Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Mbrojtja e të dhënave personale, pjesë e edukimit qytetar dhe integrimit evropian

28 January 2026 at 17:58

TIRANË, 28 janar /ATSh/ Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale shënoi Ditën Ndërkombëtare të Mbrojtjes së të Dhënave Personale me një sërë aktivitetesh ndërgjegjësuese, edukative dhe bashkëpunuese, që synojnë forcimin e kulturës së mbrojtjes së të dhënave dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve në epokën digjitale.

Në kuadër të kësaj dite, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (IDPC) dhe Kolegji Universitar i Biznesit (KUB) bashkëorganizuan një leksion të hapur me studentët, mbi rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale.

Gjatë këtij aktiviteti, komisioneri Besnik Dervishi theksoi se “të dhënat personale janë identiteti ynë. Ato janë thelbësore për çdo fushë të jetës dhe përpunimi i tyre duhet të bëhet me kujdes, përgjegjshmëri dhe në përputhje me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale”. Ai shtoi se Zyra e Komisionerit, si autoritet mbikëqyrës, ka një rol të drejtpërdrejtë në garantimin e respektimit të ligjit në fusha të ndjeshme.

Rektori i Kolegjit Universitar të Biznesit, Ylber Bezo, përshëndeti aktivitetin dhe theksoi se bashkëpunime të tilla me Zyrën e Komisionerit janë shumë të rëndësishme për studentët, pasi i ndihmojnë ata të kuptojnë se mbrojtja e të dhënave personale është thelbësore dhe pjesë e përgjegjësisë qytetare dhe profesionale.

Drejtorja e Kabinetit, Besa Velaj, dhe Sekretarja e Përgjithshme, Blerta Nerguti, të cilat ishin pjesë e këtij leksioni të hapur, shpjeguan rrugëtimin e miratimit të ligjit nr. 124/2024, nevojën për përafrimin e tij me standardet e Bashkimit Evropian dhe Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR), si dhe sfidat e zbatimit të tij në praktikë.

Nerguti u ndal te roli i këtij ligji në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se mbrojtja e të dhënave personale është një nga kërkesat themelore për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe një indikator kyç i forcimit të shtetit të së drejtës.

Ndërsa Velaj foli për arsyet që sollën nevojën për miratimin e këtij ligji, duke theksuar zhvillimin e shpejtë teknologjik, rritjen e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e të dhënave personale dhe ndikimin e projekteve ndërkombëtare ku Shqipëria është e përfshirë.

Gjithashtu sot Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale organizoi një fushatë ndërgjegjësuese dhe edukative, që përfshiu edhe shkolla të ndryshme të kryeqytetit dhe aktivitete publike. Qëllimi i saj ishte të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve dhe të rinjve, mbi rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale dhe përdorimin e kujdesshëm të teknologjisë në mjedisin online.

Fushata u realizua në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e Tiranës përmes shpërndarjes së posterave informues në ambientet shkollore dhe klasat e nxënësve. Posterët përmbajnë këshilla praktike për përdorimin e sigurt të internetit, ruajtjen e të dhënave personale dhe mbrojtjen e informacionit individual. Në qendër të fushatës së këtij viti qëndron mesazhi: “Kujdesi për të dhënat personale është respekt për lirinë dhe dinjitetin e secilit prej nesh!”, i cili pasqyron angazhimin e institucionit për të forcuar besimin e qytetarëve në përpunimin e drejtë dhe të ligjshëm të të dhënave personale, në përputhje me parimet e ligjit nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.

Zyra e Komisionerit nënvizoi se mbetet e përkushtuar në misionin e saj për të forcuar respektimin e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, për të rritur transparencën dhe përgjegjësinë institucionale, si dhe për të ndërtuar një kulturë të qëndrueshme të mbrojtjes së të dhënave personale në Shqipëri.

/m.q/a.f/

The post Mbrojtja e të dhënave personale, pjesë e edukimit qytetar dhe integrimit evropian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rregulla të reja për stacionet e plazhit, përcaktohen çmime maksimale, përfshihet edhe lumi

28 January 2026 at 17:53

TIRANË, 28 janar/ATSh/ Këshilli i Ministrave miratoi sot disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 649, datë 16 tetor 2024, “Për miratimin e rregullores për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, me qëllim përmirësimin e menaxhimit të hapësirave bregdetare dhe forcimin e rolit të njësive të vetëqeverisjes vendore.

Ndryshimet parashikojnë, ndër të tjera, krijimin e një tipologjie të re, atë të plazhit publik të tarifuar nga njësitë e vetëqeverisjes vendore (NJVV), i cili do të administrohet nga bashkitë ose ente të krijuara prej tyre dhe ku ndalohet delegimi i menaxhimit te subjektet private. Këto hapësira do të ofrojnë kushte të përcaktuara sigurie dhe higjiene për pushuesit.

Vendimi zgjeron gjithashtu fushën e zbatimit të rregullores duke përfshirë, krahas detit dhe liqeneve, edhe lumin, si hapësirë ku mund të ushtrohet veprimtaria e stacionit të plazhit.

Një risi e rëndësishme është edhe përcaktimi i çmimeve maksimale për shërbimet e plazhit. Sipas vendimit, këshillat bashkiakë, përpara fillimit të çdo sezoni turistik, mund të miratojnë çmimet maksimale për secilën zonë bregdetare. Në mungesë të një vendimi të tillë, çmimi do të dakordësohet mes bashkisë dhe subjektit privat, duke respektuar parimet e konkurrencës dhe interesin publik. Tejkalimi i çmimeve maksimale do të konsiderohet shkelje kontraktore.

Po ashtu në vendim, çmimet maksimale përcaktohen në mënyrë të diferencuar sipas zonave, duke marrë në konsideratë nivelin e zhvillimit turistik, aksesueshmërinë, intensitetin e kërkesës, standardin e shërbimit dhe interesin publik. Çmimet maksimale të dakordësuara bëhen pjesë përbërëse dhe detyruese e kontratës së nënshkruar ndërmjet njësisë së vetëqeverisjes vendore, Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe subjektit privat e nuk mund të tejkalohen gjatë gjithë periudhës së vlefshmërisë së kontratës. Tejkalimi i çmimeve maksimale përbën shkelje kontraktore dhe shkak për vendosjen e masave administrative dhe/ose zgjidhjen e kontratës.

