Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Rafuna: I ‘heq kapelën’ Shkëlqim Devollit për rikthimin e shpejtë të prodhimit në Comodita Home

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka vizituar sot “Comodita Home”, ku ka rifilluar prodhimi vetëm pak ditë pas zjarrit që e kishte përfshirë këtë fabrikë javën e kaluar.

Rifillimi i punës në një afat kaq të shkurtër është vlerësuar si një sukses i madh për industrinë vendore dhe ekonominë e vendit, raporton Klankosova.tv

Rafuna theksoi se rikthimi i shpejtë i prodhimit tregon përkushtimin e Shkëlqim Devollit, aksionarit të Devolli Corporation, ku bën pjesë edhe Comodita Home, të cilin e përgëzoi.

“Ky është lajmi ma i mirë për gjithë Kosovën, për ekonominë e Kosovës. Me të vërtetë duhet me ia heq kapelën z.Shkëlqim Devolli, që ka arritë në këtë periudhë kanë të shkurtë kohore ta rikthejë prodhimin dhe punëtorët të mos e ndjejnë ndaljen e prodhimit, ose uljen e eksportit. Uroj që të ecë e të shtohet prodhimi. I lus institucionet qendrore të krijojnë fonde, të qendrojnë afër biznesit. Çdo shtet lufton që ta shtojë eksportin.” – tha Rafuna për Klan Kosovën.

Ndërtimi i mbikalimit të Qafë Kasharit/ ARRSH me 13 dhe 14 janar bllokohet dalja Tiranë – Rinas

Për shkak të punimeve që po kryhen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për ndërtimin e mbikalimit të ri në Qafë Kashar, do të ketë bllokim të rampës në drejtimin Tiranë → Rinas, në intervalin:

🕗 Ora 20:00 – 06:00
📅 Datat 13–14.01.2026

➡ Qarkullimi i mjeteve drejt Aeroportit të Rinasit do të realizohet përmes rrugëve alternative:
• Vorë – Fushë Krujë (kthesa e Rinasit)
• Rruga dytësore
• Tiranë – Kamëz – Valias – Rinas
• Rruga Kashar – Thumanë, e ndërtuar nga koncesionari

 

Gjyqi ndaj Berishës/ Për kompleksin “Partizani”, avokati kërkon dëshminë e Ramës

Është mbajtur këtë të hënë në GJKKO, seanca e radhës për cëshjen Partizani ku i pandehur është marrë ish kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe zyrtarë të tjerë.

Në procesin e sotëm avokati i Sali Berishës ka kërkuar të thirret si dëshmitar edhe Edi Rama, në cilësinë e deklaruesit pasi ka qenë kryetar bashkie. Mbrojtësi ligjor i Berishës, bëri kërkesë për prova se kush është gjeneza e procesit dhe si është hetuar.

Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha është i pandehur për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij.

Edhe Jamarbër Malltezi është nën akuzë për korrupsion, por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Ortaku i Malltezit, Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash. Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”./abcnews.al

 

Tri ditë pas zjarrit rifillon puna, Gjini nga Comodita Home: Eksportuesi më i madh i Kosovës, zinxhir që s’guxon të këputet

Fabrika lidere Comodita Home, pjesë e Devolli Corporation, është rikthyer në operim në kohë rekorde për të vazhduar të jetë simbol krenar i prodhimeve cilësore ‘Made in Kosova’ dhe ta vijojë pa ndërprerje prezencën në tregjet vendore, rajonale dhe ndërkombëtare.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka vizituar sot fabrikën e cila është rikthyer në funksion, pas zjarrit që kishte përfshirë një pjesë të depos.

Ai tha për Klan Kosovën se rifillimi i prodhimit ka rëndësi të jashtëzakonshme për ekonominë lokale dhe atë të Kosovës.

“Jam shumë i lumtur që sot ka rifilluar prodhimi. Është diçka e jashtëzakonshme ajo që ka bërë kompania. Unë besoj se ndërprerja e një prodhimi të tillë e shkëput një zinxhir të tërë ekonomik, sepse ndikon te pagat e punëtorëve, familjet e tyre dhe te shumë sektorë të tjerë të ekonomisë. Është vërtet shumë e rëndësishme që prodhimi ka rifilluar kaq shpejt, sidomos duke pasur parasysh se dëmi ka qenë i madh”, tha Gjini në prononcim për gazetaren e Klan Kosovës, Altiana Zogaj.

Ai përgëzoi menaxhmentin, pronarët dhe punëtorët për rikthimin e shpejtë në punë, duke thënë se kjo është shumë e rëndësishme jo vetëm për Gjakovën, por për gjithë Kosovën.

