Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 January 2026Telegrafi

Djegia e Kuranit në Gjakovë, reagon Bashkësia Islame

27 January 2026 at 19:53


Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka reaguar ashpër pas djegies dhe përdhosjes së Kuranit të Shenjtë në zonën e Çabratit në Gjakovë, duke e cilësuar aktin si vandal, kriminal dhe thellësisht shqetësues.

Në një deklaratë publike, Myftiu Tërnava tha se është i tmerruar dhe i tronditur nga ky veprim, i cili sipas tij është kryer me mision të qartë kriminal nga persona ende të panjohur.

Ai theksoi se një akt i tillë cenon rëndë vlerat universale humane dhe godet drejtpërdrejt parimet, traditën dhe identitetin e popullit shqiptar.

Sipas tij, populli shqiptar historikisht është identifikuar për harmoni, bashkëjetesë dhe mirëkuptim ndërfetar, si dhe për respektimin e besimit dhe traditës së tjetrit, veçanërisht në çështjet e ndjeshme që lidhen me fenë.

Myftiu i Kosovës ka shprehur shqetësimin se kohëve të fundit këto vlera janë vënë në shënjestër nga, siç i quajti ai, lëvizje të errëta që në emër të një “shqiptarie” të deformuar dhe të ashtuquajturit “kthim në rrënjë”, po promovojnë urrejtje, përçarje dhe dhunë.

Ai ka akuzuar individë dhe grupe të organizuara për përhapje të gjuhës së urrejtjes dhe thirrje për dhunë ndaj shqiptarëve të besimit mysliman, si dhe për cenim të trashëgimisë dhe kulturës islame.

Tërnava ka deklaruar se kjo propagandë e rrezikshme, sipas tij, në disa raste është përkrahur edhe nga persona me pozita akademike.

Djegien e Kuranit në Gjakovë, Myftiu e ka cilësuar si një akt alarmues që, sipas tij, vjen si pasojë direkte e ideologjive antishqiptare dhe antiislame, të cilat synojnë përçarjen dhe destabilizimin e shoqërisë.

Në fund, Myftiu Tërnava u ka bërë thirrje organeve kompetente shtetërore që të ndërmarrin veprime të menjëhershme ligjore ndaj autorëve të këtij akti, por edhe ndaj, siç u shpreh ai, ideatorëve dhe nxitësve të urrejtjes.

Ai ka kërkuar gjithashtu nga institucionet që të marrin masa konkrete për ruajtjen e kohezionit shoqëror, harmonisë ndërfetare dhe interesit të përgjithshëm të qytetarëve.

LSDM: Mbështesim protestat për rritje të pagës minimale

27 January 2026 at 19:47


LSDM mbështet protestën e punëtorëve dhe Lidhjes së Sindikatave për paga të denja dhe rritje të pagës minimale.

Nga LSDM thonë se qytetarët, punëtorët jetojnë vështirë, inflacioni dhe çmimet e rritura gërryejnë standardin e jetesës së punëtorëve, varfëria po rritet dhe pagat janë në ngecje.

"Qeveria e Mickoskit nuk ka para për të rritur pagën minimale, ka para vetëm për tendera. 161 tendera për një kompani, 51 tendera përmes komunave për një kompani tjetër, 9 milionë euro për tendera me dy punonjës, 1.2 milionë euro për tendera përmes Postës. Gjatë qeverisjes së LSDM-së, paratë përfunduan te qytetarët, ne e rritëm pagën minimale nga 8,000 denarë në mbi 20,000 denarë dhe pagën mesatare nga 22,000 denarë në mbi 42,000 denarë".

"Dhe si opozitë, LSDM qëndron në mbështetje të punëtorëve. LSDM propozoi Ligj për rritjen e pagës minimale, por qeveria e hodhi poshtë atë. Ne i dorëzuam Kuvendit zgjidhje ligjore dhe amendamente për rritjen e pagave në sektorë të ndryshëm, por qeveria e hodhi poshtë edhe atë", thonë nga LSDM.

Kristen Stewart nuk ka plane të qëndrojë në ShBA: Nuk mund të punoj lirshëm atje

27 January 2026 at 19:43


Regjisorja dhe aktorja Kristen Stewart ka thënë se nuk ka gjasa të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara ndërsa Donald Trump udhëheq vendin, duke përmendur klimën politike si arsyen e vendimit të saj.

Në një intervistë me gazetën londineze The Times, Stewart tha se "realiteti po shembet plotësisht nën drejtimin e Trump".

"Realiteti po shkatërrohet plotësisht nën Trumpin, por ne duhet të mësojmë nga qasja e tij dhe të formësojmë realitetin në të cilin duam të jetojmë", tha ajo.

Kur u pyet nëse planifikon të qëndrojë në SHBA ndërsa Trump vazhdon, ajo u përgjigj se po mendon të largohet nga atdheu i saj.

"Ndoshta jo. Nuk mund të punoj lirisht atje. Megjithatë, nuk dua të dorëzohem plotësisht. Do të doja të bëja filma në Evropë dhe pastaj t'ua imponoja amerikanëve", tha ajo.

Kështu, Stewart i bashkohet një numri të personazheve të famshëm që u larguan nga SHBA-të gjatë mandatit të dytë presidencial të Trump, përfshirë Ellen DeGeneres dhe Rosie O'Donnell.

Regjisori fitues i çmimit Oscar, James Cameron, gjithashtu bëri bujë në media pasi tha se me shumë gjasa nuk do të kthehej në SHBA, pasi ishte zhvendosur në Zelandën e Re për të punuar në ekskluzivitetin e filmave "Avatar".

Kristen Stewart ka gjithashtu mosmarrëveshje personale me Trump, i cili në vitin 2012 komentoi mbi jetën e saj private nëpërmjet Twitter-it dhe e inkurajoi partnerin e saj të atëhershëm Robert Pattinson ta linte. Stewart reflektoi mbi këto mesazhe disa vite më vonë në një intervistë me Variety.

"Ai ishte i zemëruar me mua dhe vërtet i fiksuar pas meje disa vite më parë, gjë që është çmenduri. As nuk mund ta imagjinoj. Në kuptimin e plotë të fjalës, as nuk mund ta imagjinoj. Është një ide aq e çmendur sa nuk dua ta besoj se po ndodh vërtet. Është çmenduri", tha Kristen Stewart në atë kohë. /Telegrafi/

Ndërron jetë Driton Aliu, zyrtar i Kabinetit të kryetarit të Gjilanit

27 January 2026 at 19:26


Driton Aliu, zyrtar i Kabinetit të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka ndërruar jetë.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, përmes një njoftimi, duke e quajtur të ndjerin mik të zemrës dhe bashkëpunëtor të afërt.

