Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Për manipulim të votave në Suharekë, 72 intervistohen dhe 19 ndalohen



Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës - Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, pas pranimit të informatave publike lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit, në Qendrën Komunale të Numërimit në Suharekë, me autorizim të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka iniciuar hetime me vetiniciativë.

Sipas njoftimit për media thuhet se pas autorizimit nga Prokuroria dhe në kuadër të këtij hetimi, janë intervistuar 72 të dyshuar.

"19 prej tyre pas intervistimit në polici, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale 'Falsifikimi i rezultateve të votimit' nga neni 216 par.2 të KPRK-së. Prokuroria Themelore në Prizren, brenda afateve ligjore, do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës lidhur me caktimin e masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë", thuhet në njoftim.

Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuara në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të drejtës së votës së qytetarëve, në luftën kundër veprave penale që cenojnë zgjedhjet e lira dhe demokratike, si dhe në forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që veprojnë në kundërshtim me ligjin. /Telegrafi/

FSK pjesë e ushtrimit ndërkombëtarë “Dynamic Front 26” në Gjermani



Forca e Sigurisë së Kosovës me një kontingjent nga Regjimenti i Tretë i këmbësorisë me një togë të mortajave, është duke marrë pjesë në ushtrimin ndërkombëtarë “Dynamic Front 26” , i organizuar nga Ushtria Amerikane për Evropë dhe Afrikë (USAREUR-AF).

Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook thuhet se ushtrimi fushor Dynamic Front është një ushtrim shumëkombësh që teston ndërveprueshmërinë e ushtrive të NATO-s dhe ushtrive partnere në fushën e artilerisë dhe zjarrit indirekt.

"Këtë vit, ushtrimi është realizuar paralelisht në pesë shtete: Gjermani, Rumani, Poloni, Spanjë dhe Turqi. FSK ka zbarkuar në Gjermani, në Grafenëöhr Training Area, me kapacitetet e veta logjistike, duke përfshirë automjetet, armatimin dhe municionin".

Po ashtu siç thuhet në njoftim kontingjenti i FSK-së, ka vepruar bashkëngjitur me Regjimentin 4-319 të Artilerisë Fushore të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

"Togu i mortajave, me elementët e tij përbërës – Vijën e Zjarrit, Qendrën e Drejtimit të Zjarrit dhe Vëzhguesit e Përparëm – si dhe me mortaja 120 mm, ka realizuar qitje mbi objektiva në koordinim me Ushtrinë Amerikane dhe trupat e Ushtrisë Italiane. Gjatë Ushtrimit Fushor Dynamic Front 26, FSK ka demonstruar përvojën e saj në qitje me mortaja gjatë ditës dhe natës, si dhe ka shkëmbyer mësime dhe praktika më të mira me forcat partnere. FSK çdo ditë po dëshmon profesionalizmin, disiplinën duke ndërvepruar me partnerët në të mirë të paqes dhe sigurisë", thuhet në postim. /Telegrafi/



Lirohet Haxhi Shala



Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala është liruar nga Gjykata Speciale.

Lajmi për ardhjen e tij e ka bërë të ditur djali i tij, Flakron Shala, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Ai ka ndarë një mesazh të shkurtër emocional, duke shkruar: “Mirë se erdhe në atdhe, babë”.

Pas lirimit të tij, ka reaguar edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Mirë se vjen, bashkëluftëtar! Të urojmë shëndet dhe gjitha të mirat në jetë pranë familjes dhe njerëzve të tu”, shkruan OVL e UÇK-së.

Haxhi Shala është dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës për vepra që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë. /Telegrafi/


BIK: Hytbeja e xhumasë t’i kushtohet 17 Shkurtit dhe luftëtarëve të lirisë



Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Myftiu Naim ef. Tërnava, përveç vendimeve të tjera, vendosi që të përkrahë fuqishëm marshin protestues “Liria ka emër”, i cili është paraparë të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbështetje të çlirimtarëve tanë, që padrejtësisht po mbahen dhe po tentohen të dënohen në Hagë.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se kryesia e BIK-ut, gjyqin në Hagë e konsideron një proces me prapavijë politike, që ka për qëllim atakimin e vlerave të UÇK-së.