“Po flasim për eksportuesin më të madh të Kosovës dhe ky është një zinxhir që nuk guxon të këputet”, tha Gjini. /Klankosova.tv

Zeka: Devolli Corporation njëri nga taksapaguesit më të mëdhenj të Kosovës, ia ka dalë gjithmonë

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka ka vizituar fabrikën lidere, Comodita Home, në ditën e rinisjes së prodhimit, vetëm tre ditë pas incidentit në Gjakovë.

Në një prononcim për Klan Kosova, Zeka tha se Devolli Corporation gjithmonë ia ka dalë të bëjë dallimin dhe të krijojë kushte pune, duke qenë edhe njëri prej taksapaguesve më të mëdhenj në vend, teksa u shpreh i lumtur dhe aspak i habitur për nisjen kaq të shpejt të punës, transmeton Klankosova.tv.

“Nuk befasohem me rinisjen kaq të shpejtë të punës, duke e ditur krejt qëndrueshmërinë që e karakterizon edhe korporatën Devolli, edhe natyrisht pronarin e saj, Shkëlqim Devolli. Është diçka që e kemi parë përgjatë viteve, pavarësisht vështirësive një në vend i cili nuk ofron ndoshta kushtet më të mira për të bërë biznes, korporata Devolli gjithmonë ia ka dalë që ta bëjë dallimin dhe të krijojë mijëra vende pune, dhe natyrisht të jetë njëri prej tatimpaguesve më të mëdhenj të vendit”, u shpreh Zeka.

Pos tjerash, ai tha se fabrika të tilla si Comodita Home, dhe njësi tjera të korporatës Devolli, i duhen Kosovës.

“Ne kemi shprehur shqetësimin tonë për atë që ndodhi javën e kaluar. Ishte një pamje që nuk do të donim ta shihnim në Kosovë. Kosova ka nevojë për më shumë fabrika si Comodita, dhe si njësitë biznesore të korporatës Devolli, dhe jo për mbyllje të vendeve të punës”.

Kujtojmë se nga incidenti, fatmirësisht, nuk ka pasur asnjë të lënduar, as në mesin e punëtorëve dhe as në mesin e personelit të angazhuar në operacionin e shuarjes së zjarrit.

VIDEO/ Tri ditë pas zjarrit, Comodita Home rihap dyert në kohë rekord

Tri ditë pas incidentit në Gjakovë, fabrika lidere Comodita Home, pjesë e Devolli Corporation, është rikthyer në operim në kohë rekorde për të vazhduar të jetë simbol krenar i prodhimeve cilësore ‘Made in Kosova’.

Këtë të hënë, Comodita Home ka nisur punën me kapacitete funksionale, duke ruajtur standardet e cilësisë dhe efikasitetit, siç ishte edhe më parë, transmeton Klankosova.tv.

Rikthimi kaq i shpejtë në punë është bërë për shkak të solidarizimit të punëtorëve të kësaj fabrike lidere.

Ndërkohë, në ditën e rifillimit të prodhimit në Comodita Home, fabrikën e vizituan pos pronarit Shkëlqim Devolli, edhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka dhe kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

Kujtojmë se nga ky rast, fatmirësisht, nuk ka pasur asnjë të lënduar, as në mesin e punëtorëve dhe as në mesin e personelit të angazhuar në operacionin e shuarjes së zjarrit.

Bordi drejtues, në një njoftim për publikun të premten, bëri të ditur se vendimi për rifillimin e punës është marrë me përgjegjësi të plotë, duke pasur parasysh rëndësinë që vazhdimësia e operimit të kompanisë ka për mijëra familje që varen drejtpërdrejt ose tërthorazi nga Comodita Home, si dhe për partnerët, furnitorët dhe bashkëpunëtorët tanë në vend dhe jashtë vendit.

Atentati ndaj Arjan Ndojës, Ramazan Rraja dëshmon në gjyqin ndaj Plarent Dervishaj dhe Julian Meçe

Në seancën e sotme gjyqësore ndaj Plarent Dervishajt dhe Julian Meçes, të cilët po gjykohen në GJKKO për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahos në vitin 2019 ka dëshmuar këtë të hënë edhe Ramazan Rraja.

