuar për pritjen e refugjatëve të luftës në Moldavi.

Në kushtet e sulmeve të vazhdueshme ruse ndaj furnizimit energjetik të Ukrainës, BE-ja po dërgon gjithashtu edhe 500 gjeneratorë emergjence.

Të premten e kaluar u dërguan 447 të tillë.

Që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, gati katër vjet më parë, Komisioni ka siguruar mbi 1,4 miliardë euro për programe ndihme humanitare në Ukrainë dhe Moldavi.

Po ashtu, të paktën tre miliardë euro janë vënë në dispozicion për sigurinë energjetike.

”Në total, BE-ja e ka mbështetur Ukrainën me 193,3 miliardë euro”, bëri të ditur Komisioni./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post BRUKSEL – BE miraton 145 milionë euro ndihmë humanitare për Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përfaqësuesit e PD-së takim me Schieder: Po mbyllen hapësirat e opozitës në Kuvend

29 January 2026 at 22:13

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deputetja dhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Jorida Tabaku, si dhe deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, zhvilluan sot një takim me Raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e opozitës shprehën shqetësimin e tyre të thellë lidhur me situatën politike dhe institucionale në Shqipëri, duke vënë theksin te problematikat serioze që sipas tyre, “po minojnë funksionimin e shtetit të së drejtës dhe standardet demokratike”.

Një ndër çështjet kryesore të diskutuara ishte bllokimi i shqyrtimit të mandatit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Sipas deputetëve të PD-së, kjo çështje po mbahet peng në Këshillin e Mandateve përmes votave të shumicës socialiste, duke penguar rolin kushtetues të Kuvendit dhe duke ndërhyrë në proceset e pavarura të drejtësisë, përfshirë SPAK-un.

Gjithashtu, deputetët raportuan për “mbylljen sistematike të hapësirave për opozitën në Kuvendin e Shqipërisë”. Sipas tyre, “ndërprerja e fjalës së opozitës gjatë seancave plenare është kthyer në praktikë të zakonshme, ndërsa mekanizmat parlamentarë për kontrollin e qeverisë janë dobësuar ndjeshëm ose janë bërë jofunksionalë”.

Në këtë kontekst, përfaqësuesit e PD-së nënvizuan degradimin e rolit të Kuvendit, i cili sipas tyre po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një institucion formal, pa debat real dhe pa respekt për pluralizmin politik.

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder u informua në mënyrë të detajuar mbi këto zhvillime dhe u njoh me shqetësimet e opozitës lidhur me pasojat që këto praktika kanë për procesin e integrimit europian të vendit dhe për standardet demokratike që kërkon Bashkimi Europian.

Ne emër të Partisë Demokratike, deputetët konfirmuan angazhimin për mbrojtjen e demokracisë, funksionimin e institucioneve dhe respektimin e shtetit të së drejtës, si parakushte themelore për rrugën europiane të Shqipërisë.

/m.m/r.e/a.f/

The post Përfaqësuesit e PD-së takim me Schieder: Po mbyllen hapësirat e opozitës në Kuvend appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla takon Raportuesin e PE-së për Shqipërinë, Schieder

29 January 2026 at 18:44

TIRANË, 29 janar/ATSh/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u takua sot në Kuvend me Raportuesin e Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder.

Gjatë takimit u diskutua mbi procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe përgatitjen e raportit vjetor për vendin tonë, i cili, pas miratimit në Komitetin e Politikës së Jashtme (AFET), do të votohet në seancën plenare të Parlamentit Europian.

Raportuesi Andreas Schieder, i cili po përgatit raportin vjetor për Shqipërinë, vlerësoi në debatin e fundit në Parlamentin Europian se Shqipëria mund të konsiderohet “favoriti kryesor” mes vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Takimi u zhvillua në kuadër të dialogut të vazhdueshëm institucional mes autoriteteve shqiptare dhe përfaqësuesve të Bashkimit Europian për avancimin e mëtejshëm të procesit të integrimit.

/m.m/a.f/

The post Balla takon Raportuesin e PE-së për Shqipërinë, Schieder appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPANJË – Një flotilje anijesh të NATO-s mblidhet për manovra ushtarake

29 January 2026 at 18:18

MADRID, 29  janar /ATSH-DPA/ – Një flotilje anijesh të NATO-s po mblidhen sot në portin ushtarak spanjoll të Rotas, në kuadër të manovrave më të mëdha të aleancës transatlantike për këtë vit.

Manovrat, të quajtura “Steadfast Dart 26”, përfshijnë vendosjen e shpejtë të mijëra ushtarëve brenda Evropës, nga jugu dhe perëndimi drejt veriut dhe lindjes.

Manovrat po organizohen nga Gjermania.

Katër anije turke dhe dy spanjolle pritet të nisen nga Rota në ditët e ardhshme dhe pritet të arrijnë në portin gjerman të Kielit më 11 shkurt.

Anije shtesë nga Gjermania, Franca, Holanda dhe Polonia do t’i bashkohen flotiljes ndërsa po praktikohet edhe mbështetja ajrore për të siguruar anijet gjatë rrugës.

Manovrat  drejtohen nga gjenerali gjerman Ingo Gerhartz, komandant i “Allied Joint Force Command” në Brunssum, Holandë.

“Sidomos në këto kohë, është shumë e rëndësishme të tregojmë unitetin e aleancës sonë, NATO-s”, tha Gerhartz në Rota.

“Manovrat nuk kanë për qëllim dërgimin e kërcënimeve, por janë një mesazh 360-gradësh për gatishmërinë e lartë të NATO-s”, shtoi ai.

Në total, 11 shtete anëtare po marrin pjesë në “Steadfast Dart 26” me njësitë e ushtrisë, forcave ajrore, marinës dhe hapësirës.

Këto operacione ndodhin pak ditë pas shmangies së një ndarjeje të madhe brenda aleancës mbi të ardhmen e territorit pothuajse autonom të Arktikut, Groenlandës, pjesë e Mbretërisë së Danimarkës./  /Ad.Ab./

The post SPANJË – Një flotilje anijesh të NATO-s mblidhet për manovra ushtarake appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