Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 19 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Begaj pritet nga Sandu: Mbështesim popullin moldav në ndërtimin e një të ardhmeje demokratike

19 January 2026 at 16:55

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Moldavi, u prit sot në një takim nga Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.

Takimet kokë më kokë dhe më pas ai në praninë e delegacioneve përkatëse, u fokusuan në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, sigurinë rajonale, situatën e ndërlikuar gjeopolitike dhe unitetin evropian përballë këtyre sfidave.

“Shqipëria mbështet popullin moldav në ndërtimin e një të ardhmeje demokratike, të begatë dhe evropiane, në një kontekst gjeopolitik dhe sigurie mjaft sfidues të shënuar nga agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar rus kundër Ukrainës dhe kërcënimet e sigurisë që burojnë prej tij”, u shpreh Presidenti Begaj.

Krerët e dy shteteve rikonfirmuan angazhimin e përbashkët për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Edhe në konferencën për gazetarët, Presidenti Begaj dhe Presidentja Sandu konfirmuan angazhimin për bashkëpunim në përmbushjen sa më shpejtë të agjendës evropiane, me synimin anëtarësimin në Bashkimin Evropian përmes progresit të bazuar në meritë dhe reforma.

Presidenti Begaj theksoi se “Shqipëria beson se zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet një nga instrumentet më efektive për garantimin e sigurisë, stabilitetit, begatisë dhe paqes së qëndrueshme në Evropë. Shqipëria shpreh mbështetjen e plotë për anëtarësimin e Moldavisë në Bashkimin Evropian”.

Ndërkohë, Presidenti Begaj shprehu mbështetje ndaj Presidentes Sandu për politikat proevropiane në drejtimin e shtetit.

Presidenti Begaj vlerësoi qëndrimin e Moldavisë përballë ndikimeve keqdashëse, presioneve dhe fushatave dezinformuese, si dhe angazhimin e palëkundur për ndërtimin e një shteti demokratik, pjesë integrale të familjes evropiane.

Në këtë frymë, ai theksoi se Shqipëria synon thellimin e bashkëpunimit duke shfrytëzuar mekanizmat e krijuar në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit për Integrimin Evropian të nënshkruar së fundmi.

“Shqipëria qëndron pranë Moldavisë si mike, si partnere dhe si aspirante e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Së bashku, ne kontribuojmë për një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe të bashkuar, të ndërtuar mbi vlerat e demokracisë, lirisë dhe përgjegjësisë së përbashkët për të ardhmen tonë”, u shpreh Presidenti Begaj.

Kreu i Shtetit theksoi, gjithashtu, angazhimin për thellim të marrëdhënieve në fushat ku ka potencial për bashkëpunim më të thelluar në fusha të tjera me interes të ndërsjellë.

Midis dy vendeve ekziston marrëveshja për tregtinë e lirë, si dhe ajo për mbrojtjen e investimeve dhe shmangien e taksimit të dyfishtë. Sipas Presidentit Begaj kjo është një bazë e mirë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik.

Një vëmendje të veçantë Presidenti Begaj i kushtoi gjatë kësaj vizite Kosovës. Presidenti vlerësoi mbështetjen e dhënë nga Moldavia në lidhje me aplikimin e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës dhe kontributin me trupa në misionin e KFOR-it.

“Në këtë frymë të bashkëpunimit, Shqipëria shpreson se Moldavia, kur ta gjykojë të arsyeshme, do të rishqyrtojë edhe çështjen e njohjes së Kosovës. Ne i dimë problemet e brendshme që ekzistojnë, të lidhura me Transnistrian, por gjithsesi, është një çështje që ne mendojmë se do të sillte paqe, stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe besim te demokracia”, deklaroi Presidenti Begaj.

Në agjendën e sotme të Presidentit ishin edhe takimi me një përfaqësi nga Parlamenti i Moldavisë, drejtuar nga kryetari Igor Grosu, me të cilët u diskutua për thellimin e bashkëpunimit mes institucioneve të dy shteteve si edhe me përfaqësues të diasporës shqiptare në Moldavi.

/gj.m/j.p/

The post Begaj pritet nga Sandu: Mbështesim popullin moldav në ndërtimin e një të ardhmeje demokratike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama reagon ndaj “Safe Journalists”: Keqkuptim thellësisht i shtrembëruar i qëndrimit tim për RTSH-në

19 January 2026 at 16:47

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj deklaratës së rrjetit “Safe Journalists”, duke e cilësuar atë si një keqkuptim të shtrembëruar të qëndrimit të tij mbi Transmetuesin Publik Shqiptar (RTSH).

Rrjeti “Safe Journalists” ngriti shqetësimin në lidhje me deklaratat publike të Kryeministrit Rama sa i takon transmetuesit televiziv publik RTSH duke reaguar se “lidhja e financimit ose ekzistencës së RTSH me miratimin politik minon pavarësinë e tij dhe paraqet rreziqe për lirinë e medias”.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama u shpreh se po krijohet “një model për të ardhur keq i kësaj epoke të re të përtacisë së shfrenuar ndaj dëgjimit të asaj që të tjerët realisht thonë”, duke iu referuar reagimeve që, sipas tij, nuk pasqyrojnë thelbin e deklaratave të bëra prej tij.

“Po bëhet një model për të ardhur keq i kësaj epoke të re të përtacisë së shfrenuar ndaj dëgjimit të asaj që të tjerët realisht thonë, që të përballemi me deklarata si ajo e bashkëngjitura, të cilat pasqyrojnë një keqkuptim thellësisht të shtrembëruar të qëndrimit tim lidhur me Transmetuesin Publik Shqiptar”, shkroi Rama.

Kryeministri ftoi autorët e deklaratës së “Safe Journalists” që ta lexojnë ose dëgjojnë me kujdes fjalimin e tij dhe të bëjnë një përpjekje të sinqertë për të kuptuar mesazhin real.

“I ftoj autorët e kësaj deklarate keqorientuese ta lexojnë ose ta dëgjojnë me kujdes fjalimin tim dhe të bëjnë një përpjekje të sinqertë për të kuptuar thelbin. Vërejtjet e mia nuk kanë të bëjnë absolutisht aspak me “lidhjen e financimit apo të ekzistencës së RTSH-së me miratimin politik”. Çdo interpretim i tillë është thjesht i pasaktë dhe keqorientues. Mbrojtja e informacionit nis me mos përhapjen e dezinformimit”, shkroi Rama.

