Roma dhe AC Milani kanë ndarë pikët në derbin italian të xhiros së 22-të në Serie A.
“Romakët” ishin më të mirë në periudhën më të madhe të kohës, por që epilogu përfundimtar rezultoi të jetë 1-1.
Roma e nisi fuqishëm duke krijuar dy raste të shpejta përmes Donyell Malen, mirëpo dështoi t’i finalizojë.
Rast të mirë kishte edhe Zeki Celik, sidoqoftë heroi i Milanit ishte Mike Maignan me një pritje madhështore.
Kur Roma po sulmonte, AC Milan zhvilloi një kundërsulm fantastik me mbrojtësin Koni de Winter që shënoi me kokë pas harkimit të Luka Modricit (62’).
Sidoqoftë, Roma u këndell shpejtë pasi Davide Bartesaghi preku topin me dorë brenda zonës, kësisoj gjyqtari akordoi penallti. Nga 11-metërshi i pagabueshëm ishte Lorenzo Pellegrini (74’).
AC Milani me këtë barazim qëndron në pozitën e dytë me 47 pikë, katër mbi Romën që zë pozitën e tretë./Telegrafi/
Mbrojtësi Andrew Robertson pritet të mbetet te Liverpooli, pasi klubi nga “Anfield” i ka bërë të qartë Tottenham Hotspurit se largimi i tij nuk mund të merret në konsideratë për momentin.
Pavarësisht bisedimeve të zhvilluara javën e kaluar mes dy skuadrave të Liga Premier, Liverpooli ka vendosur të tërhiqet nga çdo marrëveshje e mundshme për kapitenin e Skocisë.
Tottenham ishte i gatshëm të paguante një paketë rreth 5 milionë funte për Robertsonin, kontrata e të cilit skadon në verë, me trajnerin Thomas Frank që kërkonte më shumë lidership dhe përvojë në skuadrën e tij.
Liverpooli ka pasur parasysh kontributin e jashtëzakonshëm të Robertsonit gjatë tetë viteve e gjysmë te klubi, që nga transferimi i tij nga Hull City në verën e vitit 2017 për vetëm 8.5 milionë funte, si dhe faktin që e ardhmja e tij pas përfundimit të sezonit mbetet ende e paqartë. Megjithatë, pas shqyrtimit të ofertës dhe alternativave të tjera në atë pozitë, drejtuesit e klubit kanë vendosur të mos ecin përpara me marrëveshjen.
Robertson, i cili mbush 32 vjeç në mars, u aktivizua si zëvendësim në fillim të pjesës së dytë për mbrojtësin e majtë titullar Milos Kerkez në humbjen 3-2 ndaj Bournemouthit në fundjavë, rezultat që bëri që Liverpooli të dalë nga katërshja e parë e Liga Premier pas ndeshjeve të së dielës.
Skocezi nuk ka ushtruar presion për një transferim në Londër dhe do të vazhdojë të ketë rol në pjesën e mbetur të sezonit, teksa Liverpooli synon përmirësim të rezultateve në kampionat. “Të kuqtë” vazhdojnë garën në Ligën e Kampionëve dhe në FA Cup.
Trajneri Arne Slot e ka bërë të qartë dëshirën e tij për të mbajtur të gjithë lojtarët, edhe pas humbjes së vonshme ndaj Bournemouthit, që ishte disfata e shtatë e sezonit.
“Dua t’i mbaj të gjithë lojtarët e mi”, kishte deklaruar Slot.
Liverpooli kishte shqyrtuar mundësinë e rikthimit të Kostas Tsimikas nga huazimi te Roma, por klubi italian nuk ishte i gatshëm ta lejonte largimin e tij./Telegrafi
Golden Eagle Ylli e ka fituar një ndeshje jashtëzakonisht të vështirë ndaj Vëllaznimit, e cila u vendos vetëm në sekondat e fundit në palestrën “13 Qershori” në Suharekë.
Skuadra vendase triumfoi me rezultat 90:85, duke marrë një fitore shumë të rëndësishme në garën për pozitat e mesme të tabelës.
