Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Skema Kombëtare, Salla vijon dëgjesat me fermerët e Lezhës, Kurbinit dhe Mirditës 

22 January 2026 at 23:17

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi takime me fermerët e Lezhës, Kurbinit dhe Mirditës, në kuadër të dëgjesave për hartimin e Skemës Kombëtare të Mbështetjes 2026.

Salla tha se qëllimi i këtyre takimeve është mbledhja e mendimeve dhe sugjerimeve drejtpërdrejt nga terreni, në mënyrë që ndryshimet në skemën e re të reflektojnë një qasje sa më të përbashkët dhe konsensuale të fermerëve.

“Kemi ardhur për të bashkëbiseduar me ju përpara se të detajojmë Skemën Kombëtare 2026, për të na sugjeruar aty ku duhet të ndryshojmë qasjen dhe të përmirësojmë masat mbështetëse”, u shpreh ministri Salla.

I shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, dhe kryetarja e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara, ministri Salla në bashkëbisedim me fermerët u ndal tek masat kryesore mbështetëse që duhet të vijojnë me prioritet, si dhe në propozimet e reja që duhet të merren në konsideratë për sektorë të tjerë të bujqësisë.

Dëgjesat me fermerët do të vijojnë edhe në zona të tjera të vendit, me synimin për ndërtimin e një skeme mbështetjeje sa më efikase dhe të përshtatur me nevojat reale të sektorit bujqësor.

e.xh/j.p/

The post Skema Kombëtare, Salla vijon dëgjesat me fermerët e Lezhës, Kurbinit dhe Mirditës  appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Në 24 janar do të tregojmë fuqinë e opozitës

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se në situatën aktuale kauza e protestës së opozitës është më e ligjshme se në çdo protestë tjetër.

Në një intervistë televizive, Berisha theksoi se arsyeja e parë është se qeveria nuk ka legjitimitetin për shkak të farsës elektorale, kjo, sipas tij, është faktuar nga raportet ndërkombëtare dhe nga Departamenti i Shtetit.

Së dyti, sipas kreut të PD, një qeveri që del nga zgjedhje të ndershme, por vjedh qytetarët humbet legjitimitetin.

“Efekti më i tmerrshëm i censurës është se i bën njerëzit që të mos dinë se çfarë të besojnë. Jep 40 rroga analistësh që në çdo studio mashtrojnë qytetarët”, theksoi Berisha duke iu referuar klimës aktuale.

Kreu i PD-së u shpreh se Rama nuk është alternativë dhe duhet të largohet.

“Në datën 24 do të tregojmë fuqinë e opozitës, kreativitetin e saj.Opozita do të qëndrojë deri në pikën e fundit të saj se këta kanë zero legjitimitet”, deklaroi Berisha.

Berisha foli edhe në lidhje me votimin në parim në parlament për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën, ku përfaqësues do të jetë kryeministri Edi Rama.

Berisha tha se PD votoi pro për të treguar partneritetin e vendit dhe të PD-së me SHBA.

“U votua në parim sepse unë dua ta them këtu, gjatë gjithë kohës në pushtet, porosi e prerë e përfaqësuesve të Shqipërisë në të gjitha institucionet ndërkombëtare, ka qenë do të votoni siç votojnë Shtetet e Bashkuara, për çështje sigurie. Së dyti, u detyrohemi pavarësinë e Kosovës, betejën ajrore kundër Beogradit dhe mbështetjen e fuqishme ndaj Kosovës”, tha Berisha.

Ne, vijoi Berisha, dokumentin nuk e votuam nen për nen, ne votuam në parim.

Sa i përket projektit të dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner për ishullin e Sazanit, Berisha tha se edhe ai kur ishte kryeministër ka tentuar që Sazanin t’ia jepte ish-kryeministrit italian Silvio Berlusconi për zhvillim, por diçka e tillë nuk u realizua.

“Zvërneci është investim kryekëput privat. Nuk kam parë që është dhënë tokë publike. Si mund të jem kundër kur ka një ujdi mes privatëve. Janë të mirëpritur. Vijmë te Sazani, tokë publike. Si ta kundërshtoja unë kur unë vet isha përpjekur që të jepej për zhvillim”, tha Berisha.
/k.s/j.p/

The post Berisha: Në 24 janar do të tregojmë fuqinë e opozitës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 22 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Nënkryetari i gjykatës së Tiranës: Po na cenohet siguria, na ka mbështetur AAPSK me pajisje

22 January 2026 at 22:57

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Nënkryetari i Gjykatës së Tiranës, Gerd Hoxha ngriti shqetësime mbi mungesën e sigurisë dhe kushtet e papërshtatshme në ambientet e institucionit, duke theksuar se kërkesat për ndërhyrje kanë mbetur pa përgjigje.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, Hoxha bëri të ditur se gjykata prej vitesh përballet me mungesë të theksuar pajisjesh dhe fondesh, duke nisur nga pajisjet bazë të sigurisë deri te infrastruktura e brendshme. Sipas tij, një skaner sigurie nuk funksionon prej disa vitesh, ndërsa kërkesat për pajisje shtesë janë plotësuar vetëm pjesërisht.

