Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 31 December 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

Jiang Lin, gruaja e parë që fiton garën me jahte në Australi

31 December 2025 at 12:54

SIDNEJ, 31 dhjetor /ATSH-DPA/-  Jiang Lin është bërë gruaja e parë që fiton garën me jahte “Sydney Hobart”, pasi jahti i saj “Min River” u shpall fitues i edicionit të 80-të.

Lin dhe bashkë-kapitenia, Alexis Loison fituan kur zyrtarët e garës penalizuan anijen franceze BNC për shkelje të rregullave të velave, duke i hequr vendin e parë dhe duke ia dhënë  fitoren “Min River” në edicionin e 80-të të garës.

BNC me flamurin e Kaledonisë së Re, e drejtuar nga kapitenët Michel Quintin dhe Yann Rigal, dukej se ishte gati për fitoren e përgjithshme përpara se komiteti i garës të vendoste një penalitet – prej një ore e pesë minutash – pas një proteste të suksesshme.

Triumfi shënoi një moment historik – jahtin e parë fitues të drejtuar nga një kapitene femër.

“As në ëndrrat e mia më të çmendura nuk mendoja se kjo do të bëhej realitet”, tha 60-vjeçarja Lin.

Gara e Jahteve Sydney Hobart është një ngjarje vjetore dhe konsiderohet gjerësisht si një nga garat më të vështira të jahteve në det të hapur, në botë. //a.i/

 

 

 

The post Jiang Lin, gruaja e parë që fiton garën me jahte në Australi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Merz: Ne duhet të rrisim fuqinë tonë parandaluese

31 December 2025 at 12:47

BERLIN, 31 dhjetor /ATSH-AA/ – Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se partneriteti midis SHBA-së dhe Evropës po ndryshon, që do të thotë se ato duhet të mbrojnë interesat e tyre më fort.

Kancelari Merz publikoi një video-mesazh me rastin e Vitit të Ri.

“Partneriteti ynë me SHBA-në, e cila ka qenë prej kohësh garantues i besueshëm i sigurisë sonë, po ndryshon gjithashtu. Për ne evropianët, kjo do të thotë se ne duhet të mbrojmë interesat tona edhe më fort me forcën tonë”, tha Merz në mesazhin e tij.

Ai theksoi se në Evropë po vazhdon një luftë e tmerrshme. “Kjo luftë kërcënon drejtpërdrejt lirinë dhe sigurinë tonë. Ekonomia jonë është nën presion për shkak të reformave të nevojshme, kostove të larta dhe konflikteve globale tregtare. Gjithashtu teknologjitë e reja po ndryshojnë rrënjësisht jetën tonë të punës dhe mënyrën se si jetojmë së bashku”, shtoi Merz.

Sipas tij, lufta Rusi-Ukrainë i prek drejtpërdrejt edhe ata. “Po shohim gjithnjë e më qartë se agresioni i Rusisë ishte dhe është ende pjesë e një plani kundër të gjithë Evropës. Gjermania është gjithashtu subjekt i sabotimit, spiunazhit dhe sulmeve kibernetike çdo ditë”, tha kancelari gjerman.

Merz potencoi rikthimin e proteksionizmit në ekonominë globale.

“Varësia jonë strategjike nga lëndët e para po përdoret gjithnjë e më shumë si mjet presioni politik që është kundër interesave tona. Këto ndryshime gjeopolitike ndikojnë shumë në prosperitetin tonë dhe ne e ndiejmë këtë si një vend eksportues. Në këtë situatë, ne kemi nevojë për kreativitetin dhe produktivitetin e ekonomisë sonë. Megjithatë, vonesa në reformat e brendshme po dëmton potencialin e kompanive tona. Po bëhet gjithnjë e më e vështirë për to të mbijetojnë në konkurrencën ndërkombëtare”, tha ai.

Merz shtoi se shoqëria gjermane po plaket dhe kjo sjell me vete sfida sociale.

Ai tha se kapërcimi i çdo sfide është në duart e tyre dhe se ato nuk janë lodër për fuqitë e mëdha. “Ne duhet të rrisim fuqinë tonë parandaluese. Duam të rrisim fuqinë tonë mbrojtëse në mënyrë që të mos na duhet të mbrohemi”, u shpreh Merz.

Sipas tij, Gjermania dhe Evropa morën vendime të rëndësishme për të ulur migracionin e parregullt. “Ne po vendosim përsëri vetë se kush hyn në vendin tonë dhe kush detyrohet të largohet. Ne kemi krijuar stimuj të rinj për migrimin e ligjshëm dhe të rregullt dhe në të njëjtën kohë kemi mbyllur rrugët për migrimin e paligjshëm dhe të parregullt. Për ne, njerëzimi dhe rendi janë dy anët e së njëjtës medalje”, tha Merz.   /os/

The post GJERMANI – Merz: Ne duhet të rrisim fuqinë tonë parandaluese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kiritimati, i pari vend që feston vitin 2026, i ndjekur nga Zelanda e Re

31 December 2025 at 12:33

KIRITIMAT, 31 dhjetor /ATSH-DPA/-  Viti 2026 ka nisur zyrtarisht – pasi rreth 7 300 banorë të Kiritimatit në Paqësorin Jugor – e pritën Vitin e Ri në mesnatë.

Kiritimati, i njohur edhe si Ishulli i Krishtlindjeve, është një atol në Oqeanin Paqësor në Ishujt veriorë Line. Është pjesë e Republikës së Kiribatit. Emri i tij rrjedh nga fjala angleze “Christmas” e shkruar në gjuhën gilberteze.

Atoli me 320 kilometra katrorë sipërfaqe toke dhe laguna, i përket republikës ishullore të Kiribatit, e cila ka disa zona kohore dhe shtrihet përgjatë ekuatorit në mes të Paqësorit Jugor.

Vetëm 15 minuta më vonë, Ishujt Chatham, të cilët i përkasin Zelandës së Re, ishin të radhës që festuan Vitin e Ri.

Ishujt, me një popullsi prej pak më shumë se 700 banorësh, ndodhen rreth 800 kilometra në lindje të Zelandës së Re dhe kanë zonën e tyre kohore.

Në orën 11:00, Zelanda e Re dhe kombet ishullore të Samoas dhe Tongës gjithashtu ndezën fishekzjarrët.

Në Zelandën e Re, monumentet e qytetit më të madh, Auckland, ishin në qendër të shfaqjeve të hollësishme të dritave dhe fishekzjarrëve – më së shumti Kulla e Qiellit – 328 metra e lartë – kulla më e lartë në hemisferën jugore.

Shfaqje dritash dhe muzika shënuan gjithashtu ardhjen e vitit të ri në kryeqytetin Wellington.