Ndryshimet prekin edhe përbërjen dhe funksionimin e Komitetit të Menaxhimit të Sezonit Turistik, i cili do të kryesohet nga ministri përgjegjës për turizmin dhe do të përfshijë përfaqësues të disa ministrive kryesore, si dhe pushtetin vendor.

Subjektet e parashikuara nga ligji, paraqesin kërkesën për aplikim pranë portalit “e-Albania”, së bashku me dokumentacionin, që vërteton plotësimin e kritereve të parashikuara në këtë rregullore. Numri maksimal i çadrave, që vendosen në stacionin e plazhit pranë strukturës së shërbimit, është 50.

Subjekti që disponon një strukturë akomoduese të marrë me qira, në rast zgjidhjeje të saj, ka detyrimin për njoftimin e menjëhershëm të AKB-së dhe përbën shkak për zgjidhjen e kontratës.

Për kontratat e lidhura me subjektet private për ushtrimin e veprimtarisë së stacioneve të plazhit, njësia e vetëqeverisjes vendore mund të negociojë me subjektin privat çmimet maksimale, që do të aplikohen për shërbimin e çadrave dhe të shezlongëve, në përputhje me karakteristikat specifike të zonës bregujore përkatëse.

Vendimi parashikon gjithashtu rregulla më të qarta për nivelin e zhurmave në plazhe, duke detyruar njësitë e vetëqeverisjes vendore të publikojnë plane të detajuara për secilin plazh përpara nisjes së sezonit veror.

Për disa zona të caktuara bregdetare, përfshirë plazhe në Fier, Divjakë, Durrës, Vlorë, Himarë dhe Shkodër, janë parashikuar përjashtime nga disa kritere, për stacionet e plazhit që nuk kanë struktura akomoduese pranë.

Ngarkohen ministria përgjegjëse për turizmin, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, strukturat inspektuese dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi, i cili hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

/r.e/

The post Rregulla të reja për stacionet e plazhit, përcaktohen çmime maksimale, përfshihet edhe lumi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Macron: Tensionet për Groenlandën janë një zgjim strategjik për Evropën

28 January 2026 at 17:39

PARIS, 28 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron ka bërë thirrje për forcimin e qëndrimit mbrojtës të Evropës në Arktik, mes tensioneve që lidhen me Groenlandën, duke e përshkruar situatën si një zgjim strategjik për të gjithë Evropën.

Macron i bëri këto deklarata të mërkurën në Paris, gjatë pritjes së kryeministres daneze Mette Frederiksen dhe kryeministrit të Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen.

“Duke pasur parasysh qëndrimin e Rusisë në veriun e largët, praninë ekonomike të Kinës dhe pasojat strategjike të këtij afrimi, ne biem dakord se duhet të forcojmë pozicionin tonë mbrojtës në Arktik”, tha Macron.

Ai vuri në dukje se disa shtete evropiane, përfshirë Francën, kanë nisur tashmë hapa konkretë në këtë drejtim, me kërkesë të Danimarkës, në kuadër të manovrave të përbashkëta ushtarake “Arctic Endurance” në Groenlandë.

Sipas Macronit, Evropa duhet të riafirmojë sovranitetin e saj dhe kontributin në sigurinë e Arktikut, duke intensifikuar njëkohësisht përpjekjet për të kundërshtuar ndërhyrjet e huaja dhe dezinformimin.

“Ne gjithashtu mbështesim një angazhim më të fortë të NATO-s në Arktik përmes krijimit të një aktiviteti të zgjeruar vëzhgimi”, tha ai, duke shtuar se Franca është e gatshme të marrë pjesë.

Misioni i propozuar i vëzhgimit, i njohur si “Arctic Sentry”, ishte diskutuar nga vendet anëtare të NATO-s edhe përpara se tensionet rreth Groenlandës të përshkallëzoheshin, pas kërkesave të presidentit Donald Trump që Shtetet e Bashkuara të blinin ishullin më të madh në botë.

“Bashkimi Evropian duhet të japë kontributin e vet në këto përpjekje, përfshirë edhe rishikimin e strategjisë së tij për Arktikun gjatë këtij viti”, tha presidenti francez.

Trump e ka justifikuar qëndrimin e tij për Groenlandën me argumente sigurie, gjë që ka shtyrë liderët evropianë të zotohen për forcimin e mbrojtjes së ishullit, në përpjekje për të zbutur krizën./   /Ad.Ab./  a.jor.

The post FOKUS – Macron: Tensionet për Groenlandën janë një zgjim strategjik për Evropën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Të ardhurat nga qiradhënia e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara u rritën me 39% në vitin 2025

28 January 2026 at 17:36

TIRANË, 28 janar /ATSh/ Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) ka regjistruar një rritje të ndjeshme të të ardhurave nga qiradhënia gjatë vitit 2025, duke reflektuar një përmirësim të dukshëm të performancës krahasuar me një vit më parë.

Sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat vjetore nga qiradhënia arritën në rreth 221,5 milionë lekë në vitin 2025, nga 159,2 milionë lekë në vitin 2024. Diferenca prej 62,3 milionë lekësh përkthehet në një rritje rreth 39% në bazë vjetore, një tregues i qartë i eficiencës më të lartë në administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.

Analiza mujore tregon se rritja nuk ka qenë sporadike, por e shpërndarë përgjatë gjithë vitit, me disa muaj që kanë dhënë një kontribut veçanërisht të fortë. Marsi 2025 rezulton muaji me rritjen më të madhe krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024, me një diferencë prej 11,8 milionë lekësh. Një tjetër muaj me performancë shumë të mirë është qershori, ku të ardhurat u rritën me rreth 8 milionë lekë, ndërsa dhjetori shënoi gjithashtu një rritje prej 7,5 milionë lekësh, duke e mbyllur vitin me nivelin më të lartë mujor të të ardhurave.

Në muajin e fundit të vitit të kaluar, të ardhurat arritën në 23,2 milionë lekë, ndërsa edhe shtatori dhe korriku ishin muaj me të ardhura të konsiderueshme nga qiradhënia. Kjo ecuri sugjeron jo vetëm rritje të vlerës së arkëtimeve, por edhe një planifikim më të mirë dhe një shfrytëzim më efektiv të portofolit të pasurive të administruara.

Rritja e të ardhurave nga qiradhënia lidhet drejtpërdrejt me përmirësimin e praktikave të mirëmenaxhimit, rritjen e transparencës dhe profesionalizmit në administrimin e aseteve publike që burojnë nga proceset e sekuestrimit dhe konfiskimit. AAPSK ka arritur të kthejë këto pasuri në burime konkrete financiare për buxhetin e agjencisë.

