Ekipet e Kompanisë Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastrimi” kanë intervenuar ditëve të fundit në lagjen “Dardania”, ku u konstatua hedhja masive e mbeturinave jashtë kontejnerëve, pavarësisht se këto të fundit ishin të zbrazur.
Nga KRM “Pastrimi” bëjnë të ditur se kjo situatë nuk shkaktohet nga mungesa e shërbimit, por nga sjellja e pakontrolluar dhe e papërgjegjshme e qytetarëve.
“Kontejnerët janë për mbeturina shtëpiake dhe nuk duhet të përdoren për mbeturina voluminoze, materiale inerte apo pajisje të vjetra shtëpiake”, njoftojnë nga kompania.
Ata apeluan për bashkëpunim dhe kujdes të shtuar nga qytetarët, duke theksuar se pastërtia e qytetit është përgjegjësi e përbashkët.
“Ne pastrojmë, por pa bashkëpunimin tuaj, kjo betejë bëhet shumë më e vështirë. Faleminderit të gjithë atyre që respektojnë rregullat dhe kontribuojnë çdo ditë për një qytet më të pastër”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Ambasada e Zvicrës ka sqaruar mbështetjen e saj për programin e informimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DSK), pas raportimeve se në shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë është mbajtur një ligjëratë informuese për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në sqarimin e saj, ambasada bën të ditur se që nga viti 2018, Zvicra ka mbështetur aktivitetet e informimit të DSK-ve, të cilat janë themeluar përmes një marrëveshjeje ndërkombëtare të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës, duke pasqyruar procesin legjislativ dhe mandatin demokratik të këtij institucioni.
Sipas ambasadës, Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një organ gjyqësor i pavarur dhe përmes Zyrës së Informimit angazhohen me një gamë të gjerë akterësh për të ndarë informacione publikisht të disponueshme mbi mandatin dhe punën e tyre, për të dëgjuar pikëpamjet e qytetarëve dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve, pa promovuar narrativa të caktuara.
Më tej thuhet se Programi i Informimit zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me organizatat e shoqërisë civile, të cilat ndihmojnë në lehtësimin e dialogut dhe inkurajimin e një debati publik të informuar mbi çështje me interes publik.
Ambasada e Zvicrës ka theksuar se mbështetja e saj ka për qëllim transparencën, informimin e qytetarëve dhe forcimin e sundimit të ligjit, dhe nuk nënkupton ndikim në përmbajtjen e aktiviteteve apo promovim të qëndrimeve të caktuara. /KP/
Në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve, në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë po realizohen punime për shtrirjen e kabllove të ndriçimit.
Ky investim ka për qëllim krijimin e një ambienti më të sigurt dhe funksional për qytetarët, duke pasur parasysh fluksin e madh të udhëtarëve që e frekuentojnë stacionin.
Punimet synojnë rritjen e komoditetit dhe sigurisë gjatë lëvizjes së qytetarëve brenda dhe rreth stacionit. /Telegrafi/
Komuna e Podujevës dhe Universiteti i Prishtinës kanë nënshkruar Marrëveshje Konsorciumi për zbatimin e projektit Climate Integrated Pathways for Podujeva CLIPP, në kuadër të programit Horizon Europe.
Sipas njoftimit, projekti CLIPP ka për qëllim zhvillimin e strategjive dhe planeve konkrete për përballjen me ndryshimet klimatike në Komunën e Podujevës, përmes analizës së avancuar të të dhënave, përdorimit të mjeteve digjitale dhe bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me komunitetin lokal. Në fokus të projektit është forcimi i kapaciteteve institucionale dhe rritja e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe mirëqenies së qytetarëve.
Granti për realizimin e projektit është në vlerë prej 209,943.75 euro dhe është i tipit financim kaskadë, që nënkupton se mjetet sigurohen si nëngrant nga një projekt ekzistues i programit Horizon Europe.
Marrëveshja u nënshkrua nga Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Fahri Restelica, dhe përfaqësuesit e Universitetit të Prishtinës. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Lirie Hoti, e cila njëkohësisht është koordinatore e projektit nga ana e Komunës.
