Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Komuna e Mitrovicës instalon ashensor për qasje më të lehtë të personave me nevoja të veçanta

29 December 2025 at 09:05


Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka njoftuar se objekti i Komunës do të pajiset përfundimisht me ashensor, duke krijuar kushte më të mira të qasjes për personat me nevoja të veçanta.

Përmes një njoftimi publik, Peci theksoi se instalimi i ashensorit do të mundësojë lëvizje më të lehtë dhe më të sigurt për qytetarët që kanë vështirësi në qasje, duke e bërë institucionin komunal më gjithëpërfshirës dhe më të qasshëm për të gjithë.

Ky projekt, sipas tij, është pjesë e angazhimit të Komunës së Mitrovicës për përmirësimin e infrastrukturës publike dhe respektimin e standardeve të qasjes universale.

“Nuk ndalemi”, ka shkruar kryetari Peci, duke sinjalizuar vazhdimin e investimeve dhe projekteve që synojnë rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët e Mitrovicës. /Telegrafi/


Barnatorja qendrore në spitalin e Mitrovicës hapet një vit pas fillimit të punimeve

24 December 2025 at 15:33


Në spitalin “Dr. Sami Haxhibeqiri” të Mitrovicës së Jugut, sot më 24.12.2025 është hapur barnatorja qendrore e cila kishte filluar të ndërtohej para një viti.

Kështu ka njoftuar ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ai tha se kur e morën përgjegjësinë e qeverisjes në kohë pandemie, gjetën një gjendje alarmante në shëndetësi.

“QKUK-ja pa depo të duhur për ruajtjen e vaksinave, Kosova pa depo qendrore të barnave dhe spitalet publike pa kushte adekuate për ruajtjen e tyre”- shkroi ai në rrjetin social Facebook.

Në një përgjigje për KALLXO.com, ushtruesi i detyrës së drejtorit të spitalit, Gëzim Berisha theksoi se deri më tani ka qenë procedurat për t’u pajisur me inventar kjo depo e barnave.

“Deri tash kemi qenë në procedurë për ta blerë inventarin dhe pajisjet që janë brenda, e të cilat i ka blerë ShSKUK-ja. Tash kanë përfunduar procedurat”- tha Berisha.

Më 28.10.2024, Ministria e Shëndetësisë kishte filluar punimet për ndërtimin e Barnatores Qendrore në Spitalin “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë të Jugut.

Ndërsa më 20.11.2024, kjo komunë kishte ndërprerë punimet me arsyetimin se “Ministria nuk kishte marrë leje për ndërtim”.

Po në këtë ditë, Vitia, kishte njoftuar se ky projekt po vazhdon me intensitet dhe se ai do të sigurojë kushte optimale për ruajtjen dhe qëndrueshmërinë e produkteve medicinale.

Mirëpo intensitetin e vazhdimin e punimeve e kishte ndërprerë Drejtoria e Inspeksionit e Komunës së Mitrovicës së Jugut me arsyetimin se nuk është kërkuar leje për këtë ndërtim.

Kështu tha për KALLXO.com ish drejtori i Inspeksionit në këtë Komunë, Valon Brahimi.

“Është objekt që bën pjesë në kategorinë e parë dhe ne në bazë të Ligjit për ndërtim e kemi obligim me e mbikëqyr. Ka qenë vizitë rutinore, kemi hasur që është duke u ndërtuar pa leje ndërtimi dhe i kemi ndërprerë punimet. E kemi obliguar palën që në afat të caktuar me u pajisë me leje pranë Drejtorisë së Urbanizimit”- kishte thënë ai.

Më 16.06.2025, për punimet rreth përfundimit të objektit të depos farmaceutike, Spitali i Mitrovicës, ka shpërblyer me kontratë N.N.P “Hysnia” Vushtrri, në vlerë totale të ofertës, 23 mijë euro e 275 euro e 50 cent.

Peci priti ambasadorin britanik, diskutojnë investimet strategjike për Mitrovicën

22 December 2025 at 09:52


Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka pritur në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin dhe projektet zhvillimore me interes për qytetin.

