Pas përfundimit të procesit zgjedhor, ku raundi i parë i Zgjedhjeve Lokale u zhvillua më 12 tetor dhe balotazhi më 9 nëntor, sot pritet të mbahen seancat inauguruese të kuvendeve komunale në disa komuna të vendit.
Në Skenderaj gjatë ditës do të mbahet seanca inauguruese e Kuvendit Komunal, ku anëtarët e rinj të zgjedhur do të marrin mandatin dhe do të nisë zyrtarisht konstituimi i legjislaturës së re lokale.
Mbledhje inauguruese do të zhvillohet edhe në Fushë-Kosovë, në sallën e Kuvendit Komunal, ku kuvendarët pritet të betohen dhe të formalisht të nisin punën në përbërjen e re të kuvendit.
Po sot, Obiliqi do të mbajë seancën e tij inauguruese në Shtëpinë e Kulturës “Xhavit Haziri”, ku anëtarët e kuvendit komunal do të konstituohen sipas procedurave ligjore.
Me mbajtjen e këtyre seancave, komunat hyjnë në fazën përfundimtare të konstituimit të institucioneve pas zgjedhjeve lokale të këtij viti. /Telegrafi/
Më pak se një javë pas konstituimit të plotë të Kuvendit të Kosovës, me zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve, kushtetutshmëria e këtij procesi është vënë në dyshim nga Lista Serbe.
Më 16 tetor 2025, kjo e fundit dorëzoi ankesë në Gjykatën Kushtetuese, duke sfiduar zgjedhjen e nënkryetarit serb të Kuvendit, Nenad Rashiq.
Gjykata Kushtetuese në një përgjigje për Telegrafin tha që kërkesa e Listës Serbe aktualisht është duke u shqyrtuar nga Gjykata, pa dhënë detaje më shumë edhe sa i përket se kur pritet të merret vendimi.
“Kjo lëndë është duke u shqyrtuar. Vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses.
Në ankesën e dorëzuar, Lista Serbe pretendon se ka pasur shkelje të Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe aktgjykimit të mëparshëm të Kushtetueses.
Lista Serbe kërkoi që gjykata të vendosë një masë të përkohshme, për të ndaluar, siç tha, “veprimet antikushtetuese që mund të shkaktojnë dëme të pakthyeshme”.
Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.
Zgjedhja e tij u bë pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe, ndonëse u hodhën nga tri herë në votim, nuk morën votat e nevojshme.
Kjo është hera e dytë që Lista Serbe ankohet në Kushtetuese për çështjen e nënkryetarit serb në muajt e fundit, pasi në gusht ishte ankuar kundër votimit ndaras, pasi kreu i Kuvendit, Dimal Basha, e kishte shpallur të konstituuar Kuvendin pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga radhët e komunitetit serb.
Më pas, Gjykata kishte konstatuar se Kuvendi nuk ishte i konstituuar, duke kërkuar që deputetët të zgjidhnin nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, me qëllim që të hapej rruga për formimin e Qeverisë. /Telegrafi/
Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar se është duke e shqyrtuar ankesën e Listës Serbe lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e pakicës serbe.
Vendimi pritet të merret pasi të shqyrtohen të gjitha pretendimet. Ankesa e Listës Serbe, me pretendimin se me zgjedhjen e Nenad Rashiqit, janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e punës së Kuvendit, si dhe aktgjykimi i mëparshëm i Kushtetueses mbi të njëjtën çështje, pason kërkesën për vendosjen e një mase të përkohshme për të ndaluar, siç thonë ata, veprimet antikushtetuese që mund të shkaktojnë dëme të pakthyeshme.
Nga Kushtetuesja nuk ka qartësim nëse janë duke e konsideruar vendosjen e një mase të tillë. Një ankesë tjetër të Listës Serbe, po për çështjen e nënkryetarëve Kushtetuesja e trajtoi në fillim të shtatorit, në kohën kur kryekuvendari Dimal Basha e pati shpallur të konstituuar Kuvendin pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga radhët e komunitetit serb. Më 5 shtator, Gjykata Kushtetuese, mbi bazë të ankesës së Listës Serbe e pezulloi punën e Kuvendit për 25 ditë duke nxjerrë vendim për masë të përkohshme.
Sipas aktgjykimit të plotë, Kuvendi nuk ishte i konstituuar, kështu që Gjykata u kërkoi deputetëve të zgjidhnin nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, me qëllim që të hapej rruga për formimin e Qeverisë. Në vendimin e Kushtetueses u nënvizua se propozimi për nënkryetarin nga radhët e komuniteteve joshumicë duhet të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, por nuk ka lejuar veto bllokuese.
Pasi Lista Serbe i shteroi kandidaturat, kryeparlamentari Dimal Basha u kërkoi atyre ta bëjnë edhe propozimin e deputetit që nuk i takon grupit parlamentar të Listës. Meqë subjekti që mbështetet nga Beogradi zyrtar refuzoi ta bëjë këtë, në votim u hodh kandidatura e Nenad Rashiqit, i cili mori votat e domosdoshme për nënkryetar të Kuvendit.
Legjislatura e nëntë u shpall e konstituuar më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e pakicës serbe, i cili u zgjodh pasi u shteruan nëntë kandidaturat e Listës Serbe, me nga tri votime radhazi.
Presidentja Vjosa Osmani, një ditë pasi Kuvendi u llogarit i konstituuar, e mandatoi udhëheqësin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së re. Ai i ka edhe tetë ditë afat për t'ia prezantuar Kuvendit përbërjen dhe programin e qeverisë së re.
Për zgjedhjen e Qeverisë duhen 61 vota të deputetëve. Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Vetëvendosje, fitoi 48 ulëse në Parlamentin me 120 deputetë.
Nëse Kurti nuk arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme deri më 26 tetor, atëherë Osmani, sipas ligjeve, është e obliguar që brenda 10 ditëve t'i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandatarin tjetër, nëse ia dëshmon se i ka numrat për të formuar Qeverinë.
Edhe mandatari i ardhshëm duhet t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.
Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë presidentja i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre./RTK/
Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 10 tetor, tetë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.
Procesi u shoqërua me dhjetëra vazhdime të seancave konstituive, disa vendime të Gjykatës Kushtetuese dhe më shumë se një kandidaturë për postin e kryeparlamentarit.
