Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 December 2025Abc News

Gjërat tona/ “Hija e Çoles”, vrasësi që vrau sërish

By: Re Nato
28 December 2025 at 20:47

Në një fshat të vogël të Vlorës, afro 65 kilometër larg, qetësia e mbrëmjes së 1 nëntorit u thye nga plumbat.

Një tjetër krim, një tjetër emër i njohur i botës së errët.

Një 33-vjeçar që i shmangej drejtësisë, nuk iu shmang dot hijes së vet.

Bertil Alliaj, në kërkim prej gati një dekade, kthehet në fshatin e tij të lindjes, në Gjorm dhe vret kushëririn e tij, Dalan Alliajn, 38 vjeç. Një njeri që jetonte thjeshtë, punonte, e s’kishte pasur asnjëherë probleme me drejtësinë.

Gjashtë të shtëna pistolete në oborrin e shtëpisë i dhanë fund gjithçkaje.

E ndërsa Policia vraponte për të ndaluar autorin, historia dukej se përsëritej.

Kësaj here, ajo që nuk ndodhi për 10 vjet, u realizua për 5 orë. Autori u arrestua.

Një dekadë më parë, emri i tij ishte në çdo ekran.

Një masakër e egër, një dënim prej 35 vitesh burg.

Por ndryshe nga 3 viktimat e asaj që mori emrin “Masakra e Çoles”, Bertil Alliaj mbeti i gjallë… dhe i lirë.

“Hija e Çoles”, vrasësi që vrau sërish.

Historia e një krimi të pranuar, por pa një motiv. Një vrasje që rikthen në kujtesë një histori më të madhe, dështimin për ta ndaluar një vrasës që i kishte duart me gjak që më parë.

VRASJA DHE ARRESTIMI

Në këtë fshat, gjaku i afërt është bekim dhe mallkim. Këtu, çdo konflikt mbetet i shkruar në kujtesë. Por askush nuk e mendonte që do të përfundonte sërish me armë.

Për 10 vite, banorët e fshatit Gjorm nuk e kishin parë Bertil Alliajn. Para disa vitesh ai kishte arritur të pajisej me pasaportë kosovare dhe mendohej se kishte lëvizur jashtë vendit. Në fshat rezulton të jetë kthyer dy ditë para ngjarjes. Në familje thonë se shkak për kthimin e tij ishte bërë një problem shëndetësor i të atit, por kjo nuk dihet me siguri. Të paktën për aq kohë sa ai, menjëherë pas kthimit, ka komunikuar në telefon me djalin e xhaxhait, Dalan Alliajn, i cili jetonte në Fier. E ka ftuar që të shkojë tek shtëpia e tij në Gjorm. Në momentin që ai ka shkuar aty, mbrëmjen e 1 nëntorit 2025, nuk kanë pasur asnjë lloj komunikimi por e ka qëlluar direkt.

Duket se gjithçka mund të ketë qenë e planifikuar dhe autori ka qenë duke e pritur. Rreth orës 20:00, familjarët e tij pasi kanë dëgjuar të shtënat në derën e shtëpisë kanë dalë për të parë dhe Bertil Alliaj u ka thënë se e ka vrarë ai.

Të pyetur në lidhje me ngjarjen, ata kanë deklaruar se nuk kanë pasur asnjë debat. I ati i autorit ka thënë se djali i tij pas kthimit ka qenë i heshtur dhe ka qëndruar i mbyllur pa folur me njeri. Ka rrëfyer për Policinë se nuk e di nëse ka pasur konflikt mes tij dhe 36-vjeçarit.

Policia e Vlorës

Pas marrjes së njoftimit nga familjarët se në fshatin Gjorm ishte gjetur pa shenja jete shtetasi Dalan Alliaj, 36 vjeç, banues në Fier, të cilit gjatë këqyrjes i janë konstatuar plagë të shkaktuara me armë zjarri, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë Vlorë, u ngrit një grup hetimor me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes, i përbërë nga specialistë të Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe ekspertë kriminalistikë. Falë veprimeve hetimore të shpejta dhe profesionale, u bë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit Bertil Alliaj, 33 vjeç, banues në fshatin Gjorm, Selenicë, i cili pas ngjarjes ishte larguar në zonën malore përreth. Menjëherë shërbimet e DVP Vlorë u organizuan dhe nisën kërkimet për kapjen e tij.

Teksa Dalan Alliaj transportohej me autoambulancë drejt spitalit të Vlorës, ndonëse mësohet se aty ka shkuar pa shenja jete, paralelisht Policia kishte nisur një aksion për kapjen e autorit.

Të dhënat flisnin se ai ishte larguar menjëherë pas krimit, për t’u fshehur në zonat malore pranë fshatit Gjorm. Aty u përqendruar edhe kërkimet e Policisë, të ndihmuar edhe nga një dron që gjurmoi nga ajri lëvizjet e tij.

Pas 5 orësh ai u arrit të neutralizohet dhe të arrestohet. Në momentin e prangosjes, iu gjet edhe pistoleta “Beretta”, me të cilën dyshohet se kishte realizuar vrasjen e djalit të xhaxhait.