Gjatë takimit, palët u fokusuan në projekte konkrete zhvillimore, me theks të veçantë në investime strategjike që synojnë zhvillim të qëndrueshëm dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve të Mitrovicës.

“Kemi synim që Mitrovica të jetë në fokus të komunitetit të donatorëve për investime strategjike si asnjëherë më parë”, ka theksuar kryetari Peci, duke ritheksuar angazhimin e tij që qyteti të jetë pjesë aktive e projekteve dhe iniciativave ndërkombëtare.

Nga ana e saj, Komuna e Mitrovicës ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar për forcimin e partneriteteve ndërkombëtare, me qëllim nxitjen e zhvillimit lokal dhe realizimin e projekteve në interes të përgjithshëm publik. /Telegrafi/


Peci: Çdo të premte, do t’ia dedikoj secilit qytetar nga secila lagje

19 December 2025 at 10:08


Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka bërë të ditur se çdo të premte do t’i dedikohet qytetarëve për takime të drejtpërdrejta, duke dëgjuar shqetësimet dhe nevojat e tyre.

“Çdo hall dëgjohet dhe, me mundësi financiare e bazë ligjore, do të adresohet”, shkroi Peci, duke theksuar rëndësinë e kontaktit të drejtpërdrejtë me qytetarët, përcjell Telegrafi.

Ai shtoi se këto takime do të jenë të hapura për të gjithë banorët nga çdo lagje, fshat dhe lokalitet i komunës: “Çdo të premte, do t’ia dedikoj secilit qytetar nga secila lagje, secili fshat e secili lokalitet”.

Qytetarët mund të caktojnë termin për takim përmes kabinetit të kryetarit në numrin 038 200 420 00.

Kjo nismë synon të forcojë bashkëpunimin mes pushtetit lokal dhe komunitetit, duke garantuar që nevojat e qytetarëve trajtohen me përgjegjësi dhe transparencë. /Telegrafi/


Komuna e Mitrovicës merr vendim që shërbimet administrative për qytetarë të realizohen edhe gjatë fundjavës

18 December 2025 at 10:31


Mitrovica e Jugut ka vendosur që sektori i Gjendjes Civile të ofrojë shërbime për qytetarët edhe gjatë vikendeve, në periudhën kur mërgata viziton Kosovën në numër të madh.

Kryetari i Komunës, Faton Peci, tha për këtë iniciativë: "Sot mora vendimin për ofrimin e shërbimeve për qytetarët nga Komuna e Mitrovicës edhe gjatë vikendit. Duke marrë parasysh që në këtë periudhë, kur mërgata në numër të madh viziton Kosovën, Sektori i Gjendjes Civile do të jetë në shërbim të tyre edhe gjatë vikendit".

Ai theksoi se vendimi hyn në fuqi nga data 20 dhjetor 2025 dhe do të zgjasë deri më 4 janar 2026, me orar pune nga ora 08:00 deri në 12:00.

"Ky vendim ka për qëllim të lehtësojë shërbimet administrative dhe të sigurojë që qytetarët, veçanërisht ata që vijnë nga diaspora, të kenë qasje të shpejtë dhe të rregullt në shërbimet komunale", thuhet më tej në postimin e Pecit.

Komuna e Mitrovicës së Jugut apelon tek qytetarët që të përfitojnë nga ky shërbim i zgjeruar dhe të respektojnë orarin e caktuar për marrjen e dokumenteve dhe shërbimeve të tjera administrative. /Telegrafi/


Peci dhe Kurti diskutuan për prioritetet zhvillimore të Mitrovicës pas inaugurimit të urës mbi Ibër

18 December 2025 at 09:31


Në Mitrovicë është inauguruar ura e re për këmbësorë mbi lumin Ibër, në një ceremoni ku morën pjesë kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, si dhe ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durimishi.

