Normal view

Heroizëm në Florida - instruktorja 21-vjeçare ul aeroplanin në autostradë

6 August 2026 at 21:58


Një instruktore e re fluturimi në Florida arriti të kryejë një ulje emergjente në një autostradë pasi aeroplani me të cilin po fluturonte pësoi një defekt serioz gjatë një ore mësimi.

Emily Shelton, 21 vjeçe, ishte në fluturim me një nxënës, i cili po zhvillonte pikërisht mësimin e tij të parë të pilotimit, kur në kabinë filluan të përhapeshin avuj vaji dhe presioni i vajit të motorit ra papritur.

Duke vlerësuar se avioni nuk do të arrinte të kthehej në aeroport, Shelton shpalli emergjencë dhe vendosi ta ulte mjetin fluturues në autostradën Interstate 10 në Florida, shkruan bbc.

Manovra kërkoi qetësi dhe saktësi, pasi pilotja duhej të shmangte automjetet dhe pengesat në rrugë.

Pavarësisht situatës kritike, ajo arriti ta ulte avionin në mënyrë të sigurt dhe pa shkaktuar të lënduar.

Nxënësi i saj, i cili ishte në fluturimin e parë praktik, përjetoi një situatë shumë më të vështirë sesa një mësim i zakonshëm pilotimi – një provë reale emergjence që përfundoi me sukses.

Administrata Federale e Aviacionit e SHBA-së (FAA) ka nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e defektit teknik që çoi në uljen e detyruar. /Telegrafi/

Deda: Nëse deri nesër nuk konstituohet Kuvendi, të gjithë deputetët do të bëjnë shkelje të rëndë kushtetuese

6 August 2026 at 21:49


Analisti politik dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka reaguar ndaj vazhdimit të bllokadës institucionale, duke paralajmëruar se moskonstituimi i Kuvendit deri në afatin e paraparë përbën shkelje të rëndë kushtetuese.

Përmes një reagimi publik, Deda tha se vazhdimi i krizave politike nuk është normal, ndërsa theksoi se nëse Kuvendi nuk konstituohet deri nesër në mesnatë, përgjegjësia bie mbi të gjithë deputetët e zgjedhur.

“Nëse deri nesër në mesnatë nuk konstituohet Kuvendi, atëherë TË GJITHË deputetët e zgjedhur bëjnë shkelje të rëndë kushtetuese. Por në Kosovën tonë nuk ka asnjë masë ndëshkimore për këtë, sepse njerëzve normalë nuk u ka shkuar mendja që diçka e tillë mund të ndodhë”, ka shkruar Deda.

Ai vlerësoi se nuk ekziston asnjë arsye për të zvarritur konstituimin e Kuvendit, veçanërisht në rrethanat kur Kosova nuk ka as ushtrues detyre të presidentit.

Sipas Dedës, Lëvizja Vetëvendosje ka pasur kohë të mjaftueshme për të arritur marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës për bashkëqeverisje dhe për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

“LVV ka mundur që për dy muaj të merret vesh me LDK-në për bashkëqeverisje dhe për presidentin e ardhshëm. Nëse ka vullnet, dëshirë dhe seriozitet, mund të dakordohen edhe nesër”, ka theksuar ai.

Megjithatë, Deda tha se çështja kryesore nuk duhet të jetë ndarja e posteve, por programi dhe politikat që do të ndjekë një qeveri e mundshme mes LVV-së dhe LDK-së.

Në fund, ai theksoi se Kosova nuk mund të mbetet peng i paaftësisë politike për zgjedhjen e presidentit.

“Pa marrë parasysh nëse do të ketë marrëveshje apo jo, Kosova nuk mund të mbetet peng i paaftësisë për zgjidhjen e presidentit. Askush, ama bash askush, nuk ua ka për borxh këtë fundosje të Kosovës”, ka përfunduar Deda./Telegrafi.

Galatasaray synon yllin e Arsenalit nëse nuk arrihet marrëveshja për transferimin e Leaos

6 August 2026 at 21:48


Sipas gazetarit të njohur Gianluca Di Marzio, Galatasaray ka përfshirë në listën e objektivave të saj sulmuesin anësor të Arsenalit, Gabriel Martinelli, ndërsa klubi turk po kërkon të përforcojë krahët e sulmit gjatë kësaj vere.

Objektivi kryesor i kampionëve turq aktualisht mbetet ylli i Milanit, Rafael Leao, për të cilin kanë nisur bisedimet. Megjithatë, negociatat nuk kanë avancuar, pasi Milani ende nuk ka pranuar ofertën e Galatasarayt, ndërsa vetë futbollisti portugez nuk ka marrë një vendim përfundimtar nëse dëshiron të largohet nga "San Siro".

Për këtë arsye, drejtuesit e klubit nga Stambolli kanë nisur të shqyrtojnë alternativa dhe një nga emrat që ka dalë në skenë është Gabriel Martinelli.

Braziliani shihet si një profil që përshtatet me kërkesat e Galatasarayt, falë shpejtësisë, aftësisë në duele një kundër një dhe eksperiencës së fituar në Ligën Premier.