“Për popullin e Kosovës, UÇK-ja mbetet vlera më sublime, e mishëruar me lirinë, pavarësinë dhe dinjitetin e popullit dhe vendit tonë. Është e papranueshme që të relativizohen krimet serbe dhe, në të njëjtën kohë, përmes gjyqeve politike të krijohet një baraspeshë e rreme, siç po tentohet të veprohet nga gjykata në Hagë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu siç thuhet në njoftim kryesia vendosi që hytbeja e xhumasë, ditën e premte më 13 shkurt, në të gjitha xhamitë e Kosovës, t’i kushtohet 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së vendit dhe tema bosht të jetë mesazhi përkrahës për luftëtarët e lirisë.

“Kryesia e BIK-ut po ashtu mbështet fuqishëm deklaratën e djeshme të Myftiut Naim ef. Tërnava kundër kërkesës së prokurores së Dhomave të Specializuara, e cila ka kërkuar dënim për çlirimtarët tanë. Presim lirimin e çlirimtarëve tanë dhe besojmë se drejtësia do të fitojë. Ftojmë të gjithë që të marrin pjesë në marshin protestues në mbështetje të çlirimtarëve tanë më 17 shkurt në Prishtinë. /Telegrafi/

Konjufca: Do ta përfaqësoj Kosovën në ditën përfundimtare në Hagë



Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka deklaruar se do të jetë i pranishëm në ditën përfundimtare të procesit nw Hagw, në shenjë solidariteti dhe respekti për sakrificën e bërë.

“Do të jem aty për atë që kemi kaluar bashkë, për sakrificën dhe për luftën e drejtë të UÇK-së. Askush nuk mund të na dalë në mes, as partitë politike e as askush tjetër. Populli e ka bërë luftën dhe personalitetet që janë sot në Hagë kanë qenë në krye të një lufte të drejtë”, tha Konjufca.

Sipas tij, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë një luftë e drejtë për liri dhe se askush nuk mund ta njollosë atë apo t’i ndajë qytetarët e Kosovës rreth kësaj çështjeje.

Duke folur për proceset gjyqësore në Hagë, Konjufca theksoi se ata që kanë qenë në krye të luftës çlirimtare nuk kanë kryer krime dhe se sakrifica e popullit të Kosovës është e pamohueshme.

“Ne kemi luftu për lirinë tonë, dhe ata njerëz të cilët gjatë kësaj kohe e të gjithë ato personalite që kanë qenë gjatë kohës së luftës nuk kanë bërë krime. Kanë qenë në krye të një ushtrie çlirimtare, e cila ka dhënë dëshmorët e saj, e ne jemi një popull që kemi dhënë mbi 12 mijë të vrarë, fëmijë dhe gra shtatzëna. Kjo është e vërtetë e kushdo që mundohet me goditë atë do të humb. Shpresoj dhe uroj që të gjithë ata që po gjykohen në Hagë do të dalin të pafajshëm”, ka thënë Konjufca.

Ai shtoi se kjo është e vërteta historike dhe se kushdo që përpiqet ta godasë atë do të dështojë.

Konjufca theksoi se të gjithë të akuzuarit që po gjykohen në Hagë janë të pafajshëm. /Telegrafi/

"Hashim Thaçi ishte i aftë të maskonte realitetin", Rama i reagon ashpër prokurorit Matt Halling



Pas deklaratës së prokurorit Matt Halling i cili tha se ajo që nuk kuptonin ndërkombëtarët, duke përfshirë edhe James Rubin dhe Wesley Clark, Hashim Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet ka reaguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Rama përmes një postimi në rrjetin social në Facebook e ka qujtur prokurorin Halling “Idiot ndërkombëtarë”.

"Çfarë idioti ndërkombëtarë”, ka shkruar Rama.

