Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 January 2026Abc News

Vodhën 22 milionë lekë nga fondi i postës/ Procedohen penalisht dy punonjëset në Devoll

By: Rovena
16 January 2026 at 14:35

Policia e Korçës ka proceduar penalisht dy punonjëse të Postës Shqiptare, filiali Vishocicë, Devoll. Dy të rejat, 29 dhe 27 vjeç ka vjedhur nga fondi i postës një shumë prej 22 milionë lekësh të reja.

“Nga hetimet dyshohet se këto shtetase, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, gjatë periudhës shtator 2025 – janar 2026, kanë vjedhur rreth 22 000 000 lekë të rinj nga fondi i postës, duke shpërdoruar detyrat. Shtetasja P. Sh. dyshohet se ka përvetësuar dhe shpërdoruar fondet e pensioneve dhe të ndihmës ekonomike (kryesisht të pensionistëve që jetonin jashtë shtetit), duke falsifikuar nënshkrimet e tyre, ndërsa shtetasja E. Ç. dyshohet se ka manipuluar, hequr dhe falsifikuar mandatpagesat nga evidenca e librave të arkës dhe sistemit të menaxhimit të parave cash, për të favorizuar vjedhjen e fondeve nga 29-vjeçarja”, njofton policia.

Shakaja me gazetarin/ Rama ndaj mediave greke: U nxor nga konteksti, e kthyen në polemikë publike me pathos nacionalist

By: Rovena
16 January 2026 at 14:28

Gjatë fjalës së tij në Samitin e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi, kryeministri Edi Rama bëri një shaka me gazetarin grek, ku i tha se mendoni se jeni trashëgimtarë të Platonit dhe të Aristotelit, por nuk jeni.

Biseda:

Kryeministri Edi Rama: Si grek duhet ta njohësh mirë.

– Nuk e di sa më shumë mund ta njoh.

Kryeministri Edi Rama: Sepse prireni t’i nënvlerësoni pak njerëzit. Mendoni se keni monopolin e filozofisë dhe jeni trashëgimtarë të Platonit dhe të Aristotelit, por nuk jeni.

Kjo fazë e kryeministrit Rama si duket ka ngjallur reagime në shtetin fqinj. Për të hequr çdo tumnajë dhe spekulim, kreu i qeverisë me anë të një postimi në “X” tha se shakaja/ fjalia me nota humor është nxjerrë nga konteksti dhe është përdorur nga mediat greke si polemikë publike me pathos nacionalist.

“Jam i mahnitur nga reagimi i disa mediave në Athinë e i ndonjë politikani të lodhur grek lidhur me tonet e mia aspak tendencioze, po me humor miqësor gjatë bashkëbisedimit me gazetarin e nderuar John Defterios në panelin e organizuar gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi!

Është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor, të shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist, gjë që fatkeqësisht në Athinën mediatike ndodh shpesh!

Por i siguroj të gjithë të shqetësuarit e të lënduarit, se nuk kam as më të voglin dyshim që Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe që Greqia e Lashtë është shtrati i qytetërimit europian;  që kultura greke meriton vetëm admirim, jo vetëm për filozofët e lashtësisë po edhe për poetët, shkrimtarët, kineastët e muzikën që i ka dhënë njerëzimit; që Greqia është një vend për të cilin unë ushqej ndjenjat më pozitive, që populli grek është për mua  një fqinj i pazëvendësueshëm e vëlla i patjetërsueshëm i popullit shqiptar dhe që për kryeministrin e Greqisë ushqej një respekt të veçantë!

U kuptuam? Shpresoj po.

Por ama mos më kërkojë askush ndër të shqetësuarit dhe të lënduarit me humorin tim, që kush shkruan e flet greqisht me pathosin nacionalist të të larpërmendurve, të më duket si pasardhës i Platonit dhe Aristotelit!”, ka reaguar Rama.

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR dhe Policisë së Kosovës

By: xhir jeta
16 January 2026 at 14:18

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj S.R., i cili u arrestua një ditë më parë nën dyshimet për sulm ndaj pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe të Policisë së Kosovës më 2023.

Gjykata tha se vendimi për paraburgim ishte masë adekuate për shkak të rrezikut se nëse i pandehuri do të lihej në liri, ai do të mund të arratisej, pasi që ka edhe nënshtetësi të Serbisë dhe “në këtë mënyrë do të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë”. Po ashtu, duke argumentuar masën e paraburgimit, Gjykata tha se nëse S.R. do të lihej në liri ai do të mund të asgjësojë apo ndryshojë provat dhe të pengojë hetimet.

Sipas njoftimit, S.R. dyshohet se më 29 maj të vitit 2023, nga ora 06:00 deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin e Komunës së Zveçanit, në koordinim me të dyshuar tjerë serbë nga Kosova dhe Serbia, përmes dhunës kanë tentuar që të “pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit” dhe përkundër urdhrave të KFOR-it për shpërndarjen e qetë të turmës, ai dhe të tjerët kanë ushtruar dhunë ndaj tyre. Sipas Gjykatës Themelore, i pandehuri dhe serbët e tjerë kanë përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri, “nga të cilat janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, tre nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovë, si dhe në veturat e gazetarëve të cilët kanë mbuluar ngjarjet e kësaj dite, të cilat përfshijnë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtimin fizik në masë të madhe”.

S.R. ka të drejtë që të ankohet për këtë vendim në Gjykatën e Apelit.

Ai u arrestua të mërkurën gjatë një aksioni të prokurorëve dhe hetuesve policorë nga Drejtoria për Krime të Rënda dhe Krim të Organizuar.

“Në vendbanimin e të dyshuarit është zbatuar urdhër kontrolli, ku janë gjetur prova materiale që do të shërbejnë gjatë procedurës penale”, u tha në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës të publikuar më 14 janar.

Ai dyshohet për disa vepra penale, sikurse bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, si dhe sulm ndaj personit zyrtar.

Më shumë se 90 pjesëtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime – disa prej tyre lëndime të rënda – pas përleshjes me protestuesit serbë në maj të vitit 2023 në Zveçan. Të lënduar kishte edhe në anën e protestuesve.

Dhuna në Zveçan shpërtheu pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më herët po atë vit, që u bojkotuan nga serbët lokalë.

Për ngjarjet në Zveçan, janë arrestuar dhe akuzuar dhjetëra persona, dhe disa janë dënuar me burgim pas marrëveshjeve me prokurorinë për pranimin e fajësisë.

