Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Gjiknuri: Reforma zgjedhore kërkon dakordësi, por mund të ecet më tej edhe pa opozitën

16 January 2026 at 16:53

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Realizimin e Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste se Komisioni i Reformës Zgjedhore u formua në tetor të vitit të kaluar pas një procesi dialogu me opozitën, ku u dakordësuan parimet bazë që kanë udhëhequr punën e tij.

Gjiknuri theksoi se, ky komision është një strukturë “sui generis”, pasi funksionon mbi bazën e bashkëdakordësisë dhe bashkëdrejtimit, dhe jo të vullnetit të njëanshëm të njërës palë.

Sipas tij, kjo traditë është ndjekur që prej vitit 2001, me periudha ku janë realizuar reforma të suksesshme, por edhe raste kur mungesa e konsensusit ka çuar në dështim të reformës zgjedhore.

Ai përmendi reformat e viteve 2008, 2012 dhe 2020 si reforma të thella dhe të suksesshme të Kodit Zgjedhor, ndërsa ndryshimet e vitit 2024, sipas tij, nuk mund të konsiderohen një reformë e plotë.

“Sot jemi përballë faktit që Komisioni ka zhvilluar dy mbledhje, ka përcaktuar prioritetet e punës, një agjendë dhe një program që përputhet me rekomandimet e ODIHR-it dhe me prioritetet që rrjedhin nga procesi i integrimit europian, përfshirë ‘interim benchmarks’”, u shpreh Gjiknuri.

Si prioritet kryesor, Komisioni ka vendosur trajtimin e ligjit për financimin e partive politike.

Gjiknuri bëri të ditur se ka nisur një proces pozitiv me dakordësi edhe me palën tjetër dhe me përfshirjen e faktorëve ndërkombëtarë, por aktualisht procesi është ngrirë për shkak të situatës politike pas zgjedhjes së Avokatit të Popullit dhe zhvillimeve të tjera politike.

“Sot kemi një draft teknik për financimin e partive politike, por procesi ka mbetur i pezulluar”, tha ai, duke shtuar se mbetet për t’u parë sesi do të ecet më tej dhe nëse do të merret një vendimmarrje politike për të vazhduar edhe pa mbështetjen e opozitës.

Gjiknuri nënvizoi se, Komisioni ka të gjitha kapacitetet dhe ekspertët kanë nisur punën, ndërsa drafti për partitë politike është gati dhe pritet të përcaktojë edhe trendin e miratimit të paketës së parë të reformës zgjedhore.

Sa i përket Kodit Zgjedhor, ai tha se ka më shumë kohë në dispozicion dhe synimi është që puna të përfundojë deri në qershor-korrik.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Gjiknuri: Reforma zgjedhore kërkon dakordësi, por mund të ecet më tej edhe pa opozitën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ROMË – Italia refuzon misionin e vëzhgimit në Groenlandë

16 January 2026 at 16:42

ROMË, 16 janar /ATSH-DPA/ – Italia ka refuzuar të bashkohet me një mision evropian të vëzhgimit në Grenland, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto e ka qartësuar ironikisht këtë iniciativë, teksa tensionet rriten midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e presidentit Donald Trump për të blerë ishullin arktik.

”Groenlanda. Pyes veten për çfarë? Një udhëtim?”, tha sot ai në Romë.

”Pesëmbëdhjetë italianë, 15 francezë, 15 gjermanë, duket si fillimi i një shenje”, tha Crosetto për misionin e udhëhequr nga Danimarka.

Ministri i Mbrojtjes, i cili i përket partisë së djathtë ”Vëllezërit e Italisë” të kryeministres Giorgia Meloni, shtoi se ”unë jam për zgjerimin, jo për ndarjen e një bote që është tashmë shumë e fragmentuar”.

Ai theksoi se NATO dhe Kombet e Bashkuara duhet të mbeten kornizat kryesore për menaxhimin e sigurisë ndërkombëtare.

Disa vende evropiane anëtare të NATO-s po dërgojnë ekipe të vogla ushtarake në Grenland, një territor kryesisht autonom që i përket Mbretërisë së Danimarkës, për të vlerësuar aftësinë e NATO-s për të mbrojtur rajonin arktik pas kërcënimeve të rinovuara nga presidenti amerikan për të marrë kontrollin e ishullit.

Trump ka thënë se SHBA-ja duhet të marrë në dorë ishullin e pasur me burime për arsye sigurie, pavarësisht kundërshtimit nga Kopenhaga dhe aleatët evropianë të Uashingtonit.

Gjermania po dërgon një ekip prej 15 anëtarësh për vlerësim ushtarak në Groenlandë, ndërsa Franca, Britania e Madhe, Holanda, Norvegjia, Suedia dhe Finlanda gjithashtu po marrin pjesë.

Bisedimet e fundit të krizës midis Shteteve të Bashkuara, Danimarkës dhe Grenlandës nuk kanë arritur të ngushtojnë dallimet./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post ROMË – Italia refuzon misionin e vëzhgimit në Groenlandë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MINSK – Bjellorusia miraton rregulloren e “bankës së kriptomonedhave”

16 January 2026 at 16:01

MINSK, 16 janar /ATSH-AA/ – Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, nënshkroi një dekret për të miratuar krijimin dhe funksionimin e bankave të kriptomonedhave në vend.

Vendimi synon të forcojë reputacionin e vendit në fushën e teknologjisë së informacionit.

Në Bjellorusi “bankat e kriptomonedhave” do të duhet të kombinojnë aktivitetet tradicionale bankare me transaksionet kriptomonedha, sipas dekretit.

Bankat e kriptomonedhave do të duhet të regjistrohen në Parkun e Teknologjisë së Lartë të Bjellorusisë (HTP) dhe të përmbushin rregulloren e dyfishtë të Bankës Kombëtare të vendit dhe HTP.

