Normal view

Durrës, 76 familje pasiguri me fadromat mbi kokë

By: Atdhe
11 March 2026 at 13:59

Durrës, 76 familje pasiguri me fadromat mbi kokë

Nga: Sebi Alla

Fotografitë: Atdhe Mulla

Në buzën fundore të Amfiteatrit të Durrësit po zhvillohet një dramë e re. Qytetarë në përpjekje për të shpëtuar strehën mbi kokë dhe frikë e vazhdueshme, që pas dekadash si banorë autoktonë të qendrës historike të qytetit, do të përfundojnë me shpërblim që vlen pak, ose të degdisur në banesa sociale në Porto Romano apo Spitallë.
Janë 76 objekte banimi dhe biznese të vogla që pritet të shkatërrohen në fazën e parë të “projektit TID” në Durrës, i reklamuar si nismë për rijetëzim të zonave historike.

“Ne jemi pronarë. Duam nga shteti o të na japë hyrje, ose të na japë lekë dhe ta blejmë vetë shtëpinë, ose nuk dal fare nga shtëpia, të rri brenda e të më zenë përfund.
Mezi e kam bërë shtëpinë, kam 70 vite që jetoj këtu”, thotë 86-vjeçarja Sofie Simaku

“Ne jemi pronarë. Duam nga shteti o të na japë hyrje, ose të na japë lekë dhe ta blejmë vetë shtëpinë, ose nuk dal fare nga shtëpia, të rri brenda e të më zenë përfund. Mezi e kam bërë shtëpinë, kam 70 vite që jetoj këtu”, thotë 86-vjeçarja Sofie Simaku për Faktoje.al. 
Me fizikun e mpakur, por mendjen e kthjellët, në pak minuta Simaku bën historikun shtatë dekadësh të banesës së saj, e cila lidhet ngushtësisht me Amfiteatrin shekullor antik, historia e së cilës ka njohur luftëra, shkatërrime, tërmete të fuqishme, zjarre dhe rindërtime. 
Ngjashëm me të edhe banorët e tjerë ngrenë të njëjtën shqetësim: Mosvlerësimin real me vlerën e tregut të objekteve të tyre. 
 

Kohë për “kushtet e dorëzimit”

Vizita e beftë e kryeministrit Edi Rama në Durrës më 14 shkurt të këtij viti, në takimin e tensionuar me qytetarë që u prishen banesat nga “projekti i zhvillimit TID”, ngjan si paqe e përkohshme për të negociuar “kushtet e dorëzimit”. 

“…Na kanë lënë të qetë këto ditë, ndoshta e shtyjnë pak në kohë. Kemi folur plot, por tani nuk duam të reagojmë, se po e ngacmove atë
(i referohet kryeministrit), të sjell fadroma e polici në mes të natës, po presim. Deri tani po na trajtojnë si skllevër pa të drejta”

“…Na kanë lënë të qetë këto ditë, ndoshta e shtyjnë pak në kohë. Kemi folur plot, por tani nuk duam të reagojmë, se po e ngacmove atë (i referohet kryeministrit), të sjell fadroma e polici në mes të natës, po presim. Deri tani po na trajtojnë si skllevër pa të drejta”, thotë një i ri që ka shumë ç’të humbë; shtëpi tre katëshe dhe një njësi shërbimi. 
Durres-Amfiteatri_021
Durres-Amfiteatri_020
Durres-Amfiteatri_015
Durres-Amfiteatri_006
“Sa i përket problemit të vërtetë, ramë dakord se si do të ecim para qoftë me verifikimin e nevojshëm për disa objekte që mund të kenë vlera të trashëgimisë kulturore. Prishje do të ketë, projekti nuk do të ndalet, por duhet një verifikim për disa shtëpi që mund të kenë vlerë kulturore. Janë edhe disa prona që nuk kanë marrë hipotekë edhe pse janë atje prej kohësh”, tha Rama pas takimit me një përfaqësi të banorëve. 

Vlerësim pa vlerë reale

Banorët që preken nga ky projekt janë thuajse të gjithë të ndërgjegjshëm se nga momenti në moment fadroma të IKMT-së të shoqëruar me policë bashkiakë dhe ata të rendit do u mbërrijnë “pa ftuar”, por ajo që kërkojnë në kushte të tilla është vlerësimi i pronës sipas vlerës reale të tregut. 

“Duam të rishihet projekti, pastaj të vendoset. Ose ta gjejnë një zgjidhje. Të na gjejnë një sistemim pastaj të prishin shtëpinë. Kështu nuk e lejoj. Do e mbroj me gjak, sepse me gjak e kam ngritur. 188 metra katrorë ma kanë vlerësuar 103 milionë lekë. Edhe shtëpinë ku jam lindur e rritur (shënim: ngjitur me banesën e re), nuk ma kanë vlerësuar fare”, thotë Isuf Idrizi.

“Duam të rishihet projekti, pastaj të vendoset. Ose ta gjejnë një zgjidhje. Të na gjejnë një sistemim pastaj të prishin shtëpinë. Kështu nuk e lejoj. Do e mbroj me gjak, sepse me gjak e kam ngritur. 188 metra katrorë ma kanë vlerësuar 103 milionë lekë. Edhe shtëpinë ku jam lindur e rritur (shënim: ngjitur me banesën e re), nuk ma kanë vlerësuar fare”, thotë Isuf Idrizi. 

Çmimet

Qeveria nuk ka miratuar ende çmimet e reja të referencës për bregdetin dhe zonat e tjera të Shqipërisë, jashtë Tiranës, duke lene në fuqi referencat e vjetra, që janë bërë në që në vitin 2018. Ky veprim penalizon edhe pronarët e banesave në fjalë.
“Jemi ende në diskutim sa i përket çmimeve të reja të referencës për zonat jashtë Tiranës, për shkak se pas kontrolleve të fundit nga autoritetet tatimore në zyrat imobiliare janë evidentuar diferenca mes çmimeve të regjistruara pranë ASHK-së dhe atyre që rezultojnë në sistemet e këtyre zyrave imobilare”, argumentoi pak kohë më parë ministri i Financave, Petrit Malaj, mbi arsyet e shtyrjes se referencave të reja jashtë Tirane.

Durrësi

Në të gjithë zonën që është qendra e Durrësit vlerësimi për metër katror i banesave është në shifrat 70-90 mijë lekë të reja, pa u llogaritur truallin. Në atë zonë përqark, vlerat e një metri katror apartamenti varion nga 2500-3000 euro. 
“Duhet të kuptojmë që një banor që humbet banesën e tij dhe merr dëmshpërblim rreth 50 mijë euro, në zonën ku jeton, jo më për të marrë një banesë me truall privat, por vetëm një apartament duhet duhet të ketë të paktën 250-300 mijë euro. Është një disbalancë totale. Ku ai që humbet pronën pikërisht në zonën historike dhe është një banor që ka dekada që jeton aty, automatikisht kthehet në një të huaj për qytetin dhe nuk ka më mundësi të strehohet as në fshatrat periferike me këto lloj vlere që ata marrin pas nga ky proces”. Kështu thotë për Faktoje. al, gazetari dhe aktivisti, drejtues i medias Amfora.al, Geri Emiri. 
 

Fadromë mbi “trashëgiminë kulturore”?

Mbi murin 600-vjeçar, të ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane dhe vijuar me ndërtime të tjera si magazinë nga Austro-Hungarezët dhe Italianët, ndodhet edhe banesa e 72-vjeçarit Isuf Mehmeti.  



“Ky mur është ndërtuar në vitet 1500 nga Osmanët, më pas mbi të ka shtresëzime të tjera ndërtimesh. Është trashëgimi kulturore. Këta vijnë dhe më thonë do të prishet”, thotë Mehmeti.

“Ky mur është ndërtuar në vitet 1500 nga Osmanët, më pas mbi të ka shtresëzime të tjera ndërtimesh. Është trashëgimi kulturore. Këta vijnë dhe më thonë do të prishet”, thotë Mehmeti. 
Banesën e ka pak metra pas Bashkisë së Durrësit, aty ku u gatua edhe “vlerësimi i objektit” të tij, në vlerën e 46 milionë lekëve të vjetra. 
 

Vlera e dëmshpërblimit

Gjashtë metra e ndan nga një pallat në ndërtim çmimi i së cilës varion që në gropë 2500-3000 euro. 
Të paktën dy familje kanë kundërshtuar prej dy vitesh vlerën e dëmshpërblimit dhe me vendim gjykate (në një rast, pasi tjetri vijon shqyrtimin), është përcaktuar se vlera reale e një metri katror ndërtimi në këtë zonë është 2500 euro. 
 
“Na erdhi mandati para shtatë muajsh se shtëpia ka hyrë në projekt. Shteti duhet të na dëgjojë, paguajmë taksat dhe duhet të biem në dakordësi. Kemi kundërshtuar dhe tani e kanë lënë në heshtje. Në diskutimin që bëmë me kryeministrin na tha që do të rishikohen, do të të rikorrigjohen, do të rivlerësohen. Po këto janë vetëm fjalë, në letër nuk kishte gjë. Kryeministri kishte një letër përpara që bënte vetëm piktura, jo të shënonte me pika problemet tona dhe zgjidhjen”, thotë për Faktoje 72-vjeçari Mehmeti. 

Projekti

Projekti TID i financuar nga AADF (Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim) planifikon një investim në vlerën 6.7 milionë dollarë. “AADF synon të krijojë një plan menaxhimi të integruar i cili do të rigjallërojë qendrën historike të Durrësit dhe do të restaurojë objektet e pasurisë kulturore. Objektivi kryesor është krijimi i një modeli të suksesshëm TID i cili do të shfrytëzojë potencialin për turizëm të qytetit të Durrësit”, thuhet në faqen zyrtare të AADF, në lidhje me projektin TID. 
“Banorët duan të kuptojnë vlerën e shtuar, kush është interesi publik, nëse realisht trashëgimia kulturore pasurohet me gërmimin dhe me zbulimin e shtresëzimeve të reja, apo kemi të bëjmë me një projekt që ka si qëllim vetëm prishjen dhe mbyllet aty”, ngre shqetësimin drejtuesi i Amfora.al, Geri Emiri.  

Eksperti

Arkitektja Entela Koja (Spahivogli), në një qëndrim për Faktoje.al ngre shqetësimin mbi përputhshmërinë e projektit TID Durrës me Planin e Përgjithshëm Vendor të Durrësit (PPV 2022), i cili përbën dokumentin bazë dhe detyrues për zhvillimin e territorit. “Ekzistojnë paqartësi lidhur me bazën planifikuese mbi të cilën është hartuar PDV-ja për projektin TID dhe me mënyrën se si ajo lidhet me strukturën urbane të parashikuar në planin rregullues të qytetit”, thotë arkitektja. Një tjetër çështje, sipas saj, lidhet me ndryshimin e qasjes së ndërhyrjes urbane në zonën historike.
Durres-Amfiteatri_028
Durres-Amfiteatri_027
Durres-Amfiteatri_030

Ata që shumëkush i njeh si familje autoktone durrsake përqark Amfiteatrit dhe lagjes
“Kala” mbesin ende në ankth, duke shpresuar shtyrjen në kohë të ditës së mbërritjes së fadromave, por edhe një dëmshpërblim të drejtë me vlerën reale të tregut.

“Në vend të një strategjie të integruar restaurimi dhe valorizimi të trashëgimisë urbane, projekti paraqet ndërhyrje që synojnë rikonfigurimin e hapësirave urbane dhe krijimin e hapësirave të reja publike. Kjo ka ngritur pyetjen nëse qëllimi fillestar i mbrojtjes dhe interpretimit të vlerave historike të zonës po devijon drejt transformimeve urbane që mund të ndryshojnë karakterin historik të lagjes”, tha Koja 
Ata që shumëkush i njeh si familje autoktone durrsake përqark Amfiteatrit dhe lagjes “Kala” mbesin ende në ankth, duke shpresuar shtyrjen në kohë të ditës së mbërritjes së fadromave, por edhe një dëmshpërblim të drejtë me vlerën reale të tregut. 
 

The post Durrës, 76 familje pasiguri me fadromat mbi kokë appeared first on Faktoje.al.

Nisma, PS frenon gjykatat të pezullojnë zyrtarët e lartë (lista)

16 February 2026 at 15:14

Grupi parlamentar i PS-së dorëzoi të hënën në Kuvend një projektligj që synon të ndalojë gjykatat të pezullojnë nga detyra funksionarë të lartë të shtetit.

Në listën e përjashtimeve përfshihen: Kryeministri, Zëvendëskryeministri, ministrat, Presidenti i Republikës, Avokati i Popullit, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Konkretisht, PS synon të prekë nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, që aktualisht nuk lejon pezullimin nga detyra vetëm të deputetit apo kryebashkiakut.

Sa më sipër, nisma ligjore e PS zgjeron listën e subjekteve në këtë drejtim.

Sipas relacionit, projektligji respekton Kushtetutën, balancën e pushteteve dhe parimin e proporcionalitetit.

PS argumenton se, ndryshimi nuk heq përgjegjësinë penale dhe as nuk pengon hetimin apo gjykimin.

Rama

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, kryeministri Edi Rama tha se nisma erdhi si pasojë e një “boshllëku mendor” referuar vendimit pa vendim të gjykatës Kushtetuese për rastin “Balluku”.   

Mosvendimi, sipas Ramës, krijon pasiguri. Sipas tij, funksionet e përfshira në projektligj mbeten të cenueshme ndaj pezullimit dhe se kufiri mes pushteteve (ekzekutivit dhe gjyqësorit bëhet i paqartë).

Rama tha gjithashtu se nisma ligjore nuk lidhet me pezullimin e Ballukut.

“Rasti konkret ka rrugën e vet, nuk ka fare lidhje me pezullimin, por pezullimi është i papranueshëm dhe për këtë arsye siç e kam shpjeguar në takimin e mëparshëm, ne do merremi me pezullimin, për ta refuzuar me vullnetin e shumicës në Kuvend, ndërhyrjen në territorin kushtetues të pushtetit ekzekutiv. Askush nuk duhet të mendojë se ka në dorë dhe gurin dhe arrën për ta goditur këtë shumicë qeverisëse”, tha ai

Kryeministri njoftoi gjithashtu se kishte refuzuar tre herë dorëheqjet (sa duket të revokueshme)  nga ana e Ballukut me argumentin se dorëheqja nën presionin e gjyqësorit cenon pavarësinë e pushtetit ekzekutiv.

“Unë nuk e pranoj dorëheqjen deri kur të plotësohen kushtet dhe se kur plotësohen kushtet, nuk e përcakton dot as prokurori, as gjykatësi i seancës paraprake, as media dhe as gjyqi popullor”, tha ai.

Rama kritikoi praktikën e arrestimeve “të panevojshme” sipas tij ndërsa nënvizoi se punonjësit e administratës nuk duhet të përdoren si “mish për top” nga prokurorët për karrierë.

Ai sqaroi gjithashtu se Parlamenti do të shprehet fillimisht për imunitetin e Ballukut dhe më pas për nismën ligjore.

Berisha

Në të njëjtën ditë, kryetari i PD-së, Sali Berisha tha se nisma ligjore e propozuar nga PS do të shërbejë si “mburojë për korrupsionin e pushtetit ekzekutiv”.