Rama po ashtu në këtë postim bashkangjiti edhe videon në të cilën prokurori i ZPS-së, Halling hodhi këtë pretendim. /Telegrafi/




Aktakuzë për keqpërdorim në prokurim publik, dëm 36 mijë euro



Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj B.D., L.Z. dhe personit juridik “L.P.” SH.P.K, për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Sipas një njoftimi për media thuhet se sipas aktakuzës, B.D., në cilësinë e personit zyrtar, menaxherit të kontratës “Renovimi i objektit të MBPZHR-së në Prishtinë”, në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, gjatë periudhës 19.08.2024 - 31.12.2024, ka miratuar dhe vërtetuar në kundërshtim me ligjin realizmin e plotë të punimeve dhe pagesave për largimin e inventarit.

“Ndërkohë, L.Z., si person përgegjës i ‘L.P.’ Sh.P.K., akuzohet se gjatë ekzekutimit të kontratës ka paraqitur fakte të rreme, duke deklaruar realizim të plotë të punimeve, ndonëse punët ishin kryer vetëm pjesërisht”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu siç thuhet në njoftim si pasojë, buxhetit të Republikës së Kosovës i është shkaktuar dëm financiar prej 36,000 euro.

“Prokuroria Speciale, i ka propozuar Gjykatës që ndaj të pandehurve të shqiptohen edhe dënime plotësuese: ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, si dhe ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë apo detyrës”, thuhet në njoftim.

Prokurorja e ZPS-së: Mbi 5 mijë prova dhe dëshmi të dhëna gjatë 140 ditëve gjykim



Prokurorja e Zyrës së Prokurorit Special (ZPS), Kimberly West, në deklaratën e saj përmbyllëse para trupit gjykues, theksoi përmasat dhe rëndësinë e procesit gjyqësor që ka zgjatur më shumë se 140 ditë.

Sipas saj, gjatë këtij procesi janë aprovuar mbi 5 mijë prova materiale, ndërsa dëshminë e kanë dhënë më shumë se 130 dëshmitarë, përcjell Telegrafi.

“Ka qenë privilegj për mua të takoj njerëzit që kanë qenë të përfshirë në këto ngjarje – njerëz që kanë jetuar për më shumë se 20 vite me pasojat e krimeve”, deklaroi West.

Ajo theksoi se Zyra e Prokurorit Special ka punuar pa ndërprerje për t’u siguruar që viktimat të marrin drejtësi dhe që individët përgjegjës të mbajnë llogari për veprimet e tyre.

Sipas saj, këto përpjekje përfaqësojnë parimet themelore të shtetit ligjor.

“Shteti i së drejtës është më i rëndësishëm se kurrë, veçanërisht në kohë lufte”, u shpreh prokurorja, duke shtuar se kërkesa e Prokurorisë bazohet në provat e paraqitura gjatë gjykimit. /Telegrafi/

Lirohet nga akuza arsimtari që akuzohej se hodhi flamurin dhe plisin në mbeturina



Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Muhamed Hajredinajt për akuzën se në cilësinë e mësimdhënësit, hodhi në shportën e mbeturinave flamurin kombëtar dhe plisin.

Aktgjykimi u shpall të martën nga kryetari i trupit gjykues Leon Përlaska dhe anëtarët Violeta Namani-Hajra dhe Avni Syla, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjykatësi Përlaska tha se gjykata u mbështet në provat e administruara në shqyrtim gjyqësor dhe vlerësoi se i pandehuri nuk ka pasur për qëllim nxitjen e urrejtjes e mosdurimit.

Gjykatësi tha se veprimet e Hajredinajt nuk përmbushin elementet e veprës penale, andaj lirohet nga akuza.

I akuzuari nuk mori pjesë në shpallje.

Shpenzimet e procedurës penale bien në barrë të gjykatës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, ngritur më 24 prill 2025, Hajredinaj akuzohej se më 27 nëntor 2024, në objektin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Xhemail Mustafa” në Prishtinë, në cilësinë e arsimtarit të gjuhës angleze, me qëllim të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit ndërmjet grupeve kombëtare, etnike dhe fetare, ka hedhur flamurin kuq e zi dhe plisin në shportën e mbeturinave, përkundër kundërshtimeve të nxënësve. Ai akuzohej gjithashtu se ka larguar nga ora e mësimit një nxënëse që mbante simbolet për pjesëmarrje në programin festiv të Ditës së Flamurit.

