Një zhvillim i rëndësishëm juridik ka ndodhur në Shqipëri lidhur me projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka marrë vendim për sigurim padie, duke pezulluar të drejtat e votës së shoqërisë Mabco Construction SA në shoqërinë “Vlora International Airport” shpk.
Sipas dokumentit zyrtar të datës 23 dhjetor 2025, të cilin e ka siguruar Gazeta Sinjali, masa është marrë pas kërkesës së paraqitur nga paditëset “Vlora International Airport” shpk (VIA) dhe “2A Group” shpk, në kuadër të një kontesti civil që lidhet me përbërjen dhe funksionimin e ortakërisë.
Çfarë ka vendosur gjykata?
Gjykata ka vendosur:
• Pezullimin e të drejtës së votës së Mabco Construction SA (degë e shoqërisë së huaj) në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve të “Vlora International Airport” shpk;
• Pezullimin e çdo të drejte që rrjedh nga zotërimi i kuotës së kësaj shoqërie në VIA, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar;
• Pranimin e kërkesës për sigurim padie, si masë e përkohshme mbrojtëse.
Vendimi është marrë nga Dhoma Civile e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe mbetet në fuqi deri në një vendim të formës së prerë. Palët kanë të drejtë ankimi në Gjykatën e Apelit brenda afatit ligjor.
Çfarë nënkupton ky vendim?
Ky vendim i Gjykatës nënkupton pezullimin e përkohshëm të të drejtës së votës dhe ndikimit vendimmarrës të shoqërisë Mabco Construction SA në strukturat e shoqërisë “Vlora International Airport” shpk, deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë.
Si rrjedhojë, qeverisja dhe vendimmarrja në kuadër të këtij projekti kalojnë aktualisht tek ortaku tjetër, shoqërinë 2A Group, e cila tashmë pritet të ndërmarrë veprime konkrete për riorganizimin e menaxhimit dhe ushtrimin e kompetencave statutore.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, palët paditëse kanë paralajmëruar ndërmarrjen e të gjitha hapave ligjorë për të kontestuar dhe anuluar kontratat që i konsiderojnë të kundërligjshme, përfshirë marrëveshjen ndërmjet Mabco Construction SA dhe fondit Delfos Compartment Bernina, e cila pritet të jetë objekt i procedurave të veçanta gjyqësore.
Sinjali do të vazhdojë të raportojë për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë çështje, përfshirë reagimet e palëve të përfshira dhe veprimet e mëtejme ligjore që pritet të pasojnë.
Është mbyllur ndeshja e prapambetur mes Dritës dhe Prishtinës, e zhvilluar në kuadër të Superligës së Kosovës në futboll.
Skuadra kampione në fuqi, Drita, regjistroi një fitore bindëse 2:0 ndaj ekipit nga kryeqyteti, me të dy golat e realizuar gjatë pjesës së parë të takimit.
Zhbllokimi i rezultatit erdhi në minutën e 25-të, kur Pëllumbi dërgoi topin në rrjetë.
Vetëm dy minuta më pas, Ovouka dyfishoi epërsinë, duke vulosur shifrat përfundimtare.
Falë kësaj fitoreje, Drita ngjitet në vendin e katërt me 29 pikë, katër më pak se lideri Ballkani.
Ndërkohë, Prishtina vazhdon të mbajë pozitën e dytë me 30 pikë, tri më pak se skuadra nga Suhareka.
Arta Metaj Govori është një nga emrat që po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje në skenën politike në prag të zgjedhjeve në Kosovë, veçanërisht pas mbështetjes publike nga deputetja Hykmete Bajrami, e cila e ka cilësuar atë si një mike të afërt dhe një shtesë të domosdoshme për Kuvendin e Kosovës.
Me profesion juriste, Metaj Govori vjen në garën zgjedhore me një formim të fortë ligjor dhe një qasje të bazuar në parimet e drejtësisë, përgjegjësisë institucionale dhe sundimit të ligjit. Profili i saj profesional shihet si një aset i rëndësishëm për proceset ligjvënëse dhe për forcimin e rolit të Kuvendit në mbikëqyrjen e institucioneve.