Ai theksoi se për vitin aktual, nga fondet e kërkuara për pajisje, është miratuar vetëm 7–10% e nevojës reale, ndërsa pjesa dërrmuese e buxhetit është dedikuar vetëm për pagat, sigurimet shoqërore dhe blerjen e një skaneri. “Nga 100% që kemi kërkuar për pajisje, kemi minus rreth 90%”, u shpreh Hoxha, duke e cilësuar situatën si alarmante për funksionimin normal të gjykatës.

Në këtë kuadër, ai falënderoi në mënyrë të veçantë drejtuesen e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, Risena Xhaja, për mbështetjen e dhënë në sigurimin e disa pajisjeve të nevojshme për rritjen e sigurisë.

Një tjetër problem i ngritur nga nënkryetari i Gjykatës së Tiranës lidhet me ruajtjen fizike të godinës. Hoxha deklaroi se kërkesat për shtim të pranisë së policisë në ambientet e gjykatës kanë qenë të vazhdueshme, por deri më tani nuk kanë gjetur zbatim. “Do të mjaftonin rreth 60 punonjës policie vetëm për Gjykatën e Tiranës. Kërkojmë të paktën dy ose tre policë për çdo kat. Godinat e gjykatave, ku ruhen prova të rëndësishme, pasdite i ruan Zoti”, tha ai.

Sipas Hoxhës, mungesa e sigurisë dhe infrastruktura e pamjaftueshme përbëjnë rrezik jo vetëm për stafin dhe qytetarët, por edhe për integritetin e provave dhe procesin e drejtësisë në tërësi. /j.p/

The post Nënkryetari i gjykatës së Tiranës: Po na cenohet siguria, na ka mbështetur AAPSK me pajisje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama pret Ivanka Trump në Kryeministri

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Vajza e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, Ivanka Trump pas qëndrimit prej ditës së djeshme në Vlorë mbërriti mbrëmjen e sotme në Tiranë.

Sipas medieve Ivanka Trump u prit në Kryeministri nga kreu i qeverisë Edi Rama.

Të mërkurën në mbrëmje, kryeministri Edi Rama udhëtoi drejt Vlorës, ku u takua dhe darkoi me Ivanka Trump dhe një grup arkitektësh ndërkombëtarë.

Ivanka Trump mbërriti dje në qytetin bregdetar të Vlorës e shoqëruar nën masa të rrepta sigurie nga Policia, teksa qëndroi në një nga hotelet në zonën e “Ujit të ftohtë”.

Ivanka Trump vizitoi zonën e Novoselës dhe më pas edhe Zvërnecin. Gjithashtu, në itinerarin e saj ka qenë edhe zona bregdetare e njohur si Porto Novo.

Vizita e saj vijon pa asnjë njoftim zyrtar për agjendën, me synim kryesor vijimin e projektit të madh të investimit që ajo dhe bashkëshorti i saj jared Kushner kanë planifikuar të bëjnë në gjirin e Vlorës, në zonën e ishullit të Sazanit dhe në Zvërnec, një investim prej 1 miliard dollarësh për një resort turistik elitar në këto zona.

Ivanka Trump ka qenë disa herë në Shqipëri në gjirin e Vlorës, të cilin e ka vizituar edhe duke udhëtuar me helikopter.

/k.s/j.p/

The post Rama pret Ivanka Trump në Kryeministri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani: Do jemi bashkë me Shqipërinë krah SHBA-së në Bordin e Paqes

22 January 2026 at 22:48

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Presidentja Vjosa Osmani u shpreh mbrëmjen e sotme pas nënshkrimit të Bordit të Paqes në Davos, ku ajo firmosi krah Trump dhe vendeve të tjera, në një moment që e quajti historik për Kosovën se SHBA-ja nuk i ka kërkuar asnjë kontribut financiar Kosovës ai anëtare.

Osmani tha në një intervistë në Top Channel se dita e sotme i jep mundësi vendit të saj të forcohet në arenën ndërkombëtare.

“Ne kemi marrë ftesën më 20 janar, dhe në momentin që e morëm ftesën për anëtarësim si anëtare themeluese për Bordin e Paqes, morëm edhe ftesën për të qenë në Davos për nënshkrim. Pas ftesës nga Trump për të qenë në mesin e nënshkruesve që udhëhiqet nga SHBA, udhëtuam për në Davos, por do të kthehemi pas mesnate. Është një ditë me peshë historike, për ne si shtet anëtarësimi në çdo organizatë ndërkombëtare ka rëndësi, për ne si shtet kjo i jep një peshë më të madhe historike fuqizimit të peshës sonë ndërkombëtare. Kjo na jep një mundësi që të jemi të barabartë mes kombeve të lira, mos të bllokohet potenciali i Kosovës”, u shpreh Osmani.

Osmani theksoi se edhe në Kartën e Bordit të Paqes, por edhe në komunikimet me Shtëpinë e Bardhë, nuk është kërkuar kontribut financiar.
“Karta e Bordit është shumë e qartë. Funksionimi i organizatës do të varet nga kontributet vullnetare. Ne më shumë kemi diskutuar për të dhënë kontributin tonë. Kosova është një shembull i shkëlqyer i paqebërjes dhe ndërtimit të demokracisë. Për shkak se kemi qenë shtet i dalë nga lufta dhe institucionet i kemi ndërtuar nga 0, ne mund të japim një kontribut të madh, do të jetë kontribut i rëndësishëm”, u shpreh Osmani.

