❌

Normal view

Received today — 15 October 2026 ⏭ Agjencia Telegrafike Shqiptare

“Interpol”-i arreston 95 persona në operacionin ndërkombëtar kundër abuzimit seksual të fëmijëve në internet

15 October 2026 at 21:55

GJENEVË, 15 tetor /ATSH-DPA/- Policia arrestoi 95 persona të dyshuar në kuadër të një operacioni ndërkombëtar kundër shpërndarjes në internet të materialeve, që paraqesin abuzim seksual ndaj fëmijëve, njoftoi sot Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale, “Interpol”.

Operacionet u zhvilluan nga marsi deri në shtator, me pjesëmarrjen e 17 vendeve të Amerikës Latine dhe Evropës, mes tyre Brazili, Kolumbia, Argjentina, Spanja dhe Italia.

Gjatë hetimeve, policia kreu 127 kontrolle në banesa dhe ambiente të tjera.

Sipas “Interpol”-it, në Kolumbi policia shpëtoi një fëmijë pesëvjeçar dhe arrestoi njërin prej prindërve, i dyshuar se kishte prodhuar materiale të abuzimit seksual me fëmijën dhe i kishte shitur ato në internet.

Falë një baze të dhënash të “Interpol”-it, hetuesit arritën të identifikonin disa materiale, që i përkisnin të njëjtit fëmijë.

Disa prej tyre datonin që nga koha kur fëmija ishte vetëm një vjeç.

Në Ekuador, hetuesit gjetën më shumë se 4 000 materiale të paligjshme në pajisjet e një personi të dyshuar, i cili ishte pjesë e një grupi komunikimi në internet.

Materialet zinin rreth 15 gigabajt hapësirë digjitale.

Në Panama, policia arrestoi administratorin e një grupi në internet, përmes të cilit shpërndaheshin materiale të tilla.

Sipas “Interpol”-it , grupi kishte më shumë se 700 përdorues.

Ndërsa në Argjentinë, policia arrestoi një person të dyshuar se kishte kontaktuar me më shumë se 260 vajza nga vende të ndryshme.

Ai akuzohet se i kishte shantazhuar seksualisht të miturat, duke u kërkuar gjithnjë e më shumë video dhe fotografi me përmbajtje seksuale dhe duke i kërcënuar nëse refuzonin.

Drejtori ekzekutiv i “Interpol”-it për mbështetjen e hetimeve, Stephen Fry, theksoi se çdo material i tillë, lidhet me një fëmijë që ka përjetuar abuzim dhe se rishpërndarja e tij e dëmton sërish viktimën.

Sipas “Interpol”-it, autorët po përdorin gjithnjë e më shumë platformat digjitale, për të shfrytëzuar seksualisht fëmijët, për të koordinuar abuzimin dhe për të fituar para nga përmbajtjet e paligjshme. //a.i/

The post “Interpol”-i arreston 95 persona në operacionin ndërkombëtar kundër abuzimit seksual të fëmijëve në internet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dhuka: BE është destinacioni ynë, të ndërtojmë urat e dialogut drejt familjes europiane

15 October 2026 at 21:33

TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Kryenegociatorja e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, Majlinda Dhuka ka bërë thirrje sot për dialog, përgjegjshmëri dhe respektimin e vlerave europiane, duke theksuar se integrimi në BE mbetet aspiratë e përbashkët e shqiptarëve.

Në një mesazh, Dhuka u shpreh se protesta dhe zëri i qytetarëve duhet të shërbejnë si nxitje për reflektim mbi Shqipërinë europiane që vendi synon të ndërtojë, ku qytetarët dëgjohen, institucionet respektohen dhe shteti i së drejtës qëndron mbi çdo interes.

“Bashkimi Europian është destinacioni ynë – Familja Europiane është përkatësia jonë çdo ditë, edhe sot!”, u shpreh Dhuka.

Ajo theksoi se të qenit pjesë e familjes europiane nënkupton jo vetëm të drejtën për të shprehur mendimin dhe për të ngritur zërin, por edhe respektimin e ligjit dhe ruajtjen e dialogut mes qytetarëve, pavarësisht dallimeve.

“Të jesh europian do të thotë të kesh guximin të ngresh zërin, urtësinë të respektosh ligjin dhe forcën të mos e kthesh dallimin në largësi mes nesh”, u shpreh kryenegociatorja.

Dhuka nënvizoi se paqja dhe urtësia nuk nënkuptojnë heshtje apo indiferencë, por përbëjnë një mënyrë për të mbrojtur vlerat europiane, respektin njerëzor dhe vendin.

Kryenegociatorja nënvizoi se, Shqipëria i përket familjes europiane përmes aspiratës së qytetarëve dhe vlerave që zgjedh të përqafojë çdo ditë.

“Sot jemi më pranë se kurrë përmbushjes së aspiratës europiane mbi 30-vjeçare! Ky është një moment historik për të gjithë!”, theksoi Dhuka, duke bërë thirrje për bashkëpunim dhe dialog në rrugën drejt Bashkimit Europian.

“Së bashku, lutem, të ndërtojmë urat e dialogut dhe çdo hap drejt Familjes së Përkatësisë – Bashkimit Europian!”, përfundoi mesazhin kryenegociatorja.

/gj.m/r.e/

The post Dhuka: BE është destinacioni ynë, të ndërtojmë urat e dialogut drejt familjes europiane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Egnatia debuton me barazim në Conference League, Gruda shënon në 1-1 ndaj Midtjylland

15 October 2026 at 21:30

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Egnatia e ka nisur sot me barazim aventurën historike në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, duke ndarë pikët 1-1 me skuadrën daneze të Midtjylland, në stadiumin “Elbasan Arena”.

