Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 January 2026Lajme Kosove

Bora mbulon Prishtinën, situata më e qetë pas vërshimeve

8 January 2026 at 08:54


Në orët e para të mëngjesit të ditë së sotme (08/01/2026) ka filluar të bie borë në Kosovë.

Kjo situatë ka ndihmuar shumë komuna në vendin tonë që po përballen me vërshime, pasi niveli i ujit ka filluar të bije.

Me vërshime u përball edhe komuna e Prishtinës, mirëpo që situata është dukshëm më e qetë se në ditët e kaluara.

Fotografi i Telegrafit, Ridvan Slivova ka sjell disa pamje se si duket situata sot në kryeqytet.

Nga pamje shihet se qytetarët janë dukë lëvizur normalisht, por që autoritetet kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar nga ngricat.

Autoritetet komunale kanë bërë të ditur se kanë marrë të gjitha masat që të gjitha rrugët dhe trotuaret të jenë të pastruara, për të ofruar më shumë siguri. /Telegrafi/




Igor Thiago thyen rekordin, bëhet braziliani me më shumë gola në një sezon të Ligës Premier

8 January 2026 at 08:52


Sulmuesi i Brentfordit, Igor Thiago ka arritur një rekord të madh individual, duke u bërë braziliani me më shumë gola në një sezon të Ligës Premier, kur tani sa ka filluar gjysma e dytë e sezonit.

Thiago shënoi dy herë në ndeshjen e luajtur në shtëpi ndaj Sunderlandit në kuadër të fitores 3-2 në xhiron e 21-të Ligës Premier.

Sulmuesi 24-vjeçar shënoi në minutat e 30-të për epërsinë 1-0 dhe në minutën e 65-të për 2-0, duke shkuar në koten e 16 golave deri tani këtë sezon.

Me 16 gola në sezonin që po zhvillohet, Thiago ka thyer rekordin për numrin e golave të shënuar në një sezon të Ligës Premier nga një lojtar brazilian.

Me këtë shifër, ylli i Brentford ka arritur të lë pas emra të mëdhenj të bashkëvendësve të tij, të cilët kanë luajtur ndër vite në elitën e futbollit anglez.

A history-making night for Igor Thiago, and he has 17 matches left to extend his record! pic.twitter.com/NSyAY5YEpJ
— Premier League (@premierleague) January 7, 2026

Ai i kaloi Roberto Firminon, i cili me Liverpoolin në sezonin 2017/18) kishte 15 gola brenda një sezonit, po aq sa kishte edhe Gabriel Martinelli me Arsenalin në sezonin 2022/23 dhe Matheus Cunha me Wolverhampton në sezonin 2024/25.

Me 17 xhiro të mbetura deri në fund të sezonit në Ligën Premier, Thiago mund ta çojë rekordin edhe më larg, duke vendosur ndonjë shifër që do të jetë vështirë të thyhet në të ardhmen nga ndonjë lojtar tjetër brazilian. /Telegrafi/

Igor Thiago scores his 16th Premier League goal for Brentford 💥🇧🇷

He passes Roberto Firmino (2017-18), Gabriel Martinelli (2022-23) and Matheus Cunha (2024-25) to become the Brazilian with the most goals in a single PL season. pic.twitter.com/MfycxUBV6S
— B/R Football (@brfootball) January 7, 2026

Emergjencat zhbllokojnë rrugët e fshatrave në Gjirokastër

8 January 2026 at 08:50


Strukturat e emergjencave civile, në bashkëpunim me Forcat e Armatosura, kanë ndërhyrë gjatë orëve të vona të mbrëmjes së të mërkurës dhe mëngjesin e sotëm për zhbllokimin e rrugëve në disa fshatra të qarkut Gjirokastër, të bllokuara si pasojë e rrëshqitjeve të dherave.

Në zonat e Nokovës dhe Lazaratit është punuar për stabilizimin e përrenjve malorë, me qëllim parandalimin e daljes së tyre nga shtrati dhe shmangien e dëmeve për banorët dhe banesat.

Mëngjesin e sotëm, Forcat e Armatosura vijojnë ndërhyrjen për rikthimin e qarkullimit normal të automjeteve në segmentet rrugore që lidhin fshatrat Dhoksat, Tërbuq, Krinë, Tranoshishtë dhe Saraqinishtë. /Euronews.al/

Rita Ora shfaq reçipetat e saj me një bluzë transparente, ndërsa shijon një mbrëmje në 'Chateau Marmont' në Los Angeles

8 January 2026 at 08:41


Rita Ora ka tërhequr vëmendjen me paraqitjen e saj provokuese gjatë një nate argëtimi në 'Chateau Marmont' në Los Angeles, të martën mbrëma.