Sipas tij, “projektligji është goditje ndaj shtetit ligjor dhe aspiratave europiane të Shqipërisë”.

Përmes këtij amendamenti, Berisha tha se, Rama dhe ministrat e tij synojnë të jenë mbi ligjin, duke u mbrojtur nga hetimi.

Anulimi i funksionit të pezullimit, sipas Berishës, i heq prokurorisë një mjet ligjor të rëndësishëm, duke e lënë imunitetin në dorën e kryeministrit.

Nisma ligjore e PS

Ishte:

Neni 242 (Kodi i Procedures Penale)

Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik

1.  Me  vendimin  që  disponon  pezullimin  e  ushtrimit  të  një  detyre  a  shërbimi  publik,  gjykata  i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to.

2. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral.

Bëhet:

2. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral “, shtohen fjalët:

“Presidentit të Republikës, Avokatit të Popullit, Kryeministrit, zëvendëskryeministrit dhe ministrave, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit”

The post Nisma, PS frenon gjykatat të pezullojnë zyrtarët e lartë (lista) appeared first on Faktoje.al.

“Ose ne, ose mbetjet, rrugë tjetër s’ka”

6 February 2026 at 17:05

Nga: Sebi Alla

Fotografitë: Atdhe Mulla

Usta Agroni vendos disa betoforma në makinë. Ndërton dhe ushqehet, por e ardhmja e 42-vjeçarit dhe e familjes është vënë në rrezik dhe panik. 

2800 ton mbetje, të vërtetuara toksike dhe rrezikshme, ndodhen jo më shumë se 250 metra larg banesës.

 “Jam emigrant prej 25 viteve ka dy vite që kam ardhur, gjithë mundin e hodha këtu. Kam dy fëmijë dhe dua t’i rris, po ku t’i rris?! Jam që 14 vjeç emigrant dhe tani që erdha mendoj të iki përsëri. Mbetjet i kemi afër” thotë Agron Oka, një nga rreth 300 banorë të Lagjes “Rinia” në Porto Romano.

“Jam emigrant prej 25 viteve ka dy vite që kam ardhur, gjithë mundin e hodha këtu. Kam dy fëmijë dhe dua t’i rris, po ku t’i rris?! Jam që 14 vjeç emigrant dhe tani që erdha mendoj të iki përsëri. Mbetjet i kemi afër”

Prej shtatorit 2024 në fushën e hapur (të rrethuar dhe me ruajtje nga policia), u vendosën 102 kontejnerë, të nisura nga metarlugjiku i Elbasanit me destinacion Tailandën, por u kthyen pas me dyshimin se ishin mbetje toksike dhe jo “oksid hekuri” dhe “oksid zinku” sikurse tregonin dokumentacionet. 

Hetimet

Prokuroria e Durrësit nisi hetimet në shtator të vitit 2024, por procesi u zgjat në kohë pasi asnjë laborator shtetëror dhe privat në vendin tonë nuk mori përsipër kryerjen e analizave të mbetjeve të dyshuara toksike. 

Në fund u vendos dërgimi i disa kampionëve të ndodhura në kontejnerë në një laborator në Itali. Përgjigjia vërtetoi dyshimin. 

“Nga akti i ekspertimit rezultoi se, materiali i analizuar, është pluhur i grumbulluar nga sistemet e filtrimit të gazrave të furrës elektrike të çelikut (Electric Arc Furnace – EAF), proces i cili përfshihet qartësisht në fushëveprimin e nënkapitullit 10 02 të EËC”, thotë prokuroria e Durrësit. 

Institucioni i akuzës arrin në përfundimin se: “Në mostrat e marra nga kontenierët e sekuestruar, shoqëria Kurum International sh.a. dhe Alliance Resource, konstatohet prania e elementëve (dhe përbërjeve të tyre) që përbëjnë rrezik për shëndetin e njeriut dhe mjedisin, që lidhen me rrezikun e toksicitetit për riprodhimin dhe ekotoksicitet, veçanërisht ndaj ekosistemeve ujore”. 

Në vijim të hetimeve organi i akuzës lëshoi 33 urdhër arresti për përfaqësues të kompanisë “Kurum”, të kompanisë “Sokolaj sh.p.k” që mori përsipër transportin e mbetjeve dhe të tre institucioneve shtetërore, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Doganës Durrës dhe Autoritetit Portual.  

Reagimet

“O të na heqin ne, ose të heqin mbetjet. Me pas shtet nuk do i kishte lënë kush këtu. Flitet që janë kanceroze. Çfarë do të bëhet me ta nuk e di. Ka fëmi që luajnë pranë zonës, kullosin edhe bagëti pranë.

“O të na heqin ne, ose të heqin mbetjet

O të na mbajnë ne këtu, ose mbetjet, rrugë tjetër nuk ka”, thotë i vendosur Esat Braha, 71-vjeçari që jeton vetëm me bashkëshorten, ndërsa dy djemtë gjenden në emigracion. 

“Kjo është e vërteta, çdo më bëjnë mua”, thotë ai pa pasur frikë. 

Shumë frikë, pak zë!

Në fillim reaguan kur mbetjet e dyshuara toksike u vendosën aty, ndërsa pas vërtetimit se ishin toksike, paniku është i madh bashkë me frikën për të folur, e aq më shumë protestuar. 

Droja se të punësuarit do e pësojnë dhe të tjerëve do ua gjejnë “anën e shantazhit” është e pranishme në çdo prag shtëpie. “Boll të rrezikshme janë, edhe lopa më shku afër cof (ngordh), por frikë nuk kam, zë nuk bëj, as unë as katër djemtë me familje”, thotë një grua e moshuar që në pak kohë të tregon gjithë peripecitë e jetës në Kukës dhe ardhjen në ish-kënetë. “Këto t’i them pa kamera, nuk duan fëmijët të dalim”, tregon ajo. 

E gjitha zona është rrezik, por më problem janë një grup banesash që prej më shumë se një viti zgjohen dhe flejnë me mbetjet e Metarlugjikut në Elbasan. 

“Tmerr i madh është, por më kupto se nuk mund të flas”, thotë një i ri që nga automjeti, duke bërë shenja nga vajza që e ka në klasën e dytë. “Jam në punë shteti, më prishin punë po të dal, fëmija vëlla, buka e fëmijëve”, vijon ai, duke kërkuar ndjesë që refuzoi të dilte publikisht.

The post “Ose ne, ose mbetjet, rrugë tjetër s’ka” appeared first on Faktoje.al.

Fajin e ka “uji”

6 January 2026 at 16:31

Erjola Azizolli

Vetëm disa orë nën pushtetin e rreshjeve intensive të shiut dhe, Durresi ështe gjendur i përmbytur dhe në emergjencë. Mësimi në shkolla e çerdhe është pezulluar. Veliera e Durrësit dhe nënkalimi përkatës janë përmbytur, ura e fshatit Borç rrezikon shembjen, ndërsa disa familje janë evakuuar. Qindra automjete dhe qytetarë janë bllokuar me orë të tëra në autostradën  Durrës-Tiranë e cila u pushtua nga uji. Alternativa për lëvizje të automjeteve në autostradë mbeti rruga e vjetër, Plepa-Ndroq. Në disa zona të Shkodrës dhe Lezhës, uji ka shkuar deri në 40 cm  Ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu mblodhi Shtabin e Emergjencave Civile për të monitoruar situatën dhe në orët në vijim priten ndërhyrje sidomos në arginatura ku rrezikohet dalja nga shtrati i lumenjve.

Nusha Pulaj, banore e ish-Kënetës në Durrës, rrëfen për Faktoje.al se banesa e saj është përfshirë nga përmbytja:

“Uji hyri brenda dhe gjithçka u përmbyt.”

Por Nusha nuk është e vetme. Janë me dhjetra familje  në zonën e  Ish-Kënetës, Spitallë dhe Nishtullë,  të mbushura me ujë.  

“Kjo rrugë përmbytet gjithmonë kështu. Uji arriti mbi një metër këtu, nuk ka ardhur askush për të na parë. Ngjitemi deri në katin e dytë, në dorë të Zotit… e gjithë shtëpia është përmbytur,” tha një banor i lagjes 17 në Durrës, duke treguar situatën dramatike që po përjetojnë pas reshjeve të dendura.

Nga përmbytjet nuk kanë shpëtuar as zonat pranë portit, ku Veliera e Durrësit dhe nënkalimi përkatës janë përmbytur. Policia Bashkiake ka vendosur shirita sigurie për të ndaluar qarkullimin e mjeteve.

Rrugët e qytetit janë kthyer në pengesa të vërteta për qarkullim. Akseset e bllokuara përfshijnë “Mujo Ulqinaku”, “Hysen Myshketa”, “Marta Buda”, “Jahja Ballhysa”, “Kristo Sotiri”, “Glaukia”, “Vaso Pasha”, “Jeta Re”, “Vllazërimi”, “Jezerca”, “Azem Hajdari”, “Mbreti Pirro” dhe “Enkelejve”, duke prekur veçanërisht lagjet 12, 13, 14, 17 dhe 18.

Bllokime të tjera janë regjistruar nga zona e Mauzoleumit të Dëshmorëve deri në Durrësin e Ri. 

Situata nuk është vetëm në rrugë: rrëshqitje dheu janë regjistruar në Kodrën e Currilave, duke rrezikuar automjetet, ndërsa ura e fshatit Borç në njësinë administrative Manzë rrezikon shembjen për shkak të prurjeve të mëdha të ujit. 

The post Fajin e ka “uji” appeared first on Faktoje.al.

Asnjë bazë për profecinë me alienë nga parashikuesja bullgare

15 December 2025 at 15:59

Pretendimi: Baba Vanga ka parashikuar një profeci aliene që mund të ndryshojë botën në vitin 2026

Verdikti: E paprovuar

————————————————————–

Teksa afrohet fundi i vitit dhe fillimi i një tjetri portalet shqiptare kanë nisurriciklojnë titujt alarmantë për profecitë e ndryshme mbi vitin që na pret, përfshi ato që pretendohet se vijnë nga ‘parashikuesja’ bullgare Baba Vanga.

Megjithatë, lexuesit nuk duhet të alarmohen.

Baba Vanga, një grua e verbër dhe gjysëm analfabete nga Bullgaria, vdiq në 1996 pa i shkruar parashikimet e saj. Kjo ia lehtëson punën atyre që duan t’i atribuojnë asaj lloj-lloj parashikimesh. Duke qenë se nuk ka prova me shkrim për parashikimet e saj, zonja Vanga mund të detyrohet të thotë çfarë të dojë çdokush.

Gazeta bullgare 24 Chasa botoi në 2010 një artikull që përgënjeshtron një sërë parashikimesh që i atribuohen gabimisht Baba Vangës. Të afërm dhe miq të saj thanë për gazetën se Vanga njihej si parashikuese në komunitetin e saj për këshillat që ajo i jepte atyre që e vizitonin, por ajo nuk kishte parashikuar ndonjëherë katastrofa dhe luftëra botërore. 

Sipas miqve të saj, ajo fliste rrallë për politikën dhe nuk mendonte për fundin e botës. “Ajo ishte optimiste, i shihte gjërat e këqija, por gjithmonë jepte këshilla se si të jetoje më mirë.”

Sipas rrethit të afërt të Baba Vangës, parashikimet e saj sensacionaliste si ato për luftëra apo fatkeqësi natyrore janë shpikur ose ekzagjeruar pas vdekjes së saj. “Tani është e lehtë, Vanga nuk është më, kështuqë nuk mbrohet dot. Ata i venë lloj-lloj budallëqesh në gojë,” tha mikja e saj Boyka Kostadinova.

Sipas një raportimi nga Colitco, akademikja dhe ekspertja e Baba Vangas, Viktoria Vitanova-Kerber tha: “Ajo nuk ishte dikush që mbante ditarë ose regjistronte profecitë e saj. … Nuk ka pothuajse asnjë të dhënë të shkruar për atë që ajo tha në të vërtetë, duke e bërë të pamundur verifikimin e këtyre pretendimeve.”

Colitco vijon:

“Pra, nëse nuk ka të dhëna zyrtare, nga kanë ardhur këto parashikime? Vitanova-Kerber beson se shumë nga këto pretendime rrjedhin nga njerëzit që e vizituan Baba Vangën kur ajo ishte gjallë.

Vite më vonë, këta individë kujtojnë detaje të reja, duke thënë: “Oh, ajo më tha këtë dhe atë”, shpjegoi ajo. Për shembull, nëse Baba përmendi “një sëmundje të madhe” gjatë një leximi, njerëzit tani mund të supozojnë se ajo po parashikonte COVID-19. 

Mbesa e Baba, e cila jetoi me mistiken, është një tjetër burim i këtyre parashikimeve. Sipas Vitanova-Kerber, mbesa pretendon se ka shkruar disa nga profecitë e Babës, por ende nuk ka dhënë ndonjë provë. Në një intervistë të vitit 2021, ajo madje sugjeroi që Baba e kishte parashikuar COVID-19 që në vitin 1988, por deklaroi se po pret “momentin e duhur” për të nxjerrë provat.”

Këto prova të pretenduara ende nuk janë bërë publike.

Vlen të përmendet, për lexuesit që mund të jenë ende nervozë, se parashikimet që i janë atribuuar Baba Vangës për vitin 2025 përfshijnë nisjen e Luftës së Tretë Botërore dhe zbritjen e alienëve në Tokë. Deri në botimin e këtij shkrimi, fatmirësisht, asnjë prej tyre nuk është përmbushur.

The post Asnjë bazë për profecinë me alienë nga parashikuesja bullgare appeared first on Faktoje.al.

I pabazë fajësimi i vaksinës anti-Covid për vdekjen e Shpat Kasapit

3 December 2025 at 15:07

Pretendimi: Këngëtari shqiptar nga Maqedonia e Veriut Shpat Kasapi vdiq si pasojë e vaksinës anti-Covid

Verdikti: E paprovuar

————————————————————-

Grupet anti-vaksinë vijojnë të shfrytëzojnë vdekjen e kujtdo për të pretenduar se shkaku është e ashtuquajtura ‘vraksina’ anti-Covid. Viktima më e fundit e kësaj teorie është këngëtari shqiptar Shpat Kasapi, i cili ndërroi jetë papritur më 26 nëntor 2025.

Postimi i mësipërm shoqërohet me një video ku shihet Kasapi teksa pohon se ka marrë dy doza vaksine. Megjithatë, postimi nuk sqaron se cilat vaksina, dhe nuk provon asnjë lidhje mes vaksinave dhe vdekjes.

Sipas burimeve mediatike, Shpat Kasapi u nda nga jeta për shkak të një arresti kardiak.

Sipas Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, rreziku nga miokarditi dhe perikarditi pas marrjes së vaksinës anti-Covid ekziston kryesisht tek meshkujt adoleshentë dhe të rinj. Kur vdiq, Kasapi ishte 40 vjeç.

Për më tepër, rastet e miokarditit/perikarditit që janë raportuar pas vaksinimit zakonisht kanë ndodhur brenda një jave nga vaksinimi. Ataku kardiak i pësuar nga Kasapi në 2025 nuk ka gjasa të ketë ndodhur një javë pas vaksinimit.

Nuk ka prova se Shpat Kasapi vdiq si pasojë e efekteve anësore të vaksinës anti-Covid. 