Sipas njoftimit të Komunës, kjo vepër infrastrukturore përfaqëson një investim të rëndësishëm për qytetin, duke rritur sigurinë e këmbësorëve, përmirësuar lidhshmërinë urbane dhe kontribuar në zhvillimin e përgjithshëm të Mitrovicës.

Pas inaugurimit, kryeministri Kurti vizitoi Komunën e Mitrovicës, ku zhvilloi një takim me kryetarin Peci. Me këtë rast, Kurti e uroi Pecin për marrjen e detyrës së re si kryetar i komunës dhe shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për bashkëpunim të ngushtë institucional në realizimin e projekteve me rëndësi për qytetin.

Gjatë takimit u diskutua për prioritetet zhvillimore të Mitrovicës, projektet infrastrukturore në proces dhe nevojën për koordinim më të madh ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, me synimin për përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Nga Komuna e Mitrovicës u theksua se do të vazhdojë angazhimi për ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme me institucionet qendrore dhe për realizimin e projekteve që sjellin zhvillim të qëndrueshëm dhe përfitime konkrete për qytetarët. /Telegrafi/


Ura e re mbi Ibër, Peci: Investim që lidh qytetin dhe qytetarët

17 December 2025 at 18:37


Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka bërë të ditur se sot është inauguruar ura e re për këmbësorë mbi lumin Ibër, në prani të Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ushtruesit të detyrës së ministrit të MMPHI-së, Hysen Durimishi.

Përmes një postimi në Facebook, Peci e ka cilësuar këtë projekt si një vepër të rëndësishme infrastrukturore për qytetin, duke theksuar se ura simbolizon bashkimin dhe zhvillimin urban të Mitrovicës.

“Përfundimisht Mitrovica po merr drejtimin e duhur dhe urat që kanë mision dhe janë sinonim i bashkimit po marrin drejtimin e duhur. Kjo është realizuar falë angazhimit të kryeministrit Kurti”, ka deklaruar Peci.

Ai ka shtuar se pas luftës, Mitrovica për një kohë të gjatë nuk ka pasur vëmendjen e duhur nga institucionet qendrore, ndërsa sipas tij, në katër vjetët e gjysmë të fundit kjo qasje ka ndryshuar dukshëm.

“Fatkeqësisht, për një periudhë të gjatë Mitrovica është parë si problem i mitrovicasve. Ndërsa në këta katër vjet e gjysmë të fundit kemi pasur vëmendje të shtuar dhe konkrete nga institucionet qendrore”, është shprehur kryetari i Mitrovicës së Jugut.

Ura e re për këmbësorë pritet të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe të kontribuojë në përmirësimin e lidhjes urbane në qytet. /Telegrafi/


Komuna e Mitrovicës themelon Ekipin Mjekësor Geriatrik Mobil për kujdesin ndaj të moshuarve

17 December 2025 at 16:08


Komuna e Mitrovicës ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe sociale për qytetarët e moshuar, duke themeluar Ekipin Mjekësor Geriatrik Mobil.

Vendimi është marrë nga kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, i cili me vendimin e tij të dytë ka funksionalizuar këtë shërbim të ri dhe unik në kuadër të Qendrës së Mjekësisë Familjare.

Për herë të parë në Mitrovicë, një ekip i specializuar geriatrik do të ofrojë shërbime mjekësore të drejtpërdrejta për personat mbi moshën 65 vjeç, veçanërisht për ata që vuajnë nga sëmundje kronike apo kanë kufizime fizike.

Sipas njoftimit të komunës, Ekipi Geriatrik Mobil do të ofrojë trajtim mjekësor, si dhe mbështetje fizike, psikologjike dhe sociale, duke synuar që shërbimet shëndetësore t’u afrohen sa më shumë të moshuarve dhe të kontribuohet në rritjen e cilësisë së jetës së tyre.

Kryetari Peci ka theksuar rëndësinë e këtij projekti, duke vlerësuar kontributin e brezit të moshuar në ndërtimin e qytetit. “

Mundi i tyre janë rrënjët mbi të cilat qëndron qyteti, dhe ne ua kemi borxh minimumin, të kujdesemi për ta”, ka deklaruar ai.

