Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 18 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

ROME – Meloni: Rritja e tarifave nga Trump ishte një gabim, po punojmë për të shmangur një përshkallëzim

18 January 2026 at 15:54

ROME, 18 janar /ATSH-ANSA/ – Parashikimi i një rritjeje të tarifave kundër atyre kombeve që kanë zgjedhur të kontribuojnë në sigurinë e Groenlandës është një gabim dhe unë nuk pajtohem me të, deklaroi kryeministrja italiane Giorgia Meloni.

”Fola me presidentin Donald Trump. Kishte një problem mirëkuptimi dhe komunikimi në lidhje me iniciativën nga disa vende të BE-së, e cila nuk duhet interpretuar si anti-amerikane, shtoi Meloni.

”Ne duhet të rifillojmë dialogun dhe të shmangim një përshkallëzim”, shtoi ajo.

“Mendoj se Italia mund të luajë një rol udhëheqës; ne jemi të gatshëm të bëjmë paqen tonë në ndërtimin e planit të paqes”, tha kryeministrja, duke folur me gazetarët në Seul në takimin e Bordit të Gazës.

“Pas kthimit tim, do të thërras një takim për të shqyrtuar masën. Nuk e di nëse do të jetë gati deri të martën, por ne po punojmë për të”, shtoi ajo kur u pyet për dekretin e ri të sigurisë. /os/

The post ROME – Meloni: Rritja e tarifave nga Trump ishte një gabim, po punojmë për të shmangur një përshkallëzim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama tre vjet në bordin për Gazën, Shtëpia e Bardhë sqaron kush paguan 1 mld dollarë

18 January 2026 at 15:42

TIRANË, 18 janar /ATSh/ Kryeministri Edi Rama ka marrë një ftesë zyrtare nga presidenti amerikan Donald Trump për t’iu bashkuar Bordit të Paqes, një plan i ideuar për zgjidhjen e konfliktit dhe rindërtimit të Gazës.

Shtëpia e Bardhë konfirmon për A2 CNN se nëse një vend do të bëhet anëtar i përhershëm duhet të kontribuojë me 1 miliard dollarë, në rast të kundërt mandatin do ta ketë trevjeçar.

“Nuk ekziston asnjë kërkesë për të kontribuar 1 miliard dollarë, apo ndonjë shumë financiare për t’u bashkuar me BP. Dokumenti themeltar parashikon vetëm se, nëse një vend kontribuon 1 miliard dollarë, ai fiton statusin e anëtarit të përhershëm, në vend të anëtarësimit me afat trevjeçar”, iu përgjigj Shtëpia e Bardhë A2 CNN.

Gjithashtu, Shtëpia e Bardhë sqaron edhe nismën e presidentit Donald Trump, duke theksur se paratë do të shkojnë direkt për përmbushjen e përpjekjeve për rindërtimin e Gazës.

“Bordi i Paqes ka një mandat shumë ambicioz për rindërtimin e plotë të Gazës, dhe fondet e mbledhura do të përdoren drejtpërdrejt për realizimin e këtij qëllimi. Bordi i Paqes do të veprojë si një aktor udhëheqës në këtë fushë, duke garantuar që pothuajse çdo dollar i mbledhur të shpenzohet drejtpërdrejt për zbatimin e mandatit të tij. Nuk do të ketë paga të fryra apo barrë të rëndë administrative, siç ndodh me shumë organizata të tjera ndërkombëtare”, vijon përgjigjja e Shtëpisë së Bardhë.

Kryeministri Edi Rama, pak orë pasi mori ftesën e publikoi në rrjetet e tij sociale, duke theksuar që kjo do të jetë një mundësi e mirë për Shqipërinë.

“Dhe me nderin e kënaqësinë e ndarjes me ju të letrës që mora dje nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, duke ju falënderuar për privilegjin e besimit që më keni dhënë, si edhe duke ju siguruar se do të bëj deri në fund gjithçka duhet për ta lartësuar emrin e Shqipërisë e dinjitetin e shqiptarëve”, u shpreh Rama.

/r.e/

The post Rama tre vjet në bordin për Gazën, Shtëpia e Bardhë sqaron kush paguan 1 mld dollarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ekspozita “Olbania”, udhëtim vizual mes Shqipërisë dhe Italisë në muzeun “Marubi”

18 January 2026 at 15:03

TIRANË, 18 janar /ATSh/ Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër vijon të jetë e hapur ekspozita “Olbania”, një projekt i kolektivit artistik italian Alterazioni Video, që sjell një vështrim kritik mbi mënyrën se si imazhet dhe narrativat online ndërtojnë perceptime për identitetin dhe realitetin.

E kuruar nga Sara Dolfi Agostini, ekspozita ndërthur artin vizual me kërkimin digjital, duke u mbështetur në një arkiv prej qindra imazhesh të mbledhura gjatë tranzicionit mediatik të Shqipërisë drejt internetit global.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka ftuar qytetarët dhe vizitorët që këtë fundjavë të vizitojnë ekspozitën, duke e cilësuar atë një përvojë reflektuese mbi kujtesën kolektive dhe lidhjet kulturore mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, ministri Gonxhja ndau momente nga kjo ekspozitë, ku spikasin fotografi dhe imazhe që trajtojnë aspekte të ndryshme njerëzore, duke reflektuar mbi përvojat individuale dhe kolektive të shoqërisë.

Duke e cilësuar “Olbania” si një udhëtim vizual mes Shqipërisë dhe Italisë, Gonxhja theksoi se ekspozita sjell në vëmendje temat e kujtesës kolektive, migrimit dhe ndikimeve kulturore që kanë lidhur dy vendet ndër dekada. Sipas tij, këto narrativa vizuale krijojnë një dialog të hapur mbi identitetin, historinë e përbashkët dhe marrëdhëniet ndërkulturore.

Ekspozita “Olbania”, e realizuar nga kolektivi artistik Alterazioni Video, ofron një qasje bashkëkohore ndaj artit vizual, duke përdorur imazhin si mjet reflektimi dhe interpretimi mbi realitetet shoqërore dhe kulturore të rajonit.

“Alterazioni Video e konceptuan Olbania-n në vitin 2009, kur u ftuan të merrnin pjesë në Bienalen e 3-të të Tiranës. Si italianë, ata kishin disa ide paraprake për Shqipërinë. Dy vendet kanë qenë historikisht të lidhura – fillimisht nga pushtimi i Musolinit në vitin 1939, dhe më vonë në fillim të viteve 1990, pas rënies së regjimit komunist, në një periudhë trazirash civile dhe eksodi masiv që kulmoi në gusht 1991, kur anija Vlora mbërriti në portin e Barit me më shumë se 20,000 emigrantë shqiptarë në bordin e saj.

