Reshjet e dëborës gjatë orëve të natës në Malësinë e Krujës, kanë sjellë probleme në qarkullim, duke bërë që niveli i dëborës të arrijë në mbi 25 centimetra.
Si pasojë, aksi rrugor Krujë–Qafë Shtamë është bllokuar, ndërsa disa fshatra të zonës kanë mbetur të izoluara.
Autoritetet lokale po monitorojnë situatën dhe pritet ndërhyrja e mjeteve borëpastruese për normalizimin e qarkullimit, sapo kushtet e motit ta lejojnë.
Deri më tani nuk raportohet për problematika të tjera, ndërsa banorët janë këshilluar të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes për shkak të kushteve të vështira atmosferike.
Sipas përditësimit të fundit të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent (AME) për datën 10 janar 2026, situata e vërshimeve në Kosovë paraqitet e menaxhueshme, por disa rajone po përballen me vështirësi të theksuara si pasojë e reshjeve të shiut dhe borës.
Në rajonin e Prishtinës, vërshime të lokalizuara janë raportuar në Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Obiliq, Drenas, Shtime dhe Graçanicë, kryesisht për shkak të bllokimeve të kanalizimeve, me depërtime uji në oborre, bodrume dhe shtëpi pa nevojë për evakuime.
Rajoni i Prizrenit përfshin rrugë dhe ura të vërshuara, shembje dheu dhe intervenime teknike në Suharekë, Malishevë, Rahovec dhe Dragash. Rrugët kryesore monitorohen, por disa segmente janë të pakalueshme përkohësisht.
Në rajonin e Mitrovicës situata është e qetë, ndërsa në Pejë, disa intervenime për bllokime kanalizimesh janë në vazhdim; rruga Pejë–Rugovë ka ujë në disa segmente dhe qytetarët këshillohen të jenë të kujdesshëm. Situata në Gjakovë është stabile me një bllokim rrugor nga shembja e dheut, ndërsa në Gjilan raportohet për vërshime të lokalizuara dhe depërtime uji në bodrume.
AME ka realizuar kërkesat urgjente të KEK dhe KOSTT për pompa thithëse me kapacitet të madh dhe vazhdon koordinimin 24/7 me të gjitha institucionet lokale dhe infrastruktura kritike. Agjencia fton qytetarët të raportojnë çdo rrezik përmes numrave emergjent 112, 193 dhe 192.
Situata monitorohet vazhdimisht dhe AME mbetet në gatishmëri të plotë për të garantuar sigurinë e qytetarëve./Telegrafi/
Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka dhënë raportin e fundit lidhur me situatën pas vërshimeve në vend.
AME thekson situata është e menaxhueshme dhe nuk ka indikacione për përshkallëzim.
Periudha e raportimit është nga ora 22:00 e së premtes deri në orët e mëngjesit të së shtunës.
Lexoni të plotë njoftimin:
Sipas informatave të pranuara nga Qendrat Operative Emergjente 112, NJPZSH-të, DSHPE-të dhe raportimeve të qytetarëve, situata e vërshimeve në nivel vendi gjatë intervalit kohor të raportimit paraqitet kryesisht stabile dhe e menaxhueshme.
Pas rënies së intensitetit me të reshura të shiut dhe fillimit të reshjeve të borës, në shumicën e rajoneve është vërejtur përmirësim i dukshëm i gjendjes, me rënie graduale të nivelit të ujit në lumenj dhe përrenj.
Nuk raportohet për humbje jete.
GJENDJA SIPAS RAJONEVE
Rajoni i Prishtinës
- Prishtinë: vërshime në rrugën “Rifat Berisha” (Kodra e Diellit) dhe në fshatin Hajvali – rruga “Brigada 153”.
- Lipjan: vërshime në fshatin Smallush – rruga “11 Qershori”.
- Shtime: vërshime në rrugën Shtime–Reçak.
- Graçanicë: vërshime në Motel “Villa Hilton” dhe rrugën te Prishtina Mall.
- Fushë Kosovë, Obiliq, Drenas, - Podujevë: situata e qetë, pa raste për ndërhyrje.
Të gjitha intervenimet janë realizuar nga NJPZSH, DSHPE dhe kompani të kontraktuara nga Komunat.
Rajoni i Prizrenit
- Prizren, Suharekë, Rahovec, Mamushë: pa thirrje dhe pa intervenime; rrugët të kalueshme.
- Malishevë: dy intervenime për rrugë të bllokuara nga uji.
- Dragash: një intervenim teknik në fshatin Rapçë (pusetë e bllokuar).
Rajoni i Mitrovicës
- Mitrovicë: në kompleksin “Amina” është evakuuar një familje nga NJPZSH;
-aktualisht gjendja është më e qetë dhe pa rrezik të menjëhershëm për vërshime të reja.
- Skenderaj & Vushtrri: pa raste që kërkojnë ndërhyrje.
- KEK – Termocentrali Kosova A: në orën 07:05 është kërkuar intervenim urgjent për pompë thithëse me kapacitet të madh; kërkesa është adresuar dhe NJPZSH ka intervenuar.
Rajoni i Pejës
- Pejë, Deçan, Klinë, Istog, Junik: situata stabile, pa kërkesa për intervenim.