Mes sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, ka pasur një kërkesë në rritje për transaksione kriptomonedhash në rajon.   /os/

The post MINSK – Bjellorusia miraton rregulloren e “bankës së kriptomonedhave” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti bisedon me ndërkombëtarët për zbatimin e ligjeve për automjetet dhe të huajt

16 January 2026 at 15:54

PRISHTINË, 16 janar/ATSH/ Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendësin e tij, Besnik Bislimi, janë takuar me diplomatët e akredituar në Kosovë, të cilët i kanë informuar për zbatimin e Ligjit për të huajt dhe atë për trafikun.

Nga sot, në Kosovë kanë hyrë në fuqi këto dy ligje dhe autoritetet kanë thënë se zbatimit do t’i paraprijë një afat informues deri më 15 mars.

Zbatimi i plotë i këtyre dy ligjeve do të prekë komunitetin serb që jeton në Kosovë, i cili deri më tani ka drejtuar automjete me targa të qyteteve në Serbi, me autorizim, ose persona që nuk kanë dokumente kosovare.

“Kjo fazë do të zgjasë deri më datën 15 mars të këtij viti, kur fillon zbatimi i plotë. Zbatimi i Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjetet synon lehtësimin e qëndrimit të shtetasve jorezidentë në Kosovë”, u tha në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kurtit.

Kurti, sipas njoftimit, i informoi përfaqësuesit ndërkombëtar mbi “domosdoshmërinë e fillimit të integrimit gradual të sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit, si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate”.

“Kryeministri tha se ky proces integrues do të bëhet në koordinim me Bashkimin Evropian dhe duke siguruar që brengat dhe këshillat e komunitetit joshumicë serb në Kosovë merren në konsideratë”, u tha në njoftim.

Në Mitrovicë të Veriut funksionon një universitet që punon brenda sistemit të Serbisë, ku studiojnë ose punojnë shtetas të Serbisë. Po ashtu, punonjës nga Serbia ka edhe në institucionet shëndetësore në mjediset me shumicë serbe dhe në disa institucione kulturore.

Autoritetet e Kosovës nuk i njohin këto organe serbe dhe kanë mbyllur shumicën e tyre, përveç institucioneve të arsimit dhe shëndetësisë.

Të punësuarit në këto institucione, veçanërisht profesorët dhe studentët në Universitetin në Mitrovicën e Veriut, mund të përballen me probleme sapo të nisë zbatimi i plotë i Ligjit për të huajt, pasi ai parashikon posedimin e një leje pune ose licence për ushtrimin e veprimtarisë, për të cilën kërkesa paraqitet pranë Agjencisë së Punësimit të Kosovës.

Në praktikë, kjo do të thotë se institucionet arsimore dhe shëndetësore të sistemit serb do të duhet të pajisen me licenca nga institucionet e Kosovës.

Për qëllime studimi, bashkimi familjar, arsye humanitare, kërkime shkencore dhe rrethana të tjera të parashikuara me ligj, është e nevojshme të posedojë një leje të përkohshme qëndrimi dhe të plotësohen kushtet e tjera të përcaktuara me ligj, në varësi të qëllimit të qëndrimit.

Deri më tani, rregullimi i sektorëve të shëndetësisë dhe arsimit është përmendur në kuadër të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin Kosova dhe Serbia janë marrë vesh që në vitin 2013. Ky Asociacion, ndër të tjera, ishte paraparë të rregullonte funksionimin e institucioneve serbe, si dhe pagat dhe financimin e tyre nga buxheti i Serbisë.

Kosova dhe Serbia, edhe në vitin 2023, e kanë pranuar në parim Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, e cila, ndër të tjera, parashikon formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, respektivisht ofrimin e një niveli të caktuar të vetëmenaxhimit për komunitetin serb.

Një ditë më parë, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se deklaratat për integrimin e sistemit të arsmit dhe shëndetësisë shihen si “kërcënuese” dhe mund të vënë në rrezik dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kosova publikon rregullat dhe ndëshkimet për shtetasit e huaj dhe për rregullat në trafik

Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar dokumente udhëzuese për Ligjin për të huajt dhe të për automjete, pas hyrjes në fuqi të këtyre dy ligjeve.

Sipas dokumentit udhëzues lidhur me Ligjin për të huajt, shtetasit e huaj fillimisht duhet të kenë dokumente udhëtimi të vlefshme, ose vizë kur kërkohet, dhe të lajmërojnë adresën e qëndrimit brenda tri ditësh në stacionin më të afërt policor.

Nëse një i huaj synon të qëndrojë në Kosovë në periudhë afatshkurtër, ai mund ta bëjë këtë deri në 90 ditë dhe gjatë kësaj periudhe nuk i lejohet të punojë pa pasur leje pune. Nëse kalohet kjo periudhë, i huaji duhet të aplikojë për leje qëndrim.

Nëse një i huaj qëndron në Kosovë me qëllim të punës, atëherë ai duhet të ketë leje të përkohshme për punë, po ashtu kërkohet licencim paraprak në rast të aplikimit për leje pune për profesionin që kërkon licencë. Rregullat parashohin ndalim të punës, nëse një shtetas i huaj nuk ka leje për të.

Ndërkaq në rast të qëndrimit për arsye të tjera, sikurse studimi, kërkohet pajisja me leje qëndrim.

Në rast se nuk respektohen këto rregulla, atëherë autoritetet mund të aplikojnë masa që mund të përfshijnë anulimin e lejes së qëndrimit, shqiptimin e gjobave, largimin nga vendi dhe ndalimin në territorin e Kosovës.

“Zbatimi i plotë fillon nga data 15 mars 2026. Çdo hyrje pas kësaj date që rezulton me mosparaqitje sipas rregullave të listuara brenda këtij udhëzuesi, do rezultojë me ndalim hyrje në Republikën e Kosovës”, tha MPB-ja.

Ndërkaq, në dokumentin udhëzues sa i përket Ligjit për automjetet, thuhet se një makinë e regjistruar në vend të huaj dhe që është në pronësi të një shtetasi të huaj, mund të qarkullojë në Kosovë deri në tre muaj.