Për dhunën në Zveçan, Kosova e ka fajësuar Serbinë, duke thënë se pas dhunës qëndruan “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Por, Beogradi e ka hedhur poshtë këtë akuzë, duke thënë se Qeveria e Kosovës po synonte që të shtynte serbët “drejt një konflikti të ri me NATO-n”.

NATO-ja vazhdimisht ka kërkuar që autorët e dhunës të mbahen përgjegjës./rel

Begaj emëron Kundëradmiralin e ri të Forcave Detare/ Dekreton me titullin “Gjeneral Brigade” 3 kolonelë

By: Rovena
16 January 2026 at 14:09

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ka dekretuar këtë të premte lirimin e Nënadmiral Adnand Dëfrim Agastra nga detyra e Komandantit të Forcës Detare.

Begaj emëroi gjithashtu Kundëradmiral Arsen Burhan Mullaj në detyrën e Komandantit të Forcës Detare.  Koloneli Razije Kadri Mehmeti me detyrë “Drejtor” në Drejtorinë e Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak J-9 në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, mori gradën “Gjeneral Brigade”.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, dekretoi gjithashtu dhënien e gradës madhore “Gjeneral Brigade” për Kolonel Fatmir Sadri Neziraj, me detyrë “Drejtor” në Drejtorinë e Operacioneve dhe Stërvitjes J-3/7 në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura si dhe për Kolonel Edmond Abaz Voci, me detyrë “Komandant i Qendrës së Kontroll Raportimit” në Forcën Ajrore./abcnews.al

“PS, ‘tërmet’ angazhimi për mbylljen e negociatave”/ Çupi: Opozita e destinuar të prishë punët me BE

By: Rovena
16 January 2026 at 13:37

Procesi i negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian ka hyrë në një fazë vendimtare, u theksua gjatë një mbledhjeje prej disa orësh të kryeministrit Edi Rama me grupin parlamentar të Partisë Socialiste.

I ftuar në emisionin “News Line” në ABC News, analisti Frrok Çupi vlerësoi se institucionet po funksionojnë në kushte normale dhe se vendi ndodhet përpara një angazhimi të paprecedentë për mbylljen e grup-kapitujve deri në vitin 2027.

Sipas tij, roli i Parlamentit është kyç në përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së, ndërsa procesi kërkon një angazhim gjithëpërfshirës dhe durim politik në një moment që ai e cilësoi historik për integrimin europian të Shqipërisë.

“Gjithçka është në kushtet normale, institucionet funksionojnë në gjendje normale. Po afrohet puna, erdhi koha për Bashkimin Europian. Viti 2027 vjen shpejt, dhe duhen mbyllur grup-kapitujt për anëtarësimin në BE. Është një tërmet për pjesën e angazhimit, ndodh për herë të parë në vendin tonë dhe është një aksion gjithëpërfshirës. Siç e tha dhe vetë kryeministri do të mblidhemi herë pas herë për afrimin e legjislacionit.

Pse parlamenti?! Sepse mban gjithë barrën legjislative. Parlamenti duhet që t’i hapë rrugë luftës së keqes. Parlamenti mban përgjegjësi morale. Realiteti është, që opozita është e destinuar dhe e angazhuar që do të prishë punën e Bashkimit Europian. Europianët, por dhe ne e dimë që opozita nuk është faktor, megjithatë mazhoranca e ka për detyrë që të bëjë sikur është faktor, me qëllim që të destabilizohet e keqja dhe kjo kërkon durim, kulturë dhe angazhim. Është detyruar mazhoranca të veshë bukur një opozitë që i ka dalë boja. Është një karakatinë e dëmshme, e ka që në gjenezë prishjen e negociatave me BE. Me opozitën e Shqipërisë, Bashkimi Europian i ka mbyllur hesapet”, tha Çupi.

Mbledhja e Grupit PS/ Balla: Shqipëria drejt BE-së në 2030, 40 muaj punë dhe agjendë intensive reformash në Kuvend

By: xhir jeta
16 January 2026 at 13:25

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në mbledhjen e parë të grupit për vitin 2026 theksoi se prioriteti strategjik i mazhorancës është mbyllja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE deri në fund të vitit 2027 dhe finalizimi i procesit të anëtarësimit deri në vitin 2030, duke kërkuar angazhim maksimal të deputetëve në miratimin e ligjeve të integrimit dhe rritjen e disiplinës parlamentare.

– Angazhimi i 83 deputetëve të mazhorancës për përmbushjen e këtyre objektivave gjatë 40 muajve në vijim.

– Nevoja për ditë të gjata pune në komisione dhe seanca plenare për shkak të numrit të madh të ligjeve që lidhen me integrimin europian.

– Zbatimi i procedurës së përshpejtuar për ligjet që lidhen me përafrimin e legjislacionit me BE-në.

– Nevoja për ndryshime në Rregulloren e Kuvendit për rritjen e efektivitetit të kontrollit parlamentar.

– Përgjegjësia e Kuvendit për kontrollin e zbatimit të vendimeve të GjEDNJ lidhur me ngjarjet e 21 Janarit.

– Domosdoshmëria e përfundimit të Reformës Zgjedhore dhe Reformës Administrative Territoriale përpara zgjedhjeve vendore 2027.

– Reforma Zgjedhore:

– Adresimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR.
– Depolitizimi i administratës zgjedhore.
– Nxjerrja më e shpejtë e rezultatit zgjedhor.
– Diskutimi për numërimin në qendrat e votimit.

– Gatishmëria për bashkëpunim me opozitën për Reformën Zgjedhore dhe Reforma të tjera.

– Miratimi i Ligjit organik për funksionimin dhe organizimin e Kuvendit të Shqipërisë.

Balla ndër të tjera vuri theksin edhe te forcimi i rolit kontrollues të Kuvendit, pavarësia e institucioneve të pavarura, lufta kundër dezinformimit dhe respektimi strikt i rregullores parlamentare, me fokus të qartë te shqetësimet reale të qytetarëve dhe rruga europiane e vendit.

