Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar një rinumërim të plotë të votave pas gjetjeve të skemave të mundshme të manipulimit.
Në një postim në rrjetet sociale, Haradinaj thekson se rinumërimi i pjesshëm po tregon manipulime të përmasave shqetësuese, duke shtuar se pa një rinumërim të tërësishëm nuk mund të garantohet integriteti i zgjedhjeve.
“Procesi i këtyre zgjedhjeve qysh sot është lënduar dhe pas këtyre gjetjeve, vota duhet të rinumërohet një për një. Pa rinumërim të tërësishëm, nuk sigurohet integriteti i këtyre zgjedhjeve,” shkruan ai.
Haradinaj apelon gjithashtu tek mekanizmat e drejtësisë dhe institucionet e vendit që të veprojnë për të mbrojtur votën e qytetarit dhe për të rikthyer integritetin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
"E habitshme qysh Prokuroria nuk është vënë në lëvizje qysh sot. Demokracia nuk mund të jetë viktimë e një grushti hajdutësh", ka shkruar Haradinaj.
Ai paralajmëron se çdo drejtim tjetër mund të ketë pasoja të pariparueshme. /Telegrafi/
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka deklaruar se po e përcjell me vëmendje procesin e rinumërimit të votave dhe mospërputhjet e evidentuara në disa komuna të vendit.
Në një komunikatë për media, PDK thekson se çdo indikacion për cenim apo manipulim të votës është i papranueshëm.
“Vota e qytetarëve është e shenjtë dhe çdo trajtim jokorrekt ose përpjekje për manipulim shkel parimet demokratike që ne mbrojmë,” thuhet në deklaratë.
Subjekti politik rikujton se çdo votë duhet të trajtohet me respekt dhe kujdes nga momenti i hedhjes deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve, duke theksuar se eliminimi i çdo dyshimi është në interes të kandidatëve, institucioneve dhe qytetarëve.
PDK shton se pret me besim konkluzionet zyrtare të organeve përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, dhe rikonfirmon përkushtimin e saj për integritetin e procesit zgjedhor dhe respektimin e votës së qytetarëve./Telegrafi/
EMV Furnizimi me ngrohje informon se për shkak të defektit në rrjetin distributiv në këtë moment ka ndërprerje të dërgesës së energjisë ngrohëse tek konsumatorët nga Qendra, Aerodromi, Lisiçe e Re, Kisella Voda dhe Autokomanda. “Ekipet e EMV Furnizimi me ngrohje janë në terren me qëllim të detektimit të saktë të defektit dhe izolimit me qëllim të vendosjes së dërgesës normale të energjisë ngrohëse”, thuhet në informatën e publikuar në ueb faqen e kompanisë. Për informata shtesë, konsumatorët mund të paraqiten në Qendrën për kujdes të konsumatorëve në numrat e telefonit (02) 3076 200 и 075 400 100.
Valdrin Sahiti ka qenë i ftuar në emisionin Weekend, ku ka folur për shumë tema, përfshirë edhe deklaratën e bujshme të Leonora Jakupit drejtuar Dolces.
Në një moment të emisionit, ai e telefonoi Leonorën drejtpërdrejt, gjatë së cilës gazetarët i parashtruan këngëtares një pyetje ngacmuese.
“Mbrëmë a të ka zënë gjumi shpejt apo ngadalë”, ishte pyetja e gazetares.
Kjo pyetje fillimisht shkaktoi të qeshura te Leonora, e cila më pas dha edhe përgjigjen e saj.
“Besomë tu e pa Big Brother 24 orë është koxha problem me u adabtu me gjumin”.
Deklarata e Leonorës, e drejtuar ndaj Dolces: "më shpejt zë meshkuj se sa mua më zë gjumi", ka shkaktuar reagime të shumta në publik.
Deklarata e Leonorës, e drejtuar ndaj Dolces: "më shpejt zë meshkuj se sa mua më zë gjumi", ka shkaktuar reagime të shumta në publik.
Ushtarët janë në gatishmëri për një vendosje të mundshme në Minneapolis, ka njoftuar një zyrtar i mbrojtjes amerikane.
Zyrtari tha se 1,500 ushtarët, aktualisht në Alaska, janë një mundësi për presidentin amerikan nëse ai vendos të përdorë personel ushtarak në detyrë aktive, ndërsa demonstratat kundër Imigracionit dhe Zbatimit të Doganave (ICE) vazhduan.
Por, ai tha se ende nuk është marrë asnjë vendim nëse do të dërgohen ushtarët nga Alaska, shkruan BBC.
Zyrtarët e Minesotës u kanë bërë thirrje protestuesve të qëndrojnë të rregullt dhe paqësorë gjatë protestave, pasi një agjent i ICE-së qëlloi për vdekje shtetasen amerikane Renee Good në fillim të këtij muaji.
Garda Kombëtare e shtetit është mobilizuar dhe është vënë në gatishmëri nga Guvernatori Tim Walz, dhe oficerë të tjerë të zbatimit të ligjit janë vendosur në Minneapolis përpara demonstratave kundër ICE.
Udhëheqësit e qytetit thanë se Good ishte atje si vëzhguese ligjore e aktivitetit të ICE.
Por administrata Trump e ka quajtur atë një "terroriste vendase".
Vdekja e saj shkaktoi protesta në të gjithë vendin, me shumë njerëz që mbanin pankarta ku shkruhej "Drejtësi për Renee". /Telegrafi/
Florent Hadergjonaj po kalon sezonin e tij të tretë në qytetin bregdetar turk, Alanya, ku me profesionalizëm dhe përkushtim po mbanë fanellën e Alanyaspor.
Mbrojtësi i djathtë kosovar është duke kaluar një formë të jashtëzakonshme këtë sezon, duke kombinuar stabilitetin dhe sigurinë në defensivë me kreativitet dhe impakt në sulm.
31-vjeçari ka zhvilluar 17 ndeshje deri më tani këtë edicion, duke kaluar një periudhë lëndimi dhe duke treguar një rikthim të fortë.
Hadergjonaj ka kontribuar drejtpërdrejt në shtatë gola, duke shënuar katër herë dhe duke asistuar tre të tjerëve, duke treguar se është një lojtar kyç në të dyja fazat e lojës.
Në ndeshjen e fundit të Kupës së Turqisë, Hadergjonaj shkëlqeu duke shënuar dy gola ndaj Karagumruk në barazimin 2-2 të Alanyaspor.