Sipas rregullave, një automjet i regjistruar jashtë Kosovës nuk mund të drejtohet nga një shtetas i Kosovës pa praninë e pronarit e as të autorizohet që të qarkullojë më Kosovë.

Rregullat parashohin se një shtetas i huaj që ka qëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë apo një shtetas i Kosovës që kthehet nga shtetet e huaja, mund ta drejtojë një automjet me patentë shoferë të huaj të vlefshëm deri në 1 vit nga dita e hyrjes në Kosovë.

Në rast se nuk respektohen rregullat,, MPB tha se do të merren masa në përputhje me legjislacionin në fuqi. /rel/

The post Kurti bisedon me ndërkombëtarët për zbatimin e ligjeve për automjetet dhe të huajt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PEKIN – Kanadaja dhe Kina ulin tarifat mes përpjekjeve për të rivendosur marrëdhëniet e tensionuara

16 January 2026 at 15:50

PEKIN, 16 janar /ATSH-DPA/- Kanadaja do të ulë tarifat për automjetet elektrike kineze në këmbim të uljes së taksave nga Kina ndaj produkteve bujqësore kanadeze, tha sot kryeministri Mark Carney, në Pekin.

Njoftimi erdhi ndërsa Carney zhvilloi vizitën e parë si kryeministër i Kanadasë në Kinë në tetë vjet, me të dyja palët që kërkojnë të rivendosin marrëdhëniet e tendosura mes tensioneve destabilizuese tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kanadaja do të lejojë deri në 49,000 automjete elektrike kineze në tregun e saj sipas një tarife preferenciale prej 6,1%, shumë më poshtë se taksa 100% e vendosur në vitin 2024 në bashkëpunim me Uashingtonin”, tha Carney në një deklaratë.

Në këmbim, Kina do të ulë tarifat për farën kanadeze “kanola” në rreth 15% nga 85% deri më 1 mars.

Për më tepër, karavidhet, gaforret dhe bizelet nuk do t’i nënshtrohen tarifave anti-diskriminim.

“Ne duhet të kuptojmë ndryshimet midis Kanadasë dhe vendeve të tjera dhe të përqendrojmë përpjekjet tona në bashkëpunim aty ku jemi të njësuar”, tha Carney.

Kina është vendi i dytë më i madh i eksportit të Kanadasë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërsa masat e njoftuara sot janë të kufizuara në fushëveprim, ato mund të shënojnë një pikë kthese në marrëdhëniet dypalëshe, ndërsa Carney pranon se lidhjet Kanada-Kinë kanë qenë të largëta dhe të pasigurta.

Marrëdhëniet kanë qenë të ftohta që nga arrestimi i drejtueses ekzekutive të “Huawei”, Meng Wanzhou, në Kanada në vitin 2018 – i kryer me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kina reagoi në atë kohë duke arrestuar dy shtetas kanadezë.

Që nga rikthimi në detyrë i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Kanadaja është përballur me presion të ri nga Uashingtoni.

Trump ka tërhequr jo vetëm Kinën, por edhe Kanadanë fqinje në mosmarrëveshje tregtare, një faktor kyç i afrimit te Pekinit me Otavën. //a.i/

The post PEKIN – Kanadaja dhe Kina ulin tarifat mes përpjekjeve për të rivendosur marrëdhëniet e tensionuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Rreth 800 studentë pjesëmarrës në kampionatin universitar të volejbollit për meshkuj

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Në ambientet e Pallatit të Sportit “Farie Hoti” në Tiranë, u zhvillua ceremonia hapëse e kampionatit universitar në volejboll, organizuar nga Federata Shqiptare e Sportit Universitar (FSHSU).

Në aktivitet u mblodhën qindra studentë nga universitete të ndryshme të vendit.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha se në kampionat marrin pjesë 30 universitete nga e gjithë Shqipëria, me rreth 800 studentë pjesëmarrës, të angazhuar në ekipet respektive.

Sipas tij, kjo garë promovon talentin e studentëve, fair-play dhe bashkëpunimin ndëruniversitar.

Ndeshjet hapëse u karakterizuan nga garë e fortë, respekt dhe pasion për sportin.

Ky kampionat synon promovimin e jetesës aktive tek të rinjtë, forcimin e marrëdhënieve ndëruniversitare dhe fuqizimin e sportit si një komponent i rëndësishëm i edukimit universitar.


/k.s/

 

The post Gonxhja: Rreth 800 studentë pjesëmarrës në kampionatin universitar të volejbollit për meshkuj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Luarasi: Paketa e medias synon krijimin e kushteve për liri dhe përgjegjësi

16 January 2026 at 15:43

TIRANË, 16 janar/ATSh/ Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Iris Luarasi tha sot se të drejtat nuk janë një sektor, por një dimension që prek çdo fushë të qeverisjes.

Gjatë fjalës së saj, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, Luarasi tha se më parë kjo përgjegjësi shpërndahej në komisione të ndryshme, por ishte pa një fokus të qartë. Rezultati sipas saj ishte fragmentim, mbivendosje kompetencash dhe mungesë përgjegjësie e qartë.

“Media dhe informimi publik, të dyja si çështje po kalojnë një transformim rrënjësor. Modelet tradicionale të mediave po shkrihen, dezinformimi është ai që po bëhet kërcënim real për demokracinë, platformat digjitale po ndryshojnë mënyrën se si qytetarët e marrin sot informacionin dhe për këto arsye komisioni nuk ishte luks, por një nevojë institucionale”, tha ajo.

“Në një parlament modern, të drejtat e njeriut dhe mediat nuk mund të jenë një shënim anësor që shpërndahen në komisione të ndryshme, por janë shtylla që mbajnë gjithë ndërtesën. Komisioni ynë gjatë këtyre tre muajve ka pasur një mandat të qartë, të ndjek çështjen e të drejtave dhe lirive themelore, veprimtarinë e mediave audiovizive dhe informimit si dhe garantimin e lirisë së shprehjes”, tha Luarasi.

