Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për median britanike Monocle, ka folur për përparimin e Kosovës në rrugën e integrimit euro-atlantik dhe për thellimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke folur për angazhimin e Kosovës në politikën ndërkombëtare dhe integrimin në strukturat euro-atlantike, presidentja Osmani tha se nuk kemi dilema për rrugën tonë euro-atlantike.
"Ne nuk kemi kurrë dilema për rrugën tonë euro-atlantike. Rruga e Kosovës drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian është e pandalshme. Identiteti ynë euro-atlantik është i patjetërsueshëm dhe nuk do të lëkundet kurrë", u shpreh Osmani.
Ajo theksoi rëndësinë e mbështetjes amerikane historike dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.
"Marrëdhënia që kemi me SHBA-në ka qenë gjithmonë ekzistenciale. SHBA-ja udhëhoqi botën për të na shpëtuar dhe na dha mundësinë të jetojmë në liri dhe demokraci. Kosova është bërë një nga historitë më të mëdha të suksesit të politikës së jashtme amerikane", tha ajo.
Presidentja përmendi dy fusha kryesore të bashkëpunimit të zgjeruar me SHBA-në. mbrojtjen dhe ekonominë.
"Në aspektin e mbrojtjes, është shumë e rëndësishme që të kemi kapacitete të mjaftueshme për sigurinë tonë, sidomos duke pasur parasysh situatën e paqëndrueshme në rajon. Në ekonomi, kemi potencial të madh për investime amerikane. Kur investoni në Kosovë, po investoni në qindra miliona qytetarë evropianë, me një sistem ligjor dhe financiar të shkëlqyer dhe me një vend pro-amerikan", tha Osmani.
Duke folur për sfidat e integrimit në BE, Presidentja Osmani tha se pavarësisht që Kosova ende nuk e ka marrë statutin e kandidatit për BE, rruga jonë drejt vlerave euro-atlantike nuk do të ndryshojë
"Ne jemi 100% të përputhur me BE-në dhe NATO-në në çdo vendim të politikës së jashtme dhe sigurisë. Megjithatë, ende nuk kemi status kandidati për Bashkimin Evropian për shkak të disa konsideratave politike brenda disa vendeve të BE-së. Por durimi ynë nuk do të shkurtëzohet – rruga jonë drejt vlerave euro-atlantike nuk do të ndryshojë”, tha Osmani.
Presidentja Osmani gjithashtu vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Emirateve të Bashkuara Arabe, si një partner i rëndësishëm ndërkombëtar.
"Që nga viti 1999, kur përjetuam luftën gjenocidale, Emiratet e Bashkuara Arabe na mbështeti të rindërtojmë vendin nga hiri. Tani na mbështesin në sektorin e shëndetësisë dhe shumë sektorë të tjerë. Kjo mbështetje është jetike për forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës”, tha Osmani.
Kujtojmë se presidentja Osmani javën që shkoi ishte pjesëmarrëse në Samitin Botëror të Qeverisjes në Emiratet e Bashkuara Arabe./Telegrafi/
Kosova duhet të jetë në NATO për të krijuar stabilitet në Ballkan. Ky ishte mesazhi i kongresmenit amerikan Kieth Self gjatë një Forumit të Sigurisë në Kongresin Amerikan ku ishin të pranishëm edhe deputetët shqiptarë.
Kieth Self Kongresmen tha: “Unë po kërkoj ekuilibër në Ballkan. Dua ekuilibër në Ballkan dhe mendoj se një nga pjesët kyçe - dhe e kam marrë si mision personal- është anëtarësimi i Kosovës në NATO, e cila do të ishte një forcë jashtëzakonisht stabilizuese në Ballkan. Prandaj duhet të bëjmë përparim në këtë drejtim dhe duhet t’u përgjigjemi kundërshtimeve të disa vendeve. Besoj se kjo është një pjesë kyçe e asaj për të cilën po flasim sot, sepse siguria në Ballkan-Ballkani sot, sipas mendimit tim, është një fuçi baruti- dhe ne duhet ta zgjidhim këtë dhe të sjellim stabilitet në rajon”.
I pranishëm në këtë tryezë ishte edhe Fatmir Mediu, si bashkëdrejtues i punimeve të konferencës, i cili theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të sillte stabilitet dhe partneritet në rajon.
Kryetari i PR Fatmir Mediu u shpreh: “Të gjithë shpresojmë që të gjitha vendet e NATO-s të bien dakord të paktën, për të nisur procesin e anëtarësimit për Kosovën. Brenda NATO-s, kjo do të sjellë më shumë stabilitet dhe më shumë partneritet në rajonin tonë, në Ballkan. Dhe mendoj se ata po punojnë fort për të arritur çdo objektiv që kërkohet për të qenë pjesë e aleancës së NATO-s”.
Në këtë takim u diskutua edhe lidhur me planin për të çuar në 5% të buxhetit për mbrojtjen të të gjitha vendeve të NATO-s/A2CNN/
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka njoftuar se do të marrë pjesë në ceremoninë vjetore të Lutjeve të Mëngjesit, e cila zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ku Presidenti Donald Trump pritet të mbajë fjalim kryesor.
Kjo ngjarje, e cila bashkon mijëra pjesëmarrës nga e gjithë bota, përfaqëson një moment të rëndësishëm të unitetit, besimit dhe vlerave të përbashkëta.
Haradinaj ka theksuar se është shumë domethënëse që Kosova të jetë e pranishme në këtë aktivitet, duke riafirmuar miqësinë dhe partneritetin e qëndrueshëm me SHBA-në.
"Është shumë domethënëse që Kosova të përfaqësohet në këtë ngjarje të rëndësishme, duke riafirmuar miqësinë e bekuar dhe partneritetin e qëndrueshëm të vendit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës", ka shkruar Haradinaj. /Telegrafi/
Një debat mediatik i ashpër është ndezur pas deklaratave të gazetarit të njohur gjerman Michael Martens, i cili në disa komente publike ofendoi rëndë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, që kanë shkaktuar reagime të fuqishme në Prishtinë.
Martens, gazetar i gazetës prestigjioze gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), i është referuar një sërë ngjarjesh diplomatike të fundit që lidhen me Osmani, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen e saj në forume ndërkombëtare dhe lidhjet me presidentin amerikan Donald Trump.
Së fundmi gazetari ka shkruar një artikull të gjatë që ka publikuar në numrin e të mërkurës në gazetën gjermane FAZ.
Martens ka ndarë në rrjetin “X” disa nga pjesët që përmban artikulli i tij në FAZ.
Ai rikujton një intervistë të Osmanit nga viti 2019, ku ajo shprehej se synimi i saj ishte që “asnjë vajzë dhe asnjë grua në Kosovë të mos besojë më se është inferiore” dhe se gratë do ta dinin “se nuk ka asgjë që nuk mund ta bëjnë”.
Shtatë vjet më vonë, shkruan Martens, mesazhi që Osmani po lë pas është se ajo “nuk është aspak inferiore ndaj kolegëve meshkuj kur bëhet fjalë për vënien e ambicies personale mbi dinjitetin dhe interesin e një shteti të tërë”.
Seven years on, one of the messages President Osmani indeed leaves behind at the end of her presidential mandate is that in the game of putting personal ambition over self-respect and the interest of an entire country, she is in no way inferior to male politicians. — Michael Martens (@Andric1961) February 4, 2026
Sipas autorit, presidentja ka vepruar pa u koordinuar me kryeministrin Albin Kurti për të siguruar pranimin e Kosovës si anëtare themeluese në të ashtuquajturin “Bordi për Paqe” të Donald Trump dhe se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është ai që ia siguroi Osmanit hyrjen tek Trumpi.
Tutje Martines citon një intervistë të Osmanit për BBC-në, ku sipas tij ajo e justifikoi afrimin me Trump duke theksuar rolin historik të SHBA-së.
“Në një intervistë për BBC-në, zonja Osmani e shpjegoi sfondin e këtij veprimi të pavarur në Davos duke i kujtuar publikut kohën kur Kosova ishte ende nën okupimin serb. Shqiptarët në atë kohë, tha ajo, nuk merrnin asgjë nga Kombet e Bashkuara përveç fjalëve: Ajo që dëgjonim në atë kohë ishin rezoluta të Asamblesë së OKB-së – ishin letra, ishin fjalë, por zero veprim. Derisa SHBA-të erdhën dhe mobilizuan botën për të na ardhur në ndihmë”, shkruan Martines, transmeton Telegrafi.
Martens kritikon edhe rolin e bashkëshortit të presidentes, Prindon Sadriu, i cili sugjeroi publikisht që ish-“Grand Hotel” në Prishtinë të shndërrohej në një “Trump Hotel”, si dhe vendimin e Osmanit për të organizuar një pritje presidenciale për premierën e filmit biografik “Melania” kushtuar bashkëshortes së Trumpit.