Këngëtarja 34-vjeçare shfaqi sytjenat e zeza prej dantelle nën një bluzë të bardhë transparente me pala, të cilën e kombinoi me xhinse blu me prerje të lirshme dhe këpucë të zeza me majë, shkruan DailyMail.

Rita dukej mahnitëse teksa ishte mbështjellë me një pallto të gjatë prej lëkure kamoshi ngjyrë kafe, e zbukuruar me jakë dhe detaje dramatike prej gëzofi të bardhë. Autorja e hitit “Body On Me” e kompletoi pamjen me një çantë të zezë lëkure, me dorezë të madhe prej ari, ndërsa për t’i dhënë një ton më casual, kishte vendosur edhe një kapele sportive.

Paraqitja e saj vjen pasi Rita ka pranuar se nuk dëshiron ta kufizojë veten vetëm si muzikante, teksa foli për fuqizimin e grave gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Detin e Kuq, muajin e kaluar.

E pranishme në eventin “Women in Cinema” në Jeddah të Arabisë Saudite, ajo i tha Daily Mail se është ende “vazhdimisht duke mësuar” dhe duke “thyer kufij”.

Duke shpjeguar pse nuk dëshiron të identifikohet vetëm me muzikën, Rita u shpreh: “Shpesh njerëzit e kufizojnë veten në vetëm një kategori, por nuk ka pse të jetë kështu. Unë e shoh veten si një amatore çdo ditë, sepse jam gjithmonë duke mësuar. Nuk duhet të hysh kurrë në një dhomë duke menduar se nuk ke fuqi — sepse e ke”.

Ajo shtoi se gruaja që do ta admirojë gjithmonë, “para së gjithash”, është nëna e saj, por përmendi edhe emra të tjerë ikonë:
“Ka kaq shumë gra për arsye të ndryshme — si Madonna në muzikë, Blondie, madje edhe Cher.

Janë njerëz që kanë bërë më shumë se një gjë dhe kjo është pikërisht ajo që më pëlqen të bëj. Është fantastike të shohësh se si këta kufij po thyhen.”

Rita tashmë e ka zgjeruar karrierën përtej muzikës, me angazhime të shumta në televizion, përfshirë rolin e jurisë apo mentores në formate si The Voice UK, The X Factor dhe The Masked Singer (në Britani dhe SHBA).

Ajo ka luajtur gjithashtu në filma si “Kung Fu Panda: Dragon Knight” dhe në serinë “Fifty Shades”.

Në anën e bashkëpunimeve komerciale, Rita ka një portofol të gjerë që përfshin modën (Adidas, Primark, Escada), bukurinë (Rimmel), pijet (Próspero Tequila, Coca-Cola Zero Sugar) dhe industrinë e argëtimit.

Raportet më të fundit financiare tregojnë se Rita po gjeneron miliona nga kontratat televizive, muzika dhe fushatat fitimprurëse reklamuese.

Sipas dokumenteve të dorëzuara muajin e kaluar nga kompanitë Ora Live dhe Ora Multi Services, këngëtarja ka realizuar një fitim mbresëlënës prej 4.8 milionë paundësh brenda një viti.

Kjo përkthehet në rreth 13 mijë paundë në ditë deri në prill, më shumë se dyfishi i 2.3 milionë paundëve që kishte fituar një vit më parë, sipas The Sun.

Këto kompani menaxhojnë muzikën, turnetë, angazhimet televizive dhe aktivitetet e tjera të Ritës, duke reflektuar rritje të vazhdueshme të të ardhurave dhe aseteve ndër vite.

Ora Live fokusohet kryesisht në performanca, ndërsa Ora Multi Services mbulon aktivitetet më të gjera biznesore. /Telegrafi/

Komuna e Skenderajt apelon për kujdes të shtuar për shkak të temperaturave nën zero

8 January 2026 at 08:41


Komuna e Skenderajt u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme, për shkak të parashikimeve meteorologjike që tregojnë rënie të temperaturave nën zero.

“Për shkak të parashikimeve meteorologjike që tregojnë se temperaturat do të zbresin nën zero, Komuna e Skenderajt u bën thirrje të gjithë qytetarëve që, për aq sa është e mundur, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit”, thuhet në njoftimin e komunës.

Sipas njoftimit, kompanitë e kontraktuara nga Komuna do të jenë në gatishmëri të plotë për mirëmbajtjen e rrugëve, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion.

“Kompanitë e kontraktuara nga Komuna do të jenë në terren dhe në gatishmëri të plotë për mirëmbajtjen e rrugëve, duke bërë kriposjen dhe hedhjen e zhavorrit”, theksohet më tej.

Megjithatë, autoritetet komunale kërkojnë që qytetarët të vazhdojnë të tregojnë kujdes maksimal, veçanërisht në zonat ku ekziston rreziku i rrëshqitjes.