Kryetari Dimal Basha dhe katër nënkryetarë u zgjodhën më 26 gusht, por konstituimi mbeti i paplotë, për shkak të mosvotimit të nënkryetarit nga komuniteti serb - një pozicion i përcaktuar me ligj.
Pas sqarimeve dhe kërkesave të bëra nga Gjykata Kushtetuese, të përfshira në aktgjykimin e publikuar më 8 tetor, Kuvendi u mblodh të premten dhe votoi Nenad Rashiqin për nënkryetar nga radhët e komunitetit serb, duke përmbyllur kështu zyrtarisht konstituimin e legjislaturës së re.
Rashiq, ministër në detyrë për Komunitete dhe Kthim dhe kryetar i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, u propozua pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe dështuan të siguronin votat e nevojshme.
Ai mori 71 vota për, duke siguruar mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe disa deputetëve të komuniteteve joserbe.Hapi i radhës është formimi i Qeverisë së re.
Presidentja Vjosa Osmani ka detyrë ligjore të emërojë partinë ose koalicionin fitues - në këtë rast koalicionin e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me Lëvizjen Guxo dhe Alternativën, si mandatar për krijimin e Qeverisë.
"Kandidati për kryeministër, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit", thuhet në nenin 95 të Kushtetutës.
Kabineti i propozuar duhet të sigurojë të paktën 61 vota në Kuvendin me 120 deputetë për t’u miratuar.
Me 48 ulëse të fituara në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje nuk mund ta sigurojë shumicën e nevojshme pa një partner koalicioni.Në rast se nuk arrin të mbledhë 61 vota, presidentja Osmani ka detyrën brenda dhjetë ditësh të ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar Qeverinë.
Mandatari ka më pas 15 ditë të tjera kohë për të dorëzuar përbërjen e re të kabintetit qeveritar në Kuvend.
Nëse as pas përpjekjes së dytë Qeveria nuk mund të formohet, presidentja Osmani, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh.Sa u përket koalicioneve, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha pas konstituimit të Kuvendit se kjo parti është e hapur për koalicion me partitë e tjera, përveç Listës Serbe dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Haxhiu shtoi se duhet të vazhdohet me formimin e Qeverisë, por se nuk përjashtohen as zgjedhjet e reja.
Më herët, Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur preferencë për bashkëpunim me partitë e komuniteteve joserbe, të cilat kanë dhjetë ulëse të garantuara në Kuvend.
Fillimisht, ajo ka përjashtuar mundësinë e bashkëqeverisjes me tri subjektet më të mëdha: Partinë Demokratike të Kosovës (24 ulëse), Lidhjen Demokratike të Kosovës (20 ulëse) dhe koalicionin Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës-Nisma (8 ulëse).
Megjithatë, më vonë, Vetëvendosje dhe Nisma janë mbledhur disa herë për të diskutuar mundësitë e daljes nga bllokada institucionale - ndonëse pa rezultat.
Haxhiu tha se ka pasur përpjekje edhe me LDK-në.Bedri Hamza, kandidati për kryeministër i PDK-së, ka deklaruar më 28 mars se nëse LVV-ja nuk mund ta krijojë Qeverinë brenda afateve ligjore, PDK-ja është e gatshme të marrë përgjegjësinë për formimin e saj.
Ai ka thënë se nuk ka “vija të kuqe” ndaj asnjë partie dhe është i hapur për bisedime.
LDK-ja dhe AAK-ja kanë përjashtuar koalicionin me LVV-në dhe kanë shprehur gatishmëri për të formuar një qeveri së bashku.
Me tre deputetët e saj, Nisma, në anën tjetër, ka thënë se mund të ndihmojë në sigurimin e shumicës së nevojshme prej 61 votash, bashkë me LVV-në dhe partitë e komuniteteve joshumicë.
Konstituimi i Kuvendit bëhet vetëm dy ditë para se Kosova të mbajë zgjedhjet lokale më 12 tetor./Radio Evropa e Lirë/
Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, nënkryetari i zgjedhur, Nenad Rashiq tha se shpreson që ky do të jetë fillim i ri për formimin e institucioneve.
Zgjedhja e tij erdhi pasi nëntë deputetë nga Lista Serbe dështuan të marrin votat e nevojshme për pozitën e nënkryetarit.
Nenad Rashiq, nga partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë ka folur para mediave pas zgjedhjes së tij si nënkryetar nga komuniteti serb.
“Jam shumë falënderues ndaj kolegëve të mi të cilët sot kanë votuar për mua dhe shpresoj që kjo do të jetë një fillim i ri në ndërtimin e institucioneve sa më parë që është e mundshme”, deklaroi Rashiq.
Pas më shumë pesë muajsh, Kuvendi i Kosovës ka konstituuar legjislaturën e nëntë. Në seancën e sotme u zgjedh deputeti nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, si nënkryetar nga komuniteti serb, për të kompletuar Kryesinë e Kuvendit.
Rashiq, në seancën e sotme mori 71 vota për, nëntë vota kundër dhe 24 abstenime.
Për dallim nga seancat tjera, Rashiq kësaj radhe ka marrë edhe votat e deputetëve të LDK-së. /Telegrafi/
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka sqaruar qëndrimin e partisë së tij lidhur me votimin për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Lushtaku tha se, megjithëse nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar të PDK-së, qëndrimi i partisë është i qartë se deputetët e saj do të marrin pjesë në seancë, por do të abstenojnë në momentin e votimit për nënkryetarin serb.
"Qëndrimi i njëjtë i PDK-së është që do të marrim pjesë, por do të abstenojmë, pasi partia e parë në këto zgjedhje duhet të vendosë dhe të marrë primatin e saj. Nuk e kemi ne për obligim që ta bëjmë kuorumin për zgjedhjen e nënkryetarit", u shpreh Lushtaku.
Ai akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për viktimizim politik në këtë proces, duke theksuar se pushteti po mundohet të paraqitet si peng i Listës Serbe.
"Vetëvendosje po viktimizohet duke thënë se nuk po mund ta zgjedhin dhe se janë peng i Listës Serbe", shtoi ai. /Telegrafi/
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Hekuran Murati tha se në asnjë pikë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk thuhet, sipas tij, që nënkryetari nga pakicat serbe i takon ekskluzivisht Listës Serbe.
