Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 14 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

DAVOS – 65 liderë botërorë në forumin e elitës globale

14 January 2026 at 07:35

BERLIN, 13 janar /ATSH-DPA/ – Udhëheqës botërorë, përfshirë presidentin amerikan  Donald Trump, presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kancelarin gjerman, Friedrich Merz dhe presidentin e përkohshëm sirian, Ahmad al‑Sharaa, do të mbajnë fjalime në takimin vjetor të World Economic Forum (WEF) që mbahet javën e ardhshme në Davos, Zvicër.

Organizatorët njoftuan sot se 65 kryetarë shtetesh dhe qeverish, përfshirë edhe gjashtë udhëheqës të shteteve të G7‑s, do të marrin pjesë në këtë konferencë

Ky takim po zhvillohet në një sfond gjeopolitik të trazuar, ku rikthimi i Trump në pushtet ka trazuar aleancat tradicionale, ndërsa luftërat, trazirat dhe ndryshimet teknologjike të shpejta, shtojnë pasigurinë globale.

Edicioni i këtij viti mbahet me temën ”A spirit of dialogue” dhe pritet që të diskutohet rreth çështjeve kryesore si lufta në Ukrainë, protestat në Iran, si dhe e ardhmja e Gazës dhe Venezuelës.

Presidenti Trump ka qenë i pranishëm në forum personalisht në vitet 2018 dhe 2020 gjatë presidencës së tij të parë, duke përdorur këtë platformë për të nxitur agjendën e tij ”America the first”.

Vitin e kaluar, vetëm disa ditë pasi u betua për mandat të dytë, ai mbajti një fjalim në forumin e Davosit përmes lidhjes me video, duke kritikuar rregullatorët evropianë për rregulla të ashpra ndaj firmave të teknologjisë, duke inkurajuar investimet në SHBA dhe duke paralajmëruar tarifa ndaj mallrave të huaj.

Forumi në Davos njihet edhe si një vend për diplomaci  jozyrtare.

Këtë vit, takime dytësore mund të përfshijnë diskutime për rrugë drejt përfundimit të luftës në Ukrainë, ndërkohë që zhvillimet gjeopolitike dhe ekonomike mbeten në qendër të vëmendjes.

Nga lista e pjesëmarrësve janë gjithashtu edhe kryeministrat e Kanadasë, Spanjës dhe Pakistanit, si dhe presidentët e Izraelit, Argjentinës dhe Republikës Demokratike të Kongos.

Udhëheqësi të kompanive kryesore të teknologjisë, përfshirë drejtuesit e Nvidia, Microsoft dhe Anthropic, pritet gjithashtu të jenë të pranishëm./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post DAVOS – 65 liderë botërorë në forumin e elitës globale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AGJENDA NDËRKOMBËTARE 14/01/2026

14 January 2026 at 07:33

PARIS (Francë) – Përditësimi vjetor dhe mujor i temperaturës globale nga ”Copernicus”.

LONDËR (Mbretëria e Bashkuar) – Seancë dëgjimore për apel për reperin Mo Chara të Kneecap, i akuzuar për mbështetje të Hezbollahut.

LONDËR (Mbretëria e Bashkuar) – Fillon gjyqi ndaj princit Harry dhe personazheve të tjerë të famshëm, përfshirë Elton John, kundër botuesit të ”Daily Mail”.

CROTONE (Itali) – Hapet gjyqi për gjashtë personel ushtarak në lidhje me mbytjen e anijes ”Cutro” të 26 shkurtit 2023, në të cilën vdiqën 94 emigrantë.

VJENË (Austri) – Publikimi i raportit mujor OPEC.

LONDËR (Mbretëria e Bashkuar) – Forumi Ekonomik Botëror do të paraqesë një raport mbi rreziqet për vitin 2026.

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Misioni i ekuipazhit-11 në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) do të planifikohet të niset herët për arsye shëndetësore.

KOMBET E BASHKUARA (Shtetet e Bashkuara) – Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Jemenin.

OMAN – Vizitë e kryeministres italiane, Giorgia Meloni./ a.jor.

The post AGJENDA NDËRKOMBËTARE 14/01/2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti sot kryesisht i kthjellët, me mjegull dhe ngrica në orët e mëngjesit

14 January 2026 at 07:30

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Vendi ynë do të ndikohet sot nga kushte të qëndrueshme atmosferike.

Moti parashikohet kryesisht i kthjellët në të gjithë territorin, ndërsa vranësirat do të jenë të pakta deri mesatare kalimtare, kryesisht në zonat veriore dhe pjesërisht në qendër të vendit.

Në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes, përgjatë zonave luginore pritet prezencë e mjegullës së dendur, si dhe ngrica të forta në akset rrugore, si pasojë e temperaturave në vlera negative.

Era do të fryjë me drejtim verilindje-juglindje, me shpejtësi mesatare rreth 4 m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në lugina era do të arrijë shpejtësi deri në 7 m/sek, duke sjellë dallgëzim në detet me forcë 1-2 ballë.

Temperaturat minimale dhe maksimale parashikohen si më poshtë:/r.e/

The post Moti sot kryesisht i kthjellët, me mjegull dhe ngrica në orët e mëngjesit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kryepeshkopi Joan zhvillon takime në Bruksel me zyrtarë të lartë të BE

13 January 2026 at 23:08

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Kryepeshkopi i Shqipërisë, imzot Joani zhvilloi sot në Bruksel një seri takimesh me zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në institucionet europiane.

