Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 26 December 2025Telegrafi

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së vendos datën kur do të mbahet Kuvendi Zgjedhor dhe merr disa vendime

26 December 2025 at 15:59


Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka vendosur që më 5 shkurt 2026 të mbahet Kuvendi Zgjedhor 2026.

KE konstatoi se përgatitjet për kuvendet zgjedhore kanë shkuar sipas dinamakës së paraparë, andaj më 5 shkurt 2026 do të jetë gjithçka e kompletuar.

“Në lidhje me procesin zgjedhor, KE i FFK-së konstatoi se përgatitjet për kuvendet zgjedhore në regjione janë duke u zhvilluar sipas dinamikës së paraparë. Në këtë kuadër, Komiteti Ekzekutiv vendosi që Kuvendi Zgjedhor i FFK-së të mbahet më 5 shkurt 2026”.

Ndërkohë, KE e FFK-së vendosi edhe për ndarjen e një fondi simbolik për dhurata të Vitit të Ri për fëmijët e Luginës së Preshevës, si shenjë solidariteti dhe përkrahje.

Komunikata e plotë më poshtë:

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës ka mbajtur mbledhjen e fundit për këtë vit nën drejtimin e presidentit Agim Ademi. Rendi i ditës i kësaj mbledhje ishte aprovimi i procesverbalit të mbledhjes së kaluar, përmbyllja e vitit 2025, përgatitjet për procesin zgjedhor, si dhe pika të ndryshme.

Në fillim, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi unanimisht procesverbalin e mbledhjes së kaluar.

Duke folur për vitin 2025, presidenti Agim Ademi, theksoi se ky vit ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm në të gjitha segmentet, me arritje historike për futbollin e Kosovës. Ai vlerësoi se viti është përmbyllur shumë mirë, si në aspektin organizativ të Federatës, ashtu edhe me rezultatet e arritura nga Kombëtarja A dhe klubet kosovare në arenën evropiane.

Presidenti Ademi potencoi rëndësinë e dy ndeshjeve të ardhshme të ‘play-off’-it të Kombëtares, duke theksuar se përqendrimi i plotë duhet të jetë në ndeshjen e parë ndaj Sllovakisë, me shpresën që Kombëtarja do të jetë në formën optimale në muajin mars dhe do t’i kalojë me sukses edhe këta dy hapa për të realizuar ëndrrën e shumë gjeneratave për paraqitjen e parë historike në Kupën e Botës.

Po ashtu, u vlerësua pozitivisht edhe paraqitja e deritashme kualifikuese nga Kombëtarja U21, derisa u konsiderua si objektiv shumë i rëndësishëm kualifikimi në Kampionatin Evropian U21 në vitin 2027. U vlerësuan edhe sukseset e Kombëtares U17 të vajzave, si dhe paraqitjet e mira të FC Drita në Ligën e Konferencës dhe FC Prishtina 01 Ligën e Kampionëve në futsall.

Sa i përket grupmoshave U15, U17 dhe U19, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së vlerësoi se ka hapësirë për përmirësim dhe se në këtë drejtim do të ketë rifreskim të stafeve teknike. U theksua rëndësia e zhvillimit që nis nga grupmosha U15, si dhe nevoja për reformë në nivel të regjioneve, me qëllim që përzgjedhja e talenteve të bëhet në mënyrë sa më meritore dhe profesionale. Në këtë kuadër, KE vendosi krijimin e një ekipi për zhvillimin e grupmoshave, të cilin nga KE do ta mbikqyrë Samir Ujkani.

KE i FFK-së konstatoi se garat në të gjitha ligat gjatë këtij viti kanë shkuar shumë mirë. U vlerësua fakti që Kosova vazhdon të mbajë pozitë shumë të mirë në renditjen e UEFA-s për klube, duke u renditur në vendin e 36-të me 13.989 pikë, ndërsa në ranglistën e FIFA-s, Kombëtarja e Kosovës e ka mbyllur vitin me rekord historik, si kombëtarja me përparimin më të madh brenda një viti prej 19 vendesh, duke u pozicionuar në vendin e 80-të. Gjithashtu, u vlerësua rritja e vlerës së Superligës dhe klubeve kosovare në treg, çka dëshmon për një ngritje të gjithmbarshme të futbollit në vend.

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së e vlerësoi shumë të rëndësishëm edhe faktin e rritjes së numrit të investitorëve seriozë në klube, duke theksuar se kjo po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së futbollit. KE u zotua se do të vazhdojë të punojë për krijimin e kushteve sa më të favorshme për investime në futboll.

Në lidhje me procesin zgjedhor, KE i FFK-së konstatoi se përgatitjet për kuvendet zgjedhore në regjione janë duke u zhvilluar sipas dinamikës së paraparë. Në këtë kuadër, Komiteti Ekzekutiv vendosi që Kuvendi Zgjedhor i FFK-së të mbahet më 5 shkurt 2026.

Në fund të mbledhjes, KE i FFK-së miratoi propozimin e presidentit Agim Ademi për ndarjen e një fondi simbolik për dhurata të Vitit të Ri për fëmijët e Luginës së Preshevës, si shenjë solidariteti dhe përkrahjeje./Telegrafi

Zarf i zi mbërrin në shtëpinë e Big Brother pas tensioneve të forta mes banorëve

26 December 2025 at 15:52


Pas ditësh të ngarkuara me debate, tensione të larta dhe momente jo të këndshme brenda shtëpisë së Big Brother, në shtëpi ka mbërritur një zarf i zi, duke rritur edhe më shumë kureshtjen dhe ankthin mes banorëve.

Ardhja e zarfit vjen pas situatave të fundit të tensionuara, ku në qendër të vëmendjes ishte përplasja mes Dolces dhe Albës.

Sipas asaj që është komentuar brenda shtëpisë, zarf i zi mund të lidhet me incidentin ku Dolce thuhet se e ka shtyrë Albën, një moment që ka shkaktuar diskutime të shumta si mes banorëve, ashtu edhe te publiku.

BBVK/Instagram

Banorët u shfaqën të shqetësuar dhe të tensionuar në momentin kur u bë e ditur mbërritja e zarfit, duke pritur me padurim përmbajtjen e tij dhe vendimin që mund të pasojë.

Mbetet për t’u parë se çfarë do të përmbajë zarf i zi dhe nëse situata mes Dolces dhe Albës do të sjellë ndëshkime apo zhvillime të reja brenda shtëpisë. /Telegrafi/

Zogaj prezanton planin ekonomik: Rritje 5–7 për qind dhe investime kapitale

26 December 2025 at 15:51


Sipas Alban Zogajt, programi ekonomik i LDK-së synon rritje ekonomike prej 5 deri në 7 për qind gjatë katër vjetëve.

Ai ka deklaruar se buxheti i Kosovës do të arrijë në 5 miliardë euro në fund të mandatit të parë.

Zogaj ka shtuar se investimet kapitale do të jenë mbi 1 miliard euro në vit, ndërsa një nga vendimet e para do të jetë rritja e koeficientit të pagave.

Më poshtë mund të shihni mesazhin e kandidatit për deputet nga radhët e LDK-së (123), me numrin 22 në këto zgjedhje, dr. Alban Zogaj.


Institucioni i Avokatit të Popullit do të vëzhgojë zgjedhjet parlamentare më 28 dhjetor

26 December 2025 at 15:48


Institucioni i Avokatit të Popullit njofton se do të vëzhgojë procesin e Zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2025, që do të mbahen më 28 dhjetor, duke u fokusuar në respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve demokratike të votimit.

