Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Dëbora shton turistët e aventurës në Theth, Lëpushë e Razmë

TIRANË, 16 janar/ATSh/ Zonat e mbrojtura malore në qarkun e Shkodrës janë ndër pikat e referimit për turizmin e aventurës dhe natyrës, duke tërhequr vizitorë vendas dhe të huaj që kërkojnë eksperienca autentike në zemër të maleve.

Këto ditë janari zonat malore tërheqin turistë që shijojnë bukuritë që ato ofrojnë nën petkun e dëborës.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura, Agim Dardha tha sot për ATSh-në se “Thethi, Boga, Vermoshi, Lëpusha, Razma janë ndër destinacionet më të rëndësishme të turizmit të aventurës, ku natyra e egër dhe terreni malor krijojnë kushte ideale për përvoja sfiduese dhe autentike”.

“Me rënien e dëborës ditët e fundit këto zona po preferohen nga të pasionuarit pas skive në pistat natyrore dhe ecjes në dëborë”, tha Dardha.

Dardha u bën apel të gjithë vizitorëve vendas e të huaj që të shoqërohen nga guidat vendase kur eksplorojnë shtigjet e ndodhura në Alpe, në mënyrë që shmangen incidentet për shkak të dëborës.

Por edhe gjatë vitit që lamë pas, ky park ishte një ndër më të vizituarit nga turistë vendas e të huaj në 12 muajt e vitit.

Dardha tha se numri i turistëve që vizitojnë zonat e mbrojtura vitet e fundit ka një tendencë rritjeje.

“Vitin e kaluar kemi arritur të kalojmë mbi 1 milion vizitorë në zonat e mbrojtura të qarkut Shkodër si Velipoja, lumi Buna, liqeni i Shkodrës, Parku Kombëtar i Alpeve që përfshin Thethin, Vermoshin, Lëpushën, Razmën dhe Bogën. Ndërkohë që destinacioni më i vizituar është lumi i Shalës”.

“Konkretisht nga janari deri në fund të dhjetorit zonat e mbrojtura të qarkut u vizituan nga 1 298 200 vizitorë, ku 785 820 ishin vendas dhe 512 380 të huaj”, tha Dardha.

Shkodra, me sipërfaqen e madhe të zonave të mbrojtura, përbën një nga potencialet më të rëndësishme të vendit sa i përket turizmit të natyrës, kulturës dhe historisë.

/k.s/j.p/r.e/

The post Dëbora shton turistët e aventurës në Theth, Lëpushë e Razmë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Startup-et do të përfitojnë mbështetje financiare dhe shërbime mbështetëse për zhvillimin e bizneseve të tyre

16 January 2026 at 08:10

TIRANË, 16 janar/ATSh/ Startup-et do të përfitojnë mbështetje financiare dhe shërbime mbështetëse për zhvillimin e bizneseve të tyre.

Kjo mbështetje mund të vijë në forma të ndryshme, duke përfshirë grante, financime me kapital, mbulim kostosh për kërkimin dhe zhvillimin e projekteve, si dhe shërbime teknike si konsulencë ligjore, financiare, ose për zhvillimin e biznesit. Për më tepër, startup-et mund të kenë akses në infrastrukturën e kërkimit dhe mundësi për testim të produkteve ose teknologjive të reja.

Në Fletoren Zyrtare u publikua vendimi për miratimin e thirrjes për aplikime, kërkesave, kritereve, procedurave dhe afateve që duhet të plotësojnë startup-et dhe lehtësuesit e tyre për financime dhe/ose masa mbështetëse, si dhe të rregullave për përbërjen e komisionit të vlerësimit dhe ankimit, kritereve, procedurës së përzgjedhjes dhe të shpërblimit të anëtarëve

Për të përfituar nga këto mundësi, startup-et duhet të jenë të regjistruara në regjistrin elektronik të startup-eve dhe të përmbushin disa kushte të tjera, si përmbushja e detyrimeve tatimore.

Procesi i aplikimit është i thjeshtë dhe kryhet përmes platformës digjitale “e-Albania”, ku startup-et duhet të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar, duke specifikuar fazën e zhvillimit të tyre (fillestare, validim ose rritje).

Përveç mbështetjes financiare, startup-et do të kenë mundësinë të bashkëpunojnë me lehtësuesit e tyre, të cilët mund të ofrojnë mbështetje teknike dhe shërbime të tjera që do të ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve dhe aftësive të biznesit të tyre.

Agjencia për Zhvillimin e Startup-eve dhe Inovacionit do të monitorojë projektet dhe do të sigurojë që ato të përmbushin objektivat e përcaktuara.

/r.e/a.f/

The post Startup-et do të përfitojnë mbështetje financiare dhe shërbime mbështetëse për zhvillimin e bizneseve të tyre appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Mund të përdorim trupat ushtarake për të ndaluar protestat në Mineapolis

16 January 2026 at 07:35

UASHINGTON, 16 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan Donald Trump po kërcënon të përdorë ushtrinë kundër protestuesve në qytetin amerikan të Mineapolis pas përleshjeve atje.