Fushata e Artës Metaj Govori është dalluar për energjinë pozitive dhe komunikimin e hapur me qytetarët. Ndryshe nga retorika e zakonshme politike, ajo ka zgjedhur ta ndërtojë mesazhin e saj rreth konceptit të “nderit” dhe “nderit në shërbim”, duke e paraqitur politikën si një angazhim moral dhe profesional ndaj interesit publik.
Mbështetja nga Hykmete Bajrami ka forcuar perceptimin e Metaj Govorit si një figurë serioze dhe kredibile. Bajrami ka theksuar se Arta përfaqëson një brez të ri të përfaqësuesve politikë, të cilët sjellin integritet, përgatitje profesionale dhe guxim për të marrë përgjegjësi në vendimmarrje.
Në këtë kontekst, Arta Metaj Govori po pozicionohet si një kandidate që synon të sjellë një frymë të re në Kuvendin e Kosovës, duke ndërtuar besim përmes nderit, profesionalizmit dhe shërbimit të ndershëm ndaj qytetarëve.
Përplasja e vazhdueshme për aksionet e firmës koncesionare që po ndërton Aeroportin e Vlorës ka marrë një tjetër kthesë, teksa përplasja mes dy aksionerëve Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi vijon për të disatin muaj, me akuza konkrete, vendime të aksionerëve, emërime, shkarkime apo edhe tashmë me procese gjyqësore.
Ditën e djeshme, Pacolli shkroi në rrjete sociale se operimi në Aeroport do të vijojë tashmë normalisht. Ai nuk dha shumë detaje, as se çfarë vendimi ka marrë, emërimet, proceset gjyqësore apo edhe mbarëvajtja e hetimit të çështjes, që tashmë është në dyert e Prokurorisë së Tiranës.
Përplasja e vazhdueshme e Pacollit me aksionerin në minorancë, menjëherë sapo turqit u larguan me xhepa plot, duket se e futi në qorrsokak të gjithë atë vepër, e projektuar për t’u hapur në verën që sapo lamë pas, e trumbetuar me të madhe se aeroporti është gati. Aktualisht, është shkruar se vepra do të hapet në verën e vitit 2026, atje ku janë caktuar edhe oraret e fluturimeve të linjave ndërkombëtare.
Me letra, duke parë dokumentet në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompania e Pacollit ka 98 % të aksioneve, ndërkohë që Valon Ademi ka me letra 2 %, ndërkohë që pretendon 47 % të aksioneve. Në ditët e fundit ka pasur zhvillime nga të dyja krahët, ku Pacolli ka preferuar që t’a ndajë me opinionin publik, duke shkruar në internet se “po kthehet normaliteti me aeroportin e Vlorës!
“Drejtësia, ndonëse shpesh përballet me sfida dhe procese të vështira, ajo mbetet universale dhe e pashmangshme në zbatimin e saj. Është një ndjenjë krenarie për një qytetar, kur drejtësia në vendin e tij funksionon në mënyrë të pavarur, të pandikuar dhe të qëndrueshme. Nga sot, në Vlora International Airport, rikthehen normaliteti institucional, rendi ligjor dhe besimi duke i falenderuar drejtësisë!” shkruan Pacolli.
Faksimile: Vendimi i ortakut në minorancë, Valon Ademi, për të emëruar administratorin e ri, në datën 11 dhjetor 2025
Prej shumë muajsh, firma koncesionare që po ndërton Aeroportin e Vlorës, nuk ka pasur një administrator, teksa ka pasur shkarkime dhe emërime të njëanshme. Në datën 11 dhjetor 2025, është bërë një mbledhje e njëanshme nga shoqëria “2A GROUP”, me perfaqësues ligjor dhe ortak të vetëm Valon Ademin. Në këtë takim ishte i pranishëm vetëm Ademi, i cili shkruan në dokumente se shoqëria e tij, është e vetmja që ka të drejtë vote aktive në Vlora International Airport, VIA shpk.
