Klubi anglez West Ham United po e ndjek me vëmendje sulmuesin kosovar Albion Rrahmani, i cili aktivizohet te Sparta e Pragës.
Sipas mediave çeke dhe burimeve pranë klubit londinez, West Ham mund të rikthehet në tregun çek të transferimeve gjatë afatit të janarit.
West Ham është bërë i njohur vitet e fundit për afrime lojtarësh nga kampionati çek. Këtë herë, në listën e vëzhgimit të klubit janë tre sulmues: Rafiu Durosinmi i Viktoria Plzen, Mojmír Chytil i Slavia Pragës dhe Albion Rrahmani i Sparta Pragës.
Të tre lojtarët janë pjesë e rëndësishme e skuadrave të tyre dhe aktivizohen në repartin e sulmit.
Edhe pse ende nuk ka një ofertë zyrtare nga West Ham, klubi anglez po i analizon me kujdes këto emra, me synimin për të përforcuar fazën ofensive në gjysmën e dytë të sezonit.
Partnerët e Kosovës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar e Francën, kanë bërë të ditur pritjet e tyre që më 28 dhjetor Kosova të zhvillojë një proces zgjedhor fer dhe demokratik, si dhe të formojë sa më shpejt institucione të stabilizuara pas përfundimit të zgjedhjeve.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka theksuar rëndësinë e një qeverie stabile dhe të vendosur për vendin.
Në një intervistë për “Express”, ai ka nënvizuar se bashkëpunimi dhe kompromisi ndërmjet partive pas zgjedhjeve do të jenë thelbësore për tejkalimin e ngërçit politik dhe për arritjen e progresit.
“Mbi të gjitha, shpresoj që këto të jenë zgjedhjet e fundit për një kohë më të gjatë! Kosova ka nevojë për një qeveri stabile dhe të vendosur, e jo për një cikël të mëtejmë të pasigurisë zgjedhore. Mesazhi im për partitë politike është i qartë: Çfarëdo që të jetë rezultati, bashkëpunimi dhe kompromisi do të jenë esencialë për ta bërë të mundur formimin e shpejtë të institucioneve në vitin e ri. Kosova përballet me sfida dhe mundësi të rëndësishme, ndërsa ngërçi politik i tejzgjatur vetëm sa do ta vonojë përparimin. Një ton më i qetë dhe më i civilizuar midis palëve sesa ai që kemi dëgjuar në shkurt do të ndihmojë në krijimin e kushteve për dialog konstruktiv dhe stabilitet”, ka thënë Hargreaves.
Ai ka lavdëruar të kaluarën e Kosovës për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Kosova e ka një të kaluar mbresëlënëse me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shpresoj që procesi zgjedhor i 28 dhjetorit të jetë i qetë dhe transparent dhe të zhvillohet në përputhje të plotë me standardet demokratike. Zgjedhjet janë gurthemel i demokracisë së Kosovës, ndërsa është jetike që të gjithë akterët – institucionet, partitë politike dhe qytetarët – ta luajnë rolin e tyre për ta garantuar kredibilitetin dhe drejtësinë e tyre. Udhëheqësit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykatës Supreme kanë luajtur role jetike për garantimin e integritetit të proceseve zgjedhore që janë mbajtur deri më tani, ndërsa unë dua t’i falënderoj për këtë”, ka shtuar ai.
Po ashtu, edhe ambasadori i Francës, Olivier Guerot, ka ftuar partitë politike që të bashkëpunojnë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Ditë më parë, ai ka takuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ku i ka shprehur pritjet e Francës për një partner të besueshëm në stabilitetin rajonal.
“Shpreha shpresën time se zgjedhjet e 28 dhjetorit do të çojnë në formimin e një qeverie. Ne kemi nevojë për një partner të plotë për të kontribuar në stabilitetin në rajon dhe për të zhvilluar marrëdhëniet tona dypalëshe. E informova Presidenten Osmani për dëshirën tonë për të mbështetur tranzicionin energjetik, përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030, përpjekjet e #Kosovës për t’u bërë anëtare e plotë e Organizatës Ndërkombëtare të #Frankofonisë dhe shkëmbimet ekonomike midis dy vendeve tona”, ka shkruar Guerot në llogarinë e tij në “X”.