Konspiracionistët anti-vaksinë kanë lidhur vdekjet e një numri personash me vaksinën anti-Covid edhe më parë. Faktoje ka përgënjeshtruar disa nga këto pretendime.

The post I pabazë fajësimi i vaksinës anti-Covid për vdekjen e Shpat Kasapit appeared first on Faktoje.al.

Barbullojë, aty ku përmbytja nxori zbuluar varfërinë

By: Atdhe
27 November 2025 at 16:17

Barbullojë, aty ku përmbytja nxori zbuluar varfërinë

Reportazh në fshatin Barbullojë të Lezhës. Qindra hektarë tokë të përmbytur dhe dhjetëra banesa të dëmtuara rëndë. Mall e pasuri që u përpi në pak orë.
Nga Sebi Alla/ foto Atdhe Mulla
Tërësisht e dorëzuar para vërshimit të ujit që i ka përmbytur atë pak pasuri, Marjana qëndron në portën e shtëpisë, aty ku “shteti” i la në prag tre litra vaj; një oriz; një makaronë dhe një sheqer. Kaq është ndihma për këtë familje dhe disa të tjera në fshatin Barbullojë të Bashkisë Lezhë, në zonën ku përmbytja ka shkaktuar dëme të mëdha, veçanërisht në dru frutorë, vreshtari dhe bimësi.

“Kemi gjashtë ditë nën ujë. Na është bërë dëm i madh në shtëpi me divane e pajisje të tjera të lagura dhe dalë jashtë përdorimit”.

“Kemi gjashtë ditë nën ujë. Na është bërë dëm i madh në shtëpi me divane e pajisje të tjera të lagura dhe dalë jashtë përdorimit”, thotë Marjana Gegaj, ndërsa me vështirësi mbllaçitet në ujin që i ka shkuar deri në gju.
Me sytë tek një kasolle pranë oborrit të shtëpisë, 63-vjeçarja vërtitet përqark duke u kujdesur për dy derra dhe 20 pula (pasurinë më të madhe që ka).

“Të paktën shpëtova gjënë e gjallë, por kemi vështirësi me ushqimin e tyre pasi uji na i dëmtoi”.

“Të paktën shpëtova gjënë e gjallë, por kemi vështirësi me ushqimin e tyre pasi uji na i dëmtoi”, thotë Marjana, ndërsa numëron hallet që ka, duke jetuar e vetme me tre vëllezër në moshë, dy prej të cilëve edhe me sëmundje të shëndetit mendor dhe të paralizuar.

Të gjithë me një hall

Në Barbulloja banorët mbesin me sytë nga qielli, ndërsa herë pas here lundrojnë në internet për t’u njohur me parashikimin e motit. Edhe Prenga jeton në ankthin e dëmit të shkaktuar dhe pasigurinë që e keqja mund të vijë sërish, ndoshta edhe më shumë.
Mundi dhe djersa e shumë viteve iu rrënua nga përmbytja në pak orë. “Kam 600 rrënjë hardhi, 250 rrënjë ullinj dhe dy dynym jonxhë që më është dëmtuar shumë”, thotë Prenga, ndërsa pranon se dëme në banesë për fat nuk kishte. “Kjo ishte përmbytje nga shteti, jo nga natyra”, thotë ai, ndërsa shton se prej katër vitesh kanalet kulluese nuk janë pastruar nga struktura të pushtetit vendor, por vetë fshatarët janë munduar ta mirëmbajnë duke hequr ledh dhe mbetje të tjera aq sa munden.

“I bëj thirrje shtetit që sadopak të na dëmshpërblejë për dëmet që kemi pësuar”.

“I bëj thirrje shtetit që sadopak të na dëmshpërblejë për dëmet që kemi pësuar”, sugjeron Prenga, ndërsa shpjegon më tej se kjo thirrje u ka mbetur.
Por besim se llogaritë e dëmeve për secilën familje do jenë të drejta dhe se do ketë dëmshpërblim nuk ka.
Për të një “fuqi” më të madhe mund të ndikojë… “I bëj thirrje ndërkombëtarëve që të hedhin një herë sytë nga Edi Rama dhe Belinda Balluku që e kanë lënë Shqipërinë në këtë gjendje”-thotë Preng Shtoni.

Përmbytje nga hiçi

Në ditën e pestë të përmbytjeve në këtë fshat të gjithë të japin një shpjegim të çuditshëm mbi arsyet e përmbytjeve. Ata thonë se peshkatarët e Vainit bllokuan disa muaj më parë me inerte një pjesë të lagunës për peshkim dhe Drini me prurjet e vrullshme të ditëve të fundit përmbyti Barbullojën dhe disa fshatra të tjerë.
Dëme të mëdha ka edhe Gjelina Gjoka, një grua me shumë halle shëndetësore të saj dhe bashkëshortit. Vetë ka bërë një ndërhyrje kirurgjikale në gji, ndërsa bashkëshorti prej gjashtë vitesh jeton me pasojat e një trompoze në tru.

“Nuk kemi ku shkojmë. Shohim me dhimbje vetëm pasojat që na la përmbytja me divane e atë pak orendi që kishim. Sa për tokën lakra, presh e çdo bimë tjetër është dëmtuar plotësisht”.

“Nuk kemi ku shkojmë. Shohim me dhimbje vetëm pasojat që na la përmbytja me divane e atë pak orendi që kishim. Sa për tokën lakra, presh e çdo bimë tjetër është dëmtuar plotësisht”, thotë ajo. Banesa, një shtëpi njëkatëshe në ndërtim e sipër ngjan si rrënojë kur lagështia ka kapur muret dhe uji ka nisur të krijojë habitatin e tij duke rrethuar gjithçka.

“Vetëm me burrin jetojmë këtu se s’kemi ku shkojmë tjetër. Me shumë mund, por edhe atë mund na e mori lumi".

“Vetëm me burrin jetojmë këtu se s’kemi ku shkojmë tjetër. Me shumë mund, por edhe atë mund na e mori lumi”, rrëfen Gjelina që edhe ajo si fqinja Marjanë “hairin” shtetit deri më tani ia ka parë me një pako të vogël ushqimore.

U kujtuan për Hidrovorin

Në lënie të Barbullojës, në pjesën jugore të saj situata është vërtetë alarmante, ndërsa një pjesë tjetër e fshatit nuk ka pësuar ende përmbytje, por frika është e madhe. Vënia në funksion të plotë e Hidrovorit të Vainit është thelbësor në situatën e përmbytjeve në zonat rurale të Lezhës.
 Prania e një ekskavatori të madh është tregues se po punohet me intensitet për të mos kaluar në fatkeqësi edhe më të mëdha dhe përmbytje që do sillnin pasoja të konsiderueshme. Në Hidrovor po punohet për thellimin e basenit dhe vënien në funksion të plotë të të gjitha pompave.
Niveli i ujit është gati në limite për të dalë nga shtrati dhe depërtuar në toka dhe banesa edhe në fshatin Rrilë.
Permbytjet Lezhe-Edited_002_watermarked
Permbytjet Lezhe-Edited_003_watermarked
Permbytjet Lezhe-Edited_020_watermarked
Permbytjet Lezhe-Edited_005_watermarked
Permbytjet Lezhe-Edited_019_watermarked
Prej disa vitesh Lezha kishte dalë nga harta e përmbytjeve, duke vendosur në “gjumë” edhe strukturat vendore që sikurse na thanë banorët prej katër vitesh nuk kishin ndërhyrë në pastrimin e kanaleve kryesore kulluese dhe vendosjen e disa argjinaturave qoftë edhe me mbetje të ngurta përgjatë rrjedhës së Drinit dhe veçanërisht në kilometrat e fundit të grykëderdhjes së tij, aty ku rreziku i daljes nga shtrati duke shkaktuar përmbytje është i madh.

Fonde me pikatore

Përmbytjet e fundit në Lezhë nuk janë surprizë natyrore. Të dhënat zyrtare tregojnë se investimet për parandalimin e fatkeqësive në këtë bashki janë minimale. Transfertat e pakushtëzuara për Bashkinë Lezhë rriten nga 2025 në 2026 me rreth 83 milionë lekë, por shpërndarja është e pabarabartë.
Ujitja dhe kullimi, zëri më kritik për një bashki të ekspozuar ndaj përmbytjeve, trajtohet si dytësor. Vetëm 2.7 milionë lekë shtesë. Një rritje modeste përballë nevojave reale për kanalet e bllokuara, argjinaturat që kërkojnë mirëmbajtje dhe sistemet e shpërndarjes së ujit që dorëzohen sa herë nis sezoni i reshjeve.
Përmbytjet e fundit në Lezhë nuk janë surprizë natyrore. Të dhënat zyrtare tregojnë se investimet për parandalimin e fatkeqësive në këtë bashki janë minimale. Transfertat e pakushtëzuara për Bashkinë Lezhë rriten nga 2025 në 2026 me rreth 83 milionë lekë, por shpërndarja është e pabarabartë.
Ujitja dhe kullimi, zëri më kritik për një bashki të ekspozuar ndaj përmbytjeve, trajtohet si dytësor. Vetëm 2.7 milionë lekë shtesë. Një rritje modeste përballë nevojave reale për kanalet e bllokuara, argjinaturat që kërkojnë mirëmbajtje dhe sistemet e shpërndarjes së ujit që dorëzohen sa herë nis sezoni i reshjeve.

“Do Zoti qetësohet gjendja se po të jetë për shtetin kemi mbaruar”.

Rrugët, pyjet, administrimi i territorit, të gjitha funksione që lidhen drejtpërdrejt me parandalimin e fenomeneve natyrore, mbeten thuajse të ngrira. Ndërkohë, rritja më e madhe shkon te pagat, me afro 25 milionë më shumë se një vit më parë.
Përmbytjet e Barbullojës dhe fshatrave të tjera tregojnë se investimet nuk mund të presin, sepse natyra nuk fal vonesa. “Do Zoti qetësohet gjendja se po të jetë për shtetin kemi mbaruar”, thotë me bindje Frrok Gjoka, duke qarë hallin për shkatërrimin e orendive dhe mbytjen e disa shpendëve.

The post Barbullojë, aty ku përmbytja nxori zbuluar varfërinë appeared first on Faktoje.al.

“Imoralitet politik”, socialistët që e shkarkuan kërkojnë Veliajn në mbledhje rutinë

19 November 2025 at 15:00

Sebi Alla – Më 23 shtator, të gjithë në rresht, pas një vendimi politik të marrë nga kryeministri Edi Rama, të majtët (bashkë me të djathtët) e zgjedhur në Këshillin Bashkiak të Tiranës vendosën të shkarkojnë kryetarin Erion Veliaj, me argumentin se “ka munguar në punë më shumë se tre muaj”.

Por dy muaj pas këtij vendimi, të njëjtët këshilltarë, në këtë rast socialistët, kërkojnë që Veliaj të jetë i pranishëm në mbledhjen rutinë të përmuajshme në Këshillin Bashkiak.

Kerkesa e kehsilltareve socialiste te Tiranes

Duke iu referuar neneve 58 pika 4 dhe nenit 60 të “Ligjit për Vetëqeverisjen Vendore”, këshilltarët socialistë i kërkojnë Prokurorisë Speciale dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të lejojnë Veliajn të marrë pjesë në mbledhje fizikisht, ose nëpërmjet videokonferencës.

Një qëndrim më shumë se juridik shihet si politik. Politologu Ilir Kalemaj, në një reagim për Faktoje.al thotë se jemi para një anormaliteti institucional dhe imoraliteti politik.

 “Kërkesa e këshilltarëve socialistë për prezencën e Veliajt në një mbledhje rutinë vetëm 2 muaj pas shkarkimit të inicuar prej tyre me votim të hapur dhe unanim, madje pa i dhënë as të drejtën e fjalës siç u kërkua nga disa këshilltarë të opozitës, tregon qartazi dyfytyrësi dhe hipokrizi politike”, tha Kalemaj.

Kërkesa

Nisma për të kërkuar praninë fizike, ose nëpërmjet videokonferencës nga ambientet e burgut vjen pak javë pasi Gjykata Kushtetuese zbardhi vendimin ku e konsideroi anti-kushtetues si shkarkimin e Veliajt nga Këshilli i Ministrave, ashtu edhe të dekretit të presidentit për shpalljen e datës së zgjedhjeve, në një kohë kur Veliaj kishte ankimuar dekretin. Specifikisht për rolin e Këshillit Bashkiak në rastin Veliaj, Gjykata Kushtetuese gjen shkelje.

“Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se procedura e ndjekur në rastin konkret nga Këshilli Bashkiak dhe më tej nga Këshilli i Ministrave, duke mos e njoftuar kërkuesin, nuk ka garantuar të drejtën e tij për proces të rregullt në aspektet e së drejtës për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur”, thuhet në vendim.

Por çfarë ndryshoi që të njëjtët këshilltarë që votuan pro shkarkimit, pa e dëgjuar, tashmë kërkojnë që Veliaj të bëjë mbledhje rutinë në Bashkinë Tiranë? “…kjo tregon diletantizëm institucional, sjellje politike amatoreske dhe tregon sesi konjukturat dhe interesat meskine janë më të rëndësishme se çdo lloj bindje politike, apo qendrimi parimor”, thotë Kalemaj.

Veliaj u injorua në shtator

Ditën kur vendosej fati i qëndrimit ose jo në detyrë i Veliajt, ky i fundit  nuk u thirr të ishte i pranishëm. Mes tij dhe Këshillit Bashkiak pati disa korrespondenca. Veliaj kërkonte të ishte i pranishëm dhe të dëgjohej në këshill para se të votohej.

Megjithatë Këshilli Bashkiak në një shkresë të fundit i kërkoi që në pamundësi për të qenë i pranishëm t’i dërgonte kundërshtitë e tij me shkrim, madje në një prej korrespondencave i thuhej se: “nuk do ta pengonin për të qenë në mbledhje”, por nga ana tjetër nuk i dërguan SPAK, apo Drejtorisë së Burgjeve kërkesë për të miratuar lejimin e Veliajt për të qenë i pranishëm në mbledhje.

Gjithçka ndodhi mjaft shpejt. Më 23 shtator Veliaj shkarkohet nga Këshilli Bashkiak i Tiranës dhe vetëm dy ditë më vonë në mbledhjen e parë të qeverisë së re kryeministri firmos shkarkimin e tij.

Po në mënyrë të “përshpejtuar” kreu i shtetit Bajram Begaj shpall dekretin për zgjedhjet e pjesshme lokale në gjashtë bashki, përfshi edhe Tiranën.

Procedurat e ndjekura, por edhe referimet ligjore që u përdorën për shkarkimin e Veliajt dhe më pas shpalljen e datës së zgjedhjeve nga dekreti presidencial u konsideruan të paligjshme nga Gjykata Kushtetuese.

Tashmë aktorët kryesorë që hapën udhën për “procesin administrativ Veliaj”, ndryshojnë qëndrim dhe tashmë kërkojnë leje që Veliaj të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak që mbahet një ose më shumë herë në muaj.

“Në rastin konkret siç ka ndodhur rëndom kemi të bëjmë me imoralitet politik. Kësisoj sundimi i ligjit çalon, institucionet ngelen të brishta, urdhrat politike marrin përparësi dhe linjat ndarëse mes autonomisë vendore dhe pushtetit qëndror ekzekutiv shuhen plotësisht”, thotë Kalemaj.