Pjesa e parë i takoi mysafirëve nga Gjakova, të cilët u treguan më konkretë dhe shkuan në pushim me epërsi prej gjashtë pikësh, 46:40. Vëllaznimi e fitoi çerekun e parë me rezultat minimal 22:21, ndërsa në të dytin ishte më bindës, 24:19.
Megjithatë, gjithçka ndryshoi pas pauzës. Golden Eagle Ylli realizoi një rikthim të madh në çerekun e tretë, të cilin e fitoi bindshëm 30:15, duke marrë epërsinë dhe kontrollin e ndeshjes. Perioda e fundit i takoi Vëllaznimit (25:20), por përpjekjet e “kuqezinjve” nuk mjaftuan për të shmangur humbjen.
Kjo ishte disfata e 12-të sezonale për Vëllaznimin, i cili numëron edhe pesë fitore, duke mbetur, së bashku me Rahovecin 029, në dy pozitat e fundit të tabelës. Në anën tjetër, Golden Eagle Ylli barazohet me pikë me Sigal Prishtinën, me nga 25 pikë gjithsej, pas tetë fitoreve dhe nëntë humbjeve.
Individ më i dalluar te skuadra suharekase ishte Scott Bamforth, i cili e mbylli ndeshjen me 25 pikë, katër asistime dhe tri kërcime. Te Vëllaznimi u veçua sërish Jericole Hellems, autor i 22 pikëve, shtatë kërcimeve dhe dy asistimeve.
Vlen të theksohet se si Golden Eagle Ylli ashtu edhe Vëllaznimi janë eliminuar më herët nga Kupa e Kosovës në basketboll./Telegrafi
Trajneri Mikel Arteta ka marrë mbi vete përgjegjësinë e plotë për humbjen 3-2 të Arsenalit ndaj Manchester United në “Emirates Stadium”, disfata e parë në shtëpi për “Topçinjtë” në sezonin 2025/26 të Ligës Premier.
Trajneri spanjoll nuk kërkoi justifikime pas ndeshjes dhe theksoi se përgjegjësia bie mbi të, ndërsa përgëzoi kundërshtarin për paraqitjen dhe rikthimin e tyre.
“Ne e pranojmë humbjen. I përgëzojmë kundërshtarët. Vazhdojmë përpara. Duhet t’ua kujtojmë lojtarëve sa të mirë që janë. Unë e marr përgjegjësinë për gjithçka!”.
Pas ndeshjes, Arteta vuri theksin te nevoja për unitet dhe mbështetje ndaj lojtarëve në një moment të vështirë, duke kërkuar që skuadra të qëndrojë e bashkuar.
“Kur humbasim, atëherë duhet të tregojmë bashkimin, unitetin. Është një humbje shumë e dhimbshme, por tani është koha të jemi pranë lojtarëve që na japin kaq shumë gëzim. Është koha të jemi shumë, shumë afër tyre dhe t’i mbështesim – ne duam të fitojmë!”
Pavarësisht këtij hapi fals, Arteta mbetet i bindur se reagimi i Arsenalit do të vijë përmes solidaritetit dhe besimit te grupi, teksa gara në Ligën Premier sapo ka hyrë në fazën më intensive të saj./Telegrafi
Sulmuesi Meriton Korenica ka shënuar një gol të bukur për ta përmbysur epërsinë në derbin ndaj FCSB.
Ylli i Kosovës që po lidhet me kalimin te DC United shënoi golin e dytë pas një kundëraksioni të shpejtë.
Korenica mori një pasim të gjatë ndaj Illie, ku me një parabolë të bukur e la të shtangur portierin vendas (44’).
Për më shumë shikoni golin:
Ndërkohë, ende nuk dihet nëse DC United do të ofrojë mbi 4 milionë euro për shërbimet e lojtarit kosovar, vlerë që e kërkon Cluji për ta liruar para se të mbyllet ky afat kalimtar dimëror./Telegrafi
Xherdan Shaqiri ka qenë ylli kryesor i Baselit në fitoren e vështirë në udhëtim te Zurichu.