Projekti pritet të zbatohet nga janari i vitit 2026 deri më 30 qershor 2027 dhe përfaqëson një bashkëpunim të rëndësishëm ndërmjet institucioneve lokale dhe atyre akademike, me synim përfitime konkrete në planifikimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Komunës së Podujevës. /Telegrafi/
Sigal Prishtina pësoi humbje ndaj Vëllaznimit të enjten mbrëma në ndeshjen kthyese të çerekfinales së Kupës së Kosovës në basketboll. Megjithatë, fitorja 74:69 e arritur në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë nuk mjaftoi që skuadra gjakovare të kalojë më tej.
Triumfi i Sigal Prishtinës në ndeshjen e parë, të zhvilluar para dy javësh në palestrën “Shani Nushi”, me rezultat 82:68, vendosi fatin e gjysmëfinales për “bardhekaltërve”.
Në ndeshjen e kthimit, tifo-grupi “Plisat” mbështeti skuadrën, madje udhëheqësi i tyre, Rinor Grajqevci, mori rolin e ushtruesit të detyrës së kryetarit të klubit, një vendim i nënshkruar nga Bekë Berisha.
Sigal Prishtina mbylli pjesën e parë me epërsi minimale, 38:36. “Bardhekaltrit” dominuan edhe në çerekun e tretë, 16:10, duke hyrë në periudhën e fundit me tetë pikë avantazh. Vëllaznimi e barazoi rezultatin në 54:54, rreth shtatë minuta e gjysmë para fundit, më pas kaloi në epërsi dhe e mbajti deri në fund. Megjithatë, diferenca nga ndeshja e parë bëri që Sigal Prishtina të eliminohej.
Kelby Kramer udhëhoqi skuadrën me 14 pikë dhe 7 kërcime, Deondre Burns shtoi 10 pikë, 6 asistime dhe 4 kërcime, ndërsa Altin Morina kontribuoi me 5 pikë, 5 kërcime dhe 4 asistime.
Te Vëllaznimi, më e spikatura ishte Jericole Hellems me 25 pikë, 8 kërcime dhe 1 asistim, ndërsa Samir Zekiqi shtoi 13 pikë, 7 kërcime dhe 3 asistime.
Në gjysmëfinale, Sigal Prishtina nuk do të jetë pjesë, ndërsa Vëllaznimi do të përballet me Bashkimin, që eliminoi GO+ Pejën.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka vazhduar aksionet ndaj konsumatorëve me borxhe të papaguara, duke realizuar sot një aksion në qytetin e Drenasit.
Sipas njoftimit të KRU “Prishtina”, gjatë këtij aksioni janë shkyçur nga shërbimi i furnizimit me ujë konsumatorët të cilët nuk i kanë përmbushur obligimet financiare në përputhje me kontratat e lidhura me kompaninë.
Nga kompania bëhet e ditur se aksione të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim të rritjes së disiplinës së pagesave dhe funksionimit të qëndrueshëm të shërbimit të furnizimit me ujë për të gjithë konsumatorët. /Telegrafi/
Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka njoftuar se në një lagje të Prishtinës janë identifikuar 15 këlyshë të vegjël dhe katër femra lehona, të gjitha të pasterilizuara, të cilët kanë nevojë për ndihmë veterinare urgjente. Në të njëjtin lokacion u vunë re edhe dy qen të rritur që po shumohen, duke rritur rrezikun e lindjes së kafshëve të tjera në rrugë.
“Ky rast është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së ndërhyrjes nga strehimorja publike dhe e ndalimit të sterilizimeve, që ka çuar në rritjen e popullsisë së kafshëve në rrugë. Këlyshët dhe nënat e tyre kanë nevojë urgjente për vaksinim, trajtim kundër parazitëve, kujdes veterinar bazik dhe sterilizim të qenve të rritur për të ndaluar ciklin e lindjeve”, ka shkruar Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve në faqen e tyre në Facebook.