Skuadra rrogozhinase kaloi e para në avantazh me anë të Grudës, në minutën e 26-të, por miqtë barazuan gjashtë minuta më vonë me Çon, duke vulosur rezultatin e pjesës së parë.

Takimi ishte parashikuar të zhvillohej në Tiranë, por për shkak të situatës së krijuar në vend dhe protestave, u zhvendos në Elbasan.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë, me të dyja skuadrat që krijuan mundësi për shënim. Portieri i Egnatias, Dajsinani, ndërhyri në minutat e para për të ndalur një gjuajtje të rrezikshme të Rajoviçit, ndërsa vendasit u përgjigjën me tentativa nga Kryeziu dhe Adjesa.

Goli i avantazhit për Egnatian erdhi në minutën e 26-të, kur një harkim nga krahu i djathtë gjeti Grudën në shtyllën e dytë. Sulmuesi goditi saktë me kokë, duke dërguar topin në rrjetë dhe duke kaluar rrogozhinasit në avantazh.

Reagimi i danezëve ishte i shpejtë. Në minutën e 32-të, Çon përfitoi nga një harkim në zonë dhe me një goditje me kokë mposhti Dajsinanin, duke barazuar shifrat në 1-1. Midtjylland shënoi sërish në minutën e 39-të me të njëjtin autor, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Në pjesën e dytë, skuadra daneze u shfaq më kërkuese, duke provuar të gjente golin e fitores. Egnatia iu përgjigj me disa aksione të rrezikshme, ndërsa në minutën e 63-të Haime pati një mundësi të mirë për të rikthyer vendasit në avantazh, por nuk arriti ta drejtonte saktë topin me kokë.

Në minutën e 69-të, Bitri ndërhyri në kohën e duhur për të ndalur një tjetër rrezik të miqve. Më pas, Midtjylland arriti ta dërgonte topin në rrjetë me Uhren, pas një goditjeje këndi, por goli u anulua për faull ndaj portierit Dajsinani.

Danezët iu afruan sërish golit në minutën e 84-t, kur Iheanaço goditi shtyllën, por aksioni u konsiderua i pavlefshëm për pozicion jashtë loje.

Në minutat e fundit, Egnatia u përpoq të shfrytëzonte mundësitë për të marrë fitoren, por mbrojtja e Midtjylland arriti të ndalte sulmet e vendasve.

Në përfundim, sfida u mbyll në barazim 1-1, me Egnatian që merr pikën e parë në debutimin historik në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

Egnatia – Midtjylland 1-1

Shënues: Gruda 26’, Çon 32’.

/gj.m/r.e/

The post Egnatia debuton me barazim në Conference League, Gruda shënon në 1-1 ndaj Midtjylland appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – 19 të vrarë dhe 364 të plagosur nga sulmet e Huthëve ndaj aeroporteve në Arabinë Saudite

15 October 2026 at 21:21

RIJAD, 15 tetor /ATSH – AA/ –   Nëntëmbëdhjetë persona janë vrarë dhe 364 të tjerë janë plagosur nga sulmet e grupit rebel Huthi të Jemenit ndaj aeroporteve në Arabinë Saudite, përfshirë aeroportin ndërkombëtar “King Khalid” në Riad dhe atë të Abhas, njoftoi koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite.

Sulmet e Huthëve ndaj mbretërisë janë intensifikuar që nga fillimi i tetorit, pas përshkallëzimit të veprimeve të grupit të lidhur me Iranin kundër Arabisë Saudite që prej muajit korrik, deklaroi zëdhënësi i koalicionit, Turki al-Maliki, gjatë një konference për shtyp të transmetuar nga televizioni saudit “Al Ekhbariya”.

Sipas tij, aeroporti ndërkombëtar “King Khalid” në Riad është shënjestruar në 20 sulme të Huthëve që nga fillimi i tetorit. Nga sulmet e kryera ndaj këtij aeroporti gjatë periudhës 7–11 tetor, 17 persona janë vrarë dhe 333 të tjerë janë plagosur.

Ndërkohë, dy persona humbën jetën dhe 28 të tjerë u plagosën nga një sulm ndaj aeroportit ndërkombëtar të Abhas, në rajonin jugperëndimor të Asirit.

Sipas të dhënave të koalicionit, tre persona të tjerë u plagosën nga një sulm që shënjestroi aeroportin ndërkombëtar “King Abdullah”, në rajonin jugperëndimor të Jizanit.

Në total, pesë aeroporte saudite, përfshirë aeroportin kryesor të Riadit, janë shënjestruar nga sulmet e Huthëve që prej 5 tetorit. Sulmet kanë shkaktuar viktima, të plagosur dhe dëme materiale, si dhe kanë sjellë ndërprerje të trafikut ajror, sipas burimeve zyrtare saudite.  /os/

The post FOKUS – 19 të vrarë dhe 364 të plagosur nga sulmet e Huthëve ndaj aeroporteve në Arabinë Saudite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

JEMEN – Sulm ndaj pallatit qeveritar në Aden, qeveria dënon përshkallëzimin

15 October 2026 at 21:08

SANA, 15 tetor /ATSH-DPA/- Selia e qeverisë së Jemenit, e njohur ndërkombëtarisht, në qytetin portual të Adenit, në jug të vendit, u sulmua sot me raketa, njoftuan dhe zyrtarët qeveritarë.

Sipas tyre, sulmi goditi zonën përreth pallatit Al-Maashiq, ku ndodhen institucionet qeveritare.

Qeveria e cilësoi ngjarjen si një përshkallëzim të rrezikshëm kundër institucioneve shtetërore dhe objekteve civile.

Sipas qeverisë, pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe punonjës të tjerë të pallatit u vranë ose u plagosën.