Duke theksuar rëndësinë e monitorimit të pavarur dhe të paanshëm, IAP do të mbulojë të gjitha qendrat e votimit në vend.

“Përveç qendrave të zakonshme të votimit, do të vëzhgojmë edhe institucionet ku mbahen personat e privuar nga liria, shtëpitë për persona të moshuar dhe pa përkujdesje familjare, si dhe shtëpitë integruese në komunitet”, thuhet në njoftim.

IAP gjithashtu do të mbajë të hapur Zyrën Qendrore në Prishtinë gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve, për të pranuar çdo ankesë lidhur me shkelje të të drejtave të garantuara me ligj.

“Qëllimi ynë është të sigurojmë një proces të drejtë dhe të paanshëm, ku çdo qytetar të ketë mundësinë të ushtrojë të drejtën e tij për votë në kushte të sigurta dhe të respektuara”, theksohet më tej.

Institucioni i Avokatit të Popullit bën thirrje që të gjitha palët të respektojnë ligjin dhe të bashkëpunojnë me vëzhguesit gjatë gjithë procesit zgjedhor, duke garantuar kështu një mbarëvajtje transparente të zgjedhjeve. /Telegrafi/


Norma preferenciale e TVSH-së prej 5% për apartamentet e reja do të zbatohet deri në fund të vitit 2028

26 December 2025 at 15:47


Edhe pas 1 janarit 2026, norma preferenciale e TVSH-së prej 5% do të zbatohet për apartamentet e reja, pasi Kuvendi miratoi sot ndryshimet në Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Sipas ndryshimeve, afati për zbatimin e normës preferenciale prej 5% për qarkullimin e parë të ndërtesave të banimit dhe apartamenteve në pjesën në të cilën ato përdoren për qëllime banimi dhe që do të kryhet brenda pesë viteve pas ndërtimit, zgjatet nga 1 janari 2026, deri më 31 dhjetor 2028.

Sipas Ligjit në fuqi, norma preferenciale e TVSH-së prej 5% për apartamentet e reja ishte planifikuar të zbatohej deri më 31 dhjetor 2025./Telegrafi/

Ceballos në harresë për shkak të rolit të zvogëluar nën drejtimin e Alonsos

26 December 2025 at 15:47


Mesfushori i Real Madridit, Dani Ceballos, po kalon një periudhë të vështirë këtë sezon, teksa mungesa e minutave të rëndësishme e ka vendosur atë në një situatë të paqartë për të ardhmen.

Mesfushori spanjoll ishte i lidhur fort me një transferim te Marseille gjatë verës së kaluar, por në fund vendosi të qëndrojë në Madrid.

Megjithatë, ky vendim nuk ka rezultuar i suksesshëm, pasi ai po has vështirësi të mëdha për të fituar besimin e trajnerit Xabi Alonso.

Ish-lojtari i Real Betisit nuk duket të jetë një nga opsionet e preferuara të Alonsos, fakt që pasqyrohet qartë në statistika: Ceballos ka nisur si titullar vetëm në shtatë nga 14 ndeshjet e zhvilluara këtë sezon.

Situata është bërë edhe më e ndërlikuar së fundmi, pasi ai ka mbetur në stol në pesë ndeshjet e fundit radhazi në La Liga, përfshirë edhe fitoren 2-0 ndaj Sevillës fundjavën e kaluar.

Me konkurrencë të fortë në një mesfushë të mbushur me alternativa cilësore, Ceballos e ka gjithnjë e më të vështirë të rikthehet në një rol të rëndësishëm në skuadër.

Nëse kjo situatë vazhdon, e ardhmja e tij pritet të rikthehet sërish në qendër të spekulimeve gjatë verës, pavarësisht faktit se kontrata e tij me Real Madridin skadon në vitin 2027. /Telegrafi/

Bulliqi raporton para qytetarëve projektet dhe shpenzimet e vitit 2025 në Podujevë

26 December 2025 at 15:36


Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, zhvilloi një takim me qytetarë, ku prezantoi raportin e punës së Ekzekutivit për vitin 2025 dhe projektet që janë duke u realizuar.

Në fjalën e tij, Bulliqi theksoi se buxheti i vitit 2025, në vlerë prej 33,459,115 euro, është shpenzuar mbi 99 për qind. Ai prezantoi projektet kryesore që po vazhdojnë të realizohen, përfshirë ndërtimin e Pishinës Gjysmëolimpike në vlerë rreth 4 milionë euro, Qendrën Rezidenciale për të moshuar (2.5 milionë euro), Qendrën Multifunksionale (1 milion euro), Tregun e Gjelbër (1 milion euro), Kuzhinën Qendrore (700,000 euro) dhe ndërtimin e shkollave “Nuhi Gashi” në Bradash dhe “Jetullah Gashi” në Dobërdol, si dhe dy salla sportive.

“Te Drejtoria e Urbanizmit janë asfaltuar dhjetëra rrugë në qytet e fshatra dhe dhjetëra të tjera janë në proces. Përfshirë edhe rrugët e parapara në memorandumin me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, bëhet fjalë për 50 km asfalt në vlerë mbi 9 milionë euro”, tha kryetari Bulliqi.

Ai gjithashtu përmendi projektet në sektorët e Shërbimeve Publike, përfshirë kolektorin e ujërave të zeza, ndërtimin e urave, ndriçimin publik dhe rrugët me kubëza. Në kulturë, u përmend ndërtimi i aneksit dhe rinovimi i Teatrit “Avdush Hasani” si dhe ndërtimi i terreneve sportive. Në shëndetësi, investimet përfshinë blerjen e pajisjeve, furnizimin me barna dhe subvencionimin e 991 qytetarëve me sëmundje kronike, si dhe mbështetjen e OJQ-ve si Hendikosi, Autizmi dhe OFAP.

Në bujqësi, komuna ka dhënë subvencione për fermerë, furnizim me fidanë mjedrash dhe feferonash, ndërsa janë në proces dhënia e 162 mëshqerrave. Në arsim, u theksua ndërtimi i çerdheve, përmirësimi i katër shkollave me masa efiçiente në vlerë 698,728.80 euro, furnizimi me kabinete informatike dhe për shkencat natyrore, si dhe bursa për studentë. Zhvillimi ekonomik përfshin mbështetjen e bizneseve ekzistuese dhe startup-eve dhe rregullimin e hapësirave publike në fshatrat Kerpimeh, Sfeçël, Llapashticë dhe Dumnicë.

Pas prezantimit të raportit, kryetari Bulliqi hapi diskutimin me qytetarët, të cilët parashtruan kërkesat e tyre dhe morën përgjigje direkte nga kryetari.

“Ky takim është një mundësi për të diskutuar drejtpërdrejt me qytetarët dhe për të ndarë rezultatet e punës së Ekzekutivit në mënyrë transparente”, tha Bulliqi. /Telegrafi/


Si ta ngrohni shpejt motorin e veturës gjatë dimrit - këshilla e thjeshtë që kursen benzinë

26 December 2025 at 15:31


Dimri sjell jo vetëm mot të ftohtë, por edhe sfidën e përditshme: si të ngrohësh motorin e veturës sa më shpejt.

Shumë shoferë kanë zakon të ndezin automjetin dhe të presin pa lëvizur, duke menduar se kjo do ta ngrohë motorin më shpejt.

Sipas ekspertëve, kjo praktikë nuk është më e mira.

Sekreti është thjesht: kur ndizni motorin, mos aktivizoni menjëherë ngrohjen e brendshme. Kur ventilatori i ngrohjes punon që në fillim, ai përdor lëngun ftohës për të ngrohur kabinën.

Si rezultat, motori merr më shumë kohë për të arritur temperaturën optimale të punës.

