Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Heqja e masave nga BE-ja, ekspertët: Të jetë leksion i rëndësishëm për Kosovën

18 December 2025 at 20:08


Menjëherë pas zhbllokimit të 34.6 milionë eurove të pezulluara, Bashkimi Evropian njoftoi se “në fillim të vitit të ardhshëm” do të lirojë edhe 205 milionë euro të tjera, në kuadër të procesit të heqjes të masave ndaj Kosovës.

Nga Samiti i Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor, të mërkurën mbrëma presidentja Vjosa Osmani njoftoi se blloku 27-anëtarësh do të heqë të gjitha masat ndaj Kosovës deri në fund të janarit.

Teksa njoftoi se “do të lëvizet përpara për heqjen e masave pas transferimit paqësor dhe të rregullt të pushtetit lokal në veri”, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Lyen shkroi synimi është që në fillim të vitit të lirohen 205 milionë euro për Kosovën.

Pasi këtë zhvillim e quajti lajm të mirë, opinionisti Ylli Hoxha theksoi se periudha prej dy vjetësh e gjysmë nën ndëshkim duhet të shërbejë si mësim historik për raportet me BE-në dhe mënyrën e vendimmarrjes së saj.

“Kemi pasur pasoja për mbi dy vjet ndoshta për një gjë që do të mund të adresohej brenda një bisedimi shumë të sinqertë dhe shumë më intensiv, mes nesh dhe BE-së. Pra është leksion që Kosova duhet ta marrë në raport me Bashkimin Evropian. Por edhe një kuptim i një sistemi delikat i cili përbëhet nga shumë zëra e shumë shtete, e jo të gjithë janë pro nesh në momente të caktuara, ashtu që duhet kujdes i shtuar në këto raporte”, ka thënë Hoxha.

Duke mirëpritur njoftimin nga Von der Leyen – pasi tha se eksitonte rreziku për të humbur mbi 200 milionë euro – Besar Gërgi nga Instituti për Studime Juridike dhe Politike theksoi se tani Kosova duhet të punojë për hapat e radhës.

“Me një zbatim të mirë, Kosova mund të përfitojë deri në 206 milionë euro nga fondet e IPA-së dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme që Qeveria të punojë sa më shumë në këtë aspekt. Si dhe, është shumë e rëndësishme që tashmë nuk e kemi këtë pengesën e masave të Bashkimit Evropian, cilado qeveri e ardhshme që del nga zgjedhjet e 28 Dhjetorit duhet të shtyjë përpara aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka thënë Gërgi.

Më 16 Dhjetor, Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim të BE-së, Gert Jan Koopman, i kumtoi Qeverisë në detyrë lajmin për “heqjen e mëtejme të disa prej masave”, përkatësisht zhbllokimin e katër projekteve në vlerë 34.6 milionë euro./Tv Dukagjini/

- YouTube youtu.be

Kurti mirëpret heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës: Masat ishin të padrejta dhe orkestruar nga Serbia

18 December 2025 at 17:56


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, duke theksuar se Qeveria ka qëndruar që nga fillimi në bindjen se këto masa ishin të padrejta.

Në një reagim në rrjetin social X, Kurti ka shkruar se masat e BE-së e ndëshkuan Kosovën për përçarje që, sipas tij, ishin të orkestruara nga Serbia.

Ai ka përmendur edhe sulmet terroriste që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe, përfshirë sulmin fatal në Banjskë dhe një tjetër në Ibër-Lepenc që kishte si synim infrastrukturën kritike.

“E mirëpresim vendimin e BE-së për të hequr masat e vendosura ndaj Kosovës. Qeveria jonë ka pohuar vazhdimisht se këto masa ishin të padrejta që nga fillimi, pasi ato sanksionuan Kosovën për përçarjet e orkestruara nga Serbia – një axhendë që çoi gjithashtu në sulme të shumta të mëdha terroriste në territorin tonë,” ka shkruar Kurti.

Kryeministri në detyrë ka shtuar se pavarësisht sfidave, institucionet e Kosovës kanë ruajtur përkushtimin e plotë ndaj Bashkimit Evropian dhe përmbushjes së kritereve për anëtarësim.

“Gjatë gjithë kësaj periudhe, ne kemi mbetur plotësisht të përkushtuar ndaj Bashkimit Evropian, për përmbushjen e kritereve për anëtarësim dhe për të vazhduar si aleatë të përkushtuar dhe kampionë të vlerave demokratike,” ka theksuar Kurti./Telegrafi.

We welcome the EU’s decision to lift the measures imposed on Kosova. Our government has consistently maintained that these measures were unfair from the outset, as they sanctioned Kosova for divisions orchestrated by Serbia—an agenda that also led to multiple major terrorist…
— Albin Kurti (@albinkurti) December 18, 2025

Reuten përshëndet heqjen e masave: Hapi tjetër, procesimi i aplikimit për anëtarësim të Kosovës në BE

18 December 2025 at 12:49


Deputeti evropian, Thijs Reuten ka përshëndetur vendimin e BE-së për heqjen e masave ndaj Kosovës, ku një pjesë do të nis së shpejti kurse pjesa e mbetur në janar të vitit të ardhshëm.

Përmes një postimi në X, Reuten tha se politika e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës ka qenë deri tani një “katastrofë”, por tani është mundësia të rifillojë rrugëtimi i vendit drejt BE-së.

“Më në fund! Urime Kosovë. Çfarë katastrofe ka qenë kjo politikë e BE-së. Tani mund të rifillojmë rrugëtimin evropian të Kosovës”, shkroi Reuten, duke shtuar se hapi tjetër është procesimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim, që ka mbetur në pritje për vite me radhë.

Ky koment vjen në një moment kur Kosova kërkon të avancojë marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe të rifillojë proceset e ngecura për integrim evropian. /Telegrafi/


FINALLY! Congratulations Kosovo 🇽🇰

What a disaster this EU policy has been. Now we can pick up on Kosovo’s European path again.

Next up: process Kosovo’s membership application that is on the shelf for years now. https://t.co/RQ50ulamEG
— Thijs Reuten 🇪🇺🌹 (@thijsreuten) December 18, 2025

Murati i reagon Abdixhikut dhe Hamzës për kërkesën ndaj BE-së rreth heqjes së masave

16 December 2025 at 19:37


Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj kërkesave të Lumir Abdixhikut dhe Bedri Hamzës për heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Murati i ka akuzuar ata se me mos-votimin e Planit të Rritjes së BE-së në vlerë 882 milionë euro, po tentojnë të paraqiten si të shqetësuar për vendin, ndërkohë që veprimet e tyre kanë dëm të drejtpërdrejtë për qytetarët.