Të hënën, rreth orës 18:00, qytetarja M. Thaqi (45 vjeçe) nga Ferizaj ka gjetur në tokë një shumë prej 470 euro në parkingun e një qendre tregtare në qytet. Paratë i janë dorëzuar menjëherë Policisë.
“Fillimisht, nuk dihej se kujt i përkisnin paratë. Po atë ditë, rreth orës 20:30, në stacionin policor është paraqitur ankuesja D. F. nga Kaçaniku, e cila ka raportuar humbjen e një shume parash”, njoftoi Policia.
Pas verifikimeve të nevojshme, u konstatua se bëhej fjalë për të njëjtën shumë parash. Paratë i janë kthyer pronarit legjitim më datë 23.12.2025.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka falënderuar qytetaren M. Thaqi për gjestin e saj “human dhe shembullor, e cila dëshmon nivel të lartë përgjegjësie qytetare dhe bashkëpunim të ngushtë me policinë”.
Presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky, ka zhvilluar një bisedë të ngrohtë dhe të frytshme me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Ai shprehu mirënjohjen e tij për gjithë mbështetjen, ndihmën dhe angazhimin maksimal të Bashkimit Evropian, jo vetëm këtë vit, por që nga fillimi i pushtimit të plotë rus.
“Java e kaluar, Këshilli Evropian miratoi një vendim për 90 miliardë euro ndihmë financiare për Ukrainën për periudhën 2026–2027, dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne. Vlerësojmë shumë faktin që BE po mbështet Ukrainën në këtë mënyrë në këtë moment vendimtar diplomatik,” shkroi Zelensky në X.
Ai shtoi se negociatat në vazhdim mund ta ndryshojnë rrënjësisht situatën dhe nënvizoi rëndësinë e sigurimit të presionit të duhur mbi Rusinë, në bashkëpunim me të gjithë partnerët ndërkombëtarë.
Gjatë bisedës, u diskutua edhe mbështetja për qëndrueshmërinë e Ukrainës dhe forcimin e pozicioneve të vendit në tryezën e negociatave, ndërsa u dakorduan kontakte të mëtejshme në ditët në vijim.
Zelensky gjithashtu theksoi se, edhe pse bota po përgatitet për Krishtlindje, puna për arritjen e paqes dhe garantimin e sigurisë nuk ndalon asnjë ditë.
Pas vendimit të Australisë për të ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç, vendet evropiane po shqyrtojnë nëse duhet të zbatojnë masa të ngjashme për të mbrojtur fëmijët nga rreziqet e botës digjitale, raportoi të martën “Euronews”.
Që nga 10 dhjetori, fëmijët australianë nën 16 vjeç nuk mund të krijojnë ose të mbajnë më llogari në platforma si Facebook, X, Threads, Snapchat, Instagram, TikTok, Twitch, Reddit dhe YouTube. Shkelësit e ligjit mund të përballen me gjoba deri në 50 milionë dollarë australianë (rreth 28 milionë euro).
Danimarka
Në nëntor, qeveria daneze njoftoi se ka siguruar një marrëveshje nga të gjitha partitë politike për të ndaluar qasjen në disa faqe rrjetesh sociale për ata nën moshën 15 vjeç. Masa ka për qëllim “të mbrojë fëmijët dhe të rinjtë në botën digjitale” nga përmbajtjet e dëmshme. Caroline Stage, ministrja daneze për çështjet digjitale, tha për Associated Press se mund t’u duhen muaj ligjvënësve për të miratuar legjislacionin përkatës. Danimarka planifikon të krijojë një aplikacion për verifikimin e moshës, pa specifikuar detaje mbi zbatimin e ndalimit.
Franca
Anne Le Hénanff, ministrja franceze e çështjeve digjitale, tha për gazetën La Dépèche se departamenti i saj synon të paraqesë një projektligj për të kufizuar rrjetet sociale për ata nën moshën 15 vjeç në fillim të vitit 2026. Ky veprim vjen pas një raporti parlamentar në shtator që rekomandoi ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç, pas një padie të shtatë familjeve franceze ndaj TikTok në vitin 2024, duke e akuzuar platformën se ekspozonte fëmijët ndaj përmbajtjes që inkurajon vetëvrasjen. Në Francë, fëmijët nën 15 vjeç kanë nevojë për pëlqimin e qartë të prindërve për të hapur një llogari, dhe prindërit mund të kërkojnë mbylljen e saj.