Vendimi i Asamblesë
Kompania tjetër aksionere, “????? Construction”, e familjes Pacolli, s’ka qenë qe pranishme. “Mbedhja e Asamblesë së Përgjithshme u thirr për të diskutuar dhe vendosur mbi rendin e ditës caktimin e administratorit të ri të shoqërisë Vlora Internacional Airoport-VIA shpk. Pas diskutimit asambleja vendosi emërimin e administratorit z.Vegim Hoxha, me mandat 2 vjet, duke filluar nga data e këtij vendimi” thuhet në dokumentet që ka siguruar VoxNews.
Ky vendim, i është dërguar Qendrës Kombëtare të Biznesit, e cila e ka pasqyryar në ekstraktin e firmës koncesionare, duke njohur tashmë si administrator z. Vegim Hoxha. Një kopje të vendimit të gjykatës, të datës 17 tetor 2025, ku Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i hoqi të drejtën e votës dhe ngriu aksionet e Pacollit, iu dërgua po QKB-së.
Faksimile: Në mbledhje shkruhet se, pas vendimit të gjykatës, firma e Valon Ademit ka vendimmarrje të plotë
VoxNews shfletoi dokumente të tjera, ku rezulton se Ademi ka vepruar i vetëm, pa asnjë miratim nga aksioneri tjetër, teksa ka vendosur po vetëm që të emërojë administratorin. Në procesverbalin e asaj mbledhje, shkruhet se është legjitimuar se “në bazë të statutit të firmës, merret në konsideratë fakti se ky vendim po merret nga i vetmi ortak me të drejtë aktive vote në shoqëri, që është shoqëria ‘2A Group’”. Sipas saj, në këto kushte, vendi i mbledhjes konsiderohet i përshtatshëm dhe i ligjshëm.
Më tej shkruhet se asambleja konstaton se mbledhja është e vlefshme dhe e rregullt, pasi i vetmi ortak me të drejtë vote – 2A Group SH.P.K. – përfaqëson 100% të kuotave të vlefshme për votim.
“Nevoja e thirrjes së kësaj mbledhjeje të jashtëzakonshme lidhet drejtpërdrejt me dorëheqjen e parevokueshme të administratorit të Shoqërisë dhe pasqyrimin e kësaj dorëheqjeje në ekstraktin e QKB-së për VIA-n, të datës 17.11.2025. Mungesa e administratorit, në këtë kontekst, sjell pasoja të rënda të natyrës juridike, financiare dhe operacionale, si dhe rrezikon seriozisht zbatimin e Kontratës Koncesionare dhe detyrimeve të Shoqërisë ndaj Autoritetit Kontraktor” thuhet më tej.
Procesverbali i mbledhjes vijon se ligji nuk e kushtëzon kuorumin me pjesëmarrjen e ortakëve pa të drejtë vote, sepse kuotat e tyre nuk gjenerojnë asnjë kapacitet vendimmarrës. “Kuota e një ortaku që nuk ka të drejtë vote është juridikisht ‘e shurdhër’ për efekt të kuorumit dhe shumicës. Në rastin konkret, si rezultat i pezullimit të së drejtës së votës së MABCO Construction SA me vendim gjykate, kuotat e MABCO-s përjashtohen automatikisht nga llogaritja e kuorumit. Pezullimi i votës nuk prek pronësinë formale të kuotës, por çaktivizon atributet e saj institucionale dhe e nxjerr këtë kuotë jashtë çdo funksioni në Asamble” vijon dokumenti.
Një përplasje që tashmë është futur në kalenda, sa gjyqësore, hetimore e administrative. Vendime që mund të sjellin pasoja tepër të rënda në të ardhmen, duke qenë se vepra është një prioritet i qeverisë shqiptare për t’a ndërtuar.
Kosovën e ndajnë vetëm pak ditë deri të procesi parakohshëm zgjedhor i së dielës së 28 dhjetorit, derisa shpejt pas mbylljes së vendvotimeve pritet që publikohen rezultatet preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se publikimi i rezultateve të zgjedhjeve do të fillojë para orës 20:00 të dielën.
“Rezultatet do të fillojnë të publikohen duke filluar para orës 20:00 dhe ato do të përditësohen vendvotim pas vendvotimi. Pra, brenda një kohe të shkurtër pasi numërohen fletëvotimet e një vendvotimi, do të publikohen të dhënat në platformën e rezultateve”, tregoi ai.