/gj.m/j.p/

The post Rama reagon ndaj “Safe Journalists”: Keqkuptim thellësisht i shtrembëruar i qëndrimit tim për RTSH-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DAVOS – Fillon Samiti i Forumit Ekonomik Botëror me temën “Fryma e Dialogut”

19 January 2026 at 16:39

DAVOS, 19 janar /ATSH-AA/ – Takimi i 56-të Vjetor i Forumit Ekonomik Botëror (WEF) ka filluar në Davos me temën “Fryma e Dialogut”.

Samiti, i cili mbahet në qytetin zviceran të Davosit dhe që zgjat deri më 23 janar, pritet të tërheqë gati 3.000 pjesëmarrës nga 130 vende.

Pritet të marrin pjesë afërsisht 400 zyrtarë të nivelit të lartë dhe udhëheqës politikë, përfshirë 65 krerë shtetesh dhe qeverish, 55 ministra ekonomie dhe financash, 33 ministra të jashtëm, 34 ministra tregtie dhe industrie dhe 11 guvernatorë të bankave qendrore.

Në samitin e këtij viti, me temë “Fryma e Dialogut”, do të marrin pjesë edhe organizata ndërkombëtare joqeveritare, akademikë të shumtë dhe përfaqësues kryesorë të botës globale të biznesit.

Udhëheqësit politikë dhe përfaqësuesit kryesorë të biznesit do të mblidhen në samit për të marrë pjesë në seanca të hartuara për të filluar diskutime produktive mbi problemet më urgjente të botës dhe në fund të fundit për të krijuar ndikim.

Në këtë periudhë të rritjes së rreziqeve gjeopolitike dhe gjeoekonomike, pjesëmarrësit do të diskutojnë çështje sfiduese si ekonomia globale, transformimi teknologjik, inteligjenca artificiale dhe qëndrueshmëria.

Midis pjesëmarrësve të rëndësishëm në samit, pritet të jenë të pranishëm shumë liderë politikë, përfshirë presidentin e SHBA-së Donald Trump, zëvendëskryeministrin kinez He Faiang, presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministrin palestinez Mohammed Mustafa, presidentin sirian Ahmed al-Shara, kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez dhe presidentin argjentinas Javier Milei.

Është planifikuar Trump të mbajë fjalimin e tij pasditen e 21 janarit dhe pritet të shoqërohet nga sekretari i Shtetit Marco Rubio, sekretari i Thesarit Scott Bessent dhe Përfaqësuesi i Tregtisë Jamieson Greer.

– Masa të rrepta sigurie në Davos

Samiti i këtij viti, i cili pritet të shohë një numër rekord përfaqësuesish të qeverisë së nivelit të lartë në historinë e Takimeve Vjetore të WEF, po mbahet nën masa të rrepta sigurie.

Policia dhe ushtria zvicerane po përdorin “inteligjencën artificiale” për të monitoruar në mënyrë strikte të gjitha rrugët dhe rrugët hekurudhore të lidhura me Davosin. Civilët që mbërrijnë në Davos i nënshtrohen skanimeve me anë të njohjes së fytyrës dhe kontrolleve nga forcat e sigurisë.

Në samit, kryhen kontrolle sigurie të ngjashme me ato në aeroporte për të hyrë në qendrën mediatike, sallat e konferencave dhe ndërtesat e tjera të ngjarjeve. Laptopët dhe çantat e pjesëmarrësve skanohen gjithashtu nga makinat me rreze X.   /os/

The post DAVOS – Fillon Samiti i Forumit Ekonomik Botëror me temën “Fryma e Dialogut” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Fox News”: Irani akuzohet për vrasjen e 16 500 personave në një goditje të gjerë kundër “gjenocidit”

19 January 2026 at 16:29

TEHERAN, 19 janar /ATSH/- Protestuesit iranianë po përballen me ditët e tyre më vdekjeprurëse deri më tani, ndërsa forcat e sigurisë kryejnë vrasje masive dhe ekzekutime në një goditje të gjerë, që vëzhguesit e kanë quajtur “gjenocid”, thanë raportet e reja, sipas “Fox News”.

Sipas një raporti të “The Sunday Times”, i përpiluar nga mjekë të vendosur në rajon dhe i shqyrtuar nga media vlerëson se forcat e sigurisë kanë vrarë të paktën 16 500 protestues dhe kanë plagosur më shumë se 330 000 të tjerë.

Raporti gjithashtu e përshkroi dhunën si një “masakër të plotë”, duke paralajmëruar se numri i vërtetë mund të jetë edhe më i lartë për shkak të aksesit të kufizuar në spitale dhe mbylljes pothuajse totale të komunikimeve.

“Shumica e viktimave, besohet të jenë nën moshën 30 vjeç, duke nënvizuar numrin e madh të viktimave mbi brezin e ri të Iranit, ndërsa regjimi intensifikon përpjekjet e tij për të shtypur disidentët”, sipas raportit.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, pranoi të dielën se “disa mijëra” persona ishin vrarë që nga shpërthimi i protestave më 28 dhjetor.

Në një fjalim televiziv, ai fajësoi demonstruesit, duke i quajtur ata “ushtarë këmbësorë të SHBA-së” dhe duke pretenduar në mënyrë të rreme se protestuesit ishin të armatosur me municion të vërtetë të importuar.

Ndërkohë, Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA) raportoi se që nga dita e 22-të e protestave, shifrat e verifikuara tregojnë 3 919 persona të vrarë, me 8 949 vdekje shtesë nën hetim, 2 109 të plagosur rëndë dhe 24 669 të ndaluar.

HRANA vuri në dukje se numri i vërtetë ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë për shkak të mbylljes së internetit.

“Krahas vrasjeve në rrugë, ekzekutimet janë rritur ndjeshëm”, sipas Ali Safavi, një zyrtar i lartë në Këshillin Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI).

“Fox News Digital” se 2 200 persona u ekzekutuan në vitin 2025, ndërsa 153 janë varur tashmë në 18 ditët e para të janarit 2026, duke arritur mesatarisht në më shumë se tetë ekzekutime në ditë.

“Ali Khamenei po vazhdon ekzekutimet masive paralelisht me vrasjen e protestuesve të rinj”, tha Safavi.

“Tre ekzekutime në formën e varjes po ndodhin tani çdo orë sipas të dhënave tona”, shtoi ai.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi kundërshtoi numrin e lartë të vdekjeve të raportuara në një intervistë për “Fox News”, duke pretenduar se viktimat kishin arritur në qindra dhe duke i hedhur poshtë shifrat më të larta si “dezinformim”.