“Bedri Hamza e Lumir Abdixhiku, të njëjtit që nuk e votuan Planin e Rritjes së BE-së, i paskan shkru letrë BE-së duke kërkuar gjoja heqjen e masave Kosovës. Tek tash kur e panë që mos-votimi do të ketë pasoja në humbje të votave, po bëhen gjoja po brengosen për shtetin. Ju me mos-votimin tuaj ia mohuat ekonomisë së vendit 882 milionë euro”, ka shkruar Murati, shkruan Telegrafi.

Ndërkohë, Lumir Abdixhiku ka dërguar një letër Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke kërkuar heqjen e menjëhershme të masave.

Ai ka theksuar se vazhdimi i tyre është i pajustifikuar dhe nuk pasqyron zhvillimet institucionale në vend, duke shtuar se “pushteti lokal në komunat veriore tashmë është transferuar dhe janë përmbushur kriteret e BE-së”.

Po ashtu, Bedri Hamza, kryetar i PDK-së, gjatë një takimi me Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka bërë të ditur se letrën e tij për heqjen e sanksioneve e kishte përcjellë tek kabineti i Presidentit Macron. Hamza tha se “populli i Kosovës e meriton mbështetjen, pavarësisht se kush është në qeveri” dhe shtoi se prioritet do të jetë rikthimi te bashkëpunimi ekonomik dhe diplomatik me aleatët. /Telegrafi/


Bislimi: BE-ja heq shumicën e masave ndaj Kosovës, projekti IPA drejt realizimit

16 December 2025 at 19:15


Zëvendës kryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur sot se ka pranuar një letër nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, në të cilën komunikohen vendimet e Komisionit Evropian për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës.

Në një postim në Facebook, Bislimi ka shkruar: "Gjatë ditës së sotme kam pranuar një letër nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, ku komunikohet se Komisioni ka vendosur për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës. Bëhet fjalë për projekte të lidhura me programet IPA, në vlerë prej 34.6 milionë euro".

Ai ka shtuar se vazhdimisht është insistuar për heqjen e këtyre masave dhe mirëpret hapin e BE-së: "Mirëpresim hapin e radhës nga ana e BE-së, i cili duhet të vijojë sa më parë me heqje të plotë të tyre. Nuk ka më asnjë arsye që një pjesë e tyre të mbeten në fuqi, sidomos pas transferimit të pushtetit në katër komunat në veri në mënyrë ligjore dhe të qetë".

Sipas Bislimit, vendimi hap rrugë për realizimin e projekteve të shumta zhvillimore në kuadër të programeve IPA, duke përforcuar bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe institucional të vendit. /Telegrafi/


Draft-konkluzat e BE-së për Zgjerim: Kosovës i kërkohet Asociacioni, reforma, përparim në dialog…

16 December 2025 at 16:04


Këshilli për Çështje të Përgjithshme i Bashkimit Evropian miraton të martën konkluzionet sa i përket procesit të zgjerimit të bllokut evropian, ndërsa në pjesën për Kosovën, vendit i bëhet thirrje që ta përshpejtojë hapin në rrugën drejt reformave.

Ndër kërkesat tjera është zbatimi i marrëveshjeve të arritura me Serbinë, në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve, përfshirë nevojën e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova është e vetmja në Ballkanin Perëndimor që nuk e gëzon statusin e vendit kandidat për anëtarësim, ndonëse ka aplikuar në dhjetor të vitit 2022.

Në raportin me draft-konkluza që e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, përmendet se nevoja për reforma vërehet më së shumti në forcim të administratës publike dhe sundim të ligjit, përfshirë konsolidimin e sistemit gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e lirive themelore, sidomos lirinë e shprehjes, sektor në të cilin nuk është shënuar përparim.

Përparim thuhet të ketë pasur në luftën kundër krimit të organizuar.

Kosova lavdërohet për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme të shkurtit dhe më pas ato lokale më vonë gjatë vitit, marrë parasysh pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve në to.

Lidhur me këtë, në draftin e konkluzave përmendet që marrë parasysh transferimin e rregullt të pushtetit në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, Këshilli përsërit dhe pret heqjen e të gjitha masave ndëshkuese që kanë mbetur.

Bashkimi Evropian pati vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në verën e vitit 2023, si pasojë e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

Blloku evropian ka nisur heqjen graduale të tyre, por zyrtarët në Kosovë insistojnë se vazhdimi i tyre është vendim i padrejtë, meqë të gjitha kërkesat për heqjen e tyre tashmë janë plotësuar.

Në mesin e tyre situata në veri është shtensionuar, prania e Policisë afër objekteve komunale në veri është zvogëluar dhe kalimi paqësor i pushtetit në komunat me shumicë serbe është realizuar.

Rikard Jozwiak, redaktor për Evropën i Radios Evropa e Lirë (REL), në Pragë, ka marrë vesh nga burimet e tij se për çështjen e moslargimit të të gjitha masave kundër Kosovës është diskutuar në Bruksel javën e kaluar dhe që Franca e Italia janë mbështetëse të idesë që të largohen vetëm 50 për qind e tyre.

Por, duket se përparim në këtë drejtim nuk do të ketë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë.

Sipas një analize të Institutit për Studime të Avancuara - GAP, masat e BE-së i kanë kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra për afat të pacaktuar. Për shkak të kalimit të afateve, 7.1 milionë euro janë humbur tërësisht.

Në raport, BE-ja përmend se procesi i zgjerimit ka rëndësi gjeostrategjike dhe është proces që kontribuon në paqen evropiane, sigurinë dhe stabilitetin e shekullit 21.

Këshilli u bën thirrje të gjithë partnerëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe këtë momentum për t’i marrë të gjithë hapat e nevojshëm për ta përshpejtuar përparimin në rrugën drejt BE-së.

Përveç përgatitjeve të nevojshme nga ana e vendeve kandidate, në raport përmendet edhe nevoja e përgatitjeve të vetë bllokut për të akomoduar anëtarë të rinj.

Sa u përket vendeve të Ballkanit, përmendet rëndësia e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal.

“Këshilli inkurajon fuqishëm partnerët që t’i zgjidhin të gjitha mospajtimet bilaterale dhe çështjet që datojnë prej së kaluarës, në linjë me ligjin ndërkombëtar”, përmendet mes tjerash në raport.