But this praise does not apply to other steps taken by the president and her entourage. One example is the case of Osmani’s husband, Prindon Sadriu, a not so diplomatic diplomat whose intellectual capacity does not always keep pace with his remarkable ambition. — Michael Martens (@Andric1961) February 4, 2026
Më 4 mars është afati i fundit kur Kuvendi i Kosovës duhet ta zgjedhë presidentin.
Gazetari i FAZ ka thënë se këto veprime lidhen drejtpërdrejt me faktin se mandati presidencial i Osmanit përfundon në mars dhe ajo aktualisht nuk ka mbështetjen e nevojshme në Kuvend për një mandat të dytë.
Strategjia e saj, shkruan Martens, është të paraqitet si “kandidatja e Trumpit”, duke ushtruar presion indirekt ndaj deputetëve.
Ajo (Osmani), shkruan autori i artikullit në FAZ i përdor lidhjet e saj të supozuara me rrethin e Donald Trumpit si mjet presioni ndaj deputetëve që e zgjedhin presidentin, duke dërguar mesazhin e nënkuptuar: “Nëse nuk më rizgjidhni presidente, do të keni probleme me Shtetet e Bashkuara.”
The threat is: “If you don’t re-elect me as president, you’ll have trouble with the U.S.” A few years ago, such a calculation might have worked. After all, Kosovo, for understandable reasons, is the most pro-American country in the world. — Michael Martens (@Andric1961) February 4, 2026
Martines shkruan se Osmani prej vitesh ka dështuar të krijojë miq, duke përmendur se shumë bashkëpunëtorë të afërt, si ish-shefi i kabinetit të saj Blerim Vela, nuk qëndruan gjatë pranë saj.
Gazetari gjerman shkruan se ideja që afërsia me Uashingtonin mund të garantojë automatikisht sukses politik në Kosovë mund të ketë funksionuar më parë, por realiteti ka ndryshuar.
Megjithëse Kosova mbetet jashtëzakonisht pro-amerikane, mbështetja për SHBA-të nuk është më e pakushtëzuar.
“Kosovarët e dallojnë qartë ndryshimin mes Amerikës së Clintonit dhe Bushit dhe asaj të Donald Trumpit. Në këtë kontekst, përpjekja e Vjosa Osmanit për ta siguruar rizgjedhjen duke u identifikuar si “kandidatja e Trumpit” paraqet një strategji të pasigurt, ndërsa opsione të tjera politike mund të rezultojnë më të qëndrueshme”, ka shkruar ai. /Telegrafi/
Sipas dokumenteve, kjo përfshinte rreth 1,000 tru njerëzor, disa prej tyre nga njerëz që kryen vetëvrasje. Hetimi nuk përmban asnjë informacion nëse familjet e të ndjerëve në Maqedoni dhanë pëlqimin e tyre për një përdorim të tillë të organeve, as nëse institucionet e Maqedonisë ishin në dijeni ose dhanë leje për një eksport të tillë.
Një nga emailet e publikuara, e datës 5 shkurt 2019, diskuton kërkime që lidhen me shkaqet dhe aspektet biologjike të vetëvrasjeve. Në dokumente përmenden gjithashtu shkencëtarë nga disa universitete të njohura amerikane, duke përfshirë Pittsburgh, Columbia, New York dhe Yale.
Në pjesën për Maqedoninë, thuhet se "vendi i vogël ballkanik Maqedonia siguron tru të njerëzve falë një anëtari të fakultetit të Universitetit të Kolumbias i cili vjen nga atje dhe ndihmoi në organizimin e të gjithë procesit".
Sipas përshkrimit, organet janë dërguar menjëherë pas heqjes, janë transportuar me aeroplan nën eskortë speciale dhe u dërguar me anije për rreth 7,500 kilometra në Shtetet e Bashkuara. Atje, ata kanë përfunduan në kuti speciale, të shënuara me kode QR, me seksione të indeve të disektuara të etiketuara sipas anës dhe datës së marrjes.
Këto pretendime tërheqin edhe një herë vëmendjen ndaj rrjetit të kontakteve dhe aktiviteteve të lidhura me Jeffrey Epstein, i cili u dënua në Florida në vitin 2008 për nxitjen e të miturve në prostitucion dhe në vitin 2019 u akuzua nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së për trafikim qeniesh njerëzore me qëllim shfrytëzimin seksual.
Në gusht 2019, Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij të burgut në Nju Jork dhe vdekja e tij u cilësua zyrtarisht si vetëvrasje - një rast që vazhdon të gjenerojë polemika dhe dyshime./Telegrafi/
Në mungesë të lobimit zyrtar në Shtetet e Bashkuara, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u shfaq muajt e fundit si një ndër figurat më aktive në arenën ndërkombëtare.
Pjesëmarrja e saj në ceremoninë e nënshkrimit të Kartës së Bordit të Paqes për Gazën dhe takimet me presidentin amerikan, Donald Trump – me shtrëngime duarsh dhe biseda vesh më vesh – kapën vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Vendi me rreth 1.5 milion banorë tregoi se diplomacia aktive mund ta mbajë atë të dukshëm.
“Është një nismë historike, me një vizion të qartë: për të sjellë më shumë paqe dhe siguri në botë”, tha Osmani pasi nënshkroi Kartën e Bordit të Paqes më 22 janar.
Kjo nismë nuk u prit pa dilema. Demokraci si Franca dhe Gjermania e refuzuan pjesëmarrjen në të, duke paralajmëruar se ajo mund të dobësojë rolin e OKB-së dhe të hapë derën për figura si presidenti rus, Vladimir Putin.
Edhe në Kosovë, reagimet ishin të ndara: për disa, pjesëmarrja është një hap drejt rritjes së peshës ndërkombëtare të vendit, për të tjerë – një rreshtim i rrezikshëm përkrah regjimeve autoritare, përfshirë Bjellorusinë.
Kështu, debati rreth Bordit të Paqes la në hije një çështje tjetër thelbësore: mungesën e lobimit shtetëror të Kosovës në SHBA.
Donika Emini, njohëse e zhvillimeve politike, thotë se Kosova, për gati dy vjet, ka pasur shumë pak zëra aktivë në Uashington – jo për mungesë temash, por për mungesë strukture. Vendi nuk ka asnjë kontratë aktive lobimi në regjistrin e Agjentëve të Huaj të Departamentit të Drejtësisë amerikane, të njohur si FARA, që nga qershori i vitit 2024. Kjo, pavarësisht se lobimi i tillë i lejon çdo shteti të huaj të tentojë të ndikojë ligjërisht në politikat e SHBA-së.
Sipas Eminit, mungesa e këtij mekanizmi e dobëson aftësinë e Kosovës për të komunikuar interesat e saj, sepse, siç thotë, angazhimi individual i një zyrtari nuk mund ta zëvendësojë një strukturë profesionale lobimi – veçanërisht në SHBA.
“Është realisht shqetësuese, për faktin se SHBA-ja nuk funksionon si Bashkimi Evropian. Me vendet e BE-së, me vetë Brukselin, mund t’i menaxhosh marrëdhëniet bilaterale vetë, përmes kanaleve zyrtare, përfaqësuesve të shtetit. Në SHBA funksionon ajo platformë [FARA] dhe ajo mundësi, sepse gjithçka bëhet përmes lobimit. Asgjë nuk është rastësore”, thotë Emini, nga Grupi Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë, për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Që nga fillimi i viteve ’90, Kosova ka paguar kompani të shumta lobimi në SHBA, me qindra mijëra dollarë, për të promovuar agjendën e saj ndërkombëtare. Kontratat janë lidhur nga institucionet shtetërore me emra të njohur amerikanë, si Podesta Group dhe Ballard Partners.
Në pesë vjetët e fundit, gjatë pushtetit të presidentes Osmani dhe Qeverisë së Albin Kurtit, janë nënshkruar vetëm tri kontrata lobimi – të gjitha në vitin 2023: njëra afatshkurtër dhe dy të tjera që skaduan një vit më vonë.
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar sqarime nga Presidenca, Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës lidhur me arsyet përse Kosova, aktualisht, nuk ka asnjë kontratë aktive lobimi të regjistruar në FARA. Deri më tani, asnjëri prej institucioneve nuk ka kthyer përgjigje, duke i lënë të hapura pyetjet për mungesën e një strategjie të qartë, planifikimin dhe koordinimin institucional.
Në një prej deklarimeve të rralla për çështjen e lobimit, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla – tani në detyrë – ka thënë se “po konsiderohet” vazhdimi i kontratave me dy kompanitë e kontraktuara më 2023 – të Avni Mustafajt dhe Afërdita Rakipit. Por, edhe gati një vit e gjysmë më vonë, kjo nuk ka ndodhur. Gërvalla ka deklaruar se është e kënaqur me punën e tyre, edhe pse shumica e shpenzimeve u kanë shkuar për dreka, udhëtime dhe takime në Prishtinë.
“Nuk ka shqetësime lidhur me këto kontrata. Ata dy punojnë së bashku në realizimin e detyrave të tyre”, ka thënë atëkohë Gërvalla.
Sipas Eminit, Kosova e merr për të mirëqenë mbështetjen politike të SHBA-së, pa kuptuar ndryshimet drastike të elitave politike, që kanë ndodhur atje.