Forma e tij e lartë dhe performancat e vazhdueshme e bëjnë atë një nga futbollistët më të vlerësuar të skuadrës, dhe padyshim një aset të pazëvendësueshëm për përzgjedhësin e Kosovës, Franco Foda, para ndeshjeve vendimtare të muajit mars.
Në verë, Hadergjonaj kishte oferta të shumta, por vendosi të vazhdojë kontratën me Alanyaspor deri në vitin 2027, duke treguar besnikëri dhe dashuri për klubin. Ish-anëtari i Young Boys, Ingolstadt, Huddersfield dhe Kasimpasa ka zhvilluar deri më tani 87 ndeshje me Alanyasporin, duke regjistruar 11 gola dhe 11 asistime – statistika që flasin shumë për ndikimin e tij në skuadër.
Forma e Hadergjonajt, profesionalizmi i tij dhe aftësia për të bërë diferencën në çdo ndeshje e bëjnë atë jo vetëm një nga lojtarët më të respektuar të klubit, por edhe një figurë inspiruese për të rinjtë që ndjekin futbollin dhe talentin kosovar në arenën ndërkombëtare. /Telegrafi/
Negativiteti nuk është rastësi: ja pse kritika dhe mendimet e këqija peshojnë më shumë se dhjetë gjëra pozitive
Edhe pse shpesh na pëlqen të besojmë se jemi racionalë, objektivë dhe të ekuilibruar, mendja njerëzore ka një zakon të vjetër, të cilit i qëndron me kokëfortësi. Ne e vërejmë shumë më lehtë të keqen sesa të mirën. Një fjali e pakëndshme di të errësojë dhjetë komplimente. Një moment i shëmtuar mund ta ngjyrosë tërë ditën.
Në psikologji, ky model quhet paragjykim negativ.
Çfarë është paragjykimi negativ
Paragjykimi negativ është prirja e trurit tonë për të regjistruar më shpejt informacionet negative, për t’u dhënë atyre peshë më të madhe dhe për t’u ndalur më gjatë te to sesa te përvojat pozitive. Me fjalë të tjera, kritika na dhemb më fort sesa lavdërimi na gëzon.
Për këtë arsye:
kujtimet e shëmtuara mbahen mend më qartë se ato të bukurat
fyerjet qëndrojnë më gjatë se fjalët e mira
ngjarjet e këqija ekzagjerohen, ndërsa të mirat shtypen
komentet negative përjetohen si “e vërteta”, edhe kur janë të izoluara
Të gjithë e kemi përjetuar këtë. Kemi një ditë të mirë në punë, e pastaj dikush hedh një fjali të pamenduar. Dhe pikërisht ajo fjali na sillet nëpër mend për orë të tëra. Kur në shtëpi na pyesin si na shkoi dita, themi se ishte e keqe, edhe pse objektivisht nuk ishte, transmeton Telegrafi.
Pse na ndodh kjo
Arsyeja qëndron thellë në evolucionin tonë. Dikur, aftësia për ta dalluar shpejt rrezikun bënte dallimin mes jetës dhe vdekjes. Ata që ishin më të kujdesshëm, më dyshues dhe më të përqendruar te kërcënimet kishin më shumë gjasa të mbijetonin dhe t’i përcillnin gjenet e tyre.
Truri, thjesht, ka mësuar ta marrë “të keqen” më seriozisht se “të mirën”, sepse kjo e ka mbrojtur dikur. Edhe sot, megjithëse nuk jetojmë në rrezik të vazhdueshëm fizik, ky mekanizëm vazhdon të funksionojë me të njëjtën forcë.
Si shfaqet paragjykimi negativ në jetën e përditshme
Paragjykimi negativ ndikon në shumë fusha të jetës sonë.
Në punë Mund të marrim një vlerësim shumë të mirë për punën, por të fokusohemi vetëm te një sugjerim për përmirësim. Në vend të kënaqësisë, mbetet hidhërimi.
Në marrëdhënie Në marrëdhënie të afërta, i vërejmë më lehtë mangësitë sesa virtytet. Një gabim i partnerit ose i kolegut mund të zbehë në mendimet tona të gjitha anët e mira që ajo person ka.
Në kujtime Situata të pakëndshme nga shumë vite më parë ende mund të na mbulojnë me ndjenjë turpi, edhe pse të tjerët i kanë harruar prej kohësh.
Në marrjen e vendimeve Njerëzit kanë shumë më tepër frikë nga humbja sesa gëzohen nga fitimi. Humbja e 20 eurove dhemb psikologjikisht më shumë sesa fitimi i të njëjtës shumë sjell kënaqësi.
Pse njerëzit negativë duken “më realistë”
Është interesante se informacionet negative shpesh i përjetojmë si më reale dhe më të vërteta. Lajmet e këqija tërheqin më shumë vëmendje, prandaj na duken më serioze dhe më bindëse.
Për këtë arsye, personat që vazhdimisht theksojnë problemet, rreziqet dhe “çfarë mund të shkojë keq” shpesh lënë përshtypjen se janë racionalë, depërtues ose “të sinqertë”, edhe kur e teprojnë.
Si ndikon paragjykimi negativ në marrëdhëniet me të tjerët
Paragjykimi negativ mund t’i dëmtojë seriozisht marrëdhëniet. Kur presim më të keqen, në komunikim hyjmë me mure mbrojtëse të ngritura që më parë. Atëherë lindin lehtë konfliktet, keqkuptimet dhe distanca.
Është e rëndësishme të kemi parasysh se komentet negative mbajnë një peshë emocionale shumë më të madhe sesa ato pozitive. Prandaj, një fjali e keqe mund të lëndojë më shumë sesa dhjetë të mira mund të riparojnë.
A mund të ndryshojmë diçka
Lajmi i mirë është se vetëdija për këtë model është tashmë hapi i parë drejt ndryshimit.
1. T’i kushtojmë vëmendje dialogut të brendshëm Mënyra se si flasim me veten i formëson emocionet tona. Kur vërejmë mendime si “kjo ishte tmerr” ose “gjithmonë gjithçka është keq”, ia vlen të ndalemi dhe të pyesim veten nëse pamja është vërtet e plotë.
2. Të mësojmë t’i riformulojmë situatat Kjo nuk do të thotë t’i injorojmë problemet, por që krahas së keqes, me vetëdije të vërejmë edhe atë që ka qenë e mirë. Ekuilibër, jo syze rozë.