Luarasi theksoi se Shqipëria është në rrugën e integrimit evropian, por kjo nuk është një çështje që ka lidhje vetëm me tregun e përbashkët, apo me infrastrukturën, është mbi të gjitha një vlerë që ka lidhje me demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.

“Avokati i Popullit, komisionet për mbrojtjen nga diskriminimi, komisioni për të drejtën e informimit nuk janë dekorative, janë institucione kryesore të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve. Paketa e medias për të cilën po punon një grup i komisionit nuk synon që të kontrollojë median, por synon që të krijojë kushtet që media të jetë e lirë, profesionale dhe përgjegjëse”, pohoi Luarasi.

/e.i/j.p/

The post Luarasi: Paketa e medias synon krijimin e kushteve për liri dhe përgjegjësi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kushi: Komisioni i Edukimit, i gatshëm të mbështesë hartimin e ndryshimeve në ligjin e Arsimit të Lartë

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Kryetarja e Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, Evis Kushi në hapjen e vitit të ri kuvendor të grupit parlamentar të Partisë Socialiste foli mbi punën që ky komision do të kryejë këtë sesion parlamentar.

Në fjalën e saj, Kushi informoi se për sesionin e ardhshëm parlamentar janë dy projektligje të përfshira në programin e punës së komisionit, pr/ligji “Për të drejtat e autorit”, i cili vjen me nismë deputeti dhe është depozituar në Kuvend që më 11 nëntor 2025 dhe pr/ligji “Për ratifikimin e marrëveshjes midis Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe qeverisë së Italisë për shumë fusha, mes të cilave përfshihet edhe arsimi e inovacioni.

Kushi u shpreh se “komisioni do të shqyrtojë si komision për dhënie mendimi pikërisht për këto fusha që lidhen me përgjegjësinë e tij”.

Kushi informoi gjithashtu se “me kërkesë të komisionit është dakordësuar një seancë dëgjimore me ministren e Arsimit për çështje që lidhen me reformën kurrikulare, reformë e ndërmarrë Ministria e Arsimit për rishikim e kurrikulës dhe teksteve shkollore në arsimin parauniversitar”.

Sipas saj, kjo është një seancë që është kërkuar nga opozita.

Kushi u ndal edhe tek rishikimi i ligjit për arsimin e lartë.

“Ditën e djeshme kemi ndjekur me shumë interes takimin e kryeministrit ku është theksuar nevoja për rishikimin e ligjit “Për arsimin e lartë. Prej vitit 2015 kur është hartuar ky pr/ligj kanë kaluar mbi 10 vite besoj është koha e mjaftueshme që jo vetëm të reflektojmë ato problematika që janë hasur gjatë zbatimit të tij, por të reflektojmë edhe zhvillimet e reja që lidhen me politika si ndërkombëtarizimi, digjitalizimi dhe inteligjenca artificiale”.

Kushi tha se “komisioni është i gatshëm të jetë mbështetje për hartimin e këtij ligji për këto ndryshime që në faza të para në mbështetje të ministrisë apo grupit të punës që do të ngrihet për këtë qëllim”.

Gjithashtu Kushi informoi lidhur edhe me punën që ky komision ka bërë në sesionin e kaluar parlamentar.

“Sesionin e kaluar komisioni ka  shqyrtuar dy projektligje, “Për buxhetin 2026″ dhe pr/ligji “Për librin”. Për këto pr/ligje janë zhvilluar në total 5 seanca dëgjimore, ku janë ftuar 39 përfaqësues të institucioneve publike. Sa i takon procesit mbikëqyrës dhe kontrollues në komision janë zhvilluar dy seanca dëgjimore që lidhen me masat e marra për vitin e ri shkollor në arsimin parauniversitar dhe arsimin profesional”, tha Kushi.

/k.s/j.p/

The post Kushi: Komisioni i Edukimit, i gatshëm të mbështesë hartimin e ndryshimeve në ligjin e Arsimit të Lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Denaj: Komisioni për Burimet Natyrore, adresim i integruar i politikave të sektorit

16 January 2026 at 15:18

TIRANË,16 janar /ATSh/ Kryetarja e komisionit parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, Anila Denaj, deklaroi se ky komision është një nga strukturat e reja parlamentare, i krijuar për t’u fokusuar në çështje strategjike që lidhen me energjinë, infrastrukturën dhe mjedisin, si sektorë thelbësorë për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së vendit.

Duke marrë fjalën në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, e cila hapi vitin e ri kuvendor, Denaj prezantoi punën e deritanishme të komisionit, duke theksuar se gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar 25 mbledhje dhe janë shqyrtuar e miratuar 17 akte ligjore.

“Ky komision është ndërtuar për të adresuar në mënyrë të integruar politikat që lidhen me energjinë, infrastrukturën dhe mjedisin. Janë sektorë që kërkojnë vëmendje të veçantë, pasi ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit”, u shpreh Denaj.

Ajo veçoi ndër aktet ligjore më të rëndësishme ligjin për financimin e infrastrukturës hekurudhore, si dhe nismat që lidhen me investimet strategjike në këtë sektor. Sipas saj, një vëmendje e posaçme i është kushtuar edhe ligjit për financimin e Korridorit VIII, si një projekt me rëndësi strategjike për Shqipërinë dhe rajonin.

Një tjetër fushë prioritare, sipas Denajt, ka qenë sektori minerar, ku ndryshimet ligjore synojnë zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori dhe rritjen e kontributit të tij në ekonomi, duke garantuar njëkohësisht standarde më të larta mjedisore.

Në kuadër të procesit të integrimit europian, Denaj theksoi se komisioni ka punuar intensivisht për përafrimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Europian, veçanërisht për Kapitullin 27, që lidhet me mjedisin dhe menaxhimin e mbetjeve.

“Kemi ndërmarrë nisma konkrete për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe për përcaktimin e përgjegjësive të subjekteve përpunuese. Ky proces është zhvilluar në bashkëpunim me pushtetin vendor, prodhuesit dhe bizneset, me qëllim ndarjen e mbetjeve në burim dhe zbatimin efektiv të ligjit”, tha Denaj.