Gjatë kësaj vizite, kryepeshkopi Joan u takua me komisionerin europian për Transportet e Qëndrueshme dhe Turizmin, Apostolos Tzitzikostas. Biseda u përqendrua në rëndësinë historike të veprës së kryepeshkopit të lumur Anastas dhe në vizionin e Fortlumturisë së Tij për të ardhmen e Kishës Ortodokse të Shqipërisë. Kryepeshkopi theksoi angazhimin e tij që Kisha të mbetet një zë i fuqishëm, i pavarur dhe aktiv në shoqërinë shqiptare, e cila përballet me sfida të rëndësishme si emigracioni i të rinjve dhe ndryshimet demografike.

Gjithashtu, Fortlumturia e Tij u takua me kryetarin e Delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, eurodeputetin Marco Tarquinio, takim që mbart rëndësi të veçantë për shkak të rolit kyç që ky delegacion luan në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Në vijim, kryepeshkopi Joan zhvilloi një takim me bashkëkryetaren e grupit të punës për Dialogun Ndërfetar në Parlamentin Europian, eurodeputeten Željana Zovko, gjatë të cilit u diskutuan çështje që lidhen me lirinë fetare në Europë. Gjatë bisedës u theksua modeli i bashkëjetesës harmonike ndërfetare në Shqipëri, si dhe sfidat me të cilat përballen komunitetet fetare, veçanërisht në lidhje me çështjet pronësore.

Në të gjitha takimet, Fortlumturia e Tij nënvizoi se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është i dobishëm jo vetëm për komunitetet fetare dhe Kishën Orthodhokse të Shqipërisë, por edhe për popullin shqiptar dhe për vetë Europën.

Këto takime u zhvilluan në kuadër të vizitës së kryepeshkopit Joan në Bruksel, nga 12 deri më 15 janar 2026, me rastin e konferencës që do të mbahet më 14 janar në Parlamentin Europian, me temë “Jeta, Vepra dhe Trashëgimia e Kryepiskopit të lumur Anastas”, e organizuar nga Parlamenti Europian në nderim të kryepeshkopit Anastas, në përvjetorin e parë të ndarjes së tij nga jeta.

Prania e kreut të Kishës Ortodokse të Shqipërisë në qendrën e institucioneve europiane vlerësohet si e rëndësishme në këtë moment të rëndësishëm për procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kisha Ortodokse e Shqipërisë, përmes veprimtarisë së saj të gjerë sociale, arsimore dhe shpirtërore, vazhdon të mbetet një urë lidhëse e rëndësishme mes Shqipërisë dhe Europës.

/e.xh/a.f/r.e/

The post Kryepeshkopi Joan zhvillon takime në Bruksel me zyrtarë të lartë të BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Ministrja e Energjisë e Groenlandës: Pushtimi nga SHBA do të ishte sulm ndaj NATO-s

13 January 2026 at 22:41

LONDËR, 13 janar /ATSH-DPA/ – Një pushtim i Groenlandës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të konsiderohej një sulm ndaj të gjithë aleatëve të NATO‑s, tha ministrja e Energjisë e territorit danez.

Në një konferencë shtypi sot në Londër, Naaja Nathanielsen deklaroi se një veprim ushtarak i SHBA‑s do të përfaqësonte shembjen e forces së ligjit dhe do të detyronte aleatët perëndimorë të pyesnin se çfarë do të thotë ky rend i ri botëror.

Kur u pyet nëse Groenlanda do të priste mbështetje nga NATO në rast një pushtimi, ajo tha se nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, sepse ajo mendonte se një vend që do të sulmohej nga një tjetër aleat i NATO‑s, të gjithë ne do të ishim nën sulm.

Nathanielsen shtoi se Groenlanda ndihej  e tradhtuar nga kërkesat e presidentit amerikan Donald Trump për të aneksuar territorin gjysmëautonom të Danimarkës.

Vizita e saj në Britaninë e Madhe erdhi ndërsa SHBA‑ja vazhdoi të kërcënonte se do të merrte nën kontroll këtë territor, i cili sipas Trump është jetik për sigurinë kombëtare amerikane.

Një anëtar i Partisë Republikane të Donald Trump prezantoi dje një legjislacion për aneksimin e Groenlandës si shteti i 51‑të i SHBA‑së.

Ministrat e Jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës do të vizitojnë nesër Uashingtonin për një takim me zëvendëspresidentin amerikan, JD Vance dhe sekretarin e Shtetit, Marco Rubio./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Ministrja e Energjisë e Groenlandës: Pushtimi nga SHBA do të ishte sulm ndaj NATO-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kupa e Botës për Ski, Lara Colturi renditet e 8-ta në Flachau

13 January 2026 at 22:33

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Gara e sllallomit të Kupës së Botës në ski, e zhvilluar të martën në mbrëmje në Flachau të Austrisë, u karakterizua nga kushte shumë të vështira atmosferike.

Mjegulla dhe shikueshmëria e ulët ndikuan dukshëm në performancën e skiatoreve, duke bërë që nga 75 skiatore të regjistruara, plot 35 të mos arrinin të përfundonin garën.

Skiatorja italo-shqiptare, u rendit e 8-ta në klasifikimin final. Colturi u dallua veçanërisht në lëshimin e dytë, ku me kohën 53 sekonda e 77 të qindtat regjistroi rezultatin më të mirë me vendin e parë, duke lënë pas edhe kampionen amerikane Mikaela Shiffrin.