“Sot humba një mik të vërtetë dhe një bashkëpunëtor të përkushtuar. Dritoni nuk ishte vetëm pjesëtar i kabinetit tim, ai ishte mik i zemrës, njeri me zemër të madhe, gjithmonë pranë atyre që e donin. Ikja e tij e parakohshme lë një boshllëk të madh për të gjithë ne që e njohëm. Kujtimet dhe momentet që kaluam së bashku do të mbeten të paharrueshme përgjithmonë,” ka shkruar Hyseni.

Ai ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe të afërmit e Driton Aliut, duke shtuar se shpirti i tij u prehtë në paqe.


Ylli i Barcelonës: Ta krahasosh Yamalin me Messin është një çmenduri

27 January 2026 at 19:20


Mesfushori i Barcelonës, Dani Olmo, ka hedhur poshtë krahasimet mes talentit të ri Lamine Yamal dhe legjendës së klubit, Lionel Messi, duke i cilësuar ato si “çmenduri” dhe duke kërkuar që sulmuesi i ri të lejohet të ndjekë rrugën e tij.

Duke folur para përballjes vendimtare të Ligës së Kampionëve me Kopenhagën, Olmo theksoi presionin e jashtëzakonshëm që vjen nga krahasimi me një nga lojtarët më të mëdhenj në histori.

Olmo i ka pranuar aftësitë spektakolare dhe potencialin e jashtëzakonshëm të Yamalit, por ka theksuar se 18-vjeçari ka nevojë për hapësirë që të zhvillohet pa barrën e pritshmërive kolosale.

Ky qëndrim përkon me thirrjet e figurave të tjera të rëndësishme të futbollit, përfshirë Pep Guardiolën dhe Xavin, të cilët gjithashtu kanë mbështetur idenë që Yamal të lejohet të zhvillohet në mënyrë natyrale.

Pavarësisht fjalëve të kujdesshme të Olmos, krahasimet vazhdojnë të ushqehen nga ngritja e jashtëzakonshme e Yamalit.

Pasi debutoi me Barcelonën në moshën vetëm 15-vjeçare, Yamal ka thyer disa rekorde, përfshirë atë të golashënuesit më të ri në historinë e La Ligës.

Duke folur para përballjes me Kopenhagën, Olmo u pyet për Yamalin dhe krahasimet me Messin.

“Për rrugët nuk mund të thuhet asgjë, apo jo? Lamine ka rrugën e tij. Ai e di këtë. Ta krahasosh me Messin është çmenduri”.

“Edhe pse Lamine është spektakolar dhe na jep shumë, ai do të na japë edhe shumë më tepër në të ardhmen”.

“Ne jemi këtu për ta ndihmuar, për ta bërë më të mirë. Nëse ai luan mirë, skuadra do të fitojë. Është një gjë kolektive”, ka deklaruar spanjolli./Telegrafi/

Aksident tragjik në Rumani, mes viktimave edhe dy shqiptarë

27 January 2026 at 19:13


Genci Sadiku dhe Vasil Palo janë dy viktimat e aksidentit tragjik në Rumani.

Video që po bë xhiron e mediave europiane pasqyron një aksident të tmerrshëm rrugor në Rumani që ka tronditur mbarë Greqinë.

Është një furgon me tifozë të ekipit grek PAOK të Selanikut ,të cilët udhëtonin drejt Francës për të ndjekur ndeshjen kundër Lionit në Europa League, i cili siç duket përfshihet në një përplasje fatale në autostradën pranë qytetit Lugoj.

Bilanci është tragjik, 7 persona humbën jetën dhe 3 të tjerë mbetën të plagosur rëndë. Të gjithë udhëtarët ishin me nënshtetësi greke, të moshës 25 deri në 30 vjeç.

Pesë prej viktimave ishin nga Aleksandria e Imathias, dy nga Katerini, ndërsa tre nga Selaniku. Sipas informacioneve, ende të pakonfirmuara të paktën një prej viktimave thuhet se ishte shqiptar me origjinë nga Korça, me inicialet V.P.

Sipas autoriteteve rumune, furgoni tentoi të parakalonte një kamion-cisternë, por gjatë rikthimit në korsi u përplas fillimisht me të dhe më pas u hodh në krahun e kundërt të rrugës, ku u përplas me një kamion tjetër. Në aksident u përfshinë gjithsej katër mjete.

Gjashtë nga viktimat humbën jetën në vend, ndërsa një tjetër ndërroi jetë gjatë transportit drejt spitalit.

Dy nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike, ndërsa një i tretë ka dëmtime më të lehta dhe ishte ai që njoftoi autoritetet për aksidentin.

Helikopterët e emergjencës nuk mundën të ndërhyjnë për shkak të kushteve të këqija atmosferike, ndërsa të plagosurit u dërguan në spitalin e qytetit Lugoj.

Ministria e Jashtme e Greqisë dhe ambasada greke në Bukuresht ndodhen në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet rumune, për identifikimin e viktimave dhe mbështetjen e familjarëve. Klubi i PAOK ka shpallur zi dhe ka njoftuar se do të mbulojë të gjitha shpenzimet për kthimin e trupave dhe ndihmën ndaj të plagosurve.

Ndërkohë kërkesa për anulimin e ndeshjes nuk është pranuar nga federata europiane Futbollit, raporton tch.

LAMM: Për shkak të protestave janë bllokuar disa pika kufitare

27 January 2026 at 19:08


Për shkak të protestës nga shoferët e kamionëve, disa pika kufitare për hyrje dhe dalje nga vendi janë bllokuar.
Trafiku në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të lagura.

Nga 15.11.2025, filloi detyrimi ligjor për posedimin e detyrueshëm të pajisjeve dimërore në automjete, pavarësisht nga kushtet aktuale të motit. Ky detyrim do të zgjasë deri më 15.03.2026.

Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar. Në pikat kufitare në anën RMV, nuk ka vonesa më të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.

LAMM rekomandon një shpejtësi të rregulluar, respektim të sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhim të kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë - Veles, Mavrovë - Dibër - Strugë, Vinicë - Berovë dhe Koçan - Delçevë.