Spanja
Një projektligj që po studiohet nga ligjvënësit spanjollë sugjeron që fëmijët nën 16 vjeç të mos hyjnë në rrjetet sociale, platformat e komunikimit ose çdo hapësirë virtuale që përfshin inteligjencën artificiale gjeneruese (GenAI) pa pëlqimin e qartë të prindërve. Një sondazh i YouGov tregoi se 79% e prindërve spanjollë pajtohen me kufizim moshe në stilin australian, por një në tre e sheh zbatimin si të vështirë.
Italia
Majin e kaluar, parlamenti italian prezantoi një projektligj për kufizime në rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç, duke përfshirë edhe “kidfluencers”. Ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara, tha për Il Foglio se Italia duhet të ndjekë modelin australian. Një padi kolektive në pritje synon të detyrojë kompanitë e teknologjisë të zbatojnë verifikime më strikte të moshës, pasi më shumë se 3.5 milionë fëmijë përdorin platformat pavarësisht se janë shumë të vegjël.
Greqia
Në shtator, kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha për Asamblenë e OKB-së se vendi po shqyrton ndalim të ngjashëm me modelin australian. “Nuk e dimë se cilat do të jenë pasojat, por jemi pothuajse të sigurt se ato nuk do të jenë pozitive”, cituan mediat lokale. Greqia tashmë ka ndaluar përdorimin e telefonave inteligjentë në klasë dhe ka lansuar një faqe interneti për udhëzime prindërore mbi kontrollet në pajisjet iOS dhe Android.
Gjermania
Aktualisht nuk ka kufizime për personat nën 16 vjeç, sipas Parlamentit gjerman. Qeveria ka kërkuar një studim mbi ndikimin e rrjeteve sociale tek adoleshentët dhe do të paraqesë raportin përfundimtar në vjeshtën e vitit 2026. Një peticion për moshën minimale ligjore 16 vjeç ka marrë mbi 34,000 nënshkrime dhe po shqyrtohet.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Republikës së Kosovës (AUV) ka njoftuar opinionin publik se gjatë kontrollit të një ngarkese të produktit MDM pule, të importuar nga Polonia nga prodhuesi CEDROB S.A., Ubojnia Drobiu Ujazdówek, dhe i importuar nga kompania KAJMAK SHPK, Prizren, është konstatuar prania e bakterit Salmonella spp.
Sipas njoftimit të AUV-së, pas pranimit të njoftimit nga RASFF dhe me kërkesë të kompanisë KAJMAK SHPK, përmes inspektimeve të realizuara nga AUV, është vërtetuar prania e salmonelës në sasinë prej 2,064 kilogramë mish pule.
“Pas konstatimit të këtij rasti, sasia e importuar është asgjësuar në përputhje me procedurat ligjore në fuqi dhe standardet e sigurisë ushqimore”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, AUV thekson se vazhdon të monitorojë situatën me kujdes të shtuar dhe të bashkëpunojë ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, si dhe me bizneset që merren me importin e mishit, me qëllim të identifikimit dhe parandalimit të rasteve të ngjashme, për të siguruar ushqim të sigurt dhe në përputhje me standardet evropiane.
Aktivistja suedeze, Greta Thunberg, u arrestua në Londër nga policia britanike, teksa po merrte pjesë në një protestë pro-palestineze të zhvilluar në qendër të kryeqytetit britanik.
Sipas mediave të huaja arrestimi i saj u konfirmua nga Policia e Qytetit të Londrës, e cila njoftoi se 22-vjeçarja u ndalua për shfaqjen e një pankarte në mbështetje të organizatës Palestine Action, e cila është shpallur organizatë e ndaluar në Mbretërinë e Bashkuar.
Protesta ishte organizuar në shenjë solidariteti me tetë anëtarë të Palestine Action, të cilët ndodhen aktualisht në paraburgim dhe janë në grevë urie prej më shumë se 50 ditësh.
Ata po protestojnë kundër procesit gjyqësor ndaj tyre, si dhe ndaj kushteve të burgimit që, sipas mbështetësve, konsiderohen të padrejta.
Demonstrata u mbajt përpara zyrave të kompanisë Aspen Insurance në Londër.