Një pjesë e këtyre të ardhurave është përdorur gjithashtu për të mbështetur drejtpërdrejt agjencitë ligjzbatuese, në funksion të forcimit të kapaciteteve të tyre në luftën kundër krimit të organizuar. Financimi i pajisjeve, logjistikës apo nevojave të tjera operacionale për institucione të drejtësisë dhe rendit publik përbën një element thelbësor në misionin e AAPSK.

Në këtë kontekst, të ardhurat nga qiradhënia nuk përfaqësojnë thjesht një tregues financiar, por edhe një instrument politikash publike, që lidh drejtpërdrejt miradministrimin e pasurive me forcimin e shtetit ligjor. Performanca e vitit 2025 konfirmon se një menaxhim aktiv, transparent dhe i orientuar drejt rezultateve mund të prodhojë një impakt të shumëfishtë – financiar, institucional dhe shoqëror.

/r.e/a.f/

The post Të ardhurat nga qiradhënia e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara u rritën me 39% në vitin 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AMF: Progres i tregjeve jobankare, avancim në përafrimin me legjislacionin europian

28 January 2026 at 17:32

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) priti sot një përfaqësi të Komisionit për Ekonominë Punësimin dhe Financat të Kuvendit, të kryesuar nga Milva Ekonomi, në një takim informues mbi zhvillimet kryesore në tregjet financiare jobankare dhe progresin e AMF-së në përafrimin e kuadrit ligjor me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Gjatë takimit, drejtorja ekzekutive e AMF-së, Adela Xhemali prezantoi punën e institucionit dhe prioritetet për vitin 2026, ecurinë e tregjeve nën mbikëqyrje, zhvillimet dhe vlerësimet ndërkombëtare, treguesit kryesorë të tregut të sigurimeve, direktivat për mbikëqyrjen e shoqërive, prioritetet institucionale në fushën e digjitalizimit dhe mbrojtjes së konsumatorit, si dhe rolin e AMF-së në procesin e negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Kryetarja e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Milva Ekonomi, vlerësoi pozitivisht përkushtimin e AMF-së, duke nënvizuar standardet e reja të përfaqësimit institucional, si dhe rëndësinë e një dialogu të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve për garantimin e stabilitetit financiar dhe mbrojtjen e interesit publik.

Në vijim, Xhemali dhe ekipi drejtues i AMF-së iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve, të cilat kishin të bënin me faktorët e riskut sipas rregullores së re dhe veçanërisht faktorit të sapohyrë në fuqi të historikut të dëmeve, kontratat e sigurimeve, platformat e digjitalizimit, dhe punën për përafrimin e plotë të kuadrit ligjor dhe rregullator me direktivat evropiane, etj.

Në takim u ritheksua rëndësia e bashkëpunimit institucional dhe u dakordësua që takime të tilla të zhvillohen në mënyrë periodike, si pjesë e mbështetjes së vazhdueshme për procesin e integrimit evropian të vendit.

1 nga 2

/a.f/r.e/

The post AMF: Progres i tregjeve jobankare, avancim në përafrimin me legjislacionin europian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

OSBE: Ndryshimet në Kodin Penal lidhur me shpifjen, hap drejt forcimit të lirisë së shprehjes

28 January 2026 at 17:20

TIRANË, 28 janar /ATSh/ Prezenca e OSBE-së në Shqipëri njoftoi sot se “mirëpret ndryshimet e fundit në Kodin Penal lidhur me shpifjen, si një hap të parë të rëndësishëm drejt forcimit të lirisë së shprehjes”.

Përmes një njoftimi për mediet, prezenca e OSBE-së nënvizon se “forcimi i mbrojtjes për gazetarët pasqyron një rekomandim të hershëm të OSBE-së”.

Prezenca e OSBE-së theksoi se “ne vijojmë të inkurajojmë dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe përdorimin e masave civile proporcionale”.

Kuvendi miratoi sot në orët e para të mëngjesit me 85 vota pro, ndryshimet në Kodin Penal.

Sipas ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, ndryshimet në Kodin Penal forcojnë mbrojtjen e gazetarëve dhe lirinë e medias, duke përjashtuar përgjegjësinë penale për gazetarët që veprojnë me mirëbesim dhe në interes publik, ndërsa ashpërson ndëshkimet për dhunën dhe kërcënimet ndaj tyre.

/m.q/a.f/r.e/

The post OSBE: Ndryshimet në Kodin Penal lidhur me shpifjen, hap drejt forcimit të lirisë së shprehjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ligji i ri për parandalimin e dhunës në familje dhe grave adreson edhe dhunën digjitale

28 January 2026 at 17:20

TIRANË, 28 janar /ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin “Për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje”, një nismë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, e mbështetur nga UNDP dhe UN Women në Shqipëri.

Ligji synon të ofrojë një kuadër gjithëpërfshirës për mbrojtjen nga të gjitha format e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, duke reflektuar angazhimin e qartë të shtetit për mbrojtjen e jetës, dinjitetit dhe sigurisë së grave, vajzave, fëmijëve, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara.

Ky akt ligjor vendos themele të forta për ndërtimin e një shoqërie ku dhuna nuk tolerohet dhe ku mbrojtja e viktimave nuk mbetet në nivel deklarativ, por garantohet përmes mekanizmave konkretë ligjorë dhe institucionalë. Ligji zgjeron objektin e ndërhyrjes përtej mbrojtjes, duke përfshirë masa për parandalimin e dhunës, mbështetjen dhe rehabilitimin e viktimave, si dhe trajtimin e dhunuesve, me qëllim thyerjen e ciklit të dhunës.

Në të njëjtën kohë, ligji, dhe parashikon masa të posaçme për mjedisin online, duke vendosur edhe përgjegjësi të qarta për platformat digjitale. Një tjetër risi e rëndësishme është forcimi i qasjes me në qendër viktimën, përmes ndalimit të ndërmjetësimit dhe vendosjes së mekanizmave të mbrojtjes së personalizuar, të bazuar në vlerësimin individual të riskut.

Ligji parashikon gjithashtu një arkitekturë të re të urdhrave të mbrojtjes dhe një rol të forcuar të Policisë, si dhe rrit koordinimin institucional përmes një sistemi të konsoliduar të të dhënave. Në fokus është edhe parandalimi, trajnimi dhe përfshirja e aktorëve jopublikë, ndërsa zbatimi i ligjit do të realizohet në mënyrë të programuar, me një tranzicion të kontrolluar, për të garantuar funksionimin efektiv të masave të reja.