Republika më e vjetër në botë, më e vogël se një qytet – pa aeroport e autostrada, por më shumë turistë se banorë

27 January 2026 at 19:02


Pa infrastrukturë moderne, por me histori 1.700-vjeçare dhe miliona vizitorë çdo vit

Në një kohë kur shtetet garojnë për madhësinë e aeroporteve, gjatësinë e autostradave dhe numrin e banorëve, ekziston një vend që i sfidon plotësisht këto logjika. Pa aeroportin e vet, pa hekurudhë dhe pa autostrada, por me një histori më të gjatë se ajo e shumicës së mbretërive evropiane, San Marino çdo vit tërheq më shumë turistë sesa ka banorë.

I vendosur në shpatet e Apenineve dhe i rrethuar plotësisht nga Italia, San Marino është një nga shtetet më të vogla në botë, por edhe një nga më këmbëngulëset kur bëhet fjalë për ruajtjen e identitetit, traditës dhe lirisë.

Republika më e vjetër në botë, më e vogël se një qytet

Në një territor më të vogël se 62 kilometra katrorë, San Marino ruan një vazhdimësi shtetërore të pandërprerë prej më shumë se 1.700 vjetësh. Pikërisht për këtë arsye mban titullin e republikës më të vjetër ekzistuese në botë.

Edhe pse sot numëron pak më shumë se 30.000 banorë, ky shtet i vogël ka arritur për shekuj me radhë ta ruajë pavarësinë, edhe në periudha kur fuqi shumë më të mëdha zhdukeshin nga harta e Evropës, transmeton Telegrafi.

Shteti që u themelua nga një gurgdhendës

Sipas legjendës së rrënjosur thellë në identitetin e San Marinos, republika u themelua në fillim të shekullit IV nga Marinus, një gurgdhendës i krishterë nga ishulli Rab. Duke ikur nga persekutimet e perandorit romak Dioklecian, ai u strehua në malin Titano, ku mblodhi një komunitet të vogël njerëzish që kërkonin liri.

Sipas gojëdhënës, në çastet e fundit të jetës ai shqiptoi fjalinë që edhe sot konsiderohet themeli i shtetit: “Ju lë të lirë.”

Pikërisht kjo ide e lirisë u bë thelbi i shtetësisë së San Marinos dhe arsyeja pse kjo republikë nuk e humbi kurrë pavarësinë, as gjatë pushtimeve napoleonike, as gjatë bashkimit të Italisë në shekullin XIX.

Tri kullat që simbolizojnë lirinë

Simboli më i njohur i San Marinos janë tri kullat prej guri në majën e malit Titano – Gvajta, Çesta dhe Montale. Ato gjenden edhe në stemën dhe flamurin shtetëror, ndërsa dikur shërbenin si fortifikime dhe burgje.

Sot, këto kulla janë ndër atraksionet kryesore turistike. Nga muret e tyre, në ditë me mot të kthjellët, pamja shtrihet deri në Detin Adriatik. Besimi lokal thotë se tri kullat simbolizojnë lirinë, pavarësinë dhe qëndrueshmërinë, vlera që San Marino vazhdon t’i ruajë me përkushtim.

Shtet me dy krerë dhe pa një sundimtar të vetëm

San Marino ka një nga sistemet politike më të pazakonta në Evropë. Shtetin e udhëheqin njëkohësisht dy kapitenë-regjentë, të cilët zgjidhen për një mandat prej vetëm gjashtë muajsh.

Ky sistem daton që nga Mesjeta dhe është menduar për të parandaluar përqendrimin e pushtetit në duart e një personi të vetëm. Mesazhi është i qartë, pushteti është i përkohshëm, republika është e përhershme.

Pa ushtri, por me hark

Edhe pse nuk ka ushtri klasike, San Marino ka një gardë ceremoniale, përfshirë edhe Gardën e famshme të harkëtarëve. Harku ka qenë për shekuj simbol i mbrojtjes dhe rezistencës, ndërsa sot përfaqëson një pjesë të rëndësishme të identitetit shtetëror dhe trashëgimisë kulturore.

Ky shtet i vogël historikisht është mbështetur më shumë te diplomacia sesa te armët, gjë që ka rezultuar një strategji e suksesshme afatgjatë.

Më shumë turistë se banorë

San Marino nuk ka aeroport, stacion hekurudhor apo autostrada, por çdo vit tërheq shumëfish më tepër turistë sesa ka banorë. Vizitorët vijnë kryesisht nga qytetet e afërta italiane, por edhe nga e gjithë bota, të tërhequr nga kombinimi i pazakontë i historisë, peizazhit dhe simbolikës shtetërore.

Vendi është i njohur edhe për pullat postare dhe monedhat euro me motive të veta, të cilat janë ndër më të kërkuarat në Evropë.
Një tjetër kuriozitet – San Marino nuk ka pasur kurrë borxh publik në kuptimin klasik siç e njohin shtetet e mëdha, ndërsa papunësia prej vitesh është ndër më të ulëtat në rajon.

Shtet i vogël me mesazh të madh

San Marino dëshmon se madhësia e territorit nuk e përcakton rëndësinë e një shteti. Historia e tij, legjenda e lirisë dhe këmbëngulja për të ruajtur identitetin në hijen e fuqive të mëdha e bëjnë atë një fenomen unik në hartën evropiane.

Në një botë ndryshimesh të shpejta dhe rishikimesh të vazhdueshme të kufijve, kjo republikë e vogël kujton se disa vlera, si liria, vetëqeverisja dhe qëndrueshmëria, mund të zgjasin shekuj, pavarësisht numrit të banorëve apo kilometrave katrorë. /Telegrafi/

"Si mund ta lidhin me krim të organizuar", Artan Hoxha flet pas ekstradimit të djalit të tij në Kosovë

27 January 2026 at 19:02


Djali i gazetarit të njohur shqiptar Artan Hoxha, u arrestua të hënën, më 19 janar, në Tiranë, nën dyshimet për përfshirje në krim të organizuar, konkretisht trafikim të qenieve njerëzore.

Geri Hoxha dhe një person tjetër u shpallën në kërkim me urdhërarrest ndërkombëtar, me kërkesë të UNMIK.

Lidhur me rastin, Artan Hoxha ka folur për Klankosova duke thënë se ende nuk është i informuar për akuzat konkrete ndaj djalit të tij.

Ai shprehu shqetësim lidhur me akuzat, duke theksuar se në kohën kur pretendohet se janë kryer veprat, djali i tij ka qenë vetëm 13 vjeç.