Në një njoftim të mëparshëm, autoritetet kishin bërë të ditur se dy pjesëtarë të ekipit të sigurisë së kryeministrit kishin humbur jetën.

Al-Masirah, një televizion që kontrollohet nga rebelët Houthi, raportoi se ishte sulmuar një seli ushtarake e drejtuar nga oficerë sauditë.

Zëdhënësi ushtarak i milicisë Houthi, Yahya Saree, deklaroi se trupat saudite përbënin një objektiv të ligjshëm për rebelët, kudo që ndodheshin.

Ndërkohë, televizioni saudit “Al-Hadath” raportoi se në pallat ishin dëgjuar pesë shpërthime, pasi disa raketa kishin goditur zonën.

Në rrjetet sociale u shpërndanë pamje filmike, që tregonin tym mbi kompleksin ku ndodhet selia e qeverisë së njohur ndërkombëtarisht.

Në Aden ndodhet gjithashtu një qendër komanduese e koalicionit ushtarak të udhëhequr nga Arabia Saudite.

Ky koalicion lufton përkrah qeverisë jemenase kundër rebelëve Houthi, të cilët mbështeten nga Irani.

Qeveria e njohur ndërkombëtarisht është vendosur në Aden, në jug të vendit, që prej vitit 2014, kur rebelët Houthi morën kontrollin e kryeqytetit Sana dhe të pjesëve të tjera të Jemenit verior.

Qeveria drejtohet nga Rashad al-Alimi, i cili, për arsye sigurie, qëndron kryesisht në Riad, kryeqytetin e Arabisë Saudite.

Mediet saudite raportuan se zyrtarë të lartë të qeverisë jemenase nuk ishin plagosur nga sulmi.

Më herët, Ministria e Informacionit e Jemenit njoftoi se kryeministri Shaya al-Zindani dhe anëtarë të tjerë të qeverisë ishin të sigurt pas sulmit me raketa.

Qeveria u bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe Kombeve të Bashkuara, të mbajnë një qëndrim të qartë dhe të vendosur kundër sulmeve, në vend që t’i trajtojnë ato si ngjarje të izoluara.

Me këtë sulm, edhe jugu i Jemenit po bëhet gjithnjë e më shumë objektiv i vëmendjes së rebelëve Houthi, të cilët kontrollojnë pjesë të mëdha të veriut të vendit.

Në një ofensivë të shpejtë në shtator, ata morën nën kontroll territore të tjera përgjatë bregdetit perëndimor.

Vitet e fundit, Adeni dhe pjesa jugore e Jemenit, nuk kanë qenë ndër zonat kryesore të luftimeve, veçanërisht pas armëpushimit të vitit 2022.

Qeveria deklaroi se Adeni do të vazhdojë të jetë një qendër e institucioneve shtetërore të Jemenit.

Ajo theksoi se përpjekjet për të penguar jetën e përditshme të qytetarëve ose për të dobësuar shtetin nuk do të kenë sukses.

Adeni është një nga qytetet më të mëdha të Jemenit dhe ka një port të rëndësishëm, në lindje të Ngushticës së Bab al-Mandabit, emri i së cilës përkthehet si “Porta e Lotëve”.

Për shekuj me radhë, qyteti ka shërbyer si qendër e rëndësishme tregtare.

Pallati Al-Maashiq ndodhet mbi një kodër, nga ku shihet Gjiri i Adenit. //a.i/

The post JEMEN – Sulm ndaj pallatit qeveritar në Aden, qeveria dënon përshkallëzimin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Raporti peshë-fuqi, sekreti që u jep përparësi çiklistëve të lehtë në ngjitje

15 October 2026 at 20:44

ROMË, 15 tetor/ATSH/ – Në çiklizëm, atleti më i fuqishëm nuk është gjithmonë ai që ecën më shpejt. Kur rruga bëhet e pjerrët, avantazhi shpesh kalon te çiklistët më të lehtë, falë raportit peshë-fuqi, një tregues që mat fuqinë e prodhuar në raport me peshën trupore, shkruan salute.it.

Raporti peshë-fuqi, i shprehur në vat për kilogram (W/kg), është veçanërisht i rëndësishëm në ngjitje, ku graviteti ndikon drejtpërdrejt në shpejtësinë e çiklistit. Sa më shumë fuqi të prodhojë një atlet për çdo kilogram peshë, aq më i madh është potenciali i tij për të përballuar ngjitjet me ritëm të lartë.

Për shembull, një çiklist që prodhon 250 vat dhe peshon 60 kilogramë arrin një raport prej rreth 4,2 W/kg. Ndërsa një atlet që prodhon të njëjtën fuqi, por peshon 80 kilogramë, arrin rreth 3,1 W/kg.

Sipas të dhënave të paraqitura në artikullin burimor, një amator i stërvitur mund të mbajë rreth 3 W/kg për një orë, ndërsa një profesionist mund të arrijë afërsisht 6 W/kg. Çiklistët më të mirë në garat e mëdha mund të përballojnë nga 6,5 deri në 7 W/kg në ngjitje që zgjasin 30–40 minuta.

Në terren të sheshtë, fuqia absolute ka më shumë rëndësi, pasi rezistenca e ajrit mund të përbëjë pjesën më të madhe të energjisë së nevojshme për të ruajtur shpejtësinë. Në këto kushte, çiklistët më të mëdhenj dhe më të fuqishëm mund të kenë avantazh ndaj atletëve më të lehtë.

Në të kundërt, në ngjitje, pesha e çiklistit dhe e biçikletës bëhet një faktor vendimtar. Me uljen e shpejtësisë, ndikimi i rezistencës aerodinamike zvogëlohet, ndërsa nevoja për të kapërcyer forcën e gravitetit rritet.