Ajo solli si shembull pozitiv ndarjen e mbetjeve në burim në Bashkinë e Beratit, duke e cilësuar këtë praktikë si një model që mund të shtrihet edhe në bashki të tjera të vendit.

Denaj informoi gjithashtu se komisioni ka zhvilluar seanca të përbashkëta me komisione të tjera parlamentare, siç ishte rasti i diskutimeve për ligjin e gjuetisë, ku janë përfshirë në mënyrë konstruktive grupet e interesit.

Po ashtu, në punimet e komisionit kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve të pavarura, si Enti Rregullator i Energjisë (ERE) dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), për shqyrtimin e çështjeve që lidhen me fushat përkatëse të përgjegjësisë së tyre.

Në përfundim, Denaj vlerësoi bashkëpunimin ndërinstitucional si një element kyç për hartimin e legjislacionit cilësor dhe për zbatimin e reformave që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. /j.p/

The post Denaj: Komisioni për Burimet Natyrore, adresim i integruar i politikave të sektorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çuçi: Garantuam shpërndarje më të drejtë të fondeve të emergjencave për bashkitë 

16 January 2026 at 15:12

TIRANË, 16 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, Bledar Çuçi bëri të ditur sot se janë rritur grantet që i dedikohen bashkive për emergjencat civile, si dhe është siguruar një shpërndarje më e drejtë e këtyre fondeve mbi bazë risku.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Çuçi bëri një analizë të punës së këtij komisioni gjatë tre muajve të shkuar, ku veçoi miratimin e amendamentit për rritjen e fondit të emergjencave civile.

Sipas Çuçit, gjatë shqyrtimit të buxhetit 2026 në këtë komision u propozua një amendament që parashikonte rritjen me gati 50% të granteve që i dedikohen bashkive për emergjencat civile, krahasuar kjo me propozimin e ardhur nga qeveria.

“Kjo u bë në rakordim të plotë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Financave. Amendamenti i dytë i propozuar nga ky komision dhe i miratuar në Kuvend, ka të bëjë me ndryshimin e formulës së shpërndarjes së këtij fondi, duke i dhënë peshë bashkive bazuar mbi riskun që kanë ndaj emergjencave civile “, tha Çuçi.

Sipas tij, “ky është viti i parë që do të bëhet ky ushtrim dhe do të jetë kontribut shumë i vlefshëm për të shpërndarë para publike aty ku është nevoja, sidomos për parandalimin e   emergjencave civile”.

Çuçi vlerësoi po ashtu edhe zhvillimin e seancës dëgjimore me ministren për Punët e Brendshme, Albana Koçiu, që sipas tij, “ndikoi sadopak në pastrimin e baltës që opozita hedh vazhdimisht në çështjet e sigurisë”.

Ndërkohë, Çuçi informoi se në axhendën e afërt të punës së komisionit janë edhe ndryshimet në Kodin Penal si dhe projektligji për Agjencinë e Mbikëqyrjes së Sistemit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, që do të kthehet në një agjenci inteligjente. /j.p/

The post Çuçi: Garantuam shpërndarje më të drejtë të fondeve të emergjencave për bashkitë  appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOSKË – Peskov – Rusia njeh Groenlandën si territor danez

16 January 2026 at 14:57

MOSKË, 16 janar /ATSH-AA/ – Rusia sot pranoi statusin ligjor të Groenlandës si pjesë e Danimarkës, duke përshkruar gjithashtu situatën e fundit të ishullit si “shumë kontroverse”.

“Ne veprojmë nga kuptimi se Grenlanda është territor i Mbretërisë së Danimarkës”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gjatë konferencës për gazetarët, duke shtuar se Moska po monitoron situatën rreth ishullit.

Ai vuri në dukje se janë bërë deklarata nga Danimarka dhe Groenlanda që mohojnë çdo qëllim për të shitur territorin tek dikush, ndërkohë që janë dëgjuar edhe deklarata nga Washingtoni për formulimin e një “oferte monetare për të blerë Groenlandën në një formë apo tjetër”.

Peskov e përshkroi situatën rreth Grenlandës si “të pazakontë” ose madje “të jashtëzakonshme, nga perspektiva e së drejtës ndërkombëtare”.

Grenlanda ka tërhequr interesin e SHBA-së për shkak të vendndodhjes strategjike dhe burimeve minerale si dhe shqetësimeve mbi aktivitetet në rritje ruse dhe kineze, sipas presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka deklaruar vazhdimisht se dëshiron të marrë ishullin dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë e veprimeve ushtarake.

Danimarka dhe Grenlanda kanë refuzuar propozimet për shitjen e territorit, duke riafirmuar sovranitetin danez mbi ishullin.

Të enjten, Ministria e Jashtme e Rusisë tha se do të vazhdojë të forcojë kapacitetet e saj mbrojtëse në Arktik si përgjigje ndaj kërcënimeve të lidhura me situatën rreth Grenlandës, duke shtuar se referencat për “aktivitetin rus dhe kinez” përreth ishullit i konsideron si një arsye për përshkallëzime aktuale si “të papranueshme”.   /os/

The post MOSKË – Peskov – Rusia njeh Groenlandën si territor danez appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ekonomi: Komisioni i Ekonomisë, fokus tek diskutimet cilësore të ligjeve të integrimit

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Kryetarja e Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Milva Ekonomi tha sot se i gjithë procesi i punës së këtij komisioni do të fokusohet tek integrimi në Bashkimi Europian.

Në fjalën e saj në hapjen e vitit të ri kuvendor të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Ekonomi tha se “ditët në vijim konferenca e kryetarëve do të vendosë për programin e punës, por ama kryefjalë e grupit të punës është integrimi në BE”.

“Edhe gjithë procesi i Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat do të fokusohet tek kjo çështje, si do të kalojmë në diskutime të shpejta cilësore dhe me dije të të gjitha atyre ligjeve, që kanë të bëjnë me integrimin në BE”, shtoi ajo.