Nga Komuna e Mitrovicës bëhet e ditur se ky shërbim do të vazhdojë të zhvillohet edhe më tej, me synimin për të ndërtuar një sistem më gjithëpërfshirës dhe më të afërt të kujdesit për të moshuarit. /Telegrafi/


Themelimi i Komisionit për identifikimin e nevojave për fëmijët me nevoja të veçanta arsimore, Peci: Vendimi i parë si kryetar

16 December 2025 at 10:23


Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci ka thënë se vendimi i tij i parë si kryetar është themelimi i komisionit për Identifikimin e Nevojave për Fëmijët me Nevoja të Veçanta Arsimore.

Ai në një postim në Facebook shkruan se pasqyra më e mirë e një shoqërie është se si iu qaset këtyre kategorive.

Lexoni të plotë postimin:

Vendimi i parë si kryetar që e mora është themelimi i komisionit për Identifikimin e Nevojave për Fëmijët me Nevoja të Veçanta Arsimore.

Ky komision do identifikojë me saktësi nevojat e nxënësve, me fokus ata me vështirësi në të nxënë dhe me nevoja të veçanta.

Pasqyra më e mirë e një shoqërie është se si iu qaset këtyre kategorive. /Telegrafi/


Pasi Osmani vizitoi kryetarin e Mitrovicës, reagon Hoti: Shkuarja për ta uruar ish-bashkëthemeluesin saj është shkelje e hapur kushtetuese

15 December 2025 at 13:04


Pas vizitës që ia bëri sot presidentja e vendit, Vjosa Osmani ish bashkpartiakut të saj Faton Peci i cili tashmë udhëheq më Komunën e Mitrovicës, ka reaguar ish-deputeti Avdullah Hoti.

Hoti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se kur Presidentja zgjedh kë të urojë sipas afërsisë partiake “Zyra e Presidentit shndërrohet në zyrë politike”.

Ai tha se shkuarja në Mitrovicë për ta uruar ish-bashkëthemeluesin e partisë është shkelje e hapur e rolit kushtetues.

“Kjo Presidente nuk përfaqëson unitet, por favorizime dhe përçarje”, ka shkruar ndër të tjera Hoti. /Telegrafi/


Faton Peci betohet si kryetar i ri i Komunës së Mitrovicës

12 December 2025 at 22:43


Në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” është mbajtur sot mbledhja inauguruese e Kuvendit Komunal, ku Faton Peci ka dhënë betimin dhe ka marrë zyrtarisht detyrën e kryetarit të Komunës së Mitrovicës për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Mbledhja është udhëhequr nga anëtari më i vjetër i Kuvendit, Naser Muja, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Në këtë seancë kanë bërë betimin solemn edhe 30 anëtarët e rinj të Kuvendit, të zgjedhur në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.

Pas betimit, kryetari Peci u shpreh mirënjohës për besimin e dhënë nga qytetarët e Mitrovicës, duke theksuar peshën e madhe të përgjegjësisë që merr përsipër.

“Mitrovica, ky qytet i historisë, krenarisë, rezistencës, vuajtjes e mosdorëzimit, këtë vit ka bërë për mua maksimumin e mundshëm. Përgjegjësia për mua është tepër e lartë. Nga sot dera ime është e hapur për secilin, me apo pa protokoll”, deklaroi Peci.

Ai shtoi se do të punojë “me ndershmëri, me zemër, me durim e me drejtësi”, duke apeluar për dashuri dhe përkushtim ndaj qytetit.

“Na duhet dashni për qytetin, na duhet kujdes, na duhet përkushtim, sepse Mitrovica është jo vetëm qyteti ynë, por edhe zemra e Kosovës”, tha kryetari i ri.

Pas ceremonisë së betimit, është kryer edhe dorëzimi zyrtar i detyrës, ku Faton Peci ka pranuar postin nga ish-kryetari Bedri Hamza, duke shënuar kështu fillimin e mandatit të tij si udhëheqës i Komunës së Mitrovicës.