The post “Imoralitet politik”, socialistët që e shkarkuan kërkojnë Veliajn në mbledhje rutinë appeared first on Faktoje.al.

Mes vetmisë dhe skamjes

18 November 2025 at 15:08

Mes vetmisë dhe skamjes

Zërat e padëgjuar të pensionistëve në Shqipëri

Shqipëria po zbrazet nga të rinjtë. Në fshatra dhe qytete gjen të moshuar që ngrysin ditët e pleqërisë në vetmi duke u përpjekur të shtyjnë ditët. 
Faktoje ju zjell zërat e padëgjuar të pensionistëve dhe luftën e tyre të përditshme me jetën. Në rubrikën më të re “Përmes Fotografive“ gazetarja Esmeralda Topi dhe fotografi Atdhe Mulla kane takuar disa të moshuar që rrëfejnë luftën me vetminë, sëmundjet por edhe çmimet e kripura.
Esmeralda Topi dhe Atdhe Mulla

‘Pensioni më shkon për ilaçe’

Ditën që i bujtëm në apartamentin e saj pranë Mozaikut të Tiranës, Sanije Gashi kishte marrë pensionin. Ashtu si 767 mijë pensionistët e tjerë në të gjithë vendin, ishte kurioze të shihte se sa para do të merrte nga indeksimi 8.6% që qeveria i bëri pensioneve këtë tetor.

‘Kam punuar 35 vite në shtypshkronjë dhe marr 190 mijë lekë (të vjetra) në muaj’ – tha 77 vjeçarja duke theksuar se ‘nga këto 150 mijë i duheshin për ilaçe.’

Sanija ka kaluar ishemi celebrale që i ka lënë pasoja të rënda në shëndet, por është e detyruar të mbahet në këmbë duke i shërbyer vetes dhe të shoqit të sëmurë.
‘Kam dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Janë të martuar. Vajzën e kam larg, vjen njëherë në tre katër ditë se aq ka mundësi. Ndërsa djali nuk na flet prej 20 vitesh.’- rrëfen gjithë trishtim Sanija duke përsëritur si refren këtë fjali:

‘Nuk fajësoj as djalin as nusen. Të tjerë njerëz ma kanë fajin…’

Në mungesë të fëmijëve, ajo i shërben Sadriut për të cilin thotë se ka 12 vite që vuan nga probleme të shëndetit mendor. Kanë bashkë gjysmë shekulli martesë ndaj Sanija është e bindur se i shoqi e ka ‘hallall’ përkujdesjen e saj.
‘Ngrihem shumë shpesh natën që i shërbej tim shoqi dhe nga problemet që kam jam rrëzuar më shumë se 19 herë. Falë zotit nuk kam thyer ndonjë kockë.’
Mirëpo, shenjat e rrëzimit të fundit i ka ende të dukshme në trup.
‘Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, kam bërë katër herë ndërhyrje në zemër.’, vazhdon Sanija, dhe na tregon një për një të gjitha ilaçet që i duhen për vete dhe të shoqin.
‘Vetëm kjo kutia që i ble Sadriut për të ushqyer trurin bën 25 mijë lekë.’, veçoi ajo nga komodina e mbushur me ilaçe sikur të ishte një mini farmaci.
Penzionerat_013
Penzionerat_016
Penzionerat_017
E vetmja mbështetje financiare që çifti i të moshuarve ka janë pensionet. Të dy bashkë marrin 49,000 lekë çdo muaj. Por pasi shlyejnë detyrimet mujore ndaj shtetit dhe blenë ilaçet që ju nevojiten, çiftit Gashi ju mbeten shumë pak lekë për të kaluar muajin.
‘Pa u rritur çmimet dhe nuk e përballoja dot muajin, tani jo e jooo. Shkoj e marrim ushqimin çdo muaj tek mensa sociale. S’kam as takat, as lekë.’
Sanija dhe Sadriu janë vetëm dy nga 90 mijë të moshuarit e vetmuar në Shqipëri.

‘Prisja të merrja pensionin pastaj do ikja…’

Në fshatin Shënepremte të Divjakës jeton e vetme Kaleme Dardha. Duke u gdhirë 6 tetori, 82 vjeçarja u dhunua barbarisht nga dy të rinj të fshatit që i grabitën shtëpinë.
‘Shteti dhe qeveria t’i dënojë, e të verë dorë’, lutet ajo më lot në sy, teksa shënjat e dhunës i ‘ulërasin’ syve tanë…
Si çdo vit, edhe këtë vjeshtë-dimër nënë Kaleme do të shkonte në Itali tek të bijat, por lajmi i ‘rritjes së pensioneve’ e mbajti në fshat një muaj më shumë.

‘Prisja të merrja pensionin pastaj do ikja… isha kurioze se sa më ishte rritur se dëgjuam në lajme. Ata masakrenjtë, siç duket kanë menduar se unë nuk isha në shtëpi dhe kur I kapa gafil më dhunuan, e ça s’më panë sytë…’, rrëfen e tmerruar ajo.

82 vjeçarja ka dalë në pension të parakohshëm dhe merr 18,000 lekë në muaj por ndryshe nga shumë të moshuar të tjerë, ajo gjen mbështetje financiare nga të dy vajzat.
‘Nuk më mungon asgjë, s’më lënë gjë mangët. Por atje (Itali) nuk më rrihet, dua shtëpinë time në fshat. Këtu gjej rehat…po tani si do t’ia bëj?!’ ngre supet duke sjellë nëpërmend ndodhinë e tmerrshme të dhunimit dhe grabitjes nga dy të rinjtë e fshatit.
I gjithë fshati është tronditur nga kjo ngjarje e rëndë, por ndjesitë më të forta I gjetëm veçanërisht tek të moshuarit e tjerë të vetmuar të fshatit.
‘S’ishte parë e dëgjuar kjo që të dhunohej një plakë kështu… Merr çke për të marrë dhe lërë plakën e gjorë. Na ka zënë frika të gjithëve…’, thotë një familjare e nënë Kalemes që gjetëm në shtëpi.

‘Punoj tokën se s’më del hesapi’

Edhe në fshatin Shënepremte, si në çdo zonë tjetër rurale të Shqipërisë jetojnë më shumë të moshuar, sepse të rinjtë kanë emigruar. Skënder Çokun e gjetëm duke punuar tokën pranë një vile me tre kate.
‘Kjo është shtëpia e vajzës që kujdesem që kur kanë ikur në Gjermani.’, na tregon 71 vjeçari.
Skënderi ka punuar kuzhinier, ka vetëm 6 vite që ka dalë në pension dhe merr 15,700 lekë në muaj.

‘60 mijë lekë në muaj unë i dua ilaçe se vuaj nga tensioni dhe diabeti. Ndaj punoj tokën këtu, mbjell për veten time se s’më del hesapi’, vijon më tej ai.

Parcelën e tokës e ka mbjellë me perime dhe fruta të ndryshme ndaj shumicën e kohës e kalon aty duke u kujdesur që të marr frytet e të mbjellave.
‘Gjithsesi, mos të kishim fëmijët do kishim vdekur’, thotë ai me një buzëqeshje të embël në fytyrë, si për të na vërtetuar se edhe puna me tokën nuk i mjafton për të jetuar siç duhet.

‘Kujdesem për nipin’

Jo të gjithë pensionistët kanë dalë ‘zyrtarisht’ në pension. Ndryshe nga Skëndëri që në pension kujdeset për një shtëpi bosh, të tjerëve ju buçasin shtëpitë nga zërat e fëmijëve.
Bujar dhe Shpresa Luga janë dy pensionistë nga Tirana. Ata kanë më shumë se një dekadë që kanë dalë në pension.
‘Tani kemi një punë tjetër part time, mbajme nipërit.’, tregon Bujari duke shtyrë në lisharëse nipin e tij 2 vjeç.
‘Vajzat na kanë gëzuar me katër nipër të mrekullueshëm. Ne i ndihmojmë deri sa vijnë nga puna, duke u kujdesur për ta.’, thotë Shpresa teksa na tregon në telefon një fotografi të shkrepur së fundi më të katër djemtë e vegjël.

‘A nuk janë të mrekullueshëm?! Këta na shtojnë jetën. Bashkë me gjyshërit e tjerë i mbajmë në shtëpi deri sa arrijnë moshën e kopshtit, pastaj shkojnë atje me fëmijët’, tregon Shpresa dhe kthehet nga i shoqi duke shtuar: ‘më ndihmon edhe Bujari, kujdesemi të dy’.

Bujari është 75 vjeç, ka punuar gjithë jetën shofer dhe vitet e punës i janë shpërblyer me 23,000 lekë pension.
‘Kam punuar shofer që në kohën e komunizmit për një ministër shumë të rëndësishëm të kohës’ na tregon ai duke shtuar me shpoti ‘po pastaj kalova tek sporti deri sa dola në pension se ministri doli armik.’ 
Edhe Bujarin me Shpresën i ndihmojnë financiarisht të bijat, por ndryshe nga pensionistët e tjerë ata janë të lumtur që ndihmën ua shpërblejnë duke u kujdesur për fëmijët e tyre.

‘Nuk duhet të ketë pension nën 22 mijë lekë’

Faik Xhani është ish mësues nga Mati që prej vitesh drejton Shoqatën e “Pensionistëve të Shqipërisë”. 76 vjeçari i njeh mirë problemet e shtresës që përfaqëson dhe përpiqet të mbrojë me sa ka mundësi.
‘Të moshuarit janë me sëmundje, ju duhen lekë për ilaçe, për ushqim, për drita, ujë, telefon…Mishin e kanë harruar se çfarë është. Po rrofshin emigrantet, shyqyr që janë fëmijët se do hanim njëri- tjetrin’, pohon ai ndërsa komenton me ironi edhe indeksimin e fundit të pensioneve.
‘I çorodisin pensionistët me indeksime ndërkohë që ne i rropëm fëmijët po i lëmë fukarenj’
Faiku numëron 42 vite punë por shteti e shpërblen çdo muaj me 17,000 lekë pension. Ndërkohë që sipas tij, pensioni minimal duhet të nis nga 22 mijë lekë në muaj.

‘Këto janë parlamentarë xhepash, jo shërbëtorë të popullit.’ thotë Faiku, teksa na tregon shpenzimet minimale që i duhen një pensionisti çdo muaj (të detajuara në një bllok shënimesh).

‘Çuditem si s’ju bie mendja për ne?! I sheh këta pensionistët italianë që vijnë vërdallë nëpër Tiranë si turistë? Mua s’më del pensioni për të pirë një kafe çdo ditë në qendër të Tiranës, jo më të shëtis botën’, thotë ai ndërsa na rastisi të kalojmë përmes një grupi turistësh të huaj në kryeqytet.
Jeta e pensionistëve në Shqipëri ndryshon shumë nga ajo e pensionistëve që përmend Faiku. Pensionistët në Shqipëri e vuajnë rritjen e çmimeve më shumë se sa pjesa e tjetër e popullatës, pasi ato pak të ardhura që marrin i shpenzojnë në blerjen e ushqimeve, që zënë thuajse 60% të shpenzime mujore. Referuar të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore pensioni mesatar mujor në qytet rezulton 17,350 lekë, ndërkohë që pensioni mestar mujor në fshat është 10,349 lekë. Dhe përtej propogandës për rritje pensionesh, e vërteta është se nga 1 tetori, pensioni mesatar në qytet u shtua vetëm 1,500 lekë nga indeksimi ndërsa pensioni mesatar në fshat vetëm 890 lekë.

‘Më i lartë tensioni se sa pensioni’

Një nga kategoritë më të keqpaguara pas daljes në pension janë minatorët. Ndryshe nga të tjerët që ankohen nën zë, ata prej katër javësh, po protestojnë në hyrje të parlamentit në përpjekje për t’i rikujtuar ligjvënësve të majtë të mbajnë premtimin e dhënë prej një dekade, miratimin e statusit të minatorit.
Mëngjesin e cdo të enjte dhjetra minatorë dhe ish minatotrë i drejtohen Kuvendit me thirrje dhe pankarta nëpër duar me shpresë se një ditë zëri i tyre do të dëgjohet. 
“ Kam punuar 16 vite minatorë në Qafën e Barit, në Munellë. Sot marr 222 mijë lekë( të vjetra).”, thotë i zhgënjyer ish minatori Mark Gjergji.
“ Ndihem i nëpërkëmbur nga qeveria. Këta gjejnë para të rrisin pagat e tyre dhe kanë vite që mbajnë peng statusin tonë. Pensioni mesatar i një minatori sot është 250 mijë lekë të vjetra, por ne kërkojmë që të mos ketë pension nën 405 mijë lekë për minatorët.”, shton më tej ai.
Protestat e tyre nuk i kanë shqetësuar parlamentarët të cilët zbresin nga makinat luksoze dhe i drejtohen seancës së radhëstë shkujdesur. Indiferenca e tyre nuk i step minatorët, përkundrazi…  ata thonë se nuk do të dorëzohen deri sa miratimi i statusit të minatorit të futet në rendin e ditës, ndonjë të enjte. 

“Do të rrimë këtu deri sa të miratojnë statusin. Unë kam punuar 15 vite në minierë, marrë 17 mijë lekë pension. E se cdo të thotë të punosh nëntokë? Këta se dinë, as nuk duan ta dinë. Kanë vite që na premtojnë, të dyja palët.”, thotë Ymer Kadiolli, ish minator.

Sirtarëve të Kuvendit të Shqipërisë ‘fle’ prej tre vitesh një peticion me 10 mijë e 680 firma minatorësh që kërkojnë Statusin.
Përmes miratimit të Statusit të Minatorit, ata kërkojnë:
  • Sigurimin e jetës për minatorët
  • Rritjen e pagave dhe përfitimeve të tjera për minatorët
  • Rritjen e pensioneve për minatorët
  • Garantimin e kujdesit shëndetësor për minatorët dhe ish minatorët
Premtimi për “Statusin e Minatorit” është dhënë për herë të parë nga kryeministri Edi Rama në fushatën elektorale të 2009, kur ishte opozitë. Me ardhjen në pushtet, Ramës ju deshën 5 vite që të përsëriste të njëjtin premtim të cilin ende se ka mbajtur.

Mes vetmisë dhe skamjes

Zërat e padëgjuar të pensionistëve në Shqipëri

Shqipëria po zbrazet nga të rinjtë. Në fshatra dhe qytete gjen të moshuar që ngrysin ditët e pleqërisë në vetmi duke u përpjekur të shtyjnë ditët. 
Faktoje ju zjell zërat e padëgjuar të pensionistëve dhe luftën e tyre të përditshme me jetën. Në rubrikën më të re “Përmes Fotografive“ gazetarja Esmeralda Topi dhe fotografi Atdhe Mulla kane takuar disa të moshuar që rrëfejnë luftën me vetminë, sëmundjet por edhe çmimet e kripura.
Esmeralda Topi dhe Atdhe Mulla

‘Pensioni më shkon për ilaçe’

Ditën që i bujtëm në apartamentin e saj pranë Mozaikut të Tiranës, Sanije Gashi kishte marrë pensionin. Ashtu si 767 mijë pensionistët e tjerë në të gjithë vendin, ishte kurioze të shihte se sa para do të merrte nga indeksimi 8.6% që qeveria i bëri pensioneve këtë tetor.