“Përkundër këtyre masave, kërkojmë nga qytetarët që të kenë kujdes maksimal, veçanërisht gjatë vozitjes dhe ecjes në zona me mundësi rrëshqitjeje”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/


Zelensky thotë se SHBA-të duhet të rrëzojnë udhëheqësin çeçen pas Maduros

8 January 2026 at 08:40


Shtetet e Bashkuara duhet të ushtrojnë presion mbi Rusinë duke “kryer një lloj operacioni” për të larguar kreun çeçen Ramzan Kadyrov nga pushteti, ashtu siç bënë me udhëheqësin venezuelas Nicolas Maduro, tha të mërkurën presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Në komentet për gazetarët, Zelensky tha se operacioni për të larguar Maduron tregoi se Uashingtoni kishte fuqinë për të ndikuar në Moskë nëse dëshironte vërtet, duke argumentuar se rrëzimi i Kadyrovit do ta bënte presidentin rus Vladimir Putin “të mendonte dy herë” për ofensivën e tij të vazhdueshme ndaj Ukrainës.

Forcat speciale amerikane rrëmbyen Maduron dhe gruan e tij nga Karakasi të shtunën e kaluar, duke tronditur aleatët e Uashingtonit dhe duke marrë dënimin nga partneri i Venezuelës, Moska, transmeton Telegrafi.

Kadyrov, udhëheqësi i rajonit rus me shumicë myslimane të Çeçenisë që nga viti 2007, është një nga mbështetësit më të zëshëm të Putinit dhe dërgoi mijëra ushtarë për të luftuar në Ukrainë.

“Ata duhet të ushtrojnë presion mbi Rusinë. Ata kanë mjetet, ata dinë si. Dhe kur duan vërtet, ata mund t’i gjejnë ato”, tha Zelensky për Shtetet e Bashkuara.

"Ja një shembull me Maduron. Ata kryen një operacion. Të gjithë mund ta shohin rezultatin, e gjithë bota mund ta shohë. Ata e bënë menjëherë. Le të kryejnë një lloj operacioni me, si quhet ai - Kadyrov", tha Zelensky.

Kadyrov u përgjigj në një postim në Telegram, duke thënë se Zelensky "në mënyrë frikacake la të kuptohej se nuk do të kishte problem të qëndronte mënjanë dhe të shikonte nga një distancë e sigurt ndërsa dikush tjetër ndëshkonte shkelësin e tij".

"Ruaje fytyrën dhe mos e poshtëro veten. Nëse do të kishe një fije mashkullorie brenda teje, do ta kuptoje sa poshtëruese tingëllojnë fjalët dhe kërkesat e tua," shtoi ai, duke iu drejtuar udhëheqësit ukrainas.

Disa orë pas operacionit amerikan për të kapur Maduron, Zelensky kishte bërë shaka se edhe vetë Putini duhet të jetë në shënjestër.

"Nëse mund ta bësh këtë me diktatorë, atëherë Shtetet e Bashkuara e dinë çfarë të bëjnë më pas", tha ai në një konferencë për shtyp në Kiev gjatë fundjavës, duke qeshur dhe buzëqeshur.

Ukraina, e cila ka qenë duke luftuar një pushtim të plotë rus për gati katër vjet, ka pretenduar prej kohësh se partnerët e saj, përfshirë Shtetet e Bashkuara, nuk kanë ushtruar presion të mjaftueshëm mbi Kremlinin për t'i dhënë fund luftës.

Kadyrov, i cili e ka sunduar Çeçeninë me grusht të hekurt për gati dy dekada, ka mbështetur vazhdimisht Moskën që të përdorë opsionet më ekstreme në Ukrainë - madje duke hedhur idenë e një sulmi bërthamor. /Telegrafi/

Klubet e Ligës Premier në garë për nënshkrimin e yllit të Real Madridit

8 January 2026 at 08:37


Interesimi i klubeve të Ligës Premier për Andriy Lunin ka vënë në alarm Real Madridin gjatë afatit kalimtar dimëror të vitit 2026.

Portieri ukrainas dëshiron të largohet nga ‘Santiago Bernabeu’ për të pasur më shumë minuta dhe një rol titullari, diçka që nuk e ka arritur për shkak të konkurrencës së fortë me Thibaut Courtois.

Tottenham, Nottingham Forest dhe Brighton janë shfaqur si kandidatët kryesorë për shërbimet e tij.

Pas një karriere të ndërtuar kryesisht në hije dhe disa huazimeve, Lunin duket se ka arritur një pikë kthese.

Real Madridi vlerëson profesionalizmin e tij dhe nuk e përjashton një largim që në janar, nëse ofertat përmbushin pritshmëritë financiare.