“Kam jetuar edhe jashtë edhe në Shqipëri. Nuk kam pasur konflikte me askënd përpara se të arrestohesha. Plaurent Dervishaj e njoh, Redjan Rrajën e kam kushëri, Julian Meçaj e njoh, ndërsa të pandehurit e tjerë i kam njohur në burg. Në 2019 kam patur një numër telefoni në perdorim, e kam vënë në dispozicion gjatë procesit që ka qenë hetimi. Ka qenë i regjistruar në emrin tim. Kam pasur Ëhatssupin të instaluar. Ne Durrës kam qenë në lokalin “Zodiac”, nuk e kam idenë kush është pronari.

Jam ulur vetëm një herë para vitit 2019. Arjan Ndoj, Vullnet Mucca, Aleksandër Laho etj, nuk i njoh i kam parë vetëm në televizor. As Ervin apo Luan Matën. Lokal “Viktoria” nuk e di ku ndodhet. Nuk kam patur aplikacion të enkriptuar. Jam dënuar për “sigurim kushtesh””, nuk di te kem siguruar kushte për ndonjë ngjarje. Nuk kam siguruar kushte as për Arjan Ndoj, as për Genci Malokun. Nuk kam patur asnjë automjet në përdorim në momentin që jam arrestuar. Kam dijeni që kanë dashur të vrasin familjarët e mi, mesa kam parë në media. Edhe për këtë nuk shqetësohem, gjumin e bëjmë rehat edhe në rrugw tw madhe.

Nuk kam dijeni nëse familjarët e mi janë takuar me familjen e Genci Malokut (babai i Andi Malokut që mbeti i vrarë në atentat). Me Plaurent Dervishaj kam takuar vetëm një herë për kafe, detyrim financiar nuk i kam as atij, as ndonjërit. Në 1 nëntor kam qenë jashtë territorit të Shqipërisë përpara dhe pas asaj ngjarje.” u shpreh ai.

Prokurori Adnan Xholi kërkon që seancën e radhës të merren në pyetje dy të pandehurit Plaurent Dervishaj dhe Juliaj Meçaj./abcnews.al

Trump: Irani kërkon bisedime pas kërcënimeve ushtarake të SHBA

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se Irani e ka kontaktuar për të kërkuar negociata, pas kërcënimeve të tij për veprime ushtarake nga SHBA-ja.

Trump tha se ai dhe ushtria po shqyrtojnë disa opsione shumë “të forta” lidhur me Iranin, pasi paralajmëroi udhëheqësit iranianë që të mos vrasin protestuesit.

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se mijëra persona janë arrestuar dhe se protestat vazhdojnë në qindra vende, pavarësisht pranisë së madhe të forcave të sigurisë.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se udhëheqja iraniane ka telefonuar për të kërkuar bisedime me Uashingtonin përballë kërcënimeve të tij për veprime ushtarake, në përgjigje të shtypjes brutale nga Teherani të protestave masive antiqeveritare..

“Udhëheqësit e Iranit telefonuan”, u tha Trump gazetarëve në bordin e Air Force One më 11 janar. Ai shtoi se “po organizohet një takim…. Ata duan të negociojnë”.

Megjithatë, “ne mund të duhet të veprojmë para një takimi”, shtoi ai pa dhënë detaje.

Teherani nuk ka komentuar ende deklaratat e Trumpit. Nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë mund të kërkonte Irani të negociojë. Të dy vendet në të kaluarën kanë pasur bisedime indirekte lidhur me programin bërthamor të diskutueshëm të Teheranit.

Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore kanë dënuar shtypjen e protestuesve nga qeveria dhe më parë kanë vendosur sanksione ndaj Teheranit për atë që thonë se është një përpjekje për të zhvilluar armë bërthamore, gjë që Irani e mohon.

Trump më herët më 11 janar tha se ai dhe ushtria amerikane po studiojnë opsionet në Iran në përpjekje për të mbështetur protestuesit, mes raportimeve të pakonfirmuara se më shumë se 500 persona janë vrarë në një shtypje të demonstratave gjatë 15 ditëve të fundit.

“Ushtria po e shqyrton këtë dhe ne po shohim disa opsione shumë të forta”, u tha ai gazetarëve, duke shtuar se ishte në kontakt me udhëheqës të opozitës iraniane, gjithashtu pa diskutuar detaje.

Komentet e Trumpit erdhën pasi mediat amerikane raportuan se udhëheqësi i SHBA-së ishte informuar për opsionet për t’iu përgjigjur shtypjes së ashpër të sigurisë ndaj protestave në Iran.

Deklaratat e tij duket se konfirmojnë raportimet nga Axios, The New York Times dhe The Wall Street Journal, që thanë se ai po shqyrtonte disa opsione për mbështetjen e protestave në Iran.

The Journal raportoi se opsione konkrete do t’i paraqiteshin presidentit më 13 janar.