Presidenti amerikan, Donald Trump e dënoi ashpër Khamenei gjatë fundjavës, duke e quajtur atë një “njeri të sëmurë” dhe duke kërkuar udhëheqje të re në Iran.

Në një intervistë për “Politico”, Trump akuzoi Khamenei për mbikëqyrjen e “shkatërrimit të plotë të vendit” dhe përdorimin e “dhunës në nivele të papara më parë”, duke shtuar se udhëheqja e Iranit duhej të ndalonte vrasjen e njerëzve. //a.i/

The post “Fox News”: Irani akuzohet për vrasjen e 16 500 personave në një goditje të gjerë kundër “gjenocidit” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Berlini dënon kërcënimet për tarifa të Trump dhe paralajmëron kundërmasa

19 January 2026 at 15:57

BERLIN, 19 janar /ATSH-DPA / – Qeveria gjermane ka dënuar kërcënimin e papranueshëm të presidentit amerikan Donald Trump për tarifa ndëshkuese lidhur me mosmarrëveshjen për Groenlandën, ndërsa partitë në Berlin nga të gjitha spektrat politike po përpiqeshin të përgjigjeshin ndaj provokimit më të fundit të politikës së jashtme amerikane.

“Me këto kërcënime, ai po përshkallëzon konfliktin tregtar”, tha zëdhënësi i qeverisë, Stefan Kornelius.

“Nuk ka fitues në një konflikt tregtar”, shtoi Kornelius, duke theksuar se vendet evropiane janë të vendosura të përgjigjen me masa efektive kundërveprimi, përfshirë tarifat ndëshkuese.

“Do të përgatitim gjithashtu masa të mëtejshme ekonomike nëse është e nevojshme. Dhe nëse është e nevojshme, që nga shkurti”, tha zëdhënësi.

“Ka një marrëveshje të gjerë mbi këtë mes shteteve anëtare të Bashkimit Evropian”, shtoi  ai.

Komentet vijnë pasi Trump deklaroi  sot se do të vendosë një tarifë 10% mbi mallrat nga Danimarka dhe shtatë vende të tjera evropiane duke nisur nga 1 shkurti, e cila do të rritej në 25% nga 1 qershori, nëse nuk arrihet një marrëveshje e kënaqshme, që sipas tij do të ishte blerja e plotë dhe totale e Groenlandës, e administruar nga Danimarka.

Trump ka insistuar se kontrolli amerikan mbi ishullin Arktik është i nevojshëm për të mbrojtur rajonin nga Rusia dhe Kina.

Kërkesa e tij e ashpër ka hasur kundërshtim brenda Groenlandës, në Kopenhagë dhe mes aleatëve evropianë të Danimarkës./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Berlini dënon kërcënimet për tarifa të Trump dhe paralajmëron kundërmasa appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Restaurimi shpëton nga shembja Urën e Niçës

19 January 2026 at 15:44


TIRANË, 19 janar/ATSh/ Ura e fshatit Niçë është restauruar dhe tashmë është jashtë rrezikut të shembjes.

Bashkia e Pogradecit e konsideroi këtë ndërhyrje restauruese si një kapitull të ri për urën historike të Niçës.

Kjo urë është Monument Kulture, Kategoria I dhe daton të jetë ndërtuar në shekullin e 18-të. Përveç se është një urë për kalim këmbësorësh ajo është edhe një atraksion kulturor.

Ura e Niçës ndodhet fare pranë fshatit me të njëjtin emër në krahinën e Gorës. Ajo është ndërtuar prej guri dhe përbëhet nga një hark i vetëm. Ura i përket shek. XVIII, por është ndërtuar mbi një rrugë shumë më të vjetër se ajo e cila ishte një degëzim i rrugës Egnatia dhe lidhte Përrenjasin me Gurin e Kamjes-Niçën-Llëngën etj.

Vetë ura lidhte dy brigjet e një përroi dhe ka përmasa relativisht të vogla ku gjatësia nuk i kalon 6 m ndërsa lartësia është rreth 3 m. Për ndërtimin e saj ekziston ndër banorët e fshatit një legjendë si ajo e kalasë së Rozafës e cila lidhet me murosjen e një nuseje të re në këmbët e urës, si e vetmja mënyrë që ura të mos shembej. Largësia nga qyteti i Pogradecit është rreth 15 km në jugperëndim.

/a.f/r.e/

The post Restaurimi shpëton nga shembja Urën e Niçës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – Trump: SHBA do ta largojë kërcënimin rus nga Groenlanda

19 January 2026 at 15:25

UASHINGTON, 19 janar /ATSH/ – Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi sot  se Uashingtoni do të marrë masa vendimtare për të eliminuar kërcënimin rus në Groenlandë, sipas Reuters.

“NATO i ka thënë Danimarkës për 20 vjet. Duhet të largoni kërcënimin rus nga Groenlanda. Fatkeqësisht, Danimarka nuk ka qenë në gjendje të bëjë asgjë. Tani është koha dhe do të bëhet!”, tha Trump në platformën e tij Truth Social.

Trump ka insistuar vazhdimisht se nuk do të kënaqet me asgjë më pak se pronësinë e Groenlandës, një territor autonom i Danimarkës.

Liderët e Danimarkës dhe të Groenlandës kanë theksuar se ishulli nuk është për shitje dhe nuk dëshiron të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dhe Trump diskutuan dje situatën e sigurisë në Grenlandë dhe Arktik në një telefonatë.

Rutte tha se të dy do të vazhdojnë të punojnë për këtë.

Groenlanda ka tërhequr prej kohësh interesin e SHBA-së për shkak të vendndodhjes strategjike, burimeve të saj të mëdha minerale, si dhe shqetësimeve të supozuara për aktivitetin në rritje rus dhe kinez.

Ndërkohë, Kremlini pranoi javën e kaluar statusin ligjor të Groenlandës si pjesë e Danimarkës.

”Ne veprojmë mbi parimin se Groenlanda është një territor i Mbretërisë së Danimarkës”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post UASHINGTON – Trump: SHBA do ta largojë kërcënimin rus nga Groenlanda appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kub France Shkodra ofron një udhëtim virtual në Katedralen e Parisit

19 January 2026 at 15:25

TIRANË, 19 janar/ATSh/ Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” do t’u ofrojë nxënësve të shkollave një përvojë interaktive me ekspozitën “Udhëtim në Notre Dame de Paris”.