Fjala e plotë e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla:
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste të Shqipërisë e nis këtë sesion parlamentar, në këtë vit të ri politik, me bindjen dhe angazhimin e palëkundur se misioni ynë kombëtar i bashkimit të plotë me Europën s’ka qenë kurrë më i qartë dhe më afër.
Detyra e secilit prej 83 mandateve tona në këtë sallë s’ka qenë kurrë më e qartë dhe më konkrete sesa sot, nesër dhe për çdo ditë në 40 muajt në vijim, deri në ditën kur do t’i kërkojmë popullit shqiptar mandatin tonë të pestë qeverisës, diku në mes të pranverës 2029.
Përgjatë kësaj kohe, tre janë objektivat dhe sfidat tona për Shqipërinë 2030:
1. Të mbyllim negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian në fund të vitit 2027;
2. Të mundësojmë ratifikimin në 27 parlamentet e vendeve anëtare të Vendimit të Këshillit Europian për anëtarësimin e Shqipërisë në BE gjatë vitit 2028, mundësisht para zgjedhjeve për Parlamentin Europian – maj 2029;
3. Të ngremë deri më 28 Nëntor 2030 flamurin tonë kuqezi në oborrin e familjes së bashkuar europiane.
Siç e shikoni, objektivat tona janë të qarta dhe fakti që në agjendën tonë europiane tanimë e numërojmë me ditë, besoj do t’i bëjë edhe të tjerët, në atë pjesë që u ka mbetur të ulur në një pjesë të krahut të djathtë të sallës së seancave plenare, të kuptojnë qartë se ne nuk kemi asnjë ditë për të humbur.
Në kuadër të këtyre objektivave, ne po përcaktojmë në këtë mbledhje të zgjeruar sot edhe kalendarin tonë politik të detyrave që na takojnë, në përmbushje të këtyre objektivave që kryetari Rama i tha në fillim të mbledhjes dhe unë i përmblodha në fillim të fjalës sime.
Për shkak të numrit të madh të ligjeve që lidhen me procesin e përafrimit të legjislacionit apo përmbushjen e kushteve për anëtarësim, duhet të jemi gati për ditë të gjata pune në komisione dhe në seanca plenare pune.
Kjo kërkon një angazhim më të madh të çdo anëtari të Grupit tonë Parlamentar dhe, kur them angazhim më të madh, performancën dhe korrektesën në pjesëmarrje të sesionit të parë duhet ta shohin të gjithë si një moment reflektimi për sesionin që nisim dhe në viim. Të dhënat për secilin do të jenë në raportin që do të paraqesë Sekretari i Grupit.
Në dhjetor, Kuvendi miratoi ndryshimet në ligjin “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të RSH në BE”, ku thelbi i ndryshimeve ishte pikërisht ajo që kryetari Rama na kërkoi, parashikimi i procedurës së përshpejtuar për shqyrtimin dhe miratimin e ligjeve që synojnë përafrimin e legjislacionit dhe përmbushjen e kritereve/detyrimeve të anëtarësimit. Gjatë sesionit të parë kemi shqyrtuar dhe miratuar 9 ligje me objekt përafrimin e legjislacionit tonë kombëtar me acquis të Bashkimit Europian. Ndërsa sot që flasim janë në proces një numër i madh projektligjesh.
Ndryshimet në ligjin “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të RSH në BE” na detyrojnë të ndërmarrim sapo të rikthehemi ditën e hënë edhe ndryshime në Rregulloren e Kuvendit, ku, siç edhe e kemi thënë publikisht, duhet të përmirësojmë dhe rrisim efektivitetin e kontrollit parlamentar, ndërsa lidhur me procesin e raportimit në Kuvend të institucioneve, agjencive etj., duhet të zbatojmë të njëjtat mekanizma dhe procedura si në praktikat dhe eksperiencat më të mira në vendet e BE-së. Raportimet nuk duhet të jenë formale, na duhet qasje e re, krejtësisht.

Legjislatura aktuale arriti të zhbllokojë brenda sesionit të vet të parë ngërçin e trashëguar nga legjislatura e kaluar për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, në një proces model, ku edhe sipas traditës parlamentare shumica votoi një kandidaturë të propozuar ekskluzivisht nga opozita. Lidhur me procesin e zgjedhjes së Komisionerit të ri kundër Diskriminimit, për shkak të mbarimit të afateve pa kandidatë të mbështetur, komisioni përgjegjës do të rihapë menjëherë procesin, për ta zgjidhur edhe këtë ngërç sa më parë. Kemi përgjegjësinë, duke reflektuar edhe mbi gjetjet dhe rekomandimet e Raportit të Progresit nga Komisioni Europian, të mbështesim pavarësinë e këtyre institucioneve, me drejtues profesionistë.
Të mërkurën e ardhshme bëhen 15 vite nga tragjedia dhe krimi shtetëror i 21 Janarit, ndërsa presim nga drejtësia, veçanërisht nga Prokuroria e Posaçme, zbatimin e vendimeve të GJEDNJ-së dhe Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, lidhur me plot aspekte të asaj ngjarjeje kriminale. Ne nuk kemi hyrë asnjëherë në meritën apo përmbajtjen e dosjeve penale, por Kuvendi i Shqipërisë ka përgjegjësi në kontrollin e zbatimit të vendimeve të GJEDNJ-së bashkë me ministrinë e drejtësis siç na e kujtoi Njazi Jaho.
Zonja dhe zotërinj deputetë,
Në një nga të dielat mes 15 prillit – 15 majit 2027, Shqipëria do të mbajë zgjedhjet e radhës vendore.Të hënën Kuvendi i Shqipërisë fillon sesionin e tij të dytë të kësaj legjislature; në vjeshtë, Presidenti i Republikës do të dekretojë edhe datën e Zgjedhjeve Vendore 2027.
E pra, një detyrë tjetër kryesore dhe e përbashkët me opozitën, nëse ata duan të përfshihen, përgjatë këtij sesioni të dytë të kësaj legjislature deri në fund të korrikut, duhet të jetë finalizimi i Reformës Zgjedhore.
Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore duhet të adresojë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, ku përparësi të veçantë në vlerësimin tonë sikurse e ka thënë kryetar i Rama në asamble, ka depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore. Duhet të marrë fund kjo qasje e papranueshme për një vend anëtar të BE-së: partitë votohen, partitë numërojnë dhe votat e tyre.
Gjithashtu, të gjithë ia themi njëri-tjetrit majtas-djathtas, në ato netët pafund të numërimit në pallatet e sportit apo palestrat e shkollave, dhe me deputetët e opozitës e bejmë këtë bisedë sa herë kemi zgjedhje. Dhe këtu duhet ta ripërsërisim me zë të lartë nevojën e nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve në një kohë më të shkurtër, pse jo, të mos kryhet numërimi në qendrat e votimit.
Fakti është se, qoftë për komisionet zgjedhore partiake, qoftë për vonesën në nxjerrjen e rezultatit zgjedhor, koha nuk pret më as për zgjedhjet vendore 2027.
Reforma zgjedhore, sa i përket Kodit Zgjedhor, kërkon të paktën 84 vota në Kuvend. Por ne e kemi bërë publike ambicjen tonë për një reformë më të thellë, e cila të përfshijë edhe zvogëlimin e numrit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në të paktën 101 deputetë.
Ndërsa jemi të gatshëm të diskutojmë edhe propozime të tjera të natyrës kushtetuese për Kuvendin e Shqipërisë, si vend anëtar i BE-së.
Reforma e fundit administrative-territoriale u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë më 31 korrik 2014, vetëm me votat e shumicës dhe të një pjese të opozitës që pranoi të bashkëpunonte.
Pas tre mandatesh, në zgjedhjet vendore 2027 duhet të shkojmë me ndarjen e re administrative-territoriale. Prandaj, komisioni i posaçëm parlamentar i Reformës Administrative Territoriale duhet të sjellë për votim brenda kësaj legjislature ndarjen e re, e cila të udhëhiqet nga nevoja e thellimit të reformës aktuale, duke reflektuar dhe ndryshimet shumë domethënëse të këtyre viteve, që nga demografia por edhe te teknologjia, me fokus kryesor gjithmonë mirëpërgatitjen e nivelit tonë vendor për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian, ku duhet të kemi pa asnjë mëdyshje një cilësi të re të proceseve të qeverisjes vendore.
Komisioni i kësaj reforme, i referohem komisioneve të posaçme, duhet të punojë me të njëjtin intensitet si komisionet e përhershme, duke intensifikuar konsultimet publike. Duhet ta bëjmp të qarte sot se formulën e bashkëdrejtimit të këtij komisioni dhe të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore e kemi miratuar me dakordësi. Por, në asnjë rast, nuk kemi dhënë dakordësi për të mos bërë asgjë.