Ekspertët këshillojnë të prisni disa minuta pa ngrohje, edhe nëse ajri që del nga ventilatori është i ftohtë në fillim. Kjo mënyrë ngroh motorin më shpejt, kursen benzinë dhe mban sistemin e ftohjes më efikas.

Pra, dimri nuk është më pengesë: disa minuta durim në fillim do të bëjnë makinën tuaj të funksionojë më mirë dhe të kurseni para. /Telegrafi/

Arteta jep përditësime mbi rikthimin e Kai Havertz dhe Gabriel Magalhaes

26 December 2025 at 15:30


Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka ndarë përditësime mbi rikuperimin e lojtarëve kryesorë Kai Havertz dhe Gabriel Magalhaes.

Trajneri spanjoll zbuloi se mesfushori sulmues gjerman është afër rikthimit, ndërsa mbrojtësi brazilian do të kërkojë më shumë kohë për t'u rikthyer

"Kthimi i Kai Havertz është vetëm çështje ditësh, ndoshta javësh. Do ta monitorojmë se si ndihet në fazën tjetër të rikuperimit. Ai është një lojtar që na mungon sepse e ngre ekipin lart. Është shumë afër të luajë përsëri dhe jam i kënaqur që kjo do të ndodhë së shpejti", ka thënë fillimisht Arteta.

“Duhet t'i japim më shumë kohë pasi ai nuk ka rifilluar ende stërvitjen. Shpresojmë që ai të shërohet shpejt duke pasur parasysh situatën tonë aktuale mbrojtëse", përfundoi trajneri i Arsenalit.

Përveç Havertz dhe Magalhaes, Christian Musquera, Max Dowman, Ben White, Gabriel Martinelli dhe Piero Hincapie janë gjithashtu jashtë fushave shkaku i lëndimeve.

Pas 17 xhirove, Arsenali kryeson tabelën në Ligën Premier, dy pikë më shumë se Manchester City. /Telegrafi/

Mbreti ynë, prifti ynë, feudali ynë - si po na kthen inteligjenca artificiale në Mesjetë

26 December 2025 at 15:28


Nga: Joseph de Weck / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Këtë verë, u përballa me trafik në rrugët përvëluese të Marsejës. Në një kryqëzim, mikesha ime në ulësen e pasagjerit më tha të kthehesha djathtas drejt një vendi të njohur për supën e peshkut. Por, aplikacioni i navigimit Waze na udhëzonte të vazhdonim drejt. I lodhur, dhe me Renault-n që ndihej si një saunë me rrota, ndoqa këshillën e Waze-it. Pak çaste më vonë, mbetëm të bllokuar në një kantier ndërtimi.

Një moment i parëndësishëm, mbase. Por, një i tillë që përmbledh ndoshta pyetjen përcaktuese të epokës sonë, ku teknologjia prek thuajse çdo aspekt të jetës: kujt i besojmë më shumë - njerëzve të tjerë dhe instinkteve tona, apo makinerisë?

Filozofi gjerman Immanuel Kant, e përkufizoi epokën e Iluminizmit si “daljen e njeriut nga papjekuria e vetëshkaktuar”. Papjekuria, shkroi ai, është “paaftësia për të përdorur arsyen pa udhëheqjen e dikujt tjetër”. Për shekuj me radhë, ky “tjetri” që drejtonte mendimin dhe jetën e njeriut ishte shpesh prifti, monarku apo feudali - ata që pretendonin se vepronin si zëri i Zotit në Tokë. Në përpjekjet për të kuptuar fenomenet natyrore - pse shpërthejnë vullkanet, pse ndryshojnë stinët - njerëzit i drejtoheshin Zotit për përgjigje. Në formësimin e botës shoqërore, nga ekonomia te dashuria, feja na shërbente si udhërrëfyes.

Sipas Kantit, njerëzit gjithmonë kishin aftësinë për të arsyetuar. Thjesht, nuk e kishin gjithmonë guximin për ta përdorur atë. Por, me Revolucionin Amerikan dhe më vonë atë Francez, një epokë e re po agonte: arsyeja do të zëvendësonte besimin dhe mendja njerëzore, e çliruar nga autoriteti, do të bëhej motori i përparimit dhe një bote më morale. “Sapere aude” ose “Guxo të përdorësh mendjen tënde” - i nxiste Kanti bashkëkohësit e tij.

Dy shekuj e gjysmë më vonë, mund të pyesim nëse po rrëshqasim sërish në papjekuri. Një aplikacion që na thotë se cilën rrugë do të marrim është një gjë. Por, inteligjenca artificiale [IA] rrezikon të bëhet “tjetri” ynë i ri - një autoritet i heshtur që udhëheq mendimet dhe veprimet tona. Rrezikojmë të heqim dorë nga guximi i fituar me mund për të menduar - dhe këtë herë jo ndaj perëndive apo mbretërve, por ndaj kodit.

ChatGPT u lansua vetëm tre vjet më parë dhe, megjithatë, një sondazh global i publikuar në prill zbuloi se 82 përqind e të anketuarve e kishin përdorur IA-në gjatë gjashtë muajve të fundit. Qoftë kur vendosnin të përfundonin një marrëdhënie apo për kë të votonin, njerëzit u drejtoheshin makinerive për këshilla. Sipas OpenAI-së, 73 përqind e kërkesave të përdoruesve lidhen me tema që nuk kanë të bëjnë me punën. Edhe më intriguese, sesa varësia jonë nga gjykimi i IA-së në jetën e përditshme, është ajo që ndodh kur e lejojmë atë të flasë në emrin tonë. Tani, shkrimi është ndër përdorimet më të zakonshme të ChatGPT-së, menjëherë pas kërkesave praktike si “bëje vet” apo këshillat për kuzhinë. Autorja amerikane Joan Didion ka thënë njëherë: “Shkruaj vetëm për të zbuluar se çfarë mendoj”. Por, kur ndalojmë së shkruari? A ndalojmë së zbuluari?

Ajo që shqetëson është se disa prova sugjerojnë se përgjigjja mund të jetë një po. Një studim i Institutit të Teknologjisë së Masaçusetsit [MIT] përdori elektroencefalografi (EEG) për të monitoruar aktivitetin e trurit të eseistëve që kishin qasje në IA, në motorë kërkimi si Google, ose nuk kishin fare ndihmë. Ata që mund të mbështeteshin tek IA-ja shfaqën aktivitetin më të ulët kognitiv dhe kishin vështirësi në citimin e saktë të punës së tyre. Më shqetësuese ishte se, pas disa muajsh, pjesëmarrësit që përdorën IA-në u bënë gjithnjë e më dembelë, duke kopjuar blloqe të tëra teksti në esetë e tyre.

Studimi është i vogël dhe jo i përsosur, por Kanti do ta kishte njohur këtë model. “Dembelia dhe frika”, shkroi ai, “janë arsyet pse një pjesë kaq e madhe e njerëzve ... mbeten në papjekuri gjatë gjithë jetës, dhe pse është kaq e lehtë që të tjerët të vendosen si kujdestarë të tyre. Është kaq e lehtë të jesh i papjekur”.

Sigurisht, interesantja e IA-së qëndron te rehatia që ofron. Kursen kohë, shmang përpjekjen dhe - ç’është më e rëndësishmja - ofron një mënyrë të re për të hequr përgjegjësinë nga vetja. Në librin e tij të vitit 1941, Arratisje nga liria, psikanalisti gjerman Erich Fromm argumentoi se ngritja e fashizmit mund të shpjegohej pjesërisht nga dëshira e njerëzve për të dorëzuar lirinë e tyre në këmbim të sigurisë së nënshtrimit. IA-ja ofron një mënyrë të re për të dorëzuar atë barrë të mendimit dhe vendimmarrjen personale.