Ekonomi u shpreh se “për këtë do të mbështetemi padyshim edhe nga strukturat që kemi në Kuvend. Ne kemi Institutin e Kërkimeve Parlamentare, i cili përdoret nga deputetët në  komision, na vjen herë pas here edhe një raport lidhur me hartimin e buxhetit ose me mënyrën se si disa vende shikojnë pr/ligjin për Start Up-et”.

“Është shumë e rëndësishme në këtë proces të bashkëpunojnë me komisionet, kemi një eksperiencë të shkëlqyer bashkëpunimi me Komisionin e Nismave Qytetare, mbikëqyrjen institucionale dhe monitorimit kur bëmë rezolutat. Gjithashtu është shumë e rëndësishme edhe në procese të tjera, për shembull nëse do të vendosim të kemi një vështrim postlegjislativ të një ligji kërkohet një bashkëpunim shumë i ngushtë me Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme”, tha Ekonomi.

Ekonomi informoi lidhur edhe me punën që ky komision ka bërë në sesionin e kaluar parlamentar.

“Në komisionin e Ekonomisë kemi diskutuar për shumë ligje dhe në total numri i ligjeve që kemi diskutuar ka qenë 23, të cilat janë të ndara në projektligje, që ne kemi detyrën kryesore, pra jemi komision përgjegjës dhe në projektligje që janë për dhënie mendimi dhe kanë qenë 9. Gjatë procesit tonë të punës kemi diskutuar edhe amendamente. Kanë qenë rreth 144 amendamente që janë propozuar në Komisionin për Ekonominë, Punësimin ku janë miratuar 94 amendamente, 82 të propozuara nga deputetët de 2 nga shoqëria civile”, tha Ekonomi.

/k.s/j.p/

The post Ekonomi: Komisioni i Ekonomisë, fokus tek diskutimet cilësore të ligjeve të integrimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Witkoff telefonon ministrin e Jashtëm egjiptian: Intensifikoni përpjekjet për uljen e tensioneve në LM

16 January 2026 at 14:50

KAJRO, 16 janar /ATSH/- Ministri i Jashtëm egjiptian, Badr Abdelatty mori një telefonatë nga Steve Wittkoff, i dërguari special i SHBA-së për Lindjen e Mesme, për të vlerësuar krizat e vazhdueshme në Gaza dhe Iran, sipas “Il Sole 24 Ore”.

Gjatë bisedës, raporton ministria egjiptiane, palët rikonfirmuan angazhimin e tyre të përbashkët për të forcuar bashkëpunimin në sfera të ndryshme politike, të sigurisë dhe ekonomike – për t’i shërbyer interesave të tyre të përbashkëta dhe për të mbështetur përpjekjet për të vendosur sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Lidhur me Iranin, u rikonfirmua nevoja për të punuar për uljen e tensioneve, për të rivendosur qetësinë dhe për të parandaluar që rajoni të bjerë në paqëndrueshmëri dhe kaos.

Në lidhje me Gazën, u theksua nevoja për të vazhduar me zbatimin e kërkesave të fazës së dytë të armëpushimit, me fillimin e punës së komitetit teknik palestinez, vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizimi për të monitoruar armëpushimin, tërheqjen e plotë të trupave izraelite nga Rripi i Gazës dhe fillimin e fazës së rimëkëmbjes dhe rindërtimit. //a.i/

The post SHBA – Witkoff telefonon ministrin e Jashtëm egjiptian: Intensifikoni përpjekjet për uljen e tensioneve në LM appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Blushi: Siguria ushqimore alarm kombëtar, të miratohet projektligji ynë

16 January 2026 at 14:48

TIRANË, 16 janar /ATSh/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, tha sot se siguria ushqimore është një alarm kombëtar.

Sipas tij, qeveria “ka goditur produktet bio dhe markën “Made in Albania”, duke i hapur rrugë importuesve abuzivë, klientë të pushtetit të tij kriminal, që e kanë shndërruar Shqipërinë në një kazan mbetjesh për ushqime të kontaminuara dhe të skaduara”.

Deputeti i PL-së theksoi se përballë kësaj situate dramatike në lidhje me sigurinë ushqimore në vend, zgjidhja është “projektligji për sigurinë ushqimore i propozuar nga Partia e Lirisë, i depozituar prej më shumë se një muaji në Kuvend”.

“Ne besojmë se siguria ushqimore nuk është luks, por e drejtë themelore e çdo qytetari dhe një detyrim kushtetues i shtetit shqiptar”, theksoi Blushi.

Sipas Blushit miratimi pa vonesë i këtij projektligji, me nisjen e sesionit parlamentar, është e vetmja zgjidhje e shpejtë dhe efektive për të ndalur këtë krim të përditshëm ndaj shëndetit publik.

“Çdo ditë vonesë është një ditë më shumë rrezik, veçanërisht për fëmijët, të cilët po ushqehen me produkte të kontaminuara”, tha Blushi.

Prandaj, sipas Blushit “miratimi i projektligjit të Partisë së Lirisë nuk është thjesht një zgjedhje politike, por alternativa e vetme konkrete për ta zgjidhur njëherë e përgjithmonë krizën e sigurisë ushqimore, e cila lidhet drejtpërdrejt jo vetëm me shëndetin publik, por edhe me sigurinë kombëtare”.

Projektligji i propozuar nga PL synon të garantojë sigurinë ushqimore për konsumatorin shqiptar përmes vendosjes së një detyrimi të pavarur, të zbatueshëm dhe të verifikueshëm për kryerjen e analizave laboratorike për ndotësit kimikë dhe biologjikë në produktet ushqimore, në përputhje me gjetjet e Raportit të Progresit 2025 të Komisionit Evropian.

/m.q/j.p/

The post Blushi: Siguria ushqimore alarm kombëtar, të miratohet projektligji ynë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama pas reagimeve në disa medie në Greqi: E pabesueshme si humori kthehet në polemikë me pathos nacionalist

16 January 2026 at 14:43

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot pas jehonës që krijoi në disa medie në Athinë, bashkëbisedimi i tij me gazetarin John Defterios, në panelin e organizuar gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi.

