Normal view

Përplasja e madhe në FIFA: Kush po kërkon kokën e Infantinos dhe kush po e mbron?

8 August 2026 at 22:29


Kriza rreth FIFA-s dhe presidentit Gianni Infantino po thellohet, pasi federatat kombëtare janë ndarë në dy kampe: disa kërkojnë largimin e tij, ndërsa të tjera vazhdojnë ta mbështesin.

Në qendër të përplasjes është FIFA Forward Enterprise (FFE), struktura e re komerciale ku FIFA kishte planifikuar të lejonte investitorë privatë të merrnin pjesë në pronësi. Projekti, i cili sipas FIFA-s mund të gjeneronte deri në 4.2 miliardë dollarë, shkaktoi reagime të ashpra në botën e futbollit.

Pas kritikave, FIFA e tërhoqi propozimin dhe kërkoi falje për mënyrën se si u menaxhua situata. Megjithatë, kjo nuk e ka ndalur presionin ndaj Infantinos.

UEFA dhe disa prej federatave të saj anëtare kanë dalë kundër presidentit të FIFA-s. Uellsi, Finlanda, Suedia, Anglia, Jordania, Shqipëria dhe Norvegjia kanë tërhequr mbështetjen për rizgjedhjen e tij.

Norvegjia ka shkuar edhe më tej, duke kërkuar publikisht dorëheqjen e Infantinos.

“Besimi tashmë është humbur dhe FIFA ka nevojë për udhëheqje të re. Besojmë se koha e Gianni Infantinos si president i FIFA-s duhet të përfundojë dhe po i kërkojmë të japë dorëheqjen”, deklaroi presidentja e federatës norvegjeze, Lise Klaveness.

Por Infantino nuk është i vetëm. Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF) e ka rikonfirmuar unanimisht mbështetjen për të, duke vlerësuar kontributin e tij në zhvillimin e futbollit afrikan.

Në krah të presidentit të FIFA-s janë pozicionuar edhe Meksika, Paraguai dhe Argjentina. Federata meksikane ka shprehur mbështetjen për udhëheqjen e Infantinos, ndërsa Argjentina e ka vlerësuar punën e tij që nga zgjedhja në vitin 2016 dhe faktin që ai pranoi gabimet e bëra në lidhje me propozimin kontrovers.

Kështu, përplasja rreth Infantinos po shndërrohet në një ndarje të madhe brenda futbollit botëror, me UEFA-n dhe disa federata që kërkojnë ndryshim të lidershipit, ndërsa CAF dhe disa prej federatave të tjera vazhdojnë t’i qëndrojnë pranë./Telegrafi/

Zjarri në Malin e Krujës del jashtë kontrollit, flakët zbresin drejt zonave të banuara

8 August 2026 at 22:28


Zjarri në Malin e Krujës ka nisur që prej mesditës së sotme dhe, pas ndërhyrjes nga ajri, situata është përkeqësuar pas largimit të helikopterëve të emergjencave civile.

Flakët kanë dalë sërish jashtë kontrollit dhe po zbresin në drejtim të zonave më poshtë, duke rritur shqetësimin për objektet e banuara dhe lokalet që ndodhen në afërsi.

Ndërhyrja nga ajri ka qenë e nevojshme për shkak të terrenit të vështirë, ndërsa pas largimit të helikopterëve flakët kanë vijuar përhapjen.

Banorët dhe personat që ndodhen në zonë kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga ajri për të frenuar zjarrin dhe për të shmangur afrimin e flakëve drejt zonave të banuara.

Në vendngjarje ndodhen Forcat Operacionale dhe Forcat e Armatosura. /Tch/

Akne, zbokth dhe infeksione kërpudhore – çfarë mund të bëjë vërtet vaji i pemës së çajit?

8 August 2026 at 22:17


Përfitimet janë premtuese, por përdorimi i gabuar mund të shkaktojë irritim dhe reaksione alergjike

Vaji i pemës së çajit (Melaleuca alternifolia) është një nga vajrat esencialë më të studiuar. Përftohet nga distilimi i gjetheve të pemës së çajit, me origjinë nga Australia, dhe përmban përbërës që kanë treguar aktivitet antimikrobik dhe antiinflamator në studime laboratorike.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se vaji i pemës së çajit është një “ilaç natyral” për çdo problem të lëkurës. Sipas National Center for Complementary and Integrative Health (NCCIH), ka disa prova se përdorimi në lëkurë mund të ndihmojë te aknet dhe këmba e atletit, por për shumë përdorime të tjera provat janë ende të pamjaftueshme.

Mund të ndihmojë te aknet

Një nga përdorimet më të studiuara të vajit të pemës së çajit është trajtimi i akneve të lehta deri në mesatare.

Disa studime kanë treguar se preparatet me 5 për qind vaj të pemës së çajit mund të ulin numrin e puçrrave dhe ashpërsinë e akneve. Një provë klinike e randomizuar me 60 persona gjeti përmirësim pas përdorimit të xhelit me 5 për qind vaj të pemës së çajit.

Megjithatë, një përmbledhje më e re e studimeve vlerëson se nevojiten prova më të forta për të përcaktuar me siguri efektivitetin e tij.

Mund të ndihmojë te këmba e atletit

Disa të dhëna tregojnë se vaji i pemës së çajit mund të ndihmojë në lehtësimin e simptomave të infeksioneve kërpudhore të këmbëve, veçanërisht në rastet e lehta.

Megjithatë, NCCIH thekson se mund të mos jetë po aq efektiv sa trajtimet standarde dhe provat janë ende të kufizuara, transmeton Telegrafi.

Po infeksionet kërpudhore të thonjve?

Vaji i pemës së çajit është studiuar edhe për onikomikozën, por rezultatet nuk janë aq bindëse. Sipas NCCIH, janë kryer vetëm pak studime dhe cilësia e provave nuk është e mjaftueshme për të nxjerrë një përfundim të sigurt.

Prandaj, në rast të një infeksioni të avancuar të thonjve, nuk duhet të zëvendësojë trajtimin e rekomanduar nga dermatologu.

Mund të ndihmojë edhe me zbokthin

Disa produkte për kujdesin e flokëve përmbajnë vaj të pemës së çajit dhe janë studiuar për zbokthin dhe kruajtjen e skalpit. Megjithatë, provat klinike për përdorime të ndryshme të këtij vaji nuk janë njësoj të forta.