“Ka disa ditë që ka ndodhur kjo, por unë ende nuk kam parë asnjë dokument apo vendim zyrtar. Është e çuditshme si mund të akuzohet një fëmijë për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Kam frikë se po më bëhet padrejtësi”, tha Hoxha.

Sipas gazetarit shqiptar, autoritetet në Kosovë kanë bërë kërkesë për ekstradim, por deri më tani nuk i është dorëzuar asnjë dosje apo dokumentacion zyrtar.

“Më kanë thënë se dokumentet do t’u përcillen autoriteteve shqiptare”, shtoi ai.

Hoxha po ashtu deklaroi se në momentin e arrestimit, djali i tij ishte duke shkuar në punë dhe se punon si laborant dentar.

Në xhep kishte vetëm 10 mijë lekë. Bashkë me të u arrestua edhe një shofer ambulance. Si mund të lidhet kjo me krim të organizuar?”, e ngriti si pyetje gazetari.

Në fund, Hoxha hodhi dyshime edhe për trajtimin e të birit, duke thënë se nuk i lejohet as kontakti minimal dhe se ka frikë për sigurinë e tij.

Edicioni i pestë i Ligës së Kombeve: Data e shortit, përballja e ndaluar dhe rivalët e fortë të Kosovë

27 January 2026 at 19:00


Edicioni i pestë i Ligës së Kombeve të UEFA-s do të nisë më 24 shtator 2026, duke shënuar vazhdimin e një gare që ka zëvendësuar ndeshjet miqësore dhe që njëkohësisht sjell përfitime financiare për federatat nacionale dhe vetë UEFA-n.

Liga e Kombeve përbëhet nga katër nivele, ndërsa Kosova për herë të parë në histori do të garojë në Ligën B, nivelin e dytë të kësaj gare.

Kjo u arrit vitin e shkuar, kur Kosova mposhti Islandën në play-off, duke siguruar vendin në Ligën B.

Nga Liga D në Ligën B – rrugëtimi i Kosovës

Në edicionin e parë (2018/19), Kosova ishte pjesë e Ligës D, niveli i katërt dhe i fundit. Më pas, për tri edicione radhazi, “Dardanët” garuan në Ligën C.

Promovimi në Ligën B për edicionin 2026/27 erdhi falë dy fitoreve në play-off ndaj Islandës, në mars të vitit të kaluar, një sukses historik për përfaqësuesen kosovare.

Shorti dhe vazot: Kosova në vazon e katërt

Shorti për edicionin e ri të Ligës së Kombeve do të hidhet më 12 shkurt në Bruksel. Kosova do të jetë në vazon e katërt, së bashku me Suedinë, Maqedoninë e Veriut dhe Irlandën e Veriut.

Vazoja 1: Skocia, Hungaria, Polonia, Izraeli

Vazoja 2: Zvicra, Bosnjë-Hercegovina, Austria, Ukraina

Vazoja 3: Sllovenia, Gjeorgjia, Irlanda, Rumania

Vazoja 4: Suedia, Maqedonia e Veriut, Irlandën e Veriut, Kosova.

Përballja e vetme e ndaluar, ndaj Bosnje-Hercegovinës

Kosova do të ketë në grup nga një përfaqësuese nga secila prej tri vazove të para. Përballja e vetme e ndaluar: Kosova – Bosnjë-Hercegovinë.

Sipas vendimeve të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, Kosova nuk mund të përballet me Bosnjë-Hercegovinën, ndonëse kjo e fundit ndodhet në vazon e dytë.

“Bazuar në vendimet e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, ekipet që nuk mund të jenë në një grup janë: Bosnjë-Hercegovina (Liga B, vazo 2) – Kosova (Liga B, vazo 4)”, thuhet në njoftimin zyrtar të UEFA-s.

Që nga viti 2016, UEFA ka ndaluar përballjet e Kosovës me Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën për arsye sigurie, ndërsa në vitin 2019 u ndaluan edhe ndeshjet Kosovë – Rusi.

Rumania dhe Ukraina, sfida potenciale me histori tensioni

Ndër përballjet potencialisht më të ndërlikuara për Kosovën janë ato me Rumaninë. Të gjitha ndeshjet e mëparshme mes dy përfaqësueseve janë shoqëruar me tensione politike dhe sjellje fyese nga tifozët rumunë, përfshirë thirrje provokuese edhe në Prishtinë.

Edhe ndeshjet e kaluara me Ukrainën kanë pasur elemente ndjeshmërie politike, çka e bën grupin e Kosovës potencialisht shumë interesant dhe delikat.

Datat e ndeshjeve dhe fokusi aktual i Kosovës

Ndeshjet e fazës së ligës do të zhvillohen nga 24 shtatori deri më 17 nëntor, me nga dy ndeshje në shtator, tetor dhe nëntor.

Megjithatë, aktualisht i gjithë fokusi i Kosovës është te play-offi për kualifikim në Kupën e Botës 2026. Më 26 mars, “Dardanët” luajnë ndaj Sllovakisë në Bratislavë në gjysmëfinale, ndërsa në rast fitoreje, më 31 mars do të përballen me Turqinë ose Rumaninë në finale.

Fituesi i finales siguron biletën për Botërorin 2026, që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Ligë më lart se Sllovakia, konkurrencë më e fortë

Derisa Kosova do të garojë në Ligën B, Sllovakia mbetet në Ligën C, çka do të thotë se nuk mund të ketë përballje mes dy përfaqësueseve në Ligën e Kombeve.

Në Ligën B, ku do të garojë Kosova, ndodhen përfaqësuese shumë më të forta, duke e bërë këtë edicion një sfidë të madhe, por edhe një test real për nivelin e “Dardanëve”. /Telegrafi/

Pse Netanyahu ngjiti shirit mbi kamerat e telefonit të tij?

27 January 2026 at 18:56


Një foto e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ku shihet duke folur në telefon, ka nxitur një valë pyetjesh dhe spekulimesh në internet, pasi kamera e telefonit të tij ishte e mbuluar me shirit ngjyrë të kuqe.

Sipas raportimeve, fotografia është bërë në një parkim nën tokë në Knesset (parlament) të Jerusalemit, ku Netanyahu dukej duke folur në telefon, të cilit i kishin mbuluar lente dhe sensorë të kamerës me një shirit të trashë të kuq, raportojnë mediat.