Basel triumfoi me rezultat 3-4, duke arritur të kthehet dy herë nga disavantazhi, ku protagonisti kryesor ishte ylli gjilanas, me një het-trik si dhe një asistim.
Zurichu kaloi herët në epërsi përmes Phaeton, që mori një asistim të bukur nga Bledian Krasniqi (1’).
Sidoqoftë, pas një kundëraksioni, Shaqiri përfitoi nga asistimi i Otele për të barazuar rezultatin (11’).
Zurichu e riktheu epërsinë falë Keny që ishte i saktë nga pika e bardhë (43’), por gjashtë minuta më vonë – Shaqa doli sërish në skenë, këtë herë me një parabolë mahnitëse e la të shtangur portierin (45+3’).
Shaqiri pastaj dhuroi një asistim maestral te Otele, i cili shënoi për ta përmbysur epërsinë (51’).
Zurichu s’u dorëzua dhe barazoi rezultatin falë Reverson (64’), mirëpo në minutën e fundit të takimit Shaqiri shënoi sërish për ta kompletuar het-trikun dhe vulosi fitoren e Baselit (90+4’).
Kësisoj, “SofaScore” i dha notën më të lartë të mundshme, plot 10.0.
Baseli renditet në pozitën e katërt me 36 pikë ndërsa Zurichu zë pozitën e tetë me 25 sosh. Shaqa ndërkohë shkon në kuotën e nëntë golave, vetëm tre më pak se top golashënuesi i Young Boys Bedia./Telegrafi/
Sulmuesi Youssef En Nesyri e ka refuzuar përfundimisht kalimin te Juventusi në formë huazimi, këtë e ka konfirmuar drejtori i skuadrës italiane Giorgio Chiellini.
Juventusi kishte arritur marrëveshje me Fenerbahcen për huazimin e En Nesyri për pjesën e mbetur të sezonit, megjithatë lojtari ka kërkuar që transferimi të jetë i përhershëm.
Chiellini ka konfirmuar se “Bianconerët” nuk do ta blejnë lojtarin direkt prandaj marrëveshja ka dështuar.
“En Nesyri ka dyshime rreth marrëveshjes së huazimit dhe tani i shohim këto s’i negociatat të përfunduara. Ne nuk do ta transferojmë En Nesyri në marrëveshje të përhershme”, deklaroi ai.
🚨⚠️ Breaking: Youssef En Nesyri to Juventus deal, currently OFF. ❌
“En Nesyri has doubts over deal formula [loan] and now after assessing this case we consider the negotiations OVER. We will NOT sign En Nesyri on permanent deal”, says Director of Football Giorgio Chiellini. pic.twitter.com/nWEFiIzFn5 — Fabrizio Romano (@FabrizioRomano) January 25, 2026
Ndërkohë, En Nesyri pritet të largohet nga Fenerbahce me Sevillën si opsion konkret.
Mbetet të shihet nëse Juventusi do të kërkojë ndonjë sulmues tjetër, ku ndër opsionet është edhe Fisnik Asllani i Hoffenheimit./Telegrafi/
Sulmuesi Xherdan Shaqiri ka shënuar dy gola të bukur për ta barazuar rezultatin për Baselin ndaj Zurichut.
Zurichu kaloi herët në epërsi falë Phaeton, që u asistua nga Bledian Krasniqi, mirëpo Baseli u kthye në lojë falë golit të Xherdan Shaqirit.
Lojtari nga Gjilani e finalizoi për mrekulli asistimin e Otele (11’), me një goditje të saktë, ku s’i dha asnjë shans portierit vendas - VIDEO.
Ndërkohë, vlen të ceket se gol shënoi edhe Dion Kacurri, por u anulua nga VAR-i shkaku që kishte prekje të topit me dorë.
Zurichu e riktheu epërsinë në përfundimin e pjesës së parë falë Keny, sidoqoftë vetëm dy minuta më vonë – në skenë doli sërish Shaqiri që e tundi rrjetën.