Policia e Vlorës

Pas rreth 5 orësh kërkimesh intensive, me përdorimin edhe të dronit, Policia e Vlorës bëri të mundur arrestimin e autorit të dyshuar të vrasjes. Falë kontrolleve intensive të shtrira gjatë gjithë natës dhe përdorimit të dronit për krehjen e zonës, rreth orës 01:05 të mëngjesit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Bertil Alliaj, pasi mbrëmjen e djeshme (1 nëntor), rreth orës 20:00, në rrugën përpara banesës së tij, gjatë një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri kushëririn e tij, shtetasin Dalan Alliaj. Gjatë kontrollit fizik të autorit, iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë “Beretta FS92”, e dyshuar si arma e përdorur në këtë ngjarje, së bashku me një krehër dhe 10 fishekë. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u gjetën dhe u sekuestruan si prova materiale 6 gëzhoja dhe 1 predhë arme zjarri. Shtetasi Bertil Alliaj rezulton gjithashtu person në kërkim, menjëherë pas kapjes së tij, u ekzekutua edhe vendimi i datës 20.01.2016, i Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, e cila e ka dënuar me 35 vite burg për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese, kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Pra, ajo që nuk u arrit të realizohej për 10 vjet, u realizua brenda 5 orësh. Por me një çmim shumë të lartë. Jetën e një tjetër njeriu.

Autori i ngjarjes pranoi gjithçka, por pa dhënë asnjë motiv: Kam një arsye shumë të fortë, por nuk mund ta them. Jam penduar për atë që bëra, por arsyeja që kisha unë më shtyu drejt vrasjes.

Të njëjtën frazë përsëriti edhe paraditen e 5 nëntorit 2025 në Gjykatën e Vlorës, ku u paraqit për masën e sigurisë. I akuzuar për veprën penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, Bertil Alliaj u la në burg nga gjyqtari Etien Isak.

Por ndërkohë, përveç kësaj mase, ai u izolua në burg edhe në zbatim të vendimit të mëparshëm të dhënë në mungesë ndaj tij, atij me 35 vjet heqje lirie, për ngjarjen me 3 të vrarë në vitin 2015, e njohur si “Masakra e Çoles”.

MASAKRA E ÇOLES

Dhjetë vite para krimit të 1 nëntorit në fshatin Gjorm, Vlora u trondit nga një ngjarje e rëndë që mori emrin “Masakra e Çoles”. Një sherr banal, i nisur në një lokal lojërash fati, u kthye në një natë gjakderdhjeje. Pas dhunimit të një 21-vjeçari, grupi i miqve të tij, mes tyre edhe Bertil Alliaj, u rikthyen për t’u hakmarrë. Brenda pak minutash, plumbat morën jetën e tre të rinjve: Akil Hasanaj (Haki Rakipi), Ardi Velaj dhe Albi Limaj. Ishte një vrasje e ftohtë, e pakuptueshme, që la pas një qytet të shokuar dhe një zinxhir drejtësie që s’do të mbyllej kurrë plotësisht. Edhe pse u dënua me 35 vite burg, Alliaj arriti të zhdukej, duke jetuar për një dekadë si hije, derisa historia u përsërit sërish, këtë herë më afër se kurrë, në gjirin e familjes së vet.

Gjithçka nisi mbrëmjen e 6 prillit të vitit 2015, për një kazino në qendër të qytetit bregdetar të Vlorës. Fillmisht në sherr u përfshinë Akil Hasanaj dhe Ardi Velaj, të cilët kanë ofenduar dhe dhunuar Xhuliano Lutajn. Ky i fundit ka kërkuar ndihmë dhe ka vënë në dijeni shokun e tij, Albi Limaj. Limaj lajmëroi Aleksandër Llanaj dhe të rinjtë e lanë që të nesërmen të shkonin për t’u sqaruar, në një lokal në lagje “Çole” të Vlorës.

Sipas dosjes së Prokurorisë së Vlorës, nga tërësia e provave dhe thënieve të dëshmitarëve ka rezultuar se Albi Limaj dhe Ardi Velaj, më datë 7 prill 2015, kanë komunikuar me telefon me njëri-tjetrin në lidhje me një ngjarje të ndodhur në orët e para të mëngjesit të së njëjtës ditë.

Fillimisht komunikimi midis tyre ka filluar në orën 12:33 me telefonatën e shtetasit Albi Limaj në drejtim të numrit telefonik të shtetasit Ardi Velaj. Më pas komunikimet e tjera vijojnë në orën 13:50 e në vazhdim. Rreth orës 14:00 të asaj dite, në drejtim të lokalit ku ndodhi ngjarja, janë filmuar duke ecur së bashku Ardi Velaj dhe Haki Rakipi, njëri prej të cilëve është duke pirë cigare. Më pas ata janë futur në njërën nga hyrje të lokalit duke u futur fillimisht në verandën e tij. Ata kanë qëndruar në verandë përballë njëri-tjetrit duke biseduar dhe pirë cigare.

Pas 2 minutash, në hyrjen tjetër që të fuste në verandën e lokalit janë parë duke hyrë së bashku Albi Limaj dhe Aleksandër Llanaj. Në momentin që këta të fundit janë futur në verandën e lokalit, Alekandër Llanaj, duke ecur në drejtim të Haki Rakipit dhe Ardi Velajt, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre duke goditur fillimisht Ardi Velaj. Për pasojë Ardi Velajt i është shkaktuar një plagë në kokë, në anën e majtë dhe ai vetë, ndonëse kishte pistoletë me vete, nuk ka arritur ta përdorë.  Po kështu, Aleksandër Llanaj ka qëlluar tri herë edhe ndaj personit tjetër, Haki Rakipi.