Trafiku:
Pejë–Rugovë: segmente me ujë në rrugë – kërkohet kujdes i shtuar.
Pejë–Kullë: e kalueshme, me kujdes.
Rajoni i Gjakovës
Situata e qetë dhe stabile.
Niveli i ujit në lumenj ka filluar të bie.
Raportohet një bllokim rruge nga shembja e dheut.
Rajoni i Gjilanit
- Gjilan: vërshim në rrugën e Kufcës.
- Komunat tjera (Ferizaj, Kamenicë, Viti, Kaçanik, Hani i Elezit, Shtërpcë, Artanë/Novobërdë, Kllokot, Partesh, Ranillug): pa vërshime, situata e qetë.
KËRKESA DHE NDËRHYRJE SPECIFIKE
Kërkesë urgjente nga KEK për pompë thithëse me kapacitet të madh në Kosovën A – e adresuar dhe e realizuar nga kapaciteti i Agjencise Menaxhimit Emergjent.
Nuk janë pranuar kërkesa shtesë për ndihmë apo koordinim nga komunat gjatë intervalit 22:00–08:00.
VLERËSIMI I SITUATËS
Situata paraqitet stabile dhe e menaxhueshme.
Rreziku kryesor aktual lidhet me: reshjet e borës, ngricat në rrugë, vështirësitë në qarkullim.
Nuk ka indikacione për përshkallëzim të situatës.
GATISHMËRIA INSTITUCIONALE
Qendra Operative e AME-së dhe strukturat përgjegjëse për Mbrojtje Shpëtim dhe Ndihmë mbesin në gatishmëri të plotë 24/7, për monitorim dhe reagim të menjëhershëm sipas nevojës.
Dreame, e njohur për robotët e pastrimit, do të zgjerohet në dy tregje të reja vitin e ardhshëm me një unazë inteligjente dhe një kamerë veprimesh, të cilat do t’i prezantojë në CES në Las Vegas.
Unaza inteligjente premton “mirëqenie gjithëpërfshirëse”, ndërsa kamera është “sa gishti i madh”.
Dreame e përshkruan veten si një “lehtësues të jetesës”, me qëllim të krijojë një rrjet inteligjent që menaxhon detyrat e përditshme.
Në CES ajo do të prezantojë gjithashtu robotin e ri pastrues X60 Max Ultra, frigoriferin me “ujë shkëlqyes”, një robot të ri për pastrimin e pishinave dhe kondicionerin D-Wind për tregjet jashtë Kinës.
Ky zgjerim tregon ambicien e kompanisë për të krijuar një ekosistem të plotë të jetesës inteligjente. /Telegrafi/
Këshilli i Bashkësisë Islame në Prizren ka njoftuar se Arif Fazli nga Prizreni i është bashkuar radhës së vakëflënësve, duke dhuruar shtëpinë e tij si vakëf në dobi të Bashkësisë Islame.
Sipas njoftimit zyrtar të KBI-Prizren, më 31 dhjetor 2025, z. Fazli, në emër të Allahut dhe fi sebililah, ka dhuruar shtëpinë e tij me sipërfaqe prej 800 metrash katrorë, me 182 metra katrorë truall, e cila ndodhet në lagjen Terzimahalla në Prizren. Vlera e pronës vlerësohet të arrijë deri në rreth gjysmë milioni euro.
Në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, kryetari Valon ef. Ibrahimi dhe kryeimami Dr. Orhan ef. Bislimaj kanë shprehur falënderimet e tyre për këtë akt madhor bamirësie, duke theksuar rëndësinë e kontributit për Bashkësinë Islame dhe për komunitetin e besimtarëve. Ata i uruan z. Fazli shëndet, bereqet dhe suksese të vazhdueshme për të dhe familjen e tij.
Nga KBI-Prizren u bë e ditur se ky dhurim nuk është i pari nga ana e z. Fazli. Si biznesmen i suksesshëm që vepron në Zvicër, ai ka kontribuar ndër vite në projekte të ndryshme humanitare dhe bamirëse, si në Kosovë ashtu edhe në mërgatë.
Këshilli i Bashkësisë Islame në Prizren i uroi Arif Fazlit shpërblime në dynja dhe ahiret për këtë vepër të çmuar humanitare.
Banorët e Big Brother VIP Kosova përjetuan një sfidë mjaft interesante gjatë edicionit të katërt të spektaklit, por që nuk ishte e panjohur për publikun.
Ata morën pjesë në sfidën e njohur të biskotave nga Squid Game, ku duhet të tregojnë durim dhe precizion.
Rregulli kryesor ishte i rreptë: banorëve u lejohej të përdornin vetëm gjilpërën dhe gjuhën, duke e bërë sfidën edhe më të vështirë dhe të tensionuar.
BBVK/Instagram
Reagimet e tyre gjatë tentativave për të nxjerrë formën e duhur të biskotës tërhoqën vëmendjen e publikut dhe sollën momente të shumta të qeshura, por edhe frikë të lehtë nga gabimet.
Kjo sfidë risolli emocionet dhe tensionin që ka bërë të famshme lojën ndërkombëtare, duke treguar edhe një herë kreativitetin e produksionit të BBVK në sfidat e përditshme të banorëve. /Telegrafi/
Labinot Rexha ka ngjallur reagime të shumta dhe debat të ashpër mes shikuesve pas disa deklaratave të tij gjatë një bisede në Big Brother VIP Kosova.
