Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Forcohet bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë së SHBA-së



Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me menaxhmentin e lartë të PK-së, në Prishtinë priti në një takim zyrtar Atasheun Ligjor të FBI-së, Brendan Collins, si dhe Atasheun e Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (DOJ-ICITAP), Kimberly Riffe.

Sipas një njoftimi për media thuhet se gjatë këtij takimi, atashetë amerikane prezantuan para nivelit të lartë ekzekutiv të Policisë së Kosovës dy përfaqësues të FBI-së: një agjent special të FBI-së dhe një analist të inteligjencës të FBI-së, të cilët do të punojnë ngushtë dhe paralelisht me Policinë e Kosovës gjatë muajve në vijim.

“Takimi u fokusua në planet e bashkëpunimit të ardhshëm, forcimin e partneritetit strategjik dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional. Të dyja palët riafirmuan përkushtimin për bashkëpunim të plotë dhe koordinim të vazhdueshëm në fushën e hetimeve penale dhe inteligjencës, me qëllim të rritjes së sigurisë dhe luftimit efektiv të krimit. Policia e Kosovës vlerëson lart mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve të sigurisë së SHBA-së, duke e konsideruar këtë bashkëpunim si shembull të shkëlqyer të partneritetit profesional dhe strategjik në shërbim të sigurisë së qytetarëve”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Taksisti 55 vjeçar gjendet pa shenja jete brenda në veturë, rasti po hetohet



Një person me inicialet A.S i moshës 55 vjeçare, me profesion taksist është gjetë sot rreth orës 01:20 pa shenja jete brenda veturës së tij në rrugën “Hajdar Shala”, në Prizren.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Sipas tij, në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë policore dhe ekipi i emergjencës, ku nga ekipi mjekësor i Urgjencës është konstatuar vdekja e personit.

“Sipas informatave fillestare, në rrugën 'Hajdar Shala', në Prizren, një person mashkull , rreth 55 vjeçar (A.S.), banor i Prizrenit, me profesion taksist, është gjetur pa shenja jete brenda automjetit të tij. I ndjeri ishte duke qëndruar në pritje, me automjetin e parkuar në një vend-parkim të rezervuar për TAXI. Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë policore dhe ekipi i emergjencës, ku nga ekipi mjekësor i Urgjencës është konstatuar vdekja e personit. Pas pranimit të informatës, ekipi kujdestar i Sektorit Rajonal të Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, tha ai.

Ndërkaq, siç tha Bytyqi lidhur me rastin është njoftuar prokurori, dhe me urdhër të tij, trupi i pajetë i të ndjerit është dërguar në IML për ekzaminim të mëtejmë.

“Gjatë ekzaminimit sipërfaqësor të trupit, nuk janë vërejtur shenja të dhunës. Rasti vazhdon të hetohet si ‘Hetim i Vdekjes’ , në bashkërendim me Prokurorinë”, ka thënë ndër të tjera Bytyqi. /Telegrafi/

27 vjet nga masakra e Reçakut , Walker: Shpesh më pyesin pse flas vetëm për të



27 vjet më parë, në fshatin Reçak të Shtimes, ndodhi një nga krimet më të rënda gjatë luftës në Kosovë, ku 45 civilë shqiptarë u masakruan mizorisht nga forcat paramilitare serbe.

Masakra u bë e njohur për opinionin ndërkombëtar falë reagimit të menjëhershëm të shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker.

Walker pa nga afër trupat e pajetë të civilëve dhe ngriti alarmin për krime të rënda kundër njerëzimit që po kryheshin ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Rreth tre dekada më vonë, në Akademinë Përkujtimore të Masakrës së Reçakut, Walker deklaroi se, nëse dikush do t’i kishte thënë para 27 vitesh se Kosova do të ishte e lirë, ai nuk do ta kishte besuar.

