Fisnik Asllani mund të jetë në qendër të një tjetër lëvizjeje të rëndësishme në këtë afat kalimtar.
Sulmuesi kosovar i Hoffenheimit i është rekomanduar Galatasarayt, ndërsa sipas raportimit të gazetarit turk Haluk Yürekli, klubi nga Stambolli është duke shqyrtuar raportet mjekësore të futbollistit.
Çështja e gjendjes fizike të Asllanit është bërë temë diskutimi gjatë këtij afati kalimtar, pasi transferimi i tij te RB Leipzig dështoi në fillim të këtij muaji.
Leipzig kishte arritur marrëveshje me Hoffenheimin për transferimin e sulmuesit për rreth 25 milionë euro, por pas kontrolleve mjekësore klubi gjerman shprehu shqetësime dhe vendosi të mos e finalizojë marrëveshjen.
Megjithatë, Hoffenheimi ka qëndruar pranë futbollistit dhe ka deklaruar se është i bindur për aftësitë e tij fizike dhe sportive.
Tash, emri i Asllanit është lidhur me Galatasarayn, kampionin turk që po kërkon përforcime për repartin ofensiv.
Sipas informacionit të publikuar nga Yürekli, raportet mjekësore të Asllanit janë duke u shqyrtuar, ndërsa mbetet të shihet nëse Galatasaray do të vendosë të avancojë me një ofertë konkrete për reprezentuesin e Kosovës.
Asllani, 24-vjeçar, luan në pozitën e sulmuesit qendror dhe në sezonin e kaluar ishte një prej futbollistëve kryesorë të Hoffenheimit. Ai zhvilloi 35 ndeshje, duke kontribuar me 21 gola dhe asistime, dhe pati rol të rëndësishëm në kualifikimin e klubit për Ligën e Evropës. /Telegrafi/
Disa shqetësime duken të zakonshme, por kur përsëriten shpesh mund të tregojnë më shumë sesa mendoni
Pushimi gjatë natës mund të prishet nga ngërçet në këmbë, gërhitja, zgjimet e papritura, vështirësitë në frymëmarrje ose nevoja e shpeshtë për të shkuar në tualet. Shumë prej këtyre shqetësimeve mund të ndodhin herë pas here pa ndonjë arsye serioze, por përsëritja e shpeshtë e tyre mund të jetë shenjë se diçka në organizëm meriton vëmendje.
Ngërçet e natës nuk duhen neglizhuar gjithmonë
Një ngërç i fortë dhe i papritur në pulpë, kofshë apo shputë mund t’ju zgjojë edhe nga gjumi më i thellë. Bëhet fjalë për tkurrje të pavullnetshme të muskujve, e cila në shumicën e rasteve është e padëmshme, por bëhet më e shpeshtë me kalimin e moshës.
Ndër shkaqet e mundshme janë dehidratimi, mungesa e elektroliteve, qëndrimi i gjatë ulur ose në këmbë, aktiviteti fizik dhe pozicioni i shputës gjatë gjumit.
Në shfaqjen e ngërçeve mund të ndikojnë edhe disa barna, shtatzënia dhe këpucët e papërshtatshme. Mund të ndihmojnë hidratimi i mjaftueshëm, ushqimi i balancuar dhe shtrirja e muskujve para gjumit. Kur ngërçi shfaqet, mund të ndihmojnë masazhi i lehtë, ecja ose një kompresë e ngrohtë.
Megjithatë, ngërçet shumë të shpeshta dhe të dhimbshme nuk duhen injoruar për muaj të tërë. Nëse shoqërohen me ënjtje, skuqje, ndryshime në lëkurë ose dobësi muskulore, këshillohet kontrolli mjekësor, transmeton Telegrafi.
Zgjimi duke kërkuar ajër dhe gërhitja
Nëse gjatë natës zgjoheni duke marrë frymë me vështirësi ose duke kërkuar ajër, një nga shkaqet e mundshme mund të jetë apnea e gjumit – çrregullim në të cilin frymëmarrja ndalet dhe rifillon disa herë gjatë gjumit.
Gjatë gjumit muskujt relaksohen dhe rrugët e frymëmarrjes mund të ngushtohen. Apnea mund të shoqërohet me gërhitje të fortë, ndjesi mbytjeje, tharje të gojës dhe dhimbje koke në mëngjes.
Gërhitja vetvetiu nuk do të thotë domosdoshmërisht se ekziston problem serioz. Mund të lidhet me alergjitë, ftohjen ose ngushtimin e rrugëve të frymëmarrjes. Por kur shoqërohet me ndalesa të frymëmarrjes apo zgjime të shpeshta, duhet vlerësuar nga mjeku.
Edhe zgjimet për të urinuar mund të tregojnë diçka
Nevoja për t’u ngritur natën për të urinuar bëhet më e zakonshme me moshën, por ndonjëherë mund të ketë edhe shkaqe të tjera.
Përveç konsumimit të tepërt të lëngjeve para gjumit, urinimi gjatë natës mund të lidhet me infeksione urinare, diabet, zmadhim të prostatës ose sëmundje kronike të veshkave.
Mbajtja shënim e sasisë së lëngjeve të konsumuara dhe e shpeshtësisë së urinimit mund ta ndihmojë mjekun të kuptojë më mirë shkakun.
Sjelljet e pazakonta gjatë gjumit
Ecja dhe të folurit në gjumë, makthet e shpeshta ose kërcitja e dhëmbëve mund të lidhen gjithashtu me çrregullime të gjumit.
Ecja në gjumë mund të shoqërohet me mungesë gjumi, stres, ankth, temperaturë, konsum alkooli ose përdorim të disa barnave.
Makthet e shpeshta, sidomos kur ndikojnë dukshëm në cilësinë e gjumit dhe funksionimin gjatë ditës, mund të lidhen me stres, ankth, depresion ose çrregullim të stresit post-traumatik.
Edhe disa barna, përfshirë antidepresivët, mund të ndikojnë në sjelljen gjatë gjumit.
Kur duhet vizituar mjeku?
Një shqetësim i rastësishëm gjatë natës zakonisht nuk është arsye për alarm. Por nëse simptomat përsëriten shpesh, bëhen më të forta ose shkaktojnë lodhje të madhe, përgjumje dhe vështirësi në përqendrim gjatë ditës, këshillohet vlerësim profesional.
Veçanërisht nuk duhen neglizhuar problemet me frymëmarrjen, ngërçet shumë të dhimbshme e të shpeshta, sjelljet e pazakonta gjatë gjumit dhe shqetësimet që për një kohë të gjatë e dëmtojnë cilësinë e jetës.
Ndonjëherë, pikërisht ajo që ndodh ndërsa flemë mund të jetë sinjali i parë se ka ardhur koha për një kontroll mjekësor. /Telegrafi/
Prokuroria Speciale e Kosovës pretendon se Fatmir Sheholli, në koordinim me zyrtarin e lartë të BIA-s serbe, Bojan Dimiç, ka zbatuar një plan operativ që synonte ndikimin në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
Në aktakuzën e siguruar nga Telegrafi, përfshihet edhe një dokument i emërtuar “Top Secret 2”, i cili, sipas interpretimit të Prokurorisë, përshkruan një plan për radikalizimin e Kosovës dhe dëmtimin e pozitës së saj ndërkombëtare.