Nga një automjet tip “BMW”, ka dalë Bertil Alliaj, i cili është futur në anën e lokalit ku ndodhej ende i gjallë Albi Limaj duke konstatuar plagosjen e tij. Limaj ka dalë nga lokali nga e njëjta hyrje që edhe ishte futur në verandën e tij, ndërsa Aleksandër Llanaj, ka dalë nga pjesa tjetër e lokalit ku ka parë të shtrirë të tokë trupat e pajetë të Haki Rakipit dhe Ardi Velajt.

Rezulton se i pandehuri Aleksandër Llanaj është futur në automjetin “BMW X5”, që drejtohej nga i pandehuri Ani Begaj dhe ka komunikuar me këtë të fundit. Më pas, Ani Begaj është afruar tek i pandehuri Bertil Alliaj, me të cilin kanë komunikuar dhe ku i ka dhënë armën, me të cilën kishte qëlluar Llanaj.

Më pas, Bertil Alliaj dhe Ani Begaj, pasi nuk kanë mundur të bëjnë dërgimin në automjet të Albi Limajt, për shkak se ky i fundit kishte rënë i shtrirë në asfalt, Bertil Alliaj është larguar me vrap. Gjatë largimit të Alliaj është parë me dy armë dhe rezulton nga akti i ekspertimit kimik se ai ka pasur faktorë plotësues të qitjes në dorë.

Ndërkohë që Bertil Alliaj është larguar midis pallateve, Ani Begaj ka dërguar në spital Aleksandër Llanaj për shkak se ky i fundit rezultonte i plagosur. Fillimisht nga vendi i ngjarjes është larguar trupi i pajetë i Albi Limajt. Sipas aktit të ekspertimit balistik, rezulton se predha që i është gjetur Albi Limaj është qitur nga arma e të pandehurit Aleksandër Llanaj, ndërkohë që ky ishte spostuar në drejtim të hyrjes tjetër për në verandën e lokalit ku ndodheshin shtetasit Haki Rakipi dhe Ardi Velaj.

Si pasojë e goditjeve me armë të të pandehurit Aleksandër Llanaj ka gjetur vdekjen shtetasi Albi Limaj. Sipas dosjes së Prokurorisë së Vlorës, nga sa më sipër, rezulton se i pandehuri Aleksandër Llanaj ka kryer vrasjen me dashje me armë luftarake të shtetasve Haki Rakipi dhe Ardi Velaj, veprime këto të cilat i ka kryer në bashkëpunim me shtetasit Ani Begajn, Bertil Alliajn dhe të ndjerin Albi Limaj, i cili kishte organizuar edhe takimin.

Në lidhje me vrasjen e Albi Limajt, Aleksandër Llanaj duke e ekspozuar këtë të fundit me dashje ndaj goditjeve me armë të realizuara prej tij i ka shkaktuar atij vdekjen.

Përfundimisht, Prokuroria e Vlorës ka çmuar se i pandehuri Aleksandër Llanaj ka kryer veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese” të shtetasve Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj, të kryer në bashkëpunim. Ndërsa të pandehurit Bertil Alliaj dhe Ani Begaj kanë konsumuar secili më vete veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese kryer në bashkëpunim”, në të dëm të shtetasve Haki Rakipi dhe Ardi Velaj. Akuza ndaj tyre bazohet në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, aktet e ekspertimit kimik, aktet e ekspertimit balistik, aktet e ekspertimit mjeko-ligjor, tabulatet telefonike, përgjimet e kryera, procesverbali për këqyrjen e pamjeve filmike, thëniet e personave të pyetur si deklarues, etj.

Pas një kalvari të gjatë gjyqësor në të tri shkallët dhe me një vendim të Gjykatës Kushtetuese në dhjetor të vitit 2017, që riktheu dosjen në Gjykatën e Lartë, kjo e fundit dha vendimin final më 19 mars të vitit 2022.

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të Vlorës për Aleksandër Llanajn, Ani Begajn dhe Bertil Alliajn. Për Llanajn, që ishte i vetmi i arrestuar, pasi kishte mbetur edhe vetë i plagosur në ngjarje, ka mbetur në fuqi dënimi me burgim të përjetshëm, ndërsa për dy të tjerët, që u gjykuan në mungesë, mbeti në fuqi dënimi me nga 35 vite burg. Vendimi u mor nga tre anëtarët e gjykatës së Lartë, Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici.

DHJETË VJET ARRATI

Ku ishte Bertil Alliaj për dhjetë vite? Si mund të jetojë dikush në arrati në një vend të vogël si Shqipëria? A u ndihmua? Apo askush nuk kërkoi mjaftueshëm?

Për një dekadë, ai s’u kap. E duket se shteti, në heshtje, e kishte harruar. Derisa ai i kujtoi të gjithëve ekzistencën e tij me plumba.

Miku i tij, bashkëpunëtor dhe i dënuar për të njëjtën ngjarje, Ani Begaj, ishte arrestuar 7 vite pas “Masakrës së Çoles”, më 7 korrik të vitit 2022. Ai u arrestua së bashku me djalin e xhaxhait të tij, Elton Begajn. Të dy të arrestuarit ishin duke lëvizur me një automjet tip “Nissan”. Ata janë ndjekur në Lungomare nga Policia dhe nuk kanë ndaluar, derisa në një rrugicë në lagjen “Pavarësia” të Vlorës, nuk kanë gjetur rrugëdalje. Policia i ka shtrirë barkas të dy, duke u vënë prangat, ndërsa me vetë u janë gjetur edhe pistoleta.