‘Kam punuar 35 vite në shtypshkronjë dhe marr 190 mijë lekë (të vjetra) në muaj’ – tha 77 vjeçarja duke theksuar se ‘nga këto 150 mijë i duheshin për ilaçe.’

Sanija ka kaluar ishemi celebrale që i ka lënë pasoja të rënda në shëndet, por është e detyruar të mbahet në këmbë duke i shërbyer vetes dhe të shoqit të sëmurë.
‘Kam dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Janë të martuar. Vajzën e kam larg, vjen njëherë në tre katër ditë se aq ka mundësi. Ndërsa djali nuk na flet prej 20 vitesh.’- rrëfen gjithë trishtim Sanija duke përsëritur si refren këtë fjali:

‘Nuk fajësoj as djalin as nusen. Të tjerë njerëz ma kanë fajin…’

Në mungesë të fëmijëve, ajo i shërben Sadriut për të cilin thotë se ka 12 vite që vuan nga probleme të shëndetit mendor. Kanë bashkë gjysmë shekulli martesë ndaj Sanija është e bindur se i shoqi e ka ‘hallall’ përkujdesjen e saj.
‘Ngrihem shumë shpesh natën që i shërbej tim shoqi dhe nga problemet që kam jam rrëzuar më shumë se 19 herë. Falë zotit nuk kam thyer ndonjë kockë.’
Mirëpo, shenjat e rrëzimit të fundit i ka ende të dukshme në trup.
‘Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, kam bërë katër herë ndërhyrje në zemër.’, vazhdon Sanija, dhe na tregon një për një të gjitha ilaçet që i duhen për vete dhe të shoqin.
‘Vetëm kjo kutia që i ble Sadriut për të ushqyer trurin bën 25 mijë lekë.’, veçoi ajo nga komodina e mbushur me ilaçe sikur të ishte një mini farmaci.
Penzionerat_013
Penzionerat_016
Penzionerat_017
E vetmja mbështetje financiare që çifti i të moshuarve ka janë pensionet. Të dy bashkë marrin 49,000 lekë çdo muaj. Por pasi shlyejnë detyrimet mujore ndaj shtetit dhe blenë ilaçet që ju nevojiten, çiftit Gashi ju mbeten shumë pak lekë për të kaluar muajin.
‘Pa u rritur çmimet dhe nuk e përballoja dot muajin, tani jo e jooo. Shkoj e marrim ushqimin çdo muaj tek mensa sociale. S’kam as takat, as lekë.’
Sanija dhe Sadriu janë vetëm dy nga 90 mijë të moshuarit e vetmuar në Shqipëri.

‘Prisja të merrja pensionin pastaj do ikja…’

Në fshatin Shënepremte të Divjakës jeton e vetme Kaleme Dardha. Duke u gdhirë 6 tetori, 82 vjeçarja u dhunua barbarisht nga dy të rinj të fshatit që i grabitën shtëpinë.
‘Shteti dhe qeveria t’i dënojë, e të verë dorë’, lutet ajo më lot në sy, teksa shënjat e dhunës i ‘ulërasin’ syve tanë…
Si çdo vit, edhe këtë vjeshtë-dimër nënë Kaleme do të shkonte në Itali tek të bijat, por lajmi i ‘rritjes së pensioneve’ e mbajti në fshat një muaj më shumë.

‘Prisja të merrja pensionin pastaj do ikja… isha kurioze se sa më ishte rritur se dëgjuam në lajme. Ata masakrenjtë, siç duket kanë menduar se unë nuk isha në shtëpi dhe kur I kapa gafil më dhunuan, e ça s’më panë sytë…’, rrëfen e tmerruar ajo.

82 vjeçarja ka dalë në pension të parakohshëm dhe merr 18,000 lekë në muaj por ndryshe nga shumë të moshuar të tjerë, ajo gjen mbështetje financiare nga të dy vajzat.
‘Nuk më mungon asgjë, s’më lënë gjë mangët. Por atje (Itali) nuk më rrihet, dua shtëpinë time në fshat. Këtu gjej rehat…po tani si do t’ia bëj?!’ ngre supet duke sjellë nëpërmend ndodhinë e tmerrshme të dhunimit dhe grabitjes nga dy të rinjtë e fshatit.
I gjithë fshati është tronditur nga kjo ngjarje e rëndë, por ndjesitë më të forta I gjetëm veçanërisht tek të moshuarit e tjerë të vetmuar të fshatit.
‘S’ishte parë e dëgjuar kjo që të dhunohej një plakë kështu… Merr çke për të marrë dhe lërë plakën e gjorë. Na ka zënë frika të gjithëve…’, thotë një familjare e nënë Kalemes që gjetëm në shtëpi.

‘Punoj tokën se s’më del hesapi’

Edhe në fshatin Shënepremte, si në çdo zonë tjetër rurale të Shqipërisë jetojnë më shumë të moshuar, sepse të rinjtë kanë emigruar. Skënder Çokun e gjetëm duke punuar tokën pranë një vile me tre kate.
‘Kjo është shtëpia e vajzës që kujdesem që kur kanë ikur në Gjermani.’, na tregon 71 vjeçari.
Skënderi ka punuar kuzhinier, ka vetëm 6 vite që ka dalë në pension dhe merr 15,700 lekë në muaj.

‘60 mijë lekë në muaj unë i dua ilaçe se vuaj nga tensioni dhe diabeti. Ndaj punoj tokën këtu, mbjell për veten time se s’më del hesapi’, vijon më tej ai.

Parcelën e tokës e ka mbjellë me perime dhe fruta të ndryshme ndaj shumicën e kohës e kalon aty duke u kujdesur që të marr frytet e të mbjellave.
‘Gjithsesi, mos të kishim fëmijët do kishim vdekur’, thotë ai me një buzëqeshje të embël në fytyrë, si për të na vërtetuar se edhe puna me tokën nuk i mjafton për të jetuar siç duhet.

‘Kujdesem për nipin’

Jo të gjithë pensionistët kanë dalë ‘zyrtarisht’ në pension. Ndryshe nga Skëndëri që në pension kujdeset për një shtëpi bosh, të tjerëve ju buçasin shtëpitë nga zërat e fëmijëve.
Bujar dhe Shpresa Luga janë dy pensionistë nga Tirana. Ata kanë më shumë se një dekadë që kanë dalë në pension.
‘Tani kemi një punë tjetër part time, mbajme nipërit.’, tregon Bujari duke shtyrë në lisharëse nipin e tij 2 vjeç.
‘Vajzat na kanë gëzuar me katër nipër të mrekullueshëm. Ne i ndihmojmë deri sa vijnë nga puna, duke u kujdesur për ta.’, thotë Shpresa teksa na tregon në telefon një fotografi të shkrepur së fundi më të katër djemtë e vegjël.

‘A nuk janë të mrekullueshëm?! Këta na shtojnë jetën. Bashkë me gjyshërit e tjerë i mbajmë në shtëpi deri sa arrijnë moshën e kopshtit, pastaj shkojnë atje me fëmijët’, tregon Shpresa dhe kthehet nga i shoqi duke shtuar: ‘më ndihmon edhe Bujari, kujdesemi të dy’.

Bujari është 75 vjeç, ka punuar gjithë jetën shofer dhe vitet e punës i janë shpërblyer me 23,000 lekë pension.
‘Kam punuar shofer që në kohën e komunizmit për një ministër shumë të rëndësishëm të kohës’ na tregon ai duke shtuar me shpoti ‘po pastaj kalova tek sporti deri sa dola në pension se ministri doli armik.’ 
Edhe Bujarin me Shpresën i ndihmojnë financiarisht të bijat, por ndryshe nga pensionistët e tjerë ata janë të lumtur që ndihmën ua shpërblejnë duke u kujdesur për fëmijët e tyre.

‘Nuk duhet të ketë pension nën 22 mijë lekë’

Faik Xhani është ish mësues nga Mati që prej vitesh drejton Shoqatën e “Pensionistëve të Shqipërisë”. 76 vjeçari i njeh mirë problemet e shtresës që përfaqëson dhe përpiqet të mbrojë me sa ka mundësi.
‘Të moshuarit janë me sëmundje, ju duhen lekë për ilaçe, për ushqim, për drita, ujë, telefon…Mishin e kanë harruar se çfarë është. Po rrofshin emigrantet, shyqyr që janë fëmijët se do hanim njëri- tjetrin’, pohon ai ndërsa komenton me ironi edhe indeksimin e fundit të pensioneve.
‘I çorodisin pensionistët me indeksime ndërkohë që ne i rropëm fëmijët po i lëmë fukarenj’
Faiku numëron 42 vite punë por shteti e shpërblen çdo muaj me 17,000 lekë pension. Ndërkohë që sipas tij, pensioni minimal duhet të nis nga 22 mijë lekë në muaj.

‘Këto janë parlamentarë xhepash, jo shërbëtorë të popullit.’ thotë Faiku, teksa na tregon shpenzimet minimale që i duhen një pensionisti çdo muaj (të detajuara në një bllok shënimesh).

‘Çuditem si s’ju bie mendja për ne?! I sheh këta pensionistët italianë që vijnë vërdallë nëpër Tiranë si turistë? Mua s’më del pensioni për të pirë një kafe çdo ditë në qendër të Tiranës, jo më të shëtis botën’, thotë ai ndërsa na rastisi të kalojmë përmes një grupi turistësh të huaj në kryeqytet.
Jeta e pensionistëve në Shqipëri ndryshon shumë nga ajo e pensionistëve që përmend Faiku. Pensionistët në Shqipëri e vuajnë rritjen e çmimeve më shumë se sa pjesa e tjetër e popullatës, pasi ato pak të ardhura që marrin i shpenzojnë në blerjen e ushqimeve, që zënë thuajse 60% të shpenzime mujore. Referuar të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore pensioni mesatar mujor në qytet rezulton 17,350 lekë, ndërkohë që pensioni mestar mujor në fshat është 10,349 lekë. Dhe përtej propogandës për rritje pensionesh, e vërteta është se nga 1 tetori, pensioni mesatar në qytet u shtua vetëm 1,500 lekë nga indeksimi ndërsa pensioni mesatar në fshat vetëm 890 lekë.

‘Më i lartë tensioni se sa pensioni’

Një nga kategoritë më të keqpaguara pas daljes në pension janë minatorët. Ndryshe nga të tjerët që ankohen nën zë, ata prej katër javësh, po protestojnë në hyrje të parlamentit në përpjekje për t’i rikujtuar ligjvënësve të majtë të mbajnë premtimin e dhënë prej një dekade, miratimin e statusit të minatorit.
Mëngjesin e cdo të enjte dhjetra minatorë dhe ish minatotrë i drejtohen Kuvendit me thirrje dhe pankarta nëpër duar me shpresë se një ditë zëri i tyre do të dëgjohet. 
“ Kam punuar 16 vite minatorë në Qafën e Barit, në Munellë. Sot marr 222 mijë lekë( të vjetra).”, thotë i zhgënjyer ish minatori Mark Gjergji.
“ Ndihem i nëpërkëmbur nga qeveria. Këta gjejnë para të rrisin pagat e tyre dhe kanë vite që mbajnë peng statusin tonë. Pensioni mesatar i një minatori sot është 250 mijë lekë të vjetra, por ne kërkojmë që të mos ketë pension nën 405 mijë lekë për minatorët.”, shton më tej ai.
Protestat e tyre nuk i kanë shqetësuar parlamentarët të cilët zbresin nga makinat luksoze dhe i drejtohen seancës së radhëstë shkujdesur. Indiferenca e tyre nuk i step minatorët, përkundrazi…  ata thonë se nuk do të dorëzohen deri sa miratimi i statusit të minatorit të futet në rendin e ditës, ndonjë të enjte. 

“Do të rrimë këtu deri sa të miratojnë statusin. Unë kam punuar 15 vite në minierë, marrë 17 mijë lekë pension. E se cdo të thotë të punosh nëntokë? Këta se dinë, as nuk duan ta dinë. Kanë vite që na premtojnë, të dyja palët.”, thotë Ymer Kadiolli, ish minator.

Sirtarëve të Kuvendit të Shqipërisë ‘fle’ prej tre vitesh një peticion me 10 mijë e 680 firma minatorësh që kërkojnë Statusin.
Përmes miratimit të Statusit të Minatorit, ata kërkojnë:
  • Sigurimin e jetës për minatorët
  • Rritjen e pagave dhe përfitimeve të tjera për minatorët
  • Rritjen e pensioneve për minatorët
  • Garantimin e kujdesit shëndetësor për minatorët dhe ish minatorët
Premtimi për “Statusin e Minatorit” është dhënë për herë të parë nga kryeministri Edi Rama në fushatën elektorale të 2009, kur ishte opozitë. Me ardhjen në pushtet, Ramës ju deshën 5 vite që të përsëriste të njëjtin premtim të cilin ende se ka mbajtur.

The post Mes vetmisë dhe skamjes appeared first on Faktoje.al.

  • ✇
  • test  

Studimi alarmant/ Liqeni Artificial i sëmurë, ndotje nga tetë drejtime

29 October 2025 at 17:08

Nga Sebi Alla

KLSH, në një raport të hollësishëm mbi ndotjen e Liqenit Artificial në Tiranë, duke iu referuar disa analizave konstaton probleme serioze nga ngordhja e gjallesave deri në ndotjen në nivele të larta nga shkarkimi i ujërave të zeza.

Për Mit’hatin 68-vjeçar, Liqeni Artificial në kryeqytet është vendi ku ai kalon më shumë kohën sesa në shtëpinë e tij që e ka mes kaosit të trafikut, pranë Tiranës së Re. “Është si jetë e dytë këtu”-thotë ai teksa vijon-“shëtis shpesh sa të mundem, më parë edhe pëshkoja për qejf, por tani ka diçka që nuk shkon. Shoh shumë peshq të ngordhur dhe kanë vendosur tabela që nuk të lenë të peshkosh”-thotë ai për Faktoje.al, pa qenë në dijeni se aty ku ai kalon më shumë se gjysmën e ditës, po vdesin gjallesat nga ndotja e madhe, përfshi edhe peshqit. “Përmbajtja e rritur e nutrientëve (fosfateve etj.) si dhe saturimi i vogël me oksigjen, tregon se ky liqen është në gjendje eutrofike (“I sëmurë”). Përkeqësimi i kësaj gjendje do e bëjë të pamundur jetesën e gjallesave në këtë trup ujor”. Ky është një nga përkufizimet e studimit të hollësishëm të bërë për ndodtjen e Liqenit Artificial, i publikuar në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Eksperti i mjedisit, prof Gavrosh Zela, tha për Faktoje.al se situata e ndotjes në Liqenin Artificial është shumë problematike dhe nevojitet marrja e masave të menjëhershme. “Duhet ndërprerë niveli i ndotjes kryesore që vjen nga shkarkimi u ujërave urbane të papërpunuara dhe situata duhet mbajtur në monitorim të përhershëm”-thotë Zela. Nga një vëzhgim në terren në paraditen e 29 tetorit, konstatuam me sy ndotje të theksuar, ku edhe një breshkë uji ka marrë ngjyrën e errët të ujërave të zeza që rrjedhin nga “Tirana e ngjeshur urbane”. 

