Normal view
U arratis nga spitali/ Kontrolle në Tiranë, Durrës dhe Elbasan për Altin Ndocin
Policia vijon punën për gjeten dhe kapjen e të paraburgosurit Altin Ndoci, i cili u arratis ditën e djeshme nga Spitali i Durrësit.
Uniformat blu janë duke ushtruar kontrolle në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.
Në lidhje me këtë ngjarje janë arrestuar tetë persona, zyrtarë të burgut të Durrësit dhe kryeinfermieri.
Rreth orës 13.00 të së martës Altin Ndoci është shoqëruar së bashku me një të dënuar tjetër nga dy efektivë policie në pavionin e infektivit. Në pritje të vizitës mjekësore ai ka kërkuar të shkojë në tualet. Me të dalë nga aty ka përfituar dhe ka goditur në befasi efektivin e policisë së burgjeve që po e ruante dhe menjëherë është larguar me vrap, ku e priste një automjet tip Audi i bardhë me të cilin është larguar.
Efektivi që e ndoqi Ndocin në arratinë e tij ka qëlluar me armën e tij të shërbimit në tokë dhe plumbi ka bërë rikoshet. Predha e tij përfundoi në shkallët e Infektivit, ndërsa gëzhoja e tij nuk është gjetur ende.
“Mbrojtës pedofilësh”, Trump i drejtohet punëtorit: F*** you
Një moment i shkurtër por i tensionuar ka ndodhur gjatë vizitës së Presidentit Donald Trump në fabrikën Ford Rouge në Dearborn të martën.
Sipas raportimeve që qarkullojnë në rrjetet sociale, një punëtor e ka akuzuar Trumpin si “mbrojtës pedofilësh”. Në përgjigje, Trump duket se i ka thënë “f*** you” dhe ka bërë një gjest të pahijshëm. Audioja e ngjarjes është e vështirë për t’u kuptuar qartë.
Gazetarët kanë kontaktuar Ford për të verifikuar nëse punëtori është marrë në përgjegjësi. Në një deklaratë, kompania deklaroi: “Kemi pasur një event të mrekullueshëm sot dhe jemi krenarë për mënyrën se si punonjësit përfaqësuan Ford. Kemi parë klipin për të cilin po flisni. Një nga vlerat tona kryesore është respekti dhe nuk e mbështesim përdorimin e fjalëve të papërshtatshme brenda ambienteve tona. Kur ndodh diçka e tillë, kemi një proces për t’u marrë me situatën, por nuk japim detaje për çështjet e personelit.”
Ngjarja ka shkaktuar diskutime të shumta online, ndërsa Ford thekson se respekton rregullat e sjelljes në punë.
Arratisja e Altin Ndocit, arrestohen 8 persona
Tetë persona janë arrestuar nga policia pas arratisjes së të burgosurit të rrezikshëm Altin Ndoci nga spitali i Durrësit.
Tetë të arrestuarit për “shpërdorim detyre” janë zyrtarë të burgut të Durrësit, ku Ndoci po qëndronte në paraburgim, i akuzuar si përfshirë në ngjarje të rënda kriminale, mes të cilave vrasjen e 4 personave.
Në pranga ranë, Aulon Çuko, kryeinfermieri i IEVP Durrës, si dhe Dezdemon Pazaj, Dorian Saraçi, Sali Ferollari, Preng Marvataj, Fation Baçi, Aranit Çela dhe Violeta Uka.
Ndoci, pjesë e dosjes “Plumbi i Artë”, konsiderohet si person i rrezikshëm, pasi akuzohet ndër të tjera edhe për vrasje. Sipas Drejtorisë së Burgjeve, “pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali”.
Ndoci ka gënjyer policin qe po e ruante, duke i thënë se donte të shkonte në tualet dhe ka arritur t’ia mbathë. Kur e ka parë që po largohej, efektivi ka qëlluar në ajër po pa arritur ta ndalojë.
Ndoci konsiderohet pjesë e klanit Çopja nga Elbasani dhe është pjesë e dosjes së SPAK me 33 të pandehur për këtë organizatë kriminale. Ai akuzohet për disa vepra penale, mes të cilave edhe “vrasje”.
12:00 Rina Balaj flet për djalin misterioz që i ka rrëmbyer zemrën
Rina Balaj duket se po jeton një kapitull të ri në jetën personale, por këtë herë ka zgjedhur ta mbajë larg syrit të publikut. Edhe pse kureshtja e fansave është e madhe për të zbuluar kush është djali që i ka fituar zemrën, artistja nuk ka dhënë asnjë emër dhe nuk ka publikuar asnjë detaj identifikues.
Megjithatë, përmes batutave dhe rrëfimeve në emisionin “Vibin’”, Rina ka lënë të kuptohen mjaft gjëra për profilin e partnerit të saj një djalë që, siç duket, nuk ka asgjë të përbashkët me botën e showbiz-it.
Ajo e theksoi qartë: dëshiron që ai të mos jetë person publik. Madje, Rina tregoi se partneri i saj nuk ka fare Instagram dhe e konsideroi këtë si një “green flag”, pra një shenjë pozitive që e bën edhe më tërheqës në sytë e saj.