“Nuk jemi në vitet ’90. Nuk kemi një elitë politike në SHBA që e njeh Ballkanin në detaje. Nuk kemi lobistë, senatorë apo kongresistë siç i kemi pasur dikur, të cilët e kanë pasur kauzë politike avancimin e Ballkanit”, thotë Emini.
Vesko Garçeviq, profesor i Praktikës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Bostonit, thotë se pa lobistë që japin informacion nga brenda, Kosova rrezikon t’i keqkuptojë prioritetet e SHBA-së, duke hartuar politika që nuk përshtaten me pritjet e Uashingtonit dhe, për pasojë, marrin pak mbështetje. Në këtë mënyrë, Kosova – kushtimisht thënë – rrezikon edhe “të harrohet”, duke u dhënë hapësirë të tjerëve që ta krijojnë narrativin për të.
“Serbia, sidomos, ka investuar jashtëzakonisht shumë, si financiarisht, ashtu edhe përmes lidhjeve të saj, në ndërtimin e rrjetit të lobimit. Ndaj, po të isha në vendin e Qeverisë së Kosovës, do ta bëja të njëjtën gjë. Do të mendoja për të angazhuar dikë me ndikim që i përfaqëson interesat e Kosovës – jashtë zyrës diplomatike që Kosova ka në Uashington”, thotë Garçeviq për Exposenë.
Serbia, aktualisht, ka gjashtë kontrata aktive në Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj – FARA. Njëra prej tyre përfshin edhe avokim para Kongresit amerikan dhe departamenteve të tij.
Nga vendet e tjera të rajonit, Bosnje e Hercegovina ka 14 kontrata aktive, shumica prej tyre të lidhura nga Republika Sërpska; Shqipëria ka katër, ndërsa Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë asnjë.
Garçeviq, ish-ambasador i Malit të Zi në disa vende evropiane, thotë se lobimi e kompenson peshën e kufizuar diplomatike të një vendi. Ndryshe nga vendet e mëdha, shtetet e vogla – si Kosova dhe Mali i Zi – nuk kanë ndikim të madh ekonomik, ushtarak apo strategjik, prandaj nuk e tërheqin automatikisht vëmendjen e Uashingtonit. Ai shpjegon se lobimi i vazhdueshëm ka bërë që SHBA-ja ta perceptonte pozitivisht kandidaturën e Malit të Zi për NATO, dhe ka luajtur rol vendimtar në arritjen e suksesit.
“Shumë kohë përpara se të merrej vendimi më 2017, ne kemi gjetur një grup lobimi shumë efektiv, që ka punuar në favor të Malit të Zi. Kur ne kemi nisur fushatën për anëtarësim, NATO-ja nuk ka qenë e etur për të pranuar anëtar të ri. Kjo ka ndryshuar me kalimin e kohës, dhe mund të them se lobistët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në këtë proces”, thotë Garçeviq.
Në rrethanat ku gjendet Kosova – me çështje të hapura me Serbinë dhe jashtë NATO-s e BE-së – lobimi në SHBA nuk është vetëm çështje imazhi. Ai është mjet kyç edhe për mbrojtjen e sigurisë civile dhe për të siguruar që SHBA-ja mbetet e angazhuar në stabilitetin dhe mbrojtjen e vendit, sipas Garçeviqit.
“Prandaj, mos ua lini të tjerëve që ta formësojnë mënyrën se si SHBA-ja ju qaset. Duhet të jeni proaktivë, sepse kjo ju ndihmon edhe të kuptoni më mirë se si mendohet nga brenda. Njerëzit që i angazhoni për të punuar për ju, mund t’ju japin vlerësime reale se çfarë ndodh në anën tjetër dhe si e shohin ata situatën”, thotë ai.
Emini shton se realiteti politik në Uashington ka ndryshuar ndjeshëm dhe se vendimmarrja sot zhvillohet në një mjedis shumë më të fragmentuar. Sipas saj, Qeveria e re e Kosovës, që pritet të formohet sërish nga Albin Kurti, duhet të investojë në ndërtimin e rrjeteve afatgjate të lobimit në SHBA, e jo të mbështetet në komunikim sporadik apo vetëm në vizita zyrtare.
“Kosova është një shtet i vogël dhe si i tillë mbijeton në aleanca. Edhe sikur të ishte shtetësi e përfunduar, edhe nëse do të kishte ushtri dhe do të ishte pjesë e NATO-s, aleancat janë të domosdoshme”, thotë Emini.
Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara kanë kaluar periudha tensioni gjatë dy vjetëve të fundit. Shkak janë bërë disa vendime të Qeverisë së Kosovës, të cilat Uashingtoni i ka vlerësuar si të dëmshme për komunitetin serb. Përplasjet kanë kulmuar me paralajmërime publike nga zyrtarët amerikanë për përkeqësim të raporteve dhe me vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, ndonëse Qeveria e Kurtit ka insistuar se këto mospajtime janë pjesë e një dinamike normale mes aleatëve.
Këtë muaj, Kosova u përfshi edhe në listën e 75 vendeve për qytetarët e të cilave SHBA-ja ka pezulluar përkohësisht lëshimin e vizave të emigrimit. Arsyeja zyrtare: parandalimi i keqpërdorimit të ndihmave sociale. Në këtë listë janë përfshirë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë, e cila, sipas raportimeve të disa mediave, ka përfituar edhe nga lobimi intensiv.
Megjithatë, Departamenti amerikan i Shtetit ka sqaruar se masa synon ata që “i përdorin ndihmat sociale amerikane në nivele të papranueshme”.
Në një Uashington ku vëmendja blihet, fitohet ose humbet, sfida për Kosovën tani nuk qëndron vetëm te ruajtja e miqësive, por edhe tek aftësia për t’u dëgjuar.
Me fjalët e presidentes Osmani, pas nënshkrimit të Kartës së Bordit të Paqes, “kur Amerika udhëheq, paqja është gjithmonë më e sigurt”. Por, mbetet të shihet nëse Kosova do të arrijë ta shndërrojë këtë moment në ndikim real – përtej dorështrëngimeve dhe titujve në media./REL/
Në një intervistë ekskluzive për “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tregon çfarë do të thotë për Kosovën përfshirja në Bordin e Paqes të themeluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe cilat janë obligimet, përgjegjësitë dhe përfitimet që mund t'i ketë.
Në këtë podcast, Osmani ka folur për takimin e saj me Presidentin Donald Trump, raportet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe mundësitë për një diplomaci të re, përfshirë edhe angazhimin me shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes si një nga zhvillimet më të rëndësishme të politikës së jashtme të vendit në vitet e fundit, duke theksuar se ky hap e fuqizon drejtpërdrejt subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
“Anëtarësimi i Kosovës në secilën organizatë ndërkombëtare është lajm i mirë për vendin tonë, e në veçanti kur po flasim për një organizatë ndërkombëtarë që udhëhiqet nga aleati ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shteti kryesor që nëpërmjet ndihmës, bashkërendimit dhe udhëheqjes, lidershipit të vet ia ka bërë Kosovës të mundur lirinë, pavarësinë, demokracinë dhe paqen që e gëzojmë”, tha Osmani me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.
Ajo tha se është krejtësisht i natyrshëm rreshtimi politik i Kosovës me aleatin e saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa herë që ka nisma të tilla të rëndësishme ndërkombëtare.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Përballje Podcast Foto: Ridvan Slivova
Osmani ka treguar detaje lidhur me ftesën për Kosovën si shtet themelues i kësaj organizate ndërkombëtare të themeluar nga SHBA me Presidentin Trump, çka sipas saj përbën një vlerësim të jashtëzakonshëm për shtetin dhe qytetarët e Kosovës.
“Kosova është vlerësuar nga ShBA. Ky është një vlerësim i jashtëzakonshëm i popullit tonë dhe i shtetit tonë si faktor i rëndësishëm për paqe dhe stabilitet, jo vetëm në rajon, por edhe përtej. Në anën tjetër, kjo fuqizon subjektivitetin e pozicionin ndërkombëtar të shtetit”.., deklaroi Osmani.
E para e shtetit sqaroi se pjesëmarrja në Bord i jep Kosovës mundësi të ketë zë të barabartë në vendimmarrjen ndërkombëtare, si dhe hap dyer të reja diplomatike, përfshirë edhe me shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Na jep mundësi që të kemi zërin tonë të barabartë në tavolina të vendimmarrjes dhe në të njëjtën kohë na jep qasje te shumë shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën”, theksoi Presidentja.
Ajo shtoi se gjatë ceremonisë së themelimit të Bordit të Paqes ka pasur takime dhe komunikime të drejtpërdrejta me liderë të shumë shteteve, përfshirë edhe vende mos njohëse, të cilat, sipas saj, e kanë parë përfshirjen e Kosovës si një mesazh të fortë politik.
Presidentja sqaroi gjithashtu se anëtarësimi në këtë Bord nuk sjell obligime financiare të detyrueshme për Kosovën, pasi kontributet janë vullnetare dhe çdo angazhim i mëtejmë do të kalojë përmes Kuvendit.