Rama u shpreh se “është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor, të shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist”, gjë që sipas tij, “fatkeqësisht në Athinën mediatike ndodh shpesh”.

Kryeministri siguroi se nuk ka as më të voglin dyshim që Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe që Greqia e Lashtë është shtrati i qytetërimit europian.

“Greqia është një vend për të cilin unë ushqej ndjenjat më pozitive; populli grek është për mua një fqinj i pazëvendësueshëm e vëlla i patjetërsueshëm i popullit shqiptar dhe për kryeministrin e Greqisë ushqej një respekt të veçantë”, u shpreh Rama.

Më poshtë reagimi i plotë i kryeministrit Rama:

Jam i mahnitur nga reagimi i disa mediave në Athinë e i ndonjë politikani të lodhur grek lidhur me tonet e mia aspak tendencioze, po me humor miqësor gjatë bashkëbisedimit me gazetarin e nderuar John Defterios në panelin e organizuar gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi.

Është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor, të shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist, gjë që fatkeqësisht në Athinën mediatike ndodh shpesh.

Por i siguroj të gjithë të shqetësuarit e të lënduarit, se nuk kam as më të voglin dyshim që Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe që Greqia e Lashtë është shtrati i qytetërimit europian; që kultura greke meriton vetëm admirim, jo vetëm për filozofët e lashtësisë po edhe për poetët, shkrimtarët, kineastët e muzikën që i ka dhënë njerëzimit; që Greqia është një vend për të cilin unë ushqej ndjenjat më pozitive, që populli grek është për mua një fqinj i pazëvendësueshëm e vëlla i patjetërsueshëm i popullit shqiptar dhe që për kryeministrin e Greqisë ushqej një respekt të veçantë!

U kuptuam? Shpresoj po.

Por ama mos më kërkojë askush ndër të shqetësuarit dhe të lënduarit me humorin tim, që kush shkruan e flet greqisht me pathosin nacionalist të të larpërmendurve, të më duket si pasardhës i Platonit dhe Aristotelit! Kaq”.

/m.m/j.p/

The post Rama pas reagimeve në disa medie në Greqi: E pabesueshme si humori kthehet në polemikë me pathos nacionalist appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bajram Curri, atdhetari dhe luftëtari i kryengritjeve antiosmane

16 January 2026 at 14:32

TIRANË, 16 janar/ATSh/ Më 16 janar të vitit 1862, lindi në Gjakovë, Bajram Curri.

Ai ishte një ndër protagonistët kryesorë të lëvizjes kombëtare dhe proceseve shtetformuese shqiptare në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX.

Veprimtaria politike e Bajram Currit nisi me angazhimin në Lidhjen e Pejës (1899-1900). Veproi si një prej drejtuesve kryesorë në kryengritjet antiosmane (1908-1912) duke luftuar për autonominë e Shqipërisë dhe për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit.

Bajram Curri kontribuoi në zhvillimin e arsimit në Kosovë. Ai mbështeti klubin “Bashkimi” të Shkupit në përpjekjet për përhapjen e shkollave shqipe dhe zbatimin e alfabetit të Kongresit te Manastirit.

Si komandant, udhëhoqi kryengritjet e viteve 1910–1912, ndërsa pas shpalljes së Pavarësisë u integrua në jetën politike të shtetit të ri. Gjithashtu luftoi edhe në Kosovë kundër zgjedhës serbe. Shprehu mospajtimin me vendimet e Fuqive të Mëdha në kuadër të Konferencës së Londrës të vitit 1913. Në vitin 1918 u zgjodh anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe qe një ndër udhëheqësit kryesorë të tij.

Në vitin 1920, ai mori pjesë në Kongresin e Lushnjës, ku u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar. Në zhvillimet e brendshme politike të viteve ’20 të shek. XX, ai u rreshtua me krahun liberal-demokratik, duke mbështetur Lëvizjen e Qershorit dhe qeverinë e Fan Nolit.

Jeta e tij u ndërpre më 29 mars të vitit 1925 në Dragobi, duke mbetur në historiografinë shqiptare si një simbol i qëndresës për bashkim, liri dhe organizim shtetëror. /j.p/

The post Bajram Curri, atdhetari dhe luftëtari i kryengritjeve antiosmane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE bën thirrje për ndalimin e ekzekutimeve të protestuesve në Iran

16 January 2026 at 14:30

BRUKSEL, 16 janar /ATSH/- Bashkimi Evropian i bën thirrje Iranit të ndalojë ekzekutimet e protestuesve dhe dënon përdorimin e dënimit me vdekje si mjet për shtypjen e protestave, tha sot zëdhënësi i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Anouar El Anouni, sipas “Il Sole 24 Ore”.

“Ne kundërshtojmë përdorimin e dënimit me vdekje në çdo kohë dhe në veçanti përdorimin e tij për të shtypur disidentët”, tha El Anouni, gjatë një konference për shtyp në Bruksel.

Zëdhënësi i BE-së theksoi se Brukseli po ndiqte nga afër raportet për ekzekutime të mundshme të afërta të protestuesve.

Brukseli, gjithashtu i bëri thirrje Teheranit të ndiqte një politikë të qëndrueshme drejt heqjes së dënimit me vdekje.

El Anouni përsëriti se ndryshimi i regjimit nuk ishte pjesë e politikës së BE-së.

“Në terren ekziston një lëvizje e protestave legjitime dhe e vërtetë e popullit iranian, me aspirata legjitime për një jetë, liri dhe dinjitet më të mirë”, tha ai.