Pyetjet e drejtpërdrejta të Albës dhe përgjigjet e Labinotit janë komentuar gjerësisht në rrjete sociale, duke zemëruar një pjesë të madhe të publikut.
Gjatë bisedës, Alba e pyeti Labinotin nëse, si mysliman praktikues, do ta pranonte mundësinë për të pasur deri në katër gra.
BBVK/Instagram
Labinoti u përgjigj duke iu referuar besimit islam, duke thënë se kjo lejohet në Islam dhe duke cituar një sure që, sipas tij, thotë: “Nëse ke frikë nga vetja për epshet, martohuni me dy, tre apo katër gra”.
Më tej, deklaratat e tij u bënë edhe më të forta, kur ai shtoi: “Në Kosovë dhe te shqiptarët dihet se çdo burrë besoj që ka dy-tri dashnore”, një fjali që ka shkaktuar reagime të shumta dhe kritika nga shikuesit.
Megjithatë, Labinoti theksoi se personalisht ndihet shumë i lumtur me bashkëshorten e tij dhe se nuk ka arsye për të kërkuar diçka më shumë, pavarësisht deklaratave të bëra.
Këto komente kanë hapur një debat të gjerë mbi interpretimin e besimit, marrëdhëniet dhe përgjegjësinë publike të figurave që shfaqen në formate televizive me audiencë të gjerë. /Telegrafi/
Qytetarët e Tetovës që erdhën sot në Drejtorinë e Librave Amë, u kthyen pa kryer punë. Të punësuarit në këtë institucion sot nisën bojkotin, pasi kanë dy vite që kërkojnë nënshkrim të Marrëveshjes kolektive.
Qytetarët që takuam, edhe pse mbetën pa marrë shërbim publik, thonë se i mirëkuptojnë.
Naser Xhemaili nga Sindikata e Pavarur e Librave Amë, u kërkoi ndjesë qytetarëve që u kthyen pas, duke arsyetuar se shumica e të punësuarve në këtë drejtori janë si bashkëpunëtorë të rinj dhe marrin rrogë minimale. Nëse deri të premten nuk nënshkruhet Marrëveshja kolektive, nga e hëna do të fillojnë bojkot të përgjithshëm.
“Sot e kemi vetëm këtë ditë si paralajmërim për grevë. Nëse nuk na thirrin dhe të zgjidhet për ta biseduar këtë problem, nga dita e hënë do të jemi në grevë gjenerale në të gjithë Republikën e Maqedonisë. Kërkesa jonë është marrëveshja kolektive është rritja e rrogës 20%. Nuk kërkojmë asgjë më shumë, as 70% si funksionarët, dhe duhet ta vlerësojnë këtë kërkesë, pasi që jemi edhe drejtoria më kryesore në Republikën e Maqedonisë dhe pa gjendjen civile nuk mund as të funksionoj shteti”, tha Naser Xhemaili – Sindikata e Pavarur e Librave Amë.
Në tërë Drejtorinë e Librave Amë ka gjithsej 350 të punësuar. Shumica edhe pse kanë mbi 10 vjet përvojë pune, nuk janë avancuar dhe ende trajtohen si bashkëpunëtor të rinj dhe ka rrogë minimale prej 22,500 denarë./TV21/
TIRANË, 10 dhjetor /ATSH/ Në Pallatin e Kongreseve u përkujtua sot në një mbrëmje solemne 100-vjetori i Urdhrit të Skënderbeut.
Në mbrëmjen, ku ishin të pranishëm Presidenti i Republikës Bajram Begaj si dhe kryeministri Edi Rama, u zhvillua ceremonia e dekorimit të 24 personaliteteve me të tre urdhërat kombëtarë: Urdhrin Suprem të Shqiponjës, Urdhrin e Skënderbeut dhe Urdhrin e Lisit Akademik.
Dy medaljonët e para të 100-vjetorit të Urdhrit të Skënderbeut, Kryeministri Edi Rama i shpërndau për Artan Lamen si dhe Filip Rrumbullakun duke ia dorëzuar familjarëve të tyre ndërsa i cilësoi dy shërbestarë të papërtuar të reformës kuptimlotë të titujve të nderit.
“Dy burra që nuk janë më, por që me pasionin dhe dijen e tyre mbi fushën e urdhrave, medaljeve e shenjave dhe zakoneve të tjera të shtetit, do të kujtohen si bartës besnikë të një amaneti shtetëror, që dukej i varrosur përgjithmonë nën këmbët e injorancës me pushtet. Sonte, Republika u shpreh familjeve të tyre mirënjohjen e saj për të ndjerët”, tha Rama.
Gjatë ceremonisë Begaj dekoroi 22 personalitete të tjera.
Me Urdhrin Suprem të Shqiponjës, presidenti i Republikës, kryetar i urdhrit, me propozim të kryeministrit, dëgjuar Kolegjin e Urdhrave dhe Medaljeve dekoroi me “Ylln e Madh”, ish-presidentin e vendit, Alfred Moisiu, kirurgun Besim Elezi dhe Seit Mansakun, gjuhëtar dhe akademik.