Sipas aktakuzës, një nga aktivitetet për të cilat Sheholli akuzohet për spiunazh lidhej drejtpërdrejt me zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025 dhe me publikimin e materialeve komprometuese kundër zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
Prokuroria pretendon se Sheholli kishte vepruar në koordinim me Bojan Dimiçin, të cilin e identifikon si zyrtar të lartë të BIA-s serbe dhe drejtor të Drejtorisë Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar.
Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se Sheholli kishte zbatuar “një plan operativ konkret” të përgatitur nga Dimiçi, i cili, sipas Prokurorisë, synonte dëmtimin e interesave të Kosovës dhe ndërhyrjen direkte në procesin zgjedhor.
Pjesë e këtij plani, sipas aktakuzës, ishte sigurimi dhe publikimi i audio-incizimeve dhe transkripteve të bisedave të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, me qëllim komprometimin e tyre.
Më 26 shtator 2025, sipas Prokurorisë, Sheholli kishte udhëtuar në Mitrovicën e Veriut dhe, në parkingun e Shkollës Teknike, afër kafiterisë “Sindikata”, nga një person i paidentifikuar kishte pranuar materialet dhe shumën prej 5 mijë eurosh.
Pas kësaj, sipas aktakuzës, Sheholli ia kishte dorëzuar materialet gazetarit Milaim Zeka, së bashku me 1 mijë euro, duke e udhëzuar lidhur me mënyrën dhe kohën e publikimit të tyre në emisionin “Pa Rrotlla”.
Prokuroria pretendon se koha e publikimit ishte e rëndësishme pikërisht për shkak të zgjedhjeve. Sipas saj, materialet duhej të publikoheshin vetëm disa ditë para votimit, në mënyrë që të kishin ndikim maksimal në opinionin publik dhe në procesin zgjedhor.
Në aktakuzë thuhet se përmes këtyre veprimeve synohej diskreditimi i institucioneve dhe zyrtarëve të tyre dhe se ishte mundësuar “ndërhyrja e drejtpërdrejtë e një shërbimi të huaj informativ në një proces zgjedhor në Republikën e Kosovës”.
Përgjimet para zgjedhjeve
Prokuroria ka përfshirë në aktakuzë edhe komunikime të përgjuara ndërmjet Shehollit dhe Dimiçit.
Në një bisedë të 23 shtatorit 2025, vetëm disa javë para zgjedhjeve, Sheholli kërkonte që materialet të mbërrinin para 27 shtatorit.
Sipas transkriptit të përfshirë në aktakuzë, ai shprehte shqetësimin se mund të ishin nën përgjim dhe kërkonte kujdes gjatë dorëzimit. Në të njëjtën bisedë përmendet edhe data 12, të cilën Prokuroria e lidh me ditën e zgjedhjeve lokale.
Sheholli citohet të ketë kërkuar që materialet të arrinin “më së voni deri më 27-tin”, ndërsa Dimiçi e paralajmëronte për kujdes nga përgjimet.
Më 24 shtator, sipas aktakuzës, Sheholli kishte kontaktuar Milaim Zekën dhe e kishte njoftuar se materialet do të arrinin më 27 ose 28 shtator.
Në komunikimet e përfshira në aktakuzë, Sheholli i thotë Zekës se, pasi t’i merrte materialet, do t’i shikonin së bashku dhe do të diskutonin për publikimin.
Prokuroria pretendon se, për të fshehur origjinën e materialeve, Sheholli i kishte paraqitur ato sikur vinin nga një person i lidhur me “GIZ-in gjerman”.
Po sipas aktakuzës, ishte paraparë një pagesë prej 2 mijë eurosh për publikim, 1 mijë euro në fillim dhe 1 mijë të tjera pas publikimit.
Pas marrjes së materialeve, sipas aktakuzës, Dimiçi vazhdonte të interesohej për kohën e publikimit.
Në një bisedë të 30 shtatorit, Dimiçi citohet duke pyetur: “A e qiti Milaimi?”.
Sheholli përgjigjet se materiali kërkonte punë dhe përkthim, ndërsa Dimiçi pyet nëse do të publikohej atë natë.
Më 1 tetor, sipas Prokurorisë, Sheholli i kishte përcjellë Zekës kërkesën që materialet të publikoheshin më herët gjatë ditës.
Prokuroria e konsideron këtë si dëshmi se Sheholli vepronte sipas udhëzimeve të Dimiçit edhe lidhur me kohën dhe mënyrën e publikimit.
Sipas aktakuzës, qëllimi i materialeve ishte diskreditimi i zyrtarëve dhe oponentëve politikë të Listës Serbe dhe ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 12 tetorit.
“Top Secret 2” – dokumenti për radikalizimin e Kosovës
Përveç pretendimeve për ndërhyrje në procesin zgjedhor, Prokuroria i referohet edhe një dokumenti të emërtuar “Top Secret 2”, i cili është gjetur gjatë ekzaminimit të telefonit të Fatmir Shehollit.
Sipas aktakuzës, gjatë analizimit të iPhone-it të sekuestruar nga Sheholli janë kontrolluar gjithsej 20,914 fotografi dhe imazhe. Një prej tyre kishte mbishkrimin “Top Secret 2” dhe përmbante tekst në gjuhën serbe.
Prokuroria e cilëson dokumentin si material konfidencial dhe e përdor atë, së bashku me prova të tjera, për të mbështetur pretendimin për kontaktet e Shehollit me struktura të shërbimit informativ serb.
Në aktakuzë përfshihet edhe përkthimi në shqip i pjesëve të dokumentit.
Sipas këtij përkthimi, dokumenti flet për përdorimin e operativëve në Kosovë dhe për grumbullimin e fondeve nga ambasada të vendeve islamike në Beograd, të cilat më pas do të investoheshin në ndërtimin e xhamive.
Në dokument përshkruhet se xhamitë duhej të ndërtoheshin në vende të dukshme, pranë autostradave, shkollave dhe qendrave tregtare, ndërsa në fshatra të mëdha numri i tyre duhej të shtohej.
Po ashtu, parashihet shtrirja e shkollave islame dhe medreseve në të gjithë Kosovën.
Sipas dokumentit, për këtë qëllim do të përfshiheshin persona nga Kosova, Maqedonia, Bosnja dhe Sanxhaku.
Një pjesë tjetër e dokumentit flet për ndikimin te persona me ndikim publik.
Sipas tekstit të përfshirë në aktakuzë, synohej përfshirja e shqiptarëve me ndikim në sport, media, muzikë dhe politikë.
Dokumenti përmend gjithashtu njerëz brenda partive politike dhe figura fetare.
Sipas interpretimit të Prokurorisë, qëllimi do të ishte forcimi i identitetit fetar në raport me identitetin kombëtar dhe krijimi i një ndikimi të gjerë shoqëror.