Vjosa Osmani - Presidente e KosovësFoto: Ridvan Slivova
Osmani konfirmoi se marrëveshja do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim sapo ky institucion të konstituohet, me qëllim që procesi të ketë legjitimitet të plotë kushtetues dhe politik.
Duke folur për mesazhin që kjo përfshirje dërgon në arenën ndërkombëtare, Osmani tha se anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes është një konfirmim i pathyeshmërisë së shtetësisë së Kosovës. /Telegrafi/
Ambasada e SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut, ka publikuar një mesazh nga ambasadorja Angela Ageler.
Në mesazhin e saj, ajo kujton se në Shkup ka mbërritur si ambasadorja e dhjetë e Shteteve të Bashkuara dhe që nga fillimi ka pasur një besim të fortë në “forcën dhe guximin e popullit të Maqedonisë së Veriut”, besim që me kalimin e kohës është konfirmuar shumë herë.
'Viti 2025 shënoi 30-vjetorin e marrëdhënieve dypalëshe SHBA-Maqedoni, megjithëse partneriteti ynë daton më tej. Për më shumë se tre dekada, i kemi treguar botës - së bashku - se çfarë mund të arrijë forca, kompromisi dhe vendosmëria e duruar. Dhe gjatë tre viteve të fundit, ne kemi treguar rezultatet shumë reale dhe të prekshme të asaj se si duken miqësia e vërtetë dhe partneriteti konstruktiv", thotë Ageler.
Ajo thekson se gjatë mandatit të saj janë ndërmarrë hapa konkretë në disa fusha, përfshirë rritjen ekonomike dhe pavarësinë energjetike, reformat në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, arsimin, kulturën dhe integrimin euroatlantik, si dhe modernizimin e kapaciteteve të sigurisë dhe projekte strategjike infrastrukturore që forcojnë sigurinë rajonale dhe tregtinë.
“Gjatë tre viteve të fundit, partneriteti ynë është shndërruar në një miqësi të vërtetë, takova qytetarët në mbarë vendin, bisedat e hapura dhe shpresat, vizionet dhe sfidat e përbashkëta", shkruan Ageler.
Ambasadorja porosit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës “do të qëndrojnë gjithmonë pranë Maqedonisë së Veriut” në realizimin e vizionit për një shtet më të fortë, më të sigurt dhe plotësisht të integruar euroatlantik.
Kujtojmë se Ageler nuk do të jetë më ambasadore në RMV, pasi më 22 dhjetor, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, tërhoqi nga pozitat e tyre 29 ambasadorë, e në mesin e tyre dhe Angela Ageler.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut mbështet operacionin anti-narkotik të SHBA-ve në Venzuelë.
Kryeministri Hrisitjan Mickoski, tha se si Qeveri qëndrojnë krah argumenteve dhe veprimeve të partnerit tonë strategjik – Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai shtoi se ajo që më së shumti e brengos është heshtja e disa vendeve europiane dhe në botë kur shkelja e të drejtës ndërkombëtare i ndodhte Maqedonisë dhe popullit maqedonas, ndërsa tani, sipas Mickoskit, janë dhënë pas komenteve nëse kjo që po ndodh në Venezuelë qenka ose jo e drejtë ndërkombëtare.
“Precedenti është bërë që kur ndryshohej flamuri i këtij shteti, që të bëhej vend anëtar i OKB-së, kur ndryshohej Kushtetua, emri kushtetues, kur gënjeheshin njerëzit se në afat 3-4 vjet do të bëhemi vend anëtar i BE-së, se do të bëhemi vend anëtar i NATO-s, e kështu me radhë. Këta janë precedentë të vërtetë. Ne si Qeveri qëndrojmë krah argumenteve dhe veprimeve të partnerit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ka përshëndetur aksionin e autoriteteve amerikane për kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshortes së tij.
Mucunski, në një postim në profilin e tij në rrjetin social X, shprehet se është për t’u përshëndetur fakti që Maduro është arrestuar dhe do të përballet me drejtësinë.
“E përshëndes njoftimin e Donald Trump se Nicolás Maduro është arrestuar dhe do të përballet me drejtësinë”, shkruan Mucunski.
Ai gjithashtu i drejton fjalë lavdëruese edhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për, siç thotë ai, udhëheqjen e tij në përballjen me rrjetet narkokriminale të regjimit të Maduro-s.
“Përgjegjësia është e rëndësishme. Ne qëndrojmë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit venezuelas për liri dhe demokraci”, shton Mucunski.
Dikur pjesë e vizionit strategjik të SHBA-së, sot Kosova gati se nuk figuron në Strategjinë e saj Kombëtare. Prioritetet e Uashingtonit kanë ndryshuar, dhe Kosova nuk e ka kapitalizuar periudhën e qetësisë, duke mbetur e cenueshme.
Në fillim të këtij muaji, Shtëpia e Bardhë e presidentit Donald Trump publikoi Strategjinë e saj të Sigurisë Kombëtare - një dokument që çdo administratë amerikane nxjerr për të shpjeguar prioritetet e saj në politikën e jashtme.
Strategjia, që mban firmën e presidentit, thekson se “ditët kur Shtetet e Bashkuara mbështesnin tërë rendin botëror si Atlasi, kanë mbaruar”, se “çështjet e vendeve të tjera janë shqetësim i SHBA-së vetëm nëse aktivitetet e tyre kërcënojnë drejtpërdrejt interesat amerikane” dhe se “Shtetet e Bashkuara do të riafirmojnë dhe zbatojnë Doktrinën Monroe për të rikthyer primatin amerikan në Hemisferën Perëndimore”.
Dokumenti prej 33 faqesh, po ashtu, bën thirrje për “kultivimin e rezistencës” në Evropë, duke paralajmëruar se kontinenti po nënvlerëson demokracinë, po bllokon paqen në Ukrainë dhe po përballet me “shuarje të civilizimit”, për shkak të migracionit të lartë dhe rënies së lindjeve.
Ai fajëson edhe zyrtarët evropianë për pengimin e përpjekjeve të SHBA-së për të ndalur luftën në Ukrainë dhe akuzon qeveritë se injorojnë një “shumicë të madhe evropiane” që dëshiron paqe.
Kosova përmendet vetëm në kapitullin e “parimeve”, si një nga sukseset e presidentit Trump në arritjen e paqes mes saj dhe Serbisë.
Evropianët e pritën me shqetësim këtë strategji - “themelet e partneritetit kërkojnë respekt të ndërsjellë, veçanërisht në momentet e divergjencës politike”, tha presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Në vlerësimin e Olivia Enos, nga Instituti Hudson, strategjia pranon hapur se Amerika nuk mund të merret me gjithçka, lë jashtë disa rajone dhe probleme, dhe rendit qartë prioritetet, duke filluar me Hemisferën Perëndimore, pastaj Azinë, Evropën dhe në fund Lindjen e Mesme.
Kjo zgjedhje, sipas saj, është e diskutueshme për ata që duan një politikë të jashtme më të qëndrueshme, por është e qëllimshme.
“Unë e kam lexuar si renditje të prioriteteve. Të tjerët mund të mos pajtohen, por për mua mesazhi është i qartë: kjo është hemisfera jonë, prandaj kjo ka rëndësinë më të madhe për ne. Ne do të sigurohemi që kufiri ynë të jetë i sigurt. Ky është prioriteti kryesor”, thotë Enos për Radion Evropa e Lirë.
Për kritikët, strategjia është e ngarkuar ideologjikisht.
Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Daniel Fried, thotë se ajo ndan vlerat nga interesat, bie ndesh me politikat tjera amerikane dhe favorizon të djathtën radikale në Evropë, në kundërshtim me vetë qëllimet strategjike të SHBA-së.
Mospërfshirja e Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi në strategji, sipas Friedit, reflekton si uljen e urgjencës së krizës atje, ashtu edhe pritshmërinë që Evropa të marrë rolin kryesor.
Ai shton se, me tonin ideologjik të strategjisë së re, ndoshta është edhe “më mirë” për Kosovën që të mos përmendet fare.
“Strategjia mund ta kishte shpërfillur lehtësisht Ballkanin si çështje të Evropës dhe jo të SHBA-së. E, madje, mund ta kishte kritikuar edhe fokusin tonë të mëparshëm në Ballkan... se pse jemi përfshirë për shtetndërtimin e Kosovës apo për çështjet e të drejtave të njeriut, që na kanë çuar në konflikt ushtarak”, thotë Fried për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Megjithatë, sipas tij, konfuzioni është i dukshëm edhe në vetë kryeqytetin e vendimmarrjes botërore - në Uashington.
Kongresi atje po shtyn përpara Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, i cili bie ndesh me Strategjinë Kombëtare.
Ai synon të forcojë angazhimin ushtarak të SHBA-së në Evropë dhe të rrisë vëmendjen ndaj bashkëpunimit të Rusisë me Kinën dhe Korenë e Veriut.