Tutje, Elezi tregoj procedurat e numërimit deri te publikimi i rezultateve preliminare dhe rezultateve të kandidateve.
“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve të subjekteve politike të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës bëhet në vendvotim, pasi të përfundojë procesi i votimit, ndërkaq, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës bëhet në Qendra Komunale të Numërimit. KQZ ka bërë përgatitjet që më 28 dhjetor të publikohen rezultatet preliminare të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. Gjithashtu, gjatë zhvillimit të ditës së votimit, në orare të caktuara (09:00; 11:00; 13:00, 15:00; 17:00 dhe 19:00) do të publikohen edhe të dhëna për pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje, për secilën komunë, të detajuar për çdo qendër votimi dhe vendvotim”, tregoi tutje Elezi.
Zëdhënësi i KQZ-së tha se softueri për transmetimin e rezultateve preliminare nga vendvotimet, por edhe për procesin që do të zhvillohet në 38 Qendrat Komunale të Numërimit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është zhvilluar, me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Komandanti i misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, Gjeneral Major Ozkan Ulutash, ka pritur në takim Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji, në Selinë e KFOR-it në Camp Film City, Prishtinë.
Gjatë takimit, gjeneralët shkëmbyen mendime mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajonin përreth.
“Gjenerali Ulutaş shprehu gjithashtu vlerësimin e tij të sinqertë për kontributin e vlefshëm të Shqipërisë në misionin KFOR”, tha misioni i NATO’s në një njoftim.
KFOR-i përsëriti se vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se është i gatshëm të tërheqë trupat nga zemra industriale lindore e vendit, nëse Rusia tërhiqet gjithashtu dhe zona bëhet një zonë e demilitarizuar dhe e lirë ekonomike, e monitoruar nga forcat ndërkombëtare.
Ai ka theksuar se çdo marrëveshje e tillë duhet të vendoset përmes një referendumi.
“Sepse njerëzit mund të zgjedhin: a na përshtatet ky përfundim apo jo?” tha Zelensky, duke shtuar se një votim i tillë do të kërkonte 60 ditë, gjatë së cilave armiqësitë duhet të ndalen.
Zelensky ka theksuar gjithashtu mundësinë e një marrëveshjeje të ngjashme për rajonin e termocentralit bërthamor Zaporizhzhia, aktualisht nën kontrollin rus.
Presidenti ukrainas ua paraqiti gazetarëve planin 20-pikësh që ai dhe negociatorët amerikanë hartuan në Florida, megjithëse shumë detaje janë ende duke u përpunuar.
Negociatorët amerikanë kanë zhvilluar bisedime veçmas me Ukrainën dhe Rusinë që nga prezantimi i planit të armëpushimit nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili shihej si i favorshëm për Moskën. Ukraina dhe aleatët e saj evropianë kanë punuar që planin ta afrojnë më shumë me qëndrimin e Kievit.
Rajoni i Donbasit dhe menaxhimi i termocentralit Zaporizhzhia mbeten çështjet më të ndërlikuara në negociata.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska do të paraqesë qëndrimin e saj bazuar në informacionin nga i dërguari presidencial rus, Kirill Dmitriev, pas takimeve me negociatorët amerikanë në Florida.
Megjithatë, Rusia nuk ka dhënë shenja se do të tërhiqet nga territori i pushtuar dhe ka insistuar që Ukraina të heqë dorë nga pjesa e mbetur e Donbasit, ultimatum që Ukraina e ka refuzuar.
Aktualisht, Rusia ka pushtuar pjesën më të madhe të Luhanskut dhe rreth 70% të Donetskut.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Konferencën e ambasadorëve të Serbisë, ka deklaruar se ka filluar një valë e re njohjesh të pavarësisë së Kosovës, duke bërë thirrje për mobilizim dhe angazhim për çnjohje.
Sipas tij, këtë vit Kosova është njohur nga katër shtete të reja, ndër të cilat e fundit ishte Bahamet. Vuçiqi tha se kishte pritur përparim të madh nga administrata e Donald Trumpit në Shtetet e Bashkuara, por sipas tij, Serbia nuk ka marrë mbështetje nga asnjë fuqi e madhe.