Dokumenti përfshin edhe diasporën shqiptare, duke përmendur angazhimin e personave nga bashkësitë fetare të Kosovës dhe Sanxhakut në vende si Zvicra, Gjermania dhe Belgjika.
Sipas dokumentit, qëllimi ishte ndikimi te shqiptarët që jetonin jashtë Kosovës, veçanërisht te komunitetet me fuqi më të madhe ekonomike.
“Pas 20 viteve Kosova do të duket si Kandahar”
Një nga pjesët më të forta të dokumentit është formulimi: “Pas 20 viteve Kosova do të duket si Kandahar”.
Sipas dokumentit, në Kosovë duhej të krijohej një atmosferë që do t’i shtynte të rinjtë të largoheshin jashtë vendit, ndërsa të tjerët të orientoheshin më shumë nga feja.
Në tekst pretendohet se një imazh i tillë do të ndikonte që fuqitë perëndimore të ndryshonin qëndrimin ndaj Kosovës.
Më tej, sipas dokumentit, një ndryshim i tillë i perceptimit ndërkombëtar do të krijonte kushte që Kosova të kthehej nën juridiksionin e Serbisë.
Prokuroria e interpreton këtë dokument si një plan veprimi që synonte destabilizimin e Kosovës, krijimin e perceptimit se ajo është një shtet i radikalizuar dhe ekstremist dhe dëmtimin e pozitës së saj ndërkombëtare.
Sipas saj, plani parashihte përdorimin e rrjeteve të personave të angazhuar në Kosovë dhe rajon, financimin e aktiviteteve fetare dhe ndikimin te figura publike dhe prijës fetarë.
Sipas aktakuzës, më 5 gusht 2025, Sheholli ia kishte dërguar dokumentin “Top Secret 2” një personi të identifikuar si “Viktor Makedonija”.
Prokuroria thotë se dokumenti kishte edhe shenjimin “CONFIDENTIAL”.
Fakti që dokumenti ishte ruajtur dhe shpërndarë nga Sheholli përdoret nga Prokuroria si një prej elementeve për të mbështetur pretendimin se veprimet e tij ishin në funksion të synimeve të BIA-s serbe.
Në tërësi, sipas aktakuzës, Prokuroria Speciale pretendon se aktivitetet e Shehollit përfshinin dy drejtime kryesore: ndërhyrjen e pretenduar në procesin zgjedhor përmes publikimit të materialeve komprometuese dhe shpërndarjen e materialeve që, sipas interpretimit të Prokurorisë, synonin dëmtimin e imazhit dhe pozitës ndërkombëtare të Kosovës. /Telegrafi/
Dolly Parton, një nga ikonat më të mëdha të muzikës country, është ndarë nga jeta në moshën 80-vjeçare.
Lajmi u konfirmua të martën nga familja e saj, ndërsa njoftimin e bëri publik nipi i këngëtares, Bryan Seaver.
Pas lajmit të trishtë, shumë emra të njohur të muzikës dhe Hollywoodit kanë reaguar në rrjetet sociale, duke ndarë kujtime dhe mesazhe prekëse për artisten që la pas një karrierë gjashtëdekadëshe.
Aktorja Sarah Jessica Parker shkroi se, edhe pse nuk e kishte njohur personalisht Parton, e kishte dashur gjithmonë dhe e cilësoi atë si “një nga më të mëdhatë që ka pasur ndonjëherë ky vend”.
Edhe Kelly Osbourne publikoi fotografi me Dolly Parton, duke e falënderuar për rrugën që hapi për gratë në muzikë dhe më gjerë.
Ajo vlerësoi gjithashtu kontributin e Parton në filantropi, arsim dhe nxitjen e leximit.
Ndërkohë, Julia Roberts, e cila luajti me Parton në filmin "Steel Magnolias", e përshkroi atë si një njeri magjik, duke shkruar se njohja me të ishte një nga pasuritë e mëdha të jetës së saj.
Edhe Jamie Lee Curtis, Kacey Musgraves dhe Pedro Pascal ishin mes emrave që shprehën dhimbjen për humbjen e artistes.
Parton ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme prej rreth 60 vitesh, duke u shndërruar në një prej figurave më të rëndësishme të muzikës country. /Telegrafi/
Bruno Fernandes është shpallur Lojtari i Vitit nga Shoqata e Futbollistëve Profesionistë (PFA) për sezonin 2025/26, duke kurorëzuar një sezon të jashtëzakonshëm me fanellën e Manchester United.
Çmimi i është dorëzuar portugezit gjatë ceremonisë vjetore të PFA-së, ndërsa fituesi është përcaktuar përmes votave të vetë futbollistëve.
Fernandes mposhti pesë rivalë të tjerë për këtë çmim. Manchester City kishte dy përfaqësues në listën finale, Erling Haaland dhe Rayan Cherki, ndërsa Arsenal kishte numrin më të madh të kandidatëve, me Gabriel Magalhães, David Raya dhe Declan Rice.
Bruno Fernandes is the PFA Players’ Player of the Year 🏆
Ky çmim kompleton një sezon të jashtëzakonshëm individual për kapitenin e Manchester United. Fernandes më herët ka fituar edhe çmimin zyrtar të Lojtarit të Vitit në Premier League, si dhe çmimin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Futbollit (FWA).
Kështu, portugezi ka triumfuar në të tre çmimet kryesore individuale për futbollistët në Angli, duke konfirmuar statusin e tij si një prej lojtarëve më të spikatur të sezonit 2025/26. /Telegrafi/
Ndonjëherë dëshira për t’u larguar nga gjithçka nuk do të thotë se problemi është aty ku mendoni
Ka momente kur na duket se kemi arritur në kufijtë e durimit dhe madje gjërat që deri dje na sillnin kënaqësi fillojnë të na irritojnë. Pikërisht atëherë lind dilema: a duhet vërtet ta ndryshojmë rrënjësisht jetën apo kemi nevojë vetëm për pak distancë, pushim dhe kohë për të menduar?
Ndonjëherë mjafton një konflikt, një javë e rëndë në punë ose një situatë e pakëndshme që të ndiejmë se “nuk mundemi më”. Mund të mendojmë për ndarje, dorëheqje, shpërngulje ose një ndryshim të madh, pa qenë të sigurt se çfarë pasojash do të ketë ai vendim.
Para se të ndërmarrim një hap që mund ta çojë jetën në një drejtim krejt tjetër, duhet të kuptojmë nëse kemi të bëjmë me lodhje të përkohshme apo me një pakënaqësi që është grumbulluar prej kohësh.
Dëshira për të hequr dorë nga një marrëdhënie, punë apo vendbanim rrallë lind papritur. Zakonisht paraprihet nga muaj ose vite përshtatjeje, shtyrjeje të bisedave të vështira dhe bindjeje se “nuk është ende koha”.
Tensioni rritet gradualisht derisa vjen momenti kur themi: “Nuk mund të vazhdoj më kështu”.
Impulsi është sinjal, por jo gjithmonë përgjigjja
Në kulmin e stresit, mendja përpiqet të gjejë mënyrën më të shpejtë për ta ndalur shqetësimin. Kjo është arsyeja pse në ato momente mund të na duken tërheqëse vendime të mëdha si divorci, dorëheqja apo shpërngulja.