Organizatorët e protestës pretendojnë se kjo kompani ofron shërbime sigurimi për Elbit Systems, një kompani izraelite e industrisë së mbrojtjes, e cila është shpesh objekt kritikash nga aktivistët pro-palestinezë.
Greta Thunberg, e njohur ndërkombëtarisht për angazhimin e saj në çështjet klimatike, ka zgjeruar vitet e fundit aktivizmin e saj edhe në fusha të tjera, përfshirë të drejtat e njeriut dhe konfliktet ndërkombëtare.
Rusia kreu një sulm “masiv” gjatë natës në disa qytete ukrainase, tha presidenti Volodymyr Zelensky, një ditë pasi paralajmëroi për goditje gjatë periudhës së Krishtlindjes.
Të paktën tre persona u vranë, sipas zyrtarëve ukrainas, përfshirë një fëmijë katërvjeçar, ndërsa infrastruktura energjetike u godit gjithashtu, duke lënë disa rajone pa energji. Rusia lëshoi 635 dronë dhe 38 raketa, tha forca ajrore e Ukrainës, duke shtuar se 621 prej tyre u rrëzuan.
Sipas BBC, Zelensky tha se “njerëzit thjesht duan të jenë me familjet e tyre, në shtëpi dhe të sigurt” në prag të Krishtlindjes, dhe se sulmet dërguan “një sinjal jashtëzakonisht të qartë për prioritetet e Rusisë” pavarësisht bisedimeve të paqes. Ai shtoi se presidenti rus Vladimir Putin “ende nuk mund të pranojë se duhet të ndalojë së vrari. Dhe kjo do të thotë se bota nuk po ushtron mjaftueshëm presion mbi Rusinë”.
Zelensky kishte paralajmëruar më parë se ishte në “natyrën” e Kremlinit të “kryente sulme masive” gjatë periudhës festive. Rusia nisi një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022, dhe aktualisht kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas.
Autoritetet lokale në rajonin qendror Zhytomyr konfirmuan vdekjen e fëmijës. Kreu rajonal Vitaly Bunechko tha se fëmija “u dërgua në spital, mjekët luftuan për jetën e tij por nuk mundën ta shpëtonin në fund.” Pesë të tjerë u plagosën në sulm, shtoi ai.
Ndërkohë, një grua 76-vjeçare u vra dhe tre persona u plagosën kur një shtëpi në rajonin e Kievit u godit, sipas shërbimit të emergjencave të Ukrainës.
Një sulm në Khmelnytskyy, në Ukrainën perëndimore, vrau një 72-vjeçar, tha kreu i administratës rajonale Serhiy Tyurin.
Avionë luftarakë polakë u ngritën në ajër si përgjigje ndaj raketave dhe dronëve që synonin Ukrainën perëndimore.
Ministria e mbrojtjes ruse tha se kishte synuar “uzinat e kompleksit ushtarako-industrial ukrainas dhe objektet mbështetëse të energjisë”. Ajo shtoi se të gjitha objektivat e përcaktuara ishin goditur.
Ndërkohë, Ukraina raportohet se goditi një uzinë petrokimike në Stravropol, në Rusinë jugore. Video të shpërndara nga kanale mediatike ruse online treguan flakë të mëdha që ngriheshin nga drejtimi i uzinës.
Guvernatori i rajonit, Vladimir Vladimirov, tha se një dron ukrainas goditi uzinën dhe shkaktoi zjarr. Nuk u raportuan viktima dhe ndërtesat banesore mbetën të padëmtuara.
Oleksandr Chyrvonyi, që jeton në qytetin e Zaporizhzhia pranë vijës së frontit, i tha BBC-së se e hëna në mbrëmje ishte “një përvojë jashtëzakonisht e pakëndshme”. “Fjeta katër ose pesë orë, kishte njoftime të vazhdueshme që më zgjonin se dronë dhe raketa po vinin”, tha ai, duke shtuar se shumica kaluan pranë qytetit të tij drejt rajoneve perëndimore dhe qendrore.