Megjithatë, një gabim i bërë në lëshimin e parë e mbajti Colturin jashtë podiumit, pasi atë raund e mbylli vetëm në vendin e 16-të. Në total, performanca e kombinuar e pozicionoi atë të tetën në renditjen përfundimtare.

Në podiumin e garës në Flachau, në shkallën më të lartë të tij u ngjit Milkaela Shifrin, që e çon në 60 numrin e fitoreve në sllallom, një shifër e jashtëzakonshme në historinë e këtij sporti. Pas saj u klasifikua amerikania Paula Molzen, ndërsa vendin e tretë e mori austriakja Katarina Trupe.

/m.q/a.f/r.e/

The post Kupa e Botës për Ski, Lara Colturi renditet e 8-ta në Flachau appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ethemaj: TIA rrit kapacitetet, fluturime me Kanadanë dhe negociata me ShBA, Katar e Norvegji

13 January 2026 at 22:10

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Kreu i Aviacionit Civil Shqiptar, Maksim Ethemaj, deklaroi se Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit operon me nivel të lartë sigurie, falë sistemeve të kamerave, kontrollit të aksesit dhe protokolleve të avancuara të sigurisë.

Në një intervistë televizive ai njoftoi se vitin e ardhshëm Aeroporti do të ketë gjashtë porta të reja dhe 17 kabina check-in, të cilat do të lehtësojnë ndjeshëm lëvizjen e udhëtarëve.

Sa i përket linjave të reja të fluturimeve, Ethemaj bëri të ditur se Shqipëria do të ketë fluturime direkte me Kanadanë, me fluturimin e parë jashtë Europës që pritet në qershor. Po ashtu, nga Kopenhaga do të ketë fluturime të përditshme, ndërsa do të shtohen linjat drejt disa qyteteve të Suedisë.

Ethemaj njoftoi se po zhvillohen negociata me Marokun, Norvegjinë, Katarin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zgjerimin e rrjetit të fluturimeve.

Kreu i Aviacionit Civil theksoi se në rastet e motit të keq, fluturimet nuk kryhen, pasi prioritet është siguria e udhëtarëve. Ai shtoi se anulimet për shkak të kushteve atmosferike nuk konsiderohen të shkaktuara nga linjat ajrore dhe udhëtarët nuk kompensohen, duke u bazuar në parimin e force majeure.

Gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të Aviacionit Civil, 12 milionë turistë vizituan Shqipërinë, duke rritur numrin e udhëtarëve në Aeroportin e Rinasit dhe duke konfirmuar rëndësinë e zgjerimit të linjave ajrore.

/e.xh/a.f/r.e/

The post Ethemaj: TIA rrit kapacitetet, fluturime me Kanadanë dhe negociata me ShBA, Katar e Norvegji appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – UNICEF: Më shumë se 100 fëmijë të vrarë në Gaza që nga armëpushimi

13 January 2026 at 22:05

GJENEVË, 13 janar /ATSH-DPA/ – Sipas agjencisë së OKB-së për fëmijët, UNICEF, më shumë se 100 të mitur janë vrarë në Rripin e Gazës që nga shpallja e armëpushimit në tetor.

Organizata raportoi se kanë humbur jetën 60 djem dhe 40 vajza nën moshën 18 vjeç.

Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës, e cila drejtohet nga Hamasi, i ka konfirmuar këto shifra dhe ka deklaruar se është burimi kryesor i të dhënave për UNICEF-in.

Organizatat e OKB-së kanë theksuar vazhdimisht se shifrat e ministrisë konsiderohen të besueshme.

Megjithatë, të dhënat e autoritetit shëndetësor nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Ushtria izraelite tha, në përgjigje të një kërkese për koment, se nuk synon kurrë qëllimisht fëmijët dhe se gjithmonë përpiqet të shmangë dëmtimin e civilëve gjatë operacioneve të saj.

Sipas saj, në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit, ushtria ka goditur vetëm objektiva terroriste ose ka reaguar ndaj shkeljeve të marrëveshjes nga ana e Hamasit.

Ushtria izraelite gjithashtu bëri thirrje për kujdes në lidhje me shifrat e autoriteteve shëndetësore.

Edhe informacionet e ushtrisë nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder, i cili ndodhet në Rripin e Gazës, tha se viktimat janë shkaktuar kryesisht nga sulmet ajrore dhe ato me dronë.

“Bombardimet janë ngadalësuar, por nuk janë ndalur”, theksoi  ai.

“Disa viktima janë goditur edhe nga armë zjarri, ndërsa disa të tjerë janë vrarë nga mjete shpërthyese të pashpërthyera më herët”, shtoi ai.

Sipas tij, numri real i të vrarëve është më i lartë, pasi UNICEF numëron vetëm rastet që i konsideron të verifikuara.

”Gjashtë fëmijë kanë vdekur tashmë nga hipotermia këtë dimër në Gaza”, tha Elder./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post FOKUS – UNICEF: Më shumë se 100 fëmijë të vrarë në Gaza që nga armëpushimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 13 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

HAPËSIRË – Një meteorit nga Alaska zbulon origjinën e ujit në Tokë

13 January 2026 at 21:21

LONDËR, 13 janar /ATSH/ – Një meteorit i rrallë, i gjendur në Alaska, po bën që shkencëtarët të rimendojnë origjinën e ujit në Tokë.