Me këto veprime, Hajredinaj akuzohej për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” sipas nenit 141, paragrafi 4, lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal.

​Prokurori: Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi ishin të përfshirë në emërimin e komandantëve të UÇK-së



Në fjalën përfundimtare të Prokurorisë në Hagë u pretendua se përfshirja e Kadri Veselit në krimet e ngritura në aktakuzë shihet qartazi.

Sipas prokurorit Matt Halling, Thaçi dhe Veseli, para se të hiqnin dikë nga skena, e akuzonin si bashkëpunëtor të Serbisë dhe se ata që nuk respektonin Lëvizjen Popullore të Kosovës do të vuanin pasojat.

Ai pretendoi se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli personalisht janë të përfshirë në emërimin e komandantëve të UÇK-së.

Madje, ai pretendoi edhe se Veseli ishte pjesë e vendimit për të vendosur persona të caktuar për t’i mbikëqyrur operacionet, siç tha, të torturës.

“Metoda e tyre ishte që ata, para se të hiqnin dikë nga skena, e akuzonin si bashkëpunëtor dhe kështu me radhë. Dëshmitari shtoi se ata që nuk respektonin Lëvizjen Popullore të Kosovës do të vuanin pasojat përkatëse. Kjo ishte situata dhe kështu ndodhte… Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi personalisht janë të përfshirë në emërime komandantësh… Veseli nuk është jashtë vendi dhe nuk është i shkëputur nga këto ngjarje. Por ai është pjesë e vendimit që ka vendosur këta persona për të mbikëqyrur operacionin e torturës”, tha ai.

Në pjesën përmbyllëse gjatë ditës së hënë u dhanë deklarata lidhur me funksionimin dhe strukturën e Shtabit të Përgjithshëm. Prokuroria kërkoi që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, apo gjithsej 180 vjet. /KP/Telegrafi/

"720 euro për bursistë", Peci: Komuna e Mitrovicës mbështetë 350 studentë



Komuna e Mitrovicës ka mbështetur 350 studentë bursistë me nga 720 euro.

Këtë e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, kryetari i kësaj komune, Faton Peci.

Sipas tij, komuna ka rritur mbështetjen mujore të bursistëve.

“Përveç që kemi rritur mbështetjen mujore të bursistëve, gjithashtu kemi rritur edhe numrin e studentëve përfitues. Rritja e mbështetjes në arsim është një prej prioriteteve tona që do të vazhdojë edhe në forma të tjera”, ka shkruar Peci. /Telegrafi/


ZPS: Rubin, Clark e ndërkombëtarët tjerë nuk e kuptuan që Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte



Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) e përfaqësuar nga prokurori Matt Halling, tha se ajo që nuk kuptonin ndërkombëtarët, duke përfshirë edhe James Rubin dhe Wesley Clark, ishte që Hashim Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet.

Ndërsa, shtoi tutje se kjo ndikoi në botëkuptimin e ndërkombëtarëve për të kuptuar se si funksiononte në të vërtetë UÇK-ja, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Ajo që nuk kupton James Rubin, Wesley Clark dhe ndërkombëtarët e tjerë, është që Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet dhe kjo ndikoi në botëkuptimin e tyre për të kuptuar se si funksiononte në të vërtetë UÇK-ja", tha ai.

Përveç kësaj, Matt Halling tha se këta dy ndërkombëtarë që u përmenden nuk kishin kurrfarë interesi që të kuptojnë se çfarë po ndodhte në realitet.

“Veçanërisht Rubin dhe Clark nuk kishin kurrfarë interesi që të kuptonin se çfarë po ndodhte në realitet dhe besonin se puna e tyre, ishin në anën e duhur të historisë dhe nuk u përballën me atë se çfarë po dëgjon ky trup gjykues për të cilin do marrin vendimet përkatëse”, tha ai. /BetimipërDrejtësi/

Prokurori: Shohim përfshirjen e Veselit në krimet e ngritura në aktakuzë, mungesa e tij në Kosovë s’e ndryshon situatën



Prokurori Matt Halling ka thënë se mund të shihet përfshirja e Kadri Veselit në krimet e ngritura në aktakuzë.