Me “Urdhrin Suprem të Shqiponjës”, presidenti i Republikës, kryetar i urdhrit, me propozim të Kryeministrit, dëgjuar Kolegjin e Urdhrave dhe Medaljeve dekoroi “Oficeri i Madh” studiuesin Aurel Plasari, historianin, Pëllumb Xhufi dhe Francesco Altimari-n, studiues arbëresh në fushën e albanologjisë.
Me “Oficer i madh” u dekoruan edhe Matteo Mandala, studiuesi i letërsisë arbëreshe si dhe Ernesto Madeo.
Me “Urdhrin e Lisit Akademik”, presidenti i Republikës kryetar i urdhrit, më propozim të Kryeministrit, dëgjuar kolegjin e Urdhrave dhe Medaljeve, ka dekoruar “Ylli i Madh”, Ismet Elezin si dhe Abaz Hoxhën.
Me “Urdhrin e Skënderbeut”, presidenti i Republikës kryetar i urdhrit, më propozim të Kryeministrit, dëgjuar kolegjin e Urdhrave dhe Medaljeve, ka dekoruar Shpresa Gjongecaj, me titullin “Komandant”. E njëjta dekoratë u dha për Zyber Dushkun, Etleva Domin dhe Fioralba Cakonin.
“Urdhri Suprem i Shqiponjës”, Presidenti i Republikës kryetar i Urdhrit, me propozim të Kryeministrit dëgjuar Kolegjin e Urdhrave dhe Medaljeve, ka dekoruar “Kalorës” Igli Taren.
“Urdhri i Skënderbeut”, Presidenti i Republikës kryetar i Urdhrit, me propozim të Kryeministrit dëgjuar Kolegjin e Urdhrave dhe Medaljeve, ka dekoruar “Oficer” zonjën Mimoza Dhëmbi.
President i Republikës kryetar i Urdhrit, me propozim të Kryeministrit dëgjuar Kolegjin e Urdhrave dhe Medaljeve, ka dekoruar Ajet Jatën, me titullin “Kalorës” si dhe Adriana Hysenajn.
Me titullin “Kalorës” u nderuan gjithashtu Edor Kabashi, Kastriot Aliko, Gjovalin Bica dhe Liljana Luani.
TIRANË, 3 nëntor/ATSH/ Drama “Det i thellë blu”, nga Terence Rattigan, e vënë në skenë nga regjisorja Rovena Lule Kuka, u shfaq mbrëmjen e sotme në Teatrin Kombëtar.
Artdashësit kryeqytetas mirëpritën lojën e mrekullueshme të aktorëve në këtë vepër rrëqethëse mbi dashurinë e pakthyeshme dhe humbjen personale.
Në këtë dramë interpretojnë aktorët e njohur të skenës shqiptare si Olta Daku, Alfred Trebicka, Igli Zarka, Neritan Liçaj, Anila Bisha, Donald Shehu, Niada Saliasi, Florian Agalliu.
Me një ndjeshmëri të hollë psikologjike, drama sjell portretin e një gruaje të ndarë mes pasionit të njëanshëm dhe realitetit të hidhur të vetmisë.
Ester, gruaja e një gjyqtari të respektuar, braktis gjithçka për dashurinë e një piloti të ri. Por pasioni i saj kthehet në dëshpërim dhe e çon drejt një përplasjeje mes jetës, dashurisë dhe vetvetes.
Pas suksesit të arritur në 28, 29 dhe 30 nëntor kjo dramë do të shfaqet deri më 7 dhjetor.
“Det i thellë blu” është një nga veprat më të fuqishme të dramaturgut britanik Terence Rattigan, një histori emocionale që zhytet në thellësitë e shpirtit njerëzor.
Aktorja Sarah Paulson, e njohur më së miri për rolin e saj në filmin “American Horror Story”, u nderua me një yll në "Hollywood Walk of Fame" dhe fjalimi më emocional me këtë rast u mbajt nga partnerja e saj prej shumë kohësh, aktorja Holland Taylor.
Ish-ylli i filmit “Two and a Half Men” nuk e mbajti sekret se sa shumë do të thotë Sarah për të.
Holland e përshkroi partneren e saj, me të cilin është në një lidhje që nga viti 2015, në një mënyrë unike.
Sarah dhe Holland
"Sarah, aktorja, është para së gjithash një krijesë e egër në mbretërinë e kafshëve. Me gjak të ngrohtë, instiktive, misterioze", tha Taylor gjatë ceremonisë.
"Asgjë nuk e pengon perceptimin e saj të mprehtë të tipareve të personazhit, habitatit të tyre, cenueshmërisë së tyre, heroizmit të tyre, shëmtisë së tyre, të vërtetave të tyre të tmerrshme, patosit të tyre komik. Ajo përqendrohet në luftën qendrore të historisë, ku shumica prej nesh as nuk jemi të vetëdijshëm për tonat".
Edhe pse 82-vjeçarja bëri shaka se partnerja e saj ishte 'aq e rrezikshme' sa një gjarpër, ajo e përshkroi 50-vjeçaren Sarah si 'aventura që gjithmonë ke dashur të jetë jeta jote'.