Para fillimit të seancës konstituive për zgjedhjen e nënkryetarit të pestë, Murati tha se nevojiten edhe pesë vota për zgjedhjen e Nenad Rashiqit nënkryetar, i cili është kryetar i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Ministri në detyrë i Financave tha para gazetarëve se “Gjykata Kushtetuese e ka konstatuar që ndarja e deputetëve nga pakoja nuk ishte shkelje kushtetuese”.
“Gjykata Kushtetuese e ka konstatuar që ndarja e deputetëve nga pakoja nuk ishte shkelje kushtetuese, pra është në përputhje me Kushtetutën. Gjithashtu ka konstatuar që deputeti apo nënkryetari i pestë duhet të vie nga deputetët që janë përfaqësues të komunitetit jo-shumicë serbë. Në asnjë pikë, në asnjë paragraf, në asnjë fjali nuk përmendet që kjo e drejtë i takon ekskluzivisht Listës Serbe. Pra, mund të jetë njeri nga dhjetë deputetët që përfaqësojnë komunitetin serbë, jo-shumicë dhe në anën tjetër ka konstatuar që edhe mekanizmat de-bllokues, siç është rasti i tre tentativave për kandidatë, vlejnë edhe për nënkryetarin, si dhe mekanizmi tjetër de-bllokues ka konstatuar që është në rregull, që është zgjedhja përmes shortit në rast se ka refuzim apo mungesë të propozimit të kandidatëve tjerë”, deklaroi Murati.
Murati tha se deputetit serb, Nenad Rashiq i nevojiten edhe pesë vota për t’u zgjedhur nënkryetar.
“120 deputetëve u takon që të bëjnë çmos, që të votojnë, të votojnë fillimisht për, kundër dhe abstenim dhe të mos shkelin Kushtetutën siç kanë bërë disa deputetë të opozitës në seancën e kaluar si dhe në anën tjetër edhe kur të votojnë, ta kenë parasysh interesin shtetëror në mënyrë që të votohet për një kandidat i cili do të merrte votat. Dhe siç e dimë herën e fundit zotëri Nenad Rashiq kishte marrë 56 vota, krejt çfarë nevojiten janë edhe 5 vota nga 52 deputetët shqiptarë për ta konstituuar Kuvendin dhe për ta përfunduar këtë sagë”, ka shtuar Murati.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës po mblidhen sërish sot në tentimin e gjashtëdhjetë për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Të zgjedhurit e popullit para vetes kanë vetëm një pikë në rend të ditës: zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Gjykata Kushtetuese më 8 tetor ka publikuar aktgjykimin e plotë pas ankesës së Listës Serbe lidhur me konstituimin e Kuvendit. Gjykata ka thënë se Kuvendi nuk është konstituuar, ndërsa ka dhënë 12 ditë afat për deputetët që të përfundojnë procesin e konstituimit. Afati prej 12 ditësh ka nisur të rrjedhë prej ditës kur aktgjykimi i plotë u publikua në faqen zyrtare të gjykatës – më 8 tetor. /Kp/Telegrafi/
Deputeti nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, thotë se nuk do të kandidojë për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës.
Ai vlerëson që aktgjykimi i plotë i Kushtetueses i publikuar të mërkurën i jep të drejtë vetëm Listës Serbe të propozojë kandidatin për këtë post.
Në bazë të leximit të tij të aktgjykimit, Rashiq thekson se nuk i është lënë hapësirë atij që të kandidojë për nënkryetar dhe rrjedhimisht do të respektojë rregullat, ligjet dhe në veçanti Kushtetutën.
Deputetët e zgjedhur do të mblidhen nesër më 10 tetor, për vazhdimin e seancës konstituive me pikën e vetme të rendit të ditës - zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Gjykata Kushtetuese më 8 tetor ka publikuar aktgjykimin e plotë pas ankesës së Listës Serbe lidhur me konstituimin e Kuvendit. Gjykata ka thënë se Kuvendi nuk është konstituuar, ndërsa ka dhënë 12 ditë afat për deputetët që të përfundojnë procesin e konstituimit. Afati prej 12 ditësh ka nisur të rrjedhë prej ditës kur aktgjykimi i plotë u publikua në faqen zyrtare të gjykatës – më 8 tetor.
Para këtij aktgjykimi, Rashiq ka propozuar vetveten për nënkryetar të Kuvendit në tri tentime për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, mirëpo i njëjti nuk kishte marrë 61 votat e nevojshme.
Rashiq, në një përgjigje për KosovaPress, tani thotë se në bazë të aktgjykimit, të drejtën ekskluzive për të propozuar nënkryetarin nga komuniteti serb e ka Lista Serbe.
“Nëse kuptova mirë, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se ekskluzivisht të drejtën e ka Lista Serbe për nominimin e kandidatit (për nënkryetar të Kuvendit). Nëse është situata e tillë, siç po e lexoj unë, konsideroj se nuk më kanë lënë hapësirë mua që të kandidohem, sepse unë prej fillimi po tentoj të respektoj rregullat dhe ligjet, në veçanti Kushtetutën. Nëse unë e kam lexuar mirë, nuk e ka lejuar asnjë mundësi tjetër përveç Listës Serbe... Nëse është kjo siç e lexova unë, nuk do të propozoj (vetveten)”, thekson deputeti Rashiq.
Krahas kësaj, Rashiq bëri të ditur se nuk ka pasur asnjë bisedë me Lëvizjen Vetëvendosje, parti e cila e kishte përkrahur të njëjtin për nënkryetar të Kuvendit.
Kushtetuesja, në aktgjykimin e 8 tetorit, ka konstatuar se seanca konstituive e Kuvendit, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar si rezultat i mos zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 (Zgjedhja dhe mandati) dhe paragrafëve 1 dhe 4 të nenit 67 (Zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kushtetuesja ka urdhëruar të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Kuvendi deri tash ka zgjedhur për nënkryetarë Albulena Haxhiun nga Lëvizja Vetëvendosje, Vlora Çitakun nga Partia Demokratike e Kosovës, Kujtim Shalën nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Emilija Rexhepin nga minoritetet jo-serbe.
Ndërkaq, Lista Serbe e ka propozuar Sllavko Simiq për nënkryetar, por i njëjti nuk i ka marrë votat e nevojshme. Megjithatë, kjo parti ka këmbëngulur vetëm në këtë kandidat.
Më pas, kryetari i zgjedhur i Kuvendit, Dimal Basha, përmes shortit, ka hedhur në votim tetë deputetë serbë, por as ata nuk i kanë marrë votat e nevojshme.