Media amerikane raportoi sot për përleshje midis protestuesve dhe officerëve  të zbatimit të ligjit që zgjatën me orë të tëra.

”Agjitatorë profesionistë dhe kryengritës ndodhen pas trazirave në qytet, në shtetin qendror të Minesotës”, tha presidenti Trump.

“Unë do të miratoj aktin e kryengritjes, të cilin shumë presidentë e kanë bërë para meje, dhe do t’i jap shpejt fund absurditetit që po ndodh në atë shtet dikur të madh”, shkroi ai në platformën e tij Truth Social.

Ai mbrojti përsëri zyrtarët e imigracionit, të cilët janë përballur me rezistencë në shumë qytete të kontrolluara nga demokratët për shkak të kontrolleve të tyre kundër migrantëve.

Ligji i kryengritjes autorizon presidentin të vendosë ushtrinë brenda vendit në rrethana të jashtëzakonshme për të shtypur trazirat dhe për të marrë pjesë në masat e zbatimit të ligjit.

Tensionet janë ende të larta në Minesota.

Një javë pas të shtënave fatale të një gruaje nga një oficer i zbatimit të ligjit për imigracionin dhe doganat (ICE), një tjetër oficer federal kohët e fundit qëlloi me armë dhe plagosi një burrë në qytet.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare raportoi në X se incidenti ndodhi gjatë një “kontrolli të synuar të trafikut”, të mërkurën në mbrëmje./ /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post SHBA – Trump: Mund të përdorim trupat ushtarake për të ndaluar protestat në Mineapolis appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AGJENDA NDËRKOMBËTARE 16/01/2026

16 January 2026 at 07:33

VJENË (Austri) – Deklaratë për shtyp nga Presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola.

SEUL (Koreja e Jugut) – Një gjykatë vendos mbi akuzën për pengim të drejtësisë kundër ish-presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol.

MOSKË (Rusi) – Seancë paraprake dëgjimore në padinë e ngritur nga Banka Qendrore ruse kundër ”Euroclear”.

PROVO (Shtetet e Bashkuara) – Procedurale seancë dëgjimore në rastin e vrasjes së Charlie Kirk.

TUNIS (Tunizi) – Fillon gjyqi kundër udhëheqësit islamik Rached Ghannouchi për “përpjekje për të ndryshuar formën e qeverisjes”.

RIO DE ZHANEIRO (Brazil) – Presidenti Lula pret presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidentin e Këshillit Evropian, António Costa./ a.jor.

The post AGJENDA NDËRKOMBËTARE 16/01/2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E premte 16 janar, vranësira dhe intervale kthjellimesh

16 January 2026 at 07:30

TIRANË, 16 janar/ATSh/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se për ditën e premte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të qëndrueshme.

Moti parashikohet në orët e para të mëngjesit deri në orët e para të ditës me vranësira mesatare deri të dendura si dhe intervale kthjellimesh. Vranësirat e dendura do të shoqërohen me reshje shiu afatshkurtra dhe të dobëta në formë pikash në zonën e veriperëndimit dhe lokalisht në zonën e qendrës. Pas orëve të mesditës moti parashikohet i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit e vranësira të pakta kalimtare kryesisht përgjatë relieveve malore në lindje.

Era do të fryjë verilindje-juglindje me shpejtësi mesatare 4 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore era me shpejtësi deri në 7 m/s, shoqëruar me valëzimin në det 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat
Shkodër 5/15 Diell re shi
Kukës 4/15 Diell re
Lezhë 5/15 Diell re shi
Dibër 3/11 Diell re
Durrës 5/18 Diell re shi
Tiranë 7/18 Diell re shi
Elbasan 7/17 Diell re
Berat 4/17 Diell re
Vlorë 6/17 Diell re
Korçë 0/12 Diell re
Gjirokastër 1/18 Diell re
Sarandë 8/18 Diell re

/r.e/

The post E premte 16 janar, vranësira dhe intervale kthjellimesh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla me zyrtarin e FAO-s: Modernizim i bujqësisë dhe mbështetje pas përmbytjeve

15 January 2026 at 23:08

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Berlin, zhvilloi një takim me Viorel Gutu, zëvendësdrejtor Rajonal për Evropën dhe Azinë Qendrore pranë FAO.

Gjatë takimit u diskutuan prioritetet e bashkëpunimit për katërvjeçarin e ardhshëm, me fokus në modernizimin e bujqësisë, transformimin digjital të sektorit, forcimin e sigurisë ushqimore dhe përafrimin me Politikën e Përbashkët Bujqësore të Bashkimit Evropian (CAP), në funksion të procesit të integrimit europian dhe vizionit afatgjatë “Bujqësia 2030”.

Ministri Salla informoi gjithashtu përfaqësuesit e FAO-s mbi dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e ditëve të fundit, veçanërisht në sektorin bujqësor, duke theksuar nevojën për vlerësim të shpejtë dhe masa konkrete mbështetëse për fermerët e prekur.

Zyrtarët e FAO-s shprehën gatishmërinë për të ofruar asistencë përmes ekspertizës ndërkombëtare, si në vlerësimin e situatës në terren, ashtu edhe në hartimin e masave për rimëkëmbjen dhe forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit bujqësor.