Osmani shtoi gjithashtu se është shumë e lumtur që Kosova do të jetë së bashku me Shqipërinë krah SHBA-së, një moment i cili ka një rëndësi edhe për faktorizimin e kombit shqiptar brenda një organizate të tillë.

“Për ne është shumë e rëndësishme që edhe Shqipëria është e ftuar, që do të qëndrojmë bashkë krah SHBA-së, ne mund të bashkëpunojmë dhe ta faktorizojmë edhe më shumë kombin shqiptar brenda një organizate të tillë”, tha Osmani.

E pyetur në intervistë, Osmani tha se kryeministri Rama ishte një ndër të parët të ftuar personalisht nga presidenti amerikan Donald Trump, por nuk e di arsyen e saktë se pse Rama nuk ishte i pranishëm në ceremoninë në Davos.

“Unë e di që kryeministri Rama ka qenë i ftuar sepse ka qenë një ndër të ftuarit e parë si shtet themelues. Dua ta falënderoj për bashkëpunimin që kemi pasur gjatë kësaj periudhe”, tha Presidentja e Kosovës.

The post Osmani: Do jemi bashkë me Shqipërinë krah SHBA-së në Bordin e Paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

STRASBURG – Von der Leyen i mbijeton mocionit të mosbesimit në Parlamentin Evropian

22 January 2026 at 22:14

STRASBURG, 22 janar /ATSH/- Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen i ka mbijetuar sot një votëbesimi në Parlamentin Evropian, pas një mocioni mosbesimi të paraqitur nga grupi ekstremist i djathtë “Patriots for Europe” (PfE), sipas “Euronews”.

Rezultati i votimit ishte i qartë: 390 eurodeputetë votuan kundër rrëzimit të Komisioneres, 165 në favor dhe 10 abstenime.

Për të rrëzuar shefen e KE-së, ishte e nevojshme që mocioni të kalonte dy të tretat e votave, që përfaqëson shumicën e të gjithë eurodeputetëve të pranishëm.

Meqë ky prag nuk u arrit, Von der Leyen mbetet në krye të Komisionit të BE-së.

Vendimi erdhi një ditë pas një sfide të rëndësishme për Komisionin. Parlamentit Evropian i është kërkuar të dërgojë marrëveshjen tregtare BE-Mercosur në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian për shqyrtim.

Mocioni i mosbesimit i grupit PfE u fokusua kryesisht tek nënshkrimi i marrëveshjes tregtare me vendet e Amerikës Latine, duke argumentuar se Komisioni nuk i kishte dëgjuar fermerët dhe qytetarët dhe se kishte tejkaluar kompetencat e veta.

Protesta të organizuara nga shoqatat e fermerëve u mbajtën jashtë Parlamentit në Strasburg gjatë javës. Megjithatë, shumica e grupeve politike e mbështetën presidenten e Komisionit.

Debati për mocionin u zhvillua të hënën në Strasburg, me Komisionerin e BE-së për Tregtinë, Marrëdhëniet Ndërinstitucionale dhe Transparencën, Maros Sefcovic, që përfaqësoi Komisionin.

Pothuajse asnjë nga liderët e grupeve politike nuk ishin të pranishëm, gjë që tregoi se mocioni nuk kishte interes të madh dhe rezultati i votës ishte i paracaktuar.

Përveç mbështetësve të mocionit, vetëm disa dhjetëra eurodeputetë të tjerë, kryesisht nga partitë ekstremiste të djathta, votuan për rrëzimin e Von der Leyen, edhe pse shumë eurodeputetë kanë kritikuar marrëveshjen Mercosur dhe politikat e saj.

Eurodeputetët nga grupet kryesore si Partia Popullore Evropiane (EPP), Socialistët dhe Demokratët (S&D), “Reneu Europe” dhe grupi i Gjelbër/ALDE mbështetën Von der Leyen.

Gjatë mandatit të dytë si presidente e Komisionit evropian, Von der Leyen i ka mbijetuar katër mocioneve të mosbesimit.

Votëbesimi i sotëm tregoi një rritje të mbështetjes për shefen e BE-së.

Megjithëse marrëveshja BE-Mercosur ka shkaktuar debate të forta dhe protesta, Von der Leyen ende ka besimin e shumicës së Parlamentit Evropian. //a.i/

The post STRASBURG – Von der Leyen i mbijeton mocionit të mosbesimit në Parlamentin Evropian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gogu: Ivanka Trump në Kryeministri, dëshmi e besimit personal të Presidentit Trump ndaj Ramës

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu ka deklaruar se prania e Ivanka Trump sonte në Kryeministri përbën një sinjal të fortë politik dhe njerëzor të besimit që Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka ndaj kryeministrit Edi Rama.

Në një intervistë televizive ministri Gogu theksoi se ftesa për Shqipërinë dhe për Ramën në Bordin e Paqes ka qenë personale dhe e drejtpërdrejtë nga Presidenti Trump, çka sipas tij rrëzon pretendimet e opozitës se kryeministri është “i padëshiruar” në arenën ndërkombëtare.

“Presidenti Trump i ka besuar një miku të vet që të mirëpresë vajzën e tij në vendin e tij, në shtëpinë e tij. Sot, vajza e Presidentit amerikan, një nga personat më të afërt të tij në botë, ndodhet me kryeministrin”, u shpreh Gogu.