Tetë pika të errëta

Në një hapësirë prej 4.5 hektarësh, Liqeni Artificial ndodhet në pozicionin gjeografik që fatkeqësisht po shërben si “vëndshkarkim i ujërave të ndotura të patrajtuara urbane (ujëra të zeza)” në tetë pika kyçe të saj. Në pjesën jugore të liqenit, ku nis Unaza e Madhe, problem janë shkarkimet e ujërave të zeza që vijnë nga zona urbane e “Liqenit të Thatë”, e mbushur me shumë pallate dhe njësi shërbimi. Ekspertët kanë konstatuar 16 pika derdhjesh të ujërave, ku në tetë prej tyre cilësohen shumë problematike, me prurje të mëdha të ujërave të ndotur. Gjithashtu edhe në pjesën veriore të liqenit, prania e disa lokaleve dhe pallateve në nisje të digës cilësohet një tjetër vatër ndotjeje. “Përmbajtja e lartë e nutrientëve dhe e ulët e oksigjenit tregon se në liqen ka derdhje të shumta, qoftë të substancave të pasura me azot dhe fosfor, qoftë edhe të substancave reduktuese, të cilat konsumojnë oksigjenin.

Gjithashtu, kur ka një akumulim të biomasës (bimësisë), pas “vdekjes” së bimëve ose algave, fillon procesi i dekompozimit, i cili kërkon oksigjen dhe çon në një ulje të përmbajtjes së oksigjenit të tretur në ujë, veçanërisht në orët e errësirës, kur fotosinteza ndalon dhe ndodh respiracioni. Kjo e bën ekuilibrin e oksigjenit një faktor delikat të cilin duhet ta monitorojmë në liqen”-citon raporti i KLSH-së në një studim më të fundit përgjatë viteve 2024-2025. “Nevojiten masa të menjhershmë, së pari duhet ndërprerja e kanalizimeve aktuale dhe të futen në sistemin e ujërave të zeza të Tiranës. Së dyti, kërkon monitorim të vazhdueshëm dhe nxitjen e bizneseve apo pjesës urbane të popullatës që të vendosin impiante të decentralizuara për trajtimin e ujërave të ndotur”-thotë prof Zela, ndërsa thekson se me situatën aktuale të ndotjes, nevoja më e madhe është mbushja me ujë të pastër të liqenit, çka mund të sillte një mundësi pastrimi dhe uljen e nivelit të ndotjes.

Analizat

Profesorë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës u kontraktuan nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit për të kryer analiza mbi nivelin e ndotjes së ujërave të Liqenit Artificial. “Kjo dukuri (ky lulëzim algash) në Liqenin Artificial të Tiranës është pasojë dhe sinjal i ngarkesës relativisht të lartë (ndotjes) me lëndë ushqyese (azot dhe sidomos fosfor) që kanë shumë mundësi të vijnë nga ujërat e patrajtuara urbane, por jo vetëm, të cilat mund të grumbullohen në mënyrë të vazhdueshme në këtë liqen… Mbetet e ngutshme për Bashkinë Tiranë grumbullimi dhe largimi i shkarkimeve nga liqeni! Por sidomos mbetet sfidë grumbullimi dhe trajtimi i ujërave të zeza për gjithë pellgun e Tiranës, si domosdoshmëri për cilësinë e jetës për njeriun dhe për gjithë botën e gjallë”-thonë në raport ekspertët e Fakutetit të Shkencave të Natyrës. “Rritja e temperaturave dhe zvogëlimi i vëllimit të ujërave ka gjasë të përkeqësojë situatën gjatë stinës së verës.

Si rrjedhojë, kërkohet ndërhyrje e menjëhershme për të verifikuar e ndaluar të gjithë shkarkimet e ujërave të përdorura urbane, industriale, etj., që mund të vijnë si rrjedhojë e aktivitetit brenda territorit te PMLAT ose të përzierjes së jashtëligjshme të ujërave të zeza me kanalet e ujërave të bardha/ të shiut që shkarkojnë në liqen. Si rrjedhojë është e domosdoshme të kryhen analizat e ngarkesave të koliformëve fekale dhe totalë (CFU)”-theksojnë më tej ata. Sa i takon vlerësimit kimiko-biologjik, nga një sondazh i kryer nga Departamenti i Inxhinierisë Kimike në Universitetin Politeknik të Tiranës rezultoi se përmbajtja e nutrienteve në mostrat e marra në liqen, gjatë muajit janar 2025 ishte shumë e lartë. “Ujërat quhen të eutrofikuar kur përmbajtja e fosforit është 0.020 mg/L. Ndërkaq, analizat e kryera nga Universiteti Politeknik të Tiranës treguan vlera shumëfish më të larta të përmbajtjes së fosforit, rreth 0.070 mg/L. Gjithashtu, përmbajtja e oksigjenit, edhe pse në periudhë dimri, ishte me një saturim rreth 55%, vlerë mjaft e ulët për këtë periudhë. Pa dyshim, në stinën e verës, përmbajtja e oksigjenit do të jetë më e ulët dhe gjendja do të përkeqësohet”-thekson raporti, duke iu referuar përgjigjes së analizave të dala nga kampionë të ujit të marra në disa pika të Liqenit Artificial.

Përgjegjësit e (pa) përgjegjshëm

Për situatën alarmante, audituesit e KLSH-së, duke u nisur nga raportet e ekspertëve të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe të Departamenti i Inxhinierisë Kimike në Universitetin Politeknik të Tiranës, të cilët kryen analizim të thelluar për ndotjen e liqenit, kërkuan që institucionet përgjegjëse të merrnin masat e nevojshme. KLSH në raport, të cilën Faktoje e disponon të plotë, theksojnë përplasjen institucionale mes drejtorive në varësi të Bashkisë Tiranë, ku asnjëra prej tyre nuk merrte përsipër përgjegjësinë për problemin e ndotjes së theksuar të Liqenit Artificial. “Duke vlerësuar si shkaktues potencial të ndotjes prurjet e ujërave të ndotura nëpërmjet kanaleve të ujërave të shiut/ të bardha që derdhen në liqenin artificial të Tiranës, grupi i auditimit ka kërkuar një planimetri të shtrirjes së këtij rrjeti, informacion mbi gjendjen e tyre, si dhe procedurat përkatëse për pastrimin dhe mirëmbajtjen e tyre, nga strukturat e varësisë së Bashkisë Tiranë, si APR (Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit), UKT (Ujësjellës Kanalizimet Tiranë) dhe DPN2”-thotë raprti. Po çfarë përgjigje morën? Në shkresa të ndryshme, institucionet ia veshin përgjegjësinë njëra-tjetrës, kjo vërtetohet edhe nga dokumentacioni i mbërritur për KLSH-në. raporti.

“Për sa më sipër, APR bën me dije se nuk disponon planimetri të kanaleve të ujërave të shiut dhe se nga punonjësit e këtij institucioni, kryhet vetëm pastrimi fizik i mbetjeve të dukshme, si p.sh. gjethe, degë, materiale plastike/ plastmasi, kartona, letra, etj. Ky lloj pastrimi kryhet rregullisht në mënyrë që ato të jenë të pastra dhe të mos krijojnë problematika me reshjet e dendura. Gjithashtu edhe Drejtoria e Përgjithshme e Mirëmbajtjes, Rrugë, Ndriçim, Sinjalistikë (DNP 2), në përgjigjen e pyetësorit dërguar elektronikisht në datën 12.03.2025, bën me dije se nuk disponon hartë/ planimetri të kanaleve të ujërave të shiut, pasi liqeni i Tiranës nuk menaxhohet nga kjo drejtori. Në shkresë citohet se “nga verifikimet e kryera nga një grup i ngritur për këtë çështje rezultoi që në liqenin artificial të Tiranës nuk ka asnjë pikë shkarkimi të ujërave të shiut, pasi ato shkarkohen në kolektorët e ujërave të zeza të cilat menaxhohen nga UKT sh.a”. Ndërsa UKT, në përgjigjen e pyetësorit dërguar elektronikisht në datën 18.03.2024, shprehet se “Referuar rrjetit të largimit të ujërave të shiut ju informojmë se administrimi dhe mirëmbajtja e tyre nuk bëhet nga UKT, por nga Bashkia Tiranë nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit Publik, si dhe APR që menaxhon territorin e PMLAT”-thekson raporti.

Ndotje në çdo drejtim

Më tej KLSH shprehet se pavarësisht se në shkresat e institucioneve të varësisë së Bashkisë Tiranë dhe dokumentacionin e gjeneruar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit citohet se “është konstatuar se në 6 nga 8 pikat e shkarkimit të ujërave të bardha kishte rrjedhje”, asnjë nga institucionet e varësisë së Bashkisë Tiranë (që drejtpërdrejt ose tërthorazi lidhen me administrimin e atij territori, pastrimin e mirëmbajtjen së kanaleve të ujërave të shiut apo të rrjetit të kanalizimeve), nuk administron një planimetri të këtyre kanaleve të ujërave të bardha që derdhen në liqen, për të evidentuar shtrirjen dhe rrugën që kanalet ndjekin, për t’u derdhur në fund në liqen, njëkohësisht për të vlerësuar zonat urbane nëpërmjet të cilave këto kanale kalojnë dhe që mund të kenë ndërhyrje në mënyrë të jashtëligjshme duke lidhur kanalizimet e ujërave të zeza me kanalet e ujërave të shiut. Nalizimi më i fundit që i përket këtij viti rezultoi se uji i Liqenit Artificial është i ndotur rreth 50 pikë më shumë se norma, ndërsa e cilësojnë “të sëmurë” dhe në rrezik të madh që nëse nuk merren masat bimësia dhe gjallesat të zhduken, duke e kthyer në “liqe të vdekur”.

The post Studimi alarmant/ Liqeni Artificial i sëmurë, ndotje nga tetë drejtime appeared first on Faktoje.al.

“Aventurat e Super Patit” në Faktoje

15 October 2025 at 13:39

“Aventurat e Super Patit” është një seri komikesh e animuar, e krijuar nga Faktoje për të luftuar dezinformimin në mënyrë kreative dhe edukative. Përmes një formati argëtues dhe vizualisht tërheqës, kjo seri sjell për herë të parë në Shqipëri një qasje inovative ndaj edukimit mediatik, me audience brezat e rinj.

Personazhet kryesore:

  • Super Pati – heroina që demaskon gënjeshtrat, verifikon faktet dhe nxit mendimin kritik.
  • Rrenci – antagonisti që përhap dezinformim, shtrembëron të vërtetën dhe manipulon publikun.

Qëllimi i serisë:

  • Të ndihmojë të rinjtë të dallojnë lajmet e rreme.
  • Të zhvillojë aftësinë për të menduar në mënyrë të pavarur.
  • Të promovojë skepticizmin e shëndetshëm dhe verifikimin e informacionit.

Përmes episodeve por dhe me shumë mjete interaktive online, dy persoanzhet kanë potencial për t’u berë viral me video te shkrutra, Stickers dhe GIFF për t’u përdoruar në platformat online, quize dhe lojra, pyetje si dhe meme.

Kjo seri animacionesh shoqërohet me videot tutoriale “Hap Sytë – Kontrollo dhe ti, të cilat ofrojnë udhëzime të thjeshta dhe të qarta për përdorimin e mjeteve online në verifikimin e:

  • Fotografive dhe videove të dyshimta dhe te manipuluara
  • Vendndodhjeve
  • Imazheve të krijuara ose modifikuara me inteligjencë artificiale

Kjo përpjekje e Faktoje thekson rëndësinë e mendimit kritik dhe të qëndruarit skeptik dhe shërben si një mjet i fuqishëm për fuqizimin e të rinjve ndaj sfidave të infomacionit te rreme në ditët e sotme.

Me mbështetjen e CFI Media Development, kjo seri është pjesë e fushatës për të forcuar mendimin kritik tek të rinjtë në epokën digjitale. Sepse të jesh i informuar, është superfuqi!

Episodi i parë: Tablete falas nga Temu?!

04/10/2025

Zbuloje me Super Patin – heroina që nuk bie pre e rrenave online! Për herë të parë, Faktoje sjell një seri komike për të rinjtë me qëllim lufta kundër dezinformimit. Një seri komike që edukon, argëton dhe sfidon mendimin kritik.

Episodi i dytë: SuperPati shkatërron XUEX

Skemat piramidale moderne po përpiqen të mashtrojnë shqiptarët me premtime boshe për fitime të lehta. Por SuperPati nuk bie në grackë! Në serinë e re “Aventurat e SuperPatit”, heroina e Faktoje demaskon mashtrimet online dhe lufton keqinformimin me fuqi kritike

11/10/2025

The post “Aventurat e Super Patit” në Faktoje appeared first on Faktoje.al.

Bashkia Kavajë la pa ujë edhe këtë vit banorët e fshatit Karpen dhe Rrakull

20 September 2025 at 18:00

Gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, Fisnik Qosja, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, premtoi zgjidhjen përfundimtare të furnizimit me ujë të pijshëm për fshatrat Karpen dhe Rrakull. “Ne kemi një projekt që përfshin bashkë me Karpenin edhe fshatin Rrakull, i cili do të mundësojë furnizim 24 orë me ujë të pijshëm, aq të rëndësishëm për banorët dhe turizmin!” ,  shkruante Qosja më 3 maj 2023.

Dy vjet më vonë, realiteti në terren duket ndryshe. 

Banorët flasin

Vizita në terren në dy fshatrat tregoi një tablo të qartë të mungesës së ujit. Një zonjë nga Karpeni, që nuk pranoi të identifikohej me emër, na tregoi: “Ne ujim e marrim nga pusi që kemi në shtëpi. Atë ujë përdorim për të larë, shplarë dhe për të gatuar. Ujin e pijshëm e blejmë në dyqan

Ajo kujtoi se dikur, shumë vite më parë, kishin pasur ujë nga rubineti, por sistemi ishte ndalur dhe nuk kishte ardhur më. Kur u pyet për premtimet e kryebashkiakut, reagimi i saj ishte i rezervuar: “Nuk marr vesh unë nga politika

Situata nuk është ndryshe në Rrakull. Një i ri nga fshati na tha: “Unë nuk di të kemi patur ndonjëherë ujë nga ujësjellësi.” Banorët e atjeshëm gjithashtu varen nga pusët dhe uji i blerë për nevojat bazë.

Bashkia shmang përgjegjësinë

Faktoje iu drejtua Bashkisë së Kavajës me një kërkesë për informacion lidhur me këtë zotim, por përgjigjja zyrtare e shmangu përgjegjësinë nga pushteti vendor tek një tjetër institucion: Ujësjellës Kanalizime Durrës. “Janë linjat e furnizimit me ujë shumë të vjetra. Duhet t’i drejtoheni shoqërisë së Ujësjellës Kanalizimeve Durrës,” thuhej në përgjigje.

Kjo edhe pse sipas asaj që shkruante në rrjete sociale, kandidati Fisnik Qosja ishte tashmë “në dijeni për situatën e linjës furnizuese dhe tubave të ujësjellësit” në këto fshatra.

Por ne kemi një projekt që përfshin bashkë me Karpenin edhe fshatin Rrakull”, vijonte Qosja dy vjet më parë. 

Faktoje.al dërgoi një kërkesë për informacion edhe tek Ujësjellës Kanalizime Durrës, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Premtimi që synonte adresimin e një shqetësimi të madh të banorëve, rezulton se nuk u shoqërua me një plan konkret zbatimi. 