1 nga 3

/r.e/a.f/

The post Ligji i ri për parandalimin e dhunës në familje dhe grave adreson edhe dhunën digjitale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Krijohet Regjistri Qendror i Kadastrës Fiskale për taksën mbi ndërtesat

28 January 2026 at 17:18

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për krijimin e Regjistrit Qendror të Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme, i njohur si Kadastra Fiskale, një hap i rëndësishëm për administrimin e taksës mbi ndërtesën dhe për përmirësimin e menaxhimit të të dhënave mbi pronësinë e pasurive të paluajtshme në vend.

Ky regjistër shtetëror do të krijohet dhe administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, duke siguruar përputhshmërinë me legjislacionin në fuqi dhe standardet e menaxhimit të të dhënave shtetërore.

Regjistri përmban informacion të detajuar për ndërtesat dhe njësitë e tyre, pronarët, zhvilluesit dhe përdoruesit, zonat e vlerave me kufijtë gjeografikë dhe çmimet referuese, si dhe të dhëna mbi bazën e taksës, shkallët e taksës për përdorim banimi ose aktivitet ekonomik, ndërtesat e papërfunduara, kamatëvonesat dhe gjobat, detyrimet tatimore dhe rimbursimet.

Për secilën njësi ndërtese, regjistri përmban gjithashtu informacion mbi sipërfaqen, kategorinë e vlerës, statusin e privatizimit dhe ndërtimit, përdorimin e njësisë dhe taksat e lidhura me të.

Të dhënat për taksapaguesit përfshijnë identifikues unik teknik, të dhëna personale për individët, ose identifikues të personave juridikë, adresën, statusin juridik dhe pjesën takuese të taksapaguesit në njësinë e ndërtesës.

Regjistri dallon mes të dhënave parësore, të mbledhura direkt për qëllime tatimore, dhe të dhënave dytësore, që merren nga baza të tjera të dhënash shtetërore për të siguruar përputhshmëri dhe saktësi.

Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë ka përgjegjësi të plotë për regjistrimin, përditësimin dhe monitorimin e të dhënave, duke asistuar bashkitë dhe duke u siguruar që përdoruesit e sistemit të pajisen me kredencialet përkatëse.

Bashkitë kanë të drejtën të regjistrojnë dhe korrigjojnë të dhënat për pasuritë e paluajtshme brenda territorit të tyre dhe detyrimin të administrojnë taksën mbi ndërtesën në regjistër, duke filluar nga data 10 shkurt 2026.

Regjistri do të ndërveprojë me bazat e tjera të dhënash shtetërore, përfshirë Regjistrin e Pasurive të Paluajtshme, Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, Regjistrin Kombëtar të Adresave, Regjistrin Tregtar, Gjeoportalin Kombëtar, regjistra të sigurimeve dhe sistemet elektronike tatimore dhe të lejeve, duke siguruar integritetin dhe konsistencën e informacionit në nivel kombëtar.

Përdorimi i regjistrit është i kontrolluar dhe monitoruar, me gjurmë auditi për çdo veprim të përdoruesve, për të garantuar që informacioni përdoret vetëm për qëllime funksionale dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Autoritetet publike kanë të drejtë leximi dhe përdorimi të të dhënave, duke mundësuar konsultime dhe printim ekstrakti sipas nevojës.

Ky vendim zëvendëson vendimin e mëparshëm të 16 majit 2018, dhe ngarkon një varg institucionesh shtetërore për zbatimin e tij, duke përfshirë Ministrinë e Financave, bashkitë, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Agjencinë e Kadastrës, Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

/r.e/a.f/

The post Krijohet Regjistri Qendror i Kadastrës Fiskale për taksën mbi ndërtesat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Central fotovoltaik me kapacitet të instaluar prej 95 MW në Kavajë

28 January 2026 at 17:17

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për ndërtimin e centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse në fshatin Rrakull, Kavajë, nga shoqëria “SELECT ENERGY” sh.p.k.

Centrali fotovoltaik do të ketë kapacitet të instaluar prej 95 MW dhe pritet të vihet në punë brenda 36 muajve nga hyrja në fuqi e vendimit. Afati i operimit të tij do të jetë 49 vjet.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore do të ushtrojnë mbikëqyrje periodike tremujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit të centralit, për të verifikuar cilësinë e punimeve dhe përputhshmërinë me dokumentacionin e projektit.

Shoqëria “SELECT ENERGY” ka detyrimin të raportojë periodikisht ecurinë e ndërtimit, të respektojë kushtet e lejeve dhe autorizimeve paraprake mjedisore, të dorëzojë sigurimin e kontratës në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, si dhe t’i japë falas ministrisë përgjegjëse për energjinë 2% të prodhimit vjetor të energjisë elektrike ose vlerën monetare të saj.

Një pjesë e prodhimit të centralit mund t’i shitet furnizuesit publik sipas legjislacionit në fuqi.

Projekti nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse.

/r.e/a.f/

The post Central fotovoltaik me kapacitet të instaluar prej 95 MW në Kavajë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla: Eksportet bujqësore drejt konsolidimit, synojmë 1 miliard dollarë deri në vitin 2030

28 January 2026 at 15:54

TIRANË, 28 janar /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi se sektori i bujqësisë dhe agropërpunimit po shënon përmirësim të qëndrueshëm në eksport, duke u mbështetur në rritjen e standardeve, certifikimit dhe investimeve, me synimin që eksportet bujqësore të arrijnë në 1 miliard dollarë amerikanë deri në vitin 2030.

Gjatë përshëndetjes në aktivitetin “ExportON”, ministri Salla vlerësoi këtë platformë si një hap të rëndësishëm që bashkon në një tryezë të vetme politikat e eksportit, financimin, standardet, promovimin dhe pengesat reale të sektorit privat, veçanërisht në bujqësi dhe agropërpunim, ku potenciali i rritjes mbetet i lartë, por kërkesat për standarde janë gjithnjë e më të forta.

Salla theksoi se sot eksporti nuk përfaqëson vetëm shitjen e produkteve jashtë vendit, por lidhet ngushtë me besueshmërinë, certifikimin dhe garantimin e sigurisë për konsumatorin.

Sipas tij, raporti i eksporteve ndaj importeve ka arritur aktualisht në 1 me 3, nga 1 me 7 që ishte rreth një dekadë më parë, ndërsa objektivi afatmesëm i qeverisë është arritja e raportit një import me dy eksporte.