Këtë herë, Schmid dhuroi një pasim të saktë te Shaqiri, me këtë të fundit që s’gaboi përballë portierit për ta barazuar sërish rezultatin (45+3’)./Telegrafi
Drejtori i Mallorcas Alfonso Diaz ka konfirmuar se sulmuesi Vedat Muriqi nuk do të largohet.
Ditët e fundit ka pasur shumë spekulime nga mediat turke që Fenerbahce po bën çmos për ta rikthyer Muriqin si dhe e kanë bërë prioritet për këtë afat kalimtar dimëror.
Sidoqoftë, Muriqi është i paprekshëm te Mallorca, me drejtorin kryesor që ka konfirmuar se nuk do të ketë ndonjë lëvizje për lojtarin nga Prizreni.
“Afati kalimtar kuptohet gjithmonë jep spekulime. Nuk kemi oferta për Mascarell si dhe Muriqi do të qëndrojë me ne. Jemi duke punuar për ta përforcuar skuadrën”, deklaroi shkurtimisht ai.
Muriqi po kalon ndoshta sezonin më të mirë të karrierës këtë edicion, duke qenë golashënuesi i dytë në La Liga me 14 gola, ku vetëm Kylian Mbappe me 21 sosh është para tij.
Pavarësisht formës së shkëlqyer të Muriqit, Mallorca po vuan këtë sezon në kampionatin spanjoll, duke luftuar për mbijetesë pasi zënë pozitën e 16-të me 21 pikë, vetëm dy mbi Alavesin që renditet në zonën e rrezikshme./Telegrafi
Juventusi ka bërë publike listën për ndeshjen ndaj Napolit, që është kryederbi i kësaj xhiroje.
Megjithatë, ajo që ra në sy në listën e Luciano Spallettit ishte se edhe një tjetër shqiptar përpos Edon Zhegrovës ka marrë ftesë për këtë përballje.
Bëhet fjalë për portierin e talentuar Raffaele Huli, i cili është ftuar për herë të parë në ekip te Juventusi për këtë sfidë të rëndësishme.
Kuptohet, gjasat janë minimale për të zhvilluar qoftë një minutë – megjithatë është edhe konfirmim që skuadra italiane po e vëzhgon nga afër dhe ka besim që ky i fundit edhe mund të bëhet portieri kryesor brenda pak viteve.
📜 Your squad list for this afternoon's match at the Allianz Stadium ✍🏻 #JuveNapoli
Huli është pjesë e ekipit U20 pavarësisht moshës 17-vjeçare, kurse ka zhvilluar 16 paraqitje në ligën e të rinjve, ku ka mbajtur gjashtë herë portën e paprekur./Telegrafi
Para se të hapej afati i janarit, gjithçka dukej se po shkonte drejt largimit të Mohamed Salah nga Liverpooli. Edhe momenti kur ai u nis drejt Kupës së Afrikës së Kombeve kishte krijuar bindjen te shumë tifozë se egjiptiani mund të mos kthehej më në “Anfield”.
Klubet e Ligës Profesionale Saudite kanë kohë që e ndjekin nga afër Salahun dhe ai mbetet objektivi i tyre i ëndrrave. Për një periudhë, dukej sikur marrëdhënia mes lojtarit dhe klubit ishte thyer përfundimisht.
Pas barazimit ndaj Leeds United në “Elland Road”, Salah dha një intervistë të fortë, ku akuzoi klubin se e kishte “hedhur nën autobus”. Ai po ashtu zbuloi se raporti i tij me trajnerin Arne Slot ishte praktikisht inekzistent, pas disa ndeshjeve radhazi ku ishte lënë në stol.
Kjo situatë u përforcua nga zërat për një largim të pashmangshëm, teksa e ardhmja e tij në “Anfield” dukej gjithnjë e më e paqartë. Megjithatë, pas rikthimit nga AFCON, Salah u rikthye titullar në ndeshjen kundër Marseille, të cilën Liverpooli e fitoi bindshëm, duke sinjalizuar një ndryshim të qartë në raportet brenda klubit.