Ministri Salla vlerësoi bashkëpunimin afatgjatë dhe frytdhënës me FAO-n, duke riafirmuar angazhimin e qeverisë për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe rritjen e mbështetjes për fermerët shqiptarë.

/r.e/a.f/

The post Salla me zyrtarin e FAO-s: Modernizim i bujqësisë dhe mbështetje pas përmbytjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Pistorius: Marrja e Groenlandës nga SHBA do të sillte pasoja për NATO-n

15 January 2026 at 23:00

BERLIN, 15 janar /ATSH-DPA/ – Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius deklaroi sot se nëse presidenti amerikan Donald Trump realizon kërcënimin për të marrë nën kontroll Groenlandën, kjo do të kishte ”pasoja për aleancën”, ndonëse ai nuk shkoi deri aty sa të thoshte se një veprim i tillë do ta shkatërronte NATO-n.

Duke folur në edicionin e mbrëmjes të një televizioni publik, Pistorius shtoi se koha e dislokimit të Gjermanisë dhe vendeve të tjera në ishullin arktik, në këto ditë tensionesh të shtuara lidhur me fatin e tij, është ”thjesht një rastësi kohore”.

”Është një rastësi në vetvete, sepse kur po e planifikonim, nuk kishim asnjë mënyrë ta dinim, së pari, që biseda do të zhvillohej dje dhe as se si do të përfundonte”, tha ai.

Bisedimet  e zhvilluara dje në Uashington me ministrat e Jashtëm të SHBA-së, Danimarkës dhe Groenlandës, si edhe me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance, nuk çuan në një zgjidhje.

”Tani”, sipas Pistorius, ”çështja është se si të zhvillohen stërvitjet tokësore së bashku me forcat e tjera të NATO-s”.

Ai theksoi se pjesëmarrja e Gjermanisë në stërvitjen në ishullin e kontestuar synon t’u tregojë anëtarëve evropianë të NATO-s se vendi i tij qëndron ”besnik ndaj detyrimeve tona, diçka që, deri para disa vitesh, nuk e shprehëm mjaftueshëm qartë”./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post BERLIN – Pistorius: Marrja e Groenlandës nga SHBA do të sillte pasoja për NATO-n appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 15 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Shkodra hap aplikimet për përfitimin nga “Paketa e Maleve”

15 January 2026 at 22:37

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Bashkia e Shkodrës ka hapur zyrtarisht aplikimet për përfitimin nga “Paketa e Maleve”, duke ftuar të gjithë qytetarët dhe subjektet e interesuara që të dorëzojnë dokumentacionin përkatës përmes portalit qeveritar “e-Albania”.

Aplikimi kryhet online, ku subjekti duhet të paraqesë një kërkesë të argumentuar me shkrim, të shoqëruar nga një plan rilevimi i sipërfaqes së poseduar, i hartuar nga një ekspert gjeodet i licencuar.

Për të provuar lidhjen me pasurinë, kërkesa duhet të shoqërohet me dokumente që vërtetojnë ushtrimin e aktivitetit ekonomik ose përdorimin e vazhdueshëm të saj, si dokumentacion tatimor, fatura shërbimesh të lidhura me pasurinë, deklarata apo dëshmi nga banorë dhe autoritete vendore që konfirmojnë posedimin për një periudhë të paktën 10-vjeçare, si edhe fotografi, ortofoto apo prova të tjera materiale.

Aplikuesit kanë mundësi të paraqesin edhe çdo dokument tjetër që forcon provën e lidhjes së tyre me pasurinë.

Në mbështetje të qytetarëve gjatë këtij procesi, Bashkia Shkodër bën me dije se Zyra me Një Ndalesë e-Albania do të ofrojë asistencë dhe orientim për aplikimin, duke synuar lehtësimin e procedurave dhe informimin e plotë të çdo të interesuari.

Aplikimet kryhen përmes linkut zyrtar të e-Albania, duke garantuar një proces transparent dhe të aksesueshëm për të gjithë.

“Paketa e Maleve” është një politikë zhvillimore e qeverisë shqiptare që synon të nxisë investimet dhe rigjallërojë jetën ekonomike në zonat malore të vendit.

Ajo synon të krijojë një ekuilibër në zhvillimin e qëndrueshëm të aktiviteteve ekonomike të turizmit malor, bujqësisë, industrisë dhe inovacionit të lidhur me ekosistemin e këtyre zonave, bazuar në mbrojtjen e peizazhit natyror, ruajtjes së trashëgimisë kulturore, kulturës dhe identitetit lokal në këto zona të shpallura me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore.

/r.e/a.f/

The post Shkodra hap aplikimet për përfitimin nga “Paketa e Maleve” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjykata Kushtetuese: Vijimi i “Arrestit në shtëpi” për Berishën, në kundërshtim me Kushtetutën

15 January 2026 at 22:36

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Gjykata Kushtetuese vlerësoi sot se vendimet e gjykatave të posaçme për vijimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” për kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha vijnë në kundërshtim me Kushtetutën.