“27 vite më parë kam vizituar Reçakun për herë të parë dhe për 27 vjet jam intervistuar. Unë fola për atë që kishte ndodhur dhe që pash atë ditë. Dua të them ca fjalë për ata që meritojnë falënderime që kanë ndodhur pas masakrës. Kam dëgjuar fjalë për UÇK-në, dhe prodhuan atë që jetojmë sot. Nuk e kam menduar që do të kishte një Republikë të Pavarur. Po të më thoshte dikush që pas kaq vitesh do të isha para një vendi të pavarur do të thosha ‘je i çmendur’. Aq shumë ka ndryshuar për 27 vite. Një grup njerëzish që mendoj që gëzojnë respekt, janë ata që kanë ardhur me mua që të shërbejnë në Kosovë nga mbi 30 vende anëtare të OSBE-së. Ata erdhën pa mbrojtje, ne nuk kishim armë përkundër rrezikut që kishte këtu. Asnjëherë s’kam pasur frikë sa herë kam ardhur me misionin. Ishin disa kosovarë që ishin aty për të më mbrojtur mua”, tha ai.

Ambasadori Walker theksoi se ishte Reçaku që i tregoi botës të vërtetën e Kosovës.

“Shpesh më pyesin pse ti Walker flet vetëm për Reçakun, ka pas dhe gjëra të tjera të ndodhur. U vra dhe familja Jashari, por askush s’mund të tregonte se çka ndodhi atje, por Reçaku brenda natës i mblodhi verifikuesit, gjeneralin britanik...”, ka thënë ai. /Telegrafi/

Plaku ndërpret liderët, ankohet se Reçaku është harruar



Gjatë deklaratave për media të krerëve të shtetit, të mbajtura sot në Kompleksin Memorial në Reçak me rastin e shënimit të 27-vjetorit të masakrës, një qytetar i moshuar ka shprehur pakënaqësinë e tij.

I moshuari iu drejtua kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke iu thënë se Reçaku përmendet vetëm gjatë përvjetorëve, ndërsa sipas tij, gjatë viteve nuk është bërë asgjë konkrete për zhvillimin dhe trajtimin e këtij fshati.

“...Ku është Reçaku sot? S’është hiç kërkund Reçaku. As n’komunë s’është hi Reçaku, asnjë s’është n’komunë...”, u shpreh i moshuar. /Telegrafi/


Spiropali vizitë zyrtare në Kiev, publikon pamje



Ministrja e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali ka publikuar pamje nga vizita e saj zyrtare në Kiev, ku është pritur nga homologu i saj ukrainas, ministri i Jashtëm Andrii Sybiha.

Përmes një postimi në Facebook, Spiropali ka bërë të ditur se gjatë vizitës kanë ndaluar pranë Murit të Kujtesës, ku kanë nderuar të rënët për pavarësinë e Ukrainës.

Ajo theksoi se ky vend simbolik është burim force dhe frymëzimi për qëndresën e vazhdueshme të popullit ukrainas.

“Pritja në Kiev nga miku dhe Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, ku u ndalëm pranë Murit të Kujtesës, për të nderuar kujtimin e të rënëve për pavarësinë e Ukrainës, aty ku gjen forcën dhe frymëzimin, qëndresa e sotme e popullit ukrainas”, ka shkruar Spiropali në Facebook. /Telegrafi/


Qytetarët dorëzojnë në polici mbi 10 mijë euro të gjetura në një lokal në Pejë



Me 10.01.2026, në Stacionin Policor Pejё, ёshtё raportuar nga njё qytetar se nё rrugën ‘Vllёzёrit Gёrvalla’ nё Pejё, nё njё lokal, i kanë humbur njё shumё tё hollash nё vlerё prej 10 mijë e 50 euro.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se më datёn 13.01.2026, dy qytetar nga Peja kanё shkuar në Stacionin Policor nё Pejё, dhe dorёzuan shumёn e tё hollave prej 10 mijë e 50 euro, tё cilat i kishin gjetur nё njё lokal nё rrugën e lartёcekur.

"Policia ka kontaktuar personin të cilit i kishte humbur tё hollat, i njëjti është ftuar në Stacionin Policor Pejё, dhe pas hetimeve tё nevojshme nё koordinim me prokurorin e Shtetit, nga zyrtarët Policor ju kanё kthyer tё hollat. Policia e Kosovës, falënderon qytetaret për veprimin dhe nivelin e lartë të përgjegjësisë qytetare", thuhet në njoftim. /Telegrafi/



Refuzohet si e pabazuar ankesa e PDK-së, e paraqitur kundër vendimit të PZAP-së



Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e parashtruar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Sipas një njoftimi për media thuhet se pasi PZAP ka hedhur si të pas-afatshme ankesën ZP.Anr.69/2025, të datës 08.01.2026.