Martinelli ka qenë një nga lojtarët e rëndësishëm të Arsenalit në vitet e fundit, por situata e tij mund të ndryshojë nëse klubi londinez vendos të sjellë një përforcim të nivelit më të lartë në krahun e majtë.

Arsenali nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga 25-vjeçari, por një largim nuk përjashtohet nëse "Topçinjtë" arrijnë të sigurojnë një alternativë më të fortë për atë pozicion.

Në këtë aspekt, londinezët kanë marrë një goditje në planet e tyre, pasi transferimi i mundshëm i Vinicius Junior nga Real Madridi po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Braziliani raportohet se është afër rinovimit të kontratës me klubin spanjoll, duke i detyruar klubet e interesuara të shikojnë alternativa të tjera.

Martinelli iu bashkua Arsenalit në vitin 2019 nga Ituano dhe gradualisht u shndërrua në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës së Mikel Artetës.

Ai ka luajtur mbi 200 ndeshje për klubin londinez dhe ka kontribuar me gola e asistime në garat vendore dhe evropiane./Telegrafi/

Eksperti i sigurisë Blakaj kritikon Prokurorinë pse nuk i hetoi më herët krimet e luftës

6 August 2026 at 21:39


Eksperti i sigurisë, Korab Blakaj, ka kritikuar ashpër Prokurorinë e Kosovës për, siç ka thënë ai, dështimin në hetimin dhe ndjekjen e krimeve të luftës, duke vlerësuar se mosveprimi institucional ka dëmtuar jo vetëm drejtësinë, por edhe sigurinë kombëtare.

Në një reagim publik, Blakaj tha se një prokurori që nuk heton krimet e luftës dështon ndaj viktimave dhe vetë shtetit, duke u shndërruar në rrezik për funksionimin e tij.

“Prokuroria që nuk hetoi si duhet krimet e luftës, dështoi ndaj viktimave, dështoi ndaj vetë shtetit dhe u kthye në rrezik për vetë shtetin në emrin e të cilit është ndërtuar të punojë”, ka shkruar ai.

Sipas Blakajt, mosndëshkimi i krimeve të luftës nuk përbën vetëm mungesë drejtësie, por cenon edhe sigurinë kombëtare, pasi autorët mbeten të pandëshkuar ndërsa besimi i qytetarëve në institucionet e drejtësisë zbehet.

Ai ka theksuar se prokuroria është hallka kyçe që e shndërron informacionin e institucioneve të sigurisë në përgjegjësi penale, duke shtuar se dështimi i saj ka bërë që i gjithë sistemi të humbasë efektivitetin.

Blakaj ka kritikuar gjithashtu, sipas tij, përplasjet e vazhdueshme të Prokurorisë me institucionet e sigurisë dhe qeverinë, duke thënë se prioritet duhet të ishte ndjekja e krimeve që cenojnë interesin kombëtar.

“Një prokurori që injoron krimet e luftës nuk është neutrale. Neutraliteti përballë një krimi të rëndë nuk prodhon ekuilibër, por prodhon pandëshkueshmëri”, ka deklaruar ai.

Sipas Blakajt, zvarritja e hetimeve ka sjellë pasoja serioze, pasi me kalimin e kohës humben prova, dëshmitarë dhe dobësohet mundësia për të vënë autorët para drejtësisë.

Ai ka kritikuar edhe një pjesë të mediave, duke pretenduar se kanë shmangur debatin për mungesën e rezultateve në hetimin e krimeve të luftës dhe kanë relativizuar përgjegjësinë institucionale.

Në fund të reagimit, Blakaj ka paralajmëruar se vazhdimi i, siç e ka quajtur ai, degradimit institucional dhe pandëshkueshmërisë mund të krijojë bindjen te qytetarët se sistemi nuk mund të reformohet më përmes mekanizmave të zakonshëm.

“Kush do ta mbajë përgjegjësinë nëse një ditë shpresa te shteti zëvendësohet nga bindja se shteti nuk reformohet më me mjetet e zakonshme?”, ka përfunduar Blakaj.

Fetoshi: Vuçiq po rikthen narrativën e Millosheviqit përmes projektit “Bota Serbe”

6 August 2026 at 21:32


Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se po rikthen narrativën e ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, përmes projektit të ashtuquajtur “Bota Serbe”, duke e cilësuar këtë si një strategji hibride kundër Kosovës dhe Perëndimit.

Fetoshi tha se pas deklaratave të zyrtarit serb Paunoviq dhe vendosjes së monumentit për Brigadën e 37-të të Motorizuar në Rashkë, Vuçiq, së bashku me Millorad Dodikun, Milan Knezheviqin dhe patriarkun Porfirije, konfirmuan vazhdimësinë e politikave të Millosheviqit.

“Pas sinjalizimit nga Paunoviq dhe “heroizimit” të kriminelëve me monumentin për Brigadën 37 të Motorizuar në Rashkë, Vuçiq, Dodik, Knezheviq dhe Porfirije, konfirmuan në Mërkonjiq Grad vazhdimësinë e maskuar të Millosheviqit. Në ceremoninë e përkujtimit të operacionit kroat “Stuhia” (1995), krerët e projektit të “Botës Serbe” afishuan strategjinë e tyre hibride: viktimizimin serb, Serbinë si mbrojtëse dhe SHBA-të, BE-në e Perëndimin si përgjegjës për vuajtjet serbe”, ka shkruar ai.