Në 17 dhjetor, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim në seancë plenare çështjen me kërkues Sali Berishën, i cili kërkonte shfuqizimin e vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; dhe të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën.

Pasi mori në shqyrtim pretendimet e palëve, Gjykata Kushtetuese nënvizoi se në vitin 2023 ndaj kërkuesit rezulton se, për kërkesën e prokurorit, nga gjykatat e zakonshme janë vendosur masat e sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

“Vendimet gjyqësore që kanë disponuar për këto masa sigurimi janë bërë objekt i shqyrtimit nga Gjykata, e cila, me vendimin e datë 21 nëntor 2024 ka vendosur pranimin pjesërisht të kërkesës dhe shfuqizimin e vendimeve gjyqësore që kishin vendosur ato masa, si të papajtueshme me Kushtetutën, vetëm për pjesën që kanë caktuar masën e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”. “Kjo me arsyetimin se në caktimin ndaj kërkuesit të këtyre dy masave vendimeve të gjykatave u mungon arsyetimi, për rrjedhojë nuk rezulton që të kenë vlerësuar nevojën për caktimin tyre për të njëjtin procedim ndaj tij”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Për shkak se Berisha nuk respektoi një prej masave të sigurimit të caktuar nga gjykata, “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për kërkesën e prokurorit gjykatat e zakonshme, në datën 30 dhjetor 2023, ka zëvendësuar masat e sigurimit të vendosura ndaj kërkuesit me masën “Arresti në shtëpi”.

“Edhe procesi gjyqësor që disponoi për zëvendësimin e masave të sigurimit ndaj kërkuesit, duke caktuar masën “Arresti në shtëpi”, është bërë objekt i kontrollit kushtetues nga Gjykata, e cila, me vendimin e datës 17 janar 2025, ka vendosur rrëzimin e kërkesës”, bëri të ditur Gjykata Kushtetuese.

Ndërkohë rasti që u shqyrtua sot lidhet me një vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të datës 30 korrik 2024, përmes të cilit është disponuar për vijimin e zbatimit të masës së sigurimit “Arresti në shtëpi”.

Gjykata, bazuar në jurisprudencën e GjEDNj-së vlerësoi t’i analizojë vendimet gjyqësore në drejtim të kufizimit të lirisë personale për periudhën që ato kanë prodhuar pasoja juridike.

Në vlerësimin e kësaj çështjeje, Gjykata konstatoi se gjykatat në shqyrtimin e kushteve dhe të kritereve për vijimin e masës së sigurimit “Arresti në shtëpi” kanë arsyetuar se nevojat e sigurimit paraqiten të pandryshuara me ato për të cilat në gjenezë është konkluduar se kërkuesi duhej të vendosej nën një masë sigurimi.

Në këtë kuptim, Gjykata Kushtetuese evidentoi se gjykatat që kanë lejuar vijimin e masës së sigurimit personal “Arresti në shtëpi”, u janë referuar të njëjtave nevoja sigurimi si në momentin fillestar, kur janë caktuar masat e sigurimit ndaj kërkuesit “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

Gjykata konstaton se për këtë të fundit, në vendimin e saj ka konsideruar që për sa kohë u konstatua mungesë në vlerësimin e elementit të nevojës për kufizimin e të drejtave dhe të lirive të kërkuesit, në raport me mbarëvajtjen e procedimit penal, kjo përbën shkak të mjaftueshëm për të konstatuar cenimin e parimit të proporcionalitetit në caktimin e masës “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

Po kështu, Gjykata, mbi bazën e të njëjtave argumente, konstatoi se edhe vetëm masa e sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” duket se i plotësonte nevojat e sigurimit.

“Ndërkohë, në vendimet e gjykatave të zakonshme objekt kontrolli, ndonëse kishin kaluar 7 muaj nga caktimi i masës së sigurimit ‘Arrest në shtëpi”’ në lidhje me rrezikun e ikjes, nuk ka ndonjë arsyetim, ndërsa për rrezikun e marrjes dhe të vërtetësisë së provave organi i prokurorisë, në vijim, por edhe gjykatat e zakonshme, në momentin fillestar të caktimit të masave të sigurimit, kanë vlerësuar se ajo përmbushej nga masa e sigurimit ‘Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore’”, vlerëson Gjykata Kushtetuese.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese konstaton se për të njëjtën nevojë sigurimi dhe pa evidentuar ndonjë rrethanë të re për ndonjë sjellje konkrete të kërkuesit në aspekt të kësaj nevoje sigurimi, në rastin në shqyrtim gjykatat e zakonshme kanë konsideruar se ajo përmbushej nga një masë sigurimi më e rëndë, ajo e “Arrestit në shtëpi”.

Nisur nga kjo, Gjykata konstatoi se arsyetimi i vendimeve gjyqësore nuk është i mjaftueshëm në aspektin kushtetues në vlerësimin e kësaj nevoje sigurimi, duke mbajtur parasysh edhe faktin se justifikimi për caktimin fillimisht të masës së sigurimit “Arresti në shtëpi” konsistonte në mosrespektimin, moszbatimin nga kërkuesi të masës “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.