Ai shtoi se nga pikëpamja njerëzore, ky është një akt që flet vetë për nivelin e marrëdhënies mes dy liderëve, duke e cilësuar si një besim që nuk i jepet lehtë askujt.

Sipas Gogut, prania e Ivanka Trump në Tiranë dhe konkretisht sonte në Kryeministri bie ndesh me narrativën e opozitës, e cila njëkohësisht e cilëson Ramën si të padëshiruar dhe pretendon se ai nuk ka pasur rol në proceset ndërkombëtare të fundit.

“Faktet tregojnë të kundërtën. Sot kryeministri nuk është i padëshiruar, por i dëshiruar”, deklaroi Gogu, duke theksuar se Shqipëria ka vepruar në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjin në procesin e përfshirjes në Bordin e Paqes.

/k.s/j.p/

The post Gogu: Ivanka Trump në Kryeministri, dëshmi e besimit personal të Presidentit Trump ndaj Ramës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosova dhe Serbia pajtohen për komisionin për personat e zhdukur

22 January 2026 at 20:54

PRISHTINË, 22 janar/ATSH/ Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të funksionalizojnë komisionin e përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pas rundit të dialogut me Serbinë të zhvilluar në Bruksel, tha se tani mbetet që javët e ardhshme të takohen “zëvendësit tanë dhe të përcaktojnë prioritetet e para për punën e komisionit të përbashkët”.

“Qëllimi ishte që të arrijmë dakordim që sot ta funksionalizojmë komisionin e përbashkët për jetësimin apo zbatimin e Marrëveshjes për personat e pagjetur në mes të kryeministrit [të Kosovës, Albin] Kurti dhe presidentit [të Serbisë, Aleksandar] Vuçiq. Takimet ishin të suksesshme dhe në fund arritëm që përfundimisht ta jetësojmë këtë objektiv”, tha Bislimi.

Ndërkaq, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, e cilësoi rundin e dialogut të 22 janarit si “takimin e parë të komisionit të përbashkët për zbatimin e Deklaratës për personat e zhdukur”.

“Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe domethënëse dhe shpresoj që pas këtij takimi të parë të përshpejtohen të gjitha proceset në drejtim të gjetjes së të gjithë personave të zhdukur”, tha Petkoviq.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë njëherësh janë edhe bashkëkryesues të këtij komisioni.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, i cili ishte i pranishëm në Bruksel, tha se për tre vjet Serbia kishte refuzuar themelimin e këtij komisioni.

“Ne mirëpresim takimin e radhës, me pritjen e qartë që pala serbe të vijë me hapa konkretë dhe të matshëm, në përputhje me obligimet e marra në Deklaratën e personave të zhdukur”, shkroi Hoti në Facebook.

Marrëveshja u arrit pas disa orësh bisedimesh që ndërmjetësi evropian në dialog, Peter Sorensen, zhvilloi veç e veç me Bislimin dhe Petkoviqin.

Në fund të këtyre takimeve, në orët e mbrëmjes u mbajt një takim i përbashkët, në të cilin marrëveshja u formalizua.

Ky komisioni i përbashkët për personat e pagjetur është pjesë e Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur, për të cilën u pajtuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2023.

Palët u pajtuan për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur gjatë një takimi trepalësh mes kryenegociatorëve në dhjetor 2024 në Bruksel.

Për çështjen e themelimit të komisionit për personat e zhdukur, palët kishin diskutuar edhe gjatë një rundi bisedimesh më 11 shtator të vitit 2025. Megjithatë, ai rund bisedimesh kishte përfunduar pa asnjë rezultat.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998-99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Rundi i ri i dialogut u zhvillua pas vizitës së Sorensenit në Prishtinë dhe Beograd javën e kaluar.

Takimi i 22 janarit ishte i pari në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës këtë vit.

Gjatë vizitës së tij në Prishtinë më 14 janar, Sorensen tha lidhur me dialogun se “kam shpresa se viti 2026 do të na japë atë që viti 2025 nuk na e dha”.

“Çfarë do të bëjmë ne është të sigurohemi që palët të ulen dhe të bisedojnë. Duhet ta gjejmë një mënyrë që kjo të ndodhë”, theksoi Sorensen në Prishtinë.

Ai tha se do të punojë për të gjetur një mënyrë që dy vendet fqinje të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë, në përpjekje për t’i normalizuar marrëdhëniet.

Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë që nga viti 2023, pas rritjes së tensioneve mes tyre për shkak të një sulmi nga një grup serbësh të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe në shtator të atij viti.

Kurti – i cili pritet të jenë në krye të qeverisë së vendit edhe për një mandat të tretë katërvjeçar – e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me dorëzimin e të dyshuarit për sulmin në Banjskë të Zveçanit që la një rreshter të vrarë, Millan Radoiçiq.

Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës kur ndodhi sulmi dhe e mori përgjegjësinë për të. Beogradi nuk ka pranuar t’ia dorëzojë Kosovës atë, dhe thuhet se ai endet i lirë në Serbi.

Edhe Serbia ka kushtet e veta në dialog, siç e ritheksoi edhe Petkoviq pas takimit me Sorensenin më 16 janar në Beograd.

Kryenegociatori serb tha se përparimi në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku varet nga gatishmëria e Kosovës për ta themeluar një asociacion të komunave me shumë serbe.