Sipas Fetoshit, fjalimi i Vuçiqit gjatë ceremonisë ishte i mbushur me retorikë emocionale dhe kishte për qëllim mohimin e përgjegjësisë së Serbisë për krimet e luftës, si dhe legjitimimin e projektit “Bota Serbe”.

“Në një fjalim me ngarkesë emocionale, Vuçiq ia kaloi edhe Millosheviqit, duke kërcënuar se “Serbia s’do të lejojë kurrë më dhe askund të përsëritet ‘Stuhia’, dhe se është mjaftueshëm e fuqishme për ta mbrojtur popullin e vet”. Me pretendimin se serbët nuk i shkaktuan luftërat e viteve ’90 dhe me histerinë e ish-shefit të tij për “mbrojtjen” e serbëve kudo që ata jetojnë, Vuçiq nuk synon vetëm mohimin e përgjegjësisë shtetërore për krimet, spastrimin etnik dhe gjenocidin në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë e Kosovë, por edhe legjitimimin e qëllimeve të “Botës Serbe””, ka shkruar ai.

Ai shtoi se të njëjtën linjë e ndoqën edhe lideri i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, politikani malazez Milan Knezheviq dhe patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.

“Të njëjtën narrativë e përforcoi Millorad Dodik, duke akuzuar Kroacinë për “gjenocid” dhe duke pretenduar se “Stuhinë” e kanë organizuar “ekspertët amerikanë”. Ndërkaq, Knezheviq si përfaqësues i kësaj strategjie në Mal të Zi, vazhdoi me retorikën kundër BE-së, duke e cilësuar orientimin perëndimor të Podgoricës si “thikë” ndaj popullit serb. Kurse në fund, Patriarku Porfirije e ‘vulosi’ rrëfimin për serbët si “një popull i vetëm”, duke i dhënë “Botës Serbe” legjitimitet kishtar”, ka shkruar ai.

Fetoshi vlerësoi se këta katër aktorë përfaqësojnë shtyllat kryesore të komunikimit strategjik të projektit “Bota Serbe”.

“Pra, Vuçiqi i Serbisë, Dodiku i Republikës Serbe, Knezheviqi si instrument në Mal të Zi dhe Porfirije me Kishën Serbe, manifestojnë katër vektorët e komunikimit strategjik për “Botën Serbe”. Revizionimi i historisë është thelbësor për hapërimin drejt këtij projekti. Serbia duhet të imponohet si viktimë, ndërsa serbët si popull i përndjekur e i tradhtuar nga Perëndimi”, ka shkruar ai.

Në fund, ai paralajmëroi se mohimi i krimeve dhe falsifikimi i historisë rrezikojnë të prodhojnë të njëjtat pasoja si në të kaluarën.

“Pavarësisht fakteve dhe vendimeve të drejtësisë ndërkombëtare, me strategjinë e mohimit projektohet “ndërrimi i roleve”, kurse “viktimizimi” do t’i shërbente legjitimimit të projektit si mekanizëm mbrojtës. Të njëjtën skemë dhune e shkatërrimi bota e ka parë me Millosheviqin, sepse mohimi, falsifikimi i historisë dhe retorika shoviniste nuk mund të sjellin rezultat tjetër”, ka shkruar ai.

Gjarpri i madh u gjet i fshehur në brendi të veturës në Australi

6 August 2026 at 21:29


Një shofer në Sunshine Coast të Australisë mbeti i habitur kur zbuloi se kishte një "udhëtar" të pazakontë në automjetin e tij – një gjarpër i madh që ishte fshehur në ndarjen e dorezave të veturës.

Për kapjen e zvarranikut u thirrën profesionistët nga Sunshine Coast Snake Catchers 24/7, të cilët u përballën me një situatë të pazakontë gjatë ndërhyrjes.

Gjarpri ishte futur në një hapësirë të ngushtë të makinës, duke e bërë nxjerrjen e tij një proces të kujdesshëm.

Ekspertët e kapjes së gjarpërinjve në këtë zonë shpesh përballen me raste ku gjarpërinjtë hyjnë në automjete, garazhe apo shtëpi duke kërkuar strehim dhe vende të ngrohta.

Pas largimit nga automjeti, gjarpri u zhvendos në një zonë më të sigurt në natyrë. Specialistët kanë këshilluar banorët që të mos përpiqen t'i kapin vetë gjarpërinjtë, por të kërkojnë ndihmë nga persona të trajnuar.

Sunshine Coast është një zonë ku jetojnë shumë lloje gjarpërinjsh, përfshirë edhe disa specie helmuese, ndaj ndërhyrjet profesionale për largimin dhe zhvendosjen e tyre janë të zakonshme. /Telegrafi/

Apple thuhet se po teston iPhone më të madh ndonjëherë

6 August 2026 at 21:29


Apple po teston një prototip të iPhone-it me ekran 6.96 inç, i cili, nëse arrin në prodhim, do të prezantohet si modeli i parë i kompanisë me ekran pothuajse 7 inç.