Ndërprerjet e energjisë janë bërë normaliteti i ri. Zaporizhzhia ka rreth 10 orë energji nga 24, tha ai. Ka një “ndjesi të përgjithshme mungese civilizimi”, vazhdoi ai, por tha se përpiqet të ketë “një iluzion të një jete normale”. Me temperaturat që pritet të bien deri në -7°C të mërkurën, operatori energjetik i Ukrainës paralajmëroi për ndërprerje emergjente të energjisë “në të gjitha rajonet” dhe u bëri thirrje njerëzve të përdorin energjinë “me kursim.”
Ministri i përkohshëm i energjisë Artem Nekrasov tha se ishte sulmi i nëntë i madh ndaj sistemit energjetik të Ukrainës këtë vit, dhe se furnizimi në rajonet Rivne, Ternopil dhe Khmelnytsky ishte “pothuajse plotësisht” i humbur.
Deputeti ukrainas Oleksandr Merezhko i tha BBC World Service se disa zona mund të mbeten pa energji “për ditë.”
Fokusi kryesor i sulmeve ruse në ditët e fundit ka qenë qyteti port jugor i Odesës, pas kërcënimit të Vladimir Putin për të ndërprerë aksesin e Ukrainës në Detin e Zi. Presidenti rus e bëri kërcënimin si hakmarrje për sulmet me dronë ukrainas ndaj cisternave që i përkasin “flotës hije” të Rusisë, anije të përdorura për të transportuar mallra përfshirë naftën që janë nën sanksione perëndimore.
Në kryeqytetin ukrainas, shumë dyshojnë se sulmi i natës lidhet me vrasjen të hënën të një gjenerali të lartë rus pas shpërthimit të një bombe në makinë në Moskë. Gjeneral Lejtnant Fanil Sarvarov, kreu i departamentit të trajnimit operacional të forcave të armatosura vdiq në shpërthim, të cilin Rusia e ka fajësuar mbi Ukrainën. Kievi nuk ka komentuar.
Sulmi gjithashtu vjen pas raundit të fundit të bisedimeve diplomatike të udhëhequra nga SHBA në Miami, ku të dërguarit nga Uashingtoni dhe Kievi kanë hartuar propozime të detajuara për t’i dhënë fund luftës.
Sipas Zelensky, SHBA kishte propozuar një armëpushim për Krishtlindje, por Rusia e refuzoi idenë. Zelensky tha se të martën në mëngjes mori një raport mbi ecurinë e bisedimeve, dhe se “tashmë janë përgatitur disa dokumente draft”, përfshirë një kornizë bazë për t’i dhënë fund luftës, garanci të ardhshme sigurie për Ukrainën, dhe për rimëkëmbjen e vendit pas luftës.
Putin pritej gjithashtu të informohej nga i dërguari i tij Kirill Dmitriev të martën mbi diskutimet e fundit me Uashingtonin.
Bota e futbollit është tronditur nga lajmi i trishtueshëm i vdekjes së ish-futbollistit profesionist gjerman Sebastian Hertner.
34-vjeçari vdiq të dielën në një aksident të rëndë në vendpushimin e skive Savin Kuk në Mal të Zi, pasi ra nga një teleferik nga një lartësi prej rreth 70 metrash.
Tragjedia ndodhi ndërsa Hertner dhe gruaja e tij 30-vjeçare po përdornin një teleferik. Pas rënies së tij, gruaja e tij mbeti e bllokuar në teleferik dhe u desh të shpëtohej nga shërbimet e emergjencës. Ajo pësoi një thyerje të këmbës.
Hertner luajti në divizionin e dytë gjerman për 1860 Munich, Aue dhe Darmstadt gjatë karrierës së tij. Kohët e fundit ai ishte aktiv si kapiten i ekipit të divizionit të pestë ETSV Hamburg.
Ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka vazhduar edhe sot me takime në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Në selinë e BDI-së në Tetovë, ajo u prit nga kreu i integristëve Ali Ahmeti dhe kryetrari i ASH-së Arben Taravari.
Pas takimit, Ahmeti shkroi se kanë zhvilluar një bashkëbisedim të hapur mbi zhvillimet aktuale politike, marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm institucional në funksion të stabilitetit rajonal dhe perspektivës evropiane.
Në Tetovë, Spiropali u prit edhe nga kryetari i Komunës, Bilall Kasami, i cili shkroi se kjo vizitë bart frymën e një kombi që nuk ndahet me kufij, por bashkohet me gjuhë, histori dhe përgjegjësi të përbashkët. “Tetova mbetet urë bashkëpunimi dhe dinjiteti kombëtar”, shkroi Kasami.