Dimal Basha më pas ka deklaruar se Kuvendi është konstituuar, por Gjykata Kushtetuese e ka thënë fjalën e saj, duke theksuar se institucioni ligjvënës nuk konsiderohet i konstituuar pa u zgjedhur edhe një nënkryetar serb.
Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt, por ende nuk janë formuar institucionet e reja.
Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka deklaruar se, nëse Lista Serbe nuk paraqet kandidat për nënkryetar të Kuvendit, Nenad Rashiq mund të zgjidhet në këtë pozitë përmes procedurës së shortit, e cila shërben si mekanizëm zhbllokues për konstituimin e Kuvendit.
Sipas tij, vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese është i qartë: në mungesë të një propozimi nga Lista Serbe, Kuvendi mund të zgjedhë kandidatin nga radhët e deputetëve serbë që kanë ulëse të garantuara.
“Nëse në këtë proces Rashiq merr 61 vota, zgjedhja e tij do të ishte plotësisht kushtetuese dhe përfundimtare, pavarësisht qëndrimit të Listës Serbe”, ka theksuar Kryeziu.
Ai ka sqaruar se Kushtetuta kërkon që nënkryetari i Kuvendit të vijë nga deputetët që mbajnë ulëse të rezervuara për komunitetin serb, por jo domosdoshmërisht nga Lista Serbe.
Sipas Kryeziut, procedura e ndjekur deri më tani nga Kuvendi ka qenë e rregullt dhe çdo deputet nga komuniteti serb që siguron shumicën e votave të deputetëve është i zgjedhur në mënyrë legjitime dhe kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka sqaruar se asnjë subjekt i komuniteteve nuk mund të pengojë konstituimin e Kuvendit, edhe nëse refuzon të propozojë emrin e një deputeti për nënkryetar.
Sipas pikës 148 të aktgjykimit të publikuar të mërkurën, Kuvendi mund të vazhdojë funksionimin edhe pa njërin prej anëtarëve të Kryesisë, me kusht që Kryesia të ketë kuorum dhe vendimet të merren me shumicën e anëtarëve të pranishëm, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.
Gjykata thekson se dështimi i konstituimit në rastin konkret i atribuohet mosvotimit të shumicës së deputetëve të zgjedhur, përfshirë ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Listës Serbe dhe në disa raste edhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Vendimi i Kushtetueses obligon deputetët që të votojnë për nënkryetarin e propozuar, qoftë pro, kundër apo abstenim, dhe parashikon se votimi për të njëjtin kandidat nuk mund të tejkalojë tri runde.
“Në rastet kur e drejta kushtetuese në procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit gjatë konstituimit të Kuvendit nuk ushtrohet nga deputetët apo grupet parlamentare, që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë të Kryesisë së Kuvendit, qofshin ato nga komuniteti shumicë apo nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë, të cilat mund të manifestohen në pengimin e këtij procesi, apo në rastet kur, përkundër vullnetit të shumicës së deputetëve për të zgjedhur anëtarin e Kryesisë, Kuvendit i pamundësohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së saj, Kuvendi përjashtimisht, do të mund të vazhdojë funksionimin edhe pa njërin nga anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, me kushtin që Kryesia e Kuvendit të ketë kuorum në vendimmarrjen e saj në përputhje me paragrafin 3 të nenit 20 (Mbledhja e Kryesisë) të Rregullores së Kuvendit, i cili përcakton se: ‘Vendimi i Kryesisë merret me shumicën e anëtarëve të pranishëm në mbledhje’”, thotë Kushtetuesja.
Më 28 gusht, kryeparlamentari Dimal Basha shpalli të konstituar Kuvendin e Kosovës, pavarësisht moszgjedhjes së një deputeti serb për nënkryetar. Lista Serbe dështoi të propozojë Sllavko Simiqin në tri runde, ndërsa votimi me short i dha mundësi edhe deputetit Nenad Rashiq nga partia “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, por as ai nuk mori votat e mjaftueshme.
Lista Serbe e ankoi në Kushtetuese ndarjen e procesit të votimit nga nënkryetari i komuniteteve joshumicë, por Gjykata konstatoi se nuk ka pasur shkelje në këtë procedurë.
Në zgjedhjet parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para dhe i ka fituar 48 ulëse në Kuvend.
Partia Demokratike e Kosovës ka dalë e dyta me 24 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe me nëntë dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me tetë të tilla.
Ulëset tjera janë të rezervuara për pakicat.
Faktori ndërkombëtar ka bërë disa herë thirrje që Kosova t'i formojë sa më shpejt institucionet e reja.
Më herët gjatë ditës, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë u ka bërë thirrje deputetëve që t’i respektojnë vendimet e Kushtetueses dhe të mos i kenë në plan të parë interesat partiake.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë për çështjen e seancës konstituive, pas ankesës së Listës Serbe për moszgjedhjen e një nënkryetari nga komuniteti serb.
Sipas vendimit KO265/25, Kuvendi ende nuk është konstituar plotësisht, pasi nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb. Megjithatë, procedura e votimit për komunitetet joshumicë joserbe, që u zhvillua ndaras dhe jo “në pako”, nuk përbën shkelje, pasi deputetët mund të vendosin në vullnetin e tyre për mënyrën e votimit.
Gjykata thekson se edhe votimi i secilit deputet serb në tre runde të ndryshme nuk ka qenë shkelje, ndërsa Emilja Rexhepi është zgjedhur ligjërisht nënkryetare nga radhët e komuniteteve joshumicë joserbe.
"Gjykata rikujton se nga dispozitat kushtetuese, të Rregullores së Kuvendit dhe praktika gjyqësore e Gjykatës nuk rezulton ndonjë obligim i deputetëve për votimin në pako të nënkryetarëve të Kuvendit, qofshin ata që propozohen nga 3 (tre) grupet më të mëdha parlamentare apo komunitetet që nuk janë shumicë. Në këtë kontekst, duke qenë se votimi në pako nuk është shprehimisht i përcaktuar në Kushtetutë, i njëjti mund të realizohet nëse ka dakordim në mes të grupeve parlamentare apo deputetëve. Gjykata vëren se bazuar në praktikën parlamentare për zgjedhjen e nënkryetarëve nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë që nga viti 2011, nënkryetarët nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, janë votuar dhe zgjedhur në pako. Kësisoj, Gjykata vlerëson që një procedurë e tillë e votimit mbetet në vullnetin e deputetëve dhe grupeve parlamentare me kushtin që të realizohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit".