Tani, duket se besimi i ndërsjellë po rindërtohet. Liverpooli ka bërë të qartë qëndrimin e tij mes spekulimeve për transferim dhe, sipas raportimeve të fundit, klubi nuk ka ndërmend ta largojë me çdo kusht yllin egjiptian.
Kontrata e Mohamed Salah me Liverpoolin skadon në vitin 2027 dhe, sipas Ben Jacobs (për talkSPORT), “Reds” do të ishin të kënaqur nëse ai e përmbush kontratën e tij deri në fund dhe largohet si lojtar i lirë.
🚨 𝗡𝗘𝗪: Liverpool insist they want Mohamed Salah to see out his contract until 2027, but Saudi Arabian clubs are pushing for his signing.
His camp have met with Saudi officials, and a departure this summer could suit all parties.
Megjithatë, ekziston një prapavijë e rëndësishme në këtë histori. Klubet saudite po shtyjnë fort për ta transferuar Salahun verën e ardhshme dhe janë të gatshme të vendosin oferta shumë të majme në tryezë, si për lojtarin ashtu edhe për klubin anglez.
Për këtë arsye, edhe pse marrëdhëniet mes Liverpoolit dhe Mohamed Salah duket se po përmirësohen, një largim gjatë verës nuk mund të përjashtohet plotësisht. Situata mbetet e hapur dhe zhvillimet e muajve në vijim do të jenë vendimtare për të ardhmen e njërit prej yjeve më të mëdhenj të “Reds”./Telegrafi
Mesfushori Ylber Ramadani është shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes në përballjen ndaj Lazios.
Lecce mori një pikë të madhe në shtëpi ndaj Lazios, ku epilogu përfundimtar rezultoi të jetë 0-0.
Ylli shqiptar bëri shtatë ndërhyrje si dhe fitoi 10 herë topin ndërsa edhe kompletoi 39 pasime nga 44 të tentuara, kësisoj nga “SofaScore” u vlerësua me notën 8.9.
Pas ndeshjes, Serie A ia dha epitetin e lojtarit më të mirë, çmim që Ramadani tashmë e ka fituar disa herë në Serie A.
“Ramadani është lojtari më i mirë i ndeshjes”, shkroi ndër të tjera klubi i Lecces.
Real Madridi ka shënuar fitore të vështirë te Villarreali, në kuadër të xhiros së 21-të në La Liga.
“Los Blancos” triumfuan me rezultat 0-2, sfidë që ishte tepër e baraspeshuar nga fillimi.
Villarreal e nisi më mirë për të rrezikuar përmes Buchanan, por që Courtois me një pritje të bukur ia mohoi golin.
Reali pastaj rrezikoi me Arda Guler që dribloi për mrekulli në zonë por goditja e turkut ishte qendrore. Rast shënimi kishte edhe Vini Jr, megjithatë edhe braziliani nuk e finalizoi.
Heroi i Realit ishte Kylian Mbappe që përfitoi nga asistimi i Viniciusit për ta zhbllokuar rezultatin (47’).
Villarreal tentoi deri në fund që të barazonte duke rrezikuar me Gerard Morenon, mirëpo goditja e këtij të fundit përfundoi mbi portë.
Krejt në fund, Mbappe edhe e fitoi një penallti pasi u faullua brenda zonës, ku pastaj edhe e finalizoi për epilogun përfundimtar 0-2 (90+2').
Kësisoj, Reali merr primatin në La Liga me 51 pikë, dy mbi Barcelonën që ka një ndeshje më pak të zhvilluar derisa Villarreal bie në pozitën e katërt me 41 sosh./Telegrafi/
Humbjet duket se nuk janë problemi i vetëm për KB Pejën, që tashmë janë diskualifikuar dhe gjobitur nga European North Basketball League (ENBL).
ENBL përmes një komunikate zyrtare ka informuar Pejën dhe të gjithë tifozët se klubi kosovar nuk mund ta zhvillojë ndeshjen si vendas ndaj BK Olomoucko.
Para kësaj, Peja e kishte pranuar një humbje në tavolinë pasi nuk u paraqiten në Çeki, më 13 janar. Kësisoj, ENBL ka vendosur t’ua anulojë edhe ndeshjen ndaj Newcastle Eagles, si dhe t’i gjobisë me 25 mijë euro.