3. T’i mbajmë mend me vetëdije momentet e bukura Përvojat pozitive kërkojnë më shumë vëmendje që të “gdhenden” në kujtesë. Kur ndodh diçka e bukur, ia vlen të ndalemi aty, t’i kthehemi me mendje atij momenti dhe t’i lejojmë vetes ta ndiejmë.
4. Ta ndërpresim përtypjen e vazhdueshme të mendimeve negative Kur e kapim veten duke menduar vazhdimisht për një situatë të pakëndshme, ndihmon një ndryshim i qëllimshëm i fokusit. Një shëtitje, muzika, një libër ose një bisedë mund të jenë një dalje e thjeshtë, por efektive.
Është e rëndësishme të kuptojmë çfarë do të thotë paragjykimi negativ
Paragjykimi negativ nuk është një e metë karakteri, por pjesë e natyrës njerëzore. Por kur nuk e njohim, ai mund t’i formësojë marrëdhëniet tona, gjendjen shpirtërore dhe mënyrën se si i shohim njerëzit e tjerë.
Kuptimi i këtij mekanizmi na ndihmon të jemi më të drejtë, ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve. Dhe të kuptojmë se “të shikuarit vazhdimisht nga e keqja” shpesh nuk është realizëm, por një zakon i mendjes që mund të ndryshohet. /Telegrafi/
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka filluar një lloj parafushate në rrjetet e saj sociale, ku po promovon punën e saj pesëvjeçare. Kjo vjen në një kohë kur në opinion po flitet se emri i saj mund të propozohet edhe për një mandat të dytë në krye të shtetit.
Sipas analistëve politikë, Osmani përmes kësaj qasjeje po ushtron presion publik medial ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për një rikandidim të mundshëm, duke synuar që para opinionit publik të dëshmojë se zgjedhja e saj është e duhura për vendin.
Analisti politik, Artan Muhaxhiri, ka thënë për KosovaPress se pozita e presidentes aktuale është e vështirë për shkak të ndryshimeve në kontekstin politik krahasuar me vitin 2021, kur ajo u zgjodh për herë të parë.
Sipas tij, çdo gjë do të varet nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, subjektit që i fitoi bindshëm zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Kjo, për faktin se Osmani e Kurti nuk ishin gjithmonë në linjë të njëjtë karshi zhvillimeve në vend dhe atyre ndërkombëtare.
“Presidentja Osmani është në pozitë shumë të vështirë sepse i gjithë konteksti politik ka ndryshuar në raport me vitin 2021, kur është zgjedhur për herë të parë dhe tash varet nga shumë faktorë të tjerë të cilët nuk janë në dorën e saj.. Çdo gjë do të varet nga Kurti sepse 51 përqindëshi ia jep këtë mundësi dhe deri në momentin e fundit as vet presidentja Osmani, nuk do ta ketë të qartë nëse do të rikandidohet sërish nga Kurti apo jo..
Presidentja Osmani në nivelin vendor ka qenë plotësisht në binarët e njëjtë me Kurtin gjatë mandatit tij, mirëpo në arenën ndërkombëtare ka pasur disa suksese, ka pasur një dallim me Kurtin sepse ka qenë më e pranueshme dhe më bashkëpunuese me faktorin ndërkombëtarë, me SHBA-të dhe vendet e fuqishme të BE-së. Disa punë janë meritë e saj, por gjithsesi besoj që është e qartë sesa ka qenë ndikimi i saj real politik”, ka thënë Muhaxhiri.
Sipas tij, kjo parafushatë e presidentes, përveç presionit publik medial ndaj Kurtit, synon edhe krijimin e një arsyetimi në rast se ajo nuk rikandidohet, në mënyrë që të mbahet mend si lidere e suksesshme.
“Është duke dashur që të bëj një presion publik medial ndaj Kurtit por edhe nëse eventualisht nuk rikandidohet atëherë të ketë një lloj arsyetimi për atë se nuk ka qenë arsyeja e mos punës saj, mos suksesit saj, por ka qenë në rrethana tjera të cilat janë diktuar nga Kurti dhe gjithsesi është një dëshirë e saj që mandati i saj të mbahet mend me suksese, sipas perspektivës së saj, por gjithsesi vendimin më realist e japin qytetarët dhe kjo nuk varet kryesisht nga fushata mediale e presidentes”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, analisti tjetër politik, Dorajet Imeri, ka vlerësuar se komunikimi i Osmanit me publikun është i pritshëm, por nuk është vendimtar për procesin e zgjedhjes së presidentit.
Për tepër, Imeri thotë se një pjesë e punëve që po prezanton Osmani në rrjete sociale nuk janë të saj.
Ai ka shtruar edhe pyetjen se pse presidentja Osmani nuk flet me LDK-në në vend të parafushatës, për të ofruar ofertën dhe qëndrimet e saj për të qenë e para e vendit, edhe për në mandat.
“Është e pritshme, në përpjekjen e saj për të krijuar në opinion të përgjithshëm që zgjedhja e saj është e duhura, e nevojshme. Nuk parashihet me ligj që të ketë një periudhë fushate për kandidatët për president. Gjithsesi kjo nuk e ndalon që të komunikoj me publikun, kjo nuk mund të ndryshoj sjelljen e partive sepse nuk varen detyrimisht nga opinioni publik i krijuar në një moment të caktuar, së paku jo tek rasti i presidentit, mund ti kushtoj pastaj me votë...
Një pjesë e punëve që po prezanton Osmani nuk janë të saj, por nuk do të thotë që si ka bërë mirë si angazhim që ka pasur profesionalisht... Pyetja që shtrohet këtu është se pse Osmani nuk flet me LDK-në dhe besoj se do të ishte më mirë prej saj që të ftonte kreun e LDK-së, për të ofruar qëndrimet e saj dhe ofertën e saj për të qenë e para e vendit në kuptimin e komunikimit me partitë që duhet ta votojnë Osmanin”, ka thënë Imeri.
Presidentja Osmani ka disa ditë që po publikon video përmbledhëse të takimeve zyrtare gjatë mandatit pesëvjeçar të saj. Ajo ka publikuar fjalimin e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së përballë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Më pas edhe një video midis ushtrisë amerikane në akademinë e në Ëest Point, si edhe në Parlamentin Evropian, e poashtu edhe vizitën e presidentin e SHBA-së Donald Trump, në seli të NATO-s dhe plot vizita të tjera. Të gjitha këto, me mbishkrimin “Kur Kosova flet me dinjitet, bota dëgjon. Zëri i Kosovës po fuqizohet çdo ditë. Shpërndaje edhe ti, që ta dëgjojnë të gjithë”.