Gjetjet e reja sugjerojnë se planeti ynë mund të kishte hidrogjenin e nevojshëm për të formuar ujë vetë, pa ndihmën e asteroideve, duke sfiduar teorinë që Toka e hershme ishte e thatë, sipas” Daily Glaaxy”.

Ky informacion vjen nga studimet e kryera nga shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit, të cilët analizuan një meteorit enstatit chondrite të njohur si “LAR 12252”. Përbërja e tij, që ngjan me Tokën para 4,55 miliardë vjetësh, tregoi sasi të konsiderueshme hidrogjeni që më parë nuk ishin zbuluar.

Studimet e mëparshme kishin gjetur vetëm gjurmë të vogla hidrogjeni në “LAR 12252”, të cilat mund të ishin shkaktuar nga kontaminimi pas mbërritjes së meteoriti në Tokë. Ekipi i ri analizoi matriksin, materialin që rrethon chondrulet, dhe zbuloi hidrogjen sulfurik natyral.

Sipas Thomas Barrett, autor kryesor i studimit, kjo tregon se hidrogjeni nuk erdhi nga toka, por ishte pjesë e përbërjes origjinale të meteoriti, duke ofruar prova që uji mund të ishte formuar në Tokë natyralisht.

Meteoriti “LAR 12252” bën pjesë në grupin e rrallë të enstatit chondrite, që përputhet ngushtë me përbërjen izotopike të Tokës së hershme. Këta meteorite shihen si “fotografi” të materialit që formoi planetin tonë.

Mendimi i mëparshëm ishte se Toka ishte relativisht e thatë dhe uji erdhi më vonë nga asteroidet e lagura. Gjetjet e reja tregojnë se përbërësit e Tokës mund të kishin qenë “të pasur me hidrogjen”, duke mundësuar formimin natyral të ujit.

Ky zbulim ndryshon mënyrën se si kuptojmë evolucionin kimik të Tokës. Sipas studiuesve të Oksfordit, formimi i ujit ishte një pasojë natyrore e materialeve të planetit, jo një rastësi kozmike.

Teoria tradicionale që uji erdhi përmes goditjeve të asteroideve mbetet e diskutueshme.

Prania e hidrogjenit natyral në meteoritin “LAR 12252” sugjeron fort se uji mund të ishte krijuar në Tokë vetë, duke sfiduar perceptimin e deritanishëm në shkencën planetare. /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post HAPËSIRË – Një meteorit nga Alaska zbulon origjinën e ujit në Tokë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“24 orë nga jeta e një votuesi”, premierë në Teatrin Kombëtar ArTurbina

13 January 2026 at 20:47

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Teatri Kombëtar ArTurbina solli sot për artdashësit premierën e  komedisë satirike “24 orë nga jeta e një votuesi”, një vepër që përmes humorit të mprehtë dhe satirës godet realitetin e përditshëm të qytetarëve.

Spektatorët që kishin mbushur sallën, patën mundësinë të përjetojnë një kombinim unik të humorit dhe kritikës shoqërore, në një mbrëmje të mbushur me emocione dhe të qeshura.

Në skenë luajtën aktorët Arben Derhemi, Zamira Kita, Xhuliano Brisku dhe Ermir Haxhaj, të shoqëruar nga tre muzikantë.

Vepra u realizua nga dhe nën regjinë e Driada Dervishi, bazuar në motive të Naun Shundit, me tekstin “E të tjera, e të tjera” nga Teodor Keko, dhe muzikë të kompozuar nga Aulon Naçi.

Për gjashtë mbrëmje, nga 13 deri më 18 janar, shikuesit do të kenë mundësinë të ndjekin këtë komedi çdo ditë, në orën 20:00.

Ky produksion ofron një eksperiencë teatrale të mbushur me humor, satirë dhe reflektim mbi jetën e përditshme të votuesit shqiptar.

1 nga 10
"24 orë nga jeta e një votuesi" në ArTurbina, foto: Andrin Hoxha

/e.xh/r.e/a.f/

The post “24 orë nga jeta e një votuesi”, premierë në Teatrin Kombëtar ArTurbina appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Irani në protesta, izolim dhe presion ndërkombëtar

13 January 2026 at 20:40

TEHERAN, 13 janar /ATSH/ – Iranianët arritën të telefononin sot për herë të parë jashtë vendit, pasi komunikimet u ndërprenë gjatë një goditjeje të ashpër ndaj protestave mbarëkombëtare, në të cilat aktivistët thonë se janë vrarë mijëra persona, sipas AP.

Disa banorë të Teheranit kontaktuan dhe folën me një gazetar në Dubai.

Megjithatë, ata nuk arrinin të  telefonoheshin sërish nga ata numra. Dëshmitarët thanë se mesazhet SMS vazhdonin të ishin jashtë funksioni dhe se përdoruesit e internetit në Iran mund të hynin vetëm në faqet e miratuara nga qeveria brenda vendit, por jo në faqe jashtë Iranit.

Dëshmitë ofruan një pamje të shkurtër të jetës në rrugët e kryeqytetit iranian gjatë katër ditëve e gjysmë izolim nga bota. Ata përshkruan një prani të madhe të forcave të sigurisë në qendër të Teheranit.

Policia, e pajisur me helmeta, jelekë mbrojtës, shkopinj, mburoja, armë gjahu dhe lëshues gazi lotsjellës, ishte vendosur në kryqëzime kryesore. Afër tyre, dëshmitarët panë anëtarë të forcës vullnetare Basij të Gardës Revolucionare, gjithashtu të armatosur. Edhe agjentë civilë të sigurisë ishin të dukshëm në hapësira publike.