Edhe pse emrin nuk e thotë, artistja zbuloi se e thërret me një pseudonim të veçantë: “Bërdi”.
Si e përshkruan Rina djalin ideal?
Nga çfarë la të kuptohet gjatë intervistës, portreti i “Bërdi-t” sipas Rinës ndërtohet mbi disa pika që i pëlqejnë fort:
Misterioz dhe selektiv
Rina pranon se e tërheqin djemtë misteriozë, ata që nuk janë të hapur me këdo dhe që nuk e kërkojnë vëmendjen e çdo vajze. Për të, ai duhet të ketë diçka “intriguese”, që të bën të mendosh më shumë.
Fiziku: jo muskuj, jo “mirror selfies”
Artistja tha me shaka se ai nuk është tipi i palestrës që bën “mirror selfies”. Madje, ajo e pranoi me humor edhe detajin që u bë titull: ai “ka pak bark” gjë që për Rinën s’është aspak problem, përkundrazi, e bën më “real”.
Punëtor, ambicioz dhe familjar
Rina theksoi se vlerëson meshkujt punëtorë e ambiciozë, por edhe ata që kanë një raport të fortë me prindërit dhe familjen.
Komunikimi dhe vëmendja
Për të, marrëdhënia ideale nis që me mesazhet e mëngjesit. Ajo la të kuptohet se vëmendja e vazhdueshme është thelbësore: nëse partneri nuk është prezent dhe nuk i kushton rëndësi, “nuk është i duhuri”./KM

11:50 Punonjësit e Portit të Vlorës prej dy muajsh pa paga, ja shkaku
Punonjësit e portit detar të Vlorës janë pa paga prej thuajse dy muajsh. Ata nuk kanë përfituar ende pagën e muajit Dhjetor. Shkak është bërë skadimi i kontratës së drejtuesit të portit aktual të Vlorës.
Bëhet me dije se drejtuesi i Portit të Vlorës e ka pasur kontratën deri në muajin nëntor, kohë kur punonjësit e Portit Detar kanë përfituar edhe pagën e fundit.
Sipas burimeve nga Porti Detar i Vlorës, për muajin dhjetor punonjësit nuk janë paguar. Në datën 27 dhjetor duhet të hidhej edhe paga e fundit e vitit, por ndonëse kanë kaluar rreth 18 ditë nga afati i fundit i hedhjes së pagesës, këta punonjës vijojnë të jenë pa paga.
Porti Detar i Vlorës është nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ndërkohë, dyshohet se problematikat e fundit në këtë ministri kanë sjellë edhe ngërçin në Portin e Vlorës.
Për të kaluar pagat, drejtuesit të Portit të Vlorës duhet t’i rinovohet kontrata, pasi aktualisht ai nuk ka kompetencën e firmës për të akorduar pagat.
Nuk ka ende asnjë informacion se si do të zgjidhet kjo situatë, nëse drejtuesit të Portit Detar do t’i rinovohet kontrata apo do të emërohet një drejtues i ri, i cili do të ketë të gjitha kompetencat për drejtimin e institucionit.
Janë dhjetëra familje të punonjësve të Portit Detar të Vlorës, të cilat mbahen nga këto paga. Kjo situatë ka ndikuar drejtpërdrejt në gjendjen ekonomike të familjeve të punonjësve të një prej institucioneve kryesore të qytetit. /K.M

11:40 “Qepë dhe mjaltë për bajamet”, nutricionisti tregon sekretin për të luftuar gripin
Qepa dhe mjalti përbëjnë një nga kombinimet më të fuqishme natyrale për forcimin e sistemit imunitar dhe luftimin e infeksioneve respiratore, veçanërisht gjatë sezonit të gripit dhe virozave. Nutricionisti, Luçiano Bardhi theksoi se qepa është një “fabrikë biologjike” e pasur me përbërës esencialë për shëndetin. Sipas tij në ajo është mbretëreshë e kuzhinës së Shqipërisë, sepse futet në shumë produkte ushqimore.
“Qepa me mjaltë për mendimin tim përbën një kombinim shumë esencial për infeksionet respiratore dhe bajameve. Ndihmon dhe në forcimin e sistemit imunitar, të integritetit të zorrës së trashë, të barrierës intestinale, të mëlçisë, të stresit oksidativ. Përmban apigenin, luteolin, tricetin, taksifolinë dhe duke qenë se ajo zihet shumë pak, dy-tre minuta, e merr, e kullon dhe e bashkon me mjaltin, që mos fusim dhe shumë komponentë të tjerë, sepse e bëjmë si supë. Dhe më mirë dy kombinime, qepë, mjaltë”, tha Bardhi.
Sipas tij, qepa mund të konsumohet e freskët në sallata, në supa me gatim të lehtë ose në kombinim me mjaltë, ndërsa sasia e rekomanduar është gjysmë deri në një kokërr në ditë.