Këto dallime pasqyrohen edhe në fizikun e sportistëve. Specialistët e kronometrit dhe çiklistët e terrenit të sheshtë janë zakonisht më të gjatë dhe më të rëndë, ndërsa alpinistët karakterizohen nga një trup më i lehtë dhe aftësia për të prodhuar shumë vat në raport me peshën.

Çiklisti italian Filippo Ganna, i cili është rreth 193 centimetra i gjatë dhe peshon afërsisht 82 kilogramë, është një shembull i sportistit me fuqi të lartë absolute, veçanërisht i përshtatshëm për provat kundër kronometrit dhe terrenin e sheshtë.

Megjithatë, pesha e ulët nuk garanton automatikisht performancë më të mirë.

Humbja e tepërt e masës trupore mund të shoqërohet me humbje të muskujve dhe të fuqisë, duke dëmtuar aftësinë e atletit për të ruajtur ritmin gjatë garës.

Për këtë arsye, suksesi në çiklizëm varet nga ekuilibri mes peshës, fuqisë së qëndrueshme, teknikës dhe karakteristikave të itinerarit.

Në garat e mëdha, ku ndërthuren etapa të sheshta, kodrinore, malore dhe prova kundër kronometrit, përparësia nuk i takon domosdoshmërisht çiklistit më të lehtë, por atij që përshtat më mirë aftësitë fizike me kërkesat e garës.  /os/

The post Raporti peshë-fuqi, sekreti që u jep përparësi çiklistëve të lehtë në ngjitje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Karakaçi: Dhuna ndaj policisë në Shkodër e papranueshme, autorët të përballen me drejtësinë

15 October 2026 at 20:39

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi reagoi në lidhje me dhunën e ushtruar sot gjatë protestës në Shkodër ndaj forcave të rendit, duke e cilësuar atë si të papranueshme.

Karakaçi theksoi se pamjet e goditjes me sende të forta në kokë të shefit të Rendit në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër janë tronditëse dhe dëshmi e një akti të rëndë dhune, që meriton dënim të prerë.

“Asgjë nuk mund të justifikojë dhunën ndaj atyre që janë në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike”, shkruan Karakaçi.

Sipas tij, autorët duhet të përballen me drejtësinë dhe çdo rast i tillë duhet të marrë përgjigjen e merituar ligjore.

“Solidaritet me efektivin e plagosur dhe shpresojmë për shërimin e tij sa më të shpejtë”, shkruan ai.

Në Shkodër paraditen e sotme pati tension dhe përplasje me policinë gjatë protestës së zhvilluar.

/r.e/

The post Karakaçi: Dhuna ndaj policisë në Shkodër e papranueshme, autorët të përballen me drejtësinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Marta Kos sërish mesazh Kosovës: Ndryshimet në Ligjin për Specialen, hap i rëndë prapa në rrugëtimin drejt BE-së

PRISHTINË, 15 tetor /ATSH/ Kryenegociatori i Kosovës për integrim evropian, Jeton Zulfaj, ka takuar sot komisionaren evropiane për Zgjerim, Marta Kos, me të cilën ka diskutuar për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

Përmes një postimi në X, Kos ka thënë se, pavarësisht paqëndrueshmërisë institucionale gjatë dy vjetëve të fundit, Kosova ka shënuar përparim në reformat për sundimin e ligjit dhe në Planin e Rritjes, si dhe në përgatitjet për anëtarësimin në SEPA.

Por, ajo tha se ndryshimet e fundit në ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të papranueshme.

“Sot diskutova me kryenegociatorin Jeton Zulfaj rreth rrugëtimit të Kosovës drejt integrimit në BE. Pavarësisht paqëndrueshmërisë institucionale gjatë dy viteve të fundit, Kosova ka shënuar përparim në reformat që lidhen me sundimin e ligjit dhe Planin e Rritjes. Ajo ka bërë hapa të mirë drejt anëtarësimit në SEPA.

Megjithatë, ndryshimet e fundit në ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të papranueshme. Miratimi dhe zbatimi i tyre do të binin ndesh me zotimet e Kosovës ndaj BE-së. Kjo do të përbënte një hap të rëndë prapa në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së. Respektimi i sundimit të ligjit dhe institucionet e pavarura gjyqësore janë thelbësore për përgatitjen e hapave të mëtejshëm në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së”, shkroi Kos.

/KosovaPress/

The post Marta Kos sërish mesazh Kosovës: Ndryshimet në Ligjin për Specialen, hap i rëndë prapa në rrugëtimin drejt BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

EKONOMI – BE përzgjedh 46 projekte strategjike për lëndët e para kritike

15 October 2026 at 20:03

BRUKSEL, 15 tetor /ATSH/ – Komisioni Evropian ka përzgjedhur 46 projekte të reja strategjike për të forcuar furnizimin me lëndë të para kritike dhe për të reduktuar varësinë nga furnizuesit e huaj, veçanërisht nga Kina, shkruan economiacircolare com.

Lista e re përfshin 16 shtete anëtare të Bashkimit Evropian dhe projekte që lidhen me nxjerrjen, përpunimin dhe riciklimin e materialeve thelbësore për bateritë, energjinë e rinovueshme, industrinë digjitale, mbrojtjen dhe sektorin hapësinor.

Mes vendeve përfituese është edhe Italia, me pesë projekte që synojnë rikuperimin e materialeve nga panelet fotovoltaike në fund të ciklit të përdorimit, prodhimin e grafitit për bateritë, përpunimin e metaleve të grupit të platinit, tungstenit dhe riciklimin e lëndëve të para të përdorura në sektorin e mbrojtjes.