Sipas dëshmitarëve, disa banka dhe zyra qeveritare u dogjën gjatë trazirave. Bankomatë u shkatërruan dhe bankat patën vështirësi në kryerjen e transaksioneve për shkak të mungesës së internetit.

Megjithatë, dyqanet ishin të hapura, edhe pse qarkullimi i njerëzve ishte i ulët. . Një dëshmitar tha se shumë tregtarë pohuan se forcat e sigurisë i kishin urdhëruar të rihapnin dyqanet pa kushte, megjithëse media shtetërore iraniane nuk e ka pranuar një urdhër të tillë.

Dëshmitarët folën në kushte anonimiteti nga frika e ndëshkimeve

Shumë banorë mbeten të shqetësuar për një sulm të mundshëm ushtarak nga SHBA-ja, edhe pse presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Irani dëshiron të negociojë.

“Klientët e mi flasin për reagimin e Trumpit dhe pyesin nëse ai planifikon një sulm ushtarak ndaj Republikës Islamik”, tha Mahmoud, një tregtar që dha vetëm emrin e parë për arsye sigurie. “Nuk pres që Trump apo ndonjë vend tjetër i huaj të shqetësohet për interesat e iranianëve”.

Një shofer taksie, Reza, tha se protestat mbeten temë kryesore për shumë njerëz.

”Njerëzit, sidomos të rinjtë, janë të pashpresë, por flasin për vazhdimin e protestave”, tha ai.

Ndërkohë, duket se shërbimet e sigurisë po kërkojnë terminalë të “Starlink”.

Banorë të veriut të Teheranit raportuan se autoritetet po bastisnin ndërtesa apartamentesh me antena satelitore. Edhe pse antenat satelitore janë të ndaluara, zbatimi i ligjit ishte zbutur vitet e fundit.

Në rrugë, qytetarët shiheshin duke kundërshtuar agjentë civilë që ndalonin kalimtarë në mënyrë të rastësishme.

Televizioni shtetëror njoftoi gjithashtu se shërbimet mortore dhe morgjet janë falas,  një sinjal se disa institucione mund të kenë kërkuar tarifa të larta për dorëzimin e trupave gjatë goditjes nga ana e policësë.

Irani thotë se ka komunikuar me Uashingtonin

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në një intervistë për ”Al Jazeera”, tha se komunikimi me të dërguarin amerikan Steve Witkoff ka vazhduar para dhe pas protestave.

“Komunikimet vazhdojnë, por idetë dhe kërcënimet e propozuara nga Uashingtoni janë të papajtueshme”, tha ai.

Shtëpia e Bardhë deklaroi se retorika publike e Iranit ndryshon nga mesazhet private të marra nga Teherani ditët e fundit.. Presidenti ka interes t’i shqyrtojë këto mesazhe, por nuk heziton të përdorë opsione ushtarake nëse e sheh të nevojshme”,  tha zëdhënësja Karoline Leavitt

Ndërkohë, demonstrues proqeveritarë dolën në rrugë  në mbështetje të regjimit, duke brohoritur slogane si “Vdekje Amerikës!” dhe “Vdekje Izraelit!”. Prokurori i Përgjithshëm iranian ka paralajmëruar se protestuesit do të konsiderohen “armiq të Zotit”, një akuzë që mund të çojë në dënim me vdekje.

Trump vendos tarifa ndaj partnerëve tregtarë të Iranit

Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi se vendet që bëjnë biznes me Iranin do të përballen me tarifa 25% nga SHBA-ja, me efekt të menjëhershëm. Ai e paraqiti këtë si një masë ndëshkuese për goditjen ndaj protestave.

Brazili, Kina, Rusia, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë ndër vendet që kanë marrëdhënie tregtare me Teheranin.

Mbi 10 700 persona janë arrestuar gjatë dy javëve të protestave.

Me internetin e ndërprerë, vlerësimi i situatës nga jashtë mbetet i vështirë dhe nuk është e mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur bilanci i viktimave./ /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post KOMENT – Irani në protesta, izolim dhe presion ndërkombëtar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga takimet në samitin e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Emiratet e Bashkuara

13 January 2026 at 20:38


TIRANË, 13 janar /ATSh/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë në samitin e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Emiratet e Bashkuara Arabe, i cili organizohet nën kujdesin e veçantë të presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan.

Kreu i qeverisë ndau pamjet në rrjetet sociale nga pjesëmarrja në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Zayed”, të cilat nderojnë iniciativat humanitare të atyre që kontribuojnë në vendet në zhvillim.

Çmimet u akorduan për projekte dhe organizata që kanë punuar lidhur me përmirësimin e arsimit dhe shkollimit, sigurimin e ujit të pijshëm, mbështetjen e ushqimit për komunitetet në nevojë si dhe për nisma që adresojnë ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit.

Ndërkaq, kryeministrit Edi Rama iu akordua medalja “Zayed” nga presidenti i Emirateve të Bashkuara, Sheikh Mohammed bin Zayed al Nayan. Rama theksoi se ky është respekti dhe vlerësimi më i madh për një kryeministër shqiptar.

Kreu i Ekzekutivit ishte i pranishëm në këtë event me ftesë të presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ky forum ndërkombëtar bën bashkë kryetarë shtetesh dhe qeverish, liderë të biznesit dhe shoqërisë civile, për të diskutuar sfidat dhe perspektivat e zhvillimit të qëndrueshëm në nivel global.