Aktgjykimi i publikuar të mërkurën (8 tetor) i obligon deputetët që të zgjedhin një nënkryetar nga komuniteti serb brenda 12 ditësh. Më 28 gusht, kryeparlamentari Dimal Basha shpalli Kuvendin të konstituar, pavarësisht moszgjedhjes së një deputeti serb për nënkryetar.
Lista Serbe dështoi të propozonte Sllavko Simiqin në tri runde votimesh, ndërsa Basha mundësoi votimin me short për çdo deputet të këtij grupi, përfshirë edhe deputetin jo të Listës Serbe, Nenad Rashiqin. As ai nuk mori votat e mjaftueshme.
Në pikën 153 të aktvendimit, Gjykata thekson se votimi i mëhershëm i një kandidati tre herë nuk mund të pengojë konstituimin e Kuvendit, nëse deputetët kanë vullnet për ta konstituar atë.
Procesi për zgjedhjen e nënkryetarëve pritet të rifillojë pas hyrjes në fuqi të vendimit, ndërsa Kuvendi duhet të sigurojë që zgjedhja të bëhet me konsensus dhe në një procedurë të vetme, pa diskriminim mes komuniteteve.
Në përbërjen e Kuvendit, Lista Serbe ka nëntë ulëse të rezervuara, ndërsa një tjetër e ka fituar Nenad Rashiq nga partia serbe “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, i cili është edhe ministër në detyrë në Qeverinë e Albin Kurtit.
“Përfaqësimi i komuniteteve që nuk janë shumicë në Kryesinë e Kuvendit është garanci kushtetuese, që edhe komunitetet e tjera të marrin pjesë në vendimmarrjen e Kryesisë,” thekson Gjykata në arsyetim.
Pavarësisht se kanë kaluar muaj nga zgjedhjet parlamentare, Kosova ende nuk ka institucionet e reja, ndërsa partitë më të mëdha shqiptare nuk kanë arritur pajtueshmëri për të çuar procesin përpara.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje fitoi 48 ulëse, PDK 24, LDK 20, Lista Serbe 9, dhe koalicioni mes AAK dhe Nismës Socialdemokrate 8 ulëse. Ulëset e tjera janë të pakicave.
Një tjetër muaj, një tjetër vendim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, një tjetër moment paqartësie.
Situatë e përsëritur disa herë këtë vit. I vetmi dallim është që partitë më të mëdha shqiptare nuk e komentuan pothuajse fare vendimin e Gjykatës, e cila tha se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar, dhe se kanë mbetur edhe 12 ditë për ta finalizuar procesin, prej momentit kur aktgjykimi të publikohet i plotë në faqen zyrtare të këtij institucioni.
Nëse i analizojmë faqet zyrtare të partive në rrjete sociale, krerët e tyre duken shumë të zënë me fushatën për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, apo me takime me zyrtarë të huaj.
Por, njohësit e çështjeve politike iu sugjerojnë atyre të ruajnë pak energji, sepse me shumë gjasë do t’iu duhet për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Sociologu nga Prishtina, Artan Muhaxhiri beson se nuk ekziston asnjë mundësi tjetër për të dalë nga kriza institucionale në të cilën gjendet vendi.
“Nuk ka asnjë logjikë që të vazhdohet me këtë bllokadë. Për fat të keq, e kemi një absurditet, që as Lëvizja Vetëvendosje (LVV), si fituese e zgjedhjeve, dhe as partitë tjera, nuk dëshirojnë ta bëjnë shumicën, nuk kanë vullnet, nuk kanë guxim, nuk kanë ide”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë (REL).
“Për këtë arsye, opsioni më i mirë është që të shkohet në zgjedhjet e reja, që të rilegjitimohen partitë politike, liderët, deputetët dhe të tentohet një kthim në normalitet”, shprehet Muhaxhiri.
Për politologun Dritëro Arifi, zgjedhjet nuk janë zgjidhje, por janë mënyra e vetme për t’u larguar nga ajo që ai e quan “marrëzi politike”.
“Vendi është, realisht, në anarki, Kosova është në anarki totale. Parlamenti nuk ka kontroll, as mbi Qeverinë, as mbi Policinë, as mbi ushtrinë, as mbi inteligjencën. Realisht është vend pa kontroll”, thotë ai për REL-in.
Si erdhëm deri këtu?
Ende pa u formuar institucionet e reja nga zgjedhjet e 9 shkurtit lindën idetë për zgjedhje të reja, teksa situata është gati e pashembullt prej pavarësisë e këndej.
LVV-ja fitoi më së shumti vota në zgjedhje, por jo mjaftueshëm për të qeverisur vetë. Për pasojë, partitë më të mëdha kanë dështuar që të arrijnë konsensus për koalicion qeveritar, dhe janë bllokuar në një mori procesesh, duke nisur nga konstituimi i Kuvendit.
Deputetët kanë mbajtur dhjetëra seanca, dhe kanë dalë disa aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese, mirëpo procesi nuk është finalizuar me sukses.
Aktgjykimi i fundit ka të bëjë me ankesën e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës nga radhët e pakicave.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e shpalli Kuvendin të konstituuar edhe pa zgjedhjen e një nënkryetari serb, por Gjykata konstatoi se diçka e tillë nuk qëndron.
Njohësit e çështjeve politike besojnë se fajin kryesor për situatën e krijuar e ka elita politike, e cila nuk është e interesuar për të gjetur zgjidhje.
Disa, sikurse Dritëro Arifi, besojnë se fajin më të madh për situatën e krijuar e ka LVV-ja.
A do të prodhonin rezultat tjetër zgjedhjet e reja eventuale?
Artan Muhaxhiri beson se po.
“Sipas logjikës politike, do të duhej të kishte [rezultat tjetër], sepse kjo bllokadë ka ardhur kryesisht si pasojë e mungesës së vullnetit politik nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila sërish i dëshironte 50 për qind”, thotë ai.
“Qytetarët e Kosovës do të duhej të votonin në atë mënyrë që t’ua impononin bashkëpunimin, sepse sistemi politik në Kosovë është i tillë që pa një bashkëpunim nuk mund të ketë rezultat”.
Si mund të arrihet deri te zgjedhjet?