Kjo ekspozitë e menduar për fëmijë të moshave 10-13 vjeç, është pjesë e Kub France Shkodra, ku pjesëmarrësit do të mund të bëjnë një udhëtim unik mes artit, historisë dhe teknologjisë. Në këtë aktivitet edukativ zbulohet historia e katedrales së famshme të Parisit, duke ndjekur historikun e saj nga një monument ikonë i trashëgimisë botërore, deri te procesi i rindërtimit pas dëmtimit të rëndë nga zjarri.

Aktiviteti me nxënësit e shkollave përfshin fotografi, piktura, video, momente operistike, si edhe lojëra edukative dhe realitet virtual, duke iu mundësuar të eksplorojnë katedralen Notre Dame nga këndvështrime të ndryshme.

Muzeu “Marubi” thotë se, përvoja nxit kuriozitetin, të menduarit kritik dhe imagjinatën, duke e zhvilluar mësimin në formën e një udhëtim përmes kulturës evropiane.

Gjatë aktivitetit nxënësit do të udhëhiqen nga ekipi edukativ i Kub France Shkodra.

/r.e/a.f/

The post Kub France Shkodra ofron një udhëtim virtual në Katedralen e Parisit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJENEVË – OKB: Rritje alarmante e dënimeve me vdekje në botë në 2025

19 January 2026 at 14:52

GJENEVË, 19 janar /ATSH-AFP/ – Dënimi me vdekje në botë ka shënuar një rritje alarmante, paralajmëroi sot Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, duke shprehur shqetësim për situatën në Iran, Arabinë Saudite dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

”Ndërsa tendenca globale vazhdon të shkojë drejt shfuqizimit universal të dënimit me vdekje, numri i ekzekutimeve është rritur ndjeshëm në 2025, kryesisht për shkak të një rritjeje të dukshme në disa shtete që e ruajnë këtë dënim”, theksoi Volker Turk në një deklaratë të publikuar sot në Gjenevë.

”Zyra ime ka konstatuar një rritje alarmante të përdorimit të dënimit me vdekje në 2025, veçanërisht për shkelje që nuk përfshihen në kriterin e krimeve më të rënda të kërkuara nga ligji ndërkombëtar”, deklaroi zyrtari i OKB-së.

Në Iran, ku sipas Turk të paktën 1 500 persona janë ekzekutuar në 2025, shkalla dhe ritmi i ekzekutimeve tregojnë një përdorim sistematik të dënimit me vdekje si mjet intimidimi nga shteti.

Në Arabinë Saudite, të paktën 356 persona, përfshirë të paktën dy të mitur, janë ekzekutuar në 2025, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të vitit 2024.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas Komisionerit të Lartë, kanë ndodhur 47 ekzekutime në 2025, që përbën numrin më të lartë në 16 vitet e fundit./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post GJENEVË – OKB: Rritje alarmante e dënimeve me vdekje në botë në 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPANJË – Tri ditë zi kombëtare pas aksidentit vdekjeprurës hekurudhor

19 January 2026 at 14:49

MADRID, 19 janar /ATSH-AFP-EFE/ – Spanja shpalli tri ditë zi kombëtare, njoftoi sot kryeministri Pedro Sanchez, i cili shtoi edhe se do të kishte një ”transparencë absolute” për shkakun e aksidentit që shkaktoi 39 viktima dhe 170 të plagosur.

Një tren, i cili ishte nisur dje nga Malaga në orën 18:40 me destinacion stacionin Puerta de Atocha të Madridit, me 317 pasagjerë, nxori nga shinat tre vagonët e tij të fundit duke u përplasur me një tjetër tren Renfe që shkonte në Huelva, i cili gjithashtu doli nga shinat.

Përplasje fatale e trenave të shpejtësisë së lartë në Spanjë ka shkaktuar sipas raportimeve 39 viktima dhe 170 të plagosur, ku 24 prej tyre janë në gjendje të rëndë, nga të cilët katër janë të mitur.

Një numër i madh forcash shpëtimi mbërritën në vendngjarje duke u përpjekur të nxjerrin  njerëzit e bllokuar nga rrënojat.

Sipas ministrit spanjoll të Transportit, Oscar Puente, linja ku ndodhi tragjedia ishte modernizuar së fundmi.

Ndërkaq më shumë se 200 trena janë prekur nga pezullimi i trafikut hekurudhor në linjat me shpejtësi të lartë midis Madridit dhe qyteteve andaluziane të Seviljes, Kordobës, Malagës dhe Huelvës./  a.jor.

The post SPANJË – Tri ditë zi kombëtare pas aksidentit vdekjeprurës hekurudhor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

INSTAT: Eksportet 27 miliardë lekë në dhjetor 

19 January 2026 at 14:44

TIRANË, 19 janar /ATSh/ Eksportet e mallrave gjatë muajit dhjetor 2025 arritën vlerën 27 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 5,6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Referuar raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) krahasuar me muajin nëntor 2024, eksportet e mallrave u ulën me 4,3%.

Sektorët që kanë kontribuar në këtë rezultat janë “Mineralet, lëndët djegëse, energji elektrike” që u rritën me 3,0 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me nga 2,4 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 1,2 pikë përqindje.

Ndërsa ndikim negativ dhanë grupet: Ushqim, pije, duhan dhe produkte kimike dhe plastike me 0,5 pikë përqindje.

Në të njëjtën kohë, importet e mallrave arritën 80 miliardë lekë, duke u rritur me 1,3% krahasuar me dhjetor 2024 dhe me 12,6% krahasuar me nëntor 2025.

Si pasojë, deficiti tregtar në dhjetor 2025 ishte 53 miliardë lekë, duke u ulur me 0,8% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, por duke u rritur me 23,7% krahasuar me nëntorin e kaluar.

INSTAT bëri të ditur se gjithashtu se gjatë vitit 2025, eksportet e mallrave arritën vlerën 346 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 6,1% krahasuar me vitin 2024. Ndërsa, importet arritën 887 miliardë lekë, duke u ulur lehtë me 0,8%.

/e.xh/r.e/a.f/

The post INSTAT: Eksportet 27 miliardë lekë në dhjetor  appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forcohet leku, valutat humbasin terren

19 January 2026 at 14:40

TIRANË, 19 janar /ATSh/ Në tregun e brendshëm të këmbimit valutor, këtë mes janari, leku forcoi pozitat në raport me monedhat e huaja.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, dollari amerikan të hënën u zhvlerësua me 0,08 lekë, krahasuar me fundjavën, ndërsa monedha europiane zbriti me 0,01 lekë.

Dollari amerikan u këmbye me 83,01 lekë, ndërsa euroja u këmbye me 96,51 lekë.