Përgjegjësia e Bashkisë në këte rast nuk mund t’i kalojë vetëm një institucioni tjetër, sidomos kur kandidati ishte i njohur me problemet e zonës dhe rrjetit ekzistues ujesjellës.

Përfundimi

Nisur nga verifikimi në terren dhe informacionet e mbledhura, premtimi i kryebashkiakut Fisnik Qosja për furnizimin me ujë të pijshëm të fshatrave Karpen dhe Rrakull deri më tani mbetet i pambajtur. Banorët vazhdojnë të varen nga pusët dhe uji i blerë, ndërsa projekti i premtuar nuk “duket” deri më sot.

The post Bashkia Kavajë la pa ujë edhe këtë vit banorët e fshatit Karpen dhe Rrakull appeared first on Faktoje.al.

Schwarzenegger kritikoi takimin Trump-Putin, por në vitin 2018

2 September 2025 at 10:58

Pretendimi: Arnold Schwarzenegger kritikon Donald Trump pas samitit në Alaskë me Putin

Verdikti: E pavërtetë

Barbara Halla

Sipas një lajmi që po qarkullon në rrjetet sociale dhe portalet shqiptare, aktori i njohur amerikan Arnold Schwarzenegger ka kritikuar presidentin Trump pas takimit të këtij të fundit me presidentin rus Vladimir Putin në Alaskë me datë 15 gusht. Videoja vetë është e vërtetë, por ajo nuk është publikuar nga Schwarzenegger në gusht 2025, por në 17 korrik 2018, gjatë mandatit të parë presidencial të Trump.

Sipas postimeve në shqip, pak ditë pas takimit të Putin me Trump për të diskutuar luftën në Ukrainë, Schwarzenegger regjistroi këtë video ku e akuzon Trumpin se ishte sjellë tepër butë ndaj Putin dhe dukej sikur po bëhej gati t’i kërkonte autografin. Kjo i përputhet narrativave të ngjashme që qarkulluan pas takimit midis të dy udhëheqësve, ku Trump u akuzua nga media dhe analistët politikë se kishte dalë i humbur nga takimi me kryetarin e shtetit rus.

Megjithatë, duke verifikuar mediat sociale të Schwarzenegger dallohet që videoja nuk është bërë sivjet, por më 17 korrik 2018, një ditë pasi Trumpi takoi Putinin për një samit në Helsinki gjatë mandatit të parë të Trumpit.

Fotografi nga video 17 korrik 2018

Përgjatë këtij takimi në vitin 2018, Trump u shpreh kundër inteligjencës sekrete amerikane që kishin arritur në përfundimin se Rusia kishtë ndërhyrë në zgjedhjet elektorale të vitit 2016 përmes përdorimit të “bots” dhe strategjive të tjera kibernetike për të favorizuar pikërisht Trumpin dhe partinë republikane. Fjalimi i Trump solli reagime dhe kritika të shumta, duke përfshirë dhe videon e Schwarzenegger, e cila është rishfaqur në rrjet pa shpjegimin e duhur duke nxitur keqinterpretime pas takimit të dytë mes dy liderve, kësaj rradhe mbi luftën në Ukrainë.

The post Schwarzenegger kritikoi takimin Trump-Putin, por në vitin 2018 appeared first on Faktoje.al.

Komisarë të djegur, më mirë një mik se një gradë në polici

8 August 2025 at 14:08

Dhjetëra ankesa dhe padi në gjykatë nga 86 komisarë që fituan gradën, por u lanë në listë pritje duke u djegur karrierën një pjese të tyre. Emërime klienteliste dhe pa gradë përkatëse në poste kyçe?

Nga Sebi Alla

Një vit pritje për tu emëruar në pozicionin e punës sikurse iu jepte këtë të drejtë grada e fituar me konkurs, por në fund, ajo që morën nga strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit ishte lajmërimi që humbën jo vetëm punën sipas gradës, por edhe vetë gradën, duke ua hequr një yll nga supet… Dhjetëra komisarë janë djegur në një proces të dyshimtë emërimesh në strukturat e policisë, duke i detyruar disa prej tyre që t’i drejtohen gjykatës për rikthim të gradës së fituar dhe emërim në pozicionin e punës që i korrespondon këtij titulli. “Nuk është ndjekur procesi i rregullt i emërimeve pozicion pune-gradë dhe pavarësisht se jemi renditur fitues dhe kapur mbi 70 pikë, sikurse e përcakton ligji për Policinë e Shtetit, jemi shmangur padrejtësisht dhe në pozicione pune që i përket gradës komisarë janë emëruar nënkomisarë”, thotë për Faktoje.al një oficer policie, i cili konfirmon se tashmë ka hapur padi kundër Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë me objekt: “detyrim të palës së paditur për dhënien e gradës komisar dhe pozicion të punës që i korrespondon kësaj grade”. Ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në përgjigjen zyrtare për Faktoje.al shprehet ndër të tjera se: “…dhënia e gradës punonjësve të Policisë, në listë pritje, nuk lidhet drejtpërdrejt me renditjen”. Problematikat për emërimet e padrejta, klienteliste apo të ndikuar nga faktorë të tjerë janë ngritur edhe nga oficerë policie me gradën kryekomisarë, të cilët një pjesë prej tyre kanë parashtruar ankesa të shumta dhe më pas si mundësi të fundit shohin gjykatën.

Digj komisarin, punëso nënkomisarin

Më 26 prill 2024 pas përfundimit të procesit të konkurrimit u miratua lista e personave që fitonin gradën drejtues i parë, kryekomisar dhe komisar. Për gradën drejtues i parë nevojiteshin 12 pozicione pune, për gradën kryekomisar 200 dhe për atë komisar 320. Ndonëse në konkurs morën pjesë oficerë për fitimin e tre gradave, problematika është shfaqur kryesisht në emërime të padrejta dhe jo mbi bazën e meritokracisë për gradën kryekomisar dhe komisar. Konkretisht problem më i madh është për gradën komisar.

Sipas ligjit të Policisë së Shtetit, fitonin gradë ata që merrnin mbi 70 % të pikëve. Konkretisht, në nenin 55 të ligjit për Policinë e Shtetit në pikën 2 të saj thuhet: “Shpallen fitues vetëm aplikantët, të cilët kanë marrë një vlerësim jo më të ulët se 70% të vlerës së përgjithshme të pikëve të testimit”. Gradën e fituan 406 oficerë të cilët siguruan mbi 70 pikë nga 100 të mundshmet. Të 320 oficerët e renditur të parët u emëruan menjëherë në postet përkatëse dhe morën gradën, ndërsa pjesa tjetër prej 86 oficerëve që de facto fitonin gradën komisar kaluan në listë pritjeje, deri në hapjen e pozicioneve të punës. Edhe pse rezultoi se u hapën shumë pozicione punë për gradën komisar, emërimet janë bërë edhe me gradën nënkomisar, duke mos iu përmbajtur kriterit të pikëzimit, por edhe gradës. “Duke qenë drejtpërdrejtë të interesuar, jemi informuar se janë hapur vende të lira pune që i korrespondon gradës komisar dhe nuk jemi emëruar ne që ishin në listë pritje dhe me gradën përkatëse, por nënkomisarë”, thotë për Faktoje.al, një tjetër oficer policie, i cili tashmë shpresën e ka vetëm në vendimin gjyqësor.

Punë e “mirë” pa gradë….

Sipas rregullores, nëse brenda harkut kohor të një viti hapen pozicione pune për një gradë përkatëse, titullari është i detyruar të emërojë kandidatin me më shumë pikë në listën e pritjes dhe më pas në rend zbritës deri në plotësimin e vakancave të krijuara. “Nëse ka oficerë që s’kanë qenë në pozicione pune ekuivalente me gradën dhe janë emëruar gjatë vitit të fundit dhe kanë marrë gradë, duke anashkaluar oficerët në listë pritjeje që plotësonin kriteret, atëherë kemi shkelje dhe shpërdorim detyre”, thotë për Faktoje.al, Sadedin Fishta, kreu i Shoqatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit. “Problemi më i madh është me gradën komisar, por kemi pasur ankesa edhe nga kryekomisarë me të njëjtat shqetësime”, pohon ai. Fishta shprehet për Faktoje.al se për këtë shqetësim të ngritur nga shumë oficerë policie ka informuar edhe kreun e Ministrisë së Brendshme Ervin Hoxha. “Pas informimit presim një reagim nga ministri pasi kjo situatë nuk mund të kalojë lehtë, pasi në mënyrë të drejtëpërdrejtë zhbën edhe konceptin e konkurrimit”-thotë Fishta. Megjithatë, emërime janë bërë edhe nga lista prej 86 kandidatëve që ishin në listë pritje, që kishin fituar gradën komisar, por edhe aty nuk është ndjekur kriteri i pikëzimit, për të kaluar nga vendi 321 dhe me emërim zbritës sipas pikëve të fituara. “Kandidatet e renditur poshtë kuotave të shpallura të lira për gradën përkatëse, që janë vlerësuar me të paktën 70% të pikëve të vlerësimit të përgjithshëm, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kanë qëndruar në listën e pritjes për fitimin e gradës, për periudhën 29.04.2024 – 28.04.2025. Referuar dispozitave ligjore në fuqi nëse brenda këtij afati nuk bëhej e mundur dhënia e gradës, punonjësi i nënshtrohet konkurrimit të radhës”, thotë për Faktoje.al Policia e Shtetit. Në këtë mënyrë, një pjese të madhe kandidatëve që ishin në listë pritjeje u është djegur fitimi i gradës, duke i detyruar që të rifuten në konkurrim. Fjalia “nëse brenda këtij afati nuk bëhej e mundur dhënia e gradës, punonjësi i nënshtrohet konkurrimit të radhës”, bien ndesh me pretendimet e ankuesve, pasi “mundësitë” për vende të lira pune që i korrespondonin gradës kanë qenë, por emërimet nuk janë kryer sipas Ligjit për Policinë e Shtetit dhe udhëzimeve përkatëse. Me tre oficerë policie që Faktoje.al komunikoi thanë se disa nga emërimet me gradën nënkomisar në pozicionet e komisarit, ku përfshihen edhe shefa krimesh shpesh nuk kanë pasur certifikatë sigurie, kanë qenë me masë disiplinore dhe nuk kanë konkurruar për gradë dhe gjithashtu nuk kanë vite pune, që të justifikojnë ligjërisht pozicionin që mbajnë.

Në gjyq për punë dhe gradë

Faktoje.al ka ndjekur problemin e emërimeve në polici prej disa kohësh dhe gjithashtu edhe proceset gjyqësore. Në një rast ku ka “padi kolektive”, gjykata administrative (shënim: Faktoje.al e disponon edhe padinë, por ruan konfidencialitetin e efektivëve), i ka kërkuar disa herë juristit që mbron palën e paditur “Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit” që të vendosë në dispozicion të gjykatës emërimet përkatëse (të drejtorive vendore) përgjatë harkut kohor 29.04.2024-28.04.2025 për pozicionin e punës komisar dhe gradën përkatëse të të emëruarve. Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme, as gjykatës nuk i është vënë në dispozicion këto emërime. “Gjatë procesit dukshëm konstatojmë shkelje në emërime, por presim vendimin përfundimtar”, thotë një nga komisarët de facto, por nënkomisar de jure për shkak të mosemërimit sipas meritokracisë. Megjithatë, Policia e Shtetit në një reagim për Faktoje.al, pavarësisht se nuk iu përgjigj pyetjes thelbësore nëse janë emëruar nënkomisarë në pozicione pune që i përket gradës komisar dhe a është zbatuar emërimi sipas pikëzimit në listën e pritjes thanë se: “dhënia e gradës punonjësve të Policisë, në listë pritje, nuk lidhet drejtpërdrejtë me renditjen. Ky proces ka synuar të sigurojë një përputhje të drejtë dhe të balancuar midis kërkesave të institucionit dhe zhvillimit profesional të punonjësve, duke ruajtur gjithmonë transparencën dhe objektivitetin në vlerësim”. Pavarësisht këtij qëndrimi, Faktoje.al ka mësuar se të 86 oficerët me gradën komisar që kaluan në listë pritje për emërim pasi dolën fitues kanë ndjekur të gjithë trajnimet e nevojshme post konkurrim për të cilët janë vlerësuar për profesionalizëm. 

Gradë e “zhgraduar”

Emërimet pa meritë në Policinë e Shtetit duket se janë një fenomen i hershëm, që herë pas here kthehet në çështje serioze, duke anashkaluar aspektin profesional dhe vendosur atë klientelist, miqësor apo deri në akuza për “korruptim në emërime”. Një fakt të tillë e pranon edhe kreu i Shoqatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit Sadedin Fishta. Pikërisht për të shmangur “emërimet me taraf miqësor apo politik”, Gjykata e Lartë në një vendim unifikues në gusht të vitit 2021 mori vendimin që gradat nga nënkomisar deri në nivel drejtues i parë duhet t’i nënshtrohen procedurës së vlerësimit konkurrues. “Procesi i fitimit të gradave policore nga niveli “nënkomisar” deri në nivelin “Drejtues i Parë”, duhet t’i nënshtrohet domosdoshmërisht procedurës së vlerësimit konkurrues, sipas parashikimeve të neneve 50-60 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”. Plotësimi i kritereve formale për fitimin e gradës, si vjetërsia në gradën pararendëse dhe/ose ushtrimi efektiv i funksionit në përputhje me gradën e pretenduar, nuk mund të sjellin fitimin gjyqësisht të gradës policore, pa iu nënshtruar më parë punonjësit e Policisë së Shtetit një procesi vlerësimi konkurrues nga komisioni i gradimit”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë. Kjo çështje u mor në shqyrtim pikërisht për t’i prerë rrugë emërimeve klienteliste në Policinë e Shtetit, duke e detyruar këtë të fundit që emërimet të bëheshin mbi bazën e gradës dhe meritokracisë pas konkurrimit. Rasti i komisarëve tashmë është në duart e Gjykatës Administrative, por çështja e shkeljeve ligjore mund të kalojë edhe në denoncime për ndjekje të mundshme penale për krerët e Policisë së Shtetit për çështjen e emërimeve pa kriter në radhët e policisë.

The post Komisarë të djegur, më mirë një mik se një gradë në polici appeared first on Faktoje.al.

Në Elbasan digjen plehrat, në Cërrik fjalët…

2 July 2025 at 17:54

Në Elbasan digjen plehrat, në Cërrik fjalët…

Zjarri në vendgrumbullimin e mbetjeve, kronika e një katastrofe mjedisore të përsëritur

Nga Esmeralda Topi dhe Atdhe Mulla

Sapo del nga tuneli i Elbasanit, nuk të pret as panorama e qytetit, as flladi i Shkumbinit. Të pret një mur i dëndur tymi, që të hyn në mushkëri përpara se të arrish të thuash “mirëdita”.

Shtëllungat e tymit, si një perde helmuese, mbulojnë çdo cep të qytetit. Është një skenë që duket si film katastrofe, por që në Elbasan është kthyer në kronikë të përsëritur.