Shumë u riatdhesuan, por disa mbetën, dhe fluksi vazhdoi – i qëndrueshëm por më pak dramatik – duke ushqyer narrativën e një marrëdhënieje të ngushtë dhe të ndërthurur mes dy vendeve. Që nga fillimi i viteve ’80, shqiptarët mund të shikonin televizion italian në shtëpi me antena të montuara në çati, kjo edhe për shkak të transmetimeve të kufizuara të RTSH-së. Kohët e fundit, shumë italianë po zhvendosen në Shqipëri të motivuar nga lidhjet kulturore, mundësitë e biznesit dhe kostoja më e ulët e jetesës, duke e përmbysur kështu rrjedhën migratore”, shprehet kuratorja Sara Dolfi Agostini.

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, një nga institucionet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në vend, vijon të shërbejë si një hapësirë e rëndësishme për promovimin e artit bashkëkohor dhe nxitjen e dialogut kulturor, duke i ofruar publikut ekspozita me vlera artistike dhe historike.

/e.xh/r.e/

The post Ekspozita “Olbania”, udhëtim vizual mes Shqipërisë dhe Italisë në muzeun “Marubi” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPAK arreston tetë persona për mashtrim kompjuterik, tre në kërkim

18 January 2026 at 15:02

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar informoi sot mbi operacionin e zhvilluar dy ditë më parë në kryeqytet për goditjen e Call Center-ave, nga ku telefonoheshin dhe mashtroheshin shtetas italianë, për investime në kriptomonedha të ndryshme.

SPAK bëri të ditur se gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë gjashtë persona, si dhe janë ekzekutuar urdhërndalimet për dy të tjerë dhe janë shpallur në kërkim tre persona, ndërkohë që të paktën 28 objekte ku ushtronin veprimtarinë e tyre Call Center-at janë kontrolluar nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Policia e Shtetit.

“Në 9 janar regjistruam procedimin penal për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit Kompjuterik”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal. Procedimi u regjistrua në Byronë Kombëtare të Hetimit pas paraqitjes së gazetarëve italianë të emisionit investigativ ‘Le Iene’, që transmetohet në Mediaset. Ata kanë dorëzuar materiale të punës së tyre”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Gjatë këtij hulumtumi, SPAK bëri të ditur se është identifikuar një Qendër Thirrjesh (Call Center) që ndodhet në Tiranë, në ndërtesën “Atti Tower”, në rrugën “Ibrahim Rugova”, përballë Katedrales Ortodokse, nga ku, autorët e mirorganizuar dyshohet se kanë mashtruar shtetas italianë dhe europianë për investime në kriptomonedha të ndryshme.

“Investigimi mori shkas nga ankesat e disa shtetasve italianë të mashtruar nga Qendra e Thirrjeve. Gazetarët italianë mundën të infiltrojnë një shtetas italianë, i cili nisi të punojë aty dhe realizoi regjistrimin e të dhënave në ambientet e Qendrës së Thirrjeve. Nga të dhënat rezulton se në këtë veprimtari dyshohet të jenë përfshirë shtetas italianë, rezidentë në Itali dhe të tjerë që jetojnë në Shqipëri, ndërsa transaksionet kryheshin në kriptovaluta, në portofolet e monedhave virtuale të menaxhuara nga drejtuesit e këtij aktiviteti të kundraligjshëm, duke përdorur platforma mashtruese”, vijon njoftimi i SPAK.

Duke iu referuar materialeve video bëhet fjalë për një Qendër Thirrjesh, që ndodhej në katin e 9-të dhe të 13-të të “Atti Tower”. SPAK thekson se nga pamja e përgjithshme, dinamika e komunikimit dhe veprimet e personit që kryen regjistrimin apo edhe personave të tjerë, shihet se është një qendër e mirorganizuar e thirrjeve telefonike, me poste pune të ndara, role të përcaktuara dhe staf që operonte në gjuhën italiane, franceze, spanjolle dhe gjermane.

Pas regjistrimit të këtij procedimi penal, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë nisur menjëherë puna për identifikimin e organizatorëve dhe dokumentimin e aktiviteti kriminal të mashtrimit.

Nga veprimet e para hetimore të BKH-së, rezultoi se organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale kishin ngritur një strukturë të sofistikuar sigurie, me disa perimetra mbrojtës, duke përdorur jo vetëm kamerat filmike statike, por edhe personel civil vëzhgimi, jashtë kësaj qendre.

“Ekzistojnë indicie të qarta se mbrëmjen e datës 15 janar 2026, pas përfundimit të punës, pjesëtarë të këtij personeli vëzhgues, kanë njoftuar pronarët e Qendrës për një ndërhyrje të mundshme. Pas kësaj, në orët e para të mëngjesit të datës 16 janar 2026, janë larguar pajisjet dhe është boshatisur edhe ambienti i Qendrës së Thirrjeve”, thekson SPAK.

Pas ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Posaçme, hetuesit e BKH-së konstatuan në datën 16 janar 2026, boshatisjen e ambientit dhe largimin e pajisjeve dhe personelit. “Falë veprimeve të shpejta dhe të pandërprera hetimore u bë i mundur identifikimi i personave dhe automjeteve të përdorura për largimin e pajisjeve kompjuterike dhe sistemeve nga Call Center-i. Pas gjurmimit të tyre, në një kohë të shkurtër, u realizua kapja në flagrancë e disa shtetasve, të cilët kishin transportuar gjatë natës materiale drejt një ambient tjetër të marrë me qira në “Downtown One”, në bulevardin “Bajram Curri””, vijon më tej njoftimi për shtyp.

Pas kapjes në flagrancë të këtyre shtetasve, hetuesit kanë bërë kontrollin me iniciativë të ambientit në katin e 5-të të godinës, ku është konstatuar një Qendër tjetër Thirrjesh, në ndërtim e sipër. Aty u gjetën pajisje kompjuterike, telefona, harddisqe, laptopë, karta të ndryshme SIM, dokumente, blloqe me shënime. Personat e kapur në flagrancë, po transportonin një kosh mbeturinash, i cili përmbante sende të dyshuara të marra nga Qendra e Thirrjeve në rrugën “Ibrahim Rugova”, të cilat ishin duke i asgjësuar.