Dëshira për t’u larguar mund të jetë një sinjal i rëndësishëm se mënyra e deritanishme e jetesës nuk funksionon më. Megjithatë, ajo nuk provon automatikisht se kemi identifikuar saktë burimin e problemit.
Pyetja nuk është vetëm: “Nga çfarë dua të largohem?”, por edhe: “Çfarë dua të ndërtoj në vend të kësaj?”
Nëse kjo pjesë mbetet e paqartë, vendimi mund të merret më shumë për t’i shpëtuar një gjendjeje të rëndë sesa për të ndërtuar diçka më të mirë, transmeton Telegrafi.
Mos e ngatërroni lodhjen me një jetë të gabuar
Një konflikt me partnerin nuk do të thotë domosdoshmërisht se marrëdhënia duhet të përfundojë. Një shef i vështirë nuk do të thotë se duhet ndryshuar profesioni. As ndjenja e vetmisë nuk provon se jetoni në qytetin e gabuar.
Prandaj, fillimisht duhet vlerësuar gjendja mendore dhe fizike.
Nëse jeni vazhdimisht të lodhur, në ankth ose të privuar nga gjumi, perceptimi i problemeve mund të bëhet shumë më negativ. Irritimi rritet, marrëdhëniet tensionohen dhe puna mund të duket pa kuptim edhe kur problemi kryesor është rraskapitja.
Në raste të tilla, para vendimeve radikale mund të jetë më e mençur të riktheni energjinë, të pushoni, të rregulloni gjumin dhe të ndryshoni ritmin e përditshëm.
Lodhja e fortë mund të krijojë përshtypjen se e gjithë jeta është gabim, kur në fakt mund të jetë mënyra se si po e jetoni atë në atë moment.
Ndonjëherë nuk duhet ndryshuar jeta, por rregullat
Duhet parë edhe mënyra se si funksionon situata konkrete.
Në një martesë, për shembull, pakënaqësia mund të vijë nga ndarja e pabarabartë e përgjegjësive dhe jo domosdoshmërisht nga vetë marrëdhënia. Në punë, problemi mund të jetë ngarkesa, orari ose menaxhimi dhe jo profesioni.
Ndonjëherë nuk është e nevojshme të ndryshoni partnerin, punën apo qytetin. Mund të jetë e mjaftueshme të ndryshoni rregullat sipas të cilave jetoni brenda tyre.
Vendimet e mëdha kanë kuptim kur vijnë pas një periudhe reflektimi dhe kur e dini jo vetëm se çfarë doni të lini pas, por edhe drejt kujt dëshironi të shkoni. /Telegrafi/
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se nesër do të kufizohet përkohësisht qarkullimi i automjeteve për transportin e mallrave me masë totale mbi 20 tonë.
Sipas njoftimit, kufizimi në autoudhë do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30, për shkak të temperaturave të larta të parashikuara.
“Temperatura e parashikuar plotëson kushtin prej 32°C ose më shumë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Ndërkohë, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të lejohet pa kufizime.
Nga ky kufizim përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.
Ministria u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe ngasësve që ta respektojnë kufizimin dhe ta planifikojnë qarkullimin në përputhje me orarin e përcaktuar. /Telegrafi/
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se flamujt amerikanë do të ulen në gjysmështizë për një javë në nderim të legjendës së muzikës country, Dolly Parton, e cila u nda nga jeta në moshën 80-vjeçare.
Trump e bëri njoftimin përmes platformës së tij Truth Social, duke e cilësuar vdekjen e Parton si një humbje të madhe për miliona njerëz.
“Është një humbje e vërtetë për miliona njerëz. Nuk ka pasur kurrë dikush si ajo dhe nuk do të ketë më”, shkroi Trump.
Dolly Parton
Nipi i këngëtares, Bryan Seaver, kishte konfirmuar më herët vdekjen e saj përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale.
Shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur, ndërsa gjatë muajve të fundit Parton kishte folur për disa probleme shëndetësore.
Dolly kishte humbur një vit më parë edhe bashkëshortin e saj, Carl Dean, me të cilin ishte e martuar për afro 60 vjet.
Dean, i cili qëndroi kryesisht larg vëmendjes publike, besohet se kishte frymëzuar një prej hiteve më të mëdha të Parton, këngën “Jolene”.
Donald Trump
Sipas njoftimit të Trump, flamujt do të ulen në gjysmështizë duke filluar nga ora 18:00 sipas kohës së Lindjes në ShBA, në shenjë nderimi për ikonën e muzikës country. /Telegrafi/
Interi ka nisur një epokë të re angleze. Kampionët e Italisë kanë afruar gjatë kësaj vere John Stones, Djed Spence dhe Curtis Jones, duke e çuar në tre numrin e futbollistëve anglezë të transferuar në San Siro në këtë afat kalimtar.
Është një shifër e jashtëzakonshme, pasi Interi nuk kishte afruar kaq shumë anglezë në 118 vitet e mëparshme të historisë së klubit.
Për dekada me radhë, futbollistët britanikë kanë qenë relativisht të rrallë në Serie A dhe shpesh kanë pasur vështirësi për t'u përshtatur me futbollin italian.
Por situata duket se po ndryshon. Tani lojtarët anglezë janë më të gatshëm të largohen nga Liga Premier për të provuar aventura të reja në Evropë.
Stones kërkoi një aventurë të re
John Stones, pas një dekade te Manchester City, vendosi të provojë një eksperiencë të re jashtë Anglisë. 32-vjeçari u largua nga City pas përfundimit të kontratës dhe zgjodhi Interin si destinacionin e radhës.
Mbrojtësi anglez e kishte dëshiruar prej kohësh mundësinë për të luajtur jashtë vendit dhe e konsideron aventurën në Itali si një mundësi për të mësuar një mënyrë tjetër të lojës dhe për të përjetuar një kampionat të ri.
Spence dhe Jones kompletojnë “tridentin” anglez
Interi më pas afroi Djed Spence nga Tottenham, ndërsa transferimi i Curtis Jones nga Liverpooli kompletoi treshen.
Jones, 25-vjeçar, i dha fund një lidhjeje 16-vjeçare me Liverpoolin dhe iu bashkua Interit për rreth 35 milionë euro, duke firmosur kontratë deri në vitin 2031.
Me këto tri lëvizje, Interi po tenton të sjellë në skuadër intensitetin dhe ritmin karakteristik të Premier League, ndërsa njëkohësisht synon të mbrojë titullin në Serie A dhe të rikthehet fuqishëm në garën për Ligën e Kampionëve.
Nga Gascoigne te McTominay
Një prej emrave më të njohur që provoi aventurën italiane ishte Paul Gascoigne. Ish-ylli i Tottenhamit iu bashkua Lazios në vitin 1992, por aventura e tij në Serie A u shoqërua me probleme fizike dhe vështirësi jashtë fushës. Megjithatë, Gascoigne mbeti një figurë shumë e dashur nga tifozët e klubit romak.