Edhe kryetari i Çairit Izet Mexhiti ka pritur në takim kryediplomaten shqiptare, ndërsa pas takimit ai kumtoi se kanë folur për zhvillimet aktuale rajonale, rolin e diplomacisë shqiptare në forcimin e lidhjeve mbarëkombëtare, si dhe rëndësinë e një bashkëpunimi të thellë ndërinstitucional, në funksion të interesave të përbashkëta.
Ministrja e Jashtme Spiropali po ashtu zhvilloi takim edhe me grupin e deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së veriut për bashkëpunim me Parlamentin e Shqipërisë.
Kazuyoshi Miura, i njohur gjerësisht si futbollisti profesionist më i vjetër në botë, ka nënshkruar me një klub të ri në moshën 58-vjeçare.
Miura, i lindur në vitin 1967, bëri debutimin e tij në futbollin profesionist me ekipin brazilian Santos në vitin 1986, pasi ishte zhvendosur në Amerikën e Jugut në moshën 15-vjeçare me ëndrrën për t’u bërë futbollist profesionist.
Ai ka luajtur gjithashtu për Palmeiras, Matsubara dhe CRB, përpara se të kishte periudha te XV de Jau dhe Coritiba, për t’u rikthyer më pas te Santos.
Në vitin 1990, Miura gjeti stabilitetin e tij te Verdy Kawasaki i Tokios. Sulmuesi qëndroi tetë vite me klubin japonez, duke shënuar 110 gola në 187 paraqitje. Gjatë kësaj kohe, ai ishte një lojtar i rregullt i kombëtares japoneze, për të cilën realizoi 55 gola në 89 ndeshje.
Viti 1992 ishte veçanërisht i suksesshëm për Miurën, pasi ndihmoi Japoninë të fitonte Kupën e Azisë dhe u shpall ‘Futbollisti Aziatik i Vitit’.
58-vjeçari ka përfaqësuar gjithashtu klubet japoneze Yokohama, për të cilin ka zhvilluar 298 ndeshje, si dhe Vissel Kobe, Kyoto Sanga dhe Atletico Suzuka. Përveç kësaj, ai ka luajtur edhe jashtë Japonisë, me ekipe si Genoa dhe Sydney FC.
Pavarësisht se debutimi i tij profesional ka ndodhur 39 vite më parë, “King Kazu”, i cili sezonin e kaluar luajti në kategorinë e katërt japoneze me Atletico Suzuka, është gati të vazhdojë ende karrierën e tij aktive.
Sipas The Japan Times, sulmuesi që së shpejti do të mbushë 59 vjeç pritet t’i bashkohet ekipit të kategorisë së tretë Fukushima United, në formë huazimi njëvjeçar nga Suzuka.
Lëvizja nuk është bërë ende zyrtare, por shumica e transferimeve apo huazimeve të fundit të Miurës janë shpallur në orën 11:11 të datës 11 janar, si një homazh për numrin e tij të fanellës./Telegrafi/
Sipas një thashethemi të ri nga Kina, Apple do të fillojë testimin e pajisjeve të serisë iPhone 18 në linjën e prodhimit masiv "njëra pas tjetrës" në ditët e para të janarit.
Pastaj, prodhimi i vërtetë do të fillojë pak para Vitit të Ri Kinez, i cili në vitin 2026 bie më 17 shkurt.
Linja e prodhimit masiv të iPhone 18 Pro thuhet se është vendosur tashmë, dhe ky burim thotë se vetë telefoni nuk do të vijë me ndryshime të jashtme aq të mëdha sa duket se mendojnë të gjithë.
Nuk është e qartë pse Apple do të donte të fillonte prodhimin e pajisjeve të saj iPhone 18 kaq herët gjatë vitit, duke supozuar se plani është ende t'i lansojë ato në shtator.
Siç theksohet në fund, ende nuk ka asgjë të konfirmuar deri më tani, kështu që merreni këtë thashethem me një dozë rezervë. /Telegrafi/
Greta Thunberg u arrestua në Londër gjatë një proteste në mbështetje të aktivistëve pro-palestinezë që janë në grevë urie.