Hapat e mundshëm të ardhshëm mund të përfshijnë sulme ushtarake, vendosjen e armëve sekrete kibernetike kundër ushtrisë iraniane dhe vendosjen e më shumë sanksioneve ndaj qeverisë së Iranit, shtoi WSJ. Zhvillimet erdhën ndërsa grupet e të drejtave të njeriut dhe mediat shtetërore raportuan protesta, arrestime dhe dhunë në dhjetëra qytete në Iran më 11 janar, me demonstratat që hynë në javën e tretë përballë presionit në rritje nga forcat e sigurisë.

Potenciali për dhunë dukej se u rrit pasi qeveria u bëri thirrje mbështetësve të saj të marrin pjesë në tubime mbarëkombëtare më 12 janar për të dënuar ato që i quajti “veprime terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli”.

Agjencia e Lajmeve për të Drejtat e Njeriut (HRANA) — një organizatë e aktivistëve iranianë me bazë në Shtetet e Bashkuara — tha më 11 janar se 544 persona janë vrarë në protestat e 15 ditëve të fundit.

HRANA tha se të paktën 10.061 persona janë arrestuar dhe se demonstrata janë raportuar në 585 lokacione në 186 qytete dhe qyteza në të gjitha 31 provincat.

Këto shifra nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur, pasi informacioni ishte i vështirë për t’u siguruar për shkak të një mbylljeje pothuajse totale të internetit në vend. Shërbimet telefonike gjithashtu janë kufizuar.

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se ndërprerja digjitale e Iranit është pjesë e një përpjekjeje për të fshehur dhunën shtetërore gjatë shtypjes së sigurisë.

Trump më 11 janar tha se planifikon të flasë me miliarderin Elon Musk për rikthimin e internetit në Iran. SpaceX e Musk ofron shërbimin satelitor të internetit Starlink, i cili është përdorur më parë në zona konflikti, në Ukrainë.

Gjatë javës së kaluar, Trump ka lëshuar një seri paralajmërimesh të ashpra, duke thënë se Shtetet e Bashkuara po “e vëzhgojnë situatën me shumë kujdes” dhe duke këmbëngulur që autoritetet të përmbahen nga vrasja e protestuesve.

“Irani është në telashe të mëdha. Më duket se njerëzit po marrin nën kontroll disa qytete që askush nuk mendonte se ishin vërtet të mundshme vetëm disa javë më parë”, u tha Trump pjesëmarrësve në një takim në Shtëpinë e Bardhë më 9 janar.

Komentet e Trumpit u pritën me mbështetje të hapur nga ish-princi i kurorës iraniane dhe figura e opozitës, Reza Pahlavi.

“President Trump, si udhëheqësi i botës së lirë, ka vëzhguar nga afër trimërinë tuaj të papërshkrueshme dhe ka deklaruar se është gati t’ju ndihmojë”, tha Pahlavi në një fjalim video të publikuar më 11 janar.

“Sot bota qëndron me revolucionin tuaj kombëtar dhe admiron guximin tuaj,” shtoi ai.

OKB-ja, BE-ja dënojnë shtypjen në Iran
OKB-ja, BE-ja dhe qeveritë perëndimore kanë shprehur gjithashtu mbështetjen e tyre për lëvizjen e protestave në Iran.

Shefi i OKB-së, Antonio Guterres, më 11 janar tha se ishte “i tronditur” nga raportimet për dhunë ndaj protestuesve dhe i bëri thirrje qeverisë të tregojë përmbajtje dhe të “përmbahet nga përdorimi i panevojshëm ose joproporcional i forcës.”

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se është gati të propozojë sanksione të reja ndaj Teheranit në përgjigje të shtypjes së protestuesve.

“BE-ja tashmë ka sanksione të gjera ndaj Iranit — ndaj atyre që janë përgjegjës për shkelje të të drejtave të njeriut, aktivitete të përhapjes bërthamore dhe mbështetjen e Teheranit për luftën e Rusisë në Ukrainë”, tha Kallas në një intervistë për gazetën gjermane Die Welt.

Një burrë që ishte dëshmitar i një shtypjeje të protestave në Teheranin lindor i tha shërbimit iranian të Radios Evropa e Lirë vonë më 10 janar se represioni ndaj demonstratave është përshkallëzuar ndjeshëm, duke e përshkruar situatën në qytet si të ngjashme me “skena lufte.”

Burri, i cili kërkoi të mos i përmendej emri për arsye sigurie, tha se zhurma e vazhdueshme e të shtënave me armë me fishekë gome është dëgjuar në të gjithë kryeqytetin iranian netët e fundit, ndërsa dronë kanë fluturuar vazhdimisht mbi lagje për të monitoruar rrugët dhe rrugicat.