Njësoj si Bertil Alliaj, edhe Ani Begaj ishte dënuar me 35 vjet burg. Por ndërsa ai tashmë po vuante dënimin në qeli, Alliaj vijoi arratinë edhe për 3 vite, derisa realizoi krimin e radhës dhe u arrestua.

Në fshatin e tij, në Gjorm të Vlorës, banorët thonë se nuk e kishin parë që pasi ndodhi “Masakra e Çoles”. I pajisur me një pasaportë kosovare, Bertil Alliaj, mendohet se mund të ketë lëvizur edhe jashtë Shqipërisë, megjithatë ka të dhëna se ka qëndruar edhe në Vlorë. Madje mund të jetë ndihmuar edhe nga kushëriri i tij, Dalan Alliaj, të cilin e qëlloi për vdekje mbrëmjen e 1 nëntorit 2025.

Në mes të kësaj tragjedie është një lidhje gjaku. Dy kushërinj. Njëri i qetë, familjar, baba i dy fëmijëve, që merrej me biznes dhe nuk kishte pasur kurrë probleme me Policinë; tjetri, një fantazmë e drejtësisë së munguar. Çfarë i ndau? Dhe pse tani? Këtë mund ta sqarojë vetëm autori i krimit, Bertil Alliaj, i cili deri në këtë fazë të hetimit nuk ka zgjedhur të tregojë asgjë.

DËSHTIMI I SISTEMIT

Rasti i Bertil Alliaj nuk është i vetëm. Dhjetëra persona të dënuar me burgim, vijojnë t’i shmangen drejtësisë e në ndonjë rast edhe të kryejnë krime të tjera. Sistemi i drejtësisë shqiptare mbetet me vrima të mëdha. Në kërkim, në ndjekje, në përgjegjësi.

Në momentin që për një të dënuar nuk ekzekutohet vendimi, përgjegjësia është zinxhir. Por dikush me siguri nuk ka bërë detyrën.

Në dosjet e pluhurosura të drejtësisë shqiptare, Bertil Alliaj ishte thjesht një emër i harruar. Derisa u kthye në lajm. Vrasja e Dalan Alliajt në Gjorm të Vlorës, më 1 nëntor 2025, është një tjetër dëshmi se shteti nuk ka mekanizma real ndëshkimi. Nëse dikush fshihet, thjesht pritet që të dalë vetë. Dhe Bertil Alliaj doli, por me një vrasje tjetër.

Kur drejtësia dështon, ndëshkimi bëhet i rastësishëm. Ai vjen si hakmarrje, si aksident, si tragjedi e përsëritur.

Një dënim i harruar, një krim i përsëritur, një jetë e humbur.

Në një vend ku drejtësia ecën ngadalë, fajtorët kthehen para nesh. Jo për t’u penduar, por për të vrarë sërish.

Dhe pyetja që bëjnë të gjithë: Kush e vrau Dalan Alliajn? Kushëriri apo sistemi?/abcnews.al

Trump pret Zelenskyn: I kemi të gjitha kushtet për një marrëveshje, Putin është serioz për paqen

By: Re Nato
28 December 2025 at 20:22

Duke folur përkrah Volodymyr Zelenskyy jashtë shtëpisë së tij në Mar-a Lago, Donald Trump tha se beson që Vladimir Putin është “serioz për paqen”.

“Shumë njerëz kanë vdekur dhe mendoj se të dy presidentët duan të bëjnë një marrëveshje”, tha ai.

“Unë besoj se kemi të gjitha kushtet për një marrëveshje që është e mirë për Ukrainën, e mirë për të gjithë. Nuk ka asgjë më të rëndësishme.”, shtoi presidenti.

Ndër të tjera, Trump deklaroi se do të ketë një marrëveshje “të fortë” sigurie për Ukrainën dhe “kombet evropiane janë shumë të përfshira”.

” Mendoj se kombet evropiane kanë qenë vërtet të shkëlqyera dhe janë shumë dakord me këtë takim dhe me arritjen e një marrëveshjeje. Ata janë të gjithë njerëz të mrekullueshëm.”, tha Trump./abcnews.al

Exit pollet e para, VV nuk formon e vetme qeverinë/ Nura: Kosova ka nevojë për stabilitet, ndërkombëtarët të shqetësuar

By: Re Nato
28 December 2025 at 19:38

Analisti Artur Nura thotë se Kosova ka necojë për stabilitet politik dhe ekzkutiv, teksa exit pollet e para pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, tregojnë se LVV e Albin Kurtit sërish nuk e formon dot e vetme qeverinë.

Në emisionin “Newsroom” në ABC News, Nura u shpreh se ndërkombëtarët janë të shqetësuar dhe se do fillojnë të lëvizin.

“Konfirmohet i njëjti konfiguracion parlamentar. Të shohim sa do të marrë LDK. Nuk kam të dhënat përfundimtare, por më rezulton se PDK ka 27 deputetë dhe LVV ka 49 deputetë. Për LDK nuk dihet akoma. Skenari më afatgjatë për stabilitetin do ishte koalicioni me PDK. Ne nuk kemi politikanë racionalë në Kosovë. Duhet të kishte stabilitet, duhet të kishin fillua negociatat me Serbinë. Këto janë kostot të humbura, kosto që duhen paguar. Kosova ka nevojë për stabilitet politik dhe ekzekutiv. Këtë gjë mund ta bëjnë politikanët racionalë siç është zonja Osmani. Opozita, për fat të keq, nuk është në situatë optimale. Në momente historike që është Kosova sot, duhen pranuar edhe kosto. Nuk i shoh të mundshme, por faktori ndërkombëtar është shqetësuar.