Ai u ka thënë ambasadorëve serbë: “Duhet punuar në çnjohjen e Kosovës”.
“Vetëm që ta dini, pavarësisht se çfarë ju thonë, pavarësisht se çfarë thonë, asnjë marrëveshje nuk e respektojnë as Prishtina, as Bashkimi Evropian e as SHBA-ja. Madje as ato që na imponuan – Kosova është pjesë e Serbisë për ne, kështu ka qenë dhe kështu do të jetë,” tha Vuçiq, transmeton “N1”.
Ai shtoi se Serbia duhet të forcojë praninë e saj në Azi, Afrikë, Amerikë të Jugut dhe Amerikë Qendrore.
Vuçiq foli gjithashtu për sanksionet e vendosura nga SHBA-ja ndaj Industrisë Serbe të Naftës (NIS):
“Kur ishte e vështirë për ne, nuk e morëm atë mbështetje nga fuqitë e tjera të mëdha, as në lindje, e as në Bashkimin Evropian. Çdokush prej tyre ka mundur të thotë – ne jemi këtu me ju, ne jemi këtu për ju. Askush nuk e bëri këtë, secili kishte arsyet e veta shtesë për presion, duke pritur edhe më shumë nga Serbia, duke kërkuar shumë, por duke mos dhënë asgjë,” tha Vuçiq.
Një 62-vjeçare nga Gjirokastra është vënë nën hetim nga Policia, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortit të saj.
A2CNN ka raportuar se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal ndaj shtetases K. Ç., banuese në qytetin e Gjirokastrës.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka folur së fundmi për raportet me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kreu i VV-së, përmendi edhe heqjen e masave të Bashkimit Evropian, duke theksuar se “gjithmonë kanë qenë të padrejta”.
“Sa i përket raporteve me Bashkimin Evropian, mua më duhet të them që Bashkimi Evropian i hoqi masat të cilat gjithmonë kanë qenë të padrejta, nuk është që tash gjendja ndyshoi drastikisht. Është vetë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, vitin e kaluar, në tetor, ka thënë që masat duhet të hiqen, dhe ato më në fund u hoqën. Më mirë vonë se kurrë, ndonëse jemi shumë të vonuar, por ne jemi edhe një qeverisje që ka siguruar liberalizimin e vizave. Më herët kemi pasur shampanjë për heqjen e vizave, dhe asnjëherë nuk janë hequr ato, e kësaj radhe u hoqën, por pa nevojë për shampanjë”, ka thënë Kurti.
Ai ka folur edhe për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i ka përshkruar si tri-dimensionale, duke përfshirë zhvillimin, diplomacinë dhe mbrojtjen.
“Marrëdhëniet i kemi tri-dimensionale: zhvillim, diplomaci dhe mbrojtje. Mund të them që po ecin shumë mirë, sidomos në fushën e mbrojtjes, dhe unë jam shumë i lumtur për këtë, sepse po blejm, ta zëmë, edhe sistemin ‘Syri i Shqiponjës’, pastaj po blejmë ‘Skifter të zinjë’, e kështu me radhë….”, tha Kurti për tvsyri.
Ai ka theksuar se edhe pse marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara nuk janë gjithmonë të shkëlqyeshme, ato janë të mira.
“Pra, marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk janë ndoshta gjithmonë të shkëlqyeshme, por janë shumë të mira. Ne duhet të kemi qëndrime edhe më të avancuara se ato kur është në pyetje interesi ynë shtetëror e kombëtar”, ka theksuar tutje kryeministri në detyrë.
Bordi i Drejtorëve i Ndërmarrjes Ambienti, me kryesim të ing. Gramoz Xhemajlit, ka nënshkruar vendimin për shpërblim vjetor prej 500 eurosh për çdo punonjës, me rastin e festave të fundvitit, si dhe për ngritje page për vitin 2026.
Ky vendim u miratua në mbledhjen e rregullt të Bordit të Drejtorëve, bazuar në propozimin e Kryeshefit Ekzekutiv, Diedon Berisha, duke vlerësuar sukseset e larta të ndërmarrjes gjatë vitit.