"Do të jem përgjithmonë mirënjohëse që gjeti kohë për të qenë këtu sot dhe, më e rëndësishmja, që është një prani kaq e fuqishme në jetën time, që më tregon gjithmonë të vërtetën dhe më do kur nuk është gjithmonë e lehtë", tha në anën tjetër Sarah. /Telegrafi/
TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari priti në një takim Anette Kramme, Sekretare Parlamentare e Shtetit, anëtare e Bundestagut gjerman dhe njëkohësisht kryetare e Fondacionit Gjerman për Bashkëpunimin Ligjor Ndërkombëtar (IRZ).
Gjatë bisedës u theksua rëndësia e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes dy vendeve në fushën e drejtësisë dhe forcimit të institucioneve ligjzbatuese.
Në qendër të diskutimeve ishte procesi i përafrimit të drejtësisë shqiptare me standardet e Bashkimit Europian, konsolidimi i reformës në drejtësi si dhe rritja e efikasitetit të institucioneve të sistemit.
“Diskutuam për bashkëpunimin dypalësh, drejtësinë shqiptare në kushtet e përafrimit me standardet e BE-së dhe konsolidimin e mëtejshëm të reformës që ne bëmë”, theksoi Lamallari.
Ministri Lamallari nënvizoi se mbështetja e Gjermanisë ka qenë thelbësore për avancimin e reformave dhe forcimin e pavarësisë së gjyqësorit.
“Ne e çmojmë shumë mbështetjen e Gjermanisë në procesin e integrimit në BE, në forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, ngritjen e kapaciteteve institucionale, përfshi ato digjitale, si dhe modernizimin e infrastrukturës së drejtësisë”, theksoi Lamallari.
Një nga temat më të diskutuara në media së fundmi ka tronditur mbarë Evropën, me rikthimin në qendër të vëmendjes së dokumentarit “Sarajevo Safari” – një histori e cila për shumë vite dukej pothuajse e pabesueshme, por sot ka nisur të hetohet zyrtarisht nga autoritetet italiane.
Prokuroria e Milanos ka hapur hetime rreth të ashtuquajturve “sniper tourists (turistët snajperistë)” - të huaj që dyshohet se paguanin shuma të mëdha për të shfrenuar fantazinë e tyre, duke qëlluar për vdekje mbi civilë në Sarajevën e rrethuar gjatë viteve 1992-1995. Sipas një raportimi të DW, hetimi është iniciuar pasi gazetari italian Ezio Gavazzeni, bashkë me dy avokatë, dorëzuan një dosje 17-faqëshe me informacione që përfshijnë dëshmi, intervista dhe materiale të grumbulluara prej dekadash. Ai e riktheu interesin për temën pas publikimit të dokumentarit “Sarajevo Safari” në vitin 2022, të regjisorit slloven Miran Zupanič, i cili e ekspozon këtë praktikë makabre në mënyrë tronditëse.
Në dokumentar, ish-oficeri i inteligjencës së ushtrisë boshnjake Edin Subašić tregon se si të huaj nga vende të ndryshme paguanin që të silleshin në pozicionet serbe në malet rreth Sarajevës, ku u jepej mundësia të qëllonin mbi civilët e pambrojtur. Ai madje flet për një listë çmimesh, varësisht nëse “shënjestra” ishte burrë, grua, fëmijë apo grua shtatzënë. Në të njëjtën kohë, një ish-luftëtar serb i kapur në vitin 1993 rrëfen se kishte parë pesë të huaj të pajisur mirë, tre italianë mes tyre, të cilët nuk ishin aty për të luftuar, por për “aventurën”.
Sarajevë, 6 prill 1992: Një ushtar boshnjak, i rrethuar nga civilë, shti me armë kundrejt një snajperisti serb (Foto: picture-alliance/dpa)
Italia është vendi i parë që e hap një hetim të tillë, ndërsa mediat lokale në Bosnje flasin për mundësinë që së shpejti të dalin edhe emra konkretë.
Shumë banorë të Sarajevës, që e kujtojnë ende terrorin e snajperëve, i quanin këta “mysafirë të fundjavës” - njerëz që vinin për një “përvojë të fortë” mizore dhe ktheheshin në normalitetin e tyre të hënën në punë. Disa prej tyre ishin serbë nga diaspora që vinin nga Gjermania vetëm për dy ditë; të tjerët dyshohet të kenë qenë qytetarë të shteteve perëndimore të cilët, sipas dëshmive, e paguanin këtë “përvojë” sikur të ishte një safari i shthurur mbi jetë njerëzish.
Kjo histori e errët, që deri dje dukej pothuajse si trillim, po rikthehet sot me forcë në skenën europiane. Megjithatë, një koncept i tillë ku njerëz të pasur kanë qasje mbi jetën e të varfërve vetëm për qëllime argëtimi, nuk është diçka e panjohur për njerëzimin – së paku jo për adhuruesit e filmave.
Është e çuditshme se i disa filma dhe seriale me nam botëror në një mënyrë apo në një tjetër “e parashikuan” që esktremitete të tilla kanë ekzistuar dhe janë mbajtur në heshtje.
Telegrafi sjell sot një përmbledhje të disa prej filmave dhe serialeve që kanë shtjelluar pikërisht këtë tematikë të dominimit të një shtrese elitare mbi jetën e njerëzve të zakonshëm – ku qëllimi i vetëm ishte një argëtim sadist/monstruoz.