Tërheqja më e madhe e IA-së është se mund të bëjë gjëra që mendja jonë nuk mundet - të përpunojë oqeane me të dhëna dhe ta bëjë këtë me shpejtësi të paprecedentë. Ulur në makinë në Marsejë, kjo ishte, në fund të fundit, arsyeja pse zgjodha t’i besoja makinerisë dhe jo shoqes time (një vendim të cilin ajo e mori si fyerje). Me gjithë qasjen e saj në të dhëna, mendova unë, sigurisht që aplikacioni duhet ta dijë më mirë.

Problemi është se IA-ja është një kuti e zezë. Ajo prodhon dije, por pa e thelluar domosdo kuptimin njerëzor. Ne nuk e dimë realisht si arrin në përfundimet e veta - edhe vetë programuesit e pranojnë këtë. Dhe, as nuk mund ta verifikojmë arsyetimin e saj sipas kritereve të qarta e objektive. Kështu që kur ndjekim këshillat e IA-së, nuk udhëhiqemi nga arsyeja. Po rikthehemi në mbretërinë e besimit. In dubio pro machina - kur dyshon, beso makinën - mund të bëhet parimi ynë udhëheqës në të ardhmen.

IA-ja mund të jetë aleate e fuqishme e njerëzve në kërkimin racional. Mund të na ndihmojë të shpikim ilaçe, të na çlirojë nga “punët e kota” ose nga detyrat e taksave - gjëra që kërkojnë pak mendim dhe ofrojnë edhe më pak kënaqësi. Aq më mirë. Por, Kanti dhe bashkëkohësit e tij nuk e mbështetën arsyen mbi besimin vetëm që njerëzit të mund të sistemonin më mirë ose të kishin më shumë kohë të lirë. Mendimi kritik nuk kishte të bënte vetëm me efikasitetin - ishte praktikë e lirisë dhe emancipimit njerëzor.

Mendimi njerëzor është i çrregullt dhe plot gabime, por na detyron të debatojmë, të dyshojmë, të testojmë ide kundrejt njëra-tjetrës - dhe të njohim kufijtë e të njohjes tonë. Ndërton vetëbesimin, si individualisht ashtu edhe kolektivisht. Për Kantin, ushtrimi i arsyes nuk ishte kurrë vetëm për dije; ishte për t’ua mundësuar njerëzit të bëheshin veprues të jetës së tyre dhe të rezistojnë ndaj dominimit. Ishte për të ndërtuar një bashkësie morale të mbështetur në parimin e përbashkët të arsyes dhe debatit dhe jo në besimin e verbër.

Me gjithë përfitimet që sjell IA-ja, sfida është kjo: si mund të shfrytëzojmë premtimin e saj për inteligjencë mbinjerëzore, pa cenuar arsyen njerëzore - gurin themeltar të Iluminizmit dhe të vetë demokracisë liberale? Kjo mund të jetë një nga pyetjet më përcaktuese të shekullit XXI. Dhe, është një pyetje që nuk duhet t’ia delegojmë makinës. /Telegrafi/

Skena nga Seattle si në video-lojën GTA - këmbësori tërheq policin nga vetura dhe i vjedh automjetin zyrtar

26 December 2025 at 15:22


Skena që zakonisht shihet vetëm në video-loja u regjistrua të enjten në autostradën pranë Seattle të SHBA-së.

Në fakt, një burrë që po ecte si këmbësor vodhi një automjet zyrtar të një polici, raporton tmz.

Pamjet tregojnë këmbësorin duke u afruar tek automjeti zyrtar i policisë dhe pasi policja del nga vetura, ai e shtyn atë në tokë, hyn në automobilin e tij dhe largohet.

Automjeti u vodh rreth orës 12:30, ndërsa disa orë më vonë burri u arrestua.

Disa agjenci reaguan dhe ndoqën automjetin e patrullës së shtetit të Washingtonit për rreth 15 deri 20 minuta dhe e ndaluan në Lynnwood.

Ndryshe, mediat lokale raportuan se nuk pati të lënduar. /Telegrafi/

​Nesër votohet në 29 përfaqësi diplomatike të Kosovës në 18 shtete

26 December 2025 at 15:21


Më 27 dhjetor do të zhvillohet procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në 29 përfaqësi diplomatike të Kosovës në 18 shtete të ndryshme të botës.

Procesi i votimit do të nisë në orën 07:00 të mëngjesit në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Stamboll, e cila do të jetë përfaqësia e parë diplomatike që hap dyert për votim, ku janë të regjistruar paraprakisht 116 votues, raporton KosovaPress.

Pas Turqisë, votimi do të vazhdojë në 15 shtete të Evropës, ku janë të regjistruar gjithsej 17 mijë e 761 votues, përfshirë Gjermaninë, Zvicrën, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Belgjikën, Norvegjinë, Austrinë, Suedinë, Slloveninë, Danimarkën, Italinë, Kroacinë, Holandën, Republikën Çeke dhe Hungarinë.

Në fund, procesi i votimit do të zhvillohet edhe në kontinentin amerikan, për 1 mijë e 310 votues të regjistruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada. Për këtë qëllim, do të hapen përfaqësitë diplomatike në Uashington, Nju Jork, Otavë dhe Toronto.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka deklaruar për KosovaPress se për votimin në përfaqësi diplomatike janë organizuar gjithsej 40 vendvotime.

“Më 27 dhjetor, procesi i votimit në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës do të zhvillohet në 16 ambasada dhe 13 konsullata, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës. Nga 77,086 votuesit jashtë Kosovës, të drejtë vote në këto përfaqësi diplomatike kanë vetëm 19,187 shtetas të Kosovës, të cilët janë regjistruar paraprakisht dhe kanë përzgjedhur votimin fizik në këto 29 misione. Materialet zgjedhore janë dërguar në këto përfaqësi dhe ato janë gati për votuesit”, tha Elezi.

Ai ka bërë të ditur se në të njëjtën kohë kur përfundon votimi në përfaqësi diplomatike, do të përmbyllet edhe procesi i votimit përmes postës, i cili ka nisur rreth dy javë më parë dhe të gjitha votat e grumbulluara do të dërgohen në Kosovë për numërim.

“Para ditës së zgjedhjeve në Kosovë do të përfundojë edhe votimi jashtë vendit për rreth 57 mijë e 899 votuesit e regjistruar për të votuar përmes postës, proces i cili ka nisur më 16 dhjetor. Të gjithë këta votues, kanë pasur kohë 12 ditë që pakon me fletëvotim, të cilën e kanë pranuar nga KQZ, ta dërgojnë në ndonjërën nga kutitë postare të hapura në 23 shtete të ndryshme të botës, përfshirë dhe Kosovën. Fletëvotimet që i takojnë votimit në përfaqësi diplomatike dhe votimit me postë, do të tërhiqen dhe numërimi i tyre do të bëhet në Kosovë”, tha Elezi.

Sipas tij, është detyrim ligjor i KQZ-së që të gjithë shtetasit e Kosovës të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit të largohen nga lista e votuesve brenda Kosovës, e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve.

Ndërkaq, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, por që nuk janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, mbesin në listën e votuesve brenda Kosovës dhe mund të votojnë në vendvotimin e tyre, nëse ndodhen fizikisht në Kosovë në ditën e zgjedhjeve.

Nuk ka shpëtim për rusët - Ukraina përdor dronë të avancuar për goditje në frontin e Lymanit

26 December 2025 at 15:21


Forcat ukrainase kanë intensifikuar përdorimin e dronëve FPV për të goditur objektiva ushtarake ruse në zona të pyllëzuara.