Faton Peci betohet si Kryetar i ri i Komunës së Mitrovicës

12 December 2025 at 14:37


Në një ceremoni solemne të mbajtur sot në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, Faton Peci dha betimin dhe mori zyrtarisht detyrën si Kryetar i Komunës së Mitrovicës për katër vitet e ardhshme.

Mbledhjen inauguruese e udhëhoqi anëtari më i vjetër i Kuvendit, Naser Muja nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa në këtë seancë u bë edhe betimi i 30 anëtarëve të Kuvendit, të zgjedhur në zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor 2025.

Në fjalimin e tij pas betimit, kryetari Peci shprehu mirënjohje për besimin që qytetarët i kanë dhënë dhe theksoi përgjegjësinë e madhe që vjen me këtë detyrë.

Ai theksoi se dera e tij do të jetë e hapur për të gjithë qytetarët, pa dallime apo protokolle, dhe premtoi të punojë me ndershmëri, zemër, durim dhe drejtësi.

“Na duhet dashni për qytetin, na duhet kujdes, na duhet përkushtim, sepse Mitrovica është jo vetëm qyteti ynë, por edhe zemra e Kosovës”, tha Peci, duke theksuar përkushtimin e tij ndaj komunitetit dhe zhvillimit të qytetit.

Ceremonia përfundoi me dorëzimin dhe pranimin e detyrës, ku Faton Peci e mori zyrtarisht drejtimin e komunës nga ish-kryetari Bedri Hamza.

Në këtë mënyrë, Mitrovica fillon një kapitull të ri me udhëheqësin e ri, i cili premton qeverisje të hapur dhe angazhim të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve. /Telegrafi/


KRM “Uniteti” nënshkruan marrëveshjen e re për pastrimin publik në Mitrovicë

1 December 2025 at 14:40


Kompania Rajonale e Mbeturinave “Uniteti” ka njoftuar se sot është nënshkruar marrëveshja e re për shërbimet e fshirjes dhe larjes së rrugëve, si dhe largimin e deponive ilegale në territorin e Komunës së Mitrovicës.

Përmes kësaj marrëveshjeje janë përcaktuar qartë obligimet e palëve për kryerjen e të gjitha shërbimeve të pastrimit publik, duke përfshirë mirëmbajtjen e hapësirave publike, pastrimin mekanik dhe manual të rrugëve, si dhe eliminimin e deponive ilegale në të gjitha zonat e qytetit.

Sipas njoftimit të KRM “Uniteti”, menjëherë pas finalizimit të marrëveshjes, ekipet operative kanë dalë në terren dhe kanë filluar zbatimin e detyrave të planifikuara.

Kompania ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar se situata e krijuar ditëve të fundit “ka ndodhur pa fajin tonë”.

“KRM ‘Uniteti’ mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve cilësore dhe në garantimin e një mjedisi të pastër dhe të shëndetshëm për të gjithë qytetarët e Mitrovicës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


Një nga rrugët e Nju Jorkut merr emrin "Isa Boletini"

1 December 2025 at 08:45


Të dielën është përuruar emërtimi i njërës prej rrugëve të Nju Jorkut me emrin e heroit tonë, Isa Boletini.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, i cili ishte i pranishëm në këtë përurim, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se ky moment shënon jo vetëm respektin ndaj një simboli të pathyeshëm të lirisë, por edhe lidhjen e fortë dhe të qëndrueshme ndërmjet popullit shqiptar dhe ShBA-së.