Ekspertët dhe zëra në internet sugjerojnë se mbulimi i kamerës me shirit është një masë e sigurisë e përdorur në zona qeveritare të kufizuara për të parandaluar regjistrimin e paautorizuar të informacionit të ndjeshëm — që do të thotë se ajo fizikisht mbyll lente kamerash në mënyrë që askush të mos mund të filmojë apo të kapë imazhe nga pajisja.

— (@)

Shiritat e tilla “të dukshëm për manipulim” janë krijuar që çdo përpjekje për të hequr shiritin të lërë dëshmi të dukshme, duke zbatuar rregullat strikte të ndalimit të fotografimit në ambiente me siguri të lartë.

Disa lavdërojnë kujdesin e tij, ndërsa të tjerë kritikojnë ironinë që një lider i një prej vendeve më të avancuara teknologjikisht ndjehet i detyruar të përdorë shirit për privatësinë e tij.

Në internet u ngritën edhe pikëpyetje për llojin e telefonit që përdor Netanyahu, me disa sugjerime se mund të jetë një iPhone, por ky detaj mbetet pjesë e spekulimeve dhe debatit. /Telegrafi/

Rënia e flokëve shpesh është pasojë e modelit të gabuar të flokëve – këto janë zgjedhjet më të këqija

27 January 2026 at 18:36


Ekuilibri është çelësi: ndryshoni modelet e flokëve dhe më shpesh lërini të bien lirshëm

Kombinimi i ajrit të ftohtë, ngrohjes qendrore dhe mbajtjes së kapelës mund të rezultojë me flokë pa jetë dhe pa shkëlqim. Zbokthi është një problem i shpeshtë në këto kushte, ndërsa shkaktarë kryesorë janë gabimet e përditshme, higjiena e dobët, larja e parregullt e flokëve, përdorimi i tepruar i shamponëve të fortë, pajisjeve për stilizim, por edhe modelet e flokëve.
Shfaqen dhimbje, irritim dhe kruarje.

Dermatologia dr. Vanita Ratan thotë se edhe modeli i flokëve, si dhe mënyra se si i krehim, mund të jenë burim problemesh. Flokët e stilizuara në bisht të ngritur lart janë një nga zgjedhjet më të këqija.

– Tërheqja e vazhdueshme e flokëve në bishta të shtrënguar, topuzë apo gërsheta krijon presion të fortë në skalp. Stresi mekanik mund të kufizojë qarkullimin normal të gjakut dhe të shkaktojë inflamacion të folikulave, si dhe ndjesi dhimbjeje, irritimi dhe kruarje, shpjegon dr. Ratan. Të gjitha këto mund të çojnë në zbokth të pakëndshëm dhe nevojë edhe më të madhe për kruarje, transmeton Telegafi.

Cilat modele flokësh nuk rekomandohen

Flokët e shtrënguar fort, edhe pse shpesh janë zgjidhja më e shpejtë për një pamje elegante, jo gjithmonë janë zgjedhja më e mirë, sepse mund të shkaktojnë komplikime shtesë.

– Nëse ky model flokësh përdoret çdo ditë, me kalimin e kohës mund të dëmtohet barriera mbrojtëse e skalpit, të përshpejtohet tharja e flokëve dhe të theksohet zbokthi, thekson dr. Ratan, duke shtuar se ky lloj stilizimi lidhet edhe me alopecinë traksionale, pra rënien e flokëve si pasojë e tërheqjes së zgjatur të fijes së flokut.

Më së shpeshti vërehet te personat që mbajnë bisht të lartë dhe të shtrënguar, topuzë, gërsheta, dredha apo ekstensione. Gjendja zakonisht është e përkohshme, por mund të çojë edhe në dëmtim të përhershëm të folikulave të flokut.

Ekuilibri është thelbësor

Dr. Ratan shpjegon se modelet e preferuara të flokëve mund të mbahen ende, por me më shumë kujdes.

– Ekuilibri është çelësi: ndryshoni modelet e flokëve dhe më shpesh lërini të bien lirshëm. Stilizoni flokët me goma të buta, të veshura me material tekstili, të cilat reduktojnë presionin dhe fërkimin, këshillon dr. Ratan. /Telegrafi/

Janë kokëfortë, shenjat e zodiakut që nuk i dëgjojnë kurrë këshillat e të tjerëve

27 January 2026 at 18:36


Ka njerëz që gjithmonë do t'i dëgjojnë mendimet e të tjerëve, por në fund ata prapë do të bëjnë atë që duan. Për ta, këshilla shërben më shumë si informacion sesa si udhëzim, dhe përvoja e tyre ka përparësi mbi paralajmërimet e të tjerëve.

Ky qëndrim shpesh përshkruhet si kokëfortësi - një tipar që mund të jetë si pikë e fortë ashtu edhe dobësi. Në astrologji, shenja të caktuara të zodiakut shoqërohen më shpesh me bindjen se ato e dinë më mirë se çfarë të bëjnë. Më poshtë, paraqesim shenjat e zodiakut që rrallë pranojnë këshilla nga të tjerët.

Dashi

Dashi njihet për impulsivitetin e tij dhe nevojën për të vepruar menjëherë. Shpesh i percepton këshillat e të tjerëve si ngadalësim ose ndërhyrje në planet e tij. Ndërsa dëgjon me mirësjellje, rrallë ndryshon një vendim që e ka marrë tashmë.

Kokëfortësia e tyre buron nga një besim i fortë në instinktet e tyre. Dashi beson se të mësuarit është më i miri përmes përvojës personale, edhe nëse kjo do të thotë përsëritja e të njëjtave gabime.

Luani

Luanët pëlqejnë të jenë ata që udhëheqin, jo ata që ndjekin udhëzimet. Ata e kanë të vështirë të pranojnë këshilla sepse shpesh i shohin si kritikë ose dyshim në aftësitë e tyre. Vetëbesimi i tyre i bën të bindur se dinë çfarë po bëjnë, pavarësisht nga mendimet e atyre përreth tyre.

Ndërsa mund t’i vlerësojnë sugjerimet me qëllime të mira, Luanët rrallë do të lejojnë që dikush tjetër të marrë vendime për ta. Në fund të fundit, ata gjithmonë do të ndjekin ndjenjat dhe vizionin e tyre.

Demi

Demët janë jashtëzakonisht kokëfortë dhe nuk i pëlqejnë ndryshimet, veçanërisht nëse vijnë nga jashtë. Pasi të kenë vendosur, është e vështirë t'i bindësh të marrin në konsideratë një qasje të ndryshme. Ata shpesh i injorojnë këshillat sepse kjo prish ndjenjën e tyre të stabilitetit.