Me kontratë deri në vitin 2030, negociatat nuk pritet të jenë të lehta, por kërkesa nga Anglia po shtohet ndjeshëm.

Tottenham e sheh Lunin si një alternativë afatgjatë dhe konkurruese për Guglielmo Vicario, ndërsa Nottingham Forest kërkon stabilitet dhe përvojë ndërkombëtare për të forcuar projektin e tij në elitë.

Brighton, nga ana tjetër, synon të vazhdojë politikën e transferimeve inteligjente duke afruar një portier me potencial të lartë dhe aftësi të mira me këmbë.

Real Madridi e ka vendosur çmimin rreth 25 milionë euro, më lart se vlerësimet aktuale të tregut.

Për Lunin, një transferim në Angli do të ishte sfida ideale për të provuar veten si titullar në një klub me ambicie evropiane.

Ai ka treguar refleks, personalitet dhe qetësi në momentet kur i është besuar porta madrilene.

Tani mbetet të shihet se cili prej klubeve angleze do të jetë gati të plotësojë kërkesat financiare. /Telegrafi/

Bllokohet qarkullimi te rrethi i Stadiumit të Qytetit në Istog për shkak të grumbullimit të ujit

8 January 2026 at 08:32


Komuna e Istogut ka njoftuar se për shkak të reshjeve të shiut dhe grumbullimit të ujit, rrethi te Stadiumi i Qytetit është aktualisht i bllokuar për qarkullim.

“Për shkak të reshjeve të shiut dhe grumbullimit të ujit, rrethi te Stadiumi i Qytetit aktualisht është i bllokuar për qarkullim”, thuhet në njoftimin e komunës.

Autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin këtë zonë dhe të shfrytëzojnë rrugë alternative deri në normalizimin e situatës.

“Ju lutemi të shmangni këtë zonë dhe të përdorni rrugë alternative deri në normalizimin e gjendjes”, theksohet më tej në njoftim.

Sipas Komunës së Istogut, ekipet përkatëse janë në terren dhe po e monitorojnë situatën nga afër, me qëllim të rikthimit sa më të shpejtë të qarkullimit normal. /Telegrafi/


Ndërpritet qarkullimi në trafik për automjetet e rënda në rrugën Strugë-Qafë Thanë

8 January 2026 at 08:31


Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë njofton se për shkak të reshjeve të borës është ndaluar qarkullimi i automjeteve të rënda në rrugën Strugë-vendkalimi kufitar Qafë Thanë.

Nga atje poashtu njoftojnë se nga sot (08.01.2026) në fillim në orën 10:00 në vendkalimin kufitar "Niki" (Mexhitlija) do të ketë ndërprerje të qarkullimit të automjeteve të rënda e cila do të vlejë deri më 10.01.2026

Nga LAMM njoftojnë se komunikacioni në vend po zhvillohet në kushte dimërore dhe në rrugë me lagështi.

"Në vendkalimet kufitare nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi./Telegrafi/

Trajneri i Bournemouthit konfirmon largimin e menjëhershëm të Semenyos

8 January 2026 at 08:27


Trajneri i Bournemouth, Andoni Iraola, ka konfirmuar transferimin e afërt të Antoine Semenyos te Manchester City pas fitores ndaj Tottenham Hotspur.

Semenyo shënoi golin e fitores 3-2 në një lamtumirë perfekte për klubin e tij. Duke folur për BBC Match of the Day, Iraola konfirmoi largimin e tij.

“Kishim nevojë për këtë, kemi qenë shumë afër në ndeshjet e fundit. Futbolli nuk mund të kalojë çdo herë në anën tjetër dhe sot ishte momenti perfekt, edhe për Antoine [Semenyo]”, ka thënë fillimisht Iraola.

Simply incredible. pic.twitter.com/BgyzpjlaNn
— AFC Bournemouth 🍒 (@afcbournemouth) January 8, 2026

“Të luante ashtu siç luante, me përkushtimin për të ndihmuar në çfarëdo mënyre deri në sekondën e fundit. Mendoj se futbolli ka qenë i drejtë dhe i ka dhënë një moment të bukur”.

“Ndeshja e fundit e Semenyos për Bournemouth? Mendoj se ishte, për fat të keq për ne mendoj se ishte. Ai ka qenë, nëse jo më i miri, një nga më të mirët që kam stërvitur. Ai është përmirësuar çdo sezon".

“Ai ka shënuar 10 gola në gjysmë sezoni dhe nuk është një numër nëntë. Nuk janë vetëm numrat, por shumë gjëra – fiziku, topat në ajër dhe faza mbrojtëse. Ai do të jetë një humbje e madhe”, përfundoi trajneri i Bournemouthit. /Telegrafi/

SHBA synon të kontrollojë shitjet e naftës në Venezuelë 'për një kohë të pacaktuar'

8 January 2026 at 08:25


Shtëpia e Bardhë ka thënë se synon të kontrollojë shitjet e naftës së Venezuelës "për një kohë të pacaktuar", ndërsa administrata Trump harton plane për kompanitë amerikane të naftës që të kthehen në vend.