Pajisja pritet të jetë pjesë e linjës së veçantë që Apple do të prezantojë në vitin 2027, me rastin e 20-vjetorit të iPhone-it.

Sipas informacioneve të publikuara nga burime të industrisë, modeli i ri mund të quhet iPhone 20 Pro Max dhe do të ketë ekran më të madh se ai i gjeneratës aktuale Pro Max.

Rritja e diagonales nuk pritet të vijë nga një trup dukshëm më i madh, por kryesisht nga zvogëlimi i skajeve të ekranit (bezelëve) dhe një dizajn i ri me xham të lakuar.

Raportohet se Apple po punon gjithashtu në një ridizajnim të rëndësishëm për modelet jubilare, me ekran që shtrihet pothuajse në të gjithë pjesën e përparme të pajisjes dhe efikasitet më të lartë energjetik falë një kontrolluesi të ri për ekranin OLED.

Megjithatë, bëhet fjalë ende për prototipe në fazën e testimit, ndaj specifikimet dhe dizajni përfundimtar mund të ndryshojnë para prezantimit zyrtar. Apple nuk ka komentuar raportimet dhe kompania tradicionalisht nuk konfirmon planet për produkte të ardhshme. /Telegrafi/

Barcelona dorëzohet për Julian Alvarez, fokusohet tek dy alternativa

6 August 2026 at 21:28


Barcelona e konsideron tashmë të pamundur transferimin e Julian Alvarezit, pasi Atletico Madridi ka refuzuar kategorikisht ta shesë sulmuesin argjentinas.

Sipas gazetarit Matteo Moretto të Radio MARCA, katalunasit paraqitën një ofertë prej 100 milionë eurosh për 26-vjeçarin, por ajo u hodh poshtë menjëherë nga drejtuesit e Atleticos, të cilët nuk kanë ndërmend të negociojnë me rivalët e tyre në La Liga.

Për të tentuar arritjen e një marrëveshjeje, drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, udhëtoi në Madrid, ku zhvilloi një takim me agjentin e Julian Alvarezit. Megjithatë, qëndrimi i palëkundur i Atleticos bëri që Barcelona ta konsiderojë transferimin të mbyllur.

Kampionët e Spanjës e shihnin Alvarezin si pasuesin afatgjatë të Robert Lewandowskit, por tani janë detyruar të ndryshojnë planet dhe të përqendrohen te alternativa të tjera për repartin ofensiv të Hansi Flickut.

Një nga emrat që mbetet në listën e Barcelonës është Dusan Vlahovic, i cili aktualisht është lojtar i lirë dhe pret një lëvizje nga klubi katalunas.

Po ashtu, Victor Osimhen i është ofruar zyrtarisht Barcelonës dhe mund të jetë një tjetër opsion që drejtuesit blaugranas do të shqyrtojnë në ditët në vijim./Telegrafi/

Zelensky shkarkon ambasadorët në Shqipëri, Kroaci dhe Mal të Zi

6 August 2026 at 21:26


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shkarkuar ambasadorët e vendit në Kroaci, Shqipëri dhe Mal të Zi.

Vendimet për lirimin e tyre nga detyra janë publikuar në dekrete të veçanta presidenciale, raporton Evropska Pravda.

“Sipas dekretit nr. 709/2026, nga posti është shkarkuar Vasyl Kyrylych, ambasador i Ukrainës në Kroaci. Me dekretin nr. 710/2026, Zelensky i ka dhënë fund mandatit të Volodymyr Shkurov, i cili shërbente si ambasador në Shqipëri që nga prilli i vitit 2020. Me dekretin nr. 711/2026 është përfunduar edhe mandati diplomatik i Oleh Herasymenkos si ambasador në Mal të Zi”, thuhet në njoftim.

Këto ndryshime vijnë pasi më 3 gusht, Zelensky shkarkoi edhe ambasadoren e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Olha Stefanishyna.

Disa ditë pas shkarkimit të saj, Gjykata e Lartë Kundër Korrupsionit vendosi ndaj Stefanishynës masë hetimore me kusht pagese të një garancie prej 6 milionë hryvni (rreth 134 mijë dollarë amerikanë).

Ajo dyshohet për pasurim të paligjshëm dhe deklarim të rremë të pasurisë. Vetë Stefanishyna ka deklaruar se nuk ka mjete të mjaftueshme financiare për të paguar garancinë e caktuar nga gjykata. /Telegrafi/

Kitaristi Flamur Prapashtica bëhet pjesë e projektit ndërkombëtar muzikor "United Song"

6 August 2026 at 21:20


Kitaristi i njohur shqiptar, Flamur Prapashtica, do të jetë pjesë e projektit ndërkombëtar muzikor “United Song”, një iniciativë që synon të bashkojë artistë dhe krijime muzikore nga vende të ndryshme në një platformë të përbashkët.

Lajmi është bërë i ditur nga organizatorët e projektit, të cilët kanë njoftuar gjithashtu se me rastin e lansimit të faqes zyrtare të “United Song” në Facebook, do të publikohen informacione, përditësime dhe materiale muzikore nga artistët pjesëmarrës.

Publiku është ftuar të ndjekë zhvillimet përmes rrjeteve sociale dhe të shënojë në kalendar datën 21 shtator 2026, kur do të bëhet prezantimi zyrtar i projektit.