Përzgjedhja është pjesë e zbatimit të Aktit Evropian për Lëndët e Para Kritike (Critical Raw Materials Act), rregullore e hyrë në fuqi në maj 2024, që synon krijimin e zinxhirëve më të qëndrueshëm dhe të diversifikuar të furnizimit.

Objektivi është forcimi i kapaciteteve prodhuese brenda Bashkimit Evropian, pa hequr dorë nga importet, duke e bërë industrinë evropiane më pak të cenueshme ndaj ndërprerjeve të furnizimit dhe tensioneve gjeopolitike.

Objektivat e BE-së për vitin 2030

Rregullorja evropiane për lëndët e para kritike përcakton tri objektiva kryesore për vitin 2030. Bashkimi Evropian duhet të jetë në gjendje të nxjerrë në territorin e vet të paktën 10% të konsumit vjetor të lëndëve të para strategjike, të përpunojë të paktën 40% të tyre dhe të riciklojë të paktën 25%.

Një tjetër objektiv është që jo më shumë se 65% e konsumit vjetor të një lënde të parë strategjike, në një fazë përkatëse të përpunimit, të vijë nga një vend i vetëm jashtë BE-së.

Këto objektiva synojnë të adresojnë një cenueshmëri strukturore të ekonomisë evropiane. Litiumi, nikeli, kobalti, grafiti dhe metalet e rralla janë thelbësore për prodhimin e baterive, motorëve elektrikë, magneteve të përhershme dhe teknologjive energjetike.

Ndërkohë, magnezi dhe tungsteni, së bashku me materiale të tjera, kanë rëndësi të veçantë për industrinë e mbrojtjes dhe atë hapësinore.

Megjithatë, në disa hallka të zinxhirit të vlerës, Evropa mbetet shumë e varur nga furnizuesit e huaj, ndërsa Kina ka një pozicion dominues në procese të shumta të përpunimit dhe prodhimit.

Sfidë për Bashkimin Evropian nuk është vetëm sigurimi i burimeve, por edhe aftësia për t’i shndërruar ato në materiale të përdorshme nga industria.

Qasja te një lëndë e parë e nxjerrë në një vend tjetër nuk është e mjaftueshme nëse mungojnë impiantet e rafinimit, teknologjitë e përpunimit dhe kapacitetet e rikuperimit.

Përmes kësaj strategjie, BE-ja synon të ndërtojë një zinxhir më të plotë industrial, nga nxjerrja e burimeve deri te prodhimi i materialeve dhe produkteve të gatshme për përdorim industrial. /os/

The post EKONOMI – BE përzgjedh 46 projekte strategjike për lëndët e para kritike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Malaj: Shkatërrimi i pronës publike e private e papranueshme, pasojat i paguajnë qytetarët

15 October 2026 at 19:57

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj reagoi sot në lidhje me dëmet e shkaktuara gjatë protestave të dhunshme në kryeqytet.

Teksa ka publikuar një video të bizneseve private të dëmtuara, Malaj thekson se dhuna dhe shkatërrimi i pronës publike e private që po vijojnë, janë të papranueshme.

Sipas Malajt, çdo biznes i djegur, çdo institucion i sulmuar, çdo pronë e dëmtuar mbart punën dhe sakrificën e njerëzve.

“Pasojat i paguajnë familjet, punonjësit dhe qytetarët”, theksoi Malaj.

Ai nënvizoi se protesta është një e drejtë, teksa shtoi se dhuna nuk ka asnjë përligjje.

/m.q/r.e/

The post Malaj: Shkatërrimi i pronës publike e private e papranueshme, pasojat i paguajnë qytetarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UGSH: Dhuna dhe agresionet ndaj gazetarëve gjatë protestave do të ndëshkohen ligjërisht

15 October 2026 at 19:51

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagoi sot në lidhje me dhunën dhe agresionet ndaj gazetarëve gjatë protestave të zhvilluara tri ditët e fundit.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncoi goditjet fizike ndaj gazetares Doriana Bezat, ndërsa raportonte protestën e sotme.

Gjithashtu, goditje e reporterëve në detyrë gjatë ditës së sotme ndodhi edhe në Durrës, ndaj gazetares Vali Qyrfyçi, kryetare e UGSH së qarkut të Durrësit.

UGSH thekson se rastet e sulmeve fizike, agresionet verbale dhe sidomos risqet ndaj integritetit fizik të reporterëve dhe punonjësve të medieve janë rritur në mënyrë alarmuese gjatë dy ditëve të protestave të dhunshme në Tiranë, Durrës dhe në disa tubime e protesta të tjera.

Në dy ditët e mëparshme episode të tjera u raportuan nga shumë medie.

“Rastet e kolegëve Enkelejda Mema, Alice Taylor, Bekim Bici, Anesti Bajramemaj, dhe operatori Heri Simota, Xhoi Malsia, Izmir Akulli të ndodhura në harkun kohor të dy ditëve të fundit, janë të lidhura me sjellje të papërgjegjshme, akte brutale dhe veprime të dhunshme të individëve me uniformën e policisë së shtetit.

Ndërkohë që operatori Elvin Kamberi, Fatime Halmusaj kanë pësuar dëmtime dhe ekipi i Report TV është sulmuar në krye të detyrës nga protestues të dhunshëm”, njoftoi UGSH.

UGSH thekson se në kordinim me të gjitha degët në 12 qarqet po përgatit një raport specifik për rastet dhe situatën e gazetarëve në kushtet e kësaj situate të pazakontë.

Gjithashtu UGSH shpreh solidaritetin e plotë me kolegët dhe apelon për moscenim dhe mospengim të askujt dhe prej askujt që është në detyrën raportuese.