“Mund ta konsumoj me pak vaj ulliri, me pak djathë, ose në supë apo në gatime të ndryshme me proteinë. Po edhe është shumë e kombinueshme. Pastaj në supë edhe nëse gatuhet me temperatura shumë të larta i humb vlerat. Nëse gatuhet 100-150 gradë mjafton me një supë, shoqërohet ose me paçen e viçit, me paçe të ndryshme. Është preferenca ime kombinimi i qepës me paçen. Në gjellë nuk është njësoj si në sallatë. Unë preferoj që ta konsumoj ashtu siç është e gjallë. Nëse flasim për sasinë ideale për shembull, do të duhej të ishte gjysmë kokrre. Gjysmë kokrre deri në një kokërr, por personalisht unë e konsumoj gati gjysmë ose një”, tha nutricionisti.
Megjithatë, ai paralajmëron se personat që vuajnë nga gastriti, refluksi apo ulçera duhet ta shmangin ose ta konsumojnë me kujdes, pasi mund të shkaktojë shqetësime.
“Ata persona që nuk mund ta tolerojnë janë ata që kanë gastrit dhe që kanë ulçer. Këta persona nuk mund ta përdorin pa trajtuar njëherë ulçerën. Kjo kategori mund të ketë probleme me pjesën e përthithjes ose copëtimit të komponentëve organik që ka qepa”, theksoi Bardhi.

-
- 11:30 Steve Witkoff, takim sekret në Shtëpinë e Bardhë me trashëgimtarin e fronit mbretëror të Iranit
11:30 Steve Witkoff, takim sekret në Shtëpinë e Bardhë me trashëgimtarin e fronit mbretëror të Iranit
I dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff zhvilloi këtë fundjavë një takim sekret me Reza Pahlavin, trashëgimtarin e dinastisë Pahlavi në mërgim, për të diskutuar mbi protestat, raporton Axios.
Ky ishte takimi i parë në nivel të lartë mes opozitës iraniane dhe administratës Trump që nga fillimi i protestave. Pahlavi po përpiqet të pozicionohet si një “lider tranzicioni” në rast se regjimi bie.
Ekipi i sigurisë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë mbajti një mbledhje të hënën për të shqyrtuar opsionet e reagimit, megjithëse presidenti Trump nuk mori pjesë.
Situata e rëndë brenda vendit
Pamjet e shpërndara nga aktivistët tregojnë trupa me plagë të rënda nga plumbat dhe qytetarë që përpiqen të identifikojnë të afërmit e tyre mes trupave të pajetë. Forcat e sigurisë raportohet se bastisin spitalet private, duke kërcënuar stafin mjekësor që të dorëzojnë informacion mbi personat e plagosur. Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, ka konfirmuar se numri i të vdekurve ka kaluar 2 mijë, por frika është se shifra përfundimtare mund të jetë shumë më e lartë.
Presidenti Donald Trump reagoi me ton të ashpër, duke kërkuar nga “patriotët iranianë” që të mos dorëzohen dhe të marrin nën kontroll institucionet, ndërsa ekipi i tij i sigurisë kombëtare shqyrton opsione që përfshijnë mjete ushtarake dhe operacione klandestine.
Aktivistët e të drejtave të njeriut e kanë krahasuar bllokimin e komunikimeve me një “burgim të vetmuar” për popullin iranian, që regjimi të mund të shtypë protestuesit pa u parë nga bota.
Protestat filluan në fund të dhjetorit për shkak të rritjes së kostos së jetesës dhe u shndërruan shpejt në një revoltë kombëtare që përfshiu të 31 provincat e Iranit, duke kërkuar fundin e pushtetit që vjen pas revolucionit të vitit 1979./K.M

-
- 11:20 Policia ‘bastisje’ në disa zona të Tiranës, kërkohet për Altin Ndocin! Familjarët: Nuk e dimë se ku ndodhet
11:20 Policia ‘bastisje’ në disa zona të Tiranës, kërkohet për Altin Ndocin! Familjarët: Nuk e dimë se ku ndodhet
Kontrolle në kërkim të Altin Ndocit janë kryer në disa zona të ndryshme të Tiranë, në Astir, Don Bosko, Selitë, etj. Gjithashtu është kontrolluar edhe banesa e tij në Yzberisht, por familjarët kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për vendndodhjen. Si rrugë lidhëse me Durrësin, kontrolle u kryen edhe në rrugën e Ndroqit.
Pasi ka dalë nga Spitali i Durrësit, Ndoci është larguar me një automjet tip “Audi A7”, duke kaluar fillimisht në zonën e Spitallës, më pas është shfaqur në Shënavlash, ka vijuar në autostradë dhe dyshohet se ka hyrë në Tiranë./K.M

11:15 Histori/ 1943 – Konferenca e Kazablankës: aleatët përcaktojnë rrugën drejt fitores
Në janar të vitit 1943, në kulmin e Luftës së Dytë Botërore, presidenti i Shteteve të Bashkuara Franklin D. Roosevelt dhe kryeministri britanik Winston Churchill u takuan në Kazablankë, në Marokun francez, për një nga konferencat më të rëndësishme strategjike të luftës. Takimi, i mbajtur nga 14 deri më 24 janar, shënoi herën e parë që dy udhëheqësit u mblodhën ballë për ballë vetëm për të përcaktuar drejtimin e ardhshëm të luftës kundër fuqive të Boshtit.