Këtë deklarim, prokurori e mbështeti duke treguar për ndalimin e një personi për të cilin tha se u transferua personalisht nga Veseli në Kleçkë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Ne mund të shohim përfshirjen e Kadri Veselit në krimet e ngritura në aktakuzë edhe sa i takon ndalimit të Milan Mitroviqit. Në dosjen tonë diskutohet se si Veseli personalisht ka transferuar këtë person të keqtrajtuar në Kleçkë”, tha Halling.

Ai prezantoi edhe një dokument ku tregon ndalimin e Mitroviqit dhe që bashkëngjitur me atë shkruan “Shtabi Kryesor (Luli)”.

Halling theksoi se edhe vetë Veseli ka deklaruar se ka qenë në afërsi të Kleçkës kur është transferuar Mitroviq.

Tutje, prokurori shtoi se një dëshmitar që është mbajtur në Kleçkë së bashku me Mitroviqin, ka thënë se janë rrahur keq.

“Kadri Veseli ka ende shumë më tepër informacion sa u takon krimeve të kryera edhe përtej atyre në të cilat ka qenë ai personalisht i përfshirë”, shtoi Halling.

Në korrik të 1998-ës, sipas prokurorit, dëshmitari 2144 u takua me Veselin dhe Thaçin dhe paralajmëroi për raportimet për rrëmbimet dhe ndalimet e kryera nga UÇK-ja.

Ky dëshmitar, ai thotë se kishte deklaruar se Thaçi kishte thënë se UÇK-ja ishte ushtri e rregullt dhe e respektonte Konventën e Gjenevës.

“Mosangazhimi i Kadri Veselit për të parandaluar dhe kundërshtuar krimet në rolet që kanë mbajtur në Shtabin e Përgjithshëm në njësinë e ZKZ-së është një kontribut sa i takon akuzave të ngritura në aktakuzë për NPK-në, si dhe nuk ka përmbushur detyrat e tij si një epror i përgjegjshëm”, tha ai.

Përveç kësaj, prokurori deklaroi se mungesa e Veselit në Kosovë nuk e ndryshon situatën pasi ai mund t’i ushtronte kompetencat e tij ngado që ishte.

“Mungesa e tij në Kosovë nuk e ndryshon situatën. Veseli mund të ushtronte kompetencat e veta në Kosovë kudo që ishte dhe kurdo që dëshironte”, tha prokurori Halling.

Prokurori tha se Veseli ka qenë i përfshirë në udhëheqje dhe në veprimtari inteligjencë sipas provave. Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, sipas Halling, janë përfshirë në disa emërime të komandantëve. /BetimipërDrejtësi/

Gjendet pa shenja jete një grua në Prizren, rasti po hetohet



Një grua është gjetur në banesën e saj pa shenja jete.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të hënën në Prizren.

Tutje thuhet se njësitet relevante kanë dal në vendin e ngjarjes ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës.

“Është raportuar se viktima femër kosovare është gjetur në banesën e saj pa shenja jete. Njësitet relevante kanë dalur në vendin e ngjarjes ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Guvernatori Ismaili mirëpret Misionin e Asistencës Teknike të FMN-së për forcimin e modelimit dhe parashikimit makroekonomik



Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, së bashku me ekipin e tij, mirëpriti ekipin e misionit të asistencës teknike të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të udhëhequr nga Yunhui Zhao nga selia qendrore e FMN-së.

Misioni përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mëtejmë të kapaciteteve të BQK-së në parashikimin makroekonomik dhe analizën e politikave, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Projekti i asistencës teknike pason diskutimet e mëhershme të zhvilluara gjatë Takimeve Vjetore në Washington DC, ndërmjet Guvernatorit Ismaili dhe Institutit për Zhvillimin e Kapaciteteve (ICD) të FMN-së (përfshirë menaxhmentin e lartë të ICD-së), si dhe kërkesën formale të BQK-së për këtë mbështetje dhe misionin hyrës të realizuar në shtator 2025.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili e njoftoi ekipin e FMN-së mbi zhvillimet e fundit në sektorin financiar të Kosovës dhe për reformat e ndërmarra nga BQK-ja me qëllim forcimin e stabilitetit financiar dhe rritjen e efektivitetit të politikave.