Në kushtet e kapjes në flagrancë është kërkuar mbështetja e punonjëve të Policisë të Drejtorisë Vendore Tiranë.

“Shtetasin e arrestuar në flagrancë janë 6 persona me inicialet: R.Gj., D.Q., E.Gj., E.M., R.P., O.K.. Gjithashtu, paralelisht me identifikimin e Qendrës së dytë të thirrjeve, në sajë të veprimeve verifikuese, janë nxjerrë dhe ekzekutuar urdhrat e ndalimit për shtetasit me inicialet; K.K. dhe H.XH., si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në bashkëpunimin, në formën e grupit të strukturuar kriminal”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Në ecuri të veprimeve hetimore, SPAK njofton se në datën 17 janar janë lëshuar dhe urdhrat e ndalimit për tre shtetas të tjerë, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në bashkëpunimin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, të cilët nuk janë gjetur deri në këto momente.

“Gjatë kontrolleve të ushtruara në 28 ambiente; banesa, automjete, zyra, garazhde, etj, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, qindra pajisje kompjuterike të cilat janë në proces verifikimi, sisteme monitorimi të kamerave, sisteme të rrjetit kompjuterik, pajisje memorizuese, server, dokumente të Qendrës së Thirrjeve, subjektit “Infinite” shpk dhe subjekteve të tjerë në proces verifikimi. Gjithashtu janë sekuestruar edhe automjete të përdorur nga autorët e dyshuar, motomjete si dhe një automjet luksoz i markës “Ferrari”, që dyshohet se i përket organizatorëve të këtij aktiviteti”, thuhet në njoftim.

Prokuroria e Posaçme vijon kryerjen e veprimeve hetimore për inventarizimin e të gjitha pajisjeve kompjuterike, sekuestrimin, analizimin e tyre si dhe identifikimin e të gjithë viktimave të veprës penale, në bashkëpunim me autoritetet e huaja.

Prokuroria e Posaçme falënderon në mënyrë të veçantë edhe stafin e emisionit investigativ italian “Le Iene” të “Mediaset”, falë punës të së cilëve, u bë e mundur inicimi dhe hetimi i këtij rasti të mashtrimit masiv në Qendrën e Thirrjeve në Shqipëri.

Gjithashtu, SPAK u tërheq vëmendjen qytetarëve dhe medias për fenomenin e mashtrimit online përmes Qendrave të Thirrjeve (Call Center) dhe kjo është një veprimtari që do vazhdojë të ndiqet me prioritet edhe në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë.

Nga ana tjetër, një apel u shkon edhe shtetasve që punojnë në këto qendra, për t’u ndërgjegjësuar dhe për t’u mos bërë pjesë e veprimtarive të paligjshme.

/m.m/r.e/

The post SPAK arreston tetë persona për mashtrim kompjuterik, tre në kërkim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA – “‘Sentimental Value’ triumfon në EFA me gjashtë çmime

18 January 2026 at 14:31

BERLIN, 18 janar /ATSH/ – Filmi “Sentimental Value” i Joachim Trier ka fituar një total prej gjashtë çmimesh, duke përfshirë ”Filmin më të Mirë Evropian”, ”Regjisorin më të Mirë” dhe të dy çmimet për aktrim, shkruan euronews.com.

Po ashtu, edhe filmi “Sirat” i regjizorit Oliver Laxe mori pesë çmime gjatë një mbrëmjeje të ngarkuar politikisht në Berlin.

Çmimet evropiane të filmit të këtij viti, homologu evropian i çmimeve Oscar që nderon arritjet më të mëdha në kinemanë evropiane, kanë folur… dhe ishte një natë triumfi për dramën familjare prekëse dhe të shtresuar “Sentimental Value” të regjisorit norvegjez Joachim Trier.

Filmi arriti një sukses të madh, duke fituar gjashtë çmime, duke përfshirë edhe çmimin e lakmuar për ”Filmin më të Mirë Evropian”.

Ai ”mundi” 14 filma të tjerë, përfshirë filmin tërheqës të ”Palmës së Artë” të Jafar Panahi “It Was Just An Accident”, odisenë post-apokaliptike “Sirāt” të Oliver Laxe, dhe filmin e suksesshëm “Sound of Falling” të Mascha Schilinski.

Trier fitoi çmimin për ”Regjisorin më të Mirë” si dhe ”Skenarin më të Mirë” së bashku me partnerin e tij të hershëm në skenar, Eskil Vogt.

Renate Reinsve fitoi çmimin për ”Aktoren më të Mirë Evropiane për Vlerë Sentimentale”, duke vërtetuar edhe një herë se si çiftëzimi i saj me Trier sjell lavdi, pas filmit “Personi më i Keq në Botë”, dhe se si aktorja është një nga pranitë më tërheqëse në ekran në kinema në mbarë botën.

Fitorja e saj pasoi Stellan Skarsgård që mori çmimin për ”Aktorin më të Mirë Evropian” për rolin e tij si një baba në mungesë në filmin e Trier.

Fjalimi i tij ishte i shkurtër dhe i drejtpërdrejtë: “Ndihem sikur po kthehem në shtëpi. Ju falënderoj me gjithë zemër”.

I shkurtër, i ëmbël dhe ndoshta paksa jetëshkurtër. Megjithatë, një çmim i merituar për Skarsgård, i cili kohët e fundit mori në shtëpi një Glob të Artë dhe çimenton pozicionin e tij si një favorit për çmimet Oscar në mars.

”Sentimental Value” fitoi gjithashtu çmimin për ”Muzikën më të Mirë” (Hania Rani).

Përfshirja nuk ishte disi e habitshme, pasi EFA-të kanë një zakon të përsëritur të dhënies së disa çmimeve për të njëjtin film, shpesh në dëm të një llojllojshmërie, duhet thënë.

Një ceremoni e ngarkuar politikisht dhe solemne

Ndërsa ceremonia shkoi pa probleme dhe u ndërpre nga prerje të shkurtra që festonin kinemanë të drejtuar nga Mark Cousins, pasioni dhe entuziazmi i të cilit ishte ngjitës si gjithmonë, ngjarja ishte e ngarkuar politikisht që nga fillimi.

Regjisori disident iranian Jafar Panahi u mirëprit në skenë që në fillim të ceremonisë, i prezantuar nga Cousins ​​si “një nga regjisorët më të mëdhenj në botë”.

Panahi hapi EFA-të e 38-të duke bërë një deklaratë rreth Iranit dhe mizorive të fundit të kryera nga qeveria shtypëse e Teheranit.