Komunikata e plotë pa ndërhyrje:
“GO+ Peja nuk do të vazhdojë më pjesëmarrjen në European North Basketball League (ENBL), pasi klubi ka refuzuar të zhvillojë ndeshjen si vendas ndaj BK Olomoucko, e cila ishte e planifikuar për të hënën, më 26 janar.
Ky vendim vjen pas një periudhe shumë të vështirë për klubin pejan. Të enjten, më 22 janar, GO+ Peja u eliminua nga Kupa e Kosovës, pasi u mposht në çerekfinale nga Bashkimi i Prizrenit. Pas kësaj humbjeje, situata u tensionua edhe më shumë, teksa tifozët hodhën bomba tymuese në parket, duke rrezikuar sigurinë e lojtarëve dhe duke drejtuar akuza të ashpra ndaj drejtuesve të klubit.
Të premten, më 23 janar, GO+ Peja e njoftoi zyrtarisht ENBL-në për anulimin e ndeshjes si vendas ndaj BK Olomoucko. Kujtojmë se më herët, liga i kishte dhënë Pejës një humbje administrative (dorëzim), pasi skuadra nuk ishte paraqitur në ndeshjen e sezonit të rregullt ndaj të njëjtit kundërshtar, e zhvilluar më 13 janar në Prostejov të Çekisë.
Mungesa e dytë në një ndeshje çon automatikisht në një tjetër humbje administrative, duke e bërë të pamundur vazhdimin e garës në fazën e grupeve. Si pasojë, u anulua edhe ndeshja e planifikuar ndaj Newcastle Eagles më 11 shkurt. Sipas praktikës standarde, dy humbje administrative nënkuptojnë skualifikim automatik dhe anulim të të gjitha rezultateve të ekipit.
Megjithatë, drejtuesit e ENBL-së kanë vlerësuar se anulimi i të gjitha rezultateve të GO+ Pejës është i pamundur për shkak të formatit unik të sezonit 2025/26, pasi një veprim i tillë do t’i vinte ekipet e Grupit Tre në disavantazh krahasuar me ato të Grupeve Një dhe Dy.
Për të mbrojtur integritetin dhe vazhdimësinë e garës, ENBL ka marrë përgjegjësinë e plotë dhe ka vendosur:
T’i japë GO+ Pejës humbje administrative për anulimin e ndeshjes ndaj BK Olomoucko,
Të anulojë ndeshjen mes GO+ Pejës dhe Newcastle Eagles, pasi ekipi pejan ka marrë dy humbje administrative,
T’i aplikojë GO+ Pejës një humbje të tretë administrative, për shkak të pamundësisë për të organizuar ndeshjen si vendas ndaj Newcastle Eagles, sipas rregullave zyrtare të basketbollit,
T’i shqiptojë klubit një gjobë prej 25 mijë eurosh,
Të shqyrtojë masa të tjera ndëshkuese, përfshirë edhe ndalimin e rikthimit të GO+ Pejës në këtë garë në të ardhmen.
Si rezultat i këtyre vendimeve, GO+ Peja e mbyll aventurën në ENBL me bilanc 1 fitore dhe 7 humbje, duke grumbulluar gjashtë pikë nga nëntë të mundshme. BK Olomoucko ka bilanc 4-2 dhe dhjetë pikë, ndërsa Newcastle Eagles 1-5 me shtatë pikë”, thuhet në komunikatë./Telegrafi
GO+Peja po kalon një periudhë jashtëzakonisht të vështirë në Superligën e Kosovës në basketboll, duke u futur në një krizë të thellë rezultatesh. Skuadra pejane të shtunën ka regjistruar humbjen e pestë radhazi, duke konfirmuar momentin negativ në kampionat.
Në ndeshjen e zhvilluar të shtunën mbrëma në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë, Peja u mposht bindshëm nga Bora me rezultat 88:68, në kuadër të xhiros së 17-të.