Fondacioni apelon tek qytetarët që të mbështesin rastin përmes donacioneve, të cilat do të përdoren ekskluzivisht për trajtimin e këlyshëve dhe kujdesin e nënave të tyre:
Brenda Kosovës
Xhirollogaria: 1701017700005277
Banka: NLB Bank
Përshkrimi: Donacion për trajtimin e këlyshëve në Prishtinë
Jashtë Kosovës
IBAN: XK051701017700005277
SWIFT: NLPRXKPR
Përshkrimi: Donacion për trajtimin e këlyshëve në Prishtinë
“Çdo kontribut, sado i vogël, ndihmon drejtpërdrejt për mbijetesën e këlyshëve, shëndetin e nënave dhe parandalimin e dhjetëra lindjeve të tjera të pakontrolluara në rrugë. Kjo nuk është vetëm një histori për 17 këlyshë, por pasojë e ndalimit të sterilizimit dhe mungesës së menaxhimit adekuat të popullsisë së kafshëve në qytet”, shtoi Fondacioni. /Telegrafi/
Instituti GAP ka prezantuar të dhënat mbi premtimet e dhëna nga kryetarët e komunave të Kosovës për mandatin e ri qeverisës 2025–2029. Sipas raportit, gjatë këtij mandati janë dhënë gjithsej 1,683 premtime në 26 komuna, shifër kjo 132 premtime më pak se mandati i kaluar.
Raporti evidenton komunat me rritjen më të madhe të numrit të premtimeve, ku spikasin Lipjani me 170 premtime (nga 61 në mandatin e kaluar), Deçani 124 (nga 20), Fushë Kosova 110 (nga 35), Drenasi 88 (nga 37), Obiliqi 104 (nga 69) dhe Podujeva 88 (nga 61).
Ndërkohë, komunat që shënuan rënie më të madhe të premtimeve janë Prishtina 115 (nga 206), Kaçaniku 38 (nga 94), Suhareka 24 (nga 78), Shtimja 58 (nga 107), Mitrovica e Jugut 74 (nga 123), Rahoveci 44 (nga 84), Hani i Elezit 39 (nga 78), Malisheva 20 (nga 48), Klina 35 (nga 63) dhe Istogu 55 (nga 78).
Sipas raportit, fushat me më së shumti premtime janë infrastruktura me 382 premtime, arsimi 322, shërbimet publike 184 dhe shëndetësia 146. Fushat me më së paku premtime janë urbanizmi me 51 dhe administrata 50.
Instituti GAP vë në dukje gjithashtu përfaqësimin gjinor, ku nga 185 kandidatë që kanë garuar, 20 kanë qenë gra, ndërsa vetëm një kryetare është zgjedhur. Partitë që udhëheqin komunat janë VV (7), PDK (7), LDK (7), LS (10), AAK (5), Nisma (1) dhe PDTK (1).
“Edhe në këtë mandat, Instituti GAP do të vazhdojë të vlerësojë periodikisht përmbushjen e premtimeve, me qëllim të rritjes së përgjegjësisë publike të kryetarëve të zgjedhur për ato që kanë premtuar”, thuhet në njoftim.
Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Fatmir Krasniqi” në Fushë Kosovë është vendosur dhe funksionalizuar ekrani informues, përmes të cilit qytetarët mund të informohen në kohë reale për listën e barnave esenciale që gjenden në stok në barnatore.
Ky sistem informues u mundëson qytetarëve qasje të drejtpërdrejtë në të dhëna të sakta dhe të verifikueshme mbi disponueshmërinë e barnave esenciale, duke rritur transparencën, llogaridhënien institucionale dhe besimin në shërbimet shëndetësore publike.
Nga Komuna e Fushë Kosovës është bërë e ditur se vendosja e këtij ekrani është pjesë e angazhimeve për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe informimin e drejtë të qytetarëve.
Komuna e Fushë Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar të jetë pranë qytetarëve dhe në shërbim të nevojave të tyre në sektorin e shëndetësisë. /Telegrafi/
Në zyrat e Komunës së Graçanicës është mbajtur ceremonia e nënshkrimit të Grant Kontratës për “Projektin për sigurimin e pajisjeve mjekësore për Qendrën Diagnostikuese Graçanicë”, në kuadër të Ndihmës Japoneze për Grante për Projektet e Sigurisë Bazike Njerëzore (GGP).
Grant kontrata është nënshkruar nga i Ngarkuari me Punë i Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Hiroyasu Tanigaki, dhe kryetari i Komunës së Graçanicës, Novak Ziviq, si partner zbatues i projektit.
Me këtë rast, Tanigaki e ka uruar Ziviqpër zgjedhjen e tij në postin e kryetarit të komunës, duke i dëshiruar suksese në ushtrimin e mandatit. Ai ka theksuar se Japonia mbetet e përkushtuar për të mbështetur projektet që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve.