Në fushën e mbetjeve pranë lumit Shkumbin, zjarri ka shpërthyer sërish. Dhe me të, është rikthyer edhe ajo që banorët e quajnë “ferri i përvitshëm”. Një ferr që djeg, që mbyt, që ndot, ndërsa mbi plehra qëndron si fantazmë e heshtur inceneratori i shumë reklamuar, që vetëm plehra nuk djeg.

Ahmet Mehmeti, një nga zërat e paktë që ende guxon të flasë për ndotjen në Elbasan, e përshkruan situatën pa zbukurime: “I gjithë qyteti u karantinua dje, por jo nga ndonjë virus. Nga tymi. Nuk merrej frymë,” thotë ai për Faktoje.al.

 

Sipas Mehmetit, zjarret në vendgrumbullimin e mbetjeve nuk janë aksidentale, por produkt i një politike që favorizon incenerimin në letër dhe djegien primitive në terren.

“Hajduti është në tokë, mos e kërkoni në ajër,” ironizon ai. “Derisa politika të kuptojë që menaxhimi i mbetjeve nuk bëhet me fjalime, por me riciklim real, do ta pimë tymnajnë çdo vit.”

“Derisa politika të kuptojë që menaxhimi i mbetjeve nuk bëhet me fjalime, por me riciklim real, do ta pimë tymnajnë çdo vit.”

Në krah të fushës me plehra që digjen, ngrihet inceneratori i famshëm, simbol i premtimeve për “standard europian”, por që tani duket më shumë si dekor i një teatri politik.

Në prill të 2017-s, kryeministri Rama e inaguroi këtë objekt me pompozitet, duke shpallur fundin e plehrave që digjeshin në qiell të hapur.

“Nga fusha e plehrave që digjeshin në qiell të hapur e helmonin gjithë qytetin, në fushën sanitare të standardeve europiane ku mbetjet shfrytëzohen për prodhim energjie”, tha Rama 8 vite më parë.

Tetë vjet më pas, pamja është e njëjtë, tymi po aq helmues, ndërsa energjia e premtuar është zhdukur bashkë me besimin te institucionet.

Ironia arrin kulmin kur mësojmë se kryeministri vetë ndodhet në Cërrik, vetëm pak kilometra larg, në një mbledhje me fokus… bujqësinë. Zor se ka shpëtuar pa parë tymin, zor se i ka shpëtuar erës. Por me shumë mundësi, mund të ketë kujtuar dhe inaugurimin e inceneratorit.

Në Cërrik ka heshtje. Asnjë fjalë për katastrofën mjedisore që ka mbërthyer Elbasanin dhe zonën përreth.

Elbasan_Djegja e Mbetjeve_028 copy
Elbasan_Djegja e Mbetjeve_024 copy
Elbasan_Djegja e Mbetjeve_001 copy
Elbasan_Djegja e Mbetjeve_022 copy
Elbasan_Djegja e Mbetjeve_019 copy
Elbasan_Djegja e Mbetjeve_013 copy
Elbasan_Djegja e Mbetjeve_020 copy

Në vendgrumbullimin e mbetjeve, dy zjarrfikëse, me motorët që gumëzhinin pa pushim, përpiqen të mbajnë nën kontroll zjarrin duke marrë ujë nga Shkumbini. Tymi këtë të mërkurë kishte gjetur rrugëtjetër, ishte zhvendosur nga Elbasani drejt Cërrikut, sipër t’i kujtuar qeverisë aromën e hidhur të dështimit me mbetjet.

Disa kilometra më tej, në fshatin Bujqës banorët jetonin nën re të dendura tymi dhe një erë të padurueshme. Edhe pse kishim vendosur maska, ndjesia e djegies në rrugët e frymëmarrjes ishte e fortë.

“Na sëmurën,” tha Nazmi Pisha, banor i këtij fshati, që na priti para portës së shtëpisë. Nipi i tij, vetëm 15 muajsh, kishte vjellë tërë natën nga tymi që depërtonteedhe pas dritareve të mbyllura.

“Sa s’më plasi fëmija, tërë natën nuk pushoi”, thotë e shqetësuar Lije Pisha, nëna e vogëlushit.

“Nuk rrimë dot as jashtë as brenda”, ankohen njëzëri anëtarët e familjes Pisha.

“Sa s’më plasi fëmija, tërë natën nuk pushoi”, thotë e shqetësuar Lije Pisha, nëna e vogëlushit.

Çfarë thonë autoritetet?

Ministria e Mbrojtjes raportoi këtë të mërkurë se, vatrat në vendgrumbullimin e mbetjeve në bashkinë Elbasan mbeten ende aktive, pavarësisht përpjekjeve të shumta për t’i izoluar.

Përpjekjet vazhdojnë me 3 automjete zjarrfikëse dhe 15 efektivë të bashkisë Elbasan, 2 automjete me 10 efektivë dhe një traktor me zinxhirë të Forcave tëArmatosura, ndërsa priten të mbërrijnë edhe 3 zjarrfikëse nga bashkitë e tjera.

Ndërsa, për Leli Kaja, administratorin e EcoElb (kompania publike që menaxhon landfillin) situata këtë të mërkurë është më e qetë.

“Po e vëmë në kontroll zjarrin. Ka disa vatra të vogla të brendshme që nxjerrin tym, me ato po merremi. Nuk ka nevojë për ndërhyrje nga ajri.” tha shkurt ai për Faktoje.al.

Elbasani, qyteti më i ndotur pas Tiranës

Pas Tiranës, Elbasani vlerësohet si qyteti më i ndoturnë Shqipëri, me nivele të larta të monoksidit të karbonit(CO) dhe dioksidit të azotit (NO₂), ndotës qëshkaktojnë probleme serioze shëndetësore dhedëmtime mjedisore.

Sipas monitorimeve të fundit, grimcat PM10 tejkalojnë normat e lejuara me 19.6%, duke e renditur qytetinndër më problematikët për cilësinë e ajrit.

Në të njëjtën kohë, të dhënat e INSTAT tregojnë një rritje të vdekjeve në 2024, lidhur kryesisht me tumoret, sëmundjet e gjakut dhe ato kardiovaskulare, ku faktorë mjedisorë si ndotja e ajrit dhe djegia e mbetjeve luajnë rol të rëndësishëm.

Sot, në Elbasan, tymi ka mbuluar gjithçka: fushat, rrugët, shtëpitë, fëmijët. Vetëm një gjë duket më e trashë se tymin: heshtja e autoriteteve.

Zjarrfikësit luftojnë me zjarrin, qytetarët me sëmundjet, ndërsa politika, me kujtesën. Kujtesën që herë e mbulon me premtime të ricikluara dhe herë me tym.

Por në këtë qytet, tymi nuk zhduket me propagandë, dhe inceneratorët nuk funksionojnë me foto e video inaugurimesh. Deri atëherë, Elbasani do të mbetet aty ku është: mes zjarrit, ndotjes dhe indiferencës.

The post Në Elbasan digjen plehrat, në Cërrik fjalët… appeared first on Faktoje.al.

Skemë mashtruese shitja e valixheve të humbura në Rinas

24 June 2025 at 16:04

Pretendimi: Aeroporti Nënë Tereza po organizon shitjen vjetore të bagazheve të pakërkuara për vetëm 199 lekë.

Verdikti: E pavërtetë, Skemë mashtrimi

——————————————————————–

Një skemë mashtrimi, ku pretendohet se Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po shet valixhet e humbura për 199 lekë, po qarkullon në Facebook. Faktoje verifikoi se kemi të bëjmë me faqe të rreme, që ka si qëllim marrjen e të dhënave private të qytetarëve.

Kjo faqe, e cila pretendon se i përket TIA ka rreth 170 ndjekës në Facebook, duke nxitur dyshimet që kemi të bëjmë me një faqe të rremë. Gjithashtu, në postimin e bërë për valixhet vihet re se shumica e komenteve janë nga profile të huaja të rreme. Komentet e bëra duket qartë që janë të sajuara, me qëllim rritjen e besueshmërisë te ndjekësit në rrjetet sociale.

Nëse klikojmë linkun hapet një faqe e sajuar me logon e TIA. Qëllimi është vjedhja e të dhënave private të qytetarëve.

Në faqen zyrtare të Tirana International Airport në Facebook, e cila ka 47 mijë ndjekës në rrjetet sociale, nuk shihet asnjë postim që të njoftojë për një ofertë të tillë.

The post Skemë mashtruese shitja e valixheve të humbura në Rinas appeared first on Faktoje.al.

Kryeministri Rama nuk e ndoqi ndeshjen përkrah Altin Dumanit

16 June 2025 at 10:06

Pretendimi: Edi Rama dhe kreu i SPAK Altin Dumani ishin ulur bashkë në tribunën VIP në ndeshjen Shqipëri-Serbi

Vlerësimi: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

Në datën 7 qershor kombëtarja shqiptare u ndesh me atë serbe në stadiumin Air Albania në Tiranë, në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të Botërorit 2026.

Stadiumi ishte i mbushur me mbështetës të skuadrës kuq e zi dhe pamjet e tifozëve u shpërndanë gjerësisht në rrjet. Një prej këtyre imazheve tregonte tribunën VIP ku në foto dukej kreu i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Altin Dumani. Pranë tij dukej të qëndronte kryeministri Edi Rama.

“Si rastësisht” shkruan në përshkrimin e fotos një portal online. “Ja dhe drejtësia ulur me…”, pretendohet në një tjetër titull.

Si duket edhe nga komentet e qytetarëve në këto publikime, kjo foto është marrë për e vërtetë dhe duket se ironizon “afërsinë” mes Altin Dumanit, kreut të SPAK, dhe kryeministrit Edi Rama. Por në fakt, me një kërkim të thjeshtë në rrjet kuptohet se imazhi është i modifikuar.

Duke përdorur “Google Lens” Faktoje gjeti se në fakt fotografia e vërtetë tregon vetëm kreun e SPAK, Altin Dumani duke ndjekur ndeshjen mes Shqipërisë dhe Serbisë. Në krah të tij duket se nuk është Kryeministri Edi Rama.

Imazhi i modifikuar është shpërndarë edhe nga faqe apo personazhe të tjera ne rrejte sociale, por është shënjuar si një imazh i pavërtetë.

Ky shënim është veçanërisht i rëndësishëm për llogari që shpërndajnë informacione, apo portale online lajmesh, ku pritshmëria e lexuesve për të marrë informacion të besueshëm është më e lartë.

Zgjedhje me burime shtetërore?! Drejtorët e PS, më të votuarit, “vranë” garën edhe brenda llojit  

15 May 2025 at 20:00

Nga Sebi Alla- Me tre drejtorë në listën e hapur, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku theu çdo rekord votash në Qarkun Fier, duke marrë tre mandate më shumë nga zgjedhjet e vitit 2021. PS siguroi 12 mandate deputetësh nga 16 gjithsej, teksa mposhti jo vetëm rivalët politik në çdo drejtim, por edhe të ngjashmit brenda partisë.

Drejtorët e deridjeshëm, janë në krye me diferencë të madhe votash preferenciale, duke rrëmbyer me të dyja duart mandatin e deputetit. Situata e ngjashme është në të gjithë qarqet e vendit.

Shumë nga drejtorët vetëm origjina e largët mund t’i lidhte me qarkun ku kandiduan, por ndikimi në votë ishte mjaft i madh për ta, teksa ngrihen  pikëpyetje për formën e fushatës dhe përdorimin e burimeve njerëzore dhe infrastrukturore të drejtorive përkatëse në shërbim të zgjedhjeve, që në fund u përkthyen me dhjetëra mijë vota personale.

Fieri, rreth e qark me drejtorë

Në Qarkun Fier, që përfshin Bashkitë Fier, Lushnjë, Divjakë, Mallakastër, Roskovec dhe Patos, në listat e hapura të PS-së pati tre funksionarë të rëndësishëm. Ceno Klosi, ish-drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, së fundmi zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjitikës, siguroi vendin e parë në listën e hapur me rreth 17 mijë vota.

Pas tij, Klevis Jahaj, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, mori rreth 13 mijë vota.

I pesti në renditje është Elton Korreshi, ish-drejtor i Taksave dhe Tarifave Vendore, Bashkia Lushnjë, aktualisht edhe nënkryetar i kësaj bashkie. Që të tre në shtatorin e vitit të ardhshëm do jenë në Parlament.

Durrës

Edhe Qarku Durrës ka një numër të madh drejtorësh të cilët vendosën t’i futen politikës së “madhe” dhe për ta nuk rezultoi aspak nismë e dështuar. Hekurudhë ende nuk kemi, por drejtor po. Ani Dyrmishi, Drejtor i Përgjithshëm i Hekurudhave Shqiptare, kandidoi në listat e hapura të PS-së për Qarkun Durrës.

Në fund kur u numëruan votat preferenciale, Dyrmishi siguroi vendin e dytë me rreth 12 mijë vota preferenciale.

Të vetmin që nuk kaloi është Arkend Balla, me mbi 18 mijë vota, ai u bë deputet kur nuk e priste, pas dorëheqjes së Rrahman Rrajës. Lista me drejtorë vijon më tej ku Etleva Budini, Drejtore e Filialit Durrës të Postës Shqiptare, renditet e pesta me mbi 4 mijë vota dhe në listën më poshtë në vendin e shtatë është Indrit Gjoka, drejtor i Portit Durrës. Po në këtë qark, drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit Krujë zuri vendin e gjashtë me mbi 3 mijë vota preferenciale.

Korçë

Në Korçë lista e PS-së përveç figurave politike në listën e mbyllur sugjeronte në listën e hapur kandidatë me “potencial”, jetëshkrimi profesional i të cilëve lidhej kryesisht me drejtimin e drejtorive të ndryshme. Para se të emërohej zëvendësministër në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arian Jaupllari, mbante detyrën e drejtorit të Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme Rregullatore dhe të Përputhshmërisë në Bujqësi, Ushqim dhe Zhvillim Rural. Gjithashtu edhe Besa Spaho, që në jetëshkrimin e saj thekson se ka drejtuar agjencinë e ALUIZNI-t Tirana Jug por edhe Kadastrën lokale, ka siguruar në Korçë 6691 vota preferenciale.

Elbasan

Gati është në kufijtë e çdo thyerje rekordi, një emër thuajse i panjohur në publik, Sara Mila, ka mundur të sigurojë 18 626 vota dhe është në prag të kalimit të mbi 20 mijë votave kur të lexohet edhe vota e diasporës. Mila mbante detyrën e drejtoreshës së Shërbimit Social Shtetëror në Elbasan. Lista e drejtorëve vijon më tej në Elbasan, por pa iu afruar në asnjë moment Sara Milas, e cila ka “mposhtur” në vota edhe drejtorët e rëndësishëm që kandiduan në Qarkun Fier.

Përfundimi

Pjesa më e madhe e kandidatëve për deputetë që garuan në zgjedhjet e 11 majit janë nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës. Disa prej tyre kanë çështje të hapura në Prokurorinë Speciale SPAK, por ende pa masë dhe komunikim akuze. Tashmë që kanë fituar mandatin e deputetit çdo kërkesë për masë sigurie “arrest shtëpie”, apo “arrest me burg”, do të duhet të merret miratim nga Kuvendi i Shqipërisë dhe mandati i bën disi imun edhe në përballjen me drejtësinë.

The post Zgjedhje me burime shtetërore?! Drejtorët e PS, më të votuarit, “vranë” garën edhe brenda llojit   appeared first on Faktoje.al.

❌