Bora e nisi takimin fuqishëm, duke dominuar dy çerekët e parë me rezultatet 26:17 dhe 25:14, për të shkuar në pushim me një epërsi komode prej 19 pikësh.
Pas pushimit, Peja tregoi një reagim të lehtë, duke e fituar çerekun e tretë me rezultat 21:18, por kjo nuk mjaftoi për ta ndryshuar rrjedhën e ndeshjes. Bora ruajti qetësinë dhe e fitoi edhe dhjetëminutëshin e fundit 19:16, duke e menaxhuar pa probleme avantazhin deri në fund.
Në fitoren e Borës u dalluan Shaquan Jules me 20 pikë dhe nëntë kërcime, si dhe Amin Hot, i cili kontribuoi me dhjetë pikë, gjashtë kërcime dhe 11 asistime. Te GO+Peja, më i dalluari ishte Cesare Edwards me 20 pikë dhe pesë kërcime, por performanca e tij nuk mjaftoi për të shmangur humbjen.
Me këtë triumf, Bora ka hyrë në një seri prej katër fitoreve radhazi, ndërsa Peja vazhdon rënien e lirë në kampionat, duke shtuar presionin për një reagim të shpejtë në ndeshjet e ardhshme./Telegrafi
Mesfushori Donat Rrudhani ka shënuar një gol fantastik për ta barazuar rezultatin ndaj Luzernit.
Futbollisti që shpesh e kemi parë të Kosova duke luajtur në krahun e majtë të mbrojtjes e gjeti rrugën drejtë rrjetës në minutën e 35-të, për ta barazuar rezultatin në 1-1.
Pas një asistimi të Baltazar, Rrudhani me një goditje të fuqishme e la portierin mysafir pa asnjë gjasë për të reaguar (35’) - VIDEO.
Për Rrudhanin ky gol është edhe më i rëndësishëm pasi është ndaj ish klubit, Luzern – skuadër që kishte vendosur të mos e mbajë verën e kaluar.
Përndryshe, te Sioni po luajnë edhe lojtarët e tjerë kosovarë si Kreshnik Hajrizi, Benjamin Kololli e Rilind Nivokazi./Telegrafi
Kapiteni i Sunderlandit, Granit Xhaka, do të mungojë të paktën dy javë për shkak të një lëndimi në kyçin e këmbës, i cili do të kërkojë ekzaminime të mëtejshme, ka konfirmuar trajneri Regis Le Bris.
Xhaka, i cili iu bashkua Sunderlandit gjatë verës nga Bayer Leverkusen në një marrëveshje që mund të arrijë vlerën deri në 20 milionë euro, kishte luajtur çdo minutë në këtë edicion të Ligës Premier, por mungoi në humbjen 3-1 ndaj West Ham United të shtunën.
Pas ndeshjes, Le Bris konfirmoi gjendjen e mesfushorit shqiptar, duke sqaruar se periudha e rikuperimit do të zgjasë të paktën dy javë, përpara se të bëhet një vlerësim i ri mjekësor.
“Ai ka një lëndim në kyçin e këmbës, i duhen të paktën dy javë për t’u rikuperuar dhe më pas do të bëjmë një vlerësim tjetër”, deklaroi trajneri francez.
Xhaka ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës këtë sezon, duke u paraqitur në të gjitha 23 ndeshjet në të gjitha garat, ku ka shënuar një gol dhe ka dhënë pesë asistime.
Gjatë ndeshjes ndaj West Hamit, reprezentuesi i Zvicrës u pa duke shkëmbyer fjalë me disa tifozë vendas, teksa ishte ulur pas stolit së Sunderlandit, çka bëri që loja të ndërpritej për pak çaste.
Një situatë e ngjashme u raportua edhe pas përfundimit të takimit. Megjithatë, si Le Bris ashtu edhe Nuno Espirito Santo deklaruan se nuk e kishin vërejtur incidentin.
“Pankina është shumë larg vijës anësore, nuk e pashë çfarë ndodhi”.
“Nuk duam të mendojmë për ambientin, po mendojmë vetëm për veten tonë”, u shpreh Le Bris./Telegrafi