Sipas Bordit, Ambienti Sh.A. për herë të parë pozicionohet si kompani lidere në Kosovë për paga, shujta dhe beneficione për punonjësit e saj.
Bordi i Drejtorëve gjithashtu theksoi se prioritet për vitin 2026 mbetet modernizimi i mëtejshëm, digjitalizimi dhe zhvillimi i vazhdueshëm i ndërmarrjes.
Në përbërje të Bordit janë Gramoz Xhemajli, kryesues, Drita Krasniqi dhe Gazmend Kastrati, të cilët u uruan punonjësve për shëndet dhe suksese të përbashkëta edhe në vitin e ardhshëm.
Bordi falënderoi gjithashtu stafin ekzekutiv dhe operativ për kontributin e dhënë në realizimin e politikave të ndërmarrjes dhe për arritjen e rezultateve të larta. /Telegrafi/
Banorët e Big Brother VIP Kosova 4, Ludo Lee, Eduard Kuçi dhe Ardit Stafaj, zhvilluan një bisedë rreth formatit të Big Brother dhe krahasimeve mes tyre.
Ata folën për fillimet e programit dhe për mënyrën se si ka evoluar në vende të ndryshme.
Gjatë diskutimit, Edi theksoi se sipas tij, më i miri nga të gjithë Big Brother është ai i Kosovës.
Foto: Instagram
“Unë besoj që Big Brother më të mirin e kemi ne, ne në Kosovë. Sa surpriza bëhet", tha ai.
Shikuesit gjithashtu kanë reaguar me komente dhe diskutime në rrjetet sociale për këtë krahasim.
Edi ndërkaq ka qenë pjesë edhe e edicionit të kaluar të këtij reality shou, por qëndroi për vetëm dy javë.
Në të kaluarin fitues u shpall boksieri nga Drenica, Drilon Rama. /Telegrafi/
Që nga fillimi, presidenti rus, Vladimir Putin dhe propagandistët e tij kanë tentuar ta paraqesin agresionin në Ukrainë si një “luftë të popullit”, por ky imazh ka dështuar - vendi është lodhur nga lufta, edhe pse “heronjtë” (ata që vrasin, përdhunojnë dhe lëndojnë pa ndëshkim) kthehen nga fronti.
Si përpjekje për të ndryshuar këtë, ideologët e Kremlinit kanë promovuar një seri komike televizive të titulluar “Anë tjetër e Monedhës”, e cila tregon ushtarë rusë që luftojnë në Ukrainë dhe është financuar me miliarda rubla nga organizata që mbështetet nga shteti. Kjo lloj komedie rreth një lufte është e re dhe pa precedent në propagandën ruse, raporton The Moscow Times.
Seriali përshkruan ushtarët si të lumtur, të lidhur ngushtë me njëri‑tjetrin dhe të udhëhequr nga komandantë të mençur - një realitet që shumë rusë e konsiderojnë larg asaj që dihet për gjendjen e vërtetë në front.
Edhe figura të profilit të lartë që janë pro‑luftës e kanë kritikuar projektin, duke thënë se është thellësisht i gabuar dhe i pavend, veçanërisht kur ironizon për humbjet e familjeve që kanë humbur bashkëshortë ose të afërm.
Në rrjetet sociale, shumë njerëz kanë shprehur zemërim, duke pyetur nëse regjisorët kanë qenë ndonjëherë në front apo e kuptojnë vuajtjen reale të luftës.
Shkrimtari argumenton se kjo seri, sipas tij më shumë propagandë sesa satire e vërtetë, me shumë gjasa do të dështojë në qëllimin e saj: t’i bëjë njerëzit të qeshin me luftën. /Telegrafi/
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot, në kuadër të seancës së 75-të plenare, zgjodhi Muhamet Hoxhën si Ministër të Mjedisit dhe Bekim Sali si Ministër për Integrime Evropiane. Menjëherë pas zgjedhjes, Hoxha dhe Saliu dhanë deklarata solemne para deputetëve.
Kryeministri Hristijan Mickoski në Kuvend shpjegoi propozimet për emërimin e Muhamet Hoxhës si Ministër të Mjedisit dhe Bekim Saliut si Ministër për Integrime.