Kosova dhe Serbia veçse arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, më 2023, por nuk janë duke e zbatuar atë.

Ndër pikat e marrëveshjes është edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por Prishtina nuk ka ndërmarrë hapa për ta përmbushur këtë kërkesë. /rel/

The post Kosova dhe Serbia pajtohen për komisionin për personat e zhdukur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ANALIZË – Pse është Donbasi një pikë ngërçi në marrëveshjen e paqes në Ukrainë?

22 January 2026 at 20:39

LONDËR, 22 janar /ATSH/- Ka ende shumë pikëpyetje nëse Putini do të bjerë dakord me planin e SHBA-së për një zonë të demilitarizuar dhe të tregtisë së lirë në Donbas, sipas BBC.

Por, ku ndodhet dhe pse është Donbasi një pikë mosmarrëveshjeje?

Donbasi i referohet një zone që përfshin rajonet lindore të Luhanskut dhe Donetskut, të cilat shtrihen në dalje të Mariupolit në jug deri në kufirin verior me Rusinë.

Rajoni është zona prodhuese e qymyrit dhe çelikut në Ukrainë.

Donbasi është kryesisht rusishtfolës dhe pasi Rusia pushtoi Krimenë në vitin 2014, forcat e saj të ndërmjetme pushtuan më shumë se një të tretën e pjesës lindore të Ukrainës.

Para luftës, Putini i njohu të gjithë Luhanskun dhe Donetskun si të pavarur nga Ukraina. Pasi filloi pushtimi i vitit 2022, Moska i zbehu ambiciet e saj për të pushtuar Kievin dhe e zhvendosi fokusin e saj në Donbas.

“Nuk mund të tërhiqemi, është jashtë ligjit tonë. Nuk është vetëm ligji. Njerëzit jetojnë atje, 300 000 njerëz… Nuk mund t’i humbasim ata njerëz”, tha Zelensky muajin e kaluar.

Dhe sot, pas takimit me presidentin e SHBA-së, Donald Trump në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, presidenti ukrainas u tha gazetarëve se “gjithçka kishte të bënte me territorin”.

“Kjo është çështja që nuk është zgjidhur ende”, tha Zelensky.

SHBA-ja ka propozuar krijimin e një zone të demilitarizuar dhe të lirë ekonomike ne “zemrën” industriale të Ukrainës, në Donbas, në këmbim të garancive të sigurisë për Kievin.

“Nëse të dyja palët duan ta zgjidhin këtë, ne do ta zgjidhim”, tha i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff.

“Nëse kjo mund të arrihet, mbetet për t’u parë”, shtoi ai. //a.i/

The post ANALIZË – Pse është Donbasi një pikë ngërçi në marrëveshjen e paqes në Ukrainë? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKSK: Nuk ka sulme kibernetike në institucionet shtetërore

TIRANNË, 22 janar/ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) informoi sot se nuk ka asnjë incident kibernetik të konfirmuar që të ketë cenuar funksionimin, sigurinë apo integritetin e sistemeve shtetërore.

Në një deklaratë për shtyp AKSK reagoi ndaj disa informacioneve të pavërteta të shpërndara ditët e fundit në rrjetet sociale apo media lidhur me pretendime për sulme kibernetike ndaj institucioneve të vendit.

“AKSK, në bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet publike dhe strukturat përgjegjëse, monitoron në mënyrë të pandërprerë hapësirën kibernetike dhe ka në funksion mekanizmat e nevojshëm për identifikimin dhe reagimin ndaj incidenteve kibernetike”, thuhet në deklaratën për shtyp.

AKSK i bën thirrje publikut dhe medieve që të referohen vetëm te burimet zyrtare dhe të shmangin përhapjen e informacioneve të pakonfirmuara, të cilat mund të krijojnë paqartësi dhe panik të panevojshëm.

AKSK do të vijojë të informojë në mënyrë transparente për çdo zhvillim të rëndësishëm që lidhet me sigurinë kibernetike në vend.

/k.s/j.p/

The post AKSK: Nuk ka sulme kibernetike në institucionet shtetërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Vëmendje në rritje për Shqipërinë në panairin e turizmit në Madrid

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Stenda e Shqipërisë në panairin ndërkombëtar të turizmit Fitur në Madrid mirëpriti sot përfaqësues të medieve dhe platformave kryesore spanjolle, si Mallorca Diario, La Razón dhe Forbes Travel Spanjë.

I pranishëm gjatë takimeve me mediet spanjolle ishte edhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja dhe Presidenti i Forbes, Clemente Corona.

Gonxhja u shpreh se mediet spanjolle shfaqën interes të jashtëzakonshëm për Shqipërinë.
“Gjatë takimeve u diskutua mbi potencialin e Shqipërisë si destinacion turistik autentik dhe gjithëvjetor, duke vënë në pah diversitetin e ofertës, pasuritë natyrore, trashëgiminë kulturore, gastronominë, si dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit”, shtoi ai.
“Interesi i treguar nga këto medie prestigjioze konfirmon vëmendjen në rritje për Shqipërinë dhe krijon një hapësirë të rëndësishme për promovimin e saj në tregjet ndërkombëtare, duke forcuar më tej imazhin e vendit si një nga destinacionet më premtuese në rajon”, tha Gonxhja.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Spanjë është tashmë një traditë e konsoliduar. Agjencia Kombëtare e Turizmit prezantohet me moton “Albania All Senses”, duke promovuar në stendën shqiptare destinacionet turistike, produktet autentike dhe ofertën e plotë të shërbimeve turistike të vendit.

