Berisha: Të ripërtërijmë PD-në me njerëz me moral
TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha kërkoi sot angazhim të plotë për organizimin e protestës në 10 shkurt, ndërsa u shpreh se “do të bëjmë çdo gjë për të ripërtërirë PD-në me njerëz me moral”.
Në vijim të turit të Foltores me mbështetës të PD-së në degën 1 dhe 3, Tiranë, Berisha tha se “do të bëjmë gjithçka për suksesin e protestës”.
“Do merremi me anëtarësime të reja, do bëjmë gjithçka që të tërheqim të rinj, të reja, qytetarë, idealistë, njerëz me vlera. Do bëjmë gjithçka për të nxitur frymën e revoltës në çdo zemër. Jemi në kilometrin e fundit, asgjë në botë nuk do mund të ndalë marshin tonë.
Ndaj dhe me datën 10, qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë janë të ftuar për t’i thënë leksionin e merituar këtij regjimi dhe kreut të tij, Edi Rama”, u shpreh Berisha.
Berisha bëri thirrje që të shtohen radhët e PD-së me anëtarësime të reja, ndërsa u shpreh se nuk duhet të ketë keqardhje për ata që bjerrin moralin e tyre dhe shkojnë me krahun tjetër.
“Ne në një mënyrë ose në një tjetër, nga kjo kategori duhet të ndahemi. Ne nuk kemi kartë tjetër përveç asaj të idealeve dhe moralit tonë. Kurrë këtë parti nuk mund ta mbash peng me biznesin tënd”, tha Berisha.
Sipas tij, “PD nuk është parti e dhunës”. “Ne jemi të përcaktuar, parti që nuk marrim kurrë pushtet ndryshe përveçse me votë. Alternativa jonë është e drejtë. Ne kemi fituar në kushtet më të vështira, dhe unë u garantoj se ne do fitojmë kësaj here. Por duhet të bëjmë takime në mënyrë që të ndriçojmë mendjet e njerëzve”, tha Berisha.
Berisha theksoi se “një regjim që shndërron zgjedhjet në farsë, meriton çdo përgjigje”.
“Unë e kuptoj çdo të thotë opozitë pas 13 vitesh. Ka një faktor të tretë madhor të këtij regjimi që vepron kundër opozitës. Se ky regjim nga mëngjesi gjer në darkë, mbijetesën e bazon tek sulmi ndaj opozitës. Dhe ai përpiqet me të gjitha mënyrat të komprometojë, të korruptojë opozitën dhe opozitarët”, shtoi Berisha.
/m.m/j.p/
The post Berisha: Të ripërtërijmë PD-në me njerëz me moral appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.