Në vitet e fundit, megjithatë, Scott McTominay ka treguar se një futbollist britanik mund të përshtatet dhe të shkëlqejë në Itali.
Mesfushori skocez u largua nga Manchester United për t’iu bashkuar Napolit dhe shumë shpejt u shndërrua në një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës. Ai u përshtat me futbollin italian, por edhe me jetën në Napoli, duke përqafuar kulturën, gjuhën dhe mënyrën e jetesës.
McTominay është bërë një shembull se kalimi nga Liga Premier në Serie A nuk duhet të shihet më si një hap prapa, por si një mundësi për të zhvilluar një aspekt tjetër të lojës./Telegrafi/
Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur situatën e zjarreve në vend, të përditësuar deri në orën 20:00 të kësaj të marte, 25 gusht.
Sipas njoftimit, gjatë ditës janë raportuar 24 vatra zjarri në rang vendi, nga të cilat 6 mbeten aktive, ndërsa 5 janë nën monitorim.
Në operacionet për shuarjen dhe kontrollin e zjarreve janë angazhuar 126 forca operacionale dhe 18 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 20 efektivë, 1 helikopter dhe 2 avionë Air Tractor.
Fokusi kryesor vijon të jetë në Malin e Dajtit, ku vatrat në lartësitë mbi tunelet e Qafë Mollës mbeten aktive. Në operacion janë angazhuar 40 forca zjarrfikëse, 20 efektivë të FA-së dhe 7 forca të ADZM-së, me mbështetje të fuqishme nga ajri me 1 helikopter dhe 2 avionë Air Tractor. Aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në qarkun Dibër mbeten aktive vatrat në Ballenjë, ku operojnë 5 forca të ADZM-së, si dhe në Qafë të Helmës, Bulqizë, ku vijon monitorimi me 4 efektivë të MZSH-së. Në të dyja rastet nuk raportohen rreziqe për zonat e banuara.
Në Malin e Dardhës, Librazhd, vatra është riaktivizuar në një sipërfaqe pyjore të përshkruar prej rreth 7–8 ha dhe në terren vijojnë të operojnë efektivët e MZSH Librazhd; nuk rrezikohen banesa.
Ndërkohë, vatrat në Gjegjan–Gojan–Prozhëm–Tërbun, Pukë, tashmë janë izoluar dhe nuk ka vatra aktive, duke vijuar vetëm monitorimi.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve. /euronews/
Këmbësori goditet nga vetura në rrugën PodujevëPrishtinë, ndërron jetë – arrestohet i dyshuari
Një këmbësor ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të trafikut që ka ndodhur mbrëmë në rrugën Podujevë–Prishtinë.
Rasti ka ndodhur më 24 gusht, rreth orës 20:30, ku një automjet ka goditur një këmbësor, i cili fillimisht kishte pësuar lëndime trupore dhe ishte dërguar për trajtim në QKUK.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Me datën 24 gusht 2026, rreth orës 20:30, kemi pranuar informatën se në rrugën Podujevë-Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku. Në këtë aksident ka qenë i përfshirë një automjet dhe një këmbësor”, ka deklaruar Ahmeti.
Sipas saj, sot rreth orës 10:00, Policia ka pranuar informatën nga QKUK-ja se këmbësori, i cili ishte i lënduar në aksident, ka ndërruar jetë.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion.
Ndërkohë, hetuesit e Njësitit të Trafikut Rajonal kanë zhvilluar hetime intensive për identifikimin e personit që dyshohet se ishte duke drejtuar automjetin.
Sipas Policisë, i dyshuari ishte larguar nga vendi i aksidentit, por pas veprimeve hetimore është identifikuar dhe lokalizuar.
“Personi i dyshuar, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, ka bërë të ditur Ahmeti.
Rasti po vazhdon të hetohet nga njësitet kompetente të Policisë së Kosovës.
Barcelona po përgatitet të mbyllë afatin kalimtar pa transferuar një sulmues të ri, nëse nuk arrin të sigurojë shërbimet e Julián Álvarez.
Sipas Marca, Atlético Madrid vazhdon të jetë i prerë në qëndrimin e tij dhe nuk dëshiron ta shesë sulmuesin argjentinas te Barcelona.
Klubi madrilen është i gatshëm të shqyrtojë një largim të Álvarez, por vetëm nëse destinacioni është Arsenali.
Barcelona e ka kuptuar se transferimi i argjentinasit është shumë i vështirë dhe tashmë ka aktivizuar planin B: të mos bëjë asnjë transferim tjetër në sulm.
Flick beson te grupi aktual
Hansi Flick dhe Deco kanë vendosur të vazhdojnë me lojtarët që kanë në dispozicion. Trajneri gjerman është i kënaqur me alternativat e skuadrës dhe beson se nuk ka nevojë të sjellë një sulmues të ri vetëm për të plotësuar numrin.
Raphinha është një prej opsioneve për të luajtur në qendër të sulmit, ndërsa edhe Karim Adeyemi dhe Gordon mund të përshtaten në këtë pozicion, pavarësisht se zakonisht aktivizohen në krahë. Një tjetër alternativë është Dani Olmo.
Barcelona ka gjithashtu besim te talentet e rinj. Hamza Abdelkarim, i cili ishte golashënuesi më i mirë i skuadrës në ndeshjet parasezonale, ka bindur stafin teknik dhe mund të marrë mundësi gjatë sezonit.
Kështu, nëse nuk shfaqet një mundësi e jashtëzakonshme në ditët e fundit të afatit kalimtar, Barcelona do ta nisë sezonin pa Julián Álvarez dhe pa një tjetër sulmues të ri.
Në rast se nevojat e skuadrës ndryshojnë, klubi mund të rikthehet në treg gjatë afatit kalimtar të janarit. /Telegrafi/
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar për përditësimin e procesit të optimizimit të pranisë së tij në Kosovë, duke theksuar se mandati i misionit mbetet i pandryshuar dhe se siguria e të gjitha komuniteteve vazhdon të jetë prioritet.
KFOR thekson se procesi i optimizimit, i paralajmëruar më 12 qershor 2026, po zhvillohet në mënyrë graduale, të koordinuar dhe transparente me institucionet e Kosovës, Bashkimin Evropian, Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.
Sipas misionit, procesi mund të kthehet mbrapsht nëse zhvillimet e ardhshme ndikojnë në sigurinë afatgjatë në Kosovë apo në stabilitetin rajonal.
Në kuadër të kësaj, kalimi gradual nga prania e përhershme e KFOR-it në Urën mbi Ibër është pjesë e procesit më të gjerë të optimizimit dhe pasqyron përmirësimin e situatës së sigurisë.
“Vendimet lidhur me praninë e KFOR-it në Urën e Mitrovicës bazohen në vlerësimin tonë të situatës së sigurisë. KFOR-i nuk ka mandat për të përcaktuar nëse ura duhet të hapet apo jo. Këtë duhet ta përcaktojnë BE-ja dhe institucionet përkatëse në Kosovë, pasi KFOR-i të përfundojë praninë e tij në këtë urë”, tha admirali George Wikoff, Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli.