Ky panair mbledh 161 vende nga e gjithë bota, më shumë se 10,000 kompani dhe mirëpret profesionistë të sektorit të turizmit, autoritete vendimmarrëse, si dhe vizitorë të interesuar për të mësuar më shumë rreth destinacioneve dhe ofertave turistike ndërkombëtare.

/k.s/j.p/

The post Gonxhja: Vëmendje në rritje për Shqipërinë në panairin e turizmit në Madrid appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Merz: Mirënjohës që Trump u tërhoq nga tarifat shtesë ndaj disa vendeve të BE-së

22 January 2026 at 20:05

BRUKSEL, 22 janar /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Friedrich Merz shprehu lehtësim për njoftimin e papritur të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të mos vendosur tarifa shtesë ndaj disa vendeve evropiane dhe për një marrëveshjeje të mundshme për Groenlandën.

“Jam shumë mirënjohës që presidenti Trump është treguar i vetëpërmbajtur nga planet e tij fillestare për të marrë kontrollin e Groenlandës. Dhe jam gjithashtu mirënjohës që ai është vetëpërmbajtur nga vendosja e tarifave shtesë më 1 shkurt”, tha sot Merz ndërsa mbërriti në një samit të BE-së në Bruksel.

Takimi u mblodh fillimisht për të gjetur një përgjigje të përbashkët ndaj tarifave të kërcënuara.

Udhëheqësit e BE-së tani janë të përqendruar në nxjerrjen e mësimeve nga ditët e kaluara dhe në gjetjen e një mënyre për t’u marrë me marrëdhëniet transatlantike në ndryshim.

“Ne do të duhet të forcojmë qëndrueshmërinë e Bashkimit Evropian”, tha Merz.

“Bashkimi Evropian, pjesa evropiane e NATO-s, duhet të jetë në gjendje të mbrojë veten”, tha Merz.

“Pavarësisht progresit, ne jemi ende shumë larg arritjes së gjithçkaje që duhet të arrijmë”, shtoi ai.

“Përveç kësaj, BE-ja duhet të përmirësojë konkurrueshmërinë e saj, theksoi Merz. //a.i/

The post BRUKSEL – Merz: Mirënjohës që Trump u tërhoq nga tarifat shtesë ndaj disa vendeve të BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kadastra Shqiptare nis regjistrimin fillestar të pronave në tre fshatra të Bulqizës

22 January 2026 at 19:52

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Kadastra Shqiptare njoftoi se ka nisur faza e regjistrimit fillestar të pronave në tre fshatra të Bulqizës: Lubalesh (ZK 2501) dhe Çerenec i Epërm (ZK 4002) në Njësinë Administrative Gjoricë, si dhe Gjinovec (ZK 1743) në Njësinë Administrative Klenjë (Trebisht).

Sipas njoftimit të Kadastrës, gjatë një periudhe 45-ditore, banorët mund të konsultojnë listat e pronave me sipërfaqet dhe emrat e pronarëve të identifikuar, si dhe hartat kadastrale të zonave të përfshira. Dokumentacioni i mbledhur dhe të dhënat nga evidentimi në terren janë përpunuar ligjërisht dhe hartografikisht, duke mundësuar verifikimin e saktësisë së të dhënave për çdo pronë.

Kadastra njoftoi qytetarët të paraqesin kërkesë me shkrim për çdo paqartësi, pretendim ose kërkesë për korrigjim të të dhënave të pronës, pranë zyrës ku është bërë afishimi publik ose pranë Zyrës Vendore të ASHK-së në Bulqizë.

Pas përfundimit të regjistrimit fillestar, banorët mund të aplikojnë për regjistrimin e pronës dhe pajisjen me dokumentacion pronësie përmes portalit e-Albania. /j.p/

The post Kadastra Shqiptare nis regjistrimin fillestar të pronave në tre fshatra të Bulqizës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hapet sistemi për dorëzimin e Deklaratës Individuale të të Ardhurave, afat deri më 31 mars

22 January 2026 at 19:51

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Qytetarët mund të dorëzojnë tashmë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA 2025) përmes platformës online e-Filing. Afati i fundit për dorëzim është 31 mars 2026.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, deklarata duhet dorëzuar nga ata që gjatë vitit 2025 kanë pasur pagë mbi 100 mijë lekë në muaj, të ardhura vjetore mbi 1.2 milionë lekë.

Po ashtu deklarata është detyrim edhe për të dypunësuarit, dhe për të gjithë ata individë që kanë realizuar gjatë 2025-ës të ardhura nga burime të tjera mbi 50 mijë lekë në vit për të cilat nuk është mbajtur tatimi në burim, të ardhura këto që mund të jenë fituar edhe nga platformat online si Meta, Facebook, YouTube, Google, Booking dhe AirBNB.

Për herë të parë këtë vit, nga baza e tatueshme e prindërve me fëmijë nën moshën 18 vjeç, krijohet mundësia e zbritjes së shumës 48.000 lekë për çdo fëmijë. Kjo zbritje do të aplikohet vetëm nga njëri prej prindërve, që duhet të ketë edhe pagën më të lartë në familje. Për këtë skemë që do funksionojë për herë të parë këtë vit, janë vënë në dispozicion në buxhetin e shtetit 1.5 miliardë lekë.