“Na bën veçanërisht të kënaqur që përmes këtij projekti të mbështesim Qendrën Diagnostikuese dhe Komunën e Graçanicës në përpjekjet e tyre për të përmirësuar kushtet e jetesës së qytetarëve në këtë komunë dhe në rajonin përreth”, ka deklaruar Tanigaki.
Projekti synon përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Graçanicës dhe zonave përreth, përmes sigurimit të pajisjeve moderne mjekësore.
Në kuadër të tij, në laboratorin klinik të Qendrës Diagnostikuese do të instalohet një analizues shtesë imunoanalitik, i cili do t’u mundësojë rreth 4 mijë e 100 pacientëve në vit marrjen e diagnozave më të sakta dhe zbulimin e hershëm të sëmundjeve.
Po ashtu, në repartin e fizioterapisë do të dhurohet një pajisje për terapi me valë goditjeje radiale ekstrakorporale, e cila do t’u mundësojë rreth 430 pacientëve në vit trajtim adekuat sipas nevojave të tyre shëndetësore.
Vlera totale e projektit kap shumën prej 59 mijë e 700 euro.
Ndihma Japoneze për Grante për Projektet e Sigurisë Bazike Njerëzore (GGP) është një nga skemat e Ndihmës Zyrtare të Japonisë për Zhvillim, e cila mbështet organizatat joqeveritare dhe institucionet publike lokale në adresimin e nevojave bazike të komuniteteve, veçanërisht në fushat e shëndetit, arsimit, mjedisit dhe mirëqenies sociale.
Në Kosovë, Japonia ka zbatuar skemën GGP edhe para shpalljes së pavarësisë, ndërsa pas pavarësisë, shuma totale e granteve të ndara përmes kësaj skeme arrin në 4 milionë e 410 mijë e 415 euro për 66 projekte në mbarë vendin. /Telegrafi/
Banorët e lagjes “Qendra” të Prishtinës, protestuan të mërkurën kundër ndërmarrjes “Prishtina Parking”, për shkak të, siç thanë, parkimit të pakontrolluar që po shkakton tollovi të vazhdueshme, bllokimeve disaorëshe të rrugëve, konflikteve mes banorëve, si edhe mungesës së gjobave dhe transparencës për lejet e parkimit rezidencial. Ata kërkuan zgjidhje urgjente, si parkim vetëm për rezidentët dhe vendosjen e një laure për ta shmangur kaosin në lagje.
Banor i kësaj lagjeje, Luan Dizdari, tha se banorët po përballen vazhdimisht me tollovi dhe bllokime disaorëshe, veçanërisht në zonën e tunelit, për shkak të parkimit të pakontrolluar.
“Nuk jemi aspak të kënaqur, bëhet tollovi gjithmonë, kemi problem,zakonisht te tuneli këtu, aty bllokohet, ka dy a tre orë duhet me i prit… Zoti na ruajt naj njeri smut me kon, bllokohesh…zgjedhja e vetme me hek Prishtina Parking prej këtu hiq, sepse këtu po parkohen edhe makina tjera që vin prej gjithkahit dhe shumica i kanë renë në fije, po i fusin ku nuk ka gjoba edhe bllokon… bejnë kishe policia e komunës, ata po japin diçka letra, herë vin herë nuk vin, veç bëhet tollovi mosvet…duhet me bë një rampë vetëm na këtu të lagjes tonë me u parku edhe s’ke me pas problem, me të vërtetë shumë herë më ka ndodh me thënë ec largoma kerrin se s’po mundem me dal”, theksoi Dizdari.
“Me kërkesën e qytetarëve është thirrë protesta lidhur me pakënaqësitë e Prishtina Parking, edhe këtu duke e falënderu Policinë e Kosovës se moti ka mujt me ndodh edhe naj vrasje, sepse ka konflikte të mëdha mbrenda lagjes, kemi pa kanqësi. Unë si përfaqësuese e kom kërku listën të cilën ata i kanë pajis qytetarët me leje si banor rezidencial, të njëjtit janë përgjigj që s’kanë drejtë me dhanë detaje sepse janë të dhëna konfidenciale, mirëpo kanë harru që unë jam përfaqësuese në komunitet edhe ndodh që kam të dhëna shumë më shumë se ata që janë në ndërmarrje, unë i kam të gjitha të dhënat e banorëve rezidencial dhe kam takimet e rregullta me qytetarët”, theksoi Hasani.