Festimet në plazhin Bondi në Sidnej u anuluan

Në orën 13:00, është radha e Sidnejit. Në metropolin australian, 9 tonë fishekzjarrë do të hidhen në qiell rreth Urës ikonike të Portit dhe Shtëpisë së Operas.

Megjithatë, pas sulmit vdekjeprurës terrorist në plazhin Bondi dy javë më parë, festimet në plazhin e famshëm janë anuluar.

Samoa Amerikane, e vendosur vetëm 220 kilometra në lindje të Samoas në anën tjetër të Vijës Ndërkombëtare të Datave, do të jetë vendi i fundit i banuar në Tokë që do të mirëpresë Vitin e Ri. //a.i/

The post Kiritimati, i pari vend që feston vitin 2026, i ndjekur nga Zelanda e Re appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Autoriteti i Konkurrencës, analizë krahasuese të ecurisë së çmimeve për produktet e shportës

31 December 2025 at 12:26

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Autoriteti i Konkurrencës bën të ditur se është drejt përfundimit procesi i mbledhjes së të dhënave lidhur me çmimet e produkteve të shportës për periudhën tetor–nëntor–dhjetor, duke përfshirë të gjitha hallkat e zinxhirit të furnizimit dhe tregtimit.

Sipas njoftimit zyrtar, pas përmbylljes së kësaj faze, do të kryhet një analizë e detajuar krahasuese e ecurisë së çmimeve për secilin produkt, me synimin për të identifikuar çdo rritje të mundshme të pajustifikuar që mund të jetë pasojë e sjelljeve jo konkurruese apo e koordinimit të paligjshëm ndërmjet operatorëve ekonomikë.

AK sqaron se analiza do të përqendrohet në krahasimin e çmimeve ndërmjet periudhave të ndryshme kohore, vlerësimin e strukturës së kostove dhe marzheve të fitimit, si dhe në evidentimin e çdo praktike që mund të cenojë konkurrencën e ndershme në treg.

Në rast se nga analiza statistikore dhe ekonomike do të konstatohen rritje të pajustifikuara të çmimeve apo praktika të ndaluara nga legjislacioni në fuqi, Autoriteti i Konkurrencës bën të ditur se do të ndërmarrë pa hezitim veprimet përkatëse ligjore, përfshirë hapjen e procedurave hetimore ndaj subjekteve përgjegjëse.

Autoriteti i Konkurrencës thekson se mbetet i angazhuar për garantimin e funksionimit të drejtë të tregut, mbrojtjen e konkurrencës dhe interesit të konsumatorëve, duke ushtruar me përgjegjësi të plotë kompetencat e tij ligjore. e.xh/j.p/

The post Autoriteti i Konkurrencës, analizë krahasuese të ecurisë së çmimeve për produktet e shportës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – SHBA-ja dhe Izraeli i caktojnë Hamasit afat për dorëzimin e armëve

31 December 2025 at 12:22

TEL AVIV, 31 dhjetor /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kanë rënë dakord për një afat dymujor për çarmatimin e milicisë islamike palestineze Hamas, tha sot një burim i mirëinformuar për çështjen.

Vendimi u ra dakord nga presidenti amerikan, Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu gjatë bisedimeve të hënën në Florida.

Ekipet e ekspertëve nga të dy vendet po punojnë për të vendosur kritere të qarta, të dakorduara reciprokisht, që përcaktojnë se çfarë do të përbënte çarmatimin praktik të Hamasit”, shkroi gazeta “Israel Hayom” pas takimit.

Sipas raporteve të medias, Hamasi mund të jetë i gatshëm të dorëzojë armë të rënda si raketat, por të mbajë armët e lehta.

Megjithatë, përfaqësuesit izraelitë janë të shqetësuar se Hamasi mund të përpiqet të mbajë shumicën e armëve dhe pajisjeve ushtarake që aktualisht ka në dispozicion.

“Si Izraeli ashtu edhe SHBA-ja kanë rënë dakord se një skenar i tillë do të ishte i papranueshëm”, shkroi “Israel Hayom”, duke cituar bisedimet e udhëheqësve.

Netanyahu thuhet se ka informuar Trump se Hamasi ende ka rreth 60,000 pushkë sulmi Kalashnikov në dispozicion në Rripin e Gazës.

Gazeta shtoi se ishte rënë dakord që çarmatimi i Hamasit dhe demilitarizimi i Gazës do të përfshinte edhe shkatërrimin e sistemit të tuneleve nëntokësore.

Nëse kjo dështon, Izraeli do të rifillojë operacionet e tij ushtarake kundër grupit.

“Nëse Hamasi nuk çarmatoset, siç pritet gjerësisht në Izrael, përgjegjësia për hapat e mëtejshëm do t’i kalojë Izraelit dhe Forcave Mbrojtëse të Izraelit”, shkroi gazeta.

Përveç dorëzimit të armëve nga Hamasi, faza e dytë e planit të paqes së Trump kërkon që Izraeli të tërheqë trupat e tij nga zona bregdetare kryesisht e shkatërruar.

Megjithatë, Hamasi ende po i reziston kërkesave për çarmatimin e tij gjithëpërfshirës.

Konsiderohet jashtëzakonisht e pamundur që forca e planifikuar ndërkombëtare e stabilizimit të marrë përsipër procesin e çarmatimit. //a.i/

The post FOKUS – SHBA-ja dhe Izraeli i caktojnë Hamasit afat për dorëzimin e armëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Holanda miraton ndalimin e fishekzjarrëve në vitin 2026 për të mbrojtur kafshët

31 December 2025 at 12:08

AMSTERDAM, 31 dhjetor /ATSH/- Në një fitore historike për mbrojtjen e kafshëve, parlamenti holandez ka votuar për të ndaluar shitjen publike dhe përdorimin e fishekzjarrëve në të gjithë vendin. Ligji do të hyjë në fuqi në natën e Vitit të Ri 2026, sipas “World Animal News.

Ky vendim shënon një ndryshim të madh drejt mbrojtjes si të kafshëve ashtu edhe të njerëzve nga rreziqet dhe traumat e shkaktuara nga fishekzjarrët çdo vit.

Për kafshët, fishekzjarrët janë shumë më tepër sesa një festë me zë të lartë, shpesh ato janë kërcënuese për jetën.

Kafshët shpesh panikohen, ikin ose lëndohen duke u përpjekur t’i shpëtojnë shpërthimeve shurdhuese.

Edhe jeta e egër vuan jashtëzakonisht shumë, me zogj të trembur, kafshë që braktisin foletë dhe shumë të tjera nund të përjetojnë stres të madh që mund të çojë në tronditje ose vdekje.

Shumica e deputetëve holandezë mbështetën vendimin për ndalimin e fishekzjarrëve për konsumatorët, duke përmendur shqetësime serioze për sigurinë publike dhe mirëqenien e kafshëve.