Të nxitura nga rritja e çmimeve, inflacioni i lartë dhe rënia e fortë e monedhës kombëtare, trazirat janë shfaqur si sfida më serioze për republikën islamike në vite.

Presidenti iranian, Masud Pezeshkian, i ka fajësuar trazirat te “terroristë” të lidhur me jashtë vendit, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin se po kërkojnë të “mbjellin kaos dhe çrregullim” në vend.

“Nëse njerëzit kanë shqetësime, është detyra jonë t’i zgjidhim ato shqetësime, por detyra më e lartë është që ne nuk duhet të lejojmë një grup trazirash të vijë dhe të prishë të gjithë shoqërinë”, tha ai në një fjalim televiziv më 11 janar./rel

“Drej fundit koha kur blejmë energji”, Rama: Kjo falë investimeve, por dhe një programi në drejtimin e duhur nga MIE

Koha kur Shqipëria del në treg për të blerë energji po shkon drejt fundit. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama, në prezantimin e parkut eolik të Tropojës.

“Koha kur Shqipëria duhet të dalë në treg për të blerë energji po shkon drejt fundit. Ne do të jemi në kategorinë e atyre jo shumë vendeve që gëzojnë pavarësi të plotë kur vjen puna te kjo lëndë vitale për organizmin e një shteti.

Kjo si rezultat i investimeve të bëra gjatë gjithë viteve, por jo thjesht i investimeve, por i një vizioni, programi dhe i një përpjekjeje të përditshme në drejtimin e duhur nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të gjitha ekipeve. Sot ato që deri dje ishin plagë për shtetin shqiptar, ndërmarrjet e sektorit janë pararojë në administratim dhe mirëfunksionimin e tyre, sot ne kemi një portofol që ka nisur të diversifikohet, ku uji do mbetet burimi kryesor i energjisë por diella dhe era kanë nisur të zënë vendin e tyre dhe ne do të kemi plotësisht të garantuar se sistemi ynë do jetë i vetëmjaftueshëm dhe do eksportojmë përtej nevojave tona. Energji e shitur jashtë vendit për të sjellë të ardhura në ekonomi dhe të nesermen e vendit.” u shpreh Rama./abcnews.al

“Amerikanët këtu mund të dëshmojnë”, Rama: Sektori energjitik, i garave të hapura ndërkombëtare. Asnjë ankesë nga kompanitë

Në prezantimin e parkut eolik të Tropojës, parku me kapacitet të pritshëm prej 600 MË, që po zhvillohet nga kompania amerikane CËP, kryeministri Edi Rama u shpreh se projekti është dëshmi se Shqipëria po ecën drejt një të ardhmeje energjetike të fortë dhe të qëndrueshme.

Rama u shpreh se fjala ‘korrupsion’, nuk ka vend në këtë sektor dhe për këtë kërkoi dëshminë e amerikanëve të pranishëm në sallë.

“Koha kur Shqipëria duhet të dalë në treg për të blerë energji po shkon drejt fundit. Ne do të jemi në kategorinë e atyre jo shumë vendeve që gëzojnë pavarësi të plotë kur vjen puna te kjo lëndë vitale për një shtet. Kjo si rezultat i investimeve, por edhe një vizioni, një programi dhe i një përpjekje në drejtimin e duhur nga ana e MIE. Sot ato që deri dje ishin plagë për shtetin shqiptar, ndërmarrjet e sektorit janë pararojë në administratim dhe mirëfunksionimin e tyre, sot ne kemi një portofol që ka nisur të diversifikohet, ku uji do mbetet burimi kryesor i energjisë por diella dhe era kanë nisur të zënë vendin e tyre dhe ne do të kemi plotësisht të garantuar se sistemi ynë do jetë i vetëmjaftueshëm dhe do eksportojmë përtej nevojave tona. Energji e shitur jashtë vendit për të sjellë të ardhura në ekonomi dhe të nesermen e vendit.

Sektori energjitik është sektori i garave të hapura ndërkombëtare, më vjen mirë të nënvizoj, meqë fjala korrupsion është si këpucët e modës, që po nuk e nxori njeriu nga goja duket se nuk është në modë, që pikërisht në këtë sektor kjo fjalë ka marrë një përgjigje të vazhdueshme, sistematike dhe nuk ka një kompani serioze, që ka marr pjesë në këto gara që të ketë shprehur një ankesë sado të vogël.