“Nëse bota nuk i përgjigjet kësaj dhune të hapur sot, jo vetëm Irani, por e gjithë bota është në rrezik”, tha Panahi.

“Dhuna, kur lihet pa përgjigje, normalizohet. Ajo përhapet. Bëhet ngjitëse. Kur e vërteta shtypet në një vend, liria vuan kudo. Atëherë askush nuk është i sigurt, askund në botë. Jo në Iran. Jo në Evropë. Jo në Amerikë”, shtoi ai.

Ja lista e fituesve të EFA-s të këtij viti:

Filmi më i mirë Evropian

Fitues: Sentimental value (Norway, France, Denmark, Germany, Sweden) i Joachim Trier
Afternoons of solitude (Spain, France) nga Albert Serra
Arco (France), drejtuar nga Ugo Bienvenu
Dog of god (Latvia, US) – drejtuar nga Raitis Ābele & Lauris Ābele
Fiume o Morte (Croatia, Slovenia, Italy) – drejtuar nga Igor Bezinović
It was just accident (France, Iran, Luxembourg) – drejtuar nga Jafar Panahi
Little Amelie (France) – Drejtuar nga Maïlys Vallade & Liane-Cho Han
Olivia and Livia and the invisible earthquake (Spain, France, Belgium, Switzerland, Chile drejtuar nga Irene Iborra Rizo
Refenstahl(Germany) – drejtuar nga Andres Veiel
Sirat (Spain, France) – drejtuar nga Oliver Laxe
Songs of slow burning earth (Ukraine, France, Denmark, Sweden) – drejtuar Olha Zhurba
‘Sounf of falling’‘ (Germany) – drejtuar nga Mascha Schilinski
Tales from the magic garden (Czech Republic, Slovakia, Slovenia, France) – drejtuar nga David Súkup, Patrik Pašš, Leon Vidmar & Jean-Claude Rozec,

The voice of hind rajab (France, Tunisia) – drejtur nga Kaouther Ben Hania
With Haan in Gaza (Germany) – drejtuar nga Kamal Aljafari

Regjisori më i Mirë Evropian

Fitues: Joachim Trier për ”Sentimental value”
Yorgos Lanthimos për ”Bugonia”
Oliver Laxe për ”Sirat”
Jafar Panahi për ”It was an accident”
Mascha Schilinski për Tigulli ”Sounf of falling” /os/

The post KINEMA – “‘Sentimental Value’ triumfon në EFA me gjashtë çmime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tabaku për Korporatën e Investimeve: Dallime thelbësore me Italinë, ku funksionet ndahen me ligj

18 January 2026 at 15:01

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku reagoi sot lidhur me deklaratën e kryeministrit Edi Rama në lidhje me Korporatën Shqiptare të Investimeve (AIC).

Duke e krahasuar me modelin italian, Tabaku tha se nuk është e qartë se cilit institucion i referohet kryeministri.

“Cilindo model italian të marrë si referencë Kryeministri, rezultati është i njëjtë: në Itali funksionet janë të ndara qartë me ligj. Banka financon, agjencia administron pronën; ndërsa në Shqipëri ato janë përqendruar në një ent të vetëm, pa garë dhe pa llogaridhënie.
Dallimet janë thelbësore”, tha ajo.

Tabaku theksoi se në Itali, institucionet funksionojnë si banka publike që menaxhojnë para dhe rrezik financiar, ndërsa Korporata Shqiptare e Investimeve nuk menaxhon fonde, por merr prona publike me vendime qeverie dhe i fut ato në marrëveshje ndërtimi me privatë.

“Ndërsa institucionet publike europiane veprojnë përmes prokurimit publik dhe konkurrencës së hapur, AIC shmang garën dhe krijon privilegje të drejtpërdrejta për partnerë të përzgjedhur”, u shpreh Tabaku.

Ndërkohë, Tabaku theksoi se në Europë, ndërhyrja publike bëhet aty ku tregu dështon, për banesa sociale, zona të varfra apo infrastrukturë strategjike.

“AIC bën të kundërtën, duke ndërhyrë aty ku tregu funksionon më së miri dhe duke krijuar konkurrencë të pandershme të sponsorizuar nga shteti. Ndërkohë, qeveria shqiptare është njëkohësisht edhe lojtari që ndërton, edhe arbitri që firmos për veten, ndërsa rreziku financiar i kësaj skeme nuk shfaqet sot në buxhet, por u lihet shqiptarëve si faturë për nesër”, vijoi ajo.

Tabaku iu referua vendimit të Këshillit të Ministrave, ku qeveria ia kaloi godinën e ish-shkollës jetimore “Zyber Hallulli” Korporatës Shqiptare të Investimeve.

“Një pronë publike me funksion social iu hoq fëmijëve jetimë përmes një firme qeveritare, pa debat publik dhe pa transparencë. Korporata e Investimeve veproi jo si institucion shtetëror, por si një pronar i keq: hoqi fëmijët nga godina, i zhvendosi në periferi dhe e nxori pronën nga funksioni i saj social”, u shpreh ajo.

/m.m/r.e/

The post Tabaku për Korporatën e Investimeve: Dallime thelbësore me Italinë, ku funksionet ndahen me ligj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Starmer: Tarifat e Trumpit për Groenlandën janë krejtësisht të gabuara

18 January 2026 at 13:44

LONDER, 18 janar /ATSH-ANSA/ – Kryeministri britanik Keir Starmer dënoi tarifat e shpallura nga Donald Trump ndaj Greonlandës, duke i quajtur ato “krejtësisht të gabuara”, duke këmbëngulur se Groenlanda është pjesë e Danimarkës dhe “e ardhmja e saj është një çështje për groenlandezët dhe danezët”.

“Pozicioni ynë ndaj Greonlandës është shumë i qartë: është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës dhe e ardhmja e saj është një çështje për groenlandezët dhe danezët.

Ne gjithashtu e kemi bërë të qartë se siguria e Arktikut është e rëndësishme për NATO-n në tërësi dhe se aleatët duhet të bëjnë më shumë së bashku për të adresuar kërcënimin rus në pjesë të ndryshme të Arktikut”, theksoi Starmer.

“Vendosja e tarifave ndaj aleatëve në ndjekje të sigurisë kolektive të aleatëve të NATO-s është plotësisht e gabuar”, shtoi ai.