Kur filmat parashikojnë ose pasqyrojnë mizori reale
Tema e njerëzve të pasur që argëtohen me dhimbjen apo vdekjen e të tjerëve është përdorur shpesh në filma horror, thriller dhe distopikë. Por kur e lexon për “Sarajevo Safari”, duket sikur bota e filmit – me gjithë fantazinë e saj – ka qenë e butë krahasuar me atë që ndodhi realisht.
Disa prej filmave më të njohur që trajtojnë këtë motiv janë:
“Hostel” është një film horror i vitit 2005, me skenar dhe regji nga Eli Roth. Është një prej filmave më të hershëm që ka përshkruar këtë fenomen. Filmi ndjek një grup turistësh amerikanë, të cilët përfundojnë në Sllovaki, ku përfundimisht merren një nga një, nga një organizatë që lejon njerëzit të torturojnë dhe vrasin të tjerët.
Milionerë anonimë paguajnë për të torturuar e vrarë njerëz të pafajshëm. Filmi u kritikua për brutalitet, por sot, me historitë e “sniper tourists”, tingëllon më shumë si paralajmërim se sa fantazi.
“Squid Game” (2021) – gara vdekjeprurëse për argëtimin e elitave
Në serialin koreano-jugor i cili ishte hiti padiskutueshëm i Netflix, të pasurit shikojnë me kënaqësi sesi qindra njerëz të dëshpëruar garojnë deri në vdekje për para. Dinamika elitë dhe të varfër jo vetëm që është e frikshme, por e ngjashme me fenomenin e dehumanizimit që “Sarajevo Safari” ekspozon.
Ka qenë temë diskutimi shpesh herë në media nëse skenari i këtij seriali është i bazuar në jetën reale dhe në qoftë se njerëzit e pasur me maska që shfaqen në episodet e fundit duke “shijuar” lojën e famshme janë të vërtetë edhe në jetën reale, gjë të cilën vet regjisori nuk e ka pohuar. Megjithatë fansat vazhdojnë të mendojnë se këto skena përbrenda serialit kishin mesazhe të fshehura.
“The Purge” (2013) – një natë ku të pasurit pastrojnë shoqërinë
Një elitë e fshehtë që promovon vrasjet si ngarkesë për “pastrimin e shoqërisë” sjell një skenar që e zhduk kufirin mes fantazisë dhe eksperimentit shoqëror të tmerrshëm.
“The Hunt” (2020) – gjueti njerëzish e orkestruar nga të privilegjuarit
The Hunt është një thriller psikologjik që eksploron natyrën e dhunës dhe manipulimit në shoqëri. Filmi ndjek një grup njerëzish të pasur që organizojnë një lojë të fshehtë ku pjesëmarrësit, zakonisht individë të zakonshëm, gjejnë veten të përfshirë në një garë për mbijetesë. Koncepti ngjan me “human safari”, ku njerëzit shndërrohen në objekte argëtimi dhe viktimat e zgjedhura përballen me situata të rrezikshme dhe shpesh fatale.
Këta filma, sado tronditës, kanë një gjë të përbashkët: të pasurit janë të dhënë pas dhunës sepse pushteti absolut i çon drejt çkombëtarizimit total të viktimave. Por ajo që i bën më të rëndë sot është fakti se realiteti, në boshtin e Sarajevës, ka qenë shumë më i egër se çdo fabul filmike. /Telegrafi/
Aktori i Koresë së Jugut, Oh Yeong-su, i njohur më së miri për rolin e tij në serialin e njohur të Netflix-it "Squid Game", është liruar nga akuzat për sulm seksual pasi një gjykatë më e lartë rrëzoi dënimin e tij të mëparshëm.
Aktori 81-vjeçar u shpall fajtor në vitin 2024 për sulm ndaj një gruaje në vitin 2017 dhe u dënua me tetë muaj burg, me kusht, por gjykata e Suwon tani e ka rrëzuar atë vendim, raporton BBC.
Gjykata deklaroi se ekzistonte mundësia që kujtesa e viktimës së supozuar të ishte "shtrembëruar" për shkak të hendekut kohor midis ngjarjes dhe dëshmisë.
Oh Yeong-su
Arsyetimi i vendimit theksoi se kishte dyshime se O e kishte kryer sulmin në radhë të parë, dhe si rrethanë lehtësuese, ata përmendën gjithashtu faktin se aktori kishte ndjekur trajnim mbi parandalimin e dhunës.
Viktima e supozuar reagoi ashpër ndaj vendimit të gjykatës, duke thënë se vendimi "nuk do ta anulojë të vërtetën dhe as nuk do ta fshijë dhimbjen që ajo pësoi".
"Pavarësisht vendimit të sotëm, unë do të vazhdoj të them të vërtetën deri në fund", tha ajo në një deklaratë të lëshuar nga organizata për të drejtat e grave Womenlink.
Nga e njëjta organizatë, ata kritikuan vendimin e gjykatës, duke theksuar se janë “të indinjuar nga vendimi, i cili fsheh edhe një herë dhunën në botën e teatrit”.