Ne jemi gati t’ju dëgjojmë në respekt të atyre që ju kanë zgjedhur, por ne nuk do të jemi asnjëherë të gatshëm të presim këdo qoftë, as edhe një minutë, nëse nuk doni të punojmë së bashku, qoftë për këto dy reforma, qoftë për reforma të tjera. Nuk kemi asnjë ditë për të humbur.
Nga e hëna, 19 janar, dita e parë e këtij sesioni të dytë të legjislaturëse së 11-të , deri në të enjten e fundit të korrikut 2026, duhet të fillojë dhe të mbarojë diskutimi dhe miratimi i Ligjit organik për funksionimin dhe organizimin e Kuvendit, siç e tha dhe kryetari i kuvendit dhe ai i partisë.
E përsëris, pas 35 vitesh, pas 10 legjislaturave dhe 1 136 njerëzve të zgjedhur deputetë në vitet e jetës demokratike, që Kuvendi i Shqipërisë miraton e nxjerr ligje për të gjithë, por nuk e ka ende ligjin e vet. Nuk ka pavarësinë e vet financiare, nuk ka status të deputetëve të vet siç i ka hije një vendi anëtar të BE, nuk i referohem ofiqeve por një statusi për të kryer funksionet.
Në seancën e fundit të legjislaturës së kaluar, Kuvendi ka miratuar “Strategjinë Kombëtare kundër Ndërhyrjeve të Huaja dhe Dezinformimit 2025–2030”, pas një pune për t’u lavdëruar të Komisionit të Posaçëm. Është me shumë rëndësi që çdo komision i përhershëm i Kuvendit të kthehet në instrument në duart e qytetarëve për të kuptuar të vërtetat, gjysmë të vërtetat dhe gënjeshtrat me bisht që serviren si të vërteta çdo vit.
Në sesionin e kaluar u arrit një ndryshim i shumëpritur, i shumëdiskutuar, i komisioneve të përhershme parlamentare. Besoj se na mjaftuan këto 3 muaj për të na dhënë të drejtë në nevojën e kësaj ndarjeje të re, por mbi të gjitha për komisionet e reja të ngritura, si rrjedhojë e kësaj faze sfiduese të Shqipërisë në prag të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Komisionet që erdhën me fusha të reja mbulimi i kanë dhënë mundësinë e munguar ndër vite Kuvendit të jetë më efektiv në monitorimin post-legislacion. Është mbresëlënës numri i konsiderueshëm i peticioneve/ankesave të qytetarëve të mbërritura në komisionin e përhershëm përkatës. Ndërsa ngritja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën na imponon një marrëdhënie më të fortë për të qenë syri dhe veshi i shqiptarëve në çdo cep të globit. Por kjo nuk duhet të mbetet thjesht te emri i komisionit por në një punë shumë më aktive.
Na duhet të bëjmë disa ndryshime në përbërjen e komisioneve, me qëllim shmangien e përplasjeve të orareve për anëtarë të caktuar, të cilët e kanë të pamundur të jenë njëkohësisht në dy komisione.
Duhet të ngremë edhe nënkomisionet e pangritura ende që ka qenë dhe objektivi im si kryetar grupi, për të garantuar një punë reale dhe profilizim të deputetëve për çështje dhe fusha të caktuara. Në këtë sesion të ri duhet që edhe Këshilli i Integrimit Europian të luajë rolin e vet të ngarkuar nga ligji i posaçëm. Edhe administrata e Kuvendit duhet të jetë më shumë mbështetëse për deputetët në këto çështje.
Duke reflektuar mbi të shkuarën e afërt të punës së Kuvendit të Shqipërisë,
Rekomandimi kryesor dhe kërkesa ime e parë për çdo anëtar të Grupit tonë Parlamentar është pjesëmarrja e rregullt dhe aktive në seanca, komisione dhe mbledhje grupi.
Diskutimet duhet të jenë komunikim me njerëzit, duke e shfrytëzuar më mirë avantazhin e sotëm të komunikimit përmes rrjeteve sociale.
Së treti, duhet një pjesëmarrje më aktive e ministrave në mbledhjet e Grupit Parlamentar, për të informuar, sqaruar dhe pajisur trupën tonë kuvendore me armët e të vërtetave kundër makinerisë së shpifjeve, baltës dhe dezinformimit keqdashës.
Edhe gjatë sesionit të kaluar, në sallën e Kuvendit, kemi konsumuar pafund politikë, për luftëra pakuptim interesash partiake të palës tjetër,por ata nuk kuptojnë që për ne më të rëndësishëm janë njerëzi.
Seanca e fundit e dhjetorit ishte një rikthim, një déjà-vu.
Prandaj, i vetmi ilaç mbetet zbatimi strikt i Rregullores së Kuvendit. Kush kujton se duhet ta mbajmë mirë me Saliun e ka shumë gabim. Ne duhet ta mbajmë mirë me Shqipërinë dhe shqiptarët nuk e pranojnë dot atë pamje në Kuvend.
Nga ajo sallë, njerëzit presin tjetër gjë.
Është e vërtetë që kjo sallë është aula e debatit politik, por detyra jonë kryesore është që debati të fokusohet tek anëtarësimi në BE, te detyra, kritetet, pasaporta europiane dhe jo te shterpësia politike.
Detyra jonë është, si në çdo parlament të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, të diskutojmë mbi alternativat dhe projektet.
Mbi çdo projekt apo propozim tonin, të shumicës, pakica mund të ketë idetë apo alternativën e vet. Ne vijmë me një propozim konkret,ata mund të kenë propozimin apo idenë e tyre.
Zonjat dhe zotërinjtë e opozitës,
Mos humbisni kohë kot me thirrje dhe përbetime revolucionesh që nuk kanë për të ndodhur kurrë.
Mos humbisni kohë kot as me “shtrimin e tapetit” të alibisë për humbjen e radhës.
Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ata për çështje të rëndësishme, për t’i dhënë Shqipërisë një Kod të ri Zgjedhor sipas standardeve më të mira zgjedhore, ndarje administrative-territoriale funksionale dhe gjithçka tjetër.
Por ata duhet ta fiksojnë mirë në mendje: vëmendja jonë është te Pasaporta Europiane për çdo qytetar shqiptar, brenda kësaj dekade.
Ne e dimë që rezultatin zgjedhor apo fitoren nuk e vendos asgjë tjetër, përveç vullnetit të zgjedhësve.
Të jesh në opozitë do të thotë të bësh pjesë në një institucion serioz.
Vëmendja jonë janë njerëzit; me ju jemi gati të punojmë së bashku për çfarë por siç e tha kryetari Rama,ne nuk kemi jo ditë por as orë për të humbur.
Ka qenë një ndër sesionet më intensive.