“Ne, sigurisht, do ta trajtojmë këtë çështje drejtpërdrejt me administratën amerikane”, shtoi ai. /os/

The post BM – Starmer: Tarifat e Trumpit për Groenlandën janë krejtësisht të gabuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vijon prishja e objekteve të paligjshme në Shkodër

18 January 2026 at 13:28

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Në Shkodër po vijon puna për prishjen e objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ndërhyrja për prishjen e një objekti të ndërtuar në mënyrë të paligjshme, i cili pengonte vijueshmërinë e investimit për rrugën Shirokë–Zogaj.

Objekti ishte vendosur në zonën e Shirokës dhe përbënte një pengesë konkrete për zbatimin normal të projektit rrugor, një investim i rëndësishëm infrastrukturor që synon përmirësimin e aksesit, sigurisë dhe zhvillimit të zonës.

Po ashtu një tjetër ndërhyrje është kryer nga Policia Bashkiake e Shkodrës edhe për shembjen e një ndërtese brenda oborrit të shkollës “Ismail Qemali”.

Nga ana e tij, kryetari i bashkisë Shkodër Benet Beci ka deklaruar se tolerancë zero ndaj çdo ndërtimi të paligjshëm që cenon pronën publike dhe interesin e komunitetit.

/m.m/r.e/

The post Vijon prishja e objekteve të paligjshme në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Metsola: Greonlanda nuk është në shitje, të respektohet sovraniteti i saj

18 January 2026 at 12:52

BRUKSEL, 18 janar /ATSH/ – Bashkimi Evropian mbështet Danimarkën dhe popullin e Groenlandës. Ne e bëjmë këtë të bashkuar dhe të vendosur, shkroi në X presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola.

Masat kundër aleatëve të NATO-s të shpallura sot nuk do të ndihmojnë në sigurimin e sigurisë në Arktik. Ato rrezikojnë të kundërtën, duke i inkurajuar armiqtë tanë të përbashkët dhe ata që dëshirojnë të shkatërrojnë vlerat dhe mënyrën tonë të jetesës së përbashkët”, shkroi ajo.

”Groenlanda dhe Danimarka e kanë bërë të qartë: Groenlanda nuk është në shitje dhe sovraniteti dhe integriteti i saj territorial duhet të respektohen. Asnjë kërcënim për tarifa nuk mund ose nuk do ta ndryshojë këtë fakt”, shtoi ajo. /os/

The post BRUKSEL – Metsola: Greonlanda nuk është në shitje, të respektohet sovraniteti i saj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Virozat e stinës, Tomini: Kujdes i shtuar ndaj personave me sëmundje kronike

18 January 2026 at 15:00

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Eugena Tomini vizitoi sot Qendrën Shëndetësore Nr. 5 në Tiranë, ku bisedoi me mjekët mbi situatën e krijuar nga virozat e stinës.

Tomini bëri thirrje për kujdes të shtuar ndaj personave me sëmundje kronike dhe konsultim të rregullt me mjekun e familjes.

Sipas mjekëve të kësaj qendre, kryesisht pacientët vijnë me viroza respiratore të stinës, por nuk mungojnë edhe rastet me kovid.

Pacientët testohen pranë kësaj qendre për testet e kovidit, ndërsa për analiza të mëtejshme mostrat dërgohen për analizim edhe pranë Institutit të Shëndetit Publik.

Tomini theksoi rëndësinë e vaksinimit, ndërsa theksoi se certifikatat e vaksinimit gjenerohen edhe përmes platformës qeveritare “e-Albania”.

/m.m/r.e/

The post Virozat e stinës, Tomini: Kujdes i shtuar ndaj personave me sëmundje kronike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Mbi 12,4 milionë vizitorë të huaj në 2025-ën

18 January 2026 at 12:20

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja ndau sot statistikat e zhvillimit të turizmit dhe kulturës për vitin 2025, që dëshmojnë rritjen e interesit për Shqipërinë.

Gonxhja u shpreh se këto statistika reflektojnë ndikimin e politikave të ndjekura, investimeve të realizuara dhe bashkëpunimit mes institucioneve qendrore e vendore.

Konkretisht në vitin 2025 Shqipërinë e vizituan mbi 12,4 milionë vizitorë të huaj, ose rreth 770 mijë më shumë krahasuar me vitin 2024.

Vetëm nga Kosova, numri i vizitorëve shënoi rritje me 5,3% krahasuar me vitin 2024.

Të ardhurat nga turizmi për 9-mujorin 2025 arritën në 4,4 miliardë euro, ose një rritje prej 14,5%.

Po ashtu, sitet e trashëgimisë kulturore u vizituan nga mbi 1,5 milionë vizitorë, duke shënuar rritje të të ardhurave me 30,63% krahasuar me vitin 2024.

“Këto të dhëna dëshmojnë jo vetëm rritjen e interesit për Shqipërinë si destinacion, por edhe përmirësimin gradual të standardeve, shërbimeve dhe ofertës kulturore në të gjithë territorin”, u shpreh Gonxhja.

Njëkohësisht, Ministri theksoi se “ato na vendosin përpara nevojës për planifikim më të kujdesshëm, menaxhim të qëndrueshëm dhe orientim strategjik, në mënyrë që ky zhvillim të përkthehet në përfitime afatgjata për komunitetet, ekonominë dhe imazhin ndërkombëtar të vendit”.

/m.m/r.e/

The post Gonxhja: Mbi 12,4 milionë vizitorë të huaj në 2025-ën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump fton Erdogan t’i bashkohet ”Bordit të Paqes për Gazën” si anëtar themelues

18 January 2026 at 12:11

UASHINGTON, 18 janar /ATSH-AA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në cilësinë e kryetarit themelues të Bordit të Paqes për Gazën, e ka ftuar presidentin turk Recep Tayyip Erdogan t’i bashkohet këtij bordi.

“Më 16 janar, Presidenti i SHBA-së Donald Trump, në cilësinë e kryetarit themelues të Bordit të Paqes, dërgoi një letër duke ftuar Presidentin tonë, z. Recep Tayyip Erdogan, të bëhet anëtar themelues i Bordit të Paqes”, tha Burahanettin Duran, drejtori i Komunikimeve i Turqisë, në një postim në platformën sociale turke NSosyal.