“U bëjmë thirrje të gjithë provokuesve, agresorëve, militantëve kërcënues dhe fytyrave që fshihen nën maska kriminale me qëllim kërcënimin, goditjen, pengimin dhe shantazhimin e gqzetarëve, se do të përballen me procese ligjore dhe ndëshkim të pashmangshëm”, njoftoi UGSH.

UGSH u bën thirrje punonjësve të policisë që në çdo rast dhe kurdo të respektojnë detyrën e gazetarëve dhe medieve dhe të bëhen solidarë kundër çdo agresori ndaj tyre.

/m.q/r.e/

The post UGSH: Dhuna dhe agresionet ndaj gazetarëve gjatë protestave do të ndëshkohen ligjërisht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ministria e Shëndetësisë: 26 të lënduar të trajtuar tek Trauma, dy efektivë dhe dy protestues nën kujdes mjekësor

15 October 2026 at 19:44

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Njëzet e gjashtë persona, efektivë policie, protestues dhe kalimtarë, janë trajtuar gjatë ditës së sotme në Spitalin Universitar të Traumës, pas lëndimeve të marra gjatë protestës në Tiranë.

Sipas përditësimit mbi gjendjen shëndetësore, të publikuar në orën 19:31 nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, aktualisht nën kujdesin mjekësor janë dy efektivë të Policisë së Shtetit dhe dy protestues.

Efektivi me inicialet D.K. është shtruar në shërbimin e Neurokirurgjisë për monitorim të mëtejshëm dhe paraqitet në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërsa efektivi F.R., i ardhur nga Shkodra, i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të një dëmtimi në kokë. Sipas njoftimit, pritet vlerësimi i mëtejshëm i gjendjes së tij.

Nga ana tjetër, dy protestues vijojnë të marrin kujdes mjekësor dhe paraqiten në gjendje të mirë shëndetësore. Njëra prej tyre, një vajzë, ndodhet në observim dhe paraqitet në gjendje stabël.

Ndërkohë, pak minuta para publikimit të përditësimit, në Spitalin e Traumës kanë mbërritur edhe tre kalimtarë, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Sipas njoftimit, aktualisht në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT) nuk ka persona të lënduar të shtruar.

/gj.m/r.e/

The post Ministria e Shëndetësisë: 26 të lënduar të trajtuar tek Trauma, dy efektivë dhe dy protestues nën kujdes mjekësor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shoqërimet gjatë protestave, Avokati i Popullit monitorim në komisariate e spitale

15 October 2026 at 19:24

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Avokati i Popullit reagoi në lidhje me situatën e të shoqëruarve gjatë protestave të sotme.

Avokati i Popullit bëri të ditur se ka dërguar grupe monitorimi në komisariatet e policisë dhe në drejtoritë e policisë në Korçë, Shkodër dhe Tiranë, si dhe në spitalet ku trajtohen personat e lënduar.

“Qëllimi është të verifikohet nëse të shoqëruarve u garantohen të drejtat themelore, dhe të publikohen gjetjet pasi të konfirmohen”, njoftoi AP.

Sipas AP, në Komisariatin e Policisë Korçë ditën e sotme janë shoqëruar 26 persona, nga të cilët 16 të mitur.

“Aktualisht të gjithë personat e shoqëruar janë liruar dhe një pjesë e tyre po procedohen në gjendje të lirë”, njoftoi Avokati i Popullit.

Gjithashtu Avokati i Popullit bëri të ditur se përfaqësuesit e zyrës rajonale kanë monitoruar Drejtorinë e Policisë Shkodër, ku janë kryer veprimet procedurale për katër persona të shoqëruar.

“Ne kemi administruar ankesat e tyre për trajtimin që në momentin e shoqërimit nga policia, si dhe pretendimet për garantimin e të drejtave të garantuara në Kushtetutë”, njoftoi AP.

Gjithashtu sipas AP, një grup pune po monitoron situatën në komisariatet e policisë dhe në spitalet e Tiranës, dhe shumë shpejt do të raportojë mbi gjetjet paraprake.

/m.q/r.e/

The post Shoqërimet gjatë protestave, Avokati i Popullit monitorim në komisariate e spitale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – ‘Ipsos’: Gjysma e të rriturve nuk duan të shkojnë në luftë për vendin e tyre

15 October 2026 at 19:21

LONDËR, 15 tetor /ATSH-AA/ – Një sondazh i ri tregoi sot se gjysma e të rriturve në Mbretërinë e Bashkuar thonë se nuk ka rrethana në të cilat do të shkonin në luftë për Britaninë.

Pavarësisht shqetësimit në rritje për sigurinë në lidhje me Rusinë, Kinën dhe Iranin, shifra për ata që nuk janë të gatshëm të shkojnë në luftë për Mbretërinë e Bashkuar mbeti e pandryshuar që nga prilli 2025.

Sondazhi i kryer nga “Ipsos” midis 1.090 të rriturve britanikë midis 29 shtatorit dhe 1 tetorit, zbuloi se gjysma e të anketuarve ngurronin të luftonin për Britaninë, edhe pse mbështesnin rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen.

Mes atyre që mbështesnin rritjen e shpenzimeve, 37 për qind thanë se ato duhet të paguhen përmes shkurtimeve të shpenzimeve në fusha të tjera ndërsa 36 për qind mbështetën rritjen e taksave që paguajnë personalisht, raportoi “Sky News”, duke cituar shifrat.

Mes atyre që mbështesnin rritjen e shpenzimeve, 37 për qind thanë se ato duhet të financoheshin përmes shkurtimeve të shpenzimeve në fusha të tjera ndërsa 36 për qind mbështetën rritjen e taksave që paguajnë personalisht.