Sot po ju paraqes propozimin për zgjedhjen e dy ministrave me qëllim pajisjen e plotë dhe funksionale të Qeverisë dhe sigurimin e vazhdimësisë në punë, në departamentet kryesore të pushtetit ekzekutiv, tha Mickoski.
Ai për Hoxhën tha se kandidati ka shumë vite përvojë në administratën shtetërore dhe në pushtetin ekzekutiv, se ka qenë i angazhuar në disa institucione me pozicione drejtuese që nënkuptojnë përgjegjësi, koordinim dhe punë në një mjedis kompleks administrativ dhe institucional.
Për Bekimi Sali tha se ai kishte përvojë të mëparshme si ministër, si dhe angazhim të vazhdueshëm në degën legjislative, gjë që i jep atij një kuptim të qartë të marrëdhënieve midis degëve ekzekutive dhe legjislative, si dhe të mënyrës se si funksionojnë institucionet shtetërore.
Kuvendi sot gjithashtu sot ka shkarkuar nga posti i ministrit për Integrime Evropiane, Orhan Murtezanin./Telegrafi/
Drejtoria e Bujqësisë në Komunën e Kaçanikut, nën drejtimin e Drejtorit Suhad Dullovi, ka përmbyllur me sukses shpërndarjen dhe montimin e 103 serrave për fermerët lokalë gjatë vitit 2025.
Secila serra ka një sipërfaqe prej 50 m², duke ofruar kushte të avancuara për kultivim dhe prodhim bujqësor.
Ky projekt synon të rrisë kapacitetet bujqësore të fermerëve kaçanikas dhe të përmirësojë mirëqenien e tyre përmes mbështetjes direkte në prodhim.
Drejtoria e Bujqësisë thekson se do të vazhdojë përpjekjet për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe fuqizimin e sektorit vendor. /Telegrafi/
Inspektoriati i KRU “Hidroregjioni Jugor” në bashkëpunim me njësitë operuese, ka vazhduar sot aksionin e shkyçjeve për konsumatorët që nuk i kanë përmbushur detyrimet financiare ndaj kompanisë.
Gjatë ditës janë realizuar gjithsej 25 shkyçje, nga të cilat 15 në Prizren dhe 10 në Suharekë.
Shkyçjet vijnë pas thirrjeve dhe afateve të përsëritura për pagesë, të cilat nuk janë respektuar nga konsumatorët e prekur.
KRU “Hidroregjioni Jugor” ka bërë të ditur se nuk do të ketë më tolerancë apo falje për konsumatorët që nuk e kryejnë pagesën e obligimeve, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të kontratave dhe sigurimin e furnizimit të pandërprerë me ujë. /Telegrafi/
Një nga më të mirët e të gjitha kohërave, portugezi Cristiano Ronaldo synon të bëhet lojtari i parë në histori që shënon 1,000 gola në futbollin profesionist.
Në karrierën e tij të jashtëzakonshme deri më tani, ai ka shënuar 955 gola, dhe i mungojnë 45 për këtë shifër të jashtëzakonshme.
Këtë verë, ai e zgjati kontratën me Al-Nassr dhe do të luajë në Arabinë Saudite të paktën deri në vitin 2027, gjë që është më se e mjaftueshme për të arritur numrin magjik.
Trajneri portugez Roberto Martinez beson se qëllimi i Ronaldos nuk është të shënojë një mijë gola.
"Ai është në një moment të mirë në karrierën e tij dhe e ka arritur këtë sepse jeton në moment. Sekreti i tij është të jetë më i miri sot dhe të shijojë çdo ditë. Pra, numri do të jetë pasojë e ditës kur ai vendos të dalë në pension", përfundoi Martinez.
Ndryshe, Ronaldo gjatë karrierës së tij ka luajtur për Sporting Lisbonën, Manchester Unitedim (dy herë), Real Madridin, Juventusin dhe Al-Nassr. /Telegrafi/
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është pajisur me sistemin raketor antitank gjerman Panzerfaust 3, si pjesë e forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
“Sistemi raketor antitank gjerman Panzerfaust 3 pjesë e arsenalit mbrojtës së FSK-së”, ka shkruar Kurti në një postim publik.