Osmani më 4 prill të vitit 2021, ishte zgjedhur për një mandat pesëvjeçar. Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit të ri duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.
Nëse deri më 5 mars nuk zgjidhet presidenti i ri, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 45 ditësh. /KP/
Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore të Maqedonisë së Veriut, Koce Trajanovski, ka publikuar fotografi nga një segment i punimeve në autostradën Kërçovë–Ohër. Sipas postimit të Trajanovskit, në këtë autostradë janë paraparë konstruksione mbrojtëse gjysmë të hapura prej betoni, të njohura si galeri, nëpër të cilat do të kalojë rruga. Këto galeri synojnë rritjen e sigurisë së qarkullimit, veçanërisht në zonat me rrezik nga rrëshqitjet e dheut dhe gurëve. Punimet në autostradën Kërçovë–Ohër po vazhdojnë sipas planifikimit, ndërsa autoritetet theksojnë se ky projekt infrastrukturor është i një rëndësie të veçantë për lidhjen rajonale dhe zhvillimin ekonomik të zonës. Ndryshe, rruga Kërçov[ - Ohër ka nisur tashmë 10 vite dhe ende nuk ka përfunduar deri në fund.
Presidenti amerikan Donald Trump do t'u kërkojë vendeve që duan t'i bashkohen "Bordit të Paqes" të tij për të mbikëqyrur Gazën, të paguajnë 1 miliard dollarë për anëtarësim, sipas raportimeve nga Bloomberg dhe The Atlantic.
Një draft i statutit i parë nga të dyja mediat tregoi se Trump do të shërbejë si kryetar i parë i bordit ekzekutiv, i cili do të miratojë se cilat shtete anëtare mund të bashkohen në bord.
Bordi do të bëhet zyrtar pasi tre shtete anëtare të bien dakord për statutin, shkruan the Hill.
“Çdo shtet anëtar do të shërbejë për një mandat jo më të gjatë se tre vjet nga hyrja në fuqi e kësaj Karte, me mundësi rinovimi nga kryetari”, thuhet në draft, sipas Bloomberg.
“Anëtarësimi trevjeçar nuk do të zbatohet për shtetet anëtare që kontribuojnë më shumë se 1,000,000,000 dollarë amerikanë në fonde në para të gatshme për Bordin e Paqes brenda vitit të parë të hyrjes në fuqi të Kartës”, shton ai.
Shtetet anëtare do të jenë në gjendje të votojnë për vendimet e bordit, por Trump do të ketë autoritetin e vetëm për t'i miratuar ato.
Mbetet e paqartë se çfarë do të financohet nga 1 miliard dollarët për anëtarësim.
Ndryshe, bordi u krijua për të mbikëqyrur dhe zbatuar planin 20-pikësh të paqes të Trump në Gaza, i cili u vendos pasi Izraeli dhe Hamasi arritën një armëpushim për t'i dhënë fund një konflikti të përgjakshëm dyvjeçar në Rripin e Gazës.
Trump njoftoi së fundmi se Faza 2 e planit të paqes kishte filluar, e cila kërkon që Hamasi të çarmatoset dhe Izraeli të tërheqë forcat e tij nga Gaza.
Trump tha se bordi u formua këtë javë, duke njoftuar më vonë se Sekretari i Shtetit Marco Rubio, i dërguari special Steve Witkoff, dhëndri i tij, Jared Kushner, ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Tony Blair, presidenti i Bankës Botërore Ajay Banga dhe investitorët miliarderë Robert Gabriel dhe Marc Rowan do të jenë në bord.
Shtëpia e Bardhë ftoi edhe presidentët e Turqisë, Argjentinës dhe Egjiptit e Shqipërisë të bashkoheshin me bordin. /Telegrafi/
Deklarata e Leonora Jakupit drejtuar Dolces ka bërë bujë të madhe në rrjetet sociale gjatë prime-it të fundit në BBVK.
I ftuar në emisionin Weekend, miku i saj dhe njëherësh kreatori i njohur Valdrin Sahiti ka sqaruar pikëpamjen dhe kontekstin e deklaratës së këngëtares.
Ai ka potencuar se Leonora e kishte më shumë në aspektin e mëshirës dhe jo të gjykimit.
“Në rastin e fundit që e kam diskutu me Leonorën, unë mendoj që Leonora më shumë u mor me idenë se si një femër nuk mund të ketë mëshirë për një femër tjetër, se sa për idenë se si një femër mund të rigjenerojë lidhje ose të afektohet nga meshkuj të ndryshëm me periudha të shpejta. Dhe e di që sigurt që kjo ka qenë ideja e mesazhit, me idenë se si nuk po ndihesh keq”, ka thënë Valdrini.
Deklarata e Leonorës, e drejtuar ndaj Dolces: "më shpejt zë meshkuj se sa mua më zë gjumi", ka shkaktuar reagime të shumta në publik.
Manchester United ka arritur një fitore spektakolare duke mposhtur rivalin lokal, Manchester Cityn, me rezultat 2-0 në Old Trafford.
Megjithatë, tre gola të tjerë të Djajve të Kuq iu anuluan gjatë ndeshjes.
Trajneri i përkohshëm i Man Utd, Michael Carrick, shprehu kënaqësinë e tij për performancën e skuadrës dhe e përshkroi Old Traffordin si një vend magjik.
“Është aq afër sa mund të kishim shpresuar. E thashë të premten se Old Trafford mund të jetë një vend magjik, dhe sigurisht që ishte ndaj Cityt. Të gjithë e ndjemë këtë,” tha Carrick.
“Kam pasur një ndjesi të veçantë gjatë ditëve të fundit, dhe veçanërisht para ndeshjes, se si lojtarët ishin të vendosur dhe të motivuar për të ndjerë atë atmosferë. Ne duam t’u japim sukses dhe emocione tifozëve, dhe e ndjeva vërtet këtë para ndeshjes", tha Carrick. /Telegrafi/
Shtëpia e Bardhë konfirmon për A2 CNN se nëse një vend do të bëhet anëtar i përhershëm duhet të kontribuojë me 1 miliard dollarë, në rast të kundërt mandatin do ta ketë tre vjeçar.