Pjesëmarrja e Flamur Prapashticës në “United Song” përbën një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij artistike, duke i hapur rrugë bashkëpunimeve të reja ndërkombëtare dhe promovimit të krijimtarisë së tij në skenën muzikore globale.

Projekti pritet të sjellë bashkë artistë nga vende të ndryshme, me synimin për të promovuar bashkëpunimin, shkëmbimin kulturor dhe fuqinë bashkuese të muzikës. /Telegrafi/

Mourinho ‘shpërthen’ ndaj Real Madridit pasi Rodri zgjodhi kalimin te Barcelona

6 August 2026 at 21:20


Sipas gazetarit Sergi Valentin, Jose Mourinho është i tërbuar me drejtuesit e Real Madridit për mënyrën se si e kanë menaxhuar negociatat për transferimin e Rodrit.

Rodri fillimisht ishte i gatshëm t'i bashkohej Real Madridit, por drejtuesi i skautimit të klubit, Juni Calafat, e bindi Florentino Perezin që të tentonte të negocionte një çmim më të ulët për transferimin e mesfushorit.

Kjo vonesë rezultoi fatale për madrilenët, pasi i dha mundësi trajnerit të Barcelonës, Hansi Flick, dhe drejtorit sportiv Deco, që të ndërhynin dhe ta bindnin Rodrin të merrte në konsideratë kalimin në "Camp Nou".

Sipas burimit, Real Madridi humbi një marrëveshje që ishte pothuajse e përfunduar, ndërsa Mourinho mbeti i zhgënjyer pasi besonte se Rodri ishte pjesa që i mungonte skuadrës së tij për të ndërtuar një mesfushë më të fortë.

Edhe pse Barcelona vazhdon të përballet me vështirësi financiare dhe ekziston ende një mundësi e vogël që operacioni të mos përfundojë, Mourinho kërkon që drejtuesit madrilenë të mos humbasin më kohë dhe të sigurojnë menjëherë një mesfushor të nivelit elitar.

Trajneri portugez beson se Real Madridi ka nevojë për një lider në qendër të fushës dhe dështimi për të marrë Rodrin mund të detyrojë klubin të kthehet sërish në afatin kalimtar për një alternativë tjetër.

Në Madrid tashmë po rritet presioni mbi drejtuesit, pasi humbja e një lojtari që ishte pranë transferimit shihet si një mundësi e artë e humbur për t'i dhënë Mourinhos një nga profilet që ai kërkonte më shumë./Telegrafi/

Haradinaj ironizon Kurtin: Mos lësho pe, Albin - krejt ose hiç

6 August 2026 at 21:15


Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka ironizuar deklaratat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me nevojën për një dakordim sa më të gjerë për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Përmes një reagimi në Facebook, Haradinaj iu drejtua Kurtit me shprehjen “Krejt ose hiç”, duke aluduar në situatën aktuale politike dhe bllokimin e procesit të konstituimit të institucioneve.

“Mos lësho pe, Albin. Krejt ose hiç. Pak rëndësi ka çka mendojnë 1.5 milion banorë, plus ty të dojnë krejt”, ka shkruar Haradinaj.

Reagimi i tij vjen pasi Kurti, gjatë seancës konstituive të Kuvendit, kërkoi kohë shtesë për vazhdimin e bisedimeve me partitë parlamentare, duke theksuar se vendit i nevojitet një marrëveshje sa më e gjerë për zgjedhjen e një presidenti unifikues.

Për shkak se Lëvizja Vetëvendosje nuk propozoi emër për kryetar të Kuvendit, seanca konstituive u ndërpre dhe vazhdimi i saj do të caktohet në një datë tjetër./Telegrafi/

Adrion Pajaziti realizon eurogol në Ligën e Konferencës

6 August 2026 at 21:02


Mesfushori shqiptar Adrion Pajaziti ka shënuar një gol të bukur në fitoren e Hajduk Split ndaj Zalgiris.

Ylli shqiptar e realizoi golin e tretë të kroatëve, të cilët fituan me rezultat të thellë prej 2-6.

Me një goditje të bukur, ku e preu topin për mrekulli – Pajaziti e dërgoi në korner të rrjetës për ta lënë portierin të shtangur.

FK Zalgiris 1-3 HNK Hajduk Split
Albanian Adrion Pajaziti with the sensational goal
#UECL pic.twitter.com/5Rw23oYr6F
— SJT (@SJTXQJT) August 6, 2026

Përndryshe, me këtë fitore të thellë Hajduk Spliti mund të themi se me një “këmbë” është në finalen e Ligës së Konferencës./Telegrafi/

Zyrtare: Vinicius Jr rinovon me Real Madridin për gjashtë sezone

6 August 2026 at 21:00


Sulmuesi brazilian Vinicius Jr. ka arritur marrëveshje për një kontratë të re gjashtëvjeçare me Real Madridin, e cila do ta mbajë atë në Santiago Bernabéu deri në vitin 2032.

26-vjeçari kishte hyrë në 12 muajt e fundit të kontratës së tij dhe së fundmi kishte tërhequr interesimin e Arsenalit.