/m.q/r.e/a.f/

The post Rama ndan pamje nga takimet në samitin e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Emiratet e Bashkuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mozaiku “Dielli i ditës tjetër” do të qëndrojë në AQShF

13 January 2026 at 20:19

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Mozaiku “Dielli i ditës tjetër”, i artistes Blerta Kambo, i cili ndërthur trashëgiminë kulturore me ndërgjegjësimin shëndetësor, do të qëndrojë në pjesën lindore të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQShF).

“Tashmë “Shqipja” siç i thërrasim ne ose “Dielli i ditës tjetër” i rikrijuar nga artistja Blerta Kambo dhe i mbështetur nga MTKS do të qëndrojë në pjesën lindore të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

“Faleminderit Blerta Kambo që kujtesës arkivale shqiptare i shtove gjendjen tënde muzeale! Një mozaik që nuk rri në mur, por të rri përballë. Të shikon drejt e në sy, pa zë, dhe të pyet gjëra që i ke shmangur gjithë ditën. Copëza të vogla, të thyera, ngjyra që rrisin emocionet si ne. Dhe prapë, kur bashkohen, bëhen figurë. Bëhen kujtesë. Ky mozaik flet për dhimbjen dhe artin! Flet për durimin dhe gruan. Për kohën. Për njeriun që thyhet dhe ndërtohet copë copë derisa më në fund guxon të qendrojë drejt”, njoftoi AQShF.

Fasada e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë u transformua përkohësisht në nëntor të vitit të kaluar përmes instalacionit “Dielli i ditës tjetër”, ku historia bashkohet me artin bashkëkohor.

Artistja zgjodhi të vendosë mbi figurën kryesore femërore të mozaikut monumental “Shqipëria”, një element të ri artistik, rikontekstualizuar si një gjest simbolik në mbështetje të grave që përballen me kancerin e gjirit.

Në “Dielli i Ditës Tjetër”, kjo figurë e njohur e mozaikut rishfaqet me kokë të qethur dhe me një shenjë në gjoksin e djathtë, si shenjë solidariteti me të gjitha gratë që përballen ose kanë mbijetuar nga kanceri i gjirit.

Ky gjest artistik e zhvendos heroinën mitike të mozaikut në figurën e gruas reale bashkëkohore, të ndjeshme, të plagosur, por të fortë dhe në lëvizje përpara. Një vepër që flet për jetën, forcën dhe rilindjen si pjesë e kujtesës dhe ndërgjegjësimit kolektiv.

Instalacioni qëndroi i dukshëm në fasadën e muzeut, si kushtim për 1 në 12 gra që diagnostikohen me kancer gjiri, një kujtesë e përbashkët dhe një thirrje për ndërgjegjësim, solidaritet dhe shpresë.

/m.q/r.e/

The post Mozaiku “Dielli i ditës tjetër” do të qëndrojë në AQShF appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FA vazhdon evakuimet e banorëve në Fier

13 January 2026 at 20:17

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Forcat Tokësore (FT) vijojnë me angazhimin në terren për evakuimin e banorëve dhe të gjësë së gjallë nga zonat e përmbytura në bashkinë Fier, ku reshjet intensive kanë krijuar situata emergjente.

Efektivët e Batalionit të Këmbësorisë së Jugut janë angazhuar që në orët e para të mëngjesit në evakuimin e popullsisë dhe sigurimin e zonave të rrezikuara, duke punuar në kushte të vështira dhe duke garantuar mbështetje të menjëhershme për komunitetet e prekura.

Në kuadër të operacionit, Forcat Tokësore kanë organizuar: Transportin e banorëve drejt zonave të sigurta; evakuimin e gjësë së gjallë; dhënien e ndihmave emergjente, përfshirë ushqime, ujë dhe strehim të përkohshëm.

Operacionet zhvillohen në koordinim të ngushtë me autoritetet vendore dhe strukturat e emergjencave civile, për të siguruar që ndërhyrjet të jenë të shpejta dhe efektive.

Forcat Tokësore vijojnë patrullimet dhe monitorimin e zonave të rrezikuara, duke u siguruar që çdo qytetar i prekur nga përmbytjet të marrë ndihmën e nevojshme dhe duke minimizuar pasojat e situatës.

/e.xh/r.e/a.f/

The post FA vazhdon evakuimet e banorëve në Fier appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Qeveria ka zero legjitimitet, PD beson në pushtetin me votën e lirë

13 January 2026 at 20:15

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot turin e radhës të “Foltores” me demokratët në qytetin e Lezhës.

Në fjalën e tij Berisha u ndal tek situata brenda partisë si dhe përballja me qeverinë. Në 35-vjetorin e krijimit të degës së PD-së në Lezhë, Berisha tha se kjo ditë është “një kushtrim i madh të përmbushim misionin tonë”.

Sipas Berishës, qeveria ka zero legjitimitet, ndërsa theksoi se kryeministri Edi Rama “ka grabitur mandate me të gjitha mënyrat”. Berisha bëri thirrje që “mos të bllokohet drejtësia”.

“Një pushtet i paligjshëm nuk tolerohet. Një pushtet i paligjshëm rrëzohet dhe vetëm rrëzohet”, tha Berisha, teksa shtoi se PD “beson në pushtetin me votën e lirë dhe në rrugë paqësore”.