Ministri bëri të ditur se eksportet bujqësore shqiptare shtrihen sot në rreth 80 shtete, ku Bashkimi Evropian mbetet partneri kryesor tregtar, duke përfaqësuar rreth 58% të vlerës totale të eksporteve bujqësore.

Ai vuri në dukje se struktura e eksporteve tregon qartë fushat ku Shqipëria ka avantazh konkurrues, me zarzavatet që zënë peshën më të madhe si në sasi ashtu edhe në vlerë, të ndjekura nga peshku dhe produktet e detit.

“Kjo tregon se jemi në rrugën e duhur, pasi në tregun e Bashkimit Evropian hapet dera vetëm kur plotësohen standardet, kontrollet, dokumentacioni dhe siguria e produktit”, theksoi Salla.

Ministri bëri të ditur se aktualisht po punohet në disa drejtime paralele, ku një ndër prioritetet kryesore është përafrimi i plotë i legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian, me synimin për finalizimin e transpozimit ligjor deri në vitin 2027 dhe konsolidimin e kontrollit zyrtar në nivel qendror dhe rajonal brenda vitit 2026.

Një tjetër drejtim i rëndësishëm është digjitalizimi i kontrollit ushqimor, i cili do të mundësojë monitorim të vazhdueshëm, standardizim të të dhënave në kohë reale dhe rritje të transparencës, në shërbim si të konsumatorit ashtu edhe të eksportuesit.

Në këtë kuadër, Salla nënvizoi rëndësinë e investimeve në rrjetin laboratorik, modernizimin e laboratorëve rajonalë dhe forcimin e pikave të inspektimit kufitar, të cilat janë thelbësore për besueshmërinë e analizave dhe lehtësimin e procedurave të eksportit.

Ministri theksoi se për të arritur objektivin “Bujqësia 2030”, rritja e eksporteve kërkon domosdoshmërisht edhe investime të reja. Për këtë qëllim, përmes skemave kombëtare dhe së shpejti edhe nëpërmjet programit IPARD, do të mbështetet modernizimi i fermave dhe kapaciteteve të përpunimit.

Salla bëri të ditur se për vitin 2026 janë planifikuar rreth 2 miliardë lekë mbështetje investimi, me grante deri në 50% të vlerës së investimeve, si dhe instrumente financiare përmes Fondit të Garancisë Sovrane për subjektet agropërpunuese, duke krijuar një paketë të integruar mbështetjeje.

“Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë sistemin e standardeve dhe infrastrukturën mbështetëse. Ndërkohë, sektori privat duhet të investojë në cilësi, certifikim dhe organizim, sepse eksporti është një maratonë, jo një sprint. Së bashku duhet ta bëjmë Shqipërinë dhe produktin shqiptar një histori suksesi që lexohet në etiketë dhe provohet në treg, ‘Made in Albania’”, përfundoi ministri Salla.

e.xh/

The post Salla: Eksportet bujqësore drejt konsolidimit, synojmë 1 miliard dollarë deri në vitin 2030 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shtatore bronzi në përkujtim të Ismail Kadaresë

28 January 2026 at 15:45

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Në ditën e 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, në kafenenë e preferuar të tij, pranë parkut të Liqenit të Tiranës, është vendosur një statujë bronzi.

Vendosja e kësaj skulpture përkujtimore ka qenë një nismë e miqve më të afërt të shkrimtarit.

E pranishme ka qenë edhe bashkëshortja e tij, Helena Kadare e cila u shpreh për mediet se, kjo ditë ka një domethënie të veçantë për të.

“Kjo shtatore e mrekullueshme, në ditëlindjen e Ismailit, ishte një ndjenjë që të mbushte zemrën”, tha Helena Kadare, e cila kujton me mall se si Ismaili vinte çdo ditë në këtë vend, së bashku me botuesin e tij, për shëtitje dhe kafe.

Shtatorja është vepër e skulptorit Henri Mimani, i cili është kujdesur që figura e shkrimtarit të njohur të ishte sa më njerëzore. /j.p/

The post Shtatore bronzi në përkujtim të Ismail Kadaresë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Prioritet, krijimi i një rrjeti të konsoliduar agropërpunimi

28 January 2026 at 15:39

TIRANË, 28 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama theksoi sot domosdoshmërinë e krijimit të një rrjeti të konsoliduar të agropërpunimit.

I pranishëm në tryezën e dialogut mes qeverisë dhe biznesit eksportues ku u prezantua platforma e re ExportOn, Rama theksoi se agropërpunimi është vendosur në prioritetet e listës së punëve të qeverisë.

“Sa më shumë të tërheqim nga kanali i eksporteve lëndën e parë dhe sa më shumë të fusim në kanalin e eksporteve lëndë të parë të përpunuar në vend, aq më shumë do të mbajmë vlerë të shtuar brenda kufijve tanë”, tha Rama.

Faza kur baza kryesore e eksporteve ishte nxjerrja jashtë e lëndës së parë, sipas Ramës,  është një fazë që duhet të konsiderohet e tejkaluar.

“Sidomos kur vjen puna te bujqësia është shumë e qartë se hapi tjetër është agropërpunimi. Sikundër bëmë në fazën e parë të qeverisjes me grumbullimin duke siguruar që Shqipëria të ketë tanimë një rrjet të konsoliduar dhe të fuqishëm pikash grumbullimi me standarde të larta, duam të kemi një rrjet të konsoliduar të agropërpunimit”, tha Rama. /j.p/

The post Rama: Prioritet, krijimi i një rrjeti të konsoliduar agropërpunimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj: Eksportet dominohen nga shërbimet, nevojitet mbështetje më e fortë për mallrat

28 January 2026 at 15:36

TIRANË, 28 janar /ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në prani të Kryeministrit Edi Rama mori pjesë në konferencën “Eksport On”, ku prezantoi vizionin dhe politikat e qeverisë për nxitjen e eksporteve dhe forcimin e prodhimit vendas, si shtylla kyçe të modelit të ri të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.

Në fjalën e saj, ministrja theksoi se ekonomia shqiptare ka shënuar përmirësime të qëndrueshme vitet e fundit, me rritje të prodhimit të brendshëm bruto, investimeve, punësimit dhe pagave, duke reflektuar një klimë pozitive për biznesin dhe sektorin privat. Megjithatë, ajo vuri në dukje nevojën për transformimin e strukturës ekonomike, duke kaluar nga një ekonomi e mbështetur kryesisht në shërbime dhe konsum vendas, drejt një modeli të bazuar në investime, eksporte dhe rritje të produktivitetit.