Pritjet për dialogun Kosovë – Serbi

Në raportin me draft-konkluza, Këshilli përmend mbështetjen e plotë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Aty përmendet që të dyja palët mund të humbin mundësi të mëdha në mungesë të përparimit në normalizim.

Kosova dhe Serbia dialogojnë në Bruksel prej vitit 2011, i kanë arritur disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.

“Përparimi në rrugët e tyre respektive evropiane varet nga përpjekjet për t'i zbatuar plotësisht të gjitha zotimet që dalin nga Marrëveshja për normalizim e vitit 2023 dhe të gjitha marrëveshjet tjera, pa vonesa dhe parakushte”.

Mes tjerash përmendet edhe nevoja që Kosova të zbatojë marrëveshjen për themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe të veprojë në përputhje me zotimet për “një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë" në përputhje me Nenin 7, siç e parasheh Marrëveshja për normalizim dhe aneksi i saj.

Pritje ka që edhe çështja e strukturave të mbështetura nga Serbia, përfshirë ato të shërbimeve të kujdesit shëndetësor dhe edukimit, të zgjidhen në përputhje me zotimet e dialogut dhe të punohet në riintegrim të serbëve të Kosovës, nisur prej pjesëmarrjes së tyre në të gjitha nivelet institucionale.

Në njërën pikë të draft-konkluzave, në pjesën për Kosovën, vendi duartrokitet që është në linjë me politikën e Jashtme të BE-së, duke dënuar luftën e Rusisë në Ukrainë.

Pritjet për vendet e rajonit

Sa i përket Shqipërisë, në draft-konkluza përmendet përparimi i rëndësishëm që është arritur nga ky vend në hapjen e të gjithë kapitujve të nevojshëm negociues për anëtarësim, ndonëse përparimi në mbylljen e tyre do ta përcaktojë drejtimin e gjithë procesit.

Këshilli mirëpret përparimin që ka bërë Shqipëria në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa vendit i bëhet thirrje që ta përfundojë reformën elektorale në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Edhe Mali i Zi lavdërohet për përparimin e rëndësishëm në kryerjen e reformave në rrugën drejt BE-së, duke përmendur hapjen e të gjithë 33 kapitujve dhe mbylljen e 12 prej tyre.

Ndër rekomandimet kryesore për këtë vend është që të punojë më tepër në sektorin e gjyqësorit, lirisë së shprehjes, lirisë së mediave, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe në administratën publike.

Në kapitullin për Maqedoninë e Veriut, blloku evropian e mirëpret faktin që ky vend e ka ende synim integrimin evropian, mirëpo e përmend që ai nuk i ka kryer ndryshimet e nevojshme kushtetuese, për të cilat ishte zotuar qysh në korrik të vitit 2022.

Ndër ndryshimet kryesore që i kërkohen Shkupit janë që ta njohë pakicën bullgare me Kushtetutë dhe t’ia njohë të drejtat këtij komuniteti.

Kur vjen radha te Serbia, këtij vendi i kërkohet që të reflektojë më shumë - si me vepra ashtu edhe me fjalë - sa u përket synimeve për integrim.

“Këtu përfshihet demonstrimi i vullnetit të fortë politik dhe konsistenca në zbatimin e reformave të BE-së, si dhe komunikimi objektiv me BE-në”, duke theksuar faktin që procesi i reformave është ngadalësuar dukshëm në muajt e fundit.

Serbia është e vetmja në rajonin e Ballkanit që nuk është në linjë me politikën e BE-së për t’i vënë sanksione Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë dhe Beogradi vazhdon të mbajë raporte miqësore me Kremlinin.

E, Bosnje-Hercegovinës i kërkohet që t’i ketë parasysh të gjitha rekomandimet që i janë bërë në të kaluarën dhe ky vend të bëjë më shumë punë në plotësimin e 14 prioriteteve që i kanë përcaktuar institucionet e BE-së për të qysh më 2019.

“Këshilli vëren që dinamika e reformave vazhdon të jetë e bllokuar dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të fokusohen në përparimin në rrugën drejt BE-së”, përmendet mes tjerash në raport.

Bosnja-Hercegovina e ka fituar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në fund të vitit 2022, ndërsa procesin e negociatave e ka nisur zyrtarisht më 2024.

Abdixhiku i dërgon letër Presidentes së Komisionit Evropian, kërkon heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës

16 December 2025 at 14:50


Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës Lumir Abdixhiku, i ka dërguar letër Presidentes së Komisonit Evropian, Ursula von der Leyen, duke kërkuar heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.

Në letrën e dërguar Abdixhiku thotë se LDK vlerëson se vazhdimi i këtyre masave është i pajustifikuar dhe nuk pasqyron zhvillimet aktuale politike dhe institucionale në vend.

"Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kërkon heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Republikës së Kosovës. LDK vlerëson se vazhdimi i këtyre masave është i pajustifikuar dhe nuk pasqyron zhvillimet aktuale politike dhe institucionale në vend", thuhet në letër.

Ndër të tjera sipas njoftimit bëhet e ditur se masat e Bashkimit Evropian po prodhojnë pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët e Kosovës dhe po dëmtojnë institucionet e shtetit.

"Pushteti lokal në Republikën e Kosovës në komunat veriore tashmë është transferuar dhe është plotësuar kriteri i vendosur nga BE-ja. Këto masa kanë dëmtuar drejtpërdrejt Kosovën dhe qytetarët e saj, e jo politikanët. Si pasojë, një numër i konsiderueshëm projektesh zhvillimore dhe investimesh të rëndësishme kanë mbetur të bllokuara dhe të parealizuara, duke penguar zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e shërbimeve publike".

Sipas njoftimit bëhet e ditur se Lidhja Demokratike e Kosovës i bën thirrje Bashkimit Evropian që të marrë vendim për heqjen e plotë të masave ndëshkuese ndaj Republikës së Kosovës, në përputhje me parimet e drejtësisë, proporcionalitetit dhe partneritetit.

"Republika e Kosovës meriton trajtim të drejtë dhe mbështetje konkrete në rrugëtimin e saj evropian", thuhet në njoftim. /Telegrafi/



Letra e Bedri Hamzës ku kërkoi heqjen e masave të BE-së shkon tek presidenti Macron

9 December 2025 at 14:20


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, zhvilloi një takim me Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot.

Gjatë takimit, ambasadori francez njoftoi se letrën e Hamzës për heqjen e të gjitha sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës e kishte përcjellë tek kabineti i Presidentit Macron.