Edhe pse ata që mbështesin rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen ishin të ndarë se si t’i financonin ato, mënyra më e popullarizuar për të mbledhur para për mbrojtjen ishte rritja e tatimit mbi të ardhurat për ata që fitojnë më shumë se 125 mijë paund (165 mijë dollarë) në vit, masë të cilën e mbështetën 46 për qind të anketuarve.  /os/

The post BM – ‘Ipsos’: Gjysma e të rriturve nuk duan të shkojnë në luftë për vendin e tyre appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BE-ja rekomandon miratimin e ilaçit të ri kundër kancerit të avancuar të pankreasit

15 October 2026 at 19:14

AMSTERDAM, 15 tetor /ATSH-DPA/- Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka rekomanduar miratimin e një ilaçi të ri për trajtimin e kancerit të avancuar të pankreasit.

Ilaçi, i quajtur “daraxonrasib”, rekomandohet për të rriturit me kancer të pankreasit, që është përhapur në organe të tjera të trupit dhe që kanë marrë më parë të paktën një trajtim tjetër, njoftoi sot agjencia e Bashkimit Evropian.

Ilaçi është zhvilluar nga kompania farmaceutike amerikane “Revolution Medicines” dhe tregtohet me emrin “Rasonque”.

Ai është miratuar tashmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për disa pacientë me kancer të pankreasit, që është përhapur në pjesë të tjera të trupit.

Studimi tregon rritje të jetëgjatësisë së pacientëve

Në një studim klinik të fazës së tretë, ku morën pjesë 500 pacientë, personat që morën “daraxonrasib” jetuan pothuajse, dy herë më gjatë se ata që u trajtuan me kimioterapi, pasi sëmundja e tyre kishte përparuar pavarësisht trajtimit të mëparshëm.

Sipas Agjencisë Evropiane të Barnave, koha mesatare e mbijetesës ishte 12,4 muaj për pacientët që morën “daraxonrasib”, krahasuar me 6,7 muaj për ata që iu nënshtruan kimioterapisë.

Ilaçi vepron duke synuar ndryshime të caktuara gjenetike që gjenden shpesh te kanceri i pankreasit, me qëllim pengimin e rritjes së tumorit.

Megjithatë, ilaçi nuk konsiderohet një kurë për këtë sëmundje.

Kanceri i pankreasit është ndër format më vdekjeprurëse të kancerit.

Një nga arsyet është se në fazat e hershme simptomat, shpesh mungojnë ose janë të paqarta.

Për këtë arsye, sëmundja zbulohet shpesh vetëm pasi ka përparuar.

Vlerësim i përshpejtuar

Agjencia Evropiane e Barnave e shqyrtoi “daraxonrasib” përmes një procedure të përshpejtuar, e cila përdoret për barna që mund të plotësojnë nevoja urgjente mjekësore.

Kjo procedurë lejon vlerësimin e të dhënave klinike të disponueshme, përpara se të dorëzohet një kërkesë e plotë për autorizimin e tregtimit të ilaçit.

Megjithatë, përpara se ilaçi të mund të shitet në Bashkimin Evropian, duhet të marrë autorizimin përfundimtar të tregtimit nga Komisioni Evropian.//a.i/

The post BE-ja rekomandon miratimin e ilaçit të ri kundër kancerit të avancuar të pankreasit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Asnjë interes politik nuk justifikon dhunën ndaj Policisë së Shtetit

15 October 2026 at 18:53

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu dënoi aktet e dhunës, sulmet, kërcënimet dhe fyerjet ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë protestave, duke theksuar se asnjë qëllim apo interes politik nuk mund të justifikojë dhunën ndaj uniformës së shtetit.

Në një reagim, Koçiu u shpreh se dhjetëra punonjës të policisë janë lënduar, fyer dhe janë përballur me përbuzje ndërsa kanë qenë në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

“Pas çdo uniforme qëndron një qytetar i këtij vendi. Një prind, një bashkëshort, një djalë apo një vajzë, që është larguar nga shtëpia për të garantuar rendin dhe sigurinë e të gjithëve, ndërsa familja e pret të kthehet shëndosh e mirë”, theksoi Koçiu.

Zëvendëskryeministrja theksoi se Policia e Shtetit është institucion i Republikës dhe jo pronë e një qeverie apo partie politike, duke nënvizuar se ajo shërben për sigurinë e të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe ata që protestojnë kundër qeverisë.

Koçiu rikujtoi se e drejta për të protestuar është themelore në një demokraci, por ajo nuk duhet të shndërrohet në dhunë ndaj punonjësve të policisë.

“E drejta për të protestuar është e shenjtë në një demokraci. Por askush nuk ka të drejtë ta kthejë protestën në dhunë dhe policin në shënjestër”, theksoi Koçiu.

Ajo shprehu respekt dhe solidaritet me punonjësit e Policisë së Shtetit, veçanërisht me ata që janë lënduar gjatë ushtrimit të detyrës, ndërsa vlerësoi rolin e tyre në garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

“Në demokraci mund të jemi kundërshtarë politikë, por nuk mund ta trajtojmë njëri-tjetrin si armiq. Respekti për jetën nuk duhet të jetë kurrë çështje politike”, përfundoi Koçiu.

/gj.m/r.e/

The post Koçiu: Asnjë interes politik nuk justifikon dhunën ndaj Policisë së Shtetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tensione dhe përplasje në Bulevard, protestuesit djegin kioska

15 October 2026 at 18:50

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Protestues të maskuar vijojnë trazirat dhe aktet e dhunës në kryeqytet duke shkatërruar hapësirat publike dhe bizneset private.

Pas dëmtimit të bizneseve në rrugën e Elbasanit, të rinj të maskuar dogjën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, një kioskë e cila shpërtheu në flakë të mëdha si dhe shtëllunga tymi që u përhapën në ajër. Gjithashtu ato i vendosën flakën edhe një pishe përgjatë bulevardit.