Ligji garanton 76.000 trupa amerikane në Evropë, ndalon tërheqjet e mëdha të pajisjeve dhe vazhdon mbështetjen për vendet baltike, për të frenuar Rusinë.
Në pjesën për Ballkanin Perëndimor thuhet, mes tjerash, se “është në interes të përbashkët të SHBA-së dhe vendeve të këtij rajoni që ato të kenë rritje dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm”.
Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë e vlerëson si “hap pozitiv përpara në avancimin e normalizimit midis dy vendeve” dhe thekson se ato duhet të përpiqen të bëjnë përparim të menjëhershëm në zbatimin e saj.
“Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të mbështesin një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë bazuar në njohjen reciproke”, thuhet, po ashtu, në atë dokument.
Fried thotë se gjuha në Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare është “krejtësisht e kundërta” me atë të strategjisë.
“Ajo vendos kufij mbi aftësinë e administratës për të tërhequr trupat nga Evropa. Ky është edhe një dokument republikan. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, e ka mbështetur atë”, thotë Fried.
Për shkak të këtyre kontradiktave, siç i quan, Fried sheh edhe “një shpresë relative” - se SHBA-ja nuk është aq e vendosur të tërhiqet nga Evropa sa mund të sugjerojë strategjia.
Për Kosovën, aleanca me SHBA-në mbetet një bosht i pathyeshëm. Pas një takimime presidetin Trump në shtator, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se e ka falënderuar atë për, siç u shpreh, angazhimin e palodhshëm për paqe.
Gjatë këtij viti, Trump e ka përmendur disa herë Kosovën, kryesisht për të theksuar rolin e tij si ndërmjetës që ka ndalur konfliktin mes saj dhe Serbisë.
Për ish-diplomatin austriak, Wolfgang Petritsch, epoka e aleancës klasike mes Evropës dhe SHBA-së - ajo që u ndërtua pas vitit 1945 - ka marrë fund.
Në Ballkan, thotë ai, roli i SHBA-së po tkurret si në aspektin strategjik, ashtu edhe në atë politik. Rajoni shihet gjithnjë e më shumë si përgjegjësi evropiane dhe shtetet e Ballkanit, veçanërisht Kosova, e cila nuk është as anëtare e OKB-së dhe as e NATO-s, duhet të përshtaten me këtë realitet.
“Ne tani jetojmë në një epokë pasigurie - pasigurie të plotë - e cila për shtetet më të vogla dhe më të brishta si Kosova, paraqet sfidë edhe më të madhe sesa për ato që tashmë janë në Bashkimin Evropian dhe që mund të përpiqen të veprojnë bashkë brenda BE-së”, thotë Petritsch për Exposenë.
Ai nuk pret shpërthim të një konflikti të ri të madh në Ballkanin Perëndimor vetëm se SHBA-ja mund të ulë nivelin e angazhimit të saj. Ai thekson se Evropa ka interes jetik të mos lejojë një luftë tjetër në pragun e saj, përtej asaj që tashmë po zhvillohet në Ukrainë.
Kampi amerikan Bondsteel në Kosovë mbetet një element kyç i sigurisë, por pesha e tij në të ardhmen, thotë Petritsch, do të varet ndjeshëm nga marrëdhëniet SHBA-Rusi.
Fried, në anën tjetër, është më paralajmërues: sipas tij, rajoni do të bëhej më i cenueshëm nëse Shtetet e Bashkuara zvogëlojnë praninë dhe angazhimin e tyre.
Ai vlerëson se Rusia dhe Kina do ta shfrytëzonin një boshllëk të tillë amerikan në mënyra të ndryshme, por plotësuese.
“Kina do të përpiqet të blejë infrastrukturën dhe nyjet kyçe, për të fituar kontroll mbi më shumë sektorë të ekonomisë. Rusia do të përpiqet t’i përdorë disa vende si agjentë, për të shfrytëzuar dobësitë e tyre dhe për të krijuar kaos sa herë të mundet. Në secilin rast, të dyja vendet do ta shohin Ballkanin si një fushë për realizimin e ambicieve të tyre më të gjera”, thotë Fried.
Një anketë e kryer nga Instituti Ndërkombëtar Republikan gjatë periudhës maj-korrik të këtij viti tregon se udhëheqësit e dy fuqive të mëdha gëzojnë mbështetje të konsiderueshme në disa vende të Ballkanit.
Në Serbi, për shembull, 50 për qind e të anketuarve kanë një opinion “shumë të favorshëm” për Vladimir Putinin e Rusisë, ndërsa 38 për qind e kanë të njëjtin opinion për Xi Jinpingun e Kinës.
Në Kosovë, vetëm 7 për qind e të anketuarve shprehin opinion “shumë të favorshëm” për Putinin dhe 6 për qind për Xinë. E, për Trumpin kjo përqindje arrin në 52.
Fried thotë se Evropa, veçanërisht BE-ja, duhet ta marrë udhëheqjen në stabilizimin e Ballkanit Perëndimor, sepse e ardhmja më e qëndrueshme e rajonit është brenda BE-së.
Ai nënvizon se BE-ja duhet ta ketë fuqinë për të frenuar elementet agresive në Beograd, që veprojnë për nxitjen e konflikteve të reja në Kosovë ose për ta mbajtur Bosnjën të ndarë përgjithmonë.
Sipas tij, kur Evropa ta marrë plotësisht këtë përgjegjësi, hapësira për Rusinë dhe aktorët e tjerë destabilizues për të luajtur lojëra në Ballkan, do të zvogëlohet ndjeshëm.
“Evropa duhet ta marrë udhëheqjen tani. Kur ka dështuar, SHBA-ja është detyruar të ndërhyjë. E kuptoj këtë, por problemi real i takon Evropës, sepse e ardhmja më e mirë e këtyre vendeve është brenda Evropës - nëse duan të arrijnë potencialin që meritojnë”, thotë Fried.
Bashkimi Evropian konfirmon vazhdimisht angazhimin e tij për perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Samiti i radhës BE-Ballkani Perëndimor do të mbahet më 17 dhjetor në Bruksel. Prej vendeve të rajonit, vetëm Kosova nuk është ende kandidate për anëtarësim.
Petritsch thotë se Kosova gjithmonë do të ketë nevojë për marrëdhënie profesionale dhe të qëndrueshme me Uashingtonin, por ajo duhet t’i përshtasë pritjet dhe të shmangë supozimin se SHBA-ja do t’i “rregullojë” problemet rajonale si në fund të viteve 1990.
Sipas tij, siguria dhe progresi i Kosovës do të varen shumë më tepër nga integrimi evropian, stabiliteti politik i brendshëm dhe arritja e kompromisit të vërtetë me pakicat.
“Kompromisi është thelbi i demokracisë. Mendoj se ideja për të gjetur një kompromis pozitiv, nuk është ende e fortë në Kosovë. Por, tani kohët po ndryshojnë. Evropa është partneri më i rëndësishëm dhe më relevant për ndërtimin e shtetit dhe për zhvillimin ekonomik dhe politik. Ajo duhet të bëhet tani një fokus i ri dhe serioz për Prishtinën”, thotë Petritsch.
Fried thekson rëndësinë që Kosova të jetë një shtet demokratik dhe jo një projekt nacionalist, që pasqyron pjesën më të keqe të së kaluarës së Serbisë.
“Unë kam qenë pjesë e vendimit të SHBA-së për të mbështetur pavarësinë e Kosovës, dhe ky ishte vendim i duhur. Flamuri i Kosovës është i shkëlqyer: nuk përfaqëson një komb të vetëm, por të gjithë banorët e vendit, dhe është i modeluar sipas flamurit të BE-së. Ai simbolizon qartë të ardhmen e Kosovës në Evropë për të gjithë qytetarët e saj. Marrëveshja jonë me Kosovën ishte: ne do të mbështesim pavarësinë, por ju duhet të punoni për një Kosovë demokratike, jo nacionaliste. Ne nuk duam një version të vogël të Serbisë së Millosheviqit”, përfundon Fried.
Kjo lë të kuptohet se në një rajon ku koha e pritjes së garancive të jashtme po mbaron, testi i vërtetë për Kosovën është gatishmëria për të zbatuar të drejtat e premtuara për qytetarët serbë dhe për të treguar se kompromisi demokratik, jo përplasja e vazhdueshme, është rruga drejt sigurisë dhe mbështetjes më të madhe evropiane. Në të kundërtën, Kosova rrezikon të mbetet peng i vetes, duke u dhënë të drejtë skeptikëve. /REL/
Veprimtari dhe lobisti shqiptar në SHBA, Faton Bislimi ka bërë të ditur se qëndrimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës janë zyrtarizuar përmes përfshirjes së tyre në draft-ligjin NDAA 2026 (Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare), një nga ligjet më të rëndësishme të sigurisë kombëtare në SHBA.
Sipas Bislimit, drafti i NDAA-së, i cili ka kaluar në Senat dhe pritet të votohet edhe në Dhomën e Përfaqësuesve para se të dërgohet për dekretim në Zyrën Ovale, përmban një seksion të posaçëm që përcakton qartë politikën amerikane për Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën.