Megjithatë, Real Madridi njoftoi të enjten se të dyja palët kanë rënë dakord për zgjatjen e marrëveshjes deri më 30 qershor 2032.

"Vinicius Jr. është bërë një nga lojtarët më të rëndësishëm në një nga periudhat më të suksesshme në historinë tonë", thuhej në komunikatën e klubit madrilen.

Bisedimet për kontratën e re kishin ngecur për një periudhë, por Real Madridi paraqiti një ofertë të re të mërkurën dhe Vinicius raportohet se ka qenë i kënaqur me kushtet e reja.

Vini Jr. 2️⃣0️⃣3️⃣2️⃣@ViniJr pic.twitter.com/PumHTk6nRm
— Real Madrid C.F. (@realmadrid) August 6, 2026


Ai iu bashkua Real Madridit nga klubi brazilian Flamengo në vitin 2018 dhe kishte nënshkruar një zgjatje të mëparshme të kontratës tre vite më parë.

Reali dhe përfaqësuesit e lojtarit kanë qenë në negociata për një marrëveshje të re gjatë 18 muajve të fundit, por tani Vinicius pritet të vazhdojë qëndrimin në klubin që më parë e ka quajtur "klubi i ëndrrave të tij".

Braziliani u rikthye te skuadra të hënën për stërvitjen e parë parasezonale dhe testet mjekësore pas angazhimit të tij me Brazilin në Kupën e Botës.

Vinicius ka shënuar 128 gola në 375 paraqitje me Real Madridin në të gjitha garat, ndërsa për Brazilin ka realizuar 13 gola në 54 ndeshje./Telegrafi/

Ylli i TikTok, Sydney Towle vdes në moshën 26 vjeç pas betejës me kancerin

6 August 2026 at 21:00


Ylli i TikTok, Sydney Towle, ka ndërruar jetë në moshën 26-vjeçare pas një beteje me kancerin. Familja e saj e njoftuan këtë lajm të trishtueshëm në rrjetet sociale.

"U prehsh në paqe, Sydney Elizabeth Towle. 15 nëntor 1999 - 5 gusht 2026. Një rreze e pashtershme dielli. Bijë, motër dhe mike për shumë njerëz", shkruhej në foton e saj.

Vëllai i saj, Austin Towle, shkroi në TikTok se ajo ishte motra më e mirë ndonjëherë. Sydney u diagnostikua me kolangiokarcinoma, një formë e rrallë e kancerit të kanalit biliar, në moshën 23 vjeç.

Që atëherë, ajo regjistroi detajet e jetës së saj të përditshme dhe i publikoi ato në rrjetet sociale. Ndërsa sëmundja përparonte, ajo iu nënshtrua disa operacioneve dhe formave të ndryshme të kimioterapisë.

Në maj të këtij viti, ajo njoftoi se kishte mësuar se kanceri ishte përhapur në peritoneum, membranën që vesh zgavrën e barkut dhe legenin. Ajo tha se onkologu i saj refuzoi të vazhdonte trajtimin dhe e këshilloi të fillonte kujdesin paliativ, i cili është i destinuar për pacientët me sëmundje të pashërueshme.

Ajo e refuzoi sugjerimin e tij dhe vazhdoi të trajtohej nga një specialist tjetër. Gjendja e saj u përkeqësua me shpejtësi para vdekjes së saj. /Telegrafi/

Prokuroria ka paraqitur ankesë ndaj aktgjykimit lirues për Gruevskin në rastin “Talir 2”

6 August 2026 at 20:39


Prokuroria Themelore Publike Shkup ka paraqitur ankesë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë, me të cilin në rastin “Talir 2”, që lidhet me ndërtimin e selisë së OBRM-PDUKM‑së, u shpall aktgjykim lirues.

Nga Prokuroria informuan se prokurori kompetent e ka pranuar aktgjykimin e shkallës së parë dhe brenda afatit ligjor ka paraqitur ankesë.

Para më pak se një muaji, Gjykata Penale solli aktgjykim lirues për ish‑kryeministrin Nikola Gruevski, i cili ishte i akuzuar në rastin “Talir 2” për ndërtimin e paligjshëm të selisë së OBRM-PDUKM-së. Gjatë arsyetimit të aktgjykimit, gjyqtarja Daniela Aleksovska‑Stojanovska theksoi se vendimi rrjedh nga ndryshimet e Kodit Penal të vitit 2023, duke vlerësuar se ato kanë ndikuar ndjeshëm në elementet e veprës penale.

Sipas afateve aktuale, lënda parashkruhet në fund të gushtit, që do të thotë se nuk pritet epilog tjetër gjyqësor, por konstatim i parashkrimit. Megjithatë, edhe në një rast të tillë mbetet mundësia e procedurës së mundshme për konfiskimin e objektit të njohur si “Pallati i Bardhë” i OBRM-PDUKM‑së.

Para tre vitesh situata ishte ndryshe, kur ekzistonte aktgjykim dënues i shkallës së parë, me të cilin Gruevski u dënua me gjashtë vjet burg, Kiril Bozhinovski mori dënim me kusht dhe u shqiptua konfiskim i pasurisë së partisë. Megjithatë, aktgjykimi më vonë u anulua nga Gjykata e Apelit pas ndryshimeve të Kodit Penal, pas së cilës procedura filloi nga e para.