Megjithatë, ligjvënësit miratuan gjithashtu një mocion për të shtyrë datën e fillimit të ndalimit, duke pranuar kërkesat potencialisht të rëndësishme për kompensim që priten nga furnizuesit e fishekzjarrëve.

Pavarësisht kësaj vonese, vendimi përcakton një afat kohor të qartë për të hequr gradualisht fishekzjarrët, një herë e përgjithmonë.

Holanda tani i bashkohet një numri në rritje të vendeve dhe qyteteve në të gjithë botën që po ndërmarrin hapa të guximshëm për të eliminuar traditën e dëmshme të fishekzjarrëve për konsumatorët. //a.i/

 

The post Holanda miraton ndalimin e fishekzjarrëve në vitin 2026 për të mbrojtur kafshët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Proda uron festat: Qytetarët, aleati kryesor i Policisë

31 December 2025 at 12:07

TIRANË, 31 dhjetor/ATSH/ Në prag të ndërrimit të viteve, drejtuesi i Policisë së Shtetit, Ilir Proda uroi festa të mbara.

Proda shprehu mirënjohjen e tij për çdo punonjës të Policisë së Shtetit, për angazhimin, përkushtimin dhe sakrificën e treguar çdo ditë, duke vënë shpesh në plan të dytë familjen dhe sigurinë e tyre.

Proda tha se “viti që po lëmë pas nuk ka qenë i thjeshtë, ka qenë sfidues, një vit përgjegjësish të mëdha dhe sakrificash, të cilat na kanë lidhur më fort me njëri-tjetrin, me qytetarët dhe me partnerët, na kanë forcuar dhe na kanë bërë më të qartë se si duhet të jemi dhe çfarë duhet të bëjmë, për të qenë të denjë për misionin tonë”.

“Me përzemërsi të thellë uroj familjarët e Dëshmorëve të Policisë, të cilët kanë në tryezë një pjesëtar më pak, por në historinë e kombit, një hero më shumë”, u shpreh Proda.

Po ashtu, ai përcolli falënderim dhe urim të sinqertë për qytetarët, për rolin e tyre të rëndësishëm, të cilët, nëpërmjet besimit dhe bashkëpunimit, kanë përforcuar pozitën e tyre si aleat kryesor për Policinë. “Për gazetarët dhe mediat, për rolin e tyre të rëndësishëm në informimin e publikut dhe forcimin e transparencës; si dhe për partnerët tanë kombëtarë e ndërkombëtarë, bashkëpunimi me të cilët ka qenë sinergji kapacitetesh, investimesh, angazhimi dhe profesionalizmi, në funksion të garantimit të sigurisë”, vijoi Proda.

Proda nënvizoi se Policia e Shtetit është në gatishmëri për përmbushjen e detyrave, në çdo cep të vendit, për të garantuar një ndërrim vitesh të sigurt dhe të qetë.

Në fund, Proda uroi një Vit të Ri të gëzuar, shëndet, paqe dhe mbarësi!

“Bashkë, me përgjegjësi dhe besim, për të ndërtuar përgjatë vitit 2026, një vend edhe më të sigurt”, tha ai.

/e.i/j.p/

The post Proda uron festat: Qytetarët, aleati kryesor i Policisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Kina: Holanda dështoi të marrë përgjegjësinë për krizën e furnizimit me çipa

31 December 2025 at 12:03

PEKIN, 31 dhjetor /ATSH-AA/ – Kina është ankuar se Holanda po tregon “mungesë të plotë të përgjegjësisë” lidhur me një krizë të zinxhirit të furnizimit me gjysmëpërçues,(çipa) për të cilën Pekini fajëson “ndërhyrjen” holandeze te prodhuesi i çipave Nexperia.

Një zdhënësi Ministrisë së Tregtisë, sipas agjencisë Xinhua News, tha se Pekini ka përsëritur se “ndërhyrja e papërshtatshme administrative” e palës holandeze në punët e brendshme të Nexperia-s ka shkaktuar krizë globale të zinxhirit të furnizimit me gjysmëpërçues.

Sipas zëdhënësit, Pekini përsëriti thirrjet që pala holandeze “të përmbahet nga veprime, të korrigjojë menjëherë shkeljet e saj dhe të heq çdo pengesë që dëmton stabilitetin dhe sigurinë e industrisë globale të gjysmëpërçuesve dhe zinxhirëve të furnizimit”.

Prodhuesi i gjysmëpërçuesve Nexperia është një degë jashtë vendit në pronësi të kompanisë kineze Wingtech Technology Co.

Qeveria holandeze mori kontrollin e kompanisë Nexperia në fund të shtatorit, duke përmendur shqetësime për transferimin e mundshëm të teknologjisë te Wingtech. Për këtë, ajo përdori për herë të parë kompetenca të posaçme sipas një ligji holandez të njohur si Akti i Disponueshmërisë së Mallrave.

Ky veprim, i cili bllokoi vendime menaxheriale të konsideruara kërcënim për sigurinë holandeze dhe evropiane, pasoi paralajmërimet e SHBA-së për lidhjet e kompanisë Nexperia me Kinën.

Wingtech e quajti ndërhyrjen e qeverisë holandeze në Nexperia “ndërhyrje të tepruar të nxitur nga paragjykime gjeopolitike”.  /os/

The post FOKUS – Kina: Holanda dështoi të marrë përgjegjësinë për krizën e furnizimit me çipa appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Hapa historikë drejt BE-së në 2025-ën, vijojmë procesin me vendosmëri

31 December 2025 at 12:02


TIRANË, 31 dhjetor/ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropalli, përcolli sot një mesazh urimi në prag të ndërrimit të viteve, duke vlerësuar 2025-ën si një vit sfidash, por edhe arritjesh të rëndësishme për Shqipërinë, veçanërisht në rrugën e integrimit evropian.

Në mesazhin e saj, Spiropalli theksoi se arritja më domethënëse e vitit që po mbyllet ishte hapja e të gjithë grupkapitujve të negociatave me Bashkimin Evropian brenda vetëm 13 muajsh, një ritëm i paprecedent për një vend kandidat.

Sipas saj, Shqipëria është sot vendi që ecën më shpejt drejt familjes së saj natyrale evropiane dhe se procesi i integrimit nuk matet më me “nëse”, por me “kur”.

Ministrja vuri në dukje se sfida më e madhe nis tani, pasi shpejtësia e hapjes së grupkapitujve duhet të shoqërohet me të njëjtin intensitet reformash shtetndërtuese dhe me përmbushjen e të gjitha kushteve të kërkuara.

Ajo nënvizoi se në vitin 2026 qeveria do të vijojë ta udhëheqë këtë proces me vizion dhe vendosmëri, duke forcuar bashkëpunimin e ngushtë me partnerët evropianë.