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se opozita i ka fituar të gjitha betejat “kur ka dalë në shesh me moton “ja vdekje, ja liri””.

“Edhe një herë, ne, mbajeni mend, kemi fituar në të gjitha rastet kur kemi dalë në shesh ja vdekje, ja liri. Kemi fituar në vitet ’90 me këtë moto. Kemi fituar në vitet ’98-99 po me këtë moto, na vranë. Po ne u hodhëm me moton “ja vdekje, ja liri”. Dhe kur ne themi këtë, nuk ka forcë në botë që na mposht. Ndaj dhe ky është misioni. Ky është misioni që na thërret çdo demokrati e demokrateje, çdo shqiptari e shqiptareje. Ne jemi të pamposhtur, ne e kemi faktuar.

Vendi kërkon qeveri legjitime, vendi kërkon qeveri të dalë nga vota e lirë. Vendi kërkon që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë, të zgjedhin atë që duan”, theksoi kreu i PD.

Berisha ftoi qytetarët që të marrin pjesë në protestën që do të mbahet në datën 24 janar.

“Ju garantoj se PD do përmbushë misionin e saj, detyrimin që ka për të garantuar votën e lirë të shqiptarëve dhe fitoren e opozitës. Më 24 janar, Tirana, sheshet dhe rrugët janë të opozitës. Ndaj dhe ju ftoj të derdhemi të gjithë në Tiranë për të treguar vendosmërinë tonë për të larguar me vendosmëri këtë qeveri nga pushteti”, tha Berisha.

Berisha gjithashtu garantoi se “PD është në një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm të ripërtëritjes, të përpunimit të programit dhe strategjisë për të realizuar misionin e saj, përmbysjen e diktaturës së dytë në Shqipëri dhe rikthimin e demokracisë”.

/m.q/a.f/r.e/

The post Berisha: Qeveria ka zero legjitimitet, PD beson në pushtetin me votën e lirë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sejko: Shqipëria në të njëjtin nivel me tregun evropian të pagesave

13 January 2026 at 22:20

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në punimet e Forumit të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL), i cili po zhvillohet në Vjenë, Austri.

Në kuadër të këtij forumi, Guvernatori prezantoi zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend. Ai theksoi rëndësinë e investimeve të huaja direkte si një faktor kyç në mbështetje të rritjes ekonomike dhe forcimit të qëndrueshmërisë makroekonomike.

Gjatë fjalës së tij, Sejko u ndal edhe në zhvillimet në sektorin bankar shqiptar, duke nënvizuar se treguesit financiarë konfirmojnë një sistem bankar të shëndetshëm, të qëndrueshëm dhe rezistent ndaj goditjeve të jashtme, i cili është i aftë të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Guvernatori nënvizoi angazhimin e vazhdueshëm të Bankës së Shqipërisë në drejtim të modernizimit të infrastrukturës financiare, përfshirë përmirësimin e sistemeve të pagesave dhe forcimin e mbikëqyrjes bankare, si dhe avancimin e agjendës së integrimit evropian.

Në këtë kontekst, Sejko vuri në dukje se aderimi i Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) përbën një hap të rëndësishëm strategjik, duke e pozicionuar vendin në të njëjtin nivel funksional me tregun evropian të pagesave dhe duke lehtësuar transaksionet financiare për qytetarët dhe bizneset.

Forumi i vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore mbledh përfaqësues të lartë institucionalë, ekspertë ekonomikë dhe drejtues të institucioneve financiare, duke shërbyer si një platformë diskutimi mbi sfidat dhe perspektivat e zhvillimit ekonomik në rajon dhe më gjerë.

/e.xh/r.e/a.f/

The post Sejko: Shqipëria në të njëjtin nivel me tregun evropian të pagesave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çelet qendra për trajtimin dhe akomodimin e qenve endacakë në Korçë

13 January 2026 at 20:05

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Në Bashkinë e Korçës është vënë në funksion qendra e re për trajtimin dhe akomodimin e qenve endacak, një investim i rëndësishëm që synon përmirësimin e mirëqenies së katërputroshve dhe rritjen e sigurisë për komunitetin.

Kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, ndau në rrjete sociale pamje nga ambientet ku janë akomoduar katërputroshët teksa u shpreh se qendra ka një kapacitet të konsiderueshëm dhe ofron kushte të përshtatshme për trajtimin e qenve endacakë, të cilët kapen dhe menaxhohen sipas standardeve të përcaktuara.

“Qentë vaksinohen, ushqehen rregullisht dhe mbahen në kushte të përshtatshme nga një staf i specializuar, veçanërisht në këto ditë të ftohta, kur kujdesi është edhe më i domosdoshëm”, tha Filo.

Ai theksoi se funksionimi i kësaj qendre kontribuon jo vetëm në përmirësimin e kushteve të jetesës për kafshët, por edhe në garantimin e një mjedisi më të sigurt për qytetarët.

Në këtë kuadër, Bashkia Korçë u bën thirrje banorëve, organizatave të mbrojtjes së kafshëve dhe të gjithë dashamirësve të kafshëve që, nëse dëshirojnë, mund të kontribuojnë në kujdesin për qentë endacakë ose t’i adoptojnë ata, duke u ofruar një familje dhe një ambient të ngrohtë.

“Kujdesi për kafshët është një tregues qytetarie dhe humanizmi. Së bashku mund të bëjmë më shumë për të përmirësuar standardet e jetesës dhe bashkëjetesën në komunitetin tonë”, u shpreh kryebashkiaku Filo.