Trump njoftoi për herë të parë të martën në mbrëmje se qeveria e përkohshme e Venezuelës do t'i "kthente" SHBA-së midis 30 dhe 50 milionë fuçi naftë "me cilësi të lartë", transmeton Telegrafi.

Nafta - me vlerë mbi 2 miliardë dollarë - do të merret nga magazinimi me anije dhe do të sillet direkt në portet e shkarkimit të SHBA-së, tha presidenti në Truth Social.

Do të shitet me çmimin e saj të tregut dhe paratë e gjeneruara nga shitjet do të kontrollohen nga vetë Trump, shtoi deklarata e tij.

Sekretari i Energjisë, Chris Wright, të cilit i është kërkuar të zbatojë planin, më vonë tha në një konferencë industriale në Florida të mërkurën: "Ne duhet të kemi atë levë dhe atë kontroll të këtyre shitjeve të naftës për të nxitur ndryshimet që thjesht duhet të ndodhin në Venezuelë".

Trump ka qenë i hapur në lidhje me planet e tij për rezervat e naftës të Venezuelës, që nga kapja dhe arrestimi i presidentit Nicolas Maduro në një sulm të guximshëm amerikan në Karakas.

Ai ka sugjeruar që kompanitë amerikane të naftës mund të fillojnë punën në vend brenda 18 muajsh dhe e ka kërcënuar regjimin e përkohshëm të Venezuelës me më shumë ndërhyrje ushtarake nëse nuk bashkëpunon.

Një pjesë e planit të tij përfshin lehtësimin "selektiv" të sanksioneve amerikane, që rregullojnë rrjedhën e naftës venezueliane.

Gjithashtu u konfirmua se autoritetet amerikane kishin hipur në anijen e zbrazët me flamur rus Marinera, e njohur më parë në udhëtimin e saj si Bella 1 e regjistruar në Ganë, në Atlantikun e Veriut, duke përmendur "shkelje të sanksioneve".

Një anije e dytë e "të flotës hije", me sa duket e drejtuar për në Kinë, e quajtur Sophia, u kap më vonë në Detin e Karaibeve për të njëjtën arsye.

Konfiskimet duket se do të nxisin tensionet me Rusinë dhe Kinën mbi kontrollin amerikan të naftës venezuelase.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi se presidenti do të takohet me drejtuesit e kompanive amerikane të naftës, për të diskutuar mundësitë për investime në Venezuelë, të premten.

Aktualisht ekziston vetëm një kompani shumëkombëshe amerikane e naftës në Venezuelë - Chevron.

Dy të tjera, Exxon Mobil dhe ConocoPhillips, u larguan pasi paraardhësi i Maduros, Hugo Chavez, shtetëzoi industrinë e naftës, duke i bërë ato të panevojshme.

Venezuela ndodhet mbi rezervat më të mëdha të naftës së rëndë në botë, përpara vendeve si Kanadaja dhe Rusia.

Muajin e kaluar, SHBA-të bllokuan daljen e cisternave të naftës nga vendi dhe sekuestruan disa cisterna në ujërat ndërkombëtare, si pjesë e përpjekjeve për të zbatuar sanksionet e saj mbi industrinë e naftës së Venezuelës. /Telegrafi/

Komuna e Obiliqit apelon për kujdes të shtuar për shkak të rrugëve të ngrira dhe të rrëshqitshme

8 January 2026 at 08:21


Komuna e Obiliqit ka njoftuar qytetarët se, si pasojë e reshjeve intensive të borës dhe temperaturave të ulëta, të gjitha rrugët në territorin e komunës janë të ngrira dhe të rrëshqitshme, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e automjeteve.

“Në territorin e komunës sonë, për shkak të reshjeve intensive të borës dhe temperaturave të ulëta, rrugët janë të ngrira dhe të rrëshqitshme, çka po e vështirëson qarkullimin”, thuhet në njoftimin e komunës.

Autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme, të përdorin pajisje dimërore dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.

Sipas njoftimit, ekipet kompetente komunale janë në terren dhe po punojnë në pastrimin e rrugëve, si dhe në trajtimin e tyre me materiale kundër ngrirjes.

“Ekipet janë në terren dhe po ndërhyjnë vazhdimisht për pastrimin dhe trajtimin e rrugëve”, thuhet më tej.

Komuna ka bërë të ditur se për çdo emergjencë apo problem, qytetarët mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës ose zyrtarët përgjegjës të shërbimeve komunale.