Konferenca u zhvillua në kushte të rrepta sigurie. Afrika e Veriut sapo ishte kthyer nën kontrollin e Aleatëve pas Operacionit “Torch”, zbarkimit anglo-amerikan në Marok dhe Algjeri në fund të vitit 1942. Kazablanka u zgjodh si vendtakim për shkak të pozicionit të saj relativisht të sigurt, por edhe simbolik: ajo përfaqësonte kalimin e iniciativës strategjike nga Boshti te Aleatët.
Në tryezën e bisedimeve, krahas Rooseveltit dhe Churchillit, morën pjesë edhe figura kyçe ushtarake dhe politike, si gjenerali amerikan Dwight D. Eisenhower dhe shefi i shtabit britanik Alan Brooke. Edhe pse Bashkimi Sovjetik ishte aleati kryesor në luftën kundër Gjermanisë naziste, Josif Stalin nuk mori pjesë, duke u justifikuar me angazhimet e ushtrisë së Kuqe në frontin lindor, ku po zhvillohej beteja vendimtare e Stalingradit.
Diskutimet u përqendruan në strategjinë e ardhshme të luftës. Aleatët ranë dakord të intensifikonin ofensivën kundër Gjermanisë përmes një sulmi të kombinuar: nga lindja nga Ushtria e Kuqe dhe nga jugu përmes Mesdheut. Një nga vendimet kryesore ishte pushtimi i Siçilisë dhe më pas i Italisë, me synimin për të nxjerrë Italinë fashiste nga lufta dhe për të hapur një front të ri në Evropën Jugore.
Por vendimi më i bujshëm i Konferencës së Kazablankës ishte shpallja e doktrinës së “dorëzimit pa kushte” për Gjermaninë, Italinë dhe Japoninë. Roosevelt e bëri publik këtë qëndrim në një konferencë për shtyp, duke theksuar se Aleatët nuk do të negocionin paqe me regjimet e Boshtit dhe se lufta do të përfundonte vetëm me kapitullimin e plotë të tyre. Ky vendim synonte të shmangte kompromiset politike që kishin pasuar Luftën e Parë Botërore dhe të garantonte çmontimin përfundimtar të nazizmit dhe militarizmit japonez.
Konferenca e Kazablankës shënoi gjithashtu forcimin e bashkëpunimit anglo-amerikan. Ajo vendosi themelet për koordinimin ushtarak dhe politik që do të kulmonte më vonë me zbarkimin në Normandi në vitin 1944. Në të njëjtën kohë, konferenca dërgoi një mesazh të qartë për opinionin botëror: Aleatët ishin të bashkuar dhe të vendosur për të çuar luftën deri në fund.
Në retrospektivë, Kazablanka ishte një pikë kthese në Luftën e Dytë Botërore. Ajo shënoi kalimin nga mbrojtja dhe reagimi ndaj ofensivave të Boshtit drejt një strategjie të qëndrueshme sulmuese, që në pak vite do të çonte në kapitullimin e fuqive fashiste dhe në rindërtimin e rendit politik botëror pas vitit 1945.
Përgatiti: L.Veizi

11:10 E rëndë në Lezhë, dyshohet se konsumoi fotoksinë, gjendet i pajetë 34-vjeçari në banesë
Një 34-vjeçar është gjetur i pajetë në banesën e tij në Lezhë. Sipas policisë dyshohet se i riu ka konsumuar fotoksinë. Si pasojë ka humbur jetën në spital në Tiranë.
Ndërkohë, po punohet për dokumentimin e rrethanave të ngjarjes. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme./K.M

11:03 Ç’punë ka SPAK me mbledhjen e Rithemelimit të PD?
Nga Ylli Manjani
Nuk e di se çfarë kërkon që gjejë SPAK tek mbledhja e Rithemelimit të PD, një punë krejt e brendshme e një partie politike!?
Se ç’punë ka SPAK me mbledhjet e një partie, nuk e di?! Por është krejt pa sens, kjo krahasuar me punën reale që ka SPAK.
Meqë e kanë merak PD dhe financimet e saj, do kishte më shumë interes në emër të ligjit dhe interesit publik të sqaroheshin 2 gjëra:
1. Financimi në shumën prej 500 000 dollarë i një kontrate Lobbimi në Amerikë, që PD e Lulzim Bashës lidhi dhe, hetimet ndaj të cilës i mbylli prokuroria e Tiranës asohohe. Pritej një përgjigje e letër-porosisë nga ShBA asokohe…
2. Burimet e financimit të 3 kontratave, 2 lobbimi dhe 1 shërbimi, po në Amerikë dhe me vlerë deri në 10 milionë dollarë, që PD e Berishës i lidhi, me nënshkrimin e Mulit, pa i bërë syri (jo tv) tërrt. Janë kontratat më të shtrenjta të mundshme që një parti politike në rruzull i paguan për lobbim.
Kontrata prej 1.3 milionë dollarësh për një vjershë me buf që ofroi Lacivita, është padyshim më e shtrenjta në llojin e vet. Kurse ato dy të tjerat që do hiqnin nongratat, janë marramendëse… Shumë para për një parti e harruar në opozitë…
Këto janë kontrata për hetime, jo shpenzimet për një mbledhje partie, mbledhje e cila rrëzoi partinë e Lulit e të Gaz kallëzuesit.