Në tekstet e plota të aktgjykimeve të lëshuara këtë vit nga Gjykata Kushtetuese lidhur me krizën në Kuvend, nuk është përmendur ndonjë masë ndëshkuese nëse nuk respektohen afatet kohore të vendimeve që ajo ka marrë.
Arifi beson se ajo vepron kësisoj, pasi nuk mund ta paragjykojë vendimin që marrin deputetët.
“Janë deputetë të zgjedhur, është e vështirë që të penalizohen. Ajo vetëm vlerëson nëse një veprim ka qenë në harmoni me frymën dhe germën e Gjykatës Kushtetuese. Kjo është krejt çfarë mund të bëjë ajo”.
Sipas tij, për të ndryshuar situatën do të nevojitet ndërhyrja e presidentes, Vjosa Osmani.
“Presidentja do të duhet të ishte shumë më aktive, që ta kemi një Kuvend dhe një qeveri, që të lëvizim tutje, sepse jemi në muajin e 10-të që jemi vend i bllokuar, dhe askush nuk mund të jetë krenar për asgjë”, vlerëson ai.
As Muhaxhiri nuk beson se Kushtetuesja mund ta çojë vendin në zgjedhje, sepse kjo është çështje politike.
“Gjithsesi, presidentja do të mund t’i ftonte liderët e partive politike dhe në bashkëpunim me ta të arrinte në konkluzion që zgjedhjet e reja janë e vetmja mënyrë që të dilet nga kjo bllokadë katastrofale që e ka pllakosur Kosovën prej 9 shkurtit”.
Ndërsa gëlojnë diskutimet për zgjedhjet e reja, faktori ndërkombëtar bën thirrje për zbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe për formim të institucioneve sa më shpejt.
Ndër më të fundit ishte apeli i ambasadorit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav: “Ju lutem, konstituojeni Kuvendin dhe ju lutem formojeni një qeveri”.
A do të ketë vesh që e dëgjojnë dhe respektojnë këtë lutje? Të shohim...
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se janë në pritje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e konstitutimit të Kuvendit të Kosovës.
“Ta presim aktgjykimin se çfarë do të thotë”, ka thënë shkurt kryeministri Kurti.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese me 30 shtator 2025 ka nxjerrë vendim me të cilin ka konstatuar se seanca konstituive nuk ka përfunduar si rezultat e moszgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e pakicave serbe.
Deputetët obligohen që ta përfundojnë seancën konstituive brenda afatit 12 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
Në vendimin e marrë më 30 shtator 2025, Kushtetuesja e shpalli të pranueshme kërkesën e parashtruar nga Igor Simiqi dhe nëntë deputetë të tjerë, në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Procesverbaleve të seancave të Kuvendit të Kosovës”, si dhe vendimeve të nxjerra në kuadër të Seancës Konstituive më 26 dhe 28 gusht 2025.
Në njoftimin e Gjykatës, thuhet se seanca konstituive nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me Kushtetutën.
“TË KONSTATOJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; TË URDHËROJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, deputetët urdhërohen që gjatë procedurës që zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga pakica serbe, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
“TË URDHËROJË, të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat], paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit”, thuhet më tej.
Po ashtu, Kushtetuesja ka vendosur që të vazhdojë masën e përkohshme deri në hyrjen e këtij aktgjykimi në fuqi.
“TË VAZHDOJË, masën e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi nga data 5 shtator 2025, deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi; T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve; TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës; TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve, përveç pikës V të dispozitivit, e cila hyn në fuqi menjëherë”, thuhej në njoftimin e Kushtetueses. /Telegrafi/
Profesori Bujar Dugolli ka komentuar mundësitë për konstituimin e plotë të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se zgjidhja më e mirë është sigurimi i pesë votave nga deputetë individualë për të garantuar funksionimin e institucioneve.
“Unë e shoh më të mirën që të gjenden edhe pesë vota nga deputetë individualë, që Kuvendi të konstituohet dhe të mund të kryejë funksionet emergjente. Nëse nuk arrihet marrëveshje mes koalicioneve, nuk mund t’i fusim me zor deputetët në koalicion. Por paktën të dalin pesë deputetë që punojnë vetëm për interesat e Kosovës,” ka deklaruar Dugolli në emisionin FIVE.
Ai ka shtuar se një qeveri e pakicës për disa muaj do të ishte e mjaftueshme për të menaxhuar çështjet emergjente, si miratimi i ligjit për buxhetin e vitit të ardhshëm dhe ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare që lidhen me fondet e BE-së.
“Këto dyja janë interes nacional i shtetit. Ata deputetë që e marrin këtë obligim pavarësisht cilat parti, dalin mbi interesin e partisë. Unë mendoj se janë patriotë të vërtetë. Duhet të konsiderohen si shpëtimtarë të daljes nga kriza, qoftë për një qeveri të pakicës për disa muaj, e mandej vendi të shkojë në zgjedhje”, ka theksuar Dugolli.
Juristi Taulant Hodaj ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me seancën konstituive të Kuvendit, duke theksuar se problematika aktuale është krejt politike.
Ai shtoi se, megjithëse Gjykata Kushtetuese po e luan rolin e vet, vendimet e saj nuk kanë pasoja.
“Është një paaftësi totale e politikës dhe të gjitha subjekteve politike për të ushtruar detyrat dhe të drejtat e veta në konfrom kornizës ligjore dhe kushtetuese që e kemi në Kosovë dhe deri sa ka moskryerje të detyrave atëherë rastet po shkojnë në Kushtetuese. Kushtetuesja përveç që po e luan rolin e vetë. Unë mendoj që nuk po tregon kurrfarë konsekuence po bëhet pjesë e një farë me thënë të ia mbajë “zhagin” politikës që me vazhdu me këtë ngërç. Sepse kur t’i urdhëron në anën tjetër nuk ua ndien farë deputetëve nuk marrin pjesë në votim, dhe nuk ka kurrfarë pasoje atëherë çfarë është qëllimi nëse nuk ka mekanizim nëse nuk veprohet ashtu siç urdhëron Kushtetuesja”, ka deklaruar Hodaj ne emisionin FIVE.
Megjithatë, ai e sheh problematik edhe gjuhën e përdorur në aktgjykim.