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Okzan Ulutash, ka theksuar se përkushtimi i misionit ndaj sigurisë së të gjithë qytetarëve mbetet i palëkundur.
“Përkushtimi i KFOR-it për sigurinë e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë është i palëkundur”, ka deklaruar Ulutaş, duke shtuar se prania e misionit do të vazhdojë përmes patrullimeve, pikave të vëzhgimit dhe kontakteve me komunitetet lokale.
Ky mision ka njoftuar se prania e KFOR-it do të rritet në disa zona, përfshirë, pjesën veriore të Kosovës.
Në njoftim, KFOR ka sqaruar edhe raportin e tij me Policinë e Kosovës, duke theksuar se zbatimi i ligjit nuk është pjesë e mandatit të KFOR-it.
“Zbatimi i ligjit nuk është pjesë e mandatit të KFOR-it”, thuhet në njoftim, ndërsa theksohet se misioni vazhdon bashkëpunimin me organizatat e sigurisë në Kosovë, përfshirë Policinë e Kosovës.
KFOR e përshkruan Policinë e Kosovës si institucion të ligjshëm vendor të zbatimit të ligjit dhe si reaguesin e parë të sigurisë për zbatimin e ligjit civil dhe sigurinë publike.
KFOR-i më 10 gusht 2026 bëri të ditur për tërheqjen graduale të pranisë së përhershme nga Ura e Ibrit, e po ashtu ka nisur ta integrojë gradualisht Policinë e Kosovës në sigurinë e Manastirit të Deçanit./Telegrafi/
AC Milan ka konfirmuar largimin e Christopher Nkunkut, me sulmuesin francez që rikthehet te RB Leipzig në formë huazimi deri më 30 qershor 2027.
Marrëveshja përfshin edhe opsionin e blerjes përfundimtare, ndërsa sipas raportimeve nga Italia, Leipzig do të paguajë rreth 4 milionë euro për huazimin, ndërsa klauzola për transferimin përfundimtar është 28 milionë euro.
Nëse aktivizohet, vlera totale e operacionit do të shkojë në 32 milionë euro.
Nkunku rikthehet kështu në Leipzig, klubin ku ndërtoi emrin e tij si një prej sulmuesve më të spikatur në Evropë, përpara transferimit te Chelsea.
26-vjeçari iu bashkua Milanit me pritshmëri të mëdha, por aventura e tij në Itali nuk shkoi sipas planit. Në sezonin e kaluar, francezi regjistroi 35 paraqitje, tetë gola dhe tri asistime. /Telegrafi/
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka dërguar urime presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, duke shprehur dëshirat për paqe dhe rimëkëmbje të vendit.
Në letrën e tij, Vuçiq thekson se Serbia respekton Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe integritetin territorial të Ukrainës.
“Serbia respekton Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe, në përputhje me të, integritetin territorial të Ukrainës”, thuhet në letrën e presidentit serb.
Vuçiq ka deklaruar gjithashtu se Serbia do të vazhdojë të ofrojë ndihmë humanitare për qytetarët e Ukrainës.
Zelensky e ka falënderuar publikisht Vuçiqin për urimet, duke e veçuar pikërisht qëndrimin e Serbisë ndaj integritetit territorial të Ukrainës.
“E vlerësoj mbështetjen e Serbisë për integritetin territorial të Ukrainës dhe përkushtimin ndaj parimeve të Kartës së OKB-së. Jam mirënjohës ndaj Serbisë dhe popullit serb për mbështetjen e tyre humanitare për Ukrainën gjatë kësaj kohe të vështirë", ka shkruar Zelensky.
Ky qëndrim i Vuçiqit për integritetin territorial të Ukrainës vjen në një kohë kur Serbia vazhdon të mbajë marrëdhënie të afërta me Rusinë, ndërsa njëkohësisht synon avancimin e saj drejt Bashkimit Evropian. /Telegrafi/
I thank President of Serbia Aleksandar Vučić @avucic for his Independence Day greetings and his wishes for peace and recovery for Ukraine.
I appreciate Serbia’s support for Ukraine’s territorial integrity and its commitment to the principles of the UN Charter. I am grateful to… pic.twitter.com/YMIPpAqN3O — Volodymyr Zelenskyy / Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) August 25, 2026
Dolly Parton ishte një nga figurat më të mëdha të muzikës country dhe një prej artisteve më të suksesshme amerikane të të gjitha kohërave.
E lindur më 19 janar 1946 në Tennessee, ajo u rrit në një familje të varfër me 12 fëmijë.
Që në moshë të vogël nisi të këndonte në kishë dhe të shkruante këngë, ndërsa kitara u bë një nga mjetet e para përmes të cilave shprehu talentin e saj.
Dolly Parton
Pas përfundimit të shkollës së mesme, në vitin 1964 u zhvendos në Nashville, qendrën e muzikës country, për të ndjekur ëndrrën e saj.
Fillimisht shkroi këngë për artistë të tjerë, përpara se të fitonte famë si pjesë e emisionit “The Porter Wagoner Show”.
Ky bashkëpunim e ndihmoi të siguronte kontratë diskografike dhe të niste karrierën si artiste solo.
Në vitet ’70, Parton u shndërrua në një prej yjeve më të mëdhenj të country-t.Këngë si “Jolene”, “9 to 5”, “Coat of Many Colors” dhe “I Will Always Love You” u kthyen në hite dhe e vendosën emrin e saj në historinë e muzikës.
Dolly Parton
“I Will Always Love You” u bë veçanërisht e famshme kur Whitney Houston e interpretoi për filmin "The Bodyguard" në vitin 1992.
Versioni i Houston e ktheu këngën e shkruar nga Parton në një hit global dhe një prej baladave më të njohura në historinë e muzikës.Por karriera e Dolly Parton nuk u kufizua vetëm te muzika.
Ajo u shqua edhe si aktore, producente, biznesmene dhe filantrope, duke luajtur në filma të njohur dhe duke ndërtuar projekte të shumta jashtë skenës.
Dolly Parton
E njëjta krijoi gjithashtu Dollywood, një prej parqeve tematike më të njohura në SHBA.
Një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së saj lidhet me punën bamirëse.
Përmes 'Dolly Parton’s Imagination Library', ka mbështetur miliona fëmijë duke u ofruar libra falas dhe duke promovuar leximin dhe edukimin.
Gjatë dekadave të karrierës, Parton fitoi çmime të shumta Grammy dhe u përfshi në 'Country Music Hall of Fame', duke u konsideruar jo vetëm si një ikonë e country-t, por si një prej kompozitoreve më të rëndësishme të muzikës amerikane.
Jeta e saj u karakterizua nga një kombinim i rrallë i talentit, punës, humorit dhe ambicies.
Nga një vajzë që u rrit në varfëri në malet e Tennesseet, Dolly Parton u shndërrua në një ikonë botërore, duke lënë pas këngë që vazhdojnë të dëgjohen dhe një trashëgimi që shkon shumë përtej muzikës. /Telegrafi/
Disa kombinime duken menjëherë të duhura për këtë ditë të veçantë – ndërsa disa të tjera mund të japin krejt përshtypjen e gabuar
Fillimi i vitit shkollor është moment i veçantë për çdo nxënës, sidomos për fillestarët që ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Por emocionet e kësaj dite nuk i përjetojnë vetëm fëmijët – po aq të përfshirë janë edhe prindërit.