“Qëndrimet e Amerikës me interes për Kosovë janë kodifikuar me Ligjin NDAA 2026”, u shpreh Bislimi.
Ai tha se draft-ligji, me mbi 3000 faqe, përfshin çështje kyçe të sigurisë amerikane, nga pajisjet ushtarake e deri te strategjitë mbrojtëse, por për herë të parë është përfshirë edhe një seksion që kodifikon me ligj politikën amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës.
Sipas Bislimit, NDAA 2026 përcakton se: “SHBA-të përkrahin Kosovën dhe vendet tjera të rajonit në rrugën drejt integrimit në NATO dhe BE, SHBA-të përkrahin dialogun Kosovë–Serbi të bazuar në njohje reciproke dhe SHBA-të nuk përkrahin ndryshim kufijsh, ndarje apo shkëmbim territoresh sipas vijave etnike”.
Bislimi e ka cilësuar këtë zhvillim si shumë të rëndësishëm për vendin.
“Ky është një lajm fantastik! Jam më shumë se krenar të shoh që mundi i shumë organizatave të komunitetit tonë në SHBA dhe përpjekjet tona të pareshtura për të ndihmuar Kosovën po japin rezultate”, ka shkruar Bislimi.
Ai theksoi se partneriteti me Shtetet e Bashkuara mbetet i palëkundur.
“Kosova asnjëherë s’ka humbë krah Amerikës. Angazhimi im vazhdon edhe më fuqishëm për ta bërë Kosovën të fuqishme, demokratike dhe të zhvilluar”, tha Bislimi. /Telegrafi/
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti priti sot një delegacion të Kongresit amerikan të përbërë nga kongresisti republikan Mike Turner dhe kongresisti demokrat Donald Norcross, të dy anëtarë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe të Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve.
Sipas njoftimit për media thuhet se gjatë takimit u diskutua thellimi i bashkëpunimit strategjik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, me fokus në fushën e mbrojtjes.
Kurti theksoi se “në katër vitet e fundit mbi 1000 pjesëtarë të FSK-së kanë marrë pjesë në trajnime në programe ushtarake të ShBA-së”, përfshirë akademitë prestigjioze ushtarake si West Point dhe U.S. Army War College.
Ai kujtoi edhe ushtrimet e përbashkëta të mbajtura në vend, duke nënvizuar se “Kosova ka mirëpritur tre edicione radhazi të Defender Europe, ndërsa në Defender Europe 2025 Komanda e Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së Ushtrisë së ShBA-së ka qenë e vendosur në aeroportin ushtarak në Gjakovë”.
Në aspektin e investimeve në mbrojtje, Kurti veçoi pajisjet amerikane të prokuruara kohët e fundit, duke përfshirë armatimin modern.
“Kemi prokuruar pajisje ushtarake amerikane, përfshirë edhe sistemet anti-tank Javelin”, tha ai, duke shtuar se Kosova tashmë ka nënshkruar Marrëveshjen për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe CISMOA, gjë që e bën vendin tonë të 33-in në botë me këtë status të besueshëm.
Bashkëpunimi ekonomik ishte një tjetër temë kyçe e takimit, me mundësi të reja në energji, teknologji dhe projekte të mëdha infrastrukturore, përfshirë transportin hekurudhor.
Kryeministri theksoi gjithashtu progresin e brendshëm të vendit.
“Kosova vijon të jetë shembull se përparimi demokratik dhe rritja ekonomike mund të ecin krah për krah”, tha Kurti.
Ai u shpreh se orientimi euro-atlantik i Kosovës mbetet i palëkundur, duke synuar anëtarësimin në NATO dhe BE, jo vetëm si përfitues, por edhe si kontribuuese për paqen dhe sigurinë në kontinentin evropian.
Në fund, Kurti shprehu falënderimin e tij për partneritetin e ngushtë me ShBA-të, duke thënë se ai përfaqëson “mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin historik dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. /Telegrafi/
Ministri në detyrë i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci është nderuar me një nga vlerësimet më të larta ushtarake ndërkombëtare, duke u futur në Sallën e Famës (Hall of Fame) të Kolegjit të Luftës të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (US Army War College).
Në ceremoninë e mbajtur në Shtetet e Bashkuara mori pjesë edhe Gjenerali Randy A. George, Shef i Shtabit të Ushtrisë së SHBA-së, gjë që e shtoi edhe më shumë rëndësinë e këtij nderimi.
“Është nder jetësor për mua ky vlerësim, duke më vendosur në Sallën e Famës të Kolegjit të Luftës të Ushtrisë së SHBA-ve,” u shpreh Maqedonci.
Përmes një postimi në Facebook, ai theksoi se ky çmim nuk është vetëm një arritje personale, por një reflektim i punës së përbashkët me shumë profesionistë të mbrojtjes në Kosovë gjatë gjithë karrierës së tij.
“Këtë vlerësim nuk e llogaris vetëm si një arritje personale, por edhe një pasqyrim i përkushtimit, profesionalizmit dhe përpjekjes së përbashkët të të gjithë atyre me të cilët kam pasur fatin dhe mundësinë të shërbej gjatë karrierës sime”, ka shkruar Maqedonci.
Maqedonci falënderoi Kolegjin e Luftës të Ushtrisë së SHBA-së për këtë nderim, si dhe për mundësinë që i ishte ofruar vite më parë për të përfunduar studimet në këtë akademi prestigjioze ushtarake, të cilat ai i cilësoi si formuese për karrierën e tij profesionale dhe jetën personale.
“Ky nderim më forcon më tej bindjen time në fuqinë e shërbimit, udhëheqjes dhe mësimit të përjetshëm — vlera që kapërcejnë kufijtë dhe bashkojnë të gjithë ata që i shërbejnë vendit dhe komunitetit të tyre,” shtoi ai. /Telegrafi/
Instituti amerikan për strategji dhe politika “New Lines Institute” ka publikuar së fundmi një raport mbi marrëdhëniet Kosovë-SHBA në çerek shekullin e fundit.
Raporti thekson se roli i SHBA-ve në Kosovë ka kaluar nga mbështetje për krijimin e një shteti të ri në një pozicion mbikëqyrës të një status quo të paqëndrueshme.
Kosova ka bërë përparime të dukshme në konsolidimin e demokracisë së saj, duke u renditur si shteti më demokratik në Ballkanin Perëndimor sipas Indeksit të Demokracisë Liberale të V-Dem.
Megjithatë, raporti thekson se SHBA duhet të trajtojnë partinë Vetëvendosje qoftë në pushtet apo në opozitë si një partner të vërtetë, duke njohur pikëpamjet e saj për interesat sovrane të Kosovës.
“Uashingtoni do të bënte mirë të përdorte mësimet e diplomacisë së tij të kaluar në Kosovë për të përmirësuar qasjen ndaj qeverisë së Prishtinës në të tashmen dhe të ardhmen”, thuhet në raport.
Sipas raportit, SHBA-ja duhet të vazhdojë të mbështesë fuqishëm dialogun politik Kosovë-Serbi, por jo duke toleruar korrupsionin dhe kapjen e shtetit.
Pavarësisht sfidave të brendshme dhe mosmarrëveshjes së gjatë me Serbinë, Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm thekson raporti.
Një ndryshim thelbësor ka ndodhur edhe në raportin e Kosovës me SHBA-të. Në vitet e fundit, sidomos nën qeverisjen e Vetëvendosjes, Prishtina ka treguar gatishmëri për të thënë “jo” ndaj kërkesave të aleatit kryesor kur ato bien ndesh me interesat e saj thuhet në raport.
Rekomandimet kryesore të nxjerra nga ky raport përfshijnë:
-Uashingtoni duhet ta trajtoj Vetëvendosjen si partner i vërtetë: SHBA duhet të njohin interesat sovranë të partisë Vetëvendosje dhe të mbështesin përpjekjet e saj kundër korrupsionit, duke mos toleruar asnjëherë kapjen e shtetit.
-Balancimi i kritikave ndaj Kosovës dhe Serbisë: SHBA duhet të aplikojë standarde të barabarta ndaj Kosovës dhe Serbisë, duke i dhënë fund perceptimit se autoritarizmi i Beogradit injorohet ndërsa Prishtina kritikohet. Duke i detyruar të dyja palët të respektojnë standarde të qëndrueshme, SHBA-të mund të forcojnë besueshmërinë e tyre si një ndërmjetësuese parimore.
-Angazhimi me shoqërinë civile: SHBA duhet të angazhohen më thellë me shoqërinë civile të Kosovës, aktivistët dhe mediat e pavarura, duke mbështetur përpjekjet e tyre për transparencë dhe llogaridhënie.
-Mbështetje për të zgjedhur ngërçin mbi situatën në veri të Kosovës: SHBA duhet të mbështesin negociatat e udhëhequra nga BE për të zgjidhur çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke siguruar që vetëqeverisja e serbëve të Kosovës të mos dëmtojë funksionimin e shtetit. Uashingtoni gjithashtu duhet të këmbëngulë që Serbia të përmbushë detyrimet e saj paralele: largimin e strukturave të paligjshme në veri të Kosovës, ndërprerjen e financimit të institucioneve paralele të paligjshme dhe inkurajimin e serbëve të Kosovës për të marrë pjesë në institucionet demokratike të vendit.