“Populli i Kosovës e meriton mbështetjen, pavarësisht se kush është në qeveri,” tha Hamza, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare.

Ai shtoi se bisedimet ishin të fokusuar edhe te rikthimi i normalitetit dhe stabilitetit në vend.

“Si kryeministër i ardhshëm, fokusi im do të jetë rikthimi te temat e bashkëpunimit ekonomik dhe diplomatik me aleatët tanë,” theksoi ai. /Telegrafi/

Presidenti i Hungarisë nis vizitën e parë zyrtare në Kosovë, Osmani i kërkon ndihmë për heqjen e masave

8 December 2025 at 18:01


Presidenti i Hungarisë, Tamás Sulyok, së bashku me Zonjën e Parë, Zsuzsanna Nagy, qëndroi sot për herë të parë në një vizitë pune në Kosovë. Ata u mirëpritën në Presidencë nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dhe bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu.

Gjatë takimit bilateral, Presidentja Osmani theksoi synimin për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjitha fushat, duke vlerësuar rolin e Hungarisë si partner i rëndësishëm për Kosovën.

Ajo përsëriti rëndësinë e mbështetjes hungareze për heqjen e masave të padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se integrimi euro-atlantik i vendit mbetet prioritet strategjik.

“Mbështetja e Hungarisë është thelbësore. Integrimi euro-atlantik i Kosovës është në dobi të qytetarëve tanë, të rajonit dhe të të gjithë kontinentit evropian”, ka shkruar Osmani.


Këshilli i BE-së e fut Kosovën në listën e vendeve të sigurta në legjislacionin për azilkërkuesit

8 December 2025 at 16:26


Këshilli i Bashkimit Evropian e ka përfshirë Kosovën të hënën në listën e vende të sigurta të origjinës, në përpjekje për ta përshpejtuar kthimin e migrantëve, duke e bërë më të vështirë për qytetarët nga këto vende të kërkojnë azil në BE.

Përveç listës për vendet e sigurta të origjinës, Këshilli arriti pajtueshmëri edhe për konceptin e vendeve të treta të sigurta.

Blloku shpreson se këto akte ligjore do ta forcojnë zbatimin praktik të koncepteve kryesore të vendeve të sigurta në legjislacionin e BE-së për azil, synimi i të cilave është të vendosin procedura më të shpejta dhe më efektive azili për ata që nuk duhet të marrin mbrojtje brenda BE-së.

Së bashku me Kosovën, në listën e vendeve të sigurta të origjinës janë futur edhe Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Maroku dhe Tunizia.

Tani i mbetet Këshillit të arrijë pajtueshmëri me Parlamentin Evropian për tekstin përfundimtar ligjor lidhur me këto dy akte.

“Sot, u pajtuam për listën e parë ndonjëherë të BE-së për vendet e sigurta të origjinës, e cila do të ndihmojë në krijimin e procedurave më të shpejta dhe më efikase të azilit, si edhe kthimin e atyre që nuk kanë nevojë për mbrojtje. Një moment i rëndësishëm për politikën e azilit të BE-së”, tha ministri danez për Imigracionin dhe Integrimin, Rasmus Stoklund.

Kjo nënkupton se azilkërkuesit që shkojnë në BE nga këto shtatë vende mund të përballen lehtësisht me refuzimin e kërkesave të tyre dhe me urdhër kthimi.

Sipas Këshillit, çdo vit dhjetëra mijëra njerëz mbërrijnë në Evropë dhe kërkojnë azil edhe pse largohen nga vende të sigurta ku zakonisht nuk ka rrezik përndjekjeje.

Numri i azilkërkuesve nga Kosova në BE është rritur pas liberalizimit të vizave më 1 janar 2024.

Më shumë kërkesa për azil ka pasur vetëm në vitet 2015/2016 kur dhjetëra mijëra kosovarë kishin emigruar drejt BE-së përmes rrugëve ilegale të Hungarisë.

Franca ka qenë destinacion kryesor i kosovarëve që kërkojnë azil në BE qysh nga viti 2018, kur për herë të parë zuri vendin e Gjermanisë si destinacion kryesor.

Sipas rregullores së procedurës së azilit 2024, e miratuar si pjesë e Paktit për Azilin dhe Migracionin, shtetet anëtare duhet të zbatojnë një procedurë të përshpejtuar për aplikantët nga një vend i sigurt i origjinës dhe mund ta kryejnë atë në kufi ose në zonat e transitit.

Rregullat për vendet e sigurta të origjinës bazohen në premisën se aplikantët nga këto vende supozohet të kenë mbrojtje të mjaftueshme kundër rrezikut të përndjekjes ose shkeljeve serioze të të drejtave të tyre themelore.

Komisioni Evropian i paraqiti këto dy akte të reja ligjore në fillim të këtij viti.

Zgjedhjet, ambasadori i OSBE-së: Problem avantazhi i kandidatëve që mbajnë poste drejtuese

By: redi
5 December 2025 at 21:19

Ambasadori i OSBE-së, Michel Tarran flet për raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit. Ai tha se problem mbetet avantazhi i kandidatëve për deputetë që mbajnë pozicione të ndryshme. ”Dua t’u them që me të vërtetë ky problem ekziston kudo ku një kandidat është në post dhe ka një avantazh me kandidatët e tjerë që vijnë. Shpresoj që me rekomandimet e ODIHR, disa masa do të…

Source

Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Europian arrijnë marrëveshje për ndalimin gradual të importeve të gazit rus deri në vitin 2027

By: M C
3 December 2025 at 19:53

Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Europian kanë arritur një marrëveshje për rregulloren që parashikon eliminimin gradual të importeve të gazit natyror nga Rusia.

Rregullorja vendos një ndalim juridikisht të detyrueshëm për importet e gazit natyror të lëngshëm (GNL) dhe të gazit përmes gazsjellësve, me një ndalim total që do të hyjë në fuqi përkatësisht në fund të vitit 2026 për GNL-në dhe nga vjeshta e vitit 2027 për gazin e tubacioneve.

Marrëveshja duhet ende të ratifikohet nga të 27 vendet anëtare dhe nga seanca plenare e Parlamentit Europian.

“Më në fund, dhe përgjithmonë, po e mbyllim rubinetin e gazit rus. Nuk do të kthehemi kurrë më te varësia jonë e rrezikshme nga Rusia”, deklaroi komisioneri europian Dan Jorgensen.

Ndalimi do të zbatohet gjashtë javë pas hyrjes në fuqi të rregullores, me një qasje graduale në shuarjen e kontratave ekzistuese.

Afatet për ndërprerjen e kontratave

Kontratat afatshkurtra të nënshkruara para 17 qershorit 2025 duhet të ndërpriten më 25 prill 2026 për GNL-në dhe më 17 qershor 2026 për gazin nga gazsjellësit.

Kontratat afatgjata të GNL-së do t’i nënshtrohen ndalimit më 1 janar 2027, në përputhje me sanksionet e paketës së 19-të kundër Rusisë.

Kontratat afatgjata të gazit të tubacioneve do të ndalohen nga 30 shtatori 2027, me kusht që vendet anëtare të përmbushin objektivat e mbushjes së rezervave të gazit. Afati më i vonshëm i mundshëm është 1 nëntor 2027.

Sipas rregullores, shtetet anëtare do të duhet të paraqesin plane kombëtare të diversifikimit, duke përcaktuar hapat për ndërprerjen e energjisë ruse. Parashikohet gjithashtu një sistem autorizimi paraprak për importet e gazit, si rus, ashtu edhe jo rus, për të siguruar zbatimin korrekt të ndalimit.

Aktualisht, Sllovakia dhe Hungaria janë të vetmet vende të BE-së që vazhdojnë të importojnë naftë ruse, e cila përbën rreth 80% të importeve të tyre gjithsej të naftës së papërpunuar.

Marrëveshja përfshin sanksione për vendet që nuk respektojnë ndalimin, si dhe një klauzolë pezullimi në rast të një “kërcënimi për sigurinë e furnizimit energjetik” të një ose më shumë shteteve anëtare. Rregullorja do të rishikohet brenda dy vitesh nga hyrja e saj në fuqi.

“Sot është një ditë historike për Bashkimin Europian: shumë mendonin se nuk do të ishte e mundur, por ja që ndodhi. E kam ditur gjithmonë se do t’ia dilnim. Tani jemi gati të hapim bashkëpunime me partnerë të rinj e të besueshëm. Ky është vetëm fillimi i një suksesi të vërtetë europian”, deklaroi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

The post Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Europian arrijnë marrëveshje për ndalimin gradual të importeve të gazit rus deri në vitin 2027 appeared first on Albeu.com.

Kosova rrezikon miliona euro fonde ndërkombëtare mes bllokadës politike dhe zgjedhjeve të reja

27 November 2025 at 16:57


Me Kosovën para udhëkryqit, mes formimit të një Qeverie të re pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit apo shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, Qeveria në detyrë ishte shumë e zëshme në Kuvend, dhe tha se 19 nëntori ishte dita vendimtare për të mos i humbur fondet ndërkombëtare për vendin, në vlerë prej 200 milionë eurosh.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, folën se si disa fonde rrezikoheshin e disa mund t’iu shpërndaheshin në të ardhmen shteteve tjera.

Marrëveshjet ndërkombëtare miratohen me të paktën 80 vota për, ndërsa partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), i pati 48 sosh në Kuvendin tashmë të shpërbërë. Partitë tjera të mëdha shqiptare nuk u pajtuan për t’i miratuar marrëveshjet, me arsyetimin e LVV-ja ishte zvarritësja e proceseve gjatë gjithë vitit.

Deputetja Mimoza Kusari Lila, nga grupi parlamentar i LVV-së, tha se një pjesë e fondeve të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian (BE) për Kosovën humbin në dhjetor të vitit 2025:

“Janë pa kthim, nuk mund të kthehen, edhe nëse zgjedhjet mbahen më 21 dhjetor, më 28 dhjetor, edhe nëse zgjedhjet mbahen në pranverë, këto mjete humben”.

Plani i Rritjes dhe afatet e tij

Plani i Rritjes është një paketë financimi e BE-së për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën – me qëllim të përafrimit të këtyre ekonomive me standardet evropiane.

Nga pakoja, 2 miliardë euro janë fonde të pakthyeshme, ndërsa 4 miliardët tjerë jepen në formën e kredive të volitshme. Kosovës i kanë rënë hise rreth 900 milionë euro – që do të thotë se për kokë banori është përfituesja më e madhe e këtyre mjeteve.

Secili vend e ka përgatitur agjendën reformuese bazuar në rekomandimet paraprake të trupave të BE-së, ndërsa reformat në fushën e rendit dhe të sundimit të ligjit kanë qenë thelbësore për të përfituar mjete nga ky Plan.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian i ka thënë Radios Evropa e Lirë (REL) se Kosova, e cila ka qenë ndër vendet e para që e ka miratuar agjendën e reformave, nuk mund të bëjë kërkesë për pagesë pa i ratifikuar marrëveshjet:

“Plani për Reformë dhe Rritje është instrument me kohë të kufizuar, i miratuar për periudhën 2024-2027 dhe është në interes të Kosovës që ratifikimi të ndodhë sa më shpejt që është e mundur për t’i shfrytëzuar të gjitha mundësitë sipas Planit, në të mirë të popullsisë së saj”.

Por, bazuar në analizimin e dokumenteve publike dhe në disa burime të REL-it, pas hyrjes në fuqi të marrëveshjeve përkatëse, shpërndarja e fondeve iu nënshtrohet disa kushteve për pagesë, dhe nëse një hap nuk përmbushet në kohë, vendet përfituese kanë mundësi ta zënë hapin brenda një periudhe shtesë.

Kjo periudhë shtesë është dyvjeçare, për hapat që do të duhej të bëheshin në dhjetor të vitit 2024, dhe një vit për të gjithë hapat që do të duhej të ndërmerreshin prej qershorit 2025.

Kësisoj, i bie që Kosova përballet me rrezik real të humbjes së një pjese të fondeve në qershorin e 2026-tës. Këtë afat e ka përmendur edhe komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos.

Sfida e së ardhmes

Augustin Palokaj, gazetar që përcjell politikat e BE-së, thotë për REL-in se fakti që kanë kaluar tashmë dy vjet prej hyrjes në fuqi të Planit, e vështirëson procesin e zbatimit të reformave.

“Tashmë po kalon edhe viti 2025, që do të thotë se për një periudhë dyvjeçare duhet të shpenzohen mjetet e dedikuara për periudhën katërvjeçare. Ato nuk mund të shpenzohen ashtu si do të kishte dëshirë dikush, por duhet të shkojnë përmes procedurave shumë-shumë të sofistikuara, të cilat do t’i mbikëqyrë edhe Komisioni Evropian. Kështu që rreziku për Kosovën është shumë serioz”.

BE-ja nuk ka treguar nëse fondet që eventualisht mund të humbin do t’i shpërndahen ndonjë vendi tjetër.

Po fondet e Bankës Botërore?

Përveç fondeve të BE-së, edhe më të rrezikuara duket se janë mbi 90 milionë eurot e Bankës Botërore.

Kurti ka thënë se ato janë ndarë si mbështetje buxhetore në kuadër programit të reformave, dhe si shpërblim norma e interesit është paraparë të jetë 0 për qind për 12 vjet.

“Nëse nuk ratifikohet në këtë seancë [të 19 nëntorit], dhe shteti shkon në zgjedhje, atëherë këto mjete, pra 90 milionë euro, për të cilat ne si Qeveri kemi punuar e jemi angazhuar shumë, do të humbin, sepse ka shumë shtete tjera që e presin me krahë të hapur një financim të këtillë”.

Zyra e Bankës Botërore në Kosovë ka pohuar për median lokale, Koha, se afati i fundit për hyrjen në fuqi të marrëveshjes që parasheh financimin e politikave zhvillimore, konkurrueshmërisë dhe rritjes së gjelbër, është 13 shkurti i vitit 2026.

A do të mbërrihen afatet?

Në një kohë kur Kosova përballet me vështirësi ekonomike dhe ngecje në ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, më 28 dhjetor ajo do ta mbajë procesin e katërt zgjedhor për këtë vit, me kosto prej miliona eurosh.

Më vonë nis puna për funksionalizimin e një Kuvendi dhe të një Qeverie të re.

Se sa efikase do të jetë legjislatura e ardhshme për t’i mos humbur fondet e huaja, tani për tani është vetëm çështje basti.

Mediumi ka kërkuar të mësojë më shumë, por deri në publikimin e këtij teksti nuk e ka marrë një përgjigje nga Banka Botërore./REL

Ministrja Delina Ibrahimaj: Jemi më pranë BE-së, Shqipëria është rritur, paga mesatare ka arritur në 850 euro

By: V K
19 November 2025 at 15:33

Ditën e sotme, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka mbajtur fjalën e saj në Parlament, ku theksoi se arsyeja pse Partia Socialiste fiton zgjedhjet lidhet me faktin se; “thotë atë që bën dhe bën atë që thotë”, duke shtuar se shqiptarët e kanë vërtetuar këtë ndër vite.

Ibrahimaj rikujtoi premtimet e bëra gjatë zgjedhjeve të këtij viti, duke nënvizuar se progresi në anëtarësimin në Bashkimin Europian, rritja e pensioneve dhe përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve kanë qenë angazhime të përmbushura, të cilat, sipas saj, përbëjnë shtyllat kryesore të buxhetit të prezantuar nga qeveria.

Ministrja e cilësoi këtë javë si një moment historik në marrëdhënien e Shqipërisë me BE-në, duke theksuar se komisionerja Marta Kos e ka përshkruar progresin e vendit si “mbresëlënës”.

Sipas Ibrahimajt, Shqipëria sot është “më pranë se kurrë BE-së”, ndërsa theksoi se të ardhurat janë shtuar, paga mesatare ka arritur në 850 euro, ekonomia është konsoliduar dhe mirëqenia vijon të rritet.

The post Ministrja Delina Ibrahimaj: Jemi më pranë BE-së, Shqipëria është rritur, paga mesatare ka arritur në 850 euro appeared first on Albeu.com.

Rama sot në Bruksel, merr pjesë në panelin e nivelit të lartë në Forumin e Zgjerimit të BE-së:

By: V K
18 November 2025 at 13:20

Zhvillohet sot në Bruksel “Forumi i Zgjerimit”, një platformë e nivelit të lartë e organizuar nga Komisioni Europian dhe aktorë të tjerë të BE-së.

Në këtë forum, do të marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama.

“Komisioni Evropian do të organizojë sot Forumin e Zgjerimit të BE, ngjarjen e parë të këtij lloji, kushtuar prioritetit të tij 2024–2029. Kryeministri Edi Rama i cili ndodhet në Bruksel në vijim të agjendës për çeljen e grupkapitullit të fundit të negociatave, – do të jetë pasditen e sotme pjesë e panelit. “Forumi i Zgjerimit të BE-së është nisma kryesore e Komisionit Evropian që synon ta ngrejë më lart diskutimin mbi zgjerimin e BE-së si një projekt të përbashkët politik, shoqëror, brezash” – thuhet në prezantimin e ngjarjes, – që do të bëjë bashkë një gamë të gjerë dhe të larmishme pjesëmarrësish nën moton “Plotësimi i Unionit, Sigurimi i së Ardhmes Sonë””, njofton Kryeministria.

Ky forum, u jep mundësinë drejtuesve politikë të vendeve kandidate, të mblidhen së bashku me drejtues të vendeve anëtare të BE-së, përfaqësues të institucioneve europiane, ekspertë të integrimit, etj.

Forumi është një mekanizëm i rëndësishëm me fokus te reformat për sundimin e ligjit, mundësi më të shumta për arsimin e të rinjve, si edhe në stabilitetin dhe mirëqenien e gjithë shoqërisë shqiptare.

Forumi i Zgjerimit do të jetë pika e takimit për të gjithë profesionistët që punojnë mbi një nga prioritetet kryesore të mandatit 2024–2029 të Komisionit Europian, të cilët janë të angazhuar në mënyrë aktive në agjendën më ambicioze të zgjerimit të më shumë se një dekade.

The post Rama sot në Bruksel, merr pjesë në panelin e nivelit të lartë në Forumin e Zgjerimit të BE-së: appeared first on Albeu.com.

Rama pret ambasadorët e BE-së në Kryeministri

By: V K
12 November 2025 at 11:47

Kryeministri Edi Rama ka pritur sot në një takim në ambientet e Kryeministrisë ambasadorët e Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Në këtë takim me përfaqësuesit diplomatikë të BE-së, përveç Ramës, janë të pranishme edhe ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, dhe ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni.

Ende nuk janë bërë publike detaje mbi temat e diskutimit, por takimi vjen në një moment të rëndësishëm për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe bashkëpunimin me vendet anëtare të BE-së.

The post Rama pret ambasadorët e BE-së në Kryeministri appeared first on Albeu.com.

Rama flet në Samitin e Zgjerimit të BE-së: Jemi kombi më euro-optimist! Reforma në drejtësi, diçka e paparë në rajon!

By: M C
4 November 2025 at 18:21

Kryeministri Edi Rama foli në lidhje online me Samitin e Zgjerimit të BE-së, ku përmendi ecurinë e Shqipërisë në arritjen e objektivit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian brenda 2030-ës.

Rama theksoi për panelin se Shqipëria është vendi më euro-optimist në botë.

“Një afat që vjen si rezultat i një përllogaritjeje shumë të thjeshtë. Së bashku me komisionin në konsensus kemi rënë dakord mbi një kalendar shumë ambicioz por i bëshëm detyrash shtëpie për të mbyllur anëtarësimin. Pastaj koha mesatare që kemi vlerësuar kur vjen për ratifikimin e parlamentit është 2 vjet. Kështu parashikohet që Shqipëria të ulet në tryezën e BE-së në 2030.

Por nuk jemi kundër të jemi atje dhe më shpejt. Kur bëhet fjalë për rajonin do bija dakord, gjithsecili ka rrugëtimin e vet dhe të përmbushë detyrat e veta të shtëpisë. Ka karakteristika të ndryshme në rajon. Ka vende të ndryshme. Kur vjen fjala te ne e them me zë të lartë jemi kombi më euro optimist në botë, apo ashtu siç do thoshte Donald Trump, në tokë.”

Sakaq, Rama foli dhe për ministren e Inteligjencës Artificiale, Djellën, për të cilën tha se lufta e saj ndaj korrupsionit do ketë të bëjë me ndërtimin e një sistemi kundër korrupsionit dhe jo thjesht raste specifike.

Ndërsa u shpreh se reforma në drejtësi është diçka e paparë për rajonin dhe nuk pranon leksion për luftën ndaj korrupsionit.

“Para se të shkojmë te Djella, më lejoni që t’ju kujtoj ju dhe gjithkujt që ka durim për t ndjekur këtë ditë tuajin të gjatë që Shqipëria po bën një diçka të paraparë në gjithë rajonin reformën në drejtësi dhe njohjen e pavarësisë së drejtësisë. Veprimtaria e plotë të SPAK ka krijuar praktikisht për Shqipërinë shembullin se lufta kundër korrupsionit është diçka që shkon përtej fjalëve, shkon shumë thellë dhe është tejet e ekuilibruara pa parë në të majtë apo djathtë pavarësisht se kush është në qeveri apo kush është në opozitë.

Ajo që nuk ka ndodhur që prej pavarësisë po ndodh gjatë ditëve të fundit. Asnjë vend tjetër në rajon nuk mund të pretendojë se e ka bërë. Është për të thënë se e kemi marrë shumë seriozisht. Pranojmë partneritete, ndihmë, por nuk pranojmë leksion kur vjen fjala për luftën kundër korrupsionit. Djella ka të bëjë me luftën sistemore, luftën përmes modernizimit. Brenda 2027 synojmë sistemin e plotë të IA të prokurimeve digjitale.”

Më tej, me humor sërish tha se Djella pritet të lindër 83 foshnja.

“Jam e sigurt se e keni dëgjuar se Djella është shtatzënë me 83 foshnja. Duhet të presim që të lindë 83 bebe dhe t’ju them diçka që jemi i vetmi vend në këtë proces që kemi përdorur IA në transferimin e korpusit ligjor. Duke e bërë procesin më të shpejtë.

Vendi ynë në Europë është i merituar se Europa ka vendin më të mirë në zemrën e shqiptarit.”

The post Rama flet në Samitin e Zgjerimit të BE-së: Jemi kombi më euro-optimist! Reforma në drejtësi, diçka e paparë në rajon! appeared first on Albeu.com.

Më shumë se gjysma e qytetarëve mbështesin zgjerimin e BE-së, tregon një sondazh i Eurobarometrit

28 October 2025 at 08:05


Ndërsa zgjerimi i BE-së “po fiton një vrull të ri politik që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia”, një sondazh i ri tregon se më shumë se gjysma e evropianëve e mbështesin procesin.

Për të qenë të saktë, 56% e qytetarëve miratojnë hapjen e projektit evropian ndaj vendeve të tjera.

Sipas një sondazhi të Eurobarometrit, shtetet anëtare më mbështetëse janë Suedia (79%), Danimarka (75%) dhe Lituania (74%). Në anën tjetër, Austria (45%), Republika Çeke (43%) dhe Franca (43%) janë më pak të hapura.

Europianët e rinj në veçanti e mbështesin zgjerimin. 67% e 15-24 vjeçarëve janë pro, përpara 25-39 vjeçarëve me 63%.

Në përgjithësi, sondazhi tregon se dy të tretat e evropianëve e miratojnë këtë hapje, shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.

"Mbështetja vjen në një masë të madhe nga të rinjtë dhe njerëzit e arsimuar. Dhe kjo nuk është shumë e habitshme...", thotë Corina Stratulat, Drejtore e Asociuar në Qendrën e Politikave Evropiane.

"Pra, tani pyetja është se si t'i bindim dhe t'i përfshijmë edhe elektoratet e reja dhe të paarsimuara që shkojnë drejt ekstremit dhe për këtë arsye do të ishin në anën kundërshtare të zgjerimit".

Përfitimet e perceptuara

Sipas shkrimit të Euronews, përcjell Telegrafi, 37% e të anketuarve besojnë se zgjerimi do të forcojë ndikimin e BE-së në botë. 37% gjithashtu besojnë se do të forcojë tregun evropian.

Së fundmi, 30% e qytetarëve besojnë se zgjerimi do të çojë në solidaritet më të madh midis shteteve anëtare.

Por pas kësaj mbështetjeje publike, nevojitet angazhim politik për të çuar përpara procesin, thekson Corina Stratulat.

"Do të ishte mirë nëse politikanët tani do të përfitonin nga ajo valë e mbështetjes publike në mënyrë që të ishin më ambiciozë dhe të vepronin realisht në lidhje me mirëpritjen e anëtarëve të rinj në Bashkimin Evropian dhe të bënin punën e nevojshme përgatitore për të qenë në gjendje të akomodonin më shumë vende rreth tryezës së vendimmarrjes".

Kjo çështje do të jetë në qendër të Samitit të Zgjerimit të organizuar nga Euronews më 4 nëntor.

Udhëheqësit e vendeve kandidate do të kenë mundësinë të diskutojnë sfidat e këtij procesi me zyrtarët e shteteve anëtare të BE-së.

Shqetësimet e perceptuara

Megjithatë, zgjerimi ngre gjithashtu shqetësime. 40% e qytetarëve përmendin imigracionin e pakontrolluar, 39% tregojnë rreziqet e korrupsionit dhe krimit, dhe 37% janë të shqetësuar për koston që kjo hapje do t'u shkaktojë taksapaguesve.

Që kjo hapje politike të jetë e suksesshme, qytetarët evropianë besojnë se zgjerimi duhet të shoqërohet me masa për të garantuar sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit (44%).

Ata gjithashtu u bëjnë thirrje vendeve kandidate të marrin angazhime të qarta për të zbatuar reformat e BE-së (38%).

Së fundmi, të anketuarit sugjerojnë forcimin e kritereve të pranimit për të siguruar që kandidatët të zbatojnë standardet e BE-së pas pranimit përfundimtar. /Telegrafi/

BE: Pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje, sinjal pozitiv për heqjen e mëtejmë të masave ndaj Kosovës

22 October 2025 at 10:02


Pas letrës që disa organizata të shoqërisë civile në Kosovë i kanë dërguar Bashkimit Evropian me kërkesën për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat janë vendosur si përgjigje ndaj tensioneve në veri të vendit në vitin 2023, ka ardhur edhe reagimi zyrtar nga BE-ja.

Zëdhënësja i BE-së, Anitta Hipper në një përgjigje për Telegrafin ka konfirmuar se institucioni është në dijeni të kësaj letre dhe është duke e shqyrtuar atë.

“Ne jemi në dijeni të letrës së organizatave të shoqërisë civile dhe jemi duke e shqyrtuar atë”, ka theksuar Hipper.

Bashkimi Evropian ka përshëndetur zhvillimin paqësor të rundit të parë të zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore, të cilat janë mbajtur me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve.

“Ne mirëpresim raundin e parë të zgjedhjeve lokale që u zhvillua në mënyrë paqësore, konkurruese dhe gjithëpërfshirëse, me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve”, tha më jet zëdhënësja e BE-së.

Sipas BE-së, këto zgjedhje përbëjnë një “sinjal të rëndësishëm të de-përshkallëzimit në veri”, i cili do të merret parasysh gjatë shqyrtimit të mëtejmë për heqjen e masave ndaj Kosovës.

“Kjo përbën një sinjal të rëndësishëm të de-përshkallëzimit në veri, i cili do të merret parasysh në kontekstin e heqjes së mëtejshme të masave”, theksoi Hipper.

BE-ja gjithashtu ka theksuar se pret që raundi i dytë i zgjedhjeve të zhvillohet në të njëjtën mënyrë dhe nënvizoi rëndësinë e një kalimi të rregullt të qeverisjes lokale.

“Ne presim që raundi i dytë i zgjedhjeve të mbahet në të njëjtën mënyrë dhe presim një tranzicion të rregullt të qeverisjes lokale,” thuhet më tej në përgjigjen e saj për Telegrafin.

Shoqëria civile përmes letrës dërguar BE-së ka bërë thirrje që të heqë masat e vendosura ndaj Kosovës, duke argumentuar se vendi ka treguar përkushtim ndaj normalizimit të situatës në veri dhe se progresi i arritur duhet të njihet dhe mbështetet.

BE-ja e ndëshkoi Kosovën në qershor të vitit 2023, për shkak të, siç vlerësoi, rolit të Qeverisë së Kosovës në nxitjen e tensioneve etnike në veri të vendit - zonë e banuar me shumicë serbe.

Në maj të këtij viti, kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas njoftoi në vizitën e saj të parë në Kosovë se kishte filluar heqja graduale e masave.

Këto masa ndëshkuese i kanë kushtuar Kosovës rreth 615 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra në afat të pacaktuar, ndërsa 7.1 milionë euro janë humbur pasi janë tejkaluar afatet e lejuara, sipas një raporti nga Instituti për Studime të Avancuara – GAP.

Udhëheqësit e Kosovës i kanë bërë vazhdimisht thirrje BE-së t'ia heqë masat vendit të tyre, përfshirë gjatë vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Prishtinë ditë më parë. /Telegrafi/

Mosformimi i institucioneve lë Kosovën duarthatë - Shqipëria përfiton nga fondet e KE-së rreth 100 milionë euro

16 October 2025 at 21:08


Komisioni Evropian ka lëshuar fonde të reja për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, si pjesë e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, ndërsa Kosova nuk është përfshirë në këtë raund disbursimesh.

Por pagesat për Kosovën nuk janë të mundura pasi në Kosovë nuk ka institucione që me BE-në do të bënin marrëveshje formale, e ajo marrëveshje do të kalonte me 2/3 me ratifikim në Kuvendin e Kosovës.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila vizitoi Kosovën të mërkurën, ka ritheksuar para bashkëbiseduesve të saj domosdoshmërinë e formimit sa më të shpejtë të institucioneve, në mënyrë që edhe Kosova të nisë të përfitojë nga kjo pako.

Sipas njoftimit të Komisionit, fondet u miratuan për të shpërblyer reformat e ndërmarra nga partnerët që po përshtaten me standardet e BE-së.

Shqipëria do të marrë disbursimin e parë prej 99.3 milionë eurosh, nga të cilat 46.2 milionë euro do të shkojnë direkt në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për projekte infrastrukturore përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Mali i Zi do të përfitojë 8.1 milionë euro, me 3.8 milionë euro që do të derdhen në buxhetin shtetëror, ndërsa Maqedonia e Veriut do të marrë 16 milionë euro, nga të cilat 7.4 milionë euro do të përdoren për qëllime buxhetore.

Fondet e mbetura për këto vende do të mbështesin projekte në fusha si transporti i qëndrueshëm, energjia e pastër, si dhe zhvillimi dixhital dhe njerëzor, në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare.

Deri më tani, në kuadër të Planit të Rritjes, janë disbursuar gjithsej 99.3 milionë euro për Shqipërinë, 18.3 milionë euro për Malin e Zi, dhe 25 milionë euro për Maqedoninë e Veriut.

Plani i Rritjes ka për qëllim të përshpejtojë përgatitjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE dhe të sjellë përfitime ekonomike para integrimit të plotë.

Megjithatë, Kosova vazhdon të mbetet jashtë listës së përfituesve, pasi ende nuk ka përmbushur kushtet e nevojshme për disbursim të fondeve./Telegrafi/

❌
❌