Duran tha se Këshilli i Sigurimit i OKB-së, me Rezolutën 2803, mbështeti Planin Gjithëpërfshirës për Përfundimin e Konfliktit në Gaza, i cili u shpall nga Trump dhe çoi në një armëpushim në enklavën palestineze. Në këtë kuadër, shtoi ai, Bordi i Paqes dhe strukturat e tij po krijohen për të garantuar sigurinë dhe rindërtimin e Gazës. /os/

The post SHBA – Trump fton Erdogan t’i bashkohet ”Bordit të Paqes për Gazën” si anëtar themelues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Shqipëria nuk do të paguajë 1 miliard euro për Bordin e Paqes

18 January 2026 at 11:47

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot lidhur me lajmet që janë shpërndarë në disa medie mbi ftesën që i është bërë Shqipërisë për të qenë pjesëmarrëse si vend anëtar themelues i Bordit të Paqes në Rripin e Gazës.

Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë, duke i cilësuar gënjeshtra, pretendimet e disa medieve, sipas të cilave “në Bordin e Paqes janë ftuar të gjitha shtetet e OKB-së, apo se Shqipëria do të paguajë 1 miliard euro dhe këtu do të vijnë palestinezët”.

“Tenxheret politike e medietike të mexhelisit tonë janë teneqera të zhurshmshme të Shqipërisë së vjetër, ndërsa kjo që po vazhdojmë të ndërtojmë me shumë mund e këmbëngulje të madhe është një Shqipëri Tjetër, e dinjitetshme ndërkombëtarisht dhe e respektuar botërisht”, u shpreh Rama.

Më poshtë reagimi i plotë i kryeministrit Rama:

Tenxheret politike mediatike po bubullojnë e gërrgërrojnë aq fort sa thua se në Bordin e Paqes së Presidentit Trump nuk është ftuar Shqipëria, po një vend armik i Shqipërisë!

🌪Në Bordin e Paqes janë ftuar të gjitha shtetet e OKB
❌GËNJESHTËR

🌪Shqipëria do të paguajë 1 miliardë EURO
❌GËNJESHTËR

🌪Palestinezët do të vijnë në Shqipëri
❌GËNJESHTËR

E vërteta është shumë e thjeshtë se sa ç’pjell, sidomos në çdo rast kur nderohet Shqipëria, mllefi i injorancës dhe inati i ligësisë:

Tenxheret politike e mediatike të mexhelisit tonë janë teneqera të zhurmshme të Shqipërisë së vjetër, ndërsa kjo që po vazhdojmë të ndërtojmë me shumë mund e këmbëngulje të madhe është një Shqipëri Tjetër, e dinjitetshme ndërkombëtarisht dhe e respektuar botërisht.

Sa për mua personalisht, rëndësi ka vetëm besimi i shumicës së shqiptarëve, që më kanë ngjitur e mbajtur katër herë në majën e shtetit shqiptar dhe respekti i atyre që janë në majat e botës a të Europës, i cili më duhet mbi të gjitha për të nderuar e lartësuar Shqipërinë.

Ky është një moment i jashtëzakonshëm i Shqipërisë, ku tërbimi i tenxhereve thjesht na siguron se sa më shumë lehin qentë, aq më përpara është duke shkuar karvani”.

/m.m/r.e/

The post Rama: Shqipëria nuk do të paguajë 1 miliard euro për Bordin e Paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përfundon gati gjysma e rinumërimit në Kosovë, rritet numri i fletëvotimeve me gabime

PRISHTINË, 18 janar /ATSH/ Në Kosovë vijon procesi e rinumërimit të votave të zgjedhjeve të parakohshme të 18 dhjetorit 2025. Ky proces tashmë ka përfunduar në pothuajse gjysmën e vendvotimeve që supozohet t’i nënshtrohen procesit të rinumërimit.

Ky rinumërim i një të tretës së vendvotimeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit nisi më 13 janar, pasi u vërejtën dallime në fletëvotimet me votat për kandidatët brenda subjekteve politike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka bërë të ditur se procesi ka përfunduar në 19 komuna dhe se tani fillimisht do të vazhdojë me rinumërimin në Prizren dhe pastaj me komunat e tjera.

Në Prizren deri tani janë numëruar 172 nga 235 vendvotime dhe kjo komunë kryeson dukshëm me numrin e fletëvotimeve me gabime.

Megjithatë, edhe me kaq vendvotime të rinumëruara, ndryshimi në votat për kandidatë brenda partive politike është i dukshëm.

Gjatë javës, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, e përsëriti për REL-in mesazhin e kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, se nëse pas rinumërimit vërehen manipulime të mundshme me votat e kandidatëve brenda subjekteve politike, komisioni do t’i çojë në organet kompetente anëtarët e ekipeve të numërimit. /REL/

The post Përfundon gati gjysma e rinumërimit në Kosovë, rritet numri i fletëvotimeve me gabime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Eksportet turke në Ballkan arritën në 25.3 miliardë dollarë në 2025

18 January 2026 at 11:23

ANKARA, 18 janar /ATSH-AA/ – Eksportet e Turqisë drejt vendeve të Ballkanit u rritën me 8.1 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 25.258 miliardë dollarë, me Rumaninë si destinacionin kryesor me 7.9054 miliardë dollarë.

Ndërsa politikat proteksioniste po intensifikohen në tregtinë globale dhe vendet po hyjnë në një periudhë sfiduese në marrëdhëniet e tyre tregtare, Turqia po rrit integrimin e saj me vendet në afërsi të saj të menjëhershme dhe po i çon eksportet e saj në nivele më të larta.

Marrëdhëniet afatgjata midis Turqisë dhe vendeve të Ballkanit mbështeten nga programet e delegacioneve dhe takimet e tryezës së rrumbullakët ku marrin pjesë zyrtarë të lartë qeveritarë dhe përfaqësues të biznesit dhe këto kontakte kanë ndikuar pozitivisht në eksportet e Turqisë në rajonin e Ballkanit.

Sipas informacioneve që gazetari i AA-së ka përpiluar nga të dhënat e Këshillit të Eksportuesve të Turqisë (TIM), në vitin 2025 në rajonin e Ballkanit, i cili përfshin Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën (BeH), Bullgarinë, Kroacinë, Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Rumaninë, Serbinë, Slloveninë dhe Greqinë, u realizuan gjithsej 25.258 miliardë dollarë eksporte.

Eksportet në rajonin e Ballkanit u rritën me 8.1 për qind gjatë gjithë vitit, ndërkohë me Rumaninë janë realizuar eksportet më të larta midis vendeve në rajon, duke arritur në total 7.9054 miliardë dollarë.