Përgjatë perimetrit të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, efektivë të policisë përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Policia krijoi gjithashtu një gardh para Kryeministrisë për të mos lejuar afrimin e të rinjve, si dhe përdori ujë për largimin e tyre. Disa protestues reaguan duke hedhur mjete piroteknike në drejtim të policisë.

Gjatë gjithë ditës së sotme, protesta e të rinjve është shoqëruar me akte dhune dhe vandalizëm ndaj bizneseve private dhe institucioneve shtetërore në pika të ndryshme të Tiranës.

Policia ndërhyri sërish për të shpërndarë protestuesit duke hedhur gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Protestuesit u shpërndanë përgjatë parkut “Rinia” dhe u vendosën flakën disa kioskave dhe tabelave të reklamave përreth bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

(Vijon…)

/m.q/r.e/

The post Tensione dhe përplasje në Bulevard, protestuesit djegin kioska appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

OSBE: Gati të ndihmojmë në lehtësimin e dialogut

15 October 2026 at 18:47

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Prezenca e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Shqipëri ka mirëpritur mesazhin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke iu bashkuar thirrjes së tij për qetësi dhe dialog gjithëpërfshirës në situatën e krijuar në vend.

Përmes një reagimi, Prezenca e OSBE-së shprehet e gatshme të ndihmojë në lehtësimin e një dialogu të tillë, nëse kjo kërkohet nga palët.

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret mesazhin e sotëm të Presidentit Begaj.
Ne i bashkohemi thirrjes për qetësi dhe dialog gjithëpërfshirës dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë në lehtësimin e një dialogu të tillë, nëse na kërkohet”, thuhet në reagimin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Reagimi vjen pas mesazhit të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, i cili u bëri thirrje qytetarëve dhe aktorëve të përfshirë në situatën e krijuar pas protestave të fundit që të shmangin dhunën dhe t’i japin përparësi dialogut, duke theksuar se vendi ka nevojë për qetësi, përgjegjshmëri dhe bashkëpunim.

/gj.m/r.e/

The post OSBE: Gati të ndihmojmë në lehtësimin e dialogut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Haxhiu nënshkruan Ligjin për Specialen, i përcillet Presidentes për dekretim

PRISHTINË, 15 tetor /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu e ka nënshkruar ndryshim plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit në Kuvendin e Kosovës.

Kryeparlamentarja e ka përcjellë për dekretim tek Presidentja e Kosovës.

Lajmin për KosovaPress e konfirmoi këshilltari politik i kryeparlamentares, Glauk Tahiri.

“Po, Kryetarja e Kuvendit, znj. Albulena Haxhiu, e ka nënshkruar dhe ia ka përcjellë Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Justina Shiroka-Pula, për shpallje, Ligjin nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.Ligji është miratuar në seancën plenare të Kuvendit më 6 tetor 2026 dhe i është përcjellë Presidentes në mbështetje të nenit 80, paragrafi 2, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigje.

/KosovaPress/

The post Haxhiu nënshkruan Ligjin për Specialen, i përcillet Presidentes për dekretim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Merz kërkon rritjen e financimit për Ukrainën në samitin e BE-së

15 October 2026 at 17:51

BERLIN, 15 tetor /ATSH-DPA/– Evropa duhet të rrisë mbështetjen financiare për Ukrainën, deklaroi të enjten kancelari gjerman Friedrich Merz, gjatë samitit të liderëve të Bashkimit Evropian në Bruksel.

“Gjatë takimeve të ndryshme në grupe të vogla këtë mëngjes, argumentova se duhet të bëjmë gjithçka për ta ndihmuar Ukrainën të përballojë dimrin, si dhe vitin e ardhshëm”, u tha Merz gazetarëve. “Do të duhet të rrisim sërish fondet, në mënyrë që ta ndihmojmë Ukrainën në mënyrë të qëndrueshme”.

Ndërsa buxheti i Ukrainës për këtë vit është financuar plotësisht, ministri ukrainas i Financave, Serhiy Marchenko, deklaroi gjatë një vizite në Bruksel në shtator se vendit i mungojnë 32,6 miliardë dollarë për buxhetin e rregullt të vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, hendeku në financimin e shpenzimeve të mbrojtjes arrin në 45 miliardë dollarë.

Merz kundërshtoi gjithashtu idenë e transferimit të një pjese të aseteve ruse të ngrira në Bashkimin Evropian drejt Shteteve të Bashkuara, me qëllim përdorimin e tyre si mjet presioni në negociatat për paqen.

Asetet, me vlerë rreth 210 miliardë euro, duhet të mbeten në Evropë, theksoi kancelari gjerman.

“Kjo është çështja jonë dhe ne vendosim për të”, deklaroi ai.

Gazeta “Financial Times” raportoi më herët se ideja për transferimin e një pjese të këtyre aseteve ishte diskutuar gjatë një takimi në Majami mes përfaqësuesve të qeverive të SHBA-së, Ukrainës dhe vendeve evropiane.

Në takim morën pjesë edhe Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të marrë pjesë të premten në samitin e BE-së. Ndërkohë, Merz vizitoi Kievin javën e kaluar.

“Po shohim një valë gjithnjë e më të pamëshirshme sulmesh nga Rusia kundër Ukrainës”, tha Merz në Bruksel.

Ai theksoi se mbrojtja e Ukrainës nuk lidhet vetëm me integritetin territorial të vendit, por edhe me rendin politik të Evropës, i cili, sipas tij, po vihet nën presion nga Rusia në të gjitha drejtimet.  /os/

The post BERLIN – Merz kërkon rritjen e financimit për Ukrainën në samitin e BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