Për këtë arsye, është më mirë të përdoren produkte të formuluara posaçërisht për skalpin sesa vaji esencial i pastër.

Si duhet përdorur?

Një nga rregullat më të rëndësishme është: vaji esencial i pemës së çajit nuk duhet të gëlltitet.

Kur përdoret në lëkurë, është më e sigurt të zgjidhen produkte të gatshme me përqendrim të përshtatshëm, në vend që të aplikohet vaji i pastër direkt në lëkurë.

Vaji i paholluar mund të shkaktojë skuqje, djegie, kruajtje, tharje ose dermatit kontakti. NCCIH gjithashtu paralajmëron se vaji i oksiduar, pra ai që është ekspozuar për një kohë ndaj ajrit, dritës ose nxehtësisë, mund të shkaktojë më shumë reaksione alergjike.

Para përdorimit të një produkti të ri, mund të bëhet një provë në një zonë të vogël të lëkurës dhe të vëzhgohet nëse shfaqet ndonjë reagim.

Kush duhet të jetë veçanërisht i kujdesshëm?

Personat me lëkurë shumë të ndjeshme, ekzemë ose histori reaksionesh alergjike ndaj vajrave esencialë duhet të tregojnë kujdes.

Gjithashtu, vaji i pemës së çajit nuk duhet të përdoret nga goja. Gëlltitja mund të shkaktojë simptoma serioze, veçanërisht te fëmijët.

Nuk duhet të aplikohet në plagë të thella ose në infeksione serioze pa këshillën e mjekut.

Jo çdo përdorim “natyral” është i provuar

Vaji i pemës së çajit po studiohet për shumë përdorime të tjera, përfshirë probleme të ndryshme të lëkurës dhe infeksione. Por rezultatet laboratorike nuk janë të njëjta me provat klinike te njerëzit.

Prandaj, edhe pse vaji ka veti interesante antimikrobike, nuk duhet parë si zëvendësim për trajtimet e provuara.

Nëse përdoret siç duhet dhe në preparate të përshtatshme, mund të jetë një shtesë e dobishme për disa probleme të lehta të lëkurës, por “natyral” nuk do të thotë automatikisht i sigurt apo efektiv për çdo gjendje. /Telegrafi/

Ministri Lamallari në Krujë: Policia ka arrestuar autorin e zjarrvënies së qëllimshme

8 August 2026 at 22:15


Vijon operacioni për përballimin e situatës së zjarrit në zonën e Krujës, ndërsa strukturat e Policisë së Shtetit dhe shërbimet e emergjencave janë angazhuar për menaxhimin e situatës dhe mbrojtjen e banorëve.

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari ka qenë sot pasdite në Krujë bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi. Në një reagim për situatën, ministri Lamallari thotë se zjarri është shkaktuar nga dora e njeriut dhe se Policia e Shtetit tashmë ka arrestuar autorin e dyshuar.

“Policia e Shtetit e ka arrestuar tashmë zjarrvënësin dhe ai do të përballet me pasojat e rënda ligjore për këtë vepër penale”, shkruan ministri Lamallari.

Në reagimin e tij, ministri thekson se autori do të përballet me pasojat ligjore për veprën penale, ndërsa strukturat policore vijojnë të jenë të angazhuara në terren për garantimin e sigurisë së banorëve.

“Vijojmë të ndjekim nga afër betejën e vështirë me zjarrin në Krujë, që fatkeqësisht edhe kësaj radhe është shkaktuar nga dora e njeriut”, shprehet Lamallari.

Sipas ministrit, pas kërkesës së pushtetit vendor, Policia e Shtetit ka marrë masa për evakuimin e pjesshëm të banorëve që ndodhen në afërsi të vatrës së zjarrit, si masë parandaluese për garantimin e jetës dhe sigurisë së tyre.

“Çdo forcë është në terren dhe çdo mjet është në dispozicion deri në neutralizimin e plotë të rrezikut”, deklaron ministri i Brendshëm.

Operacioni në Krujë po zhvillohet në kushte të vështira për shkak të terrenit, me angazhimin e forcave tokësore dhe mbështetjen nga ajri. Strukturat zjarrfikëse dhe ato të emergjencave vijojnë punën për izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara.

Vance paralajmëron: Lufta me Iranin nuk ka përfunduar, jemi në mes të lojës

8 August 2026 at 22:11


Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, tha se SHBA-të kishin bërë përparim në negociatat me Iranin, por paralajmëroi se lufta është ende "në mes të lojës", ndërsa administrata Trump i bën presion Teheranit për lëshime për të ndihmuar në përfundimin e konfliktit.

“Mendoj se kemi bërë disa përparime gjatë ditëve të fundit”, i tha Vance gazetares së Fox News, Kayleigh McEnany, duke iu referuar negociatave midis Iranit dhe Omanit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Por Vance paralajmëroi që bisedimet të mos shihen si një shenjë se fundi i luftës është i afërt.

“Kjo gjë nuk ka mbaruar. Padyshim që nuk është në fillim. Jemi në mes të lojës”, tha ai.

“Po aplikojmë një mori mjetesh, diplomatike, ekonomike, ushtarake, për të siguruar që të marrim rezultatin më të mirë për popullin amerikan”, shtoi Vance.

Komentet e tij vijnë pasi Kryetari i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, Gjenerali Dan Caine, u bëri thirrje zyrtarëve të lartë të administratës Trump të gjejnë një "dalje nga situata" nga lufta gati gjashtëmujore me Iranin, sipas një raporti të ri.

Cluji në vështirësi financiare, Korenica afër largimit

8 August 2026 at 22:07


Meriton Korenica mund t’i japë fund aventurës së tij te Cluji gjatë këtij afati kalimtar veror.

Mediumet rumune raportojnë se reprezentuesi i Kosovës dëshiron të largohet nga skuadra rumune dhe tashmë i ka kërkuar menaxherit të tij që t’i gjejë një klub të ri.

Dëshira e Korenicës për një aventurë të re përkon edhe me situatën financiare të Clujit. Klubi rumun po përballet me vështirësi ekonomike dhe është i gatshëm të shqyrtojë ofertat për disa prej lojtarëve të tij.

Në mesin e tyre është edhe Korenica, për të cilin Cluji raportohet se kërkon rreth 1 milion euro.