O Yeong-su u akuzua në vitin 2022 se gjatë qëndrimit të tij në një zonë rurale në vitin 2017, ndërsa punonte për një shfaqje teatrale, ai përqafoi dhe puthi një grua në faqe pa pëlqimin e saj.
Gruaja e denoncoi atë për herë të parë në vitin 2021, por çështja u mbyll atëherë. Hetimi u rihap me kërkesën e saj.
Pasi dëgjoi lirimin nga akuzat, aktori tha se ndiente "mirënjohje ndaj gjykatës për vendimin e saj të mençur".
Ende nuk dihet nëse prokuroria do ta apelojë këtë vendim. /Telegrafi/
TIRANË, 11 nëntor/ATSH/ Parku Natyror i Qafështamës, 25 km në verilindje të qytetit të Krujës, ofron një peizazh magjepsës në këto ditë vjeshte, ku ngjyrat e kuqërremta dhe e verdha tërheqin jo pak vizitorë, për të shijuar bukurinë e tij.
Ky park paraqet jo vetëm një pikturë të mrekullueshme natyrore, por edhe një zonë që ofron gjithçka; qetësi, shtigje, shumëllojshmëri bimësh, ujë burimi dhe shumë pasuri të tjera.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky park, i cili në vjeshtë padyshim është një destinacion që nuk duhet humbur.
Mes një natyre të paprekur turistët e shohin Parkun e Qafështamës si destinacionin e duhur për ecje nëpër shtigje, çiklizëm nëpër terrene të thyera dhe kamping.
Pjesë e Vargmalit të Skënderbeut, Qafështama ofron një natyrë mbresëlënëse, në një lartësi prej 1100 metrash dhe ngrihet lart deri në Majën e Liqenit, 1725 m mbi nivelin e detit dhe ndërthuret me vlerat kurative, ujin e familjes mbretërore dhe historisë së 90 vajzave krutane që u flijuan te “Shkëmbi i Vajës”.
Parku Natyror i Qafështamës, 25 km në verilindje të qytetit të Krujës, ofron një peizazh magjepsës në këto ditë vjeshte, ku ngjyrat e kuqërremta dhe e verdha tërheqin jo pak vizitorë, për të shijuar bukurinë e tij. Ky park paraqet jo vetëm një pikturë të mrekullueshme natyrore, por edhe një zonë që ofron gjithçka; qetësi, shtigje, shumëllojshmëri bimësh, ujë burimi dhe shumë pasuri të tjera.
TIRANË, 8 nëntor /ATSH/ – Mendoj se në të gjithë botën, madje edhe në ishujt më të vegjël, më njohin më shumë se ai (Donald Trump – shën. i përkth.), i tha gazetarit britanik, Piers Morgan ylli portugez i futbollit, Cristiano Ronaldo, i cili është personi më i ndjekur në Instagram, sipas people.com.
Cristiano Ronaldo diskutoi për famën e tij gjatë një interviste me Piers Morgan.
Ikona e futbollit dha mendimin e tij në një debat nëse Donald Trump është apo jo më i famshëm se ai.
Ai pohoi se ”askush nuk është më i famshëm se unë” dhe shpjegoi arsyen e tij për deklaratën e guximshme.
Pohimi lindi kur Ronaldo dhe Morgan po diskutonin për Donald Trump, pasi presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa i dhuroi Trump një fanellë të Portugalisë të nënshkruar nga Ronaldo gjatë samitit të G7-s në Kanada, mbajtur në qershor.
“Ju jeni dy njerëzit më të famshëm në planet”, i tha Morgan Ronaldos duke vënë në dukje se futbollisti është personi më i ndjekur në Instagram me mbi 650 milionë ndjekës, krahasuar me 38 milionë të Trump.
Ronaldo më pas bëri pyetjen se ”kush është më i famshëm në botë, unë apo Donald Trump?”.
“Çfarë mendoni?”, ia ktheu Morgan me shaka Ronaldos.
“Unë”, u përgjigj ky i fundit.
“Mendoj se në të gjithë botën, madje edhe në ishujt më të vegjël, më njohin më shumë se ai… Mendoj se në botë, askush nuk është më i famshëm se unë. Më trego një. Më trego vetë një!”, theksoi ai.
Morgan tha se “është një debat shumë interesant” kur mendonte për nivelet e famës së Ronaldos dhe Trump dhe më pas përmendi tre persona nga jeta e tij që ai mendon se do të renditeshin më lart nëse do të ishin ende gjallë, princesha Diana, mbretëresha Elizabeth dhe Nelson Mandela.
“Por, mendoj se tani, jeni ju dhe Donald Trump”, shtoi ai.
Ylli i futbollit më pas foli hapur për famën e tij dhe se si nuk mund të shkojë askund pa u njohur.
“Të pëlqen kjo?” pyeti Morgan, të cilit Ronaldo iu përgjigj pa hezitim “jo”.
”Është ajo që është. Është e mërzitshme. Më besoni. Është e mërzitshme. Po, shumë… Do të doja të mos isha kaq i famshëm. Vërtet, vërtet. Është e mërzitshme. Më besoni”, këmbënguli Ronaldo.