"Ky subjekt politik, ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke propozuar, mes tjerash, që Gjykata Supreme të urdhërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të anulojë të gjitha fletëvotimet e pranuara me postë, pas datës 29.12.2026, ora 16:00 dhe të përjashtojë nga numërimi të gjitha fletëvotimet me postë të pranuara pas këtij afati, përfshirë ato të pranuar më 02.01.2026 dhe 05.01.2026, si dhe të bëjë rishikimin e rezultatit zgjedhor, pa përfshirjen e këtyre fletëvotimeve", thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se Gjykata Supreme e Kosovës e vlerësoi ligjshmërinë e vendimit të kontestuar, dhe pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, gjeti se ankesa është e pathemeltë.

"Gjykata Supreme, nisur nga gjendja faktike dhe ligjore e çështjes, e pranon në tërësi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-së, me të cilin e ka hedhë poshtë si të pas-afatshme ankesën e subjekti politik, Partia Demokratike e Kosovës", thuhet në njoftim.

Gjykata Supreme vlerëson se afatet ligjore janë garanci për palën ankuese dhe detyrim për organet përgjegjëse për shqyrtimin e ankesave brenda afatit kohor, ndërsa veçanërisht afatshmëria e ankesave në procesin zgjedhor është jetike për t’u përmbyllur si i tillë dhe të mos ketë prolongime kohore. /Telegrafi/

Hamza në Reçak: Liria jonë u ndërtua mbi sakrificën dhe gjakun e të rënëve



Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza bashkë me partiakët e tij ka bërë sot homazhe sot në shënimin e 27 vjetorit të Masakrës së Reçakut.

Hamza pas homazhe në një prononcim për media ka thënë se me nderim dhe respekt nderojnë të rënët e kësaj masakre e cila ka kontribuuar në lirimin e vendit.

“Sot bashkë me strukturat jemi këtu për të shpreh nderimin dhe respektin për të rënët, që është një nga ngjarjet që ka kontribuuar në lirimin e Kosovës. Falënderoj William Wolker që ka bërë publike këtë ngjarje. Shprehim respektin deri në përulje për sakrificën e të rënëve”, ka thënë Hamza. /Telegrafi/

27 vjet nga masakra e Reçakut, Haradinaj: Drejtësia për masakrat në Kosovë ende mungon



Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë homazhe sot në shënim të 27-vjetorit të masakrës së Reçakut.

Pas nderimit të martirëve, Haradinaj theksoi mirënjohjen e përjetshme për të gjithë ata që u flijuan për lirinë e Kosovës. Ai tha se masakra e Reçakut ishte një pikë kthese që tërhoqi vëmendjen e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara ndaj krimeve serbe të kryera në Kosovë.

“Jemi përjetësisht mirënjohës UÇK-së dhe të gjithë brezave që luftuan për liri. Përkulemi me nderim të përjetshëm. Po ashtu, falënderues ndaj NATO-s dhe Amerikës për ndihmën e dhënë – ta gëzojmë lirinë”, u shpreh Haradinaj.

Ai shtoi se drejtësia për masakrat e kryera në Kosovë ende nuk është vënë në vend.

Por, sipas tij është e padrejtë që udhëheqësit e UÇK-së vazhdojnë të gjykohen, ndërkohë që autorët e krimeve serbe nuk përballen me drejtësinë. /Telegrafi/

Shkarkohen dy zyrtarë në Komunën e Zveçanit, Peci: Arsyetimet e paraqitura nga kryetari janë të pabazuara



Ish kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci ka kundërshtuar vendimin e kryetarit aktual të kësaj komune, Dragisha Milloviq për moskonfirimin e kontratave të punës për dy zyrtarët komunalë shqiptarë.

Peci përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës është i pabazuar dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

“Si ish-kryetar i Komunës së Zveçanit dhe aktualisht asambleist në këtë komunë, shpreh kundërshtimin tim të plotë ndaj vendimit të kryetarit aktual, z. Dragisha Milloviq, për moskonfirmimin e kontratave të punës për dy zyrtarë komunalë shqiptarë. Vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës është i pabazuar dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Sipas ligjit në fuqi, pas përfundimit të periudhës provuese gjashtëmujore, nëse brenda 24 orëve nga data e përmbushjes së kësaj periudhe nuk merret vendim për ndërprerje, kontrata e punës vazhdohet automatikisht. Në këtë rast, ky afat ligjor është tejkaluar, prandaj vendimi i marrë nuk ka efekt juridik”, ka shkruar ai.