Kjo zbritje do të aplikohet vetëm nga njëri prej prindërve, që duhet të ketë edhe pagën më të lartë në familje. Për këtë skemë që do funksionojë për herë të parë këtë vit, janë vënë në dispozicion në buxhetin e shtetit 1.5 miliardë lekë.

Edhe qytetarët që nuk kanë detyrim ligjor për dorëzimin e DIVA mund ta bëjnë deklaratën për të përfituar këto përfitime.

Tatimpaguesit mund të kontrollojnë deklaratën e tyre të paraplotësuar në sistem dhe të aplikojnë për të gjitha zbritjet që u përkasin, duke e bërë procesin të shpejtë dhe të sigurt.

e.xh/j.p/

The post Hapet sistemi për dorëzimin e Deklaratës Individuale të të Ardhurave, afat deri më 31 mars appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PARIS – Franca sekuestron anijen cisternë nga Rusia me mbështetjen e Britanisë së Madhe

22 January 2026 at 19:40

PARIS, 22 janar /ATSH/- Franca ka interceptuar një anije cisternë të sanksionuar nga Rusia, me mbështetjen e Britanisë së Madhe, tha sot presidenti francez, Emmanuel Macron, sipas BBC.

“Marina Franceze, këtë mëngjes, hipi në një anije cisternë të sanksionuar – që vinte nga Rusia dhe që dyshohej se mbante një flamur të rremë”, tha presidenti francez.

Duke njoftuar operacionin në X, Macron tha se anija ishte kapur në Mesdhe me ndihmën e Britanisë së Madhe.

“Ne jemi të vendosur të mbështesim ligjin ndërkombëtar dhe të sigurojmë zbatimin efektiv të sanksioneve. Aktivitetet e “flotës hije” kontribuojnë në financimin e luftës së agresionit kundër Ukrainës”, tha Macron.

“Gjithashtu, është nisur një hetim gjyqësor dhe se anija cisternë është devijuar”, shtoi ai.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka falënderuar presidentin francez Emmanuel Macron pasi ai njoftoi se Marina Franceze – në partneritet me Britaninë e Madhe – kishte sekuestruar një anije cisternë që vinte nga Rusia në Detin Mesdhe.

“Ky është pikërisht lloji i vendosmërisë së nevojshme për të siguruar që nafta ruse të mos financojë më luftën e Rusisë”, shkroi Zelensky në X.

“Anijet cisternë ruse që operojnë pranë brigjeve evropiane duhet të ndalen”, shtoi ai.

“Sanksionet kundër të gjithë infrastrukturës së “flotës hije” duhet të jenë të ashpra”, tha Zelensky. //a.i/

The post PARIS – Franca sekuestron anijen cisternë nga Rusia me mbështetjen e Britanisë së Madhe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOPENHAGË – Nielsen: Askush përveç Groenlandës dhe Danimarkës nuk mund të bëjë marrëveshje për të ardhmen e ishullit

22 January 2026 at 19:15

KOPENHAGË, 22 janar /ATSH/- Vendi zgjedh Groenlandën që njohim sot, tha kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen – duke folur në një konferencë për shtyp.

“Si pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, ne kemi zhvilluar shoqërinë tonë, demokracinë dhe vendin tonë… në kuadër të Mbretërisë së Danimarkës dhe aleancës së NATO-s”, tha ai.

“Ne kemi fituar vetëqeverisjen, të drejtën tonë për vetëvendosje, dhe kjo duhet të vazhdojë”, thotë ai.

Duke iu referuar demonstratave gjatë fundjavës ku mijëra njerëz protestuan në kryeqytetin Nuuk, Nielsen shpjegoi se ato nuk ishin “kundër SHBA-së”.

“Nuk ishte një demonstrim kundër miqësisë sonë të gjatë apo bashkëpunimit të ngushtë. Ishte kundër mosrespektimit të sundimit ndërkombëtar të ligjit, demokracisë dhe të drejtës sonë për vetëvendosje”, tha ai.

“Ne kemi kërkuar dhe do të vazhdojmë të kërkojmë dialog të respektueshëm përmes diplomacisë dhe kanaleve normale”, shtoi ai.

“Askush tjetër përveç Groenlandës dhe Danimarkës nuk ka mandatin për të bërë marrëveshje ose marrëveshje në lidhje me Groenlandën”, tha kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, i pyetur nëse Groenlanda ishte e sigurt nga kërcënimi i pronësisë amerikane.

“Nuk e di se çfarë është “konkrete” në marrëveshje, por jemi gati të bashkëpunojmë dhe të zhvillojmë më shumë bisedime duke punuar për një zgjidhje për të dyja palët”, tha ai. //a.i/

 

The post KOPENHAGË – Nielsen: Askush përveç Groenlandës dhe Danimarkës nuk mund të bëjë marrëveshje për të ardhmen e ishullit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOPENHAGË – Ministrja e Jashtme: Duhet ende shumë punë për ta bërë Groenlandën një vend të sigurt

22 January 2026 at 18:53

KOPENHAGË, 22 janar /ATSH/- Ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt tha sot se zhvillimet e fundit në Forumin Ekonomik Botëror kanë qenë pozitive, sipas BBC.