Se kështu del që SPAK po punon për historitë e Lulit e Gazit…/kb

11:00 Ishulli grek që turistët po e adhurojnë (lifestyle)
Greqia nuk është vetëm e ishujve me famë të madhe si Santorini apo Mykonos, por edhe e diamantëve të fshehur, të cilët në heshtjen e tyre ofrojnë paqen dhe qetësinë që pikërisht pushimet simbolizojnë.
Parosi është ishulli i njohur për plazhet e bukura me rërën e shkrifët, lulet rozë që kacavirren nëpër kornizat blu të dyerve dhe qytezat karakteristike të bardha si Parikia, i cili prej disa sezonesh verore, po tërheq vëmendjen e gjithë botës.
Pushuesit e përzgjedhin Parosin jo vetëm për të eksploruar rrugicat e veçanta dhe brigjet e famshme, por edhe për jetën e gjallë të natës që përqëndrohet në Naoussa, apo tavernat tradicionale greke, duke ofruar një turizëm gjithëpërfshirës.
Piktoresk në çdo kënd të tij, shtëpizat e vogla ku mund të akomodoheni do t’ju dhurojnë pamje nga porti, peshkatarët, apo arkitektura ku dallon mermeri Parian, i përdorur në skulpturat antike.
Afër me Naxos-in, Milos-in dhe disa ishuj të tjerë të ngjashëm, në Paros nuk shkrepen vetëm foto të bukura, por krijohen momente që mbahen mend gjatë./KM

-
- 10:55 ‘Trimat vriten nga frikacakë’/ Historia që përloti studion, Stenaldo flet për vrasjen e babait në 1997 dhe…
10:55 ‘Trimat vriten nga frikacakë’/ Historia që përloti studion, Stenaldo flet për vrasjen e babait në 1997 dhe…
Mbrëmja e djeshme në shtëpinë e Big Brother Vip Albania u shndërrua në një moment tejet emocional, teksa Stenaldo vendosi të hapte zemrën dhe të ndante me publikun historinë e tij të jetës.
Mes lotësh dhe emocioneve, ai rrëfeu plagët e thella që e kanë shoqëruar që në fëmijëri, humbjen tragjike të babait, betejën me humbjen e shikimit dhe forcën e jashtëzakonshme të nënës së tij, e cila ka qenë shtylla kryesore e jetës dhe motivi që e shtyu të bëhej pjesë e këtij rrugëtimi.
Rrëfimi i Plotë i jetës së Stenaldos
‘Unë kam lindur në Lushnje në 28 maj të 1997. Kam lindur në një qytet ku nuk kam jetuar kurrë, hiq muajin e parë të jetës time, derisa im atë në qershor të po atij viti ndërroi jetë, I vrarë në një mënyrë të poshtër në atë vit të poshtër për të gjithë shqiptarët që na ka bërë të humbasim më shumë se çdo herë në historinë tonë të brishtë. U vra nga dikush mbasi atij i dha një përqafim dhe i ktheu kurrizin për të vazhduar rrugën e tij. Dhe kjo është arsyeja pse unë gjithmonë kam thënë që në këtë botë të gjithë trimat vriten nga frikacakët. Kur njeriu rritet me një humbje të tillë nuk ka me asnjë moment dramatik në jetën e tij, nuk ka një moment kur ti e mëson, ti thjesht e di që ndryshe nga fëmijët e tjerë babai jot nuk është aty. Ajo që dikush mund ta quajë dramë, humbjen e shikimit, është prapë një përjetim, që I bie për pjesë mamasë dhe familjes nga të dyja anët, si nga ana e nënës ashtu dhe e babait, Sokolit, sepse shikimi më humb relativisht shumë shpejt. Familja e kuptoi këtë kur unë isha 6 muajsh. Për mamanë time siç unë e kam kuptuar, ky mbetet një nga momentet më të vështira të jetës së saj, që nuk është padiskutim i vetmi, Mjekët na thanë se unë kisha kaluar një infeksion në Retinë. Askush nuk e di tamam si mund të ketë ndodhur dhe që retina tashmë ishte jashtë funksionit. Fakti që nuk mund të shikoja ishte fakt dhe unë nuk mund të ndryshohej. Mamaja ime kaloi në atë muaj, në atë vit traumën e jashtëzakonshme, por të cilës i qëndroi trime dhe nuk ju fsheh gjatë gjithë jetës së saj. Ardhja në Tiranë ishte vërtetë një sfidë, e para ishte të shkonim të studionim në një shkollë që ishte specifike dhe përveç kësaj diferenca tjetër ishte që atje mund të mësonim të shkruanim dhe të lexonim në letër, një mënyrë ku forma e shkronjave nuk është vizuale por e ngritur në pika. Vazhdoja të isha një fëmijë shumë kurioz, që në atë kohë, si është floku im, tiparet.