Në vlerësimin e Gjykatës, vetëm një rrethanë e tillë nuk mund të justifikojë vijimin e zbatimit ndaj kërkuesit të masës “Arresti në shtëpi”, pra nuk mund të përbëjë arsye të mjaftueshme për zgjatjen në kohë të gjatë të kufizimit të lirisë, pa arsyetuar për ndonjë arsye të re që justifikon vijimin e masës konkrete.

Për këtë arsye, Gjykata vlerësoi se vendimet objekt i këtij gjykimi kushtetues, që kanë disponuar për vijimin e masës së sigurimit “Arresti në shtëpi”, vijnë në kundërshtim me Kushtetutën.

Për shkak se masa e sigurimit “Arresti në shtëpi” nuk është më në fuqi, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në datën 3 janar 2025 ka vendosur zëvendësimin e saj me masën e sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, Gjykata vendosi të mos i shfuqizojë vendimet objekt të këtij shqyrtimi kushtetues.

Në përfundim të këtij gjykimi, Gjykata vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës dhe deklarimin si antikushtetuese të vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; dhe të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. “Shpenzimet e përfaqësimit të kërkuesit në vlerën 75.000 lekë i ngarkohen Ministrisë së Financave”, thuhet në vendim.

/m.m/a.f/r.e/

The post Gjykata Kushtetuese: Vijimi i “Arrestit në shtëpi” për Berishën, në kundërshtim me Kushtetutën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOPENHAGË – Rasmussen: Blerja e Groenlandës nga SHBA jashtë çdo diskutimi

15 January 2026 at 22:36

KOPENHAGË, 15 janar /ATSH-AFP/ – Është “jashtë çdo diskutimi” që Shtetet e Bashkuara të blejnë Groenlandën, përsëriti sot ministri i Jashtëm danez për shtypin danez, në përgjigje të komenteve të bëra nga sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

“Kjo është jashtë diskutimit. Kjo nuk është ajo që duam në Danimarkë, as në Groenlandë dhe është në kundërshtim me të gjitha rregullat ndërkombëtare. Kjo shkel sovranitetin tonë”, tha Lars Lokke Rasmussen për transmetuesin publik DR.

Karoline Leavitt deklaroi gjatë një konference për shtyp se vendosja e trupave evropiane në Grenlandë “nuk kishte ndikim në objektivin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të blerë” territorin autonom danez./  a.jor.

The post KOPENHAGË – Rasmussen: Blerja e Groenlandës nga SHBA jashtë çdo diskutimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Online procedura për privatizimin e truallit shtetëror, 20% ulje për kërkesat para 1 korrikut 2012

15 January 2026 at 22:35

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për përcaktimin e procedurave të hollësishme për kalimin e pronësisë së truallit shtetëror në përdorim dhe miratimin e modelit të aktit të kalimit.

Sipas vendimit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës (AShK) do të kryejë të gjitha procedurat administrative për kalimin e pronësisë së truallit, duke përfshirë rastet kur ndërtesat janë privatizuar ose janë ngritur me leje ndërtimi pas vitit 1991.

Procedura fillon sipas përcaktimeve të ligjit “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” dhe kërkesat paraqiten online përmes portalit qeveritar “e-Albania”.

Vendimi parashikon pagesa për sipërfaqet e truallit me funksion social-ekonomik, ndërsa trualli për ndërtesat e banesave të transferohet pa pagesë.

Përfituesit që kanë paraqitur kërkesë për privatizim të truallit para 1 korrikut 2012 do të përfitojnë ulje 20% nëse kryejnë pagesën brenda 30 ditëve nga njoftimi.

AShK-ja është përgjegjëse për verifikimin e pronësisë mbi ndërtesën, posedimin në terren të truallit dhe pagesën e detyrimeve të taksave.

Procedura administrative përfundon brenda 60 ditëve nga depozitimi i kërkesës, ndërsa vendimi për kalimin e pronësisë njoftohet dhe regjistrohet në regjistrin kadastral.

Për truallin që ndodhet në administrim të institucioneve shtetërore ose njësive vendore, miratimi i kalimit të pronësisë shfuqizon përgjegjësinë e administrimit.

Vendimi rregullon gjithashtu procedurat për ndërtime pa leje dhe ndryshimet minimale të sipërfaqes së truallit.

Ky vendim hyn në fuqi pas publikimit në “Fletoren Zyrtare”.

/a.f/r.e/

The post Online procedura për privatizimin e truallit shtetëror, 20% ulje për kërkesat para 1 korrikut 2012 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Negociatat me BE-në, Lamallari: Adresuam 51 nga 64 boshllëqet kritike të “Themelorëve”

15 January 2026 at 22:13

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari zhvilloi sot një takim me Grupin Ndërinstitucional të Punës për Integrimin Evropian, ku u diskutua për ecurinë e negociatave në nivel teknik përgjatë vitit 2025.

Ministri vlerësoi se “falë bashkëpunimit serioz ndërinstitucional kemi arritur rezultate domethënëse duke adresuar 51 nga 64 boshllëqet kritike të grupkapitullit të Themelorëve, ndërsa pjesa tjetër është në proces të avancuar”.