Zgjedhjet në Kosovë/ Ukshini: Kurti duhet të jetë më pragmatist dhe të kërkojë aleatë

By: Re Nato
28 December 2025 at 19:23

Ish ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Syle Ukshini thotë se sipas exit polleve të para në Kosovë, Albin Kurti nuk e formon i vetëm qeverinë.

Në një intervistë për “Newsroom” në ABC News, Ukshini u shpreh se Kurti duhet të jetë më pragmatist dhe të kërkojë aleatë.

“Nëse këto rezutate mbeten, narrativa e Kurtit fiton, por tregon edhe dobësi të opozitës. LDK po bie vazhdimisht që prej koalicionin që ka pasur me LVV. Zgjedhjet nuk janë për vetvete dhe për parti politike, për ta drejtuar Kosovën. Nëse nuk e krijon, Kurti duhet të tregohet më pragmatist dhe duhet të kërkojë aleat përtej LDK. Zgjedhja e presidentit kërkon shumë vota. Nuk e di nëse LVV e projekton PDK si armikun kryesor të saj. Zgjidhja mund të bëhet me një koalicion LVV-LDK dhe Aleanca. Gara nuk po bëhet për program, por për individë. Është meritë e Albin Kurtit, sepse Kurti e ka djegur Fatmir Limajn. Nëse Kurti e bën këtë lëvizje taktike, djek taktikisht LDK dhe AAK, përçan opozitën.”, theksoi ai./abcnews.al 

Zgjedhjet në Kosovë, dalin exit pollet e para/ Kurti 44.1 përqind, Hamza 23.9 përqind, Abdixhiku 16.1 përqind

By: Re Nato
28 December 2025 at 19:09

Pas përfundimit të procesit zgjedhor në Kosovë, janë publikuar rezultatet e exit poll-eve, duke e nxjerr të parën Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit.

LVV pritet të fitojë 44.1 për qind, PDK-ja 23.9, LDK-ja 16.1 për qind dhe AAK-ja 5.8 për qind.

Të drejtë vote kishin rreth 2 milionë qytetarë.

Protesta në Siri/ Tre të vrarë dhe 60 të plagosur, alavitët rebelohen kundër qeverisë

By: Re Nato
28 December 2025 at 18:32

Të paktën tre persona u vranë dhe 60 të tjerë u plagosën të dielën gjatë protestave në Latakia të Sirisë.

Përplasjet në zonën ku jetojnë alavitët ishin të dhunshme dhe u përshkallëzuan në të shtëna me armë zjarri.

Siria është tronditur nga disa episode të gjakderdhjes sektare që kur udhëheqësi i hershëm Bashar al-Assad, i cili vjen nga pakica myslimane alavite, u rrëzua nga një ofensivë rebele vitin e kaluar dhe u zëvendësua nga një qeveri e udhëhequr nga sunitët.

Mijëra protestues alavitë u mblodhën të dielën në sheshin Azhari në qytetin Latakia për të kërkuar një sistem politik të decentralizuar në Siri dhe lirimin e mijëra të burgosurve alavitë.

Rreth dy orë pas fillimit të protestës, të shtëna me armë zjarri u dëgjuan nga një vendndodhje e paidentifikuar. Forcat e sigurisë më pas qëlluan në ajër dhe protesta u shndërrua në kaos, me demonstruesit që transportonin të plagosurit në këmbë.

Agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA raportoi se një anëtar i forcave të sigurisë u vra nga të shtënat me armë zjarri nga ato që i cilësoi si mbetjet e armatosura të ish-regjimit.

Pak ditë më parë tetë persona u vranë kur një bombë shpërtheu në një xhami alevite në qytetin e afërt të Homsit./abcnews.al

Amnistia penale/ Lamallari: Lirohen 380 të burgosur, për 900 të tjerë ulje dënimi

By: Re Nato
28 December 2025 at 18:03

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, komunikoi nismën e Qeverisë Shqiptare për amnistinë e ndërmarrë si një akt i frymëzuar nga humanizmi, drejtësia sociale dhe standardet europiane.

Pjesë e një politike penale moderne, që synon rehabilitimin, uljen e mbipopullimit në burgje dhe forcimin e sigurisë afatgjatë, amnistia hap rrugën që 380 persona të përfitojnë lirim të menjëhershëm dhe rreth 900 të tjerë ulje dënimi, duke ulur në këtë mënyrë edhe popullimin në burgje me gati 7%.

“Në mbyllje të këtij viti, qeveria shqiptare ka ndërmarrë një nismë për miratimin e një amnistie penale. Ky lajm i mirë është urimi më i mirë i këtij fundviti. Aministia është politikë penale moderne. Një shtet i fortë nuk ka nevojë të mbajë në burg njerëz pa rrezikshmëri reale. Nga zbatimi i kësaj amnistie në vlerësimet paraprake të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rreth 380 persona do të përfitojnë lirim të menjëhershëm; dhe rreth 900 të tjerë përfitojnë ulje dënimi, ndërsa numri real i përfituesve është edhe më i lartë, duke përfshirë ata që përfitojnë nga pushimi i ndjekjes penale si dhe masat alternative”, theksoi Lamallari ndër të tjera./abcnews.al

Aksidentoi për vdekje 64-vjeçaren/ Elbasan, vihet në pranga drejtuesi i automjetit

By: Re Nato
28 December 2025 at 17:38

Një 31-vjeçar është vënë në pranga nga policia e Elbasanit.