Interesimi për mesfushorin 29-vjeçar nuk mungon, ndërsa klubi rumun ka marrë oferta edhe për dy futbollistë të tjerë të ekipit. Kjo e bën largimin e Korenicës një skenar gjithnjë e më të mundshëm në ditët e ardhshme të afatit kalimtar.

Korenica ka kontratë me Clujin deri në verën e vitit të ardhshëm, çka i jep klubit një mundësi të mirë për të përfituar financiarisht nga shitja e tij para se të hyjë në vitin e fundit të marrëveshjes.

Reprezentuesi i Kosovës iu bashkua Clujit në vitin 2024 dhe që atëherë është bërë pjesë e rëndësishme e skuadrës rumune./Telegrafi/

Mos i shkëputni të gjitha pajisjet kur fillon stuhia: Ky gabim mund t’ju kushtojë shtrenjtë

8 August 2026 at 21:52


Televizori dhe kompjuteri nuk janë i vetmi problem – ja cilat pajisje duhet të shkëputni dhe cilat mund t’i lini të ndezura

Goditjet e para të forta të rrufesë shpesh ndryshojnë atmosferën në shtëpi: dikush nxiton të fikë televizorin, dikush tjetër shkëput me panik të gjitha kabllot nga prizat, ndërsa të tjerë i lënë pajisjet të ndezura, duke menduar se “kjo ndodh rrallë”.

Megjithatë, gjatë një stuhie është e rëndësishme të dini çfarë duhet të shkëputni dhe çfarë nuk ka nevojë ta prekni. Jo të gjitha pajisjet janë njësoj të rrezikuara dhe një veprim i gabuar mund të krijojë më shumë probleme sesa vetë stuhia.

Rreziku më i madh nuk vjen nga çdo rrufe që dëgjohet në distancë, por nga rritja e papritur e tensionit, e cila mund të përhapet përmes rrjetit elektrik dhe të dëmtojë elektronikën.

Cilat pajisje duhet të shkëputni?

Më të ndjeshme ndaj mbitensionit janë pajisjet me elektronikë të avancuar. Kur afrohet një stuhi e fortë, është mirë të shkëputni nga priza:

  • televizorin;
  • kompjuterin dhe laptopin;
  • konzolat e lojërave;
  • ruterët dhe modemët;
  • karikuesit e telefonave dhe pajisjeve të tjera të vogla;
  • pajisjet audio dhe pajisje të ngjashme elektronike.

Veproni përpara se stuhia të jetë drejtpërdrejt mbi ndërtesë. Gjatë goditjeve më të forta të rrufesë, nuk rekomandohet të afroheni te prizat.

Frigoriferi nuk është njësoj si televizori

Një dilemë e zakonshme është nëse duhet të fikni frigoriferin dhe ngrirësin gjatë çdo stuhie.

Në përgjithësi, nuk ka nevojë t’i fikni pa arsye. Shkëputja e tyre mund të rrezikojë ushqimin, sidomos gjatë ndërprerjeve të gjata të energjisë. Nëse nuk ka rrezik për përmbytje ose paralajmërim zyrtar për ndërprerjen e energjisë, frigoriferi zakonisht mund të qëndrojë i ndezur.

Në kushte ekstreme, në rast depërtimi të ujit ose nëse kërkohet ndërprerja e energjisë, siguria ka përparësi, transmeton Telegrafi.

Kujdes me zgjatuesit për pajisjet e mëdha

Përdorimi i zgjatuesve për të mbrojtur pajisjet mund të jetë i rrezikshëm.

Frigoriferi, ngrirësi, mikrovala dhe furra kërkojnë lidhje të përshtatshme në prizën e murit. Zgjatuesit e dobët mund të mbinxehen, të dëmtohen dhe të krijojnë rrezik zjarri.

Kujdes i veçantë duhet treguar me instalimet e vjetra dhe prizat pa tokëzim të përshtatshëm.

A mjafton mbrojtësi nga mbitensioni?

Mbrojtësit nga mbitensioni mund të ndihmojnë kundër rritjeve më të vogla të tensionit, por nuk garantojnë mbrojtje nga një goditje e drejtpërdrejtë ose shumë e afërt e rrufesë.

Mbrojtja më e rëndësishme mbetet një instalim elektrik në gjendje të mirë dhe tokëzimi i përshtatshëm.

Nëse vëreni kërcitje, nxehje të plastikës, erë djegieje ose keni priza të vjetra, kërkoni kontrollin e instalimit nga një profesionist.

Çfarë të bëni nëse ndërpritet energjia?

Gjatë ndërprerjes së energjisë, shmangni hapjen e panevojshme të frigoriferit dhe ngrirësit.

Një ngrirës i mbushur mund ta ruajë temperaturën për rreth 48 orë, nëse qëndron i mbyllur, ndërsa një ngrirës gjysmë i mbushur për afërsisht 24 orë.

Për të vlerësuar nëse ushqimi është ende i sigurt, është më mirë të përdorni një termometër për frigorifer sesa të mbështeteni vetëm te era ose prekja.

Tre gjëra që duhet të bëni para stuhisë

  • Shkëputni pajisjet elektronike të ndjeshme sapo stuhia të afrohet.
  • Mos përdorni zgjatues të dobët ose të papërshtatshëm për pajisjet e rëndësishme.
  • Mbajini kabllot larg sipërfaqeve të lagura dhe dritareve ku mund të hyjë uji.

Pajisjet e shtrenjta mund të dëmtohen brenda pak sekondash, ndërsa përgatitja në kohë mund t’ju kursejë shpenzime të mëdha.

Gjatë një stuhie, qëllimi nuk është të shkëputni gjithçka nga priza me panik, por të dini çfarë është realisht në rrezik dhe të veproni në kohë. /Telegrafi/

Alarmi për dron pranë Leipzigut në Gjermani, fakte dhe pyetje të hapura

8 August 2026 at 21:25


Alarmet për dronë në aeroportet gjermane kanë qenë të shpeshta, por ky i tejkalon të gjitha: Të mërkurën në mbrëmje, një dron i pajisur me eksploziv u zbulua në pistën e Aeroportit Leipzig/Halle në landin e Saksonisë. Specialistët nga Policia Federale arritën ta çaktivizonin pajisjen shpërthyese.

A po përpiqen "fuqitë e huaja" të dëmtojnë Gjermaninë?

Ministri i Brendshëm federal Alexander Dobrindt, përgjegjës për sigurinë, ndërpreu pushimet e tij për të parë nga afër incidentin. Vlerësimi i tij fillestar: "Ky është një skenar i ri kërcënimi."