Teksa kontrollohen për herë të fundit çantat, lapsoret dhe gjithçka që duhet marrë me vete, shumë nëna përballen me një dilemë tjetër, në dukje të thjeshtë: çfarë të veshin ditën e parë të shkollës?
Nëse fëmija juaj po nis shkollën për herë të parë, është krejt e natyrshme të dëshironi të dukeni pak më të rregulluara se zakonisht. Megjithatë, mes një kombinimi krejt thjeshtë dhe një pamjeje tepër zyrtare ekzistojnë shumë zgjedhje.
Trendet e vitit 2026 favorizojnë pikërisht këtë ekuilibër – rehati, prerje të rafinuara dhe elegancë të përmbajtur.
Mos u dukni tepër zyrtare
Kostumi klasik, këmisha e bardhë dhe këpucët me taka mund të duken si zgjedhje e sigurt, por në këtë rast mund të krijojnë përshtypjen sikur po shkoni në një takim pune.
Më mirë zgjidhni vetëm një pjesë elegante dhe kombinojeni me diçka më të çlirët.
Për shembull, një xhaketë elegante mund të vishet mbi një bluzë të bardhë të thjeshtë dhe të kombinohet me pantallona me prerje të drejtë, mokasina ose atlete minimaliste.
Nëse preferoni kostumin, zgjidhni një prerje më të lirshme, jo tepër rigoroze dhe as shumë të gjera.
Synimi është eleganca e natyrshme – të dukeni të rregulluara, por pa lënë përshtypjen se keni kaluar gjithë mëngjesin para pasqyrës.
Nëse ka një veshje që thuajse e zgjidh vetë dilemën, ai është fundi midi.
Është mjaftueshëm elegant për rëndësinë e ditës, por njëkohësisht mjaft i çlirët që të mos dukeni tepër formale.
Modelet me pala, prej sateni ose ato në formë A kombinohen lehtë me stile të ndryshme.
Mund t’i vishni me këmishë klasike për një pamje më elegante, me një pulovër të hollë për një stil më të rafinuar ose me një bluzë cilësore njëngjyrëshe për një kombinim më të thjeshtë.
Mokasinat, balerinat ose atletet e thjeshta e përmbyllin pamjen pa e rënduar.
Po, xhinset mund të jenë zgjedhje shumë e mirë edhe për ditën e parë të shkollës – mjafton të kombinohen në mënyrë pak më të rregulluar se zakonisht.
Në vend të xhinseve shumë të grisura, tepër të zbehura ose shumë sportive, zgjidhni një model klasik me prerje të drejtë, në nuancë të mesme ose të errët të kaltër.
Shtoni një këmishë ose bluzë të thjeshtë cilësore, një xhaketë të mirë, rrip minimalist dhe mokasina.
Rezultati do të jetë një kombinim që duket i menduar, por pa sforcim.
Pikërisht përzierja e pjesëve elegante me ato të përditshme është një nga mënyrat më të lehta për ta bërë pamjen moderne dhe të balancuar.
Fundet shumë të shkurtra, dekoltetë e thella, materialet transparente dhe veshjet që lidhen më shumë me daljet e mbrëmjes është më mirë të ruhen për raste të tjera.
Ideja nuk është të tërhiqni gjithë vëmendjen, por të dukeni bukur, të rregulluara dhe njëkohësisht të ndiheni rehat.
Nga ana tjetër, nuk ka nevojë as të kaloni në skajin tjetër. Hyrja në shkollë nuk kërkon kostum të rreptë biznesi apo pamje tepër formale.
Zgjedhja më e mirë është pikërisht mes këtyre dy skajeve – mjaft elegante për të treguar se dita është e veçantë, por aq e çlirët sa të ndiheni vetvetja. /Telegrafi/
Futbolli u ka sjellë famë dhe pasuri të mëdha, por disa prej ish-futbollistëve më të njohur kanë ditur të ndërtojnë edhe perandori të suksesshme biznesi pas ose gjatë karrierës së tyre.
David Beckham, Mathieu Flamini, Gerard Piqué, Gary Neville, Lukas Podolski, Louis Saha dhe Michael Owen janë shtatë emrat e përzgjedhur nga GOAL si shembuj të futbollistëve që kanë pasur sukses të madh edhe jashtë fushës.
Shtatë ish-futbollistët tregojnë se karriera sportive nuk është domosdoshmërisht fundi i suksesit financiar. Përkundrazi, për disa prej tyre, largimi nga fusha ka qenë vetëm fillimi i një kapitulli edhe më të madh në botën e biznesit.
David Beckham – një perandori prej miliardash
Ish-ylli i Manchester Unitedit dhe Real Madridit është një nga figurat më të suksesshme të futbollit në botën e biznesit. Beckham është bashkëpronar i Inter Miamit në MLS dhe ka investime edhe në Salford City.
Sipas GOAL, pasuria e tij vlerësohet rreth 2 miliardë euro, ndërsa përmes kompanive të tij ai menaxhon një portofol të gjerë biznesesh, marrëveshjesh komerciale dhe investimesh sportive.
Mathieu Flamini – nga Arsenal te biznesi miliardësh
Mathieu Flamini është një nga rastet më interesante. Ish-mesfushori i Arsenalit dhe Milanit u përfshi në industrinë e bioteknologjisë duke bashkëthemeluar GF Biochemicals.
Kompania prodhon acid levulinik, një material me bazë bimore që mund të përdoret si alternativë më e qëndrueshme ndaj derivateve të naftës në produkte të ndryshme.
GOAL e vlerëson pasurinë e Flaminit në rreth 11 miliardë euro, megjithëse francezi ka theksuar se vlerësimi i aseteve të kompanisë nuk duhet të ngatërrohet me pasurinë personale në para të gatshme.
Gerard Piqué – Kings League dhe FC Andorra
Piqué e shndërroi pasionin për sportin në një biznes të madh mediatik. Në vitin 2017 ai themeloi Kosmos Global Holding, kompani e fokusuar në sport, media dhe argëtim.
Projekti i tij më i famshëm është Kings League, një kompeticion i futbollit me shtatë lojtarë që ka marrë një popullaritet të madh në internet dhe është zgjeruar në tregje të ndryshme.
Piqué është gjithashtu pronar i FC Andorrës, ndërsa pasuria e tij vlerësohet rreth 100 milionë euro.
Lukas Podolski – nga golat te kebabet dhe festivalet
Kampioni i botës me Gjermaninë në vitin 2014 ka ndërtuar një portofol të gjerë biznesesh.
Podolski ka krijuar rrjetin e restoranteve Mangal Döner, ka themeluar markën e akullores Ice Cream United, ndërsa është përfshirë edhe në organizimin e një prej festivaleve më të mëdha muzikore në Gjermani.