Ai po ashtu paraqiti pritshmëritë e institucionit nga ky angazhim, duke theksuar rëndësinë e tij për forcimin e kapaciteteve analitike dhe mbështetjen e vendimmarrjes së bazuar në evidencë.

Guvernatori Ismaili theksoi se asistenca teknike do të kontribuojë në ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme të brendshme dhe në rritjen e mëtejme të cilësisë së kornizës së politikave makroekonomike, në përputhje me Planin Strategjik të BQK-së.

Korniza analitike që do të zhvillohet do të forcojë kapacitetet analitike dhe parashikuese të BQK-së, përfshirë zhvillimin e skenarëve për diskutime të politikave dhe testimet e stresit makro-financiar, duke mbështetur kështu procesin e politikëbërjes së BQK-së.

Zhao prezantoi objektivat e dakorduara të projektit shumëvjeçar të asistencës teknike, i cili synon kryesisht krijimin e një infrastrukture të qëndrueshme analitike për të mundësuar parashikime të besueshme dhe analiza skenarësh që informojnë procesin e vendimmarrjes.

Në përfundim, BQK-ja dhe ekipi i FMN-së rikonfirmuan angazhimin e tyre për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe për sigurimin e zbatimit të suksesshëm të këtij projekti të rëndësishëm.

BQK-ja vlerëson lart mbështetjen e FMN-së dhe njeh vlerën e konsiderueshme të projekteve të asistencës teknike në forcimin e kapaciteteve institucionale. /Telegrafi/

Incidenti në shkollën “Pavarësia”, çka thotë raporti policor



Pas incidentit që ndodhi në shkollën ShFMU “Pavarësia” në Prishtinë, Policia e Kosovës ka arrestuar mësimdhënësin të dyshuar për sulm fizik.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti është raportuar më 09.02.2026, rreth orës 11:40, brenda objektit të shkollës. Një mashkull kosovar ka njoftuar se ishte sulmuar fizikisht nga një tjetër mashkull kosovar, derisa ndodheshin në ambientet e institucionit arsimor.

“I dyshuari është intervistuar nga policia dhe, me vendim të prokurorit kompetent, është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin zyrtar të Policisë së Kosovës.

Rrethanat e incidentit dhe motivet e tij mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit. /Telegrafi/

Arrestohen dy persona në Fushë Kosovë, rrahën një të dyshuar për ngacmim seksual



Dy persona janë arrestuar pasi që njëri prej tyre dyshohet se e ka sulmuar fizikisht të dyshuarin tjetër, i cili dyshohet se kishte kryer veprën penale të ngacmimit ndaj viktimës.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 10:55, në Fushë Kosovë.

Tutje bëhet e ditur se dy të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që njëri prej tyre dyshohet se e ka sulmuar fizikisht te dyshuarin tjeter, I cili dyshohet se kishte kryer vepren penale te ngacmimit ndaj viktimes femer kosovare. Dy të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /Telegrafi/

“Një popull nuk i nënshtrohet KEDS-it”, protesta kundër shtrenjtimit të rrymës - arrestohet një person



E plotësuar: Qytetarët sot po protestojnë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, ndërkaq gjatë protestës është arrestuar një nga protestuesit.











“Një popull nuk i nënshtrohet KEDS-it”, protesta kundër shtrenjtimit të rrymës

“Nuk sakrifikojmë na për KEDS”, “Rryma nuk është luks”, “Një popull nuk i nënshtrohet KEDS-it”, janë mbishkrimet në pankarta që qytetarët mbajnë në duar gjatë protestës për të kundërshtuar mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë para objektit të KEDS-it.

Protestuesit në shenjë revolte kanë gjuajtur tymosës në drejtim të objektit të KEDS-it.


Ndërkaq kjo protestë është organizuar nga një grup aktivistësh nga Kolektivi Feminist dhe Përpjekja kundër paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike.



Më poshtë Telegrafi ju sjellë fotografi të protestës të shkrepura nga fotoreporteri, Ridvan Slivova. /Telegrafi/

❌