Ai foli në përgjithësi dhe në mënyrë të paqartë për autorët dhe motivet e mundshme.

Megjithatë, Dobrindt nuk e përjashtoi mundësinë që "fuqitë e huaja" të jenë pas incidentit. Qëllimi i tyre i mundshëm: të shqetësojnë Gjermaninë.

Sa seriozisht po e merr Ministri i Brendshëm gjerman zbulimin e dronit shpërthyes është e dukshme në takimin e tij në Leipzigme krerët e autoriteteve qendrore të sigurisë për një informim mbi situatën: Policia Federale, Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA) dhe Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV).

"Ne duhet të hetojmë në të gjitha drejtimet", tha Dobrindt. Kjo përfshin shqyrtimin e spekulimeve rreth llojit të eksplozivit, dizajnit të dronit, origjinës së tij dhe kush qëndron pas tij.

Mbrojtjen nga dronët e pamjaftueshme

Incidenti në Aeroportin Leipzig/Halle, i cili përfundoi pa pasoja serioze, tregon edhe një herë se sa e cenueshme është infrastruktura kritike në Gjermani. Eksperti ushtarak Nico Lange në mënyrë indirekte akuzon ata që janë politikisht përgjegjës se kanë investuar shumë pak në mbrojtjen nga dronët. "Aktualisht na mungojnë instrumentet e duhura për t'u mbrojtur kundër tyre, si në aspektin e mbrojtjes ashtu edhe të parandalimit", tha ai në kanalin televiziv ZDF.

Eksperti ushtarak Nico Lange kritikon mbrojtjen nga dronët si të pamjaftueshme. Ndryshe nga Ministri i Brendshëm Dobrindt, ish-kreu i stafit të Ministrisë së Mbrojtjes shprehu dyshime se kush mund ta ketë vendosur dronin shumë të rrezikshëm në pistën e aeroportit: "Ne e dimë që Rusia na ka sulmuar me metoda hibride për vite me radhë. Ne e dimë që dronët luajnë një rol, që sabotimi luan një rol - dhe kjo i përshtatet modelit."

A mund të mësojë Gjermania nga Ukraina?

Lange, i cili ka punuar për Konferencën e Sigurisë në Mynih që nga viti 2022, kujtoi disa sulme të pazgjidhura me dronë në të kaluarën e afërt. Aeroporti i Mynihut u prek gjithashtu. Sipas mendimit të Lange, reagimi deri më tani ka qenë i pamjaftueshëm për të mundësuar një mbrojtje më të mirë dhe më të shpejtë.

"Për këtë nevojiten sensorë elektro-optikë dhe akustikë", shtoi Lange dhe sugjeroi një vend si model: "Në Ukrainë, ndër vende të tjera, mund të shihni se si të merrni një pamje të qartë të situatës, dhe është një mbikëqyrje e madhe që nuk e kemi tashmë këtë, dhe duhet urgjentisht ta korrigjojmë atë."

Lange, i cili ka punuar për Konferencën vjetore të Sigurisë së Mynihut që nga viti 2022, kujtoi disa sulme të pazgjidhura me dronë në të kaluarën e afërt.

Ministri Drobrindt: Leipzigu është në listën kryesore

Ministri i Brendshëm Dobrindt paraqiti një pamje të ndryshme në rrjetin televiziv ARD. Aeroporti i Leipzig/Halle është në krye të renditjes së sigurisë dhe, ashtu si aeroportet e tjera, po pajiset me teknologji për zbulimin dhe kapjen e dronëve.

Në të njëjtën kohë, ai pranoi se është një garë: "Nëse dronët janë projektuar për të anashkaluar teknologjinë, atëherë teknologjia duhet të përmirësohet vazhdimisht." Ai deklaroi se ata janë të përkushtuar ndaj kësaj gare.

Megjithatë, Shoqata Gjermane e Aeroporteve (ADV) kritikon faktin se aeroportet gjermane nuk kanë marrë sistemet e mbrojtjes nga dronë që u janë premtuar. Dobrindt e kundërshtoi këtë deklaratë të përgjithshme. Teknologjia po zgjerohet dhe përmirësohet vazhdimisht. "Nuk dua të jap detaje", theksoi Ministri i Brendshëm, duke iu referuar përfundimeve të mundshme që mund të nxirren nga "ana e gabuar".

A erdhën eksplozivët nga ushtria?

Në vend të kësaj, Dobrindt vuri në dukje masat që Ministria e tij ka miratuar tashmë për të mbrojtur infrastrukturën kritike në Gjermani. Këto përfshijnë, ndër të tjera, një njësi mbrojtjeje nga dronë brenda Policisë Federale dhe Qendrën e Përbashkët për Mbrojtjen nga Kërcënimet Hibride (GAZ Hybrid).

Një raport nga rrjeti hetimor i NDR, WDR dhe Süddeutsche Zeitung sugjeron se sa i rrezikshëm mund të kishte qenë droni shpërthyes në Aeroportin Leipzig/Halle nëse do të shpërthente. Sipas raportit, hetimet mjeko-ligjore zbuluan se ai mbante materiale shumë shpërthyese të llojit të përdorur nga ushtria. /DW/

Ylli i serialit “That ’70s Show” njofton vdekjen e papritur të vëllait në moshën 48-vjeçare

8 August 2026 at 21:15


Laura Prepon ka bërë të ditur se vëllai i saj, Brad, ka ndërruar jetë në moshën 48-vjeçare si pasojë e një sëmundjeje të zemrës.

Aktorja 46-vjeçare e bëri të ditur lajmin e trishtë në profilin e saj në Instagram të mërkurën, duke ndarë edhe një sërë fotografish të vëllait të ndjerë.

"Fundjavën që lamë pas, i dhamë lamtumirën e fundit vëllait tim," shkroi Prepon, e njohur për rolin e Donna Pinciotti në serialet That '70s Show dhe That '90s Show. "Ai ndërroi jetë papritur si pasojë e një sëmundjeje të panjohur të zemrës. Ishte një tronditje shkatërruese."

Aktorja, e cila ka luajtur gjithashtu në serialin Orange Is the New Black, vijoi:

"Për ata prej jush që e njihnit Bradin, jam e lumtur që ai preku jetën tuaj. Për ata që nuk e njohën, ne humbëm një njeri unik, të mrekullueshëm dhe të pazëvendësueshëm."

