Rama i përgjigjet Shoqatës së Prokurorëve: Arrestet pa gjyqe kanë njollosur Shqipërinë botërisht
TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot në platformën X edhe ndaj deklaratës së Shoqatës së Prokurorëve lidhur me kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për rritjen e pagave të magjistratëve.
“Paska dalë edhe një shoqatë prokurorësh e re – ende e paregjistruar deri tani sipas ligjit, po brenda afatit për regjistrim – e cila ka deklaruar solidaritet me shoqatat e gjyqtarëve, duke kërkuar “që të mos ulen pagat”!!!”, shkruan Rama.
Pra, thekson Kryeministri, “orvajtja absurde e kategorisë më të privilegjuar të piramidës së pagave të shtetit shqiptar, për t’ia rritur akoma më shumë pagat vetes me gjyq, tani na del si përpjekja e një grupi të diskriminuar nga qeveria, për të ndaluar uljen e pagave!!!”.
“A e kuptoni apo jo se çfarë quhet “ulje pagash” në fillin e çuditshëm të këtij arsyetimi? Mosngritja e pagave aq sa duan shoqatat e gjyqtarëve!!!”, thekson Rama.
Pra, vijon kreu i qeverisë, “shqip, një pagë që s’më ngrihet sa ç’dua unë, është një pagë e ulur!!!”.
“Duket totalisht e pabesueshme, po është shumë fatkeqësisht e vërtetë! Absurditet total pra, sepse vetëm s’ka pasur asnjë tentativë, po as nuk i ka shkuar mendja askujt për të ulur pagat e gjyqtarëve!”, thekson Rama.
Madje, shton Kryeministri, “kaq e madhe është vëmendja e qeverisë ndaj pushtetit gjyqësor, sa prej thuajse një viti tanimë po punojmë për të mundësuar ndërtimin e një Poli Drejtësie, si askund në Ballkan, që edhe kushtet e punës së trupës së drejtësisë të jenë njësoj si pagat, më të mirat në rajon!”.
Kryeministri i shtron gjithashtu një pyetje Shoqatës së Prokurorëve lidhur me prezumimin e pafajësisë.
“Por ndërkohë, s’mund të rri dot pa i shtruar një pyetje kësaj shoqatës së re: Po për shqelmimin e vazhdueshëm si askund në Europë të prezumimit të pafajësisë dhe kthimin e arresteve me burg pa gjyq në një praktikë rutinë, e cila e ka njollosur Shqipërinë botërisht, duke na renditur si dele të zezë në bisht të kontinentit europian dhe kthyer në subjekt publik shqetësimi të Komitetit të Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturës, a keni ndonjë gjë për të deklaruar?!”, shkruan Rama.
/gj.m/a.f/r.e/
The post Rama i përgjigjet Shoqatës së Prokurorëve: Arrestet pa gjyqe kanë njollosur Shqipërinë botërisht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
