Drejtori i Interit flet për Kristjan Asllanit dhe konfirmon negociatat për Joao Cancelon

Presidenti i Interit, Beppe Marotta, ka konfirmuar se bisedimet për Joao Cancelon e Al-Hilal mund të përfshijnë edhe një shkëmbim lojtarësh, ndërsa ka mohuar kategorikisht se ka oferta zyrtare nga Galatasaray për Davide Frattesin.
Zikaltërit e mbyllën vitin 2025 pa asnjë trofe, përfshirë eliminimin në gjysmëfinalen e Superkupës Italiane ndaj Bolognas pas penalltive, megjithatë Interi vazhdoi të kryesojë renditjen e Serie A.
Me hapjen e afatit kalimtar të janarit, Interi është përfshirë në disa prej temave më të mëdha të merkatos, mes tyre edhe raportimet për bisedime me Joao Cancelon për një rikthim të mundshëm në Serie A.
“Nuk kemi ndonjë nevojë të veçantë për përforcime, sidomos kur ka pak mundësi në treg. Dumfries do të mungojë edhe për të paktën dy muaj të tjerë, ndaj po shohim nëse ekziston ndonjë lojtar me karakteristika të ngjashme dhe me të njëjtin nivel cilësie,” deklaroi Marotta për “DAZN Italia”.
“Kjo mundësi na është paraqitur. Po e analizojmë situatën, jemi në një fazë ndërmjetëse dhe do të shohim se si do të zhvillohet gjithçka në ditët në vijim.”
Marotta u pyet gjithashtu nëse është e vërtetë që Al-Hilal mund të propozojë një shkëmbim mes Joao Cancelos dhe një qendërmbrojtësi, duke përfshirë edhe mundësinë që Francesco Acerbi të ribashkohet me ish-trajnerin e Interit, Simone Inzaghi, në Arabinë Saudite.
“Cancelo ka një kontratë shumë të shtrenjtë, të cilën asnjë klub italian nuk mund ta përballojë plotësisht. Ne e dimë që ata janë në kërkim të një qendërmbrojtësi, ndaj kur të hyjmë në një fazë më konkrete të negociatave, do t’i diskutojmë edhe këto elemente”.
“Ne po përpiqemi të forcojmë krahun e djathtë, i cili në këtë moment është dobësuar vetëm për shkak të lëndimit të Dumfries”.
Ndërkohë, Galatasaray ka mohuar se ka paraqitur një ofertë për Frattesin në formë huazimi me të drejtë blerjeje për 35 milionë euro, dhe Marotta ka theksuar se raportimet për negociata të avancuara nuk qëndrojnë.
“Sa i përket Frattesit, strategjia jonë është e qartë: nëse një lojtar dëshiron të largohet, ne e vlerësojmë situatën. Frattesi nuk është në këtë pozicion. Nuk kemi marrë asnjë ofertë zyrtare, por jemi të hapur për diskutime”.
Një tjetër çështje që po qarkullon në media është interesimi i Torinos për ta ndërprerë gjashtë muaj më herët huazimin e Kristjan Asllanit dhe për ta kthyer mesfushorin te Interi.
“Sa i përket Asllanit, ende nuk kemi biseduar me Torinon, por ai është i huazuar dhe ne duhet të respektojmë vlerën e lojtarit. Nëse ai nuk qëndron te Torino, do të përpiqemi t’i gjejmë një klub tjetër”, përfundoi Marotta./Telegrafi






