Ibrahimaj nënvizoi se, pavarësisht rritjes së eksporteve shqiptare në vitet e fundit, struktura e tyre dominohet nga shërbimet, ndërsa eksportet e mallrave kanë nevojë për mbështetje më të fortë, për shkak të lidhjes së drejtpërdrejtë me kapacitetin prodhues dhe industrializimin e vendit. Në këtë kuadër, ministrja bëri të ditur, se gjatë vitit 2026 do të miratohet një politikë e re industriale për nxitjen e prodhimit vendas.

Fokusi i fjalës së ministres ishte Programi për Nxitjen e Eksporteve, i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, i cili mbështetet në katër shtylla kryesore: ndërgjegjësimin dhe promovimin, thjeshtimin dhe digjitalizimin e procedurave, harmonizimin e standardeve me Bashkimin Europian dhe instrumentet financiare.

Në këtë kuadër, ajo vlerësoi rolin e AIDA-s dhe platformës Eksport On në rritjen e ndërgjegjësimit dhe informimit të bizneseve, si dhe njoftoi se gjatë këtij viti do të miratohet ligji për “Made in Albania”, i cili synon ndërtimin dhe promovimin e markës kombëtare, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

Ministrja theksoi gjithashtu rëndësinë e digjitalizimit të procedurave tregtare, përmes çeljes së dritares së vetme unike për eksportuesit dhe zbatimit të projekteve të Bankës Botërore për lehtësimin e tregtisë. Ajo njoftoi se do të lançohet së shpejti edhe programi kombëtar për mbështetjen e biznesit në procesin e integrimit europian, me fokus në rritjen e kapaciteteve dhe financimin për arritjen e standardeve.

Një rol kyç në mbështetjen e eksporteve do të luajë edhe Banka e Zhvillimit, e cila do të shërbejë si instrument për financimin, modernizimin e industrisë dhe sigurimin e eksporteve, duke ulur kostot dhe riskun për bizneset shqiptare.

Në përfundim, Ibrahimaj theksoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm me biznesin dhe garantoi se shqetësimet e tyre do të përkthehen në politika konkrete mbështetëse, me synimin që bizneset shqiptare të jenë më konkurruese dhe të përfitojnë nga aksesimi i tregut të përbashkët europian.

e.xh/j.p/

The post Ibrahimaj: Eksportet dominohen nga shërbimet, nevojitet mbështetje më e fortë për mallrat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Mbështesim inovacionin në sektorin e manifakturës

28 January 2026 at 15:31

TIRANË, 28 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama garantoi sot mbështetje për sipërmarrjet që operojnë në sektorin e manifakturës, të cilat përfshijnë inovacionin në rrugën e tyre të zhvillimit.

I pranishëm në tryezën e dialogut mes qeverisë dhe biznesit eksportues ku u shpalos platforma e re ExportOn, kryeministri Rama u ndal te tranzicioni i pashmangshëm në sektorin e manifakturës që kalon nga fasoneria te cikli i mbyllur.

“Kjo na ka dhënë një provë shumë të qartë që sipërmarrja që nuk garantohet nga oksigjeni i shtetit por i beson inovacionit dhe transformimit fiton. Ndërsa kush pret që në të kundërt të erës së imponuar nga transformimi, të vazhdojë të rrijë aty ku është mësuar dhe ka qëndruar duke u mbajtur me oksigjen nga shteti është thjesht dhe vetëm duke shtyrë me agoni ditët e fundit”, tha Rama.

Për të krijuar më shumë vlerë të shtuar përmes manifakturës, Rama siguroi se qeveria do të bëjë më shumë në mbështetje të sipërmarrjeve që do të përqafojnë sfidën e  transformimit. /j.p/

The post Rama: Mbështesim inovacionin në sektorin e manifakturës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Instrumente të rinj financiarë posaçërisht për ndërmarrjet eksportuese, të adresojmë përthithjen e fondeve

28 January 2026 at 15:30

TIRANË, 28 janar/ATSh/ Kryeministri Edi Rama, deklaroi se çështja e procedurave eksportuese dhe lehtësimi i korridoreve logjistike për të ulur koston dhe kohën e transportit, mbetet një prej çështjeve më të rëndësishme.

Në tryezën e dialogut mes qeverisë dhe biznesit eksportues, ku të pranishëm ishin edhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, Drejtoresha ekzekutive e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Laura Saro për herë të parë ditën e sotme u prezantua platforma ExportOn.

Rama tha janë vendosur instrumente të rinj financiarë posaçërisht për ndërmarrjet eksportuese, duke ulur riskun e tyre përballë bankave tregtare.

“Thithja e këtyre fondeve është shumë e ulët krahasimisht me çfarë do donim të ishte. Qoftë për linjën e kreditimit të Bankës së Shqipërisë, qoftë për çfarë do të fillojë të bëjë Banka e re e Zhvillimit duhet të kuptojmë ekzaktësisht prej jush ku është pika e dobët dhe si ta adresojmë në mënyrë që këto instrumente të jenë sa më të arritshëm nga ju dhe që ne të mund të fusim në dizpozicionin tuaj sa më shumë fonde”, u shpreh kreu i Qeverisë.

Kreu i Ekzekutivit nënvizoi se “linja e kreditimit e Bankës së Shqipërisë është “pa limit”, po të kemi parasysh sa larg jemi nga thithja e pjesës së parë të fondeve që është vënë në dispozicion”.

Kryeministri e mbylli fjalën duke iu kujtuar kompanive rëndësinë e investimit në burime njerëzore.

“Kompanitë shqiptare po e kuptojnë vetë, por përsëri mund ta adresojnë shumë më shpejt dhe më mirë dhe me më shumë përfitim. Përpara disa vitesh, u publikua një listë e kompanive më të mëdha globale dhe ecja e tyre në 10 vite. Dhe ishte diçka e jashtëzakonshme ajo pasqyrë për të parë lidhjen e drejtpërdrejtë mes investimit në burimet njerëzore, trajnimeve, kualifikime të mbështetura financiarisht. Të gjitha ato kompani që në fillim të 10 viteve kishin investuar më pak në burimet njerëzore, kishin ardhur me rënie në raport me kompanitë që kishin investuar në burime njerëzore”, tha Rama, duke theksuar se kjo është e rëndësishme edhe në kuadër të sfidës së integrimit evropian.