Këta dronë, të drejtuar nga distanca, u mundësojnë njësive ukrainase të veprojnë me saktësi dhe shpejtësi të lartë.

Sipas raportimeve, sulmet janë përqendruar pranë vijave të frontit rreth Lymanit, një zonë me rëndësi strategjike.

Terreni i vështirë dhe mbulimi pyjor e bëjnë më të ndërlikuar lëvizjen e trupave në terren.

Situata tregon rritjen e rolit të teknologjisë së dronëve në konfliktin aktual.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022 duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale. /Telegrafi/

There is just no escape: Ukrainian FPV drones strike Russian troops near Lyman forests. pic.twitter.com/u9sxstq2yD
— Clash Report (@clashreport) December 26, 2025

Edhe në Tetovë nis vendosja e kamerave të sistemit "Safe City"

26 December 2025 at 15:19


Kamera nga sistemi "Safe City" ditëve të fundit janë vendosur edhe përgjatë rrugëve dhe bulevardeve të Tetovës. Në Tetovë, deri më tani nuk ka pasur kamera të tilla në rrugët e qytetit, por vetëm në hyrje të qytetit nga ana e Shkupit.

Kamerat janë instaluar në bulevardet "Ilinden" dhe "Vidoe Smilevski-Bato", por qytetarët thonë se kanë vënë re kamera të tilla edhe në vende të tjera.

Tetovarët shpresojnë që "Safe City" do të kontribuojë në rregullimin e trafikut kaotik në qytet.

Kamerat nga sistemi "Safe City" janë instaluar tashmë në Shkup dhe Kumanovë, si dhe në autostradat "Nëna Terezë" dhe "Miqësia".

Periudha e testimit filloi më 1 dhjetor, ndërsa sistemi zyrtarisht do të fillojë të funksionojë me gjoba më 1 shkurt. MPB raportoi se mbi 110,000 shkelje u regjistruan në 24 orët e para të periudhës së testimit.

Shkencëtarët rrëzojnë mitet rreth produkteve të nikotinës pa tym

26 December 2025 at 15:17


Duke pasur parasysh të gjitha sfidat që i sjell qëllimi i tillë global, më shumë se 550 delegatë ndërkombëtarë, ndër të cilët shkencëtarë, ekspertë shëndetësor, trupa rregullatore, përfaqësues të shoqatave dhe politikëbërës, u mblodhën në Samitin në Kolegjin Mbretëror të mjekëve në Londër. Samiti, si çdo vit, ofroi një hapësirë për diskutim konstruktiv mbi rregullimin e produkteve që përmbajnë nikotinë, dëshmitë për shëndetin publik dhe strategjitë e ardhshme për të luftuar pirjen e duhanit. Edhe pse vendi i takimit ishte Mbretëria e Bashkuar, diskutimet nuk u përqëndruan vetëm në kontekstin britanik: shumë panele shqyrtuan BE-në, Kanadanë, ShBA-të, Australinë dhe Zelandën e Re, rajone që kanë kaluar nëpër trazirat e tyre rregullatore vitet e fundit dhe po kërkojnë përgjigje për të njëjtat pyetje.

Një nga temat më interesante për publikun, siç janë keqkuptimet në lidhje me produktet e nikotinës, u prezantua nga Hayden McRobbie, Profesor i Shëndetit Publik në Universitetin Queen Mary në Londër, dhe studiuesi norvegjez Dr. Carl E. Lund, i cili ka qenë i përfshirë në disa padi kundër industrisë së duhanit gjatë gjithë karrierës së tij.

Transparenca mbi të gjitha

Prof. McRobbie zbuloi në prezantimin e tij se si perceptimi i rreziqeve që lidhen me produktet e nikotinës është larg asaj që konfirmohet nga dëshmitë shkencore. Të dhënat tregojnë se një numër i madh njerëzish besojnë se produktet e nikotinës janë po aq të dëmshme, nëse jo më të dëmshme, sesa pirja e duhanit. Ky trend është më i theksuar midis grupeve me shkallën më të lartë të pirjes së duhanit.

- Nëse njerëzit besojnë se produktet e nikotinës janë po aq të dëmshme ose më të dëmshme sesa pirja e duhanit, ata kanë më pak gjasa të kalojnë në këto alternativa - Prof. Mc Roby, duke paralajmëruar se dezinformimi dëmton strategjitë për të zvogëluar dëmet e pirjes së duhanit.

Sipas tij, rënia e besimit tek profesionistët e shëndetit është veçanërisht shqetësuese. Konkretisht, hulumtimet tregojnë se një në tetë qytetarë i besojnë industrisë së duhanit më shumë sesa mjekëve.

- Prandaj është e nevojshme të komunikojmë qartë atë që dimë, por po aq hapur të flasim për atë që ende nuk e dimë dhe kështu të shmangim moralizimin që pengon debatin publik racional - përfundoi Prof. Mc Roby.

Nga ana tjetër, studiuesi norvegjez Dr. Carl E. Lund, në ligjeratën e tij, theksoi një model historik që përsëritet për më shumë se një shekull: asnjë ndalim, penalizim apo kufizim rregullator, qoftë fizik, ekonomik apo social, nuk ka qenë në gjendje të eliminojë kërkesën për nikotinë. Duke iu referuar deklaratës së famshme të Michael Russell të vitit 1971: "Asnjë produkt nikotine nuk është zhdukur kurrë nga tregu pa u zëvendësuar nga një tjetër", Lund theksoi se nevoja për nikotinë nuk ka ndryshuar gjatë gjithë historisë, vetëm forma e përdorimit të saj.

Sipas Dr. Lund, historia e tregut norvegjez, i cili është zhvendosur në mënyrë ciklike nga përtypja e duhani në llullë, pastaj në duhan për mbështjellje, cigare, snus dhe tani qeset e nikotinës, tregon se ndalesat në të vërtetë nuk funksionojnë: në vend që të zvogëlojnë konsumin, ato vetëm i ridrejtojnë konsumatorët drejt produkteve të reja. Kjo është arsyeja pse, sipas Lund, rregullimi i produkteve të nikotinës duhet të bazohet në nivelin real të rrezikut dhe jo në idenë se është e mundur të eliminohet plotësisht përdorimi i nikotinës në shoqëri, sepse historia vërteton të kundërtën.

Mesazhi i përbashkët i dy shkencëtarëve është i qartë: tregu i nikotinës po lëviz më shpejt se kurrë dhe perceptimi publik po lëviz edhe më shpejt. Prandaj është thelbësore të ofrohet informacion i qëndrueshëm dhe i bazuar shkencërisht, të njihet ndryshimi midis dëmit relativ dhe absolut dhe të zhvillohen rregullore që ndjekin rreziqet reale, jo paragjykimet. Në një botë ku shprehitë e konsumit të nikotinës ndryshojnë vazhdimisht dhe boshllëku i komunikimit mbushet lehtësisht me dezinformata, kuptimi dhe shpjegimi i saktë i rreziqeve bëhet mjeti më i rëndësishëm i shëndetit publik.

Trajnim sfidues në xhunglën e Belizes, pjesëtarët e FSK-së kthehen me aftësi të avancuara operative në kushte ekstreme

26 December 2025 at 15:11


Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti sot kontingjentin e pjesëtarëve të Operacioneve Speciale që përfunduan me sukses trajnimin intensiv në xhunglat tropikale të Belize, në bashkëpunim me njësitë Parashutiste të Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Trajnimi, pjesë e programit përgatitor për operacione në mjedise të vështira dhe komplekse, kishte për qëllim zhvillimin e aftësive për mbijetesë, lëvizje taktike dhe operime efektive në kushte ekstreme.