Ky shtetas aksidentoi për vdekje një këmbësore 64-vjeçare, në aksin rrugor Qafë Thanë–Librazhd.

31-vjeçari akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen./abcnews.al

Festat e fundvitit, shteti në këmbë/ Fluks në Kakavijë, shtohet personeli dhe sportelet

By: Re Nato
28 December 2025 at 17:12

Në Pikën Kufitare të Kakavijes drejtues të strukturave të Policisë Kufitare dhe Policisë së Rendit kanë inspektuar zbatimin e masave të përcaktuara në planin e posaçëm për fundvitin.

Dy drejtuesit e strukturave të Policisë së Shtetit inspektuan  masat  e marra nga forcat blu në Kakavije për evitimin e radhëve të pritjes dhe garantimin e rendit dhe sigurisë publike në doganën e Kakavijës.

Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Saimir Muçaj foli per bashkepunimin me palën greke për përpunimin e fluksit të shtuar përgjatë periudhës të festave të fundvitit.

Janë shtuar sportelet dhe numri i punonjësve të Policisë, veçanërisht në Pikat e Kalimit Kufitar me Greqinë dhe në pikat e tjera me fluks të lartë, ku prej dy javësh punohet me kapacitet të plotë logjistik dhe njerëzor.

Dhimitraq Ziu, Drejtor i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike theksoi se Shërbimet e policisë së Rendit do të jene në gadishmëri edhe natën e ndërrimit të viteve.

Efektivët e Shqiponjave, Reneas dhe Forcës Kombëtare do të jenë në gadishmëri për t’ju përgjigjur situatave

Gjatë kësaj periudhe është shënuar një rritje e qarkullimit ndërkufitar rreth 10.5% krahasuar me vitin e kaluar, jo vetëm të shtetasve shqiptarë, por edhe të vizitorëve të huaj./abcnews.al

Ukraina godet me dronë rafinerinë ruse të naftës

By: Re Nato
28 December 2025 at 16:45

Ushtria ukrainase deklaroi se ka sulmuar rafinerinë e naftës Syzran të Rusisë në një sulm me dron gjatë natës.

Shtabi i përgjithshëm i Kievit thotë se sulmi në rajonin e Samarës shkaktoi një zjarr dhe dëmet ende po vlerësohen.

Deklarata tregoi gjithashtu se një sulm i kohëve të fundit ukrainas në rafinerinë e naftës në Volgograd kishte dëmtuar një tubacion dhe pajisje për prodhimin e lubrifikantëve.

Gazeta Moscow Times tha se banorët raportuan se dëgjuan deri në gjashtë shpërthime.

Gjithashtu u theksua se një sulm thuhet se goditi një instalim kyç të përdorur për përgatitjen e naftës bruto./abcnews.al

Liverpool fiton për Diogo Jota/ “The Reds” zbresin në “Anfield” me tre fëmijët e ish sulmuesit

By: Re Nato
28 December 2025 at 16:41

Liverpool është më shumë se një klub futbolli. Është një familje e vërtetë, ndërsa himni legjendar “You ëill never ëalk alone” e ka mishëruar edhe një herë këtë gjë.

Futbollistët në fushë dhe tifozët në tribunat e “Anfield Road” dhuruan një tjetër skenë që kalon kufijtë e sportit.

Me këndën “ju kurrë nuk do të ecni vetëm”, ata mirëpritën tre fëmijët e Diogo Jota, ish sulmuesit portugez, që humbi jetën më 3 korrik në moshën 28 vjeçare, bashkë me vëllain e tij në një aksident automobilistik.

Liverpool nderoi më pas edhe sportivisht kujtimin e Diogo Jota, duke fituar 2-1 ndeshjen kundër Wolves, skuadra e parë që e transferoi portugezin në Premier League.

Në një sfidë të mbushur me emocione të mëdha, të zotët e shtëpisë mbyllën garën që në pjesën e parë.

Në vetëm dy minuta, në fillim Gravenberch dhe më pas Florian Virtz vendosën epërsinë e dyfishtë, përpara se skuadrat të ktheheshin në pushimin e ndeshjes.

Në fraksionin e dytë, miqtë vetëm sa ngushtuan diferencën me Bueno, por nuk prishën festën e Liverpool, që duket se ka hedhur pas krahëve nisjen zhgënjyese që i bëri këtij sezoni.

Kjo ishte fitorja e tretë radhazi për skuadrën e Arne Slot, që ngjitet në vendin e katërt të klasifikimit në Premier League dhe ka në dorë, të paktën për momentin biletën e fundit për në edicionin e ardhshëm të Champions. /abcnews.al

Juventus është për titull/ Fitore 2-0 në Pisa, afrim me kreun ndonëse me ndeshje tepër

By: Re Nato
28 December 2025 at 16:32

Është ende shpejt për konkluzione.

Gjithsesi, mediat në Itali po shkruajnë se ky Juventus po shkakton frikë, si dhe që një lojtar si Edon Zhegrova ka nisur të ndikojë fort.

Kjo ishte historia e ndeshjes së Serisë A në fushën e Pizës, që rezultoi shumë e vështirë, ndonëse në fund u fitua 2-0.