Sipas tij, arsyetimet e paraqitura nga kryetari aktual janë të pabazuara, veçanërisht pretendimi për vlerësim të dobët të punës nuk qëndron “pasi gjatë mandatit tim si kryetar i Komunës së Zveçanit, puna e këtyre dy zyrtarëve është vlerësuar pozitivisht për pesë muaj radhazi, duke përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në mënyrë profesionale”.

“Ky veprim përbën jo vetëm shkelje ligjore, por edhe një padrejtësi institucionale që dëmton funksionimin e administratës komunale dhe parimin e barazisë. Kërkoj që ky vendim të rishqyrtohet urgjentisht dhe të respektohen ligjet, procedurat dhe të drejtat e zyrtarëve komunalë. Do të vazhdoj të angazhohem që institucionet komunale të veprojnë në përputhje me ligjin dhe interesin e qytetarëve të Komunës së Zveçanit”, ka shkruar ndër të tjera Peci. /Telegrafi/


Sekuestrohen 60 kg kanabis, arrestohet 52-vjeçari në Fushë Krujë



Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni policor i koduar “Cargo”.

Sekuestrohen 60 kilogramë lëndë narkotike kanabis.

Vihet në pranga 52-vjeçari që u kap në flagrancë në fshatin Luz, duke transportuar me automjet, lëndën narkotike, me qëllim shitjen.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara për një rast të shitjes së lëndëve narkotike, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Cargo”, si rezultat i të cilit u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi:

-A. M., 52 vjeç, banues në Krujë.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në fshatin Luz, Fushë Krujë, automjetin me drejtues shtetasin A. M., në të cilin kanë gjetur 6 thasë me lëndë të dyshuar cannabis sativa, me peshë totale 60 kilogramë.

Nga hetimet dyshohet se lënda narkotike (me vlerë rreth 60 000 euro) do të shitej në doza të vogla në qytetin e Krujës dhe në Tiranë.

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe 1 celular.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. /Euronews.al/

Dhimbjet e barkut, refluksi dhe simptomat që shpesh ngatërrohen me sëmundje të tjera - flet gastroenterologu Avni Haziri



Gjatë podcastit "Shëndeti në rend të parë", e mbështetur nga United Hospital, gastroenterologu Avni Haziri ka sqaruar në detaje mënyrën se si dhimbjet e barkut dhe simptomat shoqëruese mund të tregojnë probleme të ndryshme të sistemit tretës, veçanërisht të lukthit.

Sipas tij, nëse dhimbja paraqitet në pjesën e sipërme të barkut, zakonisht ajo lidhet me lukthin.



Ai tha se lokalizimi i dhimbjes dhe koha kur shfaqet janë shumë të rëndësishme për të kuptuar se cila pjesë e lukthit është e prekur.

“Nëse pacienti tregon se dhimbja shfaqet menjëherë pas ushqimit, shoqërohet me djegësim, ndjenjë për të vjellë apo edhe vjellje, atëherë problemi zakonisht ndodhet në pjesën ku ushqimi bie për herë të parë në lukth ose në pjesën e poshtme të tij”, shpjegon Haziri.

Tutje Haziri u shpreh se në këto raste, diagnoza mund të variojë nga një gastrit i lehtë deri te ulçera gastrike.

Një shenjë e rëndësishme, sipas Hazirit, është edhe kolla e thatë kronike, e cila shpesh nuk lidhet me mushkëritë apo alergjitë, por me kthimin e thartinës së lukthit në ezofag.

“Refluksi ndodh kur thartina e lukthit kthehet përmes diafragmës në ezofag dhe ndonjëherë arrin deri në fyt, duke i irrituar këto pjesë,” shpjegon gastroenterologu duke shtuar se për këtë arsye, shumë pacientë mendojnë se problemi është në fyt, mushkëri apo zemër.

Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndet në rend të parë":

- YouTube www.youtube.com

Arrestohen dy persona të kërkuar me urdhëresë gjykate në Prishtinë



Policia e rajonit të Prishtinës po vazhdon ndërmarrjen e veprimeve policore me qëllim kapjen e personave të dyshuar dhe atyre të dënuar si autor të veprave penale.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se në kontekstin e kësaj, në një operacion të realizuar nga zyrtarët e stacionit të Podujevës sot u arrestuan dy persona të kërkuar nga Gjykata për veprën Lëndim trupor: A. A, mashkull, 25 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe A. Z, mashkull, 21 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, të cilët pas arrestimit nga ana e policisë janë dërguar në vuajtje të dënimit.

Ndryshe, gjatë vitit 2025, zyrtarët e stacionit policor të Podujevës kanë realizuar 745 urdhëresa, prej tyre për vepra penale kanë qenë 251. /Telegrafi/


Kontroll në qelinë e të burgosurit në Burrel që tentoi të arratisej, shkak një audio-regjistrim dhe postim në Instagram



Drejtoria e Burgjeve ka urdhër kontroll urgjent në qelinë e të burgosurit Fatmir Pjetri, në Burrel, i njohur si pjesë e bandës së ‘Babagjyshëve’.

Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha bën dije se shkak është bërë publikimi në profilin e Instagramit të tij të një audioregjistrimi ku akuzon Drejtorinë e Burgjeve se nuk e kanë lejuar që të botojë një roman që ka shkruar, pasi përmban akte dhune.

Por kontrolli do të ushtrohet për të zbuluar sesi është bërë ky regjistrim dhe si është postuar në Instagram.

Në 2025 Pjetri ka tentuar që të arratisej ndërsa ndodhej në burgun 313. Ai së bashku me Arbër Çekajn kishin thurur planin për t’u larguar me një çarçaf nga izolimi. Në dosjen e siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, tregohet se si Fatmir Pjetri ka goditur me hekur në kokë gardianin dhe punonjësin tjetër të burgut.

“Rreth orës 14:20 ai është njoftuar nga përgjegjësi specialisti i trups Gëzim Rramushi se i paraburgosuri Lulzim Çepele kishte prerë damarët e dorës së djathtë. Për këtë shkak ai është dërguar në infermieri për ndihmë mjekësore, dhe më pas ai vetë ka shkuar atje dhe ka folur ndihmës mjeken që rekomandoi se Lulzim Çepele ka nevojë për qepje të plagës, gjë që duhej bërë në spital. Për këtë ai ka njoftuar sallën operative të Drejtorisë të Përgjithshme, Drejtorin e institucionit dhe Shefin e Policisë, për të bërë shoqërimin e Lulzim Çepeles për në Spitalin e Traumës.

Njëkohësisht ka njoftuar shoferin e ambulancës për të ardhur në IEVP dhe marrë të dëmtuarin. Gjatë kohës që ai ishte duke pritur ardhjen e personelit, rreth orës 14:55, ka parë se tek muri i godinës “A” në faqen veriore nga taraca e ajrimit ishte një person duke kacavjerrur me litar. Menjëherë ai ka bërë njoftimin dhe bashkë me një punonjës tjetër ka dalë në oborr menjëherë ku ka konstatuar se i paraburgosuri Fatmir Pjetri ishte në gjysëm lartësi duke zbritur me litar për tek shkallët e hyrjes të administratës.

Menjëherë ai është ngjitur vetë i parë për të ndaluar atë dhe kur ka qenë përballë me të ka parë se ai kishte në dorë një hekur në formë të harkuar. Ai i ka dalë parë tek sheshpushimi i shkallëve të administratës dhe në këtë moment Fatmir Pjetri e ka goditur me hekur duke e dëmtuar në anën e majtë te kokës. Pasi e goditi Fatmiri u hodh nga shesh pushimi i shkallëve në sheshin, ka goditur me te njëjtin hekur edhe punonjësin e ruajtjes të portës. Ai ka zbritur dhe i ka shkuar menjëherë nga mbrapa dhe bashkë me punonjësin e portës Hekuran Sina e kanë neutralizuar Fatmir Pjetrin.