Ajo shtoi:

"Do të më mungojë vëllai im çdo ditë dhe do ta mbaj gjithmonë në zemrën time."

Në fund të mesazhit të saj, Prepon shkroi:

"Nëse ndieni se diçka nuk shkon me shëndetin tuaj, dëgjojeni instinktin dhe bëni një kontroll mjekësor. Përqafoni njerëzit që doni".

Sipas një njoftimi online për vdekjen e Bradit, ai "ndërroi jetë papritur të mërkurën, më 15 korrik 2026, në Orange County, Kaliforni", ndërsa ceremonia e varrimit u mbajt të shtunën e kaluar në New Jersey.

"Bradi e vlerësonte shumë kohën e kaluar me familjen," thuhej në njoftim. "Ai i donte traditat e festave familjare, kohën me motrat e tij dhe miqtë."

"Në veçanti, ai shijonte atmosferën e një mbrëmjeje në qytet dhe i pëlqenin ushqimi i mirë, muzika e mirë dhe festat argëtuese," përfundonte njoftimi.

Po bëni epilim para plazhit? Ky gabim mund t’ju irritojë seriozisht lëkurën

8 August 2026 at 21:03


Dielli, djersa, kripa dhe klori mund ta bëjnë lëkurën shumë më të ndjeshme pas heqjes së qimeve – ja çfarë duhet të dini gjatë verës

Vera nënkupton veshje më të shkurtra, më shumë kohë në plazh dhe pishinë, por edhe më shumë kujdes për lëkurën. Nëse përdorni epilim për të hequr qimet, gjatë muajve të nxehtë duhet t’i kushtoni vëmendje të veçantë asaj që bëni para dhe pas trajtimit.

Temperaturat e larta, djersitja, dielli, uji i detit dhe klori mund të irritojnë lëkurën, e cila është më e ndjeshme menjëherë pas epilimit.

Mos e bëni epilimin pak para plazhit

Nëse planifikoni një ditë në plazh ose pishinë, mos e lini epilimin për minutat e fundit. Pas heqjes së qimeve, lëkura mund të skuqet dhe të bëhet më e ndjeshme.

Djersa, kripa, klori dhe rrezet e diellit mund ta shtojnë ndjesinë e djegies dhe irritimin. Prandaj, planifikojeni epilimin më herët dhe lërini lëkurës kohë të mjaftueshme për t’u qetësuar.

Nëse lëkura është tashmë e skuqur, ka plagë, irritim ose djegie nga dielli, shtyjeni trajtimin derisa të rikuperohet.

Si ta përgatisni lëkurën?

Para epilimit, lëkura duhet të jetë e pastër dhe e thatë. Shmangni vajrat dhe kremrat e yndyrshëm që mund ta vështirësojnë procesin.

Një eksfolim i butë mund të ndihmojë në largimin e qelizave të vdekura dhe në uljen e rrezikut të qimeve të futura nën lëkurë. Megjithatë, mos e bëni agresivisht dhe jo menjëherë para epilimit, transmeton Telegrafi.

Pas epilimit, lëreni lëkurën të qetësohet

Menjëherë pas trajtimit shmangni dushet shumë të nxehta, djersitjen intensive, fërkimin dhe produktet agresive.

Zgjidhni produkte të lehta dhe qetësuese dhe mos aplikoni menjëherë produkte me aromë në zonën e trajtuar. Rrobat e ngushta gjithashtu mund të shtojnë fërkimin, ndaj zgjidhni veshje të rehatshme dhe që lejojnë lëkurën të marrë frymë.

Një skuqje e lehtë pas epilimit zakonisht largohet vetë, por lëkura duhet të trajtohet me kujdes.

Dielli është një tjetër rrezik

Lëkura e sapo trajtuar mund të jetë më e ndjeshme ndaj diellit. Prandaj, shmangni ekspozimin e fortë menjëherë pas epilimit dhe përdorni krem mbrojtës me faktor të përshtatshëm kur zona është e ekspozuar.

Mbrojtja duhet të përsëritet sipas udhëzimeve të produktit, veçanërisht pas larjes ose djersitjes.

Nëse jeni djegur nga dielli, prisni derisa lëkura të qetësohet plotësisht para se të bëni një trajtim tjetër.

Si të shmangni qimet e futura?

Qimet e futura nën lëkurë janë më të bezdisshme gjatë verës, kur djersitja dhe fërkimi janë më të shpeshta.

Eksfolimi i butë mund të ndihmojë si pjesë e kujdesit të rregullt, por jo menjëherë pas epilimit. Prisni derisa lëkura të qetësohet.

Mos u përpiqni t’i nxirrni qimet e futura me thonj ose gjilpërë. Kjo mund të dëmtojë lëkurën dhe të rrisë rrezikun për infeksion dhe shenja.

Epilim, rruajtje apo krem depilues?

Asnjë metodë nuk është ideale për të gjithë.

Epilimi e heq qimen nga rrënja dhe rezultati zgjat më shumë, por mund të shkaktojë më shumë skuqje.

Rruajtja është e shpejtë dhe praktike, por qimet rriten përsëri më shpejt.

Kremrat depilues e shpërbëjnë qimen në sipërfaqen e lëkurës, por mund të irritojnë lëkurën e ndjeshme. Ndiqni gjithmonë udhëzimet e produktit dhe, kur rekomandohet, provojeni fillimisht në një zonë të vogël.

Nëse keni lëkurë shumë të ndjeshme, qime të futura shpesh ose reagime të forta pas heqjes së qimeve, konsultohuni me dermatologun.

Rregulli i artë gjatë verës

Mos e trajtoni lëkurën sikur asgjë nuk ka ndodhur menjëherë pas epilimit. Jepini kohë të qetësohet, shmangni diellin e fortë dhe zgjidhni kujdes të butë.

Lëkurë e bukur gjatë verës nuk do të thotë domosdoshmërisht lëkurë perfekte dhe krejtësisht e lëmuar çdo ditë. Më e rëndësishmja është të jetë e shëndetshme, e mbrojtur dhe të ketë kohë të mjaftueshme për t’u rikuperuar. /Telegrafi/

Carrick i kënaqur me paraqitjen e Man United ndaj PSG-së: Duhej të shënonim më shumë gola

8 August 2026 at 20:52


Michael Carrick beson se Manchester Unitedi duhej të kishte shënuar më shumë gola në barazimin 1-1 ndaj Paris Saint-Germainit, ndërsa vlerësoi presionin e lartë dhe tranzicionet sulmuese të skuadrës.