Balla apelon SPAK: 21 Janari krim shtetëror, zbatoni vendimet e Strasburgut dhe Gjykatës së Lartë

By: xhir jeta
16 January 2026 at 13:24

Në prag të 15 vjetorit të 21 janarit, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla i bëri thirrje Prokurorisë së Posacme të zbatojë vendimet e Gjykatës së Lartë dhe Strasburgut për hetimin e krimit shtetëror të 21 janarit 2011, ku katër protestues u vranë në Bulevard në protestën kundër qeverisë Berisha.

“Të mërkurën e ardhshme bëhen 15 vite nga tragjedia dhe krimi shtetëror i 21 Janarit, ndërsa presim nga drejtësia, veçanërisht nga Prokuroria e Posaçme, zbatimin e vendimeve të GJEDNJ-së dhe Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, lidhur me plot aspekte të asaj ngjarjeje kriminale.

Ne nuk kemi hyrë asnjëherë në meritën apo përmbajtjen e dosjeve penale, por Kuvendi i Shqipërisë ka përgjegjësi në kontrollin e zbatimit të vendimeve të GJEDNJ-së bashkë me ministrinë e drejtësis siç na e kujtoi Njazi Jaho.”u shpreh Balla.

Lufta kundër trafikut të drogës/ SHBA: Prioritet për ne, kërcënon stabilitetin e vendeve

By: xhir jeta
16 January 2026 at 13:23

Fjalimi i të Ngarkuarës me Punë Nancy VanHorn në Trajnimin nga FBI për Mbikëqyrjen e Analizës së Celularëve

Faleminderit Rektor Mandro, Kryeprokuror i Posaçëm Braho dhe Drejtor Keta që na jeni bashkuar për të shënuar përfundimin e këtij trajnimi të rëndësishëm. Dhe dua të falënderoj gjithashtu kolegët tanë të FBI-së Brendan Collins dhe Kala, është kënaqësi t’ju shoh përsëri, Joe Danneff nga Ekipi i FBI-së për Mbikëqyrjen e Analizës së Celularëve, të cilët ndanë ekspertizën e tyre.

Pra, kushdo që ndjek Ambasadën e Shteteve të Bashkuara këtu në Shqipëri e di se lufta e krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve janë përparësi kryesore për ne. Dhe kur Presidenti Trump bëri thirrje për eliminimin e plotë të krimit të organizuar ndërkombëtar, ai nënvizoi se këta kriminelë përdorin sjellje “të ndërlikuara të përshtatjes”, duke krijuar kërcënime të pazakonta dhe në zhvillim për sigurinë tonë kombëtare.

Dhe siç tha Sekretari Rubio, organizatat ndërkombëtare kriminale dhe terroriste, veçanërisht ato të angazhuara në trafikimin e narkotikëve, janë kërcënimi më i madh për sigurinë e Shteteve të Bashkuara në Hemisferën Perëndimore, ku këto grupe po destabilizojnë shtet-kombet dhe po i çojnë në emigrim masiv.

Ne do të ndjekim me këmbëngulje prioritetet e Presidentit Trump në Shqipëri, duke forcuar institucionet që luftojnë krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve si SPAK, BKH dhe Akademia e Sigurisë.

Rrjetet kriminale, përfshirë grupet shqiptare që bashkëpunojnë me kartelet e Amerikës Latine të përmendura nga Sekretari Rubio, përbëjnë kërcënime të konsiderueshme për sigurinë dhe përparimin ekonomik të Shqipërisë përmes aktiviteteve si trafiku i drogës dhe pastrimi i parave. Sikurse e keni parë përmes këtij kursi, këto krime po mundësohen nga teknologjitë moderne.

Dhe përmes këtij trajnimi, ju tani keni mjete të reja hetimore dhe aftësi analitike për të shfrytëzuar të dhënat celulare në hetimet penale. Kjo përmirëson hetimet tuaja, duke siguruar gjithashtu respektimin e standardeve më të larta ligjore dhe etike.

Dhe ju tani keni pajisje dhe aftësi të reja për hetime të përmirësuara që do të çojnë në më shumë ndjekje penale dhe dënime më të forta të pjesëtarëve të krimit të organizuar.

Ndaj, urime për përfundimin e këtij kursi dhe faleminderit që më lejuat të jem me ju sot.