Golat nga Kalulu dhe Kenan Jildiz bënë që të liheshin pas momentet e vështira kur Piza goditi dy herë shtyllën dhe ishte më pranë fitores se “Zonja e Vjetër”.

Në një sfidë, ku Juvja bëri më shumë, por mund të ishte ndëshkuar, u desh hyrja në fushë në 62’ e yllit të Kosovës që të merreshin tri pikët.

Zhegrova nisi me autoritet dhe klas aksionin e golit të parë të Kalulut, dhe e kërcënoi shpesh portën e vendasve.

Në fund, në minutat shtesë Jildiz përfundoi nga dy hapa aksionin e gjatë të piemontezëve.

“Zonja Po, – titullon “La Gazeta delo Sport”, – Juvja vuan dhe fiton. Spaleti ndryshon, Zhegrova i jep shkundjen ekipit, Kalulu e Jildiz shënuan!”

“Ja ku jemi, – shkruan në mënyrë triumfale e përditshmja e Torinos, “Tutosport”, – hyrja e Zhegrovës I dha shkundjen ekipit pas disa drithërimave!”

Juventus ka 32 pikë, duke qenë pranë kreut të Serisë A, ndonëse ka luajtur më shumë ndeshje sesa Milani, Interi e Napoli.

Gjithsesi, trajneri Luçiano Spaleti e ka kthyer në garë për titull./abcnews.al

“Mitaj nuk do të largohet”/ Al Ittihad hedh poshtë lajmet për transferimin e yllit kuqezi

By: Re Nato
28 December 2025 at 16:20

Për ta ky rast nuk ekziston.

Al Itihad nuk është në dijeni se ka ndonjë mundësi që Mario Mitaj të largohet në janar apo kurdo qoftë.

Zëdhënësi I klubit, Rijad Al Mazhar i ka hedhur poshtë lajmet mediatike se shqiptari mund të transferohet në janar.

Gjithsesi, gazetat në kryeqytetin e Arabisë Saudite shkruajnë se Al Itihad është në bisedime me Lacion për mbrojtësin portugez, Nunjo Tavares, që luan në pozicionin e Mitajt.

Po ashtu, për yllin kuqezi po bëhen kritika për gabime gjatë ndeshjeve, që mund t’i kushtojnë ekipit, edhe pse paraqitja e tij përgjithësisht është mjaft e mirë.

Lajmet dolën që Mitaj mund të largohet nga Arabia Saudite në janar.

Ky njoftim u dha nga gazetari saudit, Mohamed Al Bakr, që njoftoi se kampionët saudite janë në bisedime për transferimin e mbrojtësit të Shqipërisë, ndonëse nuk jepet emri i klubit që e kërkon.

Gazetari thekson se ky lajm nuk do t’u pëlqejë tifozëve, dhe duket I habitshëm sepse Mitaj është kthyer në një lojtar kyç të ekipit nga kryeqyteti Riad.

Al Itihad ia bleu kartonin para një vit për rreth 4 milionë euro, ndërsa besohet se do të fitojë shumë më tepër në rast se mbrojtësi shqiptar largohet.

Mitaj fitoi vjet titullin kampion dhe Kupën e Mbretit në Arabinë Saudite, duke qenë ndër më të mirët, ndonëse pati dëmtim në fillim të vitit, dhe vazhdon të jetë protagonist./abcnews.al

Takimi në Mar a Lago për garanci sigurie/ Trump-Zelensky, diskutimet edhe për territoret ukrainase

By: Re Nato
28 December 2025 at 16:03

Presidenti ukrainas. Volodymyr Zelensky takohet këtë të diel me homologun e tij amerikan Donald Trump, në Mar a Lago në Florida.

Zelensky ka thënë se shpreson për një diskutim konstruktiv me Trump, në lidhje me garancitë e sigurisë, pasi Ukraina kërkon siguri se Rusia nuk do të rifillojë sërish agresionin.

Një çështje tjetër e rëndësishme për t’u diskutuar janë territoret ukrainase. Në qendër të përpjekjeve të Ukrainës për të anuar bisedimet në favor të saj është një plan me 20 pika, të cilin Zelensky thotë se është rreth 90% gati.

Rusia e ka bërë të qartë vazhdimisht qëndrimin e saj kundër çdo pranie ushtarake europiane në Ukrainë.

Sergei Lavrov, ministri i jashtëm i Rusisë, i paralajmëroi edhe një herë aleatët e Ukrainës kundër vendosjes së një force në vend në rast të një marrëveshjeje paqeje, duke thënë se një kontingjent i tillë do të ishte një objektiv legjitim.

Nga ana tjetër kreu i Kremlinit, Vladimir Putin paralajmëroi se nëse Ukraina nuk bie dakord për një zgjiedhje paqësore të konfliktit, Rusia do i arrijë qëllimet e saj me mjete ushtarake.

Moska e sulmoi sërish Ukrainën edhe në fundjave me qindra dronë dhe raketa. Bombardimet lanë disa të plagosur dhe mijëra familje pa energji elektrike.

Nga ana tjetër, Ushtria e Ukrainës ka thënë se sulmoi rafinerinë e naftës Sizran të Rusisë.

Shtabi i përgjithshëm i Kievit tha se sulmi në rajonin e Samarës shkaktoi një zjarr dhe dëmet ende po vlerësohen./abcnews.al

Fundviti gjen Krujën plot me turistë/ Vizitorë vendas e të huaj preferojnë muzeun dhe pazarin karakteristik

By: Re Nato
28 December 2025 at 15:48

Turistë vendas e të huaj  kanë zgjedhur ta kalojnë të dielën e fundit të këtij viti në Krujë.