Aktivistja e njohur suedeze për klimën, Greta Thunberg, u arrestua të martën në qendër të Londrës gjatë një demonstrate në mbështetje të anëtarëve të grupit Palestine Action që ndodhen në burg dhe po bëjnë grevë urie për të protestuar ndaj arrestimit të tyre pa garanci lirimi dhe për trajtimin e tyre si të ndaluar.
Ngjarja ndodhi para zyrave të kompanisë Aspen Insurance në zonën financiare të Londrës, ku dhjetëra protestues ishin mbledhur për të shprehur solidaritet me grevistët e urisë. Thunberg u pa duke mbajtur një pankartë ku shkruhej “unë mbështes të burgosurit e Palestine Action. Unë kundërshtoj gjenocidin”.
— (@)
Organizatorët e protestës thanë se zgjodhën vendin përpara Aspen Insurance sepse kompania synohej për lidhje me firmat e mbrojtjes që furnizojnë armë, përfshirë kontrata me kompaninë izraelite Elbit Systems.
Para arrestimit të saj, disa protestues të tjerë përdorën pikturë të kuqe për të spërkatur hyrjen e ndërtesës, duke shkaktuar dëmtime të vogla materiale, dhe policia ndaloi një burrë dhe një grua nën dyshimin e shkaktimit të dëmit.
Më vonë, Thunberg – 22 vjeçe – u arrestua sipas nenit për mbështetje të një organizate të ndaluar, pasi Palestine Action në Mbretërinë e Bashkuar është shpallur organizatë terroriste.
Protesta ishte pjesë e një fushate më të gjerë për të tërhequr vëmendjen ndaj kushteve ligjore dhe njerëzore të të burgosurve, dhe ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare për shkak të profilit të lartë të Thunberg si aktiviste. /Telegrafi/
Një automjet jashtëzakonisht i vogël ka tërhequr vëmendjen në rrjete sociale për dizajnin e tij të pazakontë.
Makina duket se është projektuar për vetëm një person, me hapësirë minimale që mezi mjafton për shoferin.
Dhe sigurisht, pamjet e saj janë bërë virale, duke shkaktuar reagime të shumta.
Disa e shohin si zgjidhje ideale për qytetet e mbingarkuara, ndërsa të tjerë thonë se është më shumë një kuriozitet sesa mjet praktik transporti. /Telegrafi/
Udhëtarët në Aeroportin Ndërkombëtar të Sarajevës u përballën me një situatë të pazakontë.
Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur të hënën, më 22 dhjetor, gjatë kontrollit të sigurisë, kur macja e një pasagjereje u arratis brenda terminalit.
Sipas Aeroportit të Sarajevës, pasagjerja refuzoi fillimisht ta nxirrte kafshën nga kutia e transportit, gjë që është e detyrueshme sipas procedurave të sigurisë.
Kandidati për kryeministër njëheri kryeministër në detyrë, Albin Kurti ishte dje në shtëpinë e familjes Uka, në Dobrajë të Lipjanit.
Krahas mërgimtarëve të tjerë, të cilët nuk po hezitojnë të vijnë për të votuar më 28 dhjetor, edhe familja Uka, të cilët jetojnë në Londër, kanë ardhur këtë javë vetëm për ta mbështetur Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe prijësin e saj.
Kurti tha se mbështetja e tyre do ta bëjë fitoren e 28 dhjetorit edhe më të madhe se atë të 9 shkurtit.
Nga aty, Kurti vazhdoi për në sheshin e qytetit, në Lipjan, ku të shumtë ishin qytetarët që kishin dalë për ta pritur. Shumë nga mërgimtarët që ishin aty, e që ai nuk harroi që t’i falënderojë, kishin ardhur veçanërisht për të votuar. Prandaj Kurti i siguroi ata se festa për vitin që vjen, do të fillojë qysh më 28 dhjetor. /Telegrafi/
Granit Xhaka ka folur me superlativa për trajnerin Xabi Alonso, duke zbuluar ndikimin e jashtëzakonshëm që spanjolli ka pasur në dhomën e zhveshjes dhe në mentalitetin e skuadrës gjatë kohës kur dyshja punonin së bashku te Bayer Leverkuseni.
Mesfushori shqiptari tregoi se sapo Xabi Alonso hynte në dhomën e zhveshjes për të folur, atmosfera ndryshonte menjëherë. Sipas tij, të gjithë lojtarët heshtnin dhe përqendroheshin plotësisht te fjalët e trajnerit.