“Nuk ekziston asnjë kërkesë për të kontribuar 1 miliard dollarë, apo ndonjë shumë financiare për t’u bashkuar me Bordin e Paqes (BOP)". Është kjo përgjigjja e Shtëpisë së Bardhë për gazetaren e A2 CNN Fjorela Beleshi, e cila kërkoi informacion në lidhje me ftesën për Shqipërinë.
Në reagimin e Shtëpisë së Bardhë thuhet se dokumenti themeltar parashikon vetëm se, nëse një vend kontribuon 1 miliard dollarë, ai fiton statusin e anëtarit të përhershëm, në vend të anëtarësimit me afat trevjeçar.
" BOP ka një mandat shumë ambicioz për rindërtimin e plotë të Gazës, dhe fondet e mbledhura nga BOP do të përdoren drejtpërdrejt për realizimin e këtij qëllimi.
BOP do të veprojë si një aktor udhëheqës në këtë fushë, duke garantuar që pothuajse çdo dollar i mbledhur të shpenzohet drejtpërdrejt për zbatimin e mandatit të tij. Nuk do të ketë paga të fryra apo barrë të rëndë administrative, siç ndodh me shumë organizata të tjera ndërkombëtare”, sqaron Shtëpia e Bardhë.
Përgjigjja e plotë e zyrtarit amerikan:
— Nuk ekziston asnjë kërkesë për të kontribuar 1 miliard dollarë — apo ndonjë shumë financiare — për t’u bashkuar me BOP. Dokumenti themeltar (charter) parashikon vetëm se, nëse një vend kontribuon 1 miliard dollarë, ai fiton statusin e anëtarit të përhershëm, në vend të anëtarësimit me afat trevjeçar.
— BOP ka një mandat shumë ambicioz për rindërtimin e plotë të Gazës, dhe fondet e mbledhura nga BOP do të përdoren drejtpërdrejt për realizimin e këtij qëllimi.
— BOP do të veprojë si një aktor udhëheqës në këtë fushë, duke garantuar që pothuajse çdo dollar i mbledhur të shpenzohet drejtpërdrejt për zbatimin e mandatit të tij. Nuk do të ketë paga të fryra apo barrë të rëndë administrative, siç ndodh me shumë organizata të tjera ndërkombëtare. /A2CNN/
Ka pak garues, e as me buxhet nuk qëndron mirë, por Kosova mund të mburret me faktin se në rajon është e para për nga potenciali i hapjes së pistave të skijimit.
Andaj kreu Federatës së Skitarisë së Kosovës, Milaim Kelmendi, është optimist se ky sport ka të ardhme, pavarësisht kostos së lartë që ka ushtrimi i tij. Kelmendi:Kosova, kampione në Ballkan me potencialin e pistave të skijimit.
“Kosova ka potencialin më të madhin në Ballkan sa i përket pistave të skijimit. Do të thotë nuk asnjë shtet përreth nesh potencialin që e ka Kosova. Kështu që ne prapë po e potencoj që kemi arritur ta liçencojmë pistën e skijimit ‘Arxhena’ në Brod tri pista të skijimit, në Brezovicë kemi arritur t’i liçencojmë dy pista të skijimit, do të thotë ku edhe i plotësojnë kushtet, se pse aty hyn në rol edhe lartësia mbidetare ku është starti dhe ku është finishi. Do të thotë këto dy qendra të skijimit i kanë plotësuar kushtet për liçencimin e tyre”, bën të ditur Kelmendi.
Por, a ka Kosova hapësirë për të hapur edhe pista të tjera për skijim?
“Absolut po, do të thotë është Bjeshka e Belegut, është një pjesë e Shalës së Bajgorës atje, është pjesa e Brezovicës, zgjerimi i pjesës së anës së djathtë atje ku më duket që më herët ka filluar edhe të bëhet një studim i fizibilitetit, që pat qenë njëherë një zë që po vijnë disa francezë për investime në Brezovicë. Unë e di që janë bërë do studime atje për ta zgjeruar Brezovicën në anën e djathtë ku edhe lidhet me Prevallën atje. Do të thotë atje janë pista, kishin me qenë pista të jashtëzakonshme edhe më të gjata se këto që janë në Brezovicë”, vijon tutje Kelmendi.
Vecse, kur bëhet fjalë për përmasat e ushtrimit të këtij sporti, del se Kosova ende është prapa vendeve të tjera, si për nga numri i skitarëve, ashtu edhe i klubeve.
“I kemi të regjistruar diku 18 klube, por 12 prej tyre janë aktiv. Edhe janë aktiv me plot kuptimin e fjalës. Kështu që garues prapë mund të themi që i kemi diku 65-70 garues, po prapë është numër i vogël sa i përket statistikave tona, duke llogaritur edhe vendet që janë më të zhvilluara që i kanë nga 300, 400, 500 garues. Por edhe në ato vende të zhvilluara edhe atje është ekonomia më e mirë, më stabile, por çka është më me rëndësi do të thotë është që e kanë edhe infrastrukturën. E kanë infrastrukturën tamam si duhet, do të thotë që ne na mungon edhe sot ajo. Qysh pas gati 28 viteve që u formuam edhe u bëmë si shtet, do të thotë mungon infrastruktura”, thotë fillimisht Kelmendi.
Por, a mund ta rrezikojnë këtë sport, ndryshimet klimatike dhe mungesa eventuale e borës? Kelmendi siguron se teknologjia moderne ofron alternativa artificiale, që mundësojnë skijim, madje edhe gjatë verës.
"Tani ka dalë edhe metoda më e re e cila do të thotë Serbia e ka arritur e vetmja njëherë e për njëherë në Ballkan që i ka, i ka shtruar tepihat e skijimit. Është një tepih, do të thotë, me fibër, e cila do të thotë mund ta zgjasësh sa të duash kilometra, është e rrëshqitshme edhe është e menaxhueshme me ski. Do të thotë mund në brekë të shkurta, në maicë edhe tërë verën me bërë ski. Kështu që është një kosto tani shumë më e madhe ajo, por unë mendoj që më së pari ne duhet të fokusohemi te skijimi tamam origjinal me borën natyrale, nëse s'kemi atëherë e bëjmë edhe artificialen sepse i patëm mundësinë edhe i kemi mundësitë. Kështu që nëse krejt këto dështojnë do të kalojnë te një gjë tjetër që është artificiale” A do të thotë që nuk rrezikohet? “Jo, absolut jo. Nuk e shoh të rrezikuar”, theksoi Kelmendi.