Piktori Xhemali Nova i cili çdo ditë hedh në tablo pjesëza të qytetit tregon se numri i vizitorëve në dimër është shtuar.

Pazari karakteristik dhe muzetë, ai kombëtar dhe etnografik  janë ato që tërheqin më shumë të huajt.

“Është një qytet antik, shumë mbresëlënës. Shqipëria është e bukur.”

“Më pëlqen. Është bukur. Është e katërta herë që vijmë në Shqipëri.”

Kombinimi I historisë, kulturës dhe natyrës e ka  kthyer Krujën në një prej qyteteve më të vizituara.

Turistët e bëjnë pjesë të gudiave të tyre  gjatë vizitës në Shqipëri./abcnews.al

Djegia e autobusëve, zjarri aksidental/ Policia e Durrësit zbardh shkakun: Shkëndijë elektrike në një bateri

By: Re Nato
28 December 2025 at 15:24

Flakët që shpërthyen  mesditën e të  shtunës në një pikë parkimi autobuzësh jashtë funksioni në Fllakë të Durrësit sipas policisë ishin aksidentale.

Referuar  hetimeve  paraprake policia thotë se dyshon  se zjarri u shkaktua nga një shkëndijë elektrike në baterinë e njërit prej autobuzëve.

Flakët u përhapën më shpejtësi pasi një pjesë e autobuzëve ishin mbushur me goma duke shkaktuar   tym toksik që u përhap  deri pranë qytetit të Durrësit.

Zjarrëfikësit  shkuan në vendngjarje pas njoftimit të disa  qytetarëve duke shuar  zjarrin prej të cilit  mbetën të djegur tetë autobuzë  që ishin në park jashtë përdorimi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori për ngjarje aksidentale./abcnews.al

Sfidat dhe përballja me sëmundjen/ Xhenisa Shani tregon si pranoi diagnozën që i ndryshoi jetën

28 December 2025 at 14:16

Një mëngjes i zgjuar ndryshe me vështirësi në lëvizje, dhe me dobësim të shikimit,  ishin ndër sinjalet e para që e lajmëruan  Xhenisa Shanin se diçka nuk po shkonte siç duhej me trupin e saj. Para 6 vitesh, ajo ishte 24 vjeç kur u diagnostikua me Skleroza Multiple.  Një sëmundje autoimune kronike, e cila prek trurin dhe palcën kurrizore.

“Jam zgjuar një ditë me probleme të ekuilibrit, pamundësi për të lëvizur. Edhe probleme me shikimin, nuk arrija të shihja dot qartë. Aty kuptova që kishte diçka që nuk shkonte. Mjekët më thonin që kjo është një diagnozë që do ta kesh gjithë jetën. Thjeshtë jam munduar që të marr sa më shumë informacione për këtë sëmundjen dhe si ta përballoj.

Në kohën kur mësoi sëmundjen Xhenisa studionte për Kimi dhe Tekonologji Ushqimore, dhe nuk kishte dëgjuar kurrë më parë për diagnozën që do t’i ndryshonte jetën. Ajo tregon se veprimi i parë që bëri ishte kërkimi i informcionit në google mbi sëmundjen.

“Nuk e kisha hasur asnjëherë emrin e kësaj sëmundje. Normalisht që duke hulumtuar në internet, burime të tjera informacioni. Kam kuptuar pastaj që është një sëmundje kronike që vazhdon gjithë jetës.  Shikoja persona me të njëjtën diagnozë, por, që sëmundja kishte agravuar më shumë. Mendoja që edhe unë mund të arrij në atë pike. Këtë pjesë e kam përjetuar shumë.”

Si rrallë herë, Xhenisa e pranoi që në fillim sëmundjen. Pas diagnostikimit ajo thotë se jeta e saj ka marrë tjetër formë, bashkë me të edhe ëndërrat për të ardhmen.

 “Patjetër që ka ndryshuar, po mund të them që është më shumë nga ana psikologjike. Sepse nuk e mendoja kurrë që mund të kisha një ditë këtë diagnozë. Ka ndikuar në mënyrën sesi unë e mendoja të ardhmen. Nuk ka qenë refuzim të kësaj sëmundjes. E kam pranuar që në fillim”.

Mosnjohja e sëmundjes në rrethin shoqëror, ishte një tjetër sfidë.

“Skleroza multiple e ngatërronin me demenzën. Që lidhet me harresën. Nuk kishin informacion të rinjtë me këtë, ngaqë fizikisht nuk dukesha që e kam këtë diagnozë, kur e shprehja tek të tjerët shifja një lloj mëshire.”

Kur bëhet fjala për shëndetin, koha e zbulimit të sëmundjes është vendimtare.

“E kam kapur në fazë të herëshme. Besoj se koha ka të bëjë shumë me këtë sëmundje, sa ma herët t’a pranosh që e ke këtë problem, aq më mirë është”.

Historia e Xhenisës na tregon se edhe me një diagnozë që zgjat gjithë jetën, shpresa, pranimi dhe forca e brendshme mund të bëhen mjetet më të fuqishme për të ecur përpara.

“Forcën duhet ta gjejnë tek vetja, të shpresojnë që do vijnë ditë më të mira”….  / abcnews.al /

❌
❌