Aksidenti fatal në Durrës/ Arrestohet shoferi, 26-vjeçari i dehur lëvizte me shpejtësi të lartë

By: Rovena
16 January 2026 at 13:21

Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmë, mbi aksidentin rrugor te ura e Dajlanit, me pasojë vdekjen e shtetases V. G., informojmë se shërbimet e Policisë Rrugore kryen menjëherë veprimet hetimore të nevojshme, me qëllim zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Në përfundim të këtyre veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të automjetit në të cilin ishte pasagjere shtetasja V. G., shtetasit A. Xh., 26 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen, dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Nga hetimet rezultoi se 26-vjeçari ka humbur kontrollin mbi automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, dhe si pasojë, automjeti është përplasur me barrierat anësore të urës dhe ka rënë nga ajo.

26-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, aktualisht jashtë rrezikut për jetën, ndërsa 2 këmbësorët e dëmtuar kanë marrë asistencën mjekësore të nevojshme dhe janë larguar në banesa.

  • Në vijim të informacionit të dhënë pasditen e djeshme, mbi aksidentin në rrugën “Martin Camaj”, informojmë se në përfundim të veprimeve hetimore, shërbimet e Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. L., për veprën “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Shtetasi E. L., me automjetin që drejtonte, dyshohet se ka përplasur këmbësorin, shtetasin Y. K., i cili është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

“Grupi PS dëshmoi se forcë janë argumentet, jo fyerjet”, Peleshi: Pr/ligjet për integrimin kryefjalë e sesionit të ri

By: xhir jeta
16 January 2026 at 12:47

Në prag të celjes së sesionit të ri parlamentar, kryeparlamentari Niko Peleshi u shpreh se kryefjalë do të jenë pr/ligjet që lidhen me integrimin në BE. Peleshi vlerësoi grupin parlamentar të PS, për të cilin tha se dëshmoi se forca e vërtetë janë argumentet dhe jo debatet fyese.

“Ky grup parlamentar megjithëse është i ri ka treguar mencuri dhe ka dëshmuar se forca e vërtetë janë argumentet, ka refuzuar të përfshihet në debate me tone të forta. Si kryetar i Kuvendit do vijoj të kryej detyrën duke vendosur një standard. Integrimi duhet të nisë nga cdo qytetar në nivelin e klubit ku duam të anëtarësohemi. Europa ka qenë fokusi ku duam të anëtarësohemi.

Në 17 nëntor përfundoi hapja e negociatave për grupkapitujt, objektiv mbetet mbyllja e tyre, një objektiv shumë ambicioz. Është një datë e dakordësuar me institucionet e BE. Kuvendi përmushi detyrimet për pjesëmarrje në veprimtari të përbashkëta me PE, u përmbushën detyrimet për themeloret. Në sesionin e kaluar u vijua me bashkëpunimin me institucionet e pavarura. Ishte vit i ngarkuar me fushatën elektorale, 27 institucionet e pavarura raportuan në seancë edhe pse jo gjithmonë në kushte jo normale punë. Zgjidhëm ngërcin trevjecar me avokatin e popullit. Me buxhetin 2026, përmend se ¾ e tij shkon për institucionet e drejtësië.

Pr/ligjet që lidhen me integrimin do jenë kryefjalë e këtij sesioni parlamentar. Do miratohen ndryshime në ligjin për organet e drejtësisë, për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, etj. Kemi dy komisione të posacme, shpresoj që puna të ecë sic është nisur me opozitën. Do synojmë të miratojmë pr/ligjin për funksionimin e Shqipërisë, do përfshijë të gjithë deputetët, presim kontribut nga secili prej jush për një ligj organik që i jep një status më dinjitoz cdo deputeti.” u shpreh Peleshi./abcnews.al

Lakers zhgënjejnë në shtëpi/ Nuk mjaftojnë Donçiç dhe LeBron, Charlotte fiton në Los Angeles

By: Rovena
16 January 2026 at 12:43

Mbrëmja e fundit në Los Angeles ishte e errët, sidomos për Lakers që pësuan një humbje të thellë në shtëpinë e tyre, duke u dorëzuar përballë Charlotte me rezultatin 117-135.

Një tjetër zhgënjim që konfirmon momentin negativ të skuadrës kaliforniane, që ka regjistruar katër humbje në pesë ndeshjet e fundit.

Lakers kryesonin bindshëm deri në gjysmën e periodës së dytë, ndërsa më pas erdhi përmbysja e Hornets.

Protagonist absolut në triumfin e miqve ishte LaMelo Ball, i cili mbylli ndeshjen me 30 pikë.

Nga ana tjetër, për Los Angeles Lakers nuk mjaftuan LeBron James dhe sidomos Luka Donçiç me një tjetër paraqitje personale të shkëlqyer.

Basketbollisti slloven ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes me 39 pikë.

I njëjti diskutim edhe për LeBron James.

Edhe 29 pikët, të shoqëruara me 9 topa të kapur në tabelë dhe 6 asiste për “Mbretin” nuk arritën të evitonin humbjen e të zotëve të shtëpisë.

Me këtë ecuri negative në ndeshjet e fundit, Lakers kanë humbur terren në garën për titullin kampion në NBA, ndërsa mbajnë vendin e pestë në renditjen e Konferencës së Perëndimit, shumë larg kampionëve në fuqi dhe kryesuesëve të Oklahoma City Thunders.

Manaj “fluturon” në Kinë/ Sulmuesi siguron “kontratën e jetës” me skuadrën e Zhejiang

By: Rovena
16 January 2026 at 12:41

Pritet zyrtarizimi me firmën në kontratë, por Rey Manaj ka bërë një kthesë të papritur në karrierën e tij. Sulmuesi i kombëtares së Shqipërisë pritet të trransferohet në Kinë, ku sipas raportimeve mediatike ka siguruar një marrëveshje të rëndësishme financiare me klubin e Zhejiang Professional.

Bëhet fjalë për një kontratë 2 vjeçare me 4 milion euro në sezon, shifra më e lartë sa i përket futbollistëve kuqezi që janë në aktivitet.

Kjo duket edhe arsyeja që ka bindur Manaj të bëjë këtë zgjedhje surprizë, duke u larguar pas vetëm gjashtë muajsh nga Emiratet Arabe ku luante me Sharjah.

Te kjo skuadër, ai u transferua në merkaton e verës, pas një sezoni si protagonist me Sivaspor në Turqi.