“Me ftesë të Kongresit Amerikan, pata nderin e veçantë që sot në Nju Jork të jem pjesë e përurimit të rrugës që tani e tutje mban emrin e heroit tonë kombëtar, Isa Boletini, një prej figurave më të mëdha të historisë së Shqipërisë dhe Kosovës. Ky moment shënon jo vetëm respektin ndaj një simboli të pathyeshëm të lirisë, por edhe lidhjen e fortë dhe të qëndrueshme ndërmjet popullit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara. ‘Isa Boletini’ në Nju Jork është një mesazh i fuqishëm për brezat e rinj se liria dhe dinjiteti janë vlera që duhet mbrojtur çdo ditë”, ka shkruar Peci. /Telegrafi/


Qytetarët tentojnë të ofrohen te Qendra e Numërimit, reagon policia

11 November 2025 at 22:20


Një numër i qytetarëve ka ardhur tek Qendra e Numërimit në Mitrovicë të Jugut, të cilët kanë tentuar të afrohen afër QNK-së, por Policia e Kosovës nuk i ka lejuar, duke kërkuar nga ata që të largohen nga kjo pjesë.

Qytetarët i kanë thënë KosovaPress-it prapa kamerave se kanë ardhur vetëm të shikojnë se si është gjendja.

Gëzim Stavileci, ish-drejtor i administratës në Komunën e Mitrovicës së Jugut, u bëri thirrje qytetarëve të largohen dhe mos të bëjnë presion.

Kurse, qytetarët brohorasin “Duam rivotim”, “Duam drejtësi”, “Hajnat në burg”, ndërsa më pas janë larguar.

Përndryshe, në Qendrën e Numërimit në Mitrovicë po vazhdon rinumërimi i votave, pas vendimit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

Aty ishte ndërprerë rinumërimi për shkak të dyshimit për keqpërdorim të votave.

Rruga Kërpimeh-Bajgorë-Mitrovicë do të mbyllet për katër ditë për shkak të asfaltimit

11 November 2025 at 18:23


Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se nga 12 deri më 15 nëntor, do të fillojë asfaltimi i shtresës përfundimtare në projektin e rikonstruimit të rrugës regjionale Kërpimeh-Bajgorë-Mitrovicë (R129).

Sipas ministrisë, pjesa e rrugës nga Picel (Bajgorë) – Kaqandoll – Kërpimeh do të jetë e pakalueshme për qarkullim gjatë kryerjes së punimeve.

Autoritetet bëjnë të ditur se qytetarët duhet të përdorin rrugët alternative për të shmangur vonesat dhe vështirësitë në qarkullim.

“Kërkojmë nga qytetarët që gjatë këtyre ditëve të shfrytëzojnë rrugët alternative,” bëhet apel nga Ministria e Infrastrukturës, duke theksuar rëndësinë e respektimit të sinjalistikës dhe udhëzimeve të ekipeve në terren.

Ky investim është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në rajon dhe rritjen e sigurisë së qarkullimit për qytetarët. /Telegrafi/

Krasniqi: Respekt për yllin e kësaj fushate Arian Tahiri, i vetëm përballë tërë aparatit shtetëror bëri një garë të fortë dhe dinjitoze

10 November 2025 at 13:38


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pas zgjedhjeve të djeshme ka thënë se PDK-ja e ka përmbyllur me sukses një tjetër kapitull të rëndësishëm të jetës demokratike të vendit tonë.

Ai përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se me 187,526 vota, PDK u konfirmua si partia më e votuar në Kosovë.

Tutje ai tha se PDK ka 206 asamblistë të zgjedhur e që sipas tij “mbetëm forca me përfaqësimin më të gjerë lokal në vend”.

“Dhe me gjashtë komuna të fituara, Ferizaj, Prizren, Skenderaj, Vushtrri, Kaçanik dhe Han i Elezit, PDK dëshmoi se suksesi ndërtohet mbi punë me rezultate dhe përfaqësim me dinjitet. Në katër prej ballafaqimeve direkte në balotazh me pushtetin qëndror, ne i fituam tri prej tyre”, ka shkruar Krasniqi.

Siç u shpreh i pari i PDK-së, disa gara kanë qenë më të vështira, madje edhe të pabarabarta.