Ndërkohë paundi britanik u këmbye me 111,27 lekë, ose 0,15 lekë më pak dhe franga zvicerane këmbehet me 103,92 lekë, ose 0,24 lekë më shumë se në fundjavë.

Monedha kryesore Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollari amerikan USD 83.01 -0.08
Euroja EUR 96.51 -0.01
Paundi britanik GBP 111.27 -0.15
Franga zvicerane CHF 103.92 +0.24
Jeni japonez (100) JPY 52.58 +0.02
Dollari australian AUD 55.61 -0.13
Dollari kanadez CAD 59.77 -0.05
Korona suedeze SEK 8.99 -0.02
Korona norvegjeze NOK 8.23 -0.02
Korona daneze DKK 12.92 0.00
SDR SDR 113.30 -0.04
Ari (OZ 1) XAU 387323.83 +4,498.29
Argjendi (OZ 1) XAG 7729.61 +165.72
Juani kinez (onshore) CNY 11.92 0.00
Juani kinez (offshore) CNH 11.93 0.00
Lira turke TRY 1.92 0.00

/r.e/a.f/

The post Forcohet leku, valutat humbasin terren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KQZ vendos rinumërim të votave për kandidatë në të gjithë Kosovën

19 January 2026 at 14:35

PRISHTINË, 19 janar /ATSh/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka vendosur që të rinumërohen votat për kandidatë në të gjithë vendin. Po ashtu, KQZ vendosi se përveç rinumërimit edhe në 28 komuna tjera, u është ndërprerë mandati përfaqësuesve të subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit.

Ky vendim erdhi pas manipulimit të votave, të cilat janë vërtetuar nga rinumërimi i votave të kandidatëve në 10 komuna të Kosovës.

Në mbledhjen e Këshillit për Operacione Zgjedhore, është rekomanduar rinumërimi i të gjitha vendvotimeve edhe për 28 komunat tjera dhe ndërprerja e mandatit për përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit.

Kështu ka thënë kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi i cili tha se gjetjet do t’i adresohen Prokurorisë së Shtetit.

“Sot, para mbledhjes së KQZ-së, ky raport është diskutuar në mbledhjen e Këshillit për Operacione Zgjedhore, nga ku kanë dalë dy rekomandime kryesore: Rinumërimi i të gjitha vendvotimeve edhe për 28 komunat tjera; Ndërprerjen e mandatit për përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit. Në fund, në emër të KQZ-së, ritheksojmë se gjetjet nga procesi i rinumërimit do t’i adresojmë në Prokurorinë e Shtetit dhe në të njëjtën kohë ofrojmë bashkëpunimin e plotë institucional në procesin hetimor”, u shpreh Radoniqi.

Ai tha se procesi i rinumërimit të votave në 10 komunat është në zhvillim e sipër.

Ndryshimi në numrin e votave të kandidatëve për rinumërimit, Radoniqi tha se tregon se procesi i i numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike ka pasur pasaktësi

“Ndryshimi në numrin e votave të kandidatëve pas rinumërimit tregon se procesi i numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike ka pasur pasaktësi. Analiza numerike e veçon komunën e Prizrenit si rastin më ekstrem. Pas rinumërimit në QNR të komunës së Prizrenit janë zbritur nga rezultati 29 343 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN të Prizrenit. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 16 366 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në QKN. Megjithatë, në komunat tjera të rinumëruara nuk vërehen dallime të mëdha në votat e kandidatëve. Ndryshimet përfshijnë gabimet eventuale të regjistrimit të votave të kandidatëve dhe shtimin e votave si rezultat i rivlerësimit të fletëvotimeve të pavlefshme, por në vendvotime të caktuara janë evidente ndryshime të mëdha tek disa kandidatë”, ka shtuar Radoniqi.

Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, Radoniqi tha se sot kanë pranuar një raport pas rinumërimit të gjysmës së vendvotimeve.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në përmbushje të mandatit të saj kushtetues dhe ligjor mbetet i përkushtuar në mbrojtje të integritetit të procesit zgjedhor, në transparencë dhe në ruajtjen e besimit të publikut në procesin zgjedhor. Për të qenë plotësisht transparent me këtë proces, rezultati i çdo vendvotimi të rinumëruar është pasqyruar në platformën e KQZ-së për rezultate. Siç e theksova në fillim, gjatë ditës së sotme kemi pranuar një raport pas rinumërimit të më shumë se gjysmës  së vendvotimeve sipas vendimit të datës 13 janar. Sipas raportit, kur flasim për votat e subjekteve politike, ndryshimet e verifikuara janë minimale dhe pothuajse të pa përfillshme. Kjo do të thotë se rezultatet e subjekteve politike janë numëruar dhe paraqitur saktë. Për dallim, nga votat për subjektet politike, të dhënat për kandidatët pas rinumërimit paraqesin një shkallë të lartë të pasaktësisë në rinumërim. Sipas raportit nga vendvotimet e rinumëruara në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, rezulton se pas rinumërimit në QNR janë zbritur nga rezultati 36 007 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 20 978 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në QKN”, theksoi Radoniqi.

Me këtë gjetje ka rënë dakord edhe anëtari nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi. Ai tha se duhet të shkarkohet edhe zyrtari komunal zgjedhor.

“Pajtohem edhe me rekomandimin e shkarkimit të komisionit komunal zgjedhor në Prizren, mendoj se aty duhet të përfshihen të gjithë personat që janë pjesë e Komiosionit Komunal, përfshirë edhe zyrtarin komunal që është zyrtari ekzekutiv”, ka thënë Kurteshi.

Me rekomandimet e Këshillit të Operacioneve Zgjedhore ka rënë dakord edhe anëtari Ilir Gashi nga Partia Demokratike të Kosovës.

“Natyrisht se e mbështes propozimin i cili ka dalë nga KOZ, i cili udhëhiqet nga zotëri Elshani, dhe natyrisht që nga ajo çfarë ka dalë në rinumërimin e votave nga komunat në 10 për qind nxit edhe domosdoshmërinë e rinumërimit të votave në gjithë Kosovën, për gjitha vendvotimet, në mënyrë që të pasqyrohet saktë vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.

Muharrem Nitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) tha se këto gjetje janë shqetësuese.

“Gjetjet që kanë dalë pas raportit që është prezantuar janë shqetësuese jo vec për KQZ-në, mirëpo edhe për opinionin publik. Është lajm i mirë që dallimet mes partive politike kanë qenë të pa përfillshme dhe një segment i këtyre zgjedhjeve minimalisht ka kaluar mirë. tani, për fat të keq komuna e cila ka quar në ekstrem mospërputhjen e votave mes kandidatëve është komuna e Prizrenit, ku pjesa më e madhe që shpërputhën janë të kësaj komune”, përfundoi ai.