/e.i/j.p/

The post Rama: Instrumente të rinj financiarë posaçërisht për ndërmarrjet eksportuese, të adresojmë përthithjen e fondeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“L’elisir d’amore” rikthehet në Teatrin e Operas pas 14 vjetësh

28 January 2026 at 15:25

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit po përgatitet të vërë në skenë një nga operat më të famshme të Gaetano Donizetti-t, “L’elisir d’amore”.

Kjo opera lirike, e karakterizuar nga komiciteti dhe romantizmi, vjen në datat 11, 12, 13 dhe 14 shkurt. Ngjarjet zhvillohen në një fshat piktoresk bregdetar, ku shpaloset historia e Nemorinos, djaloshi naiv dhe i ndrojtur, i cili beson se një elikzir magjik do ta ndihmojë të fitojë zemrën e Adinës. Muzika e Donizetti-t e  shndërron elikzirin në simbol të shpresës dhe dëshirës njerëzore për t’u ndjerë i zgjedhur dhe i dashur.

“L’elisir d’amore” bashkon në skenë emra të spikatur të skenës shqiptare dhe asaj ndërkombëtare, duke sjellë një larmi zërash dhe temperamentesh artistike, të ndarë në dy kaste.

TKOBAP bëri të ditur se, në këtë opera do të jenë edhe emra që janë bërë të njohur ndërkombëtarisht si Enkeleda Kamani dhe Gëzim Myshketa, të cilët i japin këtij produksioni një dimension të gjerë artistik dhe profesional.

Enkeleda Kamani dhe Nina Muho do t’i japin jetë Adinës me finesë vokale dhe ndjeshmëri skenike, duke nxjerrë në pah karakterin e saj të lirë dhe lozonjar. Në rolin e Nemorinos do të jenë Galeano Salas dhe Matteo Mezzaro me emocionin, butësinë dhe sinqeritetin e djaloshit naiv e të dashuruar.

Davide Luciano dhe Artur Vera interpretojnë rolin e Belcores me autoritet dhe prani të fuqishme skenike. Rolin plot ngjyra të Doktor Dulcamarës e mishërojnë Gëzim Myshketa dhe Matteo D’Apolito, me energji, karizëm dhe një sens të mprehtë komik që gjallëron çdo skenë. Ndërsa Ana Tafani dhe Greis Shametaj sjellin Gianettën me freskinë, hijeshinë dhe elegancën që e përfaqëson personazhin e saj, duke plotësuar kështu mozaikun e kësaj komedie lirike e plot jetë.

“L’elisir d’amore” rikthehet në skenën e TKOBAP pas 14 vitesh, me regjinë e Riccardo Canessa-s, dhe skenografi e kostume nga Alfredo Troisi. /j.p/

The post “L’elisir d’amore” rikthehet në Teatrin e Operas pas 14 vjetësh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama me bizneset eksportuese: “Made in Albania” pasaportë për në BE, mbështesim certifikimet ndërkombëtare

28 January 2026 at 17:24

TIRANË, 28 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Made in Albania” është një markë cilësie dhe një pasaportë për në Bashkimin Europian, ndaj dhe qeveria do t’i mbështesë fuqimisht të gjithë ata që do të synojnë marrjen e kësaj pasaporte.

I pranishëm në tryezën  e dialogut mes qeverisë dhe biznesit eksportues, ku u shpalos platforma e re ExportOn, kryeministri Rama kërkoi që të hiqet dorë nga konkurrenca me çmim të ulët dhe bizneset të fokusohen te konkurrenca me standard të lartë të certifikuar nga BE.

Kjo sipas tij, do të krijojë më shumë vlerë duke synuar fitim përmes vlerës së krijuar me cilësi dhe jo përmes sasisë.

Rama u ndal te procesi i anëtarësimit në BE duke shtuar se kjo do të krijojë hapësira mundësish të jashtëzakonshme, por është edhe një prag sfidash të jashtëzakonshme.

“Ata që do të jenë të gatshëm të adoptohen do të jenë fitues, ata që nuk do të dinë të adoptohen do të jenë humbës. Sot ne jemi në nisje të një tjetër viti shumë të rëndësishëm në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi se Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) është kthyer në një mekanizëm mbështetjeje që monitoron, asiston dhe që orienton të gjithë ata që i adresohen.

“Një nga gjërat më të rëndësishme për ekonominë tonë është domosdoshmëria për të rritur vlerën e e krijuar në vend dhe një nga sfidat e objektivat e më të rëndësishme të AIDA-s është mbështetja e eksporteve, duke mbështetur prodhimet ‘Made in Albania'”, tha Rama.

Kryeministri siguroi se qeveria do të vendosë eksportuesin në qendër të kësaj mbështetjeje, duke e shfrytëzuar AIDA-n si një stacion ku eksportuesit dhe institucionet shtetërore takohen.

Nga ana tjetër, Rama theksoi se mbështetja direkte që qeveria do të japë me certifikimet ndërkombëtare është një investim strategjik i shtetit për të ndihmuar biznesin që të futet më shpejt në tregun e përbashkët europian.

“Do shtojmë mbështetjen financiare të shtetit për certifikimet ndërkombëtare ashtu sikundër edhe për të mbrojtur markën dhe pronësinë intelektuale të çdo prodhimi që futet në tregun europian me identitetin shqiptar”, tha Rama.

The post Rama me bizneset eksportuese: “Made in Albania” pasaportë për në BE, mbështesim certifikimet ndërkombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Light in the deep”, qeniet njerëzore mes dritës e hijes në veprat e Blerta Xhomos

28 January 2026 at 15:13

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Blerta Xhomo me ekspozitën e saj “Light in the deep” sjell këtë fund janari në Galerinë FAB, një udhëtim “në brendësinë e njeriut” që kujton Danten, por të shprehur në mënyrë piktorike përmes një gjuhe që bashkon traditën e madhe të ekspresionizmit evropian me dramën e kompozimit barok.

Në ekspozitën “Light in the deep” (“Dritë në Thellësi”), Blerta Xhomo eksploron dualizmin në zemër të ekzistencës, të pazgjidhshëm të qenieve njerëzore midis dritës dhe hijes, të mirës dhe së keqes, materies dhe shpirtit, si dimensione kundërshtuese, por njëkohësisht thelbësore për arritjen e një ekuilibri më të lartë.