Në njoftim janë publikuar edhe kontaktet direkte të zyrtarëve komunalë: Valon Svirca, Drejtor i DSHPE-së (044 990 239), Sami Haziri, Shef i Emergjencave (044 402 842) dhe Hamit Mjeku, Shef i Shërbimeve Publike (044 770 775). /Telegrafi/


Komuna e Fushë Kosovës shpërndan ndihma për familjet në nevojë në zonat e prekura

8 January 2026 at 08:16


Komuna e Fushë Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin e Bashkësisë Islame të Fushë Kosovës, ka siguruar 65 pako ushqimore, ujë dhe batanije për familjet në nevojë, si pjesë e përpjekjeve për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur nga situata e krijuar pas reshjeve të shiut.

“Komuna e Fushë Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin e Bashkësisë Islame të Fushë Kosovës, ka arritur të sigurojë 65 pako ushqimore, ujë dhe batanije për familjet në nevojë”, thuhet në njoftimin e komunës.

Sipas këtij njoftimi, shpërndarja e ndihmave po vazhdon në fshatrat Graboc i Poshtëm, Pomozotin, Henc dhe Miradi e Epërme.

Komuna ka falënderuar të gjithë kontribuuesit për angazhimin humanitar, duke theksuar se “ky është një angazhim i përbashkët humanitar, në shërbim të qytetarëve”.

Po ashtu, autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin zonat e përmbytura dhe të raportojnë çdo situatë që paraqet rrezik për sigurinë publike.

“Institucionet e Komunës së Fushë Kosovës janë në gatishmëri të plotë për monitorim dhe ndërhyrje sipas nevojës”, theksohet më tej, duke shtuar se komuna mbetet e përkushtuar që përmes veprimeve konkrete dhe reagimit të shpejtë institucional të jetë pranë qytetarëve në këtë situatë emergjente. /Telegrafi/


Situatë kritike në Vlorë, Vjosa gati të kalojë vijën e kuqe - lumi tejkalon 9 metra

8 January 2026 at 08:12


Reshjet e dendura të shiut që kanë vijuar që prej ditës së martë kanë sjellë rritje të ndjeshme të nivelit të lumit Vjosa.

Në disa segmente, prurjet kanë tejkaluar 9 metra, duke shkaktuar përmbytje të tokave dhe dëme në banesa pranë zonave të rrezikut, raporton euronews.al.

Në Memaliaj, niveli i ujit ka shënuar 7.5 metra mbi nivelin e detit, një tregues i qartë i intensitetit të prurjeve.

Si pasojë, është mbuluar edhe stacioni hidrometrik, ndërsa rreth 100 hektarë tokë janë nën ujë.

Situata ka ndikuar edhe në infrastrukturën kritike, pasi është raportuar prezencë uji në Stacionin e Pompimit të Kafarajt, në Njësinë Administrative Frakull, nga ku sigurohet furnizimi me ujë për qytetin e Fierit.

Deri më tani, 14 banesa rezultojnë të prekura nga përmbytjet.

Moti sot në Maqedoninë e Veriut

8 January 2026 at 08:10


Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me reshje të shiut, ndërsa në vende më të larta do të ketë reshje të borës.

Në vend do të fryjë një erë e fortë nga drejtimi verior.

Temperaturat minimale do të lëvizin nga -2 deri 5, ndërsa temperaturat maksimale do të lëvizin nga 0 deri 10 gradë celsius.

Nën ndikimin e aktivitetit ciklonik, moti në ditët në vijim do të jetë i ndryshueshëm me vranësira me reshje të herëpashershme shiu, dhe në male me reshje bore./Telegrafi/

Prokuroria e Prizrenit me aksion të madh në disa qytete të Kosovës

8 January 2026 at 08:00


Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës dhe një numër i prokurorëve të Prokurorisë Themelore të Prizrenit janë duke realizuar një aksion të madh në disa qytete të Kosovës.

Lajmin e konfirmoi për Telegrafin, kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu.

“Po është duke u zhvilluar. Gjendemi në terren”, u shpreh shkurt Kryeziu.

Aksioni po zhvillohet në regjionin e Prizrenit, Prishtinës, Pejës, Gjilan, Ferizajt, Mitrovicës dhe Gjakovës.

Ndërkaq, bëhet e ditur se pronat e ish-drejtuesve të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS) janë cak i bastisjeje masive.

KALLXO.com zbulon detaje të tjera për operacionin e Prokurorisë së Prizrenit. Aksioni është drejtuar nga tetë prokurorë dhe është udhëhequr nga Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu.

Në listën e të dyshuarve janë 45 qytetarë, Drejtori Ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), si dhe Drejtori i Financave të kësaj byroje. Ata dyshohen se kanë përfituar kundërligjshëm duke keqpërdorur pozitën zyrtare dhe besimin.

