Meloni dënon dhunën në Milano: “Armiqtë e Italisë po dëmtojnë imazhin e vendit”
TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ – Kryeministrja italiane Giorgia Meloni reagoi ashpër pas tensioneve dhe përplasjeve të dhunshme që ndodhën në Milano gjatë protestës kundër Olimpiadës Milano-Cortina 2026.
Meloni dënoi aktet e vandalizmit dhe sulmet ndaj forcave të rendit, duke theksuar se ndërsa “mijëra italianë po punojnë pa u lodhur që vendi të përfaqësohet denjësisht”, një grup i vogël po tenton “ti bëjë dëm imazhit të Italisë”.
Sipas saj, “mijëra e mijëra italianë në këto orë po punojnë që gjithçka të funksionojë gjatë Lojërave Olimpike. Shumë prej tyre janë vullnetarë, sepse duan që kombi i tyre të njihet, të admirohet dhe të respektohet”. Ajo shtoi “pastaj ka të tjerë, armiqtë e Italisë dhe italianëve, që protestojnë ‘kundër Olimpiadës’, duke bërë që këto pamje të transmetohen në televizionet e gjysmës së botës”.
Kryeministrja nënvizoi gjithashtu se këto protesta vijnë pasi persona të tjerë “prenë kabllot e hekurudhës për të penguar nisjen e trenave”, duke dëmtuar rëndë shërbimet dhe imazhin e vendit.
“Shpreh solidaritet të plotë ndaj forcave të rendit, qytetit të Milanos dhe të gjithë atyre që do të shohin punën e tyre të venitur nga këto banda delinkuentesh”, deklaroi Meloni.
Reagimi i saj vjen pas përplasjeve të një grupi protestuesish në zonën Corvetto, ku u hodhën shishe, petarda dhe gaz lotsjellës ndaj policisë, e cila u përgjigj me karikime dhe ujëhedhës. Pesë persona janë shoqëruar deri tani.
Foto: ANSA / (Paolo Salmoirago)
The post Meloni dënon dhunën në Milano: “Armiqtë e Italisë po dëmtojnë imazhin e vendit” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.