Besoj të njëjtën dëshmi mund ta japin amerikanët që kemi këtu, sepse jo vetëm që nuk kanë ndeshur asnjë pengesë të kësaj natyre por e kanë patur qeverinë në krah në cdo hap për të kapërcyer pengesa burakrotike në nivelin vendor. Kompania ka patur garanci që projekti do të shkojë deri në fund.” u shpreh Rama./abcnews.al

Përgjysmohen shkarkimet/ Ulet niveli i prurjeve në Kaskadën e Drinit

Shkarkimet e ujit nga hidrocentrali i Komanit janë përgjysmuar duke mos përbërë asnjë rrezik për përmbytje në zonën e nënshkodrës.Korporta Elektroenergjitike Shqiptare raporton se ulja e temperaturave  dhe nisja e borës ka stabilizuar prurjet në Kaskadën e Drinit .

Shkarkimet nga hidrocentarli i Komanit  aktualisht janë vetëm 300 mkub në sekond nga 700 që ishin më herët. Ndërsa në Vaun e Dejës vijojnë të jenë 700 metër kub në sekond, por impakti mbetet minimal për përmbytje .

Përmirësimi i situatës ka ardhur pas uljes së prurje nga lumenjtë në 1200 m3 në sekond.

Niveli i ujit në liqenin e Fierzës  ka arritur në mbi 290 metra nga rreth 296 që është pika maksimale. Por përtej permbytjeve reshjet e shiut kanë përmirësuar ndjeshëm situatën energjitike në vend  dhe në liqenin e fierzës niveli i ujit është rritur me gati 10  metra vetëm në ditët e fundit. Në hidrocentralin e Komanit niveli i ujit rezultoi 172 metra ndërsa  në Vaun në Dejës niveli  i ujit është 74.5 metra duke pësuar një ulje të lehtë.

Sipas të dhënave të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare përmirësimi i kuotave në Kaskadën e Drinit është një element pozitiv për situatën energjitke në vendin tonë..Aktualisht prodhimi ditor i energjisë elektrike rezulton  se është dyfishuar duke arritur në 24 mijë megavator si një mënyrë për të shfrytëzuar prurjet e larta ujore në kaskadë.

Nisur nga prodhimi i lartë KESH ka realizuar një tjetër procedurë për shitje energjie për periudhën 12- 18 janar. Energjia elektrike është shitur me një çmim prej 59.82 euro për megavator  dhe në total nga kjo shitje janë arkëtuar 3.5 milionë euro ndërsa vetëm një ditë më parë Kesh finalizoi shitjen e energjisë me vlerë 1 mln euro.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare vijon të monitorojë me kujdes situatën hidrike në kaskadë për të  garantuar menaxhim të sigurt dhe efikas të burimeve ujore./abcnews.al

Për Mehmetin duhen miliona/ Bristol i ofron kontratë të re futbollistit ofensiv shqiptar

Nuk dihet nëse mund ta bindin që të qendrojë. Anis Mehmeti është në muajt e fundit të kontratës tek Bristol Siti, dhe klubi i ka ofruar rinovimin, e madje trajneri Gerhard Shtruber deklaron se propozimi është shumë i mirë.

Tekniku komenton se e njëjta gjë është bërë me lojtarin tjetër të rëndësishëm, Zak Vajner, i cili madje është produkt i Akademisë.

Sipas informacioneve jo zyrtare, por gjithsesi të besueshme, Mehmeti nuk ka rrogë shumë të lartë në stadiumin “Eshton Gejt”, ndoshta sepse në 2023 mbërriti nga Uajkombi e kategorisë së tretë.

Flitet për 9 000 paundë në janë, në total 468 000 paundë në vit, që bashkë me shpërblimet arrijnë në 585 mijë paundë britanikë.

Këtu duhen llogaritur edhe taksat.

Nuk dihet gjithashtu sesa mund të jetë rroga e propozuar nga Bristoli për shqiptarin, por dihet se dy lojtarët më të paguar, Meknelli dhe Ris marrin diçka më shumë se 1 milionë paundë në sezon pa llogaritur shpërblimet.

Ndoshta, klubi mund t’i propozojë këtë nivel, që do të ishte I kënaqshëm për kategorinë e dytë angleze, ndonëse plotësisht i merituar për 25-vjeçarin.

Jo më kot, Anis Mehmeti ka 8 gola dhe 6 asistë këtë sezon në Championship, në 26 ndeshje, duke qenë më i miri i ekipit./abcnews.al

Mitaj mbetet në “ferr”/ Mbrojtësi kuqezi lihet jashtë skuadrës për të tretën ndeshje

Situata po bëhet gjithnjë e më serioze. Mario Mitaj është zhdukur nga “radarët” në Ligën Profesioniste Saudite, dhe për të tretën ndeshje me radhë nuk ishte në fushë.