Rolin kryesor në dëmin që pretendohet se i është shkaktuar buxhetit të Byrosë, në vlerë mbi 1 milion euro, e kanë pasur dy zyrtarë të lartë të BKS-së: Sami Mazreku dhe Valon Berisha, ky i fundit në cilësinë e drejtorit të financave.

Sipas dyshimeve, Mazreku dhe Berisha kanë marrë llogaritë bankare të 45 qytetarëve, tek të cilët kanë transferuar mjete financiare përmes marrëveshjeve të parapërgatitura, nga të cilat kanë përfituar mijëra euro.

Po ashtu, ata dyshohet se kanë identifikuar qytetarë të përfshirë në raste aksidentesh trafiku, të cilëve u janë transferuar para me arsyetimin e kompensimit të dëmeve. Me këta qytetarë janë bërë marrëveshje që një pjesë e vogël e mjeteve t’u mbetej atyre, ndërsa pjesa më e madhe e shumës së transferuar të përfundonte te Mazreku dhe Berisha.

Moti në Shqipëri, shi dhe borë

8 January 2026 at 07:46


Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se Shqipëria të enjten do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

SHMU njofton se reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar në pjesën më të madhe të vendit deri në orët e mesditës.

“Hera-herës reshje shiu në formën e shtrëngatave afatshkurtra në zonën e qendrës dhe jug. Pas orëve të mesditës reshjet e shiut mbeten prezentë me intensitet të ulët deri në orët e pasdites në qendër dhe jug. Në zonën e Alpeve reshje bore me intensitet mesatar deri të lartë, hera-herës stuhi bore, në verilindje-lindje në lartësitë mbi 100 metër dhe juglindje mbi 300-400 metër reshje dëbore me intensitet të ulët deri mestar. Ndërsa në pjesën tjetër të vendit në lartësinë mbi 400-500 metra reshjet pritet të jenë në formën e dëborës me intensitet të ulët. Pas orëve të pasdites reshjet e shiut dhe dëborës ndërpriten në pjesën më të madhe të territorit”, bëhet e ditur në njoftim.

SHMU tutje njofton se era do të fryjë me drejtim juglindje –jugperëndim me shpejtësi mesatare 9 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 18 m/s.

Deti - Valëzimi forcës 3-4 ballë. /Telegrafi/




Mbesa e Trump habit me deklaratën: Politika është e rrezikshme, do të qëndroj larg saj

8 January 2026 at 07:30


Kai Trump, 18-vjeçarja dhe mbesa e Donald Trumpit, ka tërhequr vëmendje të madhe pas paraqitjes në podcastin “Impaulsive” të Logan Paul.

Ajo theksoi qartë se nuk dëshiron të ketë asnjë lidhje me politikën, duke e cilësuar atë si “një gjë të rrezikshme”, pavarësisht se vjen nga një familje shumë e njohur politike.

Kai, e cila është golfiste e suksesshme dhe këtë vit fillon studimet në Universitetin e Miamit, tha se mundohet të qëndrojë larg politikës dhe nuk e sheh veten si politikane në të ardhmen.

Foto: YouTube

Ajo theksoi se shoqëria është bërë tepër e polarizuar dhe se zgjidhja qëndron te kompromisi dhe gjetja e mesatares mes palëve.

Sipas saj, rrjetet sociale kontribuojnë ndjeshëm në thellimin e ndarjeve ekstreme.

Edhe pse deklaroi se gjithmonë do ta mbështesë familjen e saj, Kai u përshkrua si një person “në qendër” politikisht.

Deklaratat e saj u pritën shumë pozitivisht në internet, ku shumë e vlerësuan për pjekurinë dhe mënyrën e balancuar të të menduarit.

- YouTube www.youtube.com

Gjatë bisedës, ajo foli edhe për vështirësitë e jetës nën mbrojtjen e vazhdueshme të Shërbimit Sekret, veçanërisht në jetën private, duke përmendur situata të sikletshme gjatë takimeve romantike.

Megjithatë, tha se po përpiqet të mësohet me këtë realitet, sidomos pasi gjyshi i saj u rikthye si president. /Telegrafi/

Trump dyshon se "NATO do të jetë aty për SHBA-në, nëse do të jetë e nevojshme"

8 January 2026 at 07:30


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënimet e të cilit të ripërtërira për të sekuestruar Grenlandën nga Danimarka, anëtare e NATO-s, kanë tronditur aleancën transatlantike, tha të mërkurën se dyshonte nëse aleatët "do të ishin aty për ne nëse do të kishim vërtet nevojë për ta".

"Ne do të jemi gjithmonë aty për NATO-n, edhe nëse ata nuk do të jenë aty për ne", shkroi ai në platformën e tij Truth Social.