Ai është gjithashtu bashkëthemelues i Baller League dhe është bërë shumicë-pronar i klubit të tij të fëmijërisë, Górnik Zabrze.
Gary Neville – prona, media dhe futbolli
Legjenda e Manchester Unitedit ka ndërtuar një biznes të gjerë në pasuri të paluajtshme, hoteleri, media dhe sport.
Neville është bashkëpronar i Salford Cityt, ndërsa ka qenë i përfshirë në projekte si Hotel Football, Stock Exchange Hotel dhe platforma mediatike The Overlap.
Ai gjithashtu është bashkëthemelues i University Academy 92 dhe vazhdon të jetë një nga analistët më të njohur të futbollit në Angli. Pasuria e tij vlerësohet në 80-120 milionë euro.
Michael Owen – pasioni për kuajt
Fituesi i Topit të Artë në vitin 2001 ka investuar një pjesë të madhe të pasurisë së tij në garat me kuaj.
Owen bleu Manor House Stables në Cheshire në moshën vetëm 22-vjeçare dhe e shndërroi atë në një qendër moderne për trajnimin e kuajve të garave.
Sipas GOAL, pasuria e ish-sulmuesit të Liverpoolit, Real Madridit dhe Manchester Unitedit vlerësohet në më shumë se 60 milionë euro.
Louis Saha – nga futbolli në teknologji
Ish-sulmuesi i Manchester Unitedit, Fulhamit dhe Evertonit zbuloi një mundësi biznesi para pensionimit.
Saha bashkëthemeloi AxisStars, një platformë digjitale që ndihmon sportistët dhe artistët në menaxhimin e karrierës, investimeve dhe jetës pas pensionimit.
Sipas artikullit, kompania tani vlerësohet në më shumë se 5 miliardë euro. /Telegrafi/
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për situatën politike dhe institucionale në vend, duke e akuzuar për bllokimin e konstituimit të Kuvendit, raporton KosovaPress.
Gjini pas mbledhjes së kryesisë së Aleancës tha se Kosova ndodhet në një periudhë të vështirë, të cilën e cilësoi si “epokën e mashtrimit më të madh të popullit”.
Kreu i Aleancës akuzoi pushtetin se po ua pamundëson deputetëve ushtrimin e mandatit të tyre.
“Kosova sot po jeton në epokën e mashtrimit më të madh të popullit të vet në historinë e saj qindra vjeçare. Është epokë e mashtrimit kolosal, qoftë sa i përket ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, marrëdhënieve me jashtë, setupit institucional, respektimit të Kushtetutës. Kosova sot është në gjendje që nuk ka asnjë mundësi me dalë pa trauma…. Ky pushtet nuk po lejon 120 deputetët e popullit, e kanë bllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke iu pamundësuar përfaqësuesve të popullit me mandatin e vet. Kjo është ndër shkeljet më brutale të demokracisë në vend”, tha ai.
Ai ritheksoi se deputetët e Aleancës nuk përfshihen në zgjedhjen e presidentit pa u zbatuar gjashtë kërkesat e tyre, përfshirë gazin amerikan.
“Ne nuk ekzistojmë për me mbulua zbrazëtira që i krijojnë të tjerët. Aleanca nuk ekziston për atë arsye. Ne jemi për të mbuluar hapësira për Kosovën, jo për partitë të cilat dështojnë asnjëra. Ne nuk po mundemi me kuptu assesi qysh mundet dikush me lyp me qeverisë me Kosovën edhe 4 vite dhe me thanë nuk dua me marrë gazin amerikan, kapacitete të reja energjetike, uljen e pragut të TVSH-së… Këta janë bërë bashkë me shkua me zgjedhje, po e manipulojnë popullin, mediat dhe krejt Kosovën. Këta kanë vendos me shkua në zgjedhje më 27 dhjetor dhe po shohin mënyrat. Pritni dhe shihni”, tha ai.
Kreu i Aleancës foli edhe për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, ku pritet vendimi më 16 shtator.
Ai konfirmoi se do të flasë në marshin e 12 shtatorit, derisa shtoi se pret që Thaçi dhe të tjerët të lirohen nga të gjitha akuzat e Gjykatës Speciale.
Ai paralajmëroi se një vendim eventual fajësues ndaj ish-krerëve të UÇK-së mund të ketë pasoja për Kosovën.
“Unë e kam konfirmuar se edhe do të flas. Patjetër që do të jemi. Nuk ka të bëjë kjo me Hashim Thaçin dhe të tjerët, fushata është për baltosjen e tregimit tonë për lirinë tonë…. Në rastin më të keq, Kosova duhet me jetu. Ne kemi mbijetuar edhe kur ma kanë hy në shtëpi. Bindja ime e plotë është se kish me qenë fatkeqësi për neve dhe drejtësinë nëse këta njerëz shpallen fajtorë. Një dënim i tillë nuk ka me kalu pa pasoja për Kosovën dhe secilin prej nesh. Por gjithmonë një populli i mbetet mos me heq dorë prej ëndrrës së vet”, theksoi ai.
Duke folur për “Dosjen Sheholli”, Gjini ngriti pretendime të rënda për infiltrimin e strukturave të shërbimeve serbe në Kosovë.
Ai tha se publikimi i identitetit të një agjenti mund të shërbejë si paralajmërim për persona të tjerë që bashkëpunojnë me një shërbim sekret.
“Kur një shërbim sekret e dekonspiron agjentin e vet. Çfarë rrethanash? Mendoni, ju lutem, e unë po ju tregoj kur. Në rrethana normale, kurrë. Ekziston një rrethanë që dekonspirohet spiuni armik. Ajo është me iu thanë krejt spiunëve të tjerë me bo: mos me dëgjua, iu del emri edhe juve dhe nuk iu del askund në botë. Kjo ka qenë kërcënimi hapur për krejt spiunët e Kosovës, ose dikur ose më vonë kanë bashkëpunuar me shërbimin sekret serb. Kosova është e infiltruar edhe në instanca të larta të shtetit. Kryeministri dhe presidentja dalin në fotografi me spiun të Serbisë. E keni pa fotografinë dhe po ju them, nëse kanë zënë një, ka edhe shumë të tjerë”, përfundoi ai./KosovaPress/
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar familjen e zyrtarit policor të ndjerë, Altin Kryeziu, për t’u shprehur ngushëllime pas vdekjes së tij.
Gjatë vizitës në familjen e Kryeziut, Kurti ka shprehur respektin për punën dhe përkushtimin e tij në shërbim të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.
Kurti ka thënë se Altin Kryeziu do të kujtohet gjithmonë si një zyrtar shembullor, i cili shërbeu me profesionalizëm dhe nder.
“Altin Kryeziu do të kujtohet gjithmonë nga kolegët e shokët, miqtë dhe i gjithë populli si zyrtar shembullor që shërbeu me profesionalizëm e nder për qytetarët e Republikës, sundimin e ligjit dhe interesin publik”, ka shkruar Kurti në librin e zisë.
Ai ka përfunduar mesazhin me një homazh për zyrtarin e ndjerë:
“Përkulemi para jetës dhe punës së tij! U prehtë në paqe!”. /Telegrafi/