Ndërkohë, Lamallari theksoi se Reforma në Drejtësi ka nevojë të konsolidohet më tej, ndërsa janë bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, në mbrojtjen e të drejtave themelore, në lirinë e medias dhe në përafrimin e legjislacionit penal me standardet e Bashkimit Evropian.

“2026 mbetet një tjetër vit sfidues për ecurinë e negociatave dhe për rrugën tonë pa kthim drejt përmbushjes së aspiratës për Shqipërinë në BE”, u shpreh Ministri i Drejtësisë.

/m.m/a.f/r.e/

The post Negociatat me BE-në, Lamallari: Adresuam 51 nga 64 boshllëqet kritike të “Themelorëve” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Von der Leyen: Më shumë mbështetje e BE-së për Groenlandën

15 January 2026 at 22:01

BRUKSEL, 15 janar /ATSH-DPA/ – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen premtoi sot mbështetje të mëtejshme të Bashkimit Evropian për Groenlandën, pas bisedimeve të pasuksesshme amerikano-daneze në Uashington.

”Groenlanda mund të mbështetet te ne politikisht, ekonomikisht dhe financiarisht”, tha politikania gjermane gjatë një konference për shtyp në Limassol, Qipro, në kuadër të bisedimeve.

Ajo shtoi se siguria në Arktik është kryesisht çështje e NATO-s, por rajoni dhe siguria e tij janë gjithashtu një çështje qendrore dhe jashtëzakonisht e rëndësishme për Bashkimin Evropian.

”Kjo është, ndër të tjera, arsyeja pse ne po dyfishojmë investimet dhe mbështetjen për Groenlandën”, tha Von der Leyen, duke u referuar planeve buxhetore që do të dyfishojnë ndihmën financiare të BE-së për ishullin.

Ajo gjithashtu përmendi hapjen e një zyre të BE-së në Groenlandë në vitin 2024.

Zyra synon të forcojë më tej bashkëpunimin me qeverinë dhe popullsinë e Groenlandës.

”Bashkimi Evropian ka një reputacion shumë të mirë në Groenlandë…, punët mbi sigurinë e Arktikut do të vazhdojnë me aleatët dhe partnerët, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi ajo.

Komentet e Von der Leyen ishin hera e parë që ajo foli publikisht për Groenlandën që nga përfundimi i bisedimeve dje në Uashington, të cilat përfunduan pa rezultate./ /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post BRUKSEL – Von der Leyen: Më shumë mbështetje e BE-së për Groenlandën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MUZIKË – Harry Styles, ish-ylli i “One Direction” album solo pas katër vitesh

15 January 2026 at 21:21

LONDËR, 15 janar /ATSH-DPA/ – Ish-ylli i ”One Direction”, Harry Styles, ka njoftuar se do të publikojë albumin e tij të parë pas katër vitesh.

Këngëtari 31-vjeçar do të nxjerrë regjistrimin e tij të katërt me titull  “Kiss all the time. Disco, Occasionally” më 6 mars.

Albumi, i cili është prodhuar ekskluzivisht nga Kid Harpoon, tashmë është në dispozicion  në faqen e internetit të këngëtarit.

Zërat për një album të ri filluan kur u vendosën postera në qytete si Nju Jork dhe Manchester, që mbanin shprehjen ”We belong together”.

Përveç postimit të njoftimit në Instagram, Styles gjithashtu ndryshoi foton e profilit të tij me një imazh ku shfaqej duke veshur një këmishë të verdhë, kravatë të kuqe dhe syze dielli portokalli.

Ylli i lindur në Worcestershire ka mbajtur një profil të ulët që nga përfundimi i turneut ”Love On Tour” në 2023, duke u raportuar se kishte përfunduar Maratonën e Berlinit me pseudonimin Sted Sarandos në më pak se tre orë vitin e kaluar.

Së fundmi, këngëtari është pare gjithashtu duke shijuar Festivalin Glastonbury dhe në fjalimin e parë të papa Leones XIV në Romë në maj 2025.

Karriera solo e Styles filloi pas pauzës së ”One Direction”, ku edhe anëtarët e tjerë Niall Horan, Liam Payne dhe Louis Tomlinson u ndalën përkohësisht në vitin 2016, pothuajse një vit pas largimit të Zayn Malik nga grupi.

Payne vdiq në moshën 31-vjeçare në tetor 2024  pas rënies nga ballkoni i një hoteli në Argjentinë, dhe anëtarët e mbetur të grupit u ribashkuan në funeralin e tij së bashku me ish-menaxherin Simon Cowell, në nëntor të atij viti.

Styles publikoi albumin e parë solo në 2017, më pas “Fine Line”  në 2019 dhe “Harry’s House”  në 2022, ku albumi i tij debutues dhe i tretë arritën numrin një në UK Albums Chart.

”One Direction” u formua në vitin 2010, kur u bashkuan nga Simon Cowell në programin talent-show të ITV, ”The X Factor”./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post MUZIKË – Harry Styles, ish-ylli i “One Direction” album solo pas katër vitesh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KPA konfirmon shkarkimin nga detyra të prokurores Ornela Rrumbullaku

15 January 2026 at 21:02

TIRANË, 15 janar /ATSh/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit, vendosi sot të konfirmoi vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurores së Tiranës, Ornela Rrumbullaku.

Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit, i kryesuar nga Albana Shtylla, me relatore Natasha Mulaj dhe anëtarë, Sokol Çomo, Ina Rama e Rezarta Schuetz, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të Rrumbullakut kundë vendimarrjes së Komisionit.

‘Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Ina Rama, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 51/2024, datë 11.12.2024, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Ornela Rrumbullaku kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 792, datë 04.09.2024.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 792, datë 04.09.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Ornela Rrumbullaku. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, thuhet në vendim.

Ornela Rrumbullaku përfundoi studimet e Magjistraturës në vitin 2006 dhe pas një periudhe stazhi në Prokurorinë e Tiranës, u emërua në Prokurorinë e Rrethit Kavajë. Në vitin 2019, Rrumbullaku u komandua si këshilltare pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Deri në momentin e shkarkimit nga detyra ajo e ushtronte funksionin në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.

/a.f/r.e/

The post KPA konfirmon shkarkimin nga detyra të prokurores Ornela Rrumbullaku appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Rusia tregon interes për Arktikun, ndërsa SHBA synon Groenlandën

15 January 2026 at 20:41

MOSKË, 15 janar /ATSH-DPA/ – Duke marrë parasysh pretendimet e presidentit amerikan Donald Trump për Groenlandën, Rusia ka paralajmëruar se interesat e saj në Arktik nuk duhet të injorohen.

”Çdo përpjekje për të shpërfillur interesat e Rusisë në rajonin polar, mbi të gjitha në fushën e sigurisë, nuk do të mbetet pa përgjigje dhe do të ketë pasoja shumë të gjera”, tha në Moskë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

Trump shpesh përmend aktivitetet ruse dhe kineze pranë ishullit arktik si justifikim për kërkesën e tij për kontroll mbi Grenlandën, duke argumentuar se prania e tyre e bën këtë masë tokësore thelbësore për nevojat e sigurisë së SHBA-së.

Zakharova kritikoi misionin e zbulimit ushtarak të disa shteteve evropiane të NATO-s për të mbrojtur më mirë ishullin autonom që i përket Danimarkës, duke e quajtur atë provokimin e radhës nga vendet perëndimore, të cilat, sipas saj, synojnë të imponojnë rendin e tyre edhe në këtë rajon të botës.

Ajo tha se shtetet evropiane duhet të jenë të vetëdijshme se veprime të tilla rrezikojnë sigurinë e Rusisë si një shtet arktik bregdetar i barabartë.

Rusia, e cila ka një vijë bregdetare shumë të gjatë në oqeanin Arktik, e konsideron Arktikun si sferë të interesit të saj.

Ajo po rrit përdorimin e rrugëve detare në këtë rajon dhe po zgjeron praninë e saj ushtarake./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Rusia tregon interes për Arktikun, ndërsa SHBA synon Groenlandën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis heqja e masave nga BE, mbi 400 milionë euro mbështetje për Kosovën

15 January 2026 at 20:35

PRISHTINË, 15 janar /ATSh/ Bashkimi Evropian ka nisur heqjen e masave ndaj Kosovës, duke hapur rrugën për lirimin e mbi 400 milionë eurove në mbështetje financiare për vendin.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, në një përgjigje për KosovaPress, thotë se krahas 216 milionë eurove që janë liruar në dhjetor të vitit 2025, synojnë që shumë shpejt të lirojmë edhe 205 milionë euro në fillim të këtij viti.

Ajo tha se ky vendim është marrë pas ndryshimit të qetë dhe të rregullt të qeverisjes lokale në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve të fundit lokale.

Hipper tregoi në detaje edhe se në cilat projekte do të përfitojë Kosova.

“Pas transferimit të qetë dhe të rregullt të qeverisjes lokale në veri pas zgjedhjeve të fundit lokale, ne po heqim masat për Kosovën. Prandaj, kemi liruar afërsisht 50% të ndihmës financiare që arrin në rreth 216 milionë euro. Kjo do të lejojë nënshkrimin e kontratave për katër projekte (që përfaqësojnë gjithsej 34,6 milionë euro kontribut të BE-së) dhe fillimin e zbatimit; për të përfunduar programimin e të gjitha fondeve të mbetura IPA III të destinuara për Kosovën (181 milionë euro; miratimi i planifikuar i vendimit të financimit të Komisionit në pranverën e vitit 2026 që do të lejonte që projektet e para të fillonin në gjysmën e dytë të vitit 2026). Për më tepër, Komisioni synon të lirojë shumën e mbetur prej 205 milionë eurosh në fillim të këtij viti, në përputhje me Përfundimet e Presidencës për Zgjerimin të miratuara më 16 dhjetor”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së BE-së për KosovaPress.

Gjatë së enjtes, edhe Komisioni Evropian (KE) ka konfirmuar se pret heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës në javët e ardhshme.

Jan Gert Koopman, drejtor i Drejtorisë për Zgjerim në KE, theksoi se bëhet fjalë për lirimin e më shumë se 400 milionë eurove, përfshirë edhe masat që KE-ja i kishte hequr fillimisht në dhjetor të vitit të kaluar.

Ai shpjegoi se institucionet po punojnë paralelisht në programimin e mjeteve dhe në kontraktimin e projekteve që do të financohen.

Bashkimi Evropian (BE) vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023. Masat u vendosën si përgjigje për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pasi kryetarët shqiptarë të katër komunave në veri morën mandatin.

/KosovaPress//r.e/

The post Nis heqja e masave nga BE, mbi 400 milionë euro mbështetje për Kosovën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Shtëpia e Bardhë: Vendosja e trupave evropiane në Groenlandë nuk ndryshon asgjë për Trumpin

15 January 2026 at 20:10

UASHINGTON, 15 janar /ATSH-AFP/ – Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë tha sot se vendosja e trupave evropiane në Groenlandë “nuk ka ndikim në qëllimin e presidentit amerikan, Donald Trump për të përvetësuar” territorin autonom danez.

“Nuk mendoj se vendosja e trupave në Evropë ka ndonjë ndikim në vendimmarrjen e presidentit dhe nuk ka asnjë ndikim në qëllimin e tij për të përvetësuar Groenlandën”, tha Karoline Leavitt gjatë një konference për shtyp.

Një kontingjent ushtarak francez me 15 trupa mbërriti në kryeqytetin e Groenlandës, Nuuk, ndërsa edhe disa shtete evropiane kanë dërguar ushtarë atje si pjesë e një misioni.

Vendosja, e cila do të përfshijë gjithashtu personel nga Gjermania, Suedia, Norvegjia, Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar, vjen ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vazhdon të ushtrojë presion mbi pretendimin e tij për ishullin, i cili është një pjesë e Danimarkës./  a.jor.

The post SHBA – Shtëpia e Bardhë: Vendosja e trupave evropiane në Groenlandë nuk ndryshon asgjë për Trumpin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Shtëpia e Bardhë: Irani ka pezulluar 800 ekzekutime të planifikuara

15 January 2026 at 20:00

UASHINGTON, 15 janar /ATSH-AFP/ – Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë konfirmoi sot se Irani kishte anuluar 800 ekzekutime të planifikuara të protestuesve dhe deklaroi se “të gjitha opsionet” mbeteshin në tryezë për Shtetet e Bashkuara.

Karoline Leavitt shtoi se Donald Trump e kishte paralajmëruar Teheranin për “pasoja serioze” nëse vazhdonte shtypja e protestave.

Ajo konfirmoi gjithashtu se presidenti amerikan kishte folur me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili, sipas ”New York Times”, i kërkoi atij të mos ndërhynte ushtarakisht në Iran.

Dje, presidenti amerikan, Donald Trump pohoi sot se “vrasjet kanë mbaruar në Iran”.

Ai theksoi se autoritetet “nuk kishin plane” për të ekzekutuar protestuesit, vërejtje që duket se e shtyjnë mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake amerikane.

“Na është thënë se vrasjet në Iran kanë mbaruar. Ato kanë mbaruar”, tha presidenti amerikan.

”Nuk janë planifikuar ekzekutime”, shtoi ai dhe duke siguruar se kishte informacionin e tij “nga një burim i mirinformuar”./  a.jor.

The post SHBA – Shtëpia e Bardhë: Irani ka pezulluar 800 ekzekutime të planifikuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Katër fitore në kampionat dhe Superkupa, Ilir Daja zgjidhet trajneri i muajit dhjetor

TIRANË, 15 janar /ATSh/ Trajneri i Dinamo City-t Ilir Daja është zgjedhur si trajneri më i mirë i muajit dhjetor 2025.

Drejtoria Teknike e FShF-së ka përzgjedhur teknikun e Dinamo City, Ilir Daja si trajnerin më të mirë të muajit dhjetor, pas katër fitoreve të shënuara në kampionat si dhe pas fitimit të Superkupës së Shqipërisë.

Gjatë këtij muaji, trajneri kryeqytetas regjistroi rezultate të shkëlqyera me Dinamo City, duke arritur katër fitore të rëndësishme në kampionat: ndaj Tiranës, Flamurtarit, Vorës dhe Partizanit. Sukseset kulmuan me fitimin e Superkupës së Shqipërisë, në finalen ndaj Egnatias.

Për Ilir Dajën, kjo është hera e dytë që fiton këtë çmim, pasi më parë ishte shpallur trajneri më i mirë i muajit tetor nga Drejtoria Teknike e FShF-së.

Trofeu iu dorëzua trajnerit Daja nga trajneri i Kombëtares U-17, Fatjon Tafaj, para ndeshjes Teuta-Dinamo City. Ky çmim vjen si vlerësim për përkushtimin dhe rezultatet e arritura, duke reflektuar punën e tij të vazhdueshme në zhvillimin e skuadrës.

The post Katër fitore në kampionat dhe Superkupa, Ilir Daja zgjidhet trajneri i muajit dhjetor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