Madje javët e fundit mediat turke folën për një rikthim të mundshëm të 28 vjeçarit shqiptar te ky ekip.

Por ndryshe nga sa pritej, ai ka vendosur të largohet akoma më shumë nga futbolli europian.

Nuk dihet se si do të ndikojë kjo zgjedhje në të ardhmen e Rey Manaj sidomos me kombëtaren e Shqipërisë, por në futboll ashtu si edhe në jetë ka disa oferta që nuk mund të refuzohen.

Milan bën “djallin/ Kuqezinjtë fituan me përmbysje 3-1 në Como, mbeten për titull

By: Rovena
16 January 2026 at 12:39

Që nuk do të ishte spektakolar, kjo u kuptua me zgjedhjen për të ulur në pankinë Masimiliano Alegrin. Por në futboll rëndësi kanë pikët dhe Milan ka kaluar çdo pritshmëri në këtë sezon të Serie A, ndërsa mbetet bindshëm në garën për titullin kampion pas fitores 3-1 në transfertën e Como.

Kuqezinjtë triumfuan me përmbysje dhe falë klasit të yjeve të tyre, si Mike Maignan që bëri disa pritje shpëtimtare dhe Adrien Rabiot, autor i dy golave.

Për pjesën tjetër, ishin vendasit e drejtuar nga Cesc Fabregas, ata që dominuan sfidën në të gjithë komponentët e lojës.

Ky detaj nuk e prishi festën e Milan, që ngushton sërish në tre pikë diferencën me kryesuesit dhe rivalët e përjetshëm të Inter, në një garë për titull që për momentin duket e gjitha milaneze.

Kjo edhe për faktin se favoritët e tjerë si Napoli apo Juventus kanë humbur terren në klasifikim.

Për t’u kthyer sërish te Milan, a mund të mjaftojë vetëm cinizmi për të shkuar te titulli kampion.

Kjo mbetet për t’u parë në gjysmën e dytë të sezonit, ndërsa ndryshe nga rivalët, kuqezinjtë kanë edhe një tjetër detaj të rëndësishëm në krahun e tyre.

Jashtë Kupave të Europës dhe çdo kompeticioni tjetër në këtë sezon, Milan mund të menaxhojë më me lehtësi forcat dhe të fokusohet në vetëm një objektiv.

Pra, megjithë kritikat e mediave dhe pakënaqësinë e tifozëve për lojën, kuqezinjtë mund të ëndërrojnë për titullin. Në fund qëllimi justifikon mjetet.

Stambolli “thërret” Hoxhën/ Mediat turke dhe kroate shkruajnë për transferim të mundshëm

By: Rovena
16 January 2026 at 12:37

Mund të jetë edhe një “shashkë” janari.

Në futbollin profesionist është e vështirë të dallosh të vërtetën nga gënjeshtra, por gjithsesi duket se Arbër Hoxha është kthyer në një objekt të rëndësishëm transferimi.

Mediat turke dhe kroate shkruajnë se lojtari I kombëtares shqiptare mund të veshë fanelën e Fenerbahçes, nëse klubi nga Stambolli realizon një shkëmbim me Dinamon e Zagrebit.

Për çfarë bëhet fjalë?

Të përditshmet “Fotomaç” nga Turqia dhe “Jutarnji List” nga Kroacia shkruajnë se drejtuesit e Dinamos duan portierin Dominik Livakoviç.

Numri 1 I kombëtares kroate ka qenë më parë në klubin më të madh në vend, por u largua për në Stamboll për më shumë se 6.5 milionë euro.

Në Zagreb shpresojnë ta marrin përsëri, por Fenerbahçe paska kërkuar Hoxhën si shkëmbim, e besohet se mund të paguhen edhe para të tjera.

Më herët, mediat turke kanë shkruar për interesim të Gallatasarajit për yllin kuqezi, veçse drejtuesit e Dinamos kanë pritur për një marrëveshje me klubin tjetër stambolli.

Arbër Hoxha ka luajtur 17 ndeshje në Ligën e Parë të Kroacisë këtë sezon, me 6 gola e 3 asistë, dhe “Jutarnji List” e cilëson si një nga futbollistët më të mirë të ekipit dhe të gjithë kampionatit.

Barcelona nuk “është” Real/ Katalanasit kualifikohen me vështirësi në Kupën e Mbretit

By: Rovena
16 January 2026 at 12:35

Nuk u kursyen aspak.

Barcelona nuk ndoqi shembullin e Realit në Kupën e Mbretit, luajti me yjet dhe arriti kualifikimin.

Vetëm koha do ta tregojë nëse trajneri Hansi Flik bëri gjënë e duhur, veçse fakt është se tekniku gjerman pati titullarë në ndeshjen në Santander shumicën e lojtarëve më të mirë.

Lamin Jamal, Ferran Torres, Olmo, Kubarsi, Balde, Kunde dhe portieri Zhoan Garsia.

Pas pushimit hynë edhe Pedri, Levandovski apo Rafinja.

Katalanasit e patën tepër të vështirë, edhe pse zotëruan lojën, mbajtën topin 74 për qind dhe bënë shumë më tepër gjuajtje sesa Rasingu vendas.

Gjithsesi, epërsia ishte vetëm 1-0 deri në sekondat e fundit.

Ferran Torres kaloi “blaugranët” në epërsi në 66’, ndërsa Santanderit iu anuluan dy gola për pozicion jashtë loje.

Barça u shpëtua nga portieri Garsia në fund, ndërsa Lamin Jamal më pas mbylli llogaritë.

U siguruan çerekfinalet e Kupës së Mbretit, dhe skuadra e Hansi Flikut është në garë për të gjitha trofetë e sezonit.

Është favorite thuajse për gjithçka, por jo në Champions ku është paraqitur dobët deri tani.

“Të vendosim piketat për godinën e re të Parlamentit”, Rama i prerë me të vetët: Braktisja e territorit nuk është opsion!

By: xhir jeta
16 January 2026 at 12:20

Në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlament, kryesocialisti Rama I qartë ndaj të vetëve, ndërsa u tha se ribraktisja e territorit nuk është opsion për forcën politike që ai drejton, ndërsa theksoi se 83 mandatet e fituara në zgjedhje janë një detyrim ndaj shqiptarëve

“Duhet të vendosim piketat për godinën e re të parlamentit të Shqipërisë. Deputetët duhet ndërkohë të mos e ndërpresin, por ta artikulojnë edhe më mirë punën që nisi pas zgjedhjeve në territor.