Duke u ndalur te diaspora, Spiropalli tha se viti 2025 do të mbahet mend si viti kur u bë realitet premtimi për votën e diasporës, ndërsa theksoi se të drejtat e shqiptarëve nuk fillojnë dhe nuk mbarojnë te kutia e votimit. Sipas saj, ligji i ri për diasporën krijon për herë të parë një mekanizëm të unifikuar që mbron dhe promovon të drejtat e shqiptarëve kudo, nga Tirana deri në Kaliforni.

Në fushën e politikës së jashtme, ministrja theksoi se vizitat diplomatike në vende të ndryshme dhe pritja në Tiranë e partnerëve ndërkombëtarë dëshmojnë se diplomacia shqiptare është më aktive, më e besueshme dhe më e respektuar se kurrë më parë.

“Viti i ri na gjen në një stad të ri, me përgjegjësi dhe ambicie më të larta”, u shpreh Spiropalli, duke shtuar se 2026 do të nisë me pensione dhe paga më të larta, rritje rekord të investimeve dhe një trend të përshpejtuar të rritjes ekonomike.

Ajo theksoi se objektivi kryesor mbetet përmbyllja e reformave shtetndërtuese, avancimi i negociatave dhe garantimi i respektit dhe dinjitetit për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo në botë, ndërsa diplomacia shqiptare do të vijojë të mbështesë këtë realitet të ri dhe të bëjë që zëri i arsyes dhe i Evropës të dëgjohet për Shqipërinë dhe qytetarët e saj. /j.p/

The post Spiropali: Hapa historikë drejt BE-së në 2025-ën, vijojmë procesin me vendosmëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ushqimet e përshtatshme për kafshët shtëpiake në darkën e Vitit të Ri

31 December 2025 at 11:51

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/- Ndërsa sezoni i festave afrohet, kafshët shtëpiake bëhen gjithashtu aktorë kryesorë në mbledhjet familjare, sipas “Skytg24”.

Midis drekave, darkave dhe dollive të Vitit të Ri, ka një interes në rritje për produktet e dizenjuara posaçërisht për qentë, të frymëzuara nga klasiket e festave, por të përgatitura me përbërës të përshtatshëm për ta.

Megjithatë, është e rëndësishme t’i kushtoni vëmendje etiketave dhe përbërjes së ushqimit, veçanërisht nëse kafshet tuaja janë intolerante ose alergjike, dhe mos harroni se shumë ushqime të destinuara për njerëzit (sidomos ëmbëlsirat, dhe jo vetëm) nuk janë të përshtatshme për kafshët shtëpiake.

Panettone dhe ëmbëlsira për kafshët shtëpiake

Ndër produktet më të njohura për miqtë tanë me katër putra është panettone e përgatitur posaçërisht për qentë.

“Canettone” është një panettone artizanale prej 125 gramësh, e përbërë me përbërës natyralë dhe patate të skuqura, një alternativë e sigurt ndaj çokollatës.

Gjithashtu në dispozicion janë edhe “Canettone” me proshutë të gatuar.

“Biscodog”

Gjithashtu, një përzgjedhje tjetër për kafshët tuaja shtëpiake përfshin Panettone klasike “Dolcettone” dhe versionin me salmon.

Për qentë më të vegjël, ekziston “Pawnettone”, një bukë e ëmbël tradicionale italiane me një teksturë të lehtë, me shije gjalpi, që shijohet kryesisht gjatë festave të Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri.

“Biscodog” janë biskota dhe ëmbëlsira Krishtlindjesh të projektuara për ushqim për kafshët shtëpiake.

Pije “festive” për qen

Krahas ëmbëlsirave, ka edhe pije të krijuara për të shoqëruar dollitë e Vitit të Ri.

Produkte si “Champawn Dog”, “Pawsecco”,  shampanjë “Sweet Impronte Special Cuvée” për qen dhe “The Dog Wine Bundle” janë pa alkool dhe mund t’u shërbehen në sasi të vogla miqve me katër putra.

Është e rëndësishme të mbani mend se pijet alkoolike, sheqernat, çokollata dhe rrushi i thatë mund të jenë të dëmshme për kafshët shtëpiake.

Kujdes nga ëmbëlsirat 

Është e rëndësishme të mbani mend se pijet alkoolike, sheqernat, çokollata, rrushi, rrushi i thatë (dhe ushqime të tjera) mund të jenë të dëmshme për kafshët shtëpiake.

Edhe kur zgjidhni produkte të krijuara posaçërisht për to, është thelbësore t’i kushtoni vëmendje sasive dhe përbërësve.

Perfshirja e ushqimeve të ndryshme nga dieta e zakonshme, veçanërisht gjatë një periudhe si festat, mund të ketë pasoja në shëndetin e kafshëve tuaja.

Prandaj, është gjithmonë e këshillueshme që të moderoni porcionet dhe të vlerësoni çdo rast individualisht, veçanërisht nëse ka ndjeshmëri ose intoleranca, dhe të konsultoheni me veterinerin tuaj nëse është e nevojshme. //a.i/

The post Ushqimet e përshtatshme për kafshët shtëpiake në darkën e Vitit të Ri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Lavrov: Nuk ka zgjidhje nëse Ukraina vazhdon të na sulmojë

31 December 2025 at 10:33

MOSKE, 31 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Jam i bindur se natyra raciste e regjimit të Kievit dhe cinizmi i sponsorëve të tij të jashtëm janë qartësisht të dukshme për anëtarët e ndershëm të bashkësisë ndërkombëtare, theksoi ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, duke falënderuar “miqtë dhe partnerët tanë të huaj që dënuan sulmin terrorist ndaj rezidencës së Vladimir Putinit”.

Kievi nuk e kupton se pa i dhënë fund gjithë kësaj politike kriminale, negociatat për të arritur një zgjidhje të besueshme dhe të qëndrueshme për krizën ukrainase nuk do të jenë të suksesshme”, theksoi Lavrov.

Ndërkohë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky njoftoi sot se javën e ardhshme në Francë do të zhvillohet një takim me liderët e vendeve aleate të Kievit, në kuadër të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës.

”Takimi, i planifikuar për më 6 janar, pritet të paraprihet nga një tjetër takim në Ukrainë, në nivelin e këshilltarëve të sigurisë të vendeve aleate të Kievit”, shtoi Zelensky në platformën X. /os/

The post RUSI – Lavrov: Nuk ka zgjidhje nëse Ukraina vazhdon të na sulmojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rreth 250 miliardë lekë kredi të reja për bizneset

31 December 2025 at 10:33

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Kredia për bizneset ka vijuar të rritet me një ritëm të qëndrueshëm gjatë vitit 2025, duke reflektuar një përmirësim të ndjeshëm veçanërisht në gjysmën e dytë të vitit, bëjnë të ditur të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Sipas statistikave të BSH-së, për periudhën 11-mujore të vitit 2025, sektori bankar ka disbursuar gjithsej rreth 250 miliardë lekë kredi të reja për bizneset, duke shënuar një rritje vjetore prej 6.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Të dhënat tregojnë se rritja e kreditimit është mbështetur kryesisht nga sektorët kryesorë të ekonomisë, ku pjesën më të madhe të kredisë së re e kanë përfituar sektori i shërbimeve dhe hoteleri-turizmit, industria përpunuese, si dhe industria ushqimore.

