TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama siguroi sot se kjo mazhorancë do të vazhdojë të mbështesë organet e drejtësisë me gjithçka ka në dorë për të bërë detyrën e tyre dhe do të mbetet garante e palëkundur e Reformës në Drejtësi dhe e pavarësisë së drejtësisë nga politika.
Në episodin e fundit për këtë vit të podkastit “Flasim”, kryeministri Rama u ndal te çështje të aktualitetit, ndërsa solli në vëmendje disa nga arritjet kryesore të vendit drejt Bashkimit Europian.
“Shqipëria e 700 tenxhereve politiko-mediatike, ku zien me histeri i gjithë llumi i gjysmë të vërtetave që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, ku linçohen njerëz e familje pa asnjë gajle, për lloj-lloj arsyesh të mosarsyes, nga gjobat e portalexhinjve tek ligësitë e poterexhinjve dhe mllefet e pallavraxhinjve, nuk e mund dhe as nuk e zmbraps dot kurrësesi Shqipërinë e të gjithë kapitujve të hapur të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian”, tha Rama.
Kryeministri solli në vëmendje Shqipërinë turistike me aeroportin kryesor të rajonit, që për të disatin vit edhe këtë vit, ka lënë mbrapa aeroportin historikisht kryesor në Ballkan, atë të Beogradit.
Po ashtu, Rama u ndal te Shqipëria e transformimit digjital dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike, ku paga mesatare ka arritur tanimë në 830 euro.
“Kemi Shqipërinë e transformimit epokal të infrastrukturës, ku kantiere të reja hapen çdo vit, qoftë për arteriet e mëdha të vendit e qoftë për ato të voglat; Shqipërinë e sovranitetit energjetik, e cila brenda këtij mandati të katërt do të jetë ekportuese neto e energjisë dhe s’do të paguajë më asnjë qindarkë për të blerë energji jashtë vendit; Shqipërinë e rilindjes së industrisë ushtarake, e cila do të mikpresë Samitin e NATO-s në 2027-ën dhe do ta mbrojë atë ditë qiellin me dronët e prodhuar në vendin tonë”, u shpreh Kryeministri.
Rama tha se “Shqipëria e 700 tenxhereve politiko-mediatike dhe histerike, nuk e mund dhe nuk e përul dot as në moralin e luftës kundër korrupsionit”.
“Nuk e mund dhe nuk e përul dot Shqipërinë e Reformës në Drejtësi, Shqipërinë e Pavarësimit të Drejtësisë nga Pushteti Politik, Shqipërinë e qeverisur nga forca e pasionit dhe vullnetit shtetndërtues, ku për herë të parë në histori, një parti në pushtet i hap rrugën drejtësisë për të pastruar me fshesën e ligjit edhe oborrin deri dje të ndaluar të pushtetit politik, përfshirë edhe pjesën e saj në atë oborr”, tha Kryeministri.
Kjo Shqipëri, sipas tij, nuk përulet dot nga Shqipëria e 700 tenxhereve politiko-mediatike, që nuk duan drejtësi për Shqipërinë, po duan destabilizim.
“Shqipëria ime, Shqipëria juaj, Shqipëria e atyre që sot janë fëmijë dhe që meritojnë një vend të sundimit të ligjit dhe jo të sundimit të llumit, nuk do të mundet e as do të përulet dot nga Shqipëria e 700 tenxhereve politiko-mediatike, që nuk duan drejtësi për Shqipërinë, po duan destabilizim, duan rrëmujë, duan shkatërrim në dëm të Shqipërisë, nuk duan drejtësi me ligj po hakmarrje me llum, nuk duan drejtësi po vetëgjyqësi, linçime, poshtërime”, tha Rama.
Kryeministri siguroi se “ne do të vazhdojmë të luftojmë për drejtësinë që i ka munguar këtij shteti qysh në lindjen e tij, 100 e kusur vjet më parë”.
“Ne do të vazhdojmë të mbështesim organet e drejtësisë me gjithçka kemi në dorë për të bërë detyrën e tyre dhe do të mbetemi garantët e palëkundur të Reformës në Drejtësi, e të pavarësisë së drejtësisë nga politika, duke vazhduar të mbetemi zëri dhe forca më e madhe e shqiptarëve për Shqipërinë që askush tjetër nuk e mbron dot si ne, nuk e ndryshon dot si ne, nuk e bën dot siç do ta bëjmë ne, Shqipërinë në Bashkimin Europian”, tha Rama.
/m.m/r.e/
The post Rama: 700 tenxheret politiko-mediatike nuk e përulin dot Shqipërinë e Reformës në Drejtësi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.