Në këtë moment ai ka vënë re se i paraburgosuri tjetër Arbër Çekaj ishte duke zbritur me të njëjtin litar dhe pasi zbriti ju drejtua me vrap portës kryesore. Atij i ka dalë para punonjësit e sigurisë Gëzim Nikoqi dhe Gezim Ramushi të cilët e kanë neutralizuar dhe prangosur. Më pas të dy personat që tentuan të arratisen janë dërguar tek skaneri ku ju bë kontrolli fizik i tyre ku nuk u gjetën me vete sende të ndaluara dhe shoqërimi i tyre në dhomat e veçimit. Më pas ai ka njoftuar me pas drejtorin e institucionit, dhe shefin e policisë për këtë tentativë arratisje.

Punonjësi i policisë Gëzim Nikoçi me detyrë punonjës i grupit të sigurisë deklaron se se rreth orës 15.00 është lajmëruar nga polici i kollonës 2-1 kati i dytë i godinës “A”, se i paraburgosuri me mbiemër “Çepele’ është dërguar në infermieri pasi kishte presë damarët e dorës. Ai dhe dhe kolegu i tij Vladimir Myrto shkuan në infermieri pasi i dëmtuari kishte shumë rrjedhje gjaku nga dora e djathtë tek pjesa e parakrahut. Pasi ka bërë mjekimin e parë ndihmës/mjekja Bejaze Jaho doli jashtë regjimit dhe komunikoi me mjeken e institucionit dhe u vendos që i paraburgosuri të shkojë në spital për tu qepur plagën e tij. Nga oficeri i informacionit shoqërimi i tij për në spital i është ngarkuar atij dhe Vladimirit.

Sapo ata u afruan tek porta hyrëse e regjimit të brendshëm që të çon tek zyra e specialistit të informacionit kanë dëgjuar zhurma e britma dhe në atë moment hapi derën ndihmësi i informacionit me mbiemër “Almeta” dhe nga specialisti informacionit kanë mësuar se kishte patur një tentativë për arratisje. Ai ja ka lënë të paraburgosurin Çepele kolegut të tij dhe ka dalë bashkë me Vladimirin me vrap në oborr ku kanë parë që Fatmir Pjetri ishte i shtrirë dhe i neutralizuar nga polici i godinës “B” dhe kurse Arbër Çekaj po zbriste shkallët që të nxjerrin jashtë në oborr.

Ai bashkë me Vladimirin dhe Ali Almetën i janë hedhur përsipër duke e prangosur dhe futur tek dhoma e kontrollit bashkë më Fatmir Pjetrin dhe në këtë moment ka parë specialistin e informacionit Myfit Xheka të gjakosur në kokë dhe pas rreth 10 min ka ardhur dhe policia e shtetit në institucion.

Nisur nga sa më sipër shtetasi Arbër Çekaj në bashkëpunim me Fatmir Pjetrin dhe kanë konsumuar në bashkëpunim mes tyre veprën penale të “largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” të parashikuar nga neni 323/1-25 të Kodit Penal”, shkruhet në dosje.

40-vjeçari është nga Puka rezulton i dënuar më parë në Greqi për vjedhje me dhunë dhe armë. Pas ardhjes në Shqipëri ai në vitin 2013 u bë pjesë e “Bandës së Babagjyshëve”. Ai ka marrë pjesë në të gjitha grabitjet e bëra nga banda e “Babagjyshëve”, që u shtrinë në të gjithë vendin, në Tiranë, Kuçovë, Durrës, Berat, Lezhë, Fushë-Krujë, Laç, Shkodër.

Grabitja që bëri më shumë bujë ishte ajo në një qendër tregtare në Tiranë, ku u grabit një argjendari. /Tch/

Endrit Thaçi: Duke i numëruar ditët kur nga ky objekt do të dalë babi dhe shokët e tij



Djali i ish-presidentit të vendit, Hashim Thaçi, Endrit Thaçi ka thënë se është shumë optimist për lirimin e babait të tij nga akuza e ngritura nga Prokuroria Speciale e Dhomave të Specializuara.

Thaçi përmes një storie në Instagram ka thënë se është duke i numëruar ditët që nga objekti i Gjykatës Speciale në Hagë do të dalë babai i tij bashkë me shokët e tij.