Kokëfortësia e tyre nuk është e papritur, por këmbëngulëse. Demi do të qëndrojë me qetësi, por me këmbëngulje në qëndrimin e tij, edhe kur ata përreth tij përpiqen t'u tregojnë zgjidhje të tjera.

Akrepi

Akrepët i besojnë gjykimit të tyre më shumë se të tjerëve. Ata rrallë kërkojnë këshilla, dhe madje edhe më rrallë i ndjekin ato. Ata besojnë se të tjerët nuk e shohin pamjen e përgjithshme ose motivet e fshehura, prandaj mbështeten vetëm te vetja.

Kokëfortësia e tyre shpesh vjen nga nevoja për kontroll. Akrepët duan të ndihen sikur janë përgjegjës për vendimet e tyre, pa ndikim të jashtëm.

India ul tarifat për makinat evropiane, por jo për të gjitha modelet

27 January 2026 at 18:30


India po përgatitet të ulë ndjeshëm tarifat doganore për makinat e prodhuara në Bashkimin Evropian, duke i zbritur ato nga 110% në 40%, në kuadër të një marrëveshjeje tregtare.

Sipas propozimit aktual, lehtësimi do të zbatohet për deri në 200 mijë automjete në vit me motorë me djegie, ndërsa me kalimin e kohës tarifa pritet të ulet gradualisht deri në 10%.

Për të mbrojtur prodhuesit vendas si Mahindra & Mahindra dhe Tata Motors, automjetet elektrike me bateri do të përjashtohen nga këto ulje për pesë vitet e para.

Pas kësaj periudhe, edhe makinat elektrike evropiane do të përfshihen në skemën e reduktuar të tarifave.

Lehtësimi do të vlejë vetëm për automjete me çmim mbi 15 mijë euro, duke synuar të shmangë konkurrencën direkte me markat masive lokale si Maruti Suzuki.

India është aktualisht tregu i tretë më i madh në botë për shitjet e makinave të reja, por markat evropiane përbëjnë më pak se 4% të tregut. Vitin e kaluar u shitën rreth 4.4 milionë automjete, ndërsa parashikimet flasin për rritje deri në 6 milionë deri në vitin 2030. /Telegrafi/

“Business class” me këmbë në sedilje - incidenti i çmendur në fluturimin Doha–Moskë

27 January 2026 at 18:28


Një incident është regjistruar në një fluturim të Qatar Airways nga Doha drejt Moskës.

Aty, një pasagjere shkaktoi kaos duke vendosur këmbët mbi sediljen e pasagjeres përpara saj.

Sipas dëshmitarëve, ajo përdori këmbët për të tundur sediljen dhe madje i përplasi atletet mbi kokën e gruas që po përpiqej të punonte në laptop.

Pasagjerë të tjerë ironizuan situatën duke e quajtur “business class” dhe “discomfort class”.

Një anëtare e ekuipazhit ndërhyri disa herë për ta bindur pasagjeren të respektonte rregullat.

Por vetëm pas një kohe, ajo pranoi të ulte këmbët, duke i dhënë fund incidentit. /Telegrafi/

Një propozim dashurie pritet të ndodhë sonte në Big Brother VIP Albania 5

27 January 2026 at 18:26


Pas 38 ditësh qëndrimi në shtëpinë e “Big Brother VIP”, loja po hyn në një fazë vendimtare, ku emocionet dhe surprizat pritet të kulmojnë.

Spektakli i sontëm paralajmërohet të sjellë zhvillime të forta, ndërsa një moment i veçantë pritet të ndryshojë rrjedhën e lojës: një propozim dashurie, pas të cilit asgjë nuk do të jetë më njësoj.

Në një klimë të tensionuar, ku dy zarfe të zinj pritet të hyjnë në shtëpi dhe të tronditin banorët, duke çuar deri në anulimin e televotimit, Vëllai i Madh do të marrë vendime të rëndësishme.

Por përtej këtyre lëvizjeve drastike të lojës, vëmendja kryesore do të përqendrohet te një hap emocional që pritet të surprizojë jo vetëm banorët, por edhe publikun.

Propozimi i dashurisë pritet të ndezë reagime të forta brenda shtëpisë, duke ngritur pikëpyetje mbi sinqeritetin e ndjenjave dhe ndikimin që ky veprim do të ketë në strategjitë e lojës.

A bëhet fjalë për një ndjenjë të vërtetë që del në pah mes presionit të madh, apo për një lëvizje që do të përdoret si avantazh në lojë? Këto dilema pritet të marrin përgjigje gjatë spektaklit.

Të gjitha këto zhvillime, përfshirë vendimin e Vëllait të Madh dhe momentin e shumëpritur të propozimit, do të zbulohen sonte në spektaklin e madh, që transmetohet në Top Channel, në DigitAlb përmes dy kanaleve të dedikuara “Big Brother VIP 1” dhe “Big Brother VIP 2”, si dhe në kanalin zyrtar të Top Channel në YouTube. /Telegrafi/

Real Madridi përshpejton bisedimet për transferimin e yllit të Bayern Munich

27 January 2026 at 18:26


Real Madridi kanë rritur ndjeshëm intensitetin e përpjekjeve për të siguruar një mbrojtës qendror të ri këtë verë, teksa përballen me pasiguri lidhur me opsionet aktuale në prapavijë. Ende nuk është e qartë se cilin profil do të zgjedhin përfundimisht.

E ardhmja e Antonio Rudiger mbetet e paqartë, pasi drejtuesit e klubit nuk janë të bindur se problemet e shpeshta me dëmtimet do t’i lejojnë atij të konsiderohet një opsion i besueshëm në vazhdimësi.

David Alaba tashmë hyn në këtë kategori, dhe Real Madridi pritet t’i urojë sukses në fund të kontratës së tij këtë verë.

Për më tepër, problemet e vazhdueshme fizike të Eder Militao bëjnë që ai të mos jetë më një garanci e plotë për klubin madrilen.

Sipas Cadena SER, Real Madridi ka shtuar urgjencën në bisedimet me mbrojtës që do të mbeten pa kontratë gjatë verës, duke e konsideruar përforcimin e repartit defensiv si prioritet kryesor.