Ndërmarrja “Prishntina Parking” i menaxhon disa nga zonat e parkimit të komplekset banesore në kryeqytet.
Ekipet e KRM “Pastrimi” po vazhdojnë angazhimin në terren edhe gjatë orëve të natës, me qëllim të largimit të mbeturinave të grumbulluara dhe vendosjes së kontejnerëve në zonat ku është paraqitur nevojë urgjente.
Nga kjo ndërmarrje bëhet e ditur se puna po zhvillohet me intensitet të shtuar, lagje pas lagjeje dhe derë më derë, në mënyrë që situata të rikthehet në normalitet sa më shpejt të jetë e mundur.
KRM “Pastrimi” ka falënderuar qytetarët për durimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar se angazhimi i ekipeve nuk do të ndalet derisa gjendja të stabilizohet plotësisht dhe shërbimi të jetë në nivelin e duhur. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se vazhdon të mbetet adresa e parë e besimit për qytetarët, përmes bashkëpunimit dhe veprimeve të përgjegjshme në shërbim të komunitetit.
Sipas njoftimit, mbrëmë rreth orës 22:00, në Stacionin Policor në Podujevë, dy qytetarë me inicialet S.B dhe L.B kanë dorëzuar një portofol të gjetur, i cili përmbante para dhe dokumente personale.
Pas procedurave të nevojshme, portofoli i është kthyer pronarit të tij, duke përmbyllur me sukses rastin.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe gjestin human, duke vlerësuar veprimet që forcojnë besimin dhe solidaritetin në shoqëri. /Telegrafi/
Pas një shtyrjeje të përkohshme të procesit mësimor për shkak të problemeve të ngrohjes qendrore, nga data 19 janar, mësimi në shkollat e Komunës së Fushë Kosovës ka rifilluar në ambiente të ngrohta dhe të përshtatshme për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Gjatë kësaj periudhe, janë instaluar dhe riparuar sisteme të reja ngrohjeje në shkollat “Mihal Grameno”, “Hoxhë Kadri Prishtina”, “Lismiri”, “Daut Bogujevci” dhe “Vëllezërit Frashëri”, duke siguruar kushte më të mira për zhvillimin normal të procesit mësimor.
Komuna ka publikuar një video ku tregohet ambienti i përmirësuar mësimor, ndërsa nxënësit tashmë vijojnë mësimin në kushte më të sigurta dhe komode.
Autoritetet komunale bëjnë me dije se arsimi mbetet prioritet kryesor dhe do të vazhdojnë angazhimet për përmirësimin e kushteve në të gjitha institucionet arsimore. /Telegrafi/
Në një aksion të ndërmarrë sot nga Drejtoria e Inspekcionit dhe trupa inspektuese e Komunës së Obiliqit, është liruar prona e uzurpuar në fshatin Plemetin, konkretisht objekti i Shtëpisë së Kulturës, i cili ishte në shfrytëzim pa bazë ligjore për më shumë se 25 vjet.
Sipas njoftimit të komunës, ky veprim shënon një hap të rëndësishëm drejt rikthimit të rendit ligjor dhe respektimit të së drejtës së pronës.
Aksioni është realizuar në përputhje të plotë me ligjet në fuqi, duke dëshmuar angazhimin e institucioneve komunale për zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik.
Drejtoria e Inspekcionit thekson se do të vazhdojë trajtimin e të gjitha rasteve të uzurpimit të pronës, pa dallim, duke respektuar parimet e barazisë dhe sundimit të ligjit.
Ky aksion tregon përkushtimin institucional të Komunës së Obiliqit për forcimin e rendit juridik dhe garantimin e të drejtave pronësore për qytetarët. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka emëruar Behram Latifin drejtor të Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural.
Sipas njoftimit të komunës, Latifi ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik, drejtimi i përgjithshëm. Ai ka përvojë profesionale në sektorin publik, ku ka shërbyer si zyrtar ligjor dhe zyrtar ekzekutiv në Shërbimin Korrektues të Kosovës, si dhe në Inspektoratin e Punës, ku ka mbajtur disa pozita, përfshirë zyrtar të lartë për bashkëpunim profesional, ushtrues detyre i menaxherit të personelit dhe udhëheqës i Divizionit për Cilësi të Inspektimeve dhe Standardizim të Gjobave.