Ribraktisja e territorit nuk duhet dhe nuk mund të jetë opsion për këtë grup parlamentar. Dua ta theksoj këtë pasi besoj që 83 mandatet e kërkojnë këtë me një ngulm të panjohur më parë.

imponojnë shumë gjëra për këtë forcë politike, në fund të 2027 të dalim para atyre që na votuan duke thënë e bëmë atë për të cilën nga dhanë votën. Pastaj detyra tjetër është pjesa e këmbënguljes me të gjitha qytetet e Europës të bëjnë ratifikimet për të anëtarësuar Shqipërinë në BE.” u shpreh Rama./abcnews.al

“Integrimi në BE, takime çdo muaj…”/ Rama: Ndryshime në administratën e Kuvendit, më shumë modernizim

By: Rovena
16 January 2026 at 12:17

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste hapi sot vitin e ri kuvendor me një mbledhje të drejtuar nga Kryeministri dhe njëkohësisht Kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili vuri theksin te procesi i integrimit europian dhe nevoja për rritjen e informimit dhe përfshirjes së deputetëve.

Rama njoftoi se diskutimet për negociatat me Bashkimin Europian do të zhvillohen çdo muaj, ndërsa paralelisht paralajmëroi ndryshime në procesin legjislativ, përfshirë transformimin dhe modernizimin teknologjik të administratës së Kuvendit, si dhe vendosjen e një kalendari të qartë parlamentar.

“Ata që janë bërë pjesë të anëtarësimit, ka pasur më pak kushte nga sa kemi ne sot. Ka diçka e kam theksuar në fjalën time në Asamblenë Kombëtare kur nisëm këtë mandat që duhet të jetë shumë më tepër në vëmendjen e Grupit Parlamentar dhe të qeverisë, kjo është pjesa që lidhet me fazën përpara lidhjes së negociatës. Duhet shumë më tepër punë, për t’u shpjeguar me grupin dhe për t’u dëgjuar nga grupi. Duhet më shumë informacionin.

Të gjithë deputetët për shkak të eksperiencës së tyre të jenë të informuar dhe të mirëpritur që të kontribuojnë. Pika e përbashkët për pjesën e negociatave, do ta zhvillojmë çdo muaj. Dua të prek një tjetër aspekt për të cilin kam folur edhe në fjalën përpara të asamblesë. Aspektin e ndryshimeve të procesit legjislativ, e filluam me komisionet, duhet të vazhdojmë me administratën e Kuvendit e cila kemi kohë që themi se duhet të transformohet dhe të modernizohet nga një transformim të tërësishëm teknologjik dhe nga ana tjetër duhet të vendosim piketat për një kalendar parlamentar”, tha kryeministri Rama.

“Kemi lirinë të negociojmë me BE, por jo të diskutojmë”, Rama: Shumë bëjnë gabimin që bëra unë, deri sa e mësova

By: xhir jeta
16 January 2026 at 12:13

“Kemi lirinë të negociojmë me BE por jo të diskutojmë me ta”, kështu u shpreh kryesocialisti Rama në mbledhjen e grupit parlamentar, i pari për këtë vit.

Rama theksoi se negociatat mbi një draft që hyn në të gjithë mekanizmin e gjerë dhe kompleks të arkitekturës së ligjit europian negociohet me komisionin i imponohet qeverisë dhe vjen në parlament.

“Vi të pika tjetër, kemi patur deri më sot disa raste që procesi i diksutimeve dhe miratimit të ligjeve që kanë të bëjnë me BE është vonuar apo është marrë lehtë si proces ku kemi lirinë të fusim duart sipas opinioneve tona. Nuk e kemi këtë liri, kemi lirinë të negeciojmë me BE, po jo të diskutojmë. Negociatat mbi një draft që hyn në të gjithë mekanizmin e gjerë dhe kompleks të arkitekturës së ligjit Europian negociohet me komisionin i imponohet qeverisë dhe vjen në parlament.

Kur vjen në parlament duhet miratuar jo diskutuar, që ti hyjmë diskutimit të një ligji duhet të diskutojmë a duam të hyjmë në BE apo jo. Dhe këtu kam një shembull. Shumë bëjnë gabimin që nuk duhet bërë, marrin një draft që vjen nga qeveria dhe i referohen vendeve të tjera të BE, dhe thonë pse ta bëjmë ne kur ata nuk e kanë.

Këtë po e ndaj me ju si eksperiencë dhe ju ftoj të jeni të gjithë të përthyeshëm në këtë pikë. Se kur thoni duam ta bëjmë si Franca, përgjigjja është e thjeshtë, duhet të jeni Franca, nuk ju kemi kërkuar ne, jeni ju që keni kërkuar, por për ju kemi kushte nëse doni. Nëse s’doni mund ta bëni sit ë doni. Kjo nuk ndodh vetëm me Shqipërinë. Procesi ka sjellë rëndim të kushteve për ata që kanë ardhur më pas.”- u shpreh Rama./abcnews.al

“Rrugët ishin thertore”, Rama: Kemi shumë për të bërë për sigurinë ushqimore. Vendosmëri për të mos falur askënd!

By: xhir jeta
16 January 2026 at 12:11

Rama: Nuk besoj së është e vështirë që duke u kthyer pas në 2013, të gjithë të kaloni në filmin e kujtesës gjënë e gjallë që therej në rrugë. Rrugwt ishin thertore. Apo të gjitha autostradat e Shqipërisë që ishin të kufizuara nga tezgat dhe tregjet informale.Shumë përparim është bërë, por në raport me kriteret e sigurisë ushqimorë të BE jemi ende larg. Kjo do të thotë që në momentin e anëtarësimit asnjë ushqim i prodhuar në Shqipëri nuk të shitet përvec se në Shqipëri dhe edhe në Shqipëri ushqimet mund të bllokohen se nuk përmbushin kriteret e sigurisë. Dhe pastaj në skenarin më pesimist do të thotë që gjithcka që hahet të importohet. Ndaj duhet një super punë por edhe një supervendosmëri nga ana jonë për të mos falur asgjë dhe askënd në emër të nevojës që të vijojë të punojë, gjithkush duhet vënë në pozita të forta pune se në rastin më të mirë janë 10 vjet përpara, nëse llogarisim 2030 si vit që jemi ulur në BE, dhe 5 vitet e ndërmjetme. Ndërkohë puna për t’u bërë është shumë e madhe.

❌
❌