Fillova të studioja piano. Luftën e madhe që unë, por mbi të gjitha mamaja ime kemi bërë kur kemi ardhur në këtë vend, përtej shkollës, ishim vetëm unë dhe ajo dhe nuk e keni idenë se çdo të thoshte të vije në Tiranë dhe të luftoje të gjeje një vend për të futur kokën. Flutura duhet të ishte burrë dhe grua në atë luftë. Unë kam qenë gjithmonë i hapur që mamaja ime të ketë një jetë të plotë, një jetë ku të mos jetë vetëm e dedikuar ndaj meje. Ne krijuam një familje që në fund rezultoi të jetë një humbje e madhe për të gjithë. Nga ajo familje unë kam Xhoelin, të cilin nuk kam mundur kurrë të takoj për shkak të gjithë asaj që është vështirësi e madhe e përballjes me një situatë padiskutim më të vështirën e Fluturës dhe më të vështirën e jetës time.
Unë kisha marrë një kontratë pune për në Gjermani dhe mu desh të mësoja metrotë dhe trenat. Nuk do ta harroj kur unë kisha hipur në shinat e trenit duke menduar se isha në rrugë. Kur erdhi mamaja në Gjermani, e pati shumë të vështirë dhe mora vendimin të kthehesha në Shqipëri. Ka qenë viti më i vështirë që mbaj mend unë si i rritur”, u shpreh Stenaldo./kb

2025-a shënon vitin më të përgjakshëm për civilët ukrainas, thotë OKB
Viti 2025 ka qenë më vdekjeprurësi për civilët në Ukrainë që nga nisja e pushtimit të plotë rus në vitin 2022, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara (OKB).
Misioni i OKB-së për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut në Ukrainë njoftoi se të paktën 2 mijë e 514 civilë u vranë nga dhuna e lidhur me konfliktin gjatë vitit të kaluar. Ky numër është dukshëm më i lartë krahasuar me vitin 2024, kur u regjistruan 2 mijë e 88 viktima civile, dhe me vitin 2023, kur u raportuan 1 mijë e 974 të vrarë. Edhe numri i civilëve të plagosur ka shënuar rritje të ndjeshme nga viti në vit.
Sulmi më vdekjeprurës i vitit ndodhi në nëntor në qytetin perëndimor të Ternopilit, ku humbën jetën të paktën 38 civilë, përfshirë tetë fëmijë.
Të martën, 13 janar, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se sulmet ruse gjatë natës kishin vrarë katër persona në Kharkiv dhe kishin lënë “qindra mijëra familje” pa energji elektrike në Kiev dhe zonat përreth, në kushte temperaturash të ulëta. Sipas misionit të OKB-së, numri total i civilëve të vrarë dhe të plagosur në vitin 2025 përfaqëson një rritje prej 31% krahasuar me vitin 2024 dhe 70% krahasuar me vitin 2023.
Më herët, OKB kishte raportuar se të paktën 8 mijë e 6 civilë u vranë dhe 13 mijë e 287 u plagosën gjatë 12 muajve të parë pas nisjes së pushtimit rus në shkurt të vitit 2022. Në nëntor, numri total i civilëve të vrarë që nga fillimi i luftës kishte kaluar shifrën 14 mijë e 534.
Shefja e misionit të OKB-së, Danielle Bell, tha se shifrat e vitit 2025 përfaqësojnë “një përkeqësim të dukshëm të mbrojtjes së civilëve”. Sipas saj, rritja e viktimave nuk lidhet vetëm me intensifikimin e luftimeve përgjatë vijës së frontit, por edhe me përdorimin e zgjeruar të armëve me rreze të gjatë veprimi, të cilat kanë ekspozuar civilët në të gjithë vendin ndaj rrezikut të shtuar.
Ndërkohë, presidenti Zelensky njoftoi se pothuajse 300 dronë, 18 raketa balistike dhe shtatë raketa lundruese kishin goditur qytete të ndryshme në Ukrainë gjatë natës, duke shkaktuar ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike në rajonin e Kievit.
Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, tha se sistemet e mbrojtjes ajrore ishin aktivizuar gjatë asaj që ushtria e përshkroi si një sulm raketor. Drejtori ekzekutiv i kompanisë energjetike Yasno deklaroi se i gjithë qyteti ishte futur në “ndërprerje emergjente” të energjisë, ndërsa ekipet e emergjencës po përpiqeshin të shuanin zjarret dhe të rikthenin furnizimin me energji në temperatura nën zero.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës akuzoi Rusinë se po shënjestron qëllimisht infrastrukturën energjetike për t’i “privuar qytetarët nga energjia elektrike, uji dhe ngrohja”, ndërsa temperaturat në mëngjes zbritën nën -15 gradë Celsius. Disa zona të kryeqytetit kishin mbetur tashmë për ditë të tëra pa ngrohje dhe energji elektrike për shkak të sulmeve të javës së kaluar.
Zelensky deklaroi gjithashtu se katër persona u vranë nga një sulm raketor “pa asnjë qëllim ushtarak” mbi një terminal postar në Korotych, në rajonin e Kharkivit. Guvernatori i rajonit verilindor tha se 10 persona u plagosën, ndërsa Ministria e Jashtme e Ukrainës njoftoi se 30 persona u evakuuan.
Në rajone të tjera, guvernatori i Donetskut, Vadym Filashkin, raportoi se dy persona u vranë nga sulmet në lindje të vendit. Ndërkohë, autoritetet në Odesa, në jug të Ukrainës, thanë se gjashtë persona u plagosën dhe se sulmet dëmtuan banesa, objekte energjetike, një spital dhe një kopsht fëmijësh.