“Por për ne, çdo përpjekje e ndershme është fitore në vetvete, sepse PDK nuk e mat suksesin vetëm me numra, por me qëndresën, qetësinë dhe përgjegjësinë me të cilat e përfaqëson qytetarin në çdo rrethanë. Sot dua të falënderoj nga zemra të gjithë kandidatët tanë për kryetarë komunash, në çdo qytet të Kosovës, për angazhimin, dinjitetin dhe energjinë që kanë dhënë gjatë këtij procesi. Për shumë prej tyre, koha do të vijë, sepse puna, karakteri dhe përkushtimi që kanë dëshmuar janë garanci për të ardhmen”.

Krasniqi po ashtu ka shprehur mirënjohjen dhe respektin e veçantë për mikun e tij apo siç e quajti “yllin e kësaj fushate, Arian Tahirin në Mitrovicë, i cili, i vetëm përballë tërë aparatit shtetëror, bëri një garë të fortë, dinjitoze dhe të ngushtë deri në fund”. /Telegrafi/


Peci: Mitrovica do të ketë qeverisje që dëgjon, reagon dhe e mban fjalën

10 November 2025 at 12:39


Kandidati për kryetar të Mitrovicës nga LVV, Faton Peci i cili sipas rezultateve të deritanishme të KQZ-së ka dalur fitues, ka falenderuar qytetarët për besimin e dhënë për të qenë në krye të kësaj komune.

Peci përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se është i vetëdijshëm për përgjegjësinë që është duke e marr, duke i siguruar qytetarët se asnjë ditë e këtij mandati nuk do t’i shkojë dëm.

"Do të punoj me përulësi para qytetarëve të mi, me vendosmëri, përgjegjësi e integritet kundër krimit e korrupsionit, me transparencë e llogaridhënie në çdo vendim, me respekt e mirënjohje për çdo lagje, çdo fshat e çdo familje të Mitrovicës", ka shkruar Peci.

Më poshtë lexoni të plotë postimin e Pecit:

“as shpalljes së rezultatit të mbrëmshëm, dua t’ju drejtohem me një falënderim të përzemërt, meqë me besimin tuaj më keni dhënë përgjegjësinë më të madhe gjatë gjithë jetës sime politike, të shërbej tashmë si Kryetar i Mitrovicës sonë.

Faleminderit për besimin dhe mbështetjen, për durimin dhe punën e palodhshme, për angazhimin, për çdo derë të hapur, për çdo takim, për çdo fjalë mbështetjeje. Kjo fitore është e juaja, është e Mitrovicës dhe e gjithë qytetarëve të saj që nuk janë lodhur së kërkuari dinjitet, drejtësi dhe qeverisje të ndershme.

Jam thellësisht i gëzuar dhe i nderuar, por mbi të gjitha i vetëdijshëm për përgjegjësinë që po marr para jush, duke ju siguruar se asnjë ditë e këtij mandati nuk do të na shkojë dëm. Do të punoj me përulësi para qytetarëve të mi, me vendosmëri, përgjegjësi e integritet kundër krimit e korrupsionit, me transparencë e llogaridhënie në çdo vendim, me respekt e mirënjohje për çdo lagje, çdo fshat e çdo familje të Mitrovicës.

Dua të falënderoj nga zemra strukturat, anëtarët dhe aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Partisë Guxo; vullnetarët, kandidatët, shtabin, të rinjtë dhe të rejat dhe të gjithë bashkëpunëtorët tanë që nuk u ndalën asnjë ditë. Pa ju, pa punën tuaj të palodhur, kjo fitore nuk do të ishte e mundur.

Falënderim i veçantë për Kryeministrin Albin Kurti për mbështetjen dhe besimin gjatë gjithë këtij rrugëtimi. Shembull i njeriut të drejtë e trim, i ndershëm e sypatrembur, që i doli zot Mitrovicës dhe Republikës, nuk u tërhoq përballë kërcënimeve, shantazhit e presioneve të padrejta, goditi në rrënjë kontrabandën, krimin, strukturat paralele dhe të gjitha padrejtësitë e grumbulluara me vite, duke i kthyer qytetarëve besimin, sigurinë dhe dinjitetin, e Mitrovicës madhështinë e krenarinë.

