Nga Gazeta ‘SI’ – Presidenti i vendit ka dekretuar Paketën Fiskale 2026, e cila përfshin edhe marrëveshjen e njohur si “Paqja Fiskale” për bizneset. Sipas afateve zyrtare, pritet që në muajin shkurt të nisë procesi i faljes së gjobave dhe kamatëvonesave për bizneset që nuk kanë shlyer detyrimet, si dhe të krijohet mundësia për rikorrigjimin e deklaratave financiare të mëparshme.
Një element kyç i kësaj pakete është ofrimi i mundësisë që bizneset të paguajnë një tatim më të lartë, por në këmbim të mos i nënshtrohen kontrolleve tatimore. Bizneset me të ardhura vjetore mbi 14 milionë lekë do të mund të përfshihen vullnetarisht në marrëveshjen e paqes me shtetin, duke parapaguar një tatim mbi fitimin me bazë më të gjerë dhe pa pasur vizita nga kontrollorët tatimorë gjatë periudhës së marrëveshjes.
Konkretisht, një biznes që kalon fashën e të ardhurave 14 milionë lekë do të paguajë tatim bazuar mbi deklarimet e mëhershme, të shoqëruara me një shtesë prej 18%. Në rast se fitimi real në fund të vitit tejkalon këtë nivel, diferenca do të tatohet me normën 5%. Kjo marrëveshje mund të rinovohet deri në dy herë, nga një vit secila, duke e çuar kohëzgjatjen totale deri në tre vite.
500 mln euro falje
Sipas draftit, qeveria parashikon t’u falë bizneseve më shumë se 500 milionë euro detyrime të papaguara në kuadër të Paqes Fiskale. Projektligji i Ministrisë së Financave parashikon fshirjen e plotë të detyrimeve tatimore direkte dhe indirekte të papaguara që i përkasin periudhave deri më 31 dhjetor 2014, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Për debitorët e periudhës janar 2015 deri në dhjetor 2019 parashikohet fshirja e pjesshme e detyrimeve nëse tatimpaguesi zgjedh të paguajë 50% të detyrimit njëherësh brenda datës 30 qershor 2026, ndërsa pjesa tjetër shuhet, ose nëse zgjedh pagesën me këste mujore të barabarta deri më 31 dhjetor 2026 të 75% të detyrimit. Në të dyja rastet, gjobat dhe kamatëvonesat për periudhat përkatëse fshihen plotësisht.
Si do të kryhen procedurat e “Paqes” dhe fshirjes së detyrimeve
Marrëveshja e Paqes Fiskale mes biznesit dhe administratës tatimore do të realizohet përmes një aplikimi elektronik nga tatimpaguesi në platformën e-filing, brenda afatit të dorëzimit të deklaratës vjetore të të ardhurave për vitin paraardhës. Për vitin e parë të zbatimit, afati i aplikimit do të përcaktohet me udhëzim të posaçëm nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve. Pas aplikimit, administrata tatimore harton propozimin e marrëveshjes dhe ia komunikon biznesit përmes e-filing, duke përcaktuar vlerën e fitimit të tatueshëm dhe detyrimin tatimor për periudhën përkatëse. Tatimpaguesi ka të drejtë ta pranojë ose ta refuzojë këtë propozim deri më 15 prill dhe, në rast pranimi dhe nënshkrimi elektronik, marrëveshja konsiderohet e lidhur dhe prodhon efekte ligjore për vitin tatimor përkatës. Biznesi është i detyruar të deklarojë dhe të paguajë tatimin sipas marrëveshjes, ndërsa mosrespektimi i saj trajtohet si shkelje tatimore.
Ndërkohë, ligji për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore dhe doganore do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe do të zbatohet për periudhën nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2026. Brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi, ministri përgjegjës për financat do të nxjerrë udhëzimin përkatës për zbatimin e tij.
Debati
Ideja e qeverisë për një Paqe fiskale me bizneset nuk është mirëpritur nga askush, përveç mazhorancës.
Opozita e ka quajtuar nismën një “goditje” ndaj biznesit të ndershëm që favorizon pastrimin e parave. Edhe vetë bizneset kanë pasur rezerva për ligjin e ri, të cilët po ashtu e quajnë hapësirë të larjes së parave të pista.
Fondi Monetar Ndërkombëtar, po ashtu e ka vlerësuar me risk iniciativën e qeverisë shqiptare duke theksuar se mund të “shtrembërojë regjimin tatimor”.
The post Mes shqetësimit për larje parash, dekretohet ‘Paqja fiskale/ Si dhe çfarë përfitojnë bizneset appeared first on Gazeta Si.