Sipas Bankës së Shqipërisë, përmirësimi i kërkesës për kredi nga bizneset reflekton rritjen e aktivitetit ekonomik, përmirësimin e klimës së besimit dhe kushte më të favorshme financimi në sistemin bankar.

Banka Qendrore vlerëson se tendenca pozitive e kreditimit për bizneset ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në mbështetjen e investimeve, zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe forcimin e sektorëve kyç të ekonomisë.

BSH thekson do të vijojë të ndjekë nga afër zhvillimet në tregun e kreditimit, me synimin për të ruajtur stabilitetin financiar dhe për të mbështetur rritjen e qëndrueshme ekonomike në vend. e.xh/j.p/

The post Rreth 250 miliardë lekë kredi të reja për bizneset appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çela për ATSH-në: Aplikacioni TEA, 170 mijë shkarkime në 2025-ën

31 December 2025 at 10:31

TIRANË, 31 dhjetor/ATSH/ Aplikacioni TEA (Tourism Events of Albania) gjatë këtij viti që po mbyllet ka ofruar një përvojë të përmirësuar dhe më gjithëpërfshirëse për të gjithë ata që kanë eksploruar bukuritë natyrore dhe kulturore të Shqipërisë.

Falë TEA-s turistët kanë shijuar krahas natyrës, maleve, detit e kulinarisë, edhe eventet kulturore e artistike.

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela bën të ditur për ATSH-në se “TEA, guida digjitale e eventeve është shkarkuar 170 mijë herë, në krahasim me 2024 kur është shkarkuar 90 mijë herë”.

“Ky aplikacion në krahasim me vitin 2024 ka pësuar rritje. Në 2024 në TEA janë përfshirë 2144 aktivitete, ndërsa në 2025, 3331 aktivitete, ku vendin kryesor e zënë ato të Agroturizmit, Art Fest, Festivale Muzikore, Artet Pamore, Trashëgimi Kulturore dhe Teatër”, tha Çela.

AKT promovon Shqipërinë globalisht si një destinacion autentik, të sigurt dhe mikpritës, me një ofertë të larmishme.

“Agjencia zbaton një paketë të integruar promovimi; përveç prezantimit të Shqipërisë në panaire të rëndësishme ndërkombëtare, promovimi digjital ka qenë shumë i rëndësishëm për suksesin. Promovimi digjital dhe marketingu tradicional ecin krah për krah, duke përdorur teknologjitë e reja dhe duke krijuar aplikacione digjitale, si aplikacioni TEA, TEA Digital Tourism App”, theksoi Çela.

Sipas saj, aplikacioni TEA është një zgjidhje inovative e zhvilluar nga AKT-ja, që vendos teknologjinë digjitale në qendër të promovimit të turizmit.

“TEA shërben si një asistent personal për udhëtarët, duke ofruar aktivitete kulturore, artistike dhe sportive, si dhe shërbime praktike”, tha Çela.

Disa nga vendet ku është shkarkuar ky aplikacion janë Shqipëria, Italia, SHBA, Anglia, Franca, Spanja, Turqia, Holanda, Kosova etj.

Aplikacioni TEA, i vetmi udhërrëfyes digjital i Shqipërisë turistike është një shembull i shkëlqyer sesi teknologjia mund të përdoret për të përmirësuar dhe modernizuar përvojën turistike, duke ofruar informacion të shpejtë, të saktë dhe të përshtatur për turistët.

Me TEA, turistët navigojnë nëpër destinacione të ndryshme turistike të Shqipërisë. Ata njihen me monumentet historike, aktivitetet kulturore dhe artistike, por edhe informacion mbi shërbimet utilitare në nevojë të turistëve, si: hotele, bare e restorante, kontakte, etj.

/k.s/j.p/

The post Çela për ATSH-në: Aplikacioni TEA, 170 mijë shkarkime në 2025-ën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari: Kompensohen përfundimisht mbi 13 mijë familje ish-pronarësh

31 December 2025 at 10:29

TIRANË, 31 dhjetor/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari bëri të ditur sot se mbi 13 mijë familje ish-pronarësh do të përfitojnë kompensim financiar nga Agjencia e Trajtimit të Pronave.
Lamallari theksoi se nga sot shteti shqiptar shlyen plotësisht dhe vë në vend përfundimisht të drejtën që u takon.

“Sapo miratuam listën me 3527 subjekte të cilët kompensohen përfundimisht nga Agjencia e Trajtimit të Pronave për pjesën e mbetur prej 30% me një fond prej rreth 1.4 miliard lekë. Mbi 13 mijë familje përfitojnë drejtpërdrejt nga buxheti i alokuar nga qeveria shqiptare”, theksoi Lamallari.

Sipas tij, “ky nuk është thjesht dhe vetëm një akt financiar dhe as vetëm përmbushja e detyrës funksionale por është një akt drejtësie, është respekt për pronën për ligjin dhe për qytetarin”.

“Shteti shqiptar shlyen ndaj tyre pjesën e mbetur prej 30% të kompensimit, si pronarë. Ne jemi të vendosur të vijojmë angazhimin tonë të palëkundur për ta përmbyllur procesin e kompensimit ndaj të gjithë pronarëve, duke përmbushur kështu detyrimin që kemi karshi tyre dhe, sigurisht, si pjesë e angazhimit tonë për standardet evropiane, për një shtet të së drejtës dhe për një të ardhme ku prona, ligji dhe liritë themelore janë të shenjta”, theksoi ministri Lamallari.

/m.m/j.p/

The post Lamallari: Kompensohen përfundimisht mbi 13 mijë familje ish-pronarësh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vigjilja e Vitit të Ri, traditat e festimet anembanë globit

31 December 2025 at 10:16

TIRANË, 31 dhjetor/ATSH/ Çdo vit, më 31 dhjetor, njerëzit në mbarë botën festojnë Natën e Vitit të Ri, nata që ndan ditën e fundit të vitit për të sjellë agimin e vitit të ri kalendarik.

Kjo festë mbarëbotërore është një ditë për t’i thënë “lamtumirë” të vjetrës dhe si një përshëndetje për gjërat e reja që do të vijnë. Vigjilja e Vitit të Ri në kalendarin Gregorian i referohet mbrëmjes, ose zakonisht të gjithë ditës së fundit të vitit, 31 dhjetorit. Në shumë vende, nata e Vitit të Ri festohet me vallëzim, ngrënie, pije dhe hedhje fishekzjarresh.