Gjatë qëndrimit në xhungla, trupat u përballën me terren të dendur, klimë të ashpër dhe lodhje të vazhdueshme, duke testuar çdo aspekt të përgatitjes fizike dhe mendore.

Komandanti Jashari i përgëzoi pjesëtarët për performancën e treguar, duke theksuar rëndësinë e disiplinës, qëndrueshmërisë dhe bashkëpunimit në operacione të tilla,

“Ky trajnim sfidues dëshmon profesionalizmin dhe vendosmërinë e pjesëtarëve tanë, si dhe aftësinë për të vepruar në çdo mjedis operacional”, tha Jashari.

Sipas FSK-së, stërvitja e realizuar në Belize përforcoi bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përgatitjen e njësive për sfida të ndryshme operative, duke kontribuar në avancimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në mjedise të vështira. /Telegrafi/


Woltemade, gjiganti dy metra i cili u nënshkrua nga 'një idiot' dhe vlera e të cilit është rritur me 833% brenda një viti!

26 December 2025 at 15:10


Disa, si Karl-Heinz Rummenigge, menduan se ishte çmenduri. "E përgëzoj Stuttgartin që gjeti një idiot që do të paguante kaq shumë para për Woltemade", deklaroi legjenda e Bayern Munich me një sinqeritet të jashtëzakonshëm. Bayern, rastësisht, kishte bërë gjithashtu një ofertë për sulmuesin në afatin e verës. Fjalët e Rummenigges ishin të ashpra në përshkrimin e kalimit të sulmuesit gjerman në Newcastle verën e kaluar. Nënshkrimi i tij sigurisht që nuk la askënd indiferent.

Historia e Nick Woltemade, tani 23 vjeç, duket e pabesueshme. Të thuash se vlera e tij është rritur me 833% në vetëm një vit, sipas të dhënave të Transfermarkt, tingëllon si një përrallë. Megjithatë, është shumë reale.

Më 20 dhjetor 2024, ai luante për VfB Stuttgart, një ekip të cilit i ishte bashkuar si transferim i lirë nga Werder Bremen verën e kaluar, dhe vlerësimi i tij në fund të vitit të kaluar ishte 7.5 milionë euro. Tani, 12 muaj më vonë, ai është bërë transferimi më i shtrenjtë i të gjitha kohërave i Newcastle, me klubin që pagoi 85 milionë euro për shërbimet e tij - një marrëveshje që provokoi një reagim të zemëruar nga Rummenigge.

Vlerësimi i tij në Transfermarkt është rritur në 70 milionë euro, një rritje prej 62.5 milionë eurosh krahasuar me vitin e kaluar, që përkthehet në një shifër marramendëse prej 833%.

Ngritja e gjigantit Woltemade, i cili është gati dy metra i gjatë (198 centimetra për të qenë i saktë), ka qenë spektakolar në muajt e fundit. Ai e përfundoi sezonin e kaluar në Stuttgart me 17 gola në 33 paraqitje në të gjitha garat dhe më pas fitoi Këpucën e Artë në Kampionatin Evropian U-21, ku shënoi gjashtë gola.

Ai ishte tashmë në rrugën e tij për t'u bërë një yll. Por para kësaj, në sezonin 2023/24, gjërat nuk ishin shumë të mira: ai kishte shënuar vetëm dy gola në Bundesligë në 30 ndeshje për Werder Bremen, gjë që, megjithatë, nuk e pengoi Stuttgartin ta nënshkruante zyrtarisht atë në maj 2024. Është e vërtetë që ai mbërriti si transferim i lirë. Ai nënshkroi deri në vitin 2028, por koha e tij në Stuttgart ishte e destinuar të ishte e shkurtër.

"Nick demonstroi cilësitë e tij sezonin e kaluar dhe e vendosi veten në Bundesligë. Ai është një sulmues i fuqishëm, por edhe i aftë, zhvillimin e të cilit e kemi ndjekur nga afër. Jemi të bindur se Woltemade do të vazhdojë zhvillimin e tij pozitiv me ne dhe do të bëhet një lojtar kyç në sulmin tonë", ka thënë drejtori sportiv i VfB, Fabian Wohlgemuth dhe ai e bëri me të vërtetë mirë, pasi kjo është pikërisht ajo që ndodhi.

Sepse pastaj, ju e dini pjesën tjetër: një vit te Stuttgart, 17 gola dhe një transferim rekord te Newcastle. Një lëvizje që shkaktoi një ndryshim sizmik në treg. "Dua të vdes i lumtur për nënshkrimin e Woltemade", u ankua Klaus Filbry, drejtori i Werder Bremen. Fjalët e tij erdhën pasi u zbulua shuma e madhe e paguar për mbërritjen e sulmuesit në Ligën Premier dhe pasi klubi i tij, Werder Bremen, e kishte lënë të lirë sezonin e kaluar.

Pavarësisht humbjes së marrëveshjes, Filbry ishte i lumtur për Woltemade. "Urime Stuttgartit që nënshkroi një lojtar falas dhe e shiti atë një vit më vonë, pas 7 ose 8 muajsh, për 85 ose 90 milionë. Jam i lumtur për Nick. Ai është një djalë i shkëlqyer. Ne, në të njëjtën kohë, marrim një përqindje të tarifës së transferimit si një pagesë solidariteti", vazhdoi ai.

Aventura e sulmuesit gjerman në Ligën Premier po fillonte. Në fund të gushtit, më 30, transferimi i tij te Newcastle u bë zyrtar, duke shënuar fillimin e një kapitulli të ri për Wolterman. "Largimi nga Gjermania është një hap i madh në jetën time, por të gjithë më kanë pritur aq ngrohtësisht saqë tashmë ndihem si pjesë e familjes. Pasi fola me trajnerin, kam ndjesinë se ky është vendi ideal për të arritur potencialin tim të plotë", deklaroi gjermani pas mbërritjes në Angli.

Deri më tani, ai ka shënuar nëntë gola, shtatë në Ligën Premier, një në Ligën e Kampionëve dhe një në Kupën EFL, dhe ka dhënë dy asistime në 23 ndeshje në të gjitha garat me Newcastle.

Woltemade është një sulmues shumë i kompletuar. "Ai është i fortë në shumë aspekte, ka aftësi të shkëlqyera teknike dhe ka provuar të jetë një kërcënim i vërtetë në një nga ligat më të mira të Evropës, por ai është gjithashtu ende në një moshë ku ka shumë hapësirë për t'u zhvilluar dhe për t'u rritur këtu", tha Eddie Howe, trajneri i tij te Newcastle United, kur mbërriti sulmuesi gjerman.

Përveç një gjuajtjeje të fuqishme, ai ka aftësinë për të bërë vrapime pa top dhe vizionin për t'u kombinuar me shokët e ekipit . Është pikërisht kjo lehtësi e lidhjes me të tjerët që Howe, tani që e njeh më mirë, thekson: "Shumë herë ai është personi që bën pasimin për anësorët që ta marrin topin, kështu që përfshirja e tij pothuajse gjithmonë varet nga aftësia e tij për të arritur atë krosim”.

Rudi Voller, drejtor sportiv i Federatës Gjermane të Futbollit, ndan të njëjtin mendim. Edhe ai është një admirues i Nick dhe kënaqet duke e parë të luajë për ekipin kombëtar. "Është kënaqësi ta shohësh të luajë. Ai jo vetëm që shënon gola, por di edhe si të lidhet me shokët e ekipit, gjë që e bën edhe më të vlefshëm", tha ai verën e kaluar, kur Nick ishte golashënuesi më i mirë në Kampionatin Evropian U-21.