Ndërkohë, për shkak të parashkrimit të veprës, ndjekja penale ndaj Kiril Bozhinovskit u ndërpre, ndërsa procedura ndaj Gruevskit dhe partisë politike vazhdoi.

Gjermania vendos mbrojtje të reja në aeroporte - synohet neutralizimi i dronëve

6 August 2026 at 20:39


Tetë aeroportet më të mëdha të vendit pajisen me teknologji të re pas rritjes së incidenteve të sigurisë.

Gjermania ka nisur instalimin me urgjencë të sistemeve moderne kundër dronëve në aeroportet kryesore të vendit, në një përpjekje për të rritur sigurinë e trafikut ajror dhe për të parandaluar kërcënimet e mundshme.

Tetë aeroportet më të mëdha gjermane - Frankfurt, Berlin, Mynih, Düsseldorf, Stuttgart, Hamburg, Leipzig dhe Këln - janë duke u pajisur me teknologji të avancuar për zbulimin dhe neutralizimin e dronëve të paautorizuar.

Vendimi vjen pas një serie incidentesh të lidhura me përdorimin e dronëve pranë zonave aeroportuale, shkruan cnn.

Rasti më i fundit shkaktoi alarm në Leipzig, ku sipas raportimeve u gjet një dron që dyshohej se transportonte eksplozivë pranë një avioni ukrainas të ngarkesave.

Autoritetet gjermane e konsiderojnë mbrojtjen kundër dronëve një prioritet të ri të sigurisë, pasi pajisje të tilla mund të paraqesin rrezik serioz për avionët, pasagjerët dhe operacionet aeroportuale.

Pritet që shumica e aeroporteve kryesore të Gjermanisë të jenë të pajisura me sistemet e reja të mbrojtjes deri në fund të këtij viti. /Telegrafi/

MPB: Vetëm për gjashtë orë kontrollë u gjobitën 222 shoferë të motoçikletave

6 August 2026 at 20:20


Nga MPB informojnë se për disa orë janë regjistruar 222 kundërvajtje të trafikut nga shoferë motorrash, ndërsa 14 janë arrestuar për vozitje të papërgjegjshme.

Gjatë ditës së djeshme (05.08.2026), në periudhën nga ora 17:00 deri në 23:00, është zhvilluar një kontroll aksional në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për sanksionimin e kundërvajtjeve që kryejnë shoferët e motorrave, ku janë sanksionuar 222 shoferë.

Prej tyre, 186 shoferë nuk kishin përdorur kaskë mbrojtëse gjatë vozitjes, 14 shoferë janë privuar nga liria për shkak të kryerjes së veprës penale sipas nenit 297-a të Kodit Penal, të gjithë kishin vozitur pa leje vozitjeje, ndërsa 14 motorra janë sekuestruar.
Gjatë kontrollit janë sanksionuar edhe 197 lloje të tjera të kundërvajtjeve të trafikut.

Kontrollet e trafikut vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme. Apelojmë te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që t’i respektojnë rregullat dhe dispozitat e trafikut dhe së bashku të kontribuojmë për rrugë më të sigurta, thonë nga MPB.

Sinkopa – kur humbja e vetëdijes mund të jetë sinjal i një sëmundjeje të zemrës

6 August 2026 at 20:01


Humbja e vetëdijes nuk është gjithmonë e padëmshme. Kur shfaqet papritur, gjatë aktivitetit fizik ose shoqërohet me rrahje të çrregullta të zemrës, mund të sinjalizojë një problem serioz kardiak që kërkon vlerësim të menjëhershëm

Dr. Hajdin Çitaku,
Kardiolog
Tel. 044 430 834

Shumë njerëz përjetojnë të paktën një herë në jetë humbje të vetëdijes, e cila në mjekësi njihet si sinkopë.

Në shumicën e rasteve, ajo lidhet me lodhjen, dehidrimin, temperaturat e larta, emocionet e forta ose qëndrimin e zgjatur në këmbë. Megjithatë, në raste të caktuara, mund të jetë sinjali i parë i një sëmundjeje të zemrës, e cila kërkon diagnostikim dhe trajtim të menjëhershëm.

Sinkopa me origjinë kardiake është ndër format më serioze të humbjes së vetëdijes. Ajo mund të shkaktohet nga aritmitë, bllokimet e sistemit elektrik të zemrës ose sëmundjet strukturore të saj. Kur zemra nuk arrin të pompojë sasi të mjaftueshme gjaku drejt trurit, pacienti mund të humbasë vetëdijen, shpesh pa asnjë paralajmërim.

Sinkopa nuk duhet të neglizhohet nëse ndodh papritur ose gjatë aktivitetit fizik, nëse shoqërohet me rrahje të çrregullta të zemrës, dhimbje gjoksi apo gulçim, nëse përsëritet disa herë ose nëse ekziston histori familjare e vdekjes së papritur kardiake. Në këto raste nevojitet një vlerësim i plotë nga kardiologu.

Si vendoset diagnoza?