/e.xh/a.f/r.e/

The post Çelet qendra për trajtimin dhe akomodimin e qenve endacakë në Korçë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Londra thërret ambasadorin iranian dhe planifikon sanksione të reja

13 January 2026 at 19:57

LONDËR, 13 janar /ATSH-DPA/ – Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper thërriti sot ambasadorin e Iranit në Londër për shkak të shtypjes së protestave në vend dhe shpalli sanksione të reja ndaj regjimit iranian.

Cooper i tha Parlamentit se raportet mbi dhunën e ushtruar nga qeveria iraniane ndaj protestuesve gjatë javëve të fundit mund të mos pasqyrojnë plotësisht ashpërsinë e situatës dhe se realiteti mund të jetë edhe më i rëndë.

Ajo tha se kishte biseduar dje me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, duke shprehur kundërshtimin e fuqishëm të Britanisë së Madhe ndaj vrasjeve, dhunës dhe represionit.

Sipas saj, po planifikohen sanksione të plota dhe të mëtejshme ndaj sektorëve iranianë të naftës, energjisë, bërthamor dhe sistemit financiar.

Cooper theksoi se vendimi për të thirrur ambasadorin u mor për të kërkuar shpjegime mbi raportet tronditëse dhe për të nënvizuar seriozitetin e momentit.

Sipas raportimeve, mijëra persona janë vrarë dhe shumë të tjerë janë arrestuar, ndërsa aktivistët kundër regjimit të udhëhequr nga lideri suprem Ali Khamenei kanë dalë në rrugë për të protestuar.

”Britania e Madhe dënon me termat më të ashpër vrasjet e tmerrshme dhe brutale të protestuesve iranianë dhe kërkon që autoritetet iraniane të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve të tyre”, tha ajo./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post BM – Londra thërret ambasadorin iranian dhe planifikon sanksione të reja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nënstacioni i ri 110/20 kV në Kamzë siguron energji të qëndrueshme për gjashtë zona

13 January 2026 at 19:54

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Punimet për ndërtimin e nënstacionit të ri 110/20 kV në Kamzë po vijojnë me ritme të shpejta. Ky investim strategjik, synon të përmirësojë furnizimin me energji elektrike, të rrisë sigurinë e rrjetit dhe të garantojë shërbim më cilësor për qytetarët e zonës.

Kryetari i bashkisë së Kamzës, Rakip Suli ndau në rrjete sociale pamje nga ky investim, teksa u shpreh se, “projekti i ri do të sigurojë energji të qëndrueshme dhe do të rrisë cilësinë e shërbimit për qytetarët dhe bizneset”.

Investimi përfshin: 2 transformatorë, 41 kabina dhe 30 kilometra rrjet 20 kilovolt.

Ky projekt realizohet me mbështetjen e qeverisë dhe financimin e Qeverisë Gjermane përmes KfW, duke u konsideruar një investim strategjik për forcimin e rrjetit energjetik dhe rritjen e sigurisë së furnizimit.

Nënstacioni i ri do të shërbejë për zonat: Fushë-Kamzë; Valiasin e Ri; Valiasin e Vjetër; Laknasin; Lagjen Lura dhe Lagjen 6, Bathore.

“Ky investim është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të rrjetit energjetik dhe përmirësimit të shërbimit për qytetarët. Ai do të sigurojë furnizim të qëndrueshëm dhe do të minimizojë ndërprerjet e energjisë elektrike në zonë”, tha kryetari Suli.

Projekti pritet të përfundojë në periudhën e ardhshme dhe do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e komunitetit në bashkinë e Kamzës.

/e.xh/r.e/a.f/

The post Nënstacioni i ri 110/20 kV në Kamzë siguron energji të qëndrueshme për gjashtë zona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla: 113 vjet Policia e Shtetit, mirënjohje për sakrificën dhe shërbimin ndaj qytetarëve

13 January 2026 at 19:32

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Me rastin e 113-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe ish-ministri i Brendshëm, Taulant Balla dha një mesazh mirënjohjeje për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit ndër vite, duke nderuar veçanërisht dëshmorët që kanë dhënë jetën në shërbim të rendit dhe sigurisë publike.

“113-vjetori i krijimit të Policisë së Shtetit është një ditë e shënuar kujtese dhe mirënjohjeje për të gjithë punonjësit e trupës policore shqiptare ndër vite. Shqipëria nderon dhe përulet para sakrificave sublime të dëshmorëve të Policisë së Shtetit.

“Jetët dhe gjaku i dëshmorëve të Policisë janë një reflektim dhe detyrim për drejtuesit dhe punonjësit aktualë të kësaj trupe për ta kryer këtë detyrë me përkushtim dhe ndershmëri!”, shkruan Balla në mesazhin e tij.

Në këtë rrugëtim 113-vjeçar, 231 punonjës policie kanë rënë dëshmorë, duke dhënë jetën në krye të detyrës për mbrojtjen e ligjit dhe rendit.

Policia e Shtetit Shqiptar u krijua më 13 janar 1913, me vendim të Qeverisë së Përkohshme të drejtuar nga Ismail Qemali, dhe prej mëse një shekulli ka qenë një nga institucionet themelore të rendit dhe sigurisë në vend.

/m.q/a.f/r.e/

The post Balla: 113 vjet Policia e Shtetit, mirënjohje për sakrificën dhe shërbimin ndaj qytetarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