“Ne qëndrojmë pranë tyre ndërsa ata luftojnë për këto vlera”, shtoi El Anouni. //a.i/

The post BRUKSEL – BE bën thirrje për ndalimin e ekzekutimeve të protestuesve në Iran appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manja: Deri në shkurt miratojmë 38 projektligje, shumica lidhen me integrimin

16 January 2026 at 14:28

TIRANË, 16 janar /ATSh/ Partia Socialiste mblodhi sot grupin parlamentar ku u diskutua në lidhje me sfidat parlamentare për Shqipërinë 2030.

Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Ulsi Manja, në fjalën e tij theksoi se deri në programin e datës 27 shkurt duhet të miratohet një akt normativ si dhe 38 projektligje. Sipas Manjës, shumica e projektligjeve lidhen me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Manja shtoi se çdo ministër duhet të ketë në dorë listën e relatorëve të çdo komisioni për ligjet që lidhen me procesin e integrimit, por edhe për projektligje të tjera.

“E strukturuar, negociatorët tanë diskutojnë me Brukselin, dy ministret tona i kemi atje që negociojnë me Brukselin, qeveria sigurisht koordinon gjithë procesin, Kuvendi i Shqipërisë jemi ne ku do të duhet të kalojmë projektligjet”, sqaroi ai.

“Çdo ministër, por edhe qeveria do të duhet të kenë në dorë listën e relatorëve të çdo komisioni përgjegjës për ligje që lidhen me procesin e integrimit, por edhe për projektligje të tjera. Për lista e relatorëve tanë në komisione do të duhet të jetë në duart e secilit prej kolegëve të qeverisë. Kështu ndërtohet procesi: negociatorët relatorët dhe kryetarët e Komisioneve”, tha Manja.

Manja theksoi se negociatoret dhe relatorët që marrin projektligjet të jenë në kontakt njëri-tjetrin për mbarëvajtjen dhe dinamikën e një projektligji.

“Kjo është skuadër, ministër, qeveri, relator dhe kryetar komisionesh të jemi në një drejtim”, tha Manja.

Në përmbledhje të punës së zhvilluar gjatë vitit të kaluar, Manja theksoi se janë kryer  “30 mbledhje, 38 ligje të trajtuar nga të cilat 6 komision përgjegjës, 32 për dhënie mendimi dhe 8 projektvendime në të cilat kemi qenë komision përgjegjës dhe 70 amendamente vlerë e shtuar për projektligjet që kemi kaluar në komision”.

/m.q/j.p/

The post Manja: Deri në shkurt miratojmë 38 projektligje, shumica lidhen me integrimin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj dekreton kundëradmiral Arsen Mullajn komandant të Forcës Detare

16 January 2026 at 14:26

TIRANË, 16 janar/ATSh/ Presidenti Bajram Begaj firmosi sot disa dekrete që lidhen me ndryshime dhe emërime në strukturat drejtuese të Forcave të Armatosura.

Kreu i Shtetit dekretoi lirimin e Nënadmiral Adnand Dëfrim Agastra nga detyra e Komandantit të Forcës Detare. Po sot, Begaj dekretoi Kundëradmiral Arsen Burhan Mullaj në detyrën e Komandantit të Forcës Detare.

Presidenti Begaj firmosi edhe dhënien e gradave madhore për disa drejtues të Forcave të Armatosura. Kështu, Presidenti gradoi me gradën “Gjeneral Brigade”, Kolonel Razije Kadri Mehmeti, e cila mban detyrën e drejtores në Drejtorinë e Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak J-9 në Shtabin e Përgjithshëm të FA.

Koloneli Fatmir Sadri Neziraj, drejtor në Drejtorinë e Operacioneve dhe Stërvitjes J-3/7 në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, është graduar me gradën madhore “Gjeneral Brigade”.

Gjithashtu, Presidenti Begaj dekretoi me gradën “Gjeneral Brigade” Kolonel Edmond Abaz Vocin, Komandant i Qendrës së Kontroll Raportimit në Forcën Ajrore.

/e.i/j.p/

The post Begaj dekreton kundëradmiral Arsen Mullajn komandant të Forcës Detare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Forcat izraelite sulmojnë objektiva në Liban

16 January 2026 at 14:04

TEL AVIV/BEJRUT, 16 janar /ATSH-DPA/- Ushtria izraelite tha dje në mbrëmje se kishte sulmuar disa objektiva në Liban, duke përfshirë objektet e Hezbollahut në jug të vendit.

Sipas ushtrisë, objektivat përfshinin objekte të magazinimit të armëve të grupit të mbështetur nga Irani, si dhe infrastrukturë shtesë terroriste të përdorur për sulmet terroriste kundër trupave të IDF-së dhe Shtetit të Izraelit.

Gjatë një sulmi tjetër izraelit, u godit edhe një depo nëntokësore armësh.

“Aktivitetet e Hezbollahut në vendet e përmendura përbënin një shkelje të armëpushimit të rënë dakord midis Izraelit dhe Libanit”, thuhet në deklaratë.

Banorët e zonave fqinje raportuan shpërthime të forta që tronditën shtëpitë e tyre.

Burimet libaneze të sigurisë thanë se Forcat Ajrore Izraelite kishin kryer të paktën dy sulme ajrore. Nuk pati raportime fillestare për viktima të mundshme.

Në kuadër të armëpushimit midis Izraelit dhe Hezbollahut – që ka qenë në fuqi që nga fundi i nëntorit 2024 – milicia shiite e mbështetur nga Irani duhej të çarmatosej.

Afati kyç për çarmatimin e Hezbollahut, të cilin qeveria libaneze ia ngarkoi ushtrisë, përfundoi në fund të dhjetorit.

Izraeli akuzon Hezbollahun për riorganizim dhe riarmatosje në shkelje të marrëveshjes.

Si rezultat, ushtria ka vazhduar të sulmojë fqinjin e saj, pothuajse çdo ditë.

Sipas shifrave të qeverisë, më shumë se 300 njerëz janë vrarë në Liban që kur armëpushimi hyri në fuqi.

Kombet e Bashkuara thonë se më shumë se 100 prej tyre ishin civilë. //a.i/

 

The post TEL AVIV – Forcat izraelite sulmojnë objektiva në Liban appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