‘Optimist. Duke i numëruar ditët kur nga ky objekt do të dalë babi dhe shokët e tij. Dielli do të lind përsëri’”, ka shkruar ai. /Telegrafi/

Haradinaj takohet me Sorensen: Po angazhohemi për rikthimin e vendit në rrugën e integrimit euro-atlantik



Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë së Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka pritur sot përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun, Peter Sorensen me të cilin ka biseduar për rëndësinë e partneritetit BE -SHBA dhe për sukseset e arritura në Kosovë dhe në rajon.

Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook Haradinaj ka shkruar se Sorensen e ka njoftuar për qëndrimin e Aleancës për të dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

“Në takim çmova rolin e tij dhe të Bashkimit Evropian, duke theksuar po ashtu rëndësinë e partneritetit BE–SHBA për sukseset e arritura në Kosovë dhe në rajon. E njoftova Sorensen për qëndrimin e Aleancës për të dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet, si dhe për angazhimin tonë në rikthimin e vendit në rrugën e integrimit euro-atlantik. /Telegrafi/


Abdixhiku takohet me Sorensen: Biseduam për proceset ndërkombëtare që e presin Kosovën



Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka pritur sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.

Abdixhiku përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka thënë se me Sorensen ka biseduar për situatën aktuale politike në vend dhe për proceset ndërkombëtare që e presin Kosovën.

“Theksova rëndësinë e stabilitetit institucional dhe konsolidimit demokratik në vend, si parakushte për funksionimin normal të institucioneve, për besimin e qytetarëve te shteti, për zhvillimin ekonomik, për tërheqjen e investimeve dhe për ruajtjen e kredibilitetit ndërkombëtar të Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.

Tutje ai ka shkruar se: “Në përmbyllje të takimit, shpreha pritjen që Bashkimi Evropian të vazhdojë angazhimin dhe mbështetjen për Kosovën, si në proceset e përgjithshme politike, ashtu edhe në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian dhe forcimit të perspektivës euroatlantike të vendit”. /Telegrafi/


Vet-aksident në Dollc të Klinës, nuk ka të lënduar



Një vet-aksident ka ndodhur sot rreth orës 08:26 në Dollc të Klinës.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Sipas tij në këtë vet-aksident nuk ka persona të lënduar vetëm dëme materiale.

“Rreth orës 08:26 në Dollc të Kinës për një vet-aksident..të lënduar nuk ka vetëm dëme materiale”, ka thënë Gashi. /Telegrafi/


Hamza takohet me Sorensen: Diskutuam​ për nevojën e konstituimit të institucioneve të reja



Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka pritur të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.

Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook Hamza ka shkruar se me Sorensen ka diskutuar për nevojën e konstituimit të institucioneve të reja, stabilitetin institucional dhe rëndësinë e rikthimit të Kosovës në agjendën e integrimit evropian.

“PDK mbetet e përkushtuar për bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë në shërbim të paqes dhe stabilitet rajonal”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


Rama: Do t’i shesim energji Evropës dhe bashkë me miqtë tanë arabë do të bëjmë para



Kryeministri Edi Rama tha se përmes hidrocentraleve, synon të shesë energji të rinovueshme në shtetet e Bashkimit Evropian, përmes projektit të përbashkët me Italinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Ne kemi 100% energji të ripërtëritshme. Nuk kemi energji nga karburantet fosile. Ne varemi nga humori i Allahut. Kur Allahu qesh shumë dhe nuk qan, atëherë nuk kemi shi dhe duhet t’i drejtohemi importit. Vitet e fundit kemi investuar shumë në energji diellore dhe atë të erës”, tha Rama në fjalën e tij në panelin Samitit të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dabi.

“Plani po ecën mirë dhe besojmë se në fund të vitit 2028 do të jemi plotësisht sovran. Nuk do të blejmë më energji nga jashtë. Ndërkohë kemi edhe një bashkëpunim strategjik. Ambicia jonë është që së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë, të kemi një bashkëpunim trepalësh, të krijojmë një bazë të ngarkesës në Shqipëri. Dr Sulltani, zoti e bekoftë, po synon që të mbërrijmë në 3 Giga dhe përmes kabullit ndërlidhës me Italinë, t’i shërbejmë Evropës me energji të gjelbër dhe sigurisht së bashku me miqtë tanë arabë të bëjmë para, për t’ia shitur pra Europës”, shtoi Rama. (A2 Televizion)

❌