“Pak problematike e kam këtë gjuhën e Kushtetueses që i urdhëron, i detyron deputetët të votojnë e të marrin pjesë e kështu me radhë. E në anën tjetër kur nuk votojnë në situate të caktuar dhe nuk ka kurrfarë përsekuence. E në fakt kjo po e bën më konfuze situatën ose duhet me tregu shkaktimin e pasojë në rast të mos vendosjes sipas një vendimi të Kushtueses dhe jo këso gjuhë pasi po len hapësira me vazhdu prapë me ato ndërhyrjet që po i bëjnë deputet dhe të ku jemi”, ka theksuar ai.
Hodaj theksoi se Gjykata Kushtetuese po e tregon pushtetin e vet vetëm sepse politika ka dështuar të kryejë detyrat që i takojnë.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur që seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nuk ka përfunduar, pa zgjedhjen e nënkryetarit serb.
Kjo gjykatë, obligon po ashtu deputetët që të kryejnë edhe çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit nga ky komunitet brenda 12 ditësh, sipas afatit nga aktgjykimi i shkuar.
Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala, tha se Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj të sotëm ka treguar qartë procedura ligjore dhe kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.
Shala thekson për KosovaPress se vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese është përkitazi me atë që e kishte thënë edhe IKD vazhdimisht “se pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve ku përfshihet edhe nënkryetari nga radhët e komunitetit serb, Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituar”.
“Me njoftimin e publikuar nga Gjykata Kushtetuese është konfirmuar ajo që si IKD kemi thënë vazhdimisht se pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve ku përfshihet edhe nënkryetari nga radhët e komunitetit serb, Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituar. Bazuar në njoftimin e publikuar nga Gjykata Kushtetuese, rezulton se ky është vendimi se seanca konstituive nuk ka përfunduar dhe për pasojë me rastin e publikimit të aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese që paraqet edhe momentin e hyrjes në fuqi të aktgjykimit, deputetët duhet të mblidhen jo më vonë se 48 orë për të zgjedhur nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb. Sipas njoftimit Kuvendi duhet ta përfundojë këtë proces brenda 12 ditëve nga momenti i hyrjes në fuqi të aktgjykimit”, ka thënë Shala.
Shala thotë se Kushtetuesja është e qartë në vendimin për konstituim të Kuvendit, por sipas tij, këto mbetet të shihet nga momenti i publikimit të aktgjykimit të plotë nga ana e Gjykatës Kushtetuese për seancat e radhës.
“Bazuar në njoftimin e publikuar nga Gjykata Kushtetuese, Kushtetuesja ka urdhëruar të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, që në përputhje me kushtetutën gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, ta ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit. Potencialisht mund të ketë edhe një sërë përfundimesh dhe standardesh përkitazi me këtë çështje të cilat janë trajtuar nga Gjykata Kushtetuese, porse këto mbetet të shihen nga momenti i publikimit të aktgjykimit të plotë nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, ka shtuar ai.
Kosova nuk ka themeluar institucionet e reja edhe tetë muaj pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u mbyll më 30 gusht nga kryeparlamentari Dimal Basha, ani pse deputetët nuk arritën të zgjedhin nënkryetarin nga komuniteti serb, krahas zgjedhjes së kryetarit dhe katër nënkryetarëve të tjerë të legjislativit.
Basha në arsyetimin e tij, ka thënë se ka ndërmarrë këtë veprim për të mos u bllokuar shteti dhe për të vijuar punën Kuvendi, rrjedhimisht edhe për të formuar qeverinë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka paralajmëruar se nesër pritet një vendim historik i kësaj gjykate lidhur me mënyrën e konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë.
Në një reagim të tij, Kryeziu ka theksuar se debati publik është përqendruar tek mënyrat e zgjedhjes së nënkryetarëve, por sipas tij thelbi i çështjes është vetë konstituimi i Kuvendit.
“Nëse Gjykata thotë se Kuvendi nuk mund të konstituohet pa zgjedhur të gjithë nënkryetarët – pra se Kuvendi nuk mund të ushtrojë asnjë kompetencë – atëherë një komuniteti i jepet çelësi i shtetit. Kjo nuk është interpretim kushtetues, kjo është vetëvrasje shtetërore,” ka deklaruar ai.
Kryeziu ka bërë të ditur se gjatë këtij muaji ekspertë kanë punuar për të ofruar analiza dhe materiale juridike në mbështetje të gjyqtarëve, duke nënvizuar se vetoja nuk ka asnjë bazë në Kushtetutë.
Ai ka paralajmëruar se çdo vendim i kundërt do të ishte i rrezikshëm dhe me pasoja të rënda.
“Historia e ka parë këtë skenar më 28 mars 1989, kur na thoshin se ‘asgjë e keqe nuk do të ndodhte’ nga amendamentet kushtetuese. Por çdo e keqe ndodhi. Sot rreziku është edhe më i madh.”
Në fund, ai ka theksuar se përgjegjësia e gjyqtarëve është e madhe, pasi vendimi i tyre nuk do të mbetet vetëm çështje juridike, por edhe gjykim i historisë.
“Petku i gjykatësit kushtetues nuk të mbron dot nga gjykimi i historisë.”
Hedhja ndaras në votim e kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës nga komunitetet pakicë u bë shkas që më 5 shtator Gjykata Kushtetuese e Kosovës të vendoste një masë të përkohshme, duke ua ndaluar deputetëve të ndërmerrnin veprime dhe të zhvillonin ndonjë procedurë për formimin e qeverisë së re të vendit për shkak të dyshimeve për shkelje kushtetuese.
Lista Serbe u ankua në Kushtetuese për veprimin e kreut të ri të Kuvendit, Dimal Basha, i cili, më vonë, do ta shpallte organin ligjvënës të konstituuar, pavarësisht moszgjedhjes së nënkryetarit nga minoriteti serb.
Kushtetuesja tha se masën, që do të jetë në fuqi deri sa ajo të nxjerrë një aktgjykim, e vendosi në mënyrë ex officio, dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, duke e arsyetuar me “evitimin e rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme”.
Si mund ta gjykojë Kushtetuesja çështjen?
Zahir Çerkini, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kushtetuesja është mbështetur gjithmonë në praktikën e konstituimit të Kuvendit.
Ai parasheh se Gjykata do “të konstatojë se shkelja e vetme ka qenë ndarja e votimit të nënkryetarëve, pasi praktika e deritanishme kërkon zgjedhjen e tyre në pako”.