Kievi njoftoi se kishte kryer gjithashtu një sulm gjatë natës ndaj një uzine për prodhimin e dronëve në rajonin perëndimor rus të Rostovit. Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha se në zonë u regjistruan shpërthime dhe një zjarr.
Sulmet e fundit ndodhën dy ditë pasi pushtimi i plotë rus hyri në ditën e tij të 1 mijë e 418-të, po aq sa zgjati përfshirja e Ushtrisë Sovjetike në Luftën e Dytë Botërore.
Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Ukrainë, Katarina Matheronva, shkroi në rrjetet sociale se, ndryshe nga e kaluara, “këtë herë Putini e zgjodhi këtë luftë, e planifikoi, e nisi dhe mban përgjegjësinë për të”.
/Nacionale
The post 2025-a shënon vitin më të përgjakshëm për civilët ukrainas, thotë OKB appeared first on iconstyle.al.
Ndërron jetë muzikanti amerikan John Forte në moshën 50-vjeçare!
Muzikanti amerikan i nominuar për çmimin prestigjioz “Grammy”, John Forte, i njohur për bashkëpunimin e tij me grupin legjendar “Fugees” dhe kolektivin “Refugee Camp All-Stars”, ka ndërruar jetë në moshën 50-vjeçare. Lajmi i trishtë u bë i ditur pasi Forte u gjet i pajetë pasditen e së hënës, më 11 janar, në banesën e tij në Chilmark, Massachusetts.
Sipas një deklarate zyrtare të Shefit të Policisë së Chilmarkut, Sean Slavin, në vendngjarje nuk janë konstatuar shenja dhune apo elementë të dyshimtë, ndërsa shkaku i vdekjes nuk ishte i dukshëm në momentin e parë. Autoritetet lokale kanë dërguar rastin për hetim në zyrën e mjekut ligjor të shtetit, ku pritet të kryhen ekzaminime të mëtejshme për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes.
I lindur në New York, John Forte u shqua që herët për talentin e tij të jashtëzakonshëm muzikor. Ai fitoi vëmendjen e publikut dhe kritikës në fund të viteve ’90 si bashkëpunëtor në albumin ikonik të Fugees, “The Score”, fitues i çmimit “Grammy”, si dhe në albumin “The Carnival” të Wyclef Jean, i cili u nominua për të njëjtin çmim.
Si multi-instrumentist, reper dhe producent, Forte ndërtoi edhe një karrierë solo, duke publikuar albume si “Poly Sci” dhe “I, John”, ku bashkëpunoi me artistë të njohur, përfshirë këngëtaren Carly Simon.
Jeta e tij u shënua edhe nga probleme ligjore, pasi në vitin 2000 u arrestua në Aeroportin Ndërkombëtar të Newark-ut nën akuza për posedim dhe trafikim droge.
John Forte lë pas bashkëshorten e tij, fotografen Lara Fuller, si dhe dy fëmijë, ndërsa figura e tij mbetet e rëndësishme në historinë e hip-hopit dhe muzikës bashkëkohore amerikane.
The post Ndërron jetë muzikanti amerikan John Forte në moshën 50-vjeçare! appeared first on iconstyle.al.
Zbulohet shkaku i vdekjes së Ethan Browne, djalit të Jackson Browne
Është zbuluar shkaku i vdekjes së Ethan Browne, djalit të madh të këngëtarit dhe kantautorit të njohur amerikan Jackson Browne, i cili u nda nga jeta më 25 nëntor në moshën 52-vjeçare. Sipas Mjekut Ligjor të Qarkut të Los Angeles, vdekja e tij u shkaktua nga efektet e kombinuara të fentanilit, metamfetaminës dhe lidokainës, ndërsa mënyra e vdekjes është cilësuar si aksidentale. Autoritetet e bënë publike këtë informacion të martën, më 13 janar.
Jackson Browne, 77 vjeç, anëtar i Rock & Roll Hall of Fame dhe aktivist politik, e konfirmoi humbjen e të birit përmes një deklarate në Facebook më 26 nëntor. Në reagimin e tij, artisti kërkoi privatësi dhe respekt për familjen gjatë kësaj periudhe të dhimbshme, duke theksuar se Ethan u gjet pa ndjenja në shtëpinë e tij dhe ndërroi jetë atë mëngjes.
Ethan Browne ishte djali i Jackson Browne dhe Phyllis Major, e cila vdiq nga vetëvrasja kur ai ishte ende fëmijë i vogël. I rritur mes vështirësive personale dhe famës së të atit, Ethan arriti të ndërtonte një karrierë të suksesshme si model dhe aktor. Ai u shfaq në fushata mode për stilistë të njohur si Isaac Mizrahi dhe luajti në filmin “Raising Helen” përkrah Kate Hudson në vitin 2004. Gjithashtu, ai themeloi Spinside Records, një degë e labelit të pavarur të familjes Browne.