E njohur edhe si Dita e Shën Silvestrit, vigjilja e Vitit të Ri është një nga festat më emocionuese të vitit. Disa vende, si Filipinet dhe Letonia, e festojnë Natën e Vitit të Ri si një festë publike. Në Japoni, është një festë qeveritare. Në vende të tjera, shumë biznese i lënë punonjësit e tyre të lire në mënyrë që ata të mund të marrin pjesë në festimet e shumta.

Ka shumë arsye pse kultura të ndryshme e konsiderojnë këtë ditë si një nga më të rëndësishmet e vitit. Jo vetëm sepse është një kohë festash dhe festimesh të mëdha në të gjithë botën, por edhe sepse shihet si një pikë kthese e rëndësishme. Përveç se është një kohë për të reflektuar mbi vitin e kaluar, gjithashtu shërben për marrjen e zotimeve të reja.

Shumë njerëz bëjnë premtime të Vitit të Ri. Megjithatë, nga anketimet është vënë re se vetëm 8% e njerëzve i arrijnë ato në të vërtetë. Sociologët thonë se në vend që të bëni premtime që nuk do t’i mbani, është më mirë të vendosni tre ose katër qëllime. Ndarja e qëllimeve në hapa të zbatueshëm dhe rishikimi i progresit tuaj çdo ditë ndihmon në mbajtjen e tyre.

Shumë qytete në të gjithë botën kanë përgatitur tashmë fishekzjarrë, koncerte, numërim mbrapsht dhe argëtime të tjera nga më të ndryshmet. Disa nga qytetet më të famshme për të festuar janë: New York City, Sydney, Bangkok, Dubai, Cape Town, Londër, Paris dhe Las Vegas.

Në Spanjë dhe vende të tjera spanjishtfolëse, është traditë të hash 12 kokrra rrushi gjatë numërimit mbrapsht deri në mesnatë, duke simbolizuar shpresat për vitin e ri. Në të gjithë botën, të hash çdo gjë në formën e një rrethi ose unaze simbolizon përmbushjen e rrethit dhe konsiderohet fat i mirë. /j.p/

The post Vigjilja e Vitit të Ri, traditat e festimet anembanë globit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shtohen kontrollet për sigurinë ushqimore gjatë festave

31 December 2025 at 10:03

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Në prag të festave të fundvitit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka intensifikuar kontrollet dhe këshillimet në terren për garantimin e sigurisë ushqimore, bën të ditur ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla.

Sipas ministrit, kjo nismë po zhvillohet në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese “Shijo Festat me Siguri”, e cila synon rritjen e standardeve të sigurisë ushqimore në një periudhë kur konsumi i produkteve ushqimore shënon rritje të ndjeshme.

Qarku i Vlorës ishte ndalesa e radhës e grupeve të AKU-së, ku fokusi kryesor ishte orientimi dhe këshillimi i operatorëve të biznesit ushqimor mbi rëndësinë e etiketimit të saktë të produkteve ushqimore të paketuara.

Salla nënvizoi se etiketimi në përputhje me legjislacionin në fuqi nuk është vetëm një detyrim ligjor për subjektet tregtare, por një element kyç për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve dhe garantimin e transparencës ndaj tyre.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se kontrollet dhe aktivitetet informuese të AKU-së do të vijojnë edhe në qarqe të tjera të vendit gjatë gjithë periudhës së festave, në bashkëpunim me operatorët e biznesit ushqimor, me qëllim garantimin e produkteve të sigurta dhe cilësore për qytetarët.

Fushata synon gjithashtu rritjen e ndërgjegjësimit të konsumatorëve për rëndësinë e leximit të etiketave ushqimore dhe zgjedhjen e produkteve që përmbushin standardet e sigurisë. e.xh/j.p/

The post Shtohen kontrollet për sigurinë ushqimore gjatë festave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Duka uron Vitin e Ri 2026: Mirënjohje për të gjithë kontributorët e zhvillimit të futbollit

31 December 2025 at 10:01

TIRANË, 31 dhjetor/ATSH/ Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, në prag të festës së ndërrimit të viteve uron të gjithë komunitetin shqiptar të futbollit përmes një video-mesazhi për një vit sa më të mbarë.

Në një video-urim, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar shpreh mirënjohjen e tij për të gjithë ata që kontribuojnë çdo ditë që futbolli shqiptar të zhvillohet, ndërsa vlerëson vitin 2025 si historik për lojën tonë të bukur.

Në mesazhin e tij, Presidenti Duka përmend organizimet e suksesshme të FSHF-së, finalet e Euro U-17 dhe mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Tiranë, si edhe kualifikimin historik të Kombëtares shqiptare në fazën play-off të Botërorit 2026.

“Në prag të ndërrimit të viteve, dua t’i drejtohem të gjithë komunitetit të futbollit shqiptar për të shprehur mirënjohjen time të sinqertë për një vit që do të mbetet gjatë në kujtesën tonë.

Viti që po lëmë pas ka qenë një vit historik për futbollin shqiptar. Një vit ku puna, vizioni dhe përkushtimi u kthyen në rezultate konkrete. Në fushë, në organizim dhe në rritjen e gjithë sistemit tonë futbollistik”, tha ai.

“Shqipëria u konfirmua si një vend dhe partner i besueshëm për futbollin europian, duke pritur me sukses finalet e Kampionatit Europian U-17 dhe duke mikpritur për herë të parë në Tiranë Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Këto ngjarje treguan se futbolli ynë ka arritur një nivel të ri profesionalizmi dhe organizimi”, u shpreh Duka.

Duka nënvizoi se emocionet më të forta i dhuroi Kombëtarja, e cila për herë të parë në histori siguroi kualifikimin në fazën play-off të Botërorit 2026.

“Një arritje që na bëri krenarë dhe që dëshmon se ëndrrat e mëdha janë të arritshme kur punohet me seriozitet dhe besim. Uroj shumë që ky rrugëtim i bukur të kurorëzohet me kualifikimin për herë të parë në finalet e Botërorit”, tha Duka.

Presidenti i FSHF-së shtoi se “gjatë këtij viti kemi vijuar të investojmë në bazat e së ardhmes: në fëmijët dhe të rinjtë, në futbollin e vajzave, në infrastrukturë dhe në mbështetjen e klubeve. Futbolli shqiptar po rritet në numra, në cilësi dhe në ndikim shoqëror”.

“Dua të falënderoj nga zemra të gjithë ata që kontribuojnë çdo ditë në këtë rrugëtim: futbollistët, trajnerët, arbitrat, drejtuesit e klubeve, stafet teknike, administratën e FSHF-së, partnerët tanë, institucionet shtetërore, qeverinë shqiptare për ndihmën e madhe dhe mbështetjen e tyre”, tha Duka.