Po ashtu, Latifi ka përvojë edhe në sektorin privat, ku ka ushtruar detyra menaxheriale.
Kryetari Bulliqi i ka uruar Latifit suksese dhe punë të mbarë në detyrën e re, duke shprehur besimin se ai do të kontribuojë në zhvillimin e sektorit të bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural në Komunën e Podujevës. /Telegrafi/
Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit njofton se po vazhdon zbatimi i masave për rritjen e sigurisë në trafik.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve, Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit është duke realizuar shqiptimin e gjobave ndaj kundërvajtësve në bazë të monitorimit të kamerave të sigurisë.
Nga data 13.01.2026 deri më 19.01.2026 nga kjo njësi janë shqiptuar 1369 gjoba për kundërvajtje të ndryshme, përfshirë edhe përdorimin e telefonit mobil gjatë vozitjes, të cilat janë evidentuar nga kamerat e sigurisë apo gjatë zbatimit të detyrave të rregullta.
Me këtë rast, Policia e Kosovës u bën apel të gjithë shoferëve që të shmangin përdorimin e telefonit gjatë vozitjes dhe të respektojnë rregullat e trafikut rrugor, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ruajtjes së jetës së qytetarëve. /Telegrafi/
Faqja e Inspektoratit të kryeqytetit është hakuar dhe kërkohet që qytetarët të mos i besojnë postimeve të publikuara në këtë periudhë.
Kjo u bë e ditur përmes faqes zyrtare të Komunës së Prishtinës në rrjetin social në Facebook.
“Ju njoftojmë se faqja e Inspektoratit të Kryeqytetit është hakuar kohët e fundit. Ekipet tona po punojnë për ta rikthyer kontrollin dhe funksionimin normal të saj.
Ju lutemi të mos besoni postime të publikuara nga faqja deri në njoftimin e radhës, pasi ato nuk pasqyrojnë veprimet e institucionit. Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj’, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit njofton se me datë 18.01.2026, në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime dhe dëme materiale.
Sipas të dhënave fillestare nga vendi i ngjarjes, një automjet kishte goditur dy vetura, me ç’rast ka shkaktuar lëndime trupore te katër persona, si dhe dëme materiale në automjetet e përfshira në aksident.
"Menjëherë pas pranimit të informatës, Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe hetimore për zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Si rezultat i veprimeve policore, është arritur që të identifikohet dhe të lokalizohet shoferi, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin. Ndaj tij janë ndërmarrë masat ligjore konform legjislacionit në fuqi", thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës rithekson përkushtimin e saj për rritjen e sigurisë në trafik dhe u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, shpejtësinë e lejuar dhe sinjalistikën rrugore, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ruajtjes së jetës së qytetarëve. /Telegrafi/
Drejtoria për Inspektorat e Komunës së Fushë Kosovës ka realizuar sot inspektime në disa zona të qytetit, me qëllim lirimin e hapësirave publike dhe rregullimin e rendit në trotuare dhe sipërfaqe të përbashkëta.
Gjatë këtyre inspektimeve janë evidentuar raste të bllokimit të hapësirave publike, si dhe shfrytëzime të paautorizuara në zona publike. Në disa raste është kërkuar largimi i menjëhershëm i pengesave, janë dhënë paralajmërime në vend dhe janë iniciuar procedura për trajtim administrativ, në përputhje me kompetencat ligjore të Inspektoratit.
Drejtori për Inspektorat në Komunën e Fushë Kosovës, Durim Hajra, ka bërë thirrje për përgjegjësi qytetare dhe institucionale.
“I ftojmë të gjitha bizneset dhe qytetarët që të mos i zënë hapësirat publike dhe të mos pengojnë lëvizjen e lirë të këmbësorëve, qasjen për persona me aftësi të kufizuara, si dhe sigurinë e përgjithshme në qytet. Inspektimet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen dhe në rast të mosrespektimit do të merren masa shtesë, përfshirë gjoba dhe largim të detyrueshëm të pengesave, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, ka thënë ai.
Ai ka falënderuar qytetarët dhe bizneset për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e treguar gjatë këtij aksioni.
Nga Komuna e Fushë Kosovës bëhet e ditur se mbetet e përkushtuar në krijimin e kushteve për një ambient më të rregullt, të sigurt dhe një cilësi më të mirë jete për të gjithë qytetarët. /Telegrafi/