Koordinatorja Kombëtare për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet në rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që, në të gjitha komunat ku ka përfunduar rinumërimi i votave, të fillojnë grumbullimin e informatave të nevojshme dhe sigurimin e provave relevante, që mund të dëshmojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që lidhet me procesin zgjedhor.

/KosovaPress//r.e/

The post KQZ vendos rinumërim të votave për kandidatë në të gjithë Kosovën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GROENLANDË – Oficerët e marinës holandeze përfundojnë misionin

19 January 2026 at 14:34

AMSTERDAM, 19 janar /ATSH-DPA/ – Dy oficerët holandezë të marinës që morën pjesë në misionin evropian të inspektimin në Groenlandë do të kthehen sot në Holandë, njoftoi Ministria e Mbrojtjes në Hagë.

Një numër vendesh evropiane anëtare të NATO-s morën pjesë në mision nën drejtimin e Danimarkës, me qëllim të shqyrtimit të opsioneve për një manovër të përbashkët ushtarake të NATO-s të quajtur ”Arctic Endurance”.

Sipas Ministrisë Holandeze të Mbrojtjes, përgatitjet do të vazhdojnë nga Danimarka dhe Holanda.

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të shtunën tarifa shtesë prej 10% për vendet që morën pjesë në misionin e zbulimit, duke kritikuar anëtarët e NATO-s që morën pjesë.

”Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Holanda dhe Finlanda kanë udhëtuar drejt Groenlandës, për qëllime të panjohura”, shkroi ai në platformën e tij Truth Social, duke e përshkruar situatën si ”shumë të rrezikshme për sigurinë, mbrojtjen dhe mbijetesen e planetit tonë”./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post GROENLANDË – Oficerët e marinës holandeze përfundojnë misionin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spahiu: Përgjegjësi penale për ata që orkestrojnë lajme të rreme

19 January 2026 at 14:18

TIRANË, 19 janar/ATSH/ Nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, në fjalën e mbajtur sot në Konferencën e Kryetarëve, u ndal te çështjet që lidhen me dezinformimin dhe lajmet e rreme.

“Në fundjavë ishim dëshmitarë të një lajmi plotësisht të pavërtetë dhe pa asnjë fakt të cilat vendosën në shënjestër familjarë të kryetarit të grupit parlamentar të PS-së (Taulant Balla – shën. i red.). Mediet të cilat i servirën këto lajme edhe pse u vunë në dijeni të së vërtetës, vazhduan të përhapin shpifjet e hedhura nga Berisha dhe përfaqësues të tjerë të opozitës”, u shpreh Spahiu.

Sipas Spahiut, është e papranueshme ajo që ndodhi.

Spahiu tha se “duhen gjetur mekanizmat që në raste të tilla si ky, të marrin përgjegjësitë, qoftë edhe penale, personat që orkestrojnë lajme të rreme të tilla”.

/m.m/a.f/r.e/

The post Spahiu: Përgjegjësi penale për ata që orkestrojnë lajme të rreme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Parku i Liqenit të Paskuqanit, hapësirë me pedonale, amfiteatër dhe sporte ujore

19 January 2026 at 14:10


TIRANË, 19 janar/ATSH/ Parku i Liqenit të Paskuqanit po shndërrohet në një nga hapësirat më të rëndësishme publike dhe rekreative të zonës metropolitane Tiranë–Kamzë.

Me një sipërfaqe prej 84 hektarësh, ky park përfaqëson një investim të qëndrueshëm në shërbim të komunitetit, mjedisit dhe zhvillimit urban, duke u kthyer në një pikë referimi për cilësinë e jetës së banorëve.

Gjatë vizitës në Parkun e Liqenit të Paskuqanit, kryeministri Edi Rama, së bashku me kryetarin e bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, panë nga afër investimet e realizuara dhe ecurinë e transformimit të kësaj hapësire të gjelbër.

Infrastruktura e parkut përfshin një pedonale rrethore prej 5,2 kilometrash, amfiteatrin veror, molin mbi liqen, kënde lojërash për fëmijë, korsi biçikletash si dhe ambiente sportive për volejboll, basketboll, tenis dhe futboll. Parku frekuentohet çdo ditë nga mijëra qytetarë, veçanërisht gjatë ditëve me mot të mirë, duke shërbyer si një hapësirë çlodhjeje, aktiviteti fizik dhe socializimi.

Kryeministri Rama vlerësoi transformimin e realizuar dhe e cilësoi Parkun e Liqenit të Paskuqanit si një model për administrimin racional të aseteve natyrore.

Ai theksoi rëndësinë e promovimit të sporteve ujore, veçanërisht kanoes, duke sugjeruar krijimin e një baze të posaçme për këtë aktivitet.

“Vazhdon puna intensive për një transformim që nuk ndalet edhe ky park po nis të marrë formë. Mjafton të imagjinosh se si do të rritet kurora e pemëve në vitet që vijnë për të kuptuar që falë kryetarit të bashkisë, me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, një aset i gjelbër i paçmueshëm do t’i jepet kryeqytetit nga Kamza. Kur sheh këtë transformim, të vjen keq se si u goditën dhe u zhvlerësuan në të kaluarën asete po kaq të vlefshme si liqeni i Farkës apo liqeni i Thatë, përpara sesa ato territore mund të futeshin në një administrim racional. Gjithsesi mësojmë nga Kamza dhe ecim në shembullin e Kamzës”, u shpreh kryeministri Rama.

Kryetari i bashkisë së Kamzës, Rakip Suli tha se Parku i Liqenit të Paskuqanit është ndërtuar nga e para dhe përfaqëson një investim të rëndësishëm për të gjithë zonën.

“E gjithë kjo sipërfaqe është 84 hektarë dhe vetëm pasqyra e ujit e liqenit që është rreth 18 hektarë dhe këtu e kemi mbushur me rreth 80 mijë pemë. Ky park u shërben rreth 152 mijë banorëve”, tha kryebashkiaku i Kamzës.

Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli theksoi se investimi është konceptuar për t’u shërbyer veçanërisht të rinjve dhe për të nxitur aktivitete rekreative dhe sportive.

Sipas kryetarit të bashkisë së Kamzës, investimi ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në rritjen e vlerës së pronave përreth. “Vlera e pronës është rritur me minimumi 4-5-fish”, tha Suli.