“Kur trajneri Xabi Alonso hynte në dhomën e zhveshjes dhe fillonte të fliste, të gjithë mbyllnin gojën menjëherë dhe ishin 100% të fokusuar te ajo që ai po thoshte”.
“Sepse ne e dëgjonim dhe e dinim se gjithçka që thoshte ishte e vërtetë. Ai nuk përsëriste thjesht fjalët e të tjerëve”.
“Ai nuk ishte i rremë, ishte një trajner i vërtetë”, u shpreh Xhaka fillimisht.
Xhaka theksoi se një nga cilësitë më të mëdha të Xabi Alonsos ishte sinqeriteti dhe autenticiteti i tij, gjë që i bënte lojtarët ta respektonin natyrshëm.
“Ego ka në çdo skuadër, por Xabi Alonso nuk është interesuar kurrë nëse ke një emër të madh apo jo”.
“Atij nuk i interesonte sa para kushton transferimi yt, ai shikonte vetëm atë që tregon në fushë”, vazhdoi mesfushori.
Sipas Xhakës, kriteri kryesor për të fituar besimin e Alonsos ishte përkushtimi maksimal në fushë dhe serioziteti në stërvitje.
“Ai dëshiron të të shohë duke luftuar fort në fushë. Nëse e bën këtë dhe stërvitesh mirë, ai do të të japë një mundësi”.
“Kjo është ajo që e kam admiruar më së shumti tek ai", përfundoi 33-vjeçari./Telegrafi/
Elijona Binakaj ka folur sërish për historinë e saj tragjike, humbjen e nënës dhe motrës, një rrëfim që ka prekur thellë publikun e gjerë.
Siç ka treguar edhe më herët banorja, ajo humbi dy nga njerëzit më të dashur të familjes së saj gjatë një aksidenti tragjik në Kroaci.
Gjatë një bisede me banorin Ludo Lee, teksa po fliste pikërisht për këtë ngjarje të dhimbshme, Elijona u përlot, e kapluar nga emocionet e forta që i riktheu kjo histori.
“A e din kur e kuptoj që nuk kanë me u kthy më, vetëm kur ju shkoj te varri”, tha ajo.
Më pas, Ludo Lee e pyeti se çfarë kishte ndryshuar tek ajo pas humbjes së tyre.
“Si fillim i kam këput krejt kontaktet me njerëz, nuk kam pas shoqëri, dy vjetët e para kanë qenë tmerr, nuk ja dëshiroj askujt me e përjetu atë se pernime kam hjek shumë, se të mungon një shtyllë e madhe a po kupton, edhe e kam pa edhe familjen tu ndryshu, si babi, si motra, si vëllau. Ama çka kom mësu ka qenë se kam përballu shumë sende vetë edhe kam mësu me i vlerësu njerëzit që i ki afër, me i vlerësu në maksimum”, tha Elijona.
Redaktorja e Radiotelevizionit të Kosovës, Blerta Foniqi Kabashi, ka fituar rastin lidhur me degradimin e saj në pozitë, pas një ankese të bërë në Inspektoratin e Punës.
Sipas njoftimit që Foniqi-Kabashi bëri publik, ndryshimi i pozitës së saj është bërë në mënyrë të jashtëligjshme.
Inspektorati ka konstatuar se Blerim Haxhiaj nuk ka pasur mandat për të ushtruar detyrën e U.D. Kryeredaktorit në kohën kur nisi procedurën disiplinore ndaj saj.
Vendimi i Inspektoratit thotë se: “… punëdhënësi, RTK, përkatësisht z. Blerim Haxhiaj me rastin e inicimit të procedurës disiplinore ndaj znj. Blerta Foniqi Kabashi, në pozitën e Redaktores së lajmeve qendrore, nuk ka pasur mandat të bëjë një veprim të tillë pasi mandati i tij ka përfunduar më datën 15.09.2025. Marrja e këtij veprimi është në kundërshtim me Nenin 3 dhe 4 të Rregullores për rregullimin e procedurave të konkursit në RTK.”
Si rrjedhojë, Foniqi-Kabashi duhet të kthehet në detyrën e saj si redaktore e lajmeve qendrore në RTK. /Telegrafi/