Unitedi la përshtypje të mirë ndaj kampionit të Evropës, veçanërisht gjatë presingut të lartë dhe momenteve kur arrinte ta rikuperonte topin në zona të rrezikshme të fushës.

“Duhej të shënonim më shumë gola. Në të njëjtën kohë, bëmë një presing veçanërisht të mirë. E rikuperuam topin më lart në fushë dhe dukeshim shumë të rrezikshëm në tranzicionet sulmuese".

Carrick beson se kjo paraqitje ishte rezultat i punës që Manchester Unitedi ka bërë gjatë muajve të fundit dhe u shpreh i kënaqur që parimet e punës së skuadrës u reflektuan edhe në fushë ndaj PSG-së.

“Kjo është ajo që kemi bërë në të vërtetë gjatë muajve të fundit. Ishte mirë ta shihnim këtë edhe në fushë".

Trajneri i Unitedit gjithashtu pranoi se e shijoi paraqitjen e skuadrës dhe beson se kishte shumë aspekte pozitive për t’u marrë nga kjo ndeshje.

“Ka shumë gjëra pozitive nga kjo ndeshje. Më pëlqeu”, përfundoi ai./Telegrafi/

Pse mjekët gëzohen kur foshnja qan për herë të parë? Neonatologu, Luan Morina në "Shëndeti në rend të parë"

8 August 2026 at 20:50


E qara e parë e foshnjës është një nga momentet më emocionuese pas lindjes, jo vetëm për nënën dhe familjen, por edhe për ekipin mjekësor.

Sipas neonatologut Luan Morina, ky moment ka rëndësi te ata sepse tregon se foshnja ka nisur të përshtatet me jetën jashtë barkut të nënës.

Për këtë temë, Morina foli gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit “Kubati”, ku u diskutua për ditët dhe muajt e parë të jetës së foshnjës, sfidat e prindërve të rinj dhe këshillat më të rëndësishme për kujdesin ndaj të porsalindurve.




Duke shpjeguar rëndësinë e të qarës së parë, Morina tha se ky është momenti i vetëm kur mjekët dhe prindërit gëzohen që foshnja qan.

“Momenti i parë kur ne gëzohemi që qan fëmija është kur lind”, tha ai.

Sipas neonatologut, e qara e parë është një shenjë shumë e rëndësishme klinike, pasi tregon se foshnja është në gjendje të mirë dhe se procesi i adaptimit ka nisur si duhet.

“E qara na tregon shumë gjëra, na tregon për një kondicion të mirë, na tregon për një adaptim të mirë edhe për një fillim të mirë të foshnjës”, shpjegoi Morina.


Ai theksoi se pikërisht në momentin kur foshnja qan për herë të parë, ajo nis edhe frymëmarrjen e pavarur.

“Në momentin e parë që foshnja qan, ai është momenti i parë kur foshnja edhe merr frymë vetë”, u shpreh ai.

Morina shtoi se me të qarën e parë fillojnë të aktivizohen mushkëritë e foshnjës, të cilat marrin rolin e tyre pas lindjes.

“Fillojnë mushkëritë e foshnjës të punojnë dhe të marrin detyrën të cilën e kanë”, tha neonatologu, duke e cilësuar këtë moment si “tejet të rëndësishëm”.

Në podcast, Morina foli edhe për shqetësimet më të zakonshme që prindërit e rinj kanë në ditët e para pas lindjes.

Sipas tij, për shumë prindër kjo periudhë është e mbushur me pasiguri, pasi gjithçka është e re dhe shpesh nuk dinë çfarë duhet të vëzhgojnë më shumë.



“Nëse flasim për prindër të rinj, normalisht për ta është gjithçka e panjohur”, tha ai.

Ai tregoi se pyetjet më të shpeshta lidhen me ushqyerjen e foshnjës: a po pi mirë, a po merr sasinë e mjaftueshme të qumështit dhe kur duhet të shqetësohen prindërit.

“Kryesisht i kemi telashet: a po pin mirë, si duhet të vlerësojmë ne që po ushqehet mirë, a jemi duke dhënë sasinë e mjaftueshme?”, tha Morina.

Neonatologu theksoi se në këtë periudhë është shumë e rëndësishme që prindërit të marrin informacion të saktë nga profesionistët shëndetësorë, sidomos për ushqyerjen me gji.

“Ne gjithmonë e kemi këshillën dhe insistimin më të madh si profesionistë, insistojmë që foshnjat të ushqehen me gji”, u shpreh ai.

Sipas Morinës, gjidhënia është një nga faktorët më të rëndësishëm në ditët e para të jetës së foshnjës, ndërsa nënat duhet të këshillohen dhe të mbështeten për mënyrën e duhur të ushqyerjes.

Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":


- YouTube www.youtube.com

Aksident në magjistralen Gostivar-Kërçovë, një i vdekur dhe një i lënduar rëndë

8 August 2026 at 20:44


Sot (08.08.2026) rreth orës 17:10, në Stacionin Policor të Gostivarit është raportuar se në rrugën magjistrale Gostivar – Kërçovë, në afërsi të një objekti hotelier, ka ndodhur një aksident i rëndë komunikacioni ku kanë qenë të përfshira dy automjete udhëtarësh, “Peugeot” me targa të Gostivarit i drejtuar nga N.S. (34) nga Gostivari dhe “Opel Astra” me targa të Shkupit i drejtuar nga Gj.P. (63) nga Shkupi.

Në aksident, mjeku nga Ndihma e Shpejtë Mjekësore në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e shoferit të automjetit “Opel Astra”, Gj.P. (63).Shoferi i automjetit “Peugeot”, N.S. (34), ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është transportuar në Qendrën Urgjente në Gostivar për t'i ofruar ndihmë mjekësore.

Në vendin e ngjarjes po kryen kqyrjen Prokurori Publik nga Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit në bashkëpunim me ekipin nga DPB Gostivar.

Mazda rikthen CX-3, gjenerata e re vjen në 2027

8 August 2026 at 20:41


Mazda ka dhënë sinjalin e parë zyrtar për rikthimin e CX-3, duke publikuar një imazh të një prototipi të kamufluar të identifikuar si “Next-generation CX-3”.