Çerkini nuk pret “që Gjykata të merret me çështje politike, siç është diskutimi se kush duhet të jetë nënkryetar nga komuniteti serb. Një gjë e tillë nuk është përgjegjësi e saj. Roli i Gjykatës është vetëm të garantojë respektimin e Kushtetutës dhe të procedurës”.
Vendim të ngjashëm pret edhe Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi.
Por, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, ka pritje të tjera.
“Ne presim që Kuvendi të konfirmohet si i konstituuar, ngase Kryetari i Kuvendit i ka respektuar dhe ndjekur të gjitha procedurat e parashikuara me Kushtetutë, jurisprudencën e Gjykatës dhe Rregulloren e Kuvendit”, thuhet në një deklaratë të Zyrës për Media të LVV-së dhënë REL-it.
Për LVV-në, përfaqësuesja e pakicave joserbe, Emilija Rexhepi, e cila u zgjodh nënkryetare e Kuvendit, u votua “në mënyrë të rregullt dhe nuk ka drejtë askush t'ia marrë këtë të drejtë grupit multietnik”.
Votimi për nënkryetarët
Për dallim prej kandidates së komuniteteve të tjera minoritare, asnjëri nga 10 përfaqësuesit e komunitetit serb nuk arriti të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit.
Kandidati i vetëm që propozoi Lista Serbe, e cila në Kuvend ka 9 nga 10 vendet e rezervuara për serbët, nuk i siguroi 61 votat e nevojshme as pas tri rundeve të votimit.
Pasi partia që gëzon mbështetjen e Beogradit nuk pranoi të propozonte për nënkryetar dikë tjetër përveç Sllavko Simiqit, kryetari Basha hodhi short, sipas Rregullores së punës së Kuvendit, për të nxjerrë një emër tjetër.
As të tjerë nga Lista Serbe, e as Nenad Rashiq nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, aktualisht ministër në detyrë në qeverinë e Albin Kurtit, nuk i morën votat e nevojshme, me ç’rast Basha në mënyrë të njëanshme e mbylli si të përfunduar seancën konstituive.
Miftaraj thotë për REL-in se “nëse merren për bazë aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 dhe 2025 dhe standardi që është ndërtuar në 11 vjetët e fundit lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Gjykata Kushtetuese mund të vendosë kthimin e votimit në pako për dy nënkryetarët e komuniteteve joshumicë”.
Sipas tij, nëse nga Gjykata “merret për bazë Rregullorja e Punës e Kuvendit, e miratuar nga legjislatura e kaluar, mund të sqarohet procedura e votimit të kandidatëve që kanë shumicën e votave të deputetëve nga pakicat”.
E, pastaj? Çerkini beson se Gjykata do “të theksojë se procedura e konstituimit duhet të vazhdojë aty ku ka mbetur, duke u shfrytëzuar ditët e mbetura nga afati 30-ditor” i një aktgjykimi paraprak.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, u takua me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Nexhmi Rexhepi, duke theksuar rëndësinë e respektimit të vendimeve të gjykatës në lidhje me formimin e Kuvendit të Kosovës.
Në njoftimin e ambasadës thuhet se Mbretëria e Bashkuar pret që udhëheqësit politikë të zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, me qëllim që të mbyllet ngërçi politik që ka bllokuar vendin për një kohë të gjatë.
“Kuvendi dhe qeveria e re duhet të fillojnë punën në interes të qytetarëve të Kosovës,” citohet të ketë thënë ambasadori Hargreaves.
Ambasada britanike gjithashtu ka theksuar se puna e Gjykatës Kushtetuese është jetike për mbrojtjen dhe ruajtjen e Kushtetutës së Kosovës, duke nënvizuar se pavarësia e saj është themelore për funksionimin e drejtësisë në vend.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani i ka dërguar komentet në Gjykatën Kushtetuese pas vendosjes së masës së përkohshme nga Kushtetuesja lidhur me konstituimin e Kuvendit.
Lidhur me këtë e para e shtetit ka mbajtur një konferencë për media, gjersa ka theksuar se po synohet të bllokohet shteti për një nënkryetar.
Presidentja në përfundim të komenteve të saj ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese të mos lejojë që cilado parti politike apo komunitet të ketë të drejtën e vetos në procese jetike për shtetin, siç është konstituimi i organit më të lartë përfaqësues të tij.
“Në bazë të asaj që u argumentua si dhe duke pasur parasysh natyrën përfundimtare të interpretimeve të Gjykatës Kushtetuese, Gjykata ka para saj mundësinë për ta përcaktuar një standard tejet të rëndësishëm për rastin në fjalë dhe secilin proces të ardhshëm të konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Prandaj, me respekt kërkoj nga Gjykata Kushtetuese që të mos lejojë që cilado parti politike apo komunitet të ketë të drejtën e vetos në procese jetike për shtetin, siç është konstituimi i organit më të lartë përfaqësues të tij. Çdo përcaktim ndryshe, rrezikon që të legjitimojë bllokime procedurale të themelimit të institucioneve kyçe, në nivel të normës kushtetuese, juridikisht të detyrueshme”, thuhet në përfundim të komenteve.
Tutje në përfundim të komenteve thuhet se vetoja mbi Republikën nuk ka qenë kurrë as qëllimi i themeluesve të shtetit, e as i hartuesve të Kushtetutës.
“Duke ia dhënë një partie politike që përfaqëson një komunitet veton mbi funksionalizimin e Kuvendit, e rrjedhimisht edhe të Qeverisë, Presidencës, e gati çdo institucioni tjetër shtetëror që zgjedhet në Kuvend, Republika do të zhvleftësohej duke u shndërruar në një parim në letër, në vend se të jetë veprim i çdoditshëm në mbrojtje të sovranitetit e të interesave të të gjithë qytetarëve, pa dallim”, thuhet tutje.
Sipas saj, është në duar të kësaj Gjykate, që ta mbrojë shtetin nga rreziku që po i kanoset.
“Vendimi në rastin konkret nuk ka të bëjë thjesht me një pozitë të një nënkryetari nga komuniteti serb, por lidhet me funksionalitetin e shtetit tonë si tërësi. Në marrjen e këtij vendimi, shpresoj se do të udhëhiqeni nga mbrojtja e interesit më të mirë të Republikës së Kosovës, në përputhje me Kushtetutën dhe siç ju ngarkon betimi që keni dhënë ndaj Republikës së Kosovës”, thuhet në komente.
Komentet e presidentes Osmani mund t’i lexoni më poshtë. /Telegrafi/