Kelmendi pranon se skijimi është një sport shumë i shtrenjtë dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në numrin e vogël të garuesve.
Ai shpjegon se barrën kryesore financiare e mbajnë familjet, ndërsa përgatitja sezonale e një garuesi kërkon shpenzime të konsiderueshme, çka e bën këtë sport të paarritshëm për shumë fëmijë dhe të rinj. Skijimi mund të quhet “sport i të pasurve”.
“Realisht po, të them të drejtën po, edhe pikërisht këtu e shohim ne mungesën, mangësinë pak edhe të garuesve, do të thotë sepse gjendja financiare edhe te prindërit sepse këtu është familja ajo që ka mundësi ta përballojë...Janë një 30% që janë një mesatare edhe që shpenzojnë për fëmijët e tyre në sportin e skijimit, 70% tjetër janë të pasur. Kështu që këta që janë më të varfër do të thotë s'kanë mundësi absolut për ta zhvilluar sportin e skijimit, me vetë faktin që diku për ta përgatitur një garues tamam si duhet çdo sezon, pa e llogaritur dëmtimin e pajisjeve aty, do të thotë 2500 deri në 3000 euro, megjithatë skija profesionale, do të thotë është sport i shtrenjtë, shumë e vërtetë”, zbulon Kelmendi.
Vecse ky sport sjell përfitime goxha të mëdha për ata që janë të suksesshëm.
“Realisht kur ke sukses atëherë është gjithmonë profitabil edhe ka mundësi të bëhesh edhe milioner prej saj sepse suksesi yt do të thotë të bën të ngritesh atje që më të paktën krejt bota të të afrojë gjithë ata sponzorë, për shembull qysh i ka Shiffrin-i, kjo e Shqipërisë tash që i ka bërë tash veç milionat me sponzorë. Kështu që me momentin që ti arrin kulminacionin, atëherë gjithë sponzorët edhe vijnë lehtë vetë”, tha në fund Kelmendi. Sipas Kelmendit, investimi në potencialin e skijimit, do të hapte rrugë për organizimin në Kosovë të kampionateve ballkanike e evropiane për këtë disiplinë sportive.
Gati 40 mijë euro dënime ka shqiptuar Agjencia për Ushqim dhe Veterinari operatorëve të ushqimit, në kuadër të inspektimeve të jashtëzakonshme në markete dhe hipermarkete. Siç thonë nga AUV, aksioni ka zgjatur nga 13 deri më 16 janar dhe janë kontrolluar 188 operatorë me ushqim të kësaj kategorie. "Tek 10 operatorë, në kontrolle janë vërtetuar shkelje të buta të sigurisë në ushqim dhe janë shqiptuar masa vërejtje, kurse tek dy marketë është të punësuarit nuk kanë libreza sanitare", thuhet në njoftim. Ata shtojnë se te 6 markete nuk janë zbatuar procedurat për higjienë, kurse te 14 markete ka pasur ushqim me afat të skaduar. Po ashtu në kuadër të aksionit, nga operatorët janë marrë mbi 253 kilogram ushqim (mish, prodhime nga mishi dhe produkte të qumshtit).
Kjo e fundit reagoi qetësisht ndaj deklaratës së tij.
“Paske gënjy, ose po gënjen tani”.
Limi dhe Alba u ballafaquan drejtpërdrejt në BBVK lidhur me romancën e tyre, për të cilën kishin kontradikta dhe mendime të ndryshme mbi natyrën e lidhjes së tyre.
Kjo situatë e lëndoi haptazi Albën, e cila shprehej se Limi po gënjente për disa detaje nga relacioni i tyre.
Marrja e paracetamolit gjatë shtatzënisë është e sigurt dhe nuk ka prova që rrit rrezikun e autizmit, ADHD-së dhe problemeve zhvillimore tek fëmijët, thonë ekspertët që qëndrojnë pas një studimi të ri të madh.
Gratë shtatzëna “duhet të ndihen të sigurta” nga gjetjet, thonë ato, të cilat bien ndesh me pretendimet e presidentit të SHBA-së Donald Trump vitin e kaluar se paracetamoli “nuk është i mirë” dhe se gratë shtatzëna duhet të “luftojnë me të gjitha forcat” që të mos e marrin atë.
Pikëpamjet e tij u kritikuan në atë kohë nga organizatat mjekësore në mbarë botën.
Ekspertët thonë se ky shqyrtim i fundit, në një revistë të Lancet, është rigoroz dhe duhet t'i japë fund debatit mbi sigurinë e tij.
Por zyrtarët e shëndetësisë në SHBA pohojnë se "shumë ekspertë" kanë shprehur shqetësim në lidhje me përdorimin e tij gjatë shtatzënisë, shkruan BBC.
Presidenti amerikan tronditi shumë mjekë në mbarë botën kur ai dhe administrata e tij pretenduan se paracetamoli - i njohur si acetaminofen në SHBA - i cili shihet si qetësuesi i dhimbjeve - mund të lidhet me autizmin tek fëmijët, nëse merret gjatë shtatzënisë.
Këto pretendime çuan në konfuzion midis grave dhe shqetësim midis ekspertëve të shëndetit, dhe nxitën këtë hulumtim të ri.
I botuar në The Lancet Obstetrics, Gynaecology & Women's Health , ai shqyrtoi 43 nga studimet më të fuqishme mbi përdorimin e paracetamolit gjatë shtatzënisë, duke përfshirë qindra mijëra gra, veçanërisht ato që krahasonin shtatzënitë ku nëna e kishte marrë ilaçin me shtatzënitë ku nuk e kishte marrë.
“Kur e bëmë këtë analizë, nuk gjetëm asnjë lidhje, nuk kishte asnjë shoqërim, nuk ka asnjë provë që paracetamoli rrit rrezikun e autizmit”, tha autorja kryesore e studimit, profesoresha Asma Khalil.
"Mesazhi është i qartë - paracetamoli mbetet një opsion i sigurt gjatë shtatzënisë kur merret sipas udhëzimeve", shtoi ajo.
Kjo përforcon udhëzimet nga organizatat kryesore mjekësore në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA dhe Evropë mbi sigurinë e qetësuesve të zakonshëm të dhimbjeve.