Vlerësimi fillon me elektrokardiogramin (EKG), ekokardiografinë, analizat laboratorike dhe monitorimin me Holter. Kur episodet janë të rralla dhe ekzaminimet standarde nuk arrijnë ta zbulojnë shkakun, një nga metodat më bashkëkohore diagnostikuese është regjistruesi kardiak i implantueshëm, i njohur si Implantable Loop Recorder (ILR).

Kjo pajisje e vogël vendoset nën lëkurë me anestezi lokale dhe monitoron ritmin e zemrës për disa vjet, duke regjistruar automatikisht aritmitë dhe duke i lidhur ato me simptomat e pacientit.

Kur nevojitet studimi elektrofiziologjik?

Kur dyshohet për një çrregullim të sistemit elektrik të zemrës, kryhet studimi elektrofiziologjik (EPS).

Nëpërmjet kateterëve të hollë, të futur përmes një vene në ijë, regjistrohet aktiviteti elektrik i zemrës. Kur është e nevojshme, zemra stimulohet në mënyrë të kontrolluar për të zbuluar aritmi që nuk shfaqen gjatë ekzaminimeve rutinore.

Procedura kryhet me anestezi lokale, është minimalisht invazive dhe zakonisht zgjat nga 30 deri në 90 minuta.

Kur diagnoza dhe trajtimi bëhen njëkohësisht

Një nga përparësitë më të mëdha të elektrofiziologjisë është se, në shumë raste, diagnoza dhe trajtimi realizohen gjatë së njëjtës procedurë.

Nëse identifikohet një aritmi e trajtueshme, mund të kryhet ablacioni. Nëse diagnostikohet një bllokim i rëndë i sistemit elektrik të zemrës, mund të vendoset stimuluesi kardiak (pacemaker).

Pacientët me rrezik të lartë për aritmi kërcënuese për jetën mund të kenë nevojë për defibrilator të implantueshëm (ICD), i cili monitoron ritmin e zemrës dhe ndërhyn automatikisht kur shfaqet një aritmi e rrezikshme.

Mos e injoroni këtë simptomë

Jo çdo pacient me sinkopë ka nevojë për ILR ose EPS. Zgjedhja e metodës diagnostikuese varet nga simptomat, mosha, sëmundjet shoqëruese dhe vlerësimi i kardiologut.

Megjithatë, humbja e vetëdijes nuk duhet të konsiderohet normale kur përsëritet ose ndodh pa një shkak të qartë. Diagnostikimi në kohë mund të parandalojë komplikime serioze dhe, në disa raste, edhe vdekjen e papritur kardiake.

Kur duhet të konsultoheni menjëherë me kardiologun?

  • Kur humbja e vetëdijes ndodh gjatë aktivitetit fizik;
  • kur humbja e vetëdijes ndodh pa paralajmërim;
  • kur para sinkopës shfaqen palpitacione ose dhimbje gjoksi;
  • kur ekziston histori familjare e vdekjes së papritur kardiake;
  • kur episodet e humbjes së vetëdijes përsëriten.

Kujdesi ndaj zemrës fillon duke i dëgjuar sinjalet që ajo na dërgon. Një konsultë në kohë me kardiologun mund të bëjë dallimin ndërmjet një diagnoze të vonuar dhe parandalimit të një ngjarjeje serioze. /Telegrafi/

Mercedes-AMG CLA 45 elektrik vendosi rekord në Nürburgring

6 August 2026 at 20:01


Mercedes-AMG ka arritur një rezultat të ri historik me modelin e ri elektrik AMG CLA 45, i cili vendosi rekord në pistën legjendare Nürburgring Nordschleife.

Automobili u shpall modeli më i shpejtë në klasën e tij në këtë pistë, duke dëshmuar potencialin e automjeteve elektrike me performancë të lartë.

Modeli i ri Mercedes-AMG CLA 45 4MATIC+ përfundoi një xhiro në Nürburgring me kohën 7 minuta e 32.070 sekonda, duke vendosur një rekord të ri për segmentin e automjeteve kompakte elektrike me katër dyer.

- YouTube www.youtube.com

CLA 45 elektrik është pajisur me një sistem me tre motorë elektrikë, të cilët prodhojnë deri në 680 kuaj fuqi dhe rreth 1.759 Nm çift rrotullues. Fuqia shpërndahet në të katër rrotat përmes sistemit inteligjent të tërheqjes, ndërsa përshpejtimi nga 0 në 100 km/h realizohet për rreth 2.7 sekonda.

Ky model shënon një ndryshim të madh për familjen AMG, pasi në vend të motorit tradicional me benzinë me katër cilindra, përdor një sistem tërësisht elektrik. Mercedes synon të ruajë karakterin sportiv të markës duke kombinuar performancën ekstreme me teknologjinë elektrike të gjeneratës së re.

Përveç fuqisë së lartë, automjeti pritet të ofrojë edhe autonomi të konsiderueshme falë baterisë së madhe, ndërsa teknologjia e karikimit të shpejtë do të mundësojë rikthim të shpejtë të energjisë.

Rekordi në Nürburgring është një tjetër dëshmi e garës së prodhuesve gjermanë dhe ndërkombëtarë për të treguar se makinat elektrike mund të rivalizojnë dhe madje të tejkalojnë automjetet sportive me motorë me djegie të brendshme. /Telegrafi/

❌