Jo vetëm që nuk ishte titullar, apo as nuk u aktivizua ndonjë minutë, por edhe më keq, ishte I përjashtuar nga skuadra.

Al Itihad triumfoi 4-0 ndaj rivalit Al Holod, madje jashtë fushe, me tre gola nga kapiteni dhe sulmuesi kryesor Karim Benzema, ndërs për shqiptarin vazhdon “internimi”.

Një shenjë e qartë kjo se trajneri Serzhio Konseisao apo klubi, apo të dyja palët së bashku, nuk e kanë në planet e tyre për më tej, ndërsa besohet se kampionia e Arabisë Saudite do të marrë mbrojtësin portugez të Lacios, Nunjo Tavaresh.

Lajmet janë që transferimi mund të kryhet për 20-25 milionë euro për kartonin.

Çfarë pritet të ndodhë me Mitajn?

Nuk dihet me siguri nëse ardhja e mundshme e portugezit do ta largojë mbrojtësin tonë nga skuadra, apo do të lihet më shumë në stol, një variant që vetë ai nuk do ta pranonte.

Gjithsesi, fakti mbetet se që nga 31 dhjetori, mbrojtësi I majtë nuk ka qenë pjesë e skuadrës pasi luajti si titullar dhe thuajse 100 për qind të minutave në 5 sfida radhazi të kampionatit.

I tillë ka qenë kontrasti me të këtë edicion, 7 ndeshje titullar duke humbur vetëm tri minuta, dhe gjashtë ndeshje as në stol./abcnews.al

Pas reshjeve të shiut mbyllet një segment në rrugën Ferizaj-Prishtinë

Një segment i rrugës nacionale Ferizaj-Prishtinë u mbyll për qarkullim për automjete më 10 janar, për një kohë të caktuar për shkak të ujit të madh në rrugë, thanë autoritetet.

Policia e Kosovës tha se segmenti që kalon nëpër fshatin Llapnasellë, segmenti nga rrethi i “Prishtina Mall” në drejtim të Prishtinës dhe segmenti nga rrethi i “Marigona” në drejtim të Ferizajt, është mbyllur plotësisht për qarkullimin e automjeteve, “për një kohë të caktuar”.

“Ky veprim është ndërmarrë si masë e domosdoshme për mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve dhe parandalimin e rrezikut në trafik”, u tha në njoftimin e Policisë së Kosovës. Mëngjesin e 10 janarit, Kosova është përballur me reshje të shiut, teksa Instituti Meteorologjik i Kosovës ka paraparë që më vonë gjatë ditës, me ujen e temperaturave, të ketë edhe reshje bore.

Ditëve të fundit, për shkak të reshjeve të shiut, disa zona në Kosovë u përballën me vërshime që shkaktuan dëme në pronat private dhe në infrastrukturën rrugore. Po ashtu, për shkak të vërshimeve, disa zona kanë pasur probleme me energji elektrike dhe furnizim me ujë të pijshëm, teksa Ministria e Arsimit ka vendosur që të shtyjë për 12 janar rinisjen e vitit shkollor pas pushimit dimëror./rel

Drejt përmirësimit situata në Adriatik të Kurbinit/ Kryeplaku: Grup pune për vlerësimin e dëmeve

Situata në fshatin Adriatik të Kurbinit, duket se po shkon drejt përmirësimit. Pas izolimit të argjinaturës së lumit Drojë, ditën e djeshme, dukshën situata po shkon drejt normalizimit në këtë fshat.

Uji po tërhiqet falë dhe punës së hidrovoreve, ndërsa me mjetet e bashkisë së Kurbinit është bërë i mundur edhe izolimi i një ure e cila sillte prurje të mëdha. Pjetër Preni kryeplaku i fshatit Adriatit tregon për masat e marra nga bashkia e Kurbinit dhe bordi kullimit, ndërkohë pritet të bëhen edhe bilancet e dëmeve.

“Situata është stabilizuar, është mbyllur argjinatura e Drojës. Bashkia me bordin e kullimit, ndërhynë për të mbyllur hyrjen te ura e kompleksit, me materiale në ngurta. Niveli i ujit ka rënë mbi 30 cm. Këtu ku ndodhemi ka qenë zona më e përmbytur. Nuk kemi patur familje të evakuara, por dëme ka në bazë ushqimore. Bashkia ka qenë prezent gjithë kohën, kemi ngritur grup pune për të cuar ndihma ushqimore në familjet e përmbytura. Për probleme të tjera, është një komision tjetër që do bëjë vlerësimin” u shpreh ai.