Çdo lidhje e raportuar më parë midis ilaçit dhe një rreziku në rritje të autizmit ka të ngjarë të shpjegohet nga faktorë të tjerë, në vend të një efekti të drejtpërdrejtë të vetë paracetamolit, thotë rishikimi.
"Kjo është e rëndësishme pasi paracetamoli është ilaçi i linjës së parë që ne rekomandojmë për gratë shtatzëna me dhimbje ose me ethe", tha Prof Khalil, profesor në City St George's, Universiteti i Londrës.
Këshillat shëndetësore paralajmërojnë se gratë mund të rrezikojnë të dëmtojnë fëmijën e tyre nëse nuk marrin paracetamol për të ulur temperaturën e lartë ose për të lehtësuar dhimbjet gjatë shtatzënisë.
Kjo mund të rrisë rrezikun e abortit, lindjes së parakohshme ose problemeve të zhvillimit tek foshnjat.
Ekspertët mjekësorë që nuk janë përfshirë në hulumtim i kanë mirëpritur gjetjet e studimit, duke thënë se kjo do të ndihmojë në uljen e shqetësimit tek gratë. /Telegrafi/
Gjithsej 6.128 punëtorë të huaj morën leje për qëndrim të përkohshëm në Maqedoninë e Veriut në vitin 2025. Pra, trefish më shumë se para pesë vjetëve, kur për shkak të punës në vend kishin marrë leje 1.704 punëtorë, tregojnë të dhënat që Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë (REL) i ka siguruar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB). Ndërtimtaria, industria përpunuese, akomodimi dhe shërbimi, si dhe tregtia me shumicë dhe pakicë, janë vendet ku ka pasur interesim më të madh për punësimin e të huajve, sipas Agjencisë së Punësimit nga viti 2020. Punëtorët nga Turqia mbizotërojnë, por tani në Maqedoninë e Veriut po mbërrijnë gjithnjë e më shumë punëtorë nga Nepali, Bangladeshi dhe India. Bangladeshi, Nepali, India, Turqia, Kina dhe Filipinet janë ndër shtetet, qytetarëve të të cilave MPB-ja u ka lëshuar leje qëndrimi për shkak të punës. Se nga cilët shtetas të huaj ka kërkesën më të madhe, tregojnë edhe të dhënat që REL-i i ka marrë nga Agjencia e Punësimit. Sipas tyre, në vitin 2025 janë lëshuar gjithsej 8.509 mendime pozitive për leje pune. Në këtë numër përfshihen edhe 798 leje personale pune të lëshuara për administratorë, menaxherë etj. Ky mendim është i nevojshëm ndër dokumentet që i mbledh MPB-ja kur vendos nëse do ta miratojë apo jo leje-qëndrimin. Edhe këto të dhëna tregojnë trendin në rritje të të huajve që kërkojnë punë në vend. Në vitin 2020, për shembull, Agjencia kishte lëshuar 3.227 mendime pozitive, që është dy herë më pak se në vitin 2025. Prej vitesh, të parët në këtë listë janë punëtorët nga Turqia, ndërsa në vitet 2024 dhe 2025, në pesë shtetet kryesore qytetarët e të cilave kanë marrë mendime pozitive, përfshihen edhe Nepali, Bangladeshi dhe India. Vitin e kaluar, nga gjithsej 8.509 mendime, Agjencia e Punësimit i dha 2.815 mendime vetëm për shtetasit turq. Pas tyre vijnë shtetasit e Bangladeshit me 1.567, nepalezët me 1.089 dhe indianët me 1.079. Në vendin e pestë janë shtetasit e Kosovës me 406. Më herët, kur edhe numri i kuotave dhe lejeve për të huaj ishte dukshëm më i vogël, këto vende i zinin shtetet e rajonit, si Serbia, Shqipëria dhe Kosova. Trendi i rritjes së numrit të punëtorëve të huaj është i dukshëm edhe në jetën e përditshme, veçanërisht në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, ku ata shpesh shihen në kantierë ndërtimi, por edhe në hotele, restorante, bare etj. Ky proces, thekson Krste Bllazhevski nga shoqata vullnetare dhe jofitimprurëse e bizneseve hotelierike dhe gastronomike – HOTAM, është i natyrshëm duke pasur parasysh se punëtorët vendas po migrojnë drejt vendeve të tjera evropiane. Pjesa më e madhe e lejeve kërkohen për Shkupin, ndërsa nga disa dhjetëra në vit lëshohen për Manastirin, Tetovën, Ohrin, Kumanovën etj. “Këta janë punëtorë nga shtete më të varfra, të cilët këtu do të siguronin bukën e gojës, do të mbijetonin dhe do të dërgonin diçka për familjet e tyre, sepse edhe sot ekzistojnë vende ku ata marrin paga prej 100 dollarësh në muaj. Këtu marrin 600–800 dollarë”, thotë Bllazhevski për REL-in. Por, si vijnë ata në Maqedoninë e Veriut? Praktika më e shpeshtë, kur bëhet fjalë për punëtorë nga vende të largëta si Nepali dhe Bangladeshi, është përmes agjencive ndërmjetësuese. Ndryshe nga e kaluara, sot – thekson Bllazhevski – ka mjaft agjenci të tilla që çdo ditë u ofrojnë punëtorë. Sipas tij, ka dhjetëra të tilla. Ato dërgojnë video, CV të përvojës së punës së kandidatëve etj. Një agjenci e tillë, që prej katër vjetësh sjell punëtorë të huaj në Maqedoninë e Veriut, është edhe “Balkan – Human Resources”. Ajo bashkëpunon me një agjenci nga Bangladeshi. “Në fillim ishte e vështirë t’i gjeja punëtorët e parë, t’i bindja njerëzit se këtu tek ne ka punë edhe për ta. Mirëpo, me ardhjen e njerëzve të parë këtu, u krijua besimi dhe tani është më e lehtë të gjenden njerëz për të ardhur këtu”, thotë për REL-in një përfaqësues i agjencisë. Sipas tij, interesi i punëdhënësve vendas është i madh. “Në fillim isha skeptik se Maqedonia vërtet do të kishte aq shumë nevojë për fuqi punëtore, por vlerësimi im ishte i gabuar. Shoh çdo ditë e më shumë kërkesa”, shton ai. Ai përmend së pari gastronominë, e më pas prodhimin dhe ndërtimtarinë si sektorët që kërkojnë më së shumti punëtorë. Bllazhevski nga HOTAM thotë se kohët e fundit punëtorët që vijnë nuk janë “vetëm punëtorë të përgjithshëm”. “Ka