Ndryshe në shtator 2025, SHBA pezulluan dialogun strategjik me Kosovën për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e qeverisë në detyrë të udhëhequra nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, të cilat janë parë si faktorë të rritjes së tensioneve dhe pasigurisë në veri të Kosovës. Megjithatë sipas raportit Qeveria e Kosovës ka shprehur angazhimin e saj për paqen dhe stabilitetin në rajon, duke pranuar kritikën dhe duke u angazhuar për përmirësim.
Për të paraqitur gjetjet e këtij raporti të martën do të mbahet një diskutim online, ku prezent do të jenë dy autorët e këtij raporti: Mietek P. Boduszyński dhe Victor Peskin.
Gjithashtu pjesë e diskutimit do të jetë edhe ish-ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier dhe Donika Emini nga grupi këshillimor i politikave për Ballkanin në Evropë. /Telegrafi/
Analisti politik Visar Ymeri ka reaguar me kritika të ashpra ndaj qëndrimeve të fundit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke i cilësuar ato si kontradiktore dhe të rrezikshme për interesat strategjike të Kosovës.
Përmes një reagimi në rrjete sociale, Ymeri ka vënë në pikëpyetje deklaratat e Kurtit që sipas tij nuk e konsideron lidhjen e ngushtë të Serbisë me Rusinë si problem për Kosovën dhe rajonin, ndërkohë që ka shprehur mospajtime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zhvillimet në veri të vendit.
“Si nuk qenka problem yni edhe largimi i Serbisë nga Rusia? A nuk është ndikimi rus në Evropë dhe rajon rrezikim i përgjithshëm i sigurisë, demokracisë e progresit?”, shkruan Ymeri.
Ai e cilëson Serbinë e lidhur me Rusinë si një shtet të "fuqizuar ushtarakisht, autoritar përsëbrendshmi dhe të rrezikshëm për secilin në rajon", duke përmendur ndikimin destabilizues të Beogradit në Bosnje e Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut.
Në këtë kontekst, Ymeri e akuzon Kurtin se "siguria e Kosovës nuk qenka problem i tij", duke iu referuar mungesës së reagimit të qeverisë ndaj orientimit të Serbisë kah Moska.
Në pjesën tjetër të reagimit, ai ndalet te raportet e Kosovës me SHBA-të, duke komentuar deklaratat e Kurtit të dhëna para studentëve, se Shtetet e Bashkuara nuk pajtohen me mënyrën se si Qeveria po vendos rend dhe ligj në veri.
“Kurti po thotë që ShBA e përkrahin krimin në veri meqë e sanksionojnë Kosovën kur e lufton atë. Së këndejmi nuk qenka problem (i Kurtit) ndikimi rus në Serbi, por ndikimi amerikan në Kosovë”, shkruan Ymeri.
Ai shton se a është duke e ditur Kurti se çka po flet? apo thjesht është freestyling (çka t’i bjen në mend qaty për qaty)?
“Po shpresoj që përnjëmend nuk po e din. Po shpresoj që këto qëndrime janë të rastësishme”, ka shkruar Ymeri. /Telegrafi/
Gjatë një paneli të organizuar nga Clinton Global Initiative, ku e pranishme ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ish-presidenti amerikan Bill Clinton solli në vëmendje një histori të përditshme, por jashtëzakonisht simbolike për bashkëjetesën dhe fuqinë e paqes.
Ai foli për një vend që e viziton shpesh, një restorant takosh ku pronari është kosovarë e menaxheri serb.
“Ne kemi një vend që shet takos, ku shumica e punëtorëve janë meksikanë ose guatemalas, por pronari është një shqiptar nga Kosova. Dhe ja pjesa interesante — menaxheri, ai që më jep një birrë sa herë që hyj aty, është serb. Kjo është mrekulli”, tha Clinton., duke shtuar se ka dy familje kosovare që jetojnë në të njëjtën rrugë ku ai edhe bashkëshortja e tij Hillay jetojnë.
Ky moment i thjeshtë, sipas Clinton, pasqyron më së miri realitetin për të cilin ia ka vlejtur të luftohet – një botë ku njerëz nga kombe dhe histori të ndryshme mund të punojnë, të bashkëjetojnë dhe të ndërtojnë së bashku.
Në të njëjtin panel, Clinton u ndal edhe te vendimi historik për ndërhyrjen në Kosovë në vitin 1999, duke përmendur dyshimet që kishte dëgjuar, por edhe bindjen e tij të palëkundur.
“Shumë menduan se isha çmendur kur u angazhova në Kosovë. Por, unë u thashë: shikoni, ky do të jetë vendi i vetëm në botën moderne ku një luftë do të fitohet përmes fuqisë sonë ajrore, sepse kosovarët nuk do të dorëzohen kurrë, dhe në fund do të jetë shumë e kushtueshme për serbët të vazhdojnë të luftojnë – dhe do të shpëtojmë më shumë jetë në këtë mënyrë”, u shpreh ish-presidenti amerikan Clinton.
Ndërkaq, presidentja Osmani tha se Kosova ka mësuar se liria nuk duhet marrë si e mirëqenë dhe popujt kanë gjithmonë nevojë për aleanca për të vazhduar përpara. /Telegrafi/
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në një ngjarje të veçantë në New York, ku ka ndarë rrëfimin e Kosovës nga çlirimi e deri më sot, së bashku me ish-Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton.
Në prani të një audience ndërkombëtare të përbërë nga figura të njohura dhe përfaqësues nga e gjithë bota, Osmani ka theksuar rrugëtimin e vendit drejt lirisë, demokracisë dhe shtetndërtimit.
“E nderuar që rrëfimin e Kosovës ta ndaj së bashku me Presidentin Clinton në New York, në prani të një audience të jashtëzakonshme nga e gjithë bota,” ka deklaruar Osmani përmes një postimi në rrjetet sociale.
Ajo shprehu mirënjohje të përjetshme për rolin historik të Shteteve të Bashkuara në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. /Telegrafi/
Kur në vitin 1998, Kosova po mbytej nga dhuna e regjimit serb, shpresa për mbijetesë vinte nga një adresë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në maj të atij viti, udhëheqësi i atëhershëm politik i shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova, u prit në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti amerikan, Bill Clinton, për t’i treguar përndjekjen që po përjetonte populli i tij.
“Kërkuam nga Shtetet e Bashkuara që të bëhet diçka urgjentisht për ndaljen e dhunës dhe të sulmeve në Kosovë. Dhe, zgjidhja më e mirë është një Kosovë e pavarur”, tha Rugova pas takimit.
Përplasjet mes forcave serbe dhe shqiptarëve që kishin marrë armët po rriteshin çdo ditë. Viktimat civile po e thellonin krizën, ndërsa diplomacia amerikane po hynte më thellë në lojë.
Takime, biseda intensive, kushtëzime diplomatike dhe përpjekje për marrëveshje - gjithçka u risoll këtë javë në qendër të vëmendjes nga James Rubin - atëherë ndihmës i sekretarit amerikan të Shtetit - gjatë një dëshmie të tij para Dhomave të Specializuara në Hagë.
“Ishte një përpjekje dramatike për të sjellë paqe dhe për të parandaluar atë që ne frikoheshim se do të ishte masakër e madhe e shqiptarëve të Kosovës përmes një konference të paqes”, tha Rubin.
Konferenca e paqes në Rambuje dështoi: pala serbe refuzoi marrëveshjen e propozuar nga Perëndimi, ndërsa pala kosovare e pranoi. Kështu, Shtetet e Bashkuara - siç kujtoi Rubin - realizuan premtimin që i kishin dhënë përfaqësuesit të krahut kosovar të luftës, Hashim Thaçi - se nëse Serbia nuk do të nënshkruante, SHBA-ja do të niste një fushatë ushtarake.
Avionët e parë të NATO-s u ngritën në ajër më 24 mars, 1999, për të shënuar fillimin e një kapitulli vendimtar për Kosovën.
“Amerika e ka detyrim të qëndrojë pranë aleatëve tanë, kur ata përpiqen të shpëtojnë jetë të pafajshme dhe të ruajnë paqen, lirinë dhe stabilitetin në Evropë. Kjo është ajo që po bëjmë në Kosovë”, tha Clinton atë mbrëmje në një fjalim drejtuar kombit.
Shtatëdhjetë e tetë ditë me bombardime çuan në tërheqjen e forcave serbe dhe çlirimin e Kosovës. Shtetet e Bashkuara hynë në terren me mijëra ushtarë - pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s - dhe ngritën bazën më të madhe ushtarake në Ballkan.
Për vite me radhë, SHBA-ja qëndroi krahu i Kosovës, duke u bërë mbështetësja kryesore e pavarësisë së saj.