Nga pamjet e para, SUV-i i ri duket më i madh se modeli i mëparshëm, ndërsa dizajni pritet të ndjekë gjuhën moderne Kodo të Mazda-s.

Detajet për motorët, çmimin dhe tregjet ku do të shitet ende nuk janë konfirmuar.

Sipas informacioneve të lidhura me planet financiare të Mazda-s, lansimi pritet të nisë nga viti 2027, me Japoninë dhe tregjet e Azisë Juglindore ndër zonat kryesore.

CX-3 pritet të pozicionohet nën CX-30, si një SUV më kompakt dhe më i përballueshëm.

Megjithatë, Mazda ende nuk ka bërë të ditur nëse modeli i ri do të ofrohet edhe në tregje si SHBA-ja apo Evropa.

Për momentin, ky është vetëm një prezantim i hershëm, por konfirmon se CX-3 do të rikthehet në një gjeneratë të re.

MSH: Është transportuar me sukses pacienti me lëndime serioze nga Kushadasi i Turqisë

8 August 2026 at 20:40


Falë reagimit të shpejtë dhe veprimit të koordinuar të Ministrisë së Shëndetësisë, Qeverisë, Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta dhe ekipeve mjekësore, një pacient nga Shkupi me lëndim të boshtit kurrizor është transportuar në mënyrë të sigurt nga Turqia dhe është pranuar në Klinikën Universitare për TOARILUC, informon MSH.

Pacienti, siç njoftojnë e ka pësuar lëndimin gjatë një incidenti në një rrëshqitëse uji, ndërsa ishte me pushime në vendpushimin turk të Kushadasit. Më 23 korrik, në një spital lokal i është kryer ndërhyrje kirurgjikale, ku ka qëndruar për trajtim deri në transferimin e tij në vend.

“Duke marrë parasysh seriozitetin e lëndimit dhe rekomandimin e mjekëve nga Turqia, Ministria e Shëndetësisë u përfshi menjëherë në koordinimin e institucioneve kompetente dhe të institucioneve shëndetësore. Në bashkëpunim me Qeverinë dhe Shërbimin për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, u organizua transporti mjekësor ajror me aeroplan qeveritar. Ky operacion kompleks mjekësor është shembull i rëndësisë së koordinimit institucional në kohë dhe efikas, kur bëhet fjalë për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve”, njoftoi MSH-ja.

Ministria e Shëndetësisë ishte në komunikim të vazhdueshëm me institucionet dhe ekipet mjekësore të përfshira, me qëllim që pacienti të transportohej në mënyrë të sigurt dhe në afatin më të shkurtër të mundshëm në vend, si dhe t’i sigurohej vazhdimi i trajtimit.

“Për shkak të seriozitetit të lëndimit dhe nevojës për transport të shpejtë dhe të sigurt, kolegët kërkuan që pacienti të transportohej në rrugë ajrore. I jemi mirënjohës Ministrisë së Shëndetësisë, Qeverisë dhe Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta për reagimin në kohë dhe mbështetjen në realizimin e transportit”, deklaroi drejtori i Klinikës, dr. Igor Merxhanovski.

Në Turqi u dërgua një ekip profesional mjekësor, i udhëhequr nga drejtuesja e KARIL-it, dr. Marta Treneva. Ekipi e mori pacientin dhe siguroi kujdes dhe mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore gjatë gjithë transportit deri në Shkup.

Pacienti është transportuar me sukses dhe është vendosur në Repartin e Mjekimit Intensiv pranë Klinikës për TOARILUC, ku do të vazhdojë trajtimi i tij.

“Pacienti është në gjendje shëndetësore që kërkon mjekim intensiv. Dokumentacioni mjekësor është shqyrtuar, ndërsa ndërhyrja kirurgjikale e kryer në Turqi është vlerësuar si e përshtatshme dhe e realizuar në mënyrë profesionale. Lëndimet e bushtit kurrizore bëjnë pjesë ndër lëndimet më serioze dhe kërkojnë monitorim të kujdesshëm, qasje multidisiplinare dhe trajtim afatgjatë”, theksoi dr. Merxhanoski.

Në periudhën e ardhshme do të kryhen ekzaminime shtesë, pas së cilave do të përcaktohet rrjedha e mëtejshme e trajtimit dhe rehabilitimit. Në varësi të gjendjes shëndetësore të pacientit, parashikohet edhe terapi fizikale në qendrën spinale në vend.

Goditje e rëndë për Meta-n, 567 milionë dollarë gjobë për "dëmet" ndaj fëmijëve

8 August 2026 at 20:36


Një gjykatë në New Mexico ka urdhëruar Meta-n të paguajë edhe 567 milionë dollarë për dështimin në paralajmërimin e publikut për rreziqet që platformat e saj paraqesin për fëmijët.

Gjykatësi Bryan Biedscheid e cilësoi kompaninë si një “shqetësim publik”, duke e krahasuar dëmin e shkaktuar nga platformat e saj me ndotjen që prodhon një fabrikë.

Sipas tij, algoritmet e Meta-s i kanë ekspozuar të miturit ndaj përmbajtjeve të dëmshme dhe kontakteve me persona të rrezikshëm.

Kjo gjobë i shtohet 375 milionë dollarëve të vendosura më herët në të njëjtin rast, duke e çuar totalin në 942 milionë dollarë.

Gjykata urdhëroi gjithashtu Meta-n të marrë masa të reja për mbrojtjen e të miturve, përfshirë ndalimin e kontakteve mes të rriturve dhe përdoruesve nën 18 vjeç, kufizimin e njoftimeve gjatë natës dhe vendosjen e një limiti përdorimi prej 90 orësh në muaj në Instagram dhe Facebook për të miturit.

Meta, e cila zotëron Instagram, Facebook, WhatsApp dhe Threads, tha se nuk pajtohet me vendimin dhe do ta apelojë.

Kompania po përballet aktualisht me mijëra padi në SHBA lidhur me ndikimin e rrjeteve sociale te fëmijët dhe adoleshentët.

Çfarë po ndodh? Uji i pusit lëviz në mënyrë të pashpjegueshme - banorët në Indi të habitur

8 August 2026 at 20:34


Një pus misterioz në Gujarat të Indisë është bërë përsëri qendra e vëmendjes pasi uji i tij u pa duke lëvizur vetvetiu.

Sipas banorëve vendas, aktiviteti i pazakontë rifilloi të enjten.