Në mbyllje të mesazhit, Duka shtoi se me këtë frymë pozitive, hyhet në vitin 2026 me ambicie të forta për të bërë akoma më shumë, për ta çuar më përpara futbollin shqiptar dhe me një ëndërr të madhe për të qenë pjesë Botërorit 2026.

/e.i/j.p/

The post Duka uron Vitin e Ri 2026: Mirënjohje për të gjithë kontributorët e zhvillimit të futbollit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Regjistrim objekteve në ndërtim, më shumë siguri për blerësit e banesave

31 December 2025 at 09:59

TIRANË, 31 dhjetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi një udhëzim të ri që rregullon regjistrimin e punimeve në fazën e karabinasë dhe krijon regjistrin e posaçëm të karabinasë, duke sjellë më shumë siguri juridike dhe lehtësi konkrete për qytetarët që blejnë pasuri të paluajtshme.

Udhëzimi, i miratuar në mbështetje të ligjit “Për kadastrën”, shton një kre të ri në aktin ekzistues për regjistrin e lejes së ndërtimit dhe përcakton procedura të detajuara për regjistrimin e përkohshëm të karabinasë nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, pas konfirmimit të përfundimit të kësaj faze ndërtimore. Ky regjistrim do të administrohet në format digjital dhe do të shërbejë për efekt të kreditimit të zhvilluesve, si dhe për regjistrimin e kontratave të sipërmarrjes, porosisë dhe premtimshitjes.

Për qytetarët, ky akt sjell përfitime të drejtpërdrejta, pasi u jep mundësi blerësve të apartamenteve ose njësive të shërbimit që kontratat e lidhura në fazën e karabinasë të regjistrohen zyrtarisht në kadastër. Kjo rrit ndjeshëm sigurinë juridike, ul rrezikun e mashtrimeve dhe shmang rastet e shitjes së njëjtë të pasurisë tek më shumë se një person.

Regjistrimi i karabinasë krijon gjithashtu një gjurmë ligjore për njësitë ndërtimore që në këtë fazë, duke mbrojtur interesat e blerësve dhe duke reduktuar konfliktet pronësore. Lidhja e të dhënave të truallit, lejes së ndërtimit dhe kontratave noteriale në një regjistër të vetëm rrit transparencën dhe besueshmërinë e transaksioneve.

Një tjetër lehtësi për qytetarët dhe zhvilluesit lidhet me aksesin në kredi, pasi dokumentet e përkohshme të regjistruara në regjistrin e karabinasë mund të përdoren nga bankat për financim, pa pritur përfundimin total të ndërtimit. Procedurat parashikohen të jenë të koordinuara dhe të digjitalizuara, duke ulur burokracinë, kohën dhe kostot për subjektet e interesuara.

Udhëzimi parashikon gjithashtu mbrojtje për qytetarët edhe në rastet kur zhvilluesi nuk shlyen detyrimet financiare, pasi kontratat e regjistruara në regjistrin e karabinasë mbeten të vlefshme dhe bankat mund të disponojnë vetëm njësitë e lira.

Për zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe autoritetet përgjegjëse për zhvillimin e territorit, ndërsa akti hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. j.p/

The post Regjistrim objekteve në ndërtim, më shumë siguri për blerësit e banesave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PARIS – Eurostar rifillon të gjitha shërbimet midis Londrës dhe kontinentit

31 December 2025 at 09:57

PARIS, 31 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Kompania hekurudhore Eurostar njoftoi këtë mëngjes rifillimin e shërbimeve midis Londrës dhe kontinentit pasi një problem teknik ndërpreu operacionet për disa orë, por paralajmëroi për ndërprerje të mundshme.

“Ne planifikojmë të rifillojmë të gjitha shërbimet tona sot, por për shkak të ndikimit të vazhdueshëm, mund të ketë vonesa dhe anulime të minutës së fundit”, sipas faqes zyrtare të internetit të Eurostar.

Dje, mijëra pasagjerë përjetuan një makth përpara natës së Vitit të Ri kur shërbimi i trenit me shpejtësi të lartë Eurostar që lidh Londrën me kryeqytete të tjera të mëdha – Parisin, Brukselin dhe Amsterdamin – u pezullua për disa orë.

Shkaku ishte një ndërprerje e energjisë elektrike në Tunelin e Kanalit, së bashku me ndërprerjen e një treni LeShuttle që transportonte pasagjerë dhe automjete, duke ndërprerë kështu të gjithë linjën.

Eurostar njoftoi një rifillim të pjesshëm të shërbimeve vetëm këtë pasdite, por ndërkohë, dhjetëra trena janë anuluar, shumë prej të cilëve mbërrijnë dhe nisen nga stacioni ndërkombëtar St Pancras i Londrës.   /os/

The post PARIS – Eurostar rifillon të gjitha shërbimet midis Londrës dhe kontinentit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Traditat e ushqimit të Vitit të Ri që sjellin fat të mirë

31 December 2025 at 09:57

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/- Nga petullat që mbrojnë nga shtrigat deri te ëmbëlsirat që  tregojnë fatin, vendet në mbarë botën shpesh e fillojnë Vitin e Ri me ushqim të shkëlqyer, sipas “National Geographic”.

Për disa mijëvjeçarë, njerëzit në mbarë botën e kanë festuar Vitin e Ri duke shpresuar se ai do të sjellë shëndet, pasuri dhe sukses.

Shpesh, këto festime sillen rreth disa ushqimeve simbolike – si makarona të gjata për një jetë të gjatë, 12 kokrra rrush për 12 muaj me fat dhe lakër për më shumë para.

Duke lënë mënjanë shampanjën, ushqimi i Vitit të Ri në disa vende është mjaft i zakonshëm dhe i lirë. Për shembull, në Brazil gatuhen thjerrëza, ndërsa në Jugun Amerikan festohet me bizele.

Më poshtë renditen disa prej traditave ushqimore më pak të njohura të Vitit të Ri nga e gjithë bota:

Petulla “Oliebollen” në Holandë

Viti i Ri në Holandë do të ishte i paplotë – pa oliebollen. Petulla holandez, emri i të cilit përkthehet fjalë për fjalë, top vaji, hahet gjatë gjithë vitit – dhe thuhet se ka fuqi mbrojtëse gjatë vitit të ri.

Historitë thonë se perëndesha pagane Perchta, e njohur edhe si “shtriga e Krishtlindjeve”, fluturon nëpër qiellin e natës dimërore duke hapur stomakun e njerëzve në kërkim të ushqimit.

Oliebollen është e vetmja mënyrë për ta penguar atë – sipas legjendës, yndyra nga brumi i skuqur do të bënte që shpata e saj të rrëshqiste nga barku i tyre.

Të spërkatura zakonisht me kanellë, karafil dhe xhenxhefil, oliebollen shpesh mbushen me manaferra të thata, mollë të grira dhe bajame.