Transformimi i Parkut të Liqenit të Paskuqanit është pjesë e një vizioni afatgjatë për zhvillim të qëndrueshëm urban, duke e kthyer Kamzën në një shembull pozitiv për mënyrën se si hapësirat publike mund të rigjenerohen në dobi të komunitetit dhe brezave të ardhshëm.

1 nga 5

/m.m/r.e/a.f/

The post Parku i Liqenit të Paskuqanit, hapësirë me pedonale, amfiteatër dhe sporte ujore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Putin i ftuar t’i bashkohet Bordit të Paqes për Gazën

19 January 2026 at 14:01

MOSKË, 19 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti rus, Vladimir Putin ka marrë një ftesë nga Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet kanaleve diplomatike, për të marrë pjesë në të ashtuquajturin Bord i Paqes për Rripin e Gazës të presidentit të SHBA-së Donald Trump.

“Aktualisht po shqyrtojmë të gjitha detajet e kësaj oferte dhe shpresojmë të krijojmë kontakt me palën amerikane për të sqaruar të gjitha pikat”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Rusia mban kontakte me Izraelin, Autoritetin Palestinez dhe milicinë islamike palestineze Hamas, të cilën SHBA-ja, Bashkimi Evropian dhe të tjerët e kanë përcaktuar si një organizatë terroriste.

Në Moskë, ftesa u mirëprit, pasi Rusia e ka parë prej kohësh veten si një lojtare kyçe në Lindjen e Mesme dhe vazhdon të ndjekë interesat e saj gjeopolitike në rajon.

Ky veprim shihet gjithashtu si një nxitje për Putinin, duke ofruar një shkallë angazhimi të ripërtërirë ndërkombëtar pavarësisht luftës së vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë.

Presidenti rus shpesh ka thënë se mirëpret përpjekjet e Trumpit për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Ky bord do të mbikëqyrë një komitet të ri ekspertësh palestinezë që menaxhojnë drejtimin e përditshëm të Gazës.

Vetë presidenti Trump kryeson bordin.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, bordi përfshin gjithashtu ish-kryeministrin britanik Tony Blair, Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Marco Rubio, dhëndrin e Trump, Jared Kushner, dhe të dërguarin special të SHBA-së Steve Witkoff./  a.jor.

The post RUSI – Putin i ftuar t’i bashkohet Bordit të Paqes për Gazën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PDK kërkon rinumërim të votave në të gjithë Kosovën

19 January 2026 at 14:00

PRISHTINË, 19 janar /ATSh/ Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka reaguar lidhur me rinumërimin e pjesshëm të votave, duke e cilësuar situatën si “tepër shqetësuese” për shkak të mospërputhjeve të mëdha të zbuluara.

Ai ka vlerësuar se, në rrethanat e krijuara, rinumërimi i plotë i votave në të gjithë Kosovën është hap i domosdoshëm dhe i drejtë, duke kërkuar veprim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor.

Sipas Hamzës, çdo vonesë apo hezitim përbën cenim të drejtpërdrejtë të besimit qytetar.

“Në këto rrethana të krijuara, si Kryetar i PDK-së vlerësoj se rinumërimi i plotë i votave në të gjithë Kosovën është hap i domosdoshëm dhe i drejtë. Institucionet përgjegjëse e kanë detyrim kushtetues të veprojnë menjëherë për ta mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor. Çdo vonesë apo hezitim është cenim i drejtpërdrejtë i besimit qytetar”, shkruan Hamza në Facebook.

Personat që vërtetohet se kanë cenuar vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e 28 janarit 2025 mund të dënohen nga 3 deri në 5 vjet. Kështu thonë njohësit e çështjeve juridike të cilët theksojnë se falsifikimi i rezultatit zgjedhor përbën vepër të rëndë penale, raporton KosovaPress.  

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala, i ka cilësuar manipulimet me vota si një nga skandalet më të mëdha që ka cenuar integritetin e procesit zgjedhor në Kosovë.

Ndërsa, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka deklaruar për KosovaPress se në varësi nga gjetjet gjatë rinumërimit në këto 28 komuna, KQZ mund të marrë vendim të ri për rinumërim të vendvotimeve të tjera.


/KosovaPress//r.e/

The post PDK kërkon rinumërim të votave në të gjithë Kosovën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkrimi i dorës në rrezik nga zgjerimi i teknologjisë

19 January 2026 at 12:55

TIRANË, 19 janar/ATSh/ UNESCO (Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën) ka nisur një iniciativë të re globale që synon mbrojtjen e shkrimit me dorë, duke paralajmëruar se shkrimi me dorë është gjithnjë e më i rrezikuar nga zgjerimi i shpejtë i teknologjisë.

Debati mbi nevojën për të mësuar përsëri shkrimin me dorë në shkollën fillore ka marrë hov së fundmi në botë, ku zhvillohen edhe festivale apo konkurse të shkrimit me dorë.

Përdorimi i gjerë i tastierave dhe pajisjeve me ekrane me prekje ka zëvendësuar kryesisht shkrimin tradicional me dorë, i cili historikisht është konsideruar jo vetëm si një aftësi e fituar, por edhe si një tipar themelor antropologjik i zhvillimit njerëzor.

Një projekt për ruajtjen e shkrimit me dorë është paraqitur në UNESCO, dhe ka nisur mbledhja e firmave me qëllim shpalljen e shkrimit me dorë si një trashëgimi jomateriale e njerëzimit.

Një studim i kohëve të fundit nga një grup shkencëtarësh në Universitetin Norvegjez të Shkencës dhe Teknologjisë ka treguar se si shkrimi me dorë zgjeron dhe intensifikon lidhjet e trurit dhe ndihmon kujtesën. Shkrimi i dorës zhvillon përqendrimin dhe kreativitetin, lufton lodhjen digjitale dhe mundëson mbajtjen mend më mirë të informacionit.

Të shkruarit me stilolaps dhe letër, në një botë kryesisht të digjitalizuar, nuk është thjesht një modë e së kaluarës, por një ushtrim në shkathtësinë manuale dhe durimin për të përqendruar mendimin, shumë shpesh të shpërqendruar nga bombardimi i imazheve në lëvizje.

/a.f/

The post Shkrimi i dorës në rrezik nga zgjerimi i teknologjisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Ftesa e Trump për Bordin e Paqes konfirmon partneritetin strategjik Shqipëri-SHBA

19 January 2026 at 15:25

TIRANË, 19 janar/ATSH-Maela Marini/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali u shpreh sot se ftesa e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për Shqipërinë si vend anëtar themelues në “Bordin e Paqes” për Rripin e Gazës është një vlerësim i lartë, për rolin e ri që vendi ka marrë ndër vite në çështjet e paqes dhe sigurisë.