“Nuk kam dashur kurrë të jem i famshëm, kurrë. Doja të kisha sukses, e dija që në fillim kur isha më i ri se do të isha, le të themi, një yll, por të jem kaq i famshëm nuk e kam dashur kurrë, kurrë, kurrë. Është e mërzitshme, më besoni, por është ajo që është”, shton ai./ a.jor.
PRISHTINË, 29 tetor/ATSH/ Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar padinë e Rrjetit të Femrave për Zhvillim Profesional “Arrita” kundër Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit MASHTI për mbulesën në shkolla, duke konfirmuar njëherësh kompetencën e MASHTI-t për rregullat e uniformës.
Rrjeti i Femrave për Zhvillim Profesional “Arrita” ka kërkuar që të shpallet i paligjshëm dhe të shfuqizohet neni 3 paragraf 1, nën paragraf 1.13 i Udhëzimit Administrativ nr.06/2014, që është një akt administrativ i përgjithshëm, duke thënë se nuk mund të ndalohet ushtrimi i të drejtave dhe lirive kushtetuese të vajzave që mbajnë mbulesën islame.
E njëjta ka theksuar se me nenin 55.1 të Kushtetutës, saktësohet qartë se “të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm me ligj”, duke shtuar se në katër vjetët e fundit kanë pranuar ankesa të shumta nga vajzat që janë përjashtuar nga shkollat publike për shkak të bartjes së shamisë.
Gjykata Supreme e Kosovës ka shqyrtuar me kujdes bazën ligjore të aktit nënligjor normativ të kontestuar dhe ka vlerësuar se dispozita nga neni 3 paragraf 1, nën paragraf 1.13, gjen mbështetje në Ligjin nr. 04/L-032 për Arsimin Parauniversitar dhe në Ligjin nr. 04/L-138 për Arsimin dhe Aftësimin Profesional.
Nga këto dispozita rezulton se MASHTI ka autorizim të qartë ligjor për të përcaktuar rregulla për sjelljen e nxënësve, përfshirë edhe rregullat për veshjen – uniformën dhe se akti nënligjor është në përputhje me autorizimin e shprehur ligjor të dhënë nga ligjvënësi.
“Përcaktimi sikurse në aktin e kontestuar, me të cilin ndalohet bartja e uniformës fetare në shkolla, gjen mbështetje në një akt më të lartë ligjor për nga fuqia hierarkike, andaj si i tillë nuk mund të shfuqizohet”, ka bërë të ditur Gjykata Supreme.
Gjykata Supreme çmon se rregullat e miratuara nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, të cilat ndalojnë bartjen e çdo veshjeje tjetër përveç uniformës shkollore, janë në përputhje me ligjin dhe me kompetencën e deleguar ligjore, dhe si të tilla nuk përbëjnë tejkalim të autorizimeve të dhëna nga ligjdhënësi. /Kosovapress/
Netflix ka mbyllur studion që fshihej pas lojës së saj "Squid Game: Unleashed", mes një ndryshimi në strategjinë për njësinë e saj të videolojërave.
Mbyllja e studios u konfirmua nga bashkëthemeluesi dhe ish-drejtori ekzekutiv i saj, David Rippy.
"Lajm i keq, sigurisht, por jam shumë mirënjohës për kohën që patëm në Netflix", tha Rippy.
Gjigandi i transmetimit, i cili është futur në reklama dhe videolojëra për të diversifikuar rrjedhat e të ardhurave të tij, bleu Boss Fight Entertainment në vitin 2022 për të zgjeruar ofertën e tij.
"Pas më shumë se 10 vitesh të shkëlqyera pune në Boss Fight, , ka ardhur koha që studioja të mbyllet", tha David Luehmann, drejtor i zhvillimit të lojërave në studio.
Dy lojërat e Boss Fight, "Netflix Stories" dhe "Squid Game: Unleashed", do të vazhdojnë të jenë të disponueshme në platformën e transmetimit.
Ndryshe, Netflix, i cili emëroi Alain Tascan si president të lojërave vitin e kaluar, ka një strategji të re që do të përqendrohet në lojërat për festa, narrative, për fëmijë dhe lojërat e zakonshme. /Telegrafi/
Reperi i njohur nga Kosova, Fero, foli në emisionin e Arbana Osmanit, për përkushtimin e tij në fenë islame.
Fero iu përkushtua fesë islame pas divorcit nga ish-bashkëshortja e tij, Arbenita Ismajli.
Reperi tha ka mbi dy vite që praktikon besimin islam dhe se në fillim përshtatja ka qenë e vështirë për të, por me pas ai u mësua dhe çdo gjë shkoi mirë.
Fero tha se besimi në Zot i ka mësuar se çdo gjë në jetë ka vlerë dhe se e mirë nuk vjen kurrë prej të keqes.
Pyetje: Sa kohë ke që je pastruar dhe je rikthyer në besimin në Zot?
Fero: Kam dy vite e disa muaj…kam pas vështirësi 3 muajt e parë. Pas 3 muajt e parë kam marr veten shumë mirë dhe seni më i mirë gjatë asaj periudhe ka qenë, është se kam pa që jeta është shumë e mirë. Kam vlerësuar çdo gjë në jetë. Çdo njeri është mirë mos u afro me shoqëri të keqe. Asnjëhere nuk ka mirë prej të keqes. Kurrë nuk i lë vaktet e namazit.