Supë “joumou” në Haiti

Pjata tradicionale e Haitit është një supë e dashur me bazë kungulli që shërbehet çdo vit më 1 janar, një ditë e rëndësishme në kombin e Karaibeve për shumë arsye.

Pjata filloi të shërbehej gjatë festës së çlirimit të Haitit nga Franca.

Nën sundimin kolonial, afrikanët e skllavëruar u detyruan të kultivonin kungull dhe të përgatisnin supën për zotërinjtë e tyre francezë – por atyre u ndalohej të merrnin pjesë në konsumin e saj.

Kur Haiti shpalli pavarësinë më 1 janar 1804, besohet se Marie Claire Heureuse Félicité Bonheur Dessalines – gruaja e një revolucionari kryesor – shpërndau supë “joumou” për të gjithë haitianët e sapoçliruar.

Është, në shumë mënyra, një shenjë sfide dhe një simbol i ndryshimit dhe bashkimit.

Ndërsa receta ndryshon sipas familjeve, shumica përfshijnë mish viçi, patate, makarona dhe disa perime, së bashku me kungull dhe erëza.

Përgatitja zakonisht fillon një natë më parë, më 31 dhjetor, dhe shpesh është një aktivitet i përbashkët familjar.

“Banitsa” në Bullgari

Në qendër të festimeve të Vitit të Ri në Bullgari gatuhet një brumë filo festiv dhe i shijshëm i quajtur “banitsa”.

Midis shtresave të brumit të shkrifët është një përzierje vezësh, kosi natyral dhe djathi të bardhë të kripur.

Ndërsa hahet edhe si një mëngjes i përditshëm, versioni festiv është diçka e veçantë.

Në Vitin e Ri, “banitsa” zakonisht është e mbushur me shenja simbolike dhe mesazhe fati të mirë.

Disa familje fshehin monedha argjendi që kanë për qëllim t’i sjellin fat kujtdo që i gjen, ndërsa të tjera e zbukurojnë brumin me degëza, të mbështjella me copa letre që urojnë fat të shkruar me dorë.

Qofte orizi në Filipine

Festat filipinase të Vitit të Ri zakonisht përfshijnë një gamë të hollësishme gatimesh me rëndësi simbolike – madje edhe supersticioze.

Vendi gatuan një shumëllojshmëri ëmbëlsirash orizi. Këto ushqime festive mund të jenë të kripura, si puto (kek me oriz të zier në avull që zakonisht shërbehet me supë ose gjellë) dhe bibengka (kek me oriz i pjekur në gjethe bananeje, shpesh i mbuluar me vezë dhe djathë), si dhe ëmbëlsira, si biko (kek me oriz i bërë me qumësht kokosi dhe sheqer kafe) dhe tikoy (një kek me oriz të zier në avull dhe i ëmbël që hahet në fund të vaktit).

Këto gatime kanë për qëllim të simbolizojnë forcimin e lidhjeve familjare dhe shërbejnë si një magnet për fat të mirë në vitin e ri.

Prania e orizit gjatë Vitit të Ri (dhe festave të tjera) daton që nga Filipinet para-koloniale.

Përpara kolonizimit spanjoll, orizi ishte aq i vështirë për t’u kultivuar saqë shërbehej vetëm në raste shumë të veçanta.

Qumështi i Drerit në Kanada

Çfarë përftohet kur kombinoni rumin me vezë të rrahur, qumësht dhe sheqer, një akullore dhe alkool? Sigurisht, Qumësht Dreri.

Kokteji festiv kanadez, i njohur për shijen e tij të shijshme dhe të rrezikshme, është një pije e preferuar festive brenda mjedisit ushtarak.

Pija zakonisht bëhet nga një kombinim i qumështit, rumit dhe akullores.

Qumështi i Drerit ka qenë një shtyllë kryesore në ngjarjet shoqërore ushtarake, duke përfshirë pritjet zyrtare të Vitit të Ri që bashkojnë zyrtarë qeveritarë dhe ushtarakë me anëtarë të publikut.

Megjithëse origjina absolute është e vështirë të gjurmohet, referencat e para për Qumështin e Drerit datojnë që para Luftës së Parë Botërore.

“Kambako” në Japoni

Në Japoni, një kategori e tërë ushqimesh i kushtohet vitit të ri. Osechi-ryōri, e cila e ka origjinën më shumë se 1,000 vjet më parë gjatë periudhës Heian, tradicionalisht shërbehet në kuti.

Midis shumëllojshmërisë shumëngjyrëshe të ushqimeve të paketuara në këto kuti është një tortë delikate peshku e kuqe dhe e bardhë e quajtur “kamaboko”.

Forma e kupolës, me shtresën e kuqe të veshur mbi të bardhë, i ngjan një dielli në lindje dhe ka për qëllim të simbolizojë fat të mirë për vitin e ri.

Kamaboko shpesh shërbehet në o-zōni, një supë me bazë soje e mbushur me kek orizi dhe perime.

Ushqime tradicionale në Amerikën Latine

Mishi i derrit zë një vend të rëndësishëm në tryezën e Vitit të Ri në Amerikën Latine.

Zëvendësimi i mishit të dhisë me ate të derrit – më të bollshëm dhe më pak të shtrenjtë – është një adaptim latino-amerikan i traditës së pjekjes së një kafshe të tërë për të festuar – që daton shekuj më parë në Lindjen e Mesme.

Mishi i derrit është një simbol i prosperitetit, një besim që vjen nga kinezët, të cilët u vendosën në territoret latine duke filluar nga fundi i shekullit XIX.

Ushqimet tradicionale të Vitit të Ri – që përfshijnë bishtajore si thjerrëzat dhe fasulet – janë të përhapura në Amerikën Latine.

Thjerrëzat, për shkak të ngjashmërisë së tyre me monedhat e arit, janë simbole të njohura të pasurisë në Brazil, Kili dhe Venezuelë, ku njerëzit zakonisht hanë një lugë (ose më shumë) thjerrëza në mesnatë.

Në Kolumbi, është traditë të mbash thjerrëza të pagatuara në xhep ditën e fundit të vitit.

Megjithatë, jo të gjitha traditat që lidhen me ushqimin janë të ngrënshme.

Kubanezët, brazilianët dhe meksikanët shpesh përdorin qese të vogla me thjerrëza të thata si dekorime ose dhurata, për t’i uruar njëri-tjetrit fat të mirë në vitin e ardhshëm.

Në Brazil, farat e shegës simbolizojnë gjithashtu monedhat.

Është e zakonshme që brazilianët të hanë frutin, ose madje të mbajnë disa nga farat në portofolet e tyre gjatë gjithë vitit, si një mjet për të tërhequr pasuri. //a.i/

The post Traditat e ushqimit të Vitit të Ri që sjellin fat të mirë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