Një incident i ngjashëm ishte vërejtur dy ditë më parë, por lëvizja u ndal gradualisht deri të enjten pasdite përpara se të fillonte përsëri.

Fenomeni i çuditshëm tërhoqi një numër të madh banorësh, shumë prej të cilëve u mblodhën pranë pusit për të parë lëvizjen e pazakontë të ujit.

Shkaku i saktë i aktivitetit mbetet i panjohur.

Disa banorë besojnë se mund të lidhet me natyrën sizmike të rajonit, pasi Morbi ndodhet në një zonë që ka përjetuar aktivitet tërmetesh në të kaluarën.

Megjithatë, autoritetet ende nuk kanë dhënë një shpjegim zyrtar.

Incidenti ka ngjallur kuriozitet, me shumë njerëz që presin që ekspertët të përcaktojnë se çfarë po e shkakton lëvizjen e përsëritur në pus.

Sulmohen palestinezët në Betlehem, pas tyre edhe ekipi mjekësor që do u vinte në ndihmë

8 August 2026 at 20:32


Sipas raportimeve të mediave lokale, persona të armatosur izraelitë kanë sulmuar automjete palestineze në rrugën Abu Najim, në juglindje të Betlehemit.

Gjatë incidentit, sulmuesit dyshohet se kanë sulmuar edhe personelin mjekësor që po përpiqej të mbërrinte te tre palestinezë të plagosur.

Disa automjete u dëmtuan, ndërsa xhamat e një ambulance të Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze u thyen.

Sipas të dhënave të Këshillit për Luftimin e Murit të Ndarjes dhe Vendbanimeve, të lidhur me Organizatën për Çlirimin e Palestinës (PLO), në gjysmën e parë të vitit 2026 janë regjistruar 3,488 sulme në Bregun Perëndimor.

Sipas të njëjtave të dhëna, sulmet kanë shkaktuar vdekjen e 17 palestinezëve, ndërsa 26 komunitete beduine janë zhvendosur me forcë, plotësisht ose pjesërisht.

Gjatë kësaj periudhe, janë krijuar gjithashtu 42 vendbanime të reja, kryesisht për qëllime blegtorale.

Që nga nisja e luftës në Rripin e Gazës në tetor 2023, sulmet e ushtrisë izraelite dhe kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor janë intensifikuar.

Sipas shifrave zyrtare palestineze, më shumë se 1,182 palestinezë janë vrarë, rreth 13,000 janë plagosur dhe afërsisht 25,000 janë arrestuar gjatë kësaj periudhe, ndërsa në rajon janë raportuar dëme të shumta materiale.

​Dita e 70-të e protestës në Tiranë, thirrje kundër Edi Ramës dhe Sali Berishës

8 August 2026 at 20:25


Për të 70-ën ditë, një grup qytetarësh u mblodhën në Tiranë për të protestuar kundër projektit të investimit turistik të parashikuar në zonën e Zvërnecit.

Protesta nisi në sheshin “Skënderbej”, prej nga ku pjesëmarrësit vijuan marshimin në drejtim të Kryeministrisë, duke shpalosur pankarta dhe flamuj kombëtarë dhe duke bërë thirrje për ndryshime në disa prej politikave që lidhen me territorin, mjedisin dhe sistemin zgjedhor.

Kundërshtimi ndaj projektit në Zvërnec ishte një prej çështjeve kryesore të tubimit, ndërsa protestuesit kërkuan gjithashtu rishikimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.

Në protestë u ngritën edhe çështje të tjera politike, përfshirë kërkesën për ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe kundërshtimin e hartës së re territoriale të propozuar nga Partia Socialiste, e cila parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46.

Gjatë marshimit pati thirrje politike kundër kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Sali Berisha.

Pjesëmarrësit deklaruan se do të vijojnë protestat, duke kërkuar që qëndrimet e tyre të merren në konsideratë për projektet që prekin zonat e mbrojtura dhe politikat territoriale, raporton ATSH.

Tubimi u monitorua nga shërbimet e Policisë së Shtetit, ndërsa protesta vijoi në bulevardin përpara Kryeministrisë. /KP/

Barcelonës iu ofura mundësia ta transferojë yllin e Tottenhamit, por Deco tha “JO”

8 August 2026 at 20:22


Lucas Bergvall, mesfushori 20-vjeçar suedez i Tottenhamit, i është ofruar Barcelonës si një mundësi transferimi gjatë këtij afati kalimtar veror, për shkak të mundësisë së largimit të tij nga Londra.

Marrëveshja do të kushtonte rreth 69 milionë euro, por Deco nuk e konsideron rikthimin e interesimit të Barcelonës për lojtarin.

Përfaqësuesit e Bergvallit po shqyrtojnë destinacione të ndryshme pas ndryshimit të situatës së tij sportive te Tottenhami. Klubi anglez ka transferuar këtë verë Sandro Tonalin dhe Mateus Fernandes, dy mesfushorë që e rrisin ndjeshëm konkurrencën për minuta gjatë sezonit 2026/27.

Megjithatë, përgjigjja e Barcelonës ndaj kësaj mundësie ka qenë negative. Drejtuesit sportivë të klubit prej kohësh e konsiderojnë të mbyllur mundësinë e transferimit të Lucas Bergvallit dhe kanë një plan tjetër për përforcimin e mesfushës gjatë javëve të fundit të afatit kalimtar.

Objektivi kryesor i Barcelonës vazhdon të jetë Rodri. Blaugranasit tashmë i kanë bërë një ofertë fillestare Manchester Cityt, por klubi anglez kërkon rreth 75 milionë euro për të negociuar largimin e reprezentuesit spanjoll.

Kjo e largon edhe më shumë mundësinë që Barcelona të investojë rreth 69 milionë euro për Bergvallin.

Mesfushori suedez ka kontratë me Tottenhamin deri në qershor të vitit 2031, pasi rinovoi marrëveshjen në prill të vitit 2025. Për këtë arsye, Spurs nuk kanë ndonjë nevojë të menjëhershme kontraktuale për ta shitur lojtarin.

Problemi për Bergvallin lidhet kryesisht me aspektin sportiv. Ai zhvilloi 23 ndeshje në Ligën Premier gjatë sezonit 2025/26, duke shënuar një gol dhe regjistruar tri asistime, por nuk arriti të vendosej si titullar i rregullt./Telegrafi/

❌