Rumania u pasua nga Bullgaria me 4.6994 miliardë dollarë, Greqia me 3.4734 miliardë dollarë, Sllovenia me 3.1926 miliardë dollarë dhe Serbia me 2.011 miliardë dollarë.

Gjatë së njëjtës periudhë, eksportet në Kosovë arritën në 882.9 milionë dollarë, në Shqipëri 819.8 milionë dollarë, në Bosnjë e Hercegovinë 741.6 milionë dollarë, në Kroaci 732.7 milionë dollarë, në Maqedoninë e Veriut 635.7 milionë dollarë dhe në Mal të Zi 162.9 milionë dollarë.

– Eksportet në rajonin e Ballkanit u rritën në 10 vende

Në vitin 2025, midis vendeve të Ballkanit, Sllovenia krahasuar me vitin 2024 shënoi rritjen më të madhe të eksporteve të bazuara në vlerë, me 692.9 milionë dollarë. Ajo pasohet nga Rumania me 378.1 milionë dollarë, Bullgaria me 300.6 milionë dollarë, Serbia me 228.9 milionë dollarë, Greqia me 149.4 milionë dollarë, Kosova me 91.8 milionë dollarë, Kroacia me 89.6 milionë dollarë, Bosnjë e Hercegovina me 29.5 milionë dollarë, Maqedonia e Veriut me 14.1 milionë dollarë dhe Mali i Zi me 7 milionë dollarë.

Gjatë kësaj periudhe, eksportet në Shqipëri u ulën me 98.7 milionë dollarë.

– Eksportet e Stambollit në Ballkan tejkaluan 10 miliardë dollarë

Duke parë shpërndarjen e eksporteve në vendet e Ballkanit sipas provincave, shihet se eksportet e Stambollit në këtë rajon arritën në 10 miliardë e 185.7 milionë dollarë.

Vitin e kaluar, eksportet totale të kryera nga Stambolli arritën në 95.2 miliardë dollarë dhe eksportet e kreyera drejt vendeve të Ballkanit nga Stambolli u përllogaritën 10.7 për qind të këtij totali.

– Sektori industrial kryeson në eksporte

Sektori industrial spikati në eksportet në rajonin e Ballkanit vitin e kaluar. Nën shtrukturën e grupit industrial, industria automotive ishte sektori që eksportoi më shumë në rajon, me 5.044 miliardë dollarë.

Industria automotive u pasua nga kimikatet dhe produktet kimike me 4.271 miliardë dollarë, hekuri dhe metalet jo-ngjyra me 2.089 miliardë dollarë, elektrike dhe elektronike me 1.5713 miliardë dollarë dhe mobilje, letër dhe produkte pyjore me 1.01 miliardë dollarë.

Sipas të dhënave të TIM (Shoqata e Eksportuesve të Turqisë), sasia dhe ndryshimi i eksporteve drejt vendeve të Ballkanit në vitet 2024 dhe 2025 janë si më poshtë:

1 JANAR – 31 DHJETOR
VENDI 2024 (DOLLARË) 2025 (DOLLARË) NDRYSHIMI (PËR QIND)
RUMANIA 7.527.320,93 7.905.398,60 5,0 %
BULLGARIA 4.398.817,07 4.699.446,41 6,8 %
GREQIA 3.324.031,64 3.473.449,24 4,5 %
SLLOVENIA 2.499.693,90 3.192.594,00 27,7 %
SERBIA 1.782.318,83 2.011.220,23 12,8 %
KOSOVA 791.183,74 882.939,70 11,6 %
SHQIPËRIA 918.502,97 819.767,65 10,7 -%
BOSNJË E HERCEGOVINA 712.118,57 741.614,34 4,1 %
KROACIA 643.171,45 732.748,35 13,9 %
MAQEDONIA E VERIUT 621.596,71 635.653,44 2,3 %
MALI I ZI 155.932,95 162.912,54 4,5 %

 

/os/

The post FOKUS – Eksportet turke në Ballkan arritën në 25.3 miliardë dollarë në 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dorian Potka, i riu që la emigrimin dhe ngriti akademi të arteve marciale në Korçë

18 January 2026 at 11:19

TIRANË, 18 janar/ATSH-Maela Marini/ Dorian Potka, i cili prej 13 vitesh ka hapur Akademinë e Arteve Marciale në Korçë, ishte sot i ftuari i radhës i kryeministrit Edi Rama në podkastin “Flasim”.

Në Qqendrën e tij sportive, të cilën e menaxhon bashkë me bashkëshorten, Anxhelën, ushtrohen mbi 100 persona të grupmoshave të ndryshme.

Doriani tregoi se si u kthye nga emigrimi në Greqi dhe vendosi që aftësitë që kishte fituar atje me artet marciale t’i vinte në dispozicion për krijimin e kësaj qendre sportive.

E krijuar në fund të vitit 2013, Akademia e Arteve Marciale në Korçë është bërë si pikë referimi për ushtrimin e këtij sporti nga grupmosha të ndryshme.

/r.e/

The post Dorian Potka, i riu që la emigrimin dhe ngriti akademi të arteve marciale në Korçë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dashnor Bushi truke magjie në podkastin “Flasim”

18 January 2026 at 10:58

TIRANË, 18 janar/ATSH-Maela Marini/ Finalisti i “Albania’s Got Talent”, Dashnor Bushi ishte i ftuari i radhës në podcastin “Flasim” me kryeministrin Edi Rama.

Dashnor Bushi i lindur dhe rritur në Kavajë, ka emigruar më pas në Itali, vend ku lindi dhe djali i tij Nikolas, i cili u trajnua si ventrilok dhe ishte fitues i “Albania’s Got Talent”.

Në Kavajë ata jetuan disa vite e më pas të gjithë bashkë si familje emigruan në SHBA, ku Dashnori ushtroi artin e iluzionizmit, ndërsa djali i tij Nikolas u trajnua si ventrilok.

I njohur për truket e magjisë, ai ushtroi po ashtu disa nga numrat e tij edhe në studion e podkastit “Flasim”, duke befasuar kryeministrin Rama dhe të ftuarin tjetër në studio.

Dashnor Bushi tha se loja me letra ka qenë pasioni i tij që në rini.

“Truket me letra janë pasioni im, pasi kërkon aftësi dhe shumë punë”, tha Bushi.

Ai tregoi se është larguar drejt SHBA-së në vitin 2013, ndërsa u shpreh se “ka disa gjëra që po ndryshojnë në Shqipëri edhe për artin e magjisë. “Kemi një popull të vështirë për këtë lloj arti, por unë e adhuroj punën time dhe e bëj për të kënaqur publikun”, tha ai.