edhe shumë punëtorë me përvojë, të cilët mund ta kuptojnë shpejt se çfarë duhet të punojnë këtu”, thekson ai. Në hotelieri dhe gastronomi, më së shpeshti të huajt angazhohen për “punë prapaskene” – pastrim, punë në kuzhinë etj. Por, sipas Bllazhevskit, ata e mësojnë shpejt gjuhën. Nga përvoja, për gjashtë muaj i zotërojnë gjërat bazë, ndërsa shpesh kuptohen edhe në anglisht. “E dini, asnjë shtet në botë deri më sot nuk ka dështuar për shkak të fuqisë punëtore, nuk është prapambetur. Vetëm ecet përpara. Nëse nuk ka kush t’i kryejë pozitat e punës, atëherë do të jemi në problem të madh, do të duhet të mbyllen objekte dhe të mos ketë të ardhura”, thotë Bllazhevski. Megjithatë, përvoja disavjeçare me punëtorë nga vende të largëta, si India, Nepali dhe Bangladeshi, tregoi se edhe vendet e punës që ata i zënë, boshatisen, pasi ata ikin drejt vendeve të tjera evropiane. Këtë problem nuk e mohojnë as përfaqësuesit e sektorit të biznesit dhe as agjencitë ndërmjetësuese. Përfaqësuesi i “Balkan – Human Resources” thotë se aktualisht bashkëpunon vetëm me një agjenci nga Bangladeshi, sepse një pjesë e tyre “i keqpërdorin kompanitë tona për të ikur në vende të tjera evropiane”. Sipas tij, vetëm katër për qind e atyre që agjencia e tij i ka sjellë në vend janë larguar. Trendi i ikjes së punëtorëve të huaj, sipas Bllazhevskit, është zvogëluar. “Rregulloret nuk ishin të rregulluara siç duhet dhe një numër i caktuar punëtorësh-migrantë e shfrytëzuan këtë. Por vitin e kaluar, ata që erdhën, qëndruan. Nëse disa u larguan, ky është një numër shumë minimal”, pohon ai. Në vitin 2025, kur leje morën 6.128 shtetas të huaj, MPB-ja ka evidentuar 166 të huaj që e kanë lëshuar Maqedoninë e Veriut, ndërsa kanë qenë në vend me status “qëndrim i përkohshëm për shkak të punësimit”. Sipas të dhënave që REL-i i ka marrë nga MPB-ja, prej tyre 129 ishin shtetas të Bangladeshit, 34 të Nepalit dhe tre të Indisë. Sipas dispozitave ligjore në Maqedoninë e Veriut, kuota për punësimin e të huajve nuk guxon të tejkalojë 5% të popullsisë së përgjithshme të aftë për punë në vend. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, numri i të punësuarve në tremujorin e tretë të vitit 2025 ishte rreth 705.000, ndërsa të papunë rreth 92.000. Sa i përket kuotës për leje pune për të huaj, për vitin 2025 Qeveria e ka caktuar atë në 10.000 punëtorë. Edhe kjo, paralelisht me rritjen e numrit të punëtorëve të huaj të angazhuar, është rritur gjatë viteve të fundit. Në fund të vitit 2023, qeveria e mëparshme e rriti nga pesë në shtatë mijë. Më herët, ajo ishte 3.250. Vitin e kaluar, Qeveria propozoi, ndërsa Kuvendi miratoi ndryshime në Ligjin për të Huajt, sipas të cilave parashihet që jashtë kësaj kuote, qëndrimi i përkohshëm për arsye pune t’i miratohet edhe një të huaji që punon në projekte strategjike të përcaktuara me ligj të veçantë. Kjo do të thotë se punëtorët e angazhuar në projekte strategjike janë fuqi punëtore shtesë, jashtë kuotës prej 10.000. Një projekt i tillë strategjik është, për shembull, ndërtimi i korridoreve 8 dhe 10D nga konsorciumi amerikano-turk “Bechtel & Enka”./REL/
Në tetor janë dhënë 446 leje për ndërtim në Maqedoni, 22.9% më shumë se në të njëjtën periudhë në vitin e kaluar
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.
Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e diel, 18 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar 445 nga 914 vendvotime.
Kwto vendvotime u takojnë komunave Deçan (5/5), Gjakovë (15/15), Gllogoc (7/7), Gjilan (13/13), Dragash (57/57), Istog (6/6), Kaçanik (45/45), Klinë (6/6), Fushë Kosovë (6/6), Kamenicë (5/5), Mitrovicë e Jugut (10/10), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/9), Novobërdë (2/2), Obiliq (3/3), Rahovec (8/8), Pejë (14/14), Podujevë (11/11), Prishtinë (26/26) dhe Prizren (172/235).
Sipas të dhënave, deri më tani procesi i rinumërimit është përmbyllur në 19 komuna, ndërkohë edhe gjatë ditës së sotme është duke vijuar rinumërimi i vendvotimeve që i takojnë komunës së Prizrenit dhe më pas, të tjera komuna, sipas radhës, do të përfshihen në këtë proces.
Në platformën e KQZ-së për rezultate https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/, në hapësirën QNR > Rinumërim, do të paraqiten rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi. /Telegrafi/
Për vite me radhë, është folur se BMW Seria 4 mund të ndalojë prodhimin.
Por, bazuar në informacione të reja, kjo nuk duket të jetë aspak e vërtetë. BMW po e bën të qartë se Seria 4 nuk do të shkojë askund.
Ekipi i BMW-së në Mynih po punon tashmë në gjeneratën e ardhshme të Serisë 4, e cila do të jetë përkrah Serisë 3 "Neue Klasse" të ardhshme si një alternativë më sportive dhe më e fokusuar në dizajn.
Dhe një lajm i mirë për entuziastët: një M4 i ri po vjen patjetër.
Rreth një vit më parë, u raportua se M4 i ardhshëm mund të bëhet plotësisht elektrik. Ka ende një shans të vogël që të jetë e mundur, por tani duket më e mundshme që motori me benzinë të mbetet në lojë.
Seria 4 u lansua si model më vete në vitin 2013, duke u ndarë nga Seria 3, dhe hyri në gjeneratën e saj të dytë në vitin 2020.
Ajo shërbeu gjithashtu si themeli për modelin tërësisht elektrik i4.
Në përgjithësi, ka qenë një sukses i fortë për BMW-në. /Telegrafi/