Në një konferencë për shtyp, Spiropali theksoi rëndësinë e veçantë të kësaj ftese për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, ndërsa u shpreh se “politika jonë e jashtme në dekadën e fundit, po sjell në vazhdimësi rezultate të paimagjinueshme deri jo shumë vite më parë”.

Për ministren Spiropali kjo ftesë është një vlerësim i lartë për rolin e ri që Shqipëria ka marrë ndër vite në çështjet e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë sigurisht, por edhe në gjirin e organizatave ndërkombëtare.

“Nuk ka dyshim se ftesa e Presidentit të Amerikës është edhe një vlerësim i drejtpërdrejtë për lidershipin e kryeministrit Edi Rama, i cili është ftuar personalisht si anëtar i ‘Bordit të Paqes'”, theksoi ajo.

Kryediplomatja shqiptare theksoi se sipas statutit, anëtarët themelues kanë zë të barabartë dhe peshë reale në drejtimin strategjik të këtij organizmi, prandaj kjo ftesë nuk është vetëm një nder i madh, po është edhe një përgjegjësi e lartë shtetërore.

“Fatkeqësisht, edhe për një ngjarje me një peshë të tillë, krejt të veçantë për Shqipërinë e vogël, ky lajm i mirë për emrin e Shqipërisë e të shqiptarit në botë, është pasuar nga një lumë marrëzish të derdhura në mexhlisin e informimit publik. Ndërkohë që Shqipëria ftohet si bashkëndërtuese e një mekanizmi të ri ndërkombëtar, i cili synon ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe funksionale në botë, duke nisur me një nga sfidat më të ndërlikuara dhe më të ndjeshme të sigurisë globale, siç është e ardhmja e Rripit të Gazës, opinioni publik shqiptar sulmohet nga brenda me gjithëfarë fantazish të kundërshtarëve të kësaj qeverie”, theksoi ajo.

Sipas Spiropalit, pikërisht në një moment me simbolikë e peshë të veçantë, ku Shqipëria thirret si bashkëthemeluese e një qendre të re diskutimesh e vendimmarrjesh me impakt global, në Shtëpinë e Bardhë, periferia e skenës sonë politike përndizet, a thua se Shqipëria u përjashtua me turp, jo se u ftua me nderim të posaçëm.

“Teksa ky zhvillim dërgon gjithashtu mesazhin e Amerikës së re, se në politikën ndërkombëtare të sotme, madhësia gjeografike apo demografike e një vendi nuk është faktor përcaktues, po vlejnë mbi të gjitha autenticiteti, koherenca dhe aftësia për t’i kontribuar paqes, stabilitetit e sigurisë – çka Shqipërisë ia njohin e çmojnë të gjithë prej disa vitesh tanimë – në Tiranë plas marazi e marrin dhenë lloj-lloj tregimesh me miliarda dollarë që do paguakemi për Bordin, e me palestinezët që do t’i sillkemi në Shqipëri në këmbim të prezencës sonë në atë bord”, shtoi ajo.

Spiropali theksoi se “kjo ftesë e drejtpërdrejtë e Presidentit të SHBA për Kryeministrin e Shqipërisë, për t’iu bashkuar Bordit të Paqes si bashkëthemelues, konfirmon forcën dhe besimin e ndërsjellë në partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

“E ndërkohë që ky partneritet, bosht kryesor i politikës së jashtme shqiptare dhe garanci e pozicionit tonë euroatlantik, fiton një kuotë të re historike dhe edhe një herë akoma, Shqipëria vlerësohet si një aleate e çmuar nga aleati i saj më i madh, SHBA, në pazarin e Tiranës politike numërohen të ftuarit. Ne nuk e dimë ende sa janë udhëheqësit e ftuar nga presidenti Trump, në kohë e kapacitete të ndryshme, për t’iu bashkuar nismës së tij globale, por dimë me siguri që as në Argjentinë e as në Turqi, ku udhëheqësit e atyre vendeve ku e ku më të mëdha sesa vendi ynë e kanë njoftuar publikun për ftesën, nuk ka pasur kurrfarë debati mbi madhësinë e numrit të anëtarëve të Bordit të Paqes. Përkundrazi, përfshirja e vendit ndër të ftuarit është konsideruar diçka pozitive, e mirëpritur dhe e pranuar me falenderim”, u shpreh Spiropali.

Bordi i Paqes, sipas ministres Spiropali, përfaqëson një qasje të re, të ndryshme nga modelet tradicionale të trajtimit të konflikteve dhe mekanizmat ekzistues të menaxhimit të krizave.

Modeli ynë i jashtëzakonshëm i bashkëjetesës fetare, sipas Spiropalit, është një vlerë e shtuar që Shqipëria do të çojë në tryezën e lartë të Bordit të Paqes, me statusin e Anëtarit Themelues, i cili i jep Shqipërisë një mundësi historike në formësimin e vizionit, parimeve dhe zgjidhjeve të Bordit të Paqes në të mirë të njerëzimit.

Kjo ftesë, sipas saj, “është e mjaftueshme për të zhbërë të gjitha fabrikimet, që kanë qarkulluar kohët e fundit lidhur me qasjen e administratës së presidentit Trump ndaj qeverisë shqiptare apo vetë kryeministrit Rama”.

“Këto fabrikime kulmuan me agresionin dizinformues ndaj vendimit të brendshëm të SHBA për të rishikuar politikën e vizave të qëndrimit e lejeve të punës në Amerikë për gati gjysmën e vendeve me të cilat SHBA kanë marrëdhënie diplomatike. Të gjithë ata që pa asnjë përgjegjshmëri publike, u turrën ta helmojnë publikun e kanë marrë përgjigjen as më shumë e as më pak, po direkt nga presidenti Donald Trump, i cili ka nënshkruar në letrën e tij se, Shqipëria është një partner i mrekullueshëm dhe Edi Rama është një udhëheqës i respektuar botërisht”, shtoi ajo.

Elisa Spiropali, ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme; Foto: Florian Abazaj
1 nga 2
Elisa Spiropali, Ministre e Europës dhe Punëve të Jashtme, Foto; Florian Abazaj

The post Spiropali: Ftesa e Trump për Bordin e Paqes konfirmon partneritetin strategjik Shqipëri-SHBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