Një deklaratë e tillë vjen një ditë pasi Shtëpia e Bardhë tha se nuk e përjashtonte ndërhyrjen ushtarake për të marrë Grenlandën.

Në postimin e tij, Trump përsëriti pohimin e tij të shpeshtë se shumë anëtarë të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut nuk kishin arritur të përmbushnin angazhimet e shpenzimeve ushtarake derisa ai ndërhyri.

"SHBA-të, pa mend, po paguanin për ta! Unë, me respekt, i çova në 5% të PBB, DHE ATA PAGUAN, menjëherë", shkroi ai.

Por udhëheqësi i SHBA-së shtoi se vendet anëtare të NATO-s janë "të gjitha miqtë e mi".

Trump, i cili e ka paraqitur veten si një paqebërës global, preku gjithashtu një ankesë personale.

“Unë i vetëm i dhashë fund 8 luftërave, dhe Norvegjia, një anëtare e NATO-s, zgjodhi budallallëkisht të mos më jepte Çmimin Noble për Paqen”, tha ai, duke shkruar gabim emrin e çmimit prestigjioz që në vend të tij i shkoi udhëheqëses së opozitës venezueliane, Maria Corina Machado.

Trump përfundoi duke thënë se Rusia dhe Kina nuk kanë “frikë zero nga NATO” pa Shtetet e Bashkuara si pjesë të aleancës.

Planet e Trump mbi territorin danez të Groenlandës, të pasur me minerale dhe vetëqeverisëse, kanë ndezur kambanat e alarmit midis anëtarëve evropianë të NATO-s, të cilët e shohin një veprim të tillë si një kërcënim ekzistencial për aleancën. /Telegrafi/

Borë dhe ngrica, IHK dhe Policia me apel për kujdes gjatë vozitjes

8 January 2026 at 07:19


Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se do të ketë ndryshim të theksuar të kushteve meteorologjike, duke paralajmëruar rënie të ndjeshme të temperaturave dhe reshje bore në pjesë të ndryshme të vendit.

IHK ka njoftuar se era do të ndryshojë drejtimin, duke kaluar nga juglindja në veri dhe veriperëndim, çka do të favorizojë depërtimin e masave ajrore të ftohta me origjinë veriore.

Instituti tutje ka paralajmëruar se temperaturat minimale do të zbresin nën zero gradë Celsius, veçanërisht gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit, duke krijuar kushte për formimin e ngricave në rrugë, trotuare, ura dhe zona me lagështi të lartë.

“Ngricat, të kombinuara me shtresat e borës dhe erërat e ftohta, pritet të ndikojnë negativisht në sigurinë e qarkullimit rrugor. Vështirësi më të theksuara në komunikacion pritet të ketë në rrugët malore, akset dytësore dhe zonat me reliev të thyer, ku mund të ndodhin rrëshqitje dhe ngrirje e shpejtë e sipërfaqeve rrugore.

Për këtë arsye, IHMK rekomandon që autoritetet përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve të jenë në gatishmëri të shtuar, ndërsa qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik të përdorin pajisje dimërore, të respektojnë distancën e sigurisë dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës”, thuhet në njoftim.

Instituti thekson më tej se këto kushte meteorologjike mund të kenë ndikim edhe në sektorë të tjerë, përfshirë bujqësinë, furnizimin me energji elektrike dhe aktivitetet e përditshme të qytetarëve, duke këshilluar ndjekjen e vazhdueshme të paralajmërimeve zyrtare dhe marrjen e masave parandaluese për sigurinë personale dhe mbrojtjen e pronës.

Ndërkaq, edhe Policia e Kosovës ka bërë apel për kujdes të shtuar gjatë ngasjes, si pasojë e ndryshimit të kushteve atmosferike dhe reshjeve të shiut e borës në disa pjesë të vendit.

Në njoftimin e saj, Policia thekson se kushtet aktuale krijojnë vështirësi në qarkullimin rrugor dhe rrisin rrezikun për aksidente, veçanërisht për shkak të rrugëve të lagura, të mbuluara me borë dhe mundësisë së paraqitjes së ngricave.

Autoritetet u bëjnë apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik, në veçanti drejtuesve të automjeteve, që të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike dhe gjendjen e rrugës, të mbajnë distancën e sigurisë mes mjeteve dhe të ngadalësojnë lëvizjen në segmentet rrugore me shi, borë apo akull.

Po ashtu, Policia e Kosovës këshillon shoferët që të pajisen me goma dhe pajisje dimërore, duke theksuar se respektimi i këtyre masave është i domosdoshëm për sigurinë në trafik.

“Siguria juaj është prioritet. Kujdesi i shtuar ndihmon në shmangien e aksidenteve dhe në ruajtjen e jetës”, thuhet në apelin e Policisë së Kosovës. /Telegrafi/

❌
❌