Në një deklaratë, Motzfeldt tha se NATO nuk po negocionte në emër të Groenlandës – dhe se nuk do të arrihej asnjë marrëveshje zyrtare pa pjesëmarrjen e qeverisë.

Megjithatë, ajo shtoi se sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e kishte informuar drejtpërdrejt presidentin e SHBA-së, Donald Trump, mbi nevojën për të respektuar pozicionin dhe kufijtë e territorit.

Ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt tha se duhej ende shumë punë për ta bërë Groenlandën një vend të sigurt. //a.i/

The post KOPENHAGË – Ministrja e Jashtme: Duhet ende shumë punë për ta bërë Groenlandën një vend të sigurt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Punimet për godinën e re të DPSHTRR-së, drejt përfundimit

22 January 2026 at 18:45

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Punimet për ndërtimin e selisë së re të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ndodhen në fazën përfundimtare, duke shënuar një hap të rëndësishëm në modernizimin e shërbimeve publike.

E konceptuar me perspektivën e duhur për nevojat e një enti në rritje e për të përballuar funksione të shumta shërbimesh e detyra operacionale, objekti i ri, që do të zëvendësojë godinën e vjetër, do të jetë një vepër arkitektonike gjurmëlënëse, e një ndërtimi administrativ model që do t’i shtohet kryeqytetit falë një investimi bashkëkohor, me standarde maksimale eficience energjetike, prestigj e rrezatim inovacioni teknologjik, me gjithëpërfshirje të publikut në hapësira edukative, me një konstruksion inovator për funksionalitet e siguri shërbimesh publike.

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor Kreshnik Bajraktari, inspektoi nga afër ecurinë e punimeve dhe respektimin e standardeve të zbatimit. Godina përfshin 6,105 m² sipërfaqe ndërtimi, holl të hapur 450 m² për aktivitete komunitare dhe dy kate parkim nëntokësor.

Selia e re ka arkitekturë bashkëkohore, hapësira të ndriçuara natyralisht, atrium të gjelbëruar dhe sistem ajrimi klimatik. Objekti do të pajiset gjithashtu me panele fotovoltaike për energji të pastër, duke garantuar kursim afatgjatë dhe respekt ndaj mjedisit.

Investimi synon përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit.

e.xh/j.p/

The post Punimet për godinën e re të DPSHTRR-së, drejt përfundimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR – Healey: Britania e Madhe do të luajë “rol udhëheqës” në sigurinë e Arktikut

22 January 2026 at 18:39

LONDËR, 22 janar /ATSH/- Forcimi i sigurisë në rajonin e Arktikut dhe në veriun e largët është diçka në të cilën Britania e Madhe do të marrë një “rol udhëheqës” përmes NATO-s, tha sot sekretari i Mbrojtjes i Britanisë së Madhe, John Healey pas bisedimeve të presidentit amerikan, Donald Trump mbi Groenlandën, në Davos, sipas BBC.

“Kanë qenë dy javë diskutimesh të ashpra dhe diplomaci të vendosur”, shtoi ai.

Healey gjithashtu foli për cështjen e Ukrainës, duke thënë se ishte një hap i “mirë” që i dërguari i SHBA-së Steve Witkoff po shkonte në Moskë për bisedime të mëtejshme.

“Tani është koha që Putini të bëjë atë që thotë. Ai thotë se është i interesuar për bisedime, por ende nuk ka deshmuar se është i interesuar për paqen. Ky është shansi i tij”, shtoi Healey. //a.i/

The post LONDËR – Healey: Britania e Madhe do të luajë “rol udhëheqës” në sigurinë e Arktikut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jaupaj: Plan me tre faza për vendosjen në kontroll të ndotjes nga plastika

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Qeveria në bashkëpunim me bashkitë e vendit po përgatit një plan të përbashkët kundër ndotjes nga plastika në territor.

Plani i paralajmaëruar edhe nga Kryeministri Edi Rama vjen si përgjigje ndaj fenomenit të ndotjes së ujërave nga plastika që rëndoi problematikat e shkaktuara nga reshjet intensive të fillimjanarit.

Kështu, sipas ministrit të Mjedisit, Sofjan Jaupaj i cili preku këtë temë gjatë aktivitetit të organizuar në kuadër të projektit “EU4Rivers”, dy ditë më parë, plani ka qasje 360° që nis nga edukimi deri te masat më të forta ndaj çdo abuzimi me mjedisin.

“Qeveria shqiptare po përgatit një ofensivë të përbashkët me pushtetin vendor përmes një plani me tre faza që synon të vendosë në kontroll këtë fenomen kaq të papërshtatshëm për vendin tonë”, tha Jaupaj.

Një nga kompenentët e rëndësishëm të planit është edukimi dhe ndërgjegjësimi i brezit të ri dhe i popullatës vendase për të shkuar deri deri në ashpërsimin e mëtejshëm të masave ndaj çdo abuzimi me mjedisin.

Sipas planit, pritet të ngrihet një taskforcë e përbashkët qeveri–bashki për luftën kundër ndotjes plastike, duke e cilësuar atë një faktor kyç që përkeqëson përmbytjet dhe dëmton mjedisin.

/k.s/j.p/

The post Jaupaj: Plan me tre faza për vendosjen në kontroll të ndotjes nga plastika appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