Ai ka theksuar se kjo blerje është realizuar gjatë mandatit të tij qeverisës dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në modernizimin e mbrojtjes së Kosovës.
“Gjatë mandatit tonë, Ministria e Mbrojtjes, përveç të tjerash, ka realizuar edhe një blerje tjetër të rëndësishme për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, Panzerfaust 3 është një nga sistemet më të avancuara dhe më të besueshme të këtij lloji, i cili përdoret edhe nga ushtritë e vendeve të NATO-s.
Në fund, kryeministri në detyrë ka theksuar rëndësinë e investimeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Investimi në mbrojtje është investim për paqen, sovranitetin dhe integritetin e Republikës sonë”, ka përfunduar Kurti. /Telegrafi/
Komuna e Drenasit ka nxjerrë një urdhëresë të re që ndalon përdorimin e produkteve piroteknike në të gjitha hapësirat publike, duke përfshirë sheshet, rrugët dhe zonat e tjera publike.
Sipas vendimit, shitja e produkteve piroteknike do të lejohet vetëm nga data 19 deri më 31 dhjetor, ndërsa përdorimi i fishekzjarrëve është i lejuar nga 26 dhjetor deri më 1 janar 2026.
Çdo shkelje e këtij vendimi do të ndëshkohet me gjoba që variojnë nga 100 deri në 500 euro. Për zbatimin e urdhëresës do të kujdeset Drejtoria e Inspeksionit e komunës.
Komuna e Drenasit apelon tek qytetarët që të respektojnë këtë vendim, duke siguruar qetësi dhe siguri gjatë periudhës festive. /Telegrafi/
Finalizohet pas 4 javësh hetime, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, operacioni policor i koduar “Labirinti 2”.
Goditet një grup kriminal që shiste lëndë narkotike.
Identifikohen 33 shtetas, pjesëtarë të grupit kriminal, të cilët, individualisht ose të organizuar në grupe, ushtronin veprimtarinë e paligjshme të shitjes së lëndëve narkotike, në trajta të ndryshme.
Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg” për 22 prej tyre.
5 shtetas janë arrestuar gjatë periudhës hetimore, ndërsa vijon puna për kapjen e 6 shtetasve të tjerë të identifikuar si pjesë e këtij grupi kriminal.
Si rezultat i operacionit u sekuestruan rreth 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë; 10 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 100 doza të kësaj lënde; 5 automjete; 28 celularë; 6 peshore elektronike dhe 3 000 euro.
Në kuadër të operacionit u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit: Renaldo Dalipi, Engelbert Pjetri, Armandi Hajdini, Olsi Mici, Fatjon Cela (Çela), Xhon Boci, Laert Murataj, Artan Pullazi, Erald Sina, Blerim Mali, Gentjan Vercani, Valerjos Bushi, Olkid Hajdari, Dylber Alijaj, Angjelos Mema, Majdi Musa, Jurgen Hekurani, Erdison Gjella, Abdurahman Bollati, Klodian Rrucaj, Indri Nakaj dhe Genti Kraja.
Gjatë periudhës hetimore janë arrestuar shtetasit: A. V., 23 vjeç, E. P., 22 vjeç, G. V., 19 vjeç, S. C., 22 vjeç dhe R. Gj., 22 vjeç, të cilëve iu janë sekuestruar sasi të ndryshme lëndësh narkotike.
Nga hetimet rezultoi se aktiviteti kriminal i shitjes së lëndëve narkotike shtrihej në disa zona të qytetit të Tiranës, kryesisht në: Bllok, Kamëz, Laprakë, Selitë, Tiranë e Re, Shkozë, Ali Demi, Xhamllik, Pazari i Ri, Shkolla e Kuqe, Astir, Myslym Shyri dhe Komuna e Parisit.
Lëndët narkotike shiteshin në lokale, tabakino, mjete taksi, si dhe të kamufluara si shpërndarje porosish të ndryshme.
6 shtetas të tjerë të identifikuar si pjesë e këtij rrjeti janë shpallur në kërkim. Vijon puna për kapjen e tyre dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. /TCH/