Teksti kuratorial i ekspozitës thotë se, qëllimi i këtij projekti, i përbërë nga një seri veprash të krijuara posaçërisht nga artistja, është të ofrojë një reflektim mbi kompleksitetin dhe kontradiktat e natyrës njerëzore, e cila mbetet vazhdimisht e ndarë mes dritës dhe hijes që e shoqërojnë në udhëtimin e saj, duke e bërë atë të pasigurt, të vështirë dhe të mbushur me rënie e fillime të reja.

Në disa vepra, dallohet edhe ndikimi futurist përmes vijave të fuqishme, që përcjellin ndjesinë e shpejtësisë dhe lëvizjes, të një energjie të brendshme që rrezaton nga figura drejt hapësirës përreth.

 

 

The post “Light in the deep”, qeniet njerëzore mes dritës e hijes në veprat e Blerta Xhomos appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Identifikohet një nga shkaqet kryesore të demencës

28 January 2026 at 15:11

BOSTON,  28 janar /ATSH/ – Një studimi nga Qendra CTE e Universitetit të Bostonit zbuloi se encefalopatia traumatike kronike (CTE) duhet të njihet si një shkak i ri i demencës, shkruan corriere.it.

Studimi, i botuar në Alzheimer’s & Dementia: The Journal of the Alzheimer’s Association, studioi trurin e 614 sportistëve të ekspozuar ndaj goditjeve të përsëritura në kokë, kryesisht futbollistë në kontakt me atletë të tjerë sportivë.

Duke izoluar 366 persona vetëm me CTE – domethënë, ata me CTE pa sëmundje të tjera progresive të trurit – krahasuar me 248 dhurues pa CTE, studiuesit zbuluan se ata me formën më të avancuar të CTE kishin katër herë më shumë gjasa të zhvillonin demencë.

Kjo mundësi katërfish më e madhe është e ngjashme me forcën e marrëdhënies midis demencës dhe sëmundjes së avancuar të Alzheimerit, shkaku kryesor i demencës.

“Ky studim ofron prova të një lidhjeje të fortë midis CTE dhe demencës dhe simptomave konjitive, duke mbështetur dyshimet tona se CTE është një shkak i mundshëm i demencës”, thotë neurologu Michael Alosco, autor i studimit.

“Vendosja e faktit që simptomat konjitive dhe demenca janë pasoja të CTE na afron më shumë me zbulimin dhe diagnostikimin e saktë të CTE gjatë gjithë jetës, një qëllim i nevojshëm urgjentisht”, shton ai.

Demenca është një sindromë klinike që i referohet dëmtimeve në të menduar dhe kujtesë, si dhe vështirësive në kryerjen e aktiviteteve të përditshme si drejtimi i automjetit dhe menaxhimi i financave.

Sëmundja e Alzheimerit është shkaku kryesor, por disa sëmundje të tjera progresive të trurit janë renditur si shkaqe të demencës, të referuara kolektivisht si demenca të lidhura me sëmundjen e Alzheimerit (ADRD).

Me këtë studim të ri, autorët argumentojnë se CTE tani duhet të konsiderohet zyrtarisht edhe një ADRD.

Studimi zbulon gjithashtu se demenca për shkak të CTE shpesh diagnostikohet gabim gjatë jetës si sëmundja e Alzheimerit, ose nuk diagnostikohet fare.

Midis atyre që u diagnostikuan me demencë gjatë jetës nga një mjek, 40% u thanë se kishin sëmundjen e Alzheimerit, pavarësisht mungesës së shenjave specifike të sëmundjes në autopsi.

Një 38% të tjerë u thanë se shkaku i demencës së tyre ishte “i panjohur” ose nuk mund të specifikohej.   /os/

 

The post FOKUS – Identifikohet një nga shkaqet kryesore të demencës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu me homologun maqedonas: Forcim i bashkëpunimit policor, lehtësi për kalimet kufitare

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu po zhvillon vizitë zyrtare në Shkup, ku u takua me ministrin e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski.

Takimi zhvillohet në kuadër të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe u pasua nga një deklaratë e përbashkët për shtyp.

Ministrja Koçiu theksoi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy vende partnere, të lidhura nga një hapësirë e përbashkët gjeografike, interesa të përbashkëta dhe aspirata të njëjta europiane, si vende kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Koçiu nënvizoi se lehtësimi i burokracive dhe procedurave për qytetarët dhe biznesin është një hap i domosdoshëm dhe praktik në funksion të së ardhmes së përbashkët europiane.

Dy homologët diskutuan shndërrimin e pikës ekzistuese të kontaktit, në një Qendër të plotë të Bashkëpunimit Policor dhe Doganor, e cila do të funksionojë 24/7 dhe do të mundësojë koordinim në kohë reale mes strukturave përkatëse.

“Një qendër e tillë do të rrisë ndjeshëm sigurinë, duke forcuar kapacitetet kundër migracionit të paligjshëm, kriminalitetit dhe kontrabandës, si dhe do të shkurtojë burokracitë dhe kohën e pritjes në kufi”, tha Koçiu.

Ministrja bëri me dije se vetëm gjatë një viti janë regjistruar rreth 5 milionë kalime dhe rreth 1.8 milionë automjete në kufirin mes dy vendeve, çka e bën edhe më të domosdoshëm përmirësimin e procedurave dhe infrastrukturës kufitare.

Një tjetër temë e rëndësishme e diskutuar ishte replikimi i modelit të suksesshëm “One Stop Shop” për kontrollin e unifikuar kufitar në të gjitha pikat e kalimit, para sezonit veror, si dhe lehtësimi i procedurave gjatë sezonit turistik.

Po ashtu, u diskutua rritja e patrullimeve të përbashkëta në Liqenin e Ohrit dhe zhvillimi i projekteve të tjera të përbashkëta në fushën e sigurisë.

Në përfundim, ministrja Koçiu vlerësoi gatishmërinë e plotë të palës maqedonase për të forcuar më tej partneritetin dypalësh, duke falënderuar ministrin Toshkovski dhe duke e ftuar për një vizitë të afërt në Tiranë.

Koçiu shprehu gjithashtu mirënjohjen për ekipet e OSBE-së, për mbështetjen e vazhdueshme në shndërrimin e ideve në mekanizma konkretë bashkëpunimi dhe në përafrimin me standardet më të mira europiane në fushën e sigurisë.

/k.s/j.p/

The post Koçiu me homologun maqedonas: Forcim i bashkëpunimit policor, lehtësi për kalimet kufitare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