Duke parë performancën e tij në Ligën Premier, Voller shkon edhe më tej. "Tani askush nuk flet për 85 milionë eurot që paguan për transferimin e tij te Newcastle. Në fund, ishte praktikisht një marrëveshje e mirë [qesh]. Cilësia e tij është vërtet e jashtëzakonshme", tha Voller për Kicker disa ditë më parë.

Jeta e tij në Angli... me mikun e tij më të mirë

Përveç performancës së tij në fushë, Woltemade njihet si një lojtar i qetë në jetën e tij personale. Të paktën, kjo është ajo që thonë ata që e njohin. "Jashtë fushës, ai është shumë i mirë. Nuk duket i shqetësuar. Ka mbërritur në një vend tjetër dhe nuk ka shkaktuar ndonjë trazirë", komentoi Howe.

Bëri bujë të madhe në Angli fakti që Woltemade solli shokun e tij më të mirë për të jetuar me të. "Nuk e di pse të gjithë flasin për këtë. Mendoj se është normale kur mbërrin në një vend të ri", tha sulmuesi në një konferencë për shtyp kur u pyet për këtë. "Jam këtu vetëm, kështu që e pyeta shokun tim më të mirë: 'A do të vish me mua në Newcastle?'", shpjegoi lojtari me qetësi.

Meqenëse Nick rrallë jep diçka për të folur në jetën e tij personale, shtypi dëshiron ta dijë dhe madje e ka pyetur nëse ka takuar ndonjë vajzë në Angli deri më tani. "Jo, kam shumë ndeshje, kështu që nuk kam takuar askënd", u përgjigj sulmuesi me një buzëqeshje.
Ajo që Woltemade ka gjetur me siguri te Newcastle është suksesi në fushë. Kjo është arsyeja pse vlera e tij është 833% më e lartë se vitin e kaluar. E pabesueshme. /Telegrafi/

Dy qendërmbrojtësit që kryesojnë listën e dëshirave të Real Madridit

26 December 2025 at 15:09


I vendosur për të rritur nivelin e repartit defensiv, Real Madridi ka hartuar një listë kandidatësh ku spikasin emrat e francezit Jeremy Jacquet dhe gjermanit Nico Schlotterbeck.

Një nga objektivat kryesorë të Real Madridit për të ardhmen e afërt është përmbyllja e rinovimit të mbrojtjes.

Pas afrimit të të riut spanjoll Dean Huijsen, klubi madrilen synon të rikthehet në treg për të siguruar edhe një mbrojtës tjetër me garanci të plota.

Ditët e fundit, disa media kanë përmendur emrat e francezëve Dayot Upamecano (Bayern Munich, 27 vjeç) dhe Ibrahima Konate (Liverpool, 26), por realisht asnjëri prej tyre nuk ka shumë gjasa të zbarkojë në “Santiago Bernabeu”.

Sipas burimeve pranë klubit, të cituara nga ESPN, “transferimet e tyre janë praktikisht të përjashtuara”.

As Marc Guehi (Crystal Palace, 25) nuk konsiderohet si një profil plotësisht i përshtatshëm për madrilenët.

Edhe pse lojtari i përfundon kontrata në verë dhe e sheh me sy të mirë një transferim në kryeqytetin spanjoll, “nga Valdebebas nuk ka sinjale se do të bëhet një lëvizje konkrete për të”, thekson i njëjti burim.

Të preferuarit

Me këta emra të lënë mënjanë, në krye të listës së preferencave të klubit aktualisht qëndrojnë francezi Jeremy Jacquet (Rennes, 20 vjeç) dhe gjermani Nico Schlotterbeck (Borussia Dortmund).

Megjithatë, fakti që të dy kanë kontrata aktive e bën të vështirë realizimin e një transferimi në Madrid.

Paralelisht me këto analiza, drejtuesit e Real Madridit po ndjekin nga afër edhe ecurinë e Jacobo Ramon (20), i cili po zhvillohet te Como dhe mund të rikthehet në klub për shumën prej 8 milionë eurosh, të parashikuar në klauzolën e riblerjes.

Po ashtu, drejtoria dhe stafi teknik vazhdojnë të besojnë në progresin e talentit të akademisë, Joan Martinez (18). /Telegrafi/

Inspektorati Policor publikon bilancin e vitit, mbi 100 kallëzime penale dhe 129 rekomandime për suspendim

26 December 2025 at 15:06


Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka përmbyllur vitin 2025 me një aktivitet të lartë në monitorimin dhe mbikëqyrjen e punës së Policisë së Kosovës, duke u përqendruar në forcimin e integritetit dhe transparencës së shërbimit policor.

Sipas të dhënave të publikuara nga IPK, deri më 26 dhjetor, janë pranuar dhe menaxhuar gjithsej 2,480 ankesa nga qytetarët. Nga këto, 1,753 janë trajtuar si shkelje disiplinore dhe janë përcjellë për hetime të mëtejshme në Drejtorinë për Hetime të Brendshme, ndërsa 717 ankesa janë shqyrtuar për dyshimin e veprimtarisë penale.

Drejtori i IPK-së theksoi se: “Krahasuar me vitin 2024, kemi pranuar mbi 20% më shumë ankesa, gjë që tregon fuqizimin e besueshmërisë së qytetarëve në institucionin tonë dhe transparencën që ne ofrojmë në menaxhimin e çështjeve të policisë”.

Gjatë vitit, IPK ka ndërmarrë një sërë veprimesh konkrete, duke përfshirë 47 arrestime (41 punonjës të PK-së dhe 6 qytetarë), 129 rekomandime për suspendim, 2 rekomandime për transfer, si dhe dorëzimin e 110 kallëzimeve penale dhe 36 raporteve të veçanta në prokurori.

IPK ka raportuar se veprat penale më të shpeshta të trajtuara këtë vit përfshijnë keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, keqpërdorim të autoritetit zyrtar, rrezikim të trafikut publik, lëndim të lehtë trupor dhe kanosje.

Gjithashtu, gjatë vitit janë realizuar 12 inspektime – pesë të rregullta dhe shtatë të jashtëzakonshme – nga të cilat janë dhënë 76 rekomandime për përmirësimin e performancës policore. Inspektimet kanë përfshirë menaxhimin e punësimeve dytësore, reagimin ndaj thirrjeve të qytetarëve, përdorimin e teknologjisë në trafik, administrimin e automjeteve të sekuestruara dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe trafikimit me narkotikë.

IPK ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me qytetarët dhe institucionet lokale e ndërkombëtare, duke u përfshirë në partneritete rajonale dhe ndërkombëtare si Partneriteti Evropian Kundër Korrupsionit (EPAC), si dhe duke marrë pjesë në konferenca dhe punëtori të specializuara.

Në një prononcim zyrtar, drejtori i IPK-së shtoi: “Falënderim qytetarëve për bashkëpunimin. Ne mbetemi të përkushtuar në adresimin e shqetësimeve të qytetarëve dhe në zhvillimin e një shërbimi policor me integritet të lartë profesional dhe standarde evropiane”.