Pavarësisht se disa muaj më parë ishte deklaruar se Ibrahima Konate nuk ishte në planet e klubit, mbrojtësi i Liverpoolit përmendet tani së bashku me Dayot Upamecano të Bayern Munich si dy lojtarë me të cilët Real Madridi është në kontakt.

Upamecano ka aktualisht një ofertë rinovimi nga Bayerni, por ka vonuar nënshkrimin e kontratës.

I njëjti burim shton se ekziston edhe një mbrojtës i dytë nga Bundesliga, për të cilin klubi madrilen ende nuk është plotësisht i bindur, por me të cilin ka rifilluar bisedimet.

Mbrojtësi i Borussia Dortmundit, Nico Schlotterbeck, është lidhur fort me Real Madridin në mediat gjermane, megjithatë raportimet nga Spanja kanë pohuar se klubi nuk po ndjek aktualisht gjermanin./Telegrafi/

Gratë e reja nuk e presin kancerin e gjirit, por hormonet, stresi dhe gjenetika nuk njohin moshë: Po nëse megjithatë ndodh?

27 January 2026 at 18:25


Çfarë duhet të dini për rrezikun, diagnostikimin dhe mbrojtjen e hershme

Gratë e reja zakonisht nuk mendojnë për kancerin e gjirit. Edhe vetë statistikat tregojnë se më pak se 7 për qind e të gjitha rasteve të kancerit të gjirit shfaqen te gratë nën moshën 40 vjeç. Megjithatë, kanceri i gjirit mund të zhvillohet në çdo moshë dhe është e rëndësishme të jeni të vetëdijshme për faktorët e rrezikut, pavarësisht moshës.

Cilët faktorë e rrisin rrezikun për kancerin e gjirit

Diagnoza e kancerit të gjirit te gratë e reja është padyshim një informacion tronditës, por duhet ditur se trajtimet inovative të kancerit të gjirit, së bashku me diagnostikimin e hershëm, prej kohësh po ndryshojnë statistikat negative, falë një qasjeje gjithnjë e më të personalizuar në diagnostikim dhe trajtim.

Ja disa nga faktorët që e rrisin rrezikun:

• histori personale e kancerit të gjirit ose e disa sëmundjeve jo kanceroze të gjirit
• histori familjare e kancerit të gjirit, veçanërisht te nëna, vajza ose motra
• histori e rrezatimit të kraharorit para moshës 40 vjeç
• prania e dëmtimeve të caktuara gjenetike, si mutacionet BRCA1 ose BRCA2
• ardhja e menstruacioneve të para para moshës 12 vjeç
• te disa gra, mosha në të cilën kanë lindur fëmijën e parë

Faktorë të tjerë rreziku përfshijnë përdorimin e tepruar të alkoolit, konsumimin e lartë të mishit të kuq, indin e dendur të gjirit dhe obezitetin. Disa studime sugjerojnë se përdorimi i pilulave kontraceptive gjatë 10 viteve të fundit e rrit lehtë rrezikun e zhvillimit të kancerit të gjirit. Megjithatë, studime të tjera nuk tregojnë një efekt të tillë.

Terapia hormonale zëvendësuese me estrogjen dhe progestinë lidhet me një rrezik të shtuar për zhvillimin e kancerit të gjirit, transmeton Telegrafi.


Në çfarë dallon kanceri i gjirit te gratë e reja?

Diagnostikimi i kancerit të gjirit te gratë nën moshën 40 vjeç është më i vështirë, sepse indi i gjirit te to zakonisht është më i dendur se te gratë më të moshuara. Deri në momentin kur një nodus në gji mund të preket me dorë, kanceri mund të ketë arritur tashmë një fazë të avancuar.

Përveç kësaj, kanceri i gjirit te gratë e reja mund të jetë më agresiv dhe me reagim më të dobët ndaj terapisë. Gratë te të cilat kanceri diagnostikohet në moshë të re kanë gjithashtu më shumë gjasa të jenë bartëse të mutacioneve të gjeneve BRCA1 ose BRCA2.

Vonesa në diagnostikim mund të shkaktojë probleme serioze. Shumë gra të reja i injorojnë shenjat paralajmëruese, si një nodus në gji ose rrjedhje të pazakontë nga thithka, sepse besojnë se janë shumë të reja për të pasur kancer gjiri. Shpesh supozojnë se nodusi është një ciste e padëmshme ose një formacion tjetër beninj.

A duhet gratë nën moshën 40 vjeç të bëjnë mamografi?

Në përgjithësi, mamografitë e rregullta nuk rekomandohen për gratë nën moshën 40 vjeç, pjesërisht sepse indi i gjirit është më i dendur, gjë që e bën mamografinë më pak efektive. Shoqata Amerikane për Luftën kundër Kancerit rekomandon që gratë e moshës 40 deri në 44 vjeç të kenë mundësinë të vendosin vetë nëse duan të fillojnë skriningun vjetor me mamografi. Gratë nga 45 deri në 54 vjeç duhet të bëjnë mamografi çdo vit, ndërsa gratë 55 vjeç e lart duhet të vazhdojnë me mamografi çdo 1 deri në 2 vjet.

Shumica e ekspertëve mendojnë se rreziku i ulët në moshë të re nuk e justifikon ekspozimin ndaj rrezatimit, as kostot e mamografisë. Megjithatë, mamografia mund t’u rekomandohet grave më të reja që kanë histori familjare të kancerit të gjirit ose faktorë të tjerë rreziku.


Cila është mënyra më e mirë e skriningut të kancerit të gjirit te gratë e reja?

Shoqata Amerikane për Luftën kundër Kancerit (ACS) rekomandon që të gjitha gratë ta njohin pamjen dhe ndjesinë e gjinjve të tyre dhe çdo ndryshim ta raportojnë te mjeku. ACS thekson se studimet nuk kanë treguar një përfitim të qartë nga vetëkontrolli i rregullt i gjinjve.

Kontrollet klinike të rregullta të gjinjve, të kryera nga mjeku, rekomandohen të paktën çdo 3 vjet, duke filluar nga mosha 20 vjeç. Organizatat profesionale nuk pajtohen plotësisht se kur gratë duhet të fillojnë mamografitë, prandaj është e rëndësishme të flisni me mjekun për atë që është më e mira për ju. Grupi Amerikan për Shërbime Parandaluese Shëndetësore rekomandon skrining çdo 2 vjet nga mosha 50 deri në 74 vjeç, si dhe që vendimi për fillimin e mamografive vjetore para moshës 50 vjeç të jetë individual.