Në intervista të ndryshme ndër vite, Jackson Browne e ka përshkruar Ethanin si një njeri të ndjeshëm, krijues dhe një baba të përkushtuar, duke shprehur krenarinë e tij për jetën dhe rrugën që kishte ndjekur i biri. Jackson Browne ka edhe një djalë tjetër, Ryan, 43 vjeç, nga martesa e tij e mëparshme.
The post Zbulohet shkaku i vdekjes së Ethan Browne, djalit të Jackson Browne appeared first on iconstyle.al.
Parashikimi i motit për ditën e sotme, 14 janar 2026!
Vendi ynë do të ndikohet gjatë ditës së sotme nga kushte të qëndrueshme atmosferike, duke sjellë mot kryesisht të kthjellët në pjesën më të madhe të territorit. Sipas parashikimeve meteorologjike, qielli do të jetë i pastër në shumicën e zonave, ndërsa vranësirat do të shfaqen të pakta deri mesatare dhe do të jenë kalimtare, kryesisht në veri dhe pjesërisht në qendër të vendit.
Në orët e para të mëngjesit dhe gjatë mbrëmjes, pritet prezenca e mjegullës së dendur përgjatë zonave luginore, e cila mund të reduktojë ndjeshëm dukshmërinë. Si pasojë e temperaturave të ulëta, që në disa zona zbresin në vlera negative, parashikohen edhe ngrica të forta, veçanërisht në akset rrugore të brendshme dhe ato malore. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, sidomos në orët e para të ditës dhe gjatë natës.
Era do të fryjë nga drejtimi verilindje–juglindje me një shpejtësi mesatare rreth 4 metra në sekondë. Në zonat bregdetare dhe në lugina, era pritet të forcohet, duke arritur shpejtësi deri në 7 metra në sekondë. Si pasojë, deti do të paraqitet me dallgëzim të lehtë, me forcë 1 deri në 2 ballë, pa krijuar probleme për lundrimin.
Në përgjithësi, dita do të karakterizohet nga kushte të favorshme atmosferike, por me temperatura të ulëta dhe dukuri tipike dimërore, që kërkojnë vëmendje të shtuar nga qytetarët.
The post Parashikimi i motit për ditën e sotme, 14 janar 2026! appeared first on iconstyle.al.
Për ju që e humbët, këta janë dy banorët më të rinj të “BBVA”
Surprizat nuk kanë fund në “Big Brother VIP”. Në orët e para të mëngjesit të sotëm, shtëpisë më të famshme në Shqipëri i janë bashkuar dy banorë të rinj, të cilët janë vendosur fillimisht në zonën e Akuariumit, duke shtuar menjëherë kuriozitetin dhe tensionin mes konkurrentëve.
Hyrja e parë është një emër mjaft i njohur dhe i dashur për publikun shqiptar. Bëhet fjalë për Artan Kolën, këngëtarin e njohur të muzikës shqiptare, i cili pritet të sjellë jo vetëm emocione, por edhe momente artistike brenda shtëpisë. Prania e tij është pritur me interes të madh nga publiku, ndërsa banorët e tjerë po presin të shohin se si do të pozicionohet ai në lojë.
Hyrja e dytë është Aleksandra, një banore e re që duket se do të sjellë energji të lartë dhe debate të forta. Ajo nuk humbi kohë për të treguar karakterin e saj që në prezantimin e parë. “Besnike, por edhe vullkan”, ishin fjalët me të cilat Aleksandra e përshkroi veten, duke paralajmëruar banorët se nuk do të jetë një konkurrente e lehtë dhe se nuk heziton të shprehë mendimin e saj.
Ndërkohë, mbrëmja u shoqërua edhe me një eliminim të papritur. Lore u detyrua të lërë shtëpinë e “Big Brother VIP”, duke i dhënë fund rrugëtimit të saj në këtë format. Largimi i saj u shoqërua me emocione dhe reagime të ndryshme nga banorët, të cilët e përshëndetën për lojën dhe kontributin e dhënë.
Me hyrjet e reja dhe eliminimin e Lore-s, dinamika e shtëpisë pritet të ndryshojë ndjeshëm, ndërsa gara për finalen bëhet gjithnjë e më e fortë.
The post Për ju që e humbët, këta janë dy banorët më të rinj të “BBVA” appeared first on iconstyle.al.
Aksident në aksin Elbasan-Cërrik/ Përplasen tre automjete, plagosen tre persona
Ditën e sotme, një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në aksin Elbasan–Cërrik, ku shkak dyshohet të ketë qenë prania e baltës në rrugë.
Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë tre automjete, ndërsa si pasojë tre persona kanë mbetur të plagosur. Të lënduarit janë transportuar drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Dëshmitarë nga vendngjarja bëjnë me dije se aksidenti ka ndodhur pranë një kantieri privat, ku po kryhen punime ngjitur me rrugën. Ata theksojnë se punimet vijojnë edhe gjatë natës dhe se rreth orës 00:00 rruga ishte pothuajse e pakalueshme për shkak të baltës së hedhur nga kamionët që lëviznin drejt lumit Shkumbin, duke krijuar rrezik serioz për sigurinë e qarkullimit rrugor.
Në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë përkatëse.
The post Aksident në aksin Elbasan-Cërrik/ Përplasen tre automjete, plagosen tre persona appeared first on Albeu.com.