Raporti i plotë vjetor i IPK-së për vitin 2025 do të publikohet së shpejti, duke ofruar detaje shtesë mbi aktivitetet, inspektimet dhe masat e ndërmarra gjatë gjithë vitit. /Telegrafi/


Air Albania me licencë të pezulluar, por shitja e biletave “fantazmë” vazhdon

26 December 2025 at 14:56


Air Albania realisht sillet sikur nuk ekziston”, Kështu e përshkruan përvojën e tij Leonard Kurti, një qytetar që mbeti pa fluturim, pa sqarime dhe pa asnjë kontakt nga kompania ajrore muajin e shkuar, ndonëse kishte blerë biletë dhe ishte paraqitur në kohë në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

Ai së bashku me një mik kishin bileta për fluturimin Tiranë–Milano Malpensa. Në momentin që mbërritën në aeroport, në tabelën e nisjeve zbuluan se fluturimi ishte anuluar.

“U detyrova të blej një biletë tjetër me Ryanair për Bergamo, vetëm që të mos humbisja një vizitë mjekësore”, tregon Kurti për Faktoje.al.

Pas anulimit, ai tentoi të kontaktonte kompaninë përmes dhjetra emaileve dhe telefonatave. “Zero komunikim,” thekson ai.

Në udhëtimin e tij të radhës, po në muajin nëntor, ai vuri re se Air Albania kishte anuluar sërish fluturimin e radhës. “Një situatë e papranueshme”, përfundon Leonardi.

Por situata e Leonardit nuk ishte një rast i izoluar. Dëshmitë e dhjetëra qytetarëve për Faktoje.al konfirmojnë se Air Albania i ka përsëritur anulimet e fluturimeve në mënyrë sistematike, duke lënë udhëtarët në mes të aeroportit pa asnjë shpjegimdhe as kompensim.

Edhe rrjetet sociale të kompanisë janë mbushur me ankesa. Dhjetëra qytetarë kërkojnë llogari për fluturime të anuluara në postimet ku komentet lejohen. Në disa raste, si një video e publikuar më 29 nëntor në Instagram, komentet janë bllokuar.

Ndalim ligjor i panjoftuar

I pyetur nga Faktoje.al Aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” pohon se nuk ka njoftim për ndërprerje fluturimesh nga Air Albania.

“Ne jemi lajmëruar vetëm në rastet e kancelimeve në mënyrë që të bëhet njoftimi i pasagjereve”, sqaron Ornela Bego për Faktoje.al.

Mirëpo, anulimet e përjetuara nga udhëtarët nuk janë probleme operacionale. Ato janë pasojë e një ndalimi ligjor që nuk është bërë publik.

Që prej 3 dhjetorit 2025, Air Albania-s nuk lejohet të fluturojë. Megjithatë, ky informacion nuk është bërë publik as nga kompania, as nga Autoriteti i Aviacionit Civil.

Faktoje.al konfirmoi se licenca e operimit të Air Albania është pezulluar më 3 dhjetor, për shkak të pezullimit të Certifikatës së Operatorit Ajror.

Në përgjigjen zyrtare, Aviacioni Civil sqaron se pezullimi nuk ka një afat fiks përfundimi, por varet nga përmbushja e detyrimeve të kompanisë, për të cilat është përcaktuar një afat 6-mujor por nuk bëhët e qartë se cilat janë. Kjo nënkupton që Air Albania duhet t’i përmbuyshë detyrimet deri më 3 qershor të 2026.

“Marrja e vendimit të AAC-së për pezullimin e licencës nënkupton pezullimin e transportit ajror të pasagjerëve, mallrave dhe postës”, sqaron Aviacioni Civil.

Air Albania nuk i është përgjigjur kërkesës për informacion deri në publikimin e këtij shkrimi.

Shitja e biletave vazhdon

Ndërkohë që licenca është e pezulluar, Air Albania vazhdon të shesë bileta online.

Prej nëntorit, kompania ka ndërprerë një numër të madh destinacionesh ku operonte prej vitesh, përfshirë Vienën, Brukselin, Athinën, Bergamon, Bolonjën, Romën, Trevizon, Veronën, Gjenevën, dhe Ankaranë.

Në faqen zyrtare sot shfaqen vetëm dy linja: Tiranë–Milano dhe Tiranë–Stamboll. Për të dyja destinacionet ofrohen ende bileta në shitje, me data që shkojnë përtej periudhës kur kompania ka ndaluar së fluturuari.

Faktoje provoi të blinte një biletë vajtje-ardhje nga Tirana në Milano për datat 8–10 janar, por, gjatë testimit, blerja nuk mund të përfundonte.

Të dhënat nga Flightradar tregojnë se fluturimi i fundit drejt Milanos është realizuar më 17 nëntor, ndërsa ai drejt Stambollit më 2 dhjetor.

Por pavarësisht biletave në shitje, të dhënat nga flightradar tregojnë se fluturimi i fundit nga operatori kombëtar i fluturimeve ajrore për Milano është bërë më 17 nëntor.

Ndërsa fluturimi i fundit me Stambollin ka si datë 2 dhjetorin.

Dështim institucional

Misioni i Autoritetit të Aviacionit Civil është garantimi i një mjedisi aviacioni në përputhje me standardet ndërkombëtare, përmes monitorimit të vazhdueshëm dhe ndërveprimit me operatorët.

Por në rastin e Air Albania, institucioni ia lë “topin në derë” kompanisë dhe duke shmangur përgjegjësinë direkte ndaj publikut.

“Autoriteti i Aviacionit Civil ka marrë vendimet përkatëse për pezullimin e Certifikatës së Operatorit Ajror dhe Licencës së Operimit, për të cilat është vënë në dijeni operatori. Në bazë të këtyre pezullimeve operatori ndërmerr në mënyrë të pavarur masat përkatëse sipas detyrimeve ligjore”, thotë AAC për Faktoje.al

Për ekspertin e ekonomisë Eduard Gjokutaj kjo situatë përbën rrezik të drejtpërdrejtë për qytetarët.

“Autoritetet përgjegjëse duhet të ndërhyjnë urgjentisht për të mbrojtur konsumatorët dhe kreditorët, ndërsa kompania rrezikon mbyllje definitive. Ky rast ilustron nevojën për mbikëqyrje më të fortë të sektorit ajror shtetëror”, shprehet Gjokutaj.

Ndërsa Iris Zanaj, me profesion programues, shton se dëmi ekonomik ndaj udhëtarëve mund të ishte shmangur me mbylljen e ëebit të kompanisë.

“Problemi është që ata ende shesin bileta online dhe kush e di se ç’dëm ekonomik po bëhët. Duhet t’i dërgohet një kërkesë AKEP të bllokojë domainin”, sqaron Zanaj.

Deri në publikimin e këtij artikulli, AKEP nuk i është përgjigjur interesimit tonë mbi Air Albanian.

Përfundim

E themeluar në shtator të vitit 2018 si kompania kombëtare e fluturimeve, “Air Albania” u prezantua si projekti ku shteti do të ishte garant i interesit publik me 10 për qind të aksioneve përmes Albcontrolit, 41 për qind në duart e “MDN Investment” dhe 49 për qind nga Turkish Airlines, partneri strategjik që sipas qeverisë do t’i jepte siguri juridike, financiare dhe teknike ndërmarrjes.

Por në fund të nëntorit, bordi i Turkish Airlines njoftoi shkurtimisht se kishte vendosur të shesë të gjitha aksionet e tij në Air Albania, pa dhënë shpjegime për arsyet e largimit.

Sot, Air Albania është një kompani hije. Aktive në QKB, por pa bilance financiare prej 7 vitesh. Në kërkim të pasagjerëve, por pa avionë në ajër dhe pa partnerin strategjik Turkish Airlines që e braktisi investimin pa shumë bujë.

“Ëndrra që mori krahë” siç e quajti dikur kryeministri Edi Rama, ka mbetur në pistë, duke lënë pas një faturë financiare dhe morale që, si gjithmonë, po e paguajnë qytetarët.

❌
❌