/r.e/

The post Dashnor Bushi truke magjie në podkastin “Flasim” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Konferenca e Paqes e Parisit dhe çështja e kufijve të Shqipërisë

TIRANË, 18 janar /ATSH/ Në epilog të Luftës I Botërore fuqitë fituese u bashkuan në punimet e Konferencës së Paqes në Paris, më 18 janar 1919.

Konferenca kishte si qëllim kryesor riorganizimin gjeopolitik pas Luftës së Parë Botërore. Nën drejtimin e fuqive si Britania e Madhe, Franca, Italia, SHBA dhe Japonia, ky forum shqyrtoi edhe statusin e Shqipërisë. Në atë kohë, Shqipëria gjendej në një pozicion delikat sovraniteti dhe nën pretendimet territoriale të shteteve fqinje.

Delegacioni shqiptar, përbëhej nga kreu i Qeverisë së Durrësit Turhan Pasha, e në të bënin pjesë personalitete, si Luigj Bumçi, Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Mustafa Kruja, Luigj Gurakuqi, Lef Nosi etj.

Gjithashtu merrte pjesë edhe e vetmja veprimtare grua me të drejta të plota në konferencë, Parashqevi Qiriazi, si edhe përfaqësues nga kolonitë shqiptare jashtë atdheut.

Delegacioni shqiptar mbrojti platformën për njohjen e pavarësisë brenda kufijve të vitit 1913. Përmes memorandumeve zyrtare, ata argumentuan se caktimi i kufijve duhej të bazohej në parimin e vetëvendosjes së popujve (promovuar nga presidenti amerikan Wilson), duke përfshirë në shtetin shqiptar edhe Kosovën e Çamërinë. Megjithatë, marrëveshjet sekrete të luftës (si Traktati i Londrës i vitit 1915) dhe interesat e Fuqive të Mëdha krijuan pengesa serioze për njohjen e kërkesave shqiptare.

Ky proces u konkretizua me Kongresin e Lushnjës (janar 1920), i cili shënoi marrjen e iniciativës sovrane për konsolidimin e institucioneve shtetërore dhe legjitimimin e pavarësisë kombëtare.

Konferenca e Paqes e Parisit (18 janar 1919 – 21 janar 1920) pati si qëllim kryesor vendosjen e një rendi të ri botëror për të parandaluar një konflikt të ri. Në konferencë mori pjesë edhe presidenti amerikan Woodrow Wilson (i cili shkelte për herë të parë në kontinentin e vjetër). Ai shpalosi një program me 14 pika, ku në qendër ishte parimi i vetëvendosjes së popujve.

Shqipëria doli pa një zgjidhje përfundimtare për çështjen e statusit të saj dhe kufijve tokësorë. Kjo gjë diktoi nevojën për një riorganizim politik në vend, që do të rimerrej në Konferencën e Ambasadorëve të vitit 1921, ku u pranua sovraniteti i Shqipërisë në kufijtë e vitit 1913.

The post Konferenca e Paqes e Parisit dhe çështja e kufijve të Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Rishikim i ligjit të arsimit të lartë në funksion të ndërkombëtarizimit të universiteteve

18 January 2026 at 10:41

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama nënvizoi sot rëndësinë e rishikimit të ligjit të arsimit të lartë në funksion të ndërkombëtarizimit të universiteteve.

Gjatë podkastit “Flasim”, Kryeministri vlerësoi rëndësinë e mbledhjes së Konferencës së Rektorëve gjatë javës që lamë pas, të cilën e cilësoi si një takim të rëndësishëm për vazhdimin e përpjekjes së përbashkët mes qeverisë dhe universitetit, botës akademike, në funksion të rritjes së cilësisë së arsimit të lartë.

“Ky diskutim i hapur është zhvilluar në funksion të ndërkombëtarizimit të arsimit tonë të lartë dhe në funksion të racionalizimit të burimeve dhe potencialeve në arsimin tonë të lartë”, tha Rama.

Kryeministri bëri të ditur se në këtë takim ka paraqitur sfidat mbi të cilat duhet të vendosen piketat e reja, duke filluar nga një rishikim i ligjit “Për arsimin e lartë”.

“Ka ardhur koha, pasi tanimë është krijuar një eksperiencë. Ligji na mundësoi një përmbysje të madhe, por sot është e qartë që, mbi bazën e eksperiencës dhe, natyrisht, të sfidave të reja, ligji duhet të rishikohet dhe këtë gjë do ta bëjmë së bashku, pa diskutim, me universitetet. Nga ligji, pra, deri te rritja e përpjekjeve për të shtuar zinxhirin që tanimë ka filluar të shtrihet në territor, të ndërkombëtarizimit përmes partneriteteve të ngushta me universitete të njohura në Evropë dhe botë dhe përmes programeve të përbashkëta”, u shpreh Rama.

Po ashtu, Kryeministri theksoi se “një aspekt tjetër është edhe qasja ndaj financimit. Për këto do të flasim më hollësisht në takimin që ne mbajmë rregullisht si një këshill i përbashkët, po themi joformal, por shumë efikas, mes qeverisë dhe përfaqësuesve të universiteteve, ku këtë radhë do të jenë ftuar të gjithë përfaqësuesit, pa dallim të universiteteve publike dhe atyre private, ose më saktë, universiteteve publike me financim shtetëror dhe universiteteve publike me financim privat”.

/m.m/r.e/

The post Rama: Rishikim i ligjit të arsimit të lartë në funksion të ndërkombëtarizimit të universiteteve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Takim urgjent i 27 ambasadorëve të BE-së për tarifat BE-SHBA

18 January 2026 at 10:37

BRUKSEL, 18 janar /ATSH-ANSA/ – Ambasadorët nga 27 vendet e Bashkimit Evropian do të mblidhen sot për një takim urgjent pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, premtoi një valë tarifash në rritje ndaj aleatëve evropianë derisa Shtetet e Bashkuara të lejohen të blejnë Groenlandën.

Reuters raportoi në faqen e saj të internetit, duke vënë në dukje se Qiproja, e cila mban presidencën gjashtëmujore të BE-së me rotacion, njoftoi këtë mbrëmje se ka thirrur takimin për ditën e sotme.

Diplomatët e BE-së thanë se ”takimi është planifikuar të fillojë në orën 17:00”. /os/

The post BRUKSEL – Takim urgjent i 27 ambasadorëve të BE-së për tarifat BE-SHBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