“Shtetet e Bashkuara njohën zyrtarisht Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Në deklaratën e pavarësisë, Kosova u zotua për standardet më të larta të demokracisë, përfshirë lirinë, tolerancën dhe drejtësinë për qytetarët e të gjitha etnive”, tha atëkohë presidenti amerikan, Geroge W. Bush - dy ditë pasi Kosova shpalli pavaraësinë më 17 shkurt të vitit 2008.
Gjatë 27 vjetëve që nga 1998-a, Shtetet e Bashkuara investuan mbi dy miliardë dollarë në Kosovë - duke mbështetur gjithçka, nga reformat në sundimin e ligjit deri te luftimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe përpjekjet për integrim në strukturat euroatlantike.
Sot, pamja nuk mund të ishte më ndryshe. Aleatja më e ngushtë e Kosovës prej vitesh, pezulloi Dialogun e planifikuar Strategjik - i krijuar për të thelluar marrëdhëniet dypalëshe. Ajo e lidhi vendimin me veprimet e Qeverisë në detyrë të Kosovës dhe rritjen e tensioneve në vend. Por, Qeveria i hodhi poshtë kritikat.
"Veprimet tona të ligjshme dhe kushtetuese, përgjatë gjithë kohës kanë qenë në shërbim të eliminimit të vatrave të destabilitetit. Stabiliteti që gëzojmë sot, është rezultat i natyrshëm i sundimit të ligjit dhe rendit publik”, shkroi zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, në Facebook.
E, një javë pas pezullimit të Dialogut Strategjik reagoi edhe vetë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se marrëdhëniet me SHBA-në nuk janë prishtur, por pranoi se ka “disa” dallime në qëndrime.
Për ish-ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, pezullimi i Dialogut Strategjik ishte rezultat i frustrimeve të grumbulluara ndaj Qeverisë së Albin Kurtit gjatë dy vjetëve të fundit.
Frustrimet nisën për shkak të disa masave që u perceptuan si të pakoordinuara dhe në dëm të komunitetit serb - si heqja nga përdorimi e dinarit apo mbyllja e disa institucioneve të Serbisë - dhe kulmuan me kritikat e ashpra që Kurti i bëri Gjykatës Kushtetuese për disa aktgjykime të saj.
“Dialogu Strategjik mundëson një bashkëpunim më të madh dhe më të thelluar. Funksionon kështu: delegacionet shkojnë në Uashington, ose delegacionet vijnë në Prishtinë; Qeveria e SHBA-së sjell njerëz nga Departamenti i Energjisë, Departamenti i Mbrojtjes, Departamenti i Bujqësisë, Departamenti i Tregtisë... Në njëfarë mënyre, e gjithë Qeveria punon për të forcuar marrëdhënien. Ndaj, humbja e kësaj mundësie është një humbje e madhe”, thotë Hovenier për Radion Evropa e Lirë.
Në rrjetet sociale dominuan komentuesit që i dhanë të drejtë Qeverisë në detyrë të Kosovës, duke thënë se “ku përzihet Amerika, aty vetëm shkretëtirë ka mbetur”. Të tjerë shkuan edhe më larg, duke thënë se “kurrë nuk jua pamë hairin”, apo “punë e madhe, 26 vjet, jeni duke luajtur si macja me miun”.
Por, punë vërtet të madhe e konsiderojnë disa vëzhgues të rajonit, të cilët thonë se Kosova, përballë pretendimeve territoriale të Serbisë dhe mosmarrëveshjeve të pazgjidhura me të, nuk duhet ta vërë në sprovë mbështetjen e SHBA-së.
“Mbështetja e SHBA-së është thelbësore në shumë drejtime, por më e rëndësishmja lidhet me praninë e ushtarëve amerikanë në terren. Kosova do të dëshirojë t’i mbajë ata aty. Dhe, unë mendoj se duhet të mbeten aty”, thotë për programin Exposetë Radios Evropa e Lirë Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins.
Në kohën kur Pentagoni pritet të shpallë një zvogëlim të konsiderueshëm të forcave amerikane në Evropë, Charles Kupchan, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington, thotë se është në interes të Kosovës dhe të Kurtit që të ruajnë një marrëdhënie të fortë me Shtetet e Bashkuara.
“Mendoj se do të ishte e papërgjegjshme dhe vetëshkatërruese nëse Qeveria në Kosovë vazhdon të ndërmarrë hapa që dëmtojnë marrëdhënien me një vend që ka qenë një mbështetës aq i fortë”, thotë Kupchan.
Në lidhje me mundësinë që Kosova të navigojë vetë, pa një përkrahje të fortë amerikane, Hovenier e lë vendimin te qytetarët, por shton edhe këtë:
“Nëse unë do të isha udhëheqës politik i Kosovës - që nuk jam - do të isha shumë i kujdesshëm për të mos bërë asgjë që do të dëmtonte ose do të ndikonte negativisht në marrëdhënien time me Shtetet e Bashkuara”.
Në një anketë të realizuar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI) në periudhën maj-korrik të këtij viti, 77 për qind e të anketuarve në Kosovë thanë se e shohin SHBA-në si aleaten më të rëndësishme të vendit të tyre.
Në të njëjtën anketë, 38 për qind e qytetarëve u shprehën se vendit i duhet ndryshim i udhëheqësve kryesorë politikë dhe partive në pushtet, ndërsa 44 për qind thanë se favorizojnë përmirësimin e situatës ekonomike dhe drejtësisë sociale.
Analistët paralajmërojnë se të dyja palët duhet të ecin me kujdes, sepse çdo vakuum i krijuar nga ftohja e mbështetjes amerikane për Kosovën mund të shfrytëzohet nga fuqitë keqdashëse, si Rusia, dhe aktorët e tyre në terren, dhe këtë rrezik asnjëra palë s’e do.
“Kosova mund të mbajë marrëdhënie të mira me Evropën dhe SHBA-në vetëm nëse shihet se po negocion me mirëbesim dhe në mënyrë konstruktive, për të çuar rajonin përpara”, thotë Kupchan për Radion Evropa e Lirë.
Serwer sugjeron që Kosova t’i forcojë marrëdhëniet edhe me aleatë të tjerë, veçanërisht në kohën kur, siç thotë, SHBA-ja po shpërqendrohet nga prioritetet e tjera globale. Në mënyrë të veçantë, ai përmend Japoninë, Korenë e Jugut, Greqinë.
“Ka opsione të tjera, edhe pse asnjëri nuk është i mirë si amerikanët. Por, nëse bashkoni një grup miqsh, mund ta kompensoni disi humbjen e vëmendjes amerikane. Nuk jam i sigurt nëse Qeveria e Kosovës po e bën këtë, dhe është e vështirë për një qeveri në detyrë ta bëjë këtë”, thotë Serwer.
Bashkëbiseduesit e REL-it paralajmërojnë se vetëkënaqësia në emër të pavarësisë, mund të jetë e rrezikshme. Ata nënvizojnë se koordinimi me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë nuk e cenon sovranitetin, por është mjet thelbësor për ta ruajtur atë dhe për të garantuar stabilitet.
Shembujt globalë si takimi i organizuar muajin e kaluar nga presidenti amerikan, Donald Trump, me udhëheqësit evropianë për krizën në Ukrainë, tregojnë qartë se bashkëpunimi është jo vetëm i këshillueshëm, por edhe i domosdoshëm.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u zotua se do të angazhohet me administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, për të forcuar dhe mbrojtur aleancën me SHBA-në, për të cilën tha se “ ka qenë gjithmonë në dobi të popullit tonë, sigurisë kombëtare, stabilitetit rajonal dhe integrimit euroatlantik”.
Clinton, Albright, Bush, Biden - që të gjithë janë emra të gdhendur sot në hapësirat publike të Kosovës.
Kur kishin kaluar rreth pesë muaj nga çlirimi, Clinton shkoi në Kosovë për të takuar njerëzit që kishin vendosur besimin e tyre tek ai. Mes turmave të ngazëllyera, ai pranoi se falja është e vështirë, por tha se është e rëndësishme për krijimin e paqes së qëndrueshme.
“Askush nuk mund t’ju detyrojë që të falni për atë që ju është bërë. Por, duhet të përpiqeni”, tha Clinton në nëntor të ’99-ës. /REL/
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur vizitën e saj zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një takim të ngrohtë me mërgatën shqiptare në Waterbury, Connecticut.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani ka shprehur mirënjohjen e saj për mikpritjen dhe dashurinë e vazhdueshme të bashkatdhetarëve për vendlindjen.
“Faleminderit për mikpritjen dhe për dashurinë që gjithmonë e mbani gjallë për vendlindjen,” ka shkruar presidentja, duke shtuar se takimi ishte i veçantë dhe i mbushur me emocione.
Ajo ka falënderuar në veçanti Shoqatën “Hasan Prishtina” për organizimin dhe për kontributin e vazhdueshëm të diasporës në ruajtjen e lidhjes me Kosovën.
Vizita e Osmanit në SHBA pritet të përfshijë edhe takime të tjera me përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe me zyrtarë amerikanë. /Telegrafi/