Gjatë kësaj jave si rezultat i reshjeve të dendura, disa fshatra në Kurbin janë përmytur, familje të tëra të rrethuara nga uji, dukr krijuar situatë të vështirë për banorët./abcnews.al

Thjeshtohen procedurat për pasaportë/ Aplikim në çdo zyrë, pa kufizim vendbanimi

Me udhëzimin e ri, për të gjitha riaplikimet për pasaportë biometrike dhe kartë identiteti, (standarde ose të përshpejtuara), procedura mund të kryhet pranë çdo zyre aplikimi të IdentiTek në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht njësisë ku qytetarët janë të regjistruar në Gjendjen Civile.

Ky lehtësim synon të rrisë aksesueshmërinë dhe fleksibilitetin e shërbimit për qytetarët, si dhe reduktuar kohën e kostot e lëvizjes.

Nga ky ndryshim përjashtohen rastet kur pasaporta e fundit është aplikuar përpara vitit 2012. Këto aplikime do të vijojnë të kryhen vetëm në zyrat sipas vendbanimit të qytetarëve, në përputhje me procedurat në fuqi.

Karta e identitetit tërhiqet pranë zyrës së aplikimit, ndërsa pasaporta biometrike pranë Drejtorisë Vendore të Policisë në qarkun ku bëhet aplikimi.

Tërmet me magnitudë 5.1 righter godet Italinë, nuk raportohet për dëme

Një tërmet me magnitudë 5.1 righter goditi mëngjesin e sotëm Italinë.

Sipas Qendrës Sizmologjike Euro-Mesdhetare, epiqendra e tërmetit ndodhej në Detin Jon, 62 kilometra në jug të bregdetit të Kalabrisë, në një thellësi prej 58 kilometrash.

Fatmirësisht edhe pse lëkundjet u konsideruan të forta nga sizmiologët, nuk u raportuan të lënduar e as dëme materiale./abcnews.al

“Tommy Hilfiger”, “Lacoste” false stampoheshin në Kamëz/ Zbulohet magazina e veshjeve, pranga turkut, një tjetër në kërkim

Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, operacioni policor i koduar “Brands 2”. Zbulohet në Kamëz, 1 magazinë ku stampoheshin veshje të kontrabanduara, me logo false.
Arrestohet 1 shtetas turk, shpallet në kërkim 1 tjetër shtetas turk si dhe procedohen në gjendje të lirë 3 punonjëse.

Sekuestrohen sasi të mëdha veshjesh/këpucësh, makineri lazeri, printimi ose stampimi, stampa/logo të markave të njohura ndërkombëtare, 1 celular, si dhe sende/dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.

Si rezultat i administrimit të informacionit të siguruar se në Kamëz, magazinoheshin veshje të kontrabanduara, të cilave iu viheshin logo false të markave të njohura ndërkombëtare, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, me mbështetjen e Komisariatit të Policisë Nr. 5 dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”, organizoi dhe finalizoi operacionin “Brands 2”.
Gjatë operacionit u arrestua shtetasi turk Ozkan Sulun 46 vjeç, u shpall në kërkim shtetasi turk Mehmet Karçiga, 50 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetaset L. M, Sh. M dhe Sh. B, punonjëse në këtë magazinë.

Gjatë ndërhyrjes, shërbimet e Policisë konstatuan se në magazinë kishte mallra që dyshohet se kishin shmangur detyrimin doganor, si dhe makineri për falsifikimin dhe stampimin e logove që vendoseshin në veshje dhe këpucë të ndryshme. Punohet për lokalizimin dhe kapjen e 50-vjeçarit të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Punësimi i paligjshëm”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”./abcnews.al

Rrëshqitje dherash në rrugë/ Qarkullimi në aksin Gjirokastër – Tepelenë, me një korsi

Rrëshqitje inertesh janë regjistruar në aksin Gjirokastër – Tepelenë.

Në pamjet e siguruara nga ABC Neës shihet se një korsi e rrugës është e bllokuar si pasojë e rrëshqitjeve.

Aktualisht qarkullimi po kryehet vetëm me një korsi, ndërsa po punohet për hapjen e korsisë tjetër dhe vijimin normal të qarkullimit në këtë aks.

Prej ditësh vendi ynë është përfshirë nga moti i keq, me reshje të dendura shiu, c’ka kanë sjellë përmbytje e vështirësi qarkullimi në shumë zona të vendit./abcnews.al

 

❌