Nga sot, Mitrovica do të ketë qeverisje që dëgjon, që reagon dhe që mban fjalën. Buxheti i komunës do të kthehet në projekte konkrete, në infrastrukturë, arsim, shërbime cilësore dhe hapësira të denja për jetën e përditshme. Të rinjtë tanë duhet ta shohin të ardhmen e tyre këtu, në Mitrovicë.

Para jush zotohem se:

• Do të jem Kryetar i të gjithëve, pa dallim partie, bindjeje apo përkatësie;

• Interesi publik do të jetë gjithmonë mbi çdo interes tjetër;

• Mitrovica do të trajtohet me dinjitetin që meriton, si qytet i sakrificës, punës dhe guximit.

Mitrovica është qyteti i minatorëve - atyre që i dhanë shumë Kosovës. Çdo ditë e tyre fillon me urimin “Me fat”, dhe le të jetë pikërisht fati që do ta shoqëroj punën tonë të përbashkët për qytetin. /Telegrafi/

Zyrtarizohet marrëveshja për koalicion mes PDK dhe AAK në Mitrovicë

3 November 2025 at 12:10


Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë nënshkruar sot (3 nëntor) marrëveshjen e koalicionit për balotazhin në Komunën e Mitrovicës.

Qazim Nimani nga AAK kishte konfirmuar për Telegrafin se kjo parti do ta mbështes kandidatin e PDK-së, Arian Tahiri, në garën për kryetar të Mitrovicës, që do të zhvillohet më 9 nëntor, përballë Faton Pecit nga Lëvizja Vetëvendosje – Guxo.

"Po kemi marrëveshje, derisa marrëveshja për koalicion do të nënshkruhet në ora 13:00", tha kreu i AKK-së në Mitrovicë.

Tani është zyrtare marrëveshja mes dy partive, pasi kështu ka bërë të ditur kandidati për kryetar të kësaj komune nga PDK, Arian Tahiri.

"Sot, zyrtarisht edhe AAK-ja i është bashkuar rrugëtimit dhe vizionit tonë për Mitrovicën. Faleminderit kryetarit z. Qazim Nimani dhe strukturave të AAK-së për besimin dhe mbështetjen!Mitrovicën e kemi shtëpi dhe së bashku do ta ndërtojmë kapitullin e ri të bashkëpunimit, punës dhe shpresës.9 nëntori do të jetë dita e bashkimit të qytetarëve, sepse Mitrovica është mbi partitë politike", ka shkruar Tahiri.

Kujtojmë se PDK ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi edhe me LDK-në në Mitrovicë, ndërsa AKR dhe KDTP kanë bërë të ditur mbështetjen e tyre për kandidatin Tahiri në këtë balotazh. /Telegrafi/


Rikthehet në lavdinë e dikurshme shtëpia e familjes Koroglu në Mitrovicë

29 October 2025 at 15:26


Pas dëmtimeve të rënda nga një zjarr që e kishte përfshirë vite më parë, një prej shtëpive më të vjetra dhe më karakteristike të Mitrovicës – ajo e familjes Koroglu – po i kthehet shkëlqimit të dikurshëm.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se punimet e restaurimit janë drejt përfundimit, me fokus në ruajtjen e elementeve origjinale të arkitekturës tradicionale, që e bëjnë këtë objekt një pasuri të veçantë të trashëgimisë kulturore të qytetit, raporton Telegrafi.



“Shtëpia e familjes Koroglu po shkëlqen përsëri. Po punohet në detajet e fundit të restaurimit në këtë perlë të trashëgimisë sonë kulturore”, ka bërë të ditur MKRS-ja, duke theksuar rëndësinë që ky monument të ruhet për brezat e ardhshëm.

Sipas ministrisë, restaurimi i shtëpisë së Korogluve është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për mbrojtjen dhe valorizimin e trashëgimisë arkitekturore në të gjitha rajonet e Kosovës, në mënyrë që këto vlera të trashëgohen si dëshmi e identitetit dhe historisë sonë kulturore. /Telegrafi/

❌
❌