Bisedoni me mjekun tuaj për kohën kur duhet të filloni mamografitë. Te gratë e reja, mamografia digjitale mund të jetë një alternativë ndaj mamografisë standarde, pasi zbulon më mirë parregullsitë në indin e dendur të gjirit.

Si trajtohet kanceri i gjirit te gratë e reja?

Vendimet për trajtim merren në bazë të faktit nëse kanceri është përhapur jashtë gjirit, si dhe gjendjes së përgjithshme shëndetësore të gruas dhe rrethanave të saj personale. Mundësitë e trajtimit përfshijnë: Kirurgjinë: lumpektominë (heqjen e tumorit dhe një pjese të indit përreth) ose mastektominë (heqjen e të gjithë gjirit). Rrezatimi zakonisht aplikohet pas lumpektomisë. Kimioterapia dhe terapia hormonale shpesh rekomandohen pas operacionit për të shkatërruar qelizat e mbetura të kancerit dhe për të parandaluar rikthimin e sëmundjes.

Trajtimi i kancerit të gjirit mund të ndikojë në seksualitet, fertilitet dhe shtatzëni. Nëse dëshironi të keni fëmijë, bisedoni me mjekun tuaj para se të filloni terapinë. /Telegrafi/

BE ndan 171 milionë euro për Ballkanin Perëndimor, Kosova mbetet jashtë fondeve

27 January 2026 at 18:25


Komisioni Evropian ka njoftuar për mbështetje prej 171 milionë eurosh për nxitjen e zhvillimit të infrastrukturës dhe rritjes së sektorit privat në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, nga këto fonde nuk do të përfitojë Kosova.

“Sa i përket Kosovës, ajo ende nuk ka përmbushur kushtet ligjore për të pranuar pagesa, pasi që ende nuk ka ratifikuar Marrëveshjen e Kredisë dhe Fondeve në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor. Prandaj, Kosova nuk mund të përfitojë nga fondet e këtij instrumenti. Ne shpresojmë se kjo çështje të zgjidhet shpejt”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KE-së, Guillaume Mercier.

Nga kjo shumë e ndarë për nxitje të zhvillimit në Ballkanin Perëndimor, 94.7 milionë euro janë të dedikuara për investime infrastrukturore, 76.3 milionë euro për mbështetjen e sektorit privat, ndërsa 2.9 milionë euro janë ndarë për katër projekte të asistencës teknike në Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë.

Këto projekte janë të orientuara drejt përgatitjes së investimeve të ardhshme në sektorët e energjisë, furnizimit me ujë, inovacionit dhe kërkimit.

Sipas njoftimit të KE-së, fondet e ndara për projektet infrastrukturore pritet të mobilizojnë gjithsej 263 milionë euro investime përmes shtatë projekteve në sektorë me prioritet, përfshirë digjitalizimin, energjinë e pastër, kapitalin njerëzor, transportin dhe mbrojtjen e mjedisit.

Projektet përfshijnë vendosjen e infrastrukturës së internetit me brez të gjerë në Shqipëri, përmirësimin e sistemit të transmisionit të energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut, si dhe ndërtimin dhe rinovimin efikas energjetik të objekteve arsimore në Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi.

Sipas KE-së, projektet do të zbatohen nga partnerët e Ballkanit Perëndimor në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare.

“Investimi te partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor është thelbësor për afrimin e tyre me Bashkimin Evropian. Më shumë se dy vjet pas miratimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, kemi punuar – përfshirë edhe përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor – për t’i shndërruar zotimet në veprime konkrete. Nga përmirësimi i infrastrukturës deri te forcimi i zhvillimit të biznesit, këto investime krijojnë mundësi reale për qytetarët dhe e bëjnë BE-në një realitet të prekshëm në mbarë rajonin”, tha përmes një deklarate komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, njofton rel.

Paketa e re e mbështetjes përfshin kontribute investuese nga disa burime financimi të BE-së, përfshirë Instrumentin për Ndihmë të Para-Anëtarësimit (IPA), donatorët bilateralë përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, si dhe Instrumentin për Reforma dhe Rritje.

“Paketa e sotme e financimit përfshin projekte investimi dhe projekte të asistencës teknike që u miratuan sot, duke forcuar më shumë përkushtimin e BE-së ndaj rritjes së qëndrueshme dhe ndërlidhjes rajonale në Ballkanin Perëndimor”, tha KE-ja.

Pas miratimit nga Bordi Operativ i Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, projektet mund të kalojnë në fazën e zbatimit. Kjo nënkupton finalizimin e marrëveshjeve të nevojshme me institucionet partnere dhe përfituesit, nisjen e studimeve përgatitore për aktivitetet e asistencës teknike dhe përfundimin e procedurave të domosdoshme për realizimin e projekteve të sektorit privat. Pas përmbylljes së këtyre proceseve, mund të fillojë zbatimi i investimeve që mbështeten nga blloku.

iPhone 5s dhe iPhone 6 po marrin “një përditësim surprizë” të ri të iOS

27 January 2026 at 18:25


Apple kohët e fundit lansoi përditësimet iOS 26.2.1 dhe iPadOS 26.2.1 për pajisjet e saj më të fundit.

Megjithatë, kompania gjithashtu lansoi një përditësim surprizë për disa modele më të vjetra, duke përfshirë iPhone 5s 13-vjeçar dhe iPhone 6 12-vjeçar.

iOS 12.5.8 dhe iPadOS 12.5.8 janë lansuar nga Apple për disa pajisje më të vjetra.

Përdoruesve me iPhone 5s, iPhone 6, iPhone 6 Plus, iPad Air, iPad mini 2/mini 3 ose iPod touch (gjenerata e 6-të) u rekomandohet të instalojnë përditësimin e ri.

Përditësimi nuk sjell asnjë veçori të re, por zgjeron certifikimet e kërkuara për të ekzekutuar iMessage, FaceTime dhe aktivizimin e pajisjes.

Prandaj, është e rëndësishme të instaloni përditësimin nëse doni të përdorni pajisjet e mësipërme pas janarit 2027.

Apple publikoi përditësimin e iOS 12 tetë vjet më parë dhe është mirë të shohësh që kompania ende ofron mbështetje për pajisjet më të vjetra.

Veçanërisht, Apple kishte instaluar më parë një përditësim sigurie për iPhone 5s dhe iPhone 6 në vitin 2023. /Telegrafi/

❌
❌