Mbrojtja e të dhënave personale, pjesë e edukimit qytetar dhe integrimit evropian
TIRANË, 28 janar /ATSh/ Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale shënoi Ditën Ndërkombëtare të Mbrojtjes së të Dhënave Personale me një sërë aktivitetesh ndërgjegjësuese, edukative dhe bashkëpunuese, që synojnë forcimin e kulturës së mbrojtjes së të dhënave dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve në epokën digjitale.
Në kuadër të kësaj dite, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (IDPC) dhe Kolegji Universitar i Biznesit (KUB) bashkëorganizuan një leksion të hapur me studentët, mbi rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale.
Gjatë këtij aktiviteti, komisioneri Besnik Dervishi theksoi se “të dhënat personale janë identiteti ynë. Ato janë thelbësore për çdo fushë të jetës dhe përpunimi i tyre duhet të bëhet me kujdes, përgjegjshmëri dhe në përputhje me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale”. Ai shtoi se Zyra e Komisionerit, si autoritet mbikëqyrës, ka një rol të drejtpërdrejtë në garantimin e respektimit të ligjit në fusha të ndjeshme.
Rektori i Kolegjit Universitar të Biznesit, Ylber Bezo, përshëndeti aktivitetin dhe theksoi se bashkëpunime të tilla me Zyrën e Komisionerit janë shumë të rëndësishme për studentët, pasi i ndihmojnë ata të kuptojnë se mbrojtja e të dhënave personale është thelbësore dhe pjesë e përgjegjësisë qytetare dhe profesionale.
Drejtorja e Kabinetit, Besa Velaj, dhe Sekretarja e Përgjithshme, Blerta Nerguti, të cilat ishin pjesë e këtij leksioni të hapur, shpjeguan rrugëtimin e miratimit të ligjit nr. 124/2024, nevojën për përafrimin e tij me standardet e Bashkimit Evropian dhe Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR), si dhe sfidat e zbatimit të tij në praktikë.
Nerguti u ndal te roli i këtij ligji në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se mbrojtja e të dhënave personale është një nga kërkesat themelore për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe një indikator kyç i forcimit të shtetit të së drejtës.
Ndërsa Velaj foli për arsyet që sollën nevojën për miratimin e këtij ligji, duke theksuar zhvillimin e shpejtë teknologjik, rritjen e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e të dhënave personale dhe ndikimin e projekteve ndërkombëtare ku Shqipëria është e përfshirë.
Gjithashtu sot Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale organizoi një fushatë ndërgjegjësuese dhe edukative, që përfshiu edhe shkolla të ndryshme të kryeqytetit dhe aktivitete publike. Qëllimi i saj ishte të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve dhe të rinjve, mbi rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale dhe përdorimin e kujdesshëm të teknologjisë në mjedisin online.
Fushata u realizua në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e Tiranës përmes shpërndarjes së posterave informues në ambientet shkollore dhe klasat e nxënësve. Posterët përmbajnë këshilla praktike për përdorimin e sigurt të internetit, ruajtjen e të dhënave personale dhe mbrojtjen e informacionit individual. Në qendër të fushatës së këtij viti qëndron mesazhi: “Kujdesi për të dhënat personale është respekt për lirinë dhe dinjitetin e secilit prej nesh!”, i cili pasqyron angazhimin e institucionit për të forcuar besimin e qytetarëve në përpunimin e drejtë dhe të ligjshëm të të dhënave personale, në përputhje me parimet e ligjit nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Zyra e Komisionerit nënvizoi se mbetet e përkushtuar në misionin e saj për të forcuar respektimin e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, për të rritur transparencën dhe përgjegjësinë institucionale, si dhe për të ndërtuar një kulturë të qëndrueshme të mbrojtjes së të dhënave personale në Shqipëri.
/m.q/a.f/
The post Mbrojtja e të dhënave personale